• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKUPI I HASAN PRISHTINËS DHE “ZVICRA E BALLKANIT”

August 12, 2023 by s p

Nga Skender ASANI/

Duke rikujtuar edhe një herë 12 gushtin e vitit 1912, historia më e re do të nxjerr mësime të shumta, në bazë edhe të pësimeve, por kujtimi për Hasan Prishtinën dhe bashkëudhëtarët e tij do të mbetet amanet i brezave në ardhje për ta shndërruar Shkupin në pikëtakim të ideve progresive që një ditë Maqedonia Veriut të jetë një “Zvicër e Ballkanit”.

Gjeopolitika ruse e shek. 19 është bazuar në shtrirjen e ndikimit në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane nëpërmjet tre projekteve të mëdha: Greqia e Madhe (Megaloidea), Bullgaria eMadhe (Shën Stefani) dhe Serbia e Madhe (Naçërtanija). Kjo gjeopolitikë asnjëherë nuk i shuajti aspiratat e saja, ndonëse intensiteti i saj pësoi ngritje dhe rënie, varësisht nga rrethanat historike nëpër të cilat kalonin pjesët e caktuara të Europës.

Nëpërmjet këtyre projekteve, Rusia, në njërën anë, synonte të eliminonte dy perandori, Prerandorinë Otomane dhe atë Austro-Hungareze, dhe në anën tjetër, popujve të vegjël (shqiptarëve, maqedonasve etj.) synonte t’ua reduktonte hapësirën etnike-territoriale…

Edhe pse asnjëherë nuk u arrit të vendoset një bashkëpunim i mirëfillt kulturor e politik i rilindasve shqiptarë dhe maqedonas, ata megjithatë me idetë e tyre iluministe propagonin një Ballkan të lirë ku gjithë popujt do të gëzonin të drejtat e barabarta, pa patur nevojë që të cënojnë lirinë e tjetrit. Prandaj jo rastësisht në kohën e Rilindjes së popujve ballkanik kishte lindur edhe ideja e projektuar në formulën “Maqedonia-Zvicra eBallkanit”, e cila do neutralizonte projektet shkatrrimtare ruse.

Ideatorët e kësaj formule iluministe kishin pikëpamje shumë demokratike, për arsye se lirinë e popujve të tyre nuk e bazonin mbi robërinë e popujve të tjerë dhe kishin orentim perendimor.

Fatkeqësësht idetë e tilla iluministe nuk gjetën terren të përshtatshëm zbatimi, për shkak të Krizës Lindore, si pasojë e luftës ruso-turke, ku Rusia gjunjëzoi Perandorinë Osmane dhe për rrjedhojë e detyroi të nënshkruaj Marrëveshjen e Shën Stefanit.

Për të parandaluar rrezikun e mëtejm, Evropa organizoi Kongresin e Berlinit (1878) në mbrojtje të kufijve të jashtëm të Perandorisë Osmane.

Por, aspiratat ruse për të dominuar në Ballkan nuk rreshtën dhe ato kulmuan me luftërat ballkanike, ku Serbia dhe Greqia sërish u zgjeruan në dëm të territoreve të poujve të tjerë. Ky hegjemonizëm serb dhe grek u vulos në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1913 ,kurse në Konferencën e Versajes (1919) u konfirmua shuarja e dy perandorive: Perandoria Osmane dhe ajo Austro-Hungareze dhe mbi gërmadhat e saj u ngrit projekti rus mbi Ballkanin.

Rilindja Kombëtare Shqiptare kontribuoi në ndërgjegjësimin politik e kulturor të shqiptarëve, por edhe në krijimin e platformave ideologjike për zbrapsjen e projekteve shoveniste ballkanike të sponzorizuara nga Rusia. Në kuadër të këtij ndërgjegjësimi ideologët dhe patriotët shqiptarë, të koordinuar nga Hasan Prishtina, punuan në parandalimin e ekspansionit të Aleancës Ballkanike, duke marshuar drejt Shkupit më 12 gush 1912, të cilin e çliruan dhe vendosën rend dhe qetësi disaditëshe. Me këtë, kryengritësit shqiptarë syninin t’i bënin presion Portës së Lartë që të pranojë kërkesën për Autonomi, në mënyrë që të mos i jepej shkas Alenacës Ballkanike për luftë të përgjithshme.

Ngjarjet pastaj rrodhën sipas dinamikës së njohur dhe shqiptarët sërish ngelën të fragmentuar në pikëpamje të organizimit shtetëror, deri në vitin 1999 kur rrethanat u ndryshuan në favor të krijimit të parakushteve për një Kosovë të lirë, e cila do të shpallet shtet i pavarur më 17 shkurt 2008.

Zhvillimet në Ballkan kanë ndjekur dy linja veprimi, sa i përket preferencave gjeopolitke. Njëra linjë ka mbështetur fuqishëm frymën evropiane në politikat shtetndërtuese, kurse linja tjetër ka qenë pre e ndikimit rus. Si pasojë e këtij ndikimi edhe hapësira e ish Jugosllavisë kaloi nëpër turbulenca të shumta që u shpërfaqën në formë të konflikkteve e trazirave të ndryshme. Këto turbulenca u manifestuan menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit (1989), që rezultoi me shpërbërjene Bashkimit Sovjetik. Për ta kompensuar humbjen që pësoi nga kjo shpërbërje, Rusia frymëzoi forcat nacionaliste në ish Jugosllavi, sidomos në Serbi, që të rikthejë në skenë aspiratat hegjemoniste, duke vënë në lëvizje ish APJ-në, e cila u vu në shërbim të plotë të politikave ekspansioniste të Beogradit, gjoja në mbrojtje të tërësisë së plotë territoriale tël ish-Federatës Jugosllave. Fillimi viteve nëntëdhjetë, përpos krijimit të shteteve të reja, ishte i mbushur plot me skena lufte e gjenocidi, kurse trajtat më të tmerrshme të këtyre skenave u shfaqën në Bosnjë dhe në Kosovë.

Të gjitha këto zhvillime nuk mbetën pa u reflektuar edhe në Maqedoni, para dhe pas pavarësimit të saj, ndonëse këtu nuk pati zhvillime dramatike si në ish-republikat tjera jugosllave. Sikundër dihet, pas pavarësimit të Maqedonisë, lidershipi i saj ende kishte dilema nga duhej të shkonte shteti i ri, andaj inicuan referndumin, i cili linte të hapur mundësinë e ribashkimit me ish-Federatën Jugosllave (me Serbinë). Në fakt ky ishte një kurth i politikës ruse për ta nda Maqedoninë, ndërkohë që kjo e fundit kaloi nëpër një proces të ri kushtëzimesh nga jashtë (emri, kisha, historia nacionale) , të cilat e vështirësuan dukshëm atë në integrimin euro-atlantik.

Deri në vitin 2001 lidershipi maqedonas udhëhoqi politikë pro-ruse, e cila shpiente në prishjen e kohezionit të brendshëm social e etnik dhe ishte kundër statusit që garantonte barazinë e shqiptarëve. Por me rezistencën e vitit 2001, shqiptarët kontribuuan në amortizimin e ndikimit rus në Maqedoni duke e orientuar shtetin drejt vlerave euro-atlantike. Kjo u arrit përmes Marrëveshjes së Ohrit që u reflektua në ndryshimet kushtetuese që pasuan.

MO përfundimisht e shkëputi Maqedoninë nga ndikimi rus dhe e përforcoi kursin euro-atlantik.

MO e parandaloi konfliktin ndëretnik dhe përkufizimin territotorial mbi baza etnike.

Pasoi Marrëveshja e Prespës, që ia hapi dyert anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Me tejkalimin e problemeve të hapura me Bullgarinë që do të pasojnë me ndryshimet kushtetuese, Maqedonia definitivisht evropianizohet dhe shkëputet nga fryma dhe ndikimi rus.

Gjatë procesit të shtendërtimit të Maqedonisë, shqiptarët janë treguar faktor stabiliteti, dhe ruajtës të paqes ballkanike, duke investuar politikisht në dy kauza të mëdha: BE dhe NATO. Këto kauza kishin edhe kosto mbi rejtingun e partive politike në elektoratin shqiptar, por lidershipi shqiptar tregoi maturi dhe pjekuri duke favorizuar evropianizimin e Maqedonisë, si parakusht edhe për barazi të plotë nacionale të shqiptarëve.

Në opinionin maqedonas jo rrallë qarkullojnë zëra se me ndryshimet e paralajmëruara kshtetuese gjoja do të zbehet identiteti nacional i maqedonasve. Në fakt këto ndryshime do ta fuqizojnë edhe më tepër këtë identitet dhe kjo u konfirmua edhe nga Bundestagu Gjerman i cili përmes një rezolute të pasaçme njohu tiparet dhe veçantitë e identitetit nacional maqedonas. Pritet që shumë shpejt me një qëndrim të ngjashëm do të del edhe Kongresi Amerikan, me çka edhe ndërkombëtarisht jepet garancë se identiteti nacional i maqedonasve është i pacënueshëm nga çfarëdo lloj ndryshimi kushtetues që mund të ndodhë.

Ata që kundështojnë ndryshimet kushtetuese, janë për ruajtjen e status-quos, duke mos pranuar realitetin e ri në të cilin u zhvillua ideniteti maqedonas, për të cilin ishin angazhuar edhe rilindasit e këtij populli. Mospranimi i realitetit të ri e konfronton identitetin maqedonas me historinë në të cilin u krijua dhe zhvillua ky komb, prandaj të gjithë ata që kundështojnë këtë realitet janë edhe kundër bashkëjetesës me shqiptarët dhe kundër faktorizimit të tyre në shtet.

Ndryshimet kushtetuese nuk kanë alternativë tjetër, sepse ato e hapin procesin evropianizues të Maqedonisë dhe largimin definitiv të ndikimit rus. Kjo gjithsesi do të ndikonte pozitivisht edhe në tejkalimin e problemeve në Bosnjë dhe në Kosovë, me çka Maqedonia mund të bëhet model për tejkalimin e problemeve të hapura me fqinjët si dhe një faktor stabilizues për rajonin.

Në anën tjetër, shqiptarët duke njohur Maqedoninë e Veriut si shtet dhe identitetin e ri maqedonas, po i rikthehen formulës së dikurshme të Rilindjes: “Maqedonia – Zvicra e Ballkanit”, një formulë kjo efikase për parandalim i ideve destabilizuese në Ballkan dhe sidomos në Maqedoni, të cilat po shfaqen në skenën politike përmes të majtës ekstreme dhe frymës fetare në subjekte të caktuara politike.

Forca ndikuese e faktorit politik shqiptar gjithmonë ka qenë pengesë e qarqeve që kanë stimuluar deatomizimin e këtij faktori, duke nxjerrë nga mënga grupime partiake të cilat përmes shkërmoqjes së elektoratit shqiptar i bëjnë një shërbim kolosal rrymave politike proruse në Maqedoninë e Veriut.

Duke rikujtuar edhe një herë 12 gushtin e vitit 1912, historia më e re do të nxjerr mësime të shumta, në bazë edhe të pësimeve, por kujtimi për Hasan Prishtinën dhe bashkëudhëtarët e tij do të mbetet amanet i brezave në ardhje për ta shndërruar Shkupin në pikëtakim të ideve progresive që një ditë Maqedonia Veriut të jetë një “Zvicër e Ballkanit”.

Filed Under: Opinion

PESËQIND VJET TË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE

August 11, 2023 by s p

Shkruan: Begzad Baliu/

Pesë shekuj pas fillimit të interesimit të studiuesve, udhëtarëve, murgjve etj., për shënimin e gjuhës shqipe, Profesor Jup Kastrati paralajmëroi veprën “Historia e albanologjisë”, në tri vëllime, ndërsa vëllimin e parë, shtëpia botuese “Argeta” e nxori nga shtypi pak ditë më parë .

Profesor Jup Kastrati është njëri prej majave të larta të studimeve shqiptare. Autor i rreth njëmijë njësive shkencore të botuara në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja dhe autor i rreth tridhjetë veprave shkencore nga fusha e dialektologjisë (fushë e tij specializimi); gramatologjisë (autor i veprës kapitale “Historia e gramatologjisë shqipta¬re 1635-1944”); filologjisë (ka përgatitur veprat e plota të Jeronim de Rades); historisë së letërsisë (autor i veprave monumentale për Faik Konicen, Jeronim de Radën, Zef Jubanin dhe i dhjetëra studimeve në fushë të ndryshme studimore letrare e gjuhësore arbëreshe; autor i dhjetëra bibliografive të përgjithshme, autoriale dhe të speciali¬zuara, sikur pritej që një ditë të na e jepte edhe një vepër të tillë madhore, e cila do ta zgjeronte ciklin e veprave kapitale të dala dy shekujt e fundit: “Studimet shqiptare” të Hahn-it, “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe” i Gustav Majerit, “Fjalori…” i Kristofo¬ridhit, Studimet etimologjike të Norbert Joklit, “Studimet etimologjike në fushë të shqipes” (botimi i kësaj vepre në 7 vëllime ende nuk ka përfunduar), “Gramatika historike e gjuhës shqipe” e Profesor Shaban Demirajt, “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954, 1980, 1984), “Gramatika normative e gjuhës shqipe” (1976) etj., pranë të cilave qëndrojnë veprat e rëndësishme teorike dhe kritike të Aleksandër Xhuvanit, Holger Pedersenit, Maksimilian Lambercit, Selman Rizës, Erik Hampit, Androkli Kostollarit, Mahir Domit, Kolec Topallit etj.

Ky vëllim është i pari, nga tre vëllime sa ka dorë¬shkrimi, i cili përfshin periudhën 1497-1853, nga Arnold von Harffi deri te Hahn-i, apo sikur shkruan autori, ky është vëllimi që përfshin studimet parashkencore të albanologjisë; vëllimi i dytë i cili përfshin periudhën 1854-1942, pra përfundon me studiuesin e madh Norbert Jokli, mbase më të madhin në gjithë dijen albanologjike të shekullit XX; dhe vëllimin e fundit që përfshin periudhën 1943-1997.

Ndonëse për një vepër të madhe, jo vetëm me përmasa të gjera për nga përfshirja historike, por edhe për përmasat e shqyrtimit të periudhave dhe të autorëve e veprave të tyre veç e veç, parathënia e Profesor Jup Kastratit nuk është një pasqyrë e veprës por një shpjegim i rastit për lexuesit, lidhur me vështirësitë që i kanë dalë autorit gjatë punës për përmbylljen e këtij projekti. Autori fillimisht ka theksuar mungesën e përvojës në studimet e këtij lëmi, nëse këtu përjashtohen hapat minor por të rëndësishëm të Norbert Joklit, Gaetano Petrotes, e ndonjë tjetër, sprovat e të cilëve me kalimin e kohës dhe ma arritjen e rezultateve të reja në fushë të gjurmimit, janë zbehur shumë, punën që i ka dalë në hulumtimin e veprave të vjetra, të cilat sikur shkruan në hyrje, i ka parë e vlerësuar me metodën dhe përvojën e tij vetjake, ndërsa vlerësimet e të tjerëve i ka marrë gjithmonë në mënyrë kritike; dhe më në fund, parimin e tij që ka ndjekur në këtë vepër: vlerësimin e të gjitha veprave të deritashme me lapsin e gjuhëtarit shqiptar.

Pra, metoda përshkruese – historike e studimit, periudhat historike të saj, autorët dhe veprat, prezantimi dhe vlerësimi historik i tyre nga studiuesit e jashtëm e të brendshëm, si dhe përfundimet autoriale janë disa nga çështjes themelore që e përbëjnë monografinë “Historia e albanologjisë”, 1497-1997.

Autori merret me përkufizimin e studimit të albanolo¬gjisë si shkencë, me disiplinat e saj, me të dhënat e letërsisë greke dhe romake për gjuhën, vendin dhe jetën e ilirëve, për të veçuar një detaj shumë interesant se, bie fjala, Pleurati (shek. II, p.e.s.) e ka njohur gjuhën e ilirëve, por fatkeqësisht, në gjuhën ilire nuk ka mbetur asnjë fjali, pos disa fjalëve të mesapëve (një fis i diskutuar i ilirëve përtej deti) të cilat mbeten çelësi i vetëm për gjuhën e ilirëve.

Fatkeqësisht, me një vonesë të theksuar, vetëm pas hyrjes së historicizmit si metodë për njohjen e objekteve të zhvillimit të shoqërisë, në gjysmën e shek. XIX, u hodhën themelet e albanologjisë si shkencë më vete. Këtë zhvillim të albanologjisë autori e ndan në tri etapa:

Etapa e parë përfshin periudhën e lindjes së alba¬no¬lo¬gjisë si shkencë mbi Shqipërinë, shqiptarët dhe mbi prejardhjen e tyre. Studimi i tyre bëhej në forma të përgjithshme, ndërsa metodat e studimit ishin ato që përgjithësisht përcillnin lëvizjen e shkollës së romantizmit europian.

Etapa e dytë hapet me trashëgiminë e Hahn-it dhe mbyllet me studimet e Tagliavinit. Kjo është metoda më e përparuar shkencore e kohës, shko¬lla gjermane e grama-tikanëve të rinj që arritën të ngrenë jo vetëm studimet albanologjike por edhe europiane të kohës në përgjithësi, në shkallë të studimeve moderne. Rëndësia e etapës së dytë të studimeve albanologjike qëndron edhe në faktin se gjatë kësaj periudhe dallohet për specifiken e formimit të shkencës së albanologjisë nga vetë shqiptarët, bëhet individualizimi i studiuesve shqiptarë dhe të huaj, si dhe nga ngritja dhe çua¬rja përpara e temave të veçanta të albanologjisë.

Etapa e tretë dallohet po kaq për specifikat e saj të organizimit institucional, numrin e madh të studiuesve vendës dhe të huaj etj. Kjo është etapa që fillon me njërin prej studiuesve më të mëdhenj edhe sot të albanologjisë Norbert Joklin dhe mbyllet me punën e bërë në ditët tona. Kjo është koha e ngritjes së institucioneve shkencore shqip¬tare në Shqipëri dhe Kosovë dhe e një rrjeti të tërë të lektorateve të gjuhës shqipe nga Shqipëria deri në Amerikë e në Kinë, e monogra¬fi¬ve të veçanta në fushat speciale jo vetëm të historisë së albanologjisë por edhe të gjuhësisë. Kjo është etapa e shikimit kritik të të arriturave në fushë të albanologjisë dhe zgjerimi i fushës së studimit të saj me metoda të reja. Kjo është etapa e kulmimit të gjuhësisë shqiptare, kur do të botohen vepra kapitale në fushë të gramatikës, etimo¬lo¬gjisë, leksiko¬grafisë, dialekto¬logjisë etj., dhe e formimit të individualiteteve shkencore, si: Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Selman Riza, Idriz Ajeti, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Jup Kastrati, Besim Bokshi, Rexhep Ismajli etj.

Për paraqitjen e kësaj vepre është me rëndësi edhe mënyra se si Profesor Jup Kastrati ndan studimet albano-logjike: në shkencat historike dhe filologjike (gjuhësi, letërsi dhe folklor). Edhe brenda shkencave filologjike, nga autori është përjashtuar letërsia dhe folklori. Pra, në këtë monografi është trajtuar vetëm pjesa gjuhësore-filolo¬gjike dhe është trajtuar me metodën diakronike e sinkro¬nike duke pare veç e veç periudhat historike, etapat e studimit, autorët dhe veprat, disiplinat dhe metodat e studimit etj.

Duke mbyllur shënimet për këtë vëllim të rëndësishëm të albanologjisë, me qëllim që të mos përsëris disa elemente të thëna që më parë këtu, dua të shënoj disa përfundime:

“Historia e albanologjisë” e Profesor Jup Kastratit është sprova e parë në historinë pesëqindvjeçare të shkrimit të saj për të përmbledhur gjithë atë që është e njohur gjatë këtyre pesë shekujve në fushë të albanologjisë;

Vepra është shkruar me metodën përshkruese -historike, me të cilën autori punon tash e më shumë se pesëdhjetë vite, prandaj është e kuptueshme pse brenda kapitujve të saj autori ka arritur të korporojë një material të bollshëm, info¬rma¬tiv, arkivor, antologjik, studimor dhe sintetizues;

Vepra përbëhet jo nga një përmbajtje strikte e historisë së albanologjisë, siç është, bie fjala, Historia e letërsisë shqiptare (romantizmi I-III) e Profesor Rexhep Qosjes, por një tërësi e studimeve të Profesor Jup Kastrati për autorë, vepra dhe periudha historike, të cilat autori i ka shkruar në kohë dhe periudha të ndryshme, e të cilat duke qenë një numër i madh, ato mbulojnë gjithë historinë e albanologjisë dhe veprën si të tillë, më parë se sa një vepër sintezë e historisë së albanologjisë, do të mund të quajmë tërësi e studimeve të Profesor Jup Kastratit në fushë të albanologjisë, që mund të bëjnë një “Histori të albanologjisë”;

Duke qenë vepër e mbushur me materiale arkivore, bibliografi shteruese, sinteza projektesh shkencore nga më të ndryshmet, studime mbi veprat veç e veç, sipas shkollave të kohës, dhe histori e vlerësimit të saj nga disa breza studiuesish me radhë, kjo vepër bëhet që tash sintezë e një pesëqindvjeçari dhe bazë e një projekti të ri me projeksione më stabile në shkallë të paraqitjes së studiuesve, në nivel të paraqitjes së veprave dhe të çështjeve që ato shtrojnë dhe në interes të përfaqësimit sa më shterues të tezave shkencore;

Me këtë vepër Profesor Jup Kastrati e ka përmbushur atë zbrazëti, të cilin e kanë lënë Profesor Eqrem Çabej dhe Profesor Shaban Demiraj. Ndërmjet Eqrem Çabejt (etimolog) dhe Demirajt (historian i gramatikës), Profesor Jup Kastrati ka zënë vend nderi dhe ka krijuar një trinom të madh të historisë së albanologjisë.

Veprat e tilla natyrisht çmohen edhe për aspektin teknik të botimit dhe këtu do të mund të thekso¬nim për lakmi formatin e zakonshëm shkencor, botimin paralel me kopertina të forta dhe të buta si dhe mbështje¬llësin kolor të tyre. Mirëpo në të ardhmen ka edhe çka të plotësohet edhe nga autori edhe nga botuesi. Nga autori kërkohet plotësimi i veprës edhe me këto elemente: fotografitë e studiuesve të prezantuar, kopertina e veprave dhe revistave, fototip i pjesëve të teksteve më të rëndësi¬shme të shkrimeve dhe dokumenteve, fotografitë e institu¬ci¬oneve më të rëndësishme ku janë zhvilluar akti¬vitete në fushë të albanologjisë etj. Një vepër e tillë me kaq shumë të dhëna do të ishte me shumë interes sikur të kishte një kronikë të lëvizjeve kulturore e historike të kohës në Ballkan dhe Europë, krahas një kronike të lëvizjes kulturore e historike të kohës tek shqiptarët bashkë me biografitë e dijetarëve prezent, treguesin e emrave, treguesin e personave dhe treguesin e çështjeve të trajtuara etj. Në interes ka qenë edhe stabilizimi i fusnotave dhe shënimeve nga ana e kompjuteristit, shpërndarja kompjuterike e tekstit, organizimi i titujve dhe nëntitujve si dhe madhësia standarde e faqeve etj. E di se botimi i tillë kërkon investime të mëdha por investimet gjysmëshekullore të studiuesve të tillë sikur është Profesor Jup Kastrati, do të duhej shpaguar edhe me investimet tona.

Filed Under: Opinion Tagged With: Begzad Baliu

#SiSot, më 10 gusht 1865, lindi poeti, etnografi dhe publicisti i shquar arbëresh, Zef Skiroi

August 10, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Fare herët, me të mësuar shkrim e këndim, thuri njëvjershë kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, duke brazduar njëherë e mirë hullinë që do të ndiqte më tej. Më 1890, u emërua “docent” i letërsisë antike në “Liceun Garibaldi” të Palermos dhe me pas titullar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, pranë Institutit Mbretëror Oriental të Napolit. Dha ndihmesë të çmuar në ngritjen e kulturës arbëreshe.

Në vitin 1887, së bashku me Françesk Petën, themeloi në Palermo revistën “Arbëri i ri”.Ky periodik shërbeu si një busull identitare për arbëreshët dhe si një tribunë e krijimtarisë së autorëve të këtij komuniteti. Në këtë mënyrë, në numrat e saj gjeneruan përmbajtje Serembe, Krispi, Variboba etj. Skiroi vijoi veprimtarinë albanologjike me botime, leksione dhe pjesëmarrje në kongrese. Veprat kryesore të tij mbeten “Mili e Hajdhia” dhe“Te dheu i huaj”. Ky personalitet i shquar i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe ndërroi jetë në Napoli në vitin 1927.

Bashkëlidhur, telegrami i Djelmunisë së Elbasanit, i datës 23 korrik 1913, ku profesorit Skiroi i urohet mirëseardhja në Shqipërinë e pavarësuar.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#ZefSkiroi

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Opinion

“QENDRA E PASURIMIT TË FAMILJES” SI NJË MUNDËSI ANGAZHIMI DHE ZHVILLIMI PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR TË BRONXIT

August 9, 2023 by s p

Donika Prelvukaj, LMSW, Asistente Ekzekutive e Shërbimeve Rezidenciale dhe Drejtoreshë e Programeve në “Bergen Street Residence” dhe Bardha Fusha, MSW, drejtoreshë e programeve në “Fortitude House” pjesë e “Lutheran Social Services of New York” në një rrëfim ekskluziv dhënë Editorit të “Diellit” të “Vatrës” Sokol Paja, apelojnë për komunitetin shqiptar në Bronx që të angazhohen e të bashkëpunojnë si një komunitet i integruar në përmirësimin e komunitetit, shoqërisë dhe rritjen e cilësisë së jetës.

QENDRA E PASURIMIT TË FAMILJES SI NJË MUNDËSI E HAPUR PËR KOMUNITETIN

Qendra e Pasurimit të Familjes do të jetë një mundësi për anëtarët e komunitetit që të bashkohen dhe të lidhen dhe të kontribuojnë me idetë e tyre për përmirësimin e komunitetit. Përveç kësaj, do t’i lejojë ata të lidhen me ofruesit e shërbimeve të tilla si nevojat e shëndetit mendor, pengesat gjuhësore dhe asistenca për kujdesin ndaj fëmijëve. Ndërsa anëtarët e komunitetit lidhen dhe ndajnë idetë, ata do të jenë në gjendje të ndihmojnë veten dhe të tjerët dhe si rezultat do të bëhen një burim i dobishëm për komunitetin në shoqërinë amerikane.

LUTHERAN SOCIAL SERVICES OF NY (LSSNY), ËSHTË NJË NGA ORGANIZATAT MË TË MËDHA TË SHËRBIMEVE SOCIALE TË NYC

Lutheran Social Services of NY (LSSNY), themeluar ne vitin 1886, është një nga organizatat më të mëdha të shërbimeve sociale të NYC që u shërben më shumë se 7,000 individëve çdo ditë. Misioni i LSSNY’s është të transformojmë komunitetet duke bashkëpunuar me individë, familje dhe drejtues për të çmontuar shkaqet dhe efektet e varfërisë së vazhdueshme dhe padrejtësisë sociale. Thotë Donika, “pjesë e misionit tonë të ri dhe emocionues është çmimi ynë më i fundit i Qendrës së Pasurimit të Familjes/Family Enrichment Center (FEC) që kemi marrë nga Administrata e NYC për Shërbimet e Fëmijëve.” FEC do t’u shërbejë komuniteteve në Belmont, Crotona, Morrisania dhe East Tremont në Bronx. Modeli i FEC’s fokusohet në forcimin e jetës së individëve dhe familjeve, si dhe në ofrimin e një hapësire ku anëtarët e komunitetit mund të lidhen, të mbështesin dhe të fuqizojne së bashku

FEC, PËR TË PËRMIRËSUAR DHE NDËRTUAR NJË KOMUNITET MË TË FORTË

FEC do të ndihmojë në fuqizimin dhe lidhjen e komunitetit shqiptar si dhe në shpërndarjen dhe gjetjen e burimeve që do të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre. Kjo është një mundësi për komunitetin që të ndajë zërat, idetë dhe vizionet e tyre për të përmirësuar dhe ndërtuar një komunitet më të fortë. FEC-të janë një model parandalimi primar i përqendruar te familja, i cili ofron mbështetje të projektuar nga komuniteti në një hapësirë të ngrohtë, tërheqëse si shtëpia, ku njerezit mund të lidhen, dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre, po ashtu të gjejnë burime, dhe të mbështesin tek njëri-tjetrin. Punetoret social do te jen dispozicion per t’u ndihmuar familjeve dhe individet të ndërtojnë strategji dhe zbatimin e ketyre strategjijeve ne komunitetit e Belmont, Bronx.

ANGAZHIMI DHE PËRFSHIRJA PËR TË GJETUR ZGJIDHJE PËR NDRYSHIMET TRANSFORMUESE

Komuniteti i Bronksit, konkretisht komuniteti Belmont është ndikuar ndjeshëm nga faktorë të jashtëm dhe precipitues, të cilët kanë prekur komunitetin në tërësi. Për shembull, pandemia ka hedhur dritë mbi pabarazitë racore, ekonomike dhe sistematike që ka bërë që komunitetet në Bronx të kenë burime të kufizuara. Më specifikisht, pandemia ka hedhur dritë mbi shëndetin pabarazitë ndërmjet grupet minoritare dhe komunitetit Shqipetare. Nevojat bazëtare si qasja në kujdesin shëndetësor dhe burimet ushqimore janë të pakta. Përveç kësaj, cmimi e jetesës është rritur në mënyrë drastike, gjë që nga ana tjetër po ndikon që komuniteti të ketë akses në opsione ushqimore të përballueshme dhe të shëndetshme po ashtu edhe opsione të aktivitetit të përditshëm, si lavanderi, transporti, qiraja, etj. Së fundim, shkalla e krimit dhe e dhunës është rritur në këtë komunitet gjithashtu. Si i tillë, përfshirja e anëtarëve të komunitetit për të gjetur zgjidhje dhe ndryshime që do të jenë të qëndrueshme dhe transformuese, eshte jetike për komunitetin Shqiptar ne Bronx.

SHQIPTARËT DHE INTEGRIMI NË KOMUNITET

Në komunitetin shqiptar ka stigma lidhur me kërkimin e shërbimeve të shëndetit mendor për shkak se ata nuk duan të ndihen se ka diçka që nuk shkon. Qëllimi i këtij integrimi në komunitet është të lejojë anëtarët e komunitetit të ndihen rehat dhe të sigurt në kërkimin e këtyre shërbimeve dhe për këtë arsye minimizimi i stigmës rreth shëndetit mendor. Ai do t’i shërbejë gjithashtu qëllimit për të ndihmuar në mësimin e gjuhës për të qenë në gjendje të komunikojnë nevojat e tyre. Kjo do të bëhej duke ftuar anëtarët e komunitetit të shprehin idetë dhe interesin e tyre për nevojat që janë më të përhapura në komunitet.

KOMUNIKIMI DHE PËRFSHIRJA SI TERAPI PËR SHËNDETIN MENTAL DHE SHPIRTËROR

Komunikimi dhe përfshirja/’angazhimi i komunitetit ka përfitime thelbësore për shëndetin mental dhe shpirtëror të një personi. Luftimi i stigmës ndaj shëndetit mendor dhe shërbimeve sociale është një nevojë urgjente në komunitetin Shqiptar po ashtu te gjith komunitetit te Bronxit. Pandemia ka bërë që njerëzit të izolohen dhe kështu krijimi i një hapësire të sigurt dhe edukative për t’u dëgjuar zëri i tyre është thelbësor për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Partneriteti dhe angazhimi mes njeri-tjeterit rrit cilësinë e jetesës si dhe pasuron komunitetin e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Donika Prelvukaj, Sokol Paja

E Ç’DO TË THEMI PËR KASEM TREBESHINËN?

August 9, 2023 by s p

Nga VISAR ZHITI/

Kështu kisha pyetur një ditë pas datëlindjes së tij të 85-të, që s’e kishin kujtuar fare, edhe pse shkrimtar me njohje dhe i burgosur që i përflitej disidenca dhe rebelimi zëmërak?

Pse kjo mëri e ndërsjellte me të? Edhe tani që bëhen 6 vjet që s’është më?

Rrallë ndodh të ketë një marrëdhënie të tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…

…po sjell shkrimin e atëhershëm, të më shumë se një dekade më parë, të botuar në disa media brenda dhe jashtë vendit, me një titull të ri:

DIMË QË DIKTURA DËNOI SHKRIMTARIN, QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN

Gjithmonë dita më pas ka rëndësi tjetër, dita pas fitores, që mund të jetë humbje, pas rënies, që ka brenda hovin e ngritjes, pas kryqëzimit nga ku rrjedh gjaku i ringjalljes. Një ditë pas datëlindjes së 85-të të Kasëm Trebeshinës ç’do të themi për kundërshtarin e pandreqshëm dhe të zemëruarin e gjithmontë, që duket sikur kumton tani vetëm me heshtjen, por folëse, me të shkruarin, por sa më shumë të pabotuar, me të burgosurin e lirë, me të lirin e vetburgosur?

Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe credo, atë të lirisë së vërtetë dhe të vërtetave të lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, që pengohet.

Duket sikur njeriun e vënë në provë fuqi të mbinatyrshme, përmbytje, murtaja, perëndi dhe gjysmë perëndi, luftëra dhe shtypje, por dhe gjera më të pakta në dukje, uri e frikëra të ndryshme, por dhe një hetues, gardian, e gjykatës, por edhe dashuria, miqësia, mirënjohja, bëmat e qëndrimet, qofshin dhe fare të vogla për të zbuluar sfidat dhe se sa njeri është. Po në përballje me njeriun cilët jemi?

Duke gjakuar për të qenë sa më i vërtetë dhe më i natyrshëm, vetmitar dhe shoqëror gjithsesi, kam kërshërinë të shpalos në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës, ku më faniten të fshehta të tjera të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërrijmë tek tirania dhe sistemi i saj dhunues, por dhe zbresim te vetburgimi i mëpastajmë sokratik, ku njeriu mbyllet si në shpellë. Pra, duket si një kthim në gjenezë.

Tani shkrimtari vërtet është mënjanuar shumë, gjithë mister të zymtë edhe kryeneçësi mospërfillëse, demiurg në mbrëmjen përthellonjëse të moshës, por dhe në atë që quhet horizonti i pritjes. Nuk ka rëndësi në arrin të thinjet fantazia e shkrimtarit, ndërkaq ende nuk janë botuar shumica e dorëshkrimeve të Trebeshinës, na thuhet, të një krijimtarie ethanake, treçerek shekullore.

Jetëshkrimi për Kasëm sjell mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë, dashuritë si dhe do të mund të na japë njërin nga çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve të librave të tij, për të cilat më shumë flitet se sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira e mosbotimit.

2.

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ja bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me asketizëm dhe që ndryshon ngadalë, fat i mbylljes rrënuese dhe i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa di për të. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie, për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene luftëtar i egër dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej.

Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve dhe flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit, aty i mbillte nëpër turpin e vet dhe kqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, vrasës dhe kundërshtar i vrasësve.

U shpreha kështu metaforikisht, në stilin e Kasëm Trebeshinës, si i hazdisur, nga që i çmoj guximet e tij, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që tani Trebeshina nuk është aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse kanë mbetur, nuk janë lënë t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, vrasje të pabesa, të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.

Kasëm Trebeshina është njeriu që ka kërkuar vazhdimisht të ndeshet, qoftë dhe me të ultën, se për të beteja është e madhe. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij qysh në fillim e vuri përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar dhunën shtetërore dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndje fitimtar, por humbës, ama, asnjëherë. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohon. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i mirë dhe i butë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërron demokracinë, nuk kënaqet as me të, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën.

Kasëm Trebeshina na përshfaqet partizan, trim i çartur, që lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj, etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëhere: “Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë,/…/Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë. (Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)

Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme.

Ndërkaq çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.

Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, gati një vit më i vogël se ai, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in? Natyrisht që letërsia ndahet nga ai që e prodhon atë dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë.

Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën. Lidhja as sot, që gati nuk ekziston, (ashtu siç është bërë nga ana tjetër gërmadhë dhe burgu i Spaçit,) s’di ç’qendrim të mbajë me Trebeshinën, me veten, me shkrimtarët e Realizmit Socialist, me ata që u dënuan me burg, që u pushkatuan, me veprat e tyre, me Kohën, me kohërat, me të tashmen, me risitë letrare, etj. Fjala s’është se ç’mund të thotë, por çfarë mund të bëjë dhe Lidhja e Shkrimtarëve s’ribëhet dot, kurse shkrimtarët si individualitete, si qytetarë edhe shqetësohen dhe ndodh që ta ngrenë zërin, por të kondicionuar nga e kaluara e tyre. Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhojnë dot liri.

Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demçi, kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”.

Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971. Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën e tij, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë. Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Për mua ka rëndësi kumti i saj. Kasëm Trebeshina e mbart këtë kumt. Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj medtode, e përjashtuan, e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një grevë të tillë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por e morën për të çmendur ata që ishin më të çmendur dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Dhe e burgosën prapë.

Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë të vërtetë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë të zymtë, një pjesë e të cilëve tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.

Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, etj. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as në mal, siç kishin qejf të thoshin admiruesit e tij. Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëhere kur s’po ndodhnin më në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

3.

Megjithëse i padëshirueshëm për ne, madje dhe i pakuptimtë, na duket se ka mbetur një konflikt që shfaqet herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotura me heshtje të “K. T”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtletrare. Do të doja të ndalesha pak këtu.

Trebeshina, sipas meje, ka një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë, por kështu dhe Kadareja për letërsinë e vërtetë. I pari i thotë burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruajë me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur, që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë. Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për të trembur dhe torturuar njeri-tjetrin dhe të gjithën. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun.

Po dikush mund të thotë se edhe Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj, madje bukur, po edhe unë kam të drejtë të them që pse të mos i bërtasim partisë dhe shefit të saj që pse s’ishin ashtu siç u këndoi poeti, në atë lartësi. Nëse nuk i meritonit ato vargje, atëhere nuk u përkasin atyre, por arsenalit të letërsisë shqipe, iluzioneve të saj, harrimeve dhe gabimeve. Shpresoj të jetë kështu.

Trebeshinën s’e la vendi ta botojë veprën dhe tani pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes.

Por ne, kur dalim jashtë letërsisë, duam qetësinë e brigjeve, pushimin e stuhisë, paqen, ku lexuesi të shkojë lirisht te njëri breg e te tjetri, te ishujt apo në detin e pamatë dhe t’i gjejë të gjitha, mrekullinë e ëndërruar.

Kur Faik Konica botonte shqip në SHBA përrallat arabe, gati 100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një kardinal i njohur, por edhe Darvini, sipas një ankete, që të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. “…dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’ e këtij libri…”.

Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, jo vetëm ne, që e lexojmë, por edhe ata që e krijojnë. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin. E them me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme. Sa më larg zilive të burgut dhe jashtëburgut, të lavdisë dhunuese, sepse që të dyja, edhe burgu edhe lavdija nuk janë letërsi, por një pjesë e vogël e lëndës për letërsi. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

4.

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin? Sepse duam të farkëtojmë guximin qytetar dhe ndërgjegjen e shëndoshë kolektive.

Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën si heronj për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditëshme.

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 140
  • 141
  • 142
  • 143
  • 144
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT