• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRMASA KOMBËTARE E LUFTËS SË UÇK-SË

January 11, 2023 by s p

Prof. dr. Emin KABASHI
Instituti Albanologjik, Prishtinë/

Përkufizim

Në fjalorin e të gjithë popujve të botës thuhet se lufta nuk është e mirë. Atëherë, pse një dorë luftash quhen çlirimtare. Sepse, në radhë të parë, heqin robërinë. Sepse, në radhë të dytë, heqin okupimin. Sepse, në radhë të tretë, hapin mundësi për jetë të lirë të qytetarëve që nuk i ka marrë lufta me vete.
Këto janë vetëm disa nga përkufizimet që mund të thuhen, në rastet kur një luftë quhet çlirimtare. E tillë është edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Si e tillë, UÇK-ja është bërë publike më 28 nëntor të vitit 1997 dhe është organizuar nga bijtë dhe bijat më të përkushtuar të këtij populli. Qoftë edhe për këto aspekte të saj, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përmasë kombëtare.

Hyrje

Janë bërë 25 vjet që nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dalja ishte bërë me urdhër të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, pasi Kosova nuk kishte kryetar shteti që të jepte urdhra të tillë. Por, kësaj radhe nuk e kam fjalën këtu, pra nuk e kam fjalën për faktin se lufta e UÇK-së është përgatitur, është zhvilluar dhe ka dalë fituese, pa shtet dhe pa pushtet, pa mbështetje institucionale shtetërore, por edhe me kurthe dhe ndërskamca nga Prishtina dhe Tirana zyrtare. Nuk e kam fjalën për këto fakte, ngaqë për mua janë tema të trajtuara para 17 vjetësh në studimin Përmasa kombëtare e luftës së UÇK-së.
Të gjithë shqiptarët me siguri e kanë mbajtur mend datën e daljes publike të UÇK-së. Ishte 28 nëntori i vitit 1997. Dalja ishte bërë me rastin e varrimit të mësuesit të shkollës shqipe – Halit Gecit, vrarë para nxënësve të tij. Ata që e kanë përcjellë varrimin nga afër mund të kenë sekush kujtimet dhe përfytyrimet e tyre personale, mund të kenë edhe sot, pas kaq vjetësh emocione të ndryshme, gjë që nuk ka asgjë të keqe. Por, dua që kësaj radhe të sjell para jush një shenjë kujtese. Sigurisht që të gjithë i kanë parë pamjet dhe fotografitë e atij varrimi. Por, kurdo që ju bie udha sërish, shikojeni me kujdes. Mbi dhjetë mijë njerëz, që ishin grumbulluar për ta përcjellë mësuesin në banesën e tij të fundit. Në vend se të rrinin të heshtur, siç e kërkon edhe tradita, kur dalin në skenë djemtë e UÇK-së, e gjithë ajo masë thërret UÇK, UÇK! Shikojeni me kujdes atë fotografi nga ai varrim, pjesa më e madhe e njerëzve janë gra, vajza dhe burra të moshuar. Vetëm shikojeni si i duartrokasin daljes së djemve ushtarë të lirisë dhe si thërrisnin emrin e Ushtrisë së tyre, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po të ishte dita e parë e asaj ushtrie, ku do ta dinin ata dhjetë mijë njerëz se ajo ushtri ishte UÇK-ja.

Shqiptarët që nuk e pranonin ushtrinë e tyre çlirimtare

Në Prishtinë dhe në Tiranë jo vetëm nuk pranohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por ajo anatemohej, si pjellë e huaj, si dorë e zgjatur e atyre që nuk e duan lirinë dhe atdheun, si krijesë e shërbimeve të huaja, aq më keq, edhe si antihistorike për interesin e popullit shqiptar. Tirana e vitit 1997 as që kujtohej se në Kosovë kishte ushtri çlirimtare. Ajo digjej dhe shkrumbohej, vritej dhe përgjakej pa asnjë forcë të huaj pushtuese brenda, pa asnjë kërcënim ushtarak nga jashtë. Ajo vritej dhe përgjakej për bindjet politike, frymë që është bartur edhe në Kosovë, kur është fjala për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kush ka dyshime në përkufizime të këtilla, merrni dhe shfletoni shtypin e asaj kohe në Prishtinë dhe në Tiranë, e besoj nuk duhen dëshmi më të sakta dhe, njëkohësisht, më tragjike të mendësisë tonë për luftën e lirisë së atdheut. Përkundër këtyre ngjarjeve tragjike në përmasën e tërë gjeografisë së atdheut, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke mos u marrë me anatemime të këtilla, kishte krijuar në jetën e shqiptarëve liridashës përmasën kombëtare të saj që, si e tillë, te një pjesë e shqiptarëve ruhet, forcohet dhe mbahet edhe sot e gjithë ditën dhe për jetë e mot.
Një anë tjetër e veçantë e kësaj lufte është edhe karakteri i saj ideologjik. Derisa në Shqipërinë londineze partitë politike luftonin për pushtet real, aq sa e kishin dhe aq sa mund ta realizonin, në Kosovë partitë politike, ato që ishin, thuajse të gjitha, me përjashtime të atyre organizimeve politike që vepronin fshehurazi dhe, kryesisht në mërgatën tonë të madhe, pa e përjashtuar këtu edhe mërgatën shqiptare në ShBA, ku ndikimi i partive politike nga Tirana dhe Prishtina ishte vendimtar kryesisht kundër mbështetjes së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përkundër gjithë këtij përjashtimi, përkundër tërësisë së pengesave që i krijonin veprimtarisë së saj çlirimtare, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka arritur të sendërtohet në përmasë kombëtare, ngaqë këtë përmasë e kishte fituar me ideologjinë e saj kombëtare. Në shkrimet, në analizat, në paraqitjet publike të pjesës më të madhe të veprimtarëve të partive politike, të cilat i ka përcjellë shtypi i asaj kohe, i janë veshur epitete nga më të ndryshme, duke filluar nga Enver Hoxha e deri te Marksi e Lenini, nga vëllazërimi e bashkimi jugosllav e deri te majtizmi i Mao Ce Dunit. Por, të gjithë këtë pluhur dhe tymnajë e ka përtokur ideologjia kombëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë edhe vetëm për faktin se ajo bënte luftë për çlirimin nga pushtimi i një pjese të atdheut, që po e bënte afër një shekull në robëri.

Konferencat evropiane dhe administrata e ShBA-së

Që nga dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e deri në ditët e sotme, kur po flasim për veprën e saj historike, sepse vetëm lufta çlirimtare është veprim historik, asnjëherë nuk kanë pushuar konferencat në qendrat e ndryshme të Evropës, si dhe asnjëherë nuk ka heshtur administrata e ShBA-së duke u marrë me veprimin e kësaj ushtrie. Në fillim të gjithë kishin dilemat e tyre, deri edhe administrata amerikane, e cila e kishte cilësuar si organizatë terroriste, siç kishte bërë Gilbart e ndonjë tjetër, herë në Beograd e Prishtinë, herë brenda zyrave të asaj administrate. Për qendrat evropiane, që një ditë do të vihen, një pjesë e saj, në krah të kësaj lufte çlirimtare, mund të thuhet se nuk kanë lënë prapaskenë pa shfrytëzuar që ta përbaltë këtë luftë dhe këtë ushtri çlirimtare. Një pjesë e saj, edhe nën ndikimin e faktorit shqiptar në Prishtinë e në Tiranë, gjë që e bën edhe sot.
Për çudi të zotit, kur Kosova nuk kishte qeveri të saj brenda vendit, kur nuk kishte kryetar që i printe luftës, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte dhe ka përmasë kombëtare. Jo vetëm për faktin se kur një pjesë e atdheut është i pushtuar, atëherë edhe pjesa tjetër kurrë nuk është e lirë, por edhe për faktin se deri vonë, nën trysninë e këtyre qendrave të Evropës, ose nuk e përkrahte luftën çlirimtare, ose rrinte anash saj, që të mos akuzohej se ishte pjesëmarrëse. Kur gjenerali Kudusi Lama u kishte thënë atyre që udhëhiqnin luftën, se nëse më pranonin në radhët e UÇK-së do ta ndieja veten krenar, edhe pse ai ishte gjeneral i ushtrisë shqiptare, edhe pse ishte komandant i Divizionit të Kukësit, që e kishte ringjallur dhe e kishte aftësuar të përballej me armikun e tokave shqiptare, ishte thirrur nga zyrtarët e shtetit në Tiranë dhe ishte qortuar rëndë.
Baza gjeostrategjike e organizimit të Konferencës së Rambujesë dhe shkuarjes të bashkuar në atë konferencë, ishte veprimi historik i UÇK-së, jo angazhimi kombëtar i ndonjë subjekti politik në Kosovë dhe në Tiranë. Pa marrë parasysh se çka ka ndodhur atje gjatë mbajtjes së Konferencës dhe pas saj, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte përmasë historike, nëse për asgjë tjetër, edhe për faktin se ishte pranuar në nivelet më të larat ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Gjyqet ndaj ushtarëve të lirisë dhe paturpësia e demokracive evropiane

Dikush mund të mendojë se gjyqet ndaj luftëtarëve të lirisë kanë filluar me ushtarin emblematik Ramush Haradinaj dhe me Fatmir Limaj e me ndonjë tjetër vite më vonë. Në të vërtetë, burgjet në Kosovë kurrë nuk kanë pasur më shumë banorë të përhershëm sesa djem të luftës, nga më i riu e deri te më i vjetri, sa kishte filluar të krijohej përshtypja, siç kishte ndodhur edhe në Bosnjë-Hercegovinë, kur njeriu duhej të kërkonte një dëshmi të nënshkruar së paku nga dy dëshmitarë, se nuk ka qenë pjesë e luftës që të shpëtonte nga ndjekja e prokurorëve shqiptarë e të huaj. Deri sot askush nuk është marrë me veprime të këtilla të faktorit ndërkombëtar. Për faktorin shqiptar nuk është marrë askush, edhe për faktin se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka pasur vetëm një ideologji, atë kombëtare, qëllimi i së cilës ishte çlirimi i kësaj pjese të atdheut. Sepse, shqiptarët kanë vetëm një atdhe, jo dy apo tre, siç lexojmë sot në gazeta dhe në libra, siç dëgjojmë sot në shumë televizione dhe radio. Nuk ka qytet, nuk ka fshat në Kosovë, nuk ka njësi ushtarake anëtarët e së cilës nuk janë ndjekur me lloj-lloj akuzash, si dhe një pjesë e tyre janë mbajtur nëpër burgje me vjet të tëra, pa asnjë provë, pa asnjë dokument, pa asnjë vendim gjyqësor. Përkundër të gjithë kësaj zezone, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përmasë kombëtare sepse, në fund të fundit, ka hapur procesin e madh historik të bashkimit kombëtar.

Flamuri dhe UÇK-ja

Në fund do të merrem me dy-tri fjali me iluzionet e mia. Kam ushqyer përjetësisht iluzionin se një komb e ka një flamur kombëtar. Kush jeton në Kosovë e di se iluzionet janë të dëmshme. Por, dua ta pranoj, na ka marrë malli për ngjyrat e flamurit tonë kombëtar. Kishte lëvizje në Kosovë, që edhe në xhaketa mbanin simbolin e flamurit, në zyrë e mbanin flamurin, në sallën e Kuvendit të Kosovës, e mbanin nga një flamur të vogël. Dhe iluzioni im ende ushqehej me shpresë. Mirëpo, edhe pse na ka marrë malli për flamurin kombëtar, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përmasë kombëtare edhe për këtë fakt. Nuk ka askund flamur kombëtar, në asnjë institucion shtetëror, por ka flamur kombëtar në varrezat e dëshmorëve të kombit. Kudo që shkoni nëpër Kosovë në varrezat e dëshmorëve të kombit valon flamuri kombëtar. Kështu që, edhe pse iluzionet janë të dëmshme, siç ka thënë akademik Rexhep Qosja, unë kam të drejtë t’i ruaj këto iluzione, sepse dëshmorët e kombit janë të përjetshëm, kurse pushtetet, cilado qofshin ato, janë të përkohshme, aq të përkohshme sa harrohen krye tri dite si dasmat e këqija në fshat.

Marrë nga libri: “UÇK – vlerë kombëtare”, botim i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Filed Under: Opinion Tagged With: uck

GAZETA DIELLI NJOFTON VATRANËT DHE ABONENTËT

December 8, 2022 by s p

Të nderuar Vatranë dhe abonentë të gazetës Dielli, në kuadër të përmbylljes së vitit kalendarik 2022, dëshirojmë t’iu kujtojmë likujdimin e detyrimeve financiare ndaj Gazetës Dielli dhe saktësimin e adresave të reja për të gjithë ata vatranë apo abonentë të Diellit që kanë ndryshuar adresën e dërgimit të gazetës. Kriza ekonomike globale ka rritur ndjeshëm kostot e shtypshkronjës dhe çmimin e postës për dërgimin e gazetës.

Ju lutemi brenda mundësive, deri më 31 dhjetor 2022, dërgoni pagesat dhe adresat e përditësuara, në të kundërt e kemi të pamundur dërgimin e gazetës për ju.

Duke filluar nga data 1 Janar 2023 kush nuk shlyen detyrimet e abonimit, nuk do të pajiset me gazetë.

Pagesa për gazetën duhet të dërgohet në adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458. Adresat e reja të dërgohen në email zyrtar të gazetës: gazetadielli@gmail.com.

Për çdo sqarim apo paqartësi financiare ju lutemi kontaktoni Arkëtarin e Vatrës z.Besim Malota cel: 203 455 7167.

Lutemi dhe shpresojmë në mirëkuptimin tuaj.

Filed Under: Opinion

Vizita e Krasniqit në dy shkollat me mësim plotësues në Ingolstadt Të bavarisë dhe manifestimi i Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit

December 8, 2022 by s p

Më 02.12.2022, në Ingelstadt të Bavarisë në Gjermani, në dy shkollat ku mbahet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, ishte në vizitë koordinatori i LAPSH-it prof. z. Mustafë Krasniqi, për të parë nga afër se si po zhvillohet procesi mësimor në këto shkolla.

Z. Krasniqi, e  cilësoi këtë takim si të frytshëm dhe me zotime të mëtutjeshme të mësueseve, të cilat për pak muaj sa kishte filluar mësimi, kishin arritur ta krijonin një relacion të mirë nxënës – mësues/e dhe prind. Që me përkushtimin e tyre, të mësimdhënësve, kishin arritur ta përfitonin dashurinë e nxënësve dhe përkrahjen e prindërve.

Po ashtu në shkollën Feselenstr. 45, në Ingolstadt, vizita e z. Mustafë Krasniqi u prit me ngrohtësi nga  nxënësit e kësaj klase dhe mësuesja Shehrije Ramshaj – Sukaj, e cila kishte përgatitur një program kulturo – artistik, me recitime dhe këngë, për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit! Programi u hap me himnin kombëtar, të kënduar nga nxënësit e kësaj shkolle së bashku me mësuesen. Ndërsa mësuesja Sukaj i përshëndeti të pranishmit, duke i motivuar prindërit për ruajtjen e gjuhës amtare te fëmijët tanë mërgimtarë dhe, më pastaj i dha fjalën koordinatorit të LAPSh-it, . z. Mustafë Krasniqit.

Z. Krasniqi, i përshëndeti të pranishmit, nxënësit, prindërit dhe në veçanti e përgëzoi mësuesen për punën dhe vullnetin e saj, që kishte arritur për një kohë të shkurtër të mësimdhënies t’i përgatiste nxënësit, për këtë eveniment festues, me recitime dhe këngë.

Zëri i fëmijëve është i ëmbël, kurdoherë, me qëllim që në të ardhmen të krenohemi me ta, kur e flasin bukur e rrjedhshëm gjuhën – nënë. Pra, ky sukses vije vetëm atëherë kur ne si komunitet që jemi, i nxisim fëmijët tanë, që me dashuri ta vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe, që përmes saj të ndihen më krenarë në ruajtjen e gjuhës amtare dhe të identitetit kombëtar, tha z. M. Krasniqi.

Z. Krasniqi, ua uroi të pranishmëve 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit, duke na thënë se për ne shqiptarët muaji nëntor është i begatuar me data historike, siç është Kongresi i Manastirit dhe, në këtë vit festojmë edhe vitin jubilar, të 50-vjetorit të Kongresit Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe, gjuhës standarde. Dhe, në fund të fjalës së tij kërkoi që së bashku ta rrisim interesin për ruajtjen e gjuhës amtare dhe, kjo bëhet më së miri duke i dërguar fëmijët në shkollën shqipe. Së bashku mundemi dhe ia dalim, tha z. Krasniqi.

Në këtë manifestim, përpos recitimit dhe këngës që dhanë nxënësit, ishte motivuese edhe fjala e prindërve, të cilët ndanin një kënaqësi me mësuesen! Por, ajo që ishte e veçanta e këtij manifestimi, ishte fjala e një gjysheje, e cila me kënaqësi e binte mbesën dhe nipin në shkollën shqipe nga një qytet tjetër, që ishte larg  shkollës ku mbahet mësimi. Pasi kuptoi vullnetin e gjyshes, z. Krasniqi u zotua se do të angazhohemi edhe atje, ku jeton  gjyshja me nipërit, që  të kemi shkollë shqipe.

Pas përfundimit të programit festiv, z. Krasniqi vizitoi edhe shkollën Pestalozzischule 1, në Ingolstadt, i cili u prit nga nxënësit dhe mësuesja Egzonë Haxhija, që kishte vetëm dy javë që kishte filluar mësimin, por që kishte arritur ta harmonizojë procesin mësimor me vullnetin e nxënësve,  për të dëgjuar dhe mësuar gjuhën amtare ( M.Krasniqi).

Ist möglicherweise ein Bild von 11 Personen, Personen, die stehen und Innenbereich
Ist möglicherweise ein Bild von 11 Personen, Personen, die stehen, Personen, die sitzen und Innenbereich
Ist möglicherweise ein Bild von 7 Personen, Personen, die sitzen und Innenbereich

Filed Under: Opinion

VATRA DËNON ASHPËR SULMIN NDAJ LIDERIT TË OPOZITËS SHQIPTARE DOKTOR SALI BERISHA

December 6, 2022 by s p

New York, 6 Dhjetor 2022 – Federata Pan-shqiptare e Amerikës Vatra dënon ashpër sulmin e rëndë ndaj liderit të opozitës shqiptare Prof. Dr. Sali Berisha. Goditja ndaj Doktor Berishës është një akt i turpshëm dhe skandaloz. Është një veprim i pa pranueshëm në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Është një akt i tmerrshëm që meriton ndëshkimin më të rëndë të forcës së ligjit dhe institucioneve.

Ky akt burracak dhe i neveritshëm do jetë gjithmonë i refuzuar prej njerëzve e shoqërive të lira si veprim që bie ndesh me parimet e demokracisë, liritë e të drejtat e njeriut, shtetin ligjor, parimet kushtetuese në një shtet demokratik.

Vatra u bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese dhe organeve të drjetësisë që të veprojnë sa më shpejt në zbardhjen e plotë të ngjarjes së dhunshme e skandaloze.

Goditja e Doktor Berishës jo vetëm si lidër i opozitës por edhe si ish-President dhe ish-Kryeministër i Republikës së Shqipërisë përbën një ditë të zezë edhe për vetë shtetin shqiptar.

Vatra i uron shërim të shpejtë Doktor Berishës dhe shpreh mbështetjen e plotë ndaj tij dhe të gjithë opozitarëve shqiptarë që kërkojnë një Shqipëri të lirë, të zhvilluar dhe demokratike.

Në emër të Federatës Pan-shqiptare të Amerikës Vatra

Kryetari

Elmi BERISHA

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha

Shkolla Shqipe Zvicër/ Festë e Madhe në Bernë të Zvicrës

December 6, 2022 by s p

Të dielën me 4 dhjetor 2022,“Shkolla Shqipe” në Zvicër zhvilloi manifestimin qendror në Bernë të Zvicrës. E vogël ishte salla për t`i zënë të gjithë ata nxënës, të cilët kishin ardhur me prindërit e tyre të festojnë në manifestimin shkollor kushtuar ditëlindjes së pavarësisë së Shqipërisë.

“Shkolla Shqipe” në Zvicër edhe kësaj radhe me manifestimin shkollor në Bernë, manifestim i cili u organizua me rastin e 28 Nëntorit dëshmoi se përpjekjet dhe angazhimet e mësuesve së bashku me nxënësit janë vlerë e shtuar apo thënë më shkurt vlerë kombëtare, që kërkon më tepër kujdes për punën në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare te fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë. Edhe pse me rastin e festës ishin organizuar manifestime në të gjitha pikat shkollore ku zhvillohet mësimi “Shkolla Shqipe” në Zvicër organizoi edhe manifestimin qendror, në të cilin morën pjesë nxënësit e pikave shkollore të qytetit të Bernit, të përgatitura nga mësueset Boralda Kuçi – Leka, Shkëlzime Kurtaj dhe Majlinda Shaqirit, nxënësit  e pikës shkollore Flamat, me mësuesin Sejdi Rexhepi, ato të shkollë shqipe në Langnau me mësuese Leonora Zoto, nxënësit e pikave shkollore Grenchen, Solothurn dhe Tavannes me mësuese Mirsime Muja,  si dhe nxënësit e pikave shkollore Fällanden dhe Zyrih të mësueses Nora Macula. 

Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë znj. Elona Dushallari  dhe  asaj të Republikës së Kosovës në Bernë znj. Fexhrije Blaku.

E bukura e gjithë këtij manifestimi ishte prezantimi i shkollave shqipe njëra pas tjetrës, që nganjëherë dukej si një garë e mrekullueshme, me qëllim që secili prej tyre të prezantohet sa më mirë. U fillua me nxënësit e shkolla Shqipe në Langnau, pastaj nxënësit e shkollave shqipe në Bümplitz, Wittigkofen, të Bernës, shkollat Fällenden dhe Zyrih të kantonit të Zyrihut, shkollat Tavannes dhe Grenchen etj. 

Ajo që u pa në këtë manifestim ishte puna dhe angazhimi i mësuesve nën drejtimin e organizatores së manifestimit shkollor mësuese Boralda Kuçit, të cilët së bashku me nxënësit na dhanë një pamje të mrekullueshme organizimi. 

Në fund të programit shkollor pjesëmarrësit i përshëndeti edhe koordinatori i Shkollës Shqipe Z. Vaxhid Sejdiu, i cili përgëzoi nxënësit për punën dhe angazhimin e tyre në këtë ditë festive, mysafirët, përfaqësuesit e ambasadave tona, falënderoi prindërit për bashkëpunimin si dhe kolegët, mësuesit për punën dhe përkushtimin që “Shkolla shqipe” të bëhet shembull i sukseseve në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare, jo vetëm në Zvicër por edhe në mbarë mërgatën shqiptare. 

Për miqtë e “Shkollës Shqipe” shpërndau mirënjohjen për veprimtarin,  biznesmenin dhe sponsorin gjeneral, i cili në vazhdimësi ka ndihmuar shkollat shqipe z. Adem Osmanin, pastaj znj. Behide Hasanaj e cila dallohet për angazhimin e saj në shërbim të aktiviteteve kulturore, Grupin  e valleve  “Shqiponjat”, znj. Ramona Beadinin, si u falënderuan vëllezërit Alimusaj, këngëtaret Drita dhe Ndue Qokaj dhe shqipe Hasaj,  për bashkëpunimin, si dhe televizionin “Syri Tv”, i cili në vazhdimësi përcjell aktivitete e shkollës shqipe. Të gjithë së bashku sot jemi bërë forcë në shërbim të rritës së shkollave shqipe kudo ku ka shqiptarë. 

Manifestimi u mbyll me një apel te të gjithë prindërit shqiptarë në punën dhe përkushtimin tonë të përditshëm në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare në Mërgatë kemi fituar bashkudhëtarë, të cilët na u kanë bashkangjitur me qëllim që të hapim sa më shumë pika shkollore, me qëllim që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë ta kenë mundësinë ta mësojnë gjuhën amtare. Prandaj apeloj te të gjithë prindërit që fëmijët e tyre t`i orientojnë drejt pikave shkollore ku zhvillohet mësimi në gjuhën amtare. 

Filed Under: Opinion Tagged With: vaxhid sejdiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 182
  • 183
  • 184
  • 185
  • 186
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT