• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUVENDI DHE BESA SHQIPTARE NË SENICË TË DELVINËS

March 24, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI/

 (Në kuadrin e 255 vjetorit të Kuvendit të Senicës (1770-2025), ose “kuvendi i palcimit/ pajtimit”, të mbajtur më 25 mars 1770 (ditën e diel) nën drejtimin e legjislatorit të madh popullor agait të njohur Idriz Sulli dhe me mbështetjen e fuqishme të organizatorit dhe mikpritësit seniciot kryeplakut e drejtuesit të çetës patriotike të fshatit Senicë Kostë Prifti)

Në historikun e trevës labe dhe përtej portës së parë të Labërisë, përtej Fushëbardhës e qafës së Skërficës është një fshat historik që ka shkruar epope mençurie, trimërie e atdhetarie. Kështu Senica e Delvinës, ky “ballkon” bukurie për mbarë Rrëzomën ka qenë disa herë mikpritëse dhe bashkëpunuese me fshatrat përreth. Senica ka vënë gurë themeli në historinë e trevës së zonës dhe ka jetuar, punuar e luftuar në vëllazëri shekujve me fshatrat përreth. Nuk është e rastit që disa nga fiset e saj janë edhe përreth fshatrave të tjerë edhe ndonjëherë me mbiemra të ndryshëm por me rrënjë gjaku të përbashkuara, sikurse ishin dhe janë Çarçanajt e Fushëbardhës dhe Gjikajt e Senicës së Rrëzomës dhe në thellësi të shekujve dhe me Gjikajt e Qeparoit. Është e njohur nga Revista “Shejzat” e themeluar nga Ernest Koliqi më 1957 në Romë (e përkohshme albanologjike; revistë që gjendet edhe online nr.1-10 janar-tetor 1974). Këtu flitet për dhjetë shekuj më parë pasi Eqerem Bej Vlora e ngriti në art me publikimin e parë, që është një model kulturor dhe informative për marrëveshjen e vitit 1081 të Papa Zhulit. Në Senicë dhe përreth saj jemi në truallin me moshën e maleve, janë këtu që kur ka lindur jeta. Nderi dhe liria janë jetësuar në përjetësi për Seniciotët sikurse edhe për fqinjët e përjetshëm Fushëbardhën, Zhulatin kala historike, Kardhiqin e 18 lagjeve, që e njohën historian e udhëtarë historikë, Plesatin e Cepon kala natyrore e vendin e Kuvendeve, Shtëpëzin, Picarin, Kolonjën Humelicën dhe Golemin, të gjitha bashkë si një gjerdan në llogoren e shekujve, me Senicën e kuvendit të palcimit/besës, me gjithë trevën labe e më gjerë. Nëpër shekuj lufta për liri dhe çlirim dhe mbrojtja e trojeve ishte zanat, një zanat luftëtari që i mblidhte gjithmonë bashkë në kushtrim lufte. 

Kuvendi i Senicës u mblodh në 25 mars 1770 (ditën e diel) dhe u quajt “kuvendi i Senicës” ose “kuvendi i palcimit/pajtimit”, ndërkohë që kuvendi tjetër do mblidhjej pas tre vitesh tek Rrapet e Agait, edhe pse duhet thënë që është i njohur historikisht edhe betimi i famshëm i vitit 1610, pra 415 vite më parë: “Mu bëftë harram gjiri i mëmës dhe moslënça bina po shkela benë dhe po ndërrova fenë”. Një mesazh që kapërcen shekujt. Kuvendi i Senicës i vitit 1770 pati pjesëmarrje të kapedanëve të të gjitha trevave nga Labëria e Çamëria, Delvina, Himara dhe më gjerë. Kuvendi udhëhiqej nga burri i mençur Idriz Sulli (soji i Përodajve), ku krahu i djathtë i Idrizit ishte  senicioti i mençur e trim Kostë Prifti. Ata u bënë baballarët e krahinave jugore të vendit, udhërrëfyes në kundërshtimin e ligjeve të egra osmane për nizamllëkun, gjykatat, taksat e rënda etj. Objekti, vendi e roli i kuvendit të Senicës vjen deri në ditët tona me vargje që u gërmëzuan në kujtesën e njerëzve dhe nuk u harruan asnjëherë. Ja si shkroi “sekretaria e kuvendit të Senicës”, jo me shkresë arkivore për mungesë shteti, por me vargje: “Dëgjuar e parë kini,/Në Senicë u bë pajtimi,/ Fshatra e kaza u mblodhë,/ Pleqësia e anës tonë,/Të krishterë e muslimanë,/ Ca me mushka e ca me kalë,/ Te përrallet në lëndinë,/ Flet Idrizi me të mirë:/ Mbani vesh o kapedanë,/ Të madhe ju bëj rixhanë(lutjen),/ Të mençur e pleq me radhë,/ Të lidhemi besë e fjalë,/ Se të gjithë trimat u vranë,/Mbetën shkretë këto anë,/ Vritet shoqi me vëllanë,/ Bëhet qejfi hasmit tanë,/ S’jemi turq e mercenarë, (një varjant tjetër është: S’jemi turq, as venecianë),/ Jemi gjithë shqipëtarë,/ Kemi një gjak e një farë,/ Nga soji i Arbërit të parë…”. Idriz Sulli ngeli në memorien kombëtare pse mençurisht shkoi në Senicë më 1770, duke u bërë përbashkues i gjithë rrethinave, kazave e nahijeve të Jugut, në Kuvendin e Senicës, ku vargëzimi popullor thotë: “Gjëmon vëndi me oshtima,/Vijnë kalorës, vijnë trima,/Nga Himara, nga Smokthina,/Nga Labova nga Delvina…”, që i jep dimension në mbarë jugun e vendit për pjesëmarrje të gjerë dhe angazhim serioz. Kënga u rregjistrua dhe u kiç në mendjen e njerëzisë, nuk u harrua kurrë në breza, këndohet e ndonjëherë dhe përsoset në vargje rrugës, por ruan anonimatin popullor për këtë organizim të pazakonshëm kuvendor në Senicën historike. Edhe sikurse thamë që nuk kishim “sekretari kuvendi”, kishim rapsodin popullor vigjilent që rregjistroi pjesëmarrësit përmes këngës, edhe pse nuk rregjistroi autorësinë duke i vendosur emrin “popull”.

Emrat e kapedanëve janë gdhendur në këngë: “..Kristo Koka nga Vunoi,/Jani Milo nga Himara,/Spiro Gjika nga Qeparoi,/Miho Gjini nga Piqerrasi,/Qesko Hila nga Lukova,/Hajdin Shehu nga Kalasa,/Stefan Prifti nga Shënvasia,/Kolë Mili dhe Jano Kumiu nga Nivicë Bubari,/ Dajkua i Lëkurësit (ka mundësi që emërtimi “dajkua” sipas burrave të moçëm të ketë qenë dajkua i tekstshkruesit popullor ose si vëllai i nënës së Kostë Priftit),/Bedo Hodo nga Borshi,/Demir Dosti agai i Kardhiqit,/Kostë Prifti nga Senica, Toto Rusha Progonati,/Idriz Sulli nga Zhulat Fushëbardha,/Osman Sina nga Tatzati,/Sheh Sejkati nga Filati,/Dalani nga Konispoli,/Kallapodhi i Delvinës,/Zoto Mahmuti Smokthina,/Igumeni i Katerinës nga Çamëria,/Allajbeu i Navarricës, si dhe mjaft të tjerë, që kënga si përmend emrat e tyre, por që është e njohur që ishin prijësat e kapedanët e çdo fshati, por edhe më gjerë. Kuvendi i Besës në Senicë ishte historike për trevën dhe historinë e shqiptarëve, ishte moment i bashkimit e pajtimit mes komuniteteve fetare dhe etnike. Kuvendi u udhëhoq bindshëm dhe mençurisht nga figura të njohura si: Idriz Sulli, një figurë e njohur e mençurisë dhe miku i tij i besës dhe betejës për drejtësi Kostë Prifti që hapi dyert mikëpritëse të seniciotëve.

Kuvendi ishte një mirëkuptim i plotë për zgjidhje konfliktesh dhe për bashkëjetesë e harmoni fetare. Në kohën kur shumë pjesë të Ballkanit përlesheshin në konflikte fetare e etnike, Kuvendi i Besës në Senicë përfaqësoi shembullin më tipik të tolerancës fetare dhe bashkëjetesës në këtë krahinë lavdiplote. Element deciziv i Kuvendit ka qenë vendosja e një atmosfere të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit, pavarësisht besimimeve fetare. Në atë kohë ishin vendosur si simbole të dy besimeve të pranishme, Bibla dhe Kurani në një kamare ku janë edhe sot e kësaj dite, një simbolikë e bukur e zgjidhur mençurisht, ku vlerat e bashkëjetesës dhe respektin ndaj njëri-tjetrit, qëndronin mbi interesat individuale. Kuvendi i Besës në Senicë përveç çështjes së bashkëekzistencës paqësore ndërfetare u ndal gjatë edhe tek fenomenet problemore shoqërore dhe politike të kohës. Fokusi ka qenë tek ndalja e fenomenit të gjakmarrjes e hakmarrjes, si një pengesë e madhe për stabilitetin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare. Kuvendi miratoi dhe dha mesazhe të qarta për bashkëjetesë e bashkëpunim ndërmjet komuniteteve të ndryshme aq shumë të dëshirueshme. Përmes përpjekjeve për të zgjidhur konfliktet dhe për të vendosur parime të përbashkëta të drejtësisë dhe respektit, pjesëmarrësit në Kuvendin e Besës në Senicë demonstruan vullnet të plotë për një shoqëri të drejtë, të ndershme dhe të qëndrueshme. 

Historia i njeh tashmë dy kamaret e 1770, në Senicë ku u vendosën Kurani dhe Bibla, si librat e shenjtë, vendosën Ungjilli dhe Kurani, për t’u betuar secili pjesëmarrës, sipas besimit të vet, me një akt demostrativ jetësor, filozofik e patriotik. Rreth një shekull pas Kuvendit të Senicës, Vaso Pasha (1825-1892) shkroi vargjet manifest të Rilindjes Kombëtare shqiptare, lapidar të shekujve: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Bibla dhe kurani në Senicë, por dhe në Taroninë pranë Fushëbardhës e Zhulatit, u bënë simbol i bashkimit pa dallim feje, hasmërie, pa gjaksi dhe pa hajdutëri, të gjithë në një front kundër sundimit të gjatë osman. Ky kuvend mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, duke treguar aftësinë e popullit shqiptar për të zgjidhur konflikte dhe për të përparuar drejt një të ardhme të përbashkuar. Në lidhje me datën e saktë disa historianë e lidhin me kalendarin “allaturka” dhe “allafrënga” pra data e mbledhjes në 25 mars i shtojnë dy javë dhe e rregjistrojnë më 10 prill dhe vijueshmërinë tre ditore të kuvendit, por më mirë këtë çështje e zgjidhin burimet më të besueshme dokumentare edhe përtej arkivave shqiptare, pse jo edhe në Vatikan, në arkivin osman dhe arkivat e Venedikut e më gjerë. Tre vite pas Kuvendit të Senicës u mbajt një tjetër kuvend i planifikuar që në Senicë të mbahej në një vend asnjëanës tek Rrapet e Agait pranë Taroninës. Ky kuvend solli për zbatim “shtatë Shartet e Idriz Sullit” që u bënë të detyrueshme për zbatim për gjithë trevat e Jugut.

Këto gjenden edhe në përmbledhjen që u ka bërë Prof Ismet Elezi edhe në botimin e mirënjohur “Kanuni i Labërisë”. Senica tashmë përbri autostratës së re dhe që deri brenda fshatit ka shkuar rruga asfalt vitin që kaloi është rilindur. Bijtë e këtij fshati vijojnë traditat mbajnë unitetin dhe miqësinë me të gjithë, duke rrezatuar zemërbardhësi, miqësi e kulturë, duke nxjerrë në pah se janë pasardhës të denjë të botës seniciote stërgjyshore. Besa e Kuvendit është kthyer në festë të përvitshme natyrisht me nismëtarët vizionarë të Senicës me kryetarin e fshatit të Besëlidhjes, Llambi Nika, Kryepleqësia e Senicës, kryetarin e Shoqatës “Besëlidhja e Vëllazërisë Seniciote”, Albert Jorgji si dhe personalitete të tjerë.

Senica e Kuvendit të Besës, me Memorial të ri pret bashkëfshatarë, bashkëkrahinarë, turistë, miq e dashamirës për t’i njohur me burrërrinë, unitetin në kohët më të vështira të pushtimit. Të gjithë kujtojnë sot misionin e përmbushur të Kuvendit të Senicës, misionin e bashkimit, të organizimit dhe drejtimit të kundërshtimit dhe përballjes luftarakle kundër pushtuesve osmanë.  Nga Kuvendi i Sencicës vijnë mesazhe e vlera uniteti për të gjitha kohrat ku baza e vendimeve të saj ishte: (1) organizimi dhe drejtimi i luftës së bashkuar kundër pushtuesve osmanë për ruajtjen e kufijve dhe sinoreve të të parëve; (2) u vendos me përparësi për dukuritë shoqërore të kohës, kryesisht uniteti ndërmjet besimeve, harmonia dhe mirëkuptimi i ndërsjelltë fetar në kundërshti me ligjet e ashpra dhe të egra osmane; (3) u vendos të luftohej kundër bandave kriminale e hajdutëve, që endeshin sa andej-këtej dhe prishnin qetësinë, dëmtonin pronat e pasuritë; (4), në planin social, Kuvendi u shpreh njëzëri kundër fenomenit të gjakmarrjes e hakmarrjes; (5) kuvendi vendosi kundërshtimin e pagesave të taksave dhe tatimeve të shfrenuara osmane; (6), pjesëmarrësit njëzëri ishin kundër dërgimit të djemve askerë në viset e huaja, duke kërkuar që nizamllëku të bëhej në vilajetet shqiptare; (7) u vendos për lidhjen dhe unitetin midis banorëve të krahinave të Jugut të hapësirës shqiptare. Ndërkohë që paria e Kuvendit të Senicës risolli në vëmendjen e të gjithëve ritin e lashtë shqiptar të ritit të ceremonialit të Lidhjes së Besës, ku akti i Besëlidhjes u muarr mbi një shpellë në qendër të Senicës, ku sot është memoriali i derdhur në bronz, duke risjellë edhe një herë besëlidhjen e traditës shqiptare të duarbashkimit që këtë mesazh kaq të lashtë e simbollin e përmban edhe Shoqata “Besëlidhja Seniciote”, e mirënjohur për aktivitetet e saj. Labëria në dhjetë shekujt e fundit ka bërë dhjetra kuvende si “Kuvendi i shpellës së Papa Zhulit (1081), Kuvendi i Senicës (1610), i Himarës e Senicës (1770), Kuvendi i Rapeve të Agait, Taroninë (1773),  Progonatit e Picarit (1846), Kuvendi i Mesaplikut (1847), Kuvendi i Gjirokastrës (1880); Kuvendi i Frashërit (1880); Kuvendi i Cepos (1911), Kuvendi i Vlorës 28.11.1912; Kuvendi i Shtëpëzit (10.4.1914), Kuvendi në Manastirin e Cepos (1911); Kuvendi i Barçallasë (1920); Kuvendi i Kuçit (1924) etj. Çdo kuvend ka fizionominë dhe historinë e tij, vendimet, pjesëmarrësit, aktet sublime për të drejtën zakonore dhe për luftë kundër pushtuesve dy shtyllat themelore të mbijetesës shqiptare. I tillë ka byrë në histori edhe kuvendi i Senicës. Idriz Sulli dhe Kostë Prifti ditën të shikonin në dritë të syrit rrezikshmërinë e të ardhmes së Kombit Shqiptar dhe pa rezerva mund të themi se i paraprinë mençurisht periudhës së rilindjes së Kombit Shqiptar, jo mbi bazë besimesh fetare, por mbi bazën e lidhjes së gjakut dhe gjuhës kombëtare amtare. Me besim u ruajt i paprekur besimi deri në ditët e sotme. Senica, ku ballkon plot dritë vendosur përreth kishës së Shën Dhimitrit është i vetmi me besimin ortodoks mes shtatë fshatrave të Rrëzomës, por është fshat me rrënjë e lavdi historike, edhe pse Besën Seniciote do ta kujtojmë përherë, për atë çka i dha fshatit, krahinës, Labërisë, Jugut të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.

Filed Under: Kulture

Kënga shumëzërshe, ushqim shpirtëror

March 23, 2025 by s p

Shqiponja Veshaj/

Kur ligjërojmë për këngën shumëzërëshe duket sikur këndojmë, se fuqinë çudibërëse e ka te limfa te ADN-ja.Këtu do mundim të hedhim dritë për gjenezën e saj. Kjo IKONË dhe vlereë e madhe shpirtërore është pa datëlindje, me dëshmitarë malet, lugina, ag’perëndimet, hëna yjet, stinët me zogj pyjet e shtazët, me lumenj e dete.Hershëm njeriu, binjak me natyrën pagane,u lind dhe u rrit me bukurinë, egërsinë dhe madhështinë e tij, duke u përshtatur ” nazeve” të stinëve Vështirësitë e bënë njeriun e vetmuar të qante e të këndonte me veten, për të trembur edhe frikërat nëpër beteja. Jehona e luginave fatkeqësitë njerëzore, ndikuan te shpirti i tij që qante fatin e largimit nga kjo botë apo këndonte lindjes; imitonte zogjtë në cicërima, apo vajin e drenushës për fëmijët e saj, të vrarë nga vetëtima apo gjakosur nga bisha.Familjariteti dhe bashkësia njerëzor bëri që krahës monotonisë, të këndohej diafoni, triafoni e më von polifoni. Dukuritë gëzim’pikëllim bënë që të shpiken edhe mjete rrethanore materiale; si transmentues shpirtëror, të tilla që përcillnin gjëmat e mëdha si ortek dëbore, përmbytje, katastrofa natyrore. Pra lindi bilbili me lofatë apo kallëz gruri, lindi cyla zambare, fyelli e longarja, dyjarja prej druri e guri..etj .Pra në gjithë evolucionin po ngjizej gjithë bota shpirtërore me atë materiale, me qëllim ngazëllim apo ngushëllimi.Vajet ishin të parat, se vet jeta ishte më shumë dramë. Vaji i me cylë dyjare, me tri avaze; fyelli me më shumë. Kështu lindi kënga, në vetmi e sipër, si një detyrim’ dëshmi për gëzimhidhërimet.

Në evoluimin njerëzor vaji kthehet në këngë e valle dhe u rritën sëbashku me njeriun specifik të kësaj zone. Pra specifike e kësaj rracë njerëzore,vjen që nga mëkimi me qumështin e nënës, qysh atëherë u mëkua me ninullat, që i këndohej foshnjërisë kur zihej mulla. Një filozof i madh gjerman ka theksuar, që kënga e kësaj treve mësohet në barkun e nënës, kur fëmija është i palindur ende, nëpërmjet zërit të mëmës tij. Në gjithë evolucionin njerëzor, ndodhi dhe edukimi këngës shumë’zërëshe e cila u kthye në një natyrë të dytë bashkëjetese e domosdoshme dhe mori një funksion të madh shpirtëror, gati shërimtar. Rasti unik kur sharrohej këmba me sharrë në luftë pa narkozë i plagosuri mori këngën gjatë gjithë operimit për të larguar dhimbjen Dasmat e kërkimet ishin vetëm këngë, me dy tri trapeza; burrat veç e gratë veç. Vallja ishte kurorëzim gëzimi dhe njerzit të ngazëllyer bënin lloj lloj larmish të shoqëruar me këngë. Organizimi shoqëror, veçanërisht në socializëm e ktheu këngën e vallen në një institucion ku në çdo pesë vite zhvillohej festival mbarë kombëtar, ku shpalosej një mozaik i madh vlerash dhe në gjithë llojet e saj. Kënga në thelb ruan nota vajtuese,që tregon fuqinë dhe gurrën e pashtershme nga lindi dhe vitalitetin e saj në evolucion.. Pati me pas edhe teori se; kënga do zvenitet deri në shuarje sepse migrimi dhe emigrimi mund braktisnin këtë vlerë shpirtërore.Por…qe vet kënga që e dha përgjigjen këtyre dritëshkurtëve.Ajo jo vetëm që nuk u zbeh, por përkundrazi u shumëfishuar në formë e përmbajtje, u shtuan zërat e rinj dhe përmasat e saj kaluan dhe kufijtë e atdheut.Kënga zien aty ku është vet bartësit i saj, sepse:

ajo është pjesë gjenetike e kësaj race njerëzore, është phesë e limfës dhe e gjakut, ndaj ajo është e perjetshme. Për tu bërë më mondane, më aristokrate, kënga u shoqërua dhe me vellon e saj, me kostumet ngjyra marramëndëse tradicionale,njëra më e bukur se tjetra, me veçori dalluese sipas zonave folklorike, dukuri kjo e një pasurie kaq të madhe shpirtërore, unikale në gjithë botën…Ajo ka lindur kur s’kish kalendar bota, ka lindur së bashku me gjenezën e njeriut të rrallë të kësaj treve.

Disa pseudo studiues dëshirojnë të hedhin baltë se gjoja kënga shumë’zërëshe rrjedh nga sirenat Greke dhe kori kishtar gjë që e hedh poshtë shkenca e historiografisë.

Kënga shumëzërëshe (polifonia) u regjistrua në UNESCO si trashgimi botërore për të cilën bota investon për ta ruajtur, zhvilluar si një ikonë të argjendë siç është xhubleta, vallja e Tropojës e të tjera që posedon vëndi ynë ILIRIAN.

Bota është magjepsur me këtë mrekulli dhe grupet dhe ansamblet tona kanë marrë dhe çmimet më të larta si; “Diplomë e Artë” në konkurime ndërshtetërore. Vallja e burrave të Vranishtit, vallja e grave të Nivanit, Dropull, Myzeqesë, të Kosovës, të Korçës pra e gjithë Shqipërisë kanë ngitur peshë skenat e botës.

Harmonia e brezave, të moshuarit, të rinjtë dhe pionierë tregojnë jetësimin e kësaj vlere hyjnore, e përmasave globale. Kënga shumëzërëshe është kthyer në një institucion ku mbi të cilën u ngrit edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve kombëtare. Kjo magji ka shërbyer edhe si muzikë në dhjetra filma brenda e jashtë vëndit.

Nëse dikur vaj’dertet dhe këngët e vjetra ishin anonim, sot ato drejtohen me profesionalizëm nga poetë popullor të apasionuar dhe magjistarë të penës. Ata janë udhëheqësit e vërtetë të kësaj armate artistësh.Dhjetra muzikologë kanë studiuar, kanë marrë grada akademike në lëvrimin e kësaj pasurie.

Pra, i gjithë ky kolorit në sinkron ka bërë që kënga shumëzërëshe vallja, balladat legjendat meloditë me instrumenta folklorike, të mbajnë gjallë botën artistike të kësaj rrace njerëzore, duke e konsideruar si ushqimin të madh shpirtëror.

Labëri – Djep i Lavdisë

Shqiponja Veshaj

Poemëz

Vij, magjepsur të përulem Labëri,

Vij si rreze ag të të puth tek balli,

Vij si hënë e praruar…. o Perëndi,

Vij, vij aty e prapë s’ shuhet malli!

Nga rrënjë Epiri vjen o Buronjë,

Aty ku Solomoni” profecinë bie,

Labërinë fisnike e quajti zonjë,

Dhe ujin kristal , bekim Perëndie!

Nëpër shekuj , besa famën ngriti,

Kodi nderit… me argjend u shkrua,

Kēnga Labe…e mbjellur te shpirti,

Me zërin e zemrës gurgulloi krua!

Poetët lindën e rilindën me pyjet,

Shqiponja do ozon e adhuron liri,

Pa hënë qiellore… ç’do ishin yjet,

Ç’do qe historia t’mos kishte lavdi!

Kur këputen yjet , në ç’parajsē flenë,

T’përgjërohem e shtrenjta Labëri,

Mos vallë… ringjallen mbi bedenë,

Me diell te balli e larë në stuhi!?

Ku vajtën gjurmët , gjysëm opinga,

Ku bën dritë ende, flakadani tyre,

Ku feks i madhi Gjolek me trima,

Që falën gjakun për themelet Ilire?

O vargmalet tona, çika stërralli,

Ku vlon ai gjak i derdhur me okë,

Sali Vranishti me supet te mali,

Bogonica i bën isharet me kokë!

Si yje venë e vinë, bij te shullëri,

Selam Hasani e Cane Smokthina,

Zigur Lelo Çipini, me duf kryedrëri,

Zançe Çelo nur, që ndezi vetëtima!

Memo Mete Brati e Toto Bolena,

Si shqipet vrojtonin, qiellin Mesap,

Halim Xhelos flori i kulloi penda,

Ahmet Lepenica shkroi me shpat!

Ç’duf ndiej kur numëroj yjet me radhë,

Prap flakëron, qielli i prushëruar,

Të përgjërohem ty o Lumi Bardhë,

Që plagët i lave me ujin e bekuar!

T’gjunjëzohem shenjtëri e flamurit,

Që shqipes i dhe dy krahët e lira,

Eshtrat’fildish e lulekuqet e grurit,

I mori vetZoti për vendet e mira!

Festivali 77-të Folklorik në Agrigento, Itali

Filed Under: Kulture

Helidon Haliti – kapësi i «fluturave» fluturimthi

March 21, 2025 by s p

Luan Rama/

Ekspozita de fundit e Helidon Halitit hapur në FAB, nën titullin « Prestanome », më ngjan më shumë me ekspozitën e një koleksionisti fluturash nga më të bukurat, kapur fluturimthi nën dritën diellore dhe vendosur në telajo. Flutura shumëngjyrëshe ku herë mbizotëron ngjyra rozë, e verdhë, okër, kafe apo e zezë etj e që të gjitha bashkë, si në një lloj afresku kanë diçka ngazëlluese, ajrore. Më duken si “flutura” të kapura fluturimthi, pasi ato janë shfaqur në telajo brenda një çasti të shkurtër, ku piktori ka nxituar ti kapë me shkëlqimin e tyre ballë dritës, gjatë një interviste një ore në emisionin “Midis dy botëve”. Dhe përballë 62 “fluturave”, unë për një çast pyeta veten: Si mund të jetë intervistues një piktor? Piktorët flasin përmes linjave, formave dhe bojës, përmes mistikës së shpirtit, pasi është shpirti ai që pikturon, jo dora? Matisi mbante në kohët e vona të tij një shkop të gjatë me të cilin pikturonte… Dora e një piktori është thjesht një instrument, ajo nuk pikturon pa shpirtin që ta shtyjë dhe ta çojë atje ku do ai, ashtu siç do ai. Shpirti!… Pikërisht gjatë atij dialogu me ata, ai ka zbuluar personazhin ballë tij, ka zbuluar botën e tij, thelbin e qenies, të ekzistencës, pasionin që gjallon dhe pulson tek ai e që shfaqet gjatë një çasti të shkurtër të rrëfimit. Është pikërisht çasti kur Haliti kap “fluturat” e tij.

Ky koleksion më kujtoi kohën kur gjatë një udhëtimi në Madagaskarin e largët ku mbizotëronin ende shpirtrat edhe pas vdekjes, isha mahnitur ballë fluturave. Bleva një kuti të mbuluar me xham ku shfaqeshin një seri fluturash të ngujuara me gjithë shkëlqimin e tyre si në një përrallë tepër ekzotike. Ajo kuti, qëndroi disa kohë në apartament deri sa një ditë, në Paris, gjatë ndërrimit të apartamentit, pikasëm që kutia u thye dhe fluturat ishin zhdukur, si me frymën e shenjtë. Herë pas here do ti shikoja më pas në ëndërr ato flutura që shkonin nëpër fllad e në një ekstazë natyrore ku për çudi nuk ndjeja dhimbje por një gëzim të veçantë.

Tërë kjo histori fluturash m’u zgjua përballë atyre portretevetë atij koleksioni plot dritë, “flutura” të veçanta që spikasnin në karakteret e tyre individuale. Nuk është lehtë të pikturosh flutura të tilla, por ka artistë që kanë shpirtin e koleksionistit. Helidon Haliti ka koleksione kodrinash të lulëzuara në akuarel, pemishte në ditë pranverore, peizazhe fshtrash në njëqind variacione ngjyrash, gjithnjë fluide herë-herë onirike, me dritë pranverore, ekuinoksesh, në okrën e vjeshtës apo grinë dimërore. Në koleksionet e tij janë dhe demat, alter-egot e tij, ku shpesh mbajnë mbi kurriz femra delikate dhe hokatare, pinjolle të legjendës “Europa”, parabola të bukura për të ndezur e ngacmuar krenarinë e demavue k gjithçka na shfaqet në terrene surealiste, fantazmagorike si në kryeveprat e piktorëve të viteve ‘30-‘50 të shekullit XX. E në gjithë këtë ka një lloj dehje, një dehje jo nga alkoli por nga çasti i krijimit, i shprehjes së shpejtë artistike, i shprehjes së emocionit që lind, i asaj mistike që mund të shuhet shpejt dhe të zhduket nëse ti nuk e kap, si të kapësh një lloj zane apo ore që të shfaqet papritur e që ti ke dëshirën ta kesh pranë jo si robinë por si një përjetim të lumtur.

Ky piktor i kap fluturimthi fytyrat njerëzore dhe çastet e gëzuara apo të trishta të jetës…

Filed Under: Kulture

THE DAILY MIRROR (1930) / ALEKSANDËR MOISIU, NJË AKTOR I FAMSHËM QË DUKET I NIVELIT EDHE JASHTË SKENËS

March 19, 2025 by s p


Aleksandër Moisiu (1879 – 1935) — Burimi : The Graphic, e shtunë, 31 maj 1930, f.54
Aleksandër Moisiu (1879 – 1935) — Burimi : The Graphic, e shtunë, 31 maj 1930, f.54

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Mars 2025

“The Daily Mirror” ka botuar, të hënën e 26 majit 1930, në faqen n°6, intervistën ekskluzive të korrespondentit të saj asokohe me Aleksandër Moisiun në Londër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Hamleti në gjermanisht

Një aktor i famshëm që duket i nivelit edhe jashtë skenës

Adhurues i Shaw-t 

Nga një korrespondent special

Burimi : The Daily Mirror, e hënë, 26 maj 1930, faqe n°6
Burimi : The Daily Mirror, e hënë, 26 maj 1930, faqe n°6

Takova zotin Aleksandër Moisi, aktorin e famshëm gjerman që shfaqet sonte në Teatrin Globe në Londër për herë të parë në jetën e tij, duke qëndruar nën një pemë laburnum në një kopsht me diell të Chelsea.

Ai sapo ishte njohur me shumë njerëz të shquar pas mbërritjes së tij në Angli, mes tyre znj. Margaret Lloyd George, znj. Megan Lloyd George, Sir John dhe Lady Lavery, dhe disa njerëz të shquar teatror.

Zoti Moisi, me kompaninë e tij gjermane, do të hapë sezonin ndërkombëtar të planifikuar nga z. Charles B. Cochran dhe z. Maurice Browne në Globe me –“Der Lebende Leichnam” (“The Living Corpse – Kufomën e Gjallë”) këtë javë dhe do ta ndjekë me “Hamletin” javën e ardhshme. Të dyja shfaqjet do të jenë në gjuhën gjermane.

“Der Lebende Leichnam” është një shfaqje e Tolstoit e cila u prodhua në Angli me emrin “Redemption” disa vite më parë me Henry Ainley në pjesën Fedya — roli më i famshëm i zotit Moisi. Zoti Moisi, i cili ka lindur në Venecia dhe është një gjerman i natyralizuar, gëzon një reputacion mbarëbotëror si aktor.

“Kam luajtur në kryeqytetin e çdo vendi të bardhë në botë, përveç Londrës,” më tha ai. “Kam luajtur Hamletin, 1000 herë”.

“Megjithëse e dua më shumë Shekspirin, më pëlqen edhe Shaw.”

Me flokët e pakrehur dhe të dendur, sytë e errët dhe fytyrën ekspresive e entuziaste, ai është Hamlet edhe jashtë skenës. Zëri i tij i ka të gjitha modulimet e nevojshme për muzikën e Shekspirit.

“Kur do të aktroni në anglisht ?” — E pyeta.

Ai ngriti supet. “Kam qenë në Angli vetëm tri herë, dhe ato ishin vizita të shkurtra. Një ditë, mbase…”.

Filed Under: Kulture

ZEMRA – KRYEFJALA E LEKSIKUT LASGUSHIAN

March 17, 2025 by s p

Kosta Nake/

Në se te vëllimi i parë “Vallja e yjve” udhëtimi poetik fillonte nga qielli, katër vite më vonë udhëtimi fillon nga toka, nga poeti, nga zemra prej së cilës del një yll, ylli i jetës, ylli i bukurisë dhe prej këtej mund t’i bashkohet qiellit. Trupi dhe shpirti janë dy boshtet kryesorë që formojnë tërësinë e qëndrueshme të njeriut, që bashkojnë dhe udhëheqin gjithë proceset fizike dhe mendore. Prej këtu fillojnë e marrin udhë konceptet mistike, fetare, filozofike dhe poetike. Kur flasim për procese fizike, kemi parasysh gjakun, limfën dhe sistemin nervor. Këto nuk janë pjesë arealit poetik të Lasgushit. Kur flasim për procese mendore kemi parasysh funksionin e trurit që i ka zyrat qendrore te logjika, pastaj zbresim më poshtë në një hapësirë ku lindin dhe lulëzojnë ndjenjat. Pikërisht kjo është fusha ku zbarkon sonda poetike e Lasgushit dhe në këtë mjedis përftohet një ndërveprim harmonik edhe me organet e shqisave dhe gjithçka sjell një prodhim shpirtëror që nuk ka shtysë eksplorimin por ndijimin. Zemra duket sikur fiton pavarësi nga truri dhe merr rolin e ekzekutorit mendor, e demonstruesit të emocioneve dhe pasionit, sikur është kthyer në një xhep ku grumbullohet dhe shpërndahet dashuri, bukuri, dhembshuri. Domethënës është largimi i Lasgushit nga bota dhe gjuha e urrejtjes që mund të jetë edhe një nga shpjegimet për atë adhurim të qëndrueshëm të lexuesve ndaj Veprës së tij.

Ka një leksik karakteristik në poezitë e Lasgushit që mund ta konsiderojmë si një tufëz fjalësh të hipotekuara në pasurinë e tij letrare, si “familjet e fjalëve” llaftari – llaftarohem – i llaftaruar – llaftarisht, zembër – zembërohem – i zembëruar, dhemshuri – dhemshurohet – i dhemshuruar – dhemshurisht, përvëlim – përvëlohet – i përvëluar, zhuritet – i zhuritur, etj. Por kryefjala e vëllimit të dytë është zemra, fillesa e hapjes dhe formimit të vetëdijes komunitare, fillesa e ngarkesës më hyjnore të shpirtit – dashurisë, gjeneratori i trupit dhe i shpirtit. Nga pikëpamja sasiore zemra “pushton” pothuaj të gjitha poezitë, por edhe larmia e togfjalëshave ku ajo përfshihet është mjaft e madhe: Del nga zemra, qan zemra, zemra ndjen, m’u bë zemra me besë, gjuha e zemrës, dashuri e zemrës, fundi i zemrës, thelbi i zemrës, shok prej zemre, zemërëz e vrarë, zemër e përvëluar, zemër e shkretë, zemër e thyer, zemër e plasur, zemër e qetë, zemër-lehtë, zemër e mbushur me farmaq, etj.

Me fillimin e këqyrjes së vëllimit të dytë nga zemra, kemi paralajmëruar edhe tematikën kryesore të tij trupëzuar e qëndisur në lirikat e dashurisë. Veçanësi përbën mungesa pothuajse e plotë e fjalës “e dashur” dhe zëvendësimi i pjesshëm me fjalët “vogëloshe”, “vashë”, “çupë”, “motër” që metaforizohen si flutur (f.179), lule që çel parëvera (f.180), pëllumbeshë (f.201).

Gjatë leximit mund të përjetojmë kristalizimin e dy karakteristikave të poezive lirike:

Së pari, largësia mes dy të dashuruarve që nganjëherë perceptohet si mërgim: “net-për-net më rri larguar” (f.191), përfytyrimi i së dashurës “me mall në mërgim.” (f.192)

Së dyti, portretizimi i vajzës së dashur, bukuria e së cilës i jep dashurisë përmasa të perëndishme me “leshërat – valle sumbullash e ruazash” (f.165), “floku – fije ar” (f.175), “buzë e shkruar” (f.173), “goja lëng qershi/ gjiri llaftari” (f.181), “trup kalliri” (f.202), “hunda si qiri” (f.209). Dy poezi marrin ngacmim nga një pjesë e trupit dhe ndalen gjerësisht. “Dora jote ledhatarja” (f.189) vjen nga një pikë vështrimi që s’e ka parë askush tjetër para tij “i dha hëna pah të ndezur, pluhur të artë i fali ylli” dhe finalizohet si urë komunikimi me zemrën dhe shpirtin. Poezia me pjesën tjetër është për buzën miturishte, buzën e zhuritur me shkallëzimin rritës: “u ndez e mori valë, ajo u poq, ajo u doq.” (f.187)

Në se të dy vëllimet strukturohen si dashuri e djalit për vajzën, përjashtim bën poezia “Po qan vasha në shtëpi” (f. 204), ku është vajza e dashuruar marrëzisht pas djalit duke marrë në sy pengesat dhe rreziqet në një shoqëri patriarkale.

Te lirikat e natyrës hapësira më e njohur është ajo e liqerit, pasqyra ujore më e bukur jo vetëm për Shqipërinë. Liqeni i Ohrit është syri i kaltër i Ballkanit. Galiçica nga lindja dhe Çervenaka nga perëndimi janë dy anët e djepit ku përkundet liqeri në një shkëmbin të ndërsjelltë ujërash dhe ngjyrash. Është simboli i jetës, i pastërtisë dhe shpresës, është simbol i nënvetëdijes dhe i thellësive të fshehta të shpirtit. Në një rrafsh më të gjerë, lirikat e natyrës kulmojnë me poezinë “Dritë fshehtësije” ku ka diçka naimiane në apostrofat shpërthyese të fillimit dhe në vargun 18-rrokësh lasgushian, më të gjatit varg të matur në letërsinë shqiptare:

“O greminë! O fusha pllajash! O shkëmbinj! O brigje t’artë!

O ju qiej shkretëtirash tej-për-tej aq të këqyrshmë!

Ti përflakje mëngjezore! Hark ylberi-i shtatëgjyrshmë!

Botë yjsh! Botë hënash! Botë djejsh me gji të zjarrtë!” (f.151)

Lirikat e dashurisë dhe të natyrës bëjnë një hap prapa për një çast, ashtu si vala e detit nga bregu, për të krijuar një hapësirë ku të shkruhet ngjarja e madhe e Pavarësisë dhe të lartohet figura e Plakut të Vlorës me ciklin “Rapsodi popullore.” Përmbajtja transformuese realizohet përmjet një ritmi që i ngjan një marshi triumfi, kurse katër vargje kanë një enumeracion onomatopeik dhe e kthejnë poetin në një trumpetar të atdhetarisë.

“Rroftë! – fusha oshëtiu,

Rroftë! – pylli uturiu,

Rroftë- e deti ja buçiti,

Rroftë-e pushka ja kërciti.” (f.153)

Bashkëngjitur me tri poezitë kushtuar 28 Nëntorit është një poezi kushtuar Asdrenit që ngrenë një urë atdhetarie bashkë me ciklin “Vallja e dherit” te vëllimi paraprijës “Vallja e yjve” me një fokusim te figura e madhe e rilindasit Naim Frashëri, te vepra e tij letrare dhe ndihmesa në çështjen kombëtare. Poezia “Naim Frashërit” (f. 37) ka peshën e një poeme që vjen me vargun 16-rrokësh të poetit:

“Gjuha: shpirt i shent’ i kombit, që kalon dyke kënduar!

Gjuha: zjarr ku djeg me dritë një mendim i frymëzuar!

Gjuha: afsh i gjall’ i jetës, shpat’ e ndritur e lirisë!

Gjuha: yll i vjershërisë! Gjuha: verb i Perëndisë!” (f. 42)

Poezia “Përjetësia” (f. 209) përbën një deklaratë që mund të lexohet si tekst dashurie dhe si nëntekst filozofik i marrëdhënies së poetit me lexuesin sjellë përmes enumeracionit, përsëritjes dhe aliteracionit:

“Kur jam në shpirtin tënd,

Jam domosdo

Dhe jashtë shpirtit tënd prej vetvetiu:

Në mal që mendjen ty ta shqetëson,

Në hon që mendjen ty ta turbullon,

Në det që mendjen ty ta llaftaron,

Në qjell që mendjen ty ta qjellëson,

Në djellë që mendjen ty ta djellëson,

Në botë mendjen që ta botëson.”

Me karakter filozofik është edhe poezia përmbyllëse e këtij vëllimi “Kush ma njohu dhemshurinë” (f. 221), një shpjegim i vetë poetit për magjinë e poezisë së tij, që në një Shqipëri të prapambetur, bukurinë e jetës e gjen te natyra, te dashuria dhe historia e vendit të vet, prandaj vendin e poezisë vajtimtare e zë poezia përshkruese dhe meditative.

“Po në qaj dhe zjej me vete,

S’dëshpërohem kurrsesi,

Ndaj i ndjej së mjerës jetë

Vetëm mall e dashuri.”

(Vëllimi poetik “Ylli i zemrës” (1937) i Lasgush Poradecit, Vepra 1, Poezia, Tiranë 2009)

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 555
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT