• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në vend të homazhit

March 6, 2014 by dgreca

Në kuadër të 40 vjetorit të rënies te Sokol Sejkos/

  Studiuesi i njohur Giovani Sartori në studimin e tij “Edhe një herë për teorinë e demokracisë“, botuar në vitin 1987, shkruan:Njerëzit që kurrë  nuk  e  kanë  njohur  diktaturën  dhe  tiraninë  e  kanë  të  lehtë  të  jepen  pas retorikës për lirinë duke harruar fare realitetitn  e thjeshtë dhe  të  tmerrshëm  të  shtypjes  së  njimendtë atje ku ekziston përnjmend“. 

Shkruan Reshat KRIPA*/

 Sot, në emër të lirisë, flasin dhe rrahin gjoksin, më tepër se kushdo tjetër, pikërisht ata që e ndihmuan sistemin totalitar të qëndronte në këmbë për një periudhë aq  të  gjatë.  Këta  korba  të zinj janë pikërisht ata që nuk e kanë ndjerrë kurrë mbi shpatullat e tyre peshën e rëndë të diktaturës. Janë ata që nuk kanë provuar kurrë çdo të thotë të humbasësh një familje të tërë, në holokaustin më të egër që ka parë bota. Një holokaust të tillë mund ta ndjejnë vetëm ata që e kanë pësuar dhe një nga këto është edhe familja Sejko, një familje që i dha gjithçka atdheut dhe nuk mori  asgjë prej tij. I dha të parin e familjes, Teme Sejkon, komandantin e flotës luftarake, njërin prej figurave kryesore të luftës për  liri. I dha më të riun, Sokol Sejkon, që edhe para togës së pushkatimit pati kurajon t’u thërriste kriminelëve “Afrohuni dhe pak e qëlloni!“. E treta ishte nëna, Shpresa, që e dërrmuan tragjeditë e njëpasnjëshme dhe i dha fund jetës me dorën e saj. I katërti ishte djali tjetër, Rajmondi, që u syrgjynos në humnerat e thella të burgjeve dhe kampeve të tmerrshëm. A keni dëgjuar ndonjëherë që targjedi të tilla të kenë ndodhur në vende të tjera? Ndoshta vetëm në Gjermaninë naziste por edhe këtu ka një diferencë. Ndërsa holokausti nazist zhvillohej në kondita lufte, holokausti komunist zhvillohej në kondita paqeje, me një gjakftohtësi prej ciniku.

Zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, deklaroi:

Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Janë pikërisht këta lakej të komunizmit që sot kanë ngritur zërat e tyre të ngjirur duke i bërë jehonë kryediktatorit të zi dhe epokës së tij si dhe duke hedhur baltë mbi martirët e vërtetë të këtij kombi, midis të cilëve edhe këta martirë për të cilët jemi mbledhur sot. Janë pikërtisht këta zëra korbash që pretendojnë për ditë çlirimi nga robëria e huaj. Por a u çlirua vërtet? Ajo nuk është dita e çlirimit. Ajo është dita e skllavërimit të këtij populli.  Është dita e mbi 6.000 të vrarëve pa faj, mbi 17.000 të burgosurve politikë, mbi 30.000 familjeve të internuara politikisht, mbi 400.000 të përndjekurve politikë. Atëherë, përse bëni fjalë? Për atë “çlirim që Çamëria nuk është truall shqiptare. Për atë “çlirim” që hëngri edhe bijtë e vetë? Për atë “çlirim” që varfëroi deri në palcë një popull të tërë? Kjo është ajo dita e “çlirimit” që ju kërkoni ta ngrini në qiell?

Pas Luftës së Dytë Botërore në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Kjo bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Po tek ne çfarë po ndodh? Janë mbushur faqet e mediave të shkruara dhe ato vizive me “bëmat” e hienave të së kaluarës që e përmbysëm në fundin e viteve 90-të. Kanë kaluar 23 vjet nga ndryshimet demokratike dhe ende diktatori Enver Hoxha nuk është deënuar. Ai ruan ende titujt dhe dekoratat e fituara nga sistemi që gatoi vetë. Jemi i vetmi vend i Europës Lindore që nuk ka hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Jemi vendi ku, për të përndjekurit politikë, nuk zbatohen detyrimet e caktuara në Statusin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për ta, por janë pikërisht ata që pushohen nga puna në rradhë të parë. Jemi i vetmi vend ku mbi 4000 të rënëve nuk u gjendet një vend varri ku familjarët të vendosiun një tufë me lule apo të derdhin dy pika lot. Një nga këto është edhe familja Sejko. Jemi vendi që nuk ka asnjë burg apo kamp  muze të mirëfilltë, që nuk ka një memorial për kujtim të të rënëve në një kohë që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ngritur një të tillë madhështor, megjithëse nuk e kishin provuar kurrë diktaturën komuniste. Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Muzeun Historik Kombëtar vazhdon të qëndrojë mozaiku i realizmit socialit. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende vazhdojnë të ngulen në eshtrat e martirëve tanë të rënë në përpjekje me diktaturën. Deri kur kështu?

Zonja Saks (Estoni) në debatin e zhvilluar në parlamentin e Këshillit të Europës, me rastin e miratimit të rezolutës së përmendur më sipër ka thënë: Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste.

  Një deklaratë dinjitoze e një intelektualeje dinjitoze. Por, a keni dëgjuar ndonjë personalitet të së kaluarës në vendin tonë të ketë bërë një deklaratë të tillë? Shumë rrallë. Sepse nuk e kanë burrërinë ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo është fatkeqësia e këtij vendi. Kjo fatkeqësi merr përmasa më të mëdha kur mendon se, qysh në vitin 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën “Për dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”,  në mbështetje të rezolutës analoge të miratuar më parë nga Këshilli i Europës, rezolutë që në shumicën e pikave të saj ka mbetur në letër. Deri kur do të vazhdohet kështu? Ne jemi në pritje.

Së fundi kam edhe një thirrje për historianët dhe studiuesit e djathtë. Kohët e fundit, në vendin tonë, ka filluar një fushatë e shfrenuar e së majtës, për të ringjallur figurat dhe epokën e së kaluarës më të egër që ka kaluar vendi. Ku është zëri i tye? Përse nuk u përgjigjen? Ne duam ta dëgjojmë atë zë me forcën më të madhe. Në të kundërt, nesër do të jetë shumë vonë.

* Mbajtur në takimin  përkujtimor në sallën e Muzeut Historik Kombëtar

Filed Under: Featured Tagged With: 40 vjet nga vdekja, reshat kripa, Sokol Sejko

Gruaja shqiptare në shekuj dhe pozita e saj shoqërore

March 5, 2014 by dgreca

“Ekzistenca e shoqërisë njerëzore mundësohet nga dy segmente, femra dhe meshkuj.”     

“…nga gruaja lindën burrat e shteteve, në duart e të cilëve është luajtur e luhet politika, diplomacia botërore dhe fatet e kombeve të vegjël…”

“...Ju gjyshe, nëna, bashkëshorte, motra e bija…luftoni për të drejtat, liritë dhe dinjitetin tuaj. Nuk jam për lirinë pa kufi që shtrembëron e përdhos nocionin e kësaj fjale të bukur, fisnike, të vyer dhe të pazëvendësueshme. Jam për atë liri që i jep gruas mundësinë për të qenë vetvetja.”–Vivra/

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

Historia e kombeve është zhvilluar sipas epokave politike, ekonomike dhe sociale që të marra në tërësi, janë ato që bëjnë historinë e një kombi. Historinë e bënë njerëzimi me bëmat e tij, por janë epokat, ato që nxjerrin në pah vlerat e njerëzve të shquar. Ekzistenca e shoqërisë njerëzore mundësohet nga dy segmente,femra dhe meshkuj.Të flasësh për historinë e një kombi duhen pasur parasysh vlerat dhe kontributi që ka dhënë çdo segment i shoqërisë së tij. Kjo gjithmonë e parë nën dritën e së vërtetës me një paanshmëri politike, sociale apo kulturore, duke i dhënë vendin e duhur reales, pa mohuar apo anashkakaluar as epokën, as vendin dhe as ngjarjen që ka lënë vragë në histori. E theksoj këtë sepse zakonisht politikat më tepër i kanë prishur dhe i prishin punë, se sa i japin vlerat e duhura këtij segmenti të pazëvendësueshëm në gjithë jetën politiko-sociale, ekonomike dhe kulturore. Ky mentalitet i njëanshëm do të ekzistojë për aq kohë sa gjinia mashkullore nuk do ta pranojë si të barabartë gjininë femërore. Madje ky qëndrim do të vazhdojë deri sa të pranohet se femra ka të njëjtin potencial intelektual e profesional, si dhe burrat. Pikërisht për këtë diferencim gjinor, dalim në një përfundim se historia jonë kombëtare është e lidhur ngushtë me jetën, veprimtarinë dhe sfidat e gruas.

Kurrë nuk mund të themi se fazat që kalon një komunitet për ndërtimin e një shoqërie, që të quhet komb dhe që të marrë një vizion të tillë, konformë shtetit të zhvilluar, atëherë pushteti i çdo lloj forme administrimi, nuk i takon vetëm njërit segment të shoqërisë, si për shëmbull vetëm meshkujve ose kësaj apo asaj shtrese shoqërore. Gjatë gjysmë shekulli diktaturë jemi mësuar të dëgjojmë se Shqipëria dhe historia e saj i përkasin  fukarait, gjë që është absurde.

Historinë e këtij kombi e kanë bërë epokat, njerëzit që ishin faktorë të ndryshimeve politiko-sociale, si dhe ata atdhetarë që nxori koha që i lindi, të cilët e çmonin aq shumë lirinë, sa kishin vënë shenjën e barazisë mes saj dhe jetës. Ekzistenca e kombit tonë është meritë e të gjithë shqiptarëve pa dallim gjinie apo shtrese sociale. Shembuj më të mirë virtyti dhe trimërie ishin mbretërit ilir, si: Bato, Pleurati, Monuni, Mytili, Pirro i Epirit, Genti, Agroni e më vonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Ismail Qemali.

Duhet theksuar se në lashtësi dhe më pas në kohë luftrash, gruaja mbante peshën e familjes dhe të gjithë shoqërisë. Jo rrallë gratë ilire merrnin pjesë në kuvende dhe herë -herë u dëgjohej fjala më shumë se sa burrave. Një vlerësim të tillë për femrën e përmban edhe Kanuni i Lek Dukagjinit.

Ashtu siç ekzistojnë gojëdhanat për heroizmat e pashoqe të burrave trima, të tilla drithëruese dhe vetëmohuese, janë legjendat edhe për gratë trimëresha.

*Pas vdekjes së Agronit drejtimin e shtetit Ardian e mori Teuta,mbretëresha që diti t’i udhëheqë ilirët nga beteja në betejë,në luftën e drejtë e çlirimtare kundër romakëve.Teuta u shqua si një stratege e zonja që e nxori popullin e vet nga situata të vështira ndërlufuese, jo shaka por me një Perandori që ishte sundimtare e botës. Kjo u tregoi ilirëve dhe botës se edhe një grua është e aftë të drejtojë si çdo burrë. Shembuj vitaliteti e besnikërie ishin gratë ilire që luftonin përkrahë burrave. Në kohën që ata ishin në luftë, gratë jo vetëm drejtonin ekonominë, rrisnin dhe edukonin fëmijët për tu bërë luftëtarë të zotë, por drejtonin dhe mbronin edhe pronën e tyre. Pra koha në rrjedhat e saj nxori, jo vetëm burra por edhe gra të famshme.

Të shumta janë gratë shqiptare që ia rrisin emrin Shqipërisë dhe shqiptarizmit, që nga mbretëresha Teuta e Ilirisë, Dora d’ Istria e Rumanisë, ky ishte pseudonimi i princeshës me origjinë shqiptare Elena Gjika, Nënë Tereza,

*Dy princeshat e Kaninës Rugjina Balsha, e cila në shekullin e XIV bëri epokë, e Princit të Kaninës Gjergj Arianiti, Donika Arianiti Kastrioti, e cila ishte e denjë për t’u kurorëzuar Mbretëreshë e Arbërisë, titull që e mbajti me nder edhe pas vdekjes së të shoqit, Skënderbeut. Donika Kastrioti jetoi në oborret e Napolit, Venedikut me dinjitet prej mbretëreshe. Deri në vdekjen e saj, në fillim të shek XVI ajo nuk reshti duke ndihmuar shqiptarët që atje ku jetonte në mërgim.

Rilindja Evropiane dhe të drejtat e gruas

Qysh në shekullin e XVIII, evolucioni social- ekonomik dhe kulturor që solli në oborrin perandorak të Petërburgut Perandoresha Katerina e Madhe, gruaja me origjinë gjermane, shërbeu si shembull për femrat përparimtare dhe të arsimuara të Evropës, që kërkonin ndryshim, të cilin duhet ta sillte gruaja prej së cilës lind jeta. Askush nuk mund ta mohojë se nga gruaja lindën burrat e shteteve, në duart e të cilëve është luajtur e luhet politika, diplomacia botërore dhe fatet e kombeve. Shumë zonja të nderuara, që e urrenin skllavërinë e femrës si segment, izoluar brenda katër mureve të shtëpisë, kishin vërejtur se mungesa e lirive dhe të drejtave të gruas, mospjesmarrja e saj në votime, mosarsimimi dhe mohimi i të drejtës së punës intelektuale në administratën shtetërore, ishte një pengesë për zhvillimin e kontinentit plakë. Femrat e arsimuara e dinin mirë se pa një grua të kulturuar nuk mund të ketë as rini dhe as të ardhme të zhvilluar. Si pasojë nuk do të ketë nivel të lartë jetese, ku njerëzimit do t’i mungojnë kombet e qytetëruar.

*Në Evropë kishte nisur lëvizja femërore madje e iniciuar nga burrat, si në Paris nga Rusoi që njihet si themelues i shoqatës “Lega e Gruas” më 1869.

* Shumë femra që kërkonin ndryshim, përfunduan në gijotinë, shumica e të cilave ishin nga shtresa e lartë e aristokracisë, mbretëresha e princesha si në Skoci, Angli, Hollandë, Francë etje.Një shembull i tillë është e reja franceze Zhan d’Ark.

*Në shek.XVII, në Shqipëri doli një vajzë Nora e Kelmendit, nga Malësia e Madhe. E shquar për bukurinë dhe trimërinë e saj në vitet 1637-38, tërhoqi vëmendjen e sundimtarit boshnjak që atë kohë kishte pushtuar kryeqytetin e kulturës shqiptare, Shkodrën. Ai kërkoi të martohej me të. Por i ati, sipas traditës shqiptare nuk e martonte të bijën me një të huaj. Megjithëse për Norën janë thurur versione të ndryshme legjendash, unë po tregoj më të pranueshmen. Si një Zanë mali që të huajt e quajtën Brunilda Shqiptare, pranoi të martohej kundër vullnetit të të atit me kryekështjellarin, të cilin e vrau me një kamë me dorezë argjendi, që e kishte fshehur nën xhubletë. Si Brunilda e antikitetit që vrau Zigfridin, edhe Nora e Kelmendit u hakmorr ndaj pushtuesit të huaj.

*Revolucioni në industri, solli ndryshime rrënjësore në Evropë. Dalja e gruas në punë, kushtet e vështira të punës, paga e ulët, orari 12-14 orë si dhe puna e rëndë e të miturve në miniera, ose si hamenjë, e zgjuan gruan ndërgjegjësisht sidomos në Angli e Francë.

*Shekulli i XIX i quajtur shekulli i Rilindjes Evropiane, ishte një lëvizje social- kulturore, në të cilën u përfshinë edhe mjaftë zonja. Një ndër gratë e shquara të shekullit të Rilindjes Evropiane, kohë ku krahas industrisë, mori hov letërsia, piktura, skulptura, muzika, teatri, baleti, ishte dhe hyjnesha Elena Gjika, ose Dora D‘Istria, që ishte pseudonimi letrar i saj. Elena Gjika ishte shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. Lind pyetja: Pse mbante këtë pseudonim? Elena nuk ishte rasti i parë. Në Evropë atë kohë kishte mjaft femra të kulturuara, por mes tyre ishin 4 femra të famshme që ngjallën respektin e botës mashkullore, zgjuan dhe rritën interesin e rretheve politike, të salloneve mondane, tryezave diplomatike për mençurinë, kurajon dhe elegancën e tyre. Në Francë ishte Zhorzh Sandi, e cila vetëm kur mohoi emrin femëror dhe e veshur si kalorës, mundi t’i botonte veprat e saj letrare, sepse letërsia, politika, drejtësia, diplomacia, ishin pronë për mendjet meshkullore. Ndërkohë që gruas i ishin mohuar shumë të drejta. Nuk kishte të drejtën e votës apo të ushtronte profesionin e diplomatit, shkrimtarit, të drejta që ishin vetëm për burra. Një grua tjetër e shquar ishte në Angli, londinezja,Virxhinia Woolf, shkrimtarja moderne, publicistja e shquar, eseistja dhe mbrojtëse e të drejtave të grave. Duhej kurajo dhe guxim nga gra të virtytshme që të thyenin konceptet mesjetare dhe të dilnin nga kornizat e kohës. Këtë rrugë ndoqi edhe kjo femër Elena Gjika ose Dora D’Istria, që u bë pjesë aktive e Rilindjes Evropiane, e cila jo më kot u quajt princesha e kulturës Evropiane.

   *Nobelistja “Nënë Tereza“, e mohuara nga Diktatura Komuniste e cila është një prej person Më pas i vlerëson dhe i përjetëson. aliteteve më të mëdha të kombit shqiptar. Madje është një nga pesonalitetet më të mëdha botërore të shekulli XX. Bota nuk i ka heronjtë dhe i krijon.Kurse ne i kemi dhe i mohojmë, duke i lënë në errësirë, ku i mbulon pluhuri i harresës. Jo vetëm kaq por nuk ndalemi duke hedhur baltë mbi ta. Është fatkeqësi dhe krim për një komb kur antivlera ngrihet kundër vlerës, që mohohen deri në atë shkallë, sa të tjerët na quajnë provincialë dhe kulturën tonë provinciale .Unë nderoj portretin e ndritur të Nënë Terezés, e cila si shumica e intelektualve u vlerësua vetëm pas vdekjes. Në këtë rast është domethënëse shprehja:“Vdis, pa të të dua!” sepse ajo u njoh nga bota si shqiptare, vetëm pasi u vlerësua me çmimin “Nobel” për Paqen.

Sa bukur, sa thjesht, sa natyrshëm dhe po aq i madhërishëm ka qenë pohimi i saj:
“Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit ,jam murgeshë katolike.Sipas thirrjes së Zotit, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.
“

  *Si mund të mohosh labëreshën trime Maro Kondi që i tërhoqi ushtritë turke në greminë, duke sakrifikuar jetën e saj dhe të të birit.

*Në Luftën greke për Pavarësi ,mes shumë burrave shqiptarë, mori pjesë gruaja shqipëtare, luftëtarja trime Laskarina Bubulina e cila e vuri gjithë pasurinë në shërbim të revolucionuit grek. Në muajt e parë të 1825, ajo u kthye në ishullin Spetses ,ku jetoi në varfëri deri sa u vra në qershor të 1825 dhe njihet si heroinë greke.

*Nuk duhen harruar motrat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi që hapën shkollën e vashave më 1892.

*Kush nuk e kujton trimëreshën Shote Galica, e cila u vesh si burrë, ngjeshi armët e Azem Galicës, (bashkëshortit) dhe luftoi kundër të huajve. Ç’bëri më shumë heroi legjendar El Sidi, se kjo grua malësore që mbrojti trojet arbërore?

*Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, me në krye heroin legjendar Ded Gjon Luli, ku u përfshinë edhe gra si Tringa e Malsisë, ose Tring Smailja. Kjo kryendgritje u kurorëzua me ngritjen e flamurit në Deçiq, më 3 prill të po këtij viti,që është Preludi i shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912. 

Ja se ç’shkruan për trimërinë dhe bukurinë e femrës shqiptare:*New York Times 25 maj 1911 dhe Gazeta franceze ‘Le Petit Journal’, më 28 maj 1911: Beteja e Vraninës – një Zhan d’Ark shqiptare
CETTINJE, 9 maj. Në betejën e Vraninës, Malësia mbi Shkodër – u shqua një vajzë e re, emri së cilës përkon me emrin e dhënë të Vajzës së Orleans. Kur javën e kaluar, në betejën e Vraninës, babai i saj, kryetari i fisit shqiptar Martinaj, u vra, ajo menjëherë zuri vendin e tij dhe i udhëhoqi Martinajt në fitoren kundër turqve. Vajza me emrin Janica Martinaj, ishte shumë e bukur. Sipas një personi i cili njihet mirë me të, kjo Zhan d’Ark e re nuk i ka ende 22 vjeç, dhe është “një grua e re e mirë-zhvilluar, e gjatë dhe e bukur.” Të gjitha gratë shqiptare janë të guximshme dhe janë të mësuara që nga vajzëria e tyre me përdorimin e armëve të zjarrit, dhe në kohët e luftës, duke qenë se nuk ka mushka, ato ngarkojnë ushqimet e municionin për luftëtarët e tyre dhe shkojnë në vijën e zjarrit për shpërndarjen e tyre.”-
*Marigo Pozio, e përndjekura nga Hoçishti i Korçës, e cila u vendos në Vlorë, ku ia kushtoi jetën çështjes për pavarësi kombëtare. Njihet si qëndistare e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, por ka meritën e madhe se krijoi shoqatën e parë të grave vlonjate “Shpresa e Kombit” më 1914 dhe më 1921 ajo nisi botimin dhe drejtoi gazetën “Shpresa Kombëtare“, një media me shumë vlera për kohën.

*Gjatë Luftës Ballkanike dhe më pas në Luftën e Parë Botërore, Sado Koshena, kjo grua trime, pa arsim nga Dukati Vlorës, i priti ushtritë greke në Llogara.

* Askush nuk i harron 6000 gra e vajza që morën pjesë në luftën e Dytë Botërore, ku për çlirim kombëtar luftuan dhe u vranë përkrah burrave apo vëllezërve.

* Gjatë luftës së II Botërore doli një grua trime, Musine Kokalari, intelektuale me vizion të gjerë për demokracinë në Shqipëri, të tipit evropian, pasi ishte arsimuar në Universitetin e Romës.Ajo luftoi me penë duke lënë mbi 5000 faqe dorëshkrim. Ishte gruaja që nuk i ndërroi idetë edhe pse e kaloi gjithë jetën në burg dhe internim.

*Në kohët moderne vlen të përmendet Nermin Vlora Falaski, studiuesja dhe gjuhëtarja që ka mbrojtur me shumë dije e kulturë origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe, që vërteton se përmes gjuhës shqipe deshifrohen shumë gjuhë të botës. Kjo tezë e Nermin Vlorës, që thekson se shqipja rrjedh nga pellazgishtja, është një dokument i rëndësishëm për ekzistencën parahelene të shqiptarëve si pasardhës direkt të ilirëve .

* Vlen të përmendet rumunia Aurelia Graur Vokaj nuk kishte lindur shqiptare, por ajo lindi fëmijë me gjak shqiptari dhe ia kushtoi jetën atdheut të saj të dytë,Shqipërisë. Aurelia lindi në një vit me Nënë Terezën-1910 dhe vdiq po më 1997 që u nda nga jeta kjo Nënë e Madhe. Elena Gjika ndikoi në formimin ideor të Aurelias, e cila më 1932, e martuar me shqiptarin Ajvaz Voka, tregojnë se e mësoi gjuhën shqipe brenda një nate dhe qëndisi në gjuhën shqipe këtë shprehje: “Rrnoftë Shipëria dhe e ndihmoftë Perëndia”që ekziston edhe sot. Kjo grua e huaj, u mësoi fëmijëve të saj gjuhën shqipe. Shtëpia e tyre në Bukuresht u bë qendra për shiptarët e mërguar,që vazhdonin aktivitetin në Shoqërisë Shqiptare .Në vitin 1941, Ajvaz Voka me gruan u transferuan në Shipkovicë, mbi Tetovë. Aurelia e ndoqi pas Ajvazin dhe punoi për emancipimin e femrës shqiptare të kësaj zone deri në 1997 . Mediat rumune e pariziene do të shkruanin:“U nda nga jeta Nënë Tereza e Shipkovicës” ku vinin në pah vlerat e saj si veprimtare e shquar, që s’ lindi shqiptare por punoi për çështjet e këtij kombi,që u bë atdheu i prehjes së përjetshme të eshtrave të saj.

Sot në vendin tonë, apo në emigracion ka me qindra gra të famshme në fusha të ndryshme, në ekonomi, shkencë, politikë, kulturë, art, letërsi, ushtri, histori, mjekësi etje.

Gruaja shqiptare arriti të ketë vendin e N/kryetares së Parlamentit, Kryetare e Parlamentit, Prokurore e Përgjithshme, Deputete, ministre dhe zv/ministre. Këto zonja, a e kanë justifikuar apo e justifikojnë veten në rolin e të qenit në poste të rëndësishme, së pari si femra (shembull urtësie), si bashkëshorte dhe si nëna?! Këtë do ta tregojë koha. Më pas ajo(Koha) do të flasë, veçse me gjuhën e së vërtetës. Por mos harroni se behari nuk vjen me një lule,sepse potenciali femëror është vendimtar në integrimin e kombit, vetëm duhet të dimë ta përdorim intelektin, arsimin, profesionin dhe të qenit femra…

 Pyes pushtetarët, këto zonja intelektuale që punojnë me vetmohim, a vlerësohen të gjitha njëlloj, sipas aftësive, arritjeve në fushën ku japin vlera me paanshmëri politike, klasore, krahinore, me apo pa prejardhje të realizmit socialist apo të pas rënies së diktaturës komuniste?

Të nderuara Gjyshe, nëna, bashkëshorte, motra dhe bija, duke Ju uruar Gëzuar Ditën e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, luftoni për të drejtat dhe liritë tuaja. Nuk jam për lirinë pa kufi që shtrëmbëron dhe përdhos nocionin e kësaj fjale të bukur, fisnike dhe të pazëvendësueshme. Jam për atë liri që na jep mundësinë për të qenë vetvetja. Vetëm kështu meritojmë vendin që na takon në shoqërinë e qytetëruar.

  Të gjithë kolegëve dhe kolegeve të mija që kanë ushtruar apo ushtrojnë profesionin e bukur, fisnik dhe të vështirë të mësuesit: Gëzuar 7 Marsin!

Gjithë grave shqiptare në mbarë botën ju uroj: “Gëzuar 8 Marsin!”

Filed Under: Featured Tagged With: Vilhelme Vranari

Refik Kosovrasti dibrani në Amerikë, që nuk e harron asnjëherë Dibrën

March 5, 2014 by dgreca

Refiku shkoi në Dibër për të realizuar një donacion për shkollën nëntëvjeçare”Penestia”, por, ai nuk ka dëshirë të flasë për shumën e mjeteve që ndanë për aktivitete humanitare në shumë sfera. Megjithatë, institucionet lokale, organizatat dhe shoqatat që ai i ka ndihmuar, thonë se bëhet fjalë përpërkrahje humanitare me shuma të larta/

Nga /Vjollca Sadiku/

Dibër e Madhe : – Një ndër humanistët më të dalluar mes mërgimtarëve dibran në SHBA është Refik Kosovrasti. Humanizmi i tij nuk njeh kufij, sidomos kur janë në pyetje dibranët në vendlindjen e tij. Edhe pse ai emigroi shumë vite më parë, interesimi për t`i ndihmuar Dibrës, ka mbe-tur gjithmonë prioriteti i tij dhe karakterizohet me ndihma të shumta në përkrahje të arsimit di-bran, objekteve fetare dhe ndihmave të drejtpërdrejta për shtresat e varfra. Fon-dacioni i familjes Kosovrasti që funksionon në New Jersey, ku edhe jeton Refiku, ndihmon edhe di-branët në nevojë në SHBA. Karakteristikë e Refikut është që di të dallojë gjakun, mikun dhe shokun, por për të gjithë ai ka qenë solidar me fis-nikëri të veçantë, dhe këtë asnjëherë nuk e ka deklaruar.

Refik Kosovrasti, 55 vjeçar, nga vendlindja e tij Dibra e Madhe ka emigruar në Amerikë vitin 1976

Si shumë dibran,edhe ai i gjetur i ivetëm në dhe të huaj ka marrë përkrahje nga di-branët në SHBA të cilët i kanë ofruar punë. Refiku për një kohë të shkurtër e hap biznesin e tij, së pari disa piceri, e më pas mer-ret edhe me blerjen dhe dhënien me qira të bane-save kolektive, mes të cilëve një ka edhe në Men-hatën, qendrën e njohur të Nju Jorkut.

Si menaxher i mirë, ai ka formuar një bazë të fuqishme mate-riale nga e cila një pjesë të mirë ai dhe familja e tij e ndajnë për aktivitete hu-manitare. E tërë familja e Kosovrastit është humane,si bashkëshortja Afërdita,ashtu edhe tre fëmijët të cilët pas mbarimit të fakul-teteve një pjesë të mirë të kohës ia kushtojnë ak-tiviteteve humanitare.

Medihaja është vajza e Re-fikut e cila pas mbarimit të studimeve shoqëroro-poli-tike është anëtare e një or-ganizate për organizimin e të rinjve shqiptar në SHBA. Ajo, me sukses ud-hëheq edhe fondacionin familjar i cili ka mjete të cilat u dedikohen familjeve dibrane në vendlindje, sidomos në sferën e arsim-it dhe problemeve sociale.

Familja e Refikut është mes familjeve dibrane të cilët vendosën që fëmijët e tyre të shkollohen, e jo të bëjnë punësimin e tyre duke i lënë pa shkollë. Kjo është një trend mes di-branëve mes gjeneratës të fundit dhe sot, pjesa më emadhe e familjeve dibrane kryesisht fëmijët i shkol-lojnë.

Refiku vazhdimisht shkon në vendlindjen e tij qytetin e Dibrës së Madhe Ai ishte kohët e fundit në Dibër që të realizojë një donacion për sanimin e disa klasave në shkollën nëntëvjeçare”Penestia” me ç`rast thotëse ai gjithmonë në mendimet të tij në mërgim ka qenë dhe është dëshira që të ndihmojë Dibrën. Por, ai nga thjeshtësia që e karakterizon – fjalë pak e punë shumë si i themi ne shqiptarët, nuk ka dëshirë të flasë për shumën e mjeteve që ndanë ai dhe familja e tij për ak-tivitete humanitare në shumë sfera të jetës së përditëshme.

Edhe përkundrejt këtij fakti, in-stitucionet lokale, organi-zata dhe shoqatat, thonë se bëhet fjalë për përkrah-je humanitare me vlera të larta. Sipas Myftinisë së Dibrës, Refiku ka dhënë donacione të fuqishme në sanimin dhe ndërtimin të shtatë xhamive të Dibrës, duke përfshirë këtu edhe xhaminë më të re të “Sahat Kullës”, e cila karakterizo-het me 100 dritaret të oborrit të saj, kushtuar 100 vjetorit të pavarësisësë shtetit shqiptar.

Në këtë institucion fetar thonë se gjithmonë kur ka nevojëpër donacione, Refiku është një ndër ata të cilët përgjigjet shumë shpejtë.Shumë familje dibrane thonë se nga Fondacioni”Kosovrasti” kanë përkrah-je sociale në kontinuitet. Solidariteti shpesh i pathënë publikisht, por i dukshëm në mesin e njerëzve, ka qenë edhe për situata të ndryshme në vendlindje.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dibrani ne amerike, Refik Kosofrasti

Presidenti Napolitano: “Ta fitojmë kauzën Shqipëria në BE”

March 5, 2014 by dgreca

Fjala ne Kuvend: Italia, ashtu si në të shkuarën do bëjë të mos mungojë kurrë besimi dhe mbështetja. Shpresojmë që Italia ta celë presidencën me Shqipërinë e aderuar me të drejta të plota”, tha Napolitano. /

Presidenti Napolitano u shpreh i bindur se Shqipëria do të fitojë kauzën e integrimit në BE dhe siguroi se drejt kësaj fitorje në krah do të ketë Italinë.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë avokatin për Shqipërinë dhe gjëja e rëndësishme për një avokat është që të mos humbim kauzën tonë. Jemi të bindur se do e fitojmë dhe kauzën që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian.

Europa është e ndarë dhe punon në të gjitha mjetet dhe në të gjitha mënyrat dhe sigurisht Shqipëria është e përfshirë në këto procese përpara se ajo të shndërrohet në një anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian dhe sigurisht kjo do të ndodhë dhe shpresojmë të ndodhë sa më shpejt pas marrjes edhe të statusit të vendit kandidat. Është e vërtetë që procesi i integrimit është një rrugë që kërkon një këmbëngulje të madhe por kam bindjen se ashtu sikurse Kroacia dhe Sllovenia ashtu edhe Shqipëria do të gjejë në vetvete energjinë për të ndjekur deri në fund rrugën e saj.

Europa në periudha të tjera është shfaqur si zgjidhja më e lehtë për problemin e mirëqënies dhe e rritjes ekonomike dhe shoqërore por e gjitha kjo ka ndryshuar si pasojë e krizës ekonomike që ka goditur Europën” tha Napolitano.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit shqiptar e cilësoi Italinë si një partnere kyçe në fushën ekonomike.

“Sot është një ditë e veçantë për mua dhe për popullin shqiptar pasi na ndëron presidenti i Italisë, vendit të madh fqinj që na është gjetur gjithmonë pranë. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve mbështeten mbi miqësinë e fortë dhe fqinjësi, të formalizuara edhe në partneritetin strategjik . Ne kemi vullneti për ta thelluar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Duhet të intensifikojmë dialogun politik nëpërmjet shkëmbimeve të rregullta dhe vizitave në të gjitha nivelet dhe veçanarisht ato të nivelit të lartë. Italia është një partner kyç dhe mjaft i rëndësishëm në fushën ekonomike. Shpreha interesin për të avancuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të rritur shkëmbimet tregëtare, për të promovuar investimet italiane në Shqipëri, për të ftuar kompanitë italiane të investojnë në Shqipëri në fusha si energjia, infrastruktura, turizmi etj” tha Nishani.
Kreu i shtetit i shprehu mirënjohjen homologut të tij për mbështjetjen që Italia I jep Shqipërisë në procesin e integrimit duke e garantuar atë se vendi ynë do të bëjë ndryshime thelbësore për sundimin e ligjit.
“Ne e konsiderojmë statusin e vendit kandidat si stacionin e radhës të një rruge e cila do të kërkojë reforma të mëtejshme, shumë të thella dhe më të plota sidomos sa i përket sundimit të ligjit në mënyrë që të përgatitemi për hapjen e bisedimeve të pranimit. Ne jemi shumë të vendosur për të bërë një ndryshim thelbësor në këtë fushë. Shpreha besimin se mbështetja e Italisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. E sigurova presidentin Napolitano se Shqipëria do të vazhdojë me rolin e saj aktiv dhe kontruktiv në procesin e bashkëpunimit rajonal duke promovuar parimet e gjithëpërfshirjes dhe të bashkëpunimit dy dhe shumë palësh kryesisht nëpërmjet nismave rajonale” shtoi Nishani.
Në orën 11: 35, Napoletano është takuar me kryeministrin Edi Rama.Duke e falënderuar zotin Napoletano për vizitën, Kryeministri Rama u shpreh se është gjithnjë një kënaqësi të presë një mik të shqiptarëve.

Kryeministri Rama dhe Presidenti Napoletano nënvizuan se miqësia mes dy popujve, që i bashkon jo vetëm afërsia gjeografike, por edhe afërsia kulturore dhe interesa të përbashkëta si dy vende fqinje, përbën një bazë të fortë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh.

Rama theksoi se mbi këto themele dhe konsiderimin e Italisë një partner kyç, ndërmori disa vizita në Itali, me fokus rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe shtimin e investimeve italiane në Shqipëri.

Presidenti Napoletano vlerësoi punën e Qeverisë shqiptare, si dhe garantoi Kryeministrin Rama se Italia qëndron në krah të Shqipërisë. Në takim u vlerësua roli e kontributi i Shqipërisë në rajon, për të cilin Kryeministri Rama nënvizoi se 100 vjet pas fillimit të Luftës i Botërore, Ballkani jeton një situatë cilësisht të ndryshme.
Perspektiva e përbashkët europiane e Ballkanit, u shpreh Kryeministri, sot është e qartë dhe më e afërt. Ndonëse, theksoi ai, kjo kërkon edhe marrjen e përgjegjësive të reja përballë sfidave të reja që kanë të bëjnë me zhvillimin e prosperitetin e rajonit.
Më pas ne Pallatin e Brigadave u zhvillua ceremonia e dekorimit të Presidentit të Republikës italiane me “Dekoraten e Flamurit Kombetar”. Kjo ceremoni ka mbledhur bashkë krerët e shtetit shqiptar, Nishani, Meta, Rama dhe liderin e opozitës Lulzim Basha. Edhe pse pranë njëri-tjetrit, Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD Lulzim Basha nuk u panë të shtrëngonin duart.(Kortezi TV Ora NEWS)

 

FJALIMI NE KUVEND

Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Përpara kryeministrit, ministrave e deputetëve shqiptarë, Presidenti vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, ndërsa shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të vijojnë të jenë të mira e do të intensifikohen edhe më tej në të ardhmen.
Për presidentin italian, “duhet të jetë e qartë për të gjithë që vendi i Shqipërisë është në Bashkimin”. “Nëse Europa ka përfaqësuar shumë për Shqipërinë, Shqipëria nga ana e saj ka treguar haptazi se ka bërë dhe mund të bëjë shumë për Europën”- u shpreh presidenti Napolitano.
Duke u ndalur në disa aspekte të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, presidenti italian vlerësoi projektin e gazsjellësit TAP, duke theksuar se Italia e Shqipëria po bashkëpunojnë në fushën e energjetikës dhe për ndërtimin e një rajoni të përbashkët në këtë drejtim. “Gazsjellësi TAP, do të ndihmojë në një integrim më të madh ekonomik mes vendeve.”- deklaroi presidenti.
Teksa përmendte vlerat e popullit mik, siç e quajti popullin shqiptar, Napolitano tha, “Vlerat ju kanë bërë që gjatë Luftës së Dytë t’i jepni strehë hebrenjve si dhe të asistoni ushtarët italianë, pavarësisht se kishin mbërritur këtu si agresorë e pushtues. Nuk do harrojmë kurrë mbështetjen tuaj”.
Napolitano tha më tej se, Italia e ka mbështetur Shqipërinë që kur nisi të krijojë institucionet demokratike dhe vazhdon ta bëjë deri në ditët e sotme kur objektivi i saj mbetet integrimi në BE.
“Gjatë historisë së saj më të fundit dhe veçanërisht pas ‘92 Shqipëria filloi të krijojë institucionet demokratike, kemi qenë të pranishëm dhe kemi ndihmuar fort në përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë shqiptare. Përparimet e jashtëzakonshme të Shqipërisë janë njohur edhe nga BE. Ju përcjell besimin tek ju dhe institucionet tuaja, e inkurajoj popullin mik shqiptar të ndjekë me këmbëngulje objektivin e integrimit. Bëni përpjeke për të fuqizuar luftën ndaj kriminalitetit, reformën në sistemin gjyqësor, dhe luftën ndaj korrupsionit, respektim të plotë i të drejtave të njeriut”, tha ai.
Më tej, ai nënvijëzoi se, “Udha evropiane është shndërruar në një objektiv të të gjitha forcave politike. Besoj se është detyrë e institucioneve evropiane të realizojnë këtë objektiv. Procesi i mëtejshëm i zgjerimit një synim ambicioz, aspirata e Shqipërisë dhe vendeve të tjera përfaqëson një sinjal të fortë besimi në kohë të vështirë. Italia, ashtu si në të shkuarën do bëjë të mos mungojë kurrë besimi dhe mbështetja. Shpresojmë që Italia ta celë presidencën me Shqipërinë e aderuar me të drejta të plota”, tha Napolitano.
 

Filed Under: Featured Tagged With: Presidenti napolitano

PA KOMENT-VENDIMI I GJYKATES SE LARTE PER DENIMIN E ALI BARDHIT

March 5, 2014 by dgreca

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË/
GJYKATA E LARTË/
“KOLEGJI USHTARAK”/
Nr.135 i Regj.Themeltar/
Nr.130 i Vendimit/

V E N D I M/
NË EMËR TË POPULLIT/
Këshilli gjyqësor i kolegjit ushtarak të Gjykatës së Lartë,i formuar nën kryesinë e :/

Aranit Çelës        Kryetar i Gjykatës së Lartë/

Me anëtarë:   Ali   Zenko         Antarë i Gjykatës së Lartë/

Ismet Bare           Anëtar i Gjykatës  së Lartë në seancën e hapët gjyqsore me datë 21.IX.1976 mori në shqyrtim çështjen nr.135 që I përket të gjykuarit:

Ali Bardhi,i biri i Osmanit dhe i Behijes,dtl.1955 lindur në katundin Kozic të rrethit Elbasan, me origjinë shoqërore,fshatar i varfër,në gjëndje shoqërore ushtar,pa parti, me arsim 6-vjeçar, i pa martuar ,i padënuar më parë,efektiv i Rep.nr.3700 Tiranë.

I AKUZUAR:
Ai ka agjituar dhe propaganduar kundër pushtetit popullor ,dmth se ka kryer krimin e parashikuar nga neni 73/1 te K.P     .

Me vendimin nr.96 datë 3.IX.1976 gjykata e rrethit të Tiranës e ka deklaruar të gjykuarin fajtor dhe në bazë të nenit 73/1 I K.P e ka dënuar me 5(pesë) vjet heqje lirie ,duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 24.V.1976.

Kundër këtij vendimi është ankuar i gjykuari,i cili ka parashikuar këto shkaqe për prishjen e tij:

Është e vërtetë se shprehjet  e mija janë armiqësore,por ato janë nxjerrë pa paramendim. Unë nuk kam pasur pakë naqësi ndaj partisë dhe udhëheqësit e saj. Nuk kam pas qëllim armiqësor q ë jam shprehur në atë mënyrë.

PËR KËTO ARSYE
Këshilli gjyqësor i kolegjit ushtarak të Gjykatës së Lrtë në mbështetje të pikës 1 të Nenit 313 të K.Pr.P.

V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit Nr.96 datë 3.IX.1976 të Gjykatës së rrethit Tiranë ( kolegji ushtarak )

Tiranë,më 21/12/1976

ANËTAR                              ANËTAR                                  KRYESUESI
(A.Zenko)                                (I.Bara)                                      (A.Çela)

 

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 714
  • 715
  • 716
  • 717
  • 718
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT