• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MATI LOGORECI

February 7, 2024 by s p

(10 shkurt 1867 – 7 shkurt 1941)

83 vjet më parë, më 7 shkurt 1941, ndërroi jetë gjuhëtari, historiani dhe arsimtari i devotshëm, Mati Logoreci.

Mati Logoreci lindi më 10 shkurt 1867 në Shkodër, qytetin me tradita dhe qendër tregtare të kohës. Mësimet e para i mori në vendlindje. Për katër vjet ndoqi Kolegjin Saverian të qytetit, duke nxënë kështu njohuri lidhur me ekonominë dhe tregtinë.

Në moshë fare të re punoi si shegert në shoqërinë tregtare të familjes Parruca, të emigruar asokohe në Itali. Pas kësaj detyre, u dërgua si llogaritar në Trieste, ku kreu njëkohësisht edhe studimet për pedagogji, një pasion i tij. Në atë përiudhë Logoreci u njoh me shkrimet e Jeronim de Radës, Dora d’Istrias, Zef Serembes e të tjerë. Rënia në kontakt me botimet e përkohshme të Sofjes, Bukureshtit dhe Stambollit, sidomos me ato të vëllezërve Frashëri, Pashko Vasës dhe Zef Jubanit, ishte një tjetër periudhë e rëndësishme për Logorecin.

Pas kthimit në atdhe në vitin 1889, shfaqi entuziazëm në zhvillimin e arsimit. Logoreci ndërmori nismën për hapjen e shkollës së parë shqipe në Kosovë. Kjo ndodhi në Prizren, ku me përkushtimin e mësuesit shembullor, ai edukoi brezat e rinj. Ky kontribut u shtri edhe gjetkë në veri.

Në nëntor 1907 nisi botimin në Trieste të gazetës “Dashamiri”, bazuar në alfabetin e njohur asokohe si “Agimi”. Gazeta nuk pati jetëgjatësi.

Në vitin 1908, Logoreci së bashku me Ndre Mjedën mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Agimi”. Po atë vit, së bashku me Lazër Mjedën, të vëllanë e poetit Ndre Mjeda, organizoi një shkollë nate shqipe në Shkodër. Në vitin 1911, ai botoi një tekst shkollor për historinë e lashtë me titull “Ndolliina historijet t’motshme”, i cili përmblidhte historinë e lashtë të Ilirisë, Maqedonisë dhe Epirit si dhe përfshinte një vështrim mbi Egjiptin dhe Greqinë e lashtë.

Më vonë, pas shpalljes së pavarësisë, shërbeu si mësues në Tiranë, ndërsa në vitin 1916 u emërua si funksionar për arsimin në Shkodër, kohë që përkon edhe me anëtarësimin e tij tek “Komisia Letrare Shqype”.

Statura e Logorecit u rrit shpejt dhe ai u lidh me studiues të shquar të gjuhës e të historisë sonë në trevat shqiptare e jashtë tyre, duke këmbyer mendime e materiale për probleme të gjuhës shqipe. Përveç miqësisë me Mjedën, ai kishte lidhje edhe me prof. dr. Aleksandër Xhuvanin, Norbert Joklin, Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, etj.

Më 1920 përfaqësoi Shkodrën në Kongresin e Lushnjës. Nga viti 1922 deri në vitin 1923 shërbeu si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe iu kushtua arsimit derisa doli në pension në vitin 1930. Në vitet 20, ai botoi edhe tekste të tjera shkollore, mes të cilave “Historija e përgjithshëme”, Shkodër 1924, ku spikat një prirje e lehtë letrare e gjuhësore. Logoreci është shquar si purist i gjuhës së dialektit të Shqipërisë së Veriut.

Por edhe në pesion, ai nuk ndali së menduari për të mirën e përgjithshme të shqiptarëve. Mati Logoreci iu kthye botimit të një gazete të re, “Drita”, numri i parë i së cilës doli më 28 nëntor 1936, në 24 vjetorin e pavarësisë, dhe zgjati deri në vitin 1939. “Drita” ishte gazeta më e madhe shqiptare në vitet para Luftës së Dytë Botërore me një tirazh prej 4 mijë kopjesh. Mati Logoreci ishte tepër i lidhur me gazetën. Ai i redaktoi vetë nëntëdhjetë e tre numrat e parë deri më 23 mars 1937.

Mati Logoreci vdiq në Tiranë më 7 shkurt 1941. Atij iu dha titulli “Mësues i Popullit” me rastin e 100-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe. Në nderim të figurës së tij, rrugë dhe shkolla mbajnë emrin e tij. Ato janë:

Rruga “Mati Logoreci” – Tiranë

Shkolla “Mati Logoreci” – Shkodër

Shkolla “Mati Logoreci” – Prizren

—Administratori

Marrë nga “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Filed Under: Kulture

SOT 10 VITE NGA SHUARJA E NJE YLLI

February 6, 2024 by s p

Albert Vataj/

Vaçe Zela, kumbimi i zërit që vazhdon të na magjeps.

Të gjithë ikin një ditë, ashtu siç zgjolli dhjetë vite më parë, e magjishmja e traditës sonë të këngës, Vaçe Zela. Ajo që mbetet pas është çfarë do të skaliste me shkronja përjetësie shkëlqimimin prej ylli të veprës, atë sublimitet të shpirtshëm që ju mëkua gjeneratës si një ambroz perëndish.

Zërit që u “peshua me flori” i’u këputën kodrat, por kumbimi që përshkoi kohën, si një jehonë eterne mbeti ashtu e pezullt në ëndjen tonë për gjithmonshmëri të të përjetuarit të intepretimit të Vaçe Zelës si këngëtare, si lartësim i atij talenti që ndezi në ovacione frenetike, salla koncertesh e tubime të këngës, brenda dhe jashtë vendit.

Dhjetë vite më parë, në orën 01:00 të mëngjesit të asaj të enjte të datës 6 shkurt 2014, u shua në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë, Vaçe Zela.

Kishte shterruar së frymuari kumbimi i një zëri që mahniti një brez të tërë dhe ngasi në grishje gjeneratën që pasoi të artistëve. Me zërin e saj të papërsëritshëm, Vaçe Zela për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e së përgjithmonshmes, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut si një mëkim.

Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare, zëri befasues i forcës dhe virtuozitetit, fuqia vokale e një talenti magjepsës, mishëruan tek ajo pavdekësinë. Ishte dhe mbeti e papërsëritshme. Kumbimi dhe emocioni i këtij zëri vazhdon të magjeps jo vetëm nostalgjikët por edhe gjeneratën e re të këngëtarëve dhe artdashësve.

Forca kumbuese, thellësia dhe aftësia depërtuese, bënë që ky dëshmim i artit shqiptar të rrëmbej edhe interesin dhe vlerësimin në arenën ndërkombëtare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Kujtesa jone kolektive është gjithnjë e më e gjymtuar, prej egos së njeriut bashkëkohor, i cili duke u ndjer plot energji krijuese dhe me një shpirt flakatar protagonizmi, e ka ta pamundu të ngjitet aq lart për të vendosur qoftë edhe një mirënjohje mbi mermerin e ftohtë të Panteonit ku ruhet shkëlqimi i atij dielli që na ngrohu zemrën dhe na mbush me mall kujtimesh.

Një ndërmendje e mbushur përplot nderim dhe respekt shkon për çdo copëz malli që përbashkon me kohën kur rrugëtoi ndër zemra ky zë, kjo qasje virtuoze e skenës së këngës.

Filed Under: Kulture

“DITURIA ËDHTË FORCA NGA E CILA ARRIHET ÇDO FITORE”

February 5, 2024 by s p

Prof. Gjon Frani Ivezaj/

Dija dhe shkolla janë binomi më i nevojshëm i një kombi nga të cilat merr zhvillim dhe përparim jeta njerzore, sepse siç thoshte i Madhi At Gjergj Fishta: “vetëm shkolla bijvet t’nierit u ep m’sime të mbara” prej së cilës konsolidohet edhe egzistenca e vazhdimsisë së tij.
Në shekuj është dëshmuar se nevoja për dije, shkrim e këndim në gjuhen e nënës ka qenë një sfidë e vazhdueshme e popujve e në veçanti e shqiptarëve të cilët punuan me mish e me shpirt për të kultivuar ndër breza arsimin dhe dijen në mënyrë që të mbronin identitetin e vet të vazhdimsisë që nga lashtësia deri në ditët tona.

“DITURIA ËDHTË FORCA NGA E CILA ARRIHET ÇDO FITORE” ndaj edhe pushtuesit dhe sunduesit e huaj bënin çmos për ta ndaluar arsimin dhe gjuhen shqipe në mënyrë që populli të humbiste identitetin e vet autokton. Kjo ka bërë që bijtë më të ndritur të këtij kombi të punojnë me vetmohim për të përhapur dritë me shkrim e këndim në trojet etnike e në veçanti ato të veriut ku metritat më të mëdha u takojnë klerikëve françeskan të cilët e nisën me formulën e pagzimit dhe e përfunduan me idealet e shenjta “për fe e atdhe”. Ata ditën të mbjellin farën e atdhedashurisë në zemrat e shqiptarëve, me fjalë, me vepra e me mendime, siç thoshte edhe At Anton Harapi: “Mos të rime tue njehsue e tue theksue çka na dallon, por ma fort të ngrehim për çka na bashkon.. Ne kemi historinë, kemi idetë, ndjesitë jetësore, zakonet, kangët e shpresës, shpirt dhe interesa të përbashkëta. Kemi gjuhen dhe të tjera visare të nevojshe nëpër të cilat ne jemi një, në mënyrë të pandashme qysh prej fillesës së jetës”.

Me këto mendime e pikpamje për jetën e malsorëve klerikët françeskan dhanë edhe kontribute të çmuara në arsimim, kështu mësuesit e parë shqiptar në trevat e veriut mësimet fillore i morën pranë kishës ose në shkollat e hapura prej tyre në qytetin e Shkodrës. Pas këtyre studimeve ata u bënë edhe pishtarët e parë që mësuan shkrim e këndim në shkollat laike të malsisë ku do veçoj ato në Malësinë e mbetur jashtë kufijve të trungut etnik, nën Malin e Zi. Në vitin 1914, me t’u formuar komunat: Tuz, Rapshë, Traboin dhe Grudë e më vonë ajo e Vranjes, në të njëjtën kohë u hapën edhe shkollat e para në gjuhën shqipe.

Me 1916 në Triepsh, Priften, Dinoshë, Tuz dhe Hot do të hapen shkollat shqipe me mësues nga fshati Arbanasi afer Zares (Dalmaci-Kroaci), në mësin e tyre ishin edhe Josip Rela dhe Josip (Zef) Duka.

Sipas dokumentave zyrtare mes të dy luftërave botërore nuk ka patur shkolla shqipe Hot, Grudë, Triepsh dhe Kojë. Ato u hapen vetëm mbas luftës së dyte botërore. Edhe pse cilësohemi si pakica etnike sot në Malësinë e Mait të Zi, veprojnë katër shkolla tetëvjeçare (Tuz, Skorraq, Stjepov dhe Dinoshe) dhe gjimnazi në Tuz dhe vetëm në Tuz janë 4 shkolla fillore:
Shkollat fillore ,,Mahmut Lekiq”
Shkolla fillore ‘’29 nëntori”- Dinoshë
Shkolla fillore ‘’Gjergj Kastrioti – Skenderbeu’’
Shkolla fillore ‘’Bashkimi’’,
ndërsa arsimi i mesëm në gjuhën shqipe realizohet në Gjimnazin e Tuzit.

Vlen të theksohet se kontributi i arsimtarëve të parë të njëkoshëm me RILINDASIT TANË, në përhapjen e gjuhës shqipe, sa vjen e po venitet pasi pa sforcime, imponime apo edhe arsyetime bie në sy mungesa e respektit dhe vlersimit të gjuhes shqipe në komunitetin shqiptar në Tuz, fenomen ky që shihet rerëndomtë tek malsorët të cilët sa vjen e më pak komunikojnë në shqip duke i dhënë rëndësi parsore gjuhes sllave si begeni për tu dukur apo akoma më keq si një tendencë për të mos u identifikuar si shqiptar. Pak e nga pak asimilimi kulturor po na mbyt si etnitet, si malsor e shqiptar në truallin e vet. Kjo është e pa falshme ndaj u bëj thirrje malësorëve me gjak të pastër shqiptari ta duan, ta nderojnë dhe ta kultivojnë me fanatizëm gjuhën e nënës në familjet e tyre, kudo ku ata jetojnë e veprojnë në kohë e në hapsirë, në çdo cep të kësaj bote.

Filed Under: Kulture

Gjuha e bukës – Giuseppe Skirò di Maggio \ Zef Skiro di Maxho

February 3, 2024 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra Albanologjike  kërkime dhe studime  mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar në 1980.  

Gjatë vizitës së promovimit të librit” Fotosintezë e shpirtit tim” të gazetarit Rifat Rexhepit, në Hora të Arbërshëve, në drejtimin e shoqatës “Hora e Skëndërbeut”,me  Dani Morina e Veli Genc Berisha, si dhe të të shoqëruar nga dy miq të mirë  shembull  të mbrekullueshëm  të botës arbëreshe  Salvatore di Chiara, si edhe Lino Parrino, shkuam për një vizitë në shtëpinë e shkrimtarit profesori Zef Skiro di Maxho, prodhues artistik i botës arbërore, lëvrues i shumë  shumë zhanërve. Në shtëpi na priti  edhe  zonja Marg Scilipa një poete e ngrohtë, një grua fisnike ku ruan ende  atë elegancë që as orari biologjik nuk mund të ta heq kurrë. Të gjithë së bashku kaluam disa çaste shumë të këndëshme. Momenti më i bukur për mua është kur më dhurojnë libra. Ky xhest nuk u mjaftua vetëm nga profesori por edhe  Zonja Margarita e cila  më dhuroi  vëllimet e saj me  poezi(që do të ndalem herës tjetër për  të folur për to). 

Mbrëmjen e karnavaleve, të 2024 e cila u festua midis ndërrimit  të datës 10 janar duke u gëdhirë 11 janar, më afrohet një vajzë arbëreshe dhe më dhuron librin “Gjuha e bukës” të autorit Giuseppe Skirò di Maggio \ Zef Skiro di Maxho. Atë natë shkrimtari  Giuseppe Skiro di Maggio mbushte 80 vjeç.

Atë mëngjes, ndërsa  prisja fluturimin, nxorra librin “ Gjiha e bukës” e  nisa ta shfletoja. Brënda në ato faqje perceptova se poezitë  ishin shumë aktuale. Në këto  poezi  të autorit   Skiro di Maxho ndihej sopravvivenza (mbijetesa) arbërore, ai sentiment të pastër dhe e pandotur që i rezitoi kohës si mjet  autentik  sikur të ishte një monument në gurë. 

Struktrura e këtij vëllimi poetik  është ndarë në tre pjesë, të cilat  ndjekin një farë evolucioni organik  midis tyre; “Sunata”, “ Anno zero”, “Kopica e Ndryshku”.  

Në kapitullin e parë, autori Skiro lëvron  me poezi  mbi fizikën dhe egistencializmin;” Pa folur rrinë zëra njeriu\ se flasin veglat e duarve të djersitura- do shkruante autori tek poezia “ Lëndë” 

Vetëdija për një entitet e cila  nuk kuptohet nëse nisimi vetëm  nga e tashmja, por duhet  filluar në mënyrë radikale  nga e kaluara dhe e projektuar në të ardhmen.; “Jemi  duke mbajtur mbi shpatulla peshën  e rrënjëve të  shekujve, si dhe urtësinë e “ndërgjegjes së re” – do shprehej autori në ato poesi të shkurtra dhe herë lakonike.  

 “Janë buzë që flasin pa përgjigje”, ndërsa  “Koha nis sërish e ngushëlluar nga mungesa”. 

 “koha” si antiteza më e fuqishme, pjesë e eksponentit  “ Asimilim”. Vetëdija e qenies është koha”, 

ai koncepti “ Kohë”  ku Vitet rrjedhin  dhe arbëreshi  po bëhet pre e zhdukjes së  tij.  

“ Hapsira” në poezitë e autorit  ngelet me dozën  e saj territoriale, e limituar, midis binomit “ Njeriu dhe etnia”. Hora  në vargjet e tij  është një hapsirë  sa reale por edhe aq agnostike. Autorin e frikson e ardhmja e Horës  e futur ne labirintin  “ Globalizim”.  Vetëm nëse ndalon e vëshgon  sytë e Horës  mund të kuptosh rrjedhshmërinë, lëvizjejen e saj, tërbimin e saj.  I zhytur në shtjellat hapsirë-kohë, një shërbëtyre si mal me rrënjë uji, shfaqet, ku erërat  nyjëzohen, kumbora e orëve të Odhigjitrisë  çanë mjegullat e gjynjëzuar, e ndijim misteresh  thërrasin në jetë kalorsit e Skënderbeut- shkruan autori  

Për poetin Skiro di Maxho; Dielli nuk kthehet në rreze, por një “copë e vjedhur nga era”,pjezësa fotoni të nderur në diell.

Shpesh herë  mendimi i tij  apostrofohet në klauzolën “fizik dhe moral”; “Ne, si pemët lëngjet i sjellim nga dhethi ku lindëm, bota është mozaik, dhe epitafet zgjerojnë “rrënjë dhe lartësi” e të çon  përtjej atij kufirit alabstër. 

Me fjalën e tij të lirë, autori na përcjellë  në një rrugë të hapur, midis një “perëndimi dhe agimi” me  vështirimin nga  lindja. Në mbrëmje duart të vogëla e të thata të bujkut zhveshin shpirtin e heshtjes, hapin derën puhive të vakta ku gratë unjeshin nën hije,  rrëfenin përrallat, vajzat në dhomat e arta qendisnin pajën, e këndojnë Pecutën e butë, që i rriti mirë. Intinerari i kthimit  drejt Horës “gdhendet në palcë”. 

Jeta, një  kafshim e puthje stinësh, valë që ikin nga krahët duke shkumuar, ndërsa malli i hollë  përdridhet, te rrëza e Kumetës  nën tingujt e kumborës me ajrin e qëlluar barsë.  

Cdo gjë lind, zhvillohet dhe vdes, por “para se të fiket çdo zë arbëresh, brenda qarkut të këtyre maleve  të nxjerrim thirrma kushtrimi për rrezikun, të humbas e folmja jonë”.  

Në Hora sa herë  kthehesh mund të kesh harruar ndonjë fjalë, por Hora ta kujton. Ajo është fjalori  më i gjallë sepse  çdo gjë frymon arbërisht,Shkëmbi, Sheshi, Përroi, kroi, lumi i Gjonit. Këtu që nga viti 1488 është një Arbëri. Spërkat vargjet me notat e identitetit të tij, arbëresh në gjuhë dhe në rit.  Stema e Horës janë kallinjtë dhe ylli. Simbolet e bollëkut dhe simboli i lashtësisë si popull. “Korrën këtu një kalli\ mbeti i vetëm si gisht i nderë drejt qiellit. Ne mbajën e kallirit vendosa vetëtimën të fërgëllojë\ kur të fryjë era në kaltrsi e tokë.”  

Për autorin, rënia e apoteozës të dështimit të filozofisë së altruizmit efektiv është plaga e shekullit.  

Që  prej 2000 vjet flasim për teoremën më të lartë të virtutit humanë “Dashurinë” për njeri-tjetrin,  dhe ky projekt gjithmonë dhe më i dështuar,“Do të duhej të duheshim ka dy mijë vjet\ por i varfëri edhe tash qan e qesh me zgërdheshje”- do të shkruante Ai tek  poezia  “Dashuria” .

Autori shkon më thellë asaj aksiome  të tuprshme humane  krimi i kryer i  qënies njërëzore, dhe për këtë  ai  na përcjellë në  Portellë, Purtelja e Gjineshtrës. Një mëngjes Maji 1947 me flamuj nëpër duar  u vranë një grupë të pafajshëm midis  tyre edhe edhe një  vogëlueshe 8 vjeçare. “Perëndimi ka pasqyrim gjaku, e nesërmja do të jetë mot i mirë” – do të përfundonte vargjet  autori.   

Në pjesën e parë nuk mungojnë edhe poezitë e karakterit  erotik.  Poezia “Eva” e cila mbartin  vargje me nota të “sofistikuara” joshëse; “i djersitur, i bjerrë, në të miat humnera, yti nur”, po ashu edhe tek  vargjet  “Hermione” gjejmë  nota erotike me sfumaturë malinconie dashurie; “jeta tek kufiri i një çasti.”      

Pjesa e dytë“Anno zero”, është një stil kaligram, dhe mund të themi që ka patur një farë influence nga simbolizmi francez. Në këtë pjesë të librit poeti Skiro di Maggio, na përcjellë  vargjet e tij të skicuara,  gjë që na kujton  poetin  Apollenair,  i cili kanalizoi  në veprat e tij frymën e inovacionit e cila u ndje në Evropë midis shekujve XIX dhe XX. Këto poezi të Skiroit ndërpresin në mënyrë drastike lidhjet me traditën poetike tradicionale dhe përdorin  herë në  stilin vertikal, si  një “ gotik modern”  dhe herë atë horizontal si faqet intime si në një kartoline. Ky stil  i jep liri  kufizimeve te metrikës, dhe gjuha  që përdor, i japin  një “dizenjo” kuptimit.

Pjesa e fuqishme dhe e drejtpërderjt është pjesa e trete, “Kopica e Ndryshku”. Në këtë kapitull duket sikur autori ka në dorë atë forcë ndergjegjeje, një bagazh sa kulturor aq edhe pjekuri shpirtërore,  që e ndihmon   për të kuptuar gjithshka mbi botën e arbëreshit dhe çfarë po ndodh me të në botën e globalizimit,:”Lanë gjuhën tonë\ kultura lëtire\ aq mendimet na i pushtoi”. 

Me forcën kritike të ngjyer në sarkazmën e tij  poeti Skiro  iu drejtohet bashkëatdhetarëve të  vet se identiteti , si dhe sensi i përkatësisë është virtuti më suprem për individin e një grupi  që kanë lidhje në gjuhë dhe sentiment; “Mëma arbëresh e ardhur nga qyteti\hedhur papandehur\mbi qetësinë fjalë lëtirë të mbajë\ foshnjen të ikën te vapa\ vieni qui dove vai\ non correre, fermati\.. 

Shpopullimi ngelet një nga argumentat në poezinë e Skiro di Maxho, por autori shpreson tek etnia e tij, tek komunieteti tij; “Arbërshi i destinuar ti mbijetojë çdo Polis…  Unë,Ti, Ai\ Ai, Unë, Ti\Ti, Ai Unë\Unë Ti Ai. 

Një skicë  ku secili ka identitetin e tij, të gatshëm për  një integrim  në botën globale, por  kurrë i asimiluar! 

Poeti Skiro di Maxho e di shumë mirë se nëse diçka duhet të ngelet e përjetshme, duhet investuar tek brezat e rinjë-“Vetëm ata do ti japin lagëshirë rrënjëve arbëreshe- thotë  poeti, dhe më tej vazhdon me nota akoma më të forta për të gjithë ata që nuk dinë rëndësisnë e kësaj gjuhe më të lashtën në  Europë – “Kur  fëmijët do të mësojnë në bankat e shkollës, atëherë dielli do të lëshojë rreze mbi trutë e arbërshëve duke bërë kulturë, tregëti, politikë  në gjuhën amtare do të fitojnë më shumë nga gjindja e huaj,  edhe më të nderuar do të jenë”.  

Në kapitullin e fundit vargjet e tij herë duken si monolog e herë kethehen në dialog virtual dhe në këtë vorbull autori herë  introspektiv  dhe i kamufluar dhe  herë  i hapur, vozitë në shtjellat e Horës. 

 Kthehet në bir i erës, ku çdo pjesë e mendimit të tij prek Horën,  pasqyrohet mbi  liqen dhe  pa zënë në gojë fakte historike,  penetron  indirekt në historikun e e Horës, në ato kohë   të një krenarie të të artë 1488-1819 ku Hora filloi të çelte me shkëlqimin e saj arbërore si një feniks,  sepse ajo u ndërtua mbi të pamundërën. Hora, vizionare me një planimetri ndërtimi mbi  300 vjeçare. U ndërtua autonome, me administratë arbëreshe në gjuhë dhe të ritit bizantin , me shkollën e parë arbëreshe të Matrëngës  në 1593.Hora me banorët e saj por edhe me kulturën e saj, arbëreshët  njohës të katër gjuhëve: Latinishtja si gjuhë zyrtare, greqishtja e ritit, gjuha rajonale e tregëtisë  si edhe arbërishtja gjuha e bukës.  Por Hora ishte edhe fisnike, dy herë në vit lejonte të huaj në festën e Shën Mërisë që të vizitohej qyteza.  

Illuminizmi për Skiroin është forma më lartë e ndërgjegjes.  Dielli është metafora e tij. 

Drita kur të preki ndërgjegjen e arbëreeshit vetëm atëherë  Hora e ka arritur misionin e saj, dhe të vazhdojë të qëndrojë  si një mbretëreshë e gjallë  e fisnike 600 vjeçare  me madhështinë e saj.

 Ky  Diell , kjo ndërgjegje për Skiro di Maxho nuk është Utopi,  por  është një “Ëndërre?”  Pikëpyetja  që shoqëron fjlën “ Ëndërr” është, forma më demokratike  e  indirekte për ti përfshirë  bashkëqytetarët e tij në çështjen më të madhe, atë të ruajtjes së identitetit. 

Esklamacioni  i tij final është eshtë një euphemèo , është retorika që përmban përgjigjen; Mjafton të  kesh shpirtin arbëror dhe pavdekësia e saj bëhet realitet!  

Vëllimi poetik “Gjuha e bukës” të autorit Skiro di Maxho është  plot me figura letrare. i përshtatur në shqipen standart, dhe tek tuk gjejmë fjalë arbërisht, por tingullimi i fjalëve në arbërisht i shtojnë bukurinë sa artistike në stil ashtu dhe në përmbajtje këtij vëllimi poetik.

 “Mizare( bletët) dhe fëmijët rreth grumbujve me rrush të gangulluar pas vjeljes

Butet(fuçitë e verës), rrufullisnin me kërthi të hapur, dhe vjeshta dehet vetëm me të bukurën.”

Në këto rreshta arkadike të  një një panoramë dioniziane si dhe të shpirtit njerëzor ndërthuret  bashkimi i përsosur i të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes.   

Ornela Radovicka 

Qëndra Albanologjike  kërkime dhe studime  mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar në 1980.  

Filed Under: Kulture

Për “maja e kreshta” të artit që nderojnë shqiptarizmën

February 3, 2024 by s p

“Hirushja e Mitrovicës”

Për Sopranon Elbenita Kajtazi

Nga Shyqyri Fejzo

Trajtimi mitik i Shqipërisë është  mjaft i përhapur sot në vend dhe jashtë tij. Jo  shqiptarët që kanë vizituar vendin, apo analizuar problemin, janë përqëndruar tek historia, gjuha e veçantë, nga pejsazhi dhe natyra e pa ndotur, prapambetja dhe mjerimi, sponatniteti popullor, zakonet e lashta si dhe përzjerja e lindores me perëndimoren, nga copëzimi dhe larushitja e  vendit, nga e panjohura e zanafillës së tij. Bota kështu na njeh në vija të trasha, po kjo nuk është e tëra. Jo më pak shkrime e analiza ka për karakterin, vetitë genin e shqiptarit, se i tillë është dhe realiteti.

Pas kësaj “hyrje të cunguar” në këtë shkrim dua të ndalem në vetitë e shqiptarit, genin e tij me theks jo vetëm qartësinë e mendimit, por veçanrisht në këmbënguljen. Këto dukuri lidhen direkt  me përvetësimin e gjuhëve të huaja, përshtatëshmërinë dhe dukuri e tendenca për të realizuar më të mirën bashkëkohoren, në përputhje me stadet e zhvillimit të vendeve ku jetojnë dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Midis dhjetra shembujve që mund të jepen sot për këto probleme, do të veçonim atë të sopranos Elbenita Kajtazi e cila në sajë të një pune kolosale, ka arritur e synon suksese të tjera në fushën e muzikës operistike e interpertimit të saj. Bota kritike muzikore  vlerëson lart zërat e rrallë, timbrin e bukur, interpretimin e thellë shpirtëror të saj. Në media është publikuar me emrin e bukur “Hirushja e Mitrovicës”. Kur flitet ose  shkruhet për një figurë tipike të kulturës, artit, sportit etj.jemi mësuar dhe jemi njohur veç me sukses, arritje në ngjitje, me një fëmijëni kështu, ose ashtu, me të dhëna interesante dhe premtuse për të ardhmen. Kjo na bën disi të përgatitur çfarë do të dëgjojmë, shikojmë apo lexojmë më pas. Por, rastet në jetë janë të ndryshme, si vetë jeta.

Po të shikosh apo dëgjojsh civinë e Elbenitës, sipas tregimit modest të saj në takimin e njohur me kryeministrin Edi Rama do të fiksoheshin disa të dhëna dhe momente intersante të jetës  saj. Në intervistë dhe në biseda, në çdo fjalë a fjali, (zakonisht të shkurtra e të kursyera),bashkëbiseduese interesante dhe dëgjuese e vemendëshme.  Në çdo veprim të imagjinuar dhe konkret, ajo duket sikur luan një simfoni, ku tasiera e preferuar e saj është konkretja dhe humanizmi.. Kushdo që e ka njohur, dëshmon dhe flet se në bukurinë e saj natyrore është bashkuar një mendje e fuqishme e pasur me dituri, me karakter shumë të gëzuar, të thjeshtë, bashkë me ndjenjën madhështore të dinjitetit vetiak.

Më e madhja e një “skuadre volej-bolli” me gjashtë motra dhe një vëlla, më i vogli i fëmijve, i cili në shkurt mbush 17 vjeç. Po të pyeste njeri për kuriozitet se “kur ka nisur të kërcejë si balerinë?” do të ishte me vend përgjigja “që në barkun e nënës kur ajo shkonte në Skënderaj në rrugë e pa rrugë nga tmerret e luftës.” E madhja, “hallemadhja”i thonë një fjale të mençme në Shqipëri. E madhja e gjashtë motrave. Nuk është pak. Motra e katërt lindi në Durrës, ku familja komplet ishte shperngulur nga lufta në Kosovë, ndaj me të drejtë i vumë emrin “Fitorja”. “Dashurinë për njeri-tjetrin ne e ndjemë që kur erdhëm në kufi. Një polic shqiptar më rroku për qafe e më rrëmbeu nga traktori duke më mbajtur në krah. Nuk e harroj atë moment.” Më pas kur pushoi lufta dhe u shpall fitorja, ata u kthyen në Mitrovicë. Sejcili nga  familja dhe së toku dualën detyrat e eliminimit të shkatërrimeve të luftës. Duke kërkuar gjetëm lopën që i kishte grumbulluar e kujdesej për to një fshatar zemërbardhë dhe i ndershëm aty afër. Unë e njoha lopën menjëherë. Jo vetëm nga nishani  që i kishim lidhur në bisht. Që ato ditë fillova të ushqej e mjel lopën si dhe të shes përditë qumështin në qytet. Këtë punë e kam bërë me kënaqësi të madhe. Më takonte si fëmija i madh.

Duke dëgjuar videon e shkruar për këto probleme, të kujtohen menjëherë mendimet e dietarëve e personaliteteve të shquara, si Hygoj, Tolstoi, Heminguej apo Lasgushi ynë se ”faktor kryesor për arritjen e një suksesi  në jetë është dhe një fëmijëri e  vuajtur dhe e varfër.” Dhe personazhi i këtij shkrimi nuk bën asnjë përjashtim nga ato konkluzione të njerëzve të shquar.

Prindët e Elbenitës, si shumica e shqiptarëve, kanë dashuruar e duan pa masë lirinë dhe diturinë. Për të ardhmen e vajzës tyre të dashur ata synonin ta çonin në shkollë. Të dhënat e para siç shprehet ajo, “kam kënduar në heshtje. Ishte luftë.” Në Durrës, ku dëgjuam dhe lajmin e fitores dhe u bëmë në shtëpi me motrën tonë “Fitore”plot katër vajza, kam kënduar me zë dhe bukur, siç më thanë.

Pas diskutimesh e hamendësimesh, që lidhëshin me mundësitë e vazhdimit të shkollës e varfërisë që e kishin shoqëruese, ata vajzën e dërguan në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Nga ajo shkollë përveçse dëgjoi për herë të parë muzikë operistike dhe konkretisht të madhen Marie Kallas, u përcaktuan e zbuluan  dhe prirjet e saj për muzikën operistike. Tani ajo kujton fillimin në Prishtinë në fakultetin e Arteve. Megjithëse punonte e studjonte pa pushim, por në thelb e kuptonte se aq ishte pak. Pati mëdyshje për ta lënë atë shkollë e të bëhej avokate, por këmbëngulja e së ëmës bëri që të kërkonte më tej për muzikë. Duke parë “Traviatën” në TV.dhënë në sallën e Operas në Londër, bashkë me të ëmën, ajo e nxiti ti shkruajë solistes kryesore të asaj shfaqjeje, Ermonela Jaho e ti kërkonte ndonjë ndihmë. Mençuria popullore thotë se “Ai që kërkon, gjen, por ai që këmbëngul, gjen dhe merr.” Kështu ndodhi edhe me Elbenita Kajtazin. Pas mesazhit dhe linkut që i dërgoi, i erdhi menjëherë përgjigja pozitive nga Ermonela, e cila pas një muaji, për fatin e të dyjave, shkoi në Prishtinë për të dhënë shfaqje. Kuptohet, aty koordinuan më mirë punët për vazhdimësinë. Më pas pë Elbenita Kajtazin filluan intensitet pune, emocione por edhe kënaqësi e rrugëzgjidhje. Ajo kujton me shumë respekt pedagogen e apasionuar të muzikës në Amerikë, Vera Kalabri e cila organizoi dy edicione në Gjermani. “Hirushja e Mitrovicës” qëndroi dy vjet e gjysëm në Gjermani, ku mendon se fitoi shumë, si në mësimin e gjuhës gjermane dhe në muzikë. Është botërisht e njohur aftësia e shqiptarit në përvehtësimin me themel të gjuhëve të huaja. Këtë e vërtetoi më së miri dhe Elbenita. Natyrisht, zotësia e saj  për të kaluar me lehtësi nga një mjedis në tjetrin, nuk e shtyu të shkëputej shpirtërisht nga vendlindja dhe nga dëshira përherë e gjallë për t’u rikthyer në atdhe. Të çudit dhe të kënaq fakti kur dëgjon në biseda e intervista sa bukur e pastër e flet gjuhën e nënës, shqipen e bukur sopranoja.

Profesoresha e këndimit në Gjermani, ishte e rreptë, por veçanrisht e saktë. Kjo bëri tek artistja të krijojë bindje të qëndrueshme e të drejta për sistemin gjerman. Në punë, veprimtari artistike apo në pushime me miq e shokë ajo në një formë a tjetër, do të përmendë Ermanela Jahon që me respekt të veçantë e quan “motra e madhe.” Arritjet e këtyre “motrave soprano” janë vërtet të admirueshme në fushën e muzikës operistike,si gjeografi shpërndarje në shumë vende të Europës e botës, në role e vlerësime me cmime të shumta.

Çdo i ri apo e re, dihet se në jetë kanë dhe një qëllim final, ngritjen dhe funksionimin e familjes, qelizës bazë të shoqërisë, për vazhdimin e pemës gjenealogjike të sejcilit. I zgjedhuri i zemrës saj është Ardiani, qe vjen nga Vushtrria, shokë e të njohur nga shkolla e mesme. Ata kanë 15 vjet bashkëjetese, por vetëm 5 vitet e fundit, kur bashkëshorti po punon në Hamburg, janë më të qetë e të lumtur, mbasi më përpara u ishin diktuar lëvizje që vinin nga natyra e punës dhe profesionit. Do t’me lejojë Elbenita të shkruaj një nënkapitull fantazi  të lidhur me muzikën në familjen e tyre pas një pune të lodhëshme.

Në pushimet shlodhëse të shkurtra apo dhe pak të gjata, muzika, veçanërisht ajo popullore ishte “ushqimi” i dytë shlodhës i tyre.

-Mua muzika popullore, siç e  di dhe e ke vënë re gjatë këtyre viteve bashëjetesë partnerë në familje, më shlodh, më krijon disa emocione në subkoshiencë dhe më çon peshë gjithë organizmin. Njëqind probleme të kem në tru, duket sikur ato zgjidhen të gjitha, shuhen dhe pa dashur, kam hyrë në linjën melodike të këngës, të tekstit…

`        -Mirë e thua, Ela. Ti në shpirt, në mendime je artiste. Dhe artistët, kompozitori, formuluesi i tekstit, interpretuesi(këngëtari) janë shkencëtarë në një farë mënyre, por desha të them shkencëtarë simpatikë, mbasi shtrydhin kokën e mendimet e tyre për të dhënë njerëzve kënaqësinë, si kjo që po provojmë ne të dy pas kësaj lodhje…

-Ngrije dhe pak zërin të lutem, se po këndon “Bareshën” Nexhmije Pagarusha…

-Është e pa përsëritshme vërtet, Nexhmije  Pagarusha. Unë emocione të jashtëzakonëshme ndjej dhe kur dëgjoj Vaçe Zelën kur  këndon këngën “gjyshja”. Në veshë buçasin ato nota e tinguj nostalgjikë, aq të bukur të krijuara nga i madhi Agim Krajka, me një rregjistër zëri si të Vaçes, po në sytë e mendjes kam gjyshen time…

Dhe biseda vazhdonte e rridhte për bukuri për  këngëtarë  të tjerë të vendit, të Italisë, Gjermanisë, Anglisë, Amerikës, Greqisë apo dhe për këngën “Lane Moje” kënduar në një festival Europian të këngës nga Zeljko Jaksimoviç i Sërbisë. Arti është art. E bukura pëlqehet nga të gjthë dhe kudo.

-Nuk po futem në muzikën operistike të lakoj “Manon Lesko” e perla të tjera të saj. Ato janë ushqimi juaj shpirtëror.  Ti e dashur Ela, që rrezaton gjithnjë mirësi, e dashuron të bukurën. E di si ka shkruar Dostojevski?…”Bukuria do të pushtojë botën…”

-Ti e di, Ardiani. Për Dostojevskin unë kam debolesë të madhe. Një shkrimtar shumë i thellë psikologjik. Tolstoi, Pushkini, Turgenievi, Gogoli, e një plejadë e tyre të para revolucionit janë të pa arritshëm…Unë kur kam kohë, nuk shkëputem dot nga leximi i veprave të tyre, ashtu si më tërheqin  veprat e Kadaresë, apo libri fantastik “Gjuetari i balonave”

Elbanita fërkon duart, mbyll sytë e duket diçka ëndërron e thotë:”…-

.-Por, krahas tyre kontribut jo i pakët është dhënë nga zhvillimet e sotme dhe muzika ka marrë përmasa botrore dhe shpesh po del në skenë pa një autor, po me kooperim. Arkitekti shqiptar  i “Taxhmahallit të famshëm në Agra të Indisë, kompozitori Yannis Love is All and Prelude, grek, ekzekuton në duduk latinoamerikani Pedro Eustache, tonin ja jep mezosopranoja kineze, me ekzekutimin e saj të papërsëritshëm. A e shikon çfarë kombinimi e arritje ka nga ajka e personaliteteve të muzikës e artit botror? Jetojmë kohra vërtet interesante…

-Po.Është e vërtetë. Po ka ca gjëra lidhur me muzikën që mbeten thellë në subkoshiencën e njeriut dhe pa “kurdisur,”shpesh ato që lidhen me muzikën, duket sikur të shoqërojnë në cdo hap. Te unë këto dukuri shfaqen për këngë të bukura të muzikës popullore, ndërsa ty e dashur rrethi i shoqërimit është më i madh, më i gjërë…

-Kjo është e vërtetë i dashur. Unë muzikën popullore e kam shpirt e xhan.Nuk ngopem së dëgjuari.

-E di.Të kam parë e dëgjuar me shpirt në shkurtin e vitit 2022, kur këndove këngën “Vet ke mbetë”.- qeshin me shpirt të dy.

-Ti edhe kur punon, pa ze imiton dicka…

-Aha! E ke vënë re? Vec muzikës popullore, të them të drejtën, më josh shumë dhe muzika orkestrale.Nuk kam përse ta fsheh. Kur dëgjoj “Vëlltavën”e Smetanës lumturohem, ashtu si bëhem edhe kur dëgjoj nga Diku Si “marmërimin e ujrave të pranverës” apo veprën simfonike të Tish Daisë “Një ditë pikniku”….

Pas kësaj shlodhje shumë aktive çifti vazhdon punën aty ku e kishin lënë, me energji dhe frymëzim të ri nën vështimet e njëri-tjetrit duke dëgjuar dhe fishkëllimën e lehtë të Ardienit nga kënga e “Baresha”,gati imitonte tingujt e violinës së Shkëlzen Dolit.

Mendoj se kot nuk ja kanë ngjitur emrin “Hirushja e Mitrovicës-“ Kur kthen kokën pas, në fytyrën e  Elbenita Kajtazit gjithjë çel trëndafili i një buzëqeshje të mirë, që buron nga shpirti i saj i pastër, nga fakti se gjatë gjithë jetës së saj, në çdo hap që ka hedhur, e ka karakterizuar mirësia, fisnikëria dhe dashuria e pakufishme për  kombin, për njerëzit.Njeriut të qeshur i hapet çdo portë. Ajo të qeshurën gurgulluese e mban në buzë,  dhe thellë në shpirt.

Nga lufta në Kosovë dhe më tej, asaj, prindëve, motrave e vëllait, familjarisht u pëlqen Shqipëria e veçanrisht perla e bregdetit Jonian, Qeparoi. Çdo vit ata aty kalojnë pushimet.

Arritjet nuk e dehin e frenojnë në asnjë çast artisten. Po të hedhësh një sy vendeve ku ka kënduar, rolet e titujve të operave ku ka luajtur, cmimet me të cilat është vlerësuar, del një odise interesante e veprimtarisë së sopranos, duke u bërë e njohur, e dashur për interpretimin brilant të saj. Ëmbëlsinë e zërit të saj kanë pasur fatin ta dëgjojnë e shijojnë spektatorët jo vetëm të Hamburgut në sallat e koncerteve të Elbfilarmonisë  të  famshme të qytetit metropol, por edhe të Berlinit,Mynihut, Parisit, Romës,Shtëpinë e Operas në Korenë e Jugut, Theatro Sao Pedro në San Paolo Brazil, programi Campo d’oro Neë York. Salsburg festival dhjetor 2017,Cardif, Lyon, Grand Teatre de Genevë etj.Gjeografia e vendeve që kanë provuar kënaqësinë që të dhuron interpertimi i sopranos Elebenita Kajtazi është e madhe,në pothuajse në pesë kontinentet. Rolet e saj të denja dhe të pa përsëritshme,kanë qënë ai i Violetta-La traviata, Mimi-La Bogeme,Micaela- Carmen,Tatyana-Eugen Onegin,Liu-Turandot, Pamina-Die Zauberflote,  Dona Anna- Don Giovanni, Manon- Manon, Adina-Lelisir Damore, etj.

Një varg cmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare  pasurojnë civinë dhe karierën brilante të saj.

Në “Elbfilarmoninë koncentrale” fantastike të  Hamburgut ku jep koncerte  të herë pas hershme, aty enden dhe ëndrrat e perspektiva e mëtejshme e lidhur ngushtë me shpresat e mundësitë për sa më shumë koncerte, për të debutuar në Teatrin e Operas e Baletit në Shqipëri, për të parë sa  më shpejt në veprimtari Teatrin e Operas të Kosovës.

Aftësia për t’u përshtatur siç duhet dhe shpejt nënkupton zgjuarësi të zhvilluar, që nuk njeh gjurmë misticizmi. As mjegullnajat nuk ia turbullojnë mendjen shqiptarit.. Tek shqiptari në thelb nuk gjen asgjë monstruoze, as të shpërpjestuar. Përkundrazi: e ka tejet të zhvilluar qëndrimin kritik dhe filozofik ndaj shoqërisë dhe jetës. Mençuria e shqiptarit e përjashton sidomos naivitetin, mendjelehtësinë. Ai është gjithmonë realist, me këmbët në tokë, i vëmendshëm, rrallëherë i hutuar

Nëpërmjet kësaj optike sot mund të shikohen arritjet e të rinjve e sidomos të rejave në vend e kudo në botë. Arritjet e sopranos Elbenita Kajtazi, së bashku me motrën e saj të madhe Ermonela Jaho në muzikën operistike, Mira Murati  në intelegjencën artificiale, të Suzana Zuta në energjinë e rinovueshme e gazin jeshil, të kampioneve te Karatese Kelmendi, Gashi  e krejt shkollës së karatesë në Fushkosovë, të Sadbere Emshiu si pedagoge e gjuhës shqipe dhe Gjermane në Hamburg, e dhjetra të tjera.Ato janë kreshtat e majave më  të larta të intelektualëve e intelegjencës,me të cilët është gërshetuar kultura, Atdhetarizmi e pariotizmi dhe tregojnë për genin e fuqishëm shqiptar,shpresë për vendin në të ardhmen, me të cilat  krenohen gjithë shqiptarët.

Shyqyri Fejzo

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 547
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT