• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETER E HAPUR

September 29, 2021 by s p

Nga Valentin Lumaj*/Michigan

Michigan, me 27 Shtator 2021

*(Shënim i redaksisë: Kjo letër, është tërësisht një qëndrim personal i autorit të shkrimit dhe nuk përfaqëson linjën editoriale të gazetës Dielli dhe qëndrimin zyrtar të Federatës VATRA)

Shkelqësisë së saj, Zonjës Yuri Kim

Ambasadore e Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Shqipëri

E nderuar Ambasadore Kim,

Së pari, më lejoni që  t’ju shpreh falënderimet e mia për juve dhe stafin tuaj, për punën e mirë që keni bërë në vendin tim të lindjes, Shqipëri.

Roli juaj në politikën shqiptare është i një rëndësie të veçantë, pasi Shqipëria po kalon një tranzicion të gjatë politik dhe politikanët ende po fitojnë përvojën e nevojshme dhe ata kane nevojë që të udhëzohen dhe këshillohen drejt rrugëve të pashkelura të demokracisë. Roli juaj bëhet edhe më vendimtar, duke pasur parasysh faktin se korrupsioni aktual dhe krimi i organizuar në Shqipëri janë në nivelet më të larta të vendeve demokratike të botës.

Zonja Ambasadore, e kuptoj plotësisht misionin tuaj për të përfaqësuar interesat dhe politikat e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe rajon. Si amerikan, nga zemra, do të doja të shihja tek ju, udhëheqësen e fortë, menaxheren e shkëlqyer, negociatoren elastike dhe një përfaqësuese të respektuar të Shteteve të Bashkuara. Por përsëri, si qytetar amerikan, jam pak i shqetësuar që figura juaj si përfaqësuese e respektuar e SHBA-ve ka filluar të zbehet pak tek shqiptarët (uroj të jem gabim). Do të përpiqem qe ta shpjegoj shkurt nga këndvështrimi im,  shkaqet pse po ndodh kjo:

E dashur Ambasadore, nëse jeni sinqerisht “e vendosur në luftën tuaj kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë” në Shqipëri (siç ju pëlqen shpesh të thoni), atëherë do të ishte një veprim i zgjuar që angazhimin tuaj t’a fillonit me korrupsionin e kohëve të fundit dhe atë aktual brenda qeverisë. Një shembull i mirë dhe i njohur gjerësisht i korrupsionit do të ishte vetë kryeministri Edi Rama (Mr. 20%) së bashku me stafin e tij të mëparshëm dhe aktual, Tahiri, Xhafaj, Kodheli, Gjiknuri, Klosi, Beqaj, Ahmetaj etj. Këta individë të veshur me pushtet, gjatë 8 viteve të fundit, kanë vjedhur rregullisht zgjedhjet, kanë pasur histori lidhjesh me kriminelë të huaj dhe vendas, kanë qenë të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv dhe kanë “kanabizuar” të gjithë territorin e Shqipërisë. Si rezultat i kësaj, regjimi i Ramës gjatë dy mandateve të fundit dhe në vazhdim, e ka sjellë Shqipërinë më afër Amerikës Latine sesa Evropës, e ka çuar Shqipërinë në drejtim të gabuar dhe larg nga rruga e integrimit në BE. Sot Shqipëria renditet me vendet me nivelet më të larta të pastrimit të parave në Evropë. Niveli i lartë i krimit, trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore i ka identifikuar shqiptarët si njerëzit më të kriminalizuar në Evropë. Shqiptarët janë zhveshur nga e ardhmja e tyre, mijëra të rinj të arsimuar nuk e dinë se çfarë do të sjellë ardhmja për ta. Në tetë vjet, mërgata masive të familjeve të tëra ose mbi gjysmë milioni shqiptarë të pashpresë u larguan nga vendi i tyre, për të kërkuar një jetë më të mirë, liri, siguri, të drejta njerëzore dhe një shoqëri demokratike pa korrupsion.

Për ta mbështetur deklaratën time të mësipërme, më poshtë kam renditur disa raporte nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe disa institucione evropiane:

Në vitin 2017 dhe përsëri në 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit e përcakton Shqipërinë si një “vend të problemit kryesor në lidhje me pastrimin e parave” dhe theksoi se “të ardhurat e paligjshme pastrohen lehtësisht për shkak të korrupsionit të masiv dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare … Shqipëria shërben si një bazë operacionesh për organizatat rajonale të krimit të organizuar ”.

Bazuar në një raport të Këshillit të Evropës, Shqipëria mbetet një vend origjine dhe një vend tranzit për trafikimin e qenieve njerëzore, sepse “qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson standardet minimale për eliminimin e trafikut … Korrupsioni, veçanërisht në ekzekutiv, është përhapur gjerësisht dhe kudo kudo” dhe “mbetet një problem serioz”.

Sipas Indeksit të Transparency International, “Shqipëria është ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Ekzistojnë gjithashtu dëshmi të qarta që tregojnë se shteti është një “peng” i interesave private dhe kriminale “.

Raporti i ODIHR:

“Praktikat e përhapura të blerjes së votës, siç pretendohet nga shumë ndërlidhës të MNVZ-së, mbetën problem. Rrjedhja e të dhënave intime personale të rreth 900,000 qytetarëve shqiptarë para zgjedhjeve, përfshi këtu edhe preferencat e tyre politike, ishte shqetësim serioz dhe i bëri votuesit të prekshëm nga presioni ”, thuhet në Raport.

E nderuar Ambasadore, 

këto janë vetëm një shfaqje e vogël dhe sipërfaqësore e korrupsionit masiv, vetëm “maja e ajsbergut”, e cila po shkatërron ekonominë dhe të ardhmen e Shqipërisë. 

Siç thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit më lart, korrupsioni egziston brenda qeverisë, gjithashtu sipas mendimit të shumë shqiptarëve dhe timin,  ju dhe të gjithë trupat diplomatike në Shqipëri, qeveria shqiptare është vendi ku duhet që ti përqendroni përpjekjet dhe energjitë  tuaja kundër korrupsionit. 

Qëndrimi juaj i dukshëm i njëanshëm, duke mbështetur dhe përkëdhelur qeverinë ose zyrtarët e Partisë Socialiste dhe duke etiketuar opozitën apo duke sulmuar udhëheqësin historik të Partisë Demokratike Z. Sali Berisha, ka rezultuar në një efekt negativ kundër jush. 

Populli shqiptar pret nga ju që të aplikoni një standard të netëm kur është fjala për luftën kundër korrupsionit, jo vetëm në të djathtë të spektrit politik, por edhe në të majtë, ose kudo që të ndodhë.

E nderuar znj. Ambasadore, 

kur thoni “[Demokratët shqiptarë] nuk mund të lëvizin me një këmbë të ngecur në të kaluarën”, sa për balancë, të paktën të thoni diçka edhe për Partinë Socialiste, pasi biografia e saj morale ka qenë një barrë e rëndë për shqiptarët për më shumë se 75 vjet. 

Partia Socialiste ka mbetur i njëjti regjim i mbyllur, autokratik dhe komunist, e cila e ka origjinën nga “Partia Komuniste”. 

Më tej, nëse e konsideroni zotin Sali Berisha si ‘e shkuara’, ju lutemi tregoni popullit shqiptar për shefin tuaj, Presidentin tonë Biden 78 vjeç, i cili është angazhuar në politikë për 50 vite, aktualisht është duke shërbyer si President i kombit më të madh në botë. 

Politika nuk kërkon një trup të fortë, por një mendje te ndritur dhe mençuri. Zoti Berisha sigurisht qe është e kaluara, por padyshim, ai është gjithashtu edhe e tashmja e Partisë Demokratike. Ai është ende një mal me dije dhe urtësi, një kolonë e demokracisë, dhe më e rëndësishmja, ai po u shpjegon demokratëve se si duhet të jetë e ardhmja e tyre: me dinjitet, integritet dhe sovranitet.

E nderuar znj. Ambasadore, 

Partia Demokratike e Shqipërisë po kalon krizën më të thellë që nga themelimi i saj në vitin 1990. Përsëri, me dhimbje e them, por një pjesë të mirë të fajit jua hedh juve dhe kreut të Departamentit të Shtetit.

Bazuar në perceptimin e publikut shqiptar, z. Sali Berisha nuk ishte një nga politikanët e korruptuar. Vendimi i Departamentit të Shtetit për ta shpallur atë “non-grata” së bashku me akuzat e tyre, erdhi si “një rrufe në një qiell të pastër”. Si çdo shqiptar tjetër, edhe unë kam pritur me durim të shoh disa prova që lidhen me akuzat e ngritura. Nëse Departamenti i Shtetit ka prova të vërteta për të mbështetur pretendimet e tyre, dhe nuk i bëjnë publike, atëherë i gjithë procesi bëhet i dyshimtë. Ndërsa koha kalon, kjo histori ka filluar të duket si një teori konspirative, ose më saktë, si një “gjueti shtrigash”. 

Nëse Departamenti i Shtetit, që nga viti 2017 e në vazhdim, është shprehur qartë në lidhje me “korrupsionin e masiv në qeverinë shqiptare”, atëherë shqiptarët kërkojnë përgjigje se çfarë keni bërë juve Zonja Ambasadore, për të luftuar këtë korrupsion dhe pse jeni përqendruar këmbë e krye në një person , i cili nuk ka ndonjë pozitë apo pushtet, pa asnjë lidhje me fondet publike apo shtetërore, për më shumë se tetë vjet. Për më tepër, veprime të tilla, në vend që të dëmtonin reputacionin dhe karrierën e zotit Berisha, ato patën një efekt bumerang. Berisha po fiton respekt dhe simpati mes shqiptarëve. Ai po bëhet figura e rëndësishme kryesore dhe shumica absolute e anëtarëve të Partisë Demokratike e adhurojnë dhe e ndjekin.

Nga ana tjetër, Z. Lulzim Basha, padyshim nën presionin tuaj dhe në konflikt të hapur me statutin e Partisë Demokratike, ndërmori një akt ekstrem individual duke e përjashtuar nga grupi parlamentar z. Berisha, udhëheqësin legjendar të demokratëve. 

Ky ishte një “verdikt” pa pasur asnjë provë në posedim, ne një kohë që z. Berisha duhej të ishte prezumuar si i pafajshëm derisa të vërtetohej fajësia e tij. 

Përsëri, ky veprim nuk e dëmtoi zotin Berisha, por përkundrazi, dukshëm që ka dëmtuar Partinë Demokratike, ka shkatërruar kredencialet e zotit Basha dhe ka shumë të ngjarë edhe karrierën e tij politike.

Veprimet autokratike të zotit Basha na treguan se ai nuk është njeri me integritet, ai merr vendime nën presion dhe i tradhton bashkëpunëtorët e tij. Si rezultat, ai po humbet terren dhe po ashtu edhe respektin e partisë së tij si kryetar. 

Me fjalë të tjera, z. Basha nuk është më personi i besueshëm për të drejtuar më Partinë Demokratike. Historia e zotit Basha rezulton të jetë dështimi. Edhe pse humbi disa dhe të gjitha zgjedhjet qëkur mori drejtimin e Partisë, ai, padrejtësisht dhe në kundërshtim me standardet demokratike, u zgjodh përsëri si kryetar i PD -së. Egoja e tij për pushtet të pamerituar, ka bllokuar vizionin dhe koshiencen e tij për të kuptuar se Partia Demokratike i përket demokratëve të Shqipërisë, dhe jo atij. Ju lutem, ndihmojeni zotin Basha që ta kuptojë këtë. Mua personalisht, sikurse shumë demokratëve, për arsyet që shpjegova më lart, nuk na pëlqen zoti Basha dhe nuk ndihemi mirë me këdo që përpiqet të na e shesë atë si liderin tonë apo përpiqet të drejtojë ndjenjat tona. Zoti Basha i zhgënjeu disa herë demokratët dhe në fund i tradhtoi ata.  Ndoshta një ditë, ai do t,ju zhgenjejë dhe do t’ju tradhtojë edhe juve zonja Ambasadore.

Për ta përfunduar, ndërsa kohët e fundit ju keni luftuar korrupsionin në mënyrë të përciptë dhe selektive, duke mbajtur anë në mes partive politike, po ashtu duke mbajtur anë edhe brenda Partisë Demokratike, kjo ka bërë që demokratët shqiptarë të humbasin pak besimin dhe respektin për ju. Por, kjo nuk duhet t’i japë askujt të drejtë që të akuzojë demokratët e Shqipërisë si anti-amerikanë. Nëse mungon besimi mes jush zonja Ambasadore dhe demokratëve shqiptarë, kjo nuk e kushtëzon, në asnjë rrethanë, dashurinë dhe respektin e tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët në përgjithësi përtej pikëpamjeve të tyre politike dhe veçanërisht demokratët, janë pro-amerikanë. Një marrëdhënie e tillë ndjenjash është krijuar mbi një shekull më parë dhe do të vazhdojë në shekujt që do të vijnë. Dukshëm, unë jam një demokrat shqiptar dhe mbështes Berishën. Demokratët e Shqipërisë dhe unë i kemi dhënë shumë nga jeta jonë partisë Demokratike, kemi dhënë kohën, energjitë dhe pasionin tonë. Kemi qenë në rrezik shumë herë nga policia kriminale socialiste për vite e dekada; janë dhënë jetë dhe është derdhur gjak për të ndërtuar dhe mbrojtur partinë tonë. Por sot ne jemi zemërthyer dhe të tradhtuar. Gjithashtu, unë jam qytetar Amerikan dhe e dua Amerikën po aq sa e doni edhe juve dhe e dua Shqipërinë pak më shumë se juve zonja Ambasadore.

Unë e kuptoj plotësisht punën e madhe tuajën dhe te stafit që drejtoni dhe aty ku punohet edhe gabohet, ndodhin edhe defekte. Por nuk është vonë kurrë për t’i rregulluar ato. 

Unë besoj se gjëja  më e duhur për të fituar përsëri besimin e humbur, është që të luftoni korrupsionin në qeveri, të qëndroni pak larg nga Partisë Demokratike dhe t’i lini demokratët shqiptarë të zgjedhin vetë liderin e tyre pa qenë nevoja që ju të promoni të preferuarin tuaj.

Demokratët e Shqipërisë, veçanërisht ata në diasporë “nuk hanë bar”, ata janë të zgjuar, të edukuar dhe të aftë për të bërë vetë zgjidhjet e tyre politike dhe më e rëndësishmja ata nuk  i pranojnë presionet.

Me respekt, 

Valentin Lumaj/Michigan

*(Shënim i redaksisë: Kjo letër, është tërësisht një qëndrim personal i autorit të shkrimit dhe nuk përfaqëson linjën editoriale të gazetës Dielli dhe qëndrimin zyrtar të Federatës VATRA)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Valentin Lumaj

FLORIDA, NDËRROI JETË VITORE RULI – DAKO

September 25, 2021 by s p

Në një spital të Floridas në moshën 80 vjeçare mbylli sytë zonja Vitore Ruli – Dako, një intelektuale e fisme, mbesë e Kristo Dakos dhe Sevasti Qiriazit, dy emblemave të arsimit kombëtar.

Gruaja e gjorë pati disa komplikacione shëndetësore. Muajt e fundit ajo luftoi mjaft, por me gjithë ndihmat mjekëve dhe përkujdesjen e fëmijëve të saj, ajo u dorëzua. 

 Dha shpirt në mbrëmjen e vonë të datës 24 shtator 2021.

Zonja Vitore pat kaluar në auditoret e Politeknikumit (sot Instituti Harry Fultz) dhe përvijoi në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku u diplomua në degën elektrike. Inxhinjerja e re punoi në Tiranë por më pas e lëvizën nga kryeqyteti në drejtim të Tepelenës. Ishte e natyrshme që ajo do të ndiqte fatin e të shoqit  Viktor Rulit. Mjeku i njohur pat mbaruar studimet në Poloni dhe familjes iu desh të vuante përndjekjet  për një periudhë të gjatë, afro 20 vjet. Ishte fati pothuaj i të gjithë atyre që patën studjuar në hapësirat e Perandorisë së Moskës. Ata u vunë nën syrin malinj të Sigurimit të Shetit dhe vuajtën dritë hijet e dyshimeve të një shteti, që në fantazinë e tij e shihte veten rrethuar nga “bij tradhëtarë”. E kuptohen kushtet në të cilat familja Ruli do të punonte dhe do të rriste aty fëmijët e vet.   

Por zonja Vitore tashmë ishte familjare me këto lloj trajtimesh, që foshnjë, teksa me prindërit e saj u internua nga gjermanët pushtues në një kamp afër Beogradit. Por  edhe më pas komunistët çlirimtarë, nuk i trajtuan më mirë Dakot. U konfiskuan pronat. Atin e saj, Aleksandrin e burgosën tok me vëllain më të vogël Gjergjin, i cili vdiq nën tortura mizore. Vitorja e re pati fatin të shihte nga afër persekutimin e egër të gjyshes së saj Sevasti dhe motrës Parashqevi Qiriazi, këtyre ikonave që arsimi kombëtar dhe emancipimi i femrës shqiptare u detyrohen aq shumë. 

Ndërgjegjësimi i regjimit enverian për vlerat, sakrificat dhe kontributet e Dakove dh Qiriazëve fatmirësisht erdhi, por shumë vonë dhe pas kostosh të mëdha. Nëpër tërë këtë kalvar kaloi në vetë të parë, zonja që dje mbylli sytë në truallin e bekuar të Amerikës, ku qenë shkolluar dhe mëkuar me atdhedashuri, të parët e saj. 

Vitorja e gëzoi këtë mirënjohje të vonuar, kur heronjtë edhe heroinat e shkollës shqipe kishin vdekur pothuaj të tërë. Inxhinjerja e talentuar thirrej në  përvjetorë festivë të pavarësisë, të hapjeve të shkollave të para dhe, në emër të të vdekurve, i merrte ajo dekoratat, medaljet, nderimet, për Kriston, Gjerasimin, Sevastinë, Gjergjin… Nën tisin e lotëve me një ndjenjë të përzjerë  ajo ishte aty, në Sheshin e Flamurit, kur pa teksa vetë Enver Hoxha, mori dhe hoqi vallen dyshe me Parashqevinë e moshuar në ditën e Pavarësisë… 

Për teton Parashqevi ky ishte nder. Turpi ishte te valltari tjetër! …

Pas përmbysjes së sistemit stalinist diktatorial, pas vdekjes së të shoqit zonja Vitore Ruli, erdhi dhe u vendos këtu tok me të dy fëmijët e saj, Julianën dhe Gencin në shoqërinë e mbeskave dhe nipit të saj, që mban emrin Gjergj, më të përdorurin emër, në brezat e kësaj familje patriote. Pranë tyre ajo gëzoi një jetë të qetë prej pensionisteje duke shijuar klimën e butë buzë ujrave të oqeanit dhe leximet në  librat, që nuk i pat ndarë kurrë. Në festat dhe gëzimet e përbashkëta të komunitetin të shqiptarëve në jugë të Floridës, Juli dhe i shoqi, Zef Mosi, aktori i mirënjohur i ekraneve shqiptare, nuk e linin asnjëherë pa e marrë me vete.  Aty, zonja Ruli, binte në sy me pamjen e saj fisnike, me komunikimin e saj të ngrohtë, me kulturën e thellë dhe me humorin që paradoksalisht e mprehin furtunat dhe vuajtjet e jetës. 

Mjerisht, nga sot e tutje atë zonjë, shqiptarët e Floridas nuk do ta kenë mes tyre. Por do ta kenë me siguri të mbetur në kujtimet e pashlyera .

Dhe jemi të sigurt që nga ky njoftim ata do të hidhërohen e pastaj do t’i dëshërojnë asaj të prehet në paqë, në hapësirat qiellore. 

Lamtumirë, Vitore Ruli – Dako!

Filed Under: Komunitet

Ndërroi jetë Gjon Gjuraj, Kryetari i Vatrës mesazh ngushëllimi

September 22, 2021 by s p

E nderuar familja Gjuraj

I dashur Mëhill

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e babait tuaj të shtrenjtë e të dashur Gjon Gjuraj. Jemi pranë jush në këto momente trishtimi e lamtumire. I ndjeri Gjon pushoftë në paqen e amshuar dhe ju qofshi jetëgjatë. Të rroni e ta kujtoni me nderim e respekt përherë patriotin dhe prindin tuaj shembullor Gjon Gjuraj.

Lusim Zotin për shpirtin e tij. Pushoftë në Paqen e përjetshme. 
Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA 

NJOFTIM NGA KISHA ZOJA E SHKODRES

Lajmërim Mortor

Gjon Gjuraj

15 Gusht 1932 – 22 Shtator 2021

Me hidhërim njoftojmë komunitetin Shqiptar, se me 22 Shtator ndërrojë jetë Gjon Gjuraj në moshën 89 vjeçare.

I ndjeri do të pushojë në shtëpinë mortore, Yorktown Funeral Home

945 East Main Street

Yorktown, NY 10588, të Premtën me 24 Shtator 2021, nga ora 2pm – 9pm.

Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do të kremtohen të Shtunën me 25 Shtator 2021, në orën 10:00am në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, prej ku mbas meshës trupi i të ndjerit do të përcjellët për në varrezat “Gate of Heaven”, 10 West Stevens Ave, Hawthorne,NY.

Famullija “Zoja e Shkodrës” i shpreh ngushllimet e sinqerta Familjes dhe gjithë Farefisit.

Gjoni, pastë dritë në amshim, dhe të gjallëve u dhashtë Zoti forcë.

Jepja o Zot pushimin e pasosur, e i shndritë drita e pambarueme. Pushofte ne paqe. Ashtu Kjofte.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Elmi Berisha, Gjon Gjuraj

Biblioteka Noliane në 50 vjetorin e saj

September 14, 2021 by s p

Sokol Paja

Një bashkëbisedim i përzëmërt me zonjën Neka Doko Arkivisten e Bibliotekës Noliane në Boston pranë Kancelarisë Ortodokse Shqiptare në Amerikë.

Boston më 13 Shtator 2021- Biblioteka Memoriale e Metropolitanit At Fan Noli nisi rrugëtimin e saj për në dekadën e gjashtë. Ideja e parë e Bibliotekës Noliane u krijua kur At Arthur Liolin u emërua Drejtor Ekzekutiv i Kishës së Shën Gjergjit në vitin 1969. U bë fakt në pranverë të vitit 1970 kur dolën botimet e para tek revista “Vreshta”. At Arthur Liolin e krijoi Bibliotekën duke mbledhur të gjithë librat e lënë amanet nga At Noli me qëllim që t’ia dhuronin Bibliotekës Publike të Bostonit, Bibliotekës Universitare në Tiranë dhe Arkivin e Shtetit në Shqipëri. Librat që u dërguan në Tiranë nga Meri Xhons sekretarja e At Fan Nolit u pranuan me nderim, ndërsa librat për në Bibliotekën Publike të Bostonit për arsye fondesh u mbajtën për një periudhë dhe u kthyen mbrapsht duke pranuar vetëm një pjesë të vogël të tyre në Bibliotekë. Me këtë rast At Arthur Liolin, fondin e Bibliotekën së Nolit e mblodhi dhe krijoi Bibliotekën Zyrtare At Fan Noli duke pritur librat dhe kontributet e familjarëve të dhuruara nga ata ndër vite. Një zë i veçantë për pasurimin e Bibliotekës së At Nolit erdhi nga punimet e studentëve shqiptarë në USA nëpërmjet punimeve të tyre për çështjen shqiptare në fusha të ndryshme si Prof Nikola Pano, Stavro Skendi, Peter Prifti, Gregori Pano etj, si edhe të studiuesve të huaj që kishin mbrojtur teza universitare për çështjen shqiptare dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan në Boston në fushën e liturgjisë, religjionit, historisë së komunitetit të parë shqiptar në Amerikë dhe të Shën Gjergjit dhe fusha të tjera. Figura e At Nolit ishte një nga temat kryesore të studimeve historike dhe më gjërë nga Studiues shqiptarë dhe të huaj pas vdekjes e deri në vitet 80-të. Kjo Bibliotekë është quajtur nga Specialistë të Harvardit si pasuria më origjinale albanologjike në hemisferën perëndimore të Amerikës dhe Europës. Kjo ka qenë një bibliotekë me zanafillë Kishën Noliane e Kryedioqezën Ortodokse Shqiptare në Amerikë, por me kalimin e viteve u pasurua me zëra studiuesish universitarë dhe botërorë për gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën e saj. Biblioteka Noliane është në rritje çdo ditë, ajo ka më shumë se 50 mijë zëra.Pjesa origjinale e librave antikë të Nolit që në vitet 1800 dhe librat universitarë, studiues origjinale janë të kataloguar jo vetëm në sistemin e vjetër manual por edhe digjital që është lidhur me websajtin e Bibliotekës Noliane. Dixhitalizimi i Bibliotekës filloi pas vitit 2010 me hapjen e dy faqeve në Facebook: Fan Noli Library Digital Archive dhe Miqtë e Bibliotekës Noliane të cilat u kordinuan me websajtin dhe sistemin online të Bibliotekës Onlinë të ngritur me rastin e 50 vjetorit të Bibliotekës Noliane. Kjo bibliotekë ka: Literaturë Ortodokse dhe Fetare Kristjane dhe e feve të tjera për shqiptarët në Amerikë dhe Diasporë e pasuruar vitet e fundit me punime studimore në fushën e religjionit në shqip, anglisht dhe gjuhë të tjera. Kjo Bibliotekë ka punime të historisë shqiptare, gjeopolitikës shqiptare në rajon dhe Europë dhe libra studimore për shqiptar në botë si vëllezërit Frashëri, Motrat Qiriazi, Kristo Dako, Nelo Drizari, Faik Konica, Martin Camaj, Ernest Koluqi e studiues të tjerë europianë dhe sidomos anglez. Dixhitalizimi i Bibliotekës Noliane ndryshoi praktikën e vjetër të të qenit të saj për punimet e brendshme dhe tani kjo Bibliotekë është institucion kulturor dhe studimor në të gjitha fushat dhe veprimtaritë si fetare dhe albanologjike e lidhur me disa biblioteka universitare si e Harvardit, Boston University, Shën Pali në Minesota, degën e Albanologjisë në Arizona etj. Zemra dhe identiteti i Bibliotekës Noliane janë veprat origjinale të At Fan Nolit si: Literaturë Themelore Kishtare, përkthimet origjinale të botuara në vitet e para në shqip, libra nga greqishtja e vjetër në shqip, shërbimet fetare në Shën Gjergj dhe të pasuruar me disiplinat e ortodoksisë jo vetëm si praktikë por edhe si studim i gjërë dhe i thelluar i ortodoksisë në lindje të Europës dhe Amerikës. Në Bibliotekën e Nolit zënë një vend të veçantë përkthimet e klasikëve Shekspir, Servantes, Ibnes, Khajam, Edgar Po dhe Henry Longfellow poemën e Skënderbeut. Në arsenalin e punimeve të Nolit, një vend të veçantë zënë studimet e Nolit nga Universiteti i Harvardit, Bostonit dhe Konservatori i Muzikës si: Bethoven dhe Revolucioni Frëng, Teza në fushën e historisë për Skënderbeun më 1945 në Universitetin e Boston. Kjo vepër mbeti një nga referencat kryesore në fushën e historisë për Skënderbeun në botë pasi At Noli për të realizuar këtë kryevepër përdori referenca në 11 gjuhë të botës. Në botimet e këtij karakteri Noli u bë qëndra e seminareve dhe edukimit liturgjike të priftërinjve shqiptarë dhe jo vetëm pasi punimet studimore të At Nolit ishin ndër disiplinore dhe në gjuhën angleze. Himnet muzikore të At Nolit zënë një vend të veçantë pasi i botoi në shqip si korale për kishën, më pas i përpunoi dhe i ktheu himne muzikore bizantine pas studimit të At Nolit në konservatorin e Muzikës në Anglinë e Re në Boston. Më 1937 Noli mbrojti diplomën me sonatën “Pranvera” për violinë dhe piano që ia kushtoi komunitetit dhe artistëve Shqiptaro- Amerikanë në Boston. Studiuesi amerikan Bernard Shaw e cilësoi veprën e At Nolit një ndër studimet më të arrira në historinë muzikologjike për Beethovenin. “Në këtë festim jubilar te disa përvjetorëve të artë në Shën Gjergj dhe Bibliotekën Noliane këtë shkrim do t’ja dedikoja me mirënjohje të thellë At Artur Liolinit si ideator, themelues, e drejtues i bibliotekës memoriale Fan S Noli si edhe studjues kërkues e përcjellës në vazhdim të veprës dhe trashëgimisë noliane kudo në botë – u shpreh për Diellin e Vatrës, Neka Doko, arkiviste dhe studjuese shkencore në Bibliotekën Memoriale Fan S. Noli Boston.

Filed Under: Komunitet Tagged With: At Fan Noli, Neka Doko, Sokol Paja

Klement Tinaj së shpejti me këngën e re “Kcim Malsorçe”

September 11, 2021 by s p

Nga Artemisa Kasemi

Këngëtari tashmë i mirënjohur Klement Tinaj nga Amerika vjen këtë herë me këngën e re “Kcim Malsorçe”. Marrin pjesë: Dila Vacaj, mësuese, Pomona Tinaj, Miss Bjeshka 2019 dhe Luljeta Dekaj, Miss Bjeshka 2021. Muzika nga Agron Pllumaj “Maestro”, video nga Studio Delaj, me post-produksion nga BlueSky Lan dhe producent Klement Tinaj. Klement Tinaj ka lindur në Kelmend të Malësisë së Madhe dhe sot jeton në Hollivud, Kaliforni. Në dhjetor 2012 përfundoi studimet e baçelorit të arteve (BFA) në “Artet Teatrale” dhe në janar 2015 kreu masterin (MFA) në Akrim për Film. Përveç karrierës së suksesshme si aktor, regjisor, dhe sportist i arteve marciale, ai vazhdon pasionin e tij për të bërë muzikë shqiptare popullore-tradicionale. “Më pëlqen të promovoj dhe të ndaj me brezin e ri shqiptaro-amerikan traditën tonë muzikën popullore, kulturën, kostumet dhe vallet shqiptare,” tha Klement Tinaj. Më 27 shkurt 2020, Klement Tinaj deputoi me këngën e tij të parë “Vajzë Malsore”. Ai njihet për këngët me videoklipe si: “Shqipet Me Dy Krena” (2020), në bashkëpunim me Luigj Tinaj; “Nana E Mërgimtarit” (2020); “Her Zeshkanja, Her Bjondina” (2021); “Për Shën Valentin” (2021); “Kur Malsori Don Malsoren” (2021); dhe “Syt E Tu” (2021). Premiera e këngës “Kcim Malsorce” do shfaqet në ekranin e televizionit Blue Sky të enjten me 9 Shtator 2021.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Dila Vacaj, Klement Tinaj, Luljeta Dekaj, Pomona Tinaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • …
  • 395
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT