• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJЁ MESAZH I ÇMUAR PЁR DEMOKRACINЁ

October 11, 2024 by s p

Kristaq BALLI/

Gjatë vitit 1946  u  mbajt  Konferenca e Paqes e  Parisit, ku morën pjesë shtetet e përfshira në Luftën e Dytë Botërore, midis të cilave edhe Shqipëria nëpërmjet udhëheqësit të saj. Në konferencë trajtoheshin probleme madhore globale  politike, gjeografike (kufijve), ekonomike (reparacioneve), demografike (ndarjes, apo bashkimit të shteteve), etj. Fotografi shqiptaro-amerikan Gjon MIli  me përvoja të suksesëshme   në fotografimin e ngjarjeve të tilla dhe me një status të veçantë amerikan, i ngarkuar nga revista e njohur  “LIFE” u angazhua në këtë konference gjatë një periudhë të mjaftueshme kohore për të pasqyruar punimet e kësaj konference. Gjatë kësaj kohe, kur ishte aty, ai çeli gjithashtu në Galerinë  du Bas ekspozitën e tij vetiake fotografike sensacionale, promovimin e së cilës e bëri me një fjalim ekzistencialist filozofi e shkrimtari Zhan Pol Sartre, ashtu si edhe karikaturën e mrekullueshme miqësore të Milit të vizatuar nga piktori Saul Steinberg.

Gjon Mili realizoi në Konferencën e Parisit dhjetra fotografi mjeshtërore në të gjitha korridoret politike, seancat, takimet multi dhe bilaterale të udhëheqësve botërorë, situata masive plenare, qoshe të fshehta konfliktesh e kompromisesh,  portrete të krerëve dhe delegacioneve të shumë vendeve e popujve, midis të cilëve edhe atë të E. Hoxhës. Për këto kemi pasur rastin të shkruajmë edhe herë tjetër, por në këtë shkrim do ta kemi  stacionin në një problem shumë të rëndësishëm politik që ka vlera universale edhe për ditët e sotme, sidomos për Shqipërinë. I ndodhur gjatë punimeve  pranë një konference shtypi që mbante ministri i jashtëm australian Herbert  Vere   Evatt si përfaqësues i popujve të vegjël (midis të cilëve edhe atij të Shqipërisë)    me gazetarë të shumtë e të zjarrtë, atij i bëri përshtypje tema e kësaj konference shtypi. Si një fotograf me nuhatje të thellë, ai  realizoi aty dy fotografi, të cilat u botuan në revistën LIFE të dt, 9 Shtator 1946  bashkë me përgjigjen e plotë  që ministri Evatt i jep gazetarit zvicerian:

Çfarë është Demokracia

EVATT I TREGON BOTЁS

perfundimtare.jpg    

Në konferencën ndërkombëtare të Parisit, Herbert Vere Evatt, Ministër i Jashtëm i Australisë, është shfaqur si një kampion i demokracisë dhe të drejtave të kombeve të vegjël. Në një konferencë  shtypi të fundit në  

Pallatin Luksemburg, ku Evatt ishte duke ndjekur Konferencën e Parisit

(1946), Léon Nemanoff, një korrespondent zvicerian e pyeti atë për çështjen themelore të kohës sonë. Këtu është pyetja të cilën është duke bërë në foton (në të majtë) dhe çështjet e rëndësishme të përgjigjes që Evatt është duke komentuar. (në figurën djathtas).

PYETJA: Njerëzit janë duke luftuar në pjesë të ndryshme të Botës dhe në mënyrë të pavarur  rreth fjalës “demokraci” që përdoret nga të dy kuptimet për të përcaktuar motivet e tyre. Zoti Evatt, çfarë është demokracia?

     PЁRGJIGJJA:

■Unë e di çfarë është demokracia, sese unë jam rritur në një sistem demokratik. Çdo burrë dhe grua ka të drejtë të votojë. Kjo nënkupton të drejtën e popullit të zgjedhë qeverinë e tij. Kjo është elementare.

          ■Demokracia nënkupton, gjithashtu, të drejtën për të patur më shumë se një kandidat gjatë votimit. Nqs nuk ruhet e drejta e nominimit, sigurisht nuk ka zgjedhje të vërteta dhe, sigurisht, nuk ka sistem demokratik.

         ■Pasi një qeveri është zgjedhur nga populli, demokraci do të thotë që verdikti i popullit duhet të respektohet nga populli. Të përpiqesh të heqësh qafe një qeveri të zgjedhur me dhunë ose që qeveria të heqë qafe opozitën e saj me dhunë, kjo është një antitezë e demokracisë.  Është pjesë e procesit demokratik të pranosh se humbja mund të kthehet me mjete kushtetuese

■Por , gjithashtu, është edhe një aspekt  tjetër i demokracisë. Ju nuk mund të keni zgjedhje të lira dhe një qeveri të lirë pa patur lirinë e shprehjes dhe të kriticizmit. Do të thotë që ata që kanë opinionin se qeveria e zgjedhur po bën gjëra të gabuara, duhet të kenë të drejtë t’i  thonë, të shprehin  opinionin e tyre lirisht  edhe nqs opinioni i tyre është i gabuar.

Ajo ç’po ndodh në këtë konferencë  shtypi është një shprehje  e demokracisë. Ju keni të drejtë absolute të më kryqëzoni  mua me pyetje për të gjitha çështjet pa hezitim dhe kufizim – pra, që ajo çfarë është e drejtë dhe e vërtetë të dalë nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve. 

■Ёshtë absolutisht thelbësore për demokracinë që të drejtat e saj duhet të gëzohen dhe të praktikohen pa frikë dhe pa favorizim. Qytetari duhet të jetë i aftë të zgjedhë qeverinë e tij pa intimidim nga  kushdo. Nuk mund të ketë diktim, as diktaturë. Demokracia nënkupton detyrën “ta marrësh atë”, si dhe të drejtën për ta “qortuar atë”

■ Diçka më shumë – në këtë konference unë kam dëgjuar përfaqësuesin e Shqipërisë të bënte deklarata  të caktuara mbi ato çfarë populli i Shqipërisë kishte bërë gjatë luftës. Ai tha që populli shqiptar kishte shpëtuar pilotët e aleatëve dhe ju kishte dhënë ndihmë atyre. Dhe  kështu ai kërkoi pohim për atë që populli shqiptar kishte bërë. Unë mendova se ai kishte të drejtë, por gjykova, gjithashtu, anën tjetër të tablosë. Këta pilotë kishin ardhur në luftë nga mijra kilometra larg., përse kishin ardhur?

Ata ardhën në Europë për të ndihmuar të përmbysnin një tirani. Ata ardhën me mijra sepse ata besonin në demokraci dhe besonin tek ajo aq sa për të luftuar për të dhe të vdisnin për të shumë larg shtëpive dhe njerëzve të dashur të tyre. Kjo është demokracia.

Filed Under: Kulture

“Arti ndjell një mister pa të cilin bota nuk do të ekzistonte” – René Magritte (1898 – 1967)

October 10, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Magritte ishte artist belg, surealist. Artistët surealistë, të ndikuar nga psikologjia frojdiane, u angazhuan me idenë se ka të vërteta që qëndrojnë nën sipërfaqen e gjërave. Për ta, forma nuk është krijuar për të kënaqur syrin, por për të stimuluar mendjen që të njohë veten dhe gamën e fshehtë të aktivitetit të saj. Në artin e surealistit, bota objektive refuzon të mbetet një realitet i ndarë, por bashkohet në mënyrë aktive me imagjinatën tonë për të shembur muret kufizuese të këtij mashtrimi të thjeshtë racional, duke e çliruar mendjen për të përfshirë botën e arsyes me kuptimet e veta komplekse. Si rrjedhojë, ne shohim me sy ndryshe e me një vështrim të freskët, mbi objektet e hapësirës dhe me një kuptim të ri mbi hapësirën e mistershme të mendjes sonë.

Pikturat e Magritte kanë një logjikë të pamëshirshme, aq të pamëshirshme sa që shkatërrojnë vetë logjikën duke treguar se sa i varfër është një element për të kuptuar si perceptimin shqisor ashtu edhe imazhet e mendjes. Çdo pikturë më vete e bën shikuesin të vetëdijshëm mbi problemin pamor, idenë iluzive, dhe mbi imazhin provokues që duket transparent dhe i thjeshtë, por mbetet problematik në vetvete. Më tej, ato na bëjnë të vetëdijshëm për habinë e spekulimeve të mendjes sonë dhe jo thjesht një realitet personal i fantazisë që i përket vetëm artistit.

Mendja e dashuron të panjohurën, dhe shpirti i njeriut yshtet nga e paditura. Zemra e njeriut tërhiqet nga bukuria e mjegullës. Instinkti i njeriut i përgjigjet të përtejmes. Ndaj edhe Magritte krijoi imazhet më sfiduese për perceptimin njerëzor. Ato janë ftesë për një udhëtim drejt së panjohurës. Ato përmbajnë mister, iluzion, gjëzë, dhe poezi.

Filed Under: Kulture

Fjalë zemre dhe drithërima shpirti në letrat Ludwig van Beethoven, dërguar “Të dashures së pavdekshme”

October 8, 2024 by s p

Ludwig van Beethoven (17 dhjetor 1770 – 26 mars 1827) ishte jo vetëm një nga gjigandët e muzikës, por edhe pena më delikate e një dashurie që u bekua me pavdekësi. I takon vetëm që një burrë me një kapacitet kaq të jashtëzakonshëm për të lartësuar shpirtin me bukuri të jetë autori i disa prej letrave më befasuese të dashurisë të të gjitha kohërave.

Beethoven nuk u martua kurrë, por në të dyzetat e tij të hershme ai ndihet thellësisht i dashuruar me një grua misterioze që mbetet e njohur si “e dashura e pavdekshme”, termi përjetësisht magjepsës i dashurisë me të cilin kompozitori i madh i drejtohej asaj në letrat e tij. Identiteti i saj i vërtetë ka nxitur libra të tërë, por historianët aktualisht besojnë se ajo ishte Antonie Brentano, një aristokrate vjeneze e martuar me një biznesmen nga Frankfurti.

Mesazhet e Bethoven-it për këtë “të dashur të pavdekshëm”, të cilat përfshijnë të vetmen letër dashurie, u gjetën midis sendeve të tij personale. Ata nuk u dërguan kurrë me postë, një dëshmi kjo, e bukur dhe tragjike për faktin se lidhja e tyre, si të gjitha punët, ishte edhe e mallkuar dhe e gjallëruar nga vetëdija se dy të dashuruarit, të cilët nuk mund të kishin kurrë plotësisht njëri-tjetrin.

Të përfshira në 50 letrat më të mëdha dashurie të të gjitha kohërave, qëndrojnë si një kujtim i marrëdhënies së përjetshme midis zhgënjimit dhe kënaqësisë. Ashtu si muzika e Beethoven-it, ato mbeten një kryevepër e gjeniut romantik.

Në të parën prej këtyre letrave, të qëndisura të dielën, më 5 korrik 1812, Beethoven shkruan:

“Engjëlli im, vetvetja ime… Pse gjithë ky pikëllim i thellë, kur flet nevoja. Dashuria jonë mund të durojë pa sakrifica, pa kërkuar gjithçka nga njëri-tjetri. A mund ta ndryshosh faktin që nuk je tërësisht e imja, që unë nuk jam tërësisht i yti?

-I dashur Zot, shiko Natyrën me gjithë bukurinë e saj dhe qetëso zemrën për atë që duhet të jetë.

-Dashuria kërkon gjithçka, dhe me të drejtë… Pa dyshim që do të takohemi së shpejti; dhe sot nuk më mungon koha t’ju tregoj për mendimet që gjatë këtyre ditëve të fundit kam rrokullisur rreth jetës sime

– Nëse zemrat tona do të ishin gjithmonë të bashkuara ngushtë, sigurisht që nuk do të kisha mendime të tilla.

-Zemra ime mbushet nga dëshira për të të thënë kaq shumë gjëra

– Oh – ka momente kur e shoh se ligjerimi im është mjaft i papërshtatshëm

– Ji e gëzuar – dhe bëhu përgjithmonë besnikëria ime, e dashura ime e vetme, e gjitha, siç jam edhe unë i yti.”

Në mbrëmjen e ardhshme, Bethoven është si një vorbë e zjarrtë i mallit, ai më dehës dhe çorientues i emocioneve:

Çfare jete!!!!

Sic eshte tani!!!!

Pa ty – e ndjekur nga mirësia e njerëzve aty-këtu, një mirësi që unë mendoj, që dëshiroj të meritoj, po aq pak sa e meritoj – homazh i njeriut për njeriun – që më dhemb – dhe kur e konsideroj veten në hapësirën e universit, çfarë jam unë dhe cili është ai njeri – të cilin dikush e quan më të madhin e njerëzve – dhe megjithatë – nga ana tjetër, aty qëndron elementi hyjnor tek njeriu…

Sado që të më duash – dashuria ime për ty është edhe më e madhe – por kurrë mos u fsheh nga unë – natën e mirë

– I dashur Zot – kaq afër!

Deri tani!

A nuk është vërtet dashuria jonë e ngjizur në Qiell – dhe, për më tepër, si e kapluar drithërueshëm në kupën qiellore?”

Në mëngjesin e 7 korrikut, malli i tij bie në dëshpërim, ai shkruan:

“Edhe kur jam në shtrat, mendimet e mia nxitojnë drejt teje, e dashura ime e pavdekshëm. Herë pas here me gëzim, pastaj përsëri me trishtim. Duke të të pritur, të di, nëse Fati do ta dëgjojë lutjen tonë

– Për të përballuar jetën duhet të jetoj së bashku me ty ose të mos të shoh kurrë…

Oh Zot, pse duhet të ndahet nga ajo që është kaq e dashur. Megjithatë, jeta ime në Vjenë për momentin është një jetë e mjerueshme. Dashuria juaj më ka bërë më të lumturin dhe më të palumturin ndër të vdekshmit…”

Ky nxitim i çmendurisë dashurore ndiqet nga një periudhë qetësie, gatishmërie racionale. Në një ndjenjë që të kujton letrën e paharrueshme të këshillave të John Steinbeck për dashurinë – “Nëse është e drejtë, ndodh … Asgjë e mirë nuk ikën.”, Bethoven e nxit të dashurin e tij dhe, ndoshta mbi të gjitha, veten e tij, ai shkruan:

Të jemi të qetë. Sepse vetëm duke e përjetuar me maturi jetën tonë, do të mund të arrijmë qëllimin tonë për të jetuar së bashku.

– Jini e qetë!

– Më doni!

– Sot – dje – çfarë mall i përlotur për ty – për ty – jeta ime. Gjithçka imja je ti. Urimet më të përzemërta, për ty.

– Oh, vazhdo të më duash – kurrë mos e gjyko keq zemrën më besnike të të dashurit tënd.

Ky epistolar është padyshim kryevepra të zhanrit suprem romantik, e cila në përvojën botërore lartësohet me shpirtra të qiellt që shkruaj me zjarr letrat që djegim zemra dhe përvëlojnë kurme. E ky qiell ku rri ylli i Ludwig van Beethoven, shkëlqejnë edhe vezullimet dashurore të Vladimir Nabokov, Frida Kahlo, Albert Einstein, Rainer Maria Rilke, Charlotte Brontë, Franz Kafka, Margaret Mead, Allen Ginsberg dhe Oscar Wilde.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Kulture

ROLAND TASHO MJESHTËR I FOTOGRAFISË, DOKUMENTUES I HISTORISË

October 3, 2024 by s p

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI/

Një album i ri i mjeshtërit të fotografisë Roland Tasho është në dorë të të apasionuarve të fotografisë në këtë fundshtatori. Tirana jonë e dashur vjen në këtë album si një analizë krahasimore: “Tirana dje dhe sot”. Kushdo që ka parë albumet e mëparshme të mjeshtërit Tasho mrekullohet që një copëz të Tiranës së djeshme e ballafaqon jo me fjalë me me foto që flasin sa njëmijë fjalë. Rolan Tasho “të merr për dore” dhe të çon në rrugë e rrugica, në tregje e institucione, tek Lana, Piramida, Sheshe e parqe, rrugë e bulevarde. Ai të tregon si ishte dhe si është në një album plot dritë e kolorit pasionant, me thjeshtësi, me qartësi, me kthjelltësi, me dritë, që sjell të gjitha stinët, që di të “prekë” vellon tiranase në gjithë dimesionet e saj plot kulturë, finesë dhe artistikisht të arrirë. Faqeve të albumit mund të rrugëtosh plot frymëzim dhe të çlodhesh duke shijuar fotot artistike. Por artistikisht të përkrryera fotot e aparatit të mjeshtrit Roland Tasho i ka bërë që të flasin një tjetër mjeshtër në fushën e shtypshkrimeve, “Gentgrafik” që drejtohet plot profesionalizëm në shtypshrime Angjelo Kazo. Kushto që shikon produktin e Gentgrafik mrekullohet nga librat, revistat e albumet plot finesë e cilësi, artistikisht të arrira, thjesht dashurohen dhe nuk heqin dorë nga më të mirët në Tiranë. Albumet janë testament fotografije që e ka origjinën prej më shumë se një shekull e gjysmë. Rrugëtimi i fotografisë është interesant dhe nga “pronë” e europianëve u shprnda në gjithë civilizimin botëror.

*

Fotografia një dhuratë për botën dhe fotografët shqiptarë

Fotografia i ka rrënjët te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht 1839, prandaj edhe njihet si “Dita Botërore e Fotografisë”. Rrugëtimi i fotografisë nis me dy francezët, Nicephor Niepce dhe Louis Daguerre, (më 1837), që bota i njeh si zbuluesit e fotografisë, pasi ata zhvilluan teknikën e parë dhe procesin kimik i cili mundësonte ruajtjen e pamjeve. Në të pastajmen pasuan me dekada zhvillimet teknike deri në prezantimin e parë të aparatit “Kodak” ne vitin 1889 ky zhvillim arriti një pikë zhvillimi dhe që u përhap në të pesë kontinentetet. Fakt është se vetëm elektronika dhe digitalizimi kane sjellë një medote të re fotografike, por mjeshtëra si Roland Tasho dhe të tjerë në Shqipëri janë ata që shkruan epokë suksesi dhe mbeten dokumentues të historisë së vjetër dhe të re shqiptare. Fotografë që vunë gurët e artit të fotografisë janë të shumtë dhe mbeten mësuesit e epokave si: Pietro Marubbi (1834-1903) italiani i lindur në Piacenza të Italisë, mbështetësi i flaktë i Garibaldit, do ta lidhte jetën e tij përjetësisht me Shqipërinë dhe do të hynte në histori si fotografi i parë i vendit tonë. Përndjekja nga forcat austro-hungareze e detyruan italianin Marubbi të emigronte drejt Shqipërisë, ku mbërriti rreth vitit 1850. Pietro do ta shqiptarizonte edhe emrin e tij për t’u njohur si “Pjetër Marubi”. Marubi hapi të parën studio fotografike “Foto Marubi”, vijues është Kel Marubi dhe brezi i tretë i fotografëve Marubi që ishte djali i Kelit, Gegë Marubi (1907-1984), që studioi në Lion të Francës në 1923- 1927 pranë shkollës së parë të fotografisë dhe të kinemasë të themeluar nga vëllezërit Lymier, dhe punoi në Shkodër si fotograf nga viti 1928-1940. Emra të tjerë të fotografisë janë edhe: Gjon Mili (1904-1984), Kristaq Sotiri (1883 – 1970), Petro Dhimitri (1886 – 1953), Kristo Sulidhi (1858 – 1938), Perikli Kaçauni (1870 – 1940), Dhimitër Vangjeli (1872 – 1957), Vani Burda (1875 – 1949), Thimi Raci (1886 – 1966), Dedë Jakova, Ymer (Mer) Bali, Mandi Koçi (1912-1982), Besim Fusha, Petrit Kumi, Niko Xhufka, Jani Ristani, Misto Cici, Mandi Adham Koçi (1912 – 1988), si dhe të njohur të kohës sonë, Armando Babani, Nikolin Pici, Vladimir Bizhga, Rexhep Kapole, Pandeli Ristani, Gani Xhengo, Ardian Bushi, fotografi i shquar fotografi Kostandin Poga etj.

*

Roland Tasho fotografi që ka hyrë në histori

Tashmë është mjaft e njohur veprimtaria e fotografit simbol të imazhit shqiptar Roland Tasho. Ai është fotoreporter shqiptar i njohur për fotografitë e tij në protestat e dhjetorit të viteve ’90-të, por edhe për një sërë albumesh që kanë në qendër komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë. Roland Tasho e filloi karrierën e tij si fotograf në vitin 1982 në laboratorin e ndërmarrjes komunale ku punoi për pesë vite, ndërsa në periudhën 1987-1992 ai ishte fotoreporter i revistës së njohur “Ylli”. Ishte gjatë kësaj kohe kur ai realizoi disa nga fotografitë më të njohura për periudhën në lidhje me protestat e dhjetorit të viteve ’90-të në Shqipëri. Në vitet 1993-1996 ishte fotoreporter në gazetën “Aleanca”, një vit më vonë (1997-1998) në gazetën “Shekulli” dhe që nga viti 1999 ushtron aktivitetin e tij si fotograf i pavarur. Nga viti 2001, Roland Tasho është botues i shumë albumeve të njohur fotografike, shumica e të cilëve kanë dokumentuar jetën e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut të tyre. L’Altra Albania (2002), Urë ndërtuesit-Bridge Builders (2008), I speak Albanian (2010), Les Albanais de France (2011), Shqiptarë në Greqi (2012), Shqiptarë në Çeki (2018), dhe Shqiptarë në Hungari (2019), paraqesin portrete shqiptarësh që u përkasin jetës së zakonshme e figura të shquara respektivisht në Itali, Zvicër, SHBA, Francë, Greqi, Çeki, Hungari etj. Veprat e tjera përfshijnë Qëndresa në sytë e Kosovës, Kosovar Fortitude (2001), Marubi (2003), Një Kalvados me Robert Shvarc (2007), Nënë Tereza me shqiptarë (2012), Një karrige për shkrimtarët (2013), Album Fotografik Përmeti (2020), “Kadare dhe Gjirokastër” (2021), “Tirana dje dhe sot (2024), që është edhe albumi i fundit i promovuar këtë fundshtatori në një ambjent të këndshëm artistik si dhe me një audiencë të përzgjedhur të fushës së fotografisë, të artit, të gazetarisë si dhe pjesëmarrës nga Shoqata “Labëria” dega Tiranë, të Shoqatës “Fushëbardha”, “Vëllazërimi kuciot”, “Rexhini”. Merrni pjesë edhe Aleksandër Cipa, Alda Bardhyli, Angjelo Kazo (që është edhe botuesi), Vlash Leka, Alda Bardhyli drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit si dhe studiuese e letërsisë dhe publiciste. Fotografi Roland Tasho nuk i mban si “pasuri personale” por ja kthen qytetarit shqiptar si dokument ekspozitat fotografike, albumet për transformimin e Tiranës në shumë pika fotografimi si Lana, Piramida, Pazari i Ri, etj, flasin për një profesionist mbi dyzetvjecar si fotograf. Dikur ka punuar me aparate si “Hasselblad”, “Linhof”, një nga mbretërit e aparatit, për të mbritur tek aparatet moderne profesionale që mund të “luash” me imazhin dhe që në dorën e mjeshërit e bën fotografinë të flasë. Mjeshtëri krijon imazhe nga nostalgjia në kohë në ralitete të reja, krijon me të vërtetë ekspozitë dhe atmosferë aq sa dashamirësit e artit dhe të rinjtë, kanë se cfarë të mësojnë nga një fotografi më shumë se nga një dokument arkivor. Fotografi profesionist ka fotografuar të gjitha shtresat e popullit, imazhe që kanë ardhur për popullin por që edhe “flenë” të zgjohen në kohën e duhur. Roland Tasho ka një histori edhe me fotografimet e 43 shkrimtarëve në një karrike ku kanë firmosur edhe cifti Kadare, ku kanë lënë firmat të parët që 26 vite më parë, më 1998. Një dorë profesionale artisti sjell për popullin e tij për njerëzit dimesionin social e kulturor jetën e vërtetë shqiptare pasi hulumton qiellin, tokën dhe detin e Shqipërisë, shkon në Fushëbardhë, Labëri, në gjithë krahinat, në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Është mjaft domethënëse “fjala hapëse” e autorit të albumit Roland Tasho tek albimi më i fundit “Tirana dje dhe sot” i shtypur cilësisht nga “Gentgrafik”: Tirana ku kam lindur ka ndryshuar shumë, por edhe Tirana ku unë kam filluar profesionin e fotografimit në vitet ’80-të nuk gjendet më…kam fotografuar sa kam mundur qytetin e vendlindjes..”Tirana dje dhe sot” lindi nga një punë disa dekadash e arkivit tom fotografik..ky botim synon të përfshijë një krahasim vizual të qytetit në periudhën e kaluar duke u përballur me të sotmen..”. Sigurisht, historia e profesionalizmit fotografik do të vijojë.

*

Çmime nderi për mjeshtrin e fotografisë, për fotot që shndrohen në dokument

Vlerësimet dhe cmimet nuk kanë qenë kurrë objektiv i mjeshtrit. Meraku i tij është vetëm tek produkti cilësor, tek albumet dinjitoze që flasin për epokën tonë të “shkruajnë” imazhin shqiptar. Çmimet për mjeshtër Tashon janë tërësisht të merituara dhe mund ti përmbledhim në: “Fotografi i vitit nga Fondacioni HARPA” (2023), Medalje Mirënjohjeje nga Presidenti hungarez, Ader Janos (2016), Çmimi i parë “Soros” në media (2000), Çmimin e tretë në Konkursin ndërkombëtar “Marubi” (1996); “Fotografi i vitit”nga Drejtoria e Rinisë në Ministrinë e Kulturës (1996), Çmim i parë në Konkursin e Fotografisë Artistike “Click Sagra”, Ankona (Itali) (1992), Medalja “Naim Frashëri” (1988), Ndërkohë publikimet e tij janë sa interesantë aq edhe tërheqëse si “Shqiptarë në Kroaci, Gent Grafik, Tiranë, Kadare dhe Gjirokastër, Mediaprint-Tiranë, 2024, 2021, 2020; Album Fotografik Përmeti, Bashkia Përmet, Shqiptarë në Hungari, Gent Grafik, Tiranë, 2019, Shqiptarë në Çeki, Gent Grafik, Tiranë, 2018, Një karrige për shkrimtarët, Toena, Tiranë, 2013, Nënë Tereza me shqiptarë, Gent Grafik, Tiranë, 2012, Shqiptarë në Greqi, Gent Grafik, Tiranë, 2012, Les Albanais de France, Albimazh-Tirana, 2011, I speak Albanian, Onufri, Tirana, 2010, Urë ndërtuesit – Bridge Builders, 2008, Një Kalvados me Robert Shvarc, Tiranë, 2007, Marubi, MKRS, Tiranë, 2003, L’Altra Albania, Onufri, Tiranë, 2002, Qëndresa në sytë e Kosovës, Kosovar Fortitude, Onufri, Tiranë, 2001. Ekspozitat e Roland Tashos kanë qenë të sukseshme në Itali, Francë, Gjermani, Hungari, Rusi, Austri, Belgjikë, Argjentinë, Zvicër, Greqi, Portugali, Kosovë si edhe në Shqipëri. Arritjet artistike të Roland Tasho kanë qenë sinjifikative në një numër të madh ekspozitash të hapura brenda dhe jashtë vendit. Ai mori medaljen “Naim Frashëri”, më 1988 dhe katër vjet më vonë fitoi çmimin e parë në Konkursin e Fotografisë Artistike “Click Sagra” në Ankona. Më 1996 u shpall “Fotografi i vitit” nga Drejtoria e Rinisë në Ministrinë e Kulturës dhe fitoi çmimin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar “Marubi”, ndërkohë që në vitin 2016 u vlerësua me një medalje mirënjohjeje nga presidenti hungarez Ader Janos. Për të gjitha këto për fotografët gazetarët kanë qenë të kursyer në fjalë, në vetëmrreth 20-25 shkrime. Por në fakt fotot e mjeshtrave flasin më shumë se njëmijë fjalë, flet vepra, kultura, shprehja artistike, gjetja e motiveve, jeta në të gjithë vendin nga Konispoli e Ksamili në Valbonë, Theth e Valbonë vjen për shqiptarët në mënyrën më të bukur të mundshme. Kjo dallon në albumet plot vlerë artistike të Roland Tashos. Mijëra fotografi të tij mbajnë shpirtin e tij, qetësinë dhe mirësinë njerëzore, vlerën e një artisti që më shumë se me fjalë flet me aparatin fotografik me mjeshtërinë e tij, që duket si një dhuratë e Zotit, për mjeshtërinë që rrallëkush e zotëron me shpirt krijues

Filed Under: Kulture

Poetët për ndryshimin…

October 2, 2024 by s p

Kozeta Zavalani/

Në mbyllje të shtatorit, një grup krijues; poetë e artistë nga Tirana e durrësi u bashkuan më 28 shtator 2024, ora 11.00 deri 13.00 në Kafen Rosa Blu në G-Kam Tower, Tirana, Albania, si çdo vit të shtunën e fundit të shtatorit në eventin mbarëbotëror “100 mijë Poetët për Ndryshim” ku deklamuam nga një poezi, për të ndryshuar sado pak fenomenet negative të shoqërisë, për të ardhmen më të mirë të fëmijve tanë, nën motion -Të mos heshtim!

Ashtu si thotë Shenjtore Nënë Tereza – Ne nuk mund të bejmë gjëra të medha, por mund të bëjmë punë të vogla me dashuri të madhe – E tillë ishte edhe veprimtaria jonë. Ka mjaft veprime konkrete që të gjithë mund të bëjmë për të filluar ndryshimin.
Ngritja e vetëdijes për format e ndryshme të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është element i rëndësishëm sepse vetëdija e rritur është hapi i parë drejt ndryshimeve të qëndrimeve dhe sjelljeve që nxisin ose lejojnë forma të ndryshme të dhunës ndaj grave, etj.
Veprimtari e tillë e iniciuar nga Michael Rorhenberg zhvillohet jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në të gjithë botën në një demonstrim / festim të poezisë për të promovuar ndryshime serioze sociale, mjedisore ose politike… ?

Ky është viti ynë i 14-të!
“Çfarë ndryshimesh po flasim?”

Rendi i parë i ndryshimit është që poetët, shkrimtarët, artistët, çdokush, të bashkohen së bashku për të krijuar dhe kryer, edukuar dhe demonstruar, në të njëjtën kohë, me komunitetet e tjera anembanë botës. Kjo do të ndryshojë mënyrën se si e shohim komunitetin tonë lokal dhe bashkësinë globale. Ne të gjithë jemi bërë të huaj në vitet e fundit. Vështirë se dimë fqinjët tanë poshtë rrugës, e jo aleatët tanë krijuesë që jetojnë dhe ndajnë shqetësimet tona në vende të tjera. Ne duhet ta ndiejmë këtë lloj solidariteti global. Mendoj se ky do të jetë fuqizimi yne.
Sigurisht ka ndryshime sepse ka probleme në botë. Luftërat, mungesa e kujdesit të përballueshëm mjekësor, racizmi, etj, lista vazhdon.
Duket se transformimi drejt një bote më të qëndrueshme është një shqetësim i madh dhe mund të jetë një parim udhëheqës global për këtë ngjarje. Paqja gjithashtu duket të jetë një shkak i zakonshëm. Unë shpresoj që së bashku mund të zhvillojmë idetë tona për “ndryshimin / transformimin” që po kërkojmë si grup dhe se secili grup komuniteti do të vendosë zonën e tyre specifike të fokusit për ndryshimin e ngjarjes së tyre të veçantë.
Çështja është të shihet kjo veprimtari dhe të dëgjohen zërat tanë, jo të qëndrojmë prapa mureve të mbyllura. Është gjithashtu e rëndësishme që ngjarja të dokumentohet. Fotot, videot, poezitë, e gjithçka të dokumentohet.

Dokumentacioni ndahet përmes një blog / website ku grupet ndajnë dhe njoftojnë informacionin e ngjarjes, me foto, video, poezi, dhe mendime. Por një ngjarje nuk duhet të përfshijë mijëra njerëz. Mund të jenë disa e (organizatori) juaj, edhe në një cep të rrugës, me një shenjë dalluese të eventit.

Eshte viti i 14-të që ne mbështesim idenë e iniciuar nga Michael Rothenberg ( R.I.P) e Terri Carrion për të frymëzuar komunitetin global të poetëve, që të mblidhen së bashku jo në një vend të vetëm, por në një ditë të vetme, të bëjnë poezi për hir të çfarëdo lloj ndryshimi që ata besojnë se është më i nevojshëm, në nivel lokal, kombëtar e në të gjithë planetin. Ne mendojmë se do të sjellim një ndryshim të vogël në komunitet nëpërmjet motos: “Jemi të gjithë ëngjëj, le të bashkojmë krahët në fluturimin tonë drejt së ardhmes, duke protestuar kundër padrejtësive sociale, për një familje të shëndoshë në një shoqëri të shëndetshme.
Idea është të frymëzojë komunitetin global të poetëve, që të mblidhen së bashku jo në një vend të vetëm, por në një ditë të vetme, të bëjnë poezi për hir të çfarëdo lloj ndryshimi që ata besojnë se është më i nevojshëm, në ngjarjet e organizuara në nivel lokal në të gjithë planetin. Duket qartë se, “ndryshimi” është një fjalë kodi për lëvizjen shoqërore progresive drejt paqes, tolerancës dhe qëndrueshmërisë, por bukuria e konceptit të 100 mijë poetëve për ndryshim është se ajo është plotësisht e decentralizuar dhe tërësisht gjithëpërfshirëse. Pra, përgjigja për “cilët poetë?” Është; cilido e të gjithë poetët që duan të marrin pjesë dhe përgjigja për “çfarë ndryshimi” është çfarëdo ndryshimi që poetët duan të çojnë drejt të ardhmes. Veprimtaria jonë “100 mijë Poetë për Ndryshim” u realizua me sukses në kafe Rosa Blu në Gkam Center Tiranë me deklamimin e poezive, që i dhanë takimit një frymë të re dhe freski në tematikë dhe ide.
Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve; nga më i vjetri, kritiku i artit Baxhul Merkaj shkrimtarët iranianë Shahriar Kia me dy të tjere e veçanërisht poetja që kishte udhëtuar nga Peshkopia, Miranda Troci Derti e gjithë miket nga Flutura Maçi Zhuljeta Grabocka, Avv Kadrije Gurmani Nezi Plaku Velaj Nexhi Baushi Nurie Maliqi Baduni Dhurata Haxhiu Kasa Elda Keci Veronika Cfarku Buxhakue miqtë poetë nga Durrësi, Agim Agim L Bajrami e Muça Vladimir si dhe miken Terri Carrion që na kujton të dashurin tonë, inicues i këtij eventi mbarëbotëror Michael Rothenberg (R.I.P) Faleminderit të gjithëve që gjetën kohë për të marrë pjesë në takimin tonë të 14.
Qofshi të bekuar! Faleminderit për fotot, që e hijeshuan eventin tonë! Mirë u takofshim në eventin e 15-të!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 543
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT