• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Veprat e dhuruara nga miqtë italianë të Ibrahim Kodrës, në një ekspozitë

February 12, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi/- Veprat e artistëve italianë që iu dhuruan bashkisë së Durrësit në nderim të piktorit Ibrahim Kodra do të ekspozohen për herë të parë në Durrës, në 8 vjetorin e ndarjes nga jeta të mjeshtrit të pictures shqiptare./

Burime nga drejtoria muzeale e qytetit bënë të ditur për ATSH-në se në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” do të ekspozohen një pjesë nga 119 veprat në pikturë dhe skulpturë që mbërritën në Durrës në fundin e vitit 2005 me ndërmjetësinë e Fondacionit kulturor “Kodra” me qendër në Milano. Tablotë e miqve dhe kolegëve të artistit shqiptar po ekspozohen për herë të parë në një numër të konsiderueshëm-thanë burimet.

“Projekti i vitit 2005 për ngritjen e një galerie me vepra të autorit të madh shqiptar dhe kolegëve të tij italianë nuk është realizuar ende për mungesë fondesh”, shtuan burimet nga drejtoria e muzeve.

Në vitin 2005, kur Kodra ishte ende gjallë, një grup artistësh italianë bashkëkohës nga qytete të ndryshëm të Italisë  dhuruan secili nga një vepër në shenjë respekti për kontributin e mjeshtrit shqiptar me përmasa evropiane. Marrëveshja mes bashkisë së Durrësit dhe fondacionit “Kodra” parashikonte edhe hartimin e një katalogu me të dhëna për krijuesit dhe punimet përkatëse. “Tablotë me përmasa mesatare dhe të mëdha aktualisht ruhen në mjediset e shtëpisë muze “Aleksandër Moisiu” dhe vetëm 20 prej tyre janë ekspozuar në veprimtarinë kombëtare “Poeteka 2009”, shtuan burimet, sipas të cilave deri më tani katalogu nuk është hartuar .

Ibrahim Kodra, i cili mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, mbylli sytë më 7 shkurt të vitit 2006 dhe nuk arriti të shohë të realizuar projektin e kolegëve të tij nga Italia, vendi në të cilin ai punoi dhe ku u bë mjaft i njohur si piktor krejtësisht i veçantë. Ibrahim Kodra është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare të shekullit të kaluar.

Mjeshtri Kodra, i cili u largua nga Shqipëria në moshën 18-vjeçare për të studiuar në Akademinë e Arteve Figurative në Breras, pranë Milanos ku dhe ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare. Trupi i tij tashmë prehet në kodrën e Ishmit, vetëm disa qindra larg fshatit Likmetaj ku u lind në 18 prill të vitit 1918(Kortezi ATA)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspozite, Ibrahim Kodra

“Marubi” ekspozohet në Kosovë në 6 vjetorin e Pavarësisë

February 12, 2014 by dgreca

Nga Gaspër Marku/

SHKODËR- Një koleksion me fotografi të përzgjedhura nga fototeka “Marubi” do të ekspozohet për herë të parë në Galerinë e Arteve në Prishtinë, në kuadër të 17 Shkurtit ditës së Pavarësisë së Kosovës. Nën kujdesin e dy kuratorëve të ekspozitës, drejtorit të fototekës “Marubi”, Luçjan Bedeni dhe piktorit të njohur, Zef Paci, artdashësit kosovarë do të njihen me foto të rralla historike të kollosëve të fotografisë shqiptare, vëllezërve Pietro, Kel dhe Gegë Marubi, por edhe me punimet e Kol Idromenos, një tjetër emblemë e kësaj gjinie arti në Shkodër. Pjesë e ekspozitës do të jenë edhe emra të njohur të artit fotografik të një brezi më të vonë, si Pjetër Rraboshta, Ded Jakova, Shan Pici dhe deri tek Angjelin Nënshtati, përfaqësuesi i brezit më të fundit të artit fotografik në Shkodër.

Ekspozita, që do të çelet në Galerinë Kombëtare të Prishtinës në 14 shkurt, titullohet “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi” dhe fotot e përzgjedhura kanë fiksuar pamje nga Shqipëria, Kosova, Ballkani nga shekulli XIX e në vijim.

“Ky është udhëtimi i parë që ndërmarrim drejt Kosovës, i cili u bë i mundur falë bashkëpunimit me Galerinë Kombëtare të Kosovës”, tha për ATSH-në drejtori Bedeni, i cili sot (e mërkurë) është nisur drejt Prishtinës së bashku me kolegët e tij.

Pak ditë më parë, ekspozita “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi” u çel në Bruksel, dhe sikurse shprehet zoti Bedeni u ndoq me interes. “Pas Kosovës, kjo ekspozitë  do të ketë destinacione të tjera ndërkombëtare”, tha ai

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspozohet ne Kosove, marubi

KULTURA KËRKIMORE SHKENCORE

February 11, 2014 by dgreca

Metoda e kërkimeve shkencore është formë e përhershme e aplikimit të logjikës, të përbashkimit të njohjeve dhe arsyes, në studimet shkencore. Pa një metodë të kërkimeve dhe hulumtimeve, hyrja në shkencë do jet vetëm dëshirë, shkruan-  Prof.dr.Avni Presheva./

Nga Rustem GECI/ Dortmund/

Toka vazhdimisht sillet rreth diellit, që planeti ynë I katërt, toka, dhe jeta jonë njerëzore në tokë të ecën nëpër 4 stinët e saj. Vetëm në këtë rrugëtim, ajri i vjetër pastrohet nga ajri I i ri. Baza e shkrimit universitar dhe akademik është udha nga ecin aktualisht artet dhe shkencat. Metodologjia e Kërkimeve Shkencore e Prof.dr-Avni Preshevës, për problemet e kërkimeve shkencore, trajton në formën ma të kulturuar aplikimin e logjikës dhe të filozofisë në shkencë.Ky libër për kulturën e kërkimeve shkencore të Prof.dr.Avni Preshevës, është një prurje e re, jo vetëm për studentët e Universitetit, por edhe për institutet shkencore e artistike.Libri „Metoda e Kërkimeve Shkencore“, ndahet në dy pjesë; në pjesën e parë trajtohet mënyra e tërthort e kërkimeve shkencore, ndërsa në pjesën e dytë, Prof.dr. Avni Presheva vë në lëvizje aplikimin e logjikës për të arritur tek njohja me anë të arsyes. Njohja dhe zbatimi i kërkimeve shkencore në universitete dhe institucione, shkruan Prof. Presheva, fillimisht kërkon kulturë të gjerë të njohurive, për temën, metodën, dhe qëllimin.

Prof.dr.Avni Presheva u  lindë në vitin 1944 në Preshevë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Preshevë. Ndërsa Fakultetin  Filozofik , Filozofi – Sociologji, dhe Studimet pas-universitare, i mbaroi në kryeqytetin e Bosne-Hercegovinës, në Sarajevë. Avni Presheva është shkecëtar i mirëfilltë. Udhën për në zemër të shkencës ai kurrë nuk e ndaloi. Pas mbarimit të studimeve pas-universitare, Prof. Avni Presheva bëhet, Doktor I Shkencave, për Filozofi dhe Sociologji.

Fal punës dhe aktiviteteve shkencore,Prof.dr. Avni Presheva i ka të fituar të gjithë gradat e Profesorit universitar. Prof.dr. Avni Presheva deri më tash ka botuar mbi 30 punime shkencore për Filozofinë e gjuhës, për Gjuhën dhe semantikën, për Teoritë e njohjes në shkencë, dhe për Filozofinë e kuptimit. Prof.dr. Avni Presheva deri më tash ka botuar këto vepra;

1.Filozofia e gjuhës, U P , Prishtinë 2. Prej gjuhës në gjuhë, Hannover, Gjermani 3. Gjuha dhe Metagjuha,  Tiranë4. Metodologjia e kërkimeve shkencore, USH, Tetovë.  5. Interpretimi i së së drejtës në shkencat juridike,Shkup 5. Bazat e logjikës, dhe 6. libri me poezi “Atyre që do të vijnë”, janë në process të botimit.

Veprimtaria krijuese e Prof.dr. Avni Preshevës është e gjerë dhe e thellë. Në gjuhë shkruan, Prof. dr. Avni Presheva, është historia e çdo populli, brendia e tij krijuese, fjala dhe shkretëtira e fletës së bardhë, e pagjendshmja e sotme, e pathëna e paprekur. Mbi këtë truall gjuhësh e mendimesh lind e lëviz, arti, kultura, dhe shkenca. Gëzimi, hidhërimi, dëshprimi, streset, trazimi, ëndrrat, imagjinata dhe dhimbjet që e flasin gjuhën dhe kuptimin, janë në pemën e jetës. Në fushë të filozofisë gjuha konsiderohet identiteti më  i paanshëm, dhe i  përbashkëti i Qenies.

cilësori më i paluajtshëm i të jetuarit bukur dhe poetikisht. Shkëlqimi i njeriut me talent për krijimtari, njeriut i jep mundësi të krijon vepra që të egziston. Filozofi, Prof.dr.Avni Presheva, me librin,  “Prej gjuhës në gjuhë”, përuron mendimin filozofik shqiptar, për problemet e gjuhës, semantikës, dhe mendimit. Në përdorimin filozofik, filologjik e semantik të gjuhës në fillim të këtij mileu, shkruan Prof.dr.Presheva, trajtimi i gjuhës ka rëndësi të veçantë në filozofinë bashkëkohore. Me këtë problematikë janë të preokupuar njerëz të të gjitha niveleve.

Njjeriu që merret me filizofi, duhet të jetë  impulsiv, i guximshëm, dhe me gjykim të prerë. Filozofi duhet të jetë i mbushur me njohuri të shkencës dhe artit, dhe ta njoh mirë kuptimin e të menduarit, për t´iu përgjigjur sfidave të kohës.

Filozofi  Avni Presheva, me librat “Prej gjuhës në gjuhë”, dhe „Metodologjia e kërkimeve shkencore“,  shkencën e Filozofisë dhe të Sociologjisë e pasuron me vepra të të mirëfillta për kohën.

Filozofisë, kësaj  mbretëreshë të lashtë, dhe hijerëndë nuk i dilet me vepra të çfardoshme përpara.  Andaj të merresh me filozofi thotë  Avni Presheva, duhet të jesh i zgjuar dhe me talent, çapkën dhe impulsiv, për ta trajtuar më guxim, grimcat dhe atomet e  mendimit. Të qeshurën e mendimit, kuptimin e mendimit, ndryshimin dhe trajtat, lexuesi mund t´i gjejë në librin “Prej gjuhës në gjuhë”.

Jeta e njeriut kudo është një gjithësi problemesh. Kuptimin e këtij problemi filozofik Avni Presheva, e ka shtruar për së mbari,me disiplinat më të përparuara të filozofisë. Plot gjëra burojnë prej dhembjeve, prej të thjeshtave, prej lëndëve të papërpunuara. Në shtëpinë e mendimit, Prof.dr. Avni Presheva, na e prezenton një botë të tërë mendimesh e kundërthëniesh që preokuponë mendimin bashkëkohor filozofik. Andaj, libri ”Prej gjuhës në gjuhë” dhe „Metodlogjia“ janë një arritje e madhe për shkencën e Filozofisë tek ne.

Prandaj, hyrja në gjuhë ,në errësirën e fjalëve, në errësirën e tingujve dhe mendimeve, në muzgun e më të pashkelurave, pa njohjen e kodit të metodologjisë kërkimoro-shkencore, shkruan Prof.dr.Avni Presheva, është e pamundur të bësh truall dhe të kesh prodhim shkencor dhe artistik. Libri „Metodologjia e Kërkimeve Shkencore“ që po i jepet në dorë lexuesit universitarë dhe akademik, përbën majen e një enciklopedie për përdoruesit e ardhshëm. I uroj punë e shëndet, Filozofit, publicistit dhe eseistit, Prof.dr. Avni presheva! Sukses!

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Avni Presheva, Kultura kerkimore, Rustem Geci, shkencore

61 INTERVISTAT E RAIMONDA MOISIUT, URA BASHKIMI DIASPORE& ATDHE

February 10, 2014 by dgreca

Refleksioni rreth librit voluminoz ( 601 faqe.) me Intervista “”Letrat shqip këndej e përtej Atlantikut”/

Nga Prof. Dr. Prend Buzhala/

Shkrimtarja  Raimonda Moisiu tashmë ka vënë kontaktin e saj  me lexuesin me disa vëllime në poezi, në zhanrin e tregimit artistik, në publicistikë, në zhanrin e romanit, në atë të essesë e analizës letrare dhe së fundmi në zhanrin e privilegjuar të intervistës. E pra, “Letrat shqipe janë të përhapura në ato anë të globit, ku shtrihet civilizimi europian. Mund të flitet për Fjalën & Letrat Shqipe në Europë, SHBA-s, madje edhe në Australinë e Largët, por vështirë se mund të flitet për Fjlaën e Letrat Shqipe në kuadrin e civilizimeve tjera jopranuese të Fjlaës sonë e shkrimit shqip. Intervista sikur e ka trashëguar traditën europiane të dialogëve që nga Platoni e këndej. Ndryshe nga civilizimet e tjera, dialogu, bashëbisedimi është tipar dallues i civilizimit europian që nga ditirambet e lashta greke e deri te dialogët filozofikë të Ksenofonit, Platonit dhe Aristotelit, për të komunikuar një problematikë etike. Edhe intervista është shenjë e Epokës Moderne që nga Renesanca e këndej, kur zuri të përhapej galaksia e Gutenbergut nëpërmes Fjalës së Shtypur; është shenjë moderne e Qytetërimit Europian.Prandaj edhe sot ekziston shprehja e dialogut sokratik, për ta shqiptuar a shfaqur një urti përmes kuvëndimit. Te Platoni  dialogu filozofik merr edhe trajtë artistike, ku dialogojnë filozofët, poetët dhe të rinjtë nga rrethi i Sokratit. Intervista me shkrimtarë, publicistë, botues, diplomatë e politikanë që marrin lapsin në dorë për t’i komunikuar dicka tjetrit, te vëllimi “Letrat shqip këtej & përtej Atlantikut”, janë intervista që e marrin rolin e përvojës si mësuese të jetës aq të sigurtë a aq urtakë njëkohësisht, nganjëherë edhe të sertë , dhe aq të shtruar e shkoqitës, herëve të tjera; aq me temperament, duke i paraqitur zhgënjimet tona përballë pritjeve e përballë vlerave të mirëfillta kulturore dhe aq shpresëdhënëse për vlerat. Secili prej nesh ka dicka për t’i thënë Tjetrit, me të cilin i ndajmë mendimet, sqarimet, kuvëndimet, gëzimet, dëshpërimet, po edhe rragatat. E rëndësishme është që në këso rastesh të ndash të domosdoshmen, esencialen.Intervista, megjithatë është ndër zhanret më të kërkuara të epokës moderne. I ka lexuesit e saj të shumtë që e parapëlqejnë dhe që e lexojnë me pasion.Vëllimi me intervista hapet me një shënim të Prof. Murat Gecaj, dhe është redaktuar nga Kryerdaktori i Gazetës TIRANA OBSERVER, z. Altin Sinani, -gazetë e cila ka botuar në të përditshmen e saj, përqindjen më të madhe të tyre. Libri është voluminoz me gati 600 faqe, dhe hapet me bashkëbisedimin e  zhvilluar me shkrimtarin Naum Prifti -shkrimtar të cilin ajo e quan Mjeshtër të rrëfimit e dialogut, bashkëbisedim që komunikon vlerat artistike të ëndrrës dhe përvojës së jetës. Dhe pyetjet e Raimondës, në këtë bashkëbisedim, nxjerrin portretin e plotë të shkrimtarit, autobiografinë  e tij krijuese e shpirtërore; të fshehtat e artit e laboratorit krijues .Kjo metodë bashkëbisedimi e intervistimi  vazhdon me shkrimtarët Petraq Zoto, Skënder Rusi, Agim Shehu, Fatmir Terziu, Ylber Merdani, Albana Mëlyshi -Lifschin, Vangjush Ziko, Alfred Papuciu, Artan Mullaj, Ramiz Gjini, Thani Naqo, Iliriana Sulkuqi, Agim Bacelli, Merita Bajraktari -McCormack, Rozi Theohari, Fatime Kulli, Vullnet Mato,Mëhill Velaj,juristi e diplomati Sokol Brahaj, Adnan Mehmeti, Drenusha Zajmi-Hoxha, Kozeta Zavalani, Kristaq Turtulli, Luan Xhuli, Myrteza Mara, Vilhelme Vranari, -Haxhiraj, Robert Martiko, Sami Milloshi, Jorgo Telo, Edmond Shallvari, Përparim Hysi, Riza Lahi, Mardena Kelmendi, Istref Haxhillari,Fation Pajo, Petraq J.Pali, Teuta Shabani -Toëler, Eleonora Koka-Gjoka, Fiqri Shahinllari,  Viron Kona, Ziko Kapurani, Pjetër Jaku  dhe Julia Gjika, -Naci, shumica ndër ta edhe publicistë redaktorë e njerës të veprimtarisë kulturore, botuese etj. Sjell ky vëllim edhe njerës të fushave të tjera, si nga diplomacia e politika, si Josef  Dio Guardin, nga teatri apo filmi, aktorët e mirënjohur e të talentuar Anastas Nika dhe Zamira Kita, nga jurisprudenca dhe sporti, nga veprimtari kulturore apo gjuhësia biznesi apo aktivistë të shquar të cështjes kombëtare, etj, sic janë: James W.Pandeli, Xho Dio Guardi, Prof. Dr. Murat Gecaj, sopranon e verbër amerikane shqipfolëse Carrie Hooper, kolonelin mes Prishtinës e Tiranës, Dilaver Goxhaj, Medije Vraniqin, intelektualen e shquar në Kanada Ruki Kondaj, Mimoza Ahmetaj,Mimoza Dajci,Pandeli Gëllci dhe Leka Bezhani. Te e fundit Intervistat e Monda Moisiut lexuesi i interesuar ka mundur t’i ndjekë e shijojë edhe nëpërmjet revolucionit teknollogjik informativ të mediave vizive e të shkruara -internetit, revistave,  shtypit elektronik të tipit ONLINE.Kjo do të thotë që autorja i ka shfrytëzuar trajtat më bindëse e me autentike të besueshmërisë në mediat elektronike e që janë disa nga avantazhet gati të paarritëshme  në krahasim me publikimiet klasike gazetareske apo librore, pikërisht për shkak të dinamizmit në një shkallë jashtëzakonisht të lartë të komunikimit me audiencën. Intervista e Mondës shkon përtej një interesimi të publikut për të marrë të gjitha përgjigjet e pyetjeve që ai kërkon për aktualitetin.Këto intervista arrijnë të ndricojnë një apo më shumë cështje dhe kurdoherë arrijnë ta shqiptojnë aktualitetin e problematikës së shtruar, ndërgjegjshëm, me potencë intelektuale dhe me përgjegjësi teorike, kritike, profesionale e krijuese. Fatmirësisht, dekadave të fundit janë botuar vëllime me vlerë nga zhanri i intervistës. Edhe ky libër na vjen në kohën kur intervistat sot bëhen me bollëk, duke ngritur kulte te rrejshme, sidomos nga sferat e muzikës e sportit, bëhen me poltikanë gjysëmanalfabetë, me pseudointelektualë, me sojsorrollopësh pushtetarë zëdhënësish për informim; bëhen madje edhe me manekinë, me modelistë, me miss-e, me aktorë e me pseudo të panumërt. Intervistat e tilla mbase krijojnë një atmosferë argëtimi me lexuesit që kërkojnë shije të sipërfaqëshme, por nga ana tjetër, nuk kënaqin shijet i intervistës profesionale, sepse krijojnë rrëmujë antivlerash.Bëhen intervista pa i plotësuar kriteret kryesore, pa i plotësuar kërkesën e respektimit të standardit gjuhësor apo kërkesën për të mos bërë pyetje të nivelit pseudointelektual dhe për të  mos marrë përgjigje  gjysmake, të përcipta e që nuk thonë gjë. Dikur Roland Bart  për fenomenin e tillë thoshte:”Është vrasje e dyfishtë ;”njëhere e mendimit, sepse na reziston dhe herën tjetër e gjuhës, sepse na tradhëton.”, Por ky vëllim vjen ndryshe, jo vetëm i përmbush kriteret profesionale, por merr  rolin edhe të një kronike të gjallë të letrave shqipe;shëndrrohet në një bashkëbisedues intim e dinamik për proceset në fushat e letërssë e kulturës, si dhe në fushat e tjera përkatëse, kryesisht në atë të letrave shqipe. Shëndrrohet pra sa në një zëdhënes të jetës në Diasporë  e po aq edhe në atë të bashkimit të urave midis Diasporës dhe Atdheut, sa në humanisten e bashkëbisedueses për shpalosjen e dhimbjeve e gëzimeve njerëzore, po aq edhe në rolin e bashkëbisedimit atdhetar, të shpalimit të pasoneve, dashurive njerëzore, të atdhedashurisë e patriotizmit, të krenarisë së të qënit shqiptar, të shtegëtimeve magjike nëpër të fshehtat e muzës krijuse e të laboratorit krijues, të jetës midis vargjeve  e vatrave të kulturës, midis diplomacisë botërore e mbi të gjitha, midis vatrave  të cështjes shqiptare.Aty, te secila intervistë rrezaton dhe buron dashuria për njeriun dhe të bukurën në jetë e art, aty ligjërojnë krahas muzika dhe letërsia, teatri dhe diplomacia, ligji dhe sporti, aty ndizet flakadan prometeik për t’iu dhënë të tjerëve dritë, dashuri, ngrohtësi, mirënjohje, për të shpalosur shembujt aq domethënës të lavdive shqiptare, të urtisë, modestisë e karaktert, për të prezantuar portrete krijuese e njerëzore. Aty krahas një mbijetese të ekzistencës në Diasporë, njeriu shqiptar nuk rreshtet për t’u dhënë pas botës si një banor i dinjitetshëm i këtyre dy brigjeve. Nuk është e habitëshme, prandaj pse ligjërimi bashkëbisedor i intervistave të Raimonda Moisiut, e përmbush funksionin komunikues  të gjuhës, tek e ngërthen edhe ngjyrimin emocional, gjithë temperament e gjithë intelekt, të shprehjes së mendimit subjektiv  për ta kumtuar të vërtetën apo për ta sqaruar një fenomen.Kuvendimi intervistues  shpesh rrezaton vlera të panjohura  e që përbëjnë thesare të kulturës sonë. Nëpërmjet këtij vëllimi intervistash autorja e zgjon muzën e kuvendimit a të oratorisë së bashkëbisedimit, dialogun nën shenjën e Polihimnisë e të Kaliopës -muzave të retorikës, porse aty në tryezën e bashkëbisedimit, dëgjihet zëri i korit të muzave, Eratos apo i perëndeshës së drejtësisë-Justicia dhe të gjitha këto kanë frymë e aromë shqiptare.Nëpërmjet kësaj muze të bashkëbisedimit, ajo paraqet kërshëritë, bindjet, qortimet dhe përvojat intelektuale, kulturore, e ruajnë frymën e kohës me angazhimet intelektuale e krijuese dhe me argumentimin racional të lëndës së intervistuar.Me një fjalë, intervista e vëllimit “Letrat shqip këndej e përtej Atlantikut” e luan rolin e zhanrit publicistik, letrar ashtu sikundër e luan edhe rolin të formave të tjera të mendimit e të kuvendimit.Të tubuar rreth një tryeze të përbashkët të bashkëbisedimit të duket sikur të gjithë të intervistuarit i kemi pranë kësaj tryeze duke komunikuar  e ndërkomunikuar, duke na përcjellë faktet dhe përvojat e tyre. Libri nuk parapëlqen grindjen, rragatën apo reagimin me temperament. Assesi ! Ai pikësynon të përcjellë tek koha jonë një tryezë tjetër qytetare të komunikimit, atë të urtisë e të dijes, të dëshmisë e të trashëgimisë së pasur shpirtërore e materiale, të pasioneve kërkimore, vepruese, kulturdashëse e arësimdashëse , më në fund, një sistem kulturor identitar vlerash dhe shenjash sa shqiptare aq edhe europiane.Bashkëbiseduesi i tillë ka ndjeshmëri për të tjerët, krijon marrëdhënie të menjëhershëme me një gamë të tërë të njerëzve, pos fjalës te këta njerës flet edhe ngrohtësia, buzëqeshja, prirja për të ndërtuar kontakte njerëzore, janë bashkëbisedues që preferojnë një mjedis bashkëpunues e humanist.Ata janë personazhe të pëlqyeshëm që shohin përtej “sipërfaqes “së gjërave, përtej ngjyrave a realitetit të ngjyrosur sipas paragjykimeve të të tjerëve. Kurse dialogu i tyre na qetëson, në këtë këmbim ndërkomunikues, sepse në këtë ndërkomunikim, pos intervistueses dhe të intervistuarit merr pjesë si bashkëbisedues i heshtur e gjithnjë aktiv edhe lexuesi dhe për këtë arësye ai e ndien veten të qetë dhe të vetdijshëmëm për interesin më të mirë..

Në këso rastesh, intervistueses i duhet të bëjë punë të mundimshme, të qëmtojë krijimtarinë e veprimtarinë e personalitetit të intervistuar, të shfrytëzojë paraqitjet publike, internetin, mediat, arkivat, bazat e të dhënave , leksikonët, bibliotekat , e-mail-et, telefonat, faxet, etj., ashtu sikundër i duhet të përdorë edhe citimet specifike, deklratat figurative, përdorimin e deklaratave përshkruese, tipin e rrëfimit të reportazhit, përdorimin e citimit për ta plotësuar e paraqitur më të plotë portretin e intervistuesit etj.

Së këndejmi, nuk është e habitëshme pse të gjithë këta personalitete të intervistuar shfaqin dhe shqiptojnë mendime të epërme, konsiderata të larta, vlerësime të lartësuara, që nuk ka se si të mos sintetizohen ndryshe, pos si vëllimi e mendimit të zgjedhur e të përzgjedhur.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 61 Intervistat, Prend Buzhala, Raimonda Moisiu

Nënë Tereza: shënjtorja e ‘djallit’*!

February 10, 2014 by dgreca

TE DHENA TE REJA NGA DR. GEZIM ALPION/

Dr Gëzim Alpion nxjerr në pah disa nga arsyet për trajtimin armiqësor që murgeshës shqiptare i bënë kolegët e saj në urdhërin e Loretos në Kalkutë që nga momenti kur ajo i bëri me dije në vitin 1946 se dëshironte të bëhej murgeshë e pavarur.

http://www.birmingham.ac.uk/news/latest/2014/02/mother-teresa-demon-saint.aspx

Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Birminghamit në Angli, Nënë Tereza, një nga figurat më të njohura fetare në botë, ishte akuzuar se ishte e çmedur, e cekët, djallëzore, dhe se gjoja kishte patur një lidhje intime me një prift i cili ishte drejtori i saj shpirtëror. Në studimin e botuar në revistën shkencore ‘International Journal of Public Theology’,* sociologu i Universitetit të Birminghamit, Dr Gëzim Alpion nxjerr në pah disa nga arsyet për trajtimin armiqësor që murgeshës shqiptare i bënë kolegët e saj në urdhërin e Loretos në Kalkutë që nga momenti kur ajo i bëri me dije në vitin 1946 se dëshironte të bëhej murgeshë e pavarur. Dr Alpion shprehet: ‘Në studimet e mija të mëparshme, veçanërisht në librin e botuar në vitin 2007 ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (‘Nënë Tereza: Shënjtore apo e Famshme?’), kam argumentuar se Nënë Tereza u diskriminua gjatë kohës kur ishte anëtare e urdhërit të Loretos si rezultat i origjinës se saj etnike dhe veçanërisht kur pati kurajon për t’i njoftuar eproret e saj irlandeze se nuk mund të vazhdonte të qëndronte në një urdhër fetar qëllimi kryesor i të cilit ishte arsimimi i vajzave të pasanikëve. Duke krijuar urdhërin e saj fetar të Misionereve të Bamirësisë (Missionaries of Charity) në vitin 1950, Nënë Tereza dëshmoi se ishte një personalitet fetar revolucionar me një vizion të qartë se çfarë duhej të bënin misionarët kristianë në një vend si India pas shpalljes së pavarësisë nga Britania.’

Botimi i shkrimeve private të Nënë Terezës, fillimisht në vitet 2000 dhe 2001 dhe veçanërisht në vitet 2007 dhe 2010, ofroi për herë të parë informacion për këtë misionare që, sipas Dr Alpion, paraqet interes për studiues nga disiplina të ndryshme akademike si sociologjia, misiologjia, teologjia, psikologjia, studimet e njerëzve të famshëm, studimet kulturore, studimet postkoloniale, studimet e racës dhe etnicitetit, etj.

Siç shprehet Dr Alpion, ‘Vizionarja Nënë Tereza bëhet një figurë me komplekse dhe më tokësore si individ si rezultat i informacionit të ri që kemi për gruan që fshihet pas kësaj murgeshe publike.’

‘Materiali i ri arkivor na lejon të krijojmë një ide shumë më të mirë për disa nga arsyet e armiqësisë që urdhëri i Loretos dhe disa urdhëra të tjerë fetarë në Kalkuta i rezervuan Nënë Terezës në fund të viteve 1940-të si dhe për disa dekada më vonë. Helmi që villej kundër saj është vërtet shqetësues: ajo u akuzua se ishte e çmendur, e cekët, djallëzore, dhe se gjoja kishte një lidhje intime me një prift i cili ishte drejtori i saj shpirtëror.’

Duke u përqëndruar kryesisht në veprat e studjuesve si Max Weber dhe Jürgen Moltmann, në këtë studim Dr Alpion e trajton qëndrimin armiqësor ndaj Nënë Terezës nga dy këndvështrime: sociologjik dhe ai i teologjisë publike. Vështirësitë që Nënë Tereza hasi para dhe pasi u largua nga urdhëri i Loretos, nxjerr konkluzionin Dr Alpion, është me interes për dy arsye: ‘Së pari, ata dëshmojnë natyrën e trajtimit armiqësor që u rezervohet udhëheqësve revolucionarë karizmatikë si në sferën e besimit fetar ashtu edhe në politikë. Së dyti, ata dëshmojnë edhe një herë se Nënë Tereza shkoi në Indi jo thjesht për t’i shërbyer Krishtit, siç kam theksuar në studimet e mija të mëparshme, por edhe për një arsye tjetër që është po aq e rëndësishme, pra me shpresë se do ta gjente në mjerimin e Kalkutës atin e saj hyjnor, për të cilin ajo zhvilloi një përkushtim të fortë pas vdekjes së papritur të babait të saj, Nikollë Bojaxhiu.’

Në këtë studim, Dr Alpion argumenton për herë të parë se megjithëse Nënë Tereza nuk ofronte ‘falje’ (absolutions), ajo e konsideronte si detyrim të kujdesej për të varfërit pa harruar të përkujdesej ndaj të pasurve’.

Ky studim, në të cilin argumentohet se me besimin e saj si veprimtare, karizmatikja Nënë Tereza përgatiti terrenin për rolin publik që feja po luan në ditët tona, është pjesë e projektit shkencor afat-gjatë të Dr Alpion në lidhje me errësirën shpirtërore të kësaj murgeshe të famshme, projekt që do të rezultojë në disa studime që do të botohen në revista shkencore dhe në një libër në të cilin ai shtjellon rolin e fesë në postmodernizëm.

Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni znj. Jenni Ameghino, Zyra e Shtypit, Universiteti i Birminghamit, +44 (0)121 415 8134. Celular: +44 (0)7768 924156. Email: j.ameghino@bham.ac.uk

  • “The Emergence of Mother Teresa as a Religious Visionary and the Initial Resistance to Her Charisma: A Sociological and Public Theology Perspective”, “International Journal of Public Theology”, Vol. 8, No. 1, February 2014, pp. 25-50.

                   KUSH ESHTE DR. GEZIM ALPION?

* Dr Gëzim Alpion ka një BA nga Universiteti i Kajros dhe një PhD nga Universiteti i Durham-it në Angli. Aktualisht Sociolog në Universitetin e Birminghamit, Dr Alpion është anëtar i Grupit Studimor Weber i Shoqatës Britanike të Sociologjisë, dhe në bordin e editorëve të disa revistave akademike, përfshirë revistën ‘Celebrity Studies’ që botohet nga Routledge.

* Disa nga botimet kryesore të Dr Alpion përfshijnë: ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (‘Nënë Tereza: Shënjtore apo e Famshme?’) (Routledge 2007; Routledge India 2008; Salerno Editrice 2008), dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, (Takimet e Civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza) (Transaction Publications 2011). Një libër i ri i Dr Alpion për Nënë Terezën do të botohet po në gjuhën angleze në vitin 2014.

 * Disa nga revistat shkencore që kanë botuar studimet dhe reçencat e Dr Alpion janë: ‘International Journal of Public Theology’, ‘Studies in Religion/Sciences Religieuses’ Journal, ‘Continuum: Journal of Media & Cultural Studies’, ‘The Journal of the Royal Anthropological Institute’, ‘Journal of Southern Europe and the Balkans’, ‘Islam and Christian-Muslim Relations Journal’, ‘The Review of Communication Journal’, ‘Film & History: An Interdisciplinary Journal of Film and Television Studies’ dhe ‘Scope: An Online Journal of Film and Television Studies’.

* Disa nga shkrimet e Dr Alpion për politikën, kulturën dhe identitetin Britanik, Ballkanik, Indian dhe të Lindjes së Mesme janë botuar në gazetat angleze ‘The Guardian’, ‘The Birmingham Post’, dhe ‘The Huddersfield Daily Examiner’, si dhe në ‘The Middle East Times’ (Kajro) dhe ‘The Hürriyet Daily News’ (Stamboll).

* Dr Alpion ka zhvilluar leksione dhe biseda në një numër konferencash ndërkombëtare dhe universitetesh në Britaninë e Madhe (Universiteti i Oksfordit, London School of Economics, University College London) si dhe në Shqipëri, Australi (Universiteti i Melbournit dhe Universiteti Deakin), Kanada (Universiteti McGill), Kinë (Universiteti i Shangait), Finland (Universiteti i Helsinkit dhe Universiteti Turkut), Gjermani, Indi (Universiteti i Delhit dhe Kolegji Universitar i Shenjtorit Xavier)), Itali (Universiteti Pontifikat Salesian në Romë), Kosovë (Universiteti i Prishtinës), Maqedoni (Universiteti Shtetëror i Tetovës), Rusi (Akademia e Shkencave të Rusisë), Afrikën e Jugut (Universiteti i Witwatersrand-it, Johannesburg) dhe në SHBA (Konveta AAASS në Washington DC, Universiteti i New York-ut, dhe Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos).

 

 

  • Dr Gëzim Alpion, School of Government and Society, University of Birmingham,

Tel: +44 (0)787 651 2001

E-mail: g.i.alpion@bham.ac.uk

Http:// http://www.birmingham.ac.uk/staff/profiles/government-society/alpion-g%C3%ABzim.aspx

*Njoftimi vjen nga  Universiteti i Birminghamit

10 Shkurt 2014

 

 

________________________________________________

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Alpion, Nene Tereza, shenjtorja e djallit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 351
  • 352
  • 353
  • 354
  • 355
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT