• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Na ishte njëherë “Opereta Agimi”

July 14, 2024 by s p

Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti/

U mbyll dje me ndjesitë më të bukura në Teatrin e Korçës një “udhëtim” i shumëpritur për mua, ose një “mision” që kam ëndërruar që fëmijë, që quhej “Na ishte njëherë opereta Agimi” ku mes duartrokitjeve morëm shumë urime të ngrohta dhe inkurajuese nga publiku artdashesh i këtij qyteti. Një univers i ndryshëm, planetar, përrallor dhe ëndërrimtar, me surpriza të vazhdueshme, emocione, nostalgji, muzikë interesanta dhe shumë të qeshura pas kuintave, që tërheq të mëdhenj e të vegjël…

Por më lejoni të them pasioni, gëzimi, vitaliteti, dashuria e gjithë atyre artistëve që punuan së bashku për rezultatin e djeshëm është një punë kolektive vetëm pak ditore dhe për këtë arsye, më preku dyfish prandaj dhe zemra më vërshoi me ndjenja të këndshme e të ngrohta!

Nga fillimi deri në fund të gjithë artistët, me zërat e tyre të mrekullueshëm, mishëruan pershobazhe me një pafajësi tashmë të harruar, të ngrohtë, lozonjare, të butë, shpirtmirë dhe të gjallë që e ftonin publikun në një rrugëtim në disa foto bardhezi që nuk doje ta përfundonte… Kristo Kono tek “Agimi” ka ndërthurur një muzikë orkestrale veçanërisht të bukur me motive nga e gjithë Shqipëria, me korale interesante dhe personazhe krejt muzikalë që dje na kapën për dore dhe udhëtuan me ta, në një botë tjetër që kaq i mungon Shqipërisë….. madje dhe ne vetë u bëmë shoqërues në një udhëtim shumë interesant me shumë stacione që na mësuan plot gjera.

Megjithatë duartrokitjet që morëm na dhanë shumë dritë dhe forcë për të vazhduar. Me të vërtetë ajo që na erdhi dje ishte gjëja më e bukur që kam përjetuar ndonjëherë. Urime gjithë stafit per punen e mrekullueshme!!!

Faleminderit Inva Mula që rrezikove të realizosh pa e menduar dy herë ëndrrën time më të çmendur, faleminderit zysh Suzana Turku për përgatitjen e shkëlqyer me trupën dhe për drejtimin, gjithashtu faleminderit Bardhi Pojani për koreografinë e bukur me shtëpinë time të dytë, Ansambli ”Skenderbeu” Korca-Albania që i dha frymë edhe ngjyrë Agimit, su edhe Elva Bella për kostumet.

Por gjysma ime tjetër në këtë vepër nuk ishte askush veç Jusiald Xhani që së bashku punuam për të çpluhurosur nga harresa e historisë këtë vepër të bukur e për ta përcjellë dje tek ju.

Ju dërgoj gjithë dashurinë dhe mirënjohjen time të pafund dhe shpresoj që Zoti t’ju bekojë dhe t’ju japë forcë, që të ndriçoni shpirtrat e shikuesve dhe të zgjoni ndërgjegjen e të rriturve!!!! Me shumë Mirënjohje.

Faleminderit ♥️🙏

Filed Under: Kulture

Kujtojmë intelektualin e njohur, “Nderin e Kombit”, 𝗚𝗷𝗲𝗿𝗴𝗷 𝗩𝗹𝗮𝘀𝗵𝗶

July 13, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot, në 96 vjetorin e lindjes, kujtojmë me respekt regjisorin dhe shkrimtarin e njohur, “Nderin e Kombit”, 𝗚𝗷𝗲𝗿𝗴𝗷 𝗩𝗹𝗮𝘀𝗵𝗶. Trashëgimia më e madhe që mund të lërë pas një intelektual dhe krijues është EMRI. Emri që lë mbi veprat, emri që lë përtej kohës si frymëzim për brezat e ardhshëm. Klubi I Librit “Gjergj Vlashi” në Durrës, që mban emrin e tij, edhe pas ndarjes së tij nga jeta, është provë e gjallë e kësaj trashëgimie, duke bashkuar intelektualët, krijuesit, edukatorët, e këdo tjetër, nga të gjitha fushat e jetës, që është i pasionuar pas librit.

In libras, veritas (Te librat gjendet e vërteta). Por përmes librave ne gjejmë edhe shumëkënd tjetër me të njëjtën mendësi e pasion për të bukurën, krijimtarinë dhe emancipimin e shoqërisë. Klubi i librit “Gjergj Vlashi” në Durrës, u krijua më 28 janar të vitit 2023.

Ishte një tjetër nismë e ndërmarrë në kuadër të nxitjes së interesimit ndaj të lexuarit. Do të donim të ndaleshim sot në një nga detajet më të rëndësishme: emërtimin e tij. Pas diskutimeve të pjesëmarrësve për nevojën e një klubi leximi në Durrës, u kalua te emri që ai do të mbajë. U diskutuan disa, por ai që la mbresë te të gjithë, ishte emri i Gjergj Vlashit. Me një duartrokitje të pjesëmarrësve, u vendos njëzëri që ky klub të mbante emrin e tij.

Gjergj Vlashi, shkrimtar, dramaturg dhe përkthyes i autorëve të rëndësishëm të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, konsiderohet si regjisori modernizues i estradës dhe një nga themeluesit e varietesë muzikore. Ai ishte personazh-kyç i tri periudhave të zhvillimit të artit të dramës dhe i teatrit shqiptar: para lufte, mbas saj, si dhe gjatë tranzicionit të pas viteve 1990.

Gjergj Vlashi lindi në qytetin antik të Durrësit me 13 korrik 1928.

Gjergj Vlashi mban tituj dhe dekorata të larta si “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2007 është nderuar me urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij si shkrimtar, dramaturg dhe si themelues i estradës shqiptare, në nderim të veprave dhe kryeveprave të vëna në skenë në mjaft qytete të Shqipërisë, duke u bërë një personalitet i pazëvendësueshëm i artit dhe letërsisë së vendit tonë”.

Gjergj Vlashi ka qenë për shumë vite, anëtar nderi i Këshillit Të Bibliotekës së qytetit. Pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë letraro-artistike të organizuara nga ky institucion.

Me dhënien e emrit të tij Klubit të librit, ai do të vazhdojë të kujtohet ndër vite dhe të përfaqësohet nga lexues të mirë, pse jo edhe studiues dhe intelektualë të spikatur durrsakë.

Do të vazhdojë të përcillet ndër vite::urtia, fjala dashamirëse, eleganca e fjalës dhe ai arsenal i vyer veprash që na ka lënë pas si në përkthime dhe në krijimtari origjinale.

Me nismën e Klubit të librit dhe mbështetjen e shtëpisë botuese “Jozef” dhe drejtuesit të saj Aurel Kaculini, u realizua ribotimi i librit “Njeriu i netëve të vjeshtës” me një parathënie të poetit, shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë Arian Leka.

Kujtojmë sot në ditën e lindjes Gjergjin tonë, pasi ai veç ka ardhur mes nesh dhe do të vazhdojë të qëndrojë.

Filed Under: Kulture

Nicola Tesla, gjeniu që i fiksua pas pëllumbave dhe u dashura me njërin prej tyre

July 12, 2024 by s p

Nikola Tesla ishte një inxhinier dhe fizikant i njohur për punën e tij novator në energjinë elektrike. Ai konsiderohet një gjeni, me patenta të shumta në emrin e tij, por ai kishte një anë të çuditshme që shumë njerëz e kishin të vështirë ta kuptonin.

Ndër veçoritë e gjeniut Tesla ishte dashuria e tij për pëllumbat. Kur jetonte në Nju Jork, ai kalonte orë të tëra çdo javë duke ushqyer pëllumbat në park dhe në mënyrë rutinore merrte në shtëpi çdo të plagosur, në mënyrë që t’i ushqente me qumësht. Ai shpesh i mbante dritaret hapur në suitën e hotelit, në të cilin jetonte, në mënyrë që pëllumbat të mund të vizitonin kur të dëshironin, duke rezultuar të rrethohej nga një rrëmujë të tmerrshme që bënin fluturakët e tij të adhuruar.

Një herë ai madje i kërkoi një shefi hoteli që të përgatiste një përzierje të veçantë farash për miqtë e tij me pendë. Të njohurit e Teslës e panë të çuditshëm pasionin e tij për pëllumbat, sepse shpikësi ishte një germofob i njohur, siç duhet Germofobia është një term që përdoret për të përshkruar frikën patologjike të mikrobeve, baktereve, ndotjes dhe infeksionit.

Tesla nuk u martua kurrë, por ai pranoi se ra në dashuri me një pëllumb të bardhë shumë të veçantë që e vizitonte rregullisht. Mësohet se ai ka thënë se: “Unë e doja atë pëllumb ashtu si një burrë do një grua, dhe ajo më donte mua. Për sa kohë që e kisha, jeta ime kishte një qëllim.” Mënyra e jetesës së Teslës si beqar ka të ngjarë të rrjedhë nga besimi i tij se intimiteti do të ndërhynte në kërkimin e tij shkencor. “Unë nuk mendoj se mund të përmendni shumë shpikje të mëdha që janë bërë nga burra të martuar,” vuri re një herë ai.

Në vitin 1922 Tesla raportoi se pëllumbi i bardhë i kishte fluturuar në dhomën e tij për t’i thënë se ajo po vdiste. Përpara se zogu të kalonte, tha ai, një dritë e bardhë shkëlqeu nga sytë e saj, më e ndritshme se çdo gjë që kishte krijuar ndonjëherë me makinerinë e tij elektrike. Tesla ishte zemërthyer nga vdekja e mekes me pendë dhe u tha miqve se në atë moment, ai ndjeu se puna e jetës së tij kishte përfunduar.

Pëllumbat ishin vetëm një nga idiosinkracitë e shumta të Teslës. Ai ishte i fiksuar pas numrit 3 dhe u përfshi në një sërë sjelljesh kompulsive rreth tij. Për shembull, ai zakonisht lante duart tri herë radhazi dhe ecte rreth një ndërtese tri herë para se të hynte. Tesla gjithashtu i urrente perlat dhe nuk pranoi të fliste me gratë që i mbanin ato. Arsyetimi pas këtyre sjelljeve mbetet një mister, megjithëse disa besojnë se ato janë shenja të çrregullimit obsesiv-kompulsiv.

Gjatë tre dekadave të fundit të jetës së tij, ka të ngjarë që asnjë në dhjetëra mijëra që e panë këtë zotëri që shoqërohej me pëllumbat duke i ushqyer ato, të mos e dinin se kush ishte. Fama e tij kishte vdekur dhe brezi që e njihte mirë kishte kaluar tashmë. Edhe kur gazetat, një herë në vit, shpërthenin në tituj për Teslën dhe parashikimet e tij të fundit në lidhje me mrekullitë shkencore që do të vinin, askush nuk e lidhi atë emër me njeriun tepër të gjatë, shumë të dobët, të veshur me rroba të një epoke të shkuar, i cili pothuajse çdo ditë ishte aty duke ushqyer miqtë e tij me pendë. Ai ishte vetëm një nga individët e çuditshëm nga të cilët duhen një numër i madh i llojeve të ndryshme për të krijuar një popullsi të plotë të një metropoli të madh.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Kulture

Odiseja e një pikture

July 9, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

“Mona Lisa”, padyshim piktura më e famshme në botë, ka qenë dhe është objekt i shumë spekulimeve.

Ajo është një nga pikturat më të vlefshme. “Mona Lisa” mban Rekordin Botëror Guinness për vlerësimin më të lartë të sigurimit të pikturës në histori me 100 milionë dollarë në vitin 1962, ekuivalente me 1 miliard dollarë që nga viti 2023. Për shekuj me radhë, njerëzit kanë vënë në dyshim identitetin e gruas në pikturën “Mona Lisa”. Më 5 mars 1495, Lisa Gherardini 15-vjeçare u martua me 29-vjeçarin Francesco di Bartolomeo del Giocondo dhe mori mbiemrin e tij. Aty pranë banonte edhe Leonardo Davinci. Vetëm kohët e fundit, ekspertët artit sikur pranuan zgjidhjen e enigmës; gjetjen që një studiues gjerman bëri në vitin 2005.

Të gjitha dyshimet për identitetin e “Mona Lizës” janë eliminuar nga zbulimi i Armin Schlechter, historian në bibliotekën e Universitetit Heidelberg. Ai fillimisht gjeti prova për identitetin e gruas, kur po mblidhte dorëshkrime të vjetra për një ekspozitë në fillim të vitit 2005. Zbulimi u la në heshtje; askush nuk e kuptoi rëndësinë. Vetëm pas 3 vjetësh, më 2008, dolën reagimet. Historiani kishte zbuluar një shënim të Agostino Vespuccit në tetor 1503 në një libër që tani i përket bibliotekës së Universitetit të Heidelberg. Shënimi identifikon Lisa del Giocondo, gruaja e një tregtari të pasur fiorentin, si “Mona Lisa”. Lisa Gherardini ishte e martuar me Francesco del Giocondo, një tregtar i suksesshëm mëndafshi, familja e të cilit banonte në Firence dhe Toskanë. Piktura ishte porositur për shtëpinë e tyre të re dhe për të festuar lindjen e djalit të tyre të parë. Leonardo nuk ia dha kurrë pikturën familjes Giocondo. Besohej se ishte pikturuar midis viteve 1503 dhe 1506; megjithatë, Leonardo mund të ketë vazhduar të punojë në të deri në vitin 1517. Mbreti Françesku I i Francës fitoi Mona Lizën pas vdekjes së Leonardos në 1519, dhe tani është pronë e Republikës Franceze. Zakonisht është ekspozuar në Luvrin në Paris që nga viti 1797. Fama globale dhe popullariteti i pikturës rrjedhin pjesërisht nga vjedhja e saj në vitin 1911 nga Vincenzo Peruggia, i cili ia atribuoi veprimet e tij patriotizmit italian – një besim se piktura e Davincit duhet t’i përkiste Italisë. Vjedhja dhe rimëkëmbja e mëvonshme në 1914 gjeneruan publicitet të paparë për një vjedhje arti dhe çuan në publikimin e shumë përshkrimeve kulturore si opera Mona Lisa e vitit 1915, dy filma të fillimit të viteve 1930 (Vjedhja e Mona Lizës dhe Arsene Lupin) dhe kënga “Mona Lisa” e regjistruar nga Nat King Cole – një nga këngët më të suksesshme të viteve 1950.

Lisa del Giocondo u lidh për herë të parë me veprën e Leonardo da Vinçit në vitin 1550 nga shkrimtari italian Giorgio Vasari, megjithëse kishte dyshime për besueshmërinë e tij. Në shënimin nga Agostino Vespuci në vitin 1503, thuhet se Leonardo ishte duke punuar në një portret të Lisa del Giocondo. Titulli i pikturës, e cila njihet në anglisht si “Mona Lisa”, bazohet në supozimin se përshkruan Lisa del Giocondo; por ngjashmëria e saj është e pasigurt. Historiani i artit të Rilindjes Giorgio Vasari shkroi se “Leonardo mori përsipër të pikturonte për Francesco del Giocondo, portretin e Mona Lizës, gruas së tij.” Monna në italisht është një formë e sjellshme e adresimit me origjinë si ma donna ose Zonja ime. Kjo u bë Madona, dhe tkurrja e saj Monna. Titulli i pikturës, megjithëse tradicionalisht shkruhet Mona, në italisht shkruhet si “Monna Lisa”. Emri italian për pikturën, La Gioconda, do të thotë “jocund” (“e lumtur” ose “e gëzuar”) ose, fjalë për fjalë, “jocund ai”, për formën femërore të emrit martesës së Lizës. Në frëngjisht, titulli La Joconde ka të njëjtin kuptim. Rrëfimi i Vasarit për Mona Lizën vjen nga biografia e tij për Leonardon e botuar në vitin 1550, 31 vjet pas vdekjes së artistit. Prej kohësh ka qenë burimi më i njohur i informacionit mbi prejardhjen e veprës dhe identitetin e personit. Asistenti i Leonardos, Salaì, në vdekjen e tij në 1524, zotëronte një portret i cili në letrat e tij personale quhej la Gioconda, një pikturë e trashëguar nga Leonardo. Që Leonardo pikturoi një vepër të tillë dhe data e saj, u konfirmuan në vitin 2005 kur studiui në Universitetin e Heidelberg zbuloi një shënim në një shtypje të vitit 1477 të një vëllimi nga filozofi i lashtë Ciceroni. Shënimi i datës tetor 1503, ishte shkruar nga bashkëkohësi i Leonardos, Agostino Vespucci. Për fat të keq, nuk është absolutisht e sigurt se ky portret i Lisa del Giocondo është piktura në Luvër. Një katalog i vitit 2019 konfirmon se piktura ndoshta ngatërron Lisa del Giocondo, me Isabella d’Este që është alternativa e vetme e besueshme. Studiuesit kanë zhvilluar disa pikëpamje të ndryshme, duke argumentuar se Lisa del Giocondo ishte subjekt i një portreti tjetër, duke identifikuar të paktën katër piktura të tjera të referuara nga Vasari si “Mona Lisa”. Disa janë propozuar si subjekt, përfshi Caterina Sforza, Bianca Giovanna Sforza, Salaì dhe madje edhe vetë Leonardo. Psikoanalisti Sigmund Freud teorizoi se Leonardo dha një buzëqeshje miratuese nga nëna e tij, Caterina, te “Mona Lisa” dhe vepra të tjera.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Kulture

KADAREJA – NGA   SHQIPËRIA   NJË   ZË   EVROPIAN QË TREGOI LUFTËN E TOTALITARIZMIN

July 7, 2024 by s p

Nga  ANTONIO CARIOTI/

Edhe se vinte nga Vendi më i mbyllur e më i varfër i Evropës, shkrimtari e poeti shqiptar Ismail Kadare, i shuar në kryeqytetin Tiranë në moshën 88 vjeçare, kishte futur në veprat e tij një frymëmarrje universale, që i kishte dekretuar famën botërore, me përkthime në rreth dyzet gjuhë.

Regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte lejuar, edhe se i vënë  nën mujshive të ndryshme. Nga 1990 ishte shpërngulur në Francë e në rrafshin ndërkombëtar kishte patur vlerësime të rëndësishëm. Fuqia ringjallëse e shkrimeve të tij dhe padia e shtypjes totalitare kishin shtyrë antarët e zhurisë  t’i jepnin çmimin  Man booker prize në 2005, çmimin Princi i Asturies më 2009 dhe çmimin Nonino më 2018. Disa herë ishte zgjedhur ndërmjet kandidatëve të Nobelit. Tani në Itali titujt e tij janë botuar nga Anija e Tezeut.

I lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936, Kadare ishte diplomuar në Histori e Gjuhësi, pastaj i ishte kushtuar poezisë. Vjen në 1963 romani i parë i Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, nga i cili është nxjerrë një film, i drejtuar nga Luçiano Tovoli me Marcello Mastroianin, Michel Piccoli dhe një Sergio Castellitto  shumë i ri.

U prit në mënyrë johenike nga autoritetet e Vendit ballkanik, ateizmit mizor të Shtetit të të cilit i jepte bezdi  fakti që një prift të  “përshkruhej si një njeri simpatik”, libri tregon për një gjeneral e një meshtar italian që udhëtojnë nëpër Shqipëri  për të mbledhur eshtrat e ushtarakëve të rënë. Tek neve u përkthye vetëm në 1982 nga Longanezi, ndërsa në Francë kishte patur prej kohësh një sukses të shquar. Megjithatë një vit më parë kishte dalë në Itali, gjithmonë për Longanezin një tjetër roman i Kadaresë , Daullet e shiut (1970) (I tamburi della pioggia) që ishte pritur mirë në Corriere nga Giorgio Manganelli..

Ndërkaq kishin vazhduar problemet e Kadaresë me regjimin. Disa burokratë të zellshëm madje ishin habitur se si Hoxha lejonte botimin jashtë Shtetit të librave të tij. Një ditë Kadareja ishte thirrur nga diktatori, i cili ishte ankuar nga fakti që autori shkruante “gjëra të trishtuara” dhe e kishte nxitur të këndonte sukseset e hamendësuar të “partisë heroike shqiptare”. Megjithatë Kadareja kishte shkuar përpara në rrugën e tij e në një farë pike ishte detyruar të përpilonte një autokritikë poshtëruese, në të cilën pranonte se kishte “shkruar gjëra të kundërta me të mirën e popullit”, duke u sjellur si një  “armik i komunizmit”.

Kjo nuk kishte mjaftuar megjithatë për të shmangur çensurën e pësuar më 1981 mbi librin e tij Pallati i ëndrrave (Longanesi 1991). Ishte e qartë se godina në të cilën, në roman mblidheshin ëndrrat e gjithë nënshtetasve të Perandorisë ottomane, kujtonin sistemin policor që shtypte atdheun e autorit. Në shumë drejtime, siç kishte vërejtur mprehtësisht Claudio Magris, disa vepra të Kadaresë sillnin ndër mënd të kundërtën e Utopisë së përshkruar nga George Orwell më 1984, me ndryshimin se tregimi i shqiptarit vinte nga brëndësia e mekanizmit totalitar. “Kadareja – shkruante Magris – është sikur të kishte jetuar vërtetë nën shikimin e Vëllait të Madh”.     

Në vitet Tetëdhjetë, mbas vdekjes së Hoxhës, regjimi komunist kishte filluar të tregonte se i kishte dalë boja dhe Kadareja kishte shpresuar në një liberalizim. Kishte lënë në dorëzim më 1986  në Francë, ku kishte mundësi qëndrimi përkohësisht, në sajë të prestigjit ndërkombëtar, tre dorëshkrime veprash kritike kundrejt udhëheqjes së Vendit të tij. Pastaj Kadareja kishte mbajtur një letër këmbim me pasuesin e Hoxhës, Ramiz Alia, për të kuptuar nëse ai ishte i frymëzuar nga synime reformuese dhe kishte arritur në përfundimin se nuk ishte aspak ashtu. Kështu më 1990, pak përpara rënies së regjimit, kishte lënë Vendin e tij për Francën, ku do të kishte mundur të shprehte më lirisht kundërshtinë e tij ndaj autoritarizmit në vepra si Bija e Agamemnonit (Longanesi,2007).

Tjetër temë e përsëritëshme, në librat e Kadaresë, është kanuni, kodi i nderit jo i shkruar por i respektuar, pjesërisht edhe sor, nga popullsitë shqiptare të zonave malore: një ligj i lashtë e shpesh mizor që luan një rol themelor në disa romane të tij.

Admirues i Dantes, Kadareja kujtonte se si Komedia Hyjnore kishte patur një vëmëndje të madhe në mjediset letrare të Vendit të tij të raskapitur nga despotizmi i Hoxhës. N’ata vite, kishte shkruar, “ferri i së vërtetës shqiptare” kishte shtyrë studjuesit “të përkthenin në mënyrën më të plotë, më prekëse, më të përshpirtëshme ferrin e përshkruar nga Poeti”.

“Corriere della Sera”, 2 korrik 2024       Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT