• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tre persona në Bruklin akuzohen për terrorizëm

February 27, 2015 by dgreca

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj tre personave për mbështetje të militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe luftë kundër Shteteve të Bashkuara. Akuzat ndaj dy uzbekasve dhe një kazaku u regjistruan dje pranë një gjykate federale në Nju Jork.
Dy persona nga Uzbekistani u paraqitën dje para gjykatësit federal në Bruklin. Autoritetet e Nju Jorkut thanë se seanca dëgjimore për personin tjetër nga Kazakistani u zhvillua në shtetin e Floridës. William Bratton është komisioner i policisë së Nju Jorkut.
“Dy individët po përpiqeshin të shkonin në Siri. Njëri u arresua në aeroportin JFK në Nju Jork ndërsa po përpiqet të hipte në avion. Tjetri priste të merrte një avion të mëvonshëm. Ai u arresua në shtëpinë e tij në Bruklin. Një person i tretë që besohet se ndihmoi në organizimin dhe financimin e udhëtimit për dy të tjerët u arresua në Xhaksonvill të shtetit Florida.”
Që të tre personat banojnë në Bruklin dhe kishin leje të përhershme qëndrimi në Amerikë. Zyrtarët thanë se postimet e tyre në median sociale tërhoqën vëmendjen e policisë:
“Në bazë të akuzave, ideja doli qartë në deklaratat e tyre se nëse nuk do të mund të shkonin, do të përpiqeshin të gjenin armë të ndryshme këtu dhe të godisnin, kryesisht punonjës të policisë.”
Një prej tre të dyshuarve akuzohet për kërcënime kundër presidentit amerikan Barack Obama.
Zyrtarët amerikanë thonë se autoritetet i marrin seriozisht këto kërcënime. FBI-ja thotë se grupe dhe individë radikalë e përdorin median sociale për të komunikuar dhe dërguar mesazhe. Diego Rodrigues punon për Byronë Federale të Hetimeve.
“Jemi një prej agjencive të rendit që mbledh të dhëna dhe i ndan ato me agjencitë e tjera. Ne veprojmë me shpejtësi kur vëmë re diçka që pritet të ndodhë.”
Arrestimet në Bruklin kanë ngjallur shqetësime në komunitetin uzbek të Nju Jorkut. Shumë prej tyre druhen se do të bëhen objekt i vëmendjes së padëshiruar. Avokati mbrojtës, Adam Perlmutter, i kundërshton disa prej metotave të përdorura nga autoritetet për të identifikuar grupet radikale dhe hierarkinë e tyre.
“Nëse akuzat janë ato që thuhen, qeveria amerikane duhet të provojë një tjetër mënyrë qasje ndaj myslimanëve që mund të tërhiqen drejt radikalizmit.”
Shteti Islamik ka joshur të rinj nga shumë shtete perëndimore dhe arabe. Sipas llogaritjeve rreth 20 mijë të huaj kanë shkuar në Siri për t’u bashkuar me këtë grup, të njohur për barbarizmat dhe mizoritë në territoret që kontrollon.
Zyrtarët amerikanë pranojnë se Shteti Islamik ka vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara përmes një fushate propagandistike masive.(Zeri I Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: akuzohen, për terrorizëm, Tre persona në Bruklin

KA VETEM NJE ZOT DHE…SHUME NJEREZ TE HUTUAR

February 24, 2015 by dgreca

Teologjia është një shaka/
Nga Aurel Dasareti/ Unë gjithmonë kam respektuar fenë e të tjerëve. Siç kam thënë, ka vetëm një Zot dhe shumë njerëz të hutuar.
Diskutimet e shqiptarëve në tema teologjike, ideologjike, politike kanë prirje të krijojnë probleme të reja për cilindo problem që zgjidhin. Përderisa të menduarit ka pak ose aspak kontakt me realitetin, arsyetimi ka prirjen të bëhet më i stërholluar e më joreal sa më thellë që futet.
***
“Teologjia është një shaka. Teologjia mund po ashtu të quhet mësim magjie. Ajo nuk ka, ngjashëm si magjia, asgjë për ta bërë si një subjekt në një institucion shkencor si një Universitet. Nuk ka asnjë bazë për pretendimet që janë të paraqitura dhe që unë më parë do ta thërrasë për shakalogji. Gjëja më e keqe në lidhje me këtë absurditet është se ajo është miratuar nga shteti dhe paguhet nga dollarët tatimore të prindërve të mi. Prandaj, është më e rëndësishme se kurrë që fenë ta ndajmë nga shteti; edhe financiarisht” – shkrova unë në një gazetë, në moshën adoleshente.
***
Teologjia toksike dhe ekstreme:
Problemi me fundamentalistët islamik është se ata e ndajnë botën në dy pjesë:
1. myslimanëve
2. jobesimtarëve
Kur ju e ndani botën në këtë mënyrë, ju nuk mund të keni empati për “të tjerët”. Atëherë ju jeni në një pozicion ku lehtë mund ta racionalizoni përdorimin e dhunës. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse emigracioni i përkëdhelur aziatik-afrikan i Bashkimit Evropian prodhon akte terroriste dhe qëndrime jashtëzakonisht negative ndaj jomyslimanëve vendas. Ajo është teologjia ekstreme helmuese e cila është rrënja e problemeve që bota përjeton tani. Mjerisht, edhe shumë shqipfolës të diasporës dhe të vendit u janë bashkuar këtyre errësirave primitive të shpellave mesjetare; u vranë për “kalifatin” në Siri…
***
Cila fe (dhe Zot) është i vërtetë dhe pse?
Zot apo Hyjni (Perëndi), është një term i përdorur për një fuqi të mbinatyrshme apo qenie shpirtërore i cili ka pushtet të madh mbi botën, dhe që shpesh është i gjithëfuqishëm, i gjithëdijshëm dhe i gjithë-pranishëm.
Tradita i qeveris njerëzit më shumë se që bëjnë rregullat fetare. Prandaj, të kultivojmë traditat e mirëfillta shqiptare, ndërkaq rregullat fetare domosdoshmërish t`u përshtaten traditave tona, kohës, gjeografisë së vendit, gjuhës, kulturës tonë civilizuese evropiane.
Kjo ka të bëjë me një betejë shpirtërore. Unë do të shtoj se lufta, ngacmimi, shkeljet, sjelljet lënduese dhe terrori në asnjë mënyrë nuk gjenden as brenda Krishterimit apo Islamit – nëse ato nuk keqinterpretohen/keqpërdoren nga të hutuarit/çmendurit.
Bindjet fundamentaliste janë më të lehta për t`u përligjur me argumente racionale, por ato kanë forcë tërheqëse emocionale më të madhe pikërisht sepse janë më primitive.
***
Respektoj islamin ”burimor” të motrave dhe vëllezërve të mi shqiptarë, por kisha me qëndruar larg nga “Organizatat bamirëse“ (gjoja humanitare) të huaja që sillen lirisht në tokat tona. Misioni i tyre i vërtetë është në dobi të shteteve të tyre, në dëm tonin. Ndërkaq, për shqiptarët e diasporës: Mos u afroni shumë me emigracionin joevropian, sidomos me atë mysliman, sepse ata kanë kulturën e vetë speciale etj tërësisht ndryshe nga e jona, dhe mund të dëmtoni veten, fëmijët e juaj dhe Kombin tim. Shumica e tyre janë njerëz të mirë por ne jemi shqiptarë, evropian, dhe nuk do të bëjmë shumë biznes me ta, veçanërisht jo lidhje martesore/familjare. Hoxha më i njohur i mirëfilltë boshnjak, qysh në vitin 1992 i ka thënë popullit të vetë: “Ne boshnjakët i respektojmë të gjithë vendet dhe kombet aq sa edhe ata na respektojnë neve, por kur të vije puna te martesa, secili le të mbledh lulet në kopshtin e vet.”
***
Për çfarë nuk duan të përgjigjen shumë të krishterë dhe mysliman:
Kur unë diskutoj me të krishterët, myslimanët dhe fetarë tjerë, kam nevojë për përgjigje në gjashtë pyetje para se unë mund të vendosi nëse besoj në atë që ata besojnë ose jo. Shumica e të “devotshme” nuk pranojnë të përgjigjen në pyetjet e mia. Pyetjet janë si më poshtë:
1) Çfarë beson ti?
2) Pse ti beson në atë çfarë ti beson?
3) Si e din ti se Zoti me të vërtetë ekziston dhe se ti nuk je në mesin e atyre që jetojnë në një iluzion.
4) Si e din se bash feja jote është e vërteta dhe të gjithë të tjerat jo?
5) A mendon ti se unë do të kem një jetë më të mirë në qoftë se unë besoj në të njëjtën gjë si ti? Nëse po, pse?
6) Çfarë nëse të gjithë ju besimtarët keni gabuar?
***
Titulli i shkrimit tim është pak si provokues, por s`ka gajle. Unë nuk kam shkelur në dinjitetin njerëzor të besimtarëve. Ndoshta vetëm ia kam lënduar ndjenjat ndonjërit – që e meriton. Dhe, këtu qëndron dallimi i madh.
Shprehja e Lirë duhet respektuar dhe praktikuar edhe te shqiptarët. Kjo nuk do të thotë se unë domosdoshmërish jam ateist, megjithatë, më përpara së gjithash jam shqiptar.
Ti nuk do të fitosh një betejë shpirtërore me gjysmë të vërteta. Dhe, ne duhet të jemi të guximshëm për të diskutuar dhe trajtuar pyetjet që janë të vështira për ne – pa fshehur pluhurin nën qilim.
Në një intervistë ekskluzive për Zemra Shqiptare në NJ, USA, Maj 2013, të titulluar SHKODRANI I TRE KONTINENTEVE, atdhetari-intelektuali i shkëlqyeshëm, poeti i lindur dhe miku im i madh Zeqir Lushaj ma parashtroi pyetjen: ”Në doktrinën amerikane, liria fetare shihet si e drejtë e besimit por edhe e mosbesimit fetar. Nga anon Aurel Dasareti dhe pse?”
Përgjigja ime ishte: –
”Unë jam pluralistë i balancuar, si në mendime ashtu edhe në format e besimit. As që dua të kontribuoj në përçarjet fetare midis shqiptarëve. Kjo, ndër të tjera, më pengon të jem një i krishterë/katolik fanatik, pasi as nuk besoj që Zoti të ketë pasur një bir të vetëm, as që e vetmja rrugë drejtë Zotit dhe lumturisë është besimi te ai.”
http://www.zemrashqiptare.net/news/id_31927/Zeqir-Lushaj:-Intervistë-ekskluzive-me-ekspertin-Aurel-Dasareti.html?skeyword=aurel+dasareti
***
Prodhuesit profesional:
Kalemxhinjtë e shumtë, shumica prej tyre pseudo-intelektual që vetëm hutojnë njerëzit, shkruajnë me tepricë për problemet e Kombit-Atdheut por jo si të bëjmë zgjidhjen e tyre. Dhe, askush nuk komenton temat e mirëfillta siç veprojnë shoqëritë e civilizuara.
Psikologët qëndrojnë në qendrën e zhvillimit të reklamimit modern dhe kur fushata propagandistike duhet të projektohet-formulohet. Në të dyja rastet qëllimi është për të ndikuar, për të bindur (mbushur mendjen) dhe për të trembur.
Zhvillimi i mediave masive moderne ka çuar në ndryshimin e metodave të përdorura nga propaganda, por parimet janë të njëjta gjatë gjithë historisë. Propaganda mund të përdoret në të gjitha mediat në dispozicion, çdo gjë nga Fushatat Pëshpëritje e deri në përhapjen e informimit të rrejshëm përmes mediave elektronike.
***
Faktorët mjedisor i japin shtysë ose pengojnë zhvillimin e shoqërisë, vendosin caqe brenda të cilave njeriu mund të lëvizë. Megjithatë, arsyeja e shëndosh dhe vullneti i njeriut janë faktorë të fuqishëm në procesin, vetjak apo shoqëror, të zhvillimit të tij. Kombi është në shpërbërje nga mungesa e parimeve udhëzuese, për shembull, standardet dhe objektivat e përbashkëta.
Qeveria është e obliguar të siguroj, mbrojë dhe zbatojë ligjin, jo ta minojë atë. Mjerisht, në tokat arbërore minohet çdo gjë, bile me trotil. Shembull i radhës: Qeveria e Kosovës është e korruptuar prandaj edhe mjerimi, varfëria, ikjet ilegale. Çfarë mund të presësh prej një qeverie antikombëtare e cila 16 vjet me radhë ka refuzuar t`i dënoj krimet serbe dhe nuk e ka aspak mendjen të paditi Serbinë për gjenocid?
***
Nuk është historia ajo që bën njeriun, por njeriu që krijon vetveten në rrjedhën e historisë. Vetëm mendimi dogmatik, që buron nga përtacia e shpirtit dhe e mendjes, kërkon të ndërtojë skema thjeshtësuese në një drejtim apo në një tjetër, duke bllokuar në këtë mënyrë çdo kuptim përmbajtësor të njëmendtë.
* USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Featured Tagged With: Auret Desareti, eshte shaka, Teologjia

Reforma e emigracionit në SHBA

February 23, 2015 by dgreca

Urdhëri ekzekutiv i Presidentit Obama për mbrojtjen nga deportimi të miliona emigrantëve pa dokumenta duhet të kishte hyrë në fuqi këtë javë, por është pezulluar pasi një gjykatës federal e bllokoi atë. Siç njofton korrespondenti Michael Bowman, beteja ligjore sapo ka filluar, dhe si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët e urdhrit të njëanshëm të presidentit nuk tregojnë shenja se do të lëshojnë terren.
Në komunitetet e emigrantëve ra një hije e zymtë gjatë seminarëve që po zhvilloheshin për të ndihmuar emigrantët pa dokumente të përfitonin nga urdhëri i presidentit. Kjo nismë është pezulluar tashmë. Në Arizona, Idalia Cervantes shpresonte se prindërit e saj të lindur në Meksikë do të mbroheshin nga deportimi. “Jemi zemërthyer tani. E morëm vesh në mesnatë, dhe na filluan lotët.” Pak orë më vonë erdhi dhe konfirmimi nga Shtëpia e Bardhë. “Nuk do ta injorojmë këtë vendim të gjykatës federale. Pra, nuk do të pranojmë aplikime derisa të qartësohet kjo çështje.” Sipas drejtorit për studime ligjore të Universitetit të Masaçusets, Paul Collins, do të duhet kohë për një zgjidhje përfundimtare. “Ligji në të vërtetë nuk është bardhë e zi. Nëse do të çohej në Gjykatën e Lartë dhe ata do të pranonin të merreshin me çështjen, atëherë do të duhet rreth një vit kohë.” Deri atëherë, do të mbizotërojë pasiguria për të huajt pa dokumente, si Steven Rodriguez, i cili u soll nga Meksika në SHBA kur ishte foshnjë, dhe nuk mundet të punojë ligjërisht tashmë që është në moshë madhore. “Nëse dal të kërkoj punë, nuk më punëson askush.” Kongresi nuk ka mundur të bjerë dakord për një plan reforme të sistemit të emigracionit, për të cilin pothuajse të gjithë mendojnë se duhet ndryshuar. Por, mosveprimi legjislativ nuk justifikon veprimin e tepruar ekzekutiv, thotë kongresmeni republikan Lamar Smith. “Presidenti tha se do t’u jepte leje pune, leje qëndrimi, dhe të drejtën për të marrë përfitime nga qeveria federale. Kjo është pika ku unë mendoj se ai e teproi.” Pavarësisht protestave, zyrtarët në shtetet që paraqitën padinë gjyqësore thonë se ata janë duke mbrojtur rendin kushtetues. “Ky është një parim i rëndësishëm kushtetues që shtrihet përtej thjesht çështjes së emigracionit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mundet të veprojë në mënyrë të njëanshme për asnjë çështje ligjore”, thotë Mark Brnovich, prokuror i përgjithshëm në shtetin Arizona. Presidenti Obama nuk zmbrapset nga qëndrimi i tij. “Mendoj se kemi me vete ligjin, dhe historinë në anën tonë. Ne do ta apelojmë këtë vendim. Do të jemi gjithashtu të përgatitur që ta zbatojmë këtë urdhër plotësisht sapo të qartësohet aspekti juridik.” Deri në këtë moment, historiku juridik duket se favorizon pozicionin e zotit Obama. “Gjykatat federale kanë qenë përgjithësisht në mbështetje të politikave të qeverisë federale për emigracionin, në veçanti kur janë paraqitur padi nga autoritetet e shteteve. Kështu që atyre do t’u duhet të bëjnë një betejë të fortë.” Për grupimet e emigrantëve lind detyra të bindin emigrantët pa dokumenta të mos vetëizolohen, por të qëndrojnë të angazhuar. “Unë do ta vazhdoj këtë betejë, ndërkohë që e di se kam të gjithë komunitetin që më mbështet, derisa të sigurohem se prindërit e mi do të qëndrojnë në këtë vend.”
Marrë nga VOA, 21 shkurt 2015

Filed Under: Featured

Ne megjithatë do të fitojmë përsëri

February 23, 2015 by dgreca

Nga Uk LUSHI/
Keqqeverisje. Keqdrejtim. Vjedhje. Korrupsion. Varfëri. Skamje. Ligështim. Dëshpërim. Dorëzim. Këto janë disa nga fjalët që faniten si fantazma mbi ekzistencën tonë në mesin e dekadës së dytë të shekullit XXI kudo jetojmë shqiptarët në Ballkan. Pavarësisht rrezikshmërisë së pranisë së këtyre fjalëve në ligjërimin dhe realitetin e një populli, fjala më e errët dhe me rrezik vdekjeprurës nuk ishte thënë zëshëm ndonjëherë. Por, këto javët e fundit, edhe fjala, të cilën çdo shqiptar dhe shqiptare duhet ta luftojë si murtajën dhe deri në zhdukje nga fjalori i përditshmërisë sonë, gjeti ca vrima në bedenet e e kështjellës së kombit shqiptar dhe bile po tenton të ulet këmbëkryq me ne siç ulet xhebraili me dikë që do t’i marrë shpirtin. Fjala në fjalë është fjala pashpresë dhe— po— popujt që humbin shpresën vdekjen e kanë alternativë të pashmangshme.
Është e vetëkuptueshme që kur në TV apo Internet transmetohen skena që tregojnë ikjen nga vendlindja të qindra-mijëra shqiptarëve, fillikat apo me foshnje gjegjësisht me fëmijë njomakë ngryk, duke rrezikuar jetët e veta dhe të pasardhësve të tyre ndërsa kapërcejnë këneta plot me llucë dhe lumenj me ujin akull deri në fyt, vetëm që të arrijnë të hyjnë brenda kufijve politikë të Bashkësisë Europiane, njeriu nuk ka si të mos trishtohet dhe eventualisht të mëkatojë në ballafaqimin me tundimin e humbjes së shpresës. Shpresa përpëlitet mes jetës dhe vdekjes sidomos kur njeriu i informuar e di që pamjet pikëlluese të ikanakëve nga Kosova janë ato që kanë marrë vëmendjen e mjeteve të informimit dhe medieve aktualisht, por assesi nuk janë të vetmet. Ikje të shqiptarëve ka edhe nga Ulqini, Tuzi, Presheva, Kumanova, Shkupi, Gostivari, Gjirokastra, Berati, Durrësi, Tirana, e Kukësi. Herë me heshtje e herë me gjurulldi, gati çdo ditë, shqiptarët ikin nga çdo cep i atdheut, sa që sot, mund të thuhet pa drojë gabimi: jashtë trojeve shqiptare jetojnë mbi një e treta e popullit shqiptar. A janë këto fakte një gjëmë për të cilën duhet t’i çojmë duart lart dhe të fillojmë kukatjen?! A jemi afër fundit tonë si popull dhe civilizim?!

Jo! Jo dhe jo! Kapitullimin shqiptar nuk mundet dhe nuk do të guxoj ta nënshkruaj askush.

Populli shqiptar gjithherë duhet të ketë pjestarë që jetojnë dhe veprojnë në botë, mirëpo njerëzit tanë do të duhej të largohen nga tokat stërgjyshore atëherë kurnga vendet tjera mund të kontribuojnë më shumë për popullin shqiptar apo atje të realizojnë veten në gjëra që nuk janë të mundshme në atdhe. Momentalisht shqiptarët që po braktisin trojet tona në Ballkan janë duke u larguar sepse gjendja politiko-ekonomike është e zymtë dhe përgjegjësia për këtë nuk është e të gjithë neve, por e shumicës dërmuese të kastave që janë në krye të organeve dhe institucioneve partiako-shtetërore. Drama e të larguarve të zhgënjyer nga të katër anët e mëmëdheut duhet të shërbejë si një katarsis i pranimit të dështimeve kalimtare të shteteve shqiptare. Pra, ikjet e bashkëkombasve tonë janë dëshmitë që vërtetojnë përtej çdo dyshimi të bazuar se jemi në krizë. Porse, bazuar në përvojat e mëhershme historike— tonat dhe të tjerëve— krizat janë situata kritike gjatë të cilave kombet dhe popujt mund të ndërrojnë kurs dhe të fillojnë (ri)ngritjen, prandaj tautologjikisht për ne janë duke rënë këmbanat e fundit për ndërrim drejtimi.
Ndryshimi i parë urgjent që duhet të bëjmë është ndalimi i përgjithësimeve të stilit të gjithë jemi një lloj; të gjithë jemi të prishur; të gjithë jemi përgjegjës— gjeneralizime këto, të cilat, pastaj, rrjedhin në segmente tjera si fjala vjen: të gjithë politikanët janë hajdutë; të gjithë intelektualët janë të përfshirë në rrjete klienteliste; të gjithë gjykatësit dhe prokurorët shiten; të gjithë punëtorët janë dembelë, e të tjera budallallëqe të përngjashme. Këto (para)gjykime të padrejta lënë të kuptohet që gjoja ne shqiptarët posedokemi gjene të cilat na pengojnë të jetojmë në shtete me rend dhe ligj. Një pikëpamje e këtillë gjithsesi që është e pasaktë dhe raciste. Njeriu me mendje të shëndoshë nuk ka nevojë të rrëmojë shumë prapa që të gjejë raste konkrete të cilat lehtësisht hedhin poshtë kësi tezash të gabuara gjeneraliste. Le të përkujtohen si prova sakrificat e mijëra martirëve heronj si Arben Broci nga Shkodra, Antigona Fazliu nga Gradica e Drenasit, Ismail Mehmeti nga Drenoveci i Tetovës apo Tahir Sinani nga Gria e Bujanit. Për persona të tillë që nuk pranojnë flijimin për të mirën publike si aktin më të lartë (!!), ka edhe heronj të gjallë dhe krejt të zakonshëm që poashtu hedhin poshtë tezën e futjes së të gjithë shqiptarëve në një thark derrash të ndyer dhe diabolik që nuk do të arrijnë stabilitetin dhe progresin kurrë. Sa për ilustrim dhe sigurisht duke u hyrë në hak qindra-mijëra shqiptareve dhe shqiptarëve të dobishëm dhe punëtorë, që sillen dhe kontribuojnë si qytetarët e vendeve më të mira, le të theksohen katër femra tonat: Dr. Mira Mezini, profesoreshë e informatikës në Universitetin e Darmstadt-it në Gjermani, të cilës para ca kohe Këshilli Europian për Studimet Shkencore i akordoi çmimin “ERC Advanced Grant” prej 2 milionë eurosh për të vazhduar punën e çmueshme akademike; Majlinda Kelmendi, kampione botërore në xhudo, e cila ka reprezentuar edhe Republikën e Shqipërisë edhe të Kosovës në evenimentet madhore globale sportive; dhe, së fundi, dy zonjusha studente në Universitetit të Prishtinës, Gentiana Desipojci dhe Blerta Likaj, të cilat po të ishin në vende përendimore korporatat e sukseshme do t’u ofronin qindra-mijëra dollarë apo euro për aplikacionin e tyre kreativ përmes të të cilit kandidatët për vendstudim mund të shohin në kohë reale rangimin e tyre dhe nëse nuk duan që shënimet e tyre të mbahen në DropBox, Google Drive apo MS Drive, aplikacioni i vajzave inteligjente prospektuesve u mundëson t’i vendosin të dhënat në ownCloud duke ruajtur kështu pronësinë. Shqiptarët e mirë janë me miliona, shqiptarët përgjegjës dhe keqbërës janë në dhjetra-mijëra apo shprehur matematikisht— për çdo shqiptar të keq, në anën e kundërt, janë 100 shqiptarë të mirë. Semantika e gjuhës nuk është mirë të relativizohet dhe të sulmohen njerëzit ad hominem pa u ballafaquar argumentet dhe faktet. Secili le të shikojë në familje, rreth shoqëror dhe ku jeton dhe do të shihni që shumica nuk janë përgjegjës për terrin që na ka mbështjelllur kudo gjallëron etnia shqiptare. Si pasojë e kësaj të vërtete mjaft me përgjithësime, sepse ato u shkojnë për shtati më së shumti mu pakicës së shqiptarëve që duhet të japin llogari për baltovinën ku jemi futur.
Ndryshimi i dytë urgjent që duhet të bëjmë është ta heqim bindjen që jemi totalisht të pafuqishëm për të ndërruar gjërat. Pozicioni dhe gjendja e një kombi nuk është vetëm trill i fatit gjeo-politik apo historik, por rezultat i angazhimit të anëtarëve të tij me ç’rast secili njeri e bartë pjesën personale të barrës së atdheut, ashtu që askujt të mos i bie barrë më e madhe. Askush nuk do të ndërtojë mëmëdheun tonë dhe askush nuk do ta përmirësojë të ardhmen tonë nëse jo ne. Kombi është një abstrakcion konceptual dhe nuk mund të mbahet në këmbë pa bashkëpunim dhe kohezion social. Pezmi dhe mllefi ndaj dergjës që na ka kapluar duhet të vihen nën kontroll dhe të çlirohen arsyeja dhe vendosmëria për veprime dhe aktivitete. Rruga më e mirë për të treguar fuqinë tonë është dhënia e votës atyre që ofrojnë alternativën dhe zgjidhjet më të mira dhe realistike të problemeve, por, në fund të fundit, le të thojë kush të dojë çfarë të dojë, në qoftë se cilido pushtet në shtetet shqiptare në Ballkan barrikadohet në mbrojtje të interesave klanore dhe jo respektimit të atyre të popullit shqiptar, veç 100.000 shqiptarë, në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, në Sheshin Skënderbej në Tiranë apo në Sheshin Makedonija në Shkup, të ulur dhe plotësisht paqësor, mund të rrëzojnë cilëndo qeveri apo sistem brenda një jave duke qëndruar stoikisht ditën e natën aty, e lëre më nëse populli vendos të përdorë mjete tjera më serioze. Është lajthitje naive që jemi të pafuqishëm dhe kjo bindje defektive duhet të mënjanohet nga truri i çdo shqiptari sepse kur një grupacion njerëzor merr vendim të arrijë një qëllim, “dies irae” e secilit do të arrijë patjetër.
Mirëpo duhet të thuhet pa fshehur, pa nxehtësinë e shpresës në zemër dhe flladin e saj në mendje, populli shqiptar nuk do të bëjë as ndryshimet urgjente dhe as ato jourgjente— ndonëse të rëndësishme sa urgjentet. Shpresa mbahet gjallë kur njerëzit kanë qëllime të qarta, janë me besim dhe përdorin forcën e vullnetit se do t’i arrijnë ato. Simboli i shpresës është dallëndyshja dhe ky simbol nuk do shumë interpretim. Historia e popujve fortësinë e saj e merr nga vështirësitë me të cilat ndeshen popujt. Vështirësitë paraqesin probleme por edhe kërkojnë zgjidhje nga ne, mosgjetja e të cilave mund të rezultojë në degradim dhe mbase vdekje. Problemet me të cilat ballafaqohen grupet e ndryshme njerëzore kanë qenë të ndryshme për popuj të ndryshëm dhe dallimi që përcakton një popull si fitues apo humbës qëndron në mënyrës se si ata reagojnë ndaj problemeve dhe si i mposhtin vështirësitë. Unë e ndiej dhimbjen e popullit tonë, vuajtjet dhe frikën se ndoshta zhvillimet mund të na çojnë në dreq të mallkuar, porse unë gjithashtu e di— nga historia dhe nga përvoja ime direkte— që një popull i cili fiton mbi dy katastrofa njerëzore si diktatura dhe pushtimi, ai popull gjithmonë e ka në shpirt shpresën. Unë jam i sigurt që shqiptarët që janë si unë jemi shumica absolute e popullit shqiptar dhe ne megjithatë do të fitojmë përsëri për ta shtyrë civilizimin shqiptar në një nivel më të lartë nga ku ne do të vazhdojmë të pasurojmë mozaikun e vlerave për tërë njerëzimin. Sëkëndejmi, kryet nalt shqiptarë— ditët e mira janë shumë afër sepse nata është më e errët krejt pak para agimit!

Filed Under: Featured Tagged With: ne do fitojme, Uk Lushi

Basha: Modeli i diktatorit Hoxha fle në kokat e idhëtarëve të tij

February 20, 2015 by dgreca

PD përkujton 20 shkurtin e rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha/
TIRANË, 20 Shkurt/Partia Demokratike ka perkujtuar sot 20 shkurtin e 1991 të rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha në sheshin “Skënderbej” ne Tirane, ku protoganistë të asaj ngjarje rrëfyen copëza historie.
Në qendër të sheshit “Skëndërbej” dhjetra qytetarë ishin mbledhur për të ndjekur aktivitetin që Partia Demokratike kishte organizuar në kujtim të ditës së rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha, ku në qendër ishte vendosur një ekran ku trasmetoheshin kronika, komente dhe copeza të historisë së asaj dite.
Kryetari I Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se “Si çdo vit edhe këtë vit të gjithë së bashku si në Tiranë dhe në të gjithë vendin, përkujtojmë një ngjarje të shënuar të historisë së te Shqiperisë, pasi 24 vjet më parë, më 20 shkurti 1991, Tirana dhe qytetarët e saj rrëzuan përmendorën e diktatorit Envër Hoxha, simbolit të diktaturës më të egër në Europë. Si çdo komb që respekton kthesat e mëdha historike, ne i kujtojmë sot momentet e rilindjes së vertëtë të Shqipërisë të viteve 1990. Ne kujtojmë me nderim të thellë heronjtë e atyre ditëve. Sot ne nderojmë studentët e dhjetori që nxorrën para gjygjit figurën e diktatorit Hoxha dhe kërkuan pa kushte edhe çmimin e sakrificave teje sublime si, greva e urisë, heqjen e emrit të tij nga Universiteti i Tiranës etj. Ne nderojmë sindikalistët, qytetarët e Tiranës, burrat dhe gratë e 20 shkurtit që sfiduan diktaturen”.
“24 vite më parë ne rrëzuam diktaturën, tani duhet të rrëzojmë qeverinë e oligarke. Është koha të hedhim tutje politikën hoxhishte, të çlirojmë Shqipërinë nga e keqja dhe ta çojmë Shqipërinë në Europë”, tha Basha.

Filed Under: Featured Tagged With: 20 Shkurtin, Basha: Modeli, i diktatorit Hoxha, PD perkujton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 660
  • 661
  • 662
  • 663
  • 664
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT