• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË DELAGACION NGA KOSOVA NË PRESHEVË

July 9, 2020 by dgreca

-Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me Ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj – Stublla,  janë pritur nga Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi: Me punë të përbashkët, do ta bëjmë më të mirën për Preshevën/

-Në delegacion edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, pjesë e së cilës Odë janë shumë biznese nga Presheva/

PRESHEVË, 9 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Një delegacion nga Kosova,  ministri i Drejtësisë, Selim Selimi së bashku me Ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj – Stublla, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Luginë të Preshevës, rajonin me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Ministri Selimi dhe Ministrja Haradinaj-Stublla me të arritur në Luginë, janë pritur nga Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Me Kryetarin Arifi, ministrat kanë diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Luginë si dhe për mundësitë e mbështetjes së tyre. Në takim dy ministrat u informuan me situatën aktuale politike në Preshevë, pozitën dhe kërkesat e qytetarëve shqiptar dhe projektet e Komunës të cilat janë në interes dhe në shërbim të përmirësimit të  jetesës së qytetarëve në vend. Gjithashtu u theksua rëndësia e angazhimit dhe punës së përbashkët me qëllim të forcimit të faktorit shqiptar atje. U ritheksua kërkesa e Kryetarit Arifi për të qenë pjesë e takimeve të dy qeverive shqiptare për të sinkronizuar politikat e përbashkëta, veçanërisht në rastin e përfshirjes së Luginës në procesin e dialogut pasi që një marrëveshje e arritur pa e përfshirë Luginën e Preshevës, sipas Kryetari Arifi, do të ishte e paqëndrueshme. 

Ministri Selimi në këtë takim ka potencuar faktin se rikthimi në Preshevë i jep atij një ndjesi tejet të veçantë, por edhe një përgjegjësi ndaj atij vendi. Duke folur për pozitën e qytetarëve të Preshevës, potencialin e lartë që ka dhe problematikat me të cilat ballafaqohet, Ministri Selimi tha se së bashku me Ministren Haradinaj, mbeten të përkushtuar për të ndihmuar dhe ofruar bashkëpunim të pakursyer për të bërë më të mirën për shqiptarët në këtë anë.

 “Si ministër i Drejtësisë, në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, iu siguroj se do të vazhdojmë të kemi një qasje të përkushtuar dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm si në aspektin politik, ekonomik dhe kulturor për të përmirësuar dhe avancuar pozitën shqiptarëve të Luginës në përgjithësi. Komuna e Preshevës do ta ketë gjithë mbështetjen tonë në realizimin e projekteve konkrete për Luginën” tha Selimi.

Kryetari Arifi poashtu u sigurua nga Ministri Selimi që do të ketë mbështetjen e Ministrisë së cilën ai e drejton në kthimin e Gjykatës dhe Prokurorisë në Preshevë dhe për këtë ofroi mbështetje financiare dhe profesionale për t’i kthyer këto degë në vendin që iu takon.

Ministri Selimi u shpreh i gatshëm për t’i shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe urat e ndërtuara nga dy vendet për të intensifikuar bashkëpunimin dhe koordinimin në interes të qytetarëve të Luginës.

Pjesë e këtij delegacioni është edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, pjesë e së cilës Odë janë shumë biznese nga Presheva.

Kryetari Arifi ka falënderuar për interesimin e vazhdueshëm dhe përkrahjen e ofruar nga institucionet e Republikës së Kosovës duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme për stabilitetin dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në Preshevë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Delegacioni i Kosoves, ne Presheve

SHQIPTARËT NË GJENEVË QË SHPIKËN KAMERËN TERMIKE QË ZBULON COVID-19

July 9, 2020 by dgreca

Hamzë Jashari,Drejtues i kompanisë “Mirtechologies SA” me seli në Gjenevë rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, sesi arritën në zbulimin e kamerës detektuese për njerëzit e prekur nga Koronavirusi, përmes sistemit te inteligjencës artificiale termike. Me Hamzë Jasharin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

IDEJA E KRIJIMIT TË KAMERËS TERMIKE

Ndërmarrja “Mirtechnologies SA” është një ndër 6 ndërmarrjet në prodhimin e materialeve ushtarake në Zvicër. Ne kishim një sistem termik që është i komercializuar nga Departementi  mbrojtes ushtarake. Me shpëndarjen e Covid-19 në rang global, ishim në diskutime për të sjellur së bashku babain tim Zaim Jashari dhe bashkëpunuesin tonë Sofian Rabhi që të modifikojmë sistemin ton të inteligjencës artificiale ushtarake të kamerës termike në sistem civil me saktësinë më të lartë dhe arritëm të krijojmë sistemin ultrapresi me një rezultat 0.06° grade celsius dhe u klasifikuam numri një në Botë. Kështu që gjithçka lindi si ide nga mbledhja me bashkëpunuesit tonë me qëllim zhvillimin teknologjik dhe përgjigjen në një stad më të lartë inovativ pandemisë globale.

FUNKSIONIMI I SISTEMIT TË KAMERËS ZBULUESE

Ky sistem  ka 3 algoritma të ndryshme. Algoritmi i parë detekton në një largësi prej 50 cm deri në 15 metra dhe një shumë të 50 personave në kohë reale bën matjen e temperaturës (të njejtën kohë bën edhe analizën dhe jep rezultatin e gjitha kjo bëhet me nanosekonda dhe në mënyrë automatike dhe dërgon imazhin në ekran duke lajmëruar po që ka ndonjë nga personat temperaturen mbi 37,50° grade celsius dhe jep alarmin për praninë e virusit te personi i detektuar. Algoritmi i dytë është se sistemi e ka një kamera reale edhe një termike në të njejtin aparat që do të thotë se kryen edhe monitorimin apo ndryshe është edhe kamer sigurie për vëzhgim të zakonshëm në ambjentet ku vendoset. Dhe algoritmi i tretë numëron gjithë njerëzit që hyjnë e dalin nga ai vend ku është instaluar sistemi termik. Pra kjo kamër ka funskione të trefishta. Duke përdorur një algoritëm të përpunimit të imazhit me precizon të lartë, përdoruesi mund të masë temperaturën e trupit të disa njerëzve menjëherë në kohë reale. Ndizet një alarm nëse zbulon një temperaturë mbi normale. Deri sa sot nuk ekziston një sistem termik çka mundet të detektojë temperaturën e njerëzve deri në 15 metra me një precizion të 0,06° gradë celsius në mënyrë totale automatike.

SI U PRIT ZBULIMI SHQIPTAR NË ZVICËR

Ky zbulim termik si fillim në Zvicër u prit me rezerva por më pas të gjitha mediat dhe publiku i gjërë e përqafoi këtë zhvillim teknologjik dhe shtet dhe shoqëria në Zvicër janë krenarë për faktin se një organizatë zviceriane bëri një zbulim të tillë. Kjo nuk është hera e parë që jemi numër një në botë për zbulime dhe modifikime teknologjike në këtë fushë pasi kemi edhe shumë produkte që janë në fushën ushtarake në siguri dhe mbrojtje të sistemeve shtetërore. Deri më tani askush nuk ka mundur të ketë diçka të njejtë apo të përafërt në këtë drejtim pasi kemi të bëjmë me paisje sigurie dhe ushtarake shumë specifike. Ndërmarrja jonë ka akreditimin e shtetit Zvicerian dhe çdo paisje apo mjet që nxjerrim për përdorim të gjërë, është i çertifikuar nga organet kompetente shtetërore në shtetin e Zvicrës.

PAJISJA TERMIKE QË ZBULON GJITHÇKA

Ne kemi sistemin e apareteve termike dhe reale ushtarake ku mund të shohim në një largësi deri në 160 kilometra ultrapresi domethënë të zbulojë njerëz, tanke, vetura civile, drona, aeroplana, helikoptera, të dimë pozicionin GPS, të dimë shpejtësinë e lëvizjes dhe në kohë reale të lajmërohet komanda e bazës ushtarake dhe Ministria e Mbrojtjes duke pasur në ekranin e tyre në zyrën e tyre imazhet se çfarë po ndodh  në 160 kilometra (ky sistemi përdoret sidomos për mbrojtje të kufijve ajrëore dhe tokësore). Pastaj kemi sistemin “mirface” që është një sistem detektues i fytyrës i vetmi sistem që ka 2860 pika kontrolli të fytyrës njerëzore dhe që ka dhe kamerën e rrjetë termike dhe mund të dallojë imazhe që askush nuk mund ti dallojë apo maskat reale të cilat asnjë kamer nuk i zbulon falë sistemit tonë ne mund ti zbulojmë 100%. Në memorie të kamerës termike mund të vëmë me miliarda persona dhe kudo që ta shikon sistemin tone  në rruzullin tokësor do ta identifikojë dhe mundet te ruajë imazh për një kohë të caktuar sipas ligji i shtetit ku instalohet sistemi per mbrojten e imazhit të njerëzve. Kompania jonë ka nxjerrë në pahe edhe robotin MaxBot për deminimin të vendeve të minuara etj. Synimi ynë në vazhdim është të depërtojmë dhe të jemi në tregun botëror që në të ardhmen të jenë edhe shpikjet dhe arritjet tona teknologjike e produktet tona në katalogun tregëtar në NATO. Deri në momentet që flasim kemi arritë të kemi në kë katallog 2 aparate tonat. Kemi dërguar produktet tona në  ITU (International Telecomminication Union), Ambasada të ndryshme dhe nëpër disa njësi tregtare  publike dhe private, shumë ndërmarrje të mesme. Jemi në bisedime me qeverinë Zviceriane për vendosjen në të gjitha vendet puplike si p.sh. (Aeroporte, Spitale, Shkolla, Qëndra Tregtare, Ndërtesa Qeveritare dhe Ministeriale, Hotele etj). Gjithçka varet nga zhvillimi i pandemisë Covid-19. Kompania jonë ka në gjirin e saj edhe akademikë dhe ekspertë ndërkombëtarë në fushën e robotikës dhe inxhinierisë me vizion termik të gjithë produktet e tona janë të provuar në Zvicër dhe janë të rinjoftuar nga Konfederata e Zvicrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Hamze Jashari, Kamera detektuse, Mirtechologgies, Sokol Paja

Ku je, Pjetër Arbnori!

July 9, 2020 by dgreca

Në foto Pjetër Arbnori dhe Elida Buçpapaj në redaksinë e gazetës Bota Sot në Zürich./

U mbushën 14 vjet prej kur pushoi së rrahuri zemra e Pjetër Arbnorit.

Zemra e një martiri, e një njeriu që luftoi në çdo çast të jetës për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë.

Edhe përgjatë 28 viteve në burg, si i burgosur i ndërgjegjes!

Pjetër Arbnori, Mandela i Ballkanit, është shembëlltyra e krimeve të regjimit diktatorial!

Sepse hyri në burg 26 vjeç e doli prej burgut 54 vjeç!

Ku je, Pjetër Arbnori?

Thërras pa zë, me këtë apelativ që bën jehonë pasi sot më tepër se kurrë Pjetër Arbnori i duhej Shqipërisë!

Ku je, Pjetër Arbnori?

Me e çue në këmbë atë shqiptari që po zvarritet e nuk po çohet dot në këmbë!

Sepse nuk beson tek ata që e mashtruan!

Kemi patur fat të njihemi me Pjetër Arbnorin. Skënderi ka bashkëpunuar me Pjetrën kur ishte në krye të RTSH, unë si gazetare.

Pas 1997 kur u vendosëm në Zvicër dhe kontribuonim tek Bota Sot, Pjetër Arbnori ishte miku i gazetës që ngrinte në këmbë kombin!

Sa herë do të vinte në Zvicër, do ta intervistoja, gjerë e gjatë. Intervistat botoheshin me vijime dhe bëjnë një libër të veçantë.

Pjetër Arbnori ishte njeriu i urtë, pajtues, paqebërës; njeriu i sakrificave, i burgjeve, por edhe i grevës 21 ditore të 1997, kur shkoi afër vdekjes për hir të lirisë të fjalës; ishte njeriu që kishte përjetuar deri në kockë persekutimin e regjimit komunist, por që shihte përpara, pa bërë koncensione me të vërtetat; Pjetër Arbnori ishte shkrimtari, njeriu i letrave, me zemër të ndjeshme, që diktatura ia vrau rininë, por kurrë jo humorin shkodran dhe inteligjencien. Do të mbetet i paharruar si kryetari i Parlamentit të Shqipërisë prej 1992 deri 1997, që e ka drejtuar në mënyrë virtuoze, si një personalitet me vizion kombëtar.

Tridhjetë vitet e burgut nuk e bënë hakmarrës, përkundrazi e bënë që të jetë një nga themeluesit e parë të pluralizmit politik në Shqipëri.

Jo si shumica e klasës politike që vinte nga zyrat e diktaturës dhe e shihte demokracinë si shans për t’u pasuruar!

Ku je, Pjetër Arbnori ?

Politikani me integritet tek i cili besonin shqiptarët!

Për herë të fundit, jemi dëgjuar me telefon me Pjetrën, kur u përhap lajmi se e kishin emëruar Ambasador në Vatikan!

Ishte shumë pak për formatin e tij, por megjithatë Pjetër Arbnori e kishte pritur mirë këtë lajm.

Që në fakt nuk ishte i vërtetë.

Merreni me mend, në zgjedhjet e 2004, Pjetër Arbnori nuk ishte deputet i PD.

PD kishte përfshirë në listat, rrënimtarët e saj, por jo Pjetër Arbnorin.

Është veprimi i parë eksplicit i lidërshipit të PD për rrëshkitjen nga obligimet si parti e qendrës së djathtë!

PD e tradhtoi Pjetër Arbnorin, ndërsa Pjetër Arbnori ishte dhe mbetet simboli i pluralizmit politik shqiptar!

Ku je, Pjetër Arbnori!

Atje prej Parajse zgjoje ndërgjegjen shqiptare prej dal prej burgut të indiferencës, sepse nuk ka pasuri më të madhe se liria!

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Pjeter Arbnori

14 VITE PA PJETER ARBNORIN

July 8, 2020 by dgreca

Me 8 Korrik 2006 u shua në Napoli-Itali, Pjetër Arbnori, një nga legejndat e qëndresës antikomuniste shqiptare,shkrimtari, krijimtaria letrare e të cilit mbijetoi falë vullnetit dhe pasionit. Sot, në përkujtim të jetës dhe veprës të Arbnorit e kujtojmë si intelektual antikomunist, si shkrimtar, përkthyes, si ish kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputet, por mbi të gjitha si NJERI.
Pat lindur më 18 Janar 1935 në Durrës.Kishte përfunduar studimet e larta në fakultetin e Filologjisë. U arrestua me 27 maj 1961. Fillimisht u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me pushkatim. 64 ditë qëndroi në qelinë ku mbaheshin të izoluar të dënuarit me vdekje; me 13 tetor 1962 iu fal jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, duke iu dhënë dënimi përfundimtar 25 vjet heqje lirie.Gjatë kryerjes së dënimit iu shtuan dhe 10 vjet të tjera. Kreu 28 vjet burg; u lirua në gusht 1989. Ishte pjesë e demonstratës antikomuniste të Shkodrës të 14 Janarit 1990. U zgjodh Kryetar i Partisë Demokratike të Shkodrës. Në zgjedhjet pluraliste të 31 marsit 1991 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Nga 6 prilli 1992 deri 24 korrik 1997, ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Pjetër Arbnori ishte vlerësuar me urdhëra, medalje e tituj të shumtë. Ai ishte «Oficer i Madh i Urdhërit të Plejadës» të Asamblesë së vendeve frëngjishtfolëse, ishte i përfshirë në fjalorin «Who’s Who» të intelektualëve, hartuar nga Insituti Biografik i Kembrixhit, si dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar.Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me urdhërin”Nder i Kombit” (pas vdekjes) me 28 nëntor 1911 me motivacionin: «Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar».
Për t’u futur në thelb të krijimtarisë të shkrimtarit Arbnorin, risjellim studimin e Profesorit Italian Giuseppe Gradilone të Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit”La Sapienza” të Romës me titull” Pjetër Arbnori-Shkrimtar,” botuar në të gjallë të shkrimtarit Arbnori.

***

PJETËR ARBNORI PËRBALLË KADARESË: LUFTA PËR LIRI E ÇOI TEK LETËRSIA, JO E KUNDËRTA

Përsiatje rreth studimit të Prof. Giuseppe Gradilione”Pjetër Arbnori-Shkrimtari”, si homazh për shkrimtarin në 84 vjetorin e Lindjes

Nga Dalip GRECA/ Dielli

Ka kohë që përmes mikut tim Anton Çefa, poetit, stdiuesit dhe ish Kryeredaktorit të Gazetës “Dielli” mora librin e Profesorit Giuseppe Gradilone të Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit”La Sapienza” të Romës-Pjetër Arbnori-Shkrimtar, botuar në të gjallë të shkrimtarit Arbnori.
Libri i përkthyer nga i ndjeri Daniel Gazulli me parathënie të shkrimtarit Lazer Stani, botuar nga Enti Botues ”Gjergj Fishta”.
Profesor Gradilone sjell një studim serioz dhe të thelluar për veprën e shkrimtarit që e krijoji veprën e tij në kushtet e mungesës së lirisë, duke u ndalë në anilizën artistike të çdo vepre dhe rrethanat kuu u shkruan.
Që në krye të studimit të veprës të Pjetër Arbnorit profesor Gradilone nxjerr përfundimin se shkrimtari nuk ka pasë mëdyshje në luftën e tij kundër diktaturës komuniste,njeriu dhe shkrimttari Arbnori e ka pranuar me vetëdije përballjen dhe dyluftimin. Natyrisht që i ka marrë në sy pasojat e rrezikshme për jetën dhe i ka hedhur dorashkën regjimit antiliri.
Përfundimi i dytë i studiuesit për veprën e Arbnorit dhe kushtet ku dhe kur u krijua, që si renditje mund të ishte i pari, është: Kërkimi i lirisë dhe përballja me mungesën e saj, e çoi tek Letërsia. Duke e përballë Arbnorin me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, studiuesi arrin në përfundimin logjik se intenerari i rrugëtimit drejt letërsisë për të dy,- është jo në të njëtën kahje. Citoj: Në se intenerari i tregimtarit të madh Ismail Kadare-citimi është i detyrueshëm për përmasat e tij si shkrimtar- ka qenë nga Letërsia tek Liria (Ka qenë Letërsia që më udhëhoqi drejt lirisë. Nuk njihja liri kur fillova të shkruaja, ka shkruar Ismail Kadare në bisedë me Erik Faye.)…Pjetër Arbnori ka ndjekur rrugën e kundërt: Ka qenë lufta për liri ajo që e çoi tek Letërsia, ajo që e frymëzoi dhe i dha kuptim;një koherencë shembullore njerëzore dhe artistike ajo e tij.
Njeriut Pjetër Arbnori ia mohuan lirinë duke e burgosur në moshën 26 vjeçare (1961), e tronditën duke e dënuar fillimisht me vdekje, e kthyen më pas në 25 vjet burg, dhe kur kishte kryer 18 vjet burg, e trondisin sërish duke i dhënë 10 vjet plus se kishte shkelë kufijtë e lirisë, kishte guxuar të shkruante në studion-burg, (që ishte katërcipërisht e ndryshme nga studio Kadare) romanin “Shtëpia e mbetur përgjysëm”. Studio ku krijoi imagjinata dhe fantazia e Pjetër Arbnorit për 28 vite ishte në kushtet e mjerushme, në errësirën qelive dhe burgut, por pikërisht ajo lloj lerësie shpëtoi njeriun Arbnori. Në atë lloj laboratori shkrimtari krijoi korpusin e veprës së tij, që u botua pas rrëzimit të komunizmit, si një vepër që sillte shpirtin e paepur nga zgafellat e Burrelit.
Realiteti tragjik i krijuar nga diktatura komuniste e çoi pjetër Arbnorin në krijimin e romanit të parë të tij ”E bardha dhe e zeza”, e cila është shkruar në vitin 1964, viti i tretë pasi e kishin mbyllur në burgun famkeq. Iu desh që ta maskonte romanin nën një emër tjetër dhe se ai ishte vetëm përkthyesi.Romani ka si motiv luftën kundër racizmit. Paralelizmi mes racizmit në Afrikën e Jugut nuk ka shumë dallim nga realiteti shqiptar. Citojmë nga përcjellja që i bën vetë autori Pjetër Arbnori librit ”E bardha dhe e zeza” botuar më 1996: Në Afrikën e Jugut ndodhi një masakër më 1960, ku u vranë zezakë pa dallim.Në Shqipëri kanë ndodhë disa Shapërvile, që nga Postriba në 1946, deri tek revolta e të burgosurve të Spaçit në 1973. Këtë jam përpjekur ta pasqyroj në romanin tim që keni para duarsh, ku emrin tim e kam maskuar me një autor të paqenë që shtjellon ngjarjet në një vend të largët, por që nga fati ishte i afërt me Shqipërinë.”
Arbnori ka stilin e tij të veçantë të të shkruarit, ku shquhet densiteti i mendimit në fjali me strukturë të veçantë sintaksore. Studiuesi arrin në mendimin se fundi i masakrës është përshkruar me një dendsi të rrallë, veti dalluese kjo e stilit të tij, me tri fjali të bashkërendituara pa lidhëza e në një progresion numerik të viktimave: Të vrarët ishin të shumtë, të plagosurit edhe më të shumtë, të arrestuarit pa numër”- “E bardha dhe e zeza”.
Dy novelat e Arbnorit”Vdekja e Gëbelsit” shkruar më 1972 dhe “E panjohura” e shkruar më 1975, studiuesi Gradilione i konsideron si akt-padi kundër diktaturës. Novela”E panjohura” ka në qendër të subjektit historinë e një gruaje të re që ndiqet nga Sigurimi i Shtetit komunist. Ema, kështu quhet gruaja, e vënë në qendër të novelës, është prurësja e një letre që ia ka besuar një autor i shquar, i dhënë pas saj që ndiqej prej Sigurimit. Gradilone veçon stilin e rrëfimit të autorit, që përmes letrës organizon shtjellën e gjithë novelës. Rrëfimi shquhet për zbërthimin e karakterit psikologjik të vajzës, për të sjellë më pas tronditjen nga skenat çnjerëzore të persekutimit të saj. Studiuesi arrinë në përfundimin se detajet e dramës së Emës janë përshkruar mjeshtërisht me artin e përkorë të autorit. Citojmë nga novela:
Zhvisheni!-bërtiti ai, aq befas dhe egër, sa vajza e re kryqzoi duart në krahëror e u mbështet për muri, e trembur për të parën herë prej tyre… e më tej: “Njëra grua u mor me kontrollin e imtë të rrobave, tjetra i kontrolloi birat e veshit, gojën, fijet e hundës, ia zhdrivilloi flokët e artë fije-fije, vrejti nën sqetulla, i preku dy gjinjtë e fortë, e bëri të hapte mbarë e prapë shuplakat e duarve, shojet e këmbëve, dhe gishtat, pastaj e urdhëroi të hapte shalët në një pozicion të turpshëm.Vajzës i rrodhën gjatë kurrizit dy-tri pika djerse akull e dëborë dhe kundërshtoi për të parën herë duke u përqethur shtatit. Por me bashkëpunëtoren e Sigurimit nuk bëhej shaka. Ajo ia përdrodhi dorën si pulës dhe kontrolloi me dorën tjetër para mbrapa sa deshi….
E veçantë në korpusin e veprës së Arbnorit është novela”Vdekja e Gëbelsit”, ku qeni trajtohet si qenie njerëzore, sa ta drithëron shpirtin. Të burgosurit kishin harruar të gëzoheshin, të qeshnin, dhe sjellja ilegale e qenit dukej se ndryshoi jetën e tyre. Shkrimtari Arbnori e përshkruar kështu gjendjen e krijuar mes të burgosurëve me këtë mysafir të rrallë(vini re përshkrimin fizik të burgosurëve): Grumbuj-grumbuj erdhën njerëzit te krevati i të dënuarit…Gjithë ato fytyra të rreshkuara, me rrudha të thella,me kocka të dala, me sy të groposur, sa shikonin qenin e vogël në mes të batanijes, zbuteshin, qeshnin e zgjateshin nga qenia e vogël që kishte qejf t’i mbante sytë mbyllur e që çdo gisht që iafrohej te goja e pandehte si thithën e gjirit të së sëmës. Ata njerëz të lodhur dukeshin tashti si fëmijëa që mblidhen rreth një lodre që do t’ju sjell gëzim e zbavitje…
Studiuesi ka vënë re ecurinë e subjektit sipas gjendjes që kalonte qenushi i vogël ”Gëbelsi” se si përcillte torturat e të burgosurëve prej xhelatëve të burgut, se si sulej përmes televe me gjemba duke marrë plagë nga telat që i nguleshin në trup, e deri në fundin e tij heroik përballë xhelatit. Ja si e përshkruan Pjetër Arbnori fundin e krijesës së vet:” Gëbelsi i vogël s’u rrëzua as dhe një herë, nuk lëshoi asnjë britmë vajtimi a frike gjatë torturës. Vetëm tashmë reagonte, jo aq shpejt, hunguronte më kërcënushëm, por më rrallë dhe mezi merrte frymë. Hasan Dida që s’e priste një qëndresë të tillë, ishte zbehur e përçudnuar më keq se qeni dhe vetëm turpi e mbante në këmbë, kaq ishte këputur. Herën e fundit kur i mëshoi hurit, qeni ia shtërngoi aq fort me dhëmbë sa i rrëshqiti këmba e qe duke rënë. Dikush qeshi. Ai u ngrit, tërhoqi hurin e mezi ia shkuli goje. Dhe kur u përgatit që t’i jepte goditjen tjetër, qeni vari kryet dhe frymën e mbrame. Trupi i mbeti si në fillim, në pozicion mbrojtjeje, ulur në bisht, mbështetur drejt në dy këmbët e para si statuja”Vdekja e Centaurit” të Antuan Burdel…
Për studiuesin Giuseppe Gradilone, qeni ngrihet si symbol i rezistencës të paepur të një populli të tërë. Një nga novelat e arrira të Pjetër Arbnorit është ajo me titull” Kur dynden Vikingët”. I gjithë subjekti është ngritur mbi metaforën e dhimbjes dhe përshkohet nga ideja: Diktaturat të gjithë kanë një emërues të përbashkët, Vikingët e djeshëm janë të njëllojtë me ata të sotmit.
Për studiusin vjen logjik konstatimi se shtjella e novelës zhvillohet mes intrigash që të ngrijnë gjakun, duke shkelur drejtësi, e të vërtetë, duke trazuar pafajsinë, dënojnë duke i mbyllë në çmendinë ata që i denocojnë (rasti i Elenës) apo në kampe përqëndrimi (rasti i Karlit) duke shkelur çdo të drejtë njerëzore (rasti i të paprekshimt Vikingu i madh, avokatit von Shvajcer).
Ndiqeni rrëfimin e trishtë , të hidhur dhe të pafuqishëm të Karlit: Më se njëmijë e pesëqind anëtarë me përgjegjësi të reparteve të sulmit, bashkë me shefin e tyre të shtabit, ministrin Rem, u vranë pa gjyq. Edhe trajtimi mizor që u bëhej çifutëve nuk më pëlqente, por nuk isha i zoti të gjykoja mbi vlerat e argumenteve që paraqiste kundër tyre Fyhreri ynë. Thashë se përpiqesha të mos vija re ç’bëhej rrotull meje, por edhe padashur njeriu vëren.
Në përgjithësi subjektet e veparve të Pjetër Arbnorit përshtateshin me studion e tij burg, subjekte të ashpra, por kishte dhe raste të daljes jasht studios së errët të burgut, kur imagjnata ç’burgosej dhe merrte arratinë përtej burgut. E kësaj natyrë është novela ”Bukuroshja me hijen-idil nga plazhi”, e shkruar në vitin 1974 dhe e botuar më 1994 në Tiranë. Studiuesi Gradilone konstaton se dëshira për t’u arratisur drejt hapsirave të paanë të detit është shenjë e kujtesës dhe pritjes, por sidomos e ruajtjes të pacënuar të ndjenjës së përjetshme të dashurisë. Po në ç’kushte u krijua kjo novelë? Ndiqeni rrëfimin e Pjetër Arbnorit:” megjithëse e kam shkruar shtrirë mbi çimenton e birucës në grevë urie, besoj se më ka dalë një tregim dashurie i këndshëm, shumë njerëzor.”
Vepra që i ka kushtuar më shumë kohë dhe mund shkrimtarit Pjetër Arbnori është”Muzgujt e Mesjetës”. Nëpër roman lëvizin ngjarje tronditëse, përshkruhen Aventura të protagonistit Mark Topia.
Për studiuesin e Arbnorit, boshti qëndror i romanit është egzaltimi i lirisë e i rezistencës së popullit shqiptar ndaj çdo sundimi të jashtëm e të brendshëm përmes ngjarjesh të stuhishme të historisë së tij… Personazhi i Mark Topisë, forca centrifugale rreth së cilës sillen gjithë të tjerët, secili fiksuar në një personalitet njerëzor të vetin, të gjallë e të spikatur, mbrojtja me xhelozi dhe egzaltim i vlerave tradicionale, ajo ç’ka i bën ato të qëndrushme e kompakte në gjithçka, vlera që gjithësesi nuk përjashtojnë hapjen ndaj së resë, dënimi haptaz i vetëizolimit që Shqipëria e vuajti gjysëm shekulli.
Dy romanet e Arbnorit më me vlerë për studiuesin Italian Gradilone janë “Shtëpia e mbetur përgjysëm”- e mbruar së shkruari në mars 1969, dhe “Vorbulla”-shkruar në burg që nga 1 dhjetori 1971 deri në 18 shkurt 1972, që u botuan të dy më 1997. Shtëpia e mbetur përgjysëm” është një roman kujtesë, po ashtu edhe romani Vorbulla, ku ngjarjet janë vendosë në Shkodrën  e pas Lidhjes së Prizrenit.
Vepra e Pjetër Arbnorit, ashtu si e shumë shkrimtarëve e poetëve të dënuar nga diktatura, apelon dhe kërkon më shuëm vlerësim dhe më shuëm vëmendje nga studiuesit dhe kritika e munguar shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: 14 vite mungese, dalip greca, Pjeter Arbnori

13 Korrik, Presidenti Thaçi në Hagë i ftuar nga Specialja për intervistim

July 8, 2020 by dgreca

-Presidenti Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar. Derisa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi/
Nga Behlul JASHARI-
PRISHTINË, 8 Korrik 2020-Gazeta Dielli- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi sot se të hënën e 13 Korrikut 2020 do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Duke njoftuar këtë në mbrëmjen e sotme Presidenti Thaçi shkruan:
“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,
Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.
Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.
Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën!”.
Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në mbrëmjen e 29 Qershorit 2020 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes derisa nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës  një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku  përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së,  Kadri Veseli.
 “Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Filed Under: Featured Tagged With: 13 Korrik, Behlul Jashari, Hage, President Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 223
  • 224
  • 225
  • 226
  • 227
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT