• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sami Frashëri si nacionalist shqiptar dhe modernizues i shoqërisë osmane të kohës së tij

February 12, 2025 by s p

Nikollë Loka/

Si një intelektual modernist osman që ka kontribuar nëpërmjet publikimeve të tij në ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe turk dhe, duke luajtur personalisht një rol në veprimtaritë kulturore dhe politike për formimin e vetëdijes kombëtare shqiptare, Samiu është padyshim një nga intelektualët interesantë evropianë. Si një nga intelektualët më produktivë të Perandorisë së vonë Osmane, ai është vlerësuar si në historiografinë turke edhe në atë shqiptare të shekullit të njëzetë për kontributin e tij në ndërtimin e kombit shqiptar dhe kombit turk. Në historiografitë e dy vendeve kanë mbizotëruar dy versione të ndryshme të emrit të tij: “Semseddin Sami” në Turqi dhe “Sami Frashëri” në Shqipëri, tregues i diferencave në qëndrime ndaj kontributeve turke dhe shqiptare.

Edhe pse dy anëtarë të tjerë të familjes Frashëri (Abdyli dhe Naimi) pranohen si dy nga themeluesit e nacionalizmit shqiptar nga shqiptarët dhe turqit, historianët nga secila palë kanë preferuar të theksojnë kontributet e Samiut në procesin e tyre të ndërtimit të kombit dhe të nënvlerësojnë (ose në rastin turk edhe ta mohojnë) rëndësinë e tij në trashëgiminë e vendit tjetër, duke filluar me mitologjizimin e Samiut në historiografinë turke, sipas të cilit “Samiu ishte një intelektual turk që, një nga pionierët e nacionalizmit turk, që ia kushtoi jetën turqizmit”. Prirja për të neglizhuar nacionalizmin e tij shqiptar, si dhe veprat e tij kushtuar kësaj kauze, mund të shihen në shkrimet e intelektualëve turq pas vdekjes së Samiut në vitin 1904. Në këto punime, nacionalizmi shqiptar i Samiut u shpërfill totalisht dhe u theksua kontributi i tij intelektual në kulturën turke. Në të vërtetë, Sami Frashëri, si një figurë e shquar e Rilindjes Shqiptare dha kontribut të rëndësishëm në peizazhin kulturor të Perandorisë Osmane. Si vëllai më i vogël i Naim Frashërit, ai ndau një përkushtim të zjarrtë për pavarësinë kulturore të Shqipërisë.

Samiu ishte shtetas osman, por ai kishte deklaruar: “Unë jam shqiptar”. Përmes artikujve në gazetën “Sabah”, Sami kishte kundërshtuar tezën se “shqiptarët janë myslimanë” dhe se “shqiptarët ortodoksë janë grekë”, duke ndihmuar me shkrimet e tij që termat “turk” dhe “mysliman” të mos trajtohen si sinonime, sepse, sipas tij, jo të gjithë shqiptarët janë myslimanë dhe jo të gjithë myslimanët janë shqiptarë. Me rritjen e vetëdijes së tyre për veten, shqiptarët po diferencoheshin nga bashkëfetarët, që të lidheshin me bashkëkombasit e tyre. Ky proces u bë nën ndikimin e ideve rilindëse, që hodhën bazat e kombit tonë shumëfetar.

Kontributi i Samiut në zhvillimin e nacionalizmit shqiptar është i padiskutueshëm. Ndërsa kontribuoi aktivisht në zhvillimin e gjuhës dhe kulturës turke, roli i tij në gjuhën, historinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare mbetet i pashembullt në analet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në fazën e parë të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Samiu bëri përpjekje të pajtonte otomanizmin me ndjenjat nacionaliste të shqiptarëve. Në dhjetor të vitit 1878 ai publikoi një artikull në gazetën Tercüman-ı Hakikat, me idenë e këtij pajtimi në mendje. Samiu ndjek rrugën e identitetit mbi baza etnike (brenda kontekstit të otomanizmit) që ai krijoi, duke pretenduar se mban besnikëri ndaj të dy entiteteve në jetën e tij personale, ndaj Perandorisë Osmane si atdheu i tij i përgjithshëm, të cilin ai e quan vatan-i uumumi dhe ndaj Shqipërisë si atdheu i tij, që e quan vatan-i hususi.

Me rritjen e mendimit liberal në atë periudhë, mendimtarët politikë të perandorive multietnike gjetën mënyra për të shprehur identitetet e tyre kombëtare, përmes kallëpeve që u ishin dhënë, si dhe duke shoshitur mundësitë e periudhës. Vepra e Samiut krijon pamjen e një Shqipërie unike që mund të funksiononte brenda kontekstit të otomanizmit. Samiu në fakt punoi në mënyrë të fshehtë dhe indirekte, duke pasur parasysh kushtet, në të cilat ai jetonte në kryeqytetin e Perandorisë. Marrëdhënia e tij e ngushtë me intelektualët modernistë osmanë dhe angazhimi i tij në shtypin e tyre bëri që disa njerëz të besonin se ai nuk ishte shumë i interesuar për lëvizjen nacionaliste shqiptare. Veç kësaj, për shkak të presionit të rëndë të regjimit të Abdul Hamidit II ndaj çdo veprimtarie opozitare dhe mbikëqyrjes së padyshimtë të veprimtarisë së tij, Samiu nuk mund të punonte aq hapur sa intelektualët në qendrat e tjera të diasporës shqiptare: në Sofje, Athinë, Bukuresht, Bruksel, Romë etj. Njihet nga intelektualët shqiptarë të asaj kohe fakti se Samiu përdori marrëdhëniet e tij në Stamboll, për të ndihmuar shqiptarët nacionalistë të ngrinin një shkollë shqipe në Korçë, në vitin 1887.

Sami Frashëri u shfaq si një intelektual osman nën një atmosferë pluraliste politike dhe kulturore të pasqyruar në politikën e osmanizmit. Gawrych zbulon se “Shemsedin Sami Bej Frashëri … ia kushtoi jetën e tij inkurajimit të tolerancës kulturore dhe diversitetit në Perandorinë Osmane”. Por, si një shqiptar i vetëdijshëm për etnicitetin e tij, ai e sheh rrezikun e patriotizmit otoman që synonte të rritej në kurriz të larmisë kulturore dhe etnike. Për mendimin e tij “sado fisnik dhe i shenjtë qoftë uniteti otoman, atij i duhet të lejojë zhvillimin e pluralizmit kulturor brenda komunitetit musliman”. Por, kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare filloi të zhvillohet, në kushtet e reja që u krijuan, Samiu mbështeti aspiratat shqiptare për autonomi. Ai thekson domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar mbi bazën e etnisë së përbashkët: Sipas tij “Shqipëria nuk është e ndarë pas feve… Një i krishterë është më afër me një muhamedan’ që është më afër tij, se nga një i krishterë që është nga farë tjatërë”.

Ndërsa e përshkruan lidhjen shqiptaro – turke si një lloj shoqërie afatgjatë, përballë copëtimit të pashmangshëm të Perandorisë, Sami Frashëri kishte argumentuar se “kjo shoqëri mund të marrë fund për arsye pragmatike”.

Qasja e tij pragmatike ka sjellë një diskurs radikal në lidhje me bashkëjetesën shqiptaro-turke. Sipas tij, “për shpëtimin e dy popujve duhet t’i jepet fund bashkëjetesës shqiptaro-turke. Përfundimi i bashkëjetesës do të realizohet me luftë politike dhe jo me kryengritje të armatosur”.

Studimet rreth kontributit të Sami Frashërit për nacionalizmin shqiptar dhe atë turk janë trajtuar shpesh si përpjekje për pajtimin shqiptaro-turk, duke e parë angazhimin e tij intelektual si “modeli më i mirë i ndërkomunikimi kulturor, historik dhe ideologjik ndërmjet dy kombeve, të cilët ndanë një pjesë të historisë së tyre të përbashkët brenda Perandorisë Osmane”. Në fakt, me zhvillimin e nacionalizmit, si shqiptarët edhe turqit ishin bërë të vetëdijshëm për diferencat e tyre dhe për nevojën e perspektivës së veçantë kombëtare . Përpara bashkëveprimit me kombet e tjera, veprat e Samiut kontribuan për afirmimin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve dhe turqve dhe për rritjen e komunikimit kulturor brenda shoqërisë shqiptare dhe turke të periudhës.

Filed Under: Featured

Shkrimtari i letersisë për fëmijë Prof. Dr. Xhevat Syla vizitoi Vatrën

February 1, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 1 Shkurt 2025 – Studiuesi dhe shkrimtari i letersisë për fëmijë Prof. Dr. Xhevat Syla vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga sekretari Dr. Pashko Camaj, anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi, editori i Diellit e veprimtarë të mërgatës shqiptare të Amerikës. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj në fjalën e mirëseardhjes u ndal te veprimtaria e Vatrës në komunitetin shqiptar në Amerikë dhe puna në dobi të çështjes kombëtare. I shoqëruar nga studiuesi z.Elez Osmani, shkrimtari i letersisë për fëmijë Prof. Dr. Xhevat Syla në fjalën e tij theksoi se “Vatra ka luajtur një rol të fuqishëm për bashkim dhe unifikim i shqiptarëve në Amerikë. Shtëpia e Vatrës është shtëpi e shenjtë shqiptarie. Vatra ka qenë një bazë e fuqishme intelektualësh që kanë kontribuar për kombin tonë. Themeluesit e Vatrës kanë qenë frymëzim dhe udhëheqje për ne” tha ndër të tjera z.Syla.

Filed Under: Featured

VATRA PROMOVOI VEPRËN E SHKRIMTARIT YLLJET ALIÇKA

January 4, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 4 Janar 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi veprat e shkrimtarit dhe diplomatit z.Ylljet Aliçka “Parullat” dhe “Metamorfoza e një kryeqyteti”. Me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, diplomatëve, drejtuesve të shoqatave kryesore patriotike në New York e më gjërë, Federata “Vatra” si lideri i padiskutueshëm i veprimtarive patriotike e kulturore në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkoi shqiptarët në një festë kulturore dhe letrare që promovon vlerat atdhetare, kulturën e letërsinë më të mirë shqipe. Editori i Diellit në prezantimin e shkrimtarit Ylljet Aliçka para pjesëmarrësve u ndal te kontributi në letërsi, kinematografi, diplomaci dhe çmimet në arën ndërkombëtare si arritje personale por edhe kombëtare. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj uroi mirëseardhjen në emër të Federatës Vatra dhe vlerësoi personalitetin e shkrimtarit Ylljet Aliçkaj në diplomaci dhe letrat shqipe. Editorja e gjuhës angleze në gazetën Dielli Rafaela Prifti u shpreh në analizën e saj se vëllimi me tregime “Parullat” është letërsi artistike por aty ka ngjarje të një realiteti të përjetuar. Çështja është se e tashmja jone nuk është shumë larg atij realiteti. Prandaj sot mund te pyesim: A jemi më afër të kuptuarit të vetes kur kemi në duar “Parullat në gur”? Dr. Ardiana Mici pedagoge në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, analizoi veprën “Metamorfoza e një kryeqyteti” të shkrimtarit Ylljet Aliçkaj. Dr. Mici u shpreh se Me romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Ylljet Aliçka vjen si një autor i afirmuar tashmë për mendimin e tij të mprehtë dhe provokues në veprat e mëparshme. “Metamorfoza e një kryeqyteti” është një roman që shpalos gradualisht transformimet që përjeton kryeqyteti shqiptar në kushtet e ndryshimeve të thella politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në periudhën kalimtare nga sistemi komunist drejt pluralizmit politik dhe ekonomisë së tregut. Edhe pse romani titullohet “Metamorfoza e një kryeqyteti”, në thelb ai fokusohet tek transformimet që pëson mënyra e jetesës dhe njerëzit e tij më shumë sesa tek ndryshimet që pëson peizazhi urban, ndonëse edhe këto nuk janë të pakta. Narrativa e romanit gërsheton mjeshtërisht historitë personale me ndryshimet e forta politike, shoqërore dhe ekonomike që ndodhnin në vend gjatë sistemit komunist, degradimit dhe rënies së tij. Duke zgjedhur pikërisht këtë sfond historik shkrimtari e ndërton romanin përmes përjetimeve të personazheve, përplasjes së brendshme të ndjenjave dhe mendimeve të tyre në përpjekje për të bërë zgjedhjen e duhur për ti mbijetuar diktaturës apo për të zgjidhur dilemat e mëdha në lidhje me identitetin dhe përkatësinë shoqërore dhe politike në momentet e ndryshimit.

Shkrimtari z.Ylljet Aliçka në fjalën e tij shprehu mirënjohje dhe falënderim për Vatrën e mërgatën shqiptare në New York për mikpritjen. Z. Aliçka theksoi se gjatë kohës së komunizmit teksa dëgjonte fshehurazi radion “Zëri i Amerikës” ishte njohur me aktivitet e Vatrës. “Vatra është qëndër shumë e rëndësishme emblematike, historike dhe patriotike” u shpreh shkrimtari Aliçka. Para të pranishmëve diplomati e shkrimtari Aliçka përgjatë bashkëbisedimit me të pranishmit prezantoi 6 veprat e tij në prozë dhe përkthimet ndërkombëtare, diskutoi rreth krizës së leximit në ditën e sotme, rëndësinë e përkthimit të veprave letrare në gjuhët e veçanta, situatën politike e shoqërore në Shqipëri, letërsinë shqipe si peisazh në raport me letërsinë ndërkombëtare, diversitetin kulturor, edukimin dhe integrimin e fëmijëve shqiptarë në kulturën dhe shoqërinë amerikane. Ky takim i ngrohtë dhe shumë i rëndësishëm kulturor e letrar te Vatra ngroh dhe fton shqiptarët drejtë komunitetit, aktiviteteve kulturore dhe librit si rrugë drejtë lirisë dhe zhvillimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

ZHVILLIMET ARSIMORE NË PERIUDHËN E SKËNDERBEUT

January 3, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Në periudhën para pushtimit osman, në Shqipëri, si dhe në vendet e tjera të rajonit e më gjërë, institucionet e para kulturore dhe arsimore qenë manastiret, që shërbenin si shkolla, por edhe si shtëpi botuese për shumëfishimin e librave dhe institucione ku përgatiteshin dijetarët e periudhës (Monroe, 1909: 255), prandaj monasticizmi u bë, në një kuptim më të gjërë, një forcë arsimuese me rëndësi të madhe për shoqërinë në tërësi (Benson, 1943: 61).

Manastiret e krishtera të dy riteve, perëndimor dhe lindor, megjithë dallimet, kishin si tipare të përbashkëta përvujtësinë, përkushtimin, punën, sakrificën dhe dashurinë për dijen e kulturën. Në mes të gjithë urdhërave të dy riteve, me arsimin u morën më shumë benediktinët në Perëndim dhe bazilianët në Lindje. Si dëshmi e veprës së tyre janë Kodikët e Shqipërisë, të shkruar në intervalin prej 13 shekujsh, në masën më të madhe nga murgjit e ritit ortodoks. Koleksioni i kodikëve (the codex) përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar në të gjitha kohërat dhe një pasuri me vlera botërore(Historia e popullit shqiptar, vëll. 2, 2002: 340).

Gjurmët e monasticizmit kanë ardhur deri ditët e sotme me manastiret ortodokse të Shën Mërisë së Apollonisë, Fjetja e Shën Mërisë i Ardenicës, Shën Mërisë së Zvërnecit, Gjon Vladimirit në Shpat të Elbasanit, Shën Pjetrit në Vithkuq, Shën Vlashit në Shnavlash të Durrësit, Shën Marenës afër Pogradecit, e dhjetra të tjerëve. Në manastirin ortodoks të Ardenicës, që në fillim të shekullit XIII kishte një shkollë të veçantë. Po kështu, në Delvinë, pranë manastireve të Jan Thellogut të Kamenicës, Navericës dhe të Stillos, që nga viti 1275, kishte shkolla klerikale. Ka të dhëna për praninë e një shkolle pranë manastirit të Zvërnecit në Vlorë, që ka funksionuar deri në vitin 1376 (Shllaku, 2002:11).

Njihen edhe 30 kuvende benediktine që kanë ekzistuar në trevat katolike, disa prej të cilëve i trashëguan domenikanët dhe françeskanët (Koliqi, 2005: 30). Ndër ta përmendim manastirin benediktin të Shën Shirgjit, e Shën Mëhillit të Rotecit, e Shën Palit, (Sant Paulus Polatensis), Shën Mërisë së Ndërfanës, e Shën Salvadorit të Rubikut dhe Shën Aleksandrit të Oroshit.

Më vonë, me zhvillimin e qyteteve, qendra e gravitetit të jetës kaloi drejt tyre dhe katedralet e qyteteve morën funksione edukative-arsimore, kur pranë tyre u ngritën shkolla. Gjatë kësaj periudhe, formimi i klerikëve të rinj bëhej në shkollat fetare pranë kishave të mëdha si në Durrës, Tivar, Shkodër, Ohër, Drisht, Berat, etj Historia e popullit shqiptar, vëll.II, 2002: 335). Në Mesjetën e vonë qytetet shqiptare u kthyen në qendra të zhvilluara, ndrë të cilat përmenden: Durrësi, Shkodra, Drishti, Berati, Prizreni, Gjirokastra, Vlora, etj Historia e popullit shqiptar, vëll.II, 2002: 269). Gjatë kësaj periudhe interesi intelektual kaloi nga manastiret te shkollat, të cilat u çliruan prej ndikimit tërësisht kishtar dhe kaluan në ndikimin formalisht kishtar, duke qenë në thelb kryesisht sekulare dhe drejtimi i shkollës kaloi nga njerëzit e kishës te doktorët që ishin të prirur drejt racionalizmit. Interesi intelektual që kishte filluar si interes teologjik përfundoi pothuajse tërësisht në interes filozofik dhe logjik (Monroe, 1909: 327).

Në arealin ku si gjuhë mësimi përdorej gjuha latine, me largimin e benediktinëve nga skena fetare, aty nga gjysma e shekullit XIII, erdhën menjëherë fretërit domenikanë dhe françeskanë, që ishin në fillimet e veprimtarisë së tyre Malaj, 1998: 22).

Midis viteve 1250-1370, Kuria i pati nga këta dy urdhëra gati të gjithë prelatët shqiptarë (Shuflaj, 2013: 155). Qendra e dominikanëve në trevat shqiptare ishte kuvendi i Shën Maurit në Durrës, i cili u themelua në vitin 1224 (Drançolli, 1999: 68). Kuvende të tjera u hapën në Ulqin në vitin 1258, në Shkodër në vitin 1345, në Lezhë në vitin 1350. Dominikanët i dhanë shtysë zhvillimit të arsimit në trevat shqiptare. Pranë kuvendeve të tyre hapën shkolla të ulëta dhe të larta fetare, si rezultat i të cilave u shtua numri i njerëzve të ditur që ushtronin veprimtari intelektuale. Në Ulqin rreth vitit 1258, noteri (noterus-shënues, këshilltar ligjor) ishte edhe mësues në shkollën e qytetit (parte per scrivere nostre carte e parte per insegnare lettere a nostril fioli). Në periudhën kohore 1261-1406 në këtë qytet punuan gjashtë noterë (Koliqi, 2002: 52).

Nga rradhët e domenikanëve dolën klerikë të njohur që zunë pozita të larta kishtare jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Në vitin 1345, Vikari Gjeneral i Urdhërit të Domenikanëve për Dalmaci dhe Durrës ka qenë Dominik Topia; Prior i Kuvendit të Domenikanëve në Dubrovnik ka qenë një ulqinak; në vitin 1374, në kuvendin e domenikanëve në Dubrovnik, përveç njërit që ishte nga Trogiri, të gjithë të tjerët qenë shqiptarë, sikur dhe në kuvendin e Mletit.

Prej domenikanëve shqiptarë duhet përmendur Andrea nga Durrësi, i cili në vitin 1387 emërohet Arqipeshkëv i Dubrovnikut. Një durrësak tjetër, në vitin 1375 emërohet Ipeshkëv i Kotorrit. Domenikanët e ushtruan veprimtarinë e tyre misionare gjatë gjithë periudhës së Skënderbeut dhe u larguan nga Shqipëria 33 vjet pas vdekjes së tij, kur së bashku me kolonët e tyre u transferuan në afërsi të Tragurit (Trogirit) në Dalmaci, duke formuar fshatin Arbanasi në ishullin e Sholtës (Malaj, 1998: 22-23).

Françeskanët ose fretërit gri erdhën pothuajse në të njëjtën kohë me domenikanët. Ata u prirën të jenë më demokratikë dhe më pak intelektualë, pasi iu kushtuan të varfërve(Parker, 1912: 76) dhe arsimimit fillestar, prandaj u vendosën jo vetëm në qytete, por dhe në mjedise rurale, ku nuk shkuan domenikanët.

Disa prej fretërve shqiptarë u bënë drejtues të Urdhërit apo klerikë të lartë në vende të tjera. Në vitin 1300 përmendet fra Shtjefni nga Shkodra si vikar në një kuvend të Raguzës. Në vitin 1385, Provinciali i Provincës së Dalmacisë është një shqiptar. Edhe Guardiani i kuvendit të Zarës më 1396 është një françeskan shqiptar. Po kështu, në vitin 1396, Guardian i Kuvendit Françeskan në Zarë ka qenë Aleksi nga Shkodra. Në vitin 1440, Provincial i Provincës së Dalmacisë ka qenë fra Nikolla nga Durrësi(Mirdita, 1998: 262). Urdhëri i françeskanëve që u forcua vazhdimisht, veçanërisht prej ipeshkëvinjëve që dolën nga gjiri i tij, filloi ta shpaloste veprimtarinë më me force në kohën e pushtimit turk.

Universiteti i Durrësit u hap në vitet ’80 të shek. XIV. Ai ishte universiteti i parë mesjetar në Ballkan dhe njëri ndër universitetet e para të Evropës. Atë e themeluan dhe e drejtuan autoritetet e urdhërit dominikan të qytetit të Durrësit. Kur u themelua kishte 9 magjistër dhe 100 studentë. “Durrësi ka qenë qendër studimesh, jo vetëm për Shqipëri, por edhe për Bosnjë, Dalmaci dhe Hungari…Ligjëratat janë mbajtur në pallatin e Kuvendit dominikan të Durrësit”(Drançolli, 1993:108). Në shekullin XIII dhe në shekullin që pasoi, Anzhuinët e Napolit e ushtruan ndikimin e tyre në Shqipëri, në fillim drejtpërdrejt dhe pastaj përmes feudalëve lokalë. Shitja e zotërimeve dalmate nga ana e Ladislavit të Durrësit në vitin 1409, kur kishte pak vite që ishte në fronin napoletan, formalizoi politikën e mosinteresimit për Ballkanin që kishte qenë ndjekur përpara tij, qëkur princat lokalë si Karl Topia u deklaruan të pavarur dhe me tituj sovranë. Por kultura anzhuine në mes të fisnikërisë u përtëri nga shkëmbimet e vazhdueshme portuale me portet puljeze dhe nga marrëdhëniet fetare në mes të Shqipërisë dhe Italisë së Jugut që në shekullin XV u forcuan më tej. Gjergj Kastrioti, Princi i Krujës u lidh me Mbretërinë e Aragonës që kishte zevendësuar Mbretërinë Anzhuine (Campobasso).

Në Mesjetë, siç dihet, pushteti politik dhe ai shpirtëror kishin marrëdhënie të ngushta në mes tyre, prandaj pranë qendrës së pushtetit politik ngrihej edhe një qendër e rëndësishme shpirtërore. Selia e Shenjtë në procesin e shtrirjes së ndikimit të saj në trevat shqiptare u mbështet nga shtresa e fisnikërisë. Në atë kohë zhvillimet politike ishin të lidhura me zhvillimet fetare dhe zotëruesit feudalë në përcaktimin e orientimit të tyre politik e merrnin parasyshë fenë dhe duhet të deklaronin mbështetjen e njërit prej riteve të krishtërimit: katolicizmit ose ortodoksisë.

Në institucionet kishtare të shpërndara në të gjithë vendin vepronin klerikë shqiptarë të të gjitha niveleve. Për nga prejardhja dhe nga formimi këta përbënin një masë tepër heterogjene. Klerikët e niveleve të ulëta, famulltarë, murgj, dhjakë etj, rekrutoheshin nga shtresat e vobekta të popullsisë dhe, për shumë prej tyre, shërbimi fetar ishte një mjet jetese, ndërsa klerikët e lartë, si rregull, vinin nga radhët e aristokracisë.

Përfshirja e bujarëve feudalë në radhët e klerit të lartë katolik, i lidhte ata me interesat e kishës katolike. Në shekujt XIV-XV, qyteti i Lezhës pati një sërë peshkopësh nga dyert Suma, Jonima, Kamona. Bujarë të tjerë nga familjet Dushmani, Zaharia, Skura drejtuan selitë ipeshkvnore të Pultit, Sapës, Krujës, Stefaniakës. Po kështu, më 1422, Pjetër Shpani nga Drishti emërohet Kryeipeshkëv i Tivarit dhe drishtiani tjetër, Pal Ëngjëlli, kryeipeshkëv i Durrësit, (Historia e Popullit shqiptar, vëll.II, 2002: 335) ndërsa Dominik Topia, Vikari Gjeneral i Urdhërit të Domenikanëve për Dalmaci, më parë kishte qenë kapelan i Kapelës së Mbretit të Siçilisë.

Prelatët shqiptarë autorizohen nga Selia e Shenjtë dhe bujarët feudalë vendës si përfaqësues në marrëdhëniet diplomatike me shtetet e tjera. Në vitin 1457, Abati i Ndërfanës është Pali merr një autorizim nga Papa Kaliksti III, që të mund të paraqitet si i dërguari i tij për punë të jashtëzakonshme në dioqezat e Shqipërisë, Bosnjës dhe Greqisë (Dedaj, 2006:266). Ipeshkëvinj dhe klerikë të tjerë të rëndësishëm të Ipeshkëvisë së Arbërit kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Gjon Kastriotit dhe djalit të tij, Skënderbeut. Ndër ta, do të veçonim abatin Pjetër, kushëri i Kastriotëve dhe peshkopin Andrea. Në korrik të vitit 1439, abati Pjetër qe dërguar prej Skënderbeut dhe nënës së tij në Raguzë për të përmbyllur detyrimet financiare që tregtarët raguzianë të drithit kishin ndaj Gjon Kastriotit, i cili kishte vdekur. Ndërsa në dhjetor të vitit 1447 ai qe dërguar si përfaqësues i Skënderbeut pranë mbretit të Napolit, Alfonsit V. Kurse peshkopi Andrea kishte qenë në krah të Skënderbeut më 4 tetor të vitit 1448, gjatë nënshkrimit të traktatit të paqes midis tij dhe Venedikut (Biçoku, 2008). Njëri ndër përfaqësuesit më të shquar të Skënderbeut pranë kancelarive europiane ishte Pal Engjëlli. Të tilla misione kryen për Balshajt peshkopët e Shkodrës, Tivarit e të Drishtit, për Zahariajt peshkopi i Shasit, për Dukagjinët peshkopi i Lezhës, për Topiajt peshkopi i Durrësit, për Komnenë Balshën e Vlorës peshkopi i Arbrit, për Shpatajt peshkopi i Janinës etj. Në këtë periudhë, klerikët shërbenin gjithashtu si noterë, shkrues ose përkthyes në qytete e në oborret e princërve shqiptarë. Aktivitete të tilla si ai i mësuesit, i mjekut, i mjeshtrit piktor e skulptor plotësonin rrethin e veprimtarive shoqërore, jashtëfetare të klerit shqiptar.

Feudalët shqiptarë, ndër ta dhe Kastriotët, filluan të mbajnë kancelari e arkiva të vetat (Xhufi, 2006: 71). Përveç krerëve ushtarakë, aristokrati i fuqishëm mbante në kështjellën e vet një personel të tërë “civil” të përfaqësuar nga llogaritarë, intendentë, doganierë, gjykatës, ambasadorë, shkrues, kronikanë, arkitektë, piktorë, muzikantë etj. Person mjaft i afërt me fisnikun ishte kleriku i familjes, tek i cili ai dhe familja e tij merrte këshilla e mësime në punët e fesë, si dhe rrëfente “mëkatet” e tij. Por, përveç rolit të këshilltarit intim, kleriku në fjalë luante shpesh edhe rolin e mësuesit dhe të edukatorit për fëmijët e aristokratit, atë të një sekretari e ambasadori të posaçëm për misione delikate, të shkruesit, të kronistit etj (Historia e Popullit shqiptar, vëll.II, 2002: 334) Bujaria shqiptare ishte mësuar të komunikonte njëlloj në areale të ndryshme kulturore dhe këtë nuk e shpjegon asgjë më shumë se prania e kancelarive shumëgjuhëshe greke, latine italiane të aristokracisë shqiptare (Mihaieviç, 1968).

Shkollat e mesme në Europën e Mesjetës ishin krijuar para së gjithash për të mësuar latinisht, (Parker, 1912: 18), por duke qenë gjuhë e vdekur që nuk përdorej në të folurën e përditshme, latinishtja nuk mund të mbijetonte më si gjuhë me përdorim të gjërë (Kane, 1954: 136-137). Mësimi i përbashkët fetar ishte dhënë pandërprerë në gjuhën vernikulare, (Parker, 1912: 220, por shkollat në ato gjuhë u zhvilluan vetëm kur gjuha dhe letërsia popullore arritën një shkallë të caktuar zhvillimi(Parker,1912: 33).

Por gjuha shqipe mbeti instrument privat i komunikimit për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Një dokument raguzian i vitit 1284 njihet si burimi i parë historik, ku përmendet gjuha shqipe (Krekic, 1998: 10-12). Kleriku frëng Gulielm Monahu më 1332 në veprën e tij latinisht “Directorium ad passiagium facienda”, libri I, pjesa e tetë shkruan:”Shqiptarët kanë një gjuhë tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, megjithëse kanë alfabetin latin (literam latinam) në përdorim dhe në tërë librat e tyre”. Është plotësisht e pranueshme se që të arrihet te librat e botuar, duhet të kesh një traditë më të hershme të shkrimit, jo më pak se një shekull” (Historia e Arsimit, 2003: 63). Edhe Marin Barleti në librin “Rrethimi i Shkodrës” na sjell këtë informacion: ”Na patën rënë në dorë disa shkrime me shumë fragmente sa t’i quash anale, në të cilat flitej më shumë për meremetimin që i bënë atij qyteti stërgjyshërit tanë se sa për ndërtimin. Ishte shkruar aty në gjuhën e popullit (vernacolo) se një e quajtur Roza me një ndër motrat e veta, të quajtur Fa, qenë themelueset e para të Shkodrës, e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa” (Historia e Arsimit, 2003: 40).

Ka prova se gjuha shqipe shkruhej edhe në kohën e Skënderbeut.Në një lëtër shumë të njohur, italisht, që Skënderbeu i ka dërguar prej Kruje me 30 dhjetor 1460, Princit të Tarantos, Giovanni Antonio Orsini, ai përmend “kronikat tona”, sipas të cilëve “ne quhemi epirotë” (Shuteriqi, 2005: 69) dhe po t’i besojmë dëshmisë së Gulielm Adaes, ato kronika duhet të jenë të shkruara në shqip.

Për një letër në gjuhën “arnaute”, të cilën Skënderbeu ia dërgonte si përgjigje sulltan Mehmetit II, flitet në librin “Le Grand Catriotto d’Albania. Histoire”, Franncfort 1776. Autori ishte një malazez nga Kotorri, Stafano Zanowitch (1715-1786), që e mbante veten si pasardhës të Skënderbeut dhe pretendon se letra ruhej në arkivat e Cërnojeviç-Kastriotit në Cetinë, pranë katedrales së Shën Venerës. Në libër botohet vetëm frëngjisht (Koliqi, 2002: 86).

Gjergj Kastrioti Skënderbeu drejtimin e kancelarisë së tij ia kishte besuar Pjetër Smaqit që mendohet se ka qenë nga fshati Smaq në Kurbin. Nga kjo kancelari deri më sot është dokumentuar të kenë dalë letra në latinisht/italisht, sllavisht dhe greqishten bizantine. Letërkëmbimi që Skënderbeu pati me fisnikët italianë (princin e Tarantit, Giovanni Antonio de Orsini) është futur në analet e korrespondencave europiane. Kjo korrespondencë fitoi një njohje të madhe në Europë, pasi një përmbledhje të saj Papa Piu II e botoi në veprën e tij historike Commentarii(Abazi-Egro).

Dokumenti më i vjetër, i mbijetuar, që shqiptarët kanë shkruar shqip është Formula e Pagëzimit (1462). “Formulën e pagëzimit” Jorga e zbuloi në biliotekën Laurentiana të Firences, Ashburuham 1167, në një kodik prej 36 fletësh. Dokumneti titullohet “Constitutiones Ordinationes et Statuta” (Vendime, Urdhëresa dhe Rregullore) të lëshuara nga “Paulus Angelus Miseratione divina Archipischopus Durrachiensis et Illiricae Regionis (…) in Ecclesia sante Trinitas de Emathia Anno Dei MCCCCLXII. Indictione Decima Dio vero Lune octava mensis Novembris (1462, 8.XI). Ai bashkë me Ipeshkëvin e Lisit Andrean (Andrea, Episcopo Lisignensi) kishin drejtuar Kuvendin kishtar të Matit të vitit 1462(Shuteriqi, 2005: 71). Imzot Pal Engjëlli kishte gjetur shumë të meta e mangësi në punët e ushtrimit të fees dhe për t’i shmangur ato ai kishte lëshuar në këtë Kuvend kishtar një qarkore në gjuhën latine që mban datën 8 nëntor 1462. Me anë të saj, ndërmjet të tjerash, ai jepte leje që, në ato kohë luftërash, kur prindërit nuk kishin mundësi t’i dërgonin fëmijët në kishë, t’i pagëzonin vetë në shtëpi, duke thënë shqip “Formulën e pagëzimit” që është: “Un të pagëzonj pr’emen’t Atit e t’birit e t’shpirtit shenjt”. Formula është shkruar në dialektin e veriut me shkronja latine. Gjuha e tekstit dhe vlerat e përdorimit në shqip të disa shkronjave latine kanë një afri shumë të madhe me veprën e Buzukut, çka të bën të mendosh se shkrimi i shqipes duhet të ketë pasur një traditë më të vjetër, ku janë mbështetur të dy, si shkruesi i kësaj formule ashtu edhe Buzuku.

Në vitin 1483, ndeshemi me një fjali në gjuhën shqipe (çka është njëherazi edhe mallkimi i parë) në një pjesë teatrale të kohës së Rilindjes evropiane me titullin Epirota. Në këtë komedi në stilin e Plautit, të shkruar latinisht nga Thoma Mediusi (ital. Tommaso de Mezzo), bashkëkohës dhe i njohur i Xhovani Piko dela Mirandola (Giovanni Pico della Mirandola, 1463-1494), një këngëtar epirot (d.m.th. shqiptar) me emrin Damasken shan një hanxhi që nuk ia pëlqen këngët, duke e mallkuar në gjuhën e vet me fjalët Dramburi te clofto goglie (T’u dridhtë goja). Ky mallkim u ngjan shumë sharjeve që përdoren edhe sot, “T’u mbylltë goja”, “T’u thaftë gjuha” etj., d.m.th. “Humbsh zërin për të keqen tënde”. Pjesa teatrale u botua në Venedik më 1483, ndërsa kjo frazë që njihej se ishte në gjuhën shqipe, u botua vetëm në vitin 1972 (Elsie, 1995: 24).

Me të njëjtin alfabet latin si “Formula e Pagëzimit” është shkruar në shekullin e XV edhe Fjalorthi i Arnold fon Harfit, i vitit 1497. Udhëtari gjerman Arnold Fon Harf (1417-1505) ne vitin 1496, u nis nga Këlni, për të bërë një vizitë në tokat e shenjta, në Palestinë, udhëtim që e kreu për tre vjet. Në vitin 1497 ai kaloi në bregdetin e Shqipërisë dhe konkretisht në Ulqin, Durrës e Sazan. Gjatë këtij udhëtimi, për të komunikuar sadopak me njerëzit, ai shënoi 26 fjalë shqipe, 8 shprehje e numrat 1 deri 10 dhe 100 e 1000 të shoqëruar me përkthimin në gjermanisht. Janë fjalë të zakonshme si: ujë, verë, bukë, mish etj., që iu deshën udhëtarit në jetën e tij të përditshme sa qëndroi në Shqipëri (Elsie, 1997: 24). Me përshtypjet e udhëtimit Harfi la në gjermanisht një dorëshkrim, i cili u botua më 1860, pas tre shekujsh e gjysëm. Këtu gjendet edhe Fjalorthi, i cili përbën dokumentin e dytë të shqipes së shkruar.

Për shkrimin e shqipes flet edhe kronisti osman Ruhi Çelebi Edreneviu, që përshkruan fushatën e Bajazitit II kundër Himarës, në vitin 1492. Sipas kronistit “shqiptarët nuk kanë shkrim të zhvilluar”, që do të thotë se shqiptarët e shkruanin gjuhën e tyre, ndonëse jo në mënyrë të zhvilluar (Shuteriqi, 2005: 99).

Te shqiptarët, në periudhën e Skënderbeut ka patur një çështje të gjuhës amtare. Kjo çështje e gjuhës është zhvilluar në të njëjtat paralele që ka patur diskutimi mbi gjuhët amtare në Evropë. Shkrimi e kthen gjuhën e folur të një populli në gjuhë kulture dhe krijon kushtet për themelimin e shkollave kombëtare. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: A ka qenë shkrimi i shqipes një nismë politike? A po shkonte Skënderbeu dhe oborri i tij drejt hartimit të dokumenteve në gjuhën shqipe? Se çfarë do të sillte stabiliteti dhe vazhdimësia e shtetit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut është e pamundur të përcaktohet, por ajo që dihet me siguri është se Pal Engjëlli e kishte filluar një proces i cili nuk përfundoi me shtetin e Skënderbeut. Përdorimi i shqipes në liturgji/ ligjërimin teologjik, që nisi në periudhën e Skënderbeut me Formulën e Pagëzimit, u bë për të forcuar ndjenjën e përkatësisë fetare të krishterë, kundrejt rrezikut dhe kërcënimit osman në Ballkan (Abazi-Egro).Për sa i përket shkrimit të gjuhës shqipe, duhet të krijoheshin kushtet e përshtatshme kulturore e politiko-kishtare për nisma si ajo e Gjon Buzukut që shënoi fillimin e traditës letrare në gjuhën shqipe që nga shekulli XVI. Ky është shekulli i periudhës kulmore të Rilindjes evropiane dhe i lëvizjes politiko-fetare të Reformës që shënoi fillimin e përkthimeve biblike në gjuhët popullore. Brenda vendit ishin rrethanat e pushtimit osman me rrezikun e përhapjes së fesë së tij që rizgjuan elementet e vetëdijes kombëtare dhe nxitën nevojën e ruajtjes së krishtërimit nëpërmjet propagandimit të fesë në gjuhën e vendit (Omari, 2014). Shkrimi i gjuhës sonë shënon fillimin e shkëputjes nga përdorimi i gjuhëve dominante të kohës dhe zgjerimin, në mënyrë graduale, e përdorimit të shqipes drejt sferave që kontrollonin ato gjuhë. Nga njohja e deritanishme, kuptojmë se shqipja e zgjeroi sferën e përdorimit të saj, së pari në liturgji dhe katekizëm, d.m.th. në sferën fetare (Formula e pagëzimit 1462; Meshari i Gjon Buzukut 1555 ) dhe pastaj vazhdoi me krijimin e letërsisë së mirëfilltë në gjuhën shqipe (Abazi-Egro).

Literatura:

– Abazi-Egro, Genciana. Shqiptarët e Mesjetës dhe kultura e shkrimit, http://www.eperditshme.al/…/shqiptaret-e-mesjetes-dhe…

– Biçoku, Kasem. “Mjedisi kishtar dhe politik i Kuvendit të vitit 1462”, gazeta “Tema”, 22 janar 2008.

– Campobasso, Gianvito. Alcune fonti per lo studio del Regnum Albaniae degli Angiò: dokumenti, epigrafi, araldica e visual evidences, https://journals.openedition.org/mefrm/3291

– Dedaj, Ndue. (2006). Toka e Katedraleve, botimet “Mirdita”, Tiranë.

– Drançolli, Jahja. (1995) . “Universiteti i Dutrrësit (shek.XV)”, Buletin i Fakultetit Filozofik nr. XXIII/1993, Prishtinë.

– Drançolli, Jahja, (1999). “Kontributi i dominikanëve shqiptarë për kishën katolike”, “Dardania sacra” I, Shtufi, Prishtinë.

– Elsie, Robert. (1997) Histori e letërsisë shqiptare, përkthyer nga origjinali anglisht nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë.

– Historia e popullit shqiptar. (2002), Ilirët, Mesjeta, Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI vitet 20 të shekullit XIX, botimet “Toena”, Tiranë.

– Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar, (grup autorësh) (2003), botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003.

– Kane, William Terence, (1954). History of education, considered chiefly in its development in the Western world, Loyola University Press.

– Koliqi, Hajrullah. (2002). Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, shtëpia botuese e Librit Shkollor, Prishtinë.

– Krekic, B. (1998). “Albanians in the Adriatic Cities: Observations on Some Ragusian, Venetian and Dalmatian Sources for the History of the Albanians in the La te Middle Ages”, The Mediaeval Albanians, National Hellenic Research Foundation- Institute for Byzantine Research, Athens.

– Malaj, P.Vinçenc, (1998). Kuvendi i Arbnit 1703, Instituti i Filozofisë dhe Sociologjisë, Prishtinë.

– Mihaieviç, R. (1968). “Slovenska kancelarija arbanska vlastele”, Simpoziumi për Skënderbeun, 9-12 maj 1968, Prishtinë.

– Mirdita, Zef. (1998). Krishtenizmi ndër shqiptarë, Misioni katolik shqiptar në Zagreb, Prizren-Zagreb.

– Monroe, Paul, 1869-1947, (1909). A text-book in the history of education.

– Omari, Anila. (2014). “Gjuha në kohën e shtetit të Arbërit”, gazeta “Telegraf”23 prill.

– Parker, Samuel Chester. (1912).A textbook in the history of modern elementary education,Ginn and Company, Boston, New York, Chicago, London, Atlanta, Dallas, Columbus, San Francisco.

– Power, Edward J. (1962). Main currents in the history of education, Mcgraw-Hill Book Company, Inc, New York, San Francisco, Toronto, London.

– Shllaku, Ludovik. (2002). Shkollat klerikale, vështrim historik nga fillimet deri më 1924, botimet “Camaj-Pipa”, Shkodër.

– Shuflaj, Milan.(2013). Situata e kishës në Shqipërinë paraturke, botimet françeskane, Shkodër.

– Shuteriqi, Dhimitër. (2005). Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800, Akademia e Shkencave, Tiranë.

– Xhufi, Pëllumb. (2006). Dilemat e Arbërit, studime mbi Shqipërinë mesjetare, Pegi, Tiranë.

Filed Under: Featured

MBËSHTETJA PËR SHKOLLAT SHQIPE NË AMERIKË, AKT PATRIOTIK E HISTORIK I FEDERATËS VATRA E GAZETËS DIELLI

December 31, 2024 by s p

Sokol Paja/

Viti 2024 ka qenë një vit historik për Federatën Vatra e gazetën Dielli si institucione të shenjta të shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbështetja ndaj shkollave shqipe në Amerikë me flamuj kombëtarë, abetare, libra shqip dhe gazeta Dielli e rikthyen Vatrën në lavdinë e saj shekullore në mbështetje të gjuhës shqipe, historisë kombëtare, identitetin kulturor shqiptar, traditës e trashëgimisë së shkëlqyer atdhetare në mërgatën e Amerikës. Në vitin e gjuhës shqipe, Federata Vatra dhe gazeta Dielli iu gjend pranë shoqatave e organizatave patriotike që punojnë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ndërsa vetë si organizata më e fuqishme dhe më e vjetër funksionale mes shqiptarëve të Amerikës, drejton tri shkolla shqipe duke dhënë një ndihmëse të jashatëzakonshme në ruajtjen e gjuhës kombëtare në mërgatë.

Shkolla Shqipe “Vatra” në Tampa e Tasim Rukos, Klubi Patriotik “Flas Shqip” në Miami e Dr. Iris Halilit dhe Shkolla Shqipe “Gjergj Fishta” në New York e Dr. Paulin Markut, mbështetja nga degët e Vatrës në Boston, Chicago, Michigan, New Jersey, Connecticut etj janë dëshmi e fuqishme se Vatra këtë vit ishte flamurmbajtësja e veprimtarive atdhetare e komunitare në mbrojtje të gjuhës e kulturës kombëtare në Amerikë.

Më 3 Shkurt 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi abetare, libra shqip dhe kopje të gazetës Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Alba Life” dhe “Children of the Eagle” në Bronx, New York. Vatranët shprehën falenderim, vlerësim e mirënjohje për punën e shkëlqyer të shkollave shqipe “Alba Life” dhe “Children of the Eagle” për ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë, traditës, kulturës kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Delegacioni i Vatrës theksoi se puna e shkëlqyer e mësuesve dhe shkollave shqipe do të ruajë të pastër trashëgiminë kulturore shqiptare në brezat që do vijnë. Shkollat shqipe në Amerikë e kudo ku ka diasporë shqiptare janë vazhdimësi identitare dhe përpjekje dinjitoze në mërgatën e Amerikës duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shqiptarinë. Mësuesit e shkollave shqipe në mërgatën e Amerikës dhe në diasporën shqiptare kudo në botë janë misionarë të shenjtë të kombit shqiptar.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra e mbështet arsimin shqip e shkollat shqipe që prej vitit 1912 ku vetëm në vitet 1918-1940 Vatra dërgoi më shumë se 120 mijë libra në Shqipëri të shtypura në Shtypshkronjën e Diellit. Më 12 tetor 2024 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 50 flamuj kombëtarë, 50 libra shqip e 50 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe “Hasan Prishtina” të Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” Waterbury, Connecticut. Vatra ofroi mbështetjen dhe vlerësoi punën e shkëlqyer patriotike e komunitare të qendrës “Hasan Prishtina”. Drejtuesit e qendrës vlerësuan Vatrën dhe garantuan bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen për kauzat kombëtare ku Vatra është lider i padiskutueshëm në mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra i qëndron afër dhe mbështet me çdo mjet përpjekjet dhe punën e shkëlqyer patriotike të shoqatave e organizatave patriotike për ruajtjen e gjuhës, historisë e traditës shqiptare nga asimilimi e përcjellja e trashëgimisë patriotike te fëmijët shqiptarë të lindur jashtë atdheut.

Më 4 Shkurt 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi abetare, libra shqip dhe kopje të gazetës Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Mëso Shqip” dhe “Fol Shqip” në Staten Island dhe Queens, New York. Aktivistët, patriotët e vullnetarët shprehën vlerësim të lartë për Vatrën e gazetën Dielli si ikona të shqiptarizmës. Vatranët shprehën falenderim të përzëmërt për punën e shkëlqyer patriotike, edukative dhe kulturore të mësuesve, prindërve dhe drejtuesve të shoqatave të cilët mbështesin shkollat shqipe. Shpirti atdhetar i patriotëve, puna profesionale e mësuesve, pasioni i tyre, këmbëngulja e prindërve e mbështetja e drejtuesve të shoqatave përbëjnë një garanci për të ardhmen e mësimit shqip në mërgatën e Amerikës ku Vatra do jetë aty për ta përgjithmonë. Zoti i nderoftë të gjithë patriotët, atdhetarët e mbështetësit e mësimit shqip, kulturës kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është e jashtëzakonshme ndjesia që përjeton në shpirt teksa sheh gjeneratat që flasin, mendojnë, studiojnë, vallëzojnë e jetojnë shqip.

Kjo mbështetje shpirtërore e materiale e Vatrës të bën krenar e mbush zemrën plot. Më 14 shtator 2024 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 100 libra shqip e 100 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe pranë Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane Struga në Riverdale New Jersey. Më 21 shtator 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 30 flamuj kombëtar, 30 libra shqip dhe 30 gazeta Dielli për fëmijët shqiptarë të shkollës shqipe të shoqatës Iliria në Saint Louis. Më 14 tetor 2024 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 100 libra shqip e 100 gazeta Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia në shenjë nderimi, vlerësimi e respekti për punën e jashtëzakonshme edukative, patriotike, kulturore e atdhetare. Dhurimi u bë ceremoninë e përurimit të Qendrës Komunitare dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, nëpërmjet gazetës Dielli është kthyer në promotorën më të fuqishme të shkollave shqipe në diasporën e Amerikës e Europës. Zoti i bekoftë dhe i shpërbleftë përpjekjet e shenjta të çdo shqiptari për gjuhë, flamur, komb e atdhe.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT