• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shërbime të mirëqenies nga Dr. Nano, punime të trikotuara nga Arta Kallaba – si i njohim dimensionet e estetikës?

December 16, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Festa e fundvitit Bukuri dhe Bulëza e mikpritëses Dr. Evia Nano, ditën e shtunë, manifestoi “pasionin e saj” së bashku me “krijimet që risjellin traditën shqiptare të punimit nga dorë nga artistja Ana Kallaba” siç tha ajo. Për të shijuar të bukurën dhe artin e estetikës nuk ka modele uniforme sepse secili ndjek rrugën e vet dhe i kultivon ato në formë vetjake.

Dr. Nano, mjeke e angazhuar në disa spitale me reputacion në Nju Jork, arriti të hapë klinikën e saj për shërbime estetike në një nga lagjet më të frekuentuara të Manhattan-it. Gjatë pesë vjetëve të fundit, ajo krijoi Eviaesthetics Med Spa, e specializuar në arritjet më të fundit të fushës së mirëqenies dhe bukurisë dinamike në bashkëpunim me Revance Aethetics, kompani amerikane me qendër në Nashville.

Ardhur nga Kosova rreth dymbëdhjetë vjet më parë, Arta Kallaba nga një karrierë e konfirmuar regjie teatri u tërhoq nga kostumografia dhe më tej krijoi firmën e saj të veshjeve të trikotuara dhe punime të tjera dore në bashkëpunim me gra shqiptare në Shqipëri e Kosovë.

Në sallonin e Eviaesthetics, të ftuarit bisedonin me Dr. Nano për trajtime lëkure e seanca të tjera të nevojshme dhe, lehtësisht, shkonin të flisnin me Artën për krijimet e saj, fustane, bluza, çanta dore, një pjesë të të cilave i kishte sjellë aty.

Estetika fizike, siç është paraqitja sa më prezantuese falë përparimeve farmaceutike, teknikave dhe terapive rezultatet e të cilave mbajnë mesatarisht gjashtë muaj, siç shpjegoi Dr. Nano, dhe estetika materiale e punimeve të trikotuara me shtizë të prezantuara nga Arta Kallaba në festimin falënderues së Eviaesthetics, ishin forma të së bukurës, të cilat ashtu si në atë festë, kur i njohim, mund të shfaqën para nesh në çdo kohë.

Poshtë ndërtesës, rruga zhurmonte nga vargu i pambaruar i Santacon – konventës së hareshme njëvjeçare – teksa i ftohti i acartë i dhjetorit vetëm se e bënte edhe më joshëse bukurinë e bulëzave.

Filed Under: Kulture

Aktiviteti atdhetar, politik dhe publicistik i Ernest Koliqit

December 14, 2024 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi

 

Disa konsiderata të përgjithshme mbi themelimin e revistës “Shejzat”

Revista “Shejzat” lindi si organ kulturor, shoqnor dhe artistik i intelektualëve dhe shkrimtarëve shqiptarë të mërgimit, të kryesuar nga Ernest Koliqi, në kushtet e mirënjohura diktatoriale që po kalonte shteti amë i shqiptarëve, në kushtet e dhunimit dhe fshirjes së arritjeve më të mira të shkrimtarëve dhe studiuesve shqiptarë të traditës. Ajo shërbeu si një votër ku këta shkrimtarë mblidheshin për t’u dhanë shfrim afsheve të shpirtit të tyre të madh kombëtar dhe intelektual. Themelimi i këtij organi u bë në një kohë kur Shqipëria dhe shqiptarët kishin më shumë nevojë për këto penda, “të vetmet që mund të mbanin nalt rrafsholin e kulturës shqiptare me krijesa gjithmonë të reja, të frymëzueme nga ndiesi të pastra kombëtare” “Shejzat” kësisoj lindi, u zhvillua dhe u mbajt gjallë për 20 vite me radheë nga vitit 1957 deri më 1978 nga kjo aradhë e tërë shkrimtarësh dhe studiuesish të emigracionit, të cilët e konsideronin si detyrë të tyre parësore krijimin e një vatre intelektuale të të gjithë atyre që synonin në një pikë: çlirimin e Shqipërisë nga diktatura antishqiptare e antivlerave. Ata ishin intelektualë të vërtetë që me vetedijë të dëtyrës së vet, ushtruan profesionin e letrave dhe shërbyen si syri i kombit në një prej momenteve më të vështira dhe më të pashpresa të tij. Ata e kishin të qartë se pa “vepren dritë- përhapse të intelektualve të njimendtë, një komb asht si i verbti, mbi një udhë plot gropa e çarravina të rrezikshme”. 

            Nga ana tjetër, “Shejzat” konsideroheshin vazhduese të drejtëpërdrejta të të Përkohshmeve të lavdishme shqiptare: “Hylli Dritës”, “Leka”, “Illyria”, “Shkëndija”, etj., dhe themeloheshin në një kohë kur Shqipëria zyrtare vuante nga pikpamja intelektuale nga mospasja e një reviste për të qenë, kur shkrimtarët e mëdhenj, themeluesit e institucioneve të studimeve shqiptare ishin shpallur të paligjshëm, kur liria akademike ndodhej nën tutelën dhe kontrollin e drejtëpërdrejtë të  partisë-shtet. “Shejzat” lindën në një kohë kur brezi i ri i Shqipërisë zyrtare ndodhej në errësirën e dezinformimit, nën frikën e sundimit të hurit, litarit, deportacjoneve, frikës dhe tmerrit. Që në numrin e tyre të parë botuesit shpreheshin se “botimi i kësaj të p[ërkohshmeje ka për qellim të kryemit e nji detyre intelektuale kundrejt atdheut shi në kohë kur në kuadratin e historisë grepat po shënojnë nji çast rreziku jetëshues. Bota shqiptare dhe shqiptarizmi janë kah përshkohen nëpër periudhën ma t’errët e të frigueshme të qënjes së vet… Shqiptarizmi kërcënohet në p[alc nga nji robni dermuese, deri tash e panjohun, e cila i rrëmben Shqiptarit lirit fillore të njeriut, ato qi as Faraonët motit as rigat zezakë ma t’egjër nuk i a mohojshin robve të tyne: të drejtën me besue Zotin dhe me rritë fmijt në hir të dokeve stërgjyshore.”

            Kësisoj, “Shejzat” në sajë të zotësisë organizzative e punë së palodhshme të Ernest Koliqit shërbyen si tribunë e mendimit shkencor shqiptar, si dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruan në kronikën e tyre edhe ngjarje shoqërore që në ardhmen shërbyen edhe si dokumentacion historik dhe kulturor për një periudhe rreth 20 vjeçare. Kjo është edhe arsyeja që ne sot i referohemi shumë kësaj reviste, në një kohë që informazioni brenda shtetit shqiptar për këtë periudhë ka qenë totalisht nën censurë. “Shejzat” nën drejtimin e Koliqit, themeluesit të saj, vijuan duke iu përshtatë kohës dhe vendit, traditave kulturore të Rilindjes dhe sidomos të revistave të periudhës mes dy luftrave botërore.

            “Na botuesit e kësaj të përkoheshmje, -shklruhet në editorialin e parë të revistës- duem të jemi pranë, në vijën ma të parë luftarake, me armën e kulturës. Na dëshirojmë me anën e orvatjes s’onë së përvujtë por plot synime ndërtuese, t’a përdorim kët armë për të sjellun nji skjarim në shesh të bisedimeve ku rrahen problemet gjallnore të shqiptarizmit, Duem që të japim kontributin tonë në lamije të kulturës, vetëm nëpër rreze të së cilës çashtja shqiptare mund të zgjidhet lumnisht… Kjo e përkoshme don të jet tryezë e lirë kuvendi burrnuer, të mbajtun mrenda caqeve t’urtis e të njerëzis. Çdo shqiptari qi ka nji mendim fryt-dhanës për të shfaqun dhe din ta shfaqi në shqipe të pastër, çdo intelektual qi lakmon të rrahi nji çashtje ditunore ase don të paraqesi prodhimet e veta latrare, ka me gjetun vend në këto fletë tona, mjaft qi të frymëzohet në xhixhillim të Shejzave, hyllsi vërtytesh arbnore”

            Po pse dijetarët shqiptarë e emërtuan organin e tyre Shejzat? Shp[jegimin për këtë neve na e jep shkrimtari dhe gjuhëtari shqiptar, bashkëpunëtori i pandërprerë i kësaj reviste, drejtuesi i katedres së gjuhes shqipe në Universitetin e Palermos, Karl Gurakuqi

Shejzat, (Plejadat) e zgjedhur me shije poetike si titull per të përkohshmen, ka një kuptim domethënës sidomos për kohën kur u krijua. Mitologjia e vjetër greke i personifikonte shtatë yjet e Plejadave, (Shejzave) në aq orë qiellore  e malore duke e zhvilluar besimin ne hyjtë: hylli si fat , si simbol i shkëlqimit etj.”A kanë dalë Shejzat pyesnin malësoret  para se me i hy një ndërmarrjeje me shumë randësi. Keshtu veprojshin edhe lundërtarët e vjetër grekëtë cilët niseshin për udhëtime të largëta kur ne qiell shndritnin Plejadat, Shejzat shqiptare. Shkrimtarë të cdo kohe si Euripidi, Sofokliu etj. Muzikantë të medhenj si Shtraus prozatorë a poetë me famë si Gabrieli D’Annunzioetj, i përjetësuan istrat e kësaj hyllësie në vepra të pavdekëshme.”  

Pra, në rrugën e ndërrmarrur nga një grup intelektualësh të shquar Shejzat do ti prinin si  një ugur i mirë për një të ardhme të lumtur të kombit tonë.

Vendi Shejzave  në studimet shqiptare:

Shejzat, zënë një vend të rëndesishëm ndërlidhës mes organeve kulturore dhe shkencore që kanë pasur si objekt të tyre botues studimet shqiptare. Në të njejtën kohë ky organ plotësoi një boshllek të madh të krijuar nga rrethanat politike të lartpërmedura në përcjelljen e frymës rilindase nga vitet e para 1944-ës në ditët tona. Shejzat krijuan një ndërlidhje të shkëlqyer mes mërgatës së intelektualëve më të shquar shqiptare, botës studimore arbëreshe të Italise si dhe albanologëve të huaj. Ne sajë të punës së jashtëzakonshme të bërë nga botuesit dhe bashkëpunëtorët e Shejzave, Studimet Shqiptare patën një zë të tyre të lirë, larg politizimeve, mediokriteteve dhe kornizave nën të cilat u vendosen padrejtësisht dhe në mënyrë të pameritueme studiuesit e shkencave shqiptare në shtetin amë.  “Kështu Shejzat për nga rrethi i problematikës së larmishme që trajtojnë, shërbejnë si një dritare e hapur informacioni shërbyen si tribunë dhe dritare informacioni dhe pa asnjë dyshim vlejnë si një burim i pasur historik e kulturor i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm për studiusit e sferave të ndryshme, për një periudhë 20 vjeçare.       

Themeluesit dhe rrethi i intelektualëve që bashkëpunuan me Shejzat.

Objektivin që i kishin vënë vehtes themeluesit e revistës Shejzat në paraqitjen e programit te saj që në numurin e pare të vitit të pare në 1957 se, “…po i hynin asaj ndërmarrjeje të vështirë tue shpresue në përkrahjen e dashamirëve,duke pasë para syshë fjalën e urtë , trimi i mirë me shokë shumë,”revista e ruajti duke mbledhë rreth vehtes  bashkepuntore, “fytyrat ma te njoftuna ne fushen e letrave ne mergim” numri i te cileve si pasoje e emrit te themeluesit Koliqi si dhe rolit qe kishte marre persiper revista erdhi gjithmone duke u shtuar. Nje varg i gjate shkrimtaresh, studiuesish dhe eksponentesh te jetes kulturore e shqiptare te mergates, studiues dhe shkrimtare arberesh, te Kosoves si edhe mjaft te tille te huaj si Italiane, austriake, gjermane etj ju bene krah revistes ose sic shprehet Koliqi “ iu bane kunorë miqt anë e kand ne boten e lire, nuk e lane vetëm, seicili sipas mundesisë së fuqive të veta “. Bashkepuntoret e revistes ishin intelektualet e vertete qe me vetdijene e detyres se vet, jane syri i kombit, pa vepren e drejteperdrejte te te cileve nje komb eshte si i verbri ne nje rruge plot gropa.

Nuk eshte pra nje rastesi qe themeluesi dhe pronari ishte intelektuali Ernest Koliqi, shkrimtar i njohur, studiues i merituar i traditave kulturore artistike dhe folklorike te Shqiperise, shkrimet e te cilit jane pothuajse te perhershme ne Shejzat, shpesh edhe me pseudonimin Hilushi (shkrime te cilat i kemi te rradhitura sipas tematikes).

Nuk eshte gjithashtu rastesi qe kryeredaktori i saj ishte Martin Camaj,  nje nga figurat e medha te letrave shqipe, veprimtaria e te cilit la gjurme cilesore ne reviste. Bashkepuntore te tjere te panderprere kane qene intelektuale te tille si : Karl Gurakuqi (drejtues i Katedres se Gjuhes Shqipe ne Universitetin e Palermos), i cili kreu detyren e  perfaqsimit te se perkohshmes ne Siqili; Prof. Zef Valentini i njohur ne fushen albanologjike me veprate tij te vlefshme; Shpend Bardhi pseudonim i Mustafa Merlika Kruja, shkrimtar i paster i perpikte dhe i paanshem por sidomos shqiptar i mire; Gjin Duka (pseudonimi I Fratit shqiptar At Daniel Gjecaj) i njohur ne rrethet kulturore te mergates shqiptare; Tahir Kolgjini (me pseudonimin Kol Limthi) shqiptar i maleve te veriut shkrimet e te cilit dallohen per nje shqipe te bukur pa ndikime te huaja; Ekrem Vlora, studiues dhe hulumtues i pikave te errta te historise sone kombetare; Vasil D’Alarupi novelist shqiptar i talentuar, Nermin Vlora-Falaski e tjere e  tjere bashkepuntorë qe perfaqsonin mërgaten shqiptare.

Te shumte jane ne numrat e revistes krijimet letrare dhe botimet studimore te arbëreshve te Italise si ato te periudhes se Rilindjes perfaqsuar me De Raden, Skiroin apo bashkepuntoret e drejperdrejte si Vorreo Ujko, Lluka Perone, Giussepe Gradilone, Angela Cirrincione etj.

Keshtu mund te rreshtojme me rradhe dhjetra e  dhjetra emra te tjere te medhenj shqiptare dhe te huaj te cilet kontribuan ndjeshem ne rritjen e nivelit te revistes duke e bere nje zedhense te krijimtarise letrare shqiptare e studimeve te rendesishme ne fusha te ndryshme si te gjuhësise, sociologjise, arkeologjise, etnologjise e me gjere. 

Mund te themi se revista Shejzat per 20 vitet e jetes se saj realizoi filozofine se “ Shqipnia e vertete s’ka kufij gjeografik, po shtrihet shpirtnisht neper mbare boten ne cdo vis ku gjallite nji arbnuer qi nuk mohon vetit e veta autoktone”

Pas këtij udhëtimi të gjatë dhe më shkëputje ndër momentet më të rendësishme të aktivitetit politik, intelektual dhe atdhetar të Koliqit, shpjegimit të impostimeve pozitive, animeve politikisht të pashpjegueshme, ne na duhet të japim disa përfundime në lidhje me mesazhet që nxjerrim sot nga analiza e epërme e aktivitetit të tij në të mirë të kombit:

Nderimi i aktivitetit të Koliqit në Kishën e Vjetër të Stublles së Epërme, në kohën e Kosovës së Lirë, të pavarun, sovrane dhe me rrugë të qartë perëndimizuese, është një thirrje që organizatorët largpamës së Kishës Katolike Dardane bëjnë për forcimin e kulturës albanianiste të popullit shqiptar në Kosovë, Shqipëri dhe trevat shqiptare;

Nga ky kuvend unë shoh se del një thirrje për respektimin dhe garantimin edhe të të drejtave të të gjithë qytetarëve në një shtet strikt laik dhe demokratik në Kosovë dhe Shqipëri.

Formësimi i brezit të ri me kulturën e pastër iliro- dardane dhe arbnore, perëndimizimi, shekullarizimi dhe demokratizimi i plotë i dy shteteve, nën mbështetjen e Aleatit tonë strategjik, mbetet prioritet për udhëheqësitë politike të Shqipërisë dhe Kosovës.

Pjesa e katërt…

Filed Under: Kulture

“DARDHA”, ALBUMI I PARË TURISTIK NË SHQIPËRI

December 13, 2024 by s p

Kristaq BALLI

120.jpg

Viti 1938. Ahmet Zogu dhe familja e tij mbretërore në synimet e tyre për zhvillimin e vendit, krahas fushave të tjera të jetës ekonomike e sociale, tentuan rishtazi e në mënyrë modeste edhe një plan afatgjatë për turizmin, kryesisht në kontekstin e aplikimit të tij nga shqiptarët dhe të huajt, por edhe promovimin e resurseve turistike,  bukurisë së natyrës,  trashëgimisë etnokulturore traditave, zakoneve e virtyteve të shqiptarëve.

Në fund të shek XIX dhe gjatë dekadave të para të shek. XX fshati Dardhë i Korçës ishte bërë një destinacion i turizmit, kryesisht për disa prioritete ekonomike, sociale e natyrore që ajo zotëronte. Së pari, ky fshat 18 km. në Juglindje  të Korçës ndodhej në mes të pyjeve me bredha, pisha e ahishte malore në lartësinë rreth 1350 m., kishte një bukuri natyrore të mrekullueshme, burime ujrash të ftohta e minerale kuruese, përparësi klimaterike shëndetsore, konvaleshente, shplodhjeje mendore e argëtimi. Nga pikpamja urbanistike e arkitekturore Dardha, me rreth 400 shtëpi e 2000 banorë cilësohej jo si fshat, por si një qendër urbane, tepër origjinale e unikale, me shtëpi, rrugë, ujësjellës e kanalizime moderne për atë kohë që i ngjante më shumë një qyteze urbane, pasi aty zhvillohej edhe një jetë ekonomike e sociale me të gjitha elementët qytetarë, ushtronin aktivitetin shumë forma paraindustriale dhe zejtare, ku mbizotëronin punishte të vogla private të të gjitha llojeve e profesioneve, si shërbimet, tregtia (dyqane, kafene, hotele, fotografë, këpucarë, hekurpunues, dërstila, batane, mullinj) zejtaria, përpunimi i produkteve blektorale e bujqësore, etj. Për arsye të emigracionit, fillimisht sezonal të burrave brenda Shqipërisë dhe në vendet e Ballkanit (dardharët kanë qenë përpunues mjeshtra të lëndës drusore të pyjeve, me ç’rast ka dalë edhe  fjala e urtë “e pret si me sëpatën e dardharit”) e,  më pas, në ShBA (pothuajse të gjitha familjet kishin pjesëtarë të tyre në Amerikë), ata jo vetëm ndihmuan ekonomikisht familjet e tyre por “importuan” edhe një mënyrë perëndimore jetese e konditash më komode familjare. Kështu falë prirjes së tyre arsimdashëse (shkolla e parë në Dardhë është çelur që më 1768), emigrantët ndërtuan më 1924 shkollën më të madhe e më moderne të asaj kohe, rrugën automobilistike  Dardhë-Boboshticë (Korçë), sollën makinat amerikane Ford që përdoreshin si taksi në linjën Korçë-Dardhë, rikonstruktuan në mënyrë model bashkë me banorët rrugët me kalldrëm, ujësjellësin, krojet e çezmat, ndërtuan hidrocentralin që furnizonte me energji elektrike Dardhën, mirëmbajtën objektet e kultit ortodoks, etj. Dardha, në kontekst të supremacisë turistike jo vetëm në rajonin e Korçës, por në të gjithë Shqipërinë ishte e njohur gjithashtu për kulturën tradicionale e virtytet humane, ku spikatnin kostumi i grave dardhare (xibuni), një prej perlave të kostumografisë shqiptare, po ashtu edhe vallja e kënduar e grave të Dardhës, si edhe kostumet tradicionale të burrave, që alternoheshin, sipas rasteve  me veshjet e stilit më modern perëndimor qytetar të kohës. Ballot, serenatat, (nuk kishte djalë që të mos i binte kitarës apo mandolinës, aq sa shumica e grupeve muzikore, madje edhe Banda Kombëtare “Vatra” në  SHBA e më pas në Korçë përbëhej kryesisht nga dardharë e drejtohej po nga një dardhar, prof. Thoma Nassi), hareja, alegria, dasmat e ritet e tjera festive pagane e  fetare, sidomos “ditët e emrave”, piknikët  që lidheshin me nivelin e lartë kulturore të emancipuar qytetar ishin elementë atraktivë që ndillnin natyrshëm kurizitetin turistik masiv në këtë vend që dikush e ka quajtur edhe  “Margaritari me emrin Dardhë”.Untitled.jpgDardha2.jpg

Po ashtu tradita e një kulinarie të pasur e  të larmishme karakteristike, ku spikat “lakrori me dy petë i pjekur në saç”, apo “rakia e kumbullës së egër e zier dy herë, tipike për varietetin e kumbullave në atë zonë”, nikoqirllëku, rregulli, higjena e pastërtia, kujdesi, bujaria, solidariteti, mikpritja, pra gjithçka që kish të bënte me plotësimin e kushteve të shumëfishta turistike e kishin bërë diferencën dhe e kishin veçuar Dardhën si vendin më të preferuar turistik. 100_2680.JPG

Janë këto disa nga prerogativat që qeveria mbretërore e asaj kohe, me iniciativën e vetë dardharëve,  udhëzoi të botojë një album turistik dedikuar Dardhës, jo vetëm për ta promovuar atë, por edhe për të paraprirë egon e ambicjen saj për aplikimin e “industrisë” së turizmit si një degë e  zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit.

Për hartimin e Albumit Turistik të Dardhës, me propozim të Entit Kombëtar të Turizmit, Bashkia e Korçës ngarkoi  një komisioni të  posaçëm të përbërë nga intelektualë të njohur si Kristaq Cipo-Drejtor i Liceut Kombëtar, Anastas Mio-drejtor i Bibliotekës “Thoma Turtulli”, Stavro Skëndi-profesor,  Vangjush Mio-profesor dhe piktor dhe Sterjo Spasse-shkrimtar, të cilët shkuan në Dardhë, për të vizituar e vendosur rreth idesë dhe përmbajtjes së këtij albumi, gjetën material e foto sugjestionuese, vizituan disa nga pikat piktoreske në gjirin e “pyjeve fantastike” dhe paskëtaj hartuan brendinë, që në mënyrë sintetike dhe shumë elokuente pasqyronte realisht resurset natyrore, klimaterike,  ekonomike, etnokulturore, humane e sociale të këtij fshati piktoresk e ideal për aplikimin e turizmit. 

Albumi Turistik “DARDHA” përbëhet nga 32 faqe, në të cilat janë vendosur në mënyrë të alternuar një set fotosh e tekstesh nga natyra, mjediset urbano-arkitektonike, pamje të traditave etnokulturore e sociale të banorëve dhe shkrime të ndryshme, kryesisht konsiderata të autoriteteve dhe personaliteteve të atëhershme politike e administrative, kulturore e shëndetsore, poezi kushtuar Dardhës nga Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kutelit, etj. Ballina e saj ka një pikturë të  piktores dardhare Anfroniqi Zengo me ngjyra, ku paraqitet  një vajzë apo nuse e re, e veshur me kustumin festiv dardhar, në një mjedis dardhar.100_2680.jpg

Albumi hapet me një foto të motrës së Ahmet Zogut, princeshës Maxhide që kishte edhe atributin e Kryetares së Naltë dhe Patroneshës së Turizmit dhe përbri saj në faqen e dytë ndodhet letra e saj përshëndetëse drejtuar kryetarit të Shoqërisë Dardhare “Shpresa”, Dardhë e që mban datën 9 Maj 1938, ku përgëzohet iniciativa e këtij botimi, vlerësohet bujaria natyrore, klimaterike e virtytet e dardharëve dhe bëhet thirrje që kjo ndërmarrje të bëhet shembull edhe për zona të tjera turistike. Në faqen pasuese është fjala e shkurtër e Musa Jukës, Kryetar i Entit Kombëtar të Turizmit dhe Ministër i Punëve të Brendshme. Më tej vjen poezia e poetit të nohur Asdreni kushtuar Dardhës, ku ndër të tjera poetizohet:

VERIMI NË DARDHË

….

Në do jetë o derëbardhë

Gjak në rrembat e shëndet

Mere rrugën shko në Dardhë

Ku ndjen gas me të vërtet.

Gjith katundi krahë-hapur

Me gëzim si mik të pret,thr007.jpg

Tërë dyert janë hapur:

Ti hyn brenda si  një mbret.

Lart ke mal të gjelbëruar

Lule-shtruar bukuri,

Erë pylli të qëruar:

Në qofsh plak të bën të ri!

Ke burime shkumbë-ergjëndi

Uji-i tyre që të ngjall,

Si dhe pamjet e ç’do këndi

Që të mbushin plot me mall!

Faqet verdha, faqet bardha

Dhe të dobtat mushkëri,

Prap të kuqe t’i bën Dardha

T’ep fuqi dhe lumturi!

…

Si për të sprovuar këtë trill poetik pason një përshkrim thuajse idilik i bukurive natyrore të Dardhës, i pyjeve fantastikë, i ujrave të ftohtë e të kristaltë, i vendeve të preferuara për shëtitje e piknike, i vlerave dhe bujarisë të familjeve e shtëpive me çati plloçash  të varura nën njera-tjetrën që, nga Guri i Vjeshtës dhe Kisha e Shën Pjetrit, duken si “çerdhe orësh”. Gjithçka shplodhëse e përteritëse!

Një foto e fotografit të njohur dardhar Thimi Raci në qendër të së cilës gjenden shkolla moderne (që do t’ia kishte zili edhe një qytet) e ndërtuar nga emigrantët dardharë të SHBA dhe Rumanisë më 1924,   si dhe kisha e bukur e Shën Gjergjit e rindërtuar më 1839 shprehin simbolikisht prosperitetin shpirtëror, karakterin arsimdashës e besimdashës të këtij fshati plotësisht të krishterë, historia e të cilit fillon me qëndresën dhe rebelimin ndaj konvertimit fetar nga Perandorisë Osmane.

Faqet 10-11 i rezervohen shkrimit të drejtorit të Liceut të Korçës Kristaq Cipo, në të cilin rikonfirmohen prioritetet turistike e bukolike  të Dardhës, në qendër me slloganet “Cili viziton Dardhën një vit do ta vizitojë dy e tre e gjithë jetën.”  Dhe  “Çlodhu një muaj në Dardhë në do të zgjatësh jetën tënde”.  Shkrimi shoqërohet me dy foto të kostumit dardhar të grave dardhare.

Dy faqe reklamash me pamje nga pyjet dhe komoditetet që mund të gjenden në Dardhë i përmbyllin ato me epigramën “Dardha, çudi e Zotit…”

Lasgush Poradeci përfaqësohet në këtë album me poezinë “Dashuri Dardhare” e cila shoqërohet edhe me dy foto-një djalë e një vajzë të veshur me kostumet tradicionale të Dardhës:100_2431.jpg

DASHURI DARDHARE

Kjo mbrëmje plot me qetësi,

Kjo pamje plot me bukuri,

Kjo dehje plot me fshehtë[si.

Dhe vasha ndjen, dhe vasha ri

Dhe trimi vjen, dhe trimi s’ri,

Dhe zemra bren e zjen në gji.

Si ndrin kështu, moj vashëri!

Si shkrin kështu, moj trimëri!

Si plas kështu, moj dashuri!

Kjo mbrëmje’e pamj’e dehje e fshetë,

Dhe vash’e trim’e zemr’e shkretë,

Si ndrin e shkrin e plas përjetë.

Ndërkaq edhe Mitrush Kuteli në esenë e tij të shkurtër, por plot kolorit “Dy fjalë përmi turismin”, pasi shpalos idetë e tij për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, me dhimbje në zemër e lotë në sy shpreh nostalgjinë e tij për Dardhën, për këtë “çip parajse të zbritur në dhe” dhe për pamundjen e këtij mërgimtari që fati  e ka hedhur fort larg e  që rrallë mund të vijë këtu. dardha 1.jpg

E, kështu, faqe pas faqeje, nëpërmjet fotosh fantastike të fotograsfit dardhar Thimi Raci, mbresash, shkrimesh këshilluese, përparësish të mrekullive natyrore, klimaterike, shëndetsore, pasurive etnografike, folklorike, kulturore plotësohet tabloja e protagonizmit turistik të këtij visari kombëtar.  Njeri pas tjetrit, Dr. Qemal Jusuffati, drejtor i përgjithshëm i shëndetsisë (Ay që viziton Dardhën nuk shkel në barnatore…), Dr. Pandeli Glozheni (Era e Dardhës vlen më fort se qindra kuti e shishe me barna të sjella nga Evropa…), Dr. Nusret Kokobobo, drejtor i Qendrës Hygjenike të Korçës, Dr. Sali Zavalani, drejtor i Spitalit të Shtetit në Korçë (personalisht kam veruar vite me radhë familisht në këtë katund piktoresk dhe kam përfituar pa masë nga klima e shëndeçme e Dardhës…-SZ), Dr. Th. Zhusti, Andrea Ktona, sekretari Shoqërisë Dardhare “Bashkimi” në Bukuresht (Dardha, katundi im lindor), etj. krijohet vizioni i një realiteti të mrekullueshëm natyror, klimaterik, i përparuar  e turistik.  Në faqen e fundit botohet  një këngë autentike nga folklori i pasur i Dardhës:100_3473.jpg

1897816_670176873029272_2130857109_n+.jpg

FIJE NGA FOLKLORI I DARDHËS

Shamiverdha pika-pika

Ajde shami-verdha, o moj pika-pika,

Më vrave, të vraftë pika;

Ajde me dy mollë, o moj të godita,

Më vrave, të vraftë pika!

….

Dhe surpriza e fundit e këtij katalogu janë dy foto që paraqitin princeshat motra të Ahmet Zogut, Maxhidesë, Ruhijes e Sanijes gjatë një vizite në Dardhë, ku bije në sy jo vetëm kënaqësia e tyre që ndodhen aty, por edhe bujaria e mikpritja festive që banorët e Dardhës u kanë rezervuar atyre si përfaqësuese të familjes mbretërore. Mbresat e tyre nga kjo vizitë sigurisht kanë qenë edhe një  nxitje dhe mbështetje  më shumë për hartimin e albumit të parë turistik në Shqipëri, që i takon Dardhës.1798695_670170233029936_701366872_n (1).jpg

Botimi dhe printimi i këtij albumi autentik, si dallëndyshja e parë e turizmit shqiptar, është atribut i përbashkët i Shoqërisë Dardhare “Bashkimi”, Rumani dhe Shoqërisë  “Shpresa”,  Dardhë dhe u finalizua nën kujdesin e Mitrush Kutelit në Atelierët e Tipografisë “ALBANIA” në Kostancë, Rumani në vitin 1938.

◙ ◙ ◙ ◙

FOTOT:

  1. Pamje e Dardhës rreth viti 1930
  2. Ballina e Albumit Turistik DARDHA
  3. Princesha Maxhide dhe Letra e saj në albumin e Dardhës.
  4. Letra e princeshës Maxhide drejtuar Kryetarit të Shoqërisë  dardhare “SHPRESA”
  5. Shkolla dhe kisha e fshatit në album.
  6. Inaugurimi i rrugës automobilistike Dardhë Korçë.
  7. Rrugicë e fshatit, kartolinë

8,9,10, Princeshat Maxhide, Ruhije e Sanie në Dardhë.

Letra e Princeshës dhe Patroneshës së Turizmit, Maxhide Zogu në f.3 të Albumit :

Enti Kombëtar i Turizmit

               Zyra e 

 N.S.M. Princeshës Maxhide

Patronesha dhe Kryetarja e Naltë

           e Turizmit

Tiranë në 9 Maj 1938

Zoti Kryetar,

Ju çfaq  kënaqësinë time për nisjativën e Shoqërisë “Shpresa”, e cila po fillon me anë botimesh t’illustroj bukuritë e katundit Dardhë. Kjo nisjativë duhet të jetë shembull sidomos për Bashkitë e ndryshme të Mbretnisë, të cilat vetëm duke krijuar një lëvizje turistike të mbrendëshme mund të pasurohen dhe mund të zhvillojnë  industritë e ndryshme të cilat influencojnë ardhjen e të huajve në vendin t’onë.

Dardha për virtytet e saja klimaterike, për bukuritë që natyra i ka dhuruar me bujari të plotë, për kostumet e saja sugjestive, meriton të bëhet një qendër verimi me rëndësi. Jam e sigurt se nisjativa e Juaj do të kurorëzohet prej suksesit të dëshiruem, dhe një sasi e madhe të shqiptarëve të cillët shkojnë për të veruar në viset e huaja, do ta mësojnë se në Atdheun T’onë gjinden  vise shum më të bukura.

Patronesha dhe Kryetarja

      e Naltë e Turizmit

          Maxhide Zogu

Kryetarit

     Të Shoqërisë “Shpresa”

                           D a r d h ë

Filed Under: Kulture

Kursi i Gjuhës Shqipe në Universitetin Shtetëror të Arizonës nën udhëheqjen e Prof. Linda Mëniku

December 12, 2024 by s p

The Critical Languages Institute is a national training institute for less commonly taught languages, offering summer intensive courses and study-abroad programs around the world.

Every summer, CLI brings students from across the U.S. together to develop their linguistic and cultural competency rapidly and effectively through intensive immersion programs. Explore the tabs above to learn more about the Albanian course offerings at CLI.

https://melikian.asu.edu/cli/albanian?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR2a4g51zg3azsvKOWq3uyfLJa2TRtAhGTJ1Q15nnCpoQqM7a_j2SqJpCRE_aem_8u-O5AYmuLOZ7tVaFNTiuA

Filed Under: Kulture

“𝐏𝐮𝐭𝐡𝐣𝐚” 𝐞 𝐆𝐮𝐬𝐭𝐚𝐯 𝐊𝐥𝐢𝐦𝐭

December 11, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Puthja e ka shoqëruar njerëzimin në çdo hap, simbol, kulturë, letërsi, pasion, tradhti si e ajo e Judës, e padyshim në art. E kryejmë këtë akt njerëzor çdo ditë, por kur ndalemi e mendojmë apo flasim për të, menjëherë përfytyrojmë veprën Puthja (1908), nga Gustav Klimt (1862-1918).

Kjo tablo, e titulluar nga autori “Dashnorët” dhe më pas publiku iu referua si “Puthja” në formën e një katrori barazbrinjës prej 1.8 metra, e ndodhur në muzeun Belvedere të Vjenës, është ndër më të njohurat në mbarë botën, dhe e bëri Klimt-in tejet të njohur pas mesit të shekullit të njëzetë. Ashtu si kjo pikturë edhe vetë krijuesi i saj ishte tejet i veçantë.

Në Vjenën aristokrate, në vendin e saloneve të arta, e të atmosferës perandorake, Klimt vishej me sandale, mbulohej me një rrobë murgjish ngjyrë blu, të varë gjer tek këmbët,

Vepra Puthja përban dy figura, një mashkull dhe një femër, të mbështjellë në një përqafim të artë. Të dyja figurat janë të ndërthurura simbolikisht teksa përballen me humnerën e përsosmërisë. Nga rrobat e krijuara artistikisht rrjedh një shi i artë që bekon tokën pjellore poshtë tyre, me bar jeshil e lule shumëngjyrëse.

Vijmë tek sfondi i artë i tablosë. Jo vetëm mbulesa e përqafimit por edhe sfondi është prej ari. Në vitin 1903, Klimt udhëtoi dy herë në Ravena, Itali, ku pa mozaikët e San Vitale, të cilat me elementët e tyre bizantin ndikuan në krijimtarinë e artistit, në atë që njihet si “Periudha e Artë.” Por frymëzimi nga veprat bizantine të rrethuara me ar vinte edhe nga e shkuara e vetë Klimt, i cili vinte nga një familje me baba dhe vëlla argjendarë.

Puthja, prej dekadash të tëra, shkaktoi debate mbi qëllimin e artistit. A ishte ai në të? A është mashkulli në tablo përshkrim i autorit, dhe a është femra në atë pikturë e dashura e tij e përhershme Emilie Flöge? Apo mos ndoshta Klimt e pikturoi këtë vepër si një alegori, një tablo univesale pasioni që shpalos instinktin njerëzor bazik?

Pas shumë spekullimesh, gjatë kohëve të fundit u botuan shënimet e një ish modeleje në salonin Flöge. Sipas saj Emile shihte tek piktura veten e saj dhe Klimt-in. Dhe gjithashtu doli në dritë një bllok vizatimesh e vitit 1917 në të cilin gjendet një skicë e dy të dashuruarve të përqafuar, dhe anash ka emrin “Emilie” të shkruar me gërma të mëdha.

Emilie, një stiliste veshjes, ishte e dashura e artistit për njëzetë e shtatë vjet, por ata nuk u martuan kurrë.

Puthja, është një instinkt primitiv pasioni midis artistit dhe të dashurës së tij, por nuk duhet harruar se nuk mund të arrijmë të gjejmë një ngjashmëri të Emilie në figurën e femrës, dhe aspak ngjashmëri të vetë Klimt-it në figurën e mashkullit, kësisoj kjo vepër mund të merret si një tablo alegorike, një simbol i pasionit të mbarë racës njerëzore. Vetë Klimt, u shpreh kështu:

Nuk ka asnjë autoportret timin. Nuk jam i interesuar në veten time si ‘material për pikturë,’ përkundrazi jam i interesuar te të tjerët, sidomos femrat, e madje më shumë edhe në fenomenet e tjera. Jam i bindur se si person nuk jam aspak interesant. Nuk ka asgjë të veçantë për t’u parë në mua. Unë jam piktor, dikush që pikturon çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje.

Ndaj vepra Puthja duhet parë universalisht. Edhe ne sot, mund të gjejmë veten sipas gjinisë në këtë tablo, dhe ndoshta ky ka qenë qëllimi i Klimt-it, duke pikturuar një pasion të zjarrtë të dy figurave pa fytyra të qarta, pasi ato fytyra mund të jenë tonat.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 543
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT