Flamur Vezaj/
Sot në ditën e lindjes së dijetarit të madh të kombit shqiptar Peshkop Fan Noli, kryetari i degës së Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj bashkë me disa vatranë, patriotë e aktivistë të komunitetit shqiptar në Boston, zhvilluan një vizitë përkujtimi, nderimi dhe respekti në vendin ku prehet vigani i letrave shqipe! Ata bënë homazhe dhe vendosen buqeta me lule, duke kujtuar me respekt punën e palodhur e kolosale që Peshkop Fan NOLI bëri për Shqiptarinë dhe bashkimin e mërgatës shqiptare të Amerikës pranë Federatës Gjithë Shqiptare Vatra.
z.Maksutaj, si kryetari i degës së Vatrës në Boston, u betua para varrit të Peshkop Nolit, se “ne, komuniteti shqiptar e në veçanti Vatra, do të vazhdojmë të ndjekim rrugën e Nolit, Konicës dhe gjithë patriotëve të tjerë ndër vite, për të mirën e kombit shqiptar” në Amerikë e trojet etnike. Gjatë homazheve, folen edhe vatranët e tjerë të pranishëm, të cilët kujtuan Peshkop Nolin për kontributet e jashtëzakonshme për Federatën Vatra, gazetën Dielli, komunitetin shqiptar, çështjen kombëtare e interesin e kombit në arën ndërkombëtare. Noli dhe Vatra shënuan historinë e shqiptarëve. Vatra ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për kombin shqiptar dhe komunitetin tonë në mërgatën e Amerikës dukë dhënë një kontribut madhështor në historinë e kombit tonë.
Vizita e z.Maksutaj e vatranëve pranë vendit ku prehet Peshkop Noli, ishte e para në cilësinë e kryetarit të zgjedhur të Vatrës në Boston e cila po organizohet në mënyrë të shkëlqyer për të qënë zë i fuqishëm i shqiptarisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu, vatranët bënë homazhe edhe te memoriali i gjeniut të medias Faik Konicës, eshtrat e të cilit pushojnë në Shqipëri.
Bashkë me kryetarin Maksutaj, në homazhet e nderimit ishin edhe vatranët Subi Cako, Petrit Alibeaj, Jorid Çelaj, Flamur Vezaj, Dorjan Tozaj, Neri Mersuli, Lindita e Gëzim Meçe dhe Artur Vrekaj.
Rroftë Vatra, rroftë Dielli.
Rroftë Kombi Shqiptar