• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË PELLGUN E TURPSHËM TË POLITIKËS BARBARE SHQIPTARE

August 13, 2019 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Kur mendonim se absurditetet e klasës aktuale politike shqiptare – më shkon goja të them, “klikës politike” shqiptare, ishin shterrur tanimë, ja shënohet absurditeti i radhës, ose më mirë të themi turpi i radhës.   Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njofton se nja tre javë më parë është vendosur në Parkun e Liqenit në Tiranë, një memorial kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, tre vjet më parë, më 15 korrik të vitit 2016.  Si lajm, dukej absolutisht i pa besueshëm!   Si është e mundur, pyesnin njerëzit?   Çfarë i duhet Tiranës dhe Shqipërisë një monument me emra të huaj, krejtësisht të panjohur për botën shqiptare, për një grup njerësish të renë në vendin tyre, qindra killometra larg Shqipërisë.   Cili është kontributi i tyre për Shqipërinë?   Kush e aprovoi atë projekt dhe pse autoritetet më të larta shqiptare vazhdojnë të heshtin megjithse publiku shqiptar kërkon shpjegim. 

Ndonëse media të ndryshme në Tiranë ishin lajmëruar nga Ambasada e Turqisë për të marrë pjesë në inaugurim tri javë më parë, ekzistenca e monumetit nuk është “zbuluar” deri pak ditë më parë.  Ambasada e Turqisë në Tiranë kishte bërë punën e vet, kishte njoftuar të gjithë për këtë ngjarje.   Ambasada turke nuk e bëri aspak tinëzisht, ata shikojnë interesat e vendit të tyre, megjithëse është e pa parë dhe pa dëgjuar që një seli diplomatike, një ambasadë, të organizojë një paradë të tillë publike rrugëve të Tiranës.   Por autoritetet shqiptare, Kryeministria dhe Bashkia e Tiranës, që duhet të kenë dhënë patjetër miratimin e një projekti të tillë, madje as opozita e cila ka marrë pjesë me përfaqsuesit e vet në këtë ceremoni – për arsyet e veta që vetëm ata i dijnë — nuk kanë thënë asgjë për këtë ngjarje deri më tani.  Një heshtje kjo e territ të një nate shqiptare! 

Si është e mundur që për tri javë nuk e pa askush këtë memorial të ngritur pranë liqenit dhe as kush nuk foli.   Ku ishte media shqiptare?   Si është e mundur që ky projekt, që siç duket është i vetmi projekt ku pozita dhe opozita shqiptare na paskan rënë dakord për miratimin e tij, sepse për asgjë tjetër këta dakord nuk bien, sidomos kur është fjala për mbrojtjen e interesave madhore të Kombit shqiptar.   Një gjë e pabesueshme kur të merren parasyshë grindjet aktuale politike midis Partisë Socialiste dhe asaj Demokrate, që po e çojnë vendin drejt greminës.   Çka fshihet pas këtij bashkpunimi pozitë-opozitë dhe heshtja e tyre për ngritjen e këtij monumenti?   Një tjetër marrëveshje sekrete?  Në minimumin, shqiptarët duhet të kërkojnë një shpjegim nga qeveria qendrore dhe nga Bashkia e Tiranës se si the tek u realizua ky projekt dhe të mbajnë përgjegjës aktorët kryesorë, përfshirë opozitën e cila deri në këtë moment nuk ka bërë asnjë koment.   Toka shqiptare u përket shqiptarëve!

Ndonëse Kryeministria dhe Bashkia – me një arrogancë të pa parë dhe me pa-papërgjegjësinë më të madhe ndaj shqiptarëve — refuzojnë të japin ndonjë shpjegim të besueshëm se si dhe pse u vendos dhe si u miratua një monument i tillë, atëherë duhet të flitet me emra dhe të kërkohet llogari politike, publikisht.   Pse vendosi kjo klikë (pozitë dhe opozitë) e Tiranës të sjellë në trojet shqiptare grindjet politike midis partive të ndryshme turke në vendin e tyre?  Çfarë ka të bëjë grushteti në Turqi më Shqipërinë dhe me shqiptarët dhe të tjera pyetje.   I vetmi koment sipas Zërit të Amerikës erdhi në një prononcim pardje nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës.  Z.  Veliaj, i cili në takime me perendimorët e shet veten si pro-perëndimor dhe si një politikan i ri i edukuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me vlera perëndimore, nuk shpjegoi psehen e këtij projekti por sulmoi me një denigrim kritikët e këtij monumenti të vendosur në zonën më të pëlqyer të Tiranës.   Z. Veliaj i cilësoi kritikët e monumentit, si “të lodhur nga vapa” e verës, sipas tij duke thënë: “Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre”.   Tirana sipas tij, “është zemër madhe dhe ka vend për të gjithë.”   Vetëm për shqiptarë jo, Z. Veliaj, për ta nuk ka vend në Tiranë.   Ja një sugjerim i nderuar Z. Kryetar:  për shqiptarë si At Gjergj Fishta, për shembull, për të cilin nuk është gjëndur vend as në Tiranë as në ndonjë cep të territorit shqiptar.   Edhe dy sugjerime të tjera për krerët e Tiranës vijnë nga prokurori shqiptaro-amerikan, Z. Gjon Junçaj i cili thotë se në Shqipëri mungojnë memoriale për të vrarët në Kosovë apo shqiptarët e vrarë në Mal të Zi.   Ai shkruan se në “Në vitet 1998-1999, mijëra burra, gra dhe fëmijë shqiptarë u vranë në tërë Kosovën.  Emrat e tyre nuk janë renditur në parkun publik në Tiranë.  Jam i sigurt që mijëra vizitorë kosovarë në Shqipëri çdo vit do ta vlerësonin këtë shenjë respekti.” Shkruan ai.   Ndërsa sugjerimi tjetër i Ish-Këshilltari Ligjor kundër Korrupsionit në Ambasadën Amerikane në Tiranë, dhe ekspert i OPDAT, Gjon Juncaj, i bën thirrje politikës shqiptare se para se të vendoste këtë memorial turk në kryeqytetin e shqiptarëve duhet të ndërtonte një memorial për shqiptarët e vrarë.i tij i dytë ka të bëjë në masakrat e shqiptarëve në Mal të Zi nga Mbretëria Serbo-malazeze, ndërsa shkruan se, “Në vitin 1919, 74 burra shqiptarë u morën nga shtëpitë e tyre malore në Hot dhe u ekzekutuan së bashku nga ushtria e Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ata u hodhën së bashku në një varr masiv, ku mbeten edhe sot e kësaj dite, 100 vjet më vonë.  Një nga ata burra është gjyshi im i madh.   Unë dhe anëtarët e tjerë të familjes shqiptare dëshirojnë të shohin emrat e tyre edhe në park.   Ne do t’i donim këto përmendore në parkun e Tiranës sepse ne nuk besojmë se ato i përkasin një parku në Stamboll”, thekson Junçaj duke përfunduar se edhe turqit do të pajtoheshin me ne për këtë, dhe shprehet se, “Ne nuk kemi lekë, euro, lira turke, apo ndikim politik për të paguar.  Vetëm derdhja e gjakut shqiptar.   Shpresojmë që kjo është një monedhë që do të pranoni gjithashtu”, shkruan ai në një thirrje që ua drejton me fjalët, “Të dashur politikanë të Tiranës” dhe botuar në median shqiptare.

Oh, tani mu kujtua Z. Veliaj, se në Turqi ka pasur disa grushtshtete gjatë dekadave të kaluara.   Në mendimin tim, viktimat e atyre grusht-shteteve nuk meritojnë asgjë më pak se viktimat e grushtetit të fundit në Turqi.   Pasi Tirana, sipas teje, është zemër gjërë për të gjithë, duhen konsideruar edhe ngritja e memorialeve të tjera edhe për ato viktima turke, por kam drojë se kështu u hapë derën ndërtimit të memorialeve për viktimat e grusht-shteteve anë embanë botës.   Të tilla gtrusht-shtete ndodhin shpesh diku në botë. 

Ishte një kohë që me optimizmin tim të natyrshëm kisha shpresë në brezin e ri të politikanëve shqiptarë, të atyre që nuk ishin njollosur nga komunizmi, se me githë vështirsitë, me kalimin e kohës do t’ia dalin të bënin shtet, një shtet të lirë e demokratik bazuar në vlerat evropiane, siç e kërkuan shumë Shqipërinë si e gjithë Evropa, pas shembjes së komunizmit, 30-vjet më parë.   Fatkeqësisht, shoh se dita ditës po dështon edhe teoria ime se një brez i ri politikanësh shqiptarë siç janë Zotërinjt Rama, Basha, Veliaj e të tjerë – do ta bëjnë shtetin.   Këta përbëjnë, mendoja unë gabimisht, klasën e re politike shqiptare të sofistikuar, madje edhe të edukuar ose që kanë shërbyer në perëndim dhe të cilët shpesh na i hedhin në fytyrë “vlerat perëndimore”, si bazë e personit dhe veprimtarive të tyre politike.   Çfarë hipokrizie!

Jo se bota perëndimore është e përsosur, sepse nuk është dhe as nuk pretendon të jetë e tillë, por përpiqet dita ditës, të përsosi vlerat e një shoqërie të lirë siç janë, demokracia, barazia, shteti ligjor, lufta kundër tiranisë dhe korrupsionit, pavarësia, të drejtat dhe liritë e përgjithshme universale të njeriut, e tjera.   Se si këto vlera universale përfaqësohen në veprimaritë e kësaj klase politike siç është në ky memorial, vetëm këta që e kanë aprovuar ngritjen e tij, mund ta dinë?   Arroganca zyrtare në lidhje me këtë memorial dhe shkelja flagrante e këtyre vlerave në miratimin e këtoj proejkti nga zyrtarët shqiptarë, më solli ndër mend fjalët e ish-Presidentit amerikan Ronald Reagan, cili kishte thënë me një rast në lidhje me diktaturën në përgjithësi dhe diktatorët në veçanti, se:  Unë di të merrem me diktatorët, por duhet të ruhemi nga ata që me këmisha të bardha e me krevata bredhin zyrave të ndryshme të burokracisë duke marrë vendime prej diktatori, në favor të kauzave diktatoriale – atyre duhet tu ruhemi, ka thënë Reagan, se me vet diktatorët merrem unë.

Në të vërtetë, ndonëse i jashtzakonshëm për nga natyra –inaugurimin e këtij monumenti turk në Tiranë duhet ta shikojmë edhe nga pikëpamja ndërkombëtare, nga ajo e diplomacisë, influencave të huaja në trojet shqiptare dhe në këndveshtrimin e marrëdhënieve Turqi-Shqipëri.   Unë kam paralajmëruar shpesh për influencat ruse dhe turke në Ballkanin perëndimor, por që këto dy shtete autokrate do të gjenin bashkpuntorë të zellëshëm në nivelet më të larta shtetëtore në Ballkan, për t’i thelluar këto influenca në dëm të interesave dhe vlerave perëndimore në atë pjesë të botës, nuk ma merrte mendja.  Por ja ku jemi sot, Serbia nga një anë kërcënon Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara me lidhje më të forta me Rusinë putiniste, madje edhe në fushën ushtarake siç u pa kohët e fundit me dërgimin e armëve ruse në Serbi.   Kryeministri shqiptar, Z. Edi Rama kërcënon Bashkimin Evropian dhe paralëmoron për influenca të huaja në Shqipëri dhe në Ballkan, por në realitet ka në mend lidhjet e ngushta personale që ai gëzon veçanërisht me udhëheqsin e Turqisë, Z. Erdogan, ndërkohë që po afrohet tetori.   E gjithë kjo po ndodhë, në një kohë kur lidhjet midis autokratëve Putin-Erdogan dhe vendeve të tyre, po forcohen në shumë fusha — sidomos në fushën ushtarake — ndërkohë që marrëdhëniet e Moskës dhe Ankarasë me Shtetet e Bashkuaraa dhe me Bashkimin Evropian, mund të konsiderohet se janë në nivelin më të ulët në këto 30-vjetët e fundit.   Ndonëse nuk pritet një përgjigje pozitive nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave në tetor, Shqipëria – pa marrë parsyshë retorikën e Tiranës zyrtare në lidhje me këte çështje — duket se është përcaktuar qartë për rrugën që dëshiron të ndjekë në të ardhmen. 

Por, t’i lemë mënjanë ndërlikimet që vijnë nga influencat e huaja dhe ti shikojmë gjërat nga këndveshtrimi i historisë, i interesave dhe vlerave të Kombit Shqiptar.   Rënja pre nën influenca të huaja politike dhe kulturore, është një rast tjetër që ndihmon në zverdhjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar.   Përballë këtyre ngjarjeve, kam drojë se shqiptarëve nuk u ka mbetur më gjë nga historia dhe as nga mësimet dhe amanetet fisnike të stërgjyshërve tanë.   Ata, të cilët me burrërinë e tyre shekullore dhe me lirinë kreshnike, mbrojtën nderin dhe identitetin e shqiptarit kudo dhe kurdoherë.   Dy gisht nderi në shteg të ballit, shqiptari i ka pasur gjithmonë!  

Mund të them se, bazuar në një dyzinë bisedash me shqiptaro-amerikanë që kanë lexuar për vendosjen e këtij monumenti në Tiranë – unë u bashkohem atyre duke shprehur dëshprimin dhe zhgënjimin e thellë ndaj kësaj ngjarjeje si dhe për mungesën e sinqeritetit dhe të transparencës nga ana e qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës për t’u thënë shqiptarëve të vërtetën në lidhje me këtë episod, në vargun e shumë ngjarjeve dramatike të atmosferës politike në Tiranë këto vitet e fundit.   Sjellje të tilla, nga ana e qeverisë dhe e klasës politike shqiptare në përgjithësi, vetëm forcojnë bindjen e skeptikëve kudo, se në Shqipëri asgjë nuk ndryshon për më mirë, vetëm ndryshojnë ngjyrë gjërat dhe pushtetarët, gjithmonë në dëm të interesave kombëtare dhe të mirëqenjes së shqiptarëve në përgjithësi.  Në pritje të daljes nga ky pellg shpesh i turpëshëm i kësaj politike barbare, e cila është në kundërshtim të plotë me vlerat për të cilat Kombi shqiptar është përcaktuar me kohë!

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkreli- Politike Barbare-Pellg i turpshem

NE AUSTRALI NDERROI JETE VEPRIMTARI MASAR KRASNIQI

August 12, 2019 by dgreca

KA NDËRRUAR JETË VEPRIMTARI I ÇËSHTJES KOMBËTARE MASAR KRASNIQI/
Nga Hajro HAJRA, Arizona/
Më 7 gusht 2019 në qytetin Gold Coast (Queensland, Australi) ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare veprimtari i shquar i çështjes kombëtare,Masar Krasniqi. I lindur në tetor të vitit 1931 në Prishtinë, për shkak se ishte i përndjekur politikisht, ai është detyruar ta braktisëvendlindjen fare i ri, në moshën 21-vjeçare. Që nga viti 1950, kur është shtrënguar ta lërë atdheun e tij të shtrenjtë, Kosovën, deri në vitin 2007 ai ka jetuar në Zelandë të Re, ndërkaq 12 vjetët e fundit të jetës së tij në Australi, ku edhe ka vdekur.Ndonëse larg Atdheut, ai kurrë nuk ka reshtur së vepruari për çështjen kombëtare. Atdhe i tij nuk ka qenë vetëm Kosova, ku ai ka lindur. Atdhe ka qenë Shqipëria, Atdhe kanë qenë të gjitha trojet shqiptare për lirinë e të cilave ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij.Angazhimi i tij për çështjen kombëtare është intensifikuar, sidomos në kohën kur Kosovës iu morën edhe ato pak të drejta që kishte. Ishte koha kur shqiptarët e Kosovës po largoheshin masivisht nga puna dhe po privoheshin nga çdo e drejtë dhe liri qytetare e kombëtare. Ishte fundii viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ’90. Lëvizjet për këto të drejta e liri të shqiptarëve në Kosovë kishin marrë hov dhe Masar Krasniqi ishte vënë tërësisht në shërbim të çëshjtes kombëtare.Themelimi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në janar 1989, nga ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi, mik e bashkëpunëtor i afërt i Krasniqit dhe zgjedhja e këtij të fundit në kryesinë e saj, si përfaqësues i interesave të lobit amerikan për Shqipërinë, për Kosovën,për Maqedoninë dhe për trojet e tjera shqiptare, shënon kulmin eangazhimit të Masar Krasniqit për kauzën shqiptare.Që nga vizita e dytë e Ibrahim Rugovës në SHBA, në prill 1990, Masar Krasniqi e ka shoqëruar Rugovën pothuaj në çdo takim me personalitete të shquara të Amerikës e të shteteve të ndryshme të Europës dhe pjesë eshumë prej këtyre takimeve, sidomos në SHBA, ka qenë edhe ish-kongresisti me prejardhje shqiptare, Joseph J. DioGuardi.Masar Krasniqi ka takuar shumë personalitete të huaja e shqiptare dhe të gjitha këto takime kanë qenë në shërbim të çëshjes kombëtare. Nënën Terezë e ka takuar në Zelandë të Re në vitin 1970 dhe në Shqipëri në prill 1993 (gjatë vizitës në Shqipëri të Papa Gjon Palit II). Krasniqi ka takuar dhe Ibrahim Kelmendin, atdhetarin e veprimtarin preshevar sidhe atdhetarin e veprimtarin Luan Gashi, edhe ky mërgimtar si vetë Krasniqi. Pjetër Arbnorin e ka takuar disa herë, vetë ose bashkë me DioGuardin, në kohën kur ai ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (1992-1997). Kongresistin republikan, Benjamin Gilman, mikun e madh tëshqiptarëve e të Kosovës, i cili më 1992, bashkë me Tom Lantosh kishte bashkësponsorizuar Rezolutën e paraqitur në Kongres nga LQSHA-ja, e cila bënte thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e ka takuar 4-5 herë.Në fund të këtij shkrim-përkujtimi për Masar Krasniqin, një kritikë, e sugjerim njëherësh, për pushtetarët e Kosovës: ky bir Kosove, i injoruar në të gjallë, të dekorohet pas vdekjes, së paku me një mirënjohje.

Filed Under: Featured Tagged With: Hajro Hajra-Nderroi Jete-Masar Krasniqi

TEQEJA BEKTASHIANE NE DETROIT FESTOI KURBAN BAJRAMIN

August 12, 2019 by dgreca

  • Dega e Vatres ne Michigan uroi Dervish Eltion Pashai/*

–      Dega e Vatres ne Michigan uroi Dervish Eltion Pashai/

Komunittei bektashi i Detroitit me rrethina kremtoi Kurban Bajramin. I pranishem ishte Kryetari I Bordit te Teqes z. Ekrem Bardha, proesorja e njohur amerikane dhe mikja e Teqes, Trix, perfaqesuesit e Vatres z. Alfons Grshaj dhe kryetari I deges se Vatres Mondi Rakaj e te tjere.Duke iu drejtuar te pranishmeve Dervish Eliton Pashaj, tha:Bismilahi Rrahmani Rrahim! 
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërësit! 
Ilavdëruar qoftë ai i madhi Zotë, qe ndriçoj zemrat e kuptimtarve me driten e shpalljes dhe udhezimit.Ai qe stolisi krahroret e ndjekesve te bindur me stolin e dijes,butesis dhe ndergjegjes.Ai qe udhehoqi gjithe njerezine nden udheheqen e Profeteve te tije e sidomos profetit te fundit, Muhammedit paqa e shpetimi Zotit qoftë mbi te e ne te gjithë.
 Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë!
Miqe dhe te ftuar, te nderuar kryetar i bordit te teqes z.Ekrem Bardha, Muhiban dhe dashamires bektashinje.
Zonja dhe zoterinj bashke-atdhetar. 
Dear professor Trix. Te dashur femije. 
Në këtë mbrëmje, manifestimin e së cilës e filluam sot,që është shumë domethënëse, si për nga ritet formale e po ashtu edhe nga ana përmbajtja jetsore e saj. Kjo dite para botës mbarë paraqet elemente e fese që, absolutisht, e bëjnë këtë më madhështoren dhe më humanen për njerëzimin. Kurban Bajrami kultivon dhe ruan me fanatizëm raportet me Krijuesin e Madhëruar dhe ato me njerëzit, krijesat e Tij. Kjo festë sa është shpirtërore është edhe shoqërore.
Nëse Fitër Bajrami simbolizon fillimin e epokës kur’anore, pra fillimin e shfaqjes se Fese në skenë nëpërmjet revelatës së fundit.Kurban Bajrami na vjen si një festë që simbolizon përmbylljen e kësaj shpalljeje në kuptim të shpalljes së saj prej qiellit dhe assesi të përfundimit të misionit te kuranit për të na mësuar.
Të nderuar bashkudhëtar të veprës të mrekullueshme të shenjtorit, baba Rexheb!Me lejoni qe kete dite sot tja dedikojmë largimit nga kjo botë themeluesit te komunitetit Bektashian ketu ne SH.B.A hiresis se tije Baba Rexhebit,me simbolikën e veçantë ne prag te kurban Bajramit, na bëjnë të shohim realitetin e sotëm më shpresëplotë dhe më të bashkuar me njeri-tjetrin. Tek e fundit, bashkimi dhe vëllazërimi kanë qenë dhe mbeten aktet më madhorë dhe substanca e filozofisë bektashiane.Përmes kësaj filozofie, tarikati bektashian jo vetëm mundi të mbijetojë në kohëra dhe lëvizje tektonike të fuqishme fetare, por edhe sot, pas 800 vjetësh, arrin të shpërndahet në territore të rinj shpirtërorë në gjithë botën. Ne ndihemi veçanërisht krenarë që tarikati ynë, si një pasuri e vyer brenda Islamit, mundi të lindë dhe të zhvillohet përmes një harmonie të mrekullueshme edhe në këtë tokë të bekuar, në këtë vend të shenjtëruar siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për çdo shqiptarë që dallgët e fatit e hodhën në këte kontinet, në këto dekada ka dhënë dhe vazhdon të jap ende sot, kontributin e saj të çmuar jo thjesht në mbajtjen gjallë të frymës së Haxhi Bektash Veliut, por edhe lidhja unikale midis atdheut dhe besimit.Kur flasim për teqenë tonë,pa dyshime mendja na shkon kurdoherë tek klerikët, tek këta shërbestarë të vuajtur dhe të përulur, jeta e të cilëve u shkrih dalëngadalë brenda misionit të tyre fisnik, brenda dashurisë pambarim të tyre ndaj Zotit dhe njerëzve që i rrethuan.
Por unë do të theksoja sot, se një nga shtyllat e fuqishme ku u mbajt dhe mbahet si një “zonjë e rëndë” kjo teqe, është padyshim prania juaj e sinqertë, mbështetja dhe kruajua që i kini dhënë në mote, jo thjesht dervishëve dhe baballarëve, por vet tarikatit bektashian. Pa këtë ndihmë, të dashur besimtarë, pa praninë tuaj shpirtërore dhe fizike, është shumë e vështirë të imagjinosh se si shkëndijat e besimit mund të mbanin gjallë zjarrin e erenlerëve, në këtë vend me mijëra kilometra larg nga foleja ku lindi bektashizmi. Prandaj gjej rastin sot t’ju uroj nga shpirti, me shpresën se Zoti i Lartë do mi dëgjoj lutjet.Është plotësisht e kuptueshme se ngritja e kësaj teqeje këtu në Detroit, zgjerimi i saj në hapësira të reja shpirtërore dhe fizike, shndrimi në një vatër atdhetarie të përjetshme, lidhen në mënyrën më organike me veprën dhe jetën e baba Rexheb. Gurët e themelit të vendosur nga ai shenjtor, në majin e largët të vitit 1954, ishin dëshmia më e madhe se çdo vepër e ngritur mbi dashurinë e të Madhit Zot, është e destinuar të rritet dhe të jetojë në pafundësi, gjithmonë nëse ecet në udhët e Tij, në stacionet e ndriçuara prej Tij. Këta gurë të rëndë themeli janë ndërkaq Shembull për ne, klerikët dhe besimtarët e sotëm, për të mbajtur gjallë traditat më të vyera, për të dëshmuar në çdo hap përpjekjet për t’u afruar virtyteve më të bukura, duke hedhur dritë në shpirtra për të arritur përsosmërinë e tyre. Për njerëzit vullnetmirë, përsosja e shpirtit nuk ka fund.
Te nderuar te pranishem dhe ju qe na ndiqeni nepermjet ekranit.
Siç e dini unë kam ndarë mese 10 vite të mija duke sherbyer në këtë teqe, dhe me të paharruarin baba Arshi. Në qindra e qindra biseda, baba Arshiu përcillte figurën mistike të myrshidit tonë, baba Rexhebit kurdoherë përmes mallit të patretur dhe amanetit të përjetshëm për Shqipërinë. Si rrallëkush në historinë e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror, këta dy klerikë, mbajtën të pashuar në shpirtrat e tyre jo vetëm mallin për vatanin, por edhe shpresën e madhe se drita e Zotit do të kthehej serish atyre anëve. Jo vetëm unë por edhe shumë nga ju të pranishëm sot në këtë sallë, do të kujtojmë gjatë memorien e çuditshme të këtyre klerikëve për Gjirokastrën dhe Vlorën, për njerëzit e kolonjes, për burrat që u dalin zot fateve të kombit, në ditët më të vështira për të. 
Në misticizëm, shpesh largësitë fizike janë të papërfillshme, ndërsa në rastin e këtyre dy klerikëve, në kuptimin e mijëra kilometrave për tek atdheu, ato nuk ekzistonin fare.
Motra dhe vëllezër! 
Këta rreshta dua t’i mbyll me lutjen që myrshidi dhe shenjtori ynë, baba Rexhebi përfundonte fjalën e tij të urtë në vitin e largët 1964, në dhjetëvjetorin e krijimit të teqesë. Midis të tjerave ai do të kumtonte: “Me kaq i lutem të Madhit Zot, që të mbrojë kurdoherë Amerikën, vendi që na strehon me kaq bujari dhe Shqipërinë, vendi ku pamë për herë të parë dritën e diellit. Dhe përfundojë me fjalët e engjëjve të Zotit: “Paqe në tokë njerëzve me vullnet të mirë!”
Edhe njëherë ju faleminderit të gjithëve ju që erdhët sot në këtë kremtim të shënuar të përvjetorit të kalimit nga jeta të baba Rexhebit! Paçi uratat e tij!
Gezuar tju gjeje edhe Kurban Bajrami! 
Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin! 
Nje falenderim I posaçem u percoll per sponsorat e darkes: 
1-Nency Topulli 
2-ilir Hasani 
3-Fatmir Adem 
4-Hysen Halim 
5-Mynyr Zeqir Nazifi 
  
Pijet u sponsorizuan nga z.Mentor Rama.
 
DEGA E VATRES UROI DERVISH ELTION PASHAI PER KURBAN BAJRAMIN
 
Me rastin e festes se Kurban Bajramit , dega e Vatres ne Detroit, e perfaqesuar nga z. Alfons Grishaj dhe Kryetari Mondi Rakaj, uruan dervish Eltion Pashai.Zyrtare te Vatres ne Michigan , bene nje vizite ne Teqen Bektashiane per te uruar Festen e Kurban Bajramit. 
Ne biseden vllazerore , me Kreun e Teqes, Dervish Helidon Pashain, u permend edhe figura e Vatranit te madh , Baba Rexhepit, i cili kontribuoi fuqishem perkrah, figurave te medha te Vatres. 
Teqja Bektashiane, ka qene dere e hapur per Vatren ne vite, ku kane milituar figura kryesore si Rifat Gurrazezi me shoke.  
Kreu i Teqes Bektiashiane beri disa sugjerime te nevojshme per Vatren, te cilat u pranuan me kenaqesi nga perfaqesuesit te Vatres. 
Me kete rast Dega e Vatres Michigan, i uron te gjithe besimtaret Bektiashiane dhe Muslimane, Gezuar Kurban Bajramin.

Filed Under: Featured Tagged With: Teqeja e Detroit-Dervish Eltion Pashai- Vatra

SI ESHTE E MUNDUR?

August 10, 2019 by dgreca

-Tiranë, enigma e Memorialit kushtuar viktimave të grushtit të shtetit në Turqi-

Në Tiranë, me rastin e 3 vjetorit të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, në 15 korrik të vitit 2016, është ngritur një Memorial kushtuar viktimave të asaj ngjarjeje. Ky fakt u zbulua vetëm sot nga mediat shqiptare, ndonëse veprimtaria, në të cilin ka marrë pjesë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, është zhvilluar pikërisht më 15 korrik. Veprimtaria ka nisur me një marshim nga qendra e Tiranës, ka përfunduar në një nga zonat e Parkut të Liqenit, ku sipas një postimi në Facebook, ambasada turke në Tiranë, bën të ditur se “me pjesëmarrjen e vëllezërve dhe motrave shqiptare, me sukses dhe me krenari inauguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Veprimtaria duket se është organizuar nga ambasada turke, ndërkohë që mbetet i paqartë roli i Bashkisë së Tiranës. Në faqen e saj zyrtare nuk ka asnjë njoftim, qoftë dhe për pjesëmarrjen e nënkryetarit Mazniku. Por nga ana tjetër emërtimi i një rruge apo një parku, është kompetencë e Bashkisë dhe Këshillit bashkiak që merr në fund vendimin. Nga një vështrim i vendimeve të publikuara në faqen e Këshillit Bashkiak, nuk rezulton të ketë patur një të tillë lidhur me ‘’Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut’’ dhe ‘’Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Interesimit të Zërit të Amerikës për të kontaktuar dhe intervistuar një nga drejtuesit e Bashkisë lidhur me çështjen e Memorialit, një zëdhënës i Bashkisë tha se duhej kontaktuar Ministria e Jashtme. Kjo e fundit i shpjegoi zyrtarisht Zërit të Amerikës se nuk ishte përfshirë në asnjë formë dhe mënyrë në veprimtarinë për Memorialin apo inaugurimin e ‘’Rrugës së Dëshmorëve të 15 Korrikut’’ dhe ‘’Parkut të Demokracisë së 15 Korrikut”.

Në fakt, duket se bëhet fjalë për një ngjarje të pazakontë, pasi në Shqipëri, nuk rezulton të ketë monumente dedikuar ngjarjeve të ndodhura në një shtet të huaj, siç ishte rasti i grushtit të dështuar të shtetit, për të cilin autoritetet turke fajësuan klerikun Fetullah Gülen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO.

Tre ditë pas këtij zhvillimi në Tiranë, kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, siç shpjegoi vetë kreu i Qeverisë, i vënë jo rrallë në shënjestër për raportet e tij të afërta, me kreun e Shtetit turk. Pak ditë më vonë në Tiranë mbërriti për një vizitë ministri i brendshëm turk, Süleyman Soylu, i cili deklaroi në një intervistë për mediat turke se kishte diskutuar me homologun e tij shqiptar Sandër Lleshaj si dhe me kryeministrin Edi Rama “për luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre në këtë drejtim”, tha ministri turk, duke shtuar se ndjehej i kënaqur nga “qasja e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm ndaj FETO-s”.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Enigma e Memorialit-Viktimat e grushtitit te shtetit-Turqi

USHTRIA E KOSOVËS, REALITET- BETOHEN 347 REKRUTË TË RINJ

August 9, 2019 by dgreca

-Në Kosovë 347 ushtarë-rekrutë  të rinj të FSK-së betohen solemnisht për shërbim ndaj Atdheut/

-Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli para Ushtrisë së Kosovës: Kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë dhe të paprekshëm/

-Ministri i Mbrojtjes,  Rrustem Berisha në betimin e rekrutëve të rinj: Ju jeni gjenerata e parë e ushtarëve që keni nderin t’i bashkoheni FSK-së me mandat të ri ushtarak/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 9 Gusht 2019/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të Ushtrisë së Kosovës, tha se shteti ynë nuk e kërcënon askënd, por as nuk do të lejojë askënd ta cenojë atë. 

Ai tha se integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë, të paprekshëm, sot dhe përgjithmonë. 

Para kadetëve të rinj, kryeparlamentari Veseli e konsideroi ditën e sotme ditë krenarie për të gjithë, ndërsa të qenit pjesëtarë të ushtrisë më të re në botë, ai e cilësoi privilegj për të cilin do të kenë lakmi gjeneratat që do të vijnë pas. 

“Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, të lindur e zhvilluar në partneritet me NATO-n, Aleancën më të fuqishme në botë, garantuese e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Ne sot ndihemi krenarë me ju. Ne besojmë në përkushtimin atdhetar dhe profesionalizmin tuaj. Ju e keni nderuar atdheun kudo që keni marrë pjesë në garat ndërkombëtare, njësoj si sportistët tanë. Ju u keni dëshmuar aleatëve tanë seriozitetin dhe gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e misioneve të përbashkëta në të mirë të paqes e njerëzimit. Me ju Kosova ndihet më e sigurtë në të tashmen dhe të ardhmen e saj”, theksoi Veseli. 

 Ai shtoi se Kosova po ndërton një ushtri e cila pasqyron shpirtin liridashës të popullit tonë, vlerat mbi të cilat qëndron shteti i pavarur e sovran i Kosovës dhe vizionin tonë për të marrë vendin që na takon në strukturat politike dhe ushtarake perëndimore. 

“Ushtria e Kosovës është sot element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ushtria e Kosovës do të vazhdojë procesin e fuqizimit e profesionalizimit të saj, për tu bërë gati për fazën e anëtarësimit në NATO”, theksoi Veseli, duke paralajmëruar rritjen e buxhetit për ushtrinë. 

Kreu i Kuvendit tha se ka një ëndërr për ta bërë Kosovën vend të zhvilluar, e të begatshëm për të gjithë qytetarët e saj.

Në kazermën “Adem Jashari” të Forcë së Sigurisë të Kosovës në Prishtinë, në prani të ministrit të Mbrojtjes,  Rrustem Berisha dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhanë betimin solemn për shërbim në FSK 349 rekrutë të rinj, pas përfundimit të Trajnimit Bazik nëntë-javorë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.

Në ceremoninë e betimit të rekrutëve të rinj, gjenerata e parë e FSK-së me mandat të ri, ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i FSK-së, Kadri Kastrati, drejtori i Ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s për FSK-në (NALT), si dhe gjeneralë të FSK-së, KFOR-it, atashe ushtarakë të akredituar në Kosovë dhe familjarë të rekrutëve të rinj.

Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha foli për rëndësinë e betimit të ushtarit për shërbim ndaj vendit. “Kjo është një datë me rëndësi për karrierën dhe jetën tuaj, për FSK-në, Ministrinë e Mbrojtjes dhe shtetin e Kosovës. Nuk ka detyrë më të ndershme se sa t’i shërbesh vendit dhe të kontribuosh në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe më gjerë. Ju jeni gjenerata e parë e ushtarëve që keni nderin t’i bashkoheni FSK-së me mandat të ri ushtarak. Si Ministër i Mbrojtjes, jam krenar  me vajzat dhe  djemtë  tanë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, të cilët me sukseset e tyre në shkollat dhe trajnimet e përfunduara në akademitë e  ndryshme të vendeve të NATO-s, kanë treguar performancë të shkëlqyer dhe kanë përfaqësuar me nder FSK-në. Pres që edhe ju ta ndiqni shembullin e tyre”, u shpreh ministri Berisha .

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama para ushtarëve të rreshtuar, u shpreh: “Kam kënaqësinë  dhe nderin që si Komandant i FSK-së të ju drejtohem juve ushtarë të nderuar, për përfundimin me sukses të Trajnimit Bazik. Ky trajnim, i cili ka zgjatur 9 javë, ka vendosur themelet bazë për karrierën tuaj ushtarake. Ky profesion fisnik kërkon angazhim dhe përkushtim maksimal për t’i shërbyer vendit me nderë dhe dinjitet. Prandaj, unë sot jam shumë i lumtur që ju jeni ata të cilët me angazhimin tuaj keni dëshmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës,  nga sot, në radhët e veta do t’i ketë djemtë dhe vajzat më të zotë e këtij vendi”.

Komandanti i FSK-së në fund pati edhe një këshillë për ushtarët e rinj;  “Gjatë karrierës tuaj, ju do të ballafaqoheni me sfida të ndryshme, andaj nga ju pritet që të jeni të disiplinuar, të përkushtuar, dhe gjithmonë të përgaditur t’i kryeni detyrat sipas udhëzimeve të eprorëve tuaj”.

Me Lavdatë për sukseset e lartë të arritur gjatë stërvitjes u shpërblyen rekrutët: Shpetim Halilaj, Luan Gashi, Diar Statovci, Donika Rexhepi, Blerta Veliu, Edmond Thaçi, Altin Krasniqi, Ermeka Muja, si dhe për shkathësi të lartë fizike u shpërblyen Gentrit Gashi dhe Doruntinë Cana.

Rekrutët të cilët sot u certifikuan dhe bënë betimin për shërbim janë gjenerata e parë për vitin 2019. Gjithsejtë 337 rekrutë, prej tyre 52 të gjinisë femërore dhe 22 pjesëtarë nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Filed Under: Featured Tagged With: Betohen Rekrutet e rinj-FSK-Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 319
  • 320
  • 321
  • 322
  • 323
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT