• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NATO PRIRË NGA AMERIKA SHPËTIMTARE NË KOSOVË

March 24, 2020 by dgreca

-Para 21 viteve nisi ndërhyrja shpëtimtare për Kosovën e NATO-s  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-24 Mars 1999: “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti Amerikan Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë fliste për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s. Ai zë i lirisë – liria për Kosovën po vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Nga Amerika dhe aleatët…/

-Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 raportoja nga Prishtina në Tiranë se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të NATO-s. Media shqiptare ka shkruar se isha gazetari i vetëm që transmetoja nga Prishtina në fillimin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën…/

-Dita e Lirisë dhe Paqes  erdhi në 12 Qershor 1999, në mëngjesin e asaj dite të lume raportoja nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin  në Kosovë nga ora 05 e 17 minuta…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI(Me skume fotografi gjeng ne facebook Dielli vatra)

PRISHTINË, 24 Mars 2020/ Prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para 21 viteve, në 24 Mars 1999, për Kosovën e popullin e saj ndodhi fillimi i ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s me goditjet nga aviacioni luftarak të pozicioneve të forcave serbe që po bënin krime, masakronin e dëbonin shqiptarët në fushatën e egër të spastrimit etnik.

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 raportoja nga Prishtina në Tiranë se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të NATO-s.

Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.

 Shtoja se, “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.

Raportoja edhe se, “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.

Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve.

Lajmin e jepja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), për të cilën raportoja nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi të Kosovës.

Po atë lajm e dërgoja edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime, derisa në ato rrethana terri e lufte në Kosovë nuk mund të lexohej Agjencia Shtetërore-Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë as nuk mund të shihej Televizioni Shqiptar.

  Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.

Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur në gjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.

Nga radioja e vogël dgjohej edhe zëri i shpresës dhe besimit të madh, fjala e Presidentit Bill Clinton që i drejtohej kombit Amerikan.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë fliste për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Ai zë i lirisë – liria për Kosovën po vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Nga Amerika dhe aleatët…

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

Ajo dritë shpëtimtare e lirie ishte e paralajmëruar…

Më pak se një vit më parë, në 29 Maj 1998, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, bëhej e ditur se Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në fillimet e pranverës së para 21 viteve, ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje – Francë, që kishte nisur në  6 Shkurt 1999 kishte përfunduar në 18 Mars me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit, në një konferencë shtypi në 5 Mars 1999 paralajmëronte nënshkrimin  e Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Po në atë 5 Mars 1999 kam raportuar edhe për një takim të Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, që ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup-Maqedoni, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë-Kosovë…

 Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.

Ndërkohë, për shkak të rreziqeve,  shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me Misionin Vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike. Edhe në ato rrethana vazhdoja pa ndalur asnjëherë raportimet nga Kosova për në Shqipëri…

E, në 24 Mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike do bëheshin të pamundura.

Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë – Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…

Dhe, vazhdoja raportimet…Media shqiptare ka shkruar edhe se isha gazetari i vetëm që transmetoja nga Prishtina në fillimin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën në 24 Mars 1999.

Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe gjatë natës të shqiptarëve në shtëpitë e tyre në Mitrovicë, veprimtarëve e intelektualëve – udhëheqësit komunal Agim Hajrizi bashkë me nënën dhe djalin 12 vjeçar dhe poetit Latif Berisha.

Ai mëngjes i 25 Marsit 1999  sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës  kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr në shtëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, të cilët i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpi shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta.  Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje për t’i pasur banorët  shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.

Atë mëngjes të parë të pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisa kërkimin e ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt Kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli lajmit të 6 Majit 1999  i raportimeve që i bëja nga Kufiri jugor i Kosovës.

Lajmi, ku në ato rrethana nuk përmenda burimin – telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh nga një nënë mbrojë e gjallë bashkë me familjen e saj alarmonte: 

“Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të
qëndrojnë në shtepitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja… Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me
radhë pranë postes së re të Prishtines, në lagjen Dardania…”.

Cak i goditjeve të aviacionit të NATO-s mbi caqet e forcave serbe ishte edhe ndërtesa e postës së vjetër që ishte bërë edhe bazë ushtarake e që u zhbë e nuk është më e ishte pranë ndërtesës së tashme kryesore të Qeverisë së Kosovës te Sheshi Gjargj Kastrioti – Skënderbeu në Prishtinë.

Raportimet që bëja dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 6 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë…

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 Qershor 1999, pasi një ditë më parë në Kumanovë, qytet në Maqedoni ku një pjesë e madhe e popullsisë janë shqiptarë, ishte arritur  Marrëveshja mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit drejt Grykës së Kaçanikut…

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik  2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 116 shtete të botës…

 Njëmbëdhjet vite pas takimit të 29 Majit 1998 në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

Filed Under: Featured Tagged With: 24 marsi 1999:, kosova

KRYEBASHKIAKU DE BLASIO PARALAJMËROI NJUJORKEZËT PËR NJË JAVË SFIDUSE

March 23, 2020 by dgreca

Qytetet e New York-ut regjistruan këtë shkallë infeksioni: 3.621 të infektuar në Queens, 3,494 në Brooklyn, 2.572 në Manhattan,1.829 në Bronx, 817 në Staten Island/

Shteti i New York-ut është cilësuar si epiqendra e krizës së Coronavirusit, ndërsa NYC ka regjistruar 60 përqind të të gjithë rasteve të shtetit duke regjistruar 12.300 të rasteve të infektimeve dhe 99 të vdekur. Ne, tha De Blasio, jemi epiqendra e krizës.

Kryetari Bill de Blasio përgatiti Njujorkezët gjatë ditës së hënë për atë që ai tha se do të jetë një “javë sfiduese” në luftën kundër shpërthimit të koronavirusit.

Gjatë konferencës së tij të përditshme me gazetarët, de Blasio u shpreh se është koha që banorët të mësohen të jetojnë në një mënyrë që është “absolutisht e paparë  më parë në jetën tonë”.

Mjafton të themi, se tani të gjithë e kuptojmë plotësisht se çfarë po ndodh tha ai. 

 Ne jemi duke ndërmarrë çdo veprim të mundshëm si një qytet, duke punuar me qeverinë e shtetit , por edhe duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me qeverinë federale për të adresuar këtë krizë. Po përpiqemi në çdo mënyrë për të ngadalësuar rritjen e kësaj sëmundjeje, për të ndihmuar të gjithë qytetarët në nevojë. 

De Blasio tha se numri i rasteve pozitive në qytet e New York-ut kishte arritë në 12,339 deri në mëngjesin e së hënës, përfshirë 99 vdekje.

Përshkallëzimin e të infektuarëve sipas qyteteve, kryebashkiaku e paraqiti kështu:

3.621 të infektuar në Queens

3,494 në Brooklyn

2.572 në Manhattan

1.829 në Bronx

817 në Staten Island

Kryetari i bashkisë komentoi: Askush nuk e dëshiron këtë situatë, as edhe një prej nesh, por është e vërtetë që ne jemi epiqendra e kësaj krize, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për më shumë ndihmë, veçanërisht nga qeveria jonë federale, për ta kaluar krizën.

Kryetari i bashkisë theksoi edhe një herë rëndësinë e qëndrimit në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur dhe, nëse duhet të dilni jashtë, të jeni vigjilentë për distancimin shoqëror, porositi ai.

Ndërsa qyteti punon për të rritur numrin e shtretërve, de Blasio bëri një turne në Spitalin Coler në ishullin Roosevelt më herët të hënën. Ai tha se Coler do të jetë në gjendje të trajtojë 100 shtretër të rinj këtë javë dhe 240 javën e ardhshme.

De Blasio foli me optimizëm për një spital të ri fushor në Javits Center:”Kjo është diçka absolutisht e rëndësishme. Ne jemi duke bërë presion që qeveria federale të sjellë gjithçka që ata kanë, çdo formë mbështetjeje, dhe të gjithë e vlerësojmë punën e madhe të Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë. Kjo do të thotë 1.000 shtretër të rinj. Do të jetë jashtëzakonisht e dobishme, “tha de Blasio.

Kryebashkiaku informoi gjithashtu për nevojën e madhe të qytetit për furnizime mjekësore. Ai tha se kishte folë me Presidentin Donald Trump dhe Zëvendës Presidentin Mike Pence të dielën në mbrëmje, duke theksuar realitetin e përditshëm të asaj që përballen punëtorët e kujdesit shëndetësor. Si rezultat i këtyre diskutimeve, de Blasio tha se 400 ventilatorë nga rezervat federale janë duke ardhur për në New York City.”Nevoja jonë për ventilatorë është me mijëra, por ne do të luftojmë çdo ditë në betejë për ta përballuar atë. Ne do të jemi në një garë të vështirë kundër kohës, kështu që edhe 400 ventilatorë janë një hap i madh përpara për të na ndihmuar të kalojmë këtë javë dhe në tjetrën, tha de Blasio, duke shtuar se ai ishte” shumë mirënjohës për ndihmën e dhënë nga qeveria federale.

De Blasio foli me optimizëm edhe për rolin e ushtrisë: “Shpresa ime është se roli ushtarak do të vazhdojë të zgjerohet në ditët në vazhdim,” tha de Blasio, duke iu referuar nevojave në të gjithë vendin.

Kryebashkiaku tha se qyteti ka qenë furnizues kryesor dhe po i dërgon materialet jetike në spitalet publike dhe private, duke përfshirë 200,000 maska ​​N95, 2 milion maska ​​kirurgjikale dhe 70,000 mbrojtëse të fytyrës. Ai tha se ndihma shtesë po vjen nga shteti federal, përfshi: 430,000 maska ​​kirurgjikale, 170,000 maska ​​N95, 175,000 palë doreza, 98,000 mbrojtëse të fytyrës dhe 72,000 unifoma kirurgjikale.

De Blasio falënderoi gjithashtu kompanitë private si ASO Corp të Floridas për dërgimin e 600,000 dorezave vinyl, American Express për 36,000 maska ​​N95, Merc për 500,000 maska ​​kirurgjikale dhe një pjesë të vogël të kompanive vendase që vazhdojnë të prodhojnë dhjetëra mijëra mburoja të fytyrës.

E Hëna ishte dita e parë e zbatimit të urdhrit të “qëndrimit në shtëpi”. Klasat rifilluan për studentët e shkollave publike të Nju Jorkut të hënën, plotësisht online.(Pergatiti:Dalip Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: Coronavirusi, dalip greca

FLET NGA ITALIA DR.SELENICA: TRAGJEDIA ITALIANE,MESIM PER SHQIPERINE

March 23, 2020 by dgreca

FLET NGA ITALIA DR.SELENICA:SHQIPËRIA DUHET TË MËSOJË NGA TRAGJEDIA ITALIANE/

Bisedë me Dr.Romina Selenica që po shërben në Itali në Pandemine e Coronavirusit/

Armiku i Italisë ishte koha e shpejtë e përhapjes, nëpërmjet mosizolimit dhe rritja e numrit të pacientëve në mënyrë të frikshme.  Besoj se Shqipëria do tëmesojë nga historia e hidhur e kësaj situate në Itali.  Dr.Selenica

Dr.Romina Selenica me një karrierë të pasur në fushën e mjekësisë me edukim në universitetet italiane sot po shërben me devotshmëri dhe po qëndron pranë shtratit të të sëmurëve italiane në këtë kohë pandemie globale.

Dr.Selenica le të hidhemi direkt në shqetësimin dhe panikun që ka kapur gjithë botën në këtë kohë pandemike globale, cila është detyra juaj nëspitalin italian dhe si e shihni gjendjen më konkretisht atje?

Unë sot, kam hequr veshjen e profilit tim, atë të Kirurgjisë dhe MjekësisëEstetike e po shërbej si mjeke e familje në Pisa dhe Empoli. Puna ime konsiston në triage e parë, njohjen e simptomave dhe drejtimin e pacientëve, me simptoma të mesme apo të rënda drejt strukturave të posaçme të ngritura sot për trajtimin e pacientëve COVID 19 +. 

Pse Italia u bë shteti më i kapur “prej fyti” nga ky virus vdekjeprurës?

Mendoj se gabimi është nga mosizolimi i të gjithë Italisë, por vetëm i zonave fillimisht të prekura. Gjithashtu duhet të kemi parasysh se është ndër vendet me numrin më të lartë të popullsisë me moshë mbi 80 vjeç. Nëse shohim statistikat, janë dhe përqindja më e lartë e pacientëve të prekur, moshat mbi 70 vjeç. Kjo ka çuar në një numër të lartë të pacientëve të cilët nuk ja dalin t’i mbijetojnë këtij virusi si shkak i shumë sëmundjeve të tjera kronike. 

Cilat janë këshillat tuaja si mjeke profesioniste në këtë fushë dhe a mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?

Unë mendoj se të gjithë ne duhet t’i lëmë kohë shkencës të eci përpara. Janë bërë hapa gjigande në kohë rekord për zbulimin e një vaksine, por duhet kohë për ta sjellë atë në përdorimin e gjerë. Ajo për të cilën une i lutem çdo qytetari, në këto momente është izolimi në shtëpi për të ulur sa më shumë numrin e të infektuarëve. Mendoj se në momentin që do kemi një vaksinë për popullsinë, do të mund të flasim për një zhdukje të kësaj pandemie, pasi aktualisht është ende herët. 

Unë ndihem krenare, kur dëgjoj që ka mjekë shqiptarë rreth botës dhe shërbejnëme humanizëm pranë të sëmurëve, cilat janë shkallët që ju keni ngjitur për të shërbyer në një vend të zhvilluar siç është Italia? 

Unë kam ardhur në Itali në moshën 18 vjeçare, me dëshirën për të realizuar ëndrrën time në një shtet i cili ofron shëndetësi publike për të gjithë, pa dallim shtresash. Për mua ishte zgjedhja e duhur të studjoja mjekësi në një vend kaq human. Sigurisht, shkollimi në një shtet të huaj është i vështirë, por jo i pamundur. Me vullnet çdo gjë arrihet. 

Midis të sëmurëve keni pasur rastin t’ju shërbeni shqiptarëve ku dihet se numri i tyre qëjetojnë në Itali është i konsiderueshëm? 

Në rolin e mjekes së familjes u shërbej dhe shqiptarëve dhe fatmirësisht janë të gjithë pacientë stabël pa komplikacione të rëndësishme. 

Në Itali dhe në shume vende të botës spitalet infektive janë mbi kapacitetin me të semurë si do t’ja dalë Italia me këtë gjendje dramatike në rritje?

Mendoj se është aplikuar një organizim i shumë strukturave të reja, si për repartin e sëmundjeve infektive ashtu dhe për terapinë intensive. Armiku i Italisë ishte koha e shpejtë e përhapjes, nëpërmjet mosizolimit dhe rritja e numrit të pacientëve në mënyrë të frikshme. Aktualisht, ka një mobilizim të përgjithshëm dhe situata përsa i përket strukturave nuk është më problematike. Mbetet akoma e frikshme mos ulja e numrit të të prekurve në 24 orë. 

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare, por dhe si mjeke? 

Mendoj se Shqipëria duke mësuar nga gabimet e Italisë, do marrë masa më të rrepta, për mos të rritur frikshëm numrin e të infektuarve. Për këtë është e nevojshme mos krijimi i focolaiove të reja infektive në qytetet e tjera ende të paprekura. Armiku është jashtë kudo, prandaj duhet që ne të qëndrojmë në shtëpi. 

E keni pasur ëndërr të bëheshit mjeke?

Mjekësia ka qenë një ëndërr e fshehtë e imja që në fëmijëri. Më tepër se një ëndërr, ishte një sfidë me veten, “Unë do ja dal” dhe ashtu ndodhi! Jam larguar në moshën 18 vjeç, deri diku pa miratimin e prindërve, të cilët mendonin se ishte absurde largimi im nga shtëpia në atë moshë në një shtet të panjohur dhe në një degë aq të vështirë. Mbas konkursit dhe hyrjes në mjekësi, ata kanë qenë pika ime e forcës dhe shtysa për të mos u dorëzuar. 

Cila ka qenë fëmijëria juaj?

Një fëmijë i rritur me dy prindër të thjeshtë dhe punëtorë, të cilët sakrifikuan çdo kursim, kohë për të më arsimuar mua dhe motrat e mia. Një fëmijë e rritur me gjyshen, nga e cila kam trashëguar çdo zakon dhe dashuri për të moshuarit. Një fëmijë që kohën e lirë e kalonte duke i rënë pianos apo duke shkruar. Një fëmijë sa i dashur dhe këmbëngulës. Një fëmijë që përtej pianos, ishte çapkëne dhe rebele. E rritur me dashuri, thjeshtësi e çiltërsi dhe sot jam një vajzë, motër, grua që mundohet ti trashëgojë këto vlera jo vetëm në familje por dhe në profesion. 

Ju faleminderit Dr.Selenica per kohen tuaj!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo gazetare, shkrimtare.

21 Mars, 2020, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Ptragjedia italiane

NJOFTIM I GAZETËS “DIELLI”

March 22, 2020 by dgreca

Njoftojmë abonentët dhe lexuesit e gazetës”DIELLI” se për arsye të kushteve të krijuara nga kriza boëtrore e Coronavirusit(Nju Jorku është epiqendra e krizës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës), për shkak të shtypshkronjës dhe postës, gazeta në print nuk do të dalë për muajin mars. 

U lutemi lexuesëve tanë që të mos shkëpusin kontaktet me Diellin e tyre. Ashtu si 111 vite nga botimi i numrit të parë e në vijim gazeta do të vazhdojë informimin tuaj. Ashtu siç kemi bërë në të gjitha këto ditë të krizës ne do të vazhdojmë t’ju infomojmë për gjithçka ndodh. 

Redaksia jonë me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe korrespondentëve do të vazhdojë t’ju informojë. Ju lutemi ndiqeni gazetën në adresat tona: www.gazetadielli.com, facebook: dielli vatra, si dhe Gazeta Dielli.

Nese keni deshire qe t’na shkruani perdorni emailin tone:gazetadiell@gmail.com

Ju urojmë që ta kaloni sa më lehtë këtë krizë botërore të shkaktuar nga COVID-19. Rreziku është i përbashkët, por mbrojtja individuale. Ruani veten që të ruani të tjerët!

Faleminderit!

EDITORI

Dalip Greca

New York, 22 Mars 2020

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Njoftim

Koncert Maestroja Nermin Daja Zhabjaku

March 21, 2020 by dgreca

Nga Rafaela Prifti/

 “Artistët shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut janë ata që e përcjellin më së miri përvojën e kombit tonë nga një gjeneratë tek tjetra,” thotë Koncert Maestroja Nermin Daja Zhabjaku në bisedën e kërkuar nga Dielli për të shënuar 8 marsin. 

Karriera e saj profesionale përfshin thuajse dyzet vjet në Shqipëri ku ajo ka qenë nga prijëset e para të profesionit të saj si shoqëruese dhe pianiste e zhanrit operistik. Në fund të viteve 90-të, kur ajo bashkë me fëmijët, Azeta dhe Kreshnik Zhabjaku erdhën në Nju Jork, talenti i saj spikati edhe këtu. Në sajë të kualifikimit dhe përvojës së saj, Koncert Maestroja Nermin Daja Zhabjaku u angazhua në Mannes College of Music nga tenori me famë ndërkombëtare z. Dan Marek. Gjatë bisedës me Diellin ajo flet për veçoritë e brezit të artistëve që jetuan dhe krijuan në diktaturën komuniste dhe që patën mundësinë të japin kontribut në Amerikë, tregon disa momente personale sesi u këndua aria ‘gabimisht’në gjuhën italiane, flet për jetën e artistëve në diasporë e të tjera. Ajo ndjen respekt për artistët me të cilët ka bashkëpunuar me vite të tëra, ndërsa ata e kanë vlerësuar atë për profesionalizëm të pashoq. “Pasioni, vullneti, talenti, puna artistike me solistët e bën zonjën Daja Zhabjaku një artiste me plot kuptimin e fjalës,’ shkruan tenori shqiptar, Artisti i Popullit, Gaqo Çako. Si nënë, zonja Daja Zhabjaku është figurë qendrore në jetën e fëmijve. Ajo ndjek me kënaqësi spektaklet e koncertet e Kreshnikut ashtu si edhe simpoziumet e kumtesat e Azetës. 

Ajo është ngjitur në skenë me mijëra herë por kurrë nuk e ka kërkuar dritën e prozhektorëve. Ajo ka shoqëruar qindra zëra por kurrë nuk ka lejuar të kërkojë vendin e parë. Për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Dielli do ndriçojë mbi të për kontributin që i ka dhënë Koncert Maestroja Nermin Daja Zhabjaku artit operistik shqiptar.  

-Ju zonja Daja Zhabjaku i përkisni brezit të artistëve shqiptarë, të cilët një pjesë të konsiderueshme të jetës profesionale e kaluan nën diktaturën komuniste. Çfarë ishte më e rëndësishme për ju në atë kohë? 

Pjesën më të madhe të karrierës sime, plot 30 vjet, e kam përjetuar në diktaturë. Për mua, gjithmonë ka pasur rëndësi parësore integriteti personal e profesional. Jo vetëm përgatitja dhe profesionalizmi, por edhe komunikimi me solistët në çdo kapacitet. Natyra e punës sime kërkonte të isha partnere në të kënduar për duetin/trion e rradhës apo të ndihmoja solistin të formonte artistikisht qasjen individuale ndaj rolit ose aries që po përgatiste. Sot është e lehtë të harrojmë që në atë kohë nuk kishim inçizime (CD) të ndonjë lloji (të rralla ishin rastet me disk apo kaseta magnetofoni) ndërsa platforma si Youtube nuk eksistonin që të krahasonim ose të merrnim ide nga artistë ose teatro të huaj. Në ato kushte, përgjegjësia binte tek mua për të arritur nivelin më të lartë të interpretimit të solistëve të operës sonë kombëtare.

-Nga ajo kohë deri më sot, çfarë nuk duhet të harrojmë të gjithë ne këtu në diasporë dhe në atdhe? 

Këmbënguljen dhe dashurinë e profesionitëve për artin e operas pavarësisht nga vështirësitë e krijuara nga ideologjia dhe konjukturat politike. Një nga periudhat më të rënda ka qenë kopjimi shqiptar i revolucionit kulturor kinez, gjatë viteve ‘70 dhe ’80. Pika absurde ishte ndalimi i të kënduarit të arieve dhe veprave operistike në gjuhën origjinale. Libretet e operave klasike si Traviata apo Rigoletto të Verdit, Madama Butterfly nga Puccini, Dasma e Figaros nga Mozarti e shumë të tjera këndoheshin në shqip. Nuk mund të harroj një episod kur gjatë një koncerti, sopranoja e njohur Shqipe Mingomataj më tha se do ta interpretonte arien e Toskës në gjuhën origjinale. Kur iu turrën se kishte shkelur ‘vijën’ ajo këmbëngulte se e kishte kënduar në shqip dhe se ‘paria politike’ nuk e kishte dëgjuar mirë. Por në Shqipërinë komuniste kufizimet kishin cekur çdo detaj të jetës personale. Veshjet e lejuara në punë dhe në publik, siç ishte ndalimi i mbajtjes së pantallonave për femrat dhe gjatësia e fustaneve deri tek gjuri. Nuk e harroj vëzhgimin e vrazhdë në hyrje të derës së operas ku kontrolloheshim se mos kishim tejkaluar ndopak lyerjen e buzëve apo rimelin te qerpikët. Megjithëse sot edhe unë vetë mund t’i kujtoj me pak humor me shoqet e mia, në atë kohë si pianiste e re ishte jetike t’i përmbaheshe normave të vëna nga drejtoria.

-Si artiste me karrierë në dy kontinente dhe në dy sisteme, si e ke përjetuar veçorinë e një brezi të tërë të artistëve shqiptarë, që kapërcyen vitet ‘90 dhe 2000 duke jetuar dhe krijuar në Amerikë? 

Ky brez i krijuesve shqiptarë është shumë i formuar artistikisht dhe zotëron plot talent dhe shumë zell. Ata kanë gjetur edhe këtu mundësira për të arritur potencialin e tyre profesional.

-Po çfarë gjen dhe çfarë nuk gjen artisti shqiptar në diasporë?  

Për mua personalisht, imagjinoj se çfarë mund të kisha arritur po të isha këtu në moshën 20 vjeç. Në anën tjetër më mungon ngrohtësia që kam pasur me kolegët e mi. 

-Nga kujtimet personale, ju mbaj mend në mbrëmjen e 50 vjetorit të krijimtarisë së babait tim në Nju Jork, ku ju ishit pianistja që shoqëruat baritonin Kreshnik Zhabjaku dhe mezzo sopranon Rajmonda Dabulla. Lista e artistëve që keni shoqëruar dhe me të cilët keni bashkë-interpretuar i përngjan një antologjie të këngëtarëve të operës shqiptare. E njëjta vlen edhe për kompozitorët shqiptarë. Nga më shumë se 1,000 koncerte a mund të ruhen momentet të caktuara në kujtesë?  

Koncertet me artistë të skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit janë të panumërueshme. Për afër dyzet vjet kam shoqëruar në piano dhe në kanto shumicën e artistëve, solistëve, tenorë, baritonë, mezzosoprano, bass, si dhe kam interpretuar në koncerte dhe inçizime në Radio Televizionin Shqiptar. Kam qenë shoqëruese në shfaqje në të gjithë Shqipërinë. Dhe deri në kohën që u largova, luaja me dëshirë për studentët e Akademisë së Arteve në saxhot dhe provimin e diplomës.

-Nju Jorku është ‘atdheu’ i dytë për familjen tuaj si edhe një nga kryeqendrat e jetës artistike. Ju keni qenë pianiste në koncertin në Carnegie Hall 2014, ku krejt programi ishte ndërtuar me muzikë dhe artistë shqiptarë. Cilat janë përshtypjet tuaja? 

Ishte koncert me nivel të lartë artistik dhe i organizur shumë bukur. Një punë e mrekullueshme e producentit Xhevat Limani dhe Ambasadorit të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në atë kohë, z. Ferit Hoxha. Ka qenë edhe një ndër momentet më të ëmbla si nënë dhe si pianiste profesioniste, pasi bariton në skenë ishte djali im Kreshniku. Më është ngulitur në kujtesë kumbimi i muzikës së mirëfilltë klasike shqiptare në një ndër skenat më të njohura në botë. Mbaj mend shumë përfaqësues të OKB-së dhe artdashës njujorkezë si edhe shqiptarë nga komuniteti ynë që na pritën me duartrokitje dhe ovacione. Ky koncert ishte koncerti im i fundit në karrierën time si pianiste profesioniste.

– Këtë vit festa ndërkombëtare e gruas qëlloi të ishte në periudhën e përhapjes së epidemisë së virusit respirativ me përqendrim të madh në Nju Jork. Cilat janë kujtimet e festimit të 8 marseve të kaluar?

Për mua gjithmonë ka qenë e rëndësishme ta kaloj me familjen time. Kam qenë e lumtur me bashkëshortin tim, regjisorin Ismail Zhabjaku, dhe fëmijët, Azeta dhe Kreshnik. Ka qenë gjithmonë një ditë pranë familjes dhe më të shumtën e rasteve bënin piknik nga liqeni i Tiranës. Mbaj mend lulet që më sillnin fëmijët dhe hartimet që më bënte vajza për 8 Marsin. Momente që kurrë nuk harrohen. 

-Muzika dhe artisët shqiptarë janë të pranishëm në shumë spektakle e koncerte në mbarë botën. Ata kanë arritur njohje masive dhe publicitet global që nuk ishte mbërritur deri tani dhe që vështirë se mund të arrihet me rrugë të tjera. A është pozita e tyre e favorshme për të përçuar një mesazh të bashkuar? 

Patjetër. Zemra dhe shpirti shqiptar ka qenë dhe do të jenë gjithmonë pjesë e artit botëror. Eksperienca e një kombi gjatë shekujve është transmetuar nga gjenerata në gjeneratë. Artistët tanë, brenda dhe jashtë vendit, janë ata që e përcjellin atë më së miri. Mjeshtëria e tyre artistike është e pazëvendësueshme në botë.

BRIEF BIO OF CONCERT MAESTRO NERMIN DAJA ZHABJAKU

Nermin Daja Zhabjaku – a pioneer coach-concertmaster at the Albanian National Opera House whose career spans 36 years. She was born in a loving family in her native city, Albania’s capital, Tirana. Showing her love of music early on, she started piano lessons when she was five years old and was enrolled at the artistic Lyceum “Jordan Misja” in Tirana at the age of 10.  Soon after completing her education, she began coaching at the National Opera House. She is one of the pioneers in her profession, with a long-running career. She retired and moved with her family to New York in 1998.

She has performed alongside excellent Albanian Opera singers: Avni Mula, Gaqo Çako, Nina Mula, Luiza Papa, Ramiz Kovaçi, Haxhi Tafaj, Myzejen Mullai, Stavri Rafael, Mentor Xhemali, Shqipe Mingomataj, Ibrahim Tukiçi, Kristaq Paspali, Xhovana Doku, Shqipe Zani, Vangjo Kosta, Hysen Kurti, Burhan Spahiu, Pëllumb Katroshi, Emine Gjata, Hysen Koçia, Edit Mihali, Ruzhdi Karaj, Gjergj Sulioti, Petrika Rëmbeci, Kaman Aliko, Rajmonda Dabulla, Inva Mula, Marjana Leka, Mirela Tafaj, Ymer Kaca, Lindita Lole, Deshira Ahmeti, Era Hoxha, Adrian Xhema, Kastriot Tusha, Oriana Kurteshi, Elona Çeno, Shirli Polena, etc. Her extensive portfolio includes accompaniments of international performers like Filipo Pino, Gianluca Rizzi, Patrick Daniston. The collaborations with composers and conductors such as Mustafa Krantja, Rifat Teqja, Pjetër Gaci, Ermir Krantja, Nikolla Zoraqi, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Vitorio Parisi, Alan Aurelia, Manfred Mayerhoffer, etc are productions of fine quality. She has appeared in countless concerts on the Albanian National Television with Opera House soloist and instrumentalists, such as Fatos Jaho, Igli Tuga etc.

For twenty five years she was employed at The Opera Performance Class at the Academy of Fine Arts in Tirana, Albania, to coach generations of singers who perform internationally to this day. For her many achievements as a musician, Ms. Daja-Zhabjaku was awarded the “Naim Frasheri” Award for Musical Excellence by the Parliament of the Republic of Albania in 1985.-the highest civilian honor bestowed by the Albanian Government at that time. 

She continued her career in the US as a voice and signing coach at Mannes College of Music. For thirteen years, Ms. Nermin Daja Zhabjaku pursued her vocation at the studio of Metropolitan Opera singer Dan Marek, a principal tenor of international stature. An active and reputable performer, she has appeared extensively in shows and productions from Austria, Italy in Europe and throughout the United States.

Throughout her vast professional life, she has received countless honors including prizes and awards from the Artistic Council of the Albanian National Opera. She retired the onstage performance with a milestone concert at Well Recital Hall, Carnegie Hall in 2014 – the first time Albanian classical music was performed at the venue for the full duration of the concert.

She has performed over a thousand concerts and coached hundreds of voices yet never asked to step into the spotlight. On the International Day of Women, we shine a light on the Concert Master Daja Zhabjaku for her pioneer work and her unsurpassed professionalism in Albanian Opera. 

Filed Under: Featured Tagged With: NerminDaja Zhabjaku, Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 265
  • 266
  • 267
  • 268
  • 269
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT