• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

It’s about Love for Albina and Familja Kelmendi at Eurovision 2023

May 14, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

The new singing family in Europe are the Kelmendis. Selected to represent Albania at Eurovision 2023, Albina & Familja Kelmendi performed the song Duje on stage after wining the public vote at Festivali i Këngës. The gifted vocalist Albina grew up in a house of professional musicians in Peja, where she was born. The love of music was passed down from her parents Albana and Bujar to the children Albin, Vesa, Sidorela and Albina. At 16, she reached the finals of “The Voice of Albania” in 2014 and has been winning in song contests across Europe. Albina has performed with her family in their own band. She has released her debut album “Nana loke” in April 2022.

Albina performed alongside her parents and siblings in the second semi-final on May 11 in Liverpool. The song written by Eriona Rushiti and composed by Enis Mullak, the duo that collaborated previously in the song “Ktheju tokës”, the Albanian entry for Eurovision 2019.

Albania made its debut at the Eurovision Song Contest back in 2004. Anjeza Shahini’s “The Image of You” reached 4th place in the semifinals and landed in a respectable 7th place at the grand final. Since then Albania has reached the grand final nine times. In 2012 Rona Nishliu’s song “Suus” finished the contest in fifth place reaching the top 5 for the first time.

This year’s 37 entrants were narrowed down to the finalist field in Liverpool, the city hosting the event for Ukraine, which won the contest last year but is still fighting Russia’s invasion. Inside the arena the contest had gathered about 6,000 fans inside the arena and tens of thousands more at a Eurovision fan zone at Liverpool’s docks and at big-screen events across the U.K. The global television audience has been estimated at 160 million. Some of the favorites included Swedish singer Loreen, winner of 2012 Eurovision, Finland’s performer and other standout acts.

Eurovision’s famously complex system of jury and public votes determine the winner. The finale was shown Saturday on members of the European Broadcasting Union and on the Eurovision YouTube channel while in the United States, it was on NBC’s Peacock streaming service.

Founded in 1956, Eurovision is regarded as a European cultural institution.

Filed Under: Kulture Tagged With: Rafaela Prifti

Edward Lear në territoret e Shqipërisë së sotme

May 13, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Njohja dhe rizbulimi i Ballkanit në shekullin XIX dhe fillimet e shekullit XX në Evropë është një proces i cili nuk u zhvillua vetëm si një rizbulim gjeografik por dhe si një zbulim kulturor. Ky konstatim është akoma dhe mëse i vërtetë sidomos kur flasim për territoret shqiptare në Ballkan pasi në kuadër të Grand Tour-it destinacioni i zakonshëm ishte Greqia që krijonte një tërheqje të veçantë me kulturën e lashtë antike dhe pak a shumë këto territore ishin rrahur dhe më parë nga udhëtarë evropianë qoftë si diplomatë apo dhe si turistë kulturorë. Për publikun e atëhershëm britanik, ashtu siç shkruante studiuesi Edward Gibon në veprën e vet “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”(1807), “Shqipëria ishte po aq e panjohur sa dhe brendësitë e Amerikës” . Mirëpo zbulimi kulturor nuk shërbeu vetëm si kënaqësi estetike e zbulimit të një kulture të re etnografike por në një farë mënyre me shkrimet ku u pasqyrua ky kontakt me këtë kulturë u bë përgjegjës dhe për njohjen dhe perceptimin e Ballkanit dhe popullsive të tij në Evropë. Një sërë ndryshimesh fondamentale në vetvete në Evropë, si Revolucioni Francez, fenomeni i udhëtimit, Romanticizmi, Ekzotizmi, Orientalizmi e Filohelenizmi e shoqëruan këtë njohje duke lënë pak a shumë gjurmët e tyre në këtë rinjohje dhe ritakim të Ballkanit me Evropën pas ndarjes së pariparueshme në dy kampe armiqësore që kish pësuar bota e Mesdheut pas daljes dhe protoganizmit të Islamit në këtë rajon. Ndërmjet burimeve më interesante dhe relativisht të pakta për studimin e historisë sociale të popujve të Gadishullit Ballkanik janë një varg veprash të udhëtarëve britanikë të cilët udhëtuan në rajon në kërkim të kënaqësisë apo kuriozitetit dhe dëshirës për të mësuar më shumë për rajonin ose për t’i shërbyer vendit të tyre si diplomatë.

Territoret shqiptare si pjesë e Ballkanit zgjojnë interesin e udhëtarëve të huaj kryesisht në fillim si territore fqinje me ato greke vende ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur. I pari që e ndërmerr këtë rrugë i nisur thjesht për arsye diplomatike është oficeri anglez i zbulimit William Martin Leake më 1805 dhe pas tij është udhëtimi i njohur i Lord Byron dhe Hobhouse në 1809. Sidomos ky udhëtim i dy aristokratëve të rinj anglezë hapi siparin e një sërë udhëtimesh të tjera nga mjekë, pastorë protestantë, ushtarakë etj., shtresa të popullsisë, të cilët shkruan një sërë veprash dhe shënimesh udhëtimi që bënë të mundur krijimin e një situate orientaliste dhe ekzotizmi në imagjinatën angleze. Mirëpo udhëtimeve të Leake në Shqipëri dhe Greqi dhe të Lord Byron dhe Hobhouse, përpos përshkrimeve shumë të sakta gjeografike, historike dhe kulturore apo dhe përshkrimeve poetike do t’u mungonte paraqitja grafike dhe panoramike origjinale e viseve që ata vizituan. Vetë Leake mesa duket nuk ka patur talent për të pikturuar pasi kur ai skicon një hartë topografike të brigjeve shqiptare dhe ia dërgon Shtabit Britanik të Luftës, kërkon ndjesë “për ndonjë gabim apo pasaktësi, pasi siç e dini unë nuk jam një skicograf i mirëfilltë por rrethanat më kanë detyruar ta bëj punën e tij” . Gjithsesi kur u botuan veprat e tij dhe shënimet udhëtimit të Hobhouse dhe vepra poetike e Bajronit, ato u shoqëruan me skica dhe panorama që i korrespondonin më shumë imagjinatës sesa realitetit.

Edward Lear-i në territoret e Shqipërisë së sotme.

Mes piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të Leake ishte dhe Edward Lear (1812-1888), peisazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani . Pavarësisht sepse është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze” , Lear në fushën e studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851. Ditari është pasqyrim i mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Lear ndërmori në Shqipëri më 24 shtator – 4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të nxitur dhe të joshur nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit, “A journey through Albania and other European provinces of Turkish Empire”, që vizituan dhe skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi veriun e Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin XV, Krujën. E veçanta e Lear-it nuk është vetëm fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit (porti i Selanikut) por se udhëtoi gjatë e thellë në drejtimin jug-veri. Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit” .

Një nga karakteristikat e udhëtarit britanik në gjysmën e shekullit XIX ishte se ai zakonisht e zgjidhte kauzën të cilën dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin . Lear bënte pjesë në këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një peisazhist dhe ilustrues me një ambicie të madhe, ai vazhdimisht ishte në kërkim të piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut . Për 10 vjet Lear kish jetuar në Itali duke krijuar pamje të mrekullueshme nga provincat gjithë diell të Italisë, ndërsa një njohje e rastësishme me presidentin e universitetit të Korfuzit Mr. Bouen e bën atë fillimisht të vizitojë ishullin dhe pastaj Athinën e Kostandinopojën. Pasi kthehet në Greqi planifikon të vizitojë Malin e Shenjtë por në Selanik e njoftojnë se rrugët për të shkuar aty janë mbyllur për shkak të kolerës kështu që vendos të udhëtojë në të vetmin drejtim rruge të hapur, nëpër Maqedoni dhe Shqipëri. Është pikërisht ky moment kur ai i shkruan së motrës së vet Anës “se më tepër jam i prirur ndaj një udhëtimi në Shqipëri e cila është përsosmërisht e qetë” . “E qetë” është një mbiemër që tërheq vëmendjen në këtë frazë. Gjatë gjithë udhëtimit të tij nëpër Shqipëri Lear do të përpiqet vazhdimisht që të gjejë sa më shumë kohë e qetësi për të përmbushur kauzën e vet dhe do të jetë indiferent ndaj zhvillimeve në rajon. Ai përmend, aty-këtu se në vend ka pasur një kryengritje nën prijësin Zuliki (Gjon Leka), çka i ka detyruar otomanët të ndërmarrin masa duke mos e lejuar më popullsinë e jugut të Shqipërisë të mbajnë armë, por është komplet indiferent të përshkruajë apo të japë detaje se cilat janë shkaqet e kësaj kryengritje. Si një profesionist skrupuloz që është, qëllimi i tij është thënë me fjalët e veta në një letër që i dërgon mikut të tij Fortiskju në 1848 që të “aftësohem për të përkryer pamjet e ndjenjat e panoramave që e di se janë brenda meje” .

Lear ia del mbanë vërtetë që të krijojë panorama të mrekullueshme madje njëra nga to “The mount Tomor” frymëzon dhe poetin e madh anglez Alfred Tennison që të shkruajë një poezi kushtuar Lear .

“The mount Tomor”

ILLYRIAN woodlands, echoing falls

Of water, sheets of summer glass,

The long divine Peneïan pass,

The vast Akrokeraunian walls,

Tomohrit, Athos, all things fair,

With such a pencil, such a pen,

You shadow forth to distant men,

I read and felt that I was there:

And trust me while I turn’d the page,

And track’d you still on classic ground,

I grew in gladness till I found

My spirits in the golden age.

For me the torrent ever pour’d

And glisten’d—here and there alone

The broad-limb’d Gods at random thrown

By fountain-urns;—and Naiads oar’d

A glimmering shoulder under gloom

Of cavern pillars; on the swell

The silver lily heaved and fell;

And many a slope was rich in bloom

From him that on the mountain lea

By dancing rivulets fed his flocks

To him who sat upon the rocks,

And fluted to the morning sea.

Reference

1) Poema drejtuar Eduart Lir-it nga Alfred Lord Tennyson, është marrë nga faqja “PoemHunter.com.

Mali i Tomorrit

Kumbojnë pyjet iliriane

Një xham ujëvare dritat shkund

Si vend hyjnor kjo grykë Peniane

Dhe Vetëtima- mur pa fund

Tomor e Athos, fron magjik

Vjen hije e argët gjer tek ne

Një laps e një penel i bije

E ndjej si t’isha vetë atje

Kur shoh peisazhet, jam pranë teje

Atje ku dheu klasik nganjëdhen;

Gëzimi rritet brenda meje

Dhe kohra të shpirtit gjen

Rrëkeja rrjedh e ndrit mes pllajës

Atje-këtu për mua flet;

Gjymtyrë hyjnish, zëri i Najadës

Një enë burimesh hedhur shpejt

Kolona shpellash gjysmëhijet

Mbi supe derdhen si mister;

Ndër ujra vjollca ulet, ngrihet,

Një shpat me lule jep e merr

Atje livadhi rrit kopetë,

Vallëzon përroi kristalor,

Ti, ulur mbi një shkëmb të sertë,

Me fyell zgjon detin mëngjezor.

Përktheu në shqip: Xhevair Spahiu

Por qoftë pikturat apo dhe ditari i mëvonshëm shërbejnë për të përcjellë një perceptim artistik dhe panomarik të Shqipërisë në publikun britanik. Shqipëria e asaj kohe madje në këto piktura dhe stili tërheqës i ditarit përcjellin një “peizazh idilik e vendas piktoresk (….) me të gjitha komfortet e aristokratëve” . Për më tepër duke qenë një personalitet i formuar me poezinë e romantikëve dhe veçanërisht atë të Lord Byron, tek ditari i Lear gjenden gjurmë të sublimes që është e “bukur, e egër dhe frikëndjellëse” . Sa e vështirë është të shkulesh – shkruan kur është në rrugën mes Elbasanit dhe Tiranës – nga ky peisazh i mrekullueshëm malor, nga këto cepe e vende të zgjedhura të një bote plot hire, nga pamje prej të cilave shpirti i piktorit nuk do të lodhej kurrë. Edhe sot e kësaj dite, ato pyjet valëzuese që dallgëzojnë derisa të ha syri; atë luginë përjetësisht të ndarë nga lumi gjarpërues; atë fushë të qetë me Tomorin në mes, si një ishull qiellor mes një deti pa kufi – të gjitha i kam të gjalla dhe ma ngatërrojnë të tashmen me vegime të së shkuarës . Pejsazhet e bukura e shoqërojnë edhe në Tiranë. Ai do të shkruajë në ditar: Lagjet në të dalë të Tiranës janë të mrekullueshme. Sapo del jashtë qytetit shijon skenat e mrekullueshme të qetësisë, mes rrapeve madhështorë dhe përrenjeve me ujë të kulluar sa më s’ka. Gjithë mbasditen e kalova duke vizatuar në rrugën e Elbasanit, nga ku pamja e qytetit është shumë e bukur .

Tablo të vendeve të ndryshme në Shqipërinë e sotme.

Mirëpo kjo formë e sublimes nuk shërben vetëm për pasqyruar peizazhet piktoreske të Shqipërisë por duke qenë një udhëtar që ra në kontakt me popullsinë shqiptare pasqyron në veprën e tij dhe në skicimet dhe tablotë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Kontaktin më të shumtë ai e pati me “shtresën e lartë”: doktorë të huaj, staf konsullatash, priftërinj dhe më së shumti qeveritarë otomanë dhe pronarë tokash. Edhe pse ai ankohet se këta bejlerë dhe pashallarë (…) të humbin shumë kohë me ceremonira (faqe 60), ata i ofrojnë Lear-it jo vetëm rastin për të biseduar, ushqim dhe strehim të përshtatshëm – lukse jo shumë të vlerësuar në vende të egra si këto (faqe 69) – por gjithashtu dhe një mbrojtje të sigurtë duke e pajisur atë me letra rekomandimi dhe shoqërimin e një kafazi të armatosur . Pritja që i bëhet atij në Krujë nga qeveritari Ali Beu është e denjë si një pritje aristokratike në çdo vend tjetër, madje në të ka dhe gjurmë qytetërimi pasi “i interesuar të mësonte ca më shumë nga Evropa, djaloshi zyrtar i Krujës e pyeti për anijet pa vela e karrocat pa kuaj” . Por në të njëjtën kohë gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri ai pati mundësinë që të njihej dhe të skiconte kostumet popullore shqiptare që vishnin fshatarët. Në rrugën mes Elbasanit e Tiranës ai pati mundësinë të skiconte kur pohon se vargu i gjatë i fshatarëve, që ktheheshin në shtëpi nga pazari, më dha mundësinë të skicoj shumë prej kostumeve të tyre teksa kalonin. Pjesa më e madhe e grave kishin veshur jelekë ngjyrë burnoti, qëndisur anash me rozë ose të kuqe, funde të bardha, e përparëse të qëndisura, ngjyrë çokollatë ose të kuqe, ndërsa ca të tjera kishin veshur kapota .

Pas Krujës Edwar Lear vizitoi Shkodrën, kryeqendrën e veriut. Gjatë rrugës për në Shkodër ai kalon në Lezhë ku nuk haron të përmendë heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Në majë të kodrës është një xhami, dhe legjenda thotë se këtu, nën rrënojat e një kishe të krishterë, prehen eshtrat e Skënderbeut . Pas vizitave të kortezisë te Pashai i Shkodrës dhe drekës së shtruar për nder të tij, ai nxitoi që të nesërmen të pikturonte pejsazhet e mrekullueshme të Shkodrës. Përveç pejsazheve Lear skicoi dhe portretet e të njohurve të rrethit miqësor të Spiridon Bonattit që ai takoi në Shkodër.

Ditën e katërt të qëndrimit në Shkodër Lear-i e kish planifikuar për të pikturuar për miqtë. Që herët shkoi në shtëpinë e Konsullit përt të vizatuar një kapedan gegë, Abdullah Beun, i veshur aq mrekullisht në ato kostume në të kuq e me ar . I mrekulluar nga kostumet popullore shqiptare, Lear pikturoi Kaliopi Bonnatin, vajzën e dytë të zvkonsullit britanik në Shkodër, z Spiridon Bonatti, të veshur me kostum tradicional shkodran. Kostumi popullor shkodran që veshi Kaliopi Bonnati për të pozuar për Lear, ishte një kostum që përdorej nga aristokracia e Shkodrës e të dy besimeve fetare.

Pas Shkodrës Edward Lear-i udhëtoi drejt Shqipërisë Qendrore dhe Jugore. Stacioni i parë i rrugëtimit të tij ishte qyteti i Durrësit. Lear u frymëzua sërish nga panorama e qytetit me histori të pasur antike. Ai shkruan në ditarin e tij se u nisa menjëherë për të kapur një pamje të mirë të Durrësit. Nga pamja kështjella duket ndërtesë e stilit norman, ndonëse me plot arna e meremetime. Fortifikimet e saj shtrihen tëposhtë faqes së kodrës, deri buzë ujit, ku bashkohen me muret e qytetit. Në disa pjesë të tyre vura re disa mburoja të parzmuara, me ca basoreliefe në formë bufash të gdhendur. Kombinimet e peisazheve përqark janë shumë elegante e të mrekullueshme nga çdo peisazh shqiptar që kam parë . Në datën 12 tetor ai ndodhet në Kavajë ku bujt në shtëpinë e priftit ortodoks të Kavajës, Andrea Ikonomi. Prej Kavajës ai na ka lënë një skicim të varreve monumentale të Kavajës që shtrihen në qendër të saj. Lear shkruan për bukurinë rurale të rrethinave të Kavajës që përbëhet nga ullinj të mëdhenj që shtrijnë degët mbi shtigje e brigje të thyera, rrugica, ca xhami e një kullë e lartë sahati, figura gegësh të veshur me ngjyra të forta-të zeza, të kuqe, të bardha; varreza me varre xixëlluese; pastaj pemë kopshti që ngriheshin mbi çatitë e kuqërrema dhe oxhaqet e bardhë të lartë; valëzime ullishtash në ngjyrë të gjelbër në të kaltërt; më tej livadhe të rrafshët e të pafund deri në det, me tufa të pafund bagëtish; ndërsa linjate kodrave të ulëta e të zbehta në jug-perëndim, si dhe Adriatiku i kaltër me Durrësin në kepin e vet shkrihen ëmbël në horizont.

Më andej ai vazhdon drejt Lushnjës, Çermës e për të mbërritur në Berat në 14 tetor. Duke hyrë në Berat ai shkruan: Nga mbrëmja, vijat e purpurta të Tomorit dukeshin mrekullisht fine. Çdo rrudhë e hulli në faqet e tij madhështore përvijohej në mënyrë të përkryer;

Ditën e mbylla në një varrezë në lindje të qytetit nga ku kalaja dhe lumi dukeshin jashtëzakonisht madhështore. Në grykën e Beratit mbizotëronte një atmosferë vetmitare dhe e sertë, që e bënte skenën edhe më interesante. Në Berat ai gjen një atmosferë miqësore i pritur nga guvernatori i qytetit Hysen Pasha që nuk është tjetër veçse Hysen Pashë Vrioni përfaqësues i familjes së njohur feudale shqiptare. Edward Lear realizon shumë piktura në Berat, kryeqendrën e Shqipërisë së Poshtme. Ai shkruan në ditarin e vet se kisha vendosur që këtë ditë ta kaloja në brigjet e Apsusit duke bërë skica të Tomorit, kështu që më doli gjumi dhe u ngrita nga shtrati që në orën tre. Teksa zbardhte dita, mali filloi të farfuriste si kristal i kulluar….. Një shirok i përhimët i kishte mbuluar të gjitha bukuritë e ngjyrave me një perde resh. Megjithatë, forma e Tomorit është gjithmonë pikturë në vetvete, me Beratinon e gjerë në shtratin e gurtë, me brigjet dhe shkrepat e thepisu-r dhe kalanë e largët të Beratit majë kodrës shkëmbore. … . Edward Lear si njohës i mirë i antikitetit shfrytëzoi rastin për të vizituar Apoloninë e lashtë dhe rrënojat e saj. Ai shkruan në ditar se përshkon gjithë fushën e butë të Myzeqesë. Tani po shkojmë drejt një grumbulli kodrash të ulëta ku dikur ka qenë Apolonia e lashtë, duke kaluar përsëri nëpër toka të pasura e të lëmuara të mbuluara me lëndina. Rreth orës dymbëdhjetë arritëm përsëri në një pyll të vogël rrapesh, me vargje të gjata bimësh të hijshme kacavjerrëse që u vareshin nga degët dhe i bënin hije kuvendit dhe kishës së ndërtuar nga kryedinaku, Ali Pasha . Kuvendi manastir që përmend është Manastiri i Shën Kozmait prej ku merr një udhërrëfyes. Ai magjepset sërish nga natyra shqiptare dhe shkruan: Mora një fshatar një kuvendi si udhërrëfyes dhe u nisa me të aguar tek kolona e vetmuar dorike, e vetmja shenjë e Apolonisë që ngrihet mbi tokë. Ajo lartohej mbi një kodër të vogël e të zymtë, të mbuluar me barishte të gjata dhe ferra. Kujtim më melankolik e i mjerë i kohëve të lashta nuk kishte si bëhej kolona ishte prej guri ranor të ashpër dhe në të dukeshin qartë të gjitha shenjat dhe përmasat e qelave dhe te tempullit. Kolonat e tjera i kishte bartur prej atje një farë pashai për të zbukuruar Beratin. Sa të madhërishme dukeshin objektet në largësi rreth e përqark kësaj relikeje të vetmuar të madhështisë: në lindje dhe në veri, Tomori madhështor, kuvendi i Apolonisë dhe kodrat e Durrësit, si dhe fushat e gjelbra dhe të lëmuara në jug që shtriheshin deri në rrëzë të vargmalit të maleve të Vetëtimës .

Pas Beratit, Lear vendos të vizitojë Vlorën dhe Himarën për t’u njohur dhe pikturuar pejsazhet e maleve të Vetëtimës, malësisë së Himarës dhe detit. Ai bujt tek dy tregtarë të njohur në Vlorë që i japin për udhërrëfyes Anastas Kasnecin, nga familja e njohur e Kasnecajve të Vunoit. Lear na ka lënë një përshkrim të bukur të peisazhit në të hyrë të Vlorës. Majat e argjendta të minareve nxirrnin kokat përmes gjelbërimit të Vlorës, që rrethohet nga një amfiteatëer shumë i bukur malesh të veshura me ullinj, ndërsa qyteti i Kaninës, që ngrihet hijerëndë në lartësitë tutje në horizont, i jep penelatat e fundit kësaj tabloje nga më të bukurat. Vetë qyteti është plot me elementë artistikë (aty arrita nga ora katër). Atje ka xhami, dyqane, fole lejlekësh, dhe një shkreti piktoreske; . Më andej pasi ka hyrë dhe është sistemuar në Vlorë ai e përshkruan gjërësisht qytetin si ka përshkruar më herët dhe qytetet e tjera shqiptare. Vlora shtrihet në një pjesë të futur, apo në një gji mes malesh që këtu krijojnë një hapësëirë të rrafshët një dy a më shumë milje nga rrëza e tyre e deri në det. Pjesa më e madhe e qytetit shtrihet rrëzë një harku shkëmbor, por edhe faqet janë të spërkatura me shtëpi, ndërsa në dy brinjët e këtij amfiteatri natyror bien në sy shumë varre dervishësh me arkitekturë të bukur, rrethuar nga korije qiparisash. Që këtu syri sheh Vlorën, mes kopshteve me rrape dhe ullinj, ndërtesat e saj kryesore, pallatin e mrekullueshëm të beut të ndjerë dhe disa xhami të mira, që duken si të punuara në basoreliev, me rrafshinën e gjerë të kripës dhe detin përtej si sfond. Gjiri, nga njëra anë i mbyllur nga një mal i gjatë i quajtur La Lingueta (Karaburuni), dhe në anën tjetër nga ishulli i Sazanit, ka tamam pamjen e një liqeni, kështu që efekti i të gjithë tablosë është më se i plotë dhe i mahnitshëm . Ai viziton gjithashtu dhe rrethinat e bukura të Vlorës ku Kanina i lë një përshtypje të veçantë. Pasi kaluam një fortesë të rrënuar buzë detit dhe tokat e mbjella me ullinj në periferi të jugut të Vlorës, filluam një ngjitje të fortë përpjetë, nëpër një rrugë që kalonte buzë honesh të llahtarshme që binin thikë, rrugës për në Kaninë. … Pak nga pak iu afruam kalasë, e ngritur në një nga pozicionet më komanduese që kam parë në Shqipëri. Nga njëra anë, shihet deti i gjerë i Vlorës, gjiri i saj dhe ishulli i Sazanit; nga ana tjetër, Tomori dhe Kudhësi, me përrenj e pyje e lugje pa fund . Në mes të vjeshtës shqiptare Lear vendos të vizitojë Himarën. Rruga kalon mes fshatit Tragjas ku Lear ka bërë disa skicime dhe përshkruan panoramën sublime që shikon. Në skajin e ngushtë të gjirit hapej një pamje e mrekullueshme, me detin si liqen i palëvizshëm dhe i errët nën murin e lartë të maleve të territorit të Himarës. Tragjasi, që mund të quhet edhe porta për në Malet e Vetëtimës, ngrihet mbi një lartësi mu përpara nesh, kurse mbi gjithë peisazhin mbizotëron maja madhështore e Çikës, e mbuluar nga dëbora. (maja më lartë e Çikës duket qartë nga Korfuzi, kurse në jug të saj shtrihen fshatrat e vërteta himarjote.) Nuk më kujtohet të kem parë shpesh pamje më sublime e më të veçuar nga bota se kjo . Më andej ai vazhdon drejt Dukatit. Edhe këtu ai bën disa skicime dhe mahnitet sërish nga bukuria e egër e natyrës. Në pjesën më të lartë të grykës hapet një pamje e rrallë. Spektatorit i duket sikur është majë një muri të lartë dhe nga buza e kësaj lartësie marramendëse sheh mbi një basen tmerrësisht të thellë, mu në fund të malit. Nga ana lindore dhe jugore ngrihet me gjithë madhështinë e vet Çika gjigante e mbuluar nga dëbora, kurse rrëzë saj në një si gropë të gjebër e të errët me pyje e kopshte, shtrihet qyteti ose fshati i Dukatit .

Pas Dukatit Lear arrin më së fundi në krahinën e Himarës. Ai shkruan se ashtu si Dhërmiu edhe Vunoi shtrihet përballë detit rrëzë maleve, në një lloj zgavre në formë patkoi majë një shpati. Shtëpitë ngrihen mbi një varg tarracash shkëmbore, me sfond kodrat e mrekullueshme në formë harku ose gjysmërrethi, ndërsa, në drejtim të detit, terreni shkon teposhtë deri një rrip toke i sheshtë, që ndoshta këtu poshtë Vunoit është më i gjerë se sa në pjesët e tjera të Himarës nga kam kaluar .

Për më se një orë pasi ikëm nga Vunoi ndoqëm një shteg që kalonte mes humnerave me shkëmbinj ranorë. Pastaj arritëm një qafë të egër mes malesh, që këtu dilte afër detit. Lart, mes qiellit e reve, ishte një nga fshatrat himarjote, Piluri, ndërsa nga të gjitha anët nga rrethonin gremina të paarritshme. …

E gjithë qafa kishte një natyrë të egër dhe shtigjet që kalonin nëpër të ishin edhe më të këqij akoma nga çkisha parë deri më tani në Himarë. Ata ishin thjesht si parvaze apo zgripe toke të thërrmueshme, që kalonin diku në gjysmën e lartësisë së shkëmbinjve thikë, ose mes pirgjesh me gurë të rrëzuar. Shtrati i gjerë i përroit, ose humnera ku përfundonte qafa e malit, u zgjerua gradualisht mes kodrash të ulëta dhe pas pak hapi para nesh një pamje të mrekullueshme të vetë Himarës mbi një shkëmb të lartë e të vetmuar, me përroin që rridhte poshtë deri në det dhe Korfuzin si sfond të pikturës . Ai bujt në shtëpinë e Kasnecajve dhe përveçse peisazheve ai na ka lënë dhe disa pasazhe në ditarin e tij, shumë interesante për Himarën.Të gjitha shtëpitë e Himarës janë prej guri të errët dhe duken sikur dikur kanë parë ditë më të mira. Gjithandej shihje pirgje rrënojash dhe shumë plehra. Muret që datojnë nga epoka të ndryshme tregojnë se ky Akropolis i mahnitshmë dikur ka qenë një vend goxha i konsiderueshëm . Lear pasi lë Himarën drejtohet drejt Tepelenës vendlindjes së Ali Pashë Tepelënës. Ai ndjek rrugën e luginës së Vjosës që ishte një nga rrugët më të rëndësishme të Shqipërisë së Jugut. Ajo lidhte skelën e Vlorës me një varg krahinash në thellësi si me Mallakastrën, Tepelenën, me luginën e Drinosit (degëzim nga Tepelena), me Përmetin e me Greqinë tek tri urat. Nga Përmeti rruga e luginës së Vjosës lidhej me rrugën e Kolonjës, që çonte në Korçë e prej këndej në Maqedoni e Greqi. Rruga e luginës së Vjosës kalonte majtas lumit nëpër këto pika: Vlorë-Kishbardhë-kalonte Shushicën tek Ura e Penkovës-Peshkopi-Gorisht-Sefaj-Hani i Sevasterit-Hani i Shkozës-Gryka e Ylenecit-Dorëz-Sinanaj-Martalloz-Fusha e Salarisë-Dukaj-Turan-Veliqot-Tepelenë . Lear është i mahnitur nga bukuria e luginës së Vjosës dhe shkruan në ditarin e vet. Nga kodrat e veshura me ullishta sipër Vlorës mora rrugën për në vendin e lindjes së të mahnitshmit Ali Pasha. …. na u desh të kalonim një luginë të gjatë, të ngushtë e gjarpëruese, pastaj një përrua, pastaj një kodër të pafund nga maja e së cilës shihej Vjosa e gjerë që turrej drejt detit mes kodrash të mbjella, në faqet e të cilave xixëllonin fshatra të shumta si Gradishta, Karbunara, etj, ndërsa sipër të gjitha këtyre lartohej Tomori gjigant. …Vjosa rrjedh nëpër një grykë të ngushtë mes shkëmbinjve rrëzë malit të Kudhësit, kurse mbi grykën e errët ngrihen malet e bukura dhe të ndara të Trebeshinës dhe Hormovës. Në këmbët e spektatorit, deri sa të sheh syri, shtrihet shtrati i gjerë shkëmbor në të cilin Vjosa, tashmë e çliruar nga kufijtë e ngushtë, rrjedh gjerësisht e shpenguar e në shumë degëzime, për në det. Ujërat e saj të errëta vezullojnë si mijëra fije gjarpëruese në një tokë të bardhë që të merr sytë . Ai bën disa skicime e pejsazhe gjatë rrugës derisa arrin në Tepelenë në 31 tetor. Ishte gati ora tre e pasdites kur gjarpërimet e fundit të lodhshme të luginës na nxorën përpara malin e madh të Trebeshinës dhe fqinjin e tij, malin e Hormovës, që tani dukeshin qartë nga rrëza deri në majë. Të dy lartoheshin qetësisht me nuanca vjollcë të ndezur nënë majat e mbuluara nga dëbora vezulluese. Nën ta bashkimi i dy lumenjve të Vjosës dhe Bënçës, krijon kepin e Tepelenës, ku pallati me muret e rrënuara e xhamia me tone të argjendta i japin skenës (një nga sublimet e më të thjeshtat në Shqipëri dhe, pa dyshim, e ngarkuar me lidhje historike të lashta e të reja), një aureolë të çuditshme romantizmi ëndërrimtar . Pasi bën disa skicime të hyrjes për në Tepelenë dhe të rrënojave të pallatit të Ali Pashës ai bujt një ditë në Tepelenë. Rruga që ndjek të nesërmen është në drejtim të Gjirokastrës. Nga Tepelena një degë e rrugës së Vjosës ndiqte luginën e Drinosit nëpër Hundëkuq-Kaziun-Valare-ura e Lunxhërisë-Gjirokastër . Sërish ai skicon disa panorama dhe përshkruan natyrën e bukur. Gjatë gjithë mëngjesit ecëm përgjatë luginës së lumit Drino, që ka plot tipare të bukura, por jo të lehta për t’u vizatuar apo me ndonjë karakteristike të veçantë. Lumi rrjedh në një shtrat të thellë poshtë rrugës, që këtu është e mirë dhe e gjerë dhe kalon në ca brigje të larta mbi nivelin e lumit . Pas disa orësh ai arrin në Gjirokastër. Qyteti i gurtë është pasqyrar në disa tablo të bukura por Lear e ka përshkruar dhe në ditarin e vet. Pamja e përgjithshme e Gjirokastrës është shumë mbresëlënëse. Zona trekëndore me shtëpi vezulluese, e cila nga larg duket si një piramidë banesash mbështetur pas faqes së malit, kur afrohesh, ndahet në tri pjesë. I gjithë qyteti është ndërtuar mbi tri kreshta malore, ose maja shkëmbore, që dalin nga kodra në lartësi të konsiderushme dhe që zgjerohen, të ndara nga rrëpira të thella apo nga shtretër pëërrenjsh – deri sa zbresin në luginë. Qyteti ngrihet kryesisht në anë ose në zgrip të këtyre brinjëve të ngushta malore, por ka edhe shumë ndërtesa të shpërndara në mënyrë shumë piktoreske teposhtë faqeve të malit, futur mes pemësh të bukura, siç ndodh rëndom në qytetet shqiptare. Kreshta qendrore dhe më e lartë, e shkëputur nga mali prind që lidhet me të vetëm me anë të një akuedukti, kurorëzohet me tiparin më mbresëlënës të këtij vendi; një kështjellë e errët dhe e rrënuar, që zë të gjithë majën e malit dhe që ngrihet krenare edhe ashtu e rrënuar, mbi shtëpitë vasale të shpërndara nën të . Pas Gjirokastrës, Lear dëshironte të vizitonte Janinën. Kontaktin e fundit që ka me territoret e Shqipërisë së sotme ai i ka në fshatin Peshkëpi. Ai ka vizituar dhe kishën e Peshkëpisë dhe lë shënimin e vet në ditar ….. arritëm tek fshati i vogël e i bukur i Peshkëpisë, me kishën në majë. Që këtej shihej e gjithë lugina e gjerë e Gjirokastrës – një brez toke i qeshur e i kultivuar, por me cilësi të mangëta si peisazh, kryesisht për shkak të mungesës së variacionit në trajtat dhe detajet e kodrave, të cilat nuk paraqitnin asnjë interes .

Ditari i Lear “Journal of a Landscape Painter in Albania” është një libër udhëtimi klasik i cili la një gjurmë të veçantë në krijimin e imazhit dhe perceptimit të Shqipërisë në Angli. Si i tillë ai meriton një vëmendje të veçantë jo vetëm për të identifikuar tablotë e mrekullueshme që e shoqëruan por dhe forcën e fjalës së shkruar që krijoi imazhe të caktuara dhe pati një impakt të madh në botën anglosaksone.

Bibliografi:

1- Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel writing,1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82, No.3 (Jul.,2004).

2- Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997,

3- Barbara Jelavich. “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces” The Slavonic and East Review, Vol.33, No. 81(June.,1955).

4- Edward Lear. “Journal of a Landscape Painter in Albania”. New Edn, London, 1988.

5- Edward Lear në Shqipëri. Ditar udhëtimesh 1848-1849. Plejad, Tiranë: 2008.

6- Oxford English Dictionary edited Bt Catherine Soanes, Oxford University Press 2002.

7- Suzan Hyman(ed.) Edward Lear in the Levant: Travels in Albania, Greece and Turkey in Europe 1848-1849, London 1988.

8- Valter Shtylla. Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri. Tiranë:1998, Shtëpia Botuese Toena.

9- William Martin Lik. “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. Migjeni. Tiranë: 2

Filed Under: Kulture

Johanna Bonger, gruaja që shpëtoi nga harresa, Vincente Van Gogh

May 11, 2023 by s p

Askush nuk do ta besonte se një grua, një e ve, një nënë, një fat i kërcënuar nga zezona që pllakosi si një mallkim mbi familjen Van Gogh, do të arrinte që një talent i jashtëzakonshëm dhe një krijimtari e fuqishme drite të shpirtit, të shpëtonte nga harresa. E vetme, ajo luftoi me mospranimin, kundërshtinë, refuzimin. Një jete të vështirë dhe një fëmije për të rritur larg mallkimit dhe një ambicie kaq e pushtetshme sa të ngrinte nga varri një vepër arti për ta ngjitur atë në qiellin e famës. Vincente Van Gogh, pa ngadhënjimin e kësaj gruaje do të ishte një meteor i shuar nga harrimi.

E veja Johanna Bonger përcolli artin e Vincente Van Gogh në të gjithë botën dhe e bëri këtë duke mos u sprapsur, e bëri jo për para, por për të nënshkruar përjetësinë e një gjeniu. Kaq mjafton dhe punën tjetër do ta bënte vetë arti, vetë krijimtaria e Vincentes, vetë ai shpirt i fuqishëm dhe ato kanavaca plot ngjyrë, jetë dhe tragjizëm.

Historia e vërtetë e kësaj gruaje, e marrëdhënies së vëllezërve Van Gogh, peripecitë dhe sfidat janë prej vitit 2019 në një roman nga shkrimtari dhe gazetari argjentinas, Camilo Sánchez.

A e dini se shumë nga fama e Van Gogh është për shkak të një gruaje? thotë shkrimtari. Një grua me emrin Johanna Bonger, ishte gruaja e Theos, vëllait të piktorit. Ajo ishte e para që përhapi korrespondencën e famshme midis dy vëllezërve.

Në librin e Camilo Sánchez, me titull “E veja van Gogh”, tregohet historia e Johanna, e cila u lind në vitin 1862 dhe vdiq më 1925. Pa të, mbase sot do të dëgjonim shumë më pak, e pse jo asgjë, për artistin e Lulediellit dhe një sër kryeveporash të tjera të Van Gogh, që u shndërruan në adhurim për njerëzit dhe shkollë arti për gjeneratat.

Kur vdiq Vincenti më 1890, askush nuk i dëshironte punimet e tij. Gjatë gjithë jetës ai arriti të shiste vetëm një punë. Ai kishte kryer vetëvrasje, për të shkuar në botën tjetër i varfër dhe gjysmë i panjohur. As vëllai i saj Theo nuk rezistoi shumë gjatë, duke u largua nga jeta disa muaj më vonë, dhe duke e lënë Johanën të vetme, me një fëmijë 1-vjeçar dhe 500 kanavacë, për të cilat askush nuk nuk donte t’ia dinte.

Megjithatë, kjo grua sfidoi fatin e keq duke krijuar mitin e Van Gogh.

Në faqet e këtij libri “Vejusha van Gogh” nuk duhet të kërkojmë një biografi apo edhe një jetë e trilluar, por një histori nga jeta që kompozon ngjarje reale, sipas modelit dhe vizionit të autorit. Në qendër të këtij sendërtimi real krijues është evokimi i gruas, që u martua me Theo Van Gogh, në moshën 27-vjeçare dhe menjëherë kuptoi se ajo gjithashtu ishte martuar me vëllain e një gjeniu të pikturës.

Theo dhe Vincent, ishin më shumë se vëllezër. Theo jo vetëm që e ndihmoi Vincentin financiarisht dhe ishte përpjekur gjithmonë ta drejtojë frymëzimin dhe shqetësimin e tij drejt rrugës së artit, por ai ishte i lidhur me të nga një ndërthurje e pazgjidhshme emocionale dhe psikologjike.

Theo vdiq gjashtë muaj pas Vincente. Ditë të ngrysura në pikëllim dhe tragjizëm erdhën për të venë, duke e lënë Johanën me një Vincent tjetër, djalin e saj të porsalindur, qindra piktura nga stinët shprehëse të vëllait të tij dhe një kuti me letra të panumërta që përmbanin copëza nga jeta e tyre. Një trashëgimi e vështirë, që më vonë rezultoi të ishte një thesar i çmuar. Por e veja e Theo-s, e cila vetëm pak e kishte njohur kunatin e saj para dëshpërimit dhe fundit, nuk ishte vajzë e zakonshme. Ajo kishte prejardhje nga një familje e rafinuar nga Amsterdami. Ajo kishte studiuar në Londër dhe ishte e apasionuar pas poetëve romantikë, veçanërisht Shelley, gjithashtu zotëronte disa gjuhë të huaja. Ajo ishte ve dhe e re, kësisoj nuk u martua, sepse nuk donte që Vincenti i tretë të vuante mallkimin e dy të parëve.

Ndërmarrëse, e kulturuar dhe e vendosur për të shndërruar të gjithë errësirën e asaj historie familjare në diçka të ndritshme, ajo filloi të riorganizojë punimet e artistit, për t’u rilidhur me jo shumë admirues të saj në atë kohë, për të mundësuar ekspozitat me pikturat e Vincente Van Gogh, gjithçka me shpenzimet e saj. Njëkohësisht ajo nuk i la në harresë gjithë atë krijimtari epistolare që kridhej në letërkëmbimin midis dy vëllezërve. Theo i kishte ruajtur letrat e të vëllait si një relike të çmuar.

Johanna gjithashtu kishte mbajtur për 17 vite një ditar. Libri i Camilo Sanchez shfleton për lexuesin faqe të këtij ditari duke i ngarkuar me temperaturën emocionale dhe energjinë e brendshme shpirtërore të vejushës së re. Kujdesi për punën e kunatit, mbledhja e trashëgimisë së burrit, pëlhurat e grumbulluara andej-këtej, të cilat askush nuk donte t’i blinte, dhe lumenj boje në fletët e brishta të korrespondencës së tyre – nuk përkojnë, për këtë figurë të veçantë, me vetë-asgjësimin tradicional në devocionin ndaj burrave të shtëpisë, të cilët janë pjesë e një tradite të gjatë motrash, grash dhe vajzash, heroina të një feminiliteti hije dhe sakrifikuese.

Nga ana tjetër, Johanna ndjek anën diellore në pikturat e Vincentit, dritën e artit që qëndron prapa errësirës së jetës, për të ndriçuar të tijën, të ekzistencës. Ajo e di që letrat janë një thesar dhe se do t’i duhet t’i mbajë ato me durim. Ajo e di gjithashtu se duhet të punojë shumë për të mbajtur veten: pas kthimit të saj në Holandë me djalin dhe një vizite të shkurtër te një motër dhe më pas te prindërit. Hap një han në një qytet të vogël jo shumë larg Amsterdamit. Ajo shqetësohet me pasion për jetën e përditshme – shërbëtoret, konviktorët, veçanërisht mirëqenien e fëmijës – dhe po aq me pasion lufton që puna e Vincent të ketë lavdinë e merituar.

Albert Vataj

Filed Under: Kulture

Dita e Evropës solli në Ohër shkëlqimin e Ansamblit shqiptar të RMV

May 10, 2023 by s p

Shkup, 10 maj 2023 –  Të martën Ohri ishte nikoqir i konferencës së  50-të Rajonale Evropiane të INTERPOL-it, ku përpos punonjësve të sektorit të sigurisë nga Maqedonia e Veriut morën pjesë edhe drejtoritë e policive rajonale  ndërkombëtare.
Ky aktivitet përkon me 9 Majin –  Ditën e Evropës dhe me shënimin e 30 vjetorit të anëtarësimit të vendit tonë në organizaten më të madhe ndërkombëtare të sigurisë – INTERPOL.
Të pranishëm ishin kryeparlamentari Talat Xhaferi, ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski dhe kryetari i INTERPOL-it Аhmed Naser Al – Raisi.
Në përmbylljen cermoniale të kësaj konfernce, u organizua edhe një program i pasur kulturor-artistik, ku Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqipe i MV shkëlqeu me një performansë të zgjedhur, që la përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku, sidomos tek mysafirët e huaj.
Përpos Ansamblit Shqiptar, me disa pika artistike u paraqit edhe Ansambli maqedonas “Tanec” nga Shkupi.
Mbresat që u krijuan në publik lidhen me paraqitjen dinjitoze të trupës artistike të Ansamblit shqiptar, ku shquhej vallja karakteristike e përpunuar e  Kërçovës dhe „Malësorja“ si dhe  këndimi i dy solistëve Salajdin Miftari e Jetmir Rexhepi.
Kolorit ynë autentik muzikor, loja elegante e valltarëve dhe dramaciteti  i vet valleve, përbënin mizanskenat më pikante që bënë për vete publikun ndërkombëtar, i cili  nuk i kurseu edhe duratroktitjet frenetike.

Ansambli shqiptar tash më ka krijuar identitetin e vet artistik e professional, kurse paraqitja e mbrëmshme në Ohër konfirmoi arritjet e deritanishme që me dinjitetet përfaqësojnë vlerat tona edhe në ngjarje me karakter ndërkombëtar, siç ishte organizimi i konferencës së  50-të Rajonale Evropiane të INTERPOL-it në Ohër.

Filed Under: Kulture

“Mendje Endacake”…

May 6, 2023 by s p

Shqiponja Nebiu/

“Mendje Endacake” është titulli i ekspozitës time të parë. Vërtet është pak intrigues por ka shumë lidhje me kohën e rinisë ku pushpuriseshin ëndrrat dhe stilimet e veshjeve dhe aksesorëve të tjerë. Lindur në Tiranë në një lagje ku isha e rrethuar me artistë nuk mundja t’i anashkaloja ngacmimet që më nxisnin për të provuar atë që vlonte brenda meje.

Kam 30 vjet që jetoj në Amerikë, në New York. Inxhinjeria mekanike që kisha mbaruar në Tiranë më dha një mundësi mbas një kalvari stërmundimesh të nxjerr nga vetja atë që unë dëshiroja. Programet e shumta që kam mësuar i kam bërë pjesë të artit tim aplikativ gjatë punëve inxhinjerike.

Ju ftoj të gjithë dashamirësit e artit, miqtë dhe bashkëkombasit e mi që të shijojnë dhe të ndajmë së bashku aventurën time.

Mos pyesni shumë, por perceptoni më shumë se kështu do të më jepni atë që unë nuk e kam menduar.

Mirë u takofshim në ekspozitë.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT