• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ngjyrat e sinqerta të piktorit Astrit Tota

December 7, 2021 by s p

Andis Gjoni

Nju Jork 6 Dhjetor 2021   

Para disa ditësh u hap në qytetin White Plains afër Nju Jorkut ekspozita e piktorit Astrit Tota. Merrnin pjesë artëdashës dhe personalitete të diasporës shqiptare në Amerikë. Shumë miq e të ftuar erdhën të shikonin këtë ekspozitë të suksesshme të piktorit që shënoi një arritje jo vetëm për të por edhe për komunitetin shqiptar që përfaqësohet me dinjitet me vlerat intelektuale të një artisti të brezit të vjetër. 

Punimet e kësaj ekspozite ishin të ndara në disa gjini ku spikasnin veçanërisht portretet e realizuara me mjeshtëri. Në trajtimin e figurave historike dallohej veçanërisht puna e kujdesëshme me kapjen e karaktereve në një plastikë volumore që theksonte dramaticitetin e tyre. Ndër to spikasin portreti i poetit kombëtar Naim Frashërit me ngjyra të ngrohta dhe Ismail Qemali me një trajtim klasik. Gjithashtu i veçantë është edhe portreti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti i realizuar me laps mbi letër ku ndjehet forca e një vizatimi të guximshëm që i shkon bukur qëndrimit të trimit legjendar. Për t’u theksuar është që ky portret i zmadhuar në pankarta të mëdha ka qenë në ballë të demonstratave dhe protestave të organizuara nga shqiptarët në Nju Jork kundër genocidit serb në Kosovë. Kjo na sjell edhe një herë ndër mend forcën e madhe që arti ka, duke përcjellë mesazhe të atdhedashurisë dhe hisotrisë kombëtare. Midis veprave dalloheshin edhe figura të shquara të diplomacisë si Rauf Fico, ambasadori legjendar që shpëtoi mijëra kosovarë nga dëbimi në vitet 1930. Të punuara me një gamë të gjerë ngjyrash dhe me një teknikë të admirueshme këto vepra të godisnin me gjetjet kompozicionale dhe shkrirjen e penelatave të kujdesëshme me vërtetësi dhe realizëm.  

Pjesë e kësaj ekspozite ishin edhe shumë peizazhe të realizuara me mjeshtëri, ku kombinimi i ngjyrave të kujtonte piktorët impresionistë me të verdhat indiane të vjeshtës së shfaqur në shumë prej tyre. Ngjyra të sinqerta, të thjeshta por të vendosura me një estetikë të pjekur në vite e cila tashmë i qëndron besnike veprës së piktorit që me stilin e tij duket sikur na tërheq drejt natyrës, në fushat e Shënavlashit, apo në pamjet e Qeparoit, Borshit, Beratit, Shkodrës, buzë Drinit por edhe në kthesat e Vjosës, peizazhet kanë një frymëmarrje ku ndihet era e luginave dhe maleve të vendlindjes. Me një trajtim herë në gama blu e herë me ndriçime të forta të verdha në varësi të kushteve atmosferike, këto vepra janë një pasqyrim besnik i vendeve dhe pamjeve që ato shpërfaqin. 

Nuk mungonin edhe pamje të vendeve në SHBA, si peizazhi në Centrak Park i realizuar në vitin 1997 kohë kur kullat binjake ende ishin në këmbë, një remineshencë e historisë por edhe e kohës që kalon.

Puna e kujdesëshme në paraqitjen e figurës njerëzore dukej edhe në veprat e tjera të kësaj ekspozite si në tablonë “Eksodi i kosovarëve” ku në mes të një pylli tragjik janë njerëz të tmerruar që mundohen ti shpëtojnë represionit, ndërkohë që një xhaketë e kuqe e kapur mes degëve të pemëve na kujton flamurin, identitetin, të ardhmen. Edhe në veprat e tjera të kësaj ekspozite dallohet vizatimi i saktë në proporcione dhe masa të figurave. Kjo ka ardhur si pasojë e punës së bërë në vite me skica të pafundme me modele në aktivitete të ndryshme të kulturës si në Festivalin e Gjirokastrës, prej nga ku artisti është frymëzuar të hedhë në letër protrete të pjesëmarrësve që në të shumtën e rasteve ishin amatorë të muzikës popullore, por që janë kapur në karakter nga autori. 

Gjinia e tretë e lëvruar nga piktori Astrit Tota ishte ajo e natyrës së qetë. Veçanërisht interesante janë punimet në pastel, një teknikë jo shumë e lëvruar nga piktorët shqiptarë, por që në trajtimin e Totës kishte një lirshmëri të admirueshme. Në pikturat “Lule e kuqe e gjatë” apo “Luledielli me fiq të egër” ka një trajtim të bukur me një paletë të pasur ngjyrash që kombinohen lirshëm dhe qëndrojnë pranë me thjeshtësi e vërtetësi. Këto natyra të qeta të kujtojnë paksa veprat e piktorit francez Odilon Redon, me ngjyrat e lehta si dantella që japin një gjendje midis ëndrrës dhe realitetit.

Ndërkohë nga pikturat më të bukura të kësaj ekspozite padyshim është portreti i “Nënë Terezës” realizuar në teknikën e vajit me një plastikë të thellë me nuanca të ngrohta si për të transmetuar atë dashuri që rrezatonte nga shqiptarja e famshme e cila në kohën kur është realizuar kjo tablo nuk ishte bërë ende një shenjtore.  

Ekspozita u vlerësua nga pjesëmarrësit për vlerat që solli dhe për nivelin e saj. Shumë e uruan piktorin për punën e tij. Gjej rastin edhe unë ta përgëzoj kolegun tim duke i uruar krijimtari të gjatë dhe ekspozita të tjera në të ardhmen.

Filed Under: Kulture

NË PËRKUJTIM TË 332 VJETORIT TË MARTERIZIMIT TË PJETËR BOGDANIT, (1689 -05 DHJETOR -2021)

December 7, 2021 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

Shqiptarët gjatë historisë tyre mijëra vjeçare në trojet e tyre etnike, kanë kaluar përmes një “deti” të pashtershëm valësh e dallgësh që kërkonin ti përpinin duke mos lënë as nam as nishan në hartat e hershme e më të vonshme të njerëzimit, ku iu shtua edhe errësira e frikshme dhe gati e pambarimtë turko-osmane pas shekullit të XV-të. Por ndonëse errësira shtohej e frika e zhdukjes sa vinte e rritej, si me frymën e vetë Zotit në horizontin e kombit tonë lindin gjeni të shpirtit e të mendjes që lëshonin dritën e tyre që paralajmëronin shpresën, ndihmonin mbijetesën dhe rritnin qëndresën. Një nga këta gjeni është padyshim edhe Pjeter Bogdani, shenjtori pa “kurorëzuar” i cili me dritën e tij gati hyjnore arriti të ndriçojë një nga periudhat më të vështira të popullit shqiptar, e pikërisht ato të shekullit 17-të, kur pas një lavdie disa vjeçare në shekullin e 15-të me në krye heroin legjendar shqiptar e europian Gjergj Kastriotin, Shqipërinë e kishte pushtuar një nga perandoritë më mizore të shfaqura mbi tokë prej qindra vjetësh, por pikrisht  atëherë kur kjo perandori e të keqes mendonte se një ndër kombet më të vjetër të Europës po e fshinte  nga harta, (të pakten nga ajo e qytetërimit të lashtë euro-kristian) në horizontin e errësuar shqiptar filloi të duket një drtitë që vinte nga fetari e atdhetari  shqiptar  Pjetër Bogdani, i cili sfidoi jo vetëm errësirën e kohës, por  “drita” e tij dallohet  edhe sot në shekullin e 21-të.. .E përpara se të kalojmë në një “revistë” të shkurtër veprat toksore e hyjnore të shenjtorit të pakurorëzuar, Meshtarit, Ipeshkëvit e Arqipeshkëvit të Shkodrës, Tivarit, Ohrit, Shkupit e tërë Shqipërisë (Etnike) po japim diçka për të njohur fillimisht nga ajo që mund të quhet fillesa e Curriculumit të Pjetër Bogdanit. 

NËPËR CURRICULUMIN E JETËS DHE VEPRËS TË PJETËR BOGDANIT  

Pjetër  Bogdani lindi në familjen e njohur të Bogdanëve nga Guri i Hasit, një fshat në afërsi të Prizrenit, pra ishte bir i Dardanisë historike dhe i Kosovës martire. Mjerisht datëlindja e tij nuk dihet e saktë, por mendohet se ajo mund të jenë rreth viteve 1620-1628, ku viti 1625 konsiderohet më i besueshmi.  Nga familja Bogdani në atë kohë njihej Andrea Bogdani, Kryeipeshkëv i Ohrit (1652) dhe i Shkupit (1655), por nga ky gjak rridhte edhe paraardhësi tjetër Pjetër Mazreku i cili ishte primat i Servisë, dhe Kryeipeshkëv i Tivarit (1630). Por nuk duhet të harrohet se ishte mjaft e vështirë qëndresa në besimin katolik, madje të bëheshe edhe udhëheqës shpirtëror i katoliçizmit i cili në atë kohë ishte nën efektin e dënimit me “vdekje” nga Osmanllinjtë. Natyrisht me ndihmën e axhës së tij, Ipeshkëvit Andrea Bogdani, Pjetri shkon të shkollohet në Itali (Romë), ku kryen shkëlqyer studimet teologjike, madje sapo i kryen studimet e shkallës së dytë në kolegjin e “Propagandës fide”, ai kërkon të ndjekë studimet e mjeksisë që të ndihmojë bashkatdhetarët e tij (shqiptarë), për të shëruar trupin e shpirtin shpesh të helmuar nga jevgjit e ciganët që me bestytnitë e tyre po helmonin  gjithçka nga populli shqiptar si rezultat i padijes. E kjo kërkesë është shkruar në letrën e parë që Bogdani i dërgon sekretarit të Kongregatës shenjt në vitin 1647. Natyrisht që kjo kërkesë i miratohet dhe ai studion përveç teologjisë dhe moralit kristian edhe për mjeksi, duke u bërë një nga studentët më në zë të kohës. Por gjatë kësaj kohe Bogdani mban korrespondencë me Kongregatën e shenjtë (Romë) ku në letrën e tretë rrëfen gjithçka po ndodh në vendin e tij, dhe i lutet Kardinalit t’u bashkohet lutjeve të tija që të çlirohen “delet e shkreta të Krishtit nga goja e këtij ujku të tërbuar” (Turkut N.B.). Në vitin 1651, Pjeter  Bogdani shungurohet prift dhe mbron doktoratën, ku misioni i tij fillon në Gash që gjindej nën juridiksionin e Ipeshkëvisë të Pultit. Bogdani përsëri vazhdon korrespondencn me Kongregatën e shenjtë, duke paraqitur gjendjen reale të krishterëve nën sundimin turk si dhe gjendjen e mjeruar të objekteve të kultit të krishterë, dhe mungesën e theksuar të barinjve shpirtërorë në këto vise malore kur ruhej me fanatizëm “fara” katolike. Madje në letrat e Bogdanit kërkohet të mposhtet Errësira e Injorancës, të ndriçohen njerëzit me anë të diturisë e tejra që vërtetojnë shqetësimin e këtij misionari fetar e atdhetar, pasi ai e dinte mirë se është pikërisht padija, errësira e vërtetë ku “notojnë” holldupët e “pafe” otomanë. Në letrën nr. 16 të vitit 1656 vërtetohet se Pjetër Bogdani shpallet Ipeshkëv i Shkodrës, si dhe tregohen vështirësitë e mëdha që i sjellin turqit për të ushtruar detyrën, ku vlen të theksohet ajo çfarë shkruan kur ndodhet në Kotorr, në atë kohë tërësisht shqiptare e me shumicë katolikë… Në një letër të Bogdanit sqarohet se sapo është kthyer në kishën e tij në Shkodër ai është ballafaquar me të birin e Pashës i cili e burgosi për një muaj, dhe u lirua vetëm pasi pagoi një shumë të hollash në dorë, madje thekson se edhe tani ndodhet në një bodrum ku shkruan me një kandil në dorë. (Letra 19 më 25. XI. 1656). Në letrën e tij nr. 24 të datës 22. X. 1657 ai shkruan nga Prizreni se si rrugës u takua me jeniçerë të cilët donin ta sulmonin, por në sajë të kalit të tij të shpejtë arrin që me një vrap të tmerrshëm nëpër shkëmbinj të shpëtojë. Në letrën me nr. 29 të shkruar nga Shkodra më 20. X. 1658 ai tregon se nga mungesa e priftërinjve janë kthyer shumë shqiptarë në fenë muslimane, por pasi ai vetë po predikon me gjithë shpirt doktrinën e Krishtit, shumë të “Turqizuar” po rikthehen në fenë e tyre të vërtetë (kristiane), madje Bogdani uron që një ditë të lindë një prijës i mirë me vepra e me ndjenja sikur Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Në këtë letër kërkohet që të rritet numri i priftërinjve në Malin e Kelmendit i cili përfshin dy mijë shpirtëra të etur për fe e dije… Si dhe vazhdon me emra priftërinjsh që punojnë e kërkon të emërohen në famulli të ndryshme, duke bërë që të rigjallërohet jeta fetare e zbehur nga regjimi i territ e tmerrit të pushtuesve turkoshak… Në vitin 1660 P. Bogdani emërohet edhe administrator i Ipeshkëvisë së Tivarit. Si dhe me këtë rast Bogdani i kërkon Kongregatës së Shenjtë ti jepet administrimi i Budvës, ku kanë qëndruar paraardhësit e tij me titullin e administratorit (pasi në atë kohë Budva ishte me shumicë katolike e shqiptare, N.B.). Në letrën 44 të datës 24. V. 1660, Ipeshkëvi i Shkodrës, P. Bogdani i shkruan Kongregatës vështirësitë që rrjedhin nga mungesa e rezidencës së tij, ku ai detyrohet të banoj herë në një shtëpi e herë në një tjetër, pasi turqit ja kanë marrë rezidencën, e njëjta gjë ndodhet edhe në Tivar, dhe përsëri kërkon Budvën ku ka qëndruar paraardhësi i tij Administrator, si dhe shpreh nevojat financiare për të mbijetuar. Në letrën me numër 48 të datës 28. 6. 1660 u paraqet Eminencave gjendjen e kishës së tij, ku thotë se turqit rrënuan Katedralen me shtëpinë Ipeshkëvnore, dhe ai tashmë mbeti jashtë si një lypës derë më derë… në Shkodër. Në letrën 73 me datën 09. V. 1662 nga Shkodra njofton kongregatën për vështirësitë e krijuara nga turku, por edhe pështjellimin që ka sjellë tek të krishterët braktisja e fesë Katolike dhe kthimi fisërisht në Musliman të Priftit të Jubicës Don Nikë Lekës, ku pas kësaj strehohet në Stamboll, (Kostandinopojë). Në letrën tjetër që mban numrin 79 të datës 25. II. 1663, ndër të tjera tregon se si në Shkodër erdhi bejlerbeu i Sofjes, që ishte edhe Prefekti i tërë Greqisë dhe i dërgoi Bogdanit një kryetar të tij me 15 oborrtarë të cilët e kërcënuan se me aktivitetin e tij po pengon këtë vend të bëhet “turk”, dhe për këtë do ta coptonin me shpatë, madje njëri prej tyre u mat të godiste. Pas kësaj Bogdani dhe të gjitha kishat mbetën të mbyllura për tri ditë, e për tu hapur u paguan 70 skude. Ndërsa në letrën e datës 02. IV. 1663 Bogdani tregon se Don Nikë Grubesa një prift 45 vjeçar persekutohet e torturohet nga turqit, ku i ngarkuar me një hu mbi supe shetit nëpër tërë rrugët e qytetit (Shkodër) për tu martirizuar… Në letrën 87 të datës 20. IV. 1665 Ipeshkëvi i Shkodrës (P. Bogdani) tregon se si shkatërrojnë turqit objektet e kultit të besimit katolik, madje ai tregon se si u uzurpuan pronat e kishës dhe u prishën konaqet Ipeshkvnore në Shkodër e Tivar. Letra 100 e Bogdanit paraqet se si Mehmet Pasha prej Vlore, një shqiptar i pabesë sulmon Kotorrin duke shkatërruar gjithçka, tuj përfshi edhe kishat katolike, vetëm për të marrë titullin Pasha i Shkodrës, letra shkruhet nga Barbullushi më 19. X. 1666. Ndërsa letra 110 tregon për vizitën e Pjeter Bogdanit në Malet e Kelmendit dhe mban datën 14. VIII. 1667. Letra 132 e datës 03. V. 1669 tregon se si Bogdani është duke pritur një vizitues të dërguar nga Kongregata e shenjtë, si dhe tregon se Malet e Hotit, Kastratit dhe Shkrelit ku jetojnë shumë të krishterë kanë mbetur pa asnjë prift, duke bërë që njerëzit të vdesin dhe varrosen pa shërbesat e nevojshme fetare, si dhe pa u kryer shërbimet e shenjta ditët e festave të Pashkëve e tjerë, e këto si rezultat i shkatërrimeve nga turqit, dhe këta malësorë të mirë i drejtohen atij, por e ka të pamundur ti ndihmojë e veç ti ngushëllojë. Ndërsa në vijim të letrave të Ipeshkëvit të bën përshtypje letra 136 e datës 10. IX. 1669 e cila përshkruan se si vetë Zoti bëri emër që persekutuesit e Ipeshkëvit të Shkodrës dhe Administratorit të Tivarit të vdesin në mënyrë të shëmtuar, e pikërisht Pashai u godit nga kolera ku për 15 ditë e mbyti, ndërsa Ali Begu, kushëriri i pashës, i cili kërcënonte çdo ditë Ipeshkëvin se do ta coptonte, vdiq i coptuar vetë nga dora e të vëllait të vet, edhe një turk tjetër që kërkonte të tallte Ipeshkëvin dhe fenë kristiane u rrëzua nga një dru që hipte dhe përfundoi pashpirtë, ndërsa dy hajdutët e paguar nga Turkia që kishin vjedhur Ipeshkëvin në Mirditë u vranë nga shokët e tyre dhe u varrosën në Borë. Madje dhe dy priftërinjtë të bashkuar me turqit gjetën vdekjen pa shkuar shumë mote. Gjithsesi Bogdani i lutet mirësisë së Zotit tu falë mëkatet dhe paqen e amshuar… Letra 137 përshkruan gjendjen e mjeruar që kishte kapluar Arqipeshkëvinë e Tivarit në vitin 1665 kur Bogdani e vitizoi dhe konstaton se si rezultat i mungesës së priftërinjve popullsia e krishterë kishte filluar të kthehej nga katolike në ritin ortodoks (grek) “Bizantin”, e në atë kohë Tivari kishte 8 fshatra me 2400 katolikë shqiptarë. Letra me numrin 142 e datës 06. XII. 1670 është mjaft tronditëse pasi tregon fatin e priftit katolik Pjetër Mazreku (kushëri nga nëna e Bogdanit), i cili u vra nga një turk që shoqërohej nga pesë të tjerë në truallin e Prizrenit afër Drinit. E Vikari Apostolik i Pultit (Pjetër Mazreku) u godit me shpatë duke i prerë krejt njërin sup dhe varur kokën mbi damar të qafës, ku duke dhënë shpirt thirri tri herë Jezu, Jezu, Jezu… pas kësaj të vdekur e çveshënm dhe trupin duket se e hodhën në Dri. Në letrën 147 të datës 15. IV. 1671 tregohet qartë tmerri i shkatërrimeve që mbodhën turqit në Lezhë dhe Dukagjin. Ndërsa në vijim të letrave në atë me numër 153 Bogdani tregon brengosjen e tij për popullsinë e Rrjollit e cila është tepër e varfër ekonomikisht, dhe ka nevojë për një mësues që të shërbejë në shkollën e Rrjollit, ku propozon me këtë mision Don Mark Xhustrin; kjo letër mban datën 20. XI. 1671. Përsëri në një letër të vitit 1672 Bogdani njofton Eminencat në Romë se Hoti, Kastrati, Triepshi dhe Trushi (Trumshi) i poshtëm në shumicë katolike janë pa priftërinj. Pas një pune të madhe shpirtërore të Ipeshkëvit dhe priftërinjve të tjerë u arrit që në disa fshatra që ishin kthyer në ortodoksë edhe me dhunë të rikthehen në fenë e të parëve atë katolike, e pikërisht për këtë bën fjalë letra nr. 166 e datës 10. IV. 1674 që përmend fshatrat Gradishkë edhe Jubicë. Në një letër të datës 15. IV. 1674 njoftohet për murtajën që kishte rënë në Shkodër që para dy vjetëve. Po në vijim të letrave, në atë me numër 171 të datës 16. IX. 1674 njoftohet se 9 fshatra të Rrjollit me 136 shtëpi e 946 banorë janë pa prift, 6 fshatra me 89 shtëpi e 730 banorë të Shkrelit janë pa prift, gjithashtu edhe në famullinë e Kastratit janë pa prift 220 shtëpi me 1910 banorë, të gjithë katolikë. Në letrën 180 shënohet ndihma që jepet me misionarë për shkollën e Rrjollit, sidhe në letrën 182 të datës 29. XII. 1675 ku kërkohet ndihmë për krahinat e Kastratit dhe Hotit, si dhe nevojat për shkollë, si nevoja të ngutshme të 200 shtëpive katolike. Përsëri në letrën 185 të datës 03. I. 1676 Ipeshkëvi shpreh gjendjen e mjeruar të 200 shtëpive Hot e Kastrat që ndodhen pa prift e pa pagëzim, pasi është e pamundur që një prift i vetëm (Don Pere Dajçi) të arrijë të kryejë shërbesat e nevojshme. Në letrën 187 të datës 03. I. 1676 Pjetër Bogdani tregon për kujdesin e tij për ribotimin e Doktrinës së Vogël të Krishterë të autorit Frençesko Bernardo nga Verona, e përkthyer në Shqip nga Bogdani. Në letrën 189 të datës 06. V. 1676 tregohet se Bogdani po merret me meremetimin e kishës dhe rezidencës së tij në Rrjoll. Në vitin 1677 Bogdani emërohet Arqipeshkëv i Shkupit. E sapo u mor vesh ky transferim një grup turqish së bashku me disa serbë sulmuan vendqëndrimin e Bogdanit në Rrjoll, duke sjellë shkatërrim e plaçkitje, e kjo shënohet në letrën 205 të datës 07. XII. 1677. Letra 213 e datës 24. IX. 1678 tregon se si Partiarku i Pjesë (ortodoks) u ka shpallë luftë klerikëve dhe popullsisë katolike, e kjo me ndihmën e turqve. Ndërsa në një letër më nr. 264 e datës 03. III. 1685 shkruan për persekucionin e pashoq së heq vetë Bogdani dhe gjithë kleri katolik dhe kjo popullsi nga pushtuesit turq, si dhe tregon se disa herë arrestohet e lirohet, madje kjo duke përfituar se ishte i regjistruar si qytetar i Raguzës, ku për këto lirime paguheshin edhe të holla. Në letrat 274 dhe 275 të datës 15. XII. 1685 Bogdani i drejtohet Papa Inoçenti XI ku e njofton se kishte hartuar në shqip dhe italisht një libër ku dëshmon Doktrinën e Krishtit si nga ana teologjike, por edhe shkencore të bazuara mbi dukuritë e natyrës dhe në astronomi me titull “Cuneus Prophetarum de Cristo Salvatore Mundi” që tashmë kjo vepër njihet nga ne si “Çeta e Profetëve”. Kjo vepër e rëndësishme e gjuhës shqipe është botuar për herë të parë në Padova  me 20 shtator 1685 dhe dy herë të tjera në vitin 1691 dhe 1702 në Venedik. Gjithsesi një letër me numër 276 e datës 17 dhjetor 1685 sqaron veç të tjerave për një shkollë për katolikët në Prokopi dhe për katolikët e Leskovcit që ishin shumicë dhe shqiptare. Një letër e tmerrshme që mban numrin 292 e datës 05. IV. 1687 tregon për një ngjarje tragjike në ekzekutimin e priftit të Gjakovës nga turqit, e ku shkruhet Don Andre Kalamashi që kundërshtonte fenë Islamike dhe u thoshte besimtarëve të duan besimin e vërtetë kristian e muarën turqit ta vrasin, duke e torturuar të lidhur. Kur ata menduan se vdiq e zgjidhën këmbësh e duarsh dhe e lanë në shesh të varur për një javë. Ky prift i mjerë pas një kohe u çua në këmbë, e largoi litarin nga fyti dhe bërtiti: “Qëndresë, qëndresë të krishterë, se Jezu Krishti është më i fuqishmi”. E porsa i tha këto fjalë ra i vdekur përpara turmës së turullosur e tmerruar. Tiranët Osman ja prenë dorën e së bashku me lëkurën e kokës ja dërguan Vezirit të Madh, ndërsa Bogdani kërkohej të pësonte fatin e këtij prifti… E një fat të till të dhimbshëm e pësoi edhe Ipeshkëvi e mbajtësi gjallë i doktrinës së Jezu Krishtit ndër këto vise shqiptare Pjetër Bogdani, ku kjo tregohet në letrën 302 të datës 15. V. 1689 ku Bogdani arrestohet dhe pasi torturohet e nuk mohon fenë e Krishtit, por e dëshmon atë, çfarë shton forcën shpirtërore të vetë katolikëve të tjerë, e për këtë turkoshakët e zhveshin lakuriq dhe e shëtisin nëpër qytetin e Prizrenit, e në këto tortura i thejnë edhe njërin krah, madje e kujtojnë të vdekur, çfarë në fakt nuk ndodhi pasi vdekja i erdhi me 5 dhjetor 1689 e shkaktuar nga epidemia e murtajës dhe pasojave të torturave të bishave turke. Dëshmia autentike e vuajtjeve dhe persekutimeve të këtij meshtari të pashoq e japin dy nipat e tij priftërinjtë Gjon e Gjergj Bogdani. Vlen të theksohet se gjithë korrespondenca e Pjetër Bogdanit me Selinë e shenjtë, përmban rreth 308 letra të cilat përshkruajnë saktë e me nota vërtetë të mjerueshme vuajtjet e popullsisë së Shqipërisë së Veriut e më gjerë nga çizmja turke e cila kërkonte tu merrte përnjëherësh besimin, qytetërimin, pasurinë e në fund edhe jetën. Gjithsesi këto letra sensibilizuan jo pak edhe Selinë e shenjtë, por edhe fuqitë europiane të kohës që sadopak ndaluan stuhinë kobndjellëse që binte mbi shpinën e popullit më të lashtë të Europës. Duhet theksuar se letërkëmbimi është shkruar dhe konceptuar vazhdimisht në shqip dhe është përkthyer në Italisht për tu dërguar në Selinë e Shenjtë.  Duke lexuar disa letra të Pjeter Bogdanit mesojmë se pranë famullive ka pasur shkolla në Rrjoll, Kastrat , Grudë , Hot e tjer,  ku në keto shkolla nxenësit  kanë mësuar edhe gjuhen shqipe të kohës,  pasi këto shkolla i drejtonte vetë Ipeshkëvi që përkthente, fliste e shkruante shqip…Pas  këtyre letrave ja vlen të studiohet se në veri të Shqipërisë janë kenë të hapura shkolla shqipe shumë më herët se data që e festojmë (1887)… Por edhe duke përmendur treva shqiptare tashmë të grabitura e asimiluara nga Serbia e Mali i Zi, si Budva, Kotorri, Tivari, Novobërda e tjerë që të gjitha figurojnë katolike e shqiptare deri nga fundi i shekullit 17-të na orienton mbi vërtetësinë e autoktonisë së këtyre trojeve. Nga shfletimi i letrave e dokumenteve vërtetohet se Pjetër Bogdani ka qenë një luftëtar i denjë i doktrinës atdhetar e kristiane ku gjatë viteve të tij të fundit (1683-1689) ai shpesh gjindet pranë gjeneralit (austriak) Pikolomini që kryesonte Aleancën e shenjtë kundër turqve. Bogdani gjatë jetës së tij u mundua gjithnjë që të dërgojë misionarët dhe mësuesit që të shmangin “Mbytjen shpirtërore të popullatës”, madje ai shpesh i veshur si fshatar bredhi rrugëve dhe gjente strehim në shpella duke shkruar me qiri në dorë dhe larg syrit të pafeve siç i quante ai turqit. Dashuria e Bogdanit për Jezu Krishtin e doktrinën e tij, bëri që të dëshirojnë martirizimin e tij qysh në vitin 1663, ku shkruan se është i gatshëm ta derdhë gjakun e vet për Jezu Krishtin. E për këto ka dëshmi edhe në fshatin e sotëm Rrjoll, ku afër qytezes-kështjellë të Ballezës  gjinden emërtime si shpella e Bogdanit ,Vatra e Bogdanit, shtroja e Bogdanit e tjerë. Padyshim përkushtimi i Pjetër Bogdanit shpëtoi jo pak treva veriore e verilindore të Shqipërisë pa humbur në vorbullat e qytetërimit turko-aziatik… Në testamentin e tij të lënë para vdekjes nipave të vet… Bogdani tha: “Shpirtin po ia kthej Zotit, ndërsa Trupin po ia lë dheut”… Në fakt shpirti i shkoi në qiell ku shpresojmë të lutet për ne, ndërsa trupin ja çvarrosën turqit, madje edhe jua hodhën qenve, duke dëshmuar dobësinë e doktrinës së tyre “sunduese”, por edhe frikën e këtij shenjtori që i mallkoi paprerë derisa erdhi një ditë dhe qenëve ju hodhë vet perandoria  turko-osmane e mjerimit…zhelet e të ciles jo pak na kanë mbetur varur  ku shpesh kerkohet të na “serviren” si rroba të reja…

REFERENCAT: -Pjetër Bogdani- pergatitur nga Odette Marquet, Letra dhe dokumente, nga arkivi i kongreates “de Propoganda Fide” si dhe arkivat secrete te Vatikanit. Sh.B. “At Gjergj  Fishta”, Shkodër 1997. -Luigj Marlekaj- Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës së tij. Botime Franceskane , Shkodër 2008.

Filed Under: Kulture

Sot, kujtojmë 224-vjetorin e lindjes së Naum (Bredhi) Veqilharxhit (1797-1854)

December 6, 2021 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar, illuminist e veprimtar i shkollës shqipe. Lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me Shqiptarë të kolonisë së atjeshme. Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare. Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve. Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patrikana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar.

Filed Under: Kulture

Duke kujtuar “Skenderbeun” gjeorgjian dhe fimin e vetem deri me sot per Heroin tone Kombetar …AKAKI HORAVA (1895 – 1972)

December 6, 2021 by s p

Saimir Z. Kadiu/

20 vjet me pare, pjesemarrja ne nje Konference te Bankes Boterore ne Tbilisi te Gjeorgjise, me rezervoi si nje surprize te kendshme faktin qe Skenderbeu ishte shume i njohur ne Gjeorgji…Kjo njohje nuk lidhej me faktin qe gjeorgjianet e njihnin Historine e Shqiperise, por se aktori me i madh gjeorgjian dhe nje nga me te adhuruarit e gjenerates se tij ne ish Bashkimin Sovjetik, Akaki Horava kishte interpretuar rolin e Skenderbeut ne filmin e regjizorit te famshem rus me origjine hebreje Sergei Yutkevich (1904 -1985)…Horava ishte aktori me i preferuar i Stalinit. Lindi me 29 prill 1895 ne fshatin Ochkhamuri te Gubernes se Kutaisit ( Gjeorgji)Fillimisht studjoi per Mjekesi ne Kiev (1915-1917)… Po me pas dashuria per teatrin e kthen ne Gjeorgji ne qytetin e Senakit për t’u bërë pjesë e teatrit, aty ku spikati për “zërin e tij sqimatar e vokal të lartë, temperament madhështor dhe për një aktrim të sinqertë”.Në maj të vitit 1918, gjeorgjianët, pra pas revolucionit bolshevik të nëntorit të vitit 1917 në Rusinë cariste, krijuan Federatën Transkaukaziane me armenët dhe azerbajxhanasit nisur nga situata e krijuar pas tërheqjes se ushtrisë cariste ruse nga Kaukazi si dhe mundesive te mësymjeve të ushtrisë osmane apo bolshevike atje.Ky bashkim politik ndëretnik shpalli pavarësinë duke krijuar Republikën e tyre të parë me karakter politik social-demokrat.Gjatë periudhës së Republikës së Parë, që zgjati midis majit 1918 e shkurtit 1921, Horava (në vitet 1918 dhe 1919) bëhet shefi i shtabit të gardës së qytezës së Senakit të Ri, që mori pjesë në mbrojtjen e qytetit bregdetar të Batumit, kundër ushtrisë osmane. Pas kësaj ai i kthehet studimit për mjekësi; këtë radhë në universitetin e sapohapur të Tbilisit (1919), duke punuar në të njëjtën kohë në teatrin e punëtorëve atje.Por kjo nuk zgjati shumë, sepse në vitin 1921 ai lë studimet dhe punon për pak kohë për një gazetë të vogël me emër “Punëtori i Fshatit”. Pasi ra Republika e Parë, në shkurt të 1921 –e pushtuar nga Ushtria e Kuqe sovjetike – Horava arrestohet, tanimë nga regjimi i sapovendosur sovjetik në 1922 për disa muaj, nën akuzën e të qenurit një “person i pabesueshëm politikisht”. Ky moment do të jetë i fundit kur Horava do të kishte “ngatërrime” të drejtpërdrejta me politikën në vend; gjithsesi ai, si dhe shumë figura të tjera të artit nuk mund t’i shmangeshin ndikimit të politikës, aktivitetit të tyre artistik.Talenti i tij do t’i mundësonte marrjen e çmimeve më të larta në profesionin e tij; në vitin 1934 atij iu akordua çmimi i Artistit të Popullit të Gjeorgjisë dhe dy vjet me pas, më 1936, iu dha çmimi Artisti i Popullit të Bashkimit Sovjetik. Në atë kohë, me shpalljen e Kushtetutës sovjetike, të vitit 1936, Gjeorgjia, e cila deri më tani kishte qenë pjesë përbërëse a Transkaukazisë sovjetike, u bë një republikë e veçantë e mbeti kështu deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik më 25 dhjetor të vitit 1991. Horava do të bëhej një nga aktorët më të preferuar të Stalinit dhe mëkëmbësit të tij në Tbilisi, përpara sesa të shkonte në Moskë, Lavrenti Beria. Horava, që pas lënies së universitetit dhe sidomos pas vitit 1922, vendosi të bëhej student dramaturgjie dhe filloi të aktronte në Teatrin Rustaveli në Tbilisi – kryesori në Republikë, e që ndodhet në bulevardin kryesor, me të njëjtin emër, në qytete – duke mishëruar në skenë role të pjesëve më të spikatura të autorëve gjeorgjianë, si për shembull në vitin 1924 me pjesën e titulluar “Lamara” të poetit të simbolizmit gjeorgjian, Grigol Robakixe. Ky i fundit do të kishte një fund tragjik, si dhe shumë intelektualë e jo vetëm, gjatë represionit stalinist, që Beria drejtoi në Republikë gjatë vitit 1937. Kulmi i njohjes së tij si aktor i talentuar për audiencat e Tbilisit ndodhi në vitet 1928 e 1929, kur luajti një sërë rolesh në Teatrin Rustaveli, duke portretizuar figura të forta burrërore e psikologjikisht të ndërlikuara e ndonjëherë tragjikë. Ai, në fakt u bë një nga aktorët më të zhdërvjelltë të zhanrit të “dramës heroike” në Gjeorgji dhe në tërë Bashkimin Sovjetik. Ky lloj profili e bëri atë që të luajë me shumë sukses rolin e Otellos, gjë që i dha atij dritën e njohjes si aktor shekspirian jo vetëm në Rusinë sovjetike, por dhe në Shtetet e Bashkuara, ku luajti në Teatrin Phenix të Nju Jorkut e në Londër, ku në një premierë atje u ndoq dhe u vlerësua shumë lartë edhe nga Çarli Çaplini. Kur bënte xhirimin e filmit në Shqipëri, Horava kujtonte se si kolegët shqiptarë i kërkonin që ai ta luante atë rol. Dhe ai e luajti.Por përveç teatrit, ku ai pati shumë role të njohura për kontekstin kulturor gjeorgjian, Horava filloi të luajë dhe role në film; ndër të tjera në filmin “Giorgi Saakaxe” (1942), duke portretizuar rolin e një figure historike gjeorgjiane të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, i ngjashëm me atë të Skënderbeut. Me të vërtetë, ky film, po ashtu i zhanrit “dramës heroike,” ka paralele me filmin e Skënderbeut jo vetëm nga stili kinematografik i inskenimit monumental të heroit dramatik, por dhe në kontekstin e historisë së Gjeorgjisë së shekullit të gjashtëmbëdhjetë – e cila mbas një “periudhe të artë”, katërshekullore të mbretërisë gjeorgjiane në vitin 1555, për shkak të grindjeve të prijësve gjeorgjianë për fronin mbretëror dhe marrëveshjes midis perandorive osmane e persiane, u nda në mes midis këtyre të fundit –me atë të hapësirës arbërore gjatë kohës së Skënderbeut.Në vitet 1939-1948 drejtoi Institutin e Teatrit gjeorgjian..Në vitin 1946 ai mori titullin “Artist kombëtar i BRSS”. Po ashtu u nderua pesë herë me Çmimin Stalin si dhe dy herë me Urdhrin e Leninit .Në 1939 ai u bashkua me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjtik dhe katër herë u zgjodh anëtar i Këshillit Suprem Sovjetik (1937-1958).Ai vdiq në vitin 1972 dhe u varros në Panteonin Mtacminda. Me emrin “Khorava” është emërtuar edhe teatri në ne nje qytet te Gjeorgjise.Lajmi per vdekjen e tij, ne Shqiperi, u njoftua nepermjet gazetes se perjavshme Drita me nderhyrjen direkte te Ramiz Alise.Akaki Horava, aktori që luajti rolin e Skëndërbeut në filmin me të njëjtin titull, vdiq duke mbajtur në komodinën pranë krevatit të tij, librin ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Kjo ndodhi në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku aktori kaloi vitet e fundit të jetës. Atij i pëlqente shumë ky libër dhe kur ishte në Shqipëri, kishte arritur ta përkthente nga origjinali i gjuhës shqipe, në rusisht, nëpërmjet miqve të tij shqiptarë. Kjo ndodhi gjatë xhirimeve të këtij filmi. Dhe kur iku Akaki Horava mori me vete një kopje të Kanunit. Për hir të së vërtetës atij i pëlqenin shumë ligjet shqiptare të asaj kohe, pra të kohës së Skënderbeut dhe përpiqej të hynte në brendësinë e psikologjisë së shqiptarëve.Filmi u xhirua në dy vende, në Shqipëri e në Rusi dhe është i gjatë 90 minuta. Edhe pse bashkëpunim shqiptaro-rus, filmi “Skënderbeu” është i pari prodhim kolosal i Kinostudios.Në rolet kryesore interpretonin Akaki Khorava, në rolin e Gjergj Kastriot Skënderbeu, Besa Imami në rolin e Donikës, Adivie Alibali në rolin e Mamicës, aktori rus Semion Sokolovski në rolin e Hamzait, aktorja gjeorgjiane Veriko Anxhaparizhe në rolin e Dafinës, Naim Frashëri në rolin e Palit , Marie Logoreci ne rolin e konteshës. Në rolet e tjera aktorët rusë: Xhorxhi Çernovolenko, Oleg Zhakov, Aleksandër Vertinski, Sergo Zakariaxhe, Vladimir Belokurov, Vagram Papazian, Boris Tenin. Rolin e Skenderbeut te vogel kur nisej per Turqi e ka interpretuar Roland Dasho, babai i mjekut te njohur Erion Dasho .Filmi “Skënderbeu- Luftëtar i madh i Shqipërisë”, për herë të parë në vendin tone, me prezencen e Horaves, u shfaq në Qytetin “Stalin”, ku ekzistonte një lagje e tërë me specialistë sovjetikë, që punonin në fushën e naftës, në prodhim dhe në institute studimore. Thuhet se kanë qenë rreth 350 familje sovjetike.Premiera zyrtare e filmit ne Tirane dhe Moske u shfaq me 28 nentor 1953, me rastin e ditës së Shpalljes së Pavarësisë.Më 24 prill 1954, Presidiumi i Kuvendit Popullor dekretoi kolektivin që mori pjesë në realizimin e filmit “Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë” dhe ne vecanti me Urdhërin e Klasit I: Mihail Grigoreviç Papava (skenarist), Sergei Josifoviç Jutkeviç (regjisor) dhe Akaki Aleksejeviç Horava (aktori në rolin e Skenderbeut)Ndonëse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik u ndërprenë përfundimisht më 1961, “Skënderbeu” vazhdoi të shfaqej, në kinematë e vendit tonë. Por pas vitit 1967 e shfaq vetëm në kinematë e qyteteve të tjera. Arsyeja ishte se ndihmës- regjisori shqiptar, Viktor Stratoberdha, i dënuar, së pari pas Konferencës së Tiranës më1956 qe të mos ushtronte më profesionin e regjisorit, u ridënua më 1964 të mos ishte as regjisor i Teatrit të Estradës së Beratit, ku jetonte, dhe pas PLenumit të 4-t të KQ të PPSh-së, krahas shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë, përfundoi pas hekurave të burgut dhe më pas u internua. Këtë fat tragjik pësoi edhe artistja Adivie Alibali që në film luante Mamicën, dhe së bashku me të edhe i shoqi, juristi dhe publicisti i njohur, pr. Jusuf Alibali. Më 8 korrik 1936, kampioni i tenisit shqiptar Sali Nallbani u ftua në Stokholm dhe u ndesh me kampionin e Suedisë, Stellan Crammer, të cilin e mundi, duke marr çmimin e nderit të propozuar nga Kryekonsulli i Shqipërisë në Stokholm, Franklin Gardlund. Kur u kthye në Shqipëri, kupa u ekspozua te pallati Kacelve në qendër të Tiranës, në vitrinën e rrobaqepësisë së Gjon Lacajt. Aty gjatë xhirimeve të filmit ishte shpalosur Flamuri Kombëtar dhe mbi të, kupa. Ishte ajo Kupë të cilën Akaki Horava përdori gjatë xhirimeve në filmin Skënderbeu.Në një nga tre fushat e “Tenis Klub Nallbanit”, aty ku tani ndodhet rruga Myslym Shyri, Akaki Horava ka luajtur tenis në kohën e lirë. Zonja Nina Çankvetaxe, (bashkeshortja e Horaves), krijoi një dhomë memoriali për Horavën, ku gjenden në mes të shumë kornizave fotografike edhe një portret i tij gjatë xhirimit të filmit të Skënderbeut – si dhe ditarë e shënime në gjuhën frënge dhe ruse. Këto shënime e ditarë regjistrojnë jehonën e tij, që filmi dhe prestigji e fama, të cilën ai gjeti jo vetëm në Bashkimin Sovjetik, por dhe në Francë e Gjermani, ku u bënë shfaqje të veçanta gjatë muajve nëntor e dhjetor të vitit 1955. Pas rolit të Otellos në teatër, roli i Skënderbeut në film i dha atij një njohje ndërkombëtare.Në Amerikë u shfaq në vitin 1953, me titullin “Great Warrior Skanderbeg”, (Luftëtari i Madh Skënderbe).

Filed Under: Kulture

Dimensioni tjetër i një artisteje të madhe

December 4, 2021 by s p

Rita Loloçi


Dua Lipa, artisja me famë ndërkombëtare, në jo pak raste në dalje publike ka vënë në pah se është shqiptare, se ajo nuk është e vetme po ka edhe të tjerë me origjinë nga kombi më i vjetër dhe shteti më i ri në Europë, pra nga Kosova që janë bërë pjesë e universializmit planetar.Pak kohë më parë ajo u nderua me çmimin për rol të shquar udhëheqës në trajtimin e çështjeve të rëndësishme sikurse të drejtat e grave, ndarë nga Këshilli i Atlantikut, në 60-vjetorin e themelimit të tij. Dua Lipa u vlerësua për përfshirjen e saj aktive në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në veçanti të viktimave të luftërave të Ballkanit, për ndihmesën e saj për fuqizimin e shtetit të ri të Kosovës, humanizmin, frymëzimin dhe krijimin e mundësive të reja për gjeratat e reja.Në një prononcim për ‘Zërin e Amerikës’, Dua Lipa tha ndër të tjera se “jam shumë e nderuar të jem këtu sot, të pranoj këtë çmim. Në emër të të gjithë të rinjve të Kosovës dhe faktit se ne jemi shtet kaq i vogël për vetëm 13 vite me një mundësi që ndoshta një ditë të bëhemi pjesë e Evropës. Kjo vërtetë është pjesë e rrugëtimit, betejës sime dhe arsyes pse jam këtu. Prandaj jam shumë mirënjohëse të jem këtu dhe të flas për diçka që është në zemrën time”. Gjithashtu ajo foli për filmin “Zgjoi”, që është propozuar të jetë një nga filmat kandidatë për çmimin prestigjioz Oscar.Dua shfrytëzoi ardhjen e saj në Uashington për të ndihmuar promovimin e filmit emocional nga Kosova që ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare. “Ishte mrekulli. Jam prekur shumë nga rrëfimi i Fahrije Hotit, gruas në historinë e së cilës bazohet filmi. Tregon se sa shumë këmbëngulëse dhe të fuqishme janë gratë e Kosovës, sidomos në një kohë kur ndonëse kanë humbur shumë arritën të gjejnë një mënyrë për të vazhduar dhe luftuan që të arrijnë diçka që ndjenin se ishte e drejtë për to. Ishte shumë frymëzuese dhe isha shumë e nderuar të isha në shfaqjen e filmit me shumë gra tjera të fuqishme dhe të mrekullueshme. Pres me padurim dhe shpresojmë që të sigurojë nominimin për Oscars”, tha ajo.Dua dhe babai i saj muzikant, Dukagjin Lipa, drejtojnë fondacionin ‘Sunny Hill’ dhe festivalin me të njëjtin emër që mbahet në Prishtinë, nëpërmjet të cilit Kosova është futur në hartën botërore të kulturës. Artistja paralajmëroi rikthimin e fuqishëm të festivalit pas një pauze për shkak të pandemisë. Tetë herë e nominuara dhe tri herë fituesja e çmimeve ‘Grammy’, Dua Lipa foli për vendlindjen e saj dhe apeloi për heqjen e vizave ndaj qytetarëve të Kosovës.Rasti i Dua Lipës nuk është i vetëm. Ndryshe nga shumë shtete dhe kombe të tjerë, shqiptarët kanë një pasaportë që i bën krenarë kudo që ndodhen dhe kjo është pasaporta e Shën Trerëzës, nobelistes së Paqes. Një pasaportë tjetër po aq e madhe është ajo e personalitetit të shquar Ismail Kadare që falë artit të tij të magjishëm i ka bërë shqiptarët të njohur në çdo skaj të botës. Ka edhe artistë të tjerë si Inva Mula, Ermonela Jaho e shumë të tjerë, brenda dhe jashtë kufijve natyrorë, që famën e tyre artistike e bashkëshoqërojnë me mesazhe shqiptarie e qytetarie për një botë më të drejtë, më të zhvilluar, pa luftra e konflikte.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 164
  • 165
  • 166
  • 167
  • 168
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT