• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA- PARADA 2017 PER ARBERESHET

March 5, 2017 by dgreca

-SHBA- PARADAEN 2017, SHQIPTARO-AMERIKANET DO T’UA KUSHTOJNE ARBERESHEVE/

17160802_10154214408322056_2025307238_nAshtu sic ishte njoftuar nga presidenti i Rrënjëve Shqiptare”Albanian Roots” z. Marko Kepi, të Shtunën me 4 Mars 2017, në mesditë, në Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA” u bë takimi i parë organizatave të Komunitetit shqiptar. Për të parën herë në një takim të tillë ka marrë pjesë edhe një përfaqësuese nga arbëreshët. Ajo është Nicole Coscio, me banim në Pokeepsy, New York. Nicole tha se ndjehej mirë mes vëllezërve dhe motarve të gjakut të Arbërit, edhe pse nuk mund të fliste në gjuhën shqipe.1 Takimi i pare parades

Në këtë takim të parë janë përfaqësuar me të deleguar shoqatat: Rrënjët Shqiptare, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, Shoqata Ana e Malit, Shoqata Dibra, Batalioni Atllantiku, Shoqata Kraja, Zyra e Mark Gjonajt, Albanian Exellence, Ansambli Kënga dhe Vallja Shqiptare,Takimin e ka drejtuar z. Marko Kepi. Ai ka shpalosur platformën e kësaj Parade dhe ka kërkuar mendime nga pjesmarrësit për organizimin dhe përkushtimin e kësaj Parade.1 Gjoni

Përmes diskutimeve dhe debateve u vendos që kjo Paradë e Vitit 2017 do t’u kushtohet Arbëreshëve.3 Parada

Pjesmarrësit i ka përshëndetur edhe kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dr. Gjon Bucaj. Ai tha se është shumë e gjetur që kjo Paradë i kushtohet vëllezërve dhe motrave të gjakut të Arbërit- Arbëreshëve. Ai solli shembullin e nëntorit të vitit 1969, kur Federata Panshqiptare e Amerikës bashkoi arbëreshët e Italisë, me rastin e 60 vjetorit të Diellit. Në 10 ditët veprimtari të përbashkëta, ku morën pjesë disa mijëra shqipatrë të Amerikës dhe 120 përfaqësues të komunitetit arbëresh në Itali , përfshi akademikë, prifëtrinj, studiues, dhe përfaqësues nga arbëreshët në SHBA,u organizua edhe një Paradë në Manhattan, me pjesmarrjen e rreth 5 mijë shqiptaro-amerikanëve dhe arbëreshëve. Në krye të Paradës ishin vajzat dhe gratë shqiptaro-amerikane dhe arbëreshe të veshura me costume kombëtare.

Kjo parade është një shans i mirë për të bashkuar jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe një afrim më të ngushtë me arbëreshët.(Korresp i Diellit)

 

Filed Under: Featured Tagged With: albanian roots, PER ARBERESHET, SHBA- PARADA 2017, Vatra

DREJTESIA FRANCEZE NE KURTHIN SERB: SHTYHET VENDIMI PER HARADINAJ

March 2, 2017 by dgreca

*Vendimi për Haradinajn shtyhet për 6 prill/

  • AAK:autoritetet gjyqësore të Francës janë vënë në shërbim të ish bashkëpunëtorëve të  Milloshevicit/

* Reagon Qeveria e Kosovës: Keqpërdorimi i drejtësisë nga Serbia/

*Fatmir LIMAJ: Mërzituni për shtetin, jo për Ramushin!/

1 Haradinaj

Gjykata franceze në Colmar të Francës ka vendosur që të shtyjë për 6 prill vendimin në lidhje me rastin Ramush Haradinaj. Ky i fundit është paraqitur të enjten para gjykatës, por drejtësia franceze ka kërkuar edhe një muaj afat për t’i shqyrtuar argumentet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë.Pas seancës gjyqësore, e cila ka zgjatur vetëm disa minuta, Haradinaj është paraqitur para medieve dhe një mase njerëzisht të tubuar aty, duke thënë se shtyrja e vendimit ishte e padrejtë.“Vendimi i radhës pritet më 6 prill. Jam peng politik. Ky proces është më së paku ligj dhe më së shumti politikë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka përsëritur se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë, me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Tribunalin e Hagës.“Lufta 1998-99 është filtruar në Gjykatën e e Hagës. Luftë tjetër nuk ka ndodhë, pra unë jam peng politik. Të gjithë ata që janë pjesë e këtij veprimi duhet t’u vijë turp si për edhe për ligjin edhe por të gjitha”, është shprehur ai.Ramush Haradinaj, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër- arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit.

Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte. Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.Por, gjykata franceze, në seancën e mbajtur më 9 shkurt, nuk vendosi përfundimisht për këtë rast, duke e lënë Haradinajn nën masën e lirimit me kusht dhe duke e shtyrë vendimin për datën 2 mars.Para kësaj seance gjyqësore, autoritetet serbe, kishin deponuar materiale shtesë, çka besohet se kishte ndikuar që gjykata në Colmar, të zvarriste marrjen e vendimit përfundimtar.

Por, Haradinaj, kishte deklaruar se fletë-arresti ndaj tij është i motivuar politikisht nga autoritetet serbe.Haradinaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndalimi i tij nga autoritetet franceze nuk është dashur të ndodhë fare, ngase fletë-arrestet serbe, ka vijuar ai, janë të pakuptimta. Urdhër-arrestet serbe, ka thënë ai, nuk po respektohen tashmë nga vendet shumë shtete, si Gjermania, Britania e Madhe e vende tjera.Ndalimin e tij në Francë, Haradinaj e ka cilësuar si mbajtje peng, që vjen si pasojë e veprimeve politike të lidershipit të Serbisë.

“Nikoliq, Vuçiq e Daçiq kanë qenë pjesë e strukturave të Millosheviqit që u kanë shkaktuar tragjedi popujve të Ballkanit, prej Bosnjes, Kroacisë dhe Kosovës. Asnjëri nga ta nuk ka kaluar nëpër ndonjë gjykatë, qoftë vendore apo ndërkombëtare. Ndërkaq unë kam kaluar para (nën jë proces gjyqësor) një gjykate ndërkombëtare e cila e ka filtruar, pra e ka dhënë pafajësinë time, për luften gjatë vitet 1998 – 1999”, ka thënë Haradinaj.Pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj serish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UÇK-së, kurse pas luftës, ai ishte themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar i të cilës është edhe sot. 

Qeveria e Kosovës: Keqpërdorimi i drejtësisë nga Serbia/

-Shtyrja e sërishme e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia/

Prishtinë, 2 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se shtyrja e sërishme e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia, e cila në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës.Përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike, Serbia, duke keqpërdorur drejtësinë, po përpiqet të dëmtoj po ashtu imazhin dhe personalitetin e ish–kryeministrit Ramush Haradinaj, të qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës.Besojmë se drejtësia franceze nuk do të tolerojë një gjendje të tillë.Qeveria e Kosovës, po ashtu, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i jap fund njëherë e përgjithmonë këtyre akteve të patolerueshme të Serbisë, ndërkaq, kërkon nga institucionet franceze të mundësojnë kthimin e z. Haradinaj në Republikën e Kosovës./b.j/

AAK: Shtyrja e vendimit, përpjekje për mënjanimin politik të tij Haradinajt

PRISHTINË, 2 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi sot se, shtyrja edhe për një muaj e mbajtjes së Ramush Haradinajt në Francë është abuzim me drejtësinë. “Vendimi është i palogjikshëm, dhe krejtësisht i pakuptueshëm. Është e habitshmë se si autoritetet gjyqësore të Francës janë vënë në shërbim të ish bashkëpunëtorëve të  Milloshevicit, të cilët përmes Haradinajt po e provokojnë rëndë stabilitetin dhe paqen në Kosovë”, thekson deklarata e sapodërguar.

AAK, vijohet më rej, dyshon se shtyrja e vendimit për lirimin e Haradinajt, është përpjekje e drejtpërdrejtë për menjanimin politik të tij.

“Ne jemi të bindur se Haradinaj do të lirohet, sepse të ashtuquajturat dëshmi të Serbisë kundër tij, janë trillime dhe shpifje ordinere, por autoritetet franceze duhet ta kuptojnë se drejtësia e vonuar është padrejtësi, dhe ato po e vonojnë drejtësinë në rastin Haradinaj”, përfundon deklarata e AAK, partisë së drejtuar nga Haradinaj.

Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall i pafajshm për të gjitha pikat e akuzës.

“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.

Ramush Haradinaj në 4 janar 2017 është ndaluar në Aeroportin e Baselit sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004./b.j/

Fatmir LIMAJ: Mërzituni për shtetin, jo për Ramushin!/

Kjo dramë që po ndodh me Ramushin është shpërfaqje e qartë se sa të papërfillshëm e kanë bërë shtetin tonë këta që janë duke e drejtuar.
Me arsyet për të cilat është ndaluar dhe po mbahet Ramushi, asnjë shtet normal dhe i dinjitetshëm nuk do të lejonte që ti ndodh kjo as edhe një qytetari të tij, e aq më pak një ish Kryeministri.
Këta që sot po e drejtojnë shtetin tonë, ka vite që me entuziazëm kanë punuar në rrënimin e dinjitetit të shtetit. A nuk ishin po këta udhëheqës të shtetit tonë që pak ditë para se të ndalohej Ramushi, e akuzonin atë me po të njëjtat akuza me të cilat edhe është lëshuar fletarrestimi nga Serbia.
 Është koha për të folur hapur, mjaft më me hipokrizi!
Të bashkohemi dhe ti kthejmë dinjitetin shtetit tonë. E gjithë e keqja që po na ndodhë është në Prishtinë, mos ta kërkojmë diku tjetër.F. L

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: shtyhet për 6 prill, Vendimi për Haradinajn

FJALIMI OPTIMIST I PRESIDENTIT DONALD TRUMP

March 1, 2017 by dgreca

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/Të marten mbrëma, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald trump mbajti fjalimin e tij të parë, në një sesion të përbashkët të dy dhomave të Kongresit amerikan.  Me një ton të ri optimizmi, ai e quajti fjalimin e vet, një mesazh të fuqishëm uniteti dhe një mesazh nga zemëra.  “Ne mund të jemi një vend i përçarë në lidhje me politikat që duhet të ndjekim, por jemi një vend i bashkuar kundër urrejtjes dhe të keqës, në të gjitha format e tyre.”

Ai i tha Kongresit dhe nepërmjet tij popullit amerikan dhe botës se, “Tani ka filluar një kapitull i ri i Madhërishëm i Amerikës” dhe se “Një krenari e re kombëtare po përhapet anë e mbanë vendit”.  Presidenti Trump deklaroi se, “Një hov i ri optimizmi po i bën të arritshme ëndërrat që deri tani dukeshin të parealizueshme.” Ai vazhdoi duke thënë se “Jemi dëshmitarë”, të asaj që ai cilësoi si, “Një ringjallje e një fryme dhe entuziazmi të ri amerikan”, duke u premtuar njëkohsisht edhe aleatëve të Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës se, “Amerika është prap e gatëshme të udhëheq”, duke theksuar se, “Të gjitha kombet e botës – miq ose armiq – do të shohin se Amerika është e fortë, Amerika është krenare dhe se Amerika është e lirë.”

Në fjalimin e tij, Presidenti Trump iu referua 250-vjetorit të ardhëshëm të themelimit të Shteteve të Bashkuara dhe shpalljes së pavarësisë amerikane – që do festohet në vitin 2026 – e të cilën ai e quajti si një moment të rëndësishëm në historinë botërore –duke pyetur, “Si do të duket Amerika ndërkohë që i afrohemi 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara? Çfarë vendi do u lëmë pas fëmijve tanë”, duke premtuar se, “Unë nuk do të lejojë që gabimet e dekadave të kaluara të përcaktojnë të ardhmen tonë.”

Por, përveç optimizmit që përçonte, fjalimi i presidentit Trump para Kongresit ishte gjithashtu edhe një fjalim programesh dhe propozimesh në fushën e politikës së mbrendshme dhe të jashtme, pasi këto politika janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën dhe përqendrimi i tepëruar mbi njërën prej këtyre, zakonisht bëhet në kurriz të tjetrës.  Ne, tha presidenti Trump, për një kohë të gjatë kemi parë se si klasa e mesme në Amerikë ka vazhduar të pakësohet në numër, ndërkohë që firmat amerikane kanë ekportuar operacionet dhe pasurinë jashtë Amerikës.   Ne, theksoi Z. Trump, kemi financuar dhe ndërtuar shumë projekte anë e mbanë botës, por kemi lënë pas dore fatin dhe mirëqenjen e fëmijve tanë, përfshirë të atyre në qytetet siç janë Çikago, Baltimore dhe Detroit. Ne kemi mbrojtur gjithashtu, nënvijoi ai në fjalimin e tij, kufijt e vendeve të tjera, ndërkohë që kemi lënë hapur kufijt tanë për këdo që dëshiron të vijë këtu, ndërsa po futen gjithashtu edhe sasi të mëdha droge, me një ritëm të paparë.  Kemi shpenzuar triliona dollarë për të ndihmuar vendet përtej detit, ndërkohë që po shkatërrohet infrastruktura jonë, tha udhëheqsi amerikan në fjalimin e tij para Kongresit. Ai u bëri thirrje anëtarave republikanë dhe demokratë të Kongresit amerikan që të bashkohen në mbështetje të agjendës së tij të politikës së jashtëme dhe të mbrendshme, pasi kjo është dëshira e miliona amerikanëve të cilët në zgjedhjet e nëntorit të kaluar ishin të bashkuar, “Për një kërkesë të thjeshtë, që Amerika t’u kushtojë vëmëndjen kryesore shtetasve të vet më së pari, sepse vetëm atëherë mund t’a bëjmë përsëri Amerikën të Madhërishme”.

Ndër të tjera,ai premtoi, rritjen e buxhetit të mbrojtjes duke thënë se forcat e armatosura të Amerikës do të kenë burimet financiare dhe njerëzore për të cilat kanë nevojë, duke bërë thirrje për një rritje ndër më të mëdhat të buxhetit të mbrojtjes në historinë e Amerikës.Ndërkohë, propozoi që “Infrastruktura në shkatërrim e sipër të zëvëndësohet me rrugë, ura, tunele, aeroporte dhe hekurudha të reja anë e mbanë këtij vendi të mrekullueshëm”, u zotua Z. Trump.  Në lidhje me këtë, Presidenti u solli ndër mend të pranishëmve se “Amerika ka shpenzuar afërsisht gjashtë trilionë dollarë në Lindjen e Mesme, ndërsa në vendin tone po shkatërrohet infrastruktura.”  Me gjashtë trilionë dollarë”, shtoi ai, “do ta kishim rindërtuar vendin tonë, jo njëherë por dy herë e ndoshta edhe më shumë.Mbi të gjitha, Presidenti Trump u angazhua se do të realizohen të gjitha premtimet e bëra popullit amerikan gjatë fushatës së tij, përfshirë ndër të tjera, kufizimin e imigracionit, krijimin e vendeve të reja të punës për amerikanët, për përmirsimin e arsimit kombëtar, luftën kundër terrorizmit e ashtu me rradhë, ndërkohë që numëroi disa prej këtyre premtimeve të cilat ai tanimë i ka vënë në zbatim me anë të urdhërave ekzekutivë të Zyrës së Presidentit.Duke iu drejtuar aleatëve të Amerikës dhe botës, Presidenti Trump bëri thirrje për një politikë të jashtme të një angazhimi të drejtë për drejtë me botën.  Poltika jonë e jashtme, tha ai, “Është një politikë e rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, bazuar në interesat jetike të sigurimit kombëtar, interesa të cilat ne i ndajmë me aleatët tanë anë e mbanë globit”.   Presidenti Trump deklaroi para Kongresit se Shtetet e Bashkuara, “Mbështesin fuqimisht NATO-n, një aleancë kjo e farkëtuar nepërmjet lidhjeve gjatë dy Luftërave Botërore që rrëzuan fashizmin dhe Luftës së Ftohtë që shëmbi komunizmin”.  Ai përsëri u bëri thirje vendeve anëtare të NATO-s të pëmbushin obligimet e tyre financiare ndaj aleancës perëndimore, gjë që shtoi ai, “pas bisedimeve të sinqerta, aleatët kanë filluar tanimë të bëjnë pikërisht këtë”, është shprehur udhëheqsi amerikan.  “Ne do të respektojmë institucionet historike, por do të respektojmë gjithashtu edhe të drejtat sovrane të kombeve”, ka theksuar presidenti Trump.  Amerika, nënvijoi ai, është gati të bëjë miq të rinjë dhe të lidhë marrëdhënie të reja parneriteti, ku dhe kur përputhen interesat e përbashkëta.  Por, ai paralajmëroi gjithashtu se përgjegjësia e tij e parë është të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara dhe jo botën, duke shtuar se nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara do të respektojnë të drejtat sovrane të popujve anë e mbanë botës, duke thënë se, “Vendet e lira janë mjeti më i mirë për të shprehur vullnetin e popujve dhe se Amerika respekton të drejtën e të gjitha vendeve të hartojnë vetë rrugën e tyre.”

Ai përfundoi fjalimin e tij me shpresën se në 250-vjetorin e Pavarësisë së Shtetet Bashkuara më 2026, do të kemi një botë më paqësore, një botë më me drejtësi dhe një botë më të lirë.Nëqoftse realizohen të gjitha premtimet e bëra prej tij, Presidenti Trump u zotua, se më fund do të kemi një Amerikë më të madhërishme se kurdoherë më parë për të gjithë amerikanëtpa dallim, duke deklaruar se, “Ky është vizioni ynë, ky është misioni ynë.  Por ne mund t’i realizojmë këto vetëm duke punuar së bashku, pasi jemi një popull me të njëjtin fat dhe të një gjaku.  Të gjithë ne nderojmë dhe përshëndesim të njëjtin flamur dhe të gjithë ne na ka krijuar e njëjta Perëndi”, u shpreh Donald Trump.Me këto fjalë, Presidenti Trump përfundoi fjalimin e parë, para Kongresit të Shteteve të Bashkuara, një fjalim i cili u karakterizua nga shumë eskpertë, madje edhe nga disa që nuk janë përkrahës të tij sidomos në qarqet mediatike këtu në Amerikë, si fjalimi ndoshta më i miri që ka mbajtur Z. Trump gjatë karirerës së tij. Chris Wallace, analist i entit televiziv Fox, komentoi se, “Mendoj që fjalimi ishte padyshim, fjalimi më i mirë që kam dëgjuar nga Donald Trump.  Në të vërtetë”, shtoi ai “Ishte fjalimi më i mirë që kam dëgjuar nga cilido qoftë president në të njëjtat rrethana.”  Ndërsa nga ana tjetër e spektrit politik edhe Kirsten Powers, stratege e Partisë Demokrate dhe komentatore në entin televiziv CNN e cilësoi fjalimin e Presidentit Trump para Kongresit, si “Më të mirin që kisha dëgjuar ndonjëherë.”   Ndërsa Gayle King e rrjetit televiziv CBS u shpreh se “Presidenti Trump tha prej fillimit se do të fliste nga zemra dhe besoj se ai e bëri një gjë të tillë”.  Ndërsa komentatorja liberale dhe kritike e ashpër e Donald Trump, Rachel Madow e rrjetit televiziv amerikan MSNBC u shpreh se mendon se ishte “një fjalim që do të pritet mirë nga amerikanët”.   Ndërsa në qarqet politike, në përgjithësi, fjalimi i president Trump u lavdërua nga republikanët dhe u kritikua nga demokratët, natyrisht bazuar në pikëpamjet e tyre politike dhe partiake ndaj propozimeve dhe programit të Presidenti Trump, qoftë në fushën e politikës së mbrendshme ashtu edhe atë të jashtme.  Por tashti mbetet për tu parë se cilat do të jenë rezultatet e zbatimit të agjendës politike dhe ekonomike të Presidentit Trump dhe cila do të jetë mbështetja ndaj kësaj agjende në Kongresin amerikan, jo vetëm nga demokratët që janë shpallur tanimë kundër saj, por edhe nga ana e republikanëve, disa prej të cilëve nuk janë plotësisht dakort me disa elementë të agjendës së tij.

Pasi fjalimi i Presidentit Trump të martën mbrëma para Kongresit amerikan u vlerësua ndryshe nga fjalimet e mëparshme të fushatës së Z. Trump — për nga optimizmi dhe tonet pozitive   por edhe për nga thirrja e tij për unitet e bashkpunim të përçuara në atë fjalim – mbetet për tu parë nëse kemi të bëjmë me një Donald Trump si president në Shtëpinë e Bardhë, ndryshe nga Donald Trump i fushatës për president.  Sfida pra dhe prova e vërtetë, përballë të cilës gjëndet Presidenti Trump dhe kombi amerikan,  është nëse kjo agjendë politiko-ekonomike që ai shpalosi të martën mund të bëhet realitet në muajt dhe vitet e ardhëshme.

Filed Under: Featured Tagged With: FJALIMI OPTIMIST, Frank shkreli, I PRESIDENTIT DONALD TRUMP

Ivanov akuzohet për grusht-shteti

March 1, 2017 by dgreca

Ivanov:“Derisa të jem President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandatin asnjë njeriu, e asnjë partie e cila angazhohet, apo në programin e saj ka platformë për rrënimin e sovranitetit, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë…./

1 IvanovNe Foto: Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov/Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka refuzuar të mandatojë për kryeministër, liderin e Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev. Në një paraqitje të jashtëzakonshme, Presidenti Ivanov tha sa se shkas për këtë vendim është platforma e partive politike e arritur sipas tij në “shtetin fqinj”, me të cilën sipas tij rrënohet karakteri unitar të shtetit të Maqedonisë.

“Derisa të jem President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandatin asnjë njeriu, e asnjë partie e cila angazhohet, apo në programin e saj ka platformë për rrënimin e sovranitetit, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë, pasi thellë besoj se këto janë vlera themelore me të cilat askush nuk ka të drejtë të bëjë tregti dhe as që mendoj të heq dorë nga këto vlera”, ka deklaruar Ivanov duke drejtuar akuza të rënda ndaj liderit social-demokrat për shkelje të Kushtetutës dhe tradhti të interesave kombëtare.

“Me këtë platformë Maqedonia është shantazhuar, ndërsa karakteri i saj unitar, pavarësia dhe sovraniteti i saj janë rrezikuar. Procesi i koalicioneve pas-zgjedhore dhe formimi i Qeverisë së re, u bë peng i kësaj platforme pas-zgjedhore të një shteti të huaj. Dhe jo vetëm kaq, negociatat dhe pranimi i platformës së huaj është vepër e dënueshme sipas kodit penal, pasi kjo do të thotë sjellje e Maqedonisë në pozitën e gjunjëzimit apo varësisë nga një shtet i huaj”, ka shtuar Ivanov.

Ivanov tha se nuk pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare për mosdhënien e mandatit ashtu siç ndërkombëtarët nuk reaguam për platformës shqiptare, të hartuar sipas tij në një shtet fqinj, duke aluduar në Tiranën zyrtare.

“Nga bashkësia ndërkombëtare presim qartë dhe publikisht ta dënojë këtë platformë që paraqet përzierje e paskrupullt në punët e brendshme dhe ridefinim të karakterit unitar të shtetit tonë. Shumë mirë na kujtohet se bashkësia ndërkombëtare doli me qëndrime të tilla në raste të njëjta në vende tjera në rajon”, ka deklaruar Ivanov.

Ndërkohë, vendimi i presidentit ka shkaktuar reagime të ashpra të partive politike, në veçanti të Lidhjes social-demokrate. Zoran Zaevvendimin e ka quajtur grusht-shtet dhe të rrezikshëm për të ardhmen e stabilitetit të Maqedonisë.

“Gjorge Ivanov ka shkelur Kushtetutën e Maqedonisë dhe me këtë ka bërë grusht-shtet. Ai po e çon vendin në krizë të rënë me pasoja të rënda për të ardhmen e tij. Ai po shkakton krizë kushtetuese duke shkelur vullnetin e qytetarëve dhe firmave të siguruara për formimin e Qeverisë. Ivanov po pengon trasferin e pushtetit.Ai është vënë në mbrojtje të krimit të VMRO-së dhe NIkolla Gruevskit. LSDM-ja dhe unë si kryetar nuk do t’i lejojnë askush të luaj me të ardhmen e shtetit për qëllime të vetme kriminale. Ivanov duhet sa më parë të tërheq vendimin. Ai nuk guxon të shkelë mbi vullnetin e qytetarëve”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev duke i bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe ruajtjen nga provokimet e mundshme.

Vendimi i Presidentit Ivanov është dënuara edhe nga dy partitë politike shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, duke e të cilësuar të dëmshëm për të ardhmen e vendit.

“Vendimi i Ivanovit rrezikon komunitetin shqiptar në Maqedoni, andaj i ftojmë SHBA-të, BE-në dhe NATO-në që të ndërhyjnë në rikthimin e shtetit të së drejtës, për të garantuar paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.(RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: Ivanov akuzohet, për grusht-shtet

NJË E DIELË TEK “BIJTË E SHQIPES” NË FILADELFIA

March 1, 2017 by dgreca

Nga Vasil Filipi   /
05
Po bëja kohë që nuk kisha qenë tek shoqata “Bijtë e Shqies”. Puna, shkolla e fëmijëve, hallet dhe problemet e familjes ishin shkaku i kësaj shkëputje, prandaj vendosa që të dielën që po afrohej të shkoja tek ata. E dija qysh më parë që ditët e mërkurë, të shtunë dhe të dielë, në godinën e shoqatës, gjen anëtarë të këshillit drejtues, por vendosa të shkoj të dielën për arsy se në këtë ditë bën mësimin shkolla shqipe.              
            I hipa autobusit dhe zbrita në stacionin që është pranë shoqatës. Ato 150 deri 200 metër largësi që ndajnë stacionin ku zbrita, me godinën e shoqatës, i bëra në këmbë. Sëlargu vura re dy flamujt, atë amerikan dhe shqiptar që valviteshin mbi ndërtesë, dy simbole të dallushme që të lënë të kuptosh, për të gjithë kalimtarët, se në atë godinë zhvillon veprimtarinë një shoqatë Shqiptaro-Amerikane, Shoqata “Bijtë e Shqipes”, emri i së cilës lexohet qartë në tabelën e vendosur mbi hyrjen e godinës.
020306
   Dera e Qendrës Kulturore ose “Shtëpia e Shqiptarit” siç ia kanë vënë emrin bashkatdhetarët e Komunitetit Shqiptar të Filadelfias, ishte e mbyllur. Të paktën kështu dukej nga larg, çka më bëri të dyshoj se ndoshta këtë të dielë, shkolla mund të kishte pushim. U gabova sapo vura dorën mbi dorezën e derës, kur dëgjoj zërat e fëmijëve që këndonin Himnin Kombëtar.    
            Hapa derën me kujdes dhe pashë brenda grupin e fëmijëve, që me pëllëmbën e dorës së djathtë të vendosur pranë zemrës dhe me vështrimin nga qoshja e sallës, ku është vendosur flamuri shqiptar, sapo përfunduan së kënduari: “….Kush është burrë nuk friksohet/por vdes, por vdes si një dëshmor”. Në përfundim gjithë grupi duartrokiti. Duartrokita edh unë.         
            Mbas përfundimit të himnit, grupi u shpërbë në grupe më të vegjël, e me në krye mësueset, morën drejtimin për në klasat e tyre. Në sallën kryesore ngeli pjesa më e madhe e fëmijëve, të cilët u ulën pranë tavolinave të ndarë në dy grupe, ai i klasës së tretë dhe ai i klasës së dytë. Fëmijët e klasës së katër e të pestë zbritën poshte në sallën e bibliotekës së librit shqip “Prof. Anastas Dodi”, kurse ata më të vegjëlit, të klasës së parë, u ngjitën shkallëve për në katin e dytë.        
            Takuam disa nga anëtarët e këshillit drejtues që ishin aty në atë çast si: Tajar Domi, kryetari i shoqatës, Llazar Vero, Dritan Matraku, n/kryetar i dytë, Bujar Çela, Vlashi Fili, sekretar i shoqatës, si dhe prindërit: Milot Rukiqi, Fitim Hamza apo edhe Denis Çela, të cilët mbasi sjellin fëmijët në shkollë, për shkak të distancës së largët që banojnë, nuk largohen, por qëndrojnë aty deri në përfundim të mësimit.           
            Për të mos prishur qetësinë e mësimit dhe për të biseduar qetë, na ftojnë që të ulemi në klubin e shoqatës. Atje përpara një filxhani me kafe apo edhe një godë raki, që na i server me shumë kultutë z. Llazar Vero, fillojmë bisedën. Në krye të lokalit një televizor i madh, trasmetonte një kanal televiziv shqiptar. Duke zhvilluar bisedën me pyetje e përgjigje mësuam mbi organizimin dhe veprimtarinë e shkollës shqipe, në drejtim të cilit më pëlqente të dëgjoja më tepër. 
            Është i treti vit, që me propozim të mësueseve dhe miratim të tonë e të prindërve, kemi shtuar kohën e mësimit në shkollë, nga dy në tre orë. Kështu që tani mësimi fillon në ora 9 e 30 minuta dhe përfundon në ora 12 e 30 minuta, – filloi të më tregonte z. Tajar Domi, dhe më tej vazhdoi. Siç e dini, shkolla shqipe “Gjuha jonë” zhvillon mësimet në ciklin 5vjeçar, sipas klasave, nga e para, ajo e abetares, deri në të pestën, me programe të rregullta sipas lëndëve që zhvillojnë, për të cilat nxënësit, në fund të vitit shkollor testohen dhe vlerësohen:  
            Klasa e parë, abetare dhe këngë. 
            Klasa e dytë, lexim, njohuri fillestare në gjuhën shqipe dhe këngë.  
            Klasa e tretë, si klasa e dytë por më të avancuara.       
            Klasa e katërtë, lexim, gjuhë shqipe, njohuri mbi historinë dhe këngë.        
            Klasa e pestë, Lexim, gjuhë shqipe, histori dhe bashkëbisedim.         
            Një rëndësi të madhe mësueset i kushtojnë mësimit të vjershave dhe këngëve, të cilat përbëjnë edhe pjesën kryesore të programit që fëmijët tregojnë para prindërve në festat e fundvitit, për ato të 7-8 Marsit, festës së mësuesit dhe të nënës, si dhe në mbyllje të vitit shkollor kur shpërndahen dëftesat. Po qe se do të jeni mbas një jave, do të shikoni ato që fëmijët kanë përgatitur për festat e 7-8 Marsit
, – na ftoi z. Tajar. 
            Në përfundim të orarit të mësimit, një grup i zgjedhur i fëmijëve, që përbëjnë grupin artistik të shkollës, nën drejtimin e mjeshtrit, kompozitorit Hamdi Gjana, mësojnë këngët që z. Hamdi përgatit vazhdimisht për ta. Ky grup përfaqëson shkollën në festivalin e fëmijëve në Nju Jork, si dhe jep shfaqe në përfundim të vitit shkollor dhe në mbrëmjen festive të Pavarësisë së Shqipërisë.   
            Çdo muaj ne kemi caktuar një anëtarë të këshillit drejtues që kujdeset direkt për shkollën, pret e përciell fëmijët si dhe interesohet për ndonjë problem që mund të dali gjatë mësimit. Ja në këtë muaj e ka këtë detyrë z. Dritan Matraku. Kjo nuk do të thotë që të tjetrët nuk janë pranë shkollës çdo të dielë.
    
            Në bisedë e sipër vijnë edhe anëtarët e tjerë të këshillit drejtues, Sadik Elshani, Haki Çollaku, apo edhe Bashkim Bërdufi.       
            Ka prindër që janë larg prej këtu, – tregon z. Llazar Vero dhe mbasi sjellin fëmijët, nuk largohen, por qëndrojnë këtu deri në përfundim të mësimit. Gjatë kësaj kohe pijnë një kafe në lokalin tonë, apo shijojnë edhe ndonjë diçka tjetër si dhe shkëmbejnë biseda me ata që ndodhen aty. Pëveç këtyre, ka prindër që ose qëndrojnë mbasi sjellin fëmijët e pijnë një kafe e pastaj largohen për të ardhur përsëri në ora 12 e 30 minuta, ose vijnë para përfundimit të mësimit, e shijojnë kafenë, në pritje për të marë fëmijët. Për këtë qëllim shërben kjo sallë për të cilën e ngritëm para disa vitesh.    
            Zakonisht ne jemi këtu, të mërkurave, të shtunave dhe të dielave, vazhdon të tregojë z. Llazar. Këto janë tre ditë kur Qëndra Kulturore është e hapur për të gjithë, por kjo nuk do të thotë që nuk e hapim edhe në ditët e tjera, kur vijmë për punë e probleme të ndryshme të shoqatës. Orari përgjithësisht është ai që kemi edhe për shkollën shqipe, ditët e diela.
            Ndërkohë para se të fillonte pushimi, midis orëve të mësimit, erdhi dhe z. Bujar Gjoka, n/kryetar i parë dhe përgjegjës i financës së shoqatës. Ai solli disa ushqime dhe pije që kishte blerë për fëmijët.   
            Në pushimin midis orëve të mësimit, – filloi të tregonte ai, – ne u japim diçka fëmijëve, një pako të vogël me biskota, një vafer, ndonjë çokollatë si dhe ndonjë shishe ujë apo lëng frutash. Fëmijët e dinë këtë dhe sapo mësuesja njofton pushimin, ata afrohen pranë tavolinës ku janë përgatitur më parë ato që do u shpërndahen atyre. Për këtë interesohet ai që ka muajin e kujdesit të shkollës por edhe z. Tajar Domi, Llazar Vero si dhe ndonjë prindër, ku dallohet Milot Rukiqi apo edhe Fitim Hamza, që nuk përtojnë asnjëherë për t’u shërbyer fëmijëve. Në çdo fund muaji festojmë datëlindjet e atyre fëmijëve që e kanë patur atë festë, gjatë atij muaji. Për këtë shoqata jonë përgatit një tortë të madhe, ku sipër shënohen emrat e fëmijëve që kanë datëlindjen, por edhe prindërit e fëmijëve japin ndihmesën e tyre.      
            Në pushimin midis orëve të mësimit, u prish qetësia në Qendrën Kulturore. Fëmijët nga të gjitha klasat, u mblodhën në sallën kryesore. Kishin festimin e datëlindjes katër fëmijë: Amalia Molla, Aiden Sanxhaku, Elio Lefta dhe Vanesa Agolli. Femijet rrethuan bashkënxënësit e tyre që kishin datëlindjen dhe filluan këngën “Shumë urime për ju…..”. Mbas shuarjes së qirinjve z. Bujar Gjoka shpërndau dhuratat që ishin përgatitur për tad he pastaj të gjithë bashkë shijuan edhe tortën e datëlindjeve.
            Në pushim takuam edhe me grupin e mësueseve, që bisedonin dhe tregonin diçka nga ora e mësimit apo edhe shkëmbenin përvojën. U afruam tek grupi i tyre. Ishin Raimonda Bardhi, Kozara Doko, Irini Zenelaj, Shpresa Rama, që kanë vite që japin mësim në këtë shkollë, por edhe e reja Elvana Pone.           
            Sa bukur dhe emocionuse është kur dëgjon këta fëmijë të shkollës “Gjuha Jonë” të flasin drejt e pa gabime gjuhën shqipe, – filloi të na tregojë zonja Raimonda Bardhi, një nga mësueset më të vjetra dhe drejtore e kësaj shkolle. Por më bukur është kur shprehen nëpërmjet rrecitimeve me ndryshime të zërit, duke përciell të gjalla ato ndjenja dhe kulturë të trashëguara nga të parët tanë, nga pena e artë e Naimit, Migjenit, Gjergj Fishtës, Asdrenit,etj. Me të drejtë krenohemie themi: “Kemi bërë detyrën më humane në botë, duke përciell vlerat më të vyera të identitetit dhe kombit tonë, e ia lëmë trashëgim këtyre ëngjëjve për ta çuar më tej në rrugën tonë të diturisë.     
            Menduam të vizitonim edhe fëmijët në klasat e tyre. Në klasën e parë ku jep mësim mësuesja Irini Zenelaj, nxënësit po përgatisnin tre këngët e programit për festën e 7-8 Marsit. U ulëm në një nga bangat e klasës dhe ndoqëm përgatitjen e tyre. Nuk kisha si të mos emocionohesha, kur fëmijët këndonin në shqip aq bukur dhe me shoqërimin me duar që i bënin këngës, të kënaqnin pa masë. U bëra një foto dhe mbasi falenderuam mësuesen Irini, për pasionin që tregon ndaj fëmijëve, dolëm nga klasa me mbresat më të mira. Më klasat e dytë, të tretë, të katërtë e të pestë, ndoqëm për pak çaste mësimet në to dhe bëmë foto të fëmijëve duke ndjekur mësimet.  
            Siç na tha sekretari i shoqatës, vitet e fundit, numëri i nxënësve që ndjekin shkollën “Gjuha Jonë” është në shifrat 50 deri 60. Në vitin që po vazhdojmë janë rregjistruar 52 fëmijë. Por ne jemi të pakënaqur me këto shifra dhe duam të kemi sa më shumë fëmijë, mbasi numëri I familjeve shqiptare në Filadeffia I kalon 5.000. Deri sot nga kjo shkollë kanë përfunduar ciklin 5vjeçar rreth 600 fëmijë, shumica të lindur këtu, në Amerikë dhe që në përfundim të shkollës kanë marë dëshmine përkatëse.    
            Më tej ai vazhdon. E rëndësishme është që të flitet shqip në familje, mbasi në të kundërt edhe ajo që mësohet në shkollën tonë, harrohet në vitet në vazhdim.    
            Ai më tregoi edhe një poezi që kishte bërë duke u nisur nga pohimi që tha më sipër. E quajtëm me vend ta vendosnim në këtë reportazh.     
            FLISNI SHQIP. Jam i vogël, jam fëmi/Kam nevojë për ndihmën tuaj/Që në fis me njerëzit e mi/Mos ta kem si gjuhë të huaj/Shokëve dua që t’u them/Kjo është gjuhë e nënës time/Dhe krenar për ju të jem/Për së gjalli e ne kujtime/Ndaj ju prindër u kërkoj/Në shtëpi të flisni shqip/Që dhe unë ta mësoj/Ta mësoj e mos ta harroj.        
            Koha e mësimit mbarroi dhe fëmijët një e nga një, së bashku me prindërit e tyre u larguan nga shoqata. Qendra Kulturore ra përsëri në qetësi.
            U përshëndetëm me anëtarët e këshillit drejtues të shoqatës dhe u larguam me mbresat më të mira për këtë shkollë shqipe, që vazhdon pa ndërpreje, qysh prej 13 vitesh të “ushqejë” fëmijët e komunitetir shqitar në Filadelfia me një “ushqim” të veçantë, gjuhën shqipe. Urimet më të mira për këtë shkollë dhe Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që kujdeset për të. Pastë jetën e suksesshme dhe sa më të gjatë.
 
                                                             
            Filadelfia, 26 Shkurt 2017

Filed Under: Featured Tagged With: NJË E DIELË, TEK “BIJTË E SHQIPES”, Vasil Filipi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 530
  • 531
  • 532
  • 533
  • 534
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT