• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kujtesa e gurëve”, ne Manhattan shfaqet filmi dokumentar kushtuar Andrea Alesit, skulptor dhe arkitekt i shquar

April 21, 2023 by s p

Ideja dhe skenari: Gëzim Gjyrezi, Regjia: Regjisor i Merituar, Ylli Pepo. Filmi i kushtohet jetës dhe krijimtarisë së Andrea Alesit, skulptor dhe arkitekt, që jetoi dhe krijoi në Kroaci dhe në Itali në shekullin XV ( 1408-1505), por pa mohuar që është epirot shqiptar.

Në gurin e varrit të tij, në kishën Sveti Duho të Splitit, ai ka gdhendur: “Këtu prehet Andrea Alesi, epirot nga Durrësi”.

Profesorati kroat, në studimet dhe botimet e konsideron Andrea Alesin gurin e themelit të Rilindjes në Kroaci, e cila u përqafua 20 e më shumë vjet përpara Francës dhe Anglisë, Çekisë, Polonisë dhe gjetkë. Opusi i krijimeve të tij shtrihet në Zadar, Split, Shibenik, Trogir, ishullin Rab, në Ancona, dhe në Shën Tremiti të Italisë.

Prezantimi do të bëhet ditën e shtunë, më 22 prill/ 2023, në orën 6 pm, në Producer Club;

358 west 44 Street, Manhattan

Lutemi konfirmoni ardhjen në nr. cel 347 308 3118, e-mail gjyrezigezim4@gmail.com

Filed Under: Kulture

PREMIERË ABSOLUTE NË SKENËN E TEATRIT MIGJENI SHKODËR, BALET ME NJI AKT; “ROZAFA” ( Muzika Tonin Guraziu)

April 17, 2023 by s p

Filip Guraziu/

Falë vizionit përparimtar dhe iniciativës për promovimin e vlerave kombtare në fushën e muzikës, të mjeshtrit muzikor, prof. Zhani Ciko, në mbramjen e 14 prillit 2023 në skenën e Teatrit Migjeni Shkodër u përkujtue aktiviteti pianistik dhe vepra muzikore e pianistit, prof. Tonin Guraziu; themeluesit të shkollës pianistike shqiptare.

Në këtë “Mbramje muzikore” të mbështetun prej Bashkisë Shkodër dhe Teatrit Migjeni, përformuen me sukses artistë të mirënjohun të skenës shqiptare e ma gjanë; pianistja e shqueme Rudina Ciko, sopranoja e talentueme Marjana Leka si dhe trupa virtuoze e baletit të TOB-it e drejtueme prej koreografes e njëkohësisht pjesë e trupës së baletit, Adela Muçollari.

Artëdashësit shkodran të muzikës klasike patën rastin me njohë jetën dhe veprimtarinë muzikore të prof. Tonin Guraziut nëpërmjet nji bisede interesante të larmishme e me kompetencë të prof. Ciko, por edhe nëpërmjet projeksionit të fotove e pamjeve filmike të pregatituna prej nipit të Toninit, Filip Guraziu.

Muzika e List ( Wilde jagd); Chopin(Etud-op10) dhe Debussy( Feux d’artifice) të luejtuna me mjeshtri në piano prej pianistes së talentueme Rudina Ciko si dhe zani i amël i sopranos së mirënjohun Marjana Leka që këndoi e shoqnueme në piano prej Rudina Ciko, pjesë të A.Dvorak ( Rusalka); A. Catallani (La wally) si dhe kangë popullore shqiptare të përpunueme, entuziazmuen sallën, por magjia e ‘Mbramjës muzikore’ mbrriti kulmin me paraqitjen në skenë, ‘premierë absolute’ të baletit me nji akt; ROZAFA.

Trupa e baletit të TOB-it e drejtueme prej Adela Muçollarit ku bajshin pjesë balerinët Eles Ruli, Sabina Maklekaj, Anxhelo Muçollari, Armando Meci dhe Enio Qirici, nën ritmin e muzikës së kompozueme prej prof. Tonin Guraziut dhe tingujve të pianos të luejtun me mjeshtri prej pianistes Rudina Ciko përformuen me virtuozitet disa momente thelbësore të legjendës së Rozafës.

Muzika tejet interesante dhe cilësore, tingujt e pianos dhe aftësia e trupës së baletit , krijuen , si me thanë, nji situatë sureale; spektatorët me emocionet e tyne përjetuan dhe vuejtën s’bashku me Rozafën fatkeqe që sakrifikoi vetëveten në shërbim të së ardhmës së popullit të vet. Ky asht arti, kjo është magjia e tij, ky është objektivi edukativ i tij e të gjitha këto u realizuen në ‘Mbramjen muzikore’ të 14 prillit 2023 në skenën e Teatrit Migjenin Shkodër.

Ajo që duhet theksue për domethanien që reflektoi aktiviteti, nuk asht vetem përkujtimi dhe nderimi i merituem i pianistit, prof. Tonin Guraziu i cili në fushën e tij muzikore pianistike konsiderohet me plot gojë ” baba i pianos shqiptare”, por edhe përpjekja vizionare e Mjeshtrit të Madh të muzikës, prof. Zhani Ciko në drejtim të konsolidimit të identitetit muzikor shqiptar.

“Guri i madh” i skalitun me mjeshtri prej veprës dhe aktiviteti muzikor të prof. Tonin Guraziut, që ishte “lanë në një qoshe”, u muer me përkujdesje e dashamirësi me 14 prill 2023 prej prof. Zhani Ciko, s’bashku me grupin artistik që ai drejtoi dhe u vendos në vendin e vet , në vendin e merituem, aty ku duhet me qëndrue , në themelet e murit të identitetit muzikor shqiptar.

Tue i mbledhë, ruejt e pozicionue ashtu si duhet ” gurët me vlerë” e të gjitha fushave formuese të identiteti shqiptar, në themelet e IDENTITETIT TONË kemi me qenë ma të fortë, ma të qëndrueshëm, ma të pathyeshëm!

Falënderime të përzemerta, prof. Zhani Cikos, trupës së tij artistike e Bashkisë Shkodër për mbështetjen e aktivitetit.

Filed Under: Kulture

TEK BIJTE E SHQIPES NE FILADELFIA, HYN EDHE HAVZI NELA

April 15, 2023 by s p

Nga: Tajar Domi/

Në sallën e veprimtarive të Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes“ në Filadelfia, nga sot nuk do të mungojë edhe portreti i martirit të fjalës së lirë, poetit HAVZI  NELA  i vlerësuar “Martir I Demokracisë“ (pas vdekjes ). Ai do të jetë aty krahas poetëve, shkrimtarëve e atdhetarëve të tjerë, me të cilët I bashkon dashuria e kontributi për kombin, për ta parë atë të fortë, të lirë e të bashkuar. Aty, do të jetë së bashku me vëllezërit Frashëri e me Ndre Mjedën, me Pashko Vasën por edhe me Ali Podrimjen, me Fan Nolin por edhe me Faik Konicën, me Gjergj Fishtën, Migjenin dhe Esad Mekulin, me Ismail Kadarenë e Mitrush Kutelin, me Musine Kokalarin, Ali Asllanin, Dritëro Agollin dhe shumë e shumë të tjerë. Sigurisht aty do të gjejë edhe figurat më të mëdhaja kombëtare, që e ndërtuan shtetin shqiptar apo i dhane emër si askush tjetër kombit, GJ. K. Skenderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza.

Ceremonia e këtij veprimi e planifikuar të zhvillohej pak ditë më vonë, u realizua me datën 9 prill 2023, meqenëse atë ditë erdhi për një vizitë të shkurtër pranë nesh edhe kryetari i këshillit të Qarkut Kukes, z. Abdulla Domi prania e të cilit në këtë veprimtari u mendua se do te ishte një vlerësim i shtuar për veprën e poetit kuksian Havzi Nela. Ishin pjesëmarrës anëtar të këshillit drejtues të shoqatës “Bijte e Shqipes”, intelektualë e anëtar të komunitetit shqiptar e veçmas të atij kuksian . Krejt rastësisht u gjetën të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme mysafirët nga Shqipëria, çifti intelektual Sanie e Arian Korini, drejtues të shkollës jo publike Arkos në Tiranë, të cilët kishin planifikuar një vizitë pranë shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, dhe me këtë rast u antarsuan në shoqatë. Këte veprimtari e hapi kryetari i kësaj shoqate, z. Bujar Gjoka i cili pasi uroj mirëseardhjen për të gjithë pjesëmarrësit, theksoi se kjo veprimtari është e vecantë për shoqatën “Bijtë e Shqipes”, pasi i kushtohet një emri që është vlerësuar vetëm pas vdekjes. Dhe ne qoftë edhe simbolikisht duam ta sjellim afër komunitetit, me qëllim që ne të ardhmen poetin martir Havzi Nelen, ta njohim më mirë nëpërmjet organizimeve të tilla kushtuar atij. Ai ja dha fjalën kryetarit të nderit të shoqatës “Bijte e Shqipes” z. Tajar Domi (që është edhe autori i këtij shkrimi), i cili shkurt evidentoi jetën, veprimtarinë poetike e vlerësimin e figurës të Havzi Neles, mbështetur edhe në publikimet e shkrimtarëve lumjan Rexhep Shahu, Izet Duraku e Petrit Palushi:

Mësuesi e poeti shqiptar Havzi Nela, lindi në fshatin Kollovoz të Kukësit në vitin 1934 dhe vdiq i ekzekutuar me varje në litar me 10 gusht 1988, nga sistemi diktatorial i kohes. Ndoshta është poeti i fundit në botë i ekzekutuar në këtë mënyrë. 

Kur ishte ende fëmije, babai i tij vdiq. Dhe pikërisht për arësye të varfërise, në moshën 9 vjecare del nga shtëpia prindërore për të nxjerrë bukën e gojës në Tiranë , ku falë dashamirësisë të mësuesve e zellit të tij për dije , filloi menjëherë shkollën , që e vazhdoi edhe pas luftës. 

Në vitet 1947-1949 jetoi me xhaxhain e tij në Prizren, ku vazhdoi arsimimin e tij në shkollën normale të atij qyteti. U kthye në Shqipëri në 1950-tën, ku vazhdoi 

shkollimin e tij ne Kukës e Shkodër përgjate viteve 1950-1952. Më pas fillon punën si mësues duke shërbyer në Burrel, Krume e Kukës, në fshatrat Lojme, Shishtavec e Topojan, ndërsa vazhdonte studimet e larta pa shkëputje nga puna.

Në vitin 1967, në nje takim publik në Topojan, bëhet kritik i reformave që po aplikoheshin nga qeveria për ndalimin e besimit fetar, kolektivizimin ekstrem të bujqësisë si dhe afirmimit të së resë në ndryshimin e traditës së jetesës, riteve e zakoneve si dhe të veshjes. Shprehja e tij aty ishte: “Tre inxheksione të menjëhershme e vdesin njeriun dhe nuk e shërojne atë“, e cila sigurisht do ta vinte nën vezhgimin e strukturave të pushtetit. Për ti shpëtuar ndeshkimit, Havziu së bashku me bashkëshorten e tij, Lavdijen, kapërcejne kufirin shtetëror në prill 1967, duke lënë një copë letër aty: 

“Lamtumirë, atdhe i dashur, 

Po të la, por zemër plasur “.

Fati tragjik nuk e deshi të qendronte gjatë në Prizren, në qytetin që e deshte aq shumë. Në Prizren e mbajtën të burgosur në qeli , e keq trajtuan dhe e kërcënuan, por nuk e thyen. Prandaj e kthyen në Shqipëri me datën 6 maj 1967, ku u denua me 15 vjet burg, ndërsa në vitin 1975 u ridënua me 8 vjet të tjera shtesë burgimi.

Filloi kështu kalvari i gjatë i vuajtjeve për mësuesin e poetin e ardhshëm, Havzi Nela. Ai do te provonte dimrin e terrin e natës në birucat e kampet e burgjeve të egra në Shqipëri. Kryengritjen e tij poetike, Havziu e nisi ne birucat e Rreshenit, sic shkruan vete, “kur unë isha në vuejtje dhe në mërzi të randë …”.

Dhe në kushte të pa përfytyrueshme, në terr të plotë, pa laps e fletore, sic shkruan ai në shënimet e tij të pakta, “ia nisa hartimit vetëm me mendje dhe ato që nxirrja, i përsëritesha shpesh vetëm me mend, me qëllim që ti ngulja në kujtesë për të mos i harrue. Duke i përserit herë pas herë për 8 vjet, munda ti ruej të pa shlyeshme nga kujtesa. Ai portretizon shqiponjat sypatrembura që dhanë jetën për liri, thur vargje për shokët e tij të Spacit si përmendore të flamurit, fton vendlindjen e tij Lumën historike, por edhe Vloren e Krujen, Shkodren e Korçen, Dibren e Tiranen etj, të bëhen mburojë e atdheut, ngre në kembë të vdekurit që janë bërë të pavdekshëm si Skenderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, Bajram Curri, Selam Musaj; ata që ndezin zemrēn e kombit si Gjergj Fishten, Mjeden e Vaso Pashen…

Kosovën, poeti Havzi Nela e kishte në zemer, si të gjithë banorët e Lumës, e cila fatet e saj i kishte të lidhura me të si pjesë e vilajetit të Kosoves. Ndërsa Prizrenin e donte si qytetin ku Luma merrte bukën e nxirrte në treg prodhimet e saj. Në Prizren ishte dija, drita, qytetërimi. 

Prandaj, por edhe për shume faktorë të tjerë, atë që pak nga krijuesit letrar guxuan ta realizonin për lirinë e Kosoves, Havziu arriti ta nxirrte në dritë.

Ky kontribut prej mijëra vargjesh, në të cilart rrezellin Kosova me qëndresën e përpjekjet e saj të pa epura për liri, mbetet dëshmia më e fortë e autorit si kundërshtar i regjimit.

Poezitë e poemat e tij janë të mbajtura në 7 fletore, dhe janë botuar në një libër të vetëm nën kujdesin e studiuesit Rexhep Shahu. Libri përmban një volum prej 5,546 vargjesh. Poezitë e Havzi Neles, janë bërë objekt studimi e vlerësimi prej shumë shkrimtarëvë e studiuesve tanë , dhe lexuesit do të dinë ta vlerësojnë veprën e tij. 

“Kur të mësoni se unë kam vdeke,

Kur të thoni “Ndjesë Pastë”, 

A e dini se cfarë kam hjeke,

Unë poeti zemërzjarrtë.

Mësuesi dhe poeti desident Havzi Nela, një simbol i fjalës së lirë e i dinjitetit njerëzor, tashmë është një emër i njohur e i vlerësuar me shumë të drejtë nga institucionet vendore e qendrore të shtetit shqiptar, në periudhën e demokracisë. Shkolla e mesme e përgjithshme në qytetin e Kukësit, mban emrin e këtij martiri, ndërsa portret i tij është përjetësuar me bustin e vendosur përballë saj. Është nderuar me shumë institucione, ku me i larti është ai “Martir i Democracisë“, akorduar nga presidenti i vendit. 

Duke vendos portretin e poetit martir Havzi Nela, në ambjentet e qendrës tonë social – kulturore “Bijte e Shqipes”, krahas portreteve të tjerë kombëtar të cilët sigurisht janë me kontribute të ndryshme në përmasa por edhe në kohë, në hapim një dritare të re të afishimit e njohjes të këtyre figurave. Pas Musine Kokalarit, po vendosim sot Havzi Nelen, por pas tij ndoshta do të duhet të vendosen edhe Vilson Blloshmi e Gjergj Leka e të tjerë. E rëndësishme për ne e vecanërisht për brezat që vijnë, është që historia e emrave të tillë, me vlerat letrare e atdhetare që mbartin dhe përfundimin tragjik të jetës së tyre për fjalën e lire, jo vetëm të njihet por edhe të lartësohet në veprimtari e shkolla, këtu në diaspore.

Pas këtij prezantimi të shkurtër të jetës e veprës të Havzi Neles, fjala ju dha kryetarit të këshillit të qarkut Kukës, z. Abdulla Domi, i cili mes të tjerave falenderoi shoqatën Bijte e Shqipes dhe u shpreh krenar që një figurë kuksiane si Havzi Nela, behët i pa harruar edhe këtu në Filadelfia, megjithëse fatkeqësisht pas vdekjes. Pas tij intelektualët, zotërinjte Llazar Vero, Ahmet Shabani, Hys Hasa Eqerem Murataj, Vlashi Fili, Enver Parllaku, drejtore e shkollës ERKO në Tiranë znj. Sanie Korini , Haki Collaku, Dritan Matraku, Shkelzen Gjakova etj, si dhe bisnesmenët kuksian Besim Fana, Mexhit Koboci etj, duke i bërë jehonë veprës e qëndrimit të pa pajtueshëm të Havzi Neles  ndaj regjimit, u pajtuan me mendimin për të organizuar një veprimtari me të gjerë për të , gjatë muajve shtator-tetor.

Kështu pra Havzi Nela, hyri te “Bijte e Shqipes“, për të mos u harruar kurrë. 

Filadelfia, me 12 Prill 2023

Filed Under: Kulture Tagged With: Tajar Domi

THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR (1935) / AHMET ZOGU, NJË DEKADË NË PUSHTET – RRËFIMI I REPORTERIT AMERIKAN REUBEN HENRY MARKHAM

April 14, 2023 by s p


Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Reuben Henry Markham (1887 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Prill 2023

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të shtunën e 9 shkurtit 1935, në faqen n°16, shkrimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth dekadës në pushtet të Ahmet Zogut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Dekada në pushtet e Zogut

Nga R. H. Markham

Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 9 shkurt 1935, f.16
Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 9 shkurt 1935, f.16

Tiranë, Shqipëri.

Kohët e fundit këtu u festua dhjetëvjetori i ditës kur Ahmet Zogu, duke depërtuar në Shqipëri nga Jugosllavia, mori Tiranën dhe u bë zot i vendit. Vetëm katër vjet pas mbërritjes së tij ai u vetëshpall Zogu i Parë, Mbret i Shqipërisë, por që nga ajo ditë historike e dhjetorit 1924, Zogu ka dominuar plotësisht tokën e tij. Për një dekadë, historia e tij ka qenë historia e Shqipërisë dhe gjatë këtyre dhjetë viteve vendi i tij ka bërë përparimin më të madh në shumicën e fushave sesa gjatë çdo shekulli paraardhës.

Ai ka arritur të vendosë rend shembullor në Shqipëri. Është një tokë e egër malore, e banuar nga njerëz të fortë e të patrembur; fise liridashëse që përçmojnë taksat, të cilat për dy mijë vite kanë bërë atë që kanë dashur. Mbreti i ri ka brumosur këta njerëz në qytetarë besnikë dhe e ka bërë Shqipërinë një model rendi, sigurie dhe qetësie. Pak vende të tjera janë kaq të lira nga anarkia. Udhëtimi këtu është po aq i sigurt sa në Francë dhe rrëzimi dhe formimi i qeverive nuk shoqërohet me emocione më të mëdha se në Zvicër. Ky është një rend i imponuar, por prapëseprapë shërben si bazë për jetën normale borgjeze. Kjo është një arritje unike në Shqipëri.

***

Së dyti, Zogu ka krijuar një shkallë më të madhe të unitetit të shqiptarëve sesa ka ekzistuar ndonjëherë në vend më parë. Në Shqipëri ekzistojnë dy fise të dallueshme dhe tre besime të ndryshme. Aty ka malësorë e fushorë. Ka rrethe në të cilat ka dominuar kultura greke dhe të tjera ku serbët kanë ushtruar ndikim të madh. Dhe nuk kishte rrugë me anë të të cilave këto grupe të ndryshme mund të bienin në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin. Shqipëria është vetëm 180 milje e gjatë dhe e banuar nga më pak njerëz se sa në Detroit, por megjithatë Nju Jorku është shumë më afër Çikagos sesa Shkodra në Shqipërinë e Veriut me Korçën në jug. Asnjëherë nuk ka ekzistuar kombësia shqiptare apo shteti i bashkuar shqiptar. Zogu i ka krijuar të dyja.

Dhe përveç kësaj, një kulturë shqiptare. Kjo mund të duket një deklaratë disi arrogante dhe askush nuk do të pretendonte se kultura shqiptare mund të krahasohet me atë të Evropës perëndimore. Ajo është ende e papërpunuar. Por pavarësisht kësaj, ka pasur përparim të jashtëzakonshëm gjatë dekadës së fundit. Për shembull, është formuar një gjuhë standarde e shkruar. U hapën shkolla, u dhanë shfaqje teatrale, u krijua një rrjet i larmishëm dhe i dobishëm aktivitetesh sportive, u krijuan gazeta dhe u zhvilluan marrëdhëniet shoqërore. Ka poetë, romancierë, tekstshkrues, artistë dhe muzikantë shqiptarë. Është formuar një Kishë Ortodokse Lindore krejtësisht e re, e pavarur. Priftërinjtë katolikë romakë, hoxhallarët myslimanë, “papët” ortodoksë dhe mësues laikë po e ndihmojnë të gjithë këtë kulturë kombëtare.

***

Një sistem financiar i shëndoshë është krijuar. Kur Zogu filloi veprimtarinë e tij, nuk kishte para shqiptare dhe asnjë bankë shqiptare. Këtu u përdorën monedhat e argjendit dhe të arit të një duzinë vendesh. Në tregje qarkullonin kurora, dinarë, levë, lei, napolona, franga, lira, dollarë dhe paund. Por tani ka një monedhë shqiptare. Ekziston një buxhet i shtetit, jo i balancuar mirë, me siguri, por në përmirësim. Aty po rritet një klasë e mesme, një “inteligjencë”, një grup zyrtarësh të arsimuar shtetërorë dhe burra profesionistë që duan rend të vendosur, shtëpi të mira, rrugë, lehtësira transporti dhe krediti. Ata përbëjnë bazën e sigurimeve shoqërore, të taksapaguesve, të tregtisë, të biznesit dhe të buxheteve të ekuilibruara. Ata po ndihmojnë që Shqipëria të dalë nga stadi feudal. Ata janë më të rëndësishëm se bejlerët pronarë të tokave dhe e zëvendësojnë kapriçon aristokratike me ligje dhe gjykatës.

Pastaj Zogu po rindërton Shqipërinë. Ai ka ngritur më shumë ura dhe ka ndërtuar më shumë rrugë se kurrë më parë në këtë vend. As në kohën e romakëve nuk depërtuan në këto male kaq shumë rrugë të mira automobilistike. Asnjëherë më parë këta lumenj të egër nuk ishin përshkuar nga ura që nuk mund t’i rrëmbenin. Edhe Tirana, kryeqyteti, është shndërruar në një qytet të denjë. Është ndërtuar tërësisht dhe është furnizuar me bulevardë të gjerë, drita elektrike, shkolla, ambiente sportive, kazerma, aeroporte dhe godina të mira administrative. Po kështu, një port është ndërtuar në Durrës, i aftë për të pritur anije të mëdha.

***

Jo më pak e rëndësishme, Zogu ka ndjekur një politikë të jashtme mjaft të suksesshme. Ai e bëri Italinë miken kryesore të Shqipërisë, lidhi pakte të njëpasnjëshme me zotin Benito Musolini dhe mori ndihmë financiare shumë të konsiderueshme nga Roma. Më vonë, Zogu është bërë më miqësor me Jugosllavinë. Ai gjithmonë e ka bërë Lidhjen e Kombeve mbrojtëse të Shqipërisë.

Natyrisht, do të ishte e papërshtatshme të vizatohej një tablo shumë e ndritshme, ose të harrohet se Zogu mban dhjetëra kundërshtarë të tij politikë në burg, ose të mohohet se ka shumë favorizime dhe joefikasitet. Por e mira duhet të peshohet me të keqen dhe kur kjo bëhet shihet se në asnjë dekadë tjetër në të gjithë historinë shqiptare nuk është arritur aq shumë për këtë popull sa që nga dita e 1924 kur Zogu mori Tiranën dhe u bë zot i saj.

Filed Under: Kulture Tagged With: Aurenc Bebja

Zara-thustra

April 12, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Çdo perëndi kishte nevojë për profetin e tij dhe Ahura, Zoti, në fenë e lashtë iraniane e gjeti të tijin në figurën e Zara-thustras. Grekët e njohën atë si Zoroaster; në persishten moderne ai është Zardosht.

Zarathustra ishte një bari nga Afganistani ose Azerbajxhani – traditat ndryshojnë. Si i ri ai shërbeu prift, duke adhuruar një sërë ‘hyjnish’, derisa dëgjoi zërin e zotit të vërtetë që e thërriste. Krahasuar me Muhamedin, Jezusin, Budën, apo edhe Moisiun, Zarathustra është një figurë e largët, e vështirë për t’u përcaktuar në kohë apo vend. Megjithatë, si një figurë kyçe në historinë e mendimit fetar, ai është po aq i rëndësishëm sa çdo profet tjetër. Sot, në postera muri dhe libra lutjesh të ilustruara, ndjekësit e tij zoroastrianë – sepse ky është emri që i është dhënë besimit që ai zhvilloi – e përshkruajnë atë në mënyrë që t’i ngjajë portreteve të shkollës të së dielës të Krishtit, me një mjekër të pastër, të bardhë të rrjedhur dhe aureolë verbuese, megjithëse ky imazh me shkëlqim përgënjeshtron origjinën e tij të ashpër malore.

Detajet e jetës së tij janë të paqarta dhe më shumë përrallë sesa fakte. Një histori thotë se në momentin e lindjes së tij Zarathustra nuk qau, por përkundrazi qeshi, duke u kënaqur me fatin e tij të mirë që ishte pjesë e Krijimit të madh. Tradita moderne Zoroastriane e vendos momentin e lindjes në vitin 600 pes, dhe e lidh atë gjithashtu me një mbrojtës princëror pers të quajtur Hy, emri i babait të Darit të Madh. Studiuesit me të drejtë priren ta shtyjnë datën e lindjes së Zaratustrës në vitin 1000 ose 1200 pes, epoka e migrimeve të mëdha.

Arsyetimi për një datë më të hershme është për shkak të gjuhës dhe imazheve në një seri tekstesh fetare të njohura si Gathas, gjoja një cikël himnesh të kompozuara nga vetë Zarathustra. Ato pasqyrojnë stilin e jetës nomade të hershëm, por nuk kanë asnjë referencë për persët, ose për ndonjë sundimtar ose popuj të tjerë historikë.

Ato u shkruan për herë të parë mbi një mijë vjet pas vdekjes së profetit dhe kryesisht datojnë në shekullin e gjashtë të erës sonë.

Gathat përmbajnë episode fragmentare nga jeta e Zarathustras dhe sugjerojnë se kur ai ishte rreth dyzet vjeç, mori një thirrje për të profetizuar nga Zoti. Gjatë shërbesës së tij të hershme Zarathustra duket se kishte bërë armiq të fuqishëm. Dhe të shquar ndër kritikuesit e tij ishin karpanët (priftërinjtë) dhe kavitë (princat) e fuqishëm të cilët kryenin ritualet e tyre fetare në mënyra të kundërta me vizionin e Zarathustras për mesazhin e Zotit Ahura. Zarathustra i dënoi ata si paganë të pabesë, por ata refuzuan me kokëfortësi. Armiqësitë u rritën deri në atë pikë saqë pozicioni i tij brenda shoqërisë u bë aq i pasigurt sa u detyrua të ikte. Në mënyrë të jashtëzakonshme, një himn lirik, Yasht 46, përmban një rezyme magjepsëse të ikjes së tij në mërgim:

“Në cilën tokë të iki?

Ku duhet të shkoj?

Komuniteti tek i cili

i përkas nuk më ka kënaqur,

as pushtetarët e vendit!

Si mund të kënaq, Zot?

Jam i pafuqishëm:

Kërkoj mbështetjen tënde

siç do t’i jepte një mik një shoku,

që shikon fuqinë e mendjes

së mirë përmes së vërtetës!”

Zarathustra nuk u thirr aq shumë për të krijuar një fe të re, por për të reformuar dhe përmirësuar një besim tashmë ekzistues, i cili po praktikohej keq nga qeveritarët e atdheut të tij. Duke pranuar se një profet nuk njihet kurrë në tokën e tij, Zarathustra mori mesazhin e tij më thellë në rrafshnaltën iraniane dhe nëpërmjet zhvillimit të një teologjie të sofistikuar në të cilën drejtësia dhe morali kishin përparësi mbi të gjitha gjërat, Zarathustra i dha formë të re dhe kuptim të ri një besimi të lashtë e të lëkundur. Ai theksoi natyrën dualiste të jetesës dhe u kërkoi ndjekësve të besimit të luanin rolin e tyre në refuzimin e Gënjeshtrës dhe vendosjen e së Vërtetës hyjnore. Sot e kësaj dite Zoroastrianët mbajnë një angazhim personal ndaj tre parimeve kryesore: të kenë mendime të mira, të thonë fjalë të mira dhe të kryejnë vepra të mira.

Si të gjitha fetë, Zoroastrianizmi ka evoluar me kalimin e kohës dhe besimi siç praktikohet tani është shumë larg nga sistemi dhe synimet origjinale të themeluesit të tij. Tekstet flasin për atë duke shpallur ungjillin e tij, me fjalët: “Le të promovohet Krijuesi i ekzistencës nëpërmjet Mendjes së Mirë

realizimi i asaj që, sipas vullnetit të Tij, është më e mrekullueshme”.

Photo by: wikipedia

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT