• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Debati Presidencial Trump-Biden mes Retorikes dhe sulemeve personale

September 30, 2020 by dgreca

Kandidati presidencial demokrat në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden dhe presidenti, Donald Trump, i kaluan 90 minuta kaotike në debatin e tyre të parë presidencial, me ndërprerje të fjalës dhe përplasje verbale, duke nxjerrë në pah stilet shumë të ndryshme të dy kandidatëve për president.

Ata debatuan për pandeminë e koronavirusit, nominimin e një gjykatëse të re të Gjykatës Supreme, rendin dhe ligjin si dhe marrëdhëniet racore.

Trump dhe Biden, gjatë debatit shumë shpesh i flisnin njëri-tjetrit, dhe në një moment Biden e quajti Trumpin një “gënjeshtar, një palaço”, pastaj “këlysh i Putinit”, si dhe në një moment i tha: “A do ta mbyllësh gojën, burrë?”.

Trump, nga ana e tij tha se “e majta radikale” e ka Bidenin të “mbërthyer përreth gishtave” dhe tha se djali i tij Hunter, kishte përfituar në mënyrë të papërshtatshme gjatë punës në Ukrainë, duke shfrytëzuar lidhjes e babait të tij.

Akuzat e ndërsjella mes kandidatëve, bëheshin aq shpesh, sa që moderatori i debatit, Chris Wallace, nga Fox News, u shfaq i acaruar disa herë. Ai ishte veçanërisht i irrituar me Trumpin, duke iu lutur presidentit që të mos ndërpresë dhe duke i kujtuar atij se ekipi i fushatës kishte rënë dakord me rregullat e debatit.

Të dy kandidatët nuk i shtrenguan dorën njëri-tjetrit në fillim të debatit, pasi ky akt tradicional u hoq nga plani për shkak të pandemisë së koronavirusit. Përballja mes tyre u ndoq nga një audiencë në sallë prej më pak se 100 personash. Ngjarja u mbajt në mjediset e universitetit “Case Western” në qytetin Klivland të Ohajos.

Biden gjatë debatit e sulmoi Trumpin lidhur me trajtimin e pandemisë së koronavirusit, duke thënë se presidenti “priti e priti” për të vepruar dhe se ai “ende nuk ka një plan”.

Ai i tha Trumpit që të “dilte nga gracka e rërës” – duke iu referuar lojës golf të cilën e praktikon Trump – dhe të shkonte në Zyrën Ovale për të dalë me një plan dypartiak në mënyrë që të shpëtojë njerëzit nga pandemia.

Por, Trump iu përgjigj: “Ne kemi bërë një punë të shkëlqyeshme”, duke shtuar, “por unë të them ty, Joe, ti kurrë nuk do të mund ta kishe bërë punën që ne bëmë. Nuk e ke në gjak këtë punë”.

Trump përsëri sinjalizoi gjatë debatit se ai mund të mos pranonte një humbje në zgjedhje dhe kritikoi votimet e hershme dhe fletëvotimet me postë. Në të kaluarën ky lloj i votimit është praktikuar në Shtetet e Bashkuara pa probleme serioze. Trump këmbëngul se ato janë të ndjeshme ndaj mashtrimeve.

Biden u bëri thirrje votuesve të votojnë “sido që të jetë mënyra më e mirë për ju”, duke thënë se Trump “nuk do të jetë në gjendje t’ju ndalojë të përcaktoni rezultatin e këtyre zgjedhjeve”.

Kandidatët kaluan një pjesë të kohës duke debatuar mbi nominimin që Trump i bëri Amy Coney Barrett si gjyqtare në Gjykatën Supreme për të zëvëndësuar të ndjerën, Ruth Bader Ginsburg. Biden dhe demokratët e tjerë e kanë kundërshtuar Trumpin për vendimin e ndërmarrë kaq pranë mbajtjes së zgjedhjeve.

Por, Trump tha se republikanët kanë fituar zgjedhjet më 2016 dhe për këtë arsye kanë të drejtë të zgjedhin.

Trump gjithashtu u deklarua për një raport hulumtues të publikuar nga gazeta New York Times në të cilin pretendohej se ai ka përdorur zbrazëtira ligjore për të paguar më pak taksa në të ardhurat personale në vitet e fundit.

Trump këmbënguli se ai ka paguar “miliona” taksa dhe tha se të gjithë udhëheqësit e biznesit bëjnë të njëjtën gjë si ai “nëse nuk janë budallenj”. Ai tha se publiku do të njoftohet për kthimin e tij personal të taksave, por nuk do të tregoi kur do të ndodhë

Disa orë para debatit kandidati demokrat, Joe Biden, publikoi deklaratat e tij tatimore që tregojnë se ai dhe gruaja e tij Jill paguan më shumë se 346.000 dollarë taksa federale dhe pagesa të tjera për vitin 2019 me të ardhura prej gati 985.000 dollarësh.

Kur gjatë debatit u hap tema për marrëdhëniet racore në Shtetet e Bashkuara, Trump anashkaloi një pyetje nëse ai ishte i gatshëm të dënonte supremacistët e bardhë dhe grupet ushtarake.

“Unë do të thoja se pothuajse gjithçka që shoh vjen nga krahu i majtë, jo nga krahu i djathtë”, u përgjigj Trump.

“Unë jam i gatshëm të bëj gjithçka. Unë dua të shoh paqen”, tha ai.

Biden akuzoi Trump për përdorimin e “gjithçkaje në përpjekje për të gjeneruar urrejtje dhe ndarjes racore”.

Trump ia përmendi Bidenit mbështetjen për një ligj kundër krimit sa ka qenë senator në vitet 90-ta, dhe tha se Biden kishte trajtuar afro-amerikanët “gati më keq sa çdokush në këtë vend”.

Toni i ashpër gjatë debatit të parë, menjëherë ngriti pikëpyetje nëse dy debatet tjera midis Biden dhe Trump do të zhvillohen ashtu siç është planifikuar.

Debati tjetër në kuadër të fushatës është midis kandidatëve për nënpresident. Nënpresidenti aktual, Mike Pence dhe senatorja Kamala Harris do të debatojnë më 7 tetor.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Filed Under: Featured Tagged With: debati i apre-Trump-Biden, Sulme personale

NAJADA ALLIU(SOJLI)- MES SFIDAVE DHE MUNDESIVE TE JETES

September 29, 2020 by dgreca

– Intervistë me konsullen shqiptare në Nju Jork, Najada Alliu(Sojli), dhënë bashkëpunëtorit të Diellit, Fadil Shehu-*

Nëse një ditë do të rikthehesh në retrospektivën e kohës së fëmijërisë dhe adoleshencës suaj, si do e përkufizonit Najadën në trokun e viteve?

Najada: Të kthehesh aq shumë vite pas, dhe të rrugëtosh nëpër kujtimet e viteve të bukura të dlira të jetës, padyshim është vërtetë emocionuese. Fëmijëria ime ka qenë e bukur, e mbushur plot dashuri, si vajzë e vetme dhe motër e tre vëllezërve. Kanë qenë kohë të tjera, por të mbushura plot jetë, gjallëri dhe thjeshtësi.

  • Njiheni si femër e vendosur, këmbëngulëse për të arritur aty ku dëshironi. Ju është dashur të sakrifikoni shumë?

 Najada: Jeta është e mbushur plot bukuri dhe vështirësi, shpesh vendosemi përballë zgjedhjesh. Ajo të cilën do ta quaja të rëndësishme është që puna apo ajo çfarë ju besohet të bërit me korrektësi dhe dëshirë. Në këtë kontekst do të thoja, që unë vërtetë kam punuar me përkushtim dhe pasion dhe gjërat kanë rrjedhur natyrshëm.

-Eksperienca juaj si diplomate është mjaftë e gjatë në Ministrinë e Jashtme. Sa ka ndikuar profesioni juaj si juriste?

Najada: Eksperienca e gjatë dhe e vyer, gjithmonë është fokusuar në sektorin Konsullor. Një sektor mjaftë dinamik, por gjithmonë i kornizuar dhe bazuar në ligje. Prandaj mund të them që ka qenë një themel i fortë.

-Në një moment të caktuar jeta ju solli pranë shokun tuaj më të mirë, Besnik Alliu, i cili më pas u bë bashkëshorti juaj. Por jeta mori një tjetër kah. Si do e përshkruani këtë fazë të jetës?

Najada- Jeta është e larmishme, dhe çdo fazë ka bukurinë e saj. Unë do ta quaja thjesht bekim nga Zoti. Njohjen time me Besnikun, krijimin e familjes dhe sjelljes në jetë të frutit të dashurisë sonë Rejon. Gjithçka ishte e mrekullueshme deri në momentin, që jeta na përplasi me sëmundjen e Besit dhe e gjithë ajo strehëz e ngrohtë, e quajtur familje që ne e kishim krijuar me aq shumë dashuri, ju desh të tronditej. Kanë qenë momente për të cilat nuk dua të ndalem, sepse ende më dhëmbin me të njëjtën forcë, por është pikërisht forca e dashurisë që ne krijuam, e cila më pas më dha jetë dhe motiv për të ecur përpara, së bashku me të shtrenjtin birin tonë, Rejon Alliu. Ndonëse e zgjata disi, por do të ofroja një mesazh për të gjithë lexuesit, të cilët duhet  që të vlerësojnë jetën dhe të gjallët e tyre. Ajo është gjëja më e shtrenjtë.

Ju e përmëndët me kaq bukuri e dashuri prej nëne birin tuaj, Rejonin. Çfarë mund të na tregoni për marrëdhënien tuaj?              

Najada- Rejoni nuk është thjesht im bir, ai është shoku dhe miku im. Ndonëse është ende në një moshë shumë të re, marrëdhënia jonë është vërtet mjaftë solide. Për të mund të flisja pa fund, për edukatën, rezultatet e tij në mësime, dëshirën për të më ndihmuar, por do të theksoj veçanërisht mirësinë dhe ëmbëlsinë që mban në zemër dhe shpirt. Kjo më bën një nënë të lumtur dhe plot besim për të ardhmen e tij. 

Më parë ju keni ushtruar detyrën e Konsulles në Romë,Itali.Cilat janë të veçantat  dhe të përbashkëtat midis Romës dhe New York-ut? 

Najada– Fjala «konsull» është e njëhsueshme me fjalën «shërbim»,çka nënkupton në vetvete të përkushtosh punën dhe veten tënde në shërbim të të tjerëve, dhe të zbulosh potencialin dhe lumturinë tënde në të shërbyerit. Prandaj vendi në të cilin po shërben nuk përbën diferencën, por  Najada, përkushtimi yt për tu ardhur gjithmonë në ndihmë, brënda kornizës, bashkatdhetarëve të tu, dhe jo vetëm, i cili tek unë vijon të mbetet i njëjtë. Do ta veçoja Konsullatën në NY për mbulimin e madh që ka, sidomos në drejtim të pajisjes së shtetasve me pasaportë dhe kartë identiteti. Një punë vërtet impeniative, me volum të madh, por përtej çdo lodhje, të shpërblen me kënaqësinë e përmbushjes së misionit tënd. Jam vërtetë mirënjohëse që kam pasur fatin të punoj në këto dy qëndra të rëndësishme botërore, ku vlen për tu theksuar fakti që kanë një diasporë të madhe, e cila vijon me zell dhe këmbëngulje për të ruajtur dhe trashëguar vlerat e kombit shqiptar dhe ruajnë një bashkëpunim mjaftë të ngushtë me Ambasadën. Thellësisht mirënjohëse.

Si do ti përshkruanit marrëdhëniet me autoritetet kompetente të SHBA-ve, lidhur me çështjet që ju mbuloni?

Najada- Normalisht ne e ushtrojmë funksionin tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe padyshim, pa bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, puna nuk do të ishte e lehtë. Për çdo çështje që është kërkuar bashkëpunimi i palës amerikane, jemi takuar gjithmonë me profesionalizimin dhe dëshirën e mirë të kolegëve amerikanë, për tu përgjigjur brënda çdo kornize ligjore dhe në një kohë të shpejtë.

Cili është urimi apo fjala më e bukur që ju është thënë nga bashkatdhetarët tanë gjatë punës suaj?

Najada- Marrë shumë urime. Bashkatdhetarët nga mjaftë shtete, nëpërmjet Shërbimeve Konsullore Online, ose ardhjes së tyre në konsullatën tonë këtu në Nju Jork, përfitojnë një numër më të madh shërbimesh, diku rreth 400 shërbime. Kjo natyrisht ka krijuar mundësinë që shtetasit nëpërmjet Konsullatës sonë  këtu në Nju York, të trajtojnë një gamë më të gjerë çështjesh, dhe në një kohë më të shpejtë.

A ndjeheni e kënaqur në këtë pozicion ku jeni sot?

Najada– Jeta është sfida për të jetuar të sotmen, me shikimin drejtë të nesërmes. Çdo njeri kërkon të jap më të mirën e mundshme nga vetja dhe të punojë fort për të qenë i realizuar në shumë aspekte. Sigurisht referuar bisedës sonë, jeta shpesh na vendos me shpatulla pas murit dhe na lëndon thellë, por prapë se prapë mirënjohja dhe vlerësimi për të mirën, nuk duhet të mungoi asnjëherë. Ndaj thjeshtë mund të them që ndjehem e bekuar.

Për ta përmbyllur këtë intervistë, si e shihni të nesërmen tuaj si femër, nënë dhe diplomate?

Najada: E ardhmja është mister, por njëkohësisht forcë për të besuar dhe shpresuar më të mirën për realizimin e tim biri, sidomos në aspektin akademik, i cili është një nga prioritet e tanishme, dhe krenaria e çdo prindi. Veten sigurisht e shoh në vijimin e përmbushjes me përkushtim dhe përgjegjësi të privilegjit të madh që më është dhënë për të shërbyer në MEPJ. Kujtimi i bashkëshortit, im bir, familja e madhe dhe puna që bëj, më japin forcë për të nesërmen e Najadës, në çdo dimension të saj.

 Emertesat e fotografive: 1- Najada Alliu Sojli

2- Najada dhe ambasadorja Amerikane në Shqipëri Yuri Kim.

3- Najada me ish Ambasadore Amerikane ne OKB, Nikki Haley. 

4-Me bashkëshortin e ndjerë, Besnik Alliu.

5- Djali, Rejon Alliu.

Filed Under: Featured Tagged With: 400 sherbime Konsullore, NAJADA ALLIU(SOJLI), USA-New York

I LUMI DOM SHTJEFËN KURTI-DËSHMITAR I KISHËS MARTIRE SHQIPTARE

September 28, 2020 by dgreca

                   

 -Vrasja e porositur e një rilindasi-

Nga Frank Shkreli-

Të shtunën që kaloi në sallën “Rrok Mirdita” të Katedralës Shën Pali në Tiranë, seli e Arqipeshkëvisë Metropolite Tiranë-Durrës, u promovua vëllimi i II i trilogjisë, “I lumi Dom Shtjefën Kurti, dëshmitar i Kishës Martire”, me autorë Nikollë Loka, Av. Alfred Duka dhe Ing. Nikolin Kurti.  Merrnin pjesë personalitete të jetës shoqërore, fetare dhe akademike në Tiranë.  Promovimin e hapi nipi i Dom Shtjefnit, Nikolin Kurti, pas të cilit përshëndetën Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë, Imzot Charles Braun, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara dhe Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo. Një parashtresë e shkurtër historike u bë nga Nikollë Loka, ndërsa diskutimin kryesor e mbajti Av. Alfred Duka. Pati dhe diskutime nga të pranishmit.

Vëllimi I i librit kushtuar Dom Shtjefën Kurtit është botuar dy vjet më parë dhe është promovuar – ndër të tjera – edhe në Qendrën “Bogdanipolis”, të Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, Prillin e vitit të kaluar.  Siç dihet tani, Dom Shtjefën Kurti ishte njëri prej 38-martirëve shqiptarë, viktima të pafajshme të komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës, të shpallur si të tillë nga Papa Françesku.  Don Shtjefën Kurti, prift katolik nga Ferizaji i Kosovës, pësoi martirizimin për shkak se kishte pagëzuar një foshnje, në kohën kur një vepër e tillë kishtare ishte e ndaluar nga regjimi komunist në Shqipëri. 

Në promovimin e vëllimit të II të shtunën në Tiranë, në lidhje me trajtimin juridik të dënimeve të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist,  ka diskutuar Av. Alfred Duka, i cili evidentoi shkeljet nga ana e gjykatës të vet ligjeve të kohës, duke kërkuar ta përzienin klerikun me jetesë të kristaltë, në çeshtje ordinere, në lidhje me disa vjedhje që kishin ndodhur në Gurzë.  Dom Shtjefni është dënuar me porosi nga lartë, ndërkohë që për dënimin e tij interesohej vetë Enver Hoxha.  Diktatori Hoxha, sipas tij, kishte dërguar gjoja “me punë fizike” në Gurzë, afër Krujës, njërin nga sekretarët e tij, i quajtur Vahid Lama, i cili e ndoqi procesin gjyqësor të Dom Kurtit, në çdo seancë.  Shkeljet e gjykatës së Krujës u përsëritën edhe në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, firmosi dënimin me vdekje për Dom Shtjefën Kurtin, u tha në promovimin e vëllimit të II të librit kushtuar martirit shqiptar. Për më tepër, në seancën e mbajtur fund javën që kaloi, u thekësua se as sot pas rreth 50 vjetësh nuk ka të dhëna se ku gjenden eshtrat e këtij kleriku martir.   

   ..

Ja disa të dhëna bazë biografike mbi të Lumin Dom Shtjefën Kurti, misionar i lirisë së shqiptarëve:  I Lumi Dom Shtjefën Kurti përfaqëson brezin shqiptar të idealeve të mëdha të ribashkimit kombëtar dhe të aspiratave për jetë të lirë. Ai ishte meshtar, mësues, veprimtar shoqëror, i flijuar me vetëdije për kombin e vet. I lumi Shtjefën kishte lindur në Prizren, kishte kaluar fëmijërinë në Ferizaj, pastaj rininë e parë në Shkodër dhe rininë e dytë në Insbruk dhe në Romë, për t’u kthyer fillimisht si krahu i djathtë i klerikut të shquar, Imzot Lazër Mjedës në Shkup, ku i ra fati të jetë rrëfyesi i parë i Nënë Terezës. 

Pastaj Dom Shtjefni kaloi me shërbim në Ferizaj; ishte themeluesi i famullisë së Shën Rrokut në Novosellë; mësues i gjuhës shqipe në shkollën katolike shqipe në Ferizaj dhe mësimdhënës i lëndës së besimit në shqip, në shkollën serbe të Novosellës ku, meqenëse i zhvillonte mësimet në gjuhën amtare, mori kërcënime nga serbët. Bashkë me Dom Gjon Bisakun dhe Dom Luigj Gashin e ngritën zërin në mbrojtje të bashkombasve të vet me memorandumet e tyre dërguar deri në Lidhjen e Kombeve, ku dhanë alarmin mbi çfarë po ngjiste në Jugosllavinë e atëhershme kundër shqiptarëve autoktonë. Këta tre klerikë shqiptarë nga Kosova, i treguan botës se çështja shqiptare nuk ishte një çështje fetare, por kombëtare, pasi qeveria serbe po përdorte metodat më brutale të vrasjeve dhe terrorit për të ndryshuar balancat etnike në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë. 

Dom Shtjefën Kurti në Shqipëri punoi s famullitar në Kurbin, Skuraj dhe Gurzë, ku meremetoi kishat ekzistuese dhe ndërtoi kisha të reja. Më vonë ai u vendos në Tiranë, duke qenë dhe Dekan i Dekanatit të Tiranës. Nga ky pozicion, aki iu përkushtua fesë dhe komunitetit katolik, duke dhënë kontribute të rëndësishme në fushën fetare, arsimore dhe kulturore. Këtë veprimtari e vazhdoi dhe në vitet e pushtimit fashist. 

Dom Shtjefni është njëri ndër ata klerikë që iu përmbajtën me rigorozitet misionit të tyre si klerikë dhe nuk u angazhuan në politikë. Nga pozicioni i tij si klerik ndihmoi në shpëtimin e hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dom Shtjefën Kurti ishte përfaqësues tipik i aspiratave shqiptare për lidhje me Perëndimin dhe u ndëshkua si i tillë, në kushtet kur qeveria komuniste kishte hyrë në aleancën e shteteve komuniste sllave.  Ai, në zbatim të ligjeve të kohës, kur në letër, formalisht, “lejohej liria e besimit dhe e organizimit shoqëror”, punoi për ruajtjen e Kishës nga ndikimi due ndërhyrjet e shtetit dhe ishte ndër nismëtarët për krijimin e një partie demokristiane. Ai kishte menduar se ishte në të mirë të vendit krijimi i një partie të tillë. Megjithëse në kuadrin e sistemit shumëpartiak, ndonëse një veprim i tillë nuk u ndalua me ligj deri në vitin 1946, kjo nismë e tija u konsiderua si tradhëti e lartë ndaj Atdheut. 

Sipas Nikolin Shkurtit, njërit prej autorëve të librit, Dom Shtjefni vazhdoi të mbante lidhje me misionet perëndimore dhe iu nënshtrua dënimit të parë prej njëzet vjetësh, pasi: Nuk e pranoi shkëputjen e klerit katolik shqiptar nga Kisha Katolike Universale; dhe se luftoi për krijimin e një opozite politike ndaj regjimit dhe për këtë qëllim kishte patur takime dhe me përfaqësues të shteteve perëndimore. Duhet theksuar se pavarësisht terrorizmit shtetëror ndaj klerit katolik, i lumi Dom Shtjefën Kurti refuzoi kategorikisht dhunën, duke i qëndruar besnik misionit kristian të sakrificës deri në vetëflijim. Besnik i bindjeve të veta, ai do të shkonte përsëri në një gjyq farsë, prej nga do të dënohej me vdekje. 

Jeta, veprimtaria dhe vdekja e Dom Shtjefën Kurtit shërben edhe sot si shembull dëshmitar i gjallë i dashurisë dhe besnikërisë ndaj fesë dhe Atdheut, në Kosovë dhe në Shqipëri si dhe anë e mbanë trojeve shqiptare dhe kudo që ka shqiptarë. I pavdekëshëm qoftë kujtimi i tij sot dhe gjithmonë!

                        …       

———————————————————————————————-

Kujtime nga protesta e komunitetit shqiptaro-amerikan kundër vrasjes barbare të At Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist hoxhist, Nju Jork, 1973

Ish-Udhëheqësi shpirtëror i Komunitetit Mysliman në Nju Jork, i Përndershmi Imam Isa Hoxha, duke folur në demostratën para OKB-së, 1973, e komunitetit shqiptaro-amerikan për të protestuar mbi vrasjen makabër të At Shtjefën Kurtit.


Demostrues me plakarta:“Njoftojmë botën se At Shtjefën Kurti nuk është i vetmi  që është pushkatuar nga regjimi komunist” ; “Ne shqiptaro-amerikanët u bëjmë thirje të gjithë njerëzve liridashës, Papës, Presidentit Richard Nixon…”  

Autori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, ish-udhëheqësin shpirtëror të komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork, 1973

Duke argumentuar me një police të Nju Jorkut gjatë demonstratës kundër vrasjes së At Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – para selisë së Misionit të Shqipërisë Komuniste pranë OKB-s.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, I Lumi Dom Shtjefen Kurti, Libri promovim II

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI SI FAKTOR PËRCAKTUES NË SKENËN POLITIKE MALAZEZE

September 28, 2020 by dgreca

Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën politike në Mal të Zi pas zgjedhjeve dhe shqiptarët si faktor politik përcaktues në skenën politike malazeze. Kryetari z.Camaj analizon fenomenin politik “Abazoviq”, orientimin pro-perendimor të qeverisë së re, shëmbjen e perandorisë së pushtetit politik Gjukanoviq, dhe sfidat e Komunës së Tuzit me administrim shqiptar. Me z. Nikollë Camaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

POZICIONI I SHQIPTARËVE PAS ZGJEDHJEVE NË MAL TË ZI

Ne dolëm në zgjedhje me premtimin se do jemi pjesë e qeverisë, dhe se nga ajo pozitë do zgjedhim shumë çështje të pazgjidhura deri më tani,  e në rend të parë çështjet ekonomike dhe zhvillimore të trevave ku jetojnë shqiptarët. Pritnim, dhe dëshironim, që të jemi çelësi i qeverisë së re, por ja se ajo nuk ndolli. Zgjedhjet krijuan një shumicë të re, shumicë që bëhet edhe pa ne. Mirëpo, për faktin se kjo qeveri i ka të nevojshme pakicat brenda, besoj se jemi në pozitë mjaft të favorshme, nëse sjellim vendim që të bëhemi pjesë e sajë. Për të qenë i qartë, LDSH është e mendimit se duhet të hyhet në qeveri, sepse, ku pikon çatia mund të vërehen nga brenda, edhe pse të ndërtohet duhet nga jashtë. Për ne pra, ka rëndësi të pozicionohemi në favor të zgjidhjes së çështjeve të shqiptarëve, e me qëndrim në opozitë, nuk besoj se mund të zgjedhim gjë. Por, se a do të jemi më të fortë, apo më të dobët, shumëçka do të varet edhe nga aftësitëe liderëve që do të bëjnë bisedimet. Natyrisht, pozicionet tona do të ishin edhe më të favorshme, sikur në zgjedhje të kishim dalë me një listë.

SHEMBJA E PERANDORISË SË PUSHTETIT 30 VJEÇAR TË GJUKANOVIQ

Rezultati i zgjedhjeve sikur i ka habitur njerëzit. Derisa një pjesë e madhe e shoqërisë në Malin e Zi e ka kuptuar si çlirim; një pjesë tjetër,  ndër ta edhe shumë shqiptarë, për fat të keq edhe në diasporë,  e kanë kuptuar si humbje të veten. Personalisht, nuk mund ta kuptoj prej nga e gjithë kjo nostalgji për humbësit e zgjedhjeve. Edhe pse, ndoshta ne nuk kemi tepër arsye për t’u gëzuar, por aq më pak kemi arsye që të bashkë-vuajmë humbjen e një oligarku, duke e arsyetuar atë me faktin se në taborin fitues ka dhe parti me prefiksin serb. Kjo më kujton kohën kur një pjesë e shqiptarëve kërkontebanën sulltan, pas shpërbërjes së perandorisë turke. Sindromi i Stokholmit, duket! LDSH,  si parti e vërtet opozitare,  e vetme ndër shqiptarët, që parapëlqen ndryshimet, e kupton si ajo pjesa e madhe, pra, si çlirim! 

QEVERIA E RE NË MAL TË ZI DHE RAPORTET ME SHQIPËRINË E KOSOVËN

Mendoj se qeveria s’do të ketë orientim as pro-serb, as pro-rus,  por pro-perëndimor. Ne rast se tenton te marr atë drejtim, forcat pro-perëndimore, brenda bllokut, janë të mjaftueshme, dhe tejet të qëndrueshme në kursin e vet pro-evropian, saqë forcat eventuale të cilat do provonin të ndërronin drejtim, do mbeteshin të pakta dhe pa përkrahje. Prandaj frikësimi me gogolin pro-serb e pro-rus, është më tepër në favor të arsyetimit të atyre që qajnë për humbësin. 

DRITAN ABAZOVIQ SI FENOMEN POLITIK SHQIPTAR

Ai vërtet nuk është i mbështjellë me flamurin shqiptar, por si një kozmopolitevropian,  ndoshta edhe utopik,  për kohën dhe vendin, nuk ngurron të mburret se është shqiptar. Është fenomen, edhe si njeri edhe si politikan. I mençur e  parimor, besnik ndaj idealeve të veta. Paraqitjet e tij teatrale tashmë kane fituar simpatinë e një rrethi të gjerë,  por e di fare mirë se as malazezët as serbet, hero s’do ta shpallin, prandaj zor se do të lejojë të dalë i shfrytëzuar, siç pretendon ta paraqes ndokush, por do të çojë deri në fund idealin e vet për një Mal të Zi evropian, në kuptimin e plotë të fjalës. Si person, nuk ka nevojë as ta mbroj, e as ta këshilloj, por duhet ta kemi para sysh se një shqiptar e bëri të mundur ndryshimin e qeverisë dhe rënien e perandorisë Gjukanoviq, çka nuk besoj se ka ndodhur pa bekimin e Perëndimit. Përçarjet ndërnacionale, të shkaktuara gjatë 30 viteve, dhe grabitja e pasurisë, dhe resurseve kombëtare, në emër të ruajtjes së shtetit , më në fund e morën hakun. 

SFIDAT E KOMUNËS TUZ ME ADMINISTRIM SHQIPTAR

Deri më tani ia kemi dal mirë, edhe përkundër problemeve që na ka shkaktuar procesin i ndarjes me Podgoricën, të cilit nuk po i shihet fundi. Podgorica akoma vazhdon të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë; vazhdon të marrë pagesat nga banorët e Tuzit, kurse shërbimet i bën sikur Tuzi të ishte një lagje e parëndësishme e Podgoricës. Kjo kërthizë thithëse, me Podgoricën, duhet të ndërpritet urgjentisht, nëse mendojmë të zhvillojmë trevën, siç e meriton Malësia dhe banorët e sajë. Përpos kësaj, ajo në çka,tutje duhet të fokusohemi, është ruajtja, mirëmbajtja dhe rregullimi i hapësirave publike dhe vënia e resurseve lokal në funksion të zhvillimit të Malësisë, e jo të Podgoricës, siç është rasti deri më tani. Mirëpo, përkundër këtij realiteti, duhet apostrofuar një realitet tjetër; se administrata shqip po funksionin me entuziazmin, frymën dhe përkushtimin fillestar. Përndryshe, vlerësimet janë se, edhe përkundër obstruksionit që vjen nga kryeqyteti,  më shumë është bërë për Malësinë tash 2 vite se për 50 vitet e fundit. Malësia, shtëpia jonë, e lënë tepër gjatë mbas dore, ka nevojë, dhe e meriton dorën e kujdesshme të atyre që e duan.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E “DIELLIT” DHE DIASPORËN, NË USA

Qëndroni pranë vendlindjes siç keni qëndruar deri më tani.  Keni besimin në ne, se do t’i shërbejmë vendit pa hile, me aq sa kemi mundësi e dije. Ndikimi juaj në jetën ton është i madh,  prandaj kujdes, si e shfrytëzoni atë ndikim. Duhet ta kuptojmë se gjerat mund t’i shohim ndryshe,  por qëllimet i kemi të njëjta; që shqiptarët të shkëlqejnë në çdo drejtim. Ndërsa për ata që po kanë frik nga ndryshimet: duhet ditur se ndryshimet është dashur që njëherë të ndodhin,  dhe pa votën e atyre që i mbajmë për çetnik, ajo s’mund të ndodhte. Prandaj, ndarjen në çetnikë,ballistë e partizanë t’ia lëmë të së kaluarës dhe pushtetit aktual që i ka krijuar. Mendoj se për ne janë njëlloj, prandaj ne duhet të fokusohemi në interesat e shqiptarëve dhe jo në zënkat hileqare ndër-sllave. Por, që shqiptarët të shkëlqejnë është e paimagjinueshme pa faktorin diasporë. E ka thënë Noli, e ka dëshmuar Kosova, e madje edhe komuna jonë. E thash edhe në fillim: se ku pikon çatia shihet nga brenda, por të ndreqet, mundet vetëm nga jashtë! Pra, që të mos pikojë shtëpia jonë, e quajtur Shqiptari, njëlloj duhen njerëzit që rrinë brenda, dhe ata që rrinë jashtë!

Ju faleminderit

Filed Under: Featured Tagged With: Nikolle Camaj, Shqiptaret ne Mal te Zi, Sokol Paja

Kosova para 29 viteve në Referendum për Pavarësi, rezultati – pro 99,87 për qind

September 26, 2020 by dgreca

-Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u mbajt nga 26 deri në 30 Shtator 1991, Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind/

-Gazeta e rezistencës “Bujku” – 27 Shtator 1991: Kosova filloi Referendumin për Soranitet; 4 Tetor 1991: Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës/

-Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci/

­-“Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, ishte titulli i intervistës ekskluzive që kam zhvilluar para 26 viteve, në 22 Shtator 1994,  me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në trevjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur: Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/

-Në krye të Kuvendit të Kosovës në kohën e vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili vlerëson se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 26 Shtator 2020/ Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur para 29 viteve, nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

“Kosova filloi Referendumin për Soranitet”, ishte kryetitulli i ballinës së gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”.

“Republika e Kosovë filloi Referendumin për të nesërmen e vet: Shtet Sovran dhe i Pavarur. Referendumi i parë historik i Kosovës i shprehejes së vullnetit të lirë politik të popullit filloi në kushte e rrethana shumë të rënda që po përjeton Kosova nën pushtetin policor serb, prandaj vota për sovranitet dhe pavarësi  është edhe votë e deklarimit demokratik e paqësor për liri e barazi të plotë  për çka shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi edhe para këtij referendumi janë deklaruar fuqishëm me shumë forma të shprehjes  e të manifestimit të vullnetit të lirë”, shkruaja atëherë në 26 Shtator 1991 në kryeartikullin e botuar në numrin e së nesërmes të gazetës “Bujku”.

Legjenda e fotografisë në ballinë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar para 30 viteve në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike kur para dyerve të mbyllura të Kuvendit në shtetrrethim e para snajperëve serbë Kosova me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në editorialin e botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 dhe aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumi për Pavarësi i 26 deri 30 shtator 1991 shënonin kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë e të pavarur.

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konstatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

 Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

  “Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), që e kam zhvilluar para 26 viteve, në 22 Shtator 1994, në 3 vjetorin e referendumit të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Në intervistë, Presidenti  Rugova, i cili vazhdimisht theksonte se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur” fliste edhe për opcionin e “lidhjeve konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

 Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë,  për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistë para më shumë se çerek shekulli janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova në intervistë…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008…

Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” njoftonte rezultatet e referendumit.

Me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991, në  faqen e parë shkruante:

“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punjnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatet e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatëve, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ, kur ishte i okupuar edhe Televizioni i Prishtinës, për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe thuaja e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica.

Në atë kohë gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, e pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale, të parë e të vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja

Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke marrë e botuar informacionet e saj, e kështu u themeluan bashkëpunimet e para të medias Shqipëri-Kosovë.

E pastaj, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë vijuan edhe me raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, ku Rugova u zgjodh President i  Republikës, e që shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në Kosovë.  Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit të ATSH-së në Kosovë, e edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare para 26 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive në 3 vjetorin e Referendumit për Pavarësi.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 Shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në kohën e vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit, në 29 Shtator 2011, ka  vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive me të drejtë vetoje të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbullaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake parlamentare e presidenciale në Kosovë të 24 majit 1992, të clat pasuan referendumin për pavarësinë, nga Presidenti historik Ibrahim Rugova i zgjedhur atëherë Ilaz Ramajli u emërua ambasadori  i parë i Republikës së Kosovës në Tiranë.  

“Për mua kjo ka qenë një përvojë e re. Detyrën e Përfaqësuesit të zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë e kam pranuar si një privilegj dhe detyrim të marrë me Vendimin e Presidentit të ndjerë Rugova për emërimin tim në këtë pozitë. Konsideroj se Zyra e Republikës së Kosovës në Tiranë ka qenë me një rëndësi të veçantë në rrafshin diplomatik dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë. Unë kujtoj me kënaqësi kohën sa kam punuar në Shqipëri dhe jam mirënjohës për kontributin e shtetit shqiptar që ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat derisa Kosova është bërë shtet i pavarur e sovran i pranuar ndërkombtarisht. Angazhimi dhe mbështetja e shtetit shqiptar në çështjen e Kosovës ka qenë i pakursyer dhe i plotë”, shprehej Ramajli në intervistë.

 Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror. Kryetar i Komisionit Qendror për Organizimin e Referendumit ishte Ramush Tahiri, përfaqësues i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.

“Në këtë Komision kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të Këshillit Koordinues. LDK në Këshillin Koordinues ka pasë tre përfaqësues, Ibrahim Rugovën si kryetar të Këshillit Koordinues, Fehmi Aganin dhe Ali Aliun. Partia Fshatare është përfaqësuar nga kryetari Hivzi Islami, Partia Socialdemokrate është përfaqësuar nga Shkëlzen Maliqi, Partia Parlamentare është përfaqësuar nga Veton Surroi dhe Partia Shqiptare Demokristiane ku unë kam qenë përfaqësues”, ka deklaruar Tahiri në një intervistë televizive.

Ndërsa, Rifat Blaku atëherë anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit vlerësonte se, “një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”.

 Blaku, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 Tetor 1991, kur është shpallur edhe Qeveria e Kosovës në ekzil.

Pas Referendumit, në 11 Tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”Tani, pas 29 vitesh të Refrendumit historik për Shtet Sovran dhe të Pavarur, Kosova është e lirë prej mëse 21 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 12 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 117 shtete të botës, në këtë muaj shtatori edhe nga Izraeli.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Referendumi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 191
  • 192
  • 193
  • 194
  • 195
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT