• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kafka, vallëzimi i së tashmes me të përhershmen

June 18, 2024 by s p

Agim Baçi/

A nuk mendon njeriu jo pak herë se ajo që i ka ndodhur apo që po i ndodh nuk është ajo që ka dëshiruar, apo nuk është në statusin që meriton në shoqëri? A nuk kemi ngritur mite ne për jetën, dashurinë, për qytetin, për komunitetin, për kontin, për prijësin dhe përballë këtyre miteve kërkojmë të ndërtojmë përditshmërinë tonë, madje duke besuar se meritojmë më shumë se në realitetin që na shohin sytë?

K-ja, personazhi i romanit “Kështjella” të Franz Kafkës, i thirrur si arëmatës nga konti, fle në “Bujtinën e Urës”, ka status të punojë për kështjellën, por pa mundur të futet atje. K-ja, është egoja e autorit që i beson shkrimit si çlirim. Por njeriu dhe shkrimi jo pak herë futen në labirinthe pakuptueshmërie. Dhe kur nuk e kupton atë që ka përballë, njeriu është i prirur të besojë se është thjesht një keqkuptim ose gabim. Por jo. Të paktën, kryebashkiaku i qytezës i tregon K-së se, nuk ka gabime apo keqkuptime, pavarësisht se mund të duken së jashtmi ashtu.

“…A ka një shërbim kontrolli? Gjithçka është shërbim kontrolli. Kuptohet, nuk është ngritur për të zbuluar gabime në kuptimin e epërm të fjalës sepse nuk bëhen gabime e, edhe në qëlloftë, se ndodhin përjashtime dhe bëhen, kush mund të thotë, në fund të fundit, se kemi të bëjmë në të vërtetë me një gabim?”, i thotë kryebashkiaku K-së, i cili nga ana e tij nuk arrin ta kuptojë se si mund të ketë pasur një gabim në ftesën e kontit që e ka thirrur të punojë aty si arëmatës.

Por, a nuk mendojmë edhe ne shpesh siç mendon si K-ja, duke besuar se jemi brenda një jete që mund ta ndërtojmë individualisht, pavarësisht mendimit të të tjerëve, pavarësisht traditës së njerëzimit, pavarësisht rrethanave ku jemi. Kjo është shaka që njeriu shpesh i bën vetes, të paktën për aq kohë sa nuk ka kuptuar fuqinë e “së papriturës”. Dhe “Kështjella”, në dukje e lehtë e pastaj me aq labirinthe, nuk është veçse pëlhura që thur fatin tonë, si një fuqi e epërme. Dhe kjo pëlhurë mbetet ashtu, siç mbetet “Kështjella” për K-në, sa e dukshme, aq edhe e largët. Ashtu siç edhe ditët tona kalojnë herë duke besuar se mundemi të shkojmë shumë më përtej se ajo që mundemi vërtet, e herë se nuk kemi bërë asgjë më shumë se sa ajo që fati ka dashur për ne.

Rrugëtimi dhe gjithë njohjet, të dëshiruara apo jo nga K-ja, e që e afrojnë dhe e largojnë atë në mënyrë të pabesueshme nga “Kështjella”, nuk është veçse është rrugëtimi ku ndeshet si në një vallëzim e tashmja me të përhershmen. Vetëm kur arrijmë të kuptojmë se e tashmja jonë është veçse një ekspozim i detajeve të së përhershmes, mundet që edhe të qetësojmë mendjen tonë që në mënyrë permanente rreket të ndajë realitetin nga miti.

E veçanta e marrëdhënieve të qytezës brenda Kështjellës dhe fshatit që shtrihet rrëzë Kështjellës, ku çdo banor i fshatit sheh me admirim këdo që jeton atje, është se aty asgjë nuk bëhet me dhunë. Madje, as kundërshtitë e K-së për dy ndihmësit që e parehatojnë gjëndjen e tij, apo për atë individ që kërkon të bëjë ndryshe, për të qenë i lirë, nuk hasin në këmbëngulje të autoriteteve. E megjithatë, asnjë fitore e K-së nuk vlen përballë labirintheve që e ulin dhe e ngrenë përditshmërinë e K-së, ashtu si befasitë që marrin udhët brenda “Kështjellë-s”. Ç’do refuzim nënkupton një tëhuajësim të atij që mendon se gjendet pranë Kështjellës, por që në të vërtet veç largohet prej saj.

Marrëdhënia e K-së me Fridën, banakieren e bujtinës, qëllon të jetë, një marrëdhënie e njëjtë edhe në sytë e ndihmësave të tij që nuk i do, këmbëngulja për të folur me Klamin, zyrtarin e Kështjellës që është dhe i dashuri i Fridës, bëhen pjesë e një realiteti që nuk dallon shumë nga ëndrra.

Edhe fytyra e Klamit, që “ndryshe vjen nga kështjella e ndryshe ikën”, apo plakja dhe rrudhja brenda dite e ndihmësit Jeremias, vetë sa e plotëson këtë përplasje brenda nesh.

E gjithë përballja që në fillim i duket K-së normale, nis të zbehet. Kafka këtu ja zëvendëson K-së bashkëbiseduesit e dorës së parë që janë afër Kështjellës, si Klami e Frida, me personazhe dytësore, si Olga, Lazemani, Pepi, Barnabasi. Deri sa K-ja nuk dallon më kufijtë e ëndrrës dhe realitetit. “Jo, mos kërkoni ndjesë që dremitët, s’ka përse. Fuqitë e trupit kanë njëfarë kufiri; ç’faj ka dikush nëse ata kufinjë në çast u duket sikur kanë tjetër vlerë? Asnjë faj. Kështu, në rrjedhë të vet, bota korrigjon vetveten dhe ruan drejtpeshimin. Eshtë një rend i shkëlqyer, as nuk mund të merret me mend një rend më i mirë, edhe pse, në një vështrim tjetër, kjo sikur të pret krahët”, i thotë Byrgeli K-së pas një zgjimi të befasishëm.

Në rrëfimin e Kafkës nuk ka vend për romantizëm. Njeriu në rrëfimin e tij përplaset herë me veten e herë me realitetin. A duhet të humbë rrugën për të besuar gjendjen tonë, përballjen tonë mes ideve tona dhe fatit? K-ja nis pyetjet e rëndësishme kur përfundon në dhomën e shërbyeseve, duke humbur statusin e dhomës në bujtinë. “…jeni mësuar të të përgjoni nga vrima e çelësit dhe të mendoni pastaj, duke i nisur nga ç’keni parë; nga ndonjë gjë pa rëndësi që mund të shihni, nxirni përfundime aq të shtira sa dhe të gabuara. Ja, për shembull, për këtë rast unë di shumë më pak se ti. Unë nuk di ta shpjegoj aq saktë sa ti pse më la Frida. Shpjegimi më i mundshëm më duket ai që ti e çikë pa e thelluar, domethënë që unë e paskam lënë pas dore. Ashtu është, e kam lënë pas dore, por kisha arsye të posaçme që nuk është rasti t’i zë me gojë; do isha i lumtur sikur të kthehej te unë, por do filloja përsëri ta lija mbas dore pa humbur kohë. Kështu është. Kur ishte me mua, unë isha gjithmonë jashtë shtëpisë për shkak të atyre ecejakeve për të cilat ti u talle; tashti që ka ikur, zëre se s’kam ç’të bëj, jam i lodhur, rri e ëndërroj një plogështi sa më të plotë”, i ankohet K-ja Pepit, por më një zë të pafuqishëm, me një zë vetëm ngushëllues të mjerimit të ri. Fshati dhe Kështjella, ku ka shumë borë e pak dritë, janë pikërisht ai filli i asaj që krijojmë ne, dhe asaj që fati brutalisht ka shkruar për ne.

Filed Under: Kulture

Ngjarje kulturore te shqiptarët në Brescia të Italisë

June 17, 2024 by s p

Monda Mara/

LSHASHI – LIDHJA E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE SHQIPTARE NE ITALI, në bashkëpunim me qendrën kulturore Mete Brescia, nën kujdesin e Alessandra Spreafico, zhvilluan të shtunën që lamë pas, datë 08. 06. 2024, prezantimin e librit “APProposito d’amore”, të autorit dhe gazetarit Antonio Tortolano. Takimi u drejtua nga Lori Duka. Me autorin bashkëbisedoi poetja dhe përkthyesja Valbona Jakova, e cila përveç pyetje – përgjigjeve, kishte përgatitur një analizë të detajuar të veprës në fjalë. Një libër që i vendos ngjarjet në erën e re digjitale, duke i dhënë kështu tipare realiste, në trajtimin e një dukurie të përhapur sidomos në qytetet e mëdha: takimet online, që më pas shndërrohen në reale. Në qendër të tij, një i ri i quajtur Nando, që rend në kërkim të dashurisë. Tema e trajtuar, tërheq jo vetëm moshat e reja, pasi është një realitet që i përket më së shumti atyre, por edhe lexuesit e tjerë, të cilët autori i fton që të njohin këtë botë virtuale, pak apo aspak të njohur.

Të pranishëm presidenti i Lidhjes Skender Lazaj, këshilltarja e provincës Suela Plaka dhe të ftuar të tjerë.

Mjedisi në të cilin u zhvillua ky prezantim, u zbukurua nga pikturat e Serena Della Bona, e cila u përfshi edhe në një shkëmbim idesh me autorin, në lidhje me temën.

Larminë takimit ia shtuan tingujt e muzikës, që nuk mungon asnjëherë në veprimtaritë tona. Në fillim tingujt e pianos së Matteo Cavicchini dhe më pas interpretimi i këngëtarit Nettuno Tony Giata.

Fragmente nga libri u lexuan dhe interpretuan nga poetja Daniela Dante.

Gjatë gjithë kohës, publiku ndërveproi me autorin, pasi me sa duket, tema e trajtuar, zgjonte kërshëri. Minutat e fundit iu kushtuan përsëri pyetjeve nga të pranishmit në sallë.

Duam të theksojmë se i gjithë ky prezantim, nuk do të ishte bërë i mundur pa mbështetjen e teknikut audio Arian Shabaku, të cilin e falënderojmë për mbështetjen!

Për ta mbyllur: çdo rrugë e shkelur apo e pashkelur më parë, është e vlefshme për të gjetur dashurinë. Sipas autorit, e rëndësishme është të jesh vetvetja.

Filed Under: Kulture

ART SHËTITËS NË RRUGËT E ÇIKAGOS

June 15, 2024 by s p

Hapat e bukura të Kaltrës, vajzës shqiptare.

Nga Visar Zhiti

C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.303\IMG_7054.jpg

The Art Walk in Chicago. Dhe kur arti shëtit rrugëve të qytetit dhe qytetarët shëtisin rrugëve të artit. Veriu i Çikagos, lagjja Uptaun – skenë e madhe e artit publik plot me murale të reja të instaluara përreth, ekspozita të organizuara nga bizneset vendore, veprimtari interaktive arti, etj, etj. së fundmi çeli Panairin e Pikturës, në një mënyrë të veçantë dhe tërheqës, ku do të mund të shikosh jo vetëm veprën dhe autorin, por dhe se si u bë ajo, pra mund të ndiqje të krijuarit si proces. Ishin ftuar 50 piktorë, që do të shpërndaheshin rrugëve, do të piktoronin live, mes njerëzve. Mes tyre do të ishte dhe një shqiptare. U zgjodh një e shtunë e këtij qershori. E gjitha ndodhi në 935 W. Wilson Ave, përgjatë Everybody’s Coffee duke vazhduar në perëndim në Wilson Avenue. Policia kishte ndaluar trafikun e dëndur, përveçse te trenave që kalonin mbi urën që lidhte grataçielat mes tyre. 

Nga ora 10.00 deri në 16.00. Punë artistike, krijuese, 6 orë në studiot pa mure, hapur, në rrugë, mes njerëzve. 

50 piktorët i shikoje gjithandej, trotuareve, nën pemë, ndanë shkallëve, vitrinave apo dyerve, kishin hapur kutitë e bojërave, vazot, kovat plastike të ujit, m’u aty te këmbët, kapën penelat, hodhën ngjyrën e parë, të dytën, një vijë, një emocion. 

Kalimtarëve e shumtë ndalnin për një çast, shkonin për t’u kthyer më pas për të parë se ç’kishin piktuar, ç’pjesë të qytetit, e kishin përballë apo na fantazinë e tyre. 

Po vajza shqiptare ku po pikturon? 

Dhe nisnin bisedat e kalimtarëve me piktorët. do t’i pyesnin se ku do të ekspozoheshin më pas punët, si mund t’i blinin, a mund t;e b;enin një foto me cellular etj, ndërsa piktorët, të pëqendruar në veprat e tyre, do ta kthenin kokën herë pas here, do të buzëqeshnin dhe dukej sikur do të kërkon ngjyrën e këtij çasti, më shumë se te kutitë dhe vazot para, te bisedat në ajër. 

Dëgjohej dhe shqip te ndonjë grup i vogël, që ecte. Zonja shqiptare, të bukura, një vogëlushe që donte të ndalte pranë çdo piktori dhe donte të vizatonte dhe ajo. 

– Valentina, ngrihu se do të shkojm:e te Kaltra, – dëgjova. Andej duhet të jetë piktorja shqiptare. 

50 piktorë janë gjithses. E di, e lexova. U zgjodhën mes shumë pretendetëve. Patjetër. Janë të të gjitha moshave, vazhdonte të bisedohej. Si dhe pikturat, edhe ato duket sikur kanë moshën e tyre, dua të them se janë të teknikave e shkollave të ndryshme dhe në kohë, po aq sa postmoderne e të ngjashme me pllakatet dhe instalacionet, apo naive e realiste, po aq dhe të rafinuara dhe klasike, klasike të asaj dite, ngulmoj. Vetëm 6 orë do të punojnë. Aq. Duhet frymëzim. Po i ndihmon përvoja, mjeshtëria, shiko këtu, ç’ka bërë ky, po më pëlqen…   

Dhe dielli po më dukej se herë dilte nga një tablo për të shkuar në një tjetër tablo, qoftë dhe si vërshim i një tufe rrezesh apo i pikëzuar si ar në sytë e portreteve apo prani drite.

Kalojnë të reja e të rinj, burra me gratë prej krahu, fëmijë prapë, ndokush me qenin që ndalte i pari për të parë dhe i zoti e tërhiqte nga rripi, të moshuar me mjekrra të bardha, shungellimat e trenit mbi urë

Po ku duhej të ishte piktorja e re shqiptare, Kaltra D. E. Seferi?

Endemi nëpër panair, jemi shëtitës në artin shëtitës, që u realizua, – lexojmë, – sipas një granti nga Agjensia e Këshillit të Arteve të Shtetit Illinois. Një hartë se ku mund të gjendet çdo vepër arti, do të dalë së shpejti. Më nëpërmendet rruga e famshme e piktor:eve në Romë, “Via Marguta”, ku kanë qenë dhe Chirico, Gottuso, edhe Maestro Kodra yni, po dhe Picasso, vinin dhe shikonin edhe Felini, Anna Magnani, shkrimtari Emil Zola, Sartre, etj. Po Pedonalia jonë në Tiranë do të b;ehet ndonjëherë kështu apo do ta prishin?    

Ja, Çikago me grataçielet e hirta ndanë ujërave të liqenit të madh, perëndimi i përflakur, ku piktori me penel kërkon ta stilizojë edhe pakë, ylbere ngjyrash më tej, zemra në mure e drithërima fjalësh: you are… beauty… everything… proud… respect…  dhe lule… tatauzhe në krahun e madh të një piktori, sikur vazhdojnë dhe në tablonë e tij, një i moshuar me kapuç… autoportret mbase… emrat  në anë, ja, dhe Kaltra Seferi, shqiptarja e vetme e panairit të pikturës, e rrethuar me njerëz,  vazhdon punën, shkruan mbi tablo: Uptown  Church, pranë saj jemi, kolona të bardha, globe përsipër, pjesë muri me tulla si çokullata dhe e kaltra në qelqnajë si emri i saj… 

Kaltra ka lindur në Vlorë, ishte e vogël fare kur prindërit e saj vendosën të iknin nga Shqipëria e ’97, gjatë kaosit dhe shkatërrimeve, kur e kaluara e çmendur po donte revansh, donin të shpëtonin ëndrrën e Kaltrës dhe ajo u shkollua pikërisht këtu, në Çikago, u diplomua për arkitekturë dhe do shumë pikturën, ka marrë pjesë në disa ekspozita, ku shfaqen dhe kolazhet moderne nga Shqipëria që ndryshon.

Pranë Kaltrës është ulur dhe një vogëlushe mu në trotuar, po vizaton dhe ajo, ndoshta ka moshën kur Kaltra iku nga Shqipëria, a është Kaltra fëmijë, mori një ngjyrë dhe ajo dhe po shkruan emrin e saj mbi fletë: Valentina.

Po afron ora 4.00 e pasdites, kur duhet të kenë mbaruar pikturat. Në tablonë e Kaltrës vajzat bisedojnë miqësisht, janë të racave të ndryshme, profile me muzg dhe agime, ujëvara flokësh, elegante njëlloj, krahët e zgjatur si në një balet dashurie, pëllëmbët si pëllumba paqeje, ja, befas shtohet një byzylyk në një kyç dore, peneli ngjyhet përsëri në të kuqe për të vënë manikyrin te thonjtë dhe zbret në fund, në anë, rendit 6 shkronja: K-a-l-t-r-a. Fjalë e bukur shqipe. me qiell ëndrre, si dita e gjashtë e javës, si sot…

      C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.183\IMG_7024.jpg   C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.228\IMG_7047.jpg   C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.655\IMG_7018.jpg           .                                         C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.445\IMG_7015.jpg       C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.704\IMG_7056.jpg      C:\Users\User\Downloads\4bac723e-0fb7-48ca-968d-4ab67786b59b.JPG

C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.758\IMG_7059.jpg
C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.564\IMG_7088.jpg
C:\Users\User\Downloads\IMG_7025.jpg

Filed Under: Kulture

10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT PASKAN LINDUR DITËN E SAKRIFICËS DHE DINJITETIT

June 14, 2024 by s p

Albert HABAZAJ/

“Kush kërkon dekorata, nuk i meriton; kush i meriton nuk ka nevojë për dekorata”- Balzak.

Fjalëz si historik

Kënga dhe vallja grarishte e Tërbaçit, krahas këngës pleqërishte, këngës e valles së burrave, si dhe këngës së djemve të fshatit është pasuri e shpirtit popullor për kulturën jomateriale të Tërbaçit, patjetër dhe për kulturën materiale në rrafshin etnografik. Sipas meje, është një emancipim me vlera dhe i merituar për këngën dhe vallen labe. Grupi i vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, me fillesa folklorike qysh në vitin 1969, me një jetë aktive të organizuar dhe të pandërprerë qysh nga viti 2016, për 9 vjet ka realizuar 3 albume, si dhe shumë koncerte, festivale e veprimtari folklorike e kulturore. Nga këto bija, nëna, gjyshe shembullore dhe artiste popullore me dinjitet kemi shijuar ninullën homofonike dhe ninullën polifonike, këngë e valle gëzimi e dasme, për stinët e vitit, elegjinë dhe këngën e përvajshme, baladën dhe këngën historike, atë lirike dhe liriko-epike, ritin e përgatitjes së vajzës tërbaçiote për nuse, si pjesë e ritualit të dasmës në Labëri etj. Kemi ndier emocione të bukura, kënaqësi e krenari!

Në Tërbaç nuk janë vetëm burrat, janë edhe gratë, sikurse në histori edhe në folklor e kulturë. Me të drejtë i quajnë Shqiponjat e Labërisë, Shqiponajt e Jugut. Ato kanë dhe mbajnë lart simbolin tuaj Flamurin me emrin Ansambli “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Ato ruajnë, mbajnë pastër, e pasurojnë më tej brenda shtratit dhe e përcjellin brezave stafetën e traditës etnofolkorike të vendlindjes, si floririn e shpirtin, se e kanë trashëgim nga stërgjyshet, gjyshet e nënat e tyre për ta përcjellë tek vajzat e djemtë e tyre, tek nipërit e mbesat e tyre. Diell udha folklorike në vijim për “10 Shqiponjat e Tërbaçit”!

Kujtesë

Shqiponjat e Tërbaçit u paraqitën me ritual dasme në Festivalin e Dytë Folklorik Pilur 2021. Është hera e parë në historinë e Labërisë që në një festival prezantohet Dasma e vajzës labe.

Kujtesa sociale, mediet, rrjetet digjitale të komunikimit masiv dhe, së pari, e vërteta e ndodhur, kanë të regjistruar në audio e video, në shtypin e shkruar dhe online se “Shqiponjat e Tërbaçit” me drejtues artistik Albert Habazaj kanë paraqitur për herë të parë në historinë e dasmave ceremoniale në një veprimtari kulturore – folklorike “Ritin e stolisjes së nuses tërbaçiote si pjesë e ritualit të dasmës labe” mbrëmjen e së dielës së 6 qershorit 2021 gjatë Festivalit të Dytë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur. Vlen ta ritheksojmë se për herë të parë në historinë e folklorit të Labërisë, u shfaq ky ceremonial dasme (në respektim të minutazhit në dispozicion të përcaktuar nga organizatorët [-20′]), duke e lokalizuar improvizimin e ceremonisë në derëbabe të vajzës – nuse, në odën e grave, në segmentin kohor të tregimit të pajës dhe përgatitjes së vajzës për nuse, para se bija të largohet nga dera e babës, në harmonizim të folklorit me etnologjinë, sipas logjikës së zhvillimit të ceremonialit, ku çdo artiste popullore e grupit merr një këngë apo valle dasme të motivuar. Tërbaçiotet në Pilur tendencën e kishin tek vallja labe grarishte burimore, ku prurjet e tyre u shfaqën duke qenë korrekte me 4 kriteret që kishte ky festival: 1. rit, 2. numër folklorik tradicional, 3. numër të ri folkorik dhe 4. element të ri, (Shqiponjat sollën Himenën, vajzën gjimnaziste, që priu një valle). Programi i tyre u paraqit me këto skena: (1. Përgatitjes së pajës, 2. Gatimet simbolike, 3. Hedhja e cipullit nuses – improvizimi në derëbabe, në dhomën e grave rrodhi e kulluar sipas repertorit, me këngë dhe valle të dasmës. “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, ashtu siç kanë emrin, ashtu janë në skenë: artiste popullore shkëlqimtare, që përfaqësojnë denjësisht zërin femëror të vendlinjdes dhe mbarë Labërisë. Iu lumtë Shqipe, nëna dhe gjyshe shembullore, se e mbushët skenën natyrore të Pilurit me ngjyra të ngrohta dhe aq të ëmbla, siç dini ju! Ansambli ynë vijoi fluturimin hapësirave folklorike në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut në festivale lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dhënë vlera dhe duke lënë një emër të mirë dhe respekt kudo ku këndoi e vallëzoi vallen grarisht aq të bukur e të hijshme të traditës së vendlindjes.

Parantezë

Nuk kisha ndërmend ta bëja këtë shkrim, por më dha shtysë një fjalë e një djali nga Lumi i Vlorës, mesazhi i artistit popullor Ridvan Hodaj nga Gumenica, të cilin do ta përmend në vijim, pasi u kthyem nga udhëtimi ynë i dytë folklorik i Pilurit, me pjesëmarrjen tonë në Festivalin V Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë” natën e dytë të tij, të shtunën e 8 Qershorit 2024.

Përsa i përket veshjes popullore të 10 Shqiponjave, kostumi folklorik që ato veshin kur dalin në festivale folklorike lokale, kombëtare apo ndërkombëtare, në koncerte, veprimtari kulturore- artistike apo ceremoni nderimi etj., ka ardhur nga tradita e gjysheve dhe stërgjysheve të këtyre zonjave, që sot janë vetë gjyshe, po për vendlindjen quhen “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Të paktën, qysh nga shekulli XVII vjen ky kostum, duke u pasuruar me elementë të mundshëm zbukurues. që pranohen e pëlqehen nga bartëset e këngës dhe valles labe, sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht.

Fletë nga situata kulturore

A. E shtuna e 8 Qershorit 2024 qe shumë e ngarkuar për mua. Në orën 10.30’ isha në një veprimtari letraro-artistiko- kulturore në Vlorë për “Gurët që flasin” të autorit Vullnet Bilbilaj, ku tok me miqtë e penës, autorin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Haxhi Dede Edmond Brahimaj, që ne i flasim Baba Mondi, At Spiro Bulika i kishës Shën Athanasi Selenicë, deputetët Vullnet Sinaj, dr. Bujar Leskaj dhe dr. Pranvera Resulaj, prof. Gëzim Tushi, Nderi i Diturisë artistike Arben Meksi, aktori i lartë Bujar Asqeriu, si dhe kryetari i bashkisë Selenicë Nertil Bellaj, nënkryetarja e bashkisë Vlorë dr. Irena Toshkallari, këshilltarë bashkiakë të majtë e të djathtë, si dhe figura të tjera të njohura në Vlorë e më tutje. Përveç diskutimit tim, isha ngarkuar edhe moderator i aktivitetit të Vullnetit. Më shumë se përurim libri, qe një festë kulturore dhe doli shumë bukur. Veprimtaria vijoi e ngjeshur, e larmishme sipas programit dhe, kur mori fjalën përshëndetëse autori, ndër të tjera theksoi: “Nuk mund të mos them dy fjalë edhe për moderatorin e këtij promovimi, mikun tim, Albert Habazaj, FALEMINDERIT mik dhe i uroj Bertit, edhe në emrin tuaj që “10 Shqiponjat e Tërbaçit” të kenë sukses sonte në festivalin e Pilurit “Netët e Bejkës së Bardhë”!

B. Në ora 14:00 bëra edhe një herë provat me grupin për një Udhë të rëndë e të lartë. Në ditarin digjital, shoqëruar me disa foto dhe imazhe, shkrova mendime të shpejta, mbresa dhe refleksione të çastit, siç më vinin, të cilat po i publikoj në vijë kronologjike për lexuesin e dashur të “Telegrafit” tonë: “E bëmë në atë lartësi që synomin dhe provën përfundimtare, 3 valle dhe 1 këngë. Sipas radhës ishin: e para, “Atje lart, në bokërrimë”, teksti: Xhebro GJIKA, valle lirike për nizamët , valle grarishte e vjetër me 3 hapa e kënduar nga Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, prijëse e valles dhe marrëse: Shpresa Kapo Çelaj, kthyese: Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Hava Çelaj Muçaj, shoqërojnë vallen me iso: Flutura Nanaj, Antoneta Goxho Mehmetaj, Liljana Rrapi Kapaj, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Pavlina Goxho Pazaj, Lavdie Goxho Xhakaj; drejtues artistik: Albert Habazaj; e dyta, “Hap sënduk e nxirr sheqer …”, teksti: POPULLI, valle liriko – humoristike e kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me 1 hap në vend; prijëse e valles: Shpresa Kapo Çelaj, marrëse: Liljana Rrapi Kapaj, kthyese: Shpresa Kapo Çelaj, hedhëse Hava Çelaj Muçaj, shoqërojnë vallen me iso: Flutura Nanaj (e cila, në rolin e nuses, loz e vallëzon sipas tekstit me vjehrrën Liljana, pra, janë 2 soliste para grupit), Liri Gaçe Shkurtaj, Antoneta Goxho Mehmetaj, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Pavlina Goxho Pazaj, Lavdie Goxho Xhakaj; e treta, “Labëri, o gur për Shqipe”, teksti: Albert HABAZAJ, këngë liriko-epike kënduar nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, marrëse: Evgjeni Habili Seferaj dhe Antoneta Goxho Mehmetaj, kthyese: Shpresa Kapo Çelaj, hedhëse: Hava Çelaj Muçaj, grupi mban këngën me eee. Në prova kishim bërë dhe vallen “Kanë dalë plakat në lëmë”… teksti: POPULLI, valle gazmore humoristike me 3 hapa (3 këmbë) djathtas e 3 majtas, kënduar grarisht nga grupi “10 Shqiponjat eTërbaçit” (folklor dhe etnologji), duke gjykuar se kjo valle e dëgjuar, më shumë se kujtdo, i shkon natyrës së këtyre zonjave moshatare, por artiste të ndritshme. Edhe pse ishim shumë korrekt me minutazhin e përcaktuar (çdo njësi zgjaste 2’ apo 2’ e 15’’), organizatorët e festivalit nuk e panë të arsyeshme që ta eksekutonim këtë numër folklorik.

C. [Rikthehem tek blloku digjital i shënimeve] Tani 10 Shqiponjat e Tërbaçit po marrin luginën e Lumit të Bardhë (Lumit të Vlorës), me bekimin e vendlindjes për t’u paraqitur sonte, natën e dytë të Festivalit të Pestë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur (07-08.06.2024) sa denjësisht me vlera folklorike të burimit dhe folklor bashkëkohor sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht.

“Kështu lartësohet Çika/ Shqiponjat lindin Petrita” – na uron nga Saranda fisniku Astrit Ismaili.

Diell, o Shqiponjat tona! Diell, o Shqiponjat e Jugut!

Duke parë diellin që shkonte i lodhur në Çikë, në Qafë të Pëllumbit m’u kujtua se 10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT, 3 vjet më parë kishin fluturuar drejt Ballkonit të Bardhë të Himarës sonë, atje ku është balli i këngës. Nga datat 5-6 qershor 2021 zhvillohej Festivali i Dytë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”. Grupi ynë u paraqit natën e dytë të festivalit, të shtunë e datës 6 qershor, me “Ritin e stolisjes së nuses tërbaçiote, si pjesë e Ritualit të dasmës në Labëri”. Për herë të parë shfaqej para publikut, artistëve të tjerë popullorë, para jurisë, televizioneve dhe artdashësve ky rit, ku u ndërthurën harmonishëm e bukur folklori me etnologjinë. U paraqitën denjësisht (ndiqeni në Youtube, e kam hedhur unë, Vlora News dhe produksioni Balani), u pëlqyen dhe u mirëpritën nga publiku. Juria e gjykoi t’i vlerësonte me “Çmimin e Karrierës”, që mbante emrin e poetit të madh të këngës labe Maliq LILA.

D. Këtë të shtunë, mbrëmjen e 8 qershorit do të fluturojnë përsëri drejt Pilurit për në Festivalin e Pestë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”. Me synime fisnike më të qarta, për të paraqitur vlera folklorike me nivel të lartë artistik dhe estetik, për të tjera lartësi. Së pari e së fundmi për t’i pëlqyer publiku, që artdashësit të thonë: “Po, Shqiponjat po, këto i meritojnë duartrokitjet tona.

Diell, o Shqiponjat e Labërisë. (Me transportin patëm probleme, por shoferi qe i matur dhe i qetë dhe ia doli. Na heq ne me transportin, se dhe kur shkuam në Festivalin e Gjirokastrës, më 25 qershor 2023, na vajti squfur udhëtimi, por nuk është ky objekt i shkrimit). Sa kaptojmë qafat e Kuçe, ia merr Liljana: “Shqipe Tërbaçi mbi male/ Me valle e këngë labe,/ Shqipet lart e malet rrotull/ Gurrën e kanë në popull…”

E. Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” në festivalin e Pilurit u paraqit sonte me 2 valle të traditës (e para me motive nizamësh, e dyta me motive liriko – humoristike) si dhe me një këngë të re për Labërinë. Juria e vlerësoi me çmimin e Tretë “Feti Brahimi”. Të Dhjeta ju paskeni lindur Ditën e Sakrificës dhe Dinjitetit. Mirënjohje Shqiponja!

F. Kur Vlora të do, të adhuron Perëndia vetë. “10 Shqiponjat e Tërbaçit” ndihen krenare dhe mbushen me besim për Udhëtimin e Tyre Folklorik. Ku ka çmim më të lartë sesa kur të pëlqen populli këngën dhe vallen origjinale të shpirtit! Eee, në këtë rast, kartonat e jurive s’ kanë veçse vlerë arkivore për grupin dhe artistet popullore. Eeee, prandaj Vlora është Qytet i Diellit dhe në Folklor dhe Etnografi. Nuk mund të mos hedh në letër (apo në qelqin digjital) disa mbresa të pashlyeshme që na dhuruan “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me Juli Çenkon në Festivalin e Pestë Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, Pilur, 2024. E ndezën skenën natyrore të Pilurit. Për këtë atmosferë festive që u krijua nga gëzimi që ndriste artistët popullorë , thuara vargjet: “Pilur, o Ballkon i bardhë/ Priti miqtë radhë – radhë!/ Pilur, ball’ i lartë i këngës/ Priti artistët e zemrës!/ Ballkon i Himarës sonë/ Bilbilat bukur ia thonë./ Me kanarinat, thëllëzat/ Këndojnë malet, brigjet, rrëzat…/ Lefteri na sheh nga lartë/ Me “Bejkën” na jep uratë”. Juli Çenko ngre artistët popullorë në valle, madje dhe Vasillon e Jurisë së Festivalit (Bejka e Bardhë e Pilurit të Lefterit Vasillo Lapa Koka). “10 Shqiponjat e Tërbaçit” në valle shkrepin xixa dhe vërshon lumi i artë i shpirtit popullorë kur folkloristët e tjerë ndezin skenën dhe sheshin e bardhë, që e hijeshon rrapi madhështor. Vasillo Koka është artiste, mësuese dhe poete, madje ka botuar libër me këngë e vjersha. Jas i shprehet ajo për Shqiponjat e Jugut: “Ashtu si vargmalet kryelartë të pa shkëputur në shekuj edhe Ju, Zonja të Tërbaçit Legjendar bashkuat dëshirat tona në valle. Qoftë i pa shkëputur zinxhiri juaj i florinjtë, duke bashkuar yje dhe hënë në gëzime! Kryelarta me udhëheqësin tuaj të pa lodhur Albert Habazaj, fluturofshi në majat më të larta. Krenari për juve !!!! Jeni Yjeeeeee”

Jo vetëm në Labëri, por në mbarë Shqipërinë është i njohur dhe i dashur emri i Vasos. Vasillo Lapa Koka është “Bejka e Bardhë”, ajo e vërteta e Shtatëdhjetë e treshit të Lefter Çipës. Në Festivalin e Pestë Folklorik, AJO ishte anëtare e jurisë dhe kur, natën me yje këndonte Juli Çenko e drithëronte skenën natyrore të Festivalit dhe fap gjatë këngës së saj, feksën e dolën në valle 10 Shqiponjat e Tërbaçit tek sheshi, që u ndez nga kënga dhe vallja si në një dasmë kombëtare, Vasilloja e la tavolinën zyrtare të jurillëkut dhe i dha krahë valles dorë më dorë me Shpresën, korifeun e “10 Shqiponjave të Tërbaçit”. Vasillo Lapa e Shpresa Kapo u njohën qysh nga koha e Festivalit III Folkorik Kombëtar i Gjirokastrës. Kalaja e Madhe e Festivaleve të Rënda atë tetor 1978, përjetoi emocione të fuqishme kur 7 vajza 17-18 vjeçare, gjimnaziste të krahinës së Mesalikut, nxënëse të Shkollës së Mesme “Laze Nuro” Brataj kënduan këngën- simfoni “Gjurmë të kuqe borës latë”, me tekst të Kujtim Micit – Dragoit të Kënëgs Labe. Marrëse ishte Nazo Dauti nga Tërbaçi, kthyese: Fedirete Sulçaj nga Mesapliku, hedhëse: Shpresa Kapo nga Tërbaçi, bëjnë eee (mbushin këngën/ iso): Shaze Hoxha nga Tërbaçi, Vangjelina Gjini nga Tërbaçi, Dilore Balla nga Gjormi, Baire Hasani nga Lezhani. [nga 7 anëtare të grupit, 4 ishin nga Tërbaçi]. Kënga “Gjurmë të kuqe borës latë” u cilësua Perla e Festivalit”. Eeee, qysh atëherë Vasilloja me Shpresën e mbajtën miqësinë e pastër aq dashamirëse dhe e forcuan më shumë.

G. Provuam ndjesi të fuqishme në Pilur. Nuk vlen çmimi më shumë se kënaqësia artistike dhe estetike që “10 Shqiponjat e Tërbaçit” i dhanë publikut artdashës të Pilurit dhe Himarës, artistëve popullorë nga trevat e Labërisë së Gjirokastrës, Tepelenës, Delvinës, Vlorës e Sarandës, nga Çamëria me “Krahun e Shqiponjës” së sypafjekurit për art Sali Nuredini, miqve nga Tirana, por, sinqerisht emocion krenar na dha kërkesa e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, prof.dr.Bajram Begaj për të bërë një fotografi me “10 Shqiponjat e Tërbaçit”.

Sikurse gjithë artistët popullorë të Labërisë e Shqipërisë, edhe zonjat fisnike të Tërbaçit, vazhdojnë t’i jepin frymë e zë e zemër polifonisë sonë popullore çdo ditë dhe pa u kursyer.

Mesazhi i Ridvanit

“E kam thënë dhe e përsëris që çdo juri duhet të mendojë për vendin e dytë, se i pari i takon grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”! Jo vetëm për mënyrën dhe perfeksionin e interpretimit, por duke gjykuar sakrificën dhe moshën e tyre, të cilat të gjitha janë gjyshe. Sukses të mëtejshme, respekte për vlerën që i jepni Labërisë ju dhe Albert Habazaj”.

Më vuri në mendim ky refleksion i këtij të riu pa paragjykime maskiliste, që s’pyet nga verbimi i rremë i famës së madhe apo hijes së atyre që sponsorizonjë grupet për çmime dhe patjetër me shpirt them edhe në shtyp: Ritvan Hodaj, shumë faleminderit! I përulem me MIRËNJOHJE fjalës tënde për grupin tonë “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Tok me mua e falënderojnë artistin e Labërisë edhe 10 Shqiponjat. Ritvan Hodaj, ti je një djalë fisnik i Gumenicës sofërmbudhë! Ti je bir i denjë i një dere bujare! Ti je një artist popullor i dukshëm sipër e i pashmangshëm dot nga askush, sepse e ke krijuar profilin tënd si një kthyes brilant në stafetën e këngës labe. Ti, si kthyes je të yjësinë e ndritshme të bilbilave që falin nga shpirti i tyre dritën e ëmbël të zërit, interpretimit, melodisë, veshjes popullore tradicionale, mimikës e zërit të trupit. Ti je një këngëtar potent, që të bën për vete me atë grykë. Ti këndon krah Berdo Berdos, Bardha Brahimit, Mico Ferrajt e atyre korifejve të “Jehonës labe”. O Vani! Unë, që u them “10 Shqiponjave të Tërbaçit – keni lindur Ditën e Sakrificës dhe të Dinjitetit, u them se është e vërtetë, e verifikueshme. Mjafton të kujtoj se të shtunën mbasdite Grupi ynë qe në Pilur për konkurim në Festival. Pikërisht në atë ngjarje kulturore Gjena, kapetania Evgjeni Habili Seferaj hoqi rrobat e zisë dhe veshi kostumin folklorik të stërgjysheve tërbaçiote dhe doli në skenë me motrat e saj Shqiponja Çike, që u shfaqën si 10 Miro Tërbaçe të valles dhe këngës së kënduar sipas stilit muzikor të Tërbaçit në variantin grarisht. Paraditen e së shtunës, Gjena kishte 6 mujorin e së motrës, ku e qau me ligjërime motrën e xhanit, Labenë e paharruar 65 vjeçare dhe mbasdite erdhi bashkë me Shqiponjat në Ballkonin e Bardhë të Këngës, në Pilurin e Himarës dhe Labërisë sonë. Gëzim dhe dhembja tek ne janë bashkudhëtare. 10 Shqiponjat e Tërbaçit dinë t’i ndanë gjërat dhe t’i vlerësojnë përgjegjësitë si përfaqësuese të vendlindjes, si “ambasadore” kulture e Tërbaçit në ngjarjet etnofolklorike, që na kërkojnë dhe ne shkojmë të përcjellim mesazhe drite.

Për shqipet magjike vijnë mesazhe drite

Janë të pambarimta mesazhet e mira drejtuar grupit dhe s’ka se si të mos prekesh, s’ka se si të mos ndihesh mirë, të frymëzohesh dhe të mbushesh me optimizëm për Udhëtimin e Denjë Folklorik. Po shkëpusim disa: Lefteri Metkaj. “Sa më bukur dhe dinjitozë në festivalin e Pilurit! Këto shqipe magjike janë 10 Shqiponjat e sukseseve, të cilat janë gjithmonë të bukurat bilbile të Tërbaçit, plotë jetë dhe gjallëri! Suksese 10 Shqiponjave dhe udhëheqësit të grupit, z. Albert Habazaj! Me këtë paraqitje, ju jeni dëshmia më e qartë e identitetit me këngën dhe me veshjen popullore tradicionale për zonën e Tërbaçit dhe për trojet tona të Labërisë. Ju paraqitni një pasuri kombëtare në këtë festival ashtu si i ka hije vlerave të kësaj krahine”. Kam të drejtë ta falënderoj dhe t’i them: “Meriton mirënjohje intelektuale e nderuar! Ti Lefto, je e ndritshme jo vetëm si njeri me virtyte humane, por ti je misionare e kombit, ti je Mësuese e Gjuhës Shqipe për fëmijët e shqiptarëve në emigracion, atdhetare e devotshme”. Maksi Luçi: “Suksese … Le të dëgjohet ritmi i atyre maleve mbi detin Jon”… Po, Maks i dashur, u dëgjua ritmi i maleve tona mbi detin Jon. Dhe i kulluar si Lumi i Bardhë që buron tek rrënjët e tua. Peno Nebi Xhakaj, bijë nga Kuçi e nuse në Tërbaç, e shoqja e Nebos, kthyesit më të mirë të Labërisë: “Motrat tona si sorkadhe sa bukur duken në valle”; Bukuroshe Abazi Ramohitaj: “Shkëlqeni!”; Vjollca Gaçaj: “Si drita jeni të gjitha . Suksese dhe sa me shumë medalje”! Poeti, avokati, aviatori Delo Isufi: “Ndihem krenar për të mrekullueshmet vajza e nuse të krahines sime”; Sose Beqiraj: “Bravo shqiponjat e Tërbaçit! Krenari për ne”, ndërsa intelektuali dhe veprimtari i shquar dr. Neki Dredha na e bën me vargje urimin: “Dhjetê shqiponjat tërbaçiote,/ Si pinë ujë në Pajikonjë,/ Ndriçuan skenën piluriote,/ Ballkonin mbi Detin Jon./ Thuaja Çikë, Majë e Lëpjetës,/ Ti Gjivjash e ti Stogua,/ Për ato lulet e jetēs,/ Kostum kuqet mbi Pihua./ Për kostumin arbëror,/ Hijeshinë e Amantisë,/ Shqiponjat, shpirt amnor,/ Krahu i zjarrtë i Perëndisë/ Për Atë, yllin e malit,/ Shpirtin e Lumit të Vlorës,/ Që i dha dritë Festivalit,/ Me shtojzovallet e Horës./ Përmbi ujërat kaltērore,/ Lart te logu piluriot,/ Këngë e valle Labërore/ Do të ketë për jetë e mot”, të cilin Pano Hallko e quan një Refleksion i thekur poetik, ndërsa unë: “Faleminderit Doktor! E kush si ti shkruan për Labërinë magjike! Jam i bindur që përsëri do ta ribotosh librin e bukur për Labërinë tonë, se historia, kultura, arsimi, virtytet dhe visaret e shpirtit të saj janë të pambarimta, mrekullore si natyra e saj, me florën e faunën, me njerëzit e vërtetë, me artistët si bilbila e artistet si thëllëza!”. Amazona e Bolenës, Lapardhasë dhe “Jehonës labe” Bardha Hosi Brahimaj, siç ka zërin e shpirtit bën urimin me zemër: “Si varese diamanti, i shtoni nurin dhe lezetin këngës labe”; ndërsa mësuesja dhe poetja nga Vlora Anila Toto: “Suksese zonjave artiste që mbajnë në këmbë gurrën e traditën, artin e popullit tim!”, sociologia artiste Zhaneta Sali Veizaj: “Një urraaaaa të fortë për grupin”. Që nga Kanadaja poetja Armenida Qyqja na uron: “Fluturim të bukur Shqiponjave!”, ndërsa e mirënjohura Katjusha Pogaçi “Ju lumtë!”. Po këtë urim na jep poeti dhe historiani doc. Odise Çaçi. Artisti bujar Astrit Ismaili, pasi bën urimin e bekuar: “Dritë e bardhë rruga e Mirove të Tërbaçe”, tjetër çështje shtron me të drejtë: “Ky është një ansambël artistik se ka artiste dhe udhëheqës artistik, kështu më thotë kjo fotoart, mos e quani grup, ju lutem!”.

Mbaroi dhe festivali …

Mbaroi dhe festivali. Na dhanë Çertifikatën e pjesëmarrjes dhe na u komunikua çmimi i Tretë. Ne shpumë vlera të mirëfillta, autentike, burimore në lartësinë që kërkon një paraqitje dhe përfaqësim dinjitoz për Tërbaçin tonë me histori dhe kulturë, krahas të tjerëve, si pjesë e së tërës. Nuk kërkuam çmim, as paguam për të, pasi kemi dëgjuar që është bërë modë, që në fillim ndahen çmimet, pastaj fillon festivali. Hëngrëm një bukë të bardhë në Pilur dhe u kthyem natën në Vlorë. Gjatë kthimit, i ngarkuar me emocione, që më shkaktuan dhe ndjenja negative, po reflektoja tek ato që bëmë ne, si i bëmë, Çfarë duhet të bëjmë më mirë, nëse kemi mundësi dhe hapësira: Shqiponja! Sinqerisht dhe me përulje u shpreh MIRËNJOHJE. Ju ndriçoni dritën e mirësisë. Ju verboni errësirën e ligësisë. Ju paskeni lindur Ditën e Sakrificës dhe Dinjitetit. Gjena, ti u tregove kapedane, dole mbi dhimbjen e motrës për hir të detyrës morale. Virtyti yt e mposhti stresin, emocionin e dhembshur të humbjes së parakohshme të Labesë së paharruar.

Më ka ngelur në mendja fjale e moderatores së festivalit, Shqiponja Pazaj Veshaj “Ju, 10 Shqiponjat Labe jeni çmimi i mirësisë. Dashuria a madhe për artin dhe folklorin që ju karakterizon është plebi shqiptare dhe në lartësinë e Çikës!”

Dy fjalë pas një jave

Për Kristo Çipën kam këto fjalë: Festivali u realizua me sukses dhe pruri mozaik vlerash folklorike tradicionale dhe bashkëkohore, patjetër dhe nivel artistik e shije estetike. Falënderoj popullin bujar dhe artdashës të Pilurit për mirëpritjen. Situata të tilla, si këto të pesë festivaleve folklorike të Pilurit që ka organizuar K. Çipa, nxjerrin në pah rolin e individit në shoqëri. Ai është një organizator shembullor. Po kështu për Fred S. Mërkurin shpreh mirënjohje për vëmendjen, si dhe për gjithë ata miq e dashamirës që takova. Nuk mund të shprehem kështu për jurinë, sepse vlerësimet që bënë m’u dukën subjektive dhe çmimet që deklaruan më shqetësuan për saktësinë e dhënies, respektimin e kritereve të përcaktuara etj. Nuk e di pse juritë i turbullojnë ujërat, kur gurra popullore është ujë i kulluar i shpirtit popullor në këngë dhe valle. Por, fatmirësisht e mbi të gjitha në Pilur unë takova Qeranën, atë nënë heroinë, po ashtu dhe ato nëna të mira piluriote, që i kisha takuar 3 vjetësh, qershor 2021. Piluri është një vend heroike me histori dhe polifoni, e nënat piluriote zënë një vënd të veçantë në historinë e tij. Nënat e bijve të këngës na mbushin me frymëzime polifonike të pa shtershme.

Filed Under: Kulture

FESTIVALI QË NDEROHET SI INSITUCION SHPIRTËROR

June 10, 2024 by s p

Kristo Çipa/

(Post edicioni i pestë i fest” Netët e Bejkës bardhë”)

Ndodhi edhe madhështia kulmore me prezencën e kreut të shtetit shkëlqesisë së tij zotit Bajram Begaj.

Këtu nuk bëhet fjalë për një ardhje kortezie por për një vlerësim real që i bëhet këngës shumëzërëshe shqiptare fosforinës labe. Nderim dhe mirënjohje nga Piluri dhe gjithë polifonët shqiptarë zoti President!

Në edicionin e pestë morrën pjesë rreth 200 festivalistë ku 45 përqind ishin të rinj dhe mjaft të talentuar.

Konkuruan në dy netë dhe niveli artistik ishte shumë i lartë sa e detyroi jurinë shumë profesionale që të vlerësoi edhe jashtë programimit klasik të çmimeve dhe të bëjë të pamundurën që të gjithë elementët të përfshihen në këtë lartësim.

Duke mos dashur të bëjmë një analizë të hollësishme të festivalit, më lejoni të falënderoj një për një grupet dhe drejtuesit e tyre.

Përshëndetësit dhe veçanërisht asamblin e valleve” Krahu i shqiponjës” deputetët, kryetarët e bashkive, kryetarin e Qarkut Vlorë, kryetarin e dhomës së tregëtisë, kryetarët e shoqatave, banorët e fshatit Pilur, anëtarët e këshillit bashkiak të Himarës, kryetarin e këshillit dhe kryetarin e sapo zgjedhur të Himarës, kryetaren e këshillit bashkiak të Vlorës( bijën tonë) Jurinë profesionale ( Sejmenin, Tomorrin, Vasillon) sekretaren e jurisë Adelinën, prezantuesen ekselente Shqiponjën, këngëtaren e talentuar që erdhi nga Tirana posaçërisht për Pilurin, Persën, këngëtaren Juli Çenko dhe shpirtrat e atyre që i dhanë shumë polifonisë por nuk janë më fizikisht nes neve por sigurisht zëri i tyre ndodhet prezent në çdo çast Një falënderim edhe familjes time që më mbështesin në çdo çast!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT