• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË TAKIM I PËRZEMËRT NË NJU JORK ME IPESHKVIN E KOSOVËS, IMZOT DOD GJERGJI

October 31, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

Ishte një kënaqësi e veçant takimi para disa ditësh me Ipeshkvin e Kosovës, Shkëlqesinë e tij, Imzot Dodë Gjergji, në Nju Jork. Imzot Gjergji ishte në udhtim e sipër duke u këthyer në Prishtinë nga Detroiti ku kishte marrë pjesë në festimet me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Kishës së parë Katolike, Zoja Pajtore e Shqiptarëve, në Southfield, afër Detroitit, në shtetin Miçigan, Frank Shkreli: Në shërbim të Zotit dhe Atdheut | Gazeta Telegraf

Në Nu Jork, morëm pjesë në këtë darkë miqësore me Ipeshkvin e Kosovës, një grup i ngushtë, të ftuar nga Paulin dhe Drita Mrnaçaj, vatranë, aktivistë të komunitetit dhe anëtarë të njohur të familjes anti-komuniste Mrnaçaj nga Kelmendi i Malësisë së Madhe. 

Në takimin me disa shqiptaro-amerikanë, Imzot Dodë Gjergji shkëmbeu me të ftuarit në këtë darkë, mbresat e tija nga celebrimet dy-ditëshe kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Kishës Pajtore të Shqiptarëve në Detroit dhe mbi jetën dhe veprimtarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan në atë shtet dhe në përgjithësi këtu në Shtetet e Bashkuara. Ai tha se sa herë që vjen në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikë e ndjenë veten si në shtëpinë e vet dhe falënderoi mikëpritsit, miqtë dhe dashamirsit e tij të shumtë në këtë vend të lirisë e demokracisë – me të cilët, siç tha ai, është gjithmonë një takim midis vëllëzërish.  Ai u shpreh gjithashtu se vlerson shumë rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan — përpara, gjatë dhe pas çlirimit të Kosovës — duke shtuar se roli i diasporës së madhe shqiptare anë e mbanë botës — por sidomos asaj në Amerikë dhe në Evropë, mbetet jetësore për të ardhmen e Kombit shqiptar – Kosovës dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve anë e mbanë trojeve në Ballkanin Perëndimor.  Prelati i lartë i Kishës Katolike në Kosovë ndau me të pranishmit edhe informacione mbi gjëndjen aktuale të Kishës që ai kryeson në shtetin më të ri të Evropës, për të kaluarën dhe për përspektivat e saja në të ardhmen. Ai u shpreh entuziast për zhvillimet dhe gjëndjen e Kishës që ai drejton, në përgjithësi.

Në një atmosferë miqësore, Imzot Dodë Gjergji ndau me pjesëmarrësit, në këtë darkë të shtruar nga familja Mrnaçaj në Nju Jork, edhe veprimtarinë e tij publicistike dhe prej autori, duke folur për botimin e kohëve të fundit të trilogjisë rrëfimore, “Kthimi”.  Vepër kjo e cila është vlerësuar nga autorë e historianë, qoftë nga Kosova ashtu dhe nga Shqipëria, si një libër i së vërtetës historike të identitetit kombëtar e shpirtëror të shqiptarëve dhe si një rrëfim i bashkjetës fetare ndër shqiptarët, gjatë historisë.

Darka me Udhëheqsin e lartë të Kishës Katolike në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe u përshëndetëm me të duke falënderuar Ipeshkvin e Kosovës për kohën që kaloi me ne atë darkë, ndërsa i uruam rrugë të mbarë për në Atdhe, duke shprehur shpresën dhe deshirën që të shihemi përsëri dhe sa më parë, qoftë në Kosovë qoftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Frank Shkreli

Disa prej pjesëmarrësve në darkën e shtruar nga familja Mrnaçaj në Nju Jork për nder të Imzot Dodë Gjergjit, Udhëheqsit të Kishës Katolike të Kosovës.  

                                    Autori duke përshëndetur Imzot Dodë Gjergjin

          Autori me Z. Paulin Mrnaçaj në pritje të Imzot Dodë Gjergjit

May be an image of 7 people, people sitting and indoor

Para se të vinte në Nju Jork, Imzot Dodë Gjergji me disa nga pjesëmarrsit në Konferencën kushtuar 50-vjetorit të themelimit (nga i ndjeri Dom Preke Ndrevashaj) të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield afër Detroitit.  Nga e djathta në të majtë: Disidenti dhe ish i burgosuri i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Visar Zhiti, Mons. Lush Gjergji, Biografi i njohur i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës Dom Fred Kalaj, Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Rrok Gjonlleshaj, Ipeshkvi i Tivarit, Patër Pashk Gojçaj, Udhëheqsi i Provincës Shqiptare të Françeskanëve dhe Dom Anton Kçira, ish=famullitari i Kishës Shën Pali në Detroit.

Nga promovimi i librit tre vëllimesh “Kthimi” i Imzot Dodë Gjergjit, më heret këtë vit, në Qendrën Bogdanipolis, që gjendet në Katedralën Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Mërgata shqiptare e Amerikës si aset politik, ekonomik e kulturor i kombit tonë

October 29, 2022 by s p

Sokol Paja/

Mërgata shqiptare e Amerikës është pa dyshim një aset i jashtëzakonshëm politik, ekonomik, social e kulturor i kombit shqiptar. Sa herë ka pasur nevojë shteti e kombi ynë, të parët janë përgjigjur shqiptarët e Amerikës. E filloi Vatra, e vazhdo përgjatë gjithë 110 viteve histori, e kryeson sot bashkë me gazetën Dielli veprimtarinë kombëtare në shërbim të çështjes shqiptare bashkë me dhjetëra shoqata, organizata e klube patriotike të shpërndarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët e Amerikës me në krye Vatrën përbëjnë grupin patriotik më serioz, më energjik, më potent, më vital duke u shëndërruar në një burim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, Kosovën, e trojet shqipfolëse në proceset që kalojnë shtetet tona e shqiptarët në tërësi. Duke qenë se Kosova është një shtet në rrugëtim e sipër në proceset integruese, ndërtimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit ligjor e demokratik, e ka të nevojshme të shikojë në diasporë profesionistët dhe ekspertët që ti ftojë për të kontribuar në qeverisje dhe shtetndërtim. Po ashtu edhe Shqipëria e shpallur e mos varme prej 110 vitesh, në tranzicionin e zgjatur 30 vjeçar, klasa politike aktuale ka dështuar turpshëm përballë aspiratave të popullit e kombit shqiptar në rrugëtimin euroatlantik te shtetit shqiptar. Mërgata shqiptare me profesionistë të spikatur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të gjitha fushat si arkitekturë, shkenca politike, ekonomi, mjeksi, inxhinjeri, shkenca kompjuterike etj, do të ishin një mundësi e shkëlqyer për shtetet tona që të ndryshojë filozofia e shërbimit publik në institucionet shtetërore publike, performanca e punonjësve, depolitizimi i administratës shtetërore dhe mbi të gjitha ngritja e nivelit të ekspertëve dhe vetë shtetit. Fytyra e shteteve tona sot lë shumë për të dëshiruar, militantët ua kanë zënë vendin profesionistëve. Militantët në poste kyçe, porfesionistët ose të pa punë, ose në profile jo të përshtatshme ose më e keqja mbushin gomonet për në Mbretërinë e Bashkuar. Shteti-Partia-Militanti janë bërë një e vetme dhe e pa ndarë duke e monopolizuar shërbimin publik shtetëror, duke e kthyer në një burim korrupsioni, nepotizmi, arrogance në raport me qytetarin e thjeshtë. Si në Kosovë dhe në Shqipëri ka një nevojë emergjente për ndryshime thelbësore në qeverisje, administratë dhe mbi të gjitha në mendësi e filozinë e shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë. Nevojitet një kastë e gjërë profesionistëtsh nga jashtë shtetit, të pa përlyer, të pa përfolur, me integritet të lartë, që të modernizojnë shtetin dhe qytetarët të ndiejnë ndryshimin real nëpërmjet qasjes së re në politikbërje e shtetndërtim. Mërgata shqiptare e Amerikës është një ndër mërgatat shqiptare në botë më të fuqishme në aspektin politik, ekonomik, kulturor dhe social. Mergata shqiptare e Amerikës është një aset i shkëlqyer që nëse përdoret siç duhet nga qeveria dhe opozita, do të rriste në një tjetër nivel elitën politike të vendeve tona si në Shqipëri dhe në Koosvë dhe mbi gjithçka do të lidhte organikisht mërgatën e Amerikës me shtetet tona në Kosovë e Shqipëri. Nëse bijtë më të shquar, mendjet më të ndritura e profesionistët më të lartë të mërgatës shqiptare që punojnë e veprojnë në Amerikë e më gjërë do të ftohehsin në qeveritë e Shqipërisë e Kosovës, kjo do të shërbente edhe si një pikënisje për mërgatën e Zvicrës, Gjermanisë, Suedisë, Belgjikës, Britanisë etj. Emigracioni politik i pas viteve 90-të i ka varfëruar shumë shetet tona si në Shqipëri e Kosovë e trojet shqipfolëse. Përditë po emigron elita intelektuale e vendit si në Shqipëri dhe në Kosovë. Politikës së korruptuar i bëjnë alergji profesionisët e ndershëm. Ikja e intelektualëve është një emigrim i tmerrshëm. Profesionistët ndihen të pavlerësuar e të nënvlerësuar e shumë herë të asfiksuar prej militantëve partiakë. Mërgata e Amerikës duhet të ftohet si prej opozitës dhe prej qeverive. Në rast se nuk gjendet hapsira përmes ftesave, vetë mergata duhet ta ndjejë si detyre patriotike përfshirjen në proceset politike për një qeverisje më të mirë si në Shqipëri e Kosovë dhe mbi të gjitha të jetë një alternativë e re morale dhe politike për qytetarët shqiptarë. Politika shqiptare e ka humbur morain e saj dhe të drejtën për t’i besuar për të ndryshuar fatet e shtetit e popullit tonë. Fatet e atdheut duhet ti marrë në dorë mërgata e Amerikë dhe mërgatat e tjera shqiptare nëpër botë me gjak të ri, me moral të ri, me filozofi të re, me profesionistë të rinj për të çuar përpara përparimin, zhvillimin, lulëzimin, begatimin e kombit shqiptar. Situata politike në Shqipëri sa vjen e përkeqësohet. Kryeministri Rama ka zaptuar çdo pushtet. Shqiptarët po ikin nga sytë këmbët. Shqipëria po shpopullohet, vendi po vidhet e po varfërohet. Shqiptarët nuk e meritojnë qeverisjen që i vjedh e i rrënon përditë. Më 12 Nëntor 2022 opozita në Shqipëri, Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe forcat e tjera opozitare do të fillojnë protestat për rrëzimin e qeverisë. Të gjithë opozitarët shqiptarë është shpallur se do të protestojnë kundër keqqeverisjes e korrupsionit. Si kurrë më parë në këto procese demokratike delikate, duhet të përfsihen të gjitha mërgatat shqiptare në botë me qëllimin e vetem jo vetëm luftimin e së keqes në qeveri por edhe ofrimin e një alternative të re politike për shqiptarët. Shqiptarët kanë nevojë për alternativë të re. Shqiptarët duhen zgjuar, duhen nxitur, duhen ftuar, duhen afruar për tu përballur me të keqen që qeveris vendin prej 9 vitesh. Që opozita të jetë e besueshme e të zgjojë dëshirën e nevojën emergjente për dryshim te shqiptarët, duhet pikë së pari të ketë fytyra të reja, energji te rëja, moral të ri e mbi të gjitha filozofi e njerëz patriotë që duan të bëjnë Shqipërinë, ta pasurojnë atë, e jo të pasurojnë veten e tyre nëpërmjet qeverisjes së Shqipërisë. Rama u fron shqiptarëve sot keqqeverisje, korrupsion galopant në çdo qelizë të shtetit e pushtetit, mashtrim, lidhje të shtetit me krimin, trafiqe, emigrim masiv, shpopullim, mungesë transparence e llogaridhënëse, arrogancë dhe monopolizim të të gjitha pushteteve. Shqiptarët nuk janë të varfër, janë të vjedhur e të tradhëtuar. Mërgata shqiptare e Amerikës duhet të ndërgjegjësohet që të përfshihet masivisht duke marrë pjesë fuqishëm në të gjitha proceset politike në Shqipëri e Kosovë me qëllim që shqiptarët të kenë një qeveri e shërbim dinjitoz. Shqiptarë të Amerikës, shqiptarë të botës: Shqipëria, Kosova, trojet tona kanë nevojë për ne. Atdheu na thërret…

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Presidentja e Komisionit Evropian: Vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian

October 28, 2022 by s p

-Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen takime në Prishtinë me Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti/

PRISHTINË, 27 Tetor 2022 – Gazeta DIELLI/ “Vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian” dhe “Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Kosovën”, ka deklaruar sot në Prishtinë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.

“75 milionë euro ndihmë e menjëhershme buxhetore për Kosovën në përballimin e krizës energjetike” dhe “500 milionë euro për rajonin ku Kosova mund të përfitojë me projekte konkrete në fushën e energjisë”, citon Presidentja Osmani Presidenten e Komisionit Evropian.

“Falënderim i përzemërt për Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për këto mesazhe inkurajuese e mbështetëse për Republikën e Kosovës. Llogarisim në lidershipin tuaj përderisa ndërmarrim hapa të guximshëm drejt sundimit të plotë të ligjit dhe mbrojtjes së vlerave evropiane”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për herë të dytë në pak më shumë se një vit ka mirëpritur në Prishtinë, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në këtë takim, kryeministri Kurti e njoftoi Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen për avancimin e vazhdueshëm që Kosova po shënon në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, dhe për punën e qeverisë në reformën në drejtësi, përmbushjen e axhendës evropiane dhe për luftimin e krimi dhe korrupsionit. Ai veçoi të gjeturat e raportet ndërkombëtare që dëshmojnë për përparimin gradual por të vazhdueshëm të Republikës së Kosovës në shumë fusha. Duke përfshirë këtu Raportin e Vendit për vitin 2022, që ishte ndër më të mirët në rajon, dhe tash së fundmi raportin e Projektit të Drejtësisë Botërore (WJP) i cili përveçse rendit Kosovën si të parën në rajon për nga sundimi i ligjit, e rendit atë në vendin e dytë në botë si shteti me përmirësimin më të madh në këtë fushë.

Sa i përket rrugës së Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Kryeministri Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti. Ky vendim vjen si rezultat i orientimit politik dhe vleror sa i Qeverisë ashtu edhe i qytetarëve të Republikës të cilët mbështesin masivisht dhe plotësisht integrimin në BE. Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se liberalizimi tashmë është më se meritor për qytetarët e Republikës së Kosovës.

U diskutua edhe për krizën energjetike me të cilën po përballet i gjithë kontinenti evropian. Bashkimi Evropian ka qenë partner i vazhdueshëm i shtetit të Kosovës. Në këtë takim të sotëm, u konfirmua ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë euro për Kosovën në ballafaqimin me krizën energjetike. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për këtë mbështetje e cila do të ndihmojë drejtpërdrejt në minimizimin e efekteve të krizës energjetike te qytetarët tanë.

Pas takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizituan së bashku objektin e Fakultetit të Arkitekturës. Falë financimit të Bashkimit Evropian, objekti tani ka një sistem të ri të ngrohjes qendrore ndërkaq Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet bashkëpunimit me Bankën Botërore ka investuar në efiçiencën e energjisë së këtij objekti.

Filed Under: Opinion

Pse duhet të konsolidohet opozita shqiptare? 

October 27, 2022 by s p

Kolec Ndoja

Kryetar i Këshillit të Vatrës 

Pishtar i Demokracisë/

Dueli apo debati, mbase lind me jeten si ligj universal, një ligj aq vital për Demokracinë si Institucion. Në jetën demokratike, shpesh ky ligj kulmoi mes dy personazheve kryesore (Berisha-Nano, Basha-Rama etj), pa u reflektuar në nivelet poshtë tyre, deri në bazë, duke lënë “pa gojë” struktura të tëra partiake apo shtetnore dhe një elektorat të tërë, siç ishte rasti i daljes nga Parlamenti apo Zgjedhjeve Lokale nga PD. Prandaj, sot, duhet të jenë pikërisht dy “debatuasit kryesore”, Berisha-Rama, inisiatorët që garantojnë debatin demokratik “parazgjedhor” për çdo strukturë shtetnore, ndryshe nga Demokracia e Tranzicionit, ku të gjithë emërohen prej Kryeministrit të rradhës. Përndryshe, kjo nismë bie mbi supet e Berishës, përmes Konsolidimit të Opozitës!
Rasti konkret, zgjedhja e kandidatit për kryetar Bashkie të Tiranës dhe këshilltarëve. Një “ekuacion politik” jo i lehtë, për PD dhe Berishën vete. Pse? Sepse Berisha “i Ri” erdhi përmes një procesi demokratik brenda partisë, nga poshtë-lart, pra një lloj “Political Primary” të stilit Amerikan të ilustruar më poshtë, një Lëvizje e Re në politikën Shqiptare. Si mund ta konsolidojë “Berisha i Ri” një Opozitë të Re me aleatë të vjetër, kur thuajse asnjë prej tyre nuk e kanë kaluar këtë “Political Primary”, si Lëvizja e Re? A janë të barabartë Meta, Shehu, Ndoka dhe shumë kryetarë të tjerë partish (bajraktarë apo “party bosses”) me Berishën e Ri? A mund t’i marrë mbi supe Berisha edhe historitë e tyre të cilët disa herë ndërruan krah sipas interesit politik, përfshi aleanca me PS e Ramën(?), përgjegjësi të një kaste politike me kredibilitet politik të ezauruar, duke përforcuar opinionin publik se “të gjithë janë njësoj, janë bashkë sipas Katovicës, etj”, që në fakt janë pasojë e modelit politik Italian me shumë parti, ndryshe nga modeli Amerikan dy-partiak, apo supermodeli. Ekuacioni Politik i Berishës ka vetëm një zgjidhje, përmes votës demokratike, ku të gjithë kryetarët e partive të paraqesin kandidatët e tyre (përfshi veten), në një proces votimi parazgjedhor “Political Primary”, dhe në proporcion me numrin e votave që marrin të dërgojnë delegatët në një Kuvend të Opozitës, prej ku mund të votohen sërish dhe të dalin me konsensus politik në Zgjedhjet Elektorale! Lista e kandidatëve t’u paraqitet të gjithë anëtarëve të partive të ndryshme (across party lines), të barabartë mes të barabartëve, parti të vogla dhe të mëdha, duke ju hapur rrugën dhe individëve të ndershëm dhe profesionistë, mbarëshqiptarë, pa kapital politik…, ashtu siç ju a hapëm dyert e PD ne nismëtarët ! Kjo është trashëgimia që lamë në PD, në duart e Berishës, Arbnorit, Spahisë etj, bekimi ynë mundesoi Berishën për dy tre herë për ta mbrojtur këtë trashigimi “the Legacy”. Meqë nuk është pjesë e Kushtetutës, të gjitha partitë e opozitës së bashku mund ta financojnë këtë proces parazgjedhor dhe të ndajnë shpenzimet, dhe në të ardhmen ta përfshijnë në ndryshimet Kushtetuese.

Si ilustrim, modeli Amerikan: Political Primaries: How Are Candidates Nominated?

https://www.loc.gov/classroom-materials/elections/presidential-election-process/political-primaries-how-are-candidates-nominated/

Filed Under: Opinion Tagged With: Kolec Ndoja

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU: “SIMBOL HEROIK I KOHEZIONIT EVROPIAN”

October 26, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

Nga disa burime, përfshir Radio Vatikanin shqip –Një monument kushtuar Gjergj Kastriotit në Trento të Italisë – Vatican News mësova se të shtunën që kaloi në qytetin Trento të Italisë veriore është zhvilluar një ceremoni mjaft me rëndësi për komunitetin shqiptaro-italian në atë qytet dhe në mbarë Italinë, por me rëndësi edhe për shqiptarët kudo.  Paraprirë nga një konferencë shkencore, pasditen e së shtunës, në një park të qytetit italian Trento, u përurua një monument kushtuar Krye-Heroit të Përgjithëmonshëm të Kombit Shqptar, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.   Seminari shkencor kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbe, përshtatshmërisht, i titulluar nga organizatorët, “Simboli heroik i kohezionit evropian” dhe inaugurimi i monumentit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në Trento të Italisë, ishte një nismë dhe rezultat i një pune të gjatë dhe të rendë nga Shoqata shqiptaro-italiane, Teuta” e atij qyteti dhe krahinës Tirol, ku jetojnë e punojnë shumë shqiptarë.

Në konferencën kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, sipas burimeve, morën pjesë prezantues nga Italia dhe nga Shqipëria, personalitete politike dhe kishtare vendase dhe shqiptare, si dhe shqiptarë nga krahina të tjera të Italisë. Ndër folësit e spikatur në atë konferencë ishte edhe Kreu i Ipeshkvijve të Shqipërisë, i përndershmi Angelo Massafra — Metropolit i Shkodër-Pultit — i cili u foli të pranishëmve për “Gjergj Kastriotin si mbrojtës i qytetërimit perëndimor.”

Prelati i lartë i Shkodër-Pultit lavdëroi nismën dhe promovimin e kësaj vepre duke thekësuar se,  “Angazhimi i Shoqatës TEUTA për ndërtimin e këtij memoriali, nё përkujtim të Heroit Kombëtar Shqiptar nuk është thjesht një element krenarie, por më tepër një njohje e atyre vlerave të mishëruara nga Skënderbeu, që shqiptarët të cilët banojnë në Itali vazhdojnë t’i bëjnë të vetat, thellësisht të bindur se janё pjesë e një Evrope moderne, tё hapur e mikpritëse, tё gatshme për integrimin e kulturave, kuptuar si një pasuri që duhet vlerësuar për rritjen dhe zhvillimin e shoqërisë”. 

Pas përfundimit të punimeve të konferencës kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbeut, “Simboli heroik i kohezionit evropian”, në Parkun e qytetit Trento, “Maksimiliani i Habsburgëve”, u zhvillua ceremonia e përurimit të monumentit kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbeu — me përshëndetjet e rastit nga përfaqsues të Shoqatës kulturore “Teuta” të grave shqiptare në Trento si dhe nga përfaqsues politikë vendas dhe shqiptarë.  Në këtë rast historik për komunitetin shqiptaro-italian të asaj zone të Italisë veriore, nuk munguan as këngët dhe vallet e rastit, të përgatitura për këtë ceremoni historike nga Shoqata e Artistëve të asaj krahine dhe nga Grupi artistik “Teuta”. 

Jo më shumë se gjashtë muaj më parë në lagjën Bronks të Nju Jork-ut është zhvilluar një ceremoni për emërimin e një rruge kushtuar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve.  Me ceremoninë e lartëpërmendur dhe me inauagurimin e  një përmendoreje tjetër në Itali kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut – më duket sikur Gjergj Kastrioti e ndjenë veten të harruar, të anashkaluar dhe madje edhe i zhgënjyer nga keq-trajtimi që i bëhet atij në trojet e shqiptarëve, për lirinë e të cilëve ai luftoi kundër Perandorisë Otomane për një çerek shekulli. Nga gjithë këto aktivitete në nder të heroit Kombëtar të Shqiptarëve në Shgtetet e Bashkuara dhe në Itali, duket sikur “I Përgjithmonshmi” i Kombit shqiptar po kërkon strehim më të denjë dhe më të paqët, diku tjetër – si shumë prej nesh të arratisur – jashtë trojeve shekullore shqiptare prej dekadash. Frank Shkreli: Monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë kthehet në nevojtore | Gazeta Telegraf Ai duket më i pranueshëm për dhenat e tjera, në Amerikë dhe anë e mbanë Evropës, ku ai edhe sot pas pothuaj 5-6 shekujsh nuk është harruar dhe ku ende konsiderohet si shpëtimtari i Evropës dhe “Simboli Heroik i Kohezionit Evropian”, siç e cilësuan folësit në konferencën e Trento-s, Heroin e Shqiptarëve dhe Shpëtimtarin e Evropës.

Ndonëse janë organizuar një numër aktivitetesh dhe nderimesh të veçanta gjatë këtij viti dhe viteve të kaluara në nder dhe kujtim të Gjergj Kastriotit Skenderbe, në Evropë dhe në Amerikë –kjo nuk mund të thuhet që të ketë ndodhur pothuaj aspak në Shqipëri as dhe në trojet shqiptare —Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, i harruari i Kombit në ditëlindjen e tij | Gazeta Telegraf.  Nuk mund të durohem pa e lidhur ceremoninë e nderimit të Gjergj Kastriotit Skenderbe në Trento të Italisë ditët e fundit, ku Ai u cilësua, si “Simboli Historik i Kohezionit Evropian”, me njoftimin e Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, për të mbajtur më 6 dhjetor, në Tiranë, të ashtuquajturin samit BE-Ballkani Perëndimor.  Me siguri që Tirana zyrtare ka filluar tanimë të vejë në lëvizje rrotat e propagandës për ta paraqitur këtë ngjarje si një meritë të saj në fushën ndërkombëtare, madje, do ta quajnë “historike”,për nga natyra e saj, megjithëse jo për nga rëndësia

Por realiteti është ndryshe. Evropa i ka shumë borxhe Shqipërisë dhe shqiptarëve, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe e deri më sot. Por edhe Shqiptarët i kanë borxhe Evropës dhe Amerikës.  E turpshme ishte periudha e marrëdhënieve të regjimit komunist të Enver Hoxhës me Evropën Perendimore. Por për mua edhe më e turpshme është periudha aktuale “post-Komuniste” e marrëdhënieve të Shqipërisë “demokratike” me Evropën demokratike të bashkuar dhe me Shtetet e Bashkuara. Flitej e flitet për vlera të përbashkëta! Por këto 30-vite “tranzicion”, ishte dhe vazhdon të jetë një periudhë e turpshme kërcënimesh ndaj Evropës (U kujtohet ajo deklarata e famshme e kryeminsitrit: kemi alternativa tjera?)  Megjithëse me fjalë, Tirana zyrtare vazhdon të kërkojë antarësimin në Bashkimin Evropian – ajo ndërkohë – pa pikë turpi — vazhdon flirtimet me diktatorët më të urryer të kohës së sotëme në Evropë dhe me më anti-evropianët dhe antiamerikanët, të cilët nuk kanaë asgjë të përbashkët me vlerat perëndimore – me vlerat për të cilat jetoi e luftoi Gjeergj Kastrioti-Skenderbeu, Shpëtimtari i Evropës dhe simboli heroik edhe i kohezionit të sotëm evrropian, siç e cilësoi Heroin e Shqiptarëve – konferenca e javës së shkuara në Trento të Italisë.  Eh, sikurë Tirana zyrtare sot të mbronte vlerat perëndimore, të kishte vizionin, nderin, burrërinë dhe trimërinë e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut – simbolit historik të kohezionit evropian?!

Vlerat e Gjergj Kastrioi -Skenderbe nuk gjënden as tek Putini e Vuçiqi dhe as tek Erdogani. Popujt që këta pëprfaqsojnë sot, historikisht, kurrë nuk i kanë dashur të mirën Kombin shqiptar. Ashtu është edhe sot. Këta “udhëheqës” të shqiptarëve që pretendojnë “vlerat e përbashkëta” me Perëndimin demokratik e ndjejnë veten më rehat në shoqërinë e Erdoganit, Vuçiqit dhe Putinit se sa në shoqërinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skenderbe. Kombi shqiptarë e ka simbolin e vet përbashkues dhe të vlerave perërndimore – Skenderbeun.  Shqiptarët nuk kanë nevojë për shëmbëlla liderësh autoritarë, arrogantë që mbjellin vdekje.  Çdo komb tjetër do e trillonte një hero si Skenderbeu – Shqiptarët e kanë por…

Zgjidhni rrugën e Skenderbeut dhe të vlerave e trashëgimisë së tij, qoftë në Shqipëri, Kosovë e trojet tona ashtu edhe në diasporë.  Të pakën diaspora po përpiqet të mbajë fjalën dhe amanetin e Skenderbeut të besë e të burrënisë, duke kujtuar Kryetrimin, siç bëri komuniteti shqiptar në Trento të Italisë, javën që shkoi.

Ndërkohë që edhe sot po kërcënohet drejtimi kastriotian, pro-perëndimor i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, me të cilët çdo shqiptar ka të drejtë të krenohet para botës së qytetëruar kudo që gjëndet fisi i shqiptarit, në trojet shqiptare shekullore e deri në Amerikën e largët. Nga Italia dhe Evropa, e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerat e tija pro-perëndimore, Gjergj Kastrioti-Skenderbe vazhdon tu tregojë shqiptarëve kudo, rrugën që duhet ndjekur – që Ai të jetë jo vetëm simbol i kohezionit evropian – por edhe një simbol i përgjithëmonshëm i kohezionit ndër-shqiptar. 

Urojmë që takimi i njoftuar i nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor më 6 Nentor në kryeqytetin shqiptar, t’i kujtojë Tiranës zyrtare dhe përfaqsuesve evropianë e ballkanas të mbledhur aty, flijimet dhe sakrificat e mëdha që kanë bërë shqiptarët  e kohës së Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe të gjithë brezave më vonë,  për të siguruar lirinë dhe pavarësinë e vet, duke mbrojtur, identitetin e tyre kombëtar, por njëkohësisht, edhe qytetërimin perëndimor evropian, që ata gëzojnë sot.

Frank Shkreli

May be an image of 7 people

Pamje nga Konferenca kushtuar Gjergj Kastriotit Skenderbeu në Pallatin e Rajonit Trentino-Alto Adige/Suedtirol

A picture containing grass, tree, outdoor, person

Description automatically generated

Skënderbeu në Trento – Inaugurohet obelisku i Gjergj Kastriotit në qytetin e alpeve italiane

         Trento, Itali, Tetor, 2022 –“Simboli Heroik i Kohezionit Evropian”

A group of people sitting in chairs

Description automatically generated

Kryetari i Bashkisë së Trentos, Franco Ianeseli dhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu zbuluan obeliskun, kushtuar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut.

Konferenca dhe ceremonia e përurimit të monumentit kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në Trento të Italisë, mё 22 tetor 2022

  I përndershmi Angelo Massafra — Metropolit i Shkodër-Pultit -duke folur me rastin e përurimit të përmendores kushtuar Heroit Kombëtar

Busti i të përgjithëmonshmit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Sallën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut. Në oborrin e saj do të inaugurohet vitin që vjen edhe përmendorja madhështore e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve e përmasave të përmendores së Heroit, në Krujën heroike.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 190
  • 191
  • 192
  • 193
  • 194
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT