• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ANASHKALIMI I KADARESË NGA JURIA E KOMITETIT TË “NOBELIT” – AKT ABSURD

October 13, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Çmimi “Nobel” për letërsi nuk i bën nder vetëm laureatit. I bën nder edhe letërsisë së cilës i përket ai, gjuhës në të cilën shkruan ai, popullit të cilit i përket ai dhe shtetit të cilit i takon ai. I bën nder kombit të laureatit. Vlerësimi i Ismail Kadaresë me çmimi “Nobel” do t’i bënte nder Shqipërisë dhe shqiptarisë. Po qe se me çmimin “Nobel” për letërsi nuk vlerësohet një Kadare, i përkthyer në mbi 47 gjuhë të botës, atëherë kur do të lindë ndër shqiptarë, një tjetër Kadare?!       

Akademia Mbretërore e Suedisë me siguri e di dhe është i njoftuar se Kadareja është vlerësuar me çmime ndërkombëtare më prestigjioze për letërsi. Anashkalimi i Kadaresë nga juria e Komitetit të “Nobelit” pranë Akademisë Mbretërore të Suedisë, paraqet njëherazi shpërfillje dhe injorim të çmimeve letrare me të cilat është vlerësuar Kadareja, ky gjigant i artit të fjalës. Autori i “Pallatit të ëndrrave”, vepër kjo që e godit arkitekturën totalitare mu në zemër, u vlerësua dhe u shpërblye dy herë në Francë, disa herë në Itali, Austri, Rumani, Britani të Madhe, Spanjë, Izrael, ShBA, Korenë e Jugut etj. 

Është nderuar edhe me titullin prestigjioz Komandant i Legjionit të Nderit. 

Presidenti i Francës Emanyel Makron (Emanuel Macron) ia dha titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit.

Kadare është dekoruar nga presidenti i Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”.    

*   *   *

Është e palejueshme dhe e pafalshme për Komitetin e “Nobelit” që t’i nëpërkëmbë çmimet dhe titujt e poshtëshënuar, me të cilët është vlerësuar kolosi letrar – Kadare. Rrallë shkrimtarë në botë e kanë luftuar sistemin totalitar me mjete artistike, si autori i romanit “Koncert në fund të dimrit”. 

Akademia Mbretërore e Suedisë nuk ka të drejtë ta shpërfillë faktin se Kadareja është përkthyer në mbi 47 gjuhë të rruzullit. Anashkalimi i Kadaresë paraqet padrejtësi edhe për tërë një komb. Ata që tentojnë ta diskreditojnë personalitetin e princit të kombit, nuk e përfaqësojnë as artin letrar, as shqiptarinë. Numri i tyre është sa gishtat në njërën dorë. 

Nuk do të ishte mirë të mendohet se ndonjëri prej anëtarëve të jurisë së Komitetit të “Nobelit” për letërsi, ose është tendencioz, ose nuk është kompetent për të çmuar nivelin artistik të një vepre letrare. 

Komiteti i “Nobelit për letërsi a e ka parasysh faktin se kur në Britani të Madhe, në vitin 2005 iu dha  Kadaresë çmimi  “Man Brooker International Prize”, pretendentë ishin edhe tre nobelistë: gjermani Gynter Gras (Gunter Wilhelm Grass, 1827-2015), kolumbiani i famshëm Gabriel Garsia Markez (Marquez, 1927-2014) dhe japonezi Kenzaburo Oe (1935-). 

A thua vallë juria e komitetit të lartpërmendur ka njohuri për esenë e autorit të “Gjeneralit  …” – “Eskili, ky humbës i madh”. 

Juria e Komitetit të “Nobelit” pranë Akademisë Mbretërore të Suedisë a e ka parasysh faktin se vepra kadareane ia zbulon Perëndimit:

– mitet dhe legjendat e lashta ballkanike;

– një botë të re, deri atëherë të panjohur për Evropën – atë të Lindjse, atë të Perandorisë Osmane, me të gjitha format e ndërtimit dhe mekanizmat e funksionimit të saj;

– mekanizmat e funksionimit të sistemeve totalitare, tiranike, despotike, autoritare, autokratike, diktatoriale, bolshevike dhe staliniste.

Një demaskim dhe stigmatizim deri në mohim, të totalitarizmit, përpos Aleksandër Solzhenjicinit, nuk e ka bërë asnjë artist në kohën moderne. Shumë shkrimtarë të botës, nga opusi i tyre kanë vetëm një apo dy kryevepra, ndërsa kolosi i letërsisë – Kadareja, ka diku rreth shtatë apo tetë kryevepra. Me fjalë të tjera, pjesa më e madhe e veprave të këtij mjeshtri të fjalës, janë kryevepra.       

Asnjë krijues i letërsisë botërore nuk ia ka dalë ta dënojë luftën, siç e ka bërë një gjë të tillë ky kolos i letrave. Porosia e disa veprave të tij është: 

Çdo pushtues që ndërmerr ekspedita ushtarake për të pushtuar toka të huaja dhe për të nënshtruar popuj sovranë, do të përfundojë me mbledhjen e kockave dhe të eshtrave të ushtarëve të vet të vrarë, në shpatet e rrëpirëta të maleve të egra, ku vazhdimisht bën mot i keq.

Mos vallë gjeniut të letrave ia mbajnë për të madhe se e do mëmëdheun e vet, atdheun e vet, Shqipërinë, se i mbrojti synimet historike – çlirimtare dhe liridashëse – të popullit të Kosovës. Juria e Komitetit të “Nobelit” për letërsi duhet ta dijë se Kadareja është humanist shqiptar i kohës moderne, është rilindësi shqiptar i fundit, është filozof racional dhe demokrat.

Shpërfilljen e krijimtarisë madhështore të gjeniut poetik, një komb i tërë e përjeton rëndë. Sidoqoftë, ai vazhdon të lexohet, në botën shqiptare dhe jashtë saj, ai vazhdon të përkthehet në gjuhët e botës, vazhdon të botohet anembanë rruzullit tokësor. Ai vazhdon të vlerësohet dhe të çmohet lartë, nga lexues të rëndomtë dhe nga kritikët letrarë më eminentë të planetit. Vepra e tij është lektyrë shkollore në shumë shkolla të rruzullit, është lëndë studimi dhe analize në shumë qendra universitare të botës.   

 Vepra kadareane ka vlera universale. Ajo rrëzëllen dashuri ndaj njeriut, ndaj njerëzimit. Dhënia e çmimit “Nobel” Kadaresë, do t’i bënte nder edhe Akademisë Mbretërore të Suedisë. Injorimi i kësaj vepre e mbulon turp jurinë e Komitetit të “Nobelit” dhe e vë para një përgjegjësie morale.  

*   *   *

Disa prej çmimeve dhe të titujve ndërkombëtarë me të cilët është nderuar dhe është vlerësuar autori i “Kështjellës”:

–  Prix Mondial Cino Del Duca, Francë 1992; 

– Në vitin 1996 Kadareja u shpall anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës;

– Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit”;

– Çmimi Bokacio, Itali 1997;

– Herder Prize, Austri 1998;

– Ovid Prize, Rumani 2003; 

– Man Brooker International Prize, Britani e Madhe, 2005; kandidatë për këtë çmim ishin edhe nobelisti gjerman Gynter Gras (Gunter Wilhelm Grass, 1827-2015), nobelisti kolumbian, i famshmi Gabriel Garsia Markez (Marquez, 1927-2014), nobelisti japonez Kenzaburo Oe (1935-) i lauruar me Çmimin Nobel më 1994. 

– Çmimi Princ of Asturias Awards për artet, Spanjë 2009; ishin 31 kandidatë nga 25 vende të botës;

– Çmimi Lerici Pea, Itali 2010;

– Çmimi i Jerusalemit që në qarqet letrare botërore njihet si pararendës i Nobelit për letërsi, Izrael, 2015;

– Në vitin 2017 u nderua me titullin prestigjioz Komandant i Legjionit të Nderit, titull ky që e rendit Kadarenë në mesin e 250 personaliteteve më të shquara të botës;

– Çmimi “Nomino” në qytetin Udino të Italisë, 2018; 

– Çmimi ndërkombëtar për letërsi Neustadt, i njohur si Nobeli amerikan, Oklahoma, ShBA, 16 tetor 2019;

– Më 31.12.2019 Presidenti i Francës Emanyel Makron ia jep titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit;

– Çmimi Pak Kyongui, Korea e Jugut, 2019 (në mesin e 350 anëtarëve); etj.

Filed Under: Opinion

Kosova, jo vetëm siguresa e NATO-s për Ballkanin Perendimor

October 12, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Një Kosovë në NATO nuk nënkupton vetëm një siguresë më shumë në mekanizmin ushtarak të Aleancës Veriatlantike, por edhe një shansë më tepër për instalimin e standardeve demokratike në shtendërtim, që nënkupton zhvillimin e ekonomisë së lirë të tregut , shtetin e së drejtës, goditjen e krimit dhe korrupsionit dhe luftimin e të gjitha formave të kanosjeve të brendshme e të jashtme. Për rrjedhojë, një pyetje e logjikshme që shtrohet është se sa do të ishte e favorshme për sigurinë kolektive të NATO-s një Kosovë e dobët dhe e shkërmoqur nga brenda?

Kosova si “mur gjeopolitik” që ndan botën rusofile, e ndikuar nga politikat e Kremlinit dhe botën e civilizimit perendimor, vazhdon të tërheq vëmendjen si një zonë me mundësi eventuale të rrezikut për detabilizim nga jasshtë. Faktori vendimtar që ndikon në amortizimin e këtij rreziku, është, pa dyshim, prania e forcës shumëkombëshe të NATO, përmes misionit tash më të njohur KFOR, i cili u dislokua në Kosovë në muajin qershor të vitit 1999, pas dëbimit të forcave serbe nga territori.

Duke kaluar nga një zonë me ndikim margjinal perendimor, në një zonë ku ky ndikim paraqet edhe një gurë peshoreje në kantarin e gjeopolitikës, Kosova tash më po trajtohet si një faktor ku e ardhmja e Ballkanit Perendimor duhet patjetër të testohet nëpër sfidat e sigurisë rajonale dhe globale. Ky testim po bëhet edhe më domethënës pas agresionit rus në Ukrainë, me ç’rast gatishmëria për të parandaluar shtrirjen e konflikteve në këtë pjesë të rajonit po analizohet me kujdes në zyrat e strategëve të NATO-a dhe të diplomatëve që monitorojnë situatën e sigurisë në pika të caktuara të globit. Në të gjitha këto analiza dhe vëzhgime ekziton një vlerësim i përbashkët se në Ballkanin Perendimor ende ka vrima të zeza të cilat shfrytëzohen nga Rusia dhe satelitët e saj për ta destabilizuar rajonin.

Ky është edhe shkaku që ka detyruar klasën politike të Kosovës që të shqyrtohet sa më parë mundësia e anëtarësimit të shtetit tonë në NATO, si garancë e vetme e ruajtjes së paqës në këtë pjesë të rajonit. Arsyeshmëria e një kërkese të tillë lidhet me faktorët kryesorë të sigurisë rajonale, të cilët jo rrallë kushtëzohen nga faktorët politik në Beograd, që me të drejtë quhen edhe transmetues të ndikimit rus në Ballkanin Perendimor. Tensionet e herë pas hershme në veri të Kosovës rishfaqin aspiratat serbo-ruse për shtrirjen e ndikimit të tyre në këtë pjesë të Europës Juglindore, me çka Rusia synon të vendos një kufi të përhershëm të sferave të ndikimit, duke iu afruar ujërave të ngrohta me qëllim të neutralizimit të krahut lindor të NATOs.

Ka plot njerëz që pretendojnë se garantimi i paqës në Kosovë është i pacënueshëm falë pranisë së KFORI-t. Kjo është e vërtetë, po aq sa është e vërtetë edhe fakti që Kosova, megjithatë, ka nevojë të përfshihet në strategjinë aftagjate ushtarake-politike të NATO-s, sidomos pas asaj që ndodhi në Ukrainë. Aventurat serbe për destabilizim të vendit tonë janë pjesë e planeve të menduara mire, të cilat projektojnë faza të ndryshme të veprimit në terren në mënyrë që të arrihet një prej objektivave të Memorandumit 2 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), ku parashihet që në një të ardhme jo të largët shteti i Kosovës të bëhet sa më jofunksional, në mënyrë që të realizohen planet e Beogradit për bosnjizimin e vendit tonë.

Për rrjedhojë, një pyetje e logjikshme që shtrohet është se sa do të ishte e favorshme për sigurinë kolektive të NATO-s një Kosovë e dobët dhe e shkërmoqur nga brenda?

Përgjigjet në këtë pyetje në mënyrë të tërthort i dha edhe Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“, i cili i zhvilloi punimet për tri ditë me radhë në Prishtinë (8, 9, 10 tetor) dhe ku ishin të pranishëm më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në këtë takimi tre-ditor u diskutua për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë.

Ligjvënës të NATO-s, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, gjithashtu diskutuan edhe për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës dhe progresin e deritashëm, për situatën ekonomike në rajon pas Covid-19, për rolin e të rinjve në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme, për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet politike dhe të sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, implikimet e luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor, shtrirjen dhe implikimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, pastaj për kontributin e grave për paqen dhe sigurinë rajonale, pjesëmarrjen politike të tyre në Kosovë, si dhe forcimin e sundimit të ligjit e luftimin e korrupsionit.

Me vet faktin se të gjitha këto tema u trajtuan në Prishtinë, flet për faktin se NATO përpos që është një mekanizëm ndërkombëtar i sigurisë kolektive, ajo është edhe struktura më e përgatitur politiko-ushtarake që kujdeset për balancat gjeopolitike e gjeostrategjike në botë. Dimensioni politik i kësaj strukture është e një rëndësie të veçantë, sidomos në raport me pretendimet ruse për të penguar procesin e demokratozimit dhe liberalizimit në disa shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore. Kjo është edhe arsyeja pse Kremlini e sheh me sy jo të mirë zgjerimin e NATOs në kufinjt e saj lindor, përfshi edhe Kosovën.

Dimensioni politik i NATO-s e bën më të qartë arsyen e gjithë atyre që kërkojnë me ngulm përfshirjen e Kosovës në këtë aleancë shumëkombëshe ushtarake. Kjo parasegjithash ndërlidhet me ruajtjen e vlerave demokratike perendimore nga ndikimet arbitrare që vijnë nga shtetet me demokraci të pazhvilluar, ose me regjime totalitare.

Një Kosovë në NATO nuk nënkupton vetëm një siguresë më shumë në mekanizmin ushtarak të Aleancës Veriatlantike, por edhe një shansë më tepër për instalimin e standardeve demokratike në shtendërtim, që nënkupton zhvillimin e ekonomisë së lirë të tregut , shtetin e së drejtës, goditjen e krimit dhe korrupsionit dhe luftimin e të gjitha formave të kanosjeve të brendshme e të jashtme.

Prishtinë, 12 tetor 2022

Filed Under: Opinion

DALIP GRECA, EDITORI I DIELLIT 2009-2021, SOT DO TE MBUSHTE 72 VJEÇ

October 10, 2022 by s p

Sokol Paja/

Familja, të afërmit, miqtë, vatranët, kolegët e bashkëpunëtorët e Dalip Grecës e përkujtojnë sot me nderim, respekt, lutje e vlerësim në ditëlindjen e tij të 72-të. Dalipi i mungon familjes mbi të gjitha e padyshim neve që kemi kaluar pjesën më të madhe të ditës në punën e përditshme dhe në përpjekjet për të qenë zëri dhe pasqyra e komunitetit shqiptar e vatranëve tanë të shtrenjtë në Amerikë e më gjërë. Sot na mungon Dalipi si njeri, Dalipi si gazetar, Dalipi si vatran, Dalipi si qytetar, Dalipi si patriot. Urtësia, mençuria, humanizmi, sakrifica, maturia, vendosmëria, nervi, profesionalizmi i Dalipit na mungojnë sot të gjithëve. Ikona e shtypit të shkruar shqiptar në Amerikë, Editori epokal i Diellit 2009-2021, vatrani i veçantë, patrioti i spikatur, veprimtari i dalluar, njeriun që komuniteti e deshi dhe respektoi aq shumë, edhe pse u largua fizikisht prej nesh, vepra e tij do ta sjellë të gjallë e të paharruar Dalip Grecën.

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra ka në proces përgatitjeje për botim 2 vepra të Dalip Grecës çka jo vetëm do të përjetësojë kujtimin për të por do ta memorizojë punën e veprën e tij, përkushtimin e dedikimin me të cilën për 12 vite Dalip Greca punoi në Diell e në Vatër. Dalip Greca ngjalli gazetën Dielli, rifreskoi qelizat e Federatës Vatra, transformoi çdo realitet ku ai u bë pjesë, guxoi dhe u investua maksimalisht për të realizuar atë për të cilën ai besoi dhe nuk hoqi kurrë dorë. Duke qenë zëdhënës i Vatrës, gazeta Dielli, nën drejtimin e Dalip Grecës kreu misionin e shenjtë me paanësi, korrektesë e profesionalizëm në kohë shumë të vështira. Dalip Greca me të gjithë ata që punoi ishte një bashkëpunëtor besnik, një familjar shembullor, një shqiptar i dalluar në diasporën e Amerikës.

Federata Vatra e Gazeta Dielli ngushëllojnë familjen, të afërmit, miqtë, të njohurit dhe bashkëpunëtorët e shumtë të Dalip Grecës në këtë përvjetor të 72-të të ditëlindjes së tij në amshim.

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Sokol Paja

Presidentja Osmani në Seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s: Kosova në NATO, prioritet shtetëror, parakusht për paqe e stabilitet në rajon

October 10, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të Seminarit të 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po zhvillon punimet në Prishtinë me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“.

Në prezencë të deputetëve nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, si dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, Presidentja Osmani, theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për forcimin e sundimit të rendit e ligjit, integrimit në BE dhe në strukturat veriatlantike.

Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Anëtarësimi në NATO, sipas Presidentes Osmani është prioritet shtetëror i Kosovës, sikurse edhe parakusht për sigurimin e paqes në rajon, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta. Sipas saj, këtij hapi duhet t`i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

Në raport me rrezikun ndaj arkitekturës së sigurisë në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë dhe implikimet e këtyre zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Presidentja Osmani ka potencuar se integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor është një interes strategjik evropian për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Sipas saj, shumica e vendeve të rajonit, përveç Serbisë, janë të përkushtuara ndaj vlerave të përbashkëta demokratike euroatlantike dhe sigurisë kolektive.

Duke kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe, para deputetëve nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova e ka absolutisht të qartë qëllimin për të qenë anëtare e NATO-s, derisa paradoksi është që Serbia prej 15 vjetësh është anëtare në PFP, porse refuzon t`i bashkohet aleancës ushtarake më të madhe në botë dhe në të njëjtën kohë mbanë marrëdhënie të fuqishme me Rusinë.

Në hapje të këtij seminari, Presidentja Osmani ka bashkëbiseduar me pjesëmarrës nga shtetet anëtare të NATO-s dhe shtete tjera partnere për çështjetë shumta me rëndësi në Evropë dhe rajon, që ndërlidhen me bashkëpuimin me NATO-n, sulmet kibernetike, kampanjat e dezinformimit të sponzorizuara nga Rusia, çështjet e energjisë dhe shumë tema tjera nga fusha e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Seminari i 102-të Rose-Roth organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF).

Filed Under: Opinion

NË SHËRBIM TË ZOTIT DHE ATDHEUT  

October 9, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Ditën e Shtunë, 8 Tetor, 2022, në ora 10 të mengjesit, në Qendren Kulturore “Nenë Tereza”, zhvilloi punimet Simpoziumi Shkencor kushtuar 50 Vjetorit të Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield të shtetit Michigan, afër Detroitit. Një ndër folësit e ftuar, për këtë rast, ishte dhe kolegu ynë Frank Shkreli, mik i vjetër i Dom Prekë Ndrevashjt, nga vitet kur Dom Preka kujdesej për refugjatët politikë shqiptarë në Itali, 1960-ave- e në fillim të 1970-ave. 

“Shkëlqesia juaj Ipeshkëvijë, klerikë të dashur, të nderuar pjesëmarrës në këtë tubim historik, përkujtimor. U përshëndes të gjithë ju, që për 50-vjet, në këtë tokë e vend të bekuar, kini vazhduar me përkushtim e dashuri, të jeni të bashkuar në shërbim të Zotit, të Kishës dhe të Kombit.

Përshëndes Këshillin e kishës, mbarë famullinë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, por mbi të gjithë dhe veçmas përulem para Dom Ndue Gjergjit – prijsit tuaj fetar, i cili përveçse e ka drejtuar këtë kishë me një për-shpirtshmëri të dalluar fetare – ai, së bashku me ju, e ka ngritur këtë faltore – jo vetëm në nivelin e një qendre ku njerëzit luten, kërkojnë ngushëllime shpirtërore dhe festojnë – por e ka rritur këtë qendër edhe në rrafshin e një enti të rëndësishëm kulturor e kombëtar.

Ajo që e ben këtë kremtim të këtij 50-vjetori edhe më të madhnueshëm dhe të përmallshëm, është edhe kujtimi i të gjithë atyre që kanë qenë këtu ç’prej fillimit — e nuk janë më — përfshir edhe mikun dhe të dashtunin tonë të përbashkët, Dom Prekë Ndrevashajn, themeluesin e kësaj kishe — njërin prej atyre klerikëve i cili ishte dëshmitar i martirëve të Kishës dhe të Kombit të cilët derdhën gjakun e pafajshëm nën torturat më shtazarake të regjimit sllavo- komunisto-enverist në Shqipëri, por që me ndihmën e të Madhit Zot, ai vet i shpëtoi atij ferri.

Për fatin e këtij komuniteti, Dom Preka, si themeluesi i kësaj kishe dhe Dom Ndou drejtuesi dhe famullitari aktual, kanë pasqyruar dhe pasqyrojnë dy shtylla të Kishës dhe të shqiptarizmit, jo vetëm në mërgim, por edhe më tej. Një apostollat i vërtetë fetar e kombëtar i këtyre dy burrave të Kishës dhe të Kombit!

Nën udhëheqjen e Dom Ndue Gjergjit, Kisha Pajtore e Shqiptarëve vazhdon misionin e saj origjinal fetar e kombëtar – për t’i shërbyer në radhë të parë Zotit, besimtarëve, kulturës shqiptare dhe interesave kombëtare, këtu në Amerikën tonë të largët.

Me këtë rast, pra, meritat dhe falënderimet i shkojnë me siguri edhe këtij komuniteti katolik shqiptaro-amerikanësh, të cilët –si të parët tanë,së bashku me klerikët tanë gjatë historisë, i janë përmbajtur trinomit: Fe, Atdhe e Përparim.  Siç ishte traditë në malet tona dikur, së bashku me priftin, me fratin, por edhe me jezuitin, të parët tanë kanë përballuar shumë vështirsi, jo vetëm duke ndihmuar kishën, por kanë dhënë edhe jetën – në mbrojtje të Fesë e të Atdheut, sidomos gjatë komunizmit të pa fe.  I njëjti angazhim e përkushtim vazhdon edhe sot këtu në Amerikën e bekuar, ky vend që na ka falë lirinë, na ka dhënë strehimin dhe mundësitë për një jetë më të mirë, në bashkim me Zotin dhe në dashuri me të afërmin.  Fatbardhësisht, sot në

Amerikë nuk kemi nevojë të mbrojmë as fenë as Atdheun, me pushkë. Por, me mënyra të tjera, siç e kanë treguar shqiptarët e Amerikës të të gjitha feve, duke ndihmuar, bujarisht, xhamitë, teqetë, kishat katolike dhe ortodokse shqiptare, gjatë shekullit të kaluar e deri më sot.  

Kam ndjekur me interesim gjatë viteve,festivalet dhe organizimet kombëtare e kulturore,  përfshir Festivalin Kulturor muajin që kaloi të organizuar nga Kisha Pajtore e Shqiptarëve.  Ishte vërtetë një manifestim dhe pasqyrim i dinamizmit të kësaj famullie që frymëzon komunitetin shqiptaro-amerikan në veçanti, por edhe shqiptarët në trojet tona në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi. Një ndërmarrje kjo, e cila ruan identitetin, ose të pakën ngadalëson shkombëtarizimin e këtij komuniteti në këtë oqean të madh që e quajmë Amerikë –një kishë –një votër ku strehohen ndjenjat, zakonet tona bujare, gjuha, kultura dhe traditat shqiptare.

Prandaj, marrim pjesë në këtë tubim — në këtë 50-vjetor — që festojmë sot me krenari njerëzore si shqiptaro-amerikanë të lirë dhe me falënderime ndaj të Madhit Zot për bekimet e tija dhuruar këtij komuniteti.  Falënderojmë Zotin tonë të përbashkët, se megjithë planet djallëzore prej një gjysëm shekulli të komunizmit ateist të Enver Hoxhës për të zhdukur përgjithmonë nderin, fenë, traditat, identitetin kombëtar dhe historinë ndër shqiptarët, ky takim sot me një pjesëmarrje të shqiptarëve, pa dallim, nga të gjitha trojet dhe fetë – të krishterë e myslimanë së bashku si gjithmonë më parë — vazhdon të dërgojë një mesazh të fortë se me vullnetin e mirë të gjithë neve, megjithë problemet e sotëme dhe të nesërme me të cilat përballet Kombi ynë — i Madhi Zot ka me i mbajtë shqiptarët, Kosovën dhe “Shqypninë më kambë, me nder e me lumni”, ka porositur At Gjergj Fishta). 

Për nga natyra, përvjetorët shënohen dhe shërbejnë si një kujtesë!  Në 50-vjetorin e Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve kujtojmë themeluesin e saj, Dom Prekë Ndrevashaj.  E kujtojmë Dom Prekën, jo vetëm si klerik dhe si atdhetar e humanitar, por edhe si udhëheqës largpamës, i cili me besimin dhe me patriotizmin e tij dijti të frymëzojë shqiptarët e këtij komuniteti drejtë së ardhmes.  Të asaj të ardhme që është sot Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve, me Dom Ndue Gjergjin në krye. Kjo kishë kur udhëhiqej nga Dom Prekë Ndrevashaj e tashti nga Dom Ndou i ka dhenë dhe vazhdon t’i japë edhe sot këtij komuniteti, Kombit dhe Kishës Katolike shqiptare, në përgjithësi, shpresë e frymëzim.

Ndonëse këtë viti jemi në përvjetorin e kujtimit të Nanës tonë Shën Terezes –dua të përshëndes me respekt një pjesëmarrës në këtë përvjetor, Dr. Dom Lush Gjergjin, biografin e madh të Nenë Terezës, i njohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht – por mbi të gjitha dhe mikun e të gjithë neve. Jemi krenarë me ju, Dom Lush! 

Nenë Tereza, kujdesej për të gjithë të varfërit pa dallim – Ajo nuk pyeste – para se të kujdesej për dike – nëse ishte katolik, mysliman, ortodoks ose ateist i pa fe, a po prej cilës krahinë ishte. Edhe Dom Preka ishte besnik ndaj këtyre parimeve fetare dhe kombëtare tradicionale për ne — bashkjetesës fetare ndër shqiptarët. Por, ai ishte besnik edhe ndaj parimit se edhe kundërshtarit i duhen njohur vlerat, meritat, të drejtat politike dhe liria e fjalës. Si i tillë, Dom Preka kishte një respekt të madh për Zërin e Amerikës — ku unë kam punuar për tre dekada — siç ve në dukje edhe autori Zef Përgega në librin e tij, “Kristale Dukagjini”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Dom Prekës. 

Të nderuar pjesëmarrës — Është meritë e kësaj kishe – themeluesit të saj Dom Prekë Ndrevashajt dhe e famullitarit aktual, Dom Ndue Gjergjit – që ndonëse Kisha Pajtore e Shqiptarëve — në thelb dhe në temel — është një qëndër e krishtërë katolike – kjo ka qenë, është dhe jam i bindur se do të mbetet një qëndër ku, përveç fjalës së Zotit, predikohen me zemër e me shpirt ndjenjat e shqiptarizmës, bashkjetesës fetare, vlerave të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, për të gjithë shqiptarët kudo gjënden dhe pa dallim.

Disa prej nesh, e njohëm Dom Prekën në kohën kur kishim më së shumti nevojë për të: në kulmin e luftës së ftohtë midis komunizmit terrorist të lindjes dhe demokracisë perëndimore. Në një kohë kur disa të rinjë malësorë të brezit tim dhe të Dr. Gjekë Gjelaj, aktivistit të njohur të kësaj famullie për dekada — në atë kohë – prej Dom Prekës, mendja na ishte ndriçue drejt vlerave të demokracisë perëndimore, megjithse nuk i njihnim ende aq mirë. Gjatë qëndrimit tonë në kampet e Italisë, në Dom Prekë Ndrevashajn, ne gjetëm një burr dukagjinas, një klerik dhe një patriot, i cili me ndjesitë e tij njerëzore dhe fetare, na ndihmoi rrugëve të botës, pa asnjë interes as dobi personale. Në personin e Dom Prekës, ne gjetëm Patriotin e shquar të idealeve për një Shqipëri e Kosovë me Zotin, të përparuara, në qytetërimin perëndimor – besim ky që pasqyrohej gjithmonë në vlerat, veprat dhe fjalët e tija. Pa Dom Prekë Ndrevashaj dhe klerikëve të tjerë shqiptarë të tre feve– megjithse kanë kaluar 50-vjet – dyshoj se komuniteti shqiptar në Amerikë do të ishte ky që është sot, në shumë pikëpamje.    

Dom Ndue, u përgëzoj Ju dhe famullinë që, njëkohësisht, kujtoni e përjetoni trashëgiminë e mikut tonë të përbashkët – mikut të shumë shqiptarëve, pa dallim feje a krahine. Sepse kështu nderoni veten dhe trashëgiminë e Dom Prekës me të cilën pasurohet shpirti i kësaj famullie e i këtij komuniteti, ndërsa rritet bujaria Juaj dhe begatohet Kisha edhe shpirti i Kombit.

Me festimin e 50-vjetorit dhe me kujtimin e themeluesit të Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prekë Ndrevashaj, ju po kujtoni të shkuarën por, njëkohësisht, Ju po ndërtoni të ardhmen. 50-vjetori i themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve – është një përvjetor i art – golden anniversary – që ve në dukje trashëgiminë fetare dhe kombëtare, lenë pas nga Dom Prekë Ndrevashaj, por që shënon dhe kremton gjithashtu arrijtjet dhe sukseset e udhëheqsit aktual të kësaj famullie Dom Ndue Gjergjit dhe antarëve dhe Këshillit të përkushtuar të kësaj famullie, gjatë viteve.

Më në fund, Zonja dhe Zotëri — Urimet e mia më të përzemërta për këtë jubile historik.  Uroj që të vazhdoni, lumnisht, në veprimtarinë tuaj fetare dhe atdhetare – si përherë, në dobi të Kishës, identitetit dhe vlerave të Kombit – për Fe, Atdhe e Përparim – duke u përgëzuar të gjithë ju — me fjalët e mikut të ngusht të Dom Prekës, bashkpuntor i ngusht i të Madhit Ernest Koliqit me rastin e themelimit, “Për këtë veprimtari frytdhënse, duke ju uruar vazhdim të mbarë në këtë ndërmarrje të nisun me kaq zell e vullnet”, 50-vjetë më parë.  Ashtuqë, në fund të udhtimit tonë mbi këtë planet, secili prej nesh të mund të thotë me At Gjergj Fishtën: “Po vdes i kënaqur përse gjithë jetën teme ia kam kushtuar Fesë dhe Atdheut…”.

Po e mbyll këtë fjalë modeste, të përndershmit fetarë dhe të nderuarit e mijë vëllëzër e motra, të gjithë sa jeni, në shërbim të Zotit dhe të Atdheut, duke ju dëshiruar, bekimet e të Madhit Zot, sot dhe përgjithmonë! Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin Shqiptar, ndër shekuj! Zoti e bekoftë famullinë tuaj, Zoja Pajtore e Shqiptarëve, sot në këtë 50-vjetor, dhe gjithmonë!

Ju falënderoj nga zemra për ftesën dhe për durimin!”

Frank Shkreli*

*Në pamundësi për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore, fjala e autorit u lexua nga Huana Kurti – protagoniste e protestës së parë anti-komuniste në

mbarë Shqipërinë – për rrëximin e bustit të diktatorit komunist sovjetik, Stalin.

Disa foto nga Festivali (shtator, 2022) i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield të Miçigenit

May be an image of 3 people, people standing and outdoors

May be an image of one or more people, people standing, outdoors and crowd

Nga e djathta, Imam Vehbi Ismajli, Dom Jak Gardini, Dom Prekë Ndrevashaj(themeluesi I Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve) dhe Padër Andre Nargaj – Dom Jak Gardini me kombësi italiane, nxënës i Dom Ndre Mjedës kakaluar një dekadë në burgjet e regjimit terrorist të Enver Hoxhës. Me porosi të Dom Prekë Ndrevashaj, Dom Gardini – të cilin e kam njohur në kampin e refugjatëve politikë në Trieste (1969) — mundësoi largimin tim nga ai kamp, për ndryshe, autoritetet italiane do më kishin këthyer nga kisha ardhur, siç ndodhi me shumë bashkombas tanë, në fillim të viteve 1970-ave. I përjetëshëm qoftë kujtimi i këtyre dy burrave fetarë e humanistë.  Këta dhe të tjerë udhëheqës fetarë shqiptarë në Amerikë, gjatë shekullit të kaluar, përfshir edhe Baba Rexhepin, Mons. Dr. Zef Oroshin dhe para tyre të Madhin Fan Nolin, kanë venë bazat e një bashkpunimi dhe bashkjetese fetare të pashoqtë në Shtetet e Bashkuara. Pasqyrim i vërtetë i kësaj bashkjetese shembullore vazhdon të jetë edhe Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve – në këtë 50-vjetor — në Southfield të Detroitit, nën udhëheqjen e Dom Ndue Gjergjit.

                                 See the source image     See the source imageBaba Rexhepi i Qendrës Bektashiane në Detroit dhe Dom Prekë Ndrevashaj, dy klerikë të dalluar ndër shqiptarë dhe dy burra të përkushtuar ndaj ndaj Fesë dhe Atdheut!

May be an image of 1 person

Dokumentar, Dom Prek Ndrevashaj, Kisha Zoja Pajtore, Zef Pergea, Marash Mirashi

Famullitari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Ndue Gjergji me Papa Françeskun

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 193
  • 194
  • 195
  • 196
  • 197
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT