• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TUBIM PËRKUJTIMOR PËR SHKENCËTARIN E MALËSISË PROFESOR AGRON LUCAJ

October 18, 2021 by s p

SOKOL  PAJA/

Me iniciativën e Shoqatës Humanitare “Trieshi” me datën 17 Tetor 2021 në Restorant  Tesoro D’Italia 160 Marble Ave, Pleasantville, NY 10570 u mbajt takimi përkujtimor me rastin e 40 vjetorit te vdekjes tragjike të fizikantit Profesor Agron Lucaj, profesor në degën e fizikës pranë departamentit matematiko-natyrore të Universitetit të Prishtinës. Përfundimi i tij tragjik, flitet dhe përflitet dhe sot e kësaj dite qoftë në vendlindjen e tij, Triesh, Malësi e Madhe, por edhe nga kolegët e tij pranë katedrës universitare. Në fillim të ceremonisë përkujtimore u mbajt 1 minut heshtje për të ndjerin Profesor Agron Lucaj. Tubimin përkujtimor e moderoi Kolë Cacaj i cili ndër të tjera deklaroi se Dr. Agroni ishte një djalë i shkëlqyer i shkolluar në universitete prestigjioze, një djalë i mrekullueshëm që bën krenar çdo malësor e shqiptar. Kolë Cacaj lexoi shkrimin e z.Fikret Lulanaj për të ndjerin Agron Lucaj ku ndër të tjera tha se Dr. Agroni ishte “Ylli shkencor që shëndrit qiellin e Malësisë. Emër i lartë në fushën e shkencës, emër që lartëson emrin e universiteteve të shquara dhe të çdo shqiptari”. Fjalën më pas e mori Doktor Palok Camaj bashkëkohës i Dr. Agronit në kohën e studimeve të doktoraturës i cili deklaroi se Agron Lucaj ishte një djal me zemër shqiptari të madhe e zemër malësori të fortë. Palokë Camaj tregoi kohën me Agronin në Prishtinë, Zagreb, Prizren, formimin e tij, peripecitë e jetës së Agronit dhe dëshirën për kontribuar në Malësi. Vdekja e Agronit e verboi Malësinë. Ai tha se rrymat serbe ishin të interesuara apostafat për likuidimin e Agronit. Zef Gjokaj deklaroi në kumtesën përkujtimore: “Jam këtu për të ndarë me ju kujtime të bukura e të dhimbshme për mikun tim Agron Lucaj. Ishte i thjeshtë dhe modest. Gëzonte autoritet të lartë në mesin e kolegëve. Ai i ndihmonte dhe i mbante shumë afër studentët nga Malësia” tha ai. Z.Gjokaj tregoi me detaje çastet e fundit të Agronit mes jetës dhe vdekjes dhe impresione të ndjesive të ankthit e dhimbjes për ndarjen tragjike nga jeta. Gazetari Gjek Gjonlekaj theksoi se armiqtë e shqiptarëve i kishin inat njerëzit e dijes. Shkolla e Trieshit duhet ta kujtojë dhe përkujtojë Agron Lucajn si i pari malësor me emrin Agron dhe pë kontributin e tij në shkencë. Z.Gjonlekaj kujtoi Gjon Gjekën, babain e Dr. Agronit si patriot të madh dhe ndërtimin e identitetit kombëtar tek heroi i kombit Shqiptar Gjergj Kastrioti. Kol Gjelaj referoi në kumtesën e tij profilin e Agronit të ardhur nëpërmjet profesorëve, miqve, kolegëve, studentëve bashkëkohës të Agronit. “Fati deshti që një karrierë tejet premtuese të ndalohej në fillimin e saj, dhe sot nuk mbetet tjetër por e imagjinojmë se cili do të ishte limiti i karrierës së tij personale dhe profesionale” tha në fjalën e tij Kol Gjelaj. Lena Lucaj Gojçaj vajza e Zefit, mbesa e Agronit, dërgoi një letër që e lexoi Kol Gjelaj. Ajo falenderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit dhe u ndal te roli i Dr. Agronit dhe ndikimi në formimin e saj. Ai pati një ndikimin tek të gjithë ne përtej jetës së tij. Pjetër Lucaj, nipi i Profesor Agronit shprehu mirënjohje të thellë e respekt në emër të familjes për pjesëmarrësit, kumtuesit dhe organizatorët në këtë tubim përkujtimor. “Na dha lumturi qiellore dhe familja do ta kujtojë përjetë veprën e tij. Lavdi” deklaroi Pjetri i përlotur dhe i mallëngjyer për xhaxhain e tij të jashtëzakonshëm Profesor Agron Lucajn. Mëhill Velaj ku u ndal te roli dhe figura e Agronit si shqiptar dhe si shkencëtar dhe kërkoi që ti propozohet Universitetit të Prishtinës titulli i lartë i nderit Honoris Causa për Agron Lucajn. Xheladin Zeneli përshëndeti fondin Trieshi dhe familjen për këtë organizim madhështor dhe u fokusua te roli i Dr.Agronit si shqiptar i suksesshëm me ndikim kombëtar e ndërkombëtar. Përfaqësuesi i Shoqatës Malësia e Madhe Shaqir Gjokaj falenderoi të gjithë kumtuesit e pjesëmarrësit për organizimin. Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Vatrës dhe foli për rëndësinë e kremtimit të kësaj ngjarjeje dhe arritjet e Dr. Agronit në shkencë si një mision i papërfunduar. Jeta e Agronit do të jetë shembull dhe motivim për të rinjtë malësorë” – deklaroi nënkryetari i Federatës Vatra Dr. Pashko Camaj. Vëllezërit Lucaj, Marku, Gjoka dhe Pjetri shprehën mirënjohje për të gjithë të pranishmit dhe shtruan një drekë vëllazërore në përkujtim të axhës së tyre të dashur dhe të paharruar Profesor Agron Lucaj.

KOL GJELAJ: PËRKUJTIM NË PËRVJETORIN E VDEKJES TRAGJIKE TË PROFESOR AGRON LUCAJ

Agron Gjon Lucaj lindi në Stjepoh, Triesh, komuna e Podgoricës (atëherë Titograd) më 7 Korrik, 1949. Baba i Agronit, Gjoni njihej ndër shqiptarët e Malit të Zi si atdhetar, edukator dhe mësimdhënës prej vitit 1909. Agroni kryen shkollen fillore Gjergj Kastrioti-Skenderbeu (e emëruar kështu pikerisht nga Gjoni) në vendlindje me nota dhe sjellje shembullore. Në mungesë të shkollave shqipe asokohe, Agroni si edhe një numër i kosiderueshëm nxënësish nga Malësia regjistrohet në Shkollen Normale në Prizren në vitin 1964/65 por së shpejti kalon në shkollën Normale të Prishtinës për shkak të kushteve më të volitshme. Shkollat Normale asokohe ishin shkolla të mesme 5-vjecare të konceptuara për përgatitjen e mesimdhënësve në shkollat 8-vjecare. Agroni i pëfundoi të gjitha klasat me sukses të shkëlqyeshem dhe mbaroi shkollën e mesme në vitin shkollor 1968/69. 

Shumica e nxënësve nga Malësia pasi mbaronin Normalen ktheheshin në vendlindje dhe punësoheshin nëpër shkollat fillore të Tuzit ose fshatrat përreth. Mirëpo, Agroni përtej se shkëlqente si nxënës zbulon një afinitet dhe talent për shkencat natyrore. I inkurajuar nga kjo dhe me dëshirën e babës Gjon, Agroni vendos mos të kthehet në vendlindje, por të regjistrohet në degën e Fizikës pranë Universitetit të Prishtinës në vitin shkollor 1969/1970.

Menjëherë pas fillimit të studimeve, falë talentit të tij dhe etikës së punës tërhoqi vëmëndjen e profesorëve dhe kolegëve të tij. Si rezultat, fill pas mbarimit të vitit të parë, Universiteti i ofron bursë të cilin e mori për tre vitet e ardhshme. Kolegu dhe miku i Agronit, profesori dhe shkenctari i njohur nga Kosova Dr. Jahja Kokaj, i cili pastaj ishte ligjerues në disa Universitete nëpër Europë dhe Amerikë, mes tjerash edhe në Universitetin prestigjoz amerikan “Carnegie Mellon University” kështu e përshkruan njohjen me Agronin në një kumtesë të tij në vitin 2011: “Agronin e njoha që në bankat Universitare në Prishtinë. Ishte disa vjet më i ri se unë, apo në fillim të studimeve kur unë përfundoja universitetin. Por takimi me një djalosh që me pamjen e tij shtatgjatë, flokë dhe fytyrë të butë, për mua ishte i jashtzakonshëm apo jetësore. Intelegjenca që buronte nga fjalët e tij të mencura dhe të ëmbla, bujaria dhe burrëria ishin tipare që rrezatonin nga një djalosh i rrethit të mbi Shkodrës, që tani ndriçonte si yll i rrallë në mesin e kolegëve në Departamentit të Fizikës në Prishtinë”.

Agroni përfundoi studimet e fizikës në afat rekord në vitin 1973 me nota të shkëlqyeshme. Fill pastaj punësohet si profesor në shkollën e mesme të cilën e kishte mbaruar vite më parë, por e cila ishte shëndrrua nga Normale 5-vjeçare në Akademi Pedagogjike 4-vjeçare. Aty punoi një vite, dhe në vitin 1974 i ofrohet punë si asistent në katedrën e Fizikës. Menjëherë pas, i inkurajuar nga sukseset e njëpasnjëshme, Agroni rregjistrohet në studimet pasuniversitare pranë Institutit më të specializuar shkencor në ish-shtetin Jugosllav “Rugjer Boshkoviq”, pjesë e Universitetit të Zagrebit. Në këtë Institut pranoheshin studentet me kredenciale më të larta dhe me rekomandime nga katedrat shkencore nga Universitetet e ish-Jugosllavisë. Agroni zgjodhi për specializim lëminë e Fizikës Nukleare. 

Profesor Kokaj shkruan “Puna si asistent në Departamentin e Fizikës dhe studimet posdiplomike në Zagreb ishin shtigje të përbashkëta që fati deshi të na bashkonte një një miqësi më të afërt dhe fatkeqësisht më vonë në ndarje të hershme dhe të kobshme. Mahitë intelegjente në takimet e Departamentit në kohën kur ishte asistent, por edhe qëndrimet e tij serioze dhe vizionare shkencore kanë mbetë jo vetëm kujtesë e pashlyeshme por edhe shembull i kolegëve të Departamentit të Fizikës që aq shumë po i mungon”. Puna me studentët në Prishtinë dhe udhëtimet në relacionin Prishtinë-Zagreb, kryesisht me tren, si dhe kompleksiteti i lëndës ishin tejet të vështira të përballoheshin. Pos kësaj, Agroni në vitin 1976/77 detyrohet të shkojë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pas mbarimit të ushtrisë, kthehet në misionin e tij shkencor, edhe kësaj here del faqebardhë, dhe me notat më të larta gradohet me titullin “Magjistër i Shkencave të Fizikës”. Pastaj, pa humb kohë vazhdon studimet e doktoraturës.

Gjatë studimeve intensive shkencore në Zagreb, Agroni vazhdon të shkëlqejë dhe fiton rrespekt dhe admirim nga vetë stafi ligjërues. Këtë e ilustron prapë profesor Kokaj: “Departamenti i Fizikës Nukleare drejtohej nga zonja e moshuar Lidia Kolombo, e cila gëzonte reputacion ndërkombëtar si eksperte e fushës. Ishte ajo që e zgjodhi Agronin si bashkëpuntore në disertacionin e Doktorturës”. Profesor Kokaj vazhdon më tej “Një rast, erdha për të takuar Zonjen Kolombo në laboratorin ku bëheshin hulumtime në Institut, në laboratorin ku punonte Agroni. Në një bisedë të shkurtër me të, nuk mundi te mos thonte edhe këtë fjali: “Në karrierën time shumë të gjatë shkencore dhe pedagogjike, Agronin e kam doktorant të veçantë. Agroni është njeri dhe shkencetar i veçantë” përfundoi profesoresha.

Në ndërkohë në Universitetin e Prishtinës Agroni fiton titullin Docent, e pastaj Profesor Universitar. Në vitin 1980/81 përfundon pjesën teorike të disertacionit të doktoraturës, dhe kërkon nga Universiteti i Prishtinës që ta lejonte të largohej nga mësimdhënia deri sa të plotësonte pjesën eksperimentale. Agroni gjatë kësaj kohe herë pas here frekuentonte tubime shkencore brenda dhe jashtë shtetit. Gjuhën anglishte e kishte përvetësuar dhe vazhdonte me kurset intensive, sigurisht tue vërejtë se kariera e tij në shkencë në të ardhmen do të kalonte kufijtë e katedrës së fizikës në Universitet. Reputacioni ndërkombëtar i Institutit “Rugjer Bishkoviq” hapte horizonte të reja dhe pa kufi anë e mbanë botës. Viti shkollor 1981/82 ishte tejet i rëndësishëm në jetën shkencore dhe private të Agronit. Ndërkohë që ishte fejuar, kishte ble veturën e re, po kompletonte studimet e doktoraturës, dhe priste një të ardhme të zgjidhte çështjen e banesës. Në shtator 1981 vizitoi vendlindjen dhe të afërmit e tij. U kthye në Prishtinë ku studentët dilnin në provim para tij. Pas disa ditësh vazhdoi për në Zagreb me tren në relacionin Prishtinë-Beograd-Zagreb. Të nesërmen e mbërritjes në Zagreb vazhdoi aktivitet e tij ditore, duke përfunduar në mbremje me kurs të gjuhës angleze. Duke u kthyer në banesën e tij, në një udhëkryq, tramvaji që kalon aty e goditi. Shtrohet në spital në koma, ku pas disa ditësh ndërron jetë në moshën 32 vjeçare. 

Familja, shokët, dashamirët, stafi univerzitar në Prishtinë dhe ai i Institutit në Zagreb ishin të shokuar. Profesor Kokaj e përshkruan kështu marrjen e lajmit për fatkeqësinë e Agronit: “Qëllova në Prishtinë kur nuk mund t’iu besoja veshëve, kur me thane se Agroni kishte pase fatkeqsi, i kishte ra treni dhe plagose per vdejke. O zot, thoja si munde te bie ai far kolosi ne gjendje shume diteshe komatoze. O Zot, si do te kam fuqi te udhetoj per ne vendlidjen e Agronit qe ta vorrosim kete kolos te diturise, ta vorrosi nje pjese shum te dashur te zemres sime.”

Në varrimin e tij në vendlindje në Triesh, jo larg shkollës fillore, ishte pothuaj se krejt Malësia, shumë studentë nga Malësia erdhën enkas nga Prishtina. Një autobus plot studentë dhe kolegë, profesorë dhe dashamirës të Agronit ishin po aty. U lexuan letra ngushellimi nga Instituti ‘Rugjer Boshkoviq”, Universiteti i Prishtinës! Kolonel Dr. Tom Berisha kishte ardhe nga Zagrebi dhe lexoi një letër tejet prekëse. Në fund profesor Kokaj me dhimje shkruan këto fjalë: Udhtimi në bjeshke dhe kodra shkambore deri në fshatin Stjepohe, Triesh ishte i gjatë dhe lotët rreke nuk më lejonin ti shoh ato kodra shkambore. Ishin grandioze dhe për mua trishtuese, por të dashura e të lezetshme, si dhe sublime, kur dija që në këtë vend Agroni im ka vrapuar dhe rritur me lojërat e tij fëminore. Trupi i tij madhështore i gjatë dhe i dashur për mua, tani ishte shtrire në arkivol në të cilin kishe bërë rrugëtimin e fundit nga Zagrebi për në shtëpinë e tij të fëmijërisë. Udhëtimin e fundit që erdhi në lulen e rinisë”. Vdekja e Agronit preki dhe ndryshoi shumeë jetë. Vite më vonë Dr. Anton Berishaj, pedagog në Universitetin e Prishtinss tregonte se emri i Agronit nuk ishte hequr nga dera e kabinetit të tij në Universitet me vite pas vdekjes. Para disa vitesh në Tuz u mbajt një Akademi përkujtimore ku morën pjesë pothuaj se krejt katedra e Fizikës pranë Universitetit të Prishtinës, si edhe personalitete pranë rektoratit të Universitetit, me rektorin në krye. Disa nga profesoret e ri nuk e kishin njoftë, por kishin dëgjuar prej kolegëve të tyre. Disa nga koleget e tij tregonin se vite më vonë profesorët e Institutit në Zagreb ende vazhdonin ta kujtonin Agronin. Vdekja e tij kishte lënë një boshllëk në katedrën e Fizikës për vite me rrallë. Agron Lucaj si asnjë student nga Malësia arriti majat e shkencës në moshë të re, bile nëse nuk duhej të humbte një vit më shumë në shkollën e mesme dhe një vit për shërbim ushtarak, udhëtimet e tij të shpeshta dhe të lodhta mes Prishtinës dhe Zagrebit, ai me siguri të gjitha këto suksese i kishte mbërrijtë edhe më heret në jetë. Në fund, fati deshti që një karrierë tejet premtuese të ndalohej në fillimin e saj, dhe sot nuk mbetet tjetër por e imagjinojmë se cili do të ishte limiti i karrierës së tij personale dhe profesionale.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Agron Lucaj

MARJANA BULKU: GJUHA DHE VLERAT, NA BASHKOJNE PER JETE

October 18, 2021 by s p

 INTERVISTOI : FADIL SHEHU

Flet intelektualja dibrane, e cila sot jeton në Nju York SH.B.A., Marjana Bulku. Rrëfimi i saj për shkollimin e gjërë, mardhëniet me fëmijët dhe librat, pasioni për politikën e deri në prezantimin e katër viteve, në një nga televizionet prestigjioze shqiptare, në SH.B.A.

Nëse do t’i ktheheshit retrospektivës së viteve të fëmijërisë suaj, si do i kujtonit ato?

Ah fëmijëria, ajo është “mbretëria jonë e humbur” (kështu e konsideroj  unë atë) edhe pse ne jemi një brez i rritur në errësirë kishte më shumë lumturi brenda saj, ndoshta për shkak të naivitetit të kohës,të izolimit,pa lirisë,mungesave të disa kushteve minimale që kur ua tregoj fëmijëve sot u duken të pa konceptueshme. E, megjithatë dy gjëra të mrekullueshme  që e kanë mbështjellë fëmijërinë tonë unë dua ti kujtoj gjithmonë. Ato janë:1.Përkujdesja e jashtëzakonshme prindërore dhe 2. Miqësia e mirë. Gjithësesi është mirë që në çdo etapë të jetës, njeriu duhet të gjejë të mirën, ta ruajë atë në shpirt e pse jo edhe t’ia përcjellë brezave.

Keni përfunduar studimet e larta në universitetin Histori-Filologji të Tiranës, dega Gjuhë Letërsi dhe më vonë studimet pas universitare, institutin e Studimeve Europiane, Master për Politika  dhe Institucionet në Bashkimin Europian. A e kishit menduar se po bënit zgjidhjen e duhur për të ardhmen tuaj? 

Kur përmënda mangësitë e rritjes pak më sipër, kisha parasysh edhe mungesën e lirisë për të zgjedhur profesionin e së ardhmes bazuar në merita dhe preferenca, për këtë as flitej e mendohej para viteve nëntëdhjetë. Janë mijëra të rinj që u mohohej e drejta e studimit për shkaqe politike dhe qindra të tjerë që nuk e kishin të drejtën e zgjedhjes të degës për të cilën donin të studionin. Duket qesharake sot kur kujtojmë se partia shtet vendoste për ne. Shkollimi i lartë i limituar dhe sistemi i politizuar deri në robëri e kushtëzonte lirinë tonë madje mundej që edhe të na e privonte atë. Brezat e rritur në izolim nuk mundën ta liberalizonin shkollën e lartë edhe pse për hir të së vërtetës ajo konsiderohej “paja” për ne gjeneratat e para 90- tës.Por unë e kam dashur letërsinë edhe pse ëndërra ime ishte mjekësia. E në mangësi të saj fjalën e kam përdorur si “mjet shërimi” pasi vërtet besoj se komunikimi i butë, zbut dhe shëron. Letërsia u bë pasioni dhe profesioni im.

Ndonëse po i kushtonit kohë dhe vëmëndje letërsisë, mësimdhënies, çuditëtisht  një ditë në jetën tuaj zë vend dhe politika. Si ndodhi?

Politika kjo gjë e ndaluar për qytetarët shqiptarë, ka qenë diku në familjen time, e nëndheshme, e padukshme. Gjyshja e mamës time, një grua stoike siç e përshkruajnë bashkohësit ishte delegate e Dibrës në kongresin e parë të gruas antifashiste në Berat në vitin 1943, madje edhe kishte mbajtur një fjalim atje. Për familjen e saj Kadiu, një derë ku predikohej fe dhe moral kjo nuk ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme, ndërsa për Dibrën e izoluar të asaj kohe, madje edhe të kësaj kohe ky fakt duhej të ishte historik, por historitë tona janë prej lapsi dhe gome …Tek unë u gdhend ajo grua e cila mbajti në shpirt dashurinë për fenë dhe jo për partinë nga e cila familja e saj do të kishte goditje të njëpasnjëshme. Mamaja ime ka qenë kryetarja e parë e Lidhjes Demokratike të gruas në Dibër, lidhje të cilën më pas do ta drejtoja unë. Krijimi i Partisë Demokratike në Shqipëri,pavarësisht turbulencave, kishte mision përmbushjen e të drejtave të mungura, dhe i parë nga ky kontekst ishte domosdoshmëri e vonuar që për shkak të izolimit të gjatë dhe pamësimit me lirinë, derivoi në një lloj pluralizmi kaotik. Unë i përkas asaj shkolle politike mbase pak klasike por që beson se politika është arti i zgjidhjes kur aplikohet nga njerëzit e duhur. Sot tabloja politike është e mjerë por kjo nuk mendoj se duhet ti stepë intelektualët dhe patriotët, përndryshe vendi do ti nënshtrohet një lloj diktature edhe më brutale e më të padrejtë se ajo që na izoloi nga bota e zhvilluar për më shumë se pesëdhjetë vjet.

Vjen një  ditë, largimi nga të afërmit, miqtë, shoqet, vendlindja…Shqipëria,  duke   shtegëtuar në Amerikë. E prisnit këtë  shkëputje?

Ka qenë korriku i vitit 2011, dita kur u larguam nga Shqipëria, jo me një vendim definitiv, por që më vuri përpara një vendimi shumë të vështirë kur im bir fitoi një edicion arkitekture dhe iu 

rezervua një vend studimi në Art and design hight school Manhatan. Aty unë ndalova, mora një drejtim krejt tjetër, ishin ëndërrat e tij që udhëhiqnin hapat e mija jo të lehta në Amerikën që nuk ka qenë kurrë destinacioni im për të ndërtuar jetën.

Sa i vështirë  ishte për ju  integrimi në Amerikë, veçanërisht në jetën gjigande Nju Jorkeze?  

Për mua ka qenë e vështirë shkëputja nga Shqipëria, ishte një ikje e pa vullnetshme, e diktuar nga rrethanat. Dy -tri vitet e para pothuajse vetëm fizikisht ndjehesha këtu sepse shpirtërisht dhe mendërisht ndjehesha në Shqipëri, atje ku edhe sot ndjej se jeton pjesa më vitale e jetës time. Njeriu është i detyruar të përshtatet e për më tepër në Nju Jork, në këtë vend ku popullsia pothuajse shumicë emigrantësh, ndjehet ngrohtë në një shtet gjigand si ky ku të gjithë jemi të huaj por askush nuk ndjehet i tillë. Këtë lloj sistemi, adaptimi që vetëm Amerika e ka, fillova ta pranoj, kuptoj dhe sot realisht e vlerësoj shumë si një model kulturor që diversitetin etnik e konsideron vlerë dhe pasuri. Integrimi është një proçes që nis me përshtatjen ndaj një ritmi tjetër pune e përditëshmërie që unë e konsideroj si përvojë. Ka pothuaj tri vjet që unë punoj në shërbimin shëndetsor ambulator brënda një korpusi spitalor nga ku ke aq shumë për të mësuar që nga cilësia e kujdesit për pacientin që këtu konsiderohen si klientë e deri tek teknologjia e avancuar e të dhënave për pacientin, të drejtat e tij dhe rëndësinë e jetëve njerëzore në realitetin amerikan sidomos krahasuar me vendet nga ne vijmë.

Në shumë shtete këtu në Amerikë, funksionojnë jo pak televizione shqiptare. Përse zgjodhët për të punuar në  televizionin “Albanian Culturë” dhe jo në një televizion    tjetër?

Kontaktet  e mia me televizionin “Albanian Culture” kanë qenë rastësore, rastësi e bukur do ta quaja në dy evente prezantime librash, ku njërin e moderoja unë dhe tek tjetri thjesht u intervistova nga drejtuesi i këtij televizioni zoti Adem Belliu. Që nga ajo kohë ne kemi një bashkëpunim shumë të frytshëm me televizionin Kultura Shqiptare, i cili tashmë ka një histori më se 20-vjeçare në komunitetin shqiptaro-amerikan këtu.Unë jam part time aty për shkak se puna ime e përditëshme i përket një fushe tjetër por që në fakt shpesh herë bëhet burim frymëzimi për mjaftë emisione, mendime dhe vlerësime për jetën që janë bazë e emisionit tim “Një jetë…disa histori”.

Prej katër vitesh drejtoni emisionin”Një jetë…disa histori”, ideuar  dhe realizuar nga ju.Si lindi ky produksion?

Kur u ula për herë të parë në atë studio modeste televizive gjëja e parë që ndesh aty është arkivi i pasur. Aty pata rast që vetëm në pak ditë të”njoh” shumë çka nga shqiptaro amerikanët, veprimtari, intervista, kronika, madje pata nxitjen e bashkëthemelueses së këtij televizioni, zonjës Mimoza  Belliu, për të vazhduar një cikël të hershëm “Bota e gruas” por jo, tashmë në mendjen time ishte kristalizuar “Një jetë…disa histori “, e cila tashmë është një historizës katër vjeçare.

Si ndiheni përballë ekranit, i cili  padyshim ju merr jo pak kohë që nga projekti, takimin me personazhin, deri tek realizimi i emisionit?

Ekrani është përgjegjësi,është komunikim, është qasje me kohën edhe kur koha, dita apo çasti jot ka preokupime të tjera e megjithatë ajo çka është gjithmonë me mua, gjithmonë një është serioziteti në veshje, sjellje,komunikim.Për mua ajo studio është një marrdhënie shumë planëshe me problematikën,të ftuarit dhe ata që e ndjekin komunikimin. Miqtë e televizionit Albanian Culture, janë shikues konservatorë që vlerat e familjes, traditës , historisë i kanë të shenjta, edhe unë po ashtu,  jo vetëm për të qenë sinkron me ta, por sepse ato janë në tërësinë e qenies time.Të ftuarit e mi janë individë të fushave të ndryshme, që të gjithë kanë vëmendjen time maksimale, sepse të kuptohemi në shumicën e rasteve ato biseda janë spontane,të natyrshme,  pa  asnjë  truk apo parapregatitje,por shumë prej të ftuarve janë inspirim për mjaftë nga shkrimet e mia për arsye të multi problematikës që derivon nga ai bashkëbisedim historish personale e kolektive.

Keni mundur të intervistoni personalitete nga fusha të ndryshme të jetës, jo vetëm këtu në SH.B.A.por madje nga Kanadaja dhe Shqipëria.Cilin prej tyre mund të përmendësh   si më mbresëlënës?

Janë vërtet me dhjetra e   dhjetra personalitete, njerëz të zakonshëm, artistë edhe pse i kam të gjithë në kujtesë nuk do bëj specifikime,  janë miq të “Albanian Culture “tv, janë në fondin e arkivit dhe kam bindjen që në të ardhmen do të jenë në një botim po me këtë titull.

Cili mbetet  çelësi i suksesit në punën tuaj, që pas çdo emisioni, edhe  pse e lodhur, sërish ndjeheni e kënaqur?

Është kënaqësi kur sheh se ekranit i rritet shikueshmëria,është edhe përgjegjësi dhe detyrim për të rritur cilësinë, për të sjellë histori por edhe vlera në studio që natyrisht mbart edhe vështirësi objektive brenda.Televizionet shqiptare këtu nuk janë aq të fuqishme në teknologji dhe mjedisin fizik,e megjithatë ato mbeten kampione të mbajtjes gjallë të kujtesës, promovimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare, gjuhës dhe historisë tonë si dhe promovimit të vlerave të fushave të ndryshme, e kjo është jo vetëm kënaqësi por edhe mision që natyrisht mbart shumë aktorë brenda. Pra nëse ka sukses në komunitet ky sukses do të pasqyrohet edhe në ekran,ne jemi një korelacion veprimesh që ekziston dyanshmërisht.

Çfarë do të thoshit për bashkëpunimin, konkurencën që ekziston  midis  jush dhe kolegëve të televizioneve të tjera?

Unë  nuk e konsideroj si konkurencë ekzistencën e disa mediave, është një marrdhënie paralele. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, por në një fushë të lirë veprimi çka nënkupton se ka kaq shumë hapësira në Amerikën e madhe, ku kreativiteti nuk duhet të na bëjë konkurues ndaj njëri- tjetrit por të ndryshëm,të larmishëm dhe partnerë në çështje të përbashkëta.Sa për ta ilustruar: kur në studio kam dibran, unë detyrimisht dua të kem në krah Beqir Sinën, dibranin që nuk u ngop kurrë me Dibrën.

A pretendoni se veten tuaj e shprehni më mirë, kur shkruani artikuj e poezi, apo gjatë punës suaj në televizion?

Unë nuk besoj në përsosmëri edhe pse kam idhuj të cilët i konsideroj të përsosur, por kur dëgjoj veten jam kritike ndaj saj. Mendoj se shkrimi është një mënyrë më e maturuar e prezantimit të 

mendimit, madje proza ime edhe pse pak  botuar, është më e bukur. Më pëlqen stili telegrafik 

ku teksti dhe konteksti i shkojnë lexuesit në mënyrë të shpejtē, të ngjeshur, konçize. Kam dashur gjithmonë që çdo akt leximi të nxisë reflektime e kritika dhe të mos jetë vetëm vargëzim shkronjash. Mesazhi e bën veprën jetë gjatë.

Mendoni se tematika që shtrohet në shkrime apo komunikimet tuaja i jep vlerë atyre? 

Natyrshëm që tematika, të qenit sinkron me realitetin natyrisht edhe fleksibël, sepse ne jetojmë në SHBA dhe sensi i realizmit këtu apo atje kanë masën e vet, çka e bën edhe më të vështirë rolin dhe vërtetësinë e shënimeve, por ky pozicion këtu dhe atje ka edhe bonuset e veta që të vejnë në pozita solide kur lexon objektivisht dhe i nënshtrohesh logjikës të së vërtetave.Është me shumë rëndësi sensibiliteti dhe reflektimi, tipare këto që të mbajnë gjithmonë në kontakt me temat e kohës.

Ku e shikoni ju tashmë Marjanën, si nënë e dy fëmijëve, bashkëshorte, njëkohësisht poete dhe gazetare? 

Kur shikoj vitet që rendin, mosha, djemtë që rriten e shkollohen, natyrshëm  aty është Marjana dhe Iliri, bashkëshorti im, roli ynë i padiskutueshëm në konsolidimin e edukimin  e dy djemve. Padyshim e përditëshmja, e ardhmja  brënda meje është poezi, prozë,  letërsi.

Sa kanë ndikur tek ju përfundimi  i studimeve Europiane, krijimtaria   juaj si poete, në gazetari , moderim?

Shkollimi dhe përvoja janë dy anë paralele që nxisin dhe rrisin njëra tjetrën, ndaj dhe pas çdo cikli studimi kam pyetur veten se si do ti ruaj çka mësova edhe nëse ato nuk do më duhen. Dhe e vërteta është se më janë dashur gjithmonë. Dijet nuk të tradhëtojnë kurrë.Në punën e përditëshme mësuesia më vjen në ndihmë kur më duhet ti kujtoj diabetikut dietën, të moshuarit ilaçet, depresivit dashurinë për jetën dhe njeriut në përgjithësi se shëndeti i mirē është kapital.E natyrisht që dijet e studimeve master politikash evropiane janë një bagazh që merr dhe i jep formë çdo komunikimi.Jeta është më e thjesht dhe e bukur kur din, padija të burgos , të bën të pa lirë dhe këtë ne e kuptojmë kur largohemi nga Shqipëria. Megjithatë unë e konsideroj edukimin si një bonus individual që gjithë se cili e ve në përdorim mbi bazën e kapaciteteve personale intelektuale.

Kohët e fundit, jeni zgjedhur në këshillin drejtues të Vatrës. Çfarë do të thotë të jesh në Vatër e për më tepër në forumet drejtuese të saj?

Federata Panshqiptare “VATRA”,është faqja më e bukur e historisë së Shqipërisë, që i dha emër dhe jetë Shqipërisë edhe përpara shtet formimit, është vendi ku të gjithë shqiptarët pavarësisht mureve gjeografikë,apo politikëndarës ndjehen bashkë. E konsideroj përgjegjësi   angazhimin tim apo të çdokujt tjetër aty. Është ai lloj vendi ku ligjëroi Konica e Noli e ku çdo fjalë e mendim duhet të ketë peshë e maturi. Për shqiptarët e vjetër këtu, Vatra është lidhja me atdheun ndërsa për ne rishtarët është mohimi i padrejtë i lirisë, prandaj ne kemi të nevojshme ti takojmë këto dy kohë që mbartin shumë histori të pashkruara ende. Le ta quajmë një muze shqiptarie që nëse do ndrijë do na nderojë, e nëse do e denigrojmë do jetë përgjegjësi dhe faj historik.Unë besoj që po jetojmë atë lloj moment historik ku çdo lloj përgjegjësie apo angazhimi shoqëror, i duhet dhe i vlen  Kombit sot më shumë se kurrë.

Çfarë mendoni për rolin dhe cilësinë e shkollave shqipe në diasporë.

Pa dashur të paragjykoj ato dua të nxis dhe përkrah çdo lloj vullneti për të mbajtur gjallē gjuhën shqipe. Dhe ky vullnet mundet të vijë nga familja,intelektualët, televizionet, organizatat, individët, nuk ka rëndësi se si vjen por është shumë e rëndësishme që të institucionalizohet  dhe shkolla është vendi i duhur.Nuk ka investim më patriotik sesa ai gjuhësor, ndër të gjitha të shumtat që na ndajnë, gjuha është vlera që na bashkon sot e përjetë.

Cila është një ditë e zakonshme për Ju?

Gjëja e parë, me të cilën nis dita ime, është kafja,letra dhe lapsi.Tre botimet e librave të mi me poezi“Zemër e Thinjur”,“Lutja e Vetmisë” dhe  novela “Muzg egzistence”, që tashmë i përkasin një epoke tjetër.  (Qesh çiltërsisht). Së shpejti do të shoqërohen nga “lindja “ e një libri të ri, ku po përpiqem të gjej kohën dhe momentin e duhur,të mbledh krijimet e kohëve të fundit,në rrugëtimin e librt të dytë në prozë.Edhe pse këto “hoje mjalti”,i përkasn retrospektivës së disa viteve të mëparshme të Marjanës, e cila fizikisht jeton në Amerikë, por shpirtërisht jeton në Shqipëri.                                                                

 INTERVISTOI : FADIL SHEHU                                                                                                                                                                                    

Filed Under: Komunitet Tagged With: Marjana Bulku

PATRIOTI PLLUM GJOKAJ DHUROI 200 DOLLARË PËR FUSHATËN E VATRËS

October 9, 2021 by s p

Dielli

Patrioti Pllum Gjokaj dhuroi 200 dollarë për fushatën e Vatrës. Ai iu bashkua sot fushatës së Vatrës si një mundësi për të mbështetur në jetëgjatësinë e saj gazetën më të vjetër në botën shqiptare Dielli dhe Federatën Vatra si familjen më të madhe patriotike shqiptare në diasporë. Patrioti Pllum Gjokaj përveç se dhuroi, ai u anëtarësa në Vatër dhe u bëri thirrje edhe shqiptarëve të tjerë që të bëhen pjesë e familjes së madhe patriotike vatrane në Amerikë. Pëllum Gjokaj u prit në Vatër nga Editori i Diellit Sokol Paja i cili i shpjegoi imtësisht rolin dhe etapat në të cilat ka kaluar gazeta Dielli dhe Federata Vatra që nga krijimi e deri në ditët e sotme. Vatra e shqiptarëve të Amerikës, Vatra e kombit tone i shpreh mirënjohje Patriotit fisnik e të dashur Pllum Gjokaj nga Hoti i Malësisë së Madhe për të këtë dhurim dhe mbi të gjitha për angazhimet në vazhdim në Vatër dhe dëshirën për të mbështetur në çdo kohë Federatën Vatra dhe gazetën Dielli.  

Filed Under: Komunitet Tagged With: Pllum Gjokaj

Nëse besojmë në OBSH (Organizatën Botërore të Shëndetësisë)

October 5, 2021 by s p

Dr. Zekri Palushi (MD)

Nuk due që të shkruj vazhdimisht rreth COVID-it, -por skandalet e lidhura me c’far na sërviret rreth këtij problemi janë duke u rritur vazhdimisht.

Autoritetet internacionale, media, dhe politikanët tonë, po na gënjejnë vazhdimisht. Fakti që versioni zyrtar i këtij eventi ngelet ‘tabu’, dhe i pa-diskutueshëm, -tregon se dicka s’është në rregull. Është një shenjë, që tregon se ka gjëra që ne, -populli i thjeshte, s’duhet ti dimë.

Të njëjtën strategji shofim të ndiqet, edhe në lidhje me fabrikimin e shkencës që i vishet “Ngrohjes Globale (Global Warming). Gënjeshtra ma e madhe në këtë drejtim, ngelet deklarata e tyre ku thuhet se: “97% e shkencëtarve pajtohen me atë që ndryshimi i klimes,(Climate Change), shktohet prej njerëzve”.

 Ndërkohë, në vitin 2010, -në Konferencën e Klimës në Cancun te Meksikës, (organizuar prej OKBs), -gjermani Ottmar Edenhofer, një nga ekspertet-aktivist më të njoftun në botë, ka thanë se: “Nuk është një Konferencë Klime, por është një nga konferencat ma të mëdha ekonomike, qysh prej Luftës së Dytë Botrore, -ne duhet të ç’lirohemi prej iluzionit se strategjia internacionale e klimës është një strategji environmentale, (pra e lidhur me ambjentin), -tashma Samiti i Klimës s’ka te beje pothuaj hiqfare, me strategji environmentale, por me transformimin e pasurise”.

Ndërsa, në lidhje po me kete teme, ish-ministrja e Ambientit të Kanadase, Christine Stewart, ka thëne se: “S’ka rëndësi, nëse shkenca rreth Ngrohjes Globale, është e gjitha fallc (jo e vërtetë), -Ndryshimi i Klimës na jep oportunitetin ma të madh, për të sjellë barazi dhe drejtësi ne botë”.

Një tjetër personalitet, – Maurice Strong, -ish zevenës-sekretar i përgjithshëm i OKBS, -(miliarder Kanadez), -ne vitin 1992 ka deklarue se: “Ne, ndoshta mund të shkojmë në atë pikë kur e vetmja rrugë për të shpëtuar botën, do të jetë që cilivizimi industrial të shkatrrohet plotësisht.“

Ndërsa shkencëtari i njohur dhe activist, -biologu Daniel Botkin, ka deklarue se: “Rruga e vetme për të ba njerezimin të ndryshojë vërtetë, është friksimi i tyre me një katastrofe të mundëshme”.

Rëndesinë dhe vertetësinë “shkencore” te “Ndryshimit të Klimës” e kuptojmë më së miri, -kur shofim se ndër “ekspertët” kryesor në kto konferenca, mbetet suedezia autistike 18 vjecare, -Greta Thunberg, -një nxënese shkolle, që megjithse pa asnjë kualifikim formal, -ftohet të japë leksione ne forumet ma t’larta organizative,(përfshi dhe OKBn), për problemet e  “Ndryshimit të Klimës”, dhe të COVID-19.

Po ky grup elitist, – do të mblithet me 31 Tetor, në Skoci (COP26), -nga ku do t’vazhdohet me gënjeshtra e kërcnime t’mëtejshme,-duke perdore COVID-19, si pretkst për ti dhënë një shtytje t’fuqishme, e përfundimtare, strategjise së “Ndryshimit të Klimës”.

Është pre-llogaritur që perfundimi i këtij plani, -do ti mundësoj ksaj elite, që të grumbulloje 300 miliard, e deri në 50 trilion dollar, -vetëm Australisë do ti kushtojë rreth 100 miliard dollar në vit.

Fatkeqësisht, shumë njerez dhe shtete mendojnë që pa-tjetër do te kenë pjesë në kto triliona, -në të vërtetë, ata gabohen rëndë. Unë mundë t’ju garantoj se nga kto triliona, as njerezimi, dhe as “Ndryshimi i Klimës”, nuk do të përfitojnë as edhe një cent. Premtimi i tyre për një ri-shpërndarje, do të mbetet si një nga premtimet e dikurshme të komunistëve shqipëtar,- se do të hanim me “lugë t’florinjta”.

Le të ri-kthehemi tek strategjia covidjane,-ku siq thashe, ndeshemi me të njëjtat gënjeshtra,-si në lidhje me vaksinat, ashtuedhe me mjekimin alternative. Guxo psh. t’përmendësh ivermectinen, dhe ju do ta shifni se social media do t’ju bllokojë menjëherë, -ndërsa Elita politike dhe media tradiconale (mainstream media), do t’ju etiketojnë me emra nga ma poshtruesit.

Ndërkohë, faktet tregojnë se ivermectina ka qenë në përdorim për ma teper se 30 vjet, -4 miliard doza janë përdorur me rrezultate të shkëlqyera, është në listën e ilaceve esenciale të OBSHs, dhe një nga ilacet ma t’përdorshme, dhe toleruse në botë. Zbulimi i invermectines i dedikohet professor Satoshi Omura, dhe biologut William Campbell, që në vitin 2015, moren çmimin Nobël. Ndërkohë, “elita mjekësore” -(s’mundet ta prononcoj as emrin e ktij ilaci), -porper te friksuar njerzit, i referohet si: “ilac krymbash per kuaj”.

Kjo tingëllon tepër qesharake,-sidomos kur mendon se gënjeshtrat e tyre, dhe/ose injoranca e tyre, rreth ivermectinës, -me dashje ose pa-dashje, është duke u ekspozuar nga vete Organizata Botërore e Shëndetesise, (OBSH).

Kohët e fundit, ne website-in e kësaj organizate thuhet se janë në Uttar Pradesh te Indise, – nje shtet me 210 milion banore.

Aty, ç’do mëngjes, nje grup/team prej dy vetësh, shkojnë ne fshatra te largeta të këtij shteti, duke trokitur derë-më-derë, për të testuar me Rapid Antigen Test Kits, ç’do njeri me shenja covidi. At’herë, t’gjithë ato që dalin positiv, izolohen menjëherë, dhe pastaj, së bashku me këshillat e tjera mjekësore, u jepet edhe një ‘Paketë Iaçesh’.

Por ç’farë ka në këtë paketë?

Quditërisht, -aty sëbashku me paracetamolin, Vitaminën C, Multivitaminën, Zinc, Vitaminën D3,-përfshihen edhe DOXYCYCLINA 100 mg, (10 tableta), dhe IVERMECTIN 12 mg, (10 tableta).

Si rrezultat i këtij mjekimi, Uttar Pradesh, -(pamvarësisht përqindjes së ultë të vaksinimit) praktikisht ka eleminuar infeksionet e COVID-19. Kjo mund të verifikohet fare lehtë, nëse krahasojmë këtë shtet, me një shtet tjeter Indian, -Karala, me një popullsi prej 35 milon banorësh, -ku megjithse 25% e popullsisë është e vaksinuar, -rraporton c’do ditë afërsisht 31,445 raste te reja infektimi, -arsyja? nuk lejojnë përdorimin e kësaj Paketë Mjekimi! Ndersa, Uttar Pradesh, -(që e perdorë këtë Paketë Mjekimi), megjithse ka një përqindje shumë ma të ultë vaksinimi, rraporton ç’do ditë rreth 22 raste të reja infektimi. (keni para-syshë dhe ndryshimin e madh të numërit të popullsisë, në mes dy shteteve).

Pra, vetëm nga ky shembull, gjithkush mund ta gjykojë vetë efektivitetin e lartë të këtij ilaçi, që vazhdon të jetë nën persekutimin e elitës, -kuptohet, – per interesat e sajë.

Prap-se-prap, -pavarësisht ktij konkluzioni tepër llogjik, -kjo Paketë Ilaçesh, nuk lejohet të përdoret as në Australi, e as në shumë vende të tjera të botës.Po pse ? -Ne dimë që globalistët, dhe big-farma, kane shume perfitime prej angazhimit me vaksinat. Janë qindra milliard dollar, (‘free money’), për ti ndarë n’mes tyre. Po kështu, ata jo vetëm që janë të ç’veshur nga çdo përgjegjësi ligjore, por kanë fituar edhe kredibilitet politik, duke friksuar njerëzit, në emër të “mbrojtjes së tyre” nga covidi.

Dhe për sa-kohë covidi do t’vazhdojë të jetë n’mes nesh, (përgjithmonë), -ata do t’vazhdojnë të pasurohen. Ne kete rast ja vlen t’përmendi edhe një anti-viral me emrin MOLNUPIRAVIR, që megjithëse mund të vijë vitin tjetër në qarkullim, -propagandimi i tij ka filluar që tani, -një kuro e tij, konsiston në 10 tableta, -(1tab, dy herë në ditë, për 5 ditë), -kushton 700 dollar Amerikan,-ndërsa një kuro me Monoclonal antibodies, (Sotrovimab), kushton rreth 2.100 dollar. -Në kontrast me kto ilaçe, qëndrojnë ivermectina dhe hydroxychloroquina, qe s’janë aspak inferjor, dhe kushtojnë jo ma shumë se 50-60 dollar per kuro. Mos harroni se fabrika ma e madhe, (e dyta ne bote), për prodhime farmaceutike, (ndër to, Hydroxychloroquine), në Tajvan, mori zjarr, dhe u dogj krejt, në Dhjetorin e shkuar!!!

Nga ana tjetër, -qytetarve ju ofrohen stimuj tëndryshem në nxitje të bërjes së vaksinave, -një stimul të tillë e shofim edhe në Australi, -ku organizata “Milion Dollar Vaccine Alliance” -ofron 1.000.000 dollar -llotary, që mund të fitohet nga t’vaksinuarit. Kjo taktikë na detyron të ri-perserisim fjalet e Mark Twain, “Mijtë bien në kurthin e mijëve, mbasi s’arrijnë të kuptojne pse aty djathi është falas”.   

Me këtë, une s’dua të them se covidi s’është rreal. S’kam asnjë dyshim se covidi është një virus,-natyrisht i rrezikshëm. Rrezikshmëria e tijë mund të krahasohet me një gjëndje gripale të rendë,(influenza), -veçanërisht për ato të sëmurë me rrisqe të ndryshme. Për të ilustruar këtë, po permendi të dhëna statistikore të freskta, të Byrosë Australiane të Statisikave, -ku analizohen vdekjet, dhe shkaqet e tyre për vitin 2020. Aty thuhet se: vitin e shkuar, në Australi kanë vdekur nga shkaqe të ndryshme 161.300 njerez, -nuk po ndalem në detaje te numrit të vdekjeve sipas shkaqeve, -por, nga COVIDI rraportohen vetem 898 vdekje, (ndersa nga Influenza/gripi i zakonshem, rraportohen 2.287 vdekje, -dhe nga rrëximet aksidentale rraportohen 3.395 vdekje, -e kështu vazhdohet me rradhë),….ku del se vdekjet nga COVID-19, rrjeshtohen në vendin e 38.

Ndërkohë ja vlen t’permendim Melburnin, (me një qeverisje tepër te majte,-të tipit socialist), që sot, (4 tetor), “festoon” shpalljen e kampionit botëror për lockdowns, (246 dite, dhe prap vazhdojnë të jete në lockdown), -ktu kanë ndodhur 89% të vdekjeve nga covidi. 

Një lajm optimistik vjen prej zv.presidentit të Komisionit të Barazisë/të së drejtës në Punë, (Fair Work Commision),- Lyndall Dean, -i cili me 27 Shtator 2021, -ndër të tjera thotë se: “Australiant duhet të kundershtojnë me vigorozitet censorizimin e vazhdueshëm të c’do pikpamje që vë në pik-pyetje strategjitë e deri-tanishme në lidhje me covidin. Shkenca s’ështe ma shkencë, nqs njerezit s’lejohen ta diskutojnë atë”.

Situatat e krijuara deri m’tani, -si për “Ndryshimin e Klimës”, ashtu dhe për “Pandeminë Covidjane”, duhet t’na zgjojnë ndërgjegjen tonë, -vecanërisht në dritën e thënjes së Bertolt Brecht, (1898-1956) -i cili, edhe pse ishte me ide komuniste, formuloj shumë mirë thënjen e tijë: “Kush nuk e dinë të vërtetën, është thjeshtë një budalla, por kush e dinë të vërtetën dhe e quan atë gënjeshter, është një kriminel”, -kjo një thënje tepër aktuale për ditët e sotme, -kur njerëzit e kanë shumë të vështire të dallojnë t’vërtetën nga gënjeshtra.

Dr. Zekri Palushi (MD)

Bashkpunëtor i gazetës Dielli, për rubrikën Këshilla Mjekësore

Australi, 4 Tetor 2021

Filed Under: Komunitet Tagged With: Vatra, Zekri Palushi

Ambasadori Pa Post

September 29, 2021 by s p

Nga Ramiz Tafilaj
Houston, Texas
28 shtator 2021

Ishte student në Texas kur e njoha për here të parë, fiks 20 vite më herët. Por, edhe në atë kohë, ishte activist i pandalur i komunitetit shqiptar në Texas dhe student i dalluar në universitet. Gjatë studimeve, dy vera rradhazi punoi si asistent për cështjet në Ballkan në zyrën e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-ve, nën udhëheqjen e Kongresistit Tom Lantos. Ishte i ri, por ja që qysh më 2003, ai punonte në Capitol Hill, në zemrën e demokracisë e vendimmarrjes botërore, kur shumë politikanë e liderë të Kosovës e kishin ëndërr vec një visitë aty. 

Për dy dekada thuajse, ai nuk u ndalë së punuari për Kosovën në Amerikë dhe me njerzit më kryesorë të politikbërjes amerikane, si Tom Lantos, Henry Hyde, Ben Gilman, Bob Dole, John McCain, e shumë e shumë të tjerë, ngase asnjëherë nuk i nda Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe udhëheqësit të saj Kongresistit Joe DioGuardi e zonjës Shirley Cloyes DioGuardi. 

U bë i atillë sa që në fushatën e fundit presidenciale, iu besua të udhëhiqte platformën “Albanians for Biden” në kuadër të fushatës së Biden për President, dhe arriti të punonte direkt me menaxherin e fushatës presidenciale të z. Biden dhe njerëz tjerë kryesorë aty. Bile, si rezultat i këtij angazhim, ishte i ftuari i vetëm nga Kosova të merrte pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Biden. 

U nderua me shumë cmime e mirënjohje zyrtare nga Kongresi i SHBA-ve që nga viti 2005 e këndej, nga Kryetarja e Washington, DC, nga Fondacioni i Presidentit George H. W. Bush “Points of Light,” e shumë e shumë të tjera që flasin sa s’mund të shkruhet për vlerat e tij dhe krenarinë që ndjejnë e shprehin këto institucione amerikane për të. 

Akademikisht është ndër të paktën shqiptarë që arriti të marrë grade shkencore në Universitetin e Harvardit ku ishte nderuar me cmimin dhe bursen prestigjioze “Kennedy Fellowship,” dhe kishte magjistruar në Zhvillim Ndërkombëtar e Administratë Publike. Në Texas, me nderimet me të larta akademike, kishte kryer dy bacelora – një në shkenca kompjuterike e një në matematike. Më vonë, në Dalhousie University kreu edhe një magjistraturë tjetër në marrëdhënje ndërkombëtare, kurese doktoroi në Alberta në shkenca politike. 

Vec javën që lamë pasë, ai ishte i ftuar në një sër takimesh më rendësi në Washington,DC e New York: pati takime e diskutime me shumë anëtarë të Kongresit – si Kongresistët Jim Clyburn e Liz Cheney, e Senatorin Chris Coons; takime në Departamentin e Shtetit; me njerzë relevantë të opinionit publik në DC si Profesorin Serwer; Ambasadorin William Walker, e në fund, por edhe më e rendësishmja, me Senatorin Bob Menendez, Kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve. 

Takimi me Sen. Menendez ishte gjëja më e rendësishme për Kosovën në këtë kohë kritike. Si rezultat i lobimit të suksesshëm të Ligës nën udhëheqjen e Joe e Shirley DioGuardit, mesazhet e dhëna nga Senatori ishin mesazhet më të mirëpritura e më të duhura për Kosovën. 

E tash, ky njeri, ky djalë Kosove, është Dr. Faton Bislimi nga Gjilani. Fatoni që për një javë takime në Amerikë sjellë mesazhet më të mira për vendin e kombin. Fatoni që ka dyert hapur në Kongres e Administratë. Fatoni që me punën e tij ka krijuar respekt në qarqet më të rendësishme politike në Capitol Hill. Fatoni që vazhdon ta bëjë krejt këtë punë me nder, vetmohim, e sakrificë, gjerësa shteti i Kosovës ka zyre, zyrtarë, etj., që as për së afërmi nuk mund të bëjnë atë që ka bërë e bënë Fatoni për Kosovën në Amerikë. 

E këtu, unë lash anash, angazhimin e tij jopolitik, përmes lobimit në Amerikë, nga i cili kanë përfitu me dhjetra studentë meritorë nga Kosova duke marrë bursa të plota shkollimi në SHBA, delegacione të ndryshme të trojeve tjera etnike që Fatoni ua ka hapë dyertë në DC, etj. 

Pra, ky është profili i Ambasadorit pa post. Ky është profili i njeriut të suksesshëm që nuk vendos asgjë tjetër para interesit nacional të vendit. Ai po vazhdon të na bëjë krenarë, anipse shteti ynë ka zero reflektim për vlerësimin e veprave të njerëzve si Fatoni! Populli sheh e vlerëson, anipse politika bënë sehirë! 

Ramiz Tafilaj është aktivist i komunitetit shqiptar në Teksas, filantropist dhe botues. Është ndër shqiptarët e pakët në SHBA të nderuar me Cmimin për Arritje Jetësore nga Presidenti i SHBA-ve. 

May be an image of 1 person and standing

Faton Bislimi në Capitol Hill

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ramiz Tafilaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • …
  • 395
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT