• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prizreni në festën e Dokufest, me të vërtetën…

August 3, 2019 by dgreca

-Dokufest, mirëseardhje përsëri festivaleve partnere nga North South Documentary Network, AmDocs nga Palm Springs (Kaliforni) dhe DocsMX nga Meksiko Siti me përzgjedhjet e tyre përkatëse, duke ofruar kështu një dritare përmes së cilës shikohen filma të rinj që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksika/

-Në ditët e Dokufest edhe “Ecje historike nëpër Prizren” në organizimet e posaçme për diasporën/ 

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRIZREN, 3 Gusht 2019/ Nisi në Prizren në atmosferë feste Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest, në edicionin e 18-të, me sloganin “Truth Lies Here”, me temë të vërtetën përballë rrenave, me një video vetëm 2 minuta e 25 sekonda, ku mes tjerash derisa në ekran shfaqen fjalët e së vërtetës “Kosova është Kosovë” dëgjohet në serbisht rrena “Kosova është Serbi”.

Para fillimit mbrëmjen e djeshme, organizatorët kanë paralajmëruar: “Duke zgjedhur TË VËRTETËN si temë të edicionit të 18 të festivalit, DokuFest i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo na ndikon të gjithëve. Në atë që premton të jetë një program i filmave radikalë, me një numër folësish që do të diskutojnë nocionin e së VËRTETËS, si në kinema ashtu edhe në botë dhe përmes një programi të ekspozitave të hapura, ligjëratave nga artistë të ndryshëm, punëtori bashkëpunuese si dhe performanca muzikore të larmishme, ne ju ftojmë t’i bashkoheni këtij udhëtimi shumëgjyrësh mes realitetit dhe fantazisë, gënjeshtrave subjektive dhe të vërtetave objektive – politikës në një botë të globalizuar dhe peisazhit dixhital të së post-vërtetës”.

Në ceremoninë e hapjes në kono “Lumëbardhi”, ndryshe nga herët tjera, nuk kishte fjalime të rganizatorëve e drejtuesëve të Dokufest, ku prej 2 deri në 10 Gusht  2019 rreth 280 filma do të shfaqen në kinematë  në qytetin e Prizrenit që nga buzëlumi e deri lart te Kalaja.

Drejtor Artistik i Dokufest, Veton Nurkollari, duke shprehur kënaqësi të madhe dhe uruar mirëseardhje në Prizren dhe në edicionin e 18-të të festivalit, mes tjerash, ka shkruar: “Jemi të lumtur që vazhdojmë bashkëpunimin me Akademinë Evropiane të Filmit në sjelljen e EFA Short Matters për herë të shtatë radhazi në DokuFest. Jemi po aq të lumtur t’i urojmë mirëseardhje përsëri festivaleve tona partnere nga North South Documentary Network, AmDocs nga Palm Springs (Kaliforni) dhe DocsMX nga Meksiko Siti me përzgjedhjet e tyre përkatëse, duke ofruar kështu një dritare përmes së cilës të shikojmë filma të rinj që vijnë nga SHBA-të dhe Meksika”.

Mes pjesëmarrësve të shumtë në Dokufest-in e Prizrenit janë edhe shqiptarët nga diaspora, të ardhur nga shumë vende të botës për pushimet e verës në atdhe. “Ecje historike nëpër Prizren” është aktiviteti që zhvillohet sot, i pari i organizimeve të posaçme të Dokufest për diasporën-mërgimtarët e ardhur në vendin e tyre…

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Ndërsa para 20 viteve, në 15 Korrik 1999, në qytetin historik të Lidhjes Shqiptare, Prizren, ishte aktiviteti i parë i përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri i pas luftës – një koncert  i artistëve shqiptarë për festimin e arritjes së lirisë së Kosovës.(Per me shume fotografi shihni ne Facebook Dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Hashari-Prizreni-DOKU

IDAHO- SHTETI MARGARITAR I AMERIKES

August 1, 2019 by dgreca

Nje rastesi – nje pervoje e bukur profesionale e jetesore dhe nje rajon magjepes i Amerikes/

NGA SADIK ELSHANI/

 Lajmi ne disa gazeta e portale elektronike se qyteti Moscow ne shtetin Idaho eshte perzgjedhur qyteti me i mire per te rritur familjen dhe njeri nder qytetet me te jetueshenm ne Amerike me shtyri qe t’i shkruaj keto radhe, sepse edhe une me familjen time kemi jetuar per disa vite ne kete qytet, eshte bere pjese e jetes sone.

Ne jete nganjehere ndodh si ne libra si neper filma qe rastesisht degjojme ndonje emer, takojme nje person dhe pak me vone ai person, ajo ngjarje behet edhe pjese e jetes sone. Sa rastesi kane ndodhur qe kane percaktuar fatin e nje njeriu, madje edhe te nje shteti, populli. Vetem ne filmin “Doktor Zhivago” sa rastesi ndodhin te cilat e percaktojne fatin e dy personazheve kryesore. Keto nuk ndodhin vetem neper filma, romane, opera, por ndodhin edhe ne jeten e pernjemendte (reale). Diçka e ngjashme me ka ndodhur edhe mua. Ndoshta po zgjatem pak ketu, por per te qene rrefimi sa me i plote, sa me i kuptueshem per lexuesin, duhet nisur nga fillimet e para. Jam lindur e rritur ne Kosove, ndersa studimet e larta dhe ato posdiplomike (magjistraturen) i kam perfunduar ne Universitetin e Zagrebit. Per punimin e temes se magjistratures mentore e kam patur nje profesoreshe, e cila vite me pare kishte punuar ne laboratorin e nje profesori amerikan ne Virxhinia dhe ata e kishin vazhduar korresondencen dhe bashkepunimin e tyre shkencor edhe pas kthimit te saj ne Zagreb. Per lemine ne te cilen une punoja, per bashkedyzimet qe une i sintetizoja, profesori ishte mjaft i interesuar. Kur e perfundova magjistraturen, profesoresha e njoftoi profesorin amerikan per sukseset e mia dhe ai i kishte thene asaj se, ai me gjithe deshire do te me pranonte ne laboratorin e tij per nje qendrim dyvjeçar per t’i çuar edhe me tutje hulumtimet e mia. U morem vesh me profesoreshen qe une ato rezultate qe do t’i arrija ne laboratorin e profesorit, mund t’i perdorja edhe per disertacionin tim. 

Qyteti per te cilin kurre nuk kisha degjuar, pjese e bukur e jetes sime – krejt rastesisht

Ne fund te qershorit te vitit 1988 erdha ne Kansas City, Missouri, sepse tani profesori ishte shperngulur nga Virxhinia dhe punonte ne Universitetin e Missourit, ishte edhe dekan i fakultetit. Nje here ne jave i mbanim takimet e grupit ku i paraqisnim rezultatet tona dhe bisedonim per çeshtje te ndryshme qe kishin te benin me punen shkencore, gjendjen ne laborator, etj. Nje here me ndodhi qe te shkoja pak me heret ne sallen ku i mbanim takimet e grupit dhe derisa po prisja, nga rafti me libra e revista shkencore e mora nje reviste shkencore (Journal of Bilogical Chemistry) dhe po e shfletoja, syte me hasen ne nje punim te nje grupi nga Universiteti i Idahos dhe qyteti ku ndodhej ky universitet quhej Moscow. Une u habita shume se atehere ende ishte lufta e ftohte ne mes ShBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik dhe mua m’u duk pak e çuditshme sesi ne ato rrethana mund te ekzistonte nje qytet ne Amerike qe e mbante emrin e kryeqytetit te nje shteti me te cilin kishin aq shume mospajtime, armiqesi e perplasje ideologjike. Nuk di si te shprehem per kete, por nga kenveshtrimi, nga botekuptimi im i asaj kohe im m’u duk diçka ironike, syreale, gati e pabesueshme. Dua te shtoj se une atehere nuk kisha degjuar as per ndonje shtet me emrin Idaho dhe as qe e dija se ne cilen pjese te ShBA-ve ndodhej.Nejse, koha po ecte, punet ne laborator me shkonin shume mire. Pas nje viti erdhi edhe e fejuara ime nga vendi i saj per te studiuar ne Konservatorin e Muzikes, ne te njejtin universitet dhe pas ca kohesh edhe u martuam. Pas nje viti lindi vajza jone. Qendrimi im tani po mbaronte ne Kansas City, ndersa bashkeshortja ime ende ishte duke i vazhduar studimet. Para lindjes se vajzes, erdhi nena e saj dhe pastaj ajo kujdesej per vajzen. Ndoshta kam mundur te vazhdoja edhe per ca kohe ne laboratorin e profesorit, por mua nuk me konvenonte, sepse ai ishte biokimist, ndersa une jam kimist organik dhe deshiroja te merresha me lemine time ku ndihem me i forte, me i sigurte dhe ku mund te beja me shume. Ate kohe gjendja ne Kosove ishte perkeqesuar shume, shqiptaret ishin debuar nga puna, Universiteti ishte mbyllur, etj. Nuk po flas me teper per gjendjen ne Kosove gjate viteve te 90-ta, sepse ato dihen mire dhe nuk jane objekti kryesor i ketij shkrimi. Pra, ne ato rrethana te krijuara ne Kosove dhe rrethanat e krijuara familjare nuk me mundesonin kthimin tim ne Kosove, ashtu siç e kisha planifikuar une pas qendrimit tim dyvjeçar ne laboratorin e profesorit. Per shkak te gjendjes sime familjare u mundova te gjej diçka te pershtatshme ne Kansas City apo ne rrethinen e tij, por nuk pata sukses, sepse edhe kisha disa kufizime per shkak te llojit te vizes qe kisha (J-1, per te punuar ne institucionet arsimore, akademike). Por, as nuk i kisha kontaktet dhe pervojen qe e kam sot. Kah fundi i qendrimit tim ne Kansas City ne departamenti e kimise, per te mbajtur nje ligjerate kishte ardhur nje profesor nga Universiteti i Idahos dhe ligjerata e tij kishte te bente me nje lemi ne te cilen une kisha punuar per temen time te diplomes, ndersa disa bashkedyzime te ngjashme i kisha perdorur edhe per punimin tim te magjistratures. Pas ligjerates u takova dhe bisedova me profesorin per problematiken qe ai e trtajtonte dhe çka mund te behej ne te ardhmen per ta zgjeruar, per ta thelluar edhe me shume kete problematike. Gjate bashkebisedimit tone ai me tha se per kete kishte nevoje per nje kimist organik qe te sintetizonte bashkedyzimet per studimet e tija te metutjeshme. Une i tregova per pervojen time ne ate lemi dhe per pergatitjen time akademioke, profesionale. Tani une fillova te interesohesha per Universitetin e Idahos dhe qytetin me emrin pak te çuditshem per rrethanat e asaj periudhe, Moscow. Une i ardhur thuaja nga nje bote tjeter ku ishim mesuar qe çdo gje te ishte e perqendruar ne kryeqytet dhe ne qytetet e medha, kisha dyshime per cilesine e universitetit dhe jeten ne ate qytet te vogel. Bisedova me nje profesor qe e njihja mire dhe e pyeta se mos kishte degjuar per universitetin dhe qytetin ne fjale. Po, tha, eshte universitet dhe qytret shume i mire dhe me sugjeroi qe te bisedoja me profesorin Da Sena (njeri nga profesoret e shkolles/fakultetit ku une punoja), sepse ai per disa vite kishte punuar ne ate universitet. Edhe profesori Da Sena me foli shume fjale te mira dhe nder te tjera, shtoi: Po te kisha per te rritur nje femije, do ta rrisja ne Moscow, Idaho. Pastaj, edhe vete shkova ne biblioteke dhe lexova mjaft literature per shtetin e Idahos. Me profesorin nga Idaho per disa muaj kishim korrespodence me njeri – tjetrin, sepse per nje kohe ai kishte edhe nje qendrim studimor jashte Amerikes. Me ne fund e caktuam kohen per shkuarjen time atje dhe ne prill te viti 1990 arrita ne Moscow, Idaho ku ishte Universiteti i Idahos. Aty qendrova per 7 vite dhe kam patur nje pune mjaft prodhimtare shkencore (punime shkencore, patente, pjesemarrje ne konferenca shkencore). Nje pjese te punes e kam shfrytezuar edhe per disertacionin tim. Ne mars te vitit 1993 aty lindi edhe djali yne, ndersa bashkeshortja vazhdonte fakultetin e mesuesise per t’u çertifikuar si mesuese. Me pare ajo e kishte kryer magjistraturen ne Kansas City. Vajza ime e lindur ne vitin 1990 ishte nje vjeçare kur ka ardhur ne Moscow.

Idaho – Shteti margaritar

Idaho eshte nje shtet ne veriperendim te ShBA-ve i njohur per bukuri te rrala natyrore: male te larta te mbuluara me pyje e lumenj te kulluar, liqene piktoreske, kanjone te thella. Eshte shume i pasur edhe me minerale, xehe, kryesisht: argjent, baker, zink e ar. Prandaj, eshte i “pagezuar” me emrin perkedheles (nofken), “Gem State” (“Shteti Margaritar”, “Shteti i Gureve te Çmueshem”), sepse gati çdo mineral ndodhet ne kete shtet. Shteti eshte i njohur per prodhimin e patates te nje cilesie te larte, nje e treta e patateve te Amerikes prodhohen ne Idaho. Deget kryesore te ekonomise jane: shkenca dhe teknologjia e larte, xehtaria, bujqesia dhe turizmi. Natyra e bukur malore, kanjonet dhe lumejtee rrembyeshem jane duke terhequr nje numer te madh te entuziasteve te veprimtarive ne natyre (angl.outdoors). Ndersa ne dimer sportet dimerore jane mjaft te popullarizuara, pasiqe Idaho ka disa qendra te rendesishme te skijimit. Mundesite e shumta ekonomike e profesionale, cilesia e larte e jeteses, natyra e bukur jane duke terhequr mjaft banore te rinj qe jane duke u vendosur ne Idaho, kryesisht nga Kalifornia, por edhe shtetet tjera. Numri i popullsise ne periudhen 1990 – 2010 eshte shtuar per 55%. Idaho eshte shteti qe eshte duke u rritur (shtuar) me se shpejti ne tere vendin. Banoret e ketij shteti e duan natyre dhe kujdesen per mjedisin – ata jane shume te dhene pas veprimtarive ne natyre (outdoors). Sa per kurreshtje po permend se nje vendbanim ne Idaho, Arco, eshte i pari ne bote qe eshte ndriquar i teri nga energjia nukleare, vetem per nje ore me 17 korrik, 1955. Kjo edhe per shkakun se ne afersi ndodhet Idasho National Laboratory, njeri nga laboratoret me te medha kombetare, qe kryesisht merret me hulumtime e studime nukleare per perdorimin paqesor. Me kete laborator kemi bashkepunuar me vite te tera, njeheresh ka qene edhe financuesi  shume projekteve tona. Nuk po zgjatem me teper, sepse ka shume per t’u thene per shtetin Idaho, por per dashamiret e letersise po shtoj se ne fund te jetes se tij ne kete shtet, ne qytezen Ketchum ka jetuar shkrimtari e publicisti me fame boterore, Ernest Hemingway (1899 – 1961). Ketu e ka perfunduar edhe jeten e tij me vetevrasje, pas krizave mendore qe kishte perjetuar kohe me pare.

Moscow – vendbanimi me i mire ne ShBA per te rritur familjen

Qyteti Moscow shtrihet ne pjesen veriore te Idahos pergjate kufirit me shtetin Washington, ne rajonin e bukur dhe unik te quajtur, Pauluse, per te cilin do t’i themi disa fjale pak me vone. Banoret e pare (kolonet) kane filluar te vendosen ne vitin 1871.Ne vitin njihet si vendbanim, qytyeze. Ne vitin 1872 njihet me emrin Paradise Valley, ndersa ne vitin 1875 e merr emrin me te cilin njihet edhe sot, Moscow. Kjo u duket te gjitheve shume interesante pasi qe menjehere u sjell ndermend kryeqytetin e Rusise, Mosken. Por, nuk ka prova bindese se ky emer lidhet me emrin e kryeqytetit te Rusise, Kur jane mbledhur disa banore per ta emeruar qytetin me ndonje emer te pershtatshem, ata nuk kane arritur te pajtohen per ndonje emer, atehere pergjegjesi i postes, Samuel Nef, ne vitin 1875 i ka kompletuar dokumentet zyrtare dhe e ka zgjedhur emrin, Moscow. Samuel Nef ka lindur ne Moscow te shtetit te Pennsylvanias dhe me vone eshte vendosur ne Moscow te shtetit Iowa. Thuhet se kodrinat qe e rrethonin kete vendbanim ia kane kujtuar atij qytetin e lindjes me emrin Moscow. Eshte edhe nje spjegim tjeter per emrin e qytetit qe e lidhin me emrin “Masco” te nje fisi te amerikaneve vendas (indianeve), te cilet jetojne ne keto ane. Ne ShBA ndodhen mbi njezet vendbanime qe e mbajne emrin Moscow.

Moscow eshte nje qytet i vogel (25 mije banore), por shumi i bukur dhe i qete, qe nuk ballafaqohet me problemet e qyteteve te medha amerikane: krimi, drogat, vjedhjet, etj. Qyteti i ka 17 parqe te shperndare ne te gjitha anet e tij – shko me femijet ne park ne çdo kohe te dites dhe ne çdo kohe te mbremjes dhe kurre asgje e keqe nuk do te ndodhe. Ka nje nje sistem shume cilesor e te organizuar mire te shkollave publike, biblioteke te pasur publike, ku zhvillohen mjaft programe e veprimtari, sidomos ato per femije. Keta faktore, por edhe disa faktore te tjere: Numri potencial i shokeve te lojes, d.m.th., perqindja e popullsise; nen moshen 6 vjeçe; shkalla e shendetit te femijve; mundesia e banimit dhe alternativat e transportit; shpenzimet per kujdesin e femijve; numri i çerdheve per femije, e kane bere Moscow -n per te dyten here radhazi vendbanimin me te mire ne Amerike per te rritur familjen, per t’i rritur femijet. Siç cekem edhe me lart, ne Moscow eshte i vendosur UniversitetiiI Idahos, themluar ne vitin 1889, ndersa dyert i ka hapur ne vitin 1892. Ky eshte universiteti me i vjeter, me i madh dhe me cilesor ne shtetin e Idahos, ku perveç procesit mesimor, akademik, zhvillohet edhe nje veprimtari e dendur shkencore. Eshte i njohur per Fakultetin e Pylltarise dhe Jetes se Eger, Fakultetin e Bujqesise, etj. Departamenti i kimise, ku kam punuar per 7 vite, eshte nje department i nje cilesie mesatare, por ne mesin e pedagogeve te tij i ka tre kimiste te rangut boteror, te cilet jane nder specialistet me te njohur ne lemite e tyre perkatese. Per shume vite kryeshef ka qene profesori Malcolm Renfrew (1910 – 2013), i cili kur ka punuar ne Du Pont ka qene pjese e grupit qe e kane zbuluar teflonin. Profesori Renfrew ka merita te jashtezakonshme per ngritjen dhe zhvillimin e Departamentit (Deges) se Kimise ne Universitetin e Idahos. Universitetin e Idahos e ndjekin mbi 12 mije studente ng ate gjitha shtetet e ShBA-ve dhe shume shtete te botes. Ne mjediset e universitetit zhvillohen gjate tere vitit shume veprimtari kulturore, sportive, ligjerata, qe e bejne edhe me te gjalle e me cilesore jeten e qytetit dhe banoreve te tij. Ne shkurt te çdo viti organizohet Festivali i Jazzit, qe e mban emrin e muzikantit te njohur te jazzit, Lionel Humpton (1908 – 2002). Po ashtu, edhe Shkolla (Akademia) e muzikes e mban emrin e tij. Ai edhe ne moshe te shtyre merrte pjese ne koncerte duke lozur instrumentin e tij, vibrafonin. Gjate ketij festivali, qe zgjat per disa dite, shfaqen mjaft konceret, zhvillohen gara muzikore dhe shume punetori (angl., workshop) e klase,ore  mjeshterore (angl., masterclass). Ne maj tradicionalisht organizohet Festivali i Renesances (Renaisance Festival), ku paraqiten shume grupe muzikore, artizanate, zhvillohen gara sportive e luftarake te stilit te mesjete, ndersa shume pjesemarres vishen me veshje te asaj periudhe historike. Nuk mungojne as ushqimet e shijshme e te llojllojshme. Ne periudhen maj – tetor, çdo te shtune organizohet Tregu i Fermereve (Farmers Market), ku bujqit (fermeret) e atij rajoni i sjellin ne treg prodhimet e tyre: fruta e perime te fresketa e cilesore, bulmetra, ndersa artizanet i sjellin punimet e tyre ne dru, metal, qeramike, argjil, qelq, prodhime te pelhures e leshit. Shume grupe muzikore – artistike shfaqin koncerte, pjese dramatike, rrefime, histori gojore. Moscow ka mjaft restorante dhe lokale ku njerezit mund ta kalojne kohen, te argetohen. Ne Moscow ndodhet edhe nje librari mjaft e pasur, libraria me e mire qe ndodhet ne mes te Miniapolisi-t e Seattle-it. Kjo fale pronarit qe ishte nje liberdashe i pasionuar. Edhe pse nje qytet i vogel, Moscow ofron nje jete cilesore dhe aspak monotone, ndersa per femijet nje jete te lumtur. Kete e them jo vetem nga ato qe lexojme ne shtyp e mediat elektronike, por edhe nga pervoja vetjake. Nga Moscow jemi vendosur per 3 vite ne Texas, ne qytetin Lubbock, ku kam punuar ne Texas Tech University. Ndersa nga viti 1998 e deri me sot jetojme ne Philadelphia. Kur i pyes femijet e mi se ku kane jetuar me mire, ku kane qene me te lumtur, ata pergjigjen pa kurrefare hezitimi: Moscow, Idaho. Sigurisht kjo per arsyet qe u ceken me lart.

Palouse – Toscana e Amerikes

Palouse (lexohet: Pollus) eshte nje rajon i veçante gjeografik ne Veriperendim te ShBA-ve qe perfshine disa pjese qendrore veriore te Idahos, Juglindjen e shtetit Washington dhe disa pjese verilindore te shtetit Oregon. Eshte nje krahine e rendesishme bujqesore, qe kryesisht prodhon drithera: grur e elb dhe legume: bizele, fasule, qiqra, etj. Toka eshte mjaft pjellore dhe jep rendimente dy here me te larta se mesatarja amerikane. Trualli perbehet nga njfare “loess, siç e quajne ne anglisht, dicka ne mes te reres dhe argjiles. Perberja e dheut qe e mban lageshtine, pranverat me shi, verat e thata e me diell dhe netet e fresketa jane nje gershetim i pershtatshem per keto rendimente te larta. Viteteve te fundit eshte duke u zhvilluar edhe vreshtaria. Ne kete rajon ndodhen dy universitete: Universiteti i Idahos dhe Washington State University ne Pullman. Keto dy universitete bashkepunojne ngusht me njeri – tjetrin dhe se bashku i kane instrumentet, pajisjet sa te cilitdo universitet te madh amerikan. Por, ajo qe e ben te pashoq kete rajon eshte relieve i tij, kodrinat e buta rrotulluese, vale – vale, si valet e detit, si dunet ranore. Eshte ky peisazh magjeps, ne pranvere i teri i gjelberuar nga fushat e mbjella me kultura bujqesore e lule te egra shumengjyreshe, ndersa ne vere ky peisazh merr nje ngjyre te arte nga gruri, elbi i pjekur. Ky reliev i posaçem eshte formuar si rjedhim i ererave qe kur fryejne e bartin “loess-in”, kete sediment karakteristike te Palouse. Keto kodrina nuk paraqesin vetem nje peizazh te pakrahasueshem ne bote, por jane edhe shume te bukura per t’i shikuar – te kenaqet shpirti nga keto pamje piktoreske si ne pikturat e mjeshterve me te mire te arteve figurative, gershetimi i ngjyrave, toneve, hijeve dhe dritave te ketyre kodrinave si valet e nje deti te paskajshem. Vetem natyra e ka durimin dhe forcen magjike krijuese per mrekulli te tilla joshese. Pjese e ketij peizazhi jane edhe fermat, fshatrat dhe qytezat me arkitekturen dhe planimetrine karakteristike te ketyre aneve. Qe ne çastin e pare kur i kam shikuar keto kodrina valore magjepse, krejt natyrshem me kane sjell ndermend, me kane ngjallur krahasimin me nje tjeter krahine madheshtore, Toskanen e Italise – me nje ndryshim te vogel: ne Toskane mbizoterojne vreshtat, ndersa ne Palouse fushat e dritherave.  Dhe keto dite kur po beja ca hulumtime ne internet per kete rajon, hasa edhe nje artikull te botuar kohe me pare ne gazeten e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, me titull: “The Palouse, Tuscany of Amerika” (“Polouse, Toskana e Amerikes”). Palouse eshte nje rajon, vis ende i panjohur edhe per shume amerikane, por koheve te fundit ky rajon me kete topografi te rralle çdo dite e me shume eshte duke terhequr mjaft fotografiste, bicikliste, vezhgues te zogjve, etj.

Keshtu, krejt rastesisht shteti Idaho, qyteti Moscow, Universiteti i Idahos dhe rajoni piktoresk, Palouse jane bere pjese e bukur e jetes sime dhe te familjes sime, sidomos femijve te mi. Nganjehere jeta ruan ca befasi, ca te papritura te kendshme, ca rastesi qe na vijne si te porositura, te prituar prej kohesh… 

Philadelphia, korrik 2019

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Featured Tagged With: Sadik Elshani-Idahi-SHBA, Sadik Elshani-Idaho

Oda Amerikane ndan mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë

July 31, 2019 by dgreca

Mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë janë ndarë për importuesit më të mëdhenj të produkteve me origjinë të SHBA-së; eksportuesit më të mëdhenj të produkteve dhe shërbimeve nga Kosova në SHBA; për kompanitë që përfaqësojnë brendet amerikane në Kosovë; për organizatat që mbështesin shkëmbimin e studentëve, si dhe vlerat arsimore amerikane në Kosovë/ 

-Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett: Qeveria Amerikane është e përkushtuar të mbështesë jo vetëm bizneset amerikane por edhe popullin në Kosovë, komunitetin e biznesit, si dhe qeverinë për të ndërtuar prosperitet në vend/

PRISHTINË, 31 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ndau mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë, si vlerësim për kompanitë që në mënyrë aktive kanë kontribuar në fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett, tha se njëra ndër detyrat e cilitdo Ambasador Amerikan është të ndihmojë bizneset amerikane që të zgjerohen anembanë globit dhe kjo është kruciale për SHBA-në sepse krijon vende të punës dhe prosperitet në shtëpi, ofron produkte cilësore në treg, si dhe siguron rritje të qëndrueshme. Ambasadori Kosnett tha se Qeveria Amerikane është e përkushtuar të mbështesë jo vetëm bizneset amerikane por edhe popullin në Kosovë, komunitetin e biznesit, si dhe qeverinë për të ndërtuar prosperitet në vend.

Më tej, në fjalimin e tij, Ambasadori Kosnett tha: “Për momentin, rritja sillet rreth 4%. Kjo mund të tingëllojë mbresëlënëse, mirëpo Kosova prodhon për kokë banori vetëm rreth një të dhjetën e mesatares së Evropës. Kjo do të thotë se për të arritur trendin e rritjes në Evropë, ekonomia e Kosovës duhet të rritet 8% në vit për 30 vitet e ardhshme. Kosovës i nevojitet një ekspansion i sektorit privat për të realizuar këtë synim, ndërsa qeveria duhet të jetë më serioze në mbështetjen e sektorit privat. Është e rëndësishme që, pavarësisht formës së qeverisë së ardhshme, ajo duhet të jetë e përkushtuar për veprime konkrete për rritjen e fleksibilitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit privat të Kosovës. Që bizneset të mund të mbijetojnë, Qeveria duhet të zvogëlojë korrupsionin dhe të promovojë standardet profesionale në qeveri, biznes dhe edukim.”

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, vlerësoi pozitivisht për Kosovën rritjen e pranisë së brendeve dhe kompanive amerikane në Kosovë, gjë për të cilën Oda Amerikane angazhohet në vazhdimësi. 

“Jemi mbledhur për të dhënë mirënjohje kompanive anëtare të Odës Amerikane, të cilat kanë kontribuar në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, si dhe për kontributin e tyre në rritjen ekonomike të vendit, transferimin e teknologjisë, krijimin e vendeve të punës, dhe mbi të gjitha për ofrimin e shpresës për njerëzit e këtij vendi,” tha Zeka.

Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se Kosova dhe SHBA kanë marrëdhënie në fusha të ndryshme, mirëpo marrëdhëniet ekonomike janë më të mirat dhe më të fuqishmet. Prandaj, Ibrahimi shtoi se misioni i Odës Amerikane për këtë vit dhe vitet e tjera mbetet fuqizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së, dhe bizneset janë ato të cilat e bëjnë këtë të mundur.

Mirënjohjet e Partneritetit SHBA-Kosovë janë ndarë për importuesit më të mëdhenj të produkteve me origjinë të SHBA-së (Elkos, Fluidi, Allmakes Global Services, Meridian Corporation dhe Delfin Ltd); eksportuesit më të mëdhenj të produkteve dhe shërbimeve nga Kosova në SHBA (Stonecastle Vineyards & Winery, Devolli Corporation dhe Kosbit); për kompanitë që përfaqësojnë brendet amerikane në Kosovë (Coca Cola HBC, Microsoft, Cisco, Contour Global, Gjirafa inc., Grant Thornton, Deloitte, Ingram Micro, Sutherland, Fingermarket, Finca, Prosperoware, KAN – Kentucky Fried Chicken, Balkan Foods – Burger King, American Hospital, Brovina – Hertz, Auto trade – Avis, Ford Kosova Motors, KCC – TNT & Fedex, Teknoxgroup – Caterpillar, Unioni Financiar – Western Union, Vllesa Co – RIA, Capital – RIA, Art House – Xerox, Komtel – General Electrics dhe Melita & partners – Intuit); si dhe krejt në fund për organizatat që mbështesin shkëmbimin e studentëve, si dhe vlerat arsimore amerikane në Kosovë (Kosovo American Education Fund, R.I.T. Kosovo, American School of Kosova.)/b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Partneritet ekonomik-Oda Amerikane- Kosova

230 VJETORI I DIPLOMACISE AMERIKANE 1789-2019

July 31, 2019 by dgreca

Marrëdhëniet Diplomatike Shqiptaro-Amerikane/
                                            Nga Frank Shkreli*/

27 Korriku 2109 shënoi 230-vjetorin e themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, (DASH).   Sipas (DASH) ky përvjetor paraqet një rast unik për të nënvijuar historinë dhe trashëgiminë e rolit të rëndësishëm që ka luajtur diplomacia amerikane në të kaluarën, sot dhe në të ardhmen.   DASH organizoi me këtë rast të veçantë, një ceremoni të sponsorizuar nga Sekretari aktual Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.   Pjesë e këtij aktiviteti me rastin e 230-vjetorit të themelimit të diplomacisë amerikane, ishte edhe disa nga gjigantët e kësaj diplomacie, përfshirë ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Henry Kisinger dheme biografin e tij zyrtar, Niall Ferguson, ndërsa ish-Sekretarët e Shtetit Madeline Albright dhe George Shultz kanë dërguar video mesazhet e tyre për të përshëndetur këtë përvjetor.   Të pranishëm ishin edhe një numër historianësh dhe ekspertë të diplomacisë amerikane.

Në fjalimin e tij me këtë rast, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u tha të pranishëmve se, “Me 4 Korrik, 1776, baballarët tonë deklaruan se të gjithë njerëzit kanë lindur me të drejta të barabarta.   Ata kanë thënë se të gjithë ne, secili prej nesh, jemi të pajisur (nga Perëndia) me të drejta të pa tjetërsueshme.   Ne të Departamentit Amerikan të Shtetit, tha kryediplomati amerikan, Pompeo, ndjekim shembullën e baballarëve tanë.   “Ne përdorim diplomacinë për të mbrojtur pikërisht këto të drejta të patjetërsueshme, jo vetëm për ne amerikanët, por për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës.   Ne zhvillojmë negociata si me miqë ashtu edhe me armiqët tanë, për të mënjanuar konfliktet ushtarake me qëllim për të parandaluar vrasjen e njerzëve të pafajshëm.   Ky është një mision që ne duhet ta marrim shumë seriozisht në çdo moment të veprimtarisë tonë”, ka thënë Pompeo.   “Ne mbështesim kombet që duan të ruajnë pavarësinë e tyre nga influencat e huaja.   Jemi me fat se ne e kemi bazën e vendosur mbi autoritetin unik moral të vlerave amerikane, në mbështetje të atyre personave që nuk kanë asnjë zë në mbrojtje të drejtave tyre kur abuzohen të drejtat e tyre të njeriut”, është shprehur Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, në fjalën e tij në ceremoninë kushtuar 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.   Ai foli për të kaluarën e DASH, duke falënderuar të gjithë ata që për 230 vjet, kanë punuar në fushën e diplomacisë amerikane, duke përmendur disa persona me emër, të cilët, theksoi Pompeo, na kanë treguar me punën e tyre se çfarë enti diplomatik është DASH dhe se cili është misioni i diplomacisë amerikane.  “Këta heronjë diplomatikë, me shembullën e tyre kanë përgatitur rrugën për ne, jo vetëm duke mbrojtur lirinë nepërmjet punës së tyre, por duke qenë njëherazi edhe shembull shërbimi njerëzor”, ka thekësuar Pompeo.

Duke shikuar drejtë të ardhmes, Kryediplomati i SHBA-ve tha se është radha jonë tani që të përgatisim rrugën për ata që vijnë pas nesh, duke përcaktuar me punën tone sot se çdo të thotë të jeshë anëtar i Departamentit Amerikan të Shtetit.   “Ne duhet të jemi, Një grup pune që bashkpunon për Një Mision të vetëm drejtë Një të Ardhme të vetme”, ka porositur ai kolegët e tij në DASH.   Kjo duhet të ndodhi, nënvijoi Pompeo, nga një administratë në tjetrën, nga një brez në tjetrin, si dhe nga detyra në detyrë, ashtu edhe prej një roli në tjetrin, cilët do qofshin ato – të angazhuar — theksoi Mike Pompeo — “Në mbrojtje të Kushtetutës dhe të popullit amerikan, duke shërbyer me profesionalizëm dhe integritet dhe me përgjegjësi për çdo veprim që ndërmarrim gjatë detyrës tonë”, është shprehur ai.

Sekretari Amerikan i Shtetit përfundoi fjalën e tij në ceremoninë e 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke u bërë thirrje kolegëve të tij, që me punën e tyre sot, të shërbejnë si shembull për diplomatët e ardhëshëm amerikanë.   “Le të jemi shembull i mirë për ta, duke mbrojtur parimet amerikane, të cilat e kanë bërë Kombin tonë më të madhërishmin në historinë e botës.”

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane

Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane nuk mund të thuhet se ishin normale gjatë kësaj historie 230-vjeçare të diplomacisë amerikane.   Shtetet e Bashkuara, sipas portalit të DASH, kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në vitin 1922, pas shpalljes së pavarësisë më 1912 nga Perandoria Otomane.   Marrëdhëniet diplomatike midis Tiranës dhe Washingtonit janë ndërprerë në vitin 1939 për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia (1939-43) dhe nga Gjermania (1943-44), gjatë Luftës së Dytë Botërore.   Siç dihet pas luftës, për arsye të vet-izolimit diplomatik nga diktatori stalinist Enver Hoxha, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënie diplomatike.   U desht të pritej deri në prillin e vitit 1991 — kur me shëmbjen e Murit të Berlinit ra komunizmi në Evropën Lindore e Qendrore — që të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.   Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit arrijti në Tiranë, pas një gjysëm shekulli, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe qëndroi atje në mars/prill, 1991.   Ambasada e Sh.B.A. në Tiranë u hap më pak më vonë atë vit me 1 tetor 1991, me diplomatin Kristofer Hill si i Ngarkuar me Punë “ad interim”, i pasuar nga Ambasadori i Sh.B.A. Uilliam Rajerson, i cili i paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Unë me disa shqiptaro-amerikanë patëm nderin të ishim të pranishëm në ceremoninë historike në vitin 1991 në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington për nënshkrimin e “Memorandumit të Mirëkuptimit”, i cili rivendosi marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.   Me atë rast tepër emocional për të gjithë ne të pranishmit, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Z Rejmond G.H. Saitc, tha:  “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti [Udrou] Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar.   Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”

Më 11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Sh.B.A. që ka vizituar Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit nga regjimi i Enver Hoxhës.   Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet Sh.B.A.-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, me batica dhe zbatica, nga koha në kohë, varësisht gjëndjes së brendshme politike të Shqipërisë, kryesisht si rrjedhim i konflikteve dhe mosmarrveshjeve midis dy partive kryesore të vendit,si dhe për mungesë të rendit ligjor dhe të korrupsionit që ka përfshirë aktualisht nivelet më të larta të qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi

Megjith vërejtjet dhe kritikat midis miqëve, gjatë pothuaj 30-vjet post-komunizëm, Kombi shqiptar nuk ka as nuk besoj se do të ketë mik më të madh se Amerikën.   Kjo është treguar herë pas here nga Washingtoni, madje edhe gjatë periudhës izolacioniste të Enver Hoxhës, ndërkohë që Washingtoni gjithmonë ka shprehur respektin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse jo për regjimin e asaj kohe.

Nëqoftse më lejohet një shënim personal – në këtë 230-vjetor të themelimit të diplomacisë amerikane dhe pothuaj 30-vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Tiranë-Washington – e ndjejë veten të privilegjuar që isha në Tiranë me delegacionin e parë diplomatik të DASH – një ngjarje kjo që shënoi këthimin e pranisë diplomatike amerikane në Shqipëri pas një mungese prej pothuaj 50-vitesh.   Është normale që midis miqësh të ketë periudha ftohjeje në marrëdhëniet midis tyre. Kjo ndodhë edhe me aleatët më të ngushtë amerikanë.   Por lind pyetja se ç’duhet bërë që këto marrëdhënie të mos pësojnë ftohje, pasi keqësimi i marrëdhënieve Tiranë-Washington është më shumë në dëm të interesave të Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar se sa në dëm të htë Bashkuara.   Kyçi për qendrueshmëri në marrëdhëniet dypalëshe, janë vlerat e përbashkëta.   Nga pikëpamja ime, ashtu siç është rasti edhe me shtete të tjera të rajonit dhe botës, kjo miqësi midis dy Aemrikës dhe Shqipërisë shtohet me forcimin e demokracisë së vërtetë dhe të institucioneve të shtetit, me zbatimin e ligjeve, me luftën serioze kundër korrupsionit dhe me zhvillimin e ekonomisë së tregut.   Por mbi të gjitha, lidhjet midis dy vendeve forcohen me bashkpunimin e të gjitha forcave politike shqiptare duke zhvilluar një diskurs normal politik, duke venë interesin e kombit dhe të popullit të vet mbi interesat personale e partiake, me përcaktimin e disa qëllimeve të qarta, afat shkurtëra dhe afatgjata kombëtare.   Gjatë 230 vjetë diplomaci, Shtetet e Bashkuara kanë treguar se një klasë politike, ose një politikan, kudo në botë, që nuk punon për të mirën e përbashkët dhe për mirëqenjen e popullit të vet, pa dallim, nuk është një aleat i denjë.   Mos të gënjehet ndonjë politikan shqiptar!   Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kombin shqiptar nuk kushtëzohen as nuk varen nga ndonjë politikan i përkohëshëm, as nga ndonjë ideologji, as parti politike, por konsiderohen si marrëdhënie popull me popull, bazuar në disa vlera, parime dhe të drejta universale të njeriut, pa marrë parasysh se cili person ose cila parti udhëheq qeverinë shqiptare, në një kohë të caktuar.   Si me çdo shtet tjetër, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të bazuara në parimin se të gjithë njerëzit janë të krijuar me të drejta të barbarta, pa dallim.

Në këtë 230-vjetor të themelimit të Diplomacisë Amerikane, Kryediplomati amerikan, Mike Pompeo u angazhua se Shtetet e Bashkuara – në marrëdhëniet e tyre me të gjitha shtetet — do të vazhdojnë të përdorin diplomacinë, duke u bazuar në, “Autoritetin unik moral të vlerave Amerikane”,   “për të mbrojtur pikërisht këto të drejta të patjetërsueshme të njeriut, jo vetëm për ne amerikanët, por për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës”, deklaroi të hënën në Washington, Mike Pompeo në ceremoninë kushtuar 230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend, Mars/Prill 1991.

Filed Under: Featured Tagged With: FranK SHKRELI-230 Vet-Diplomaci

GRADOHEN DY POLICË SHQIPTARË NË NEW YORK

July 30, 2019 by dgreca

New York, 30 Korrik 2019- Sot në Police Plaza në Manhattan, Neë York, dy Policë shqiptare u promovuan ne graden e detectivitit. Dy detectivat e rinj shqiptarë janë: Krasniqi dhe Cevi.

          Diellit ia konfirmoi lajmin z. Elton Shametaj, oficer i policisё sё Nju Jork-ut,dhe aktivist i njohur pёr komunitetin shqiptar. Ai tha pёr Gazetёn “DIELLI” se ndjehet i gёzuar qё po shtohen radhёt e policёvё shqiptarё me djem të shkolluar dhe të aftë proefsionalisht, që nderojnë veten, Kombin nga vijnë, familjen dhe natyrisht edhe komunitetin shqiptar në SHBA,i cili mburret me ta.  

Oficeri Shametaj, përmes gazetës Dielli uron djemtë për suksesin, por edhe komunitetin. Ai kërkoi që lajmin e gëzuar ta përcjellë përmes gazetës më të vjetër të Shqiptarëve të Amerikës, e cila ka hyrë në vitin 111 të egzistencës së vet në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Faleminderit Elton!  

Oficeri Elton Shametaj i shkroi Diellit: Uroj nga zemra, që gjithmonë shqiptarët të arrijn të ngjiten në lartësitë që dëshirojnë, pasi ky shtete, djep i demokracisë na i jep të gjitha mundësitë…

Një urim të vecantë përcjellin Belis Kasafi dhe Agron Kaci,të cilët nё emёr tё organizatёs sё Policёve Amerikano-shqiptarё i urojnë sukses Kevin dhe shpresojnë se ai do ta cojё mё tej traditёn familjare.
Federata Vatra dhe Gazeta Dielli i urojnё detekivët e rinj shqiptaro-amerikanë dhe përcjellin urime tё gjithё policёve shqiptaro-amerikanё, duke u uruar atyre suksese nё detyrё dhe të ndjehen krenarë për detyrën që kryejnë. Komuniteti shqiptar ndjehet i sigurt se në radhet e rujatësve te rendit janë edhe ata, bijtë e Shqipes, oficerët me origjinë shqiptare, që për të ruajtur rendin janë përherë në krye të detyrës.

Eshtë kënaqësi dhe cdo kush provon krenari që të shohë dy shqiptarë të marrin vlerën e vërtetë të punës së tyre dhe dijeve të fituara në këtë vend model të demokracisë. 

Përmes Gazetës Dielli, edhe organizata studentore”John Jay College” i uron detektivat e rinj për gradimin dhe shpreson që ata të arrijnë suksese të mëtutjeshme në radhёt e policisё.        Tash numri i policëve shqiptare ne Amerikë  është i ndjeshëm. Kombi ynë  ndjehet krenarë me ata, dhe ata vetë ndjehen përfaqësues krenarë të Kombit të vet!

Filed Under: Featured Tagged With: Gradohen-dy police shqiptar NY-Elton Shametaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 321
  • 322
  • 323
  • 324
  • 325
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT