

Nga Zef Ujkaj/
Kumtesa e mëposhtme analizon veprën “Albania”, të autorëve Athanas Gegaj dhe Rexhep Krasniqi, një botim të emigracionit politik, publicistik e intelektual, duke synuar të informojë dhe sensibilizojë opinionin ndërkombëtar mbi realitetin politik, historik e shoqëror të Shqipërisë së asaj kohe, por edhe për rrjedhat historike të saj. Punimi im është i strukturuar në tre kapituj.
Kapitulli i parë paraqet një analizë të përmbledhur të përmbajtjes dhe synimeve kryesore të veprës “Albania”. Kapitulli i dytë fokusohet në jetën dhe veprimtarinë e autorëve Gegaj dhe Krasniqi. Kapitulli i tretë trajton rolin e Asamblesë së Kombeve të Robëruara të Evropës, si organizmi që mundësoi botimin dhe shpërndarjen e kësaj broshure mbi Shqipërinë, duke e vendosur atë në kuadër të veprimtarisë antikomuniste dhe lobimit politik në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu analizon veprimtarinë e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” si struktura politike e emigracionit shqiptar ku bënin pjesë Krasniqi dhe Gegaj dhe prej nga u inicua dhe u botua vepra “Albania”.
- Përmbledhje e broshurës “Albania”
Vepra “Albania” e autorëve Gegaj dhe Krasniqi, u botua në New York, në vitin 1964 nga Asambleja e Kombeve të Robëruara të Evropës (Assembly of Captive European Nations, më tej∶ ACEN) dhe u përgatit nga Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” me synimin, që përmes një analize të thelluar dhe të strukturuar të shpjegonte zhvillimin historik, shoqëror dhe politik të Shqipërisë, për të prezantuar një pasqyrë të qartë, të dokumentuar dhe kritike të historisë, gjeografisë, politikës dhe shoqërisë shqiptare deri në fillim të viteve ̕ 60.
Broshura ka 47 faqe, përfshin dy harta dhe një bibliografi të pasur.
Qëllimi kryesor i veprës është identifikimi dhe trajtimi i periudhave kryesore historike, nga origjina ilire tek epoka e Skënderbeut, më pas te periudha e Pavarësisë dhe regjimit komunist. Gjithashtu mjaft me rëndësi është dhe evidentimi i librit si burim historik, në informimin e opinionit ndërkombëtar dhe në pasqyrimin e realitetit politik dhe shoqëror të Shqipërisë, sidomos gjatë izolimit të vendit nën regjimin komunist. Ky punim gjithashtu synon të vërë në dukje pikëpamjet ideologjike të autorëve dhe të analizojë mënyrën se si libri kombinon informacionin historik me dokumenta shtesë, tabela dhe harta që e bëjnë një vepër të vlefshme për studiues dhe historianë.
Autorët e nisin analizën nga gjeografia, duke e konsideruar atë si një faktor themelor përcaktues. Territori kryesisht malor dhe mungesa e ultësirave të mëdha bujqësore paraqiten si pengesa për konsolidimin e hershëm të shtetit dhe për zhvillimin e një ekonomie të integruar. Në këtë mënyrë, gjeografia shërben për të shpjeguar njëkohësisht qëndrueshmërinë e identitetit shqiptar dhe dobësinë e institucioneve politike për shtrirjen e autoritetit. Ky dualitet, sipas autorëve, përbën çelësin interpretativ të gjithë historisë së mëvonshme: izolimi natyror ndihmoi në ruajtjen e gjuhës dhe zakoneve, por njëkohësisht pengoi centralizimin dhe proceset e modernizimit. Vonesa dhe kufizimet në zhvillimin urban të zonave periferike bënë që struktura shoqërore të formësohej kryesisht mbi baza lokale, të mbështetura në të drejtën zakonore. Ekonomia tradicionale mbështetej kryesisht në bujqësi dhe blegtori, ndërsa aktiviteti tregtar zhvillohej vetëm në pak qendra urbane. Industrializimi nisi të shfaqej në fillim të viteve ̕ 20 dhe mori hov pas Luftës së Dytë Botërore ku zhvillim të dukshëm pati prodhimi bujqësor, energjetik dhe minerar. Nga kjo kuptojmë se pengesat gjeografike kanë krijuar sfida të mëdha për një zhvillim potencial të vendit duke e lënë të pashfrytëzuar.
Në trajtimin e origjinës së shqiptarëve, autorët mbështesin qartë tezën e vazhdimësisë iliro-shqiptare. Kjo tezë nuk paraqitet vetëm si argument historik, por edhe si qëndrim polemik kundër narrativave që e konsiderojnë elementin shqiptar si të ardhur në Ballkan. Sipas autorëve identiteti kombëtar shqiptar, gjuha dhe kultura mbijetuan si rezultat i një rezistence të gjatë historike kundrejt pushtimeve romake, sllave, osmane etj. Shqiptarët, ndonëse pjesë e familjes indoevropiane, u shfaqën herët si një bashkësi e veçantë kulturore e gjuhësore. Figura si Bardhyli, Agroni, Pirro etj., dëshmojnë një vetëdije të hershme shtetformuese dhe një pjekuri të organizimit politik e ushtarak. Megjithatë, përçarja e brendshme dhe presioni i perandorive çuan në nënshtrimin e Ilirisë. Ndonëse sundimi romak shkatërroi pavarësinë politike vendase, provinca e Ilirikut u bë një nga shtyllat ushtarake e administrative të Perandorisë Romake, duke nxjerrë disa perandorë dhe figura të rëndësishme shtetërore dhe duke i shndërruar qytetet ilire në qendra të rëndësishme ekonomike e kulturore. Pas ndarjes së Perandorisë Romake, territori i Ilirisë u kthye në zonë të dyndjeve barbare, përplasjeve e emigrimeve. Pushtimi sllav solli ndryshime të thella etnike e gjeopolitike në Ballkan, duke i detyruar shqiptarët të tërhiqeshin në zona të thella malore dhe qytete të fortifikuara për të ruajtur identitetin e tyre. Krijimi i formacionit të parë politik shqiptar në fillim të shekullit XIII përbën një moment të rëndësishëm në procesin e formimit të një identiteti të veçantë brenda Perandorisë Bizantine si shprehje e aspiratës për organizim të mëvetësishëm shtetëror.
Periudha e Mesjetës dhe ajo që autorët e përkufizojnë si epokë heroike përbëjnë boshtin simbolik të veprës. Shqipëria megjithëse e fragmentuar, kishte një fisnikëri vendase aktive, e cila përpiqej të ruante autonominë mes perandorive mesjetare. Ishin pikërisht familjet e mëdha feudale që përbënin shtyllën e rezistencës kundër pushtimit osman, me figurë qendrore Gjergj Kastriot Skënderbeun. Figura e Skënderbeut trajtohet në mënyrë të dyfishtë: si një figurë historike reale dhe si një element qendror i ndërtimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Autorët e shohin rezistencën kundër Perandorisë Osmane jo vetëm si luftë lokale, por si pjesë të një përballjeje më të gjerë evropiane. Bashkimi i princërve shqiptarë, organizimi ushtarak dhe rezistenca për më shumë se 25 vjet, e shndërrojnë Shqipërinë në simbol të qëndresës dhe konsolidimit të vetëdijes së përbashkët politike e kombëtare shqiptare. Vihet në dukje se mungesa e institucioneve të qëndrueshme dhe përçarja e elitave shqiptare e bënë të pashmangshëm nënshtrimin pas vdekjes së heroit. Pas vdekjes së Skënderbeut, rënia graduale e qëndresës dhe emigrimi masiv drejt Italisë shënojnë fundin e epokës heroike dhe fillimin e një periudhe të gjatë të sundimit osman. Sundimi osman analizohet si një periudhë e gjatë ambiguiteti historik, që nga njëra anë përfaqëson humbjen e shtetësisë dhe izolimin nga zhvillimet perëndimore dhe nga ana tjetër krijon mekanizma individualë integrimi që lejuan shqiptarët të mbijetonin dhe madje të ngjiteshin në hierarkinë perandorake. Autorët e shohin këtë fenomen si zëvendësim të projektit kolektiv kombëtar me karrierë personale, çka shpjegon vonesën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë figura si Ali Pashë Tepelena dhe Mustafa Pashë Bushati pavarësisht ngritjes në karrierë, mishëruan përpjekjet e para për autonominë e vendit. Por me shkatërrimin e këtyre formacioneve dhe shuarjen e rezistencës shqiptare të shekullit XIX, iu hap rruga copëtimit të trojeve shqiptare me Traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit megjithë rezistencën heroike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në mungesë të institucioneve kombëtare, si pasojë e sundimit të ashpër dhe represiv osman, kultura dhe identiteti u mbajtën gjallë kryesisht përmes traditës gojore dhe më vonë përmes letërsisë, e cila lindi si akt mbijetese kulturore dhe rezistence shpirtërore. Fillimisht dolën shkrimet fetare, pastaj letërsia patriotike e diasporës arbëreshe dhe përgjatë shekullit XX, letërsia kombëtare e lidhur ngushtë me lëvizjen për pavarësi, me figura si De Rada, Naim Frashëri, Fishta, Noli etj, të cilët e shndërruan fjalën artistike në mjet politik e kombëtar. Ky proces ideologjik përgatiti terrenin për shpalljen e pavarësisë më 1912 dhe për mbrojtjen e shtetit shqiptar përballë copëtimit territorial dhe krizave të shekullit XX. Rilindja Kombëtare përfaqëson kështu, përveç se një periudhë rezistence edhe një moment themelor ku u kristalizua vetëdija kombëtare dhe ndërgjegjësimi i shqiptarëve për liri e pavarësi të vendit. Autorët theksojnë se shteti shqiptar lindi i cunguar territorialisht, i dobët institucionalisht dhe i ekspozuar ndaj presionit të Fuqive të Mëdha dhe të fqinjëve.
Kjo dobësi strukturore shpjegon, sipas tyre, se pse modernizimi ndërmjet dy luftërave botërore mbeti i kufizuar dhe se pse Shqipëria hyri në Luftën e Dytë Botërore pa kapacitete reale vetëmbrojtjeje. Shqipëria shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912, por u njoh ndërkombëtarisht në vitin 1913 duke lënë jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar, më shumë se gjysmën e shqiptarëve. Vitet që pasuan u shënuan nga pushtime të njëpasnjëshme, trazira të brendshme dhe kriza të thella politike, deri në përpjekjen për konsolidimin e shtetit me Kongresin e Lushnjës. Më tej, vendi do të përjetonte luhatje të vazhdueshme institucionale dhe ndryshime të shpeshta të formave të qeverisjes, duke kaluar nga republika në monarki. Zhvillimi i brendshëm u ndërpre nga pushtimi italian më 7 prill 1939 dhe më pas nga okupimi nazist, duke e futur vendin në një fazë të re të trazuar historike.
Pika më kritike dhe më e ngarkuar ideologjikisht e analizës është periudha komuniste, të cilën autorët e trajtojnë si ndërprerje radikale të zhvillimit historik shqiptar. Marrja e pushtetit nga komunistët paraqitet si proces i ndërtuar mbi eleminimin e rivalëve politikë, mbështetjen e jashtme dhe shfrytëzimin e diskursit çlirimtar. Pushteti i marrë nga komunistët nuk ishte rezultat i një konsensusi shoqëror, por i dhunës politike dhe terrorit duke e shndërrua Shqipërinë në një shtet njëpartiak nën kontroll të rreptë ideologjik dhe duke shkatërruar si pasojë çdo formë të pluralizmit. Gjykimet politike, ekzekutimet, burgimet dhe kampet e punës, u bënë instrumente të zakonshme të sundimit qeverisës. Shoqëria u nënshtrua nëpërmes frikës. Indoktrinimi ideologjik u bë i detyrueshëm. Në këtë kontekst, terrori politik, kolektivizimi i dhunshëm dhe shkatërrimi i pronës private nuk trajtohen si devijime, por si elemente përbërëse të sistemit. Nacionalizimi i pronës sollën varfërinë e përgjithshme dhe varësinë totale të popullsisë nga shteti. Si pasojë, niveli i jetesës ishte i ulët, ku shteti u ndërtua mbi frikën, izolimin dhe kontrollin absolut. Autorët, gjithashtu nënvizojnë se arsimi, kultura dhe arti, megjithëse u zgjeruan numerikisht, u shndërruan në instrumente propagandistike, duke humbur autonominë e krijimtarisë dhe funskionit kritik.
Veçanërisht e rëndësishme është analiza e përndjekjes fetare, e cila paraqitet si përpjekje sistematike për të shkatërruar çdo autoritet alternativ ndaj shtetit-parti. Në planin ndërkombëtar, autori e sheh Shqipërinë komuniste si një shtet artificialisht të izoluar, të shkëputur nga mjedisi i tij natyror evropian. Pas prishjes me Jugosllavinë, regjimi u lidh ngushtë me Moskën, duke e kthyer vendin në një satelit ideologjik e ekonomik të kampit sovjetik. Ndërsa pas prishjes së marrëdhënive me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria u rreshtua krah Kinës, bashkëpunim, i cili interpretohet si manovër mbijetese e regjimit dhe ideologjisë staliniste më shumë sesa një konceptim i mirëfilltë i interesit strategjik kombëtar afatgjatë. Hrushovi me politikën destalinizuese dhe pragmatike ndaj një bashkëjetese paqësore me botën perëndimore, u pa në Shqipëri si një dobësim i themeleve ideologjike të regjimit dhe rrezik direkt për sovranitetin e saj pas afrimit Moskë-Beograd. Udhëheqja shqiptare kërkoi ta ruajë besnikërinë ndaj Stalinit si provë besnikërie ndaj komunizmit “të pastër” dhe si mburojë ndaj ndërhyrjeve të jashtme. Si pasojë e prishjes së marrëdhënieve Moskë-Pekin, Shqipëria gjeti një alternativë strategjike, duke parë tek Kina antirevizionizmin dhe antijugosllavizmin, dhe duke parë tek ajo një partner ideologjik e ushtarak. Shqipëria doli nga Pakti i Varshavës dhe ndërpreu çdo marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik. Tirana e shfrytëzoi konfliktin për legjitimitet të brendshëm, duke e paraqitur Moskën si aleate të armiqve kombëtarë dhe duke e kthyer prishjen e marrëdhënieve si narrativë mbrojtjeje të interesit kombëtar nën petkun ideologjik. Në përfundim, autorët kritikojnë autoritarizmin dhe ideologjitë totalitare të udhëheqjes shqiptare.
Shqipëria paraqitet si një shtet thellësisht i izoluar, ku politika e jashtme nuk udhëhiqet nga interesat natyrore gjeografike, ekonomike apo kulturore, por nga nevojat ideologjike dhe mbijetesës së regjimit. Izolimi hermetik i popullsisë dhe shkëputja nga fqinjët evropianë, krijojnë një paradoks, pasi Shqipëria ndodhej në zemër të Evropës, por ishte e lidhur politikisht me Moskën dhe Pekinin. Propaganda zyrtare e Tiranës ishte anti-perëndimore dhe si pasojë vetëm pak vende perëndimore mbanin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Edhe raportet me fqinjët ishin konfliktuale. Edhe shkëmbimet tregtare bëheshin me kampin sovjetik dhe Kinën duke e shkëputur atë nga tregjet përëndimore. Në thelb, Shqipëria në këtë periudhë shërben si instrument ideologjik për mbrojtjen e regjimit, duke thelluar izolimin dhe duke e vendosur vendin në periferi të zhvillimeve politike dhe ekonomike evropiane. Në këtë kuptim, libri nuk është vetëm një rrëfim i së kaluarës, por edhe një reflektim mbi pasojat afatgjata të izolimit, dhunës politike dhe instrumentalizimit të historisë në shërbim të pushtetit.
- Gegaj dhe Krasniqi – autorët e veprës “Albania”
Historia e mendimit dhe veprimit politik e kulturor shqiptar të shekullit XX njeh disa figura që, ndonëse të formuara në rrethana të ndryshme jetësore, u bashkuan në një mision të përbashkët: mbrojtjen e çështjes shqiptare përballë pushtimeve, diktaturës dhe heshtjes ndërkombëtare. Ndër ta spikasin Rexhep Krasniqi dhe Athanas Gegaj, dy intelektualë të formuar në Perëndim, që e shndërruan dijen akademike në instrument shërbimi kombëtar.
Rexhep Krasniqi lindi më 1906 në Gjakovë. Shkollimin fillor e përfundoi në Shkodër, ndërsa studimet e mesme dhe universitare i ndoqi në Austri. Në vitin 1934 u doktorua në filozofi në Universitetin e Vjenës. Pas kthimit në atdhe, Rexhep Krasniqi shërbeu si profesor historie dhe gjeografie në disa qytete shqiptare dhe në Prishtinë, duke u shquar si pedagog rigoroz dhe autor tekstesh shkollore. Gjatë administrimit shqiptar në Kosovë, ai luajti rol kyç në zhvillimin e arsimit kombëtar, si komisar i lartë i arsimit dhe drejtor i parë i gjimnazit shqip në Prishtinë. Ai u angazhua edhe politikisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shërbyer përkohësisht si Ministër i Arsimit në vitin 1944. Pas vendosjes së regjimit komunist, emigroi dhe u bë një nga figurat kryesore të mërgatës politike shqiptare në SHBA.
Athanas Gegaj lindi më 1904 në Buxë të Trieshit, në Malësinë e Madhe. Formimin e parë e mori në Kolegjin françeskan “Illyricum” në Shkodër, ku kreu maturën në fund të viteve ’20. Studimet e larta i vijoi në Louvain të Belgjikës, ku u laurua në histori dhe filozofi dhe më 1937 botoi në frëngjisht veprën monumentale mbi pushtimin osman të Shqipërisë në shekullin XV, duke u bërë një nga zërat më seriozë të historiografisë shqiptare në Perëndim. Athanas Gegaj e nisi veprimtarinë si frat françeskan dhe pedagog në Shkodër, duke kontribuar edhe në revistën “Hylli i Dritës”. Kundërshtimi i pushtimit fashist çoi në internimin e tij dhe më pas në mërgim të përhershëm. Pas heqjes dorë nga jeta fetare, ai u angazhua si intelektual laik dhe veprimtar i diasporës antikomuniste. Në SHBA u bë editor i gazetës “Dielli”, sekretar i Federatës “Vatra” dhe bashkëpunëtor i Radios “Evropa e Lirë”. Ai ishte aktiv në veprimtarinë politike të mërgatës dhe bashkëpunoi me Rexhep Krasniqin në iniciativa ndërkombëtare për denoncimin e diktaturës komuniste në Shqipëri.
Si Krasniqi ashtu edhe Gegaj ishin të vlerësuar nga bota intelektuale shqiptare dhe jo vetëm. Për Rexhep Krasniqin, bashkëkohësit theksojnë kombinimin e rrallë të dijes dhe karakterit. Prenk Gruda shprehej se “…asht shqiptar me virtyte e karakter, njeri me tradita burrnore, atdhetar e shumë i squet, gjithherë me zemër të përvëlueme për Kosovën edhe për të gjitha viset tona të robnueme”, ndërsa Beqir Meta nënvizon se∶ “Dr. Krasniqi e provoi veten që ishte një njeri brilant si në fushën e shkencës ashtu edhe në fushën e kontributeve politike në favor të atdheut dhe kombit të tij”. Charles Douglas Jackson, një prej themeluesve dhe drejtuesve të Komitetit “Evropa e Lirë” do të shkruante për Krasniqin∶”…Në jetën time politike kam pas fatin të bëj me njerëz serioz. Burrë më serioz se Dr. Krasniqin nuk kam njohur…” Ndërkohë për Athanas Gegajn, studiuesi Moikom Zeqo ishte shprehur se∶ “Në shekullin e XX shquhet si një nga historianët më seriozë të Skënderbeologjisë…” ndërsa Prenk Gruda në shkurt të vitit 1954 do të shkruante∶ “Mbas 15 vjetve u pashë prap me Athanas Gegaj. Atëherë, ishte meshtar me zhgunin e vorfën të Shën Françeskut; shumë në za si shkrimtar e intelektual dhe çmohej prej Fishtës e fretënve të tjerë, si burr malesh me virtyte e karakter…Ishte i pari malsuer qi e kishte shkrue nji libër frangisht mbi invadimin e turqëve në Shqipni…”
Njëri i formuar si politikan-akademik, tjetri si historian-publicist, të dy i përkasin asaj elite shqiptare, që edhe në mërgim, e mbajti gjallë Shqipërinë në hartën morale dhe politike të Perëndimit.
- Asambleja e Kombeve të Robëruara të Evropës dhe Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” si kuadri institucional dhe ideologjik i broshurës “Albania”
Asambleja e Kombeve të Robëruara të Evropës (Assembly of Captive European Nations – ACEN), e themeluar më 20 shtator 1954 në New York, përfaqësonte një nga strukturat më të rëndësishme politike të emigracionit antikomunist të Evropës Qendrore dhe Lindore gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo u krijua në një kontekst ndërkombëtar të polarizuar, kur një numër i konsiderueshëm shtetesh evropiane kishin rënë nën regjime komuniste të mbështetura nga Bashkimi Sovjetik, duke e privuar kështu një pjesë të madhe të kontinentit nga sovraniteti politik dhe pluralizmi demokratik. Në këtë kuadër, ACEN u konceptua si një formë e institucionalizuar e përfaqësimit politik në mërgim, një “parlament në ekzil”, që synonte të ruante vazhdimësinë e identitetit shtetëror dhe politik të kombeve të robëruara në arenën ndërkombëtare.
Në përbërjen e saj, ACEN përfshinte nëntë kombe: Shqipërinë, Bullgarinë, Çekosllovakinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Hungarinë, Poloninë dhe Rumaninë. Secili komb përfaqësohej nga komiteti i vet kombëtar në emigracion, ndërsa për Shqipërinë kjo detyrë i takonte Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Selia qendrore e Asamblesë ndodhej në New York, me zyra ndihmëse në Evropën Perëndimore, ndërsa sesionet e saj vjetore zhvilloheshin zakonisht paralelisht me punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke synuar maksimizimin e dukshmërisë politike dhe diplomatike.
Veprimtaria e ACEN ishte e gjerë dhe shumëplanëshe: ajo përfshinte organizimin e konferencave ndërkombëtare, hartimin e memorandumeve dhe rezolutave politike, forume publike dhe dëshmi para Kongresit Amerikan, si dhe një aktivitet të dendur botues me studime, raporte dhe broshura. Një kontribut për transmetimin e mesazheve të ACEN luajtën radiot “Zëri i Amerikës” dhe “Evropa e Lirë”. Këto veprime e shndërruan ACEN në një instrument të rëndësishëm të diplomacisë perëndimore, veçanërisht në kuadër të strategjisë amerikane të kundërshtimit ideologjik të komunizmit. Në këtë aspekt, lidhja e ngushtë e ACEN me National Captive Nations Week (Java Kombëtare e Kombeve të Robëruara), një nismë federale amerikane e institucionalizuar që nga viti 1959, i dha organizatës një platformë të qëndrueshme për ndërgjegjësimin e opinionit publik amerikan mbi fatin e popujve të robëruara. Nëse ACEN siguronte përmbajtjen politike dhe dokumentare, Java Kombëtare e Kombeve të Robëruara i ofronte organizatës një platformë publike kombëtare.
Në kuadër të ACEN, çështja shqiptare zinte një vend të rëndësishëm, duke u përfaqësuar nga figura të rëndësishme të emigracionit politik. Vasil Gërmenji e drejtoi këtë institucion gjatë dy mandateve (1964-1965 dhe 1970-1971), duke reflektuar peshën dhe simbolikën e çështjes shqiptare brenda kësaj asambleje. Një ndër dimensionet më të rëndësishme të veprimtarisë së ACEN ishin botimet tematike kushtuar vendeve anëtare. Brenda kësaj strategjie informative u përfshi edhe broshura “Albania”, e botuar në vitin 1964. Ky botim do të pasqyronte një panoramë të përmbledhur, por të argumentuar, mbi historinë, identitetin kulturor dhe gjendjen politike të Shqipërisë nën regjimin komunist, duke e paraqitur çështjen shqiptare si pjesë integrale të problemit më të gjerë të Evropës së robëruar.
Përmbajtja politike dhe dokumentare e broshurës “Albania” u konceptua dhe u artikulua brenda Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, i cili përbënte strukturën qendrore të emigracionit politik shqiptar antikomunist. Komiteti u formua në Paris, në gusht 1949 në kuadër të përpjekjeve të koordinuara perëndimore për bashkimin e forcave kryesore politike shqiptare antikomuniste në mërgim dhe për krijimin e një përfaqësimi sa më gjithëpërfshirës. Pjesë e këtij komiteti do të bëheshin Balli Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit, Grupi Indipendent dhe Blloku Kombëtar Independent. Në fillim të viteve ̕ 50 Komiteti u zgjerua, dhe iu bashkangjitën edhe 2 figura të rëndësishme me origjinë nga Malësia, Dr. Athanas Gegaj dhe Prenk Gruda. Duhet shtuar se Dr. Gegaj, kur u themelua Komiteti “Shqipëria e Lirë”, i ishte ofruar edhe anëtarësia në Komitetin Konsultativ prej 11 anëtarësh (Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë″ kishte dy komitete, atë Ekzekutiv me 5 anëtarë dhe atë Konsultativ me 11 anëtarë, të cilat më vonë do të shkriheshin në një komitet), por Gegaj nuk pranoi, meqënëse më herët i ishte refuzuar anëtarësimi në këtë Komitet. Pas drejtimit fillestar nga Mit̕ hat Frashëri dhe më pas nga Hasan Dosti, pas vitit 1956, Komiteti hyri në një fazë riorganizimi, kur në krye të tij u vendos Rexhep Krasniqi. Programi politik i Komitetit parashikonte udhëzimin dhe inkurajimin e popullit shqiptar në rezistencën kundër diktaturës komuniste, organizimin e shqiptarëve në mërgim për të ndihmuar këtë rezistencë si dhe sigurimin e mbështetjes nga vendet demokratike.
Nën drejtimin e Krasniqit, Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” rifitoi stabilitet organizativ dhe rol të qëndrueshëm institucional në kuadër të ACEN. Krasniqi jo vetëm që siguroi vazhdimësinë e përfaqësimit shqiptar në këtë forum ndërkombëtar, por edhe kontribuoi në orientimin politik dhe ideologjik të nismave botuese, përfshirë broshurën “Albania”. Përmes këtij botimi, Komiteti synonte të sintetizonte përvojën e vet propagandistike dhe analitike, të ndërtuar ndër vite përmes gazetës “Shqipëria”, transmetimeve të radios “Zëri i Shqipërisë së Lirë” dhe memorandumeve politike drejtuar institucioneve perëndimore përmes të cilave denonconte regjimin komunist, pasqyronte gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike të vendit dhe u bënte thirrje shqiptarëve për rezistencë dhe përmbysjen e diktaturës komuniste.
Në këtë kuadër intelektual dhe politik u formësua edhe kontributi i figurave si Athanas Gegaj, një nga përfaqësuesit më të spikatur të mendimit historik dhe publicistik të diasporës shqiptare antikomuniste. Edhe pse jo gjithmonë pjesë e strukturave drejtuese formale, Gegaj ishte i përfshirë në diskursin historik dhe dokumentar të emigracionit shqiptar dhe kontribuoi në artikulimin e një narrative alternative mbi historinë dhe realitetin shqiptar, të kundërt me historiografinë zyrtare të regjimit komunist. Kjo frymë analitike dhe dokumentare reflektohet edhe në broshurën “Albania”, e cila përfaqëson jo vetëm një tekst informues, por edhe një produkt të mendimit politik dhe historiografik të diasporës shqiptare të organizuar.
Në fund të viteve ’60, me ndryshimin gradual të klimës ndërkombëtare dhe me reduktimin e mbështetjes financiare nga strukturat perëndimore, veprimtaria e ACEN filloi të humbiste intensitet. Në vitin 1972 organizata u shpërbë zyrtarisht, duke përmbyllur një kapitull të rëndësishëm të diplomacisë politike të emigracionit antikomunist evropian. Megjithatë, trashëgimia e saj dokumentare dhe politike, përfshirë broshurën “Albania”, mbetet një burim me vlerë për studimin e veprimtarisë së emigracionit shqiptar dhe për rolin e figurave si Rexhep Krasniqi dhe Athanas Gegaj në mbajtjen gjallë të çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare gjatë Luftës së Ftohtë. Në tërësi, libri shërben si dëshmi historike dhe mjet i rëndësishëm për kuptimin e identitetit kombëtar dhe vazhdimësisë historike të Shqipërisë në shekullin XX.
Fotografia e parë∶Faqja e parë e Broshurës “Albania” e autorëve Athanas Gegaj dhe Rexhep Krasniqi, botuar në New York në vitin 1964
Fotografia e dytë∶ Është realizuar në vitin 1937, në Bolonjë të Italisë. Personi i dytë, nga ana e majtë, me gotë në dorë është Athanas Gegaj. Fotoja mu dërgua nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Prof. Dr. Martin Berishaj.