• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALBIN KURTI-AMBASADORIT AMERIKAN: SHPEJT VJEN QEVERIA!

October 28, 2019 by dgreca

AMBASADORI I SHBA: INSTITUCIONET E  ZGJEDHJEVE NË KOSOVË TË THEMELOHEN SA MË PARË/

-Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje  Kurti e njoftoi ambasadorin e SHBA-ve Kosnett me ecurinë pozitive të takimeve me Lidhjen Demokratike dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të formohet Qeveria e re/

-Ambasadori Amerikan inkurajon të vazhdohet qasja konstruktive në proceset e Kosovës/

PRISHTINË, 28 Tetor 2019-Gazeta DIELLI/ Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett sot u prit në takime në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilat parti opozitare fituese të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit edhe sot kanë zhvilluar bisedime për krijimin e Qeverisë së re sa më shpëjtë.

KOSNETT SHPREHU INTERESIM PËR ECURINË E BISEDIMEVE LVV-LDK

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, sot priti në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, z. Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, znj. Jessica Long dhe shefja e Sektorit Ekonomik në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, znj. Lori Michaelson.

LVV bën të ditur se, në këtë takim, z. Kosnett shprehu interesimin e tij për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re, duke uruar që institucionet e Republikës së Kosovës të themelohen sa më parë, në mënyrë që edhe puna për një shtet të së drejtës që lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë t’i sjellë rezultatet e para. Shefja e Sektorit Ekonomik në këtë ambasadë, znj. Michaelson, vuri theksin te rëndësia e zhvillimit ekonomik në vend duke shprehë interesimin dhe mbështetjen e ambasadës për projektet e qeverisë së ardhshme në këtë drejtim.

Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin z. Kosnett me ecurinë pozitive të takimeve me Lidhjen Demokratike dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të formohet qeveria e re. Prioritet, tha ai, do t’i kushtohet sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit të lartë institucional, në mënyrë që t’i hapet kështu rrugë edhe progresit socio-ekonomik. Përpos luftës ndaj korrupsionit, me z. Kosnett dhe znj. Michaelson u ndanë edhe idetë tona për zhvillimin ekonomik të bazuar në politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të mesme në përgjithësi, në prodhimin vendor, dhe në arsimin e lidhur me ekonominë. Bindja jonë është se zhvillimi ekonomik i integron edhe qytetarët me bindje e besime të ndryshme brenda Republikës por edhe shtetet mes vete.

AMBASADORI AMERIKAN INKURAJON LDK-në

Sot, nënkryetarët Dr. Vjosa Osmani dhe z. Lutfi Haziri janë takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe bisedimet ndërmjet LDK-së dhe VV-së për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetorit 2019.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht shprehë mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për mbështetjen që i kanë dhënë SHBA-të Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese.Dr. Osmani gjatë takimit ka diskutuar për prioritetet e LDK-së në institucionet e ardhshme, në veçanti për zhvillimin ekonomik, procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe sundimin e ligjit dhe ka potencuar rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve me partnerët tanë, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.

Kosnett inkurajoj LDK-në të vazhdoj qasjen konstruktive në proceset e Kosovës. 

Në takim të pranishëm ishin nënkryetarët Dr. Vjosa Osmani dhe z. Lutfi Haziri dhe anëtarët e Kryesisë, Kujtim Shala dhe Besian Mustafa, bën të ditur njoftimi  dërguar sot nga LDK – Zyra për Informim./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti-Ambasadori Amerika-Kosnnet

Mbillet në lëndinën e Pallatit të Europës në Strasburg « Lisi i Europës »…

October 27, 2019 by dgreca

– Thirrje autoriteteve shqiptare dhe kryebashkiakut Erion Veliaj për të mbjellur të parët « Lisin e Europës » /

Kryeparlamentarja e KiE znj. Liliane Pasquier mbjell pemen/

Nga Fotaq Andrea/

Është e njohur se më 14 korrik 1870, gjeniu Viktor Hygo mbillte në kopshtin e vet në Hauteville House, Guernesey, në prani të miqve dhe nipërve e mbesave, një lende lisi, duke e pagëzuar filizin e ardhshëm « Lisi i Shteteve të Bashkuara të Evropës ». Shumë shpejt filizi lulëzoi dhe jeton ende edhe sot i fuqishëm, duke mbartur me vete dhe duke mishëruar që prej 150 vjetësh ëndrrën e hygoiane për ta parë Europën të bashkuar dhe në paqe.

zv/sekretarja e KiE znj. Gabriella Battaini-dragoni pershendet….

Nisur nga kjo ide gjeniale largpamëse e Viktor Hygoit, që sot konsiderohet me të drejtë si një “stërgjysh” i Europës së Bashkuar, dhe në kujtim të veprës së tij madhore, në dhjetor 2018, autori i këtij shkrimi i drejtoi një letër ish Sekretarit të përgjithshëm të Asamblesë së Këshillit të Europës, Bruno Haller, në të cilën theksonte se “Viti 2019 shënonte 70 vjetorin e themelimit të Këshillit të Europës, si dhe 170 vjetorin e fjalimit të Viktor Hygoit mbajtur në gusht 1849 në Kongresin ndërkombëtar të paqes në Paris, ku hodhi pikërisht idenë e tij për themelimin e “Shteteve të Bashkuara të Europës”.

Zv.Kryet i AIAACE z.Hans de Jong pershendet ceremonine/

I frymëzuar nga kjo ide, kur ndërtimi europian has sot sfida të reja të Bashkimit Europian (si Brexit dhe hapja e negociatave për anëtarësim në familjen europiane të Shqipërisë), propozoja në letër të mbillej gjatë vitit 2019, në mënyrë simbolike, filizi “Lisi i Europës” në lëndinën para Pallatit të Europës në Strasburg, “për t’i dhënë një impuls të ri projektit për ndërtimin e plotë europian, si dhe vlerave demokratike të Këshillit të Europës (KiE), duke forcuar përherë e më shumë rolin e tij parësor si garant i sigurisë demokratike dhe i respektit të të Drejtave të Njeriut”. Shtoja gjithashtu në letër se mbjellja e “Lisit të Europës” do të shërbente po ashtu si një akt simbolik për t’iu propozuar tërë shteteve anëtare e kandidate të KiE-së të ndiqnin të njëjtin shembull dhe “Lisi i Europës” të bëhej kësisoj “pema symbol e vlerave demokratike dhe e të drejtave njerëzore, si vlera të pavdekshme të Europës së Bashkuar në paqe e liri”. 

Miku i Shqipërisë Bruno Haller, i cili është dekoruar gjithashtu me dekoratë të lartë nga presidenca e Shqipërisë, jo vetëm e vlerësoi propozimin si një “ide shumë e mirë”, por iu drejtua menjëherë Shoqatës ndërkombëtare të funksionarëve të vjetër të Këshillit të Europës (AIAACE), konkretisht zëvendspresidentit të saj Z. Hans de Jonge, për ta parashtruar idenë në Sekretariatin e KiE-së. Ceremonia e mbjelljes së filizit “Lisi i Europës” u organizua më 4 tetor 2019, në prani të ZV.Sekretares së përgjithshme të KiE-së Znj. Gabriella Battaini-Dragoni, të Kryetares së Asamblesë parlamentare Znj. Liliane Maury Pasquier dhe të Sekretarit të përgjithshëm të Kongresit të pushteteve lokale e rajonale, si dhe të mjaft përfaqësuesve nga Komiteti i Personelit, nga Shoqata “Amicale” dhe Shoqata ndërkombëtare e funksionarëve të vjetër të Bashkësive europiane. Merrni po ashtu pjesë përfaqësues të Bashkisë së Strasburgut dhe shumë funksionarë të lartë të KiE-së. Në fjalën e rastit, Z. H. De Jonge theksoi ndër të tjera se  Shoqata ndërkombëtare AIAACE “dhuronte këtë filiz “Lisi i Europës” me rastin e 70 vjetorit të KiE-së, duke shprehur besimin tonë për një të ardhme të gjatë të Organizatës”, e cila është organizata më të vjetër ndërqeveritare europiane, dhe që, “falë polivalencës të ndërveprimeve e bashkëpunimeve të saj, falë instrumentave dhe mekanizmave që zhvillon, ndjek nga afër proceset e integrimit europian, mbi bazën e vlerave themelore të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”. 

Pa dyshim, shkrimtari i madh klasik Viktor Hygo, babai i romantizmit francez, është nga autorët më të njohur e më të dashur për lexuesin shqiptar, dhe qysh herët, madje. Por Hygo njihet nga ana tjetër edhe si humanist i madh, filozof, politikan, jurist e avokat i shquar, që mbrojti fuqishëm vlerat njerëzore, duke dalë kundër mjerimit, varfërisë, margjinalizimit shoqëror, e sidomos njihet si ndër të parët shkrimtarë të angazhuar kundër dënimit me vdekje e torturës.

Për ne shqiptarët, ia vlen të theksojmë se gjeniu Viktor Hygo nuk ka munguar të shkruajë me penë të zjarrtë, duke përmendur qëndresën e tyre historike, sidomos në veprat e tij “Choses vues” (Ndodhi të përjetuara) dhe  “Orientalet”. Tek shkruan për “Shtetet e Bashkuara të Europës”, ai përfshin në to edhe “les pays de l’Albanie” (vendet apo trojet e Shqipërisë), flet për “timariotët” (himariotët) trima, siç i quan ai, dhe ngre lart veprën e lavdishme të krejt udhëheqësve arvanitas të revolucionit grek, e sidomos figurën “enigmatike” të Ali Pashë Tepelenës, të cilin e krahason me Napoleonin dhe e vë përballë tij në forcë, qendrueshmëri e ashpërsi. “Ata, shkruan Hygo, qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, siç përballen me shoshoq tigri me luanin, shqiponja me skifterin”.  Po ashtu, në akuarelin e tij “Kështjella”, ai jo thjesht ilustron vargjet e tij të famshme për kështjellën e paepur të Aliut, por e shfaq atë metaforikisht si kështjellë simbol e mbarë Shqipërisë dhe e qëndresës së saj historike, që dallgët (tallazet e Historisë) nuk e kanë tundur kurrë një njëherë nga vendi. 

Nga ana tjetër, siç kemi përmendur në një shkrim tonin, në kryeveprën e tij “Katedralja e Parisit”, Hygo vë në dukje se heroina kryesore Esmeralda, cigania e bukur që “çmendi dynjanë”, ndodhet në kryeqytetin francez “ardhur me dhinë e saj nga vendet e Shqipërisë” (sic!) Dhe jo vetëm kaq, por dhinë e saj ajo e thërret me dashuri prindërore alla shqiptarçe (à l’albanaise) “Djali”, një term ky shqeto shqip, siç kemi argumentuar në shkrimin tonë, duke lënë të kuptohet se “dhia” e Esmeraldës në fakt është thjesht e gjinisë mashkullore, kur brirët e kafshës jo domosdoshmërisht përcaktojnë gjininë, cjap apo dhi. Dhe dihet që Viktor Hygo tërë elementët kryesorë dhe episodet e kryeveprës së tij “Katedralia e Parisit” i ka huazuar nga dokumente mesjetare, tek i përdor ato me besnikëri e vërtetësi. Ja një arsye më shumë pse është tepër e dashur figura gjeniale e Hygoit për ne shqiptarët.

Në mitologjinë shqiptare, simboli i lisit zë vend qendror dhe pellazgologu i madh Dhimitri Pilika e sheh lisin (dushkun) si simbol themelor të Dodonës hyjnore të Lashtësisë, si falëtorja e parë e Zeusit, me karakter të mirëfilltë profetik. Nxjerr, ndër të tjera, në pah toponomastikën e vendit tonë, mjaft e pasur me emra që kanë rrënjën në termat “dushk” e “lis”, që nga fshatrat Dushk në Gramsh, Lushnje, Shijak, Lezhë, Peqin, deri në fshatrat Lis, në Kat, Kavajë, Mallakastër, Dukagjin, ku mjaft fshatra shfaqen me emrat konkretë Lis-Pateos, Katër-Lis, Bregu i Lisit, Qafë e Lisit, Maja e Lisit, etj. Po ashtu, edhe vetë emri i qytetit heroik Lezhës, themeluar që më 669 para Lindjes së Krishtit, vjen thjesht nga termi i lashtë “Lissus”, siç njihej në Antikitet. Dhe në këtë “Lissus”, “Lisi Skënderbeu” mblodhi rreth vetes Kuvendin e Leshës për të themeluar shtetin e parë të Arbërit. 

Frazeologjia shqiptare po ashtu është e pasur me shprehje që kanë në thelb termin “lis”: “është lis me shumë degë” (për familjet e mëdha fisnikërore me të parin e tyre); dhe kundërta: “mbeti si lis pa degë”, mbeti  “pikë në lis”; “lisi i gjakut”; “lis i lartë” (njeri i fortë, i paepur) apo “lis me rremba”; “lisi i qumështit”; “lis me rrënjë të thella”, “e pret lisin me një sëpatë”, etj. etj. Me të drejtë, miku im i kahhershëm prof. Përparim Çarçani, inxhinier në pyje, kur e pyesja këto ditë nëse ka dallim midis “lisit” e “dushkut”, nisur nga postulati konician që nuk ka “sinonimi absolute”, me shkruante, jo pa humor se dallimi nuk është i prerë, por që të krahasosh lisin me dushkun është si të vësh përballë shprehjen “burrë lis” me dy “rr”, dhe   shprehjen  – në mund ta krijojmë – “burë dushk” me një “r”, se për të një dushkajë është pyll me lisa dhe të dy termat kanë sinonimi të plotë, po lisi te shqiptarët është “hyjnizuar” si pemë e lartë me trung të trashë tërë gunga e bunga, dhe që rron deri edhe njëmijë vjet. Në fund të fundit, sinonimia e fjalëve që përcaktojnë familjen e pemëve që lidhin lende është shumë e pasur në gjuhën shqipe: lis, dushk, qarr, bujgër, bung, shparth, prrall, valanidh, etj, etj. 

Në përfundim, e mbyllim këtë shkrim me një thirrje nga zemra drejtuar autoriteteve shqiptare dhe në mënyrë të veçantë kryebashkiakut Veliaj për të ndërmarrë nismën që Shqipëria, shteti i parë alfabetik anëtar i Këshillit të Europës, të mbjellë e para gjithashtu “Lisin e Europës”, nën shembullin historik të Të Madhit Hugo, që kërkonte integrimin e plotë – dhe pa kushte – të shteteve të kontinentit të vjetër në “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Kjo është largamësia gjeniale hygoiane, dhe në nderim të tij, në pritje që të miratohet së shpejti nga Sekretariati  i KiE-së pllaka përkujtimore që do të vendoset para filizit “Lisi i Europës” i sapombjellë në Strasburg, le të japë Shqipëria shembullin dhe kontributin e vet me mbjelljen e “Lisit të Europës”, si një sinjal paraprak historik drejt realizimit së shpejti të anëtarësimit të saj në familjen e madhe europiane. Do Zoti, dhe kjo thirrje gjen realizim për të mirën e Shqipërisë, për të ardhmen dhe begatinë e saj. 

Filed Under: Featured Tagged With: Fotaq Andrea-Lisi I Europes-Strasburg

“KOSOVA DJE DHE SOT”, EKSPOZITË NË KONSULLATËN E KOSOVËS NË NJU JORK…

October 27, 2019 by dgreca











-Piktori Njazi Llonçari-Naka hapi ekspozitën personale në Konsullatën e Kosovës në New York… Ekspozita do të qëndrojë e hapur në mjediset e Konsullatës së Kosovës deri në Shkurt 2020./*
 
         Të premten me 25 tetor në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork u hap ekspozita personale e piktorit Njazi Llonçari-Naka. Ekspozita titullohej”Kosova dje dhe sot” dhe përbëhej nga piktura të realizuara prej në kohë të ndryshme dhe në teknika të ndryshme. Në nëj farë mënyre ekspozita dëshmonte edhe evolimin e tij si artist. Pikturat e Njaziut, vecanërisht ato të realizuara në vitet ’80-90 të shekullit të kaluar reflektojnë ndjenjën e rëndë të dhunës të okupatorit serb, të mbijetesës së shqiptarëve, që sfiduan dhunën, gjatë regjimit të tmerrshëm obscurantist të Millosheviçit. Si antitezë me zymtësinë e jetës nën okupim, vijnë pikturat që i kushtohen Kosovës në ditët e sotme, e cila frymon e lirë dhe I ka kthyer sytë nga e ardhmja me një vizion të ri…Ekspozita do të qëndrojë e hapur në mjediset e Konsullatës së Kosovës deri në Shkurt 2020.
       Misioni i Kosoves ka organizuar edhe ekspozitat e mëparshme, sic ishte ishte  çelja me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e ekspozitës së dy fotografëve të njohur Kosovar Shkëlzen Rexha dhe Arben Llapashtica, apo e ekspozitës”Rrënjët Ilire”të piktores Teuta Ibriqaj…
          Ekspozita e re me titull“Kosova dje dhe sot” tërhoqi shumë pjesmarrës. Të pranishmit i ka përshëndetë Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, zonja Teuta Sahatcija.Po e përcjellim të plotë përshëndetjen e saj: 
         Të nderuar Ambasadorë e diplomatë, artistë dhe dashamirë të artit, bashkëkombas, zonja dhe zotërinj.
      Ju tashmë e dini se zyrat e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës i kemi shëndëruar në galeri arti, ku piktorët tanë shpalosin punimet e tyre, duke dhuruar emocione dhe kënaqësi për të gjithë vizitorët artdashës. Më pare kishim ekspozitën e dy fotografëve Kosovarë; Shkelzen Rexha dhe Arben Llapashtica që shenuan 10 vjetorin e Pavarësisë. Pastaj Piktorja Teuta Ibriqaj shpalosi ekspozitën me titull “Rrënjët Ilire”
Sot po e bëjmë hapjen e ekspozitës së piktorit Nijazi Llonqari- Naka me titull “Kosova dje dhe sot”
Zonja dhe zotërinj, Mirë se erdhët!
Nijazi Llonqari është piktor kosovar i shkolluar ne Universitetin e Prishtinës dhe veprimtarinë e tij e ka zhvilluar në Kosovë dhe në SHBA. 
Naka si të gjithë Kosovarët ishte dëshmitar i situates së rëndë nëpër të cilën po kalonin shqiptarët në Kosovë. 1989 ishte ngritja e Milosheviqit i cili e zgjodhi Kosovën dhe shqiptarët për të ngritur nacionalizmin shkatërrues i cili solli vuajtje, vdekje, shkatrim në regjionin tonë.
        1989 ishte fillimi i një epoke të errët për shqiptarët, dehumanizim deri në arsyetim të përzënjes e fëmijëve nga shkollat, largim të prindërve nga puna, dhunimit, vrasjes, djegje. Ishte kohë kur mjaftonte ngritja e dy gishtave ne symbol të Lirisë e paqes, të denohesh me burg. Mjaftonte shkrimi i dy shkronjave KR – Kosova Republike, i këndimit të një kënge me motive shqiptare, apo posedim i flamurit kuq e zi apo të një libri nga vargu të madh i librave të ndaluar, që të përfundoje në burg, të rrihesh dhe të mbetesh jashtë sistemit apo që kufoma të kthehet e masakruar në arkivol të blinduar.
Ndonëse në kthetra mizore të kohës dhe pamundësisë së shprehjes së lirë, artistët në mënyrën e vetë regjistruan këtë periudhë të errtë të histories.  
Piktori Nijazi Llonqari për ekspozitën e tij në Konsullatën e Kosovës zgjodhi punimet e tij që përshkruajnë etapa të ndryshme të jetës dhe zhvillimit të tij si actor. 
Në pikturat bardhë e zi, ai  regjistroi dhunën, djegjen e shpirtit e trupit të gruas së dhunuar. Një seriai i kushtohet rezistencës paqsore me dy gishta ngritur në shenjë të fitores së paqes ndaj dhunës. Ai lidhi me tel me gjemba gishtat e këputur nga retorika e Milosheviqit. Gishtat  simbolizonin ardhjen e lirisë së pritur e cila një ditë do të ndriçonte zemrat tona. Ngjyrat bardh e zi tregonin dhimbjen dhe vuajtjet që kalonte një popull i tërë, ndërkohë e bardha në piktura e mbante shpresën gjallë.
Një pikture e bërë së bashku me bijën e tij, gjithashtu piktore, e rikrijon veprën e tij të  vjetër, por tani me shqiponjën dykrenare e cila sot valon e lire në pëlhurë.
Z.Llonqari na ka sjellë edhe shumë piktura në akuarel, me ngjyra të gjalla, plot jetë, dinamikë, qiell të hapur pa gjemba, rritje pa frikë. Piktura këto që frymojnë në liri dhe në shansin e fituar të Kosovës për të ekzistuar e lire dhe e barabartë me vende tjera….
      Nijaziu apo Naka për miqë, gëzohet me shfaqjen e baletit “Halili e Hajria” në Prishtine. Si artist, ai e din rëndësinë e artit në ruajtjen e identitetit kombëtar, në përçimin e mesazheve në gjeneratat e reja. Në mënyrën e tij ai e regjistron baletin përmes paletës së tij shumëngjyrëshe që shpërthejnë në krenarinë e gëzimin për këtë shfaqje të bukur baleti shqip.
Të dashur miq, po e shpall të hapur ekspozitën e piktorit Nijazi Llonqari Naka me titull: “Kosova dje dhe sot”…Bisedoni me piktorin dhe pse jo bleni pikturat e tij!…
* Per me shume fotografi shih ne Facebook-dielli vatra



Filed Under: Featured Tagged With: Ekspozita- Lloncari-Teuta Sahatçia

ALBIN KURTI VLERËSON RUGOVËN

October 27, 2019 by dgreca

KURTI VLERËSON RUGOVËN: PAVARËSIA ËSHTË KOMPROMISI PËR KOSOVËN/

-Lideri i Lëvizjs Vetëvendosje – partisë fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019 e kandidat për kryeministër, Albin Kurti, në një intervistë televizive: Ibrahim Rugova ka thënë pavarësia e Kosovës është kompromis, sepse qëllimi e synimi  ynë është diç më shumë. Edhe unë mendoj që sot kur takohemi me Beogradin, qoftë në Proces të Berlinit, qoftë në Bruksel, në Nju Jork apo Uashington, apo në iniciativat rajonale,  duhet t’ia përsërisim, është detyrë kombëtare, njerëzore, qytetare, politike t’i themi që pavarësia është kompromis, pranoje kompromisin/

-Në ditën e zgjedhjeve në Kosovë, në 6 Tetor 2019, duke cituar Presidentin historik Rugova nga takimet e deklaratat para vitesh që në titull “I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA” shkruaja për Gazetën DIELLI dhe që në fillim theksoja: “Dialogu me Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës do jetë një sfidë e Kuvendit e Qeverisë së re kosovare të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019”/

-Fotografi e vitit 1997: Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova priti në takim përfaqësues të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Albin Kurtin, Driton Lajqin, Bujar Dugollin…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 26 Tetor 2019/ Lideri i Lëvizjs Vetëvendosje – partisë fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019 e kandidat për kryeministër, Albin Kurti, vlerëson Presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugova e në veçanti  për qëndrimin se pavarësia është kompromisi për Kosovën të deklaruar që para 30 vitesh e në vijimësi që duhet edhe tash t’i thuhet Serbisë që ta pranojë kompromisin.

I pyetur në një intervistë televizive në fillim të kësaj jave, të hënën e 21 Tetorit 2019, Albin Kurti për Presidentin Ibrahim Rugova, mes tjerash, tha:

“Por, e vlerësoj në veçanti  për vitet 1989-1992. Dhe aty për një deklaratë të tij që shumë veta mundohen ta heshtin. Edhe e ka dhënë në disa revista e kjo është me sa vijon, shumë e thjeshtë, e bukur, e saktë, e vërtetë, që na hyn në punë edhe pas 30 vjetëve: Pavarësia është kompromis. Ibrahim Rugova ka thënë pavarësia e Kosovës është kompromis, sepse qëllimi e synimi  ynë është diç më shumë. Edhe unë mendoj që sot kur takohemi me Beogradin, qoftë në Proces të Berlinit, qoftë në Bruksel, në Nju Jork apo Uashington, apo në iniciativat rajonale,  duhet t’ia përsërisim, është detyrë kombëtare, njerëzore, qytetare, politike t’i themi që pavarësia është kompromis, pranoje kompromisin”.

Edhe gjatë vizitës në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë në 4 Tetor në prag të ditës së zgjedhjeve Albin Kurti para mediave deklaroi se, “Para 30 vjetëve janë disa intervista dhe deklarime të Presidentit historik Ibrahim Rugova se pavarësia e Kosovës është kmpromis dhe unë besoj se edhe kjo është një gjë që duhet vlerësuar”.

Në ditën e zgjedhjeve në Kosovë, në 6 Tetor 2019, duke cituar Presidentin historik Rugova nga takimet e deklaratat para vitesh që në titull “I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA” shkruaja për Gazetën DIELLI dhe që në fillim theksoja: “Dialogu me Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës do jetë një sfidë e Kuvendit e Qeverisë së re kosovare të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019”.

E më tej, mes tjerash, shkruaja:

Para 14 viteve,  pikërisht ishte 6 Tetori 2005 kur Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej si vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Pavarësinë e Kosovës, të shpallur para më shumë se 11 viteve – në 17 Shkurtin historik 2008, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende. Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federates me të drejtë vetoje, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

Në një kumtesë dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në 4 tetor 2019 bëhej e ditur se “Presidenti Donald J. Trump ka shprehur sot qëllimin e tij për të emëruar këtë individ në një post kyç në administratën e tij:

 Richard Grenell nga Kalifornia, që të shërbejë njëkohësisht si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si Ambassador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë”.

Në shkrimin me titull “I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA”, botuar në Gazetën DIELLI në 7 Tetor 2019, përkujtoja edhe këtë:

CLINTON PARA DHJETË VITEVE NË KOSOVË TREGOI SE SI RUGOVA KËRKOI NGA AI TË NA NDIHMOJ

Ne 20 vjetorin e Lirisë – ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, në Prishtinë ka qëndruar ish-Presidenti i Amerikës, Bill Clinton. Kjo ishte vizita e tij e katërt në Kosovë, ndërsa një vizitë shtetit për të cilin kontribuoj për liri dhe pavarësi Clinton e pati edhe në vitin 2009.

Presidenti i 42-të amerikan, kur erdhi në nëntor të vitit 2009 mbajti një fjalim në Parlamentin e Kosovës, teksa përshëndetjen e nisi duke ndarë një kujtim që kishte me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Dua ta përkujtoj ish-Presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kuj­toi dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugov­ës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i krista­leve të papërpunuara. Kur ia tregova Presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë” – kujtonte Presidenti Amerikan Clinton këtë episod me Presidentin Historik të Kosovës.

ALBIN KURTI NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË PRISHTINË NË 4 TETOR 2019 – DEKLARATA E PLOTË:

 Filluam ditën me vizitën në Kryeqytetin e Lëvizjes në Shtëpinë e Lidhjes në Prizren, dhe tash jemi këtu tek Muzeu i Pavarësisë, që gjatë viteve të ’90-ta ishte Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës dhe ku e filloi veprimtarinë e tij politike, publike e diplomatike Presidenti Dr. Ibrahim Rugova. Në këtë shtëpi po ashtu bashkë me Adem Demaçin në vitet 1998-99 kemi mbajtur mbi 15 konferenca për shtyp si Zyre e Përfaqësisë së Përgjithshme Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjashtë prej të cilave i kam mbajtur unë vetë pa Bacën Adem, kur ai ndodhej ose në udhëtime zyrtare jashtë vendit ose për shkaqe shëndetësore ishte në Lubjanë.

Me Presidentin Ibrahim Rugovën unë jam takuar këtu në vitin 1997.  Dhe takimet tona kanë qenë konstruktive, edhe atëherë kur nuk jemi pajtuar. Unë e vlerësoj për insistimin e tij për pavarësinë e Kosovës, për lirinë e Kosovës dhe kundër okupimit të Serbisë dhe shtypjes, diskriminimit, shfrytëzimit që bënin administrata serbe mbi shqiptarët në apartheidin e viteve të ’90-ta. 

Para 30 vjetëve janë disa intervista dhe deklarime të Presidentit historik Ibrahim Rugova se pavarësia e Kosovës është kompromis dhe unë besoj se edhe kjo është gjë që duhet vlerësuar. Nga këtu po vazhdojmë te një shtëpi tjetër, tek Shtëpia e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te shtëpia  e Kryekomandatit Adem Jashari dhe Jasharëve në Prekaz…

FOTOGRAFI E VITIT 1997: RUGOVA-KURTI…

Fotografi e vitit 1997: Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova priti në takim përfaqësues të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Albin Kurtin, Driton Lajqin, Bujar Dugollin… 

Në foton e përbashkët shihet edhe këshilltari i Presidentit Rugova, Xhemajl Mustafa.

Takimi është mbajtur para protestës së fuqishme të studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Prishtinës të 1 Tetorit 1997 në mbrojtje të arsimit shqip, për lirimin e Universitetit e shkollave të okupuara nga regjimi i dhunës serbe që nga viti 1991.

Nga arkivi-16 Gusht 2016: VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 ishte vendosur mibishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

Filed Under: Featured Tagged With: Belhlul Jashari-Albin Kurti-Vlerson Rugoven

MARJAN CUBI DOLI NGA SPITALI-FAMILJA FALENDERON KOMUNITETIN

October 25, 2019 by dgreca

  • Familja CUBI falenderon Vatrën, Komunitetin, miqtë dhe dashamirët, që u kujdesën, e vizituan në spital, I telefonuan, u kujdesën për cdo çast për shëndetine  tij./

Sot, e Premte 25 tetor, në mesditë, anëtari i Kryesisë së VATRËS, arkëtari, drejtori i Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, ka dalë nga spitali dhe ka shkuar në Shtëpi. Më tej do të vazhdojë terapia për përmirësimin e plotë të gjendjes së tij shëndetsore.

Njoftimin ia përcolli Editorit të Gazetës”Dielli” i biri i Marjanit, vatrani Ilir CUBI. Në emër të Familjes ai falenderon të gjithë miqtë dhe dashamirësit, Komunitetin shqiptar, Vatrën, që u kujdesën, që e vizituan në spital, i telefonuan familjes, dhe u shqëtësuan për shëndetin e tij.

Familja Cubi u është mirënjohës të gjithëve.

Edhe një herë i urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë z. Marjan Cubi.

Filed Under: Featured Tagged With: Marjan Cubi-Doli nega Spitali-Ilir Cubi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 303
  • 304
  • 305
  • 306
  • 307
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT