• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Amerikan në Kosovë: Lufta kundër COVID 19 kërkon partneritet

April 23, 2020 by dgreca

Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në partneritet me USAID. Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett: Lufta kundër COVID 19 kërkon partneritet”/

-Që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, UNICEF-i ka bërë shpërndarjen e 12,000 pakove higjienike familjare për rreth 72,000 njerëz në 30 komuna/

PRISHTINË, 23 Prill 2020-Gazeta DIELLI/ Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në partneritet me USAID, sot ka pranuar dërgesën e radhës me pako me mjete higjienike për familjet në nevojë dhe institucionet shëndetësore.

Gjatë pranim dorëzimit të dërgesave sot tek institucionet e Koosvës, të pranishëm ishin edhe ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, i cili vlerësoi lartë ndihmën që po ju ofrohet për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia me COVID-19. I pranishëm përgjatë pranim-dorëzimit të dergesës së radhës ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë.  Philip Kosnett, koordinatorja kombëtare e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson si dhe shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.

Komunukata e dërguar sot:

Parandalimi i COVID-19: 5950 familje dhe 240 institucione shëndetësore në tërë Kosovën marrin pako higjienike dhe mesazhe parandaluese në lidhje me COVID-19 nga UNICEF-i dhe USAID-i/

Prishtinë, Kosovë – 22 prill 2020 –Praktikat e duhura të larjes së duarve dhe higjienës janë vendimtare për ta zvogëluar përhapjen e koronavirusit dhe ekspozimin ndaj tij. Popullsia më e varfër dhe më e cenuar janë në disavantazh më të madh për sa i përket qasjes në furnizimet higjienike. Sot, me mbështetjen e USAID-it, 5950 pako familjare higjienike, 240 pako higjienike të qendrës së mjekësisë familjare dhe 1200 pako higjienike për fëmijë janë përgatitur për shpërndarje në tërë Kosovën.

Që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, UNICEF-i ka bërë shpërndarjen e 12,000 pakove higjienike familjare për rreth 72,000 njerëz në 30 komuna. UNICEF-i ka bërë një vlerësim të shpejtë të përfituesve përmes intervistave telefonike me 204 familje përfituese të përzgjedhura në mënyrë rastësore. 97 përqind e familjeve e kanë vlerësuar ndihmën e marrë dhe kanë kërkuar vazhdimin e mbështetjes.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Z. Philip S. Kosnett, tha se “Lufta kundër COVID 19 kërkon partneritet”.

“Unë jam i impresionuar me punën e institucioneve shëndetësore, OJQ-ve dhe agjencive të tjera. Me shpërndarjen e këtyre mjeteve higjienike për familjet dhe fëmijët ne do të mbrojmë nga virusi familjet më në nevojë ”, tha zoti Kosnett.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Z. Murat Sahin, deklaroi se “UNICEF-i është shumë i kënaqur që po bashkëpunon me USAID-in, një partner global kaq të fortë dhe të përkushtuar, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme kur pandemia COVID-19 ka ndikuar shumë në jetën e fëmijëve dhe të rinjve. Duke filluar me ofrimin e  furnizimeve shëndetësore vitale, përfshirë pajisjet mbrojtëse të stafit, pakot higjienike e deri te zgjidhjet inovative për mësim, UNICEF-i po punon për ta ngadalësuar përhapjen e COVID-19 dhe për të minimizuar ndikimin e tij tek fëmijët dhe të rinjtë”.

UNICEF-i vlerëson mbështetjen e madhe nga USAID-i dhe mbetet i përkushtuar që të punojë me institucionet dhe partnerët për ta ndalur përhapjen e virusit dhe për t’i mbajtur të sigurt fëmijët dhe familjet e tyre.

Rreth UNICEF-itUNICEF-i punon në disa nga vendet me gjendjen më të vështirë në botë, për t’u ofruar ndihmë fëmijëve më të privuar në botë. Në të gjitha 190 vendet dhe territoret, ne punojmë për çdo fëmijë, kudo që ata janë, për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë.

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasada amerikane

KOSOVA DHE SHQIPERIA NE BETEJEN ME KORONAVIRUSIN

April 22, 2020 by dgreca

– Në Kosovë 36 punonjës shëndetësorë të infektuar me koronavirus

– Kosova deri më tash ka regjistruar 604 raste të të infektuarve me koronavirus; prej tyre 18 kanë vdekur, 128 janë shëruar./

– Shqipëria në 24 orët e fundit, një tjetër person ka humbur jetën, duke e çuar në 27 numrin e viktimave nga virusi vdekjeprurës në vend/

Në Kosovë 36 punonjës shëndetësorë janë të infektuar më koronavirus, që nga shpërthimi i epidemisë muajin e kaluar.Drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka publikuar të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, për numrin e punonjësve shëndetësorë të prekur me koronavirus.

Sipas këtyre të dhënave,16 infermierë dhe 14 mjekë në institucionet shëndetësore, 4 mjekë dhe 2 infermierë jashtë institucioneve shëndetësore, një farmacist dhe një teknik i farmacisë, janë infektuar me koronavirusin e ri.

Kosova deri më tash ka regjistruar 604 raste të të infektuarve me koronavirus; prej tyre 18 kanë vdekur, 128 janë shëruar.

Shqipëria në rrugën e mposhtjes së COVID-19

Shqipëria vazhdon të përballet me raste të reja të prekura me koronavirus, edhe pse vendi ka filluar të tregojë një trend të uljes së rasteve dhe vdekjeve të shënuara. 

Numri i të shëruarve, duket se po mund atë të të infektuarve.Megjithatë, në 24 orët e fundit, një tjetër person ka humbur jetën, duke e çuar në 27 numrin e viktimave nga virusi vdekjeprurës në vend. Ai ishte një burrë 71-vjeçar i cili ishte prej dy javësh i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në komunikimin e përditshëm me mediat bëri me dije se po vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar 18 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 3 në Tiranë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Shkodër, 1 rast në Kurbin.

“Deri në këto momente janë testuar 6,269 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 634 raste”, tha Rakacolli.

Ajo bëri me dije se gjatë 24-orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 356.

Aktualisht në Shqipëri janë 251 persona të infektuar aktivë.

“Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave”, tha Rakacolli.

Ajo shtoi se në dy spitalet ku po trajtohen vetëm pacientët me COVID-19, aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë.

Në anën tjetër, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta gjatë një konference për media bëri me dije se ka dekretuar ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga qeveria dhe të miratuara nga kuvendi.

Presidenti tha se i është përgjigjur kërkesës së qeverisë për bashkëpunim dhe konsensus për ndryshimet në Kodin Penal, pasi i kishte cilësuar si të nevojshme këto ndryshime në kushtet ku kodi aktual ka boshllëqe të theksuara në këtë pikë.

“Diskutimi i gjerë ka çuar në përmirësime thelbësore të produktit final që është votuar në kuvend. Nisur nga gjendja dhe boshllëku që ka kodi ynë për përhapjen me dashje të sëmundjeve infektive, presidenti vlerëson që iniciativa e qeverisë që shëndeti i njerëzve të garantohet edhe penalisht, duhet mbështetur”, tha presidenti Meta.

Ndryshimi i Kodit Penal ka të bëjë me dënim deri në 15 vjet burgim për personat që thyejnë karantinën dhe përhapin qëllimshëm koronavirusin.

Ashpërsimi i Kodit Penal lidhur me situatën e COVID-19 gjatë këtyre ditëve ka shkaktuar mjaft diskutime, reagime por edhe kundershtime. Organizatat e shoqërisë civile janë kundër ashpërsimit pasi sipas tyre, cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve.

Tridhjetë organizata i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, duke i kërkuar të rrëzojë në parim amendamentet e propozuara nga qeveria, por këto të fundit u miratuan në parlament, dhe tani u dekretuan nga presidenti.

Shqipëria ka konfirmuar dy rastet e para me COVID-19 më 8 mars të 2020, një baba dhe djali i tij që kishin udhëtuar drejt vendit nga veriu i Italisë. 

Në të njëjtën ditë qeveria ndaloi fluturimet dhe udhetimet me tragete që vinin nga Italia, dhe nga ajo kohë ka shtuar masat e sigurisë në tentativë për mospërhapje të virusit.(kortezi-Europa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: Koronavirusi, kosova, shqiperia

KOSOVË-SHQIPËRI, “AUTOSTRADË” ENERGJETIKE ,SHBA URON KOSOVEN

April 21, 2020 by dgreca

KOSOVË-SHQIPËRI, “AUTOSTRADË” ENERGJETIKE /

– Ambasada e SHBA uron Kosovën për marrëveshjen me ENTSO

-Marrëveshja në mes KOSTT dhe ENTSO-E, pavarësim elektro-energjetik i Kosovës nga Serbia. Republika e Kosovës del nga Blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, për t’iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri/

-Historiku i “autostradës” energjetike Shqipëri-Kosovë. Në 21 Dhjetor të vitit 2013, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri…/

 PRISHTINË, 21 Prill 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari sot vizituan Operatorin kosovar të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, ku takuan Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT,  Ilir Shala, zv. Kryeshefin Ekzekutiv, Kadri Kadriu, Drejtorin e Departamentit të Operimit të Sistemit, Sabri Musiqi dhe anëtarë tjerë të menaxhmentit të KOSTT.

 Kryeshefi Ekzektuiv, Shala, foli për rëndësinë e votimit të suksesshëm të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E. Sipas këtij votimi KOSTT dhe Republika e Kosovës del nga Blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, për t’iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri. Kjo Marrëveshje  i hapë rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike si dhe pjesëmarrje në Bursën shqiptare të energjisë (APEX). Ai tha se kjo është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme si për KOSTT-in ashtu edhe për Republikën e Kosovës, derisa shprehu mirënjohje për mbështetjen e institucioneve shtetërore të Kosovës, Ambasadës Gjermane, Bankës Gjermane për Zhvillim, Ambasadës Amerikane, USAID, dhe kompanive homologe të ENTSO-E. 

 Këtij vlerësimi iu bashkëngjit edhe Kryeministri në detyrë. Votimin e suksesshëm, të mbështetur nga 22 operatorë të Sistemeve të Transmisionit të Evropës, të ditës së djeshme e cilësoi të një rëndësie të veçantë për Republikën e Kosovës. Ajo paraqet pavarësim elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia, sovranitet të Kosovës mbi rrjetin energjetik i cili siguron shërbime më të mira energjetike, dhe i njëjti mundëson funksionalizimin e interkonjeksionit 400kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cila prej më shumë se 6 vitesh nuk mund të funksionalizohej. Me këtë votim, KOSTT fiton të drejta të barabartë me homologët në Evropë, dhe kështu shmangim humbjet direkte dhe jo direkte që kishim ndër vite nga mospjesëmarrja në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

 Në fund, Kryeministri në detyrë Kurti i uroi ekipit të KOSTT për këtë të arritur, dhe shfaqi besimin e plotë se aktivitetet që paraprijnë hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, e të cilat janë kryesisht të natyrës teknike, do të përmbushen në një periudhë shumë të shkurtë.

HISTORIK I “AUTOSTRADËS” ENERGJETIKE SHQIPËRI-KOSOVË

Në 28 Qershor 2016 është finalizuar ‘autostrada’ energjetike, projekti më i rëndësishëm energjetik – Linja e interkoneksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, e cila ka një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km në territorin e Kosovës, duke i hapur kështu rrugë tregut të përbashkët të energjisë.

Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në kryeytetin shqiptar – në Nënstacionin Tirana 2, me pjesëmrrjen e përfaqësuesve të Shqipërisë e Kosovës.

 Projekti ka vlerën 75 milionë euro dhe u financua nga Qeveria Gjermane përmes bankës KfW nëpërmjet kredive të zhvillimit. Me linjën e interkoneksionit 400 kV, Shqipëria dhe Kosova do të mund të përfitojnë për shkak të kombinimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Shqipëria e bazon prodhimin e energjisë në 95 për qind nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet.

 Në 17 Dhjetor 2015, në Kosovë u bë  inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autostradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik  dhe të  mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit Shtator 2015 u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike – 239 u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Në 21 Dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të Marsit 2016, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe mbështetur nga USAID-i, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.

“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundimet e Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.

Ambasada e SHBA uron Kosovën për marrëveshjen me ENTSO

PRISHTINË, 21 Prill 2020-Gazeta DIELLI/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dërgoi sot këtë Deklaratë:

Deklarata e Ambasadës së ShBA-ve për ENTSO Marrëveshjen e KosovësAmbasada e ShBA-ve uron Kosovën për arritjen e marrëveshjes me Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) dhe anëtarët e Grupit Rajonal të Evropës Kontinentale lidhur me kushtet që duhet plotësuar për t’u lidhur me rrjetin elektrik evropian. Miratimi i kësaj marrëveshjeje arrin kulminacionin e projektit 

Filed Under: Featured Tagged With: autostrada energjitike

DY PRANVERAT E VIGANIT-SHEN PAPA GJON PALI II

April 19, 2020 by dgreca

(Në përkujtim të Papës Gon Pali II)/

NGA EUGJEN MERLIKA/

            Këtë pranverë bota kujton një nga burrat më të shquar të shekullit të shkuar, Papën Gjon Pali II, datat kryesore të ardhjes dhe ikjes nga jeta tokësore të të cilit përkojnë me stinën e pranverës. Për nga përmasat e mëndjes e të karakterit dhe rëndësinë e ndikimin e veprimtarisë në historinë bashkëkohore Karol Vojtila, Gjon Pali II, është pa dyshim një nga personalitetet më të spikatur të shekullit 20, një vigan i tij.

            Ishte lindur në Wadowice të Polonisë më 18 maj 1920. Ishte njëri nga fëmijët e shumtë të lindur mbas luftës së Parë botërore, në një përpjekje të Zotit për të zëvendësuar jetët e shuara mizorisht të dhjetra milionë njerëzve nga lufta e nga pandemia spanjole mbrapa. Lindi në atdheun e Kopernikut, të Maria Sklladovskajas Kyri, të Adam Mickieviçit e të Frederik Shopenit, në Poloninë martire e tepër katolike. Fëminija dhe djalëria i kaluan në republikën polake të mbas luftës së parë botërore. U njoh  shpejt me dhimbjen njerëzore mbasi, fëmijë nëntë vjeç, humbi nënën e tij. Ndofta ky fakt e lidhi pazgjidhshmërisht me kultin e Zojës së bekuar, figurës së nënës së Jezuit, kult të cilit ai i u kushtua gjithë jetën.

Në Vendin e tij ky kult trupëzohej në tempullin e Çestokovës, të cilin djaloshi Karol Vojtila do t’a adhurojë deri në amëshim. Ai shihte në bustin e Zojës, jo vetëm mbrojtësen hyjnore të Atdheut të tij por, thellë në nëndërgjegje, ndofta dhe përfytyresën e dëshëruar të nënës së re, që përkujdesej për të nga mbretëria e së vërtetës.

I pajisur nga natyra me një zgjuarsi jo të zakonshme, u shqua në shkollë për prirjet e tij në lëndët humanitare e veçanërisht në gjuhët klasike. Katastrofa e Atdheut, shpërbërja e Shtetit polak nën pushtimin dypalësh barbar ruso-gjerman, pasojë e traktatit Ribentrop-Molotov të 23 gushtit 1939, e gjeti student të vitit të parë të filozofisë. Lufta, me tmerret e saj të pafund në tokën e martirizuar polake, nguliti me forcë në thellësinë e shpirtit të Tij prej poeti e aktori bindjen se kjo botë mizore, në të cilën mbizotëron dhuna e padrejtësia, ka nevojë urgjente për kthim në mësimet e Atij që, dymijë vjet më parë, u kryqëzua për t’i hequr njerëzimit mëkatet e tij.

Ashtu si Tolstoi, që e shihte zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara të shoqërisë njerëzore nëpërmjet “vetëpërsosjes morale të individit”, poeti e dramaturgu Vojtila konsideronte riungjillizimin e shoqërisë detyrë parësore, fisnike e delikate, për kryerjen e së cilës duhej një përkushtim i plotë. Kështu nisi rruga e gjatë, më shumë se gjysëm shekullore, e priftit, doktorit në teologji, ipeshkvit, arkipeshkvit të Krakovias, kardinalit tw emëruar më 26 qershor 1967.  Bindja kthehet në një mision të fuqishëm që prifti poet do t’a ketë lejtmotivin e jetës së Tij të gjatë.

E kreu këtë mision me kurajo të pashembullt në Poloninë e mbas luftës së dytë botërore, në të cilën ishte  vendosur  regjimi komunist, ateist për nga baza e tij ideologjike e kulturore dhe armik deri në vdekje i besimit fetar, “opiumit të popujve” e sidomos i doktrinës së krishterë. Për dhjetëvjeçarë me rradhë klerikut Vojtila i u  desh të ballafaqohej me demagogjinë dhe praktikën e atij regjimi që, falë historisë e traditës së popullit të tij, nuk tregoi fytyrën e tij më të egër, siç e shfaqi fatkeqësisht në Shqipëri.

Karol Vojtila, ish arqipeshkvi i Krakovias, që u shugurua Papë, për një rastësi të çuditëshme, në ditën kur Enver Hoxha festonte 70 vjetorin e lindjes, më 16 tetor 1978, shpirt poeti e trup atleti, prelati i parë jo italian në fronin e Shën Pjetrit mbas 445 vitesh, ka mbartur në vete një seri parësish. Ka kohëgjatësinë më të madhe të qëndrimit si Papë, mbas Piut IX e, ndoshta, mbas Shën Pjetrit, ka vizituar shumicën e Vendeve të botës, duke udhëtuar më shumë se gjithë paraardhësit të marrë së bashku, ka numurin më të madh të fjalëve të shkruara e të shqiptuara, një seri mahnitëse enciklikash, letrash apostolike, mesazhesh, diskutimesh, librash. Ai ishte i pari Kryetar i Kishës katolike që hyri në një xhami në Siri, i pari që hyri në një sinagogë në Izrael, i pari që puthi tokën në të cilën shkonte si mik. Ai ishte një nga nismëtarët më të zellshëm të dialogut ndërfetar me përfaqësuesit e besimeve të ndryshme, duke filluar që nga ata që i besojnë Krishtit shelbyes e deri në fetë e tjera monoteiste. Ai pati  kurajon të kërkonte falje për episodet e së shkuarës së Kishës së Romës si inkuizicioni, të përmallohej tek muri i Jeruzalemit për tragjedinë e hebrejve në shekuj, të padiste  dukurinë e shëmtuar të  shitblerjes së skllevërve nga Afrika, të kryer nga tw krishterwt.

Vitet 80-të shënuan zhvillimin e shpejtë të shoqërive të Lindjes komuniste drejt ndryshimit përfundimtar të sistemit. Roli i Papës polak në këtë kalim paqësor është i dorës së parë. Vizitat e Tij në vendin e lindjes i japin krahë qëndresës kundër-regjim në shembëlltyrën e Solidarnostit. Bisedat e Tij me burrat e shtetit më në zë të kohës, me Reganin, Gorbaçovin, Theçerin, Miteranin, Kolin, Kraksin etj. synuan të ndërtojnë përfytyresën e një Evrope të re, në të cilën lufta e ftohtë Lindje-Perëndim të zbehej deri në shuarje, për t’i lënë vendin një kontinenti që duhet të fliste me një gjuhë të përbashkët nga Atllantiku deri në Urale. Ajo duhet të ishte gjuha e lirisë dhe e shoqërive demokratike, në të cilat dhuna policore, teoria e “sovranitetit të kufizuar”, ndarja në zonat e influencës të famëkeqes Jaltë do t’i linin vendin bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe respektimit të vullneteve të popujve.

Ishte një sipërmarrje marramendëse e titanike, që tejkalonte disa herë dhe fantazitë më të guximshme të bujkrobërve të Vendeve mbas “Perdes së hekurt”, por Gjon Pali i II i besonte dhe punonte çdo ditë për t’a vënë në jetë, mbasi Zoja e Bekuar, së cilës ai i ishte kushtuar dhe i kishte kërkuar mbrojtjen, ia kishte dërguar mesazhet dhe parathënë ndodhitë nëpërmjet mistereve të fëmijëve të Fatimas. 

38 vizitat zyrtare të Papës Vojtila në të katër anët e botës, qindra takimet dhe audiencat nw Vatikan me kryetarë shtetesh e qeverish, përballimi me të njëjtën qartësi idesh i problemeve të rënda e të ndryshme, kryesisht të të dobtëve, të të varfërve e nevojtarëve në përputhje me frymën e Ungjillit, këshillat e tij të vyera për qeveritarët e planetit, veprimtaria energjike dhe  e pandërprerë për asnjë çast gjatë viteve, i dhanë një autoritet të pakrahasueshëm. Dënimi pa mëdyshje i mizorive naziste e komuniste të këtij shekulli e respekti i sinqertë ndaj viktimave, ngritja e zërit me forcë ndaj anëve negative të shoqërisë së globalizuar, mbrojtja e Vendeve të vogla e në zhvillim, protestat për krimet masive e thirrjet e vazhdueshme për shmangien e tyre në kasaphanat afrikane apo ballkanike, kërkesa për shlyerjen e borxheve të jashtëme të vendeve afrikane etj. e kanë bërë Gjon  Palin e II pikën më të çmuar të riferimit në botën bashkëkohore për miljarda njerëz ttë kohës së tij, e jo vetëm të besimit katolik.

Dhe për ne shqiptarët Papa polak ka simbolizuar shpresën dhe mbështetjen morale në netët e gjata të diktaturës. Nga brigjet e Pulies në vitet 80 ai shprehte dhimbjen për fatet e “tokës së zgjedhur të Shqipërisë”, ndërsa regjimi kriminal protestonte për “ndërhyrje në punët e brëndshme”. Fjala e tij në çdo festë Krishtlindjeje apo Pashke, përshëndetja në gjuhën shqipe për ata që e dëgjonin, duke rrezikuar dhe privimin e lirisë, ishin si  një bar çudibërës që i vihej plagës së hapur të shpirtërave të një populli të dënuar me mungesë lirije, me mjerim, me veçim nga bota.

Ishte shtator 1991. Në qytetin e Latinës vinte për vizitë Papa Gjon Pali II. Në stadiumin e qytetit ai do t’i epte kungimin gjithë të rinjve që ishin krezmuar ato ditë. Mes tyre ishte edhe një vajzë shqiptare që vinte nga Grabiani, një fshat, kamp internimi i Lushnjes. Babai e porositi që kur t’i afrohej Atit të Shenjtë për të marrë osten t’i thoshte se ishte shqiptare e t’i kërkonte të lutej për Vendin e saj. Vajza e plotësoi porosinë e Papa i vuri dorën mbi shpatulla e i buzëqeshi ëmbël. Me atë buzëqeshje ndoshta desh t’i thonte asaj vajze të re se Vendi i saj ishte në zemrën e tij.

 Do t’a vërtetonte këtë me vizitën që bëri më 25 prill 1993, kur solli mesazhin e shpresës për “ tokën e fshikulluar nga përndjekjet”, mirëkuptimin dhe dhimbjen e sinqertë të babait për bijtë e martirizuar sepse predikuan Ungjillin e Krishtit. “ Ajo që ka ngjarë në Shqipëri , të dashur vëllezër e motra nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit.” Janë fjalët e Gjon Palit II në mitingun e Tiranës. Është pohimi i një të vërtete historike së cilës shumë të tjerë nga Perëndimi i kanë anashkaluar. Papa këtë të vërtetë e shpalli me forcë, madje dhe në hollësi, kur foli për priftërinjtë e besimtarët e përndjekur nga regjimi. Por mesazhi i Atit të Shenjtë nuk synoi të ndalet vetëm në këtë të shkuar aq të hidhur e të dhimbëshme e nuk u kufizua vetëm në sferën e viktimave reale të diktaturës komuniste.  “Kam ardhur për t’i shfaqur çdo shqiptari admirimin dhe mbështetjen në këtë fazë delikate të kalimit historik dhe shumë të dëshiruar, të ringjalljes shoqërore dhe shpirtërore..” ishin fjalët përgëzuese dhe inkurajuese që Kreu i Kishës katolike botërore i drejtonte një populli bujar e mikpritës, por që në gjirin e tij kishte vetëm një të dhjetën e tij katolikë. Dëshmojnë për strategjinë e  atij institucioni për t’i dhënë përparësi harmonisë e mirëkuptimit në shoqëritë e kombet shumë fetare për të shmangur kundërshtitë e ndryshme që mund të lindnin nga këta faktorë e, që në historinë e vjetër e të re të botës, kishin shkaktuar male kufomash.

Në atë vizitë ai i bëri një thirrje kontinentit të vjetër duke u shprehur: “Evropa nuk duhet të harrojë!”.Donte t’i kujtonte asaj se misioni historik i saj nuk mbaronte me rrëzimin e Murit të Berlinit, se nuk mund të quhej i kryer përderisa në Evropë të kishte Vende të tilla si Shqipëria që “dilte nga një dimër i dhimshëm vuajtjesh” , e të cilët komunizmi i kishte kthyer në gërmadha. Ringjallja e tyre materiale e morale ishte një detyrë e çastit dhe e së ardhmes për kontinentin që me kohë do të bëhej një bashkësi e vetme politike.          

Në atë frymë dashamirësie ndaj Shqipërisë duhet parë edhe emërimi i kardinalit të parë shqiptar në historinë e gjatë të Kishës së këtij Vendi, në personin e Dom Mikel Koliqit, njërit ndër klerikët më të shquar që patën fatin të mbijetojnë ndaj kalvarit të gjatë të terrorit komunist.

Fatkeqësisht Evropa u tregua shumë e vonuar në proçesin historik që ravijëzonte Papa Vojtila n’atë 25 prill të 27 viteve më parë. Sigurisht llogaria e ftohtë e shpirtit tregtar të saj që merrte në shqyrtim gërmadhën e llahtarëshme që kishte lënë komunizmi, zotëroi mbi idealin human të zëdhënësit të Krishtit mbi tokë. Por në këtë histori, që ka ndikuar aq shumë në jetën e shqiptarëve, duhet pranuar ndershmërisht se mangësitë kanë rrjedhur edhe nga vullneti i keq i atyre që kanë drejtuar Shqipërinë në këta vite.

            Në paraditën e 2 prillit 2005 zëdhënësi i Vatikanit, Joakin Navarro Vals, i komunikoi shtypit botëror fjalët e fundit të Papës. Ishte mesazhi i tij i fundit dhe i drejtohej të rinjve të cilëve, pesë vite më parë në Tor Vergata, i u kishte besuar misionin më të lartë e më të vështirë: “Ju takon juve të ndryshoni botën!”. Fjalët e fundit, të nxjerra me ndërprerje e me shumë vështirësi, qenë këto: “Un dhe u thirra, ju erdhët un u falënderoj.” Ka një kuptim të thellë në këtë frazë. Ati i Shenjtë, që tashmë e kishte mbaruar misionin e tij të jetës tokësore e përgatitej të merrte gjykimin për veprën e jetës së tij atje lart tek Krijuesi i Gjithësisë, projektonte në t’ardhmen trupëzimin e atij misioni, vazhdimësinë e tij, e përcillte atë tek brezi i nipave, tek ata që do t’i jepnin formën shekullit të ri. Ishte sendërtimi i thelbit të veprës së Tij, për më shumë se një të katërt qindvjeti në drejtimin e Kishës së Romës, synimi më i lartë që njeriu Vojtila i kish vënë vetes që në rininë e tij: të luftonte me të gjitha forcat për të ndryshuar botën në ato pjesë ku ajo ishte ndërtuar keq. Në kllapinë e çasteve të fundit të jetës ndoshta i shfaqej misioni i pakryer plotësisht e kërkonte që, deri në frymën e fundit, të  porosiste vazhdimin e tij.  

18 maj 1920 – 2 prill 2005, dy data që përkojnë me pranverën e përjetëshme të jetës së një vigani, me vështrimin e ngrohtë e të pafajshëm të një fëmije, me shpirtin e bardhë, që barti deri në fund dhimbjet, dertet e mundimet e një epoke njerëzore, duke predikuar shpresën, të mirën, rrugën e pasosur të Jezu Krishtit  

Lavdi të përjetëshme kujtimit të tij të ndritur në këta përvjetore të lindjes e të ngjitjes në qiell të shpirtit të madh të Gjon Palit të dytë!

Prill 2020

Filed Under: Featured Tagged With: Eugjen Merlika, Shen Papa Pali II

HAPPY EASTER TO ALL THE ORTHODOX CHRISTIAN!

April 18, 2020 by dgreca

HAPPY EASTER TO ALL THE ORTHODOX CHRISTIAN!/

Z. ELMI BERISHA, KRYETAR I FEDERATËS PAN SHQIPTARE TË AMERIKËS “VATRA”  DHE GAZETA E SAJ DIELLI URON TË GJITHË BESIMTARËVE ORTODOKSË: GËZUAR PASHKËT!

HAPPY EASTER TO ALL THE ORTHODOX CHRISTIAN!

Filed Under: Featured Tagged With: Gezuar Pashket-Happy Easter

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 256
  • 257
  • 258
  • 259
  • 260
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT