• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR SHPIRTIN DHE FRYMEN VATRANE TË AGIM KARAGJOZIT “NDER I KOMBIT”- KUJTESË- KATER VJET PA AGIM KARAGJOZIN, KRYETARIN E VATRES

April 1, 2022 by s p

NGA DALIP GRECA/

1 Prilli shënon ditën e mbrame dhe kalimin në amshim të Kryetarit të Federatës VATRA për dy dekada Ing.Agim Karagjozi. Ai na la pas nja Vatër të bashkuar, kombëtare dhe antikomuniste. U mbushën kater vjet nga dita që shkoi të pushojë”Nderi i Kombit” , “Qytetari i Nderit i Gjirokastrës”, atdhetari i nderuar me Urdherin e Shqiponjes nga Presidenti i Shqipërisë, me Medaljen e Lidhjes se Prizrenit nga Presidenti Rugova etj…. Në përcjelljen e fundit iu bënë të gjithë nderet që meritonte; si njeri fisnik, patriot i palëkundur, antikomunist i pa kompromis, si bashkshort, si prind, si gjysh,si qytetar amerikan, dhe si vatran shembullor;- Noli do të thoshte se ai ishte vatran i dimrit e i beharit- 60 vjet në Vatër, dy dekada Lidër i saj, 18 Vjet President i Vatrës, zv/kryetar i Vatrës. Një CV e pasur që do ta kishte zili kushdo. Ai dha për Vatrën gjithçka kishte, por mbi të gjitha shpirtin e tij e njësoi me shpirtin dhe frymën e Vatrës, frymën Kombëtare, kundër përcarjes. Po po, Vatra është Frymë, është shpirt. Është frymë Kombëtare, është shpirt atdhetar, ai që nuk e ndjenë këtë nuk mund të bëhet vatran i përkushtuar. Na e përcolli këtë aksiomë Persidenti Karagjozi! Nuk mjafton që ta shprehësh me fjalë se je me frymën e Vatrës, apo se je i gatshëm të përcjellësh frymën e Vatrës, jo, nuk mjafton ta thuash, port a bësh- duhet që brenda vetes të plazmosh frymën e Vatrës, jo të përcarjes. Përcarja nuk . ka shërbyer Vatrës në 109 vitet e jetës së saj. Vatar është familja e madhe vatrane, por askush nuk mund ta “privatizojë” atë për familjen e vet apo për një grup të pakëqaurish. Titujt dhe dneret që të jep Vatra duhet t’i meritosh derisa të mbyllësh sytë!Agim Karagjozi i dha Vatrës energjitë e shpirtit të tij, i dha të gjithë kohën e tij, sakrifikojë edhe familjen për Vatrën dhe Çështjen Kombëtare. Por familja e mirëkuptoi dhe i ndihu aq sa mundi. Djali i madh, Zuhdiu, që mbanë emrin e gjyshit, iu bë krah edhe në Vatër dhe u përfshi në nismat e babait në ndihmë të Vatrës. Ndërtesa e sotme e Vatrës është një nga dëshmitë-provë të kontributit të binomit babë e bir, por edhe i vatranëve që me kursimet e tyre paguan vlerën e ndërtesës.Në fjalën përcjellëse që mbajti i biri në ditën e përcjelljes, kushdo që e dëgjoi u emocionua, tek shprehu plot emocione krenarinë e birit për të Atin; mbi të gjitha ai ndjehej krenar pse babai i tij po përcillej e po vlerësohej edhe në çastet e mbrame si një patriot i paepur, si intelektual, si njeri bujar, që dha gjithçka për Vatrën Shqiptare të Amerikës. Vetë Zuhdiu e cilësoi babanë njeri vetmohues, që mbi gjithçka vuri interesin e Kombit të vet dhe luftoi për Lirinë e tij. Agim Karagjozi me brezin e vet të patriotëve nacionalistë, ishin zotuar për t’i kthyer lirinë Atdheut. Dhe tashmë nuk është më sekret të dihet se shtetësinë amerikane, ai e mori pas shembjes së komunizmit. Vetëm përfaqësuesit e denjë të Elitës nacionaliste mund ta bënin këtë sakrificë. Agimi ishte një nga ata.Edhe pse Vatra nuk “lulëzoi” numerikisht në dy dekadat që e drejtoi Kryetari Agim Karagjozi, ajo do të mbahet mend për qëndresën dhe kryrjen e obligimeve ndaj Kombit, edhe pse me pak anëtarë. Vatra ishte kudo ku e kërkonte interesi Kombëtar, ku e kërkonte Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët, ishte në Washington e Tiranë, në Prishtinë e Shkup. Vatra me Karagjozin në krye, luftoi për sjelljen e demokarcisë dhe duartrokiti ardhjen e saj,për të cilën vatranët kishin luftuar për gati gjysëm shekulli.Rrëzimi i shtetit demokratik në vitin 1997 e pezmatoi kryetarin Karagjozi dhe ekipin e tij vatran. Qëndrimi ishte i prerë: Shteti u rrëzua me dhunë, me mashtrim pirmaidal, dhe ndihmë nga jasht, aleatët antikombëtar të socialistëve. Vatra nuk e njohu shtetin e komunistëve të rikthyer në pushtet pa “larë hesapet” me të shkuarën dhe shkaktarë të së keqes. Dhe ja si e argumentonte Kryetari i Vatrës këtë qëndrim të prerë : “Jo, nuk e njohim qeverinë komuniste që ka ndryshuar vetëm emrin.Mbetet i pakontestueshëm fakti se ajo qeveri e mori pushtetin, më 1997, me rrugë të paligjshme, me nxitjen dhe drejtimin e një tërbimi barbar, që terrerorizoi popullin, rrënoi vendin dhe e zhyti shtetin shqiptar në një anarki katastrofike sa që e çoi atë në pragun e copëtimit dhe shpërbërjes së tij. Egërsia komuniste nuk njohu kufi në krimet dhe shkatërrimin e poshtrimin e atdheut para etjes së pafrenueshme për të rihedhur në dorë kontrollin e shtetit. Ajo qeveri jo vetëm është e paligjshme, por shumë prej anëtarëve të saj janë përgjegjës për veprime kriminale kundër interesave të kombit shqiptar, për të cilat duhet të japin llogari.”Kështu arsyetonte Kryetari i Vatrës dhe kështu vendosi Vatra. Në logjikën e kryetarit dhe ekipit që i shkonte me besim pas kjo mosnjohje prej Vatrës le të gjykohej nga historia nëse ishte në kahjen e duhur apo jo.“Vatra” si organizatë kombëtare me tradita gati njëshekullore mbanë përgjegjësinë t’i shohë zhvillimet politike në botën shqiptare në dritën e së vërtetës për interesat kombëtare dhe zhvillimin e demokracisë, gjykonte Kryetari Karagjozi. Ajo duhet të marrë qëndrime parimore, pa bërë lojë politike dhe lëshime që do të komprometonin emrin e saj, siç do të ishte njohja e qeverisë së 97-tës. Le të mbetët e regjistruar për gjithë kohën se në këto vite, kur Shqipëria dergjet kokë-ulur, e dërmuar nga bëmat e bijve të saj bastardë komunistë dhe e indinjuar nga arbitrariteti dashakeq i ushtruar nga jashtë, “Vatra” nuk e la të shuhet zërin e protestës shqiptare. Dhe Vatar protestoi këtu në SHBA dhe në Tiranë. Në krye ishte ai, Kryetari karagjozi dhe ekipi i tij.Kryetari i Vatrës që kishte rrëmbyer armën për liri në radhët e Ballit Kombëtar që në rininë e hershme dhe kishte shkuar deri në Kosovë për ta çliruar, nuk mund të ndjehej i qetë në kohën kur Kosova po kallej flakë prej hitlerit të kohëve moderne, Sllobodan Millosheviçit. Mori bashkëpunëtorët e ngushtë dhe shkoi deri tek lufëtëtarët e Lirisë dhe së bashku me vatranët u dha shpresë për liri dhe u ndihu me sa mundi. Ishin kohë të vështira; në Shqipëri kaos, në Kosovë flakë, por Agimi nuk u friksua; shkoi me vatranët deri tek spitali ku luftonin për jetën me plagë në trup bijtë e Kosovës e të Shqipërisë, dërgoi ndihma mjeksore dhe dollarë të mbledhira nga vatranët. Kryetari Karagjozi do të mbahet mend edhe si”nikoqir” i Vatrës: ai mblodhi kurseu dollarët e fushatave të Vatrës, kryesoi fondin e banesës, kryesoi fushatën për ndihma në Kosovë, kryesoi fushatën për ndihma gjatë përmbytjeve në Shkodër etj. Trashëgimia e Agim Karagjozit është vlerë për Vatrën e sotme dhe duhet t’i shërbejë vatranëve si model përkushtimi. Ajo çfarë tha i biri, Zuhdiu në fjalën e tij përcjellëse në ceremonine e varrimit diten e percjelljes, nuk duhet marrë thjesht si vlerësim i të birit për babanë e tij, por si përcjellje mesazhi nga një gjeneratë tek tjetra. Ai tha se ikja e Agimit shënon fundin e një epoke, por varet nga ne, gjenerata e re, për ta mbajtur të fortë flakën e shqiptarizmit. Epoka e Agim Karagjozit kishte për moto:Vendosni interesin e Kombit mbi gjithçka.Vatranët do ta kujtojnë kryetarin e tre edhe si”kosovari” nga gjirokastra sic e epitetoi gazetari, ish Drejtori i Radios Zeri I Amerikës pëe Euro –Azinë Frank Shkreli, në artikullin e tij përcjellës publikuar në Dielli.Vatra nuk do t’ia harroje Kryetarit te saj edhe shtepine qe ka sot. Ato para me te cilat u ble shtepia u mblodhen dhe u ruajten nga Agim Karagjozi. Nuk mund te harrohet edhe kontributi qe dha i biri Zuhdi Karagjozi ne gjetjen dhe blerjen e asaj shtepie, duke i bere e gjitha sherbimet pa shperblim.Pusho në Paqë Agim Karagjozi, idelaisti, nacionalisti, vatrani i përjetshëm. Vatranët nuk do të harrojnë kurrë.

Filed Under: Opinion

Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe roli i Austro-Hungarisë

April 1, 2022 by s p

Instituti i Historisë/

Instituti i Historisë dhe Ambasada Austriake në Tiranë organizuan konferencën shkencore “Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe roli i Austro-Hungarisë”. Konferenca mbahet në kuadër të aktiviteteve të 110 vjetorit të Pavarësisë dhe 100 vjetorit të marrëdhënieve zyrtare. Fokusi kryesor i konferencës ishte trajtimi i rolit të Austro-Hungarisë në raport me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar duke u bazuar kryesisht në botimet sintetizuese të historisë së shqiptarëve, në tekstet shkollore të historisë, në shtypin shqiptar të kohës dhe botimet profesionale të Institutit të Historisë. Mesazhet kryesore të konferencës u përcollën nga drejtori i Institutit të Historisë Prof. Afrim Krasniqi dhe ambasadori i Austrisë zoti Christian Steiner. Refertues në konferencë ishin Prof. Beqir Meta, Prof. Ledia Dushku, Prof. Edmond Malaj, Dr. Edon Qesari, ekspertja e programeve mësimore të historisë Fatmiroshe Xhemalaj, si dhe Dr. David Schriffl, i ardhur posacarisht nga Vjena, drejtues në MPJ të Austrisë. Pjesëmarrës në konferencë ishin ambasadorë, studiues, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve kryesore.Midis historianëve nuk ka dallime në njohjen e vlerësimin e tezës se Austro-Hungaria luajti rol thelbësor në mbështetjen e shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe në njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri më 1914. Ky është një nga rastet e rralla historike ku vlerësimi shkencor përputhet me perceptimin publik dhe mediatik. Sic u theksua në Konferencë, Vjena ishte kryeqendra e studimeve albanologjike, e platformës të “Kultusprotekorat” përpara Pavarësisë, e formimit dhe promovimit të një elite të re politike e kulturore më formim kombëtar, – përpara se të konfirmohet si kryeqendra mbështetëse e Pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të shtetit të ri.Gjatë dekadës së fundit Instituti i Historisë ka botuar dhe vijon të botojë vëllime me dokumente historike që lidhen me marrëdhëniet e Shqipërisë me Austro Hungarinë në vitet e para të shtetformimit. Konkretisht, janë botuar 7 vëllime me dokumente për vitin 1912, 8 vëllime me dokumente për periudhën 1914, 3 vëllime me dokumente për periudhën përpara Pavarësisë, si dhe janë në proces vlerësimi për botim në të ardhmen 9 vëllime të tjera, 6 vëllime për vitin 1913 dhe 3 vëllime për periudhën përpara 1912.

Filed Under: Opinion

VATRA PROMOVON MË 5 PRILL 2022 LIBRIN “NEVER FORGET- MOS HARRO KURRË” NGA NUSRET PLLANA DHE AGIM ALIÇKAJ

March 29, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA do të promovojë më 5 Prill 2022 në selinë qendrore librin “NEVER FORGET- MOS HARRO KURRË” me autorë Nusret Pllana dhe Agim Aliçkaj. Promovimi bëhet në nder të përkujtimit të Epopesë së UÇK-së. Përulemi para luftëtarëve të lirisë.-Në shenjë respekti e falënderimi për NATO-n dhe Amerikën.-Gjenocidi serb ishte i tmerrshëm i vazhdueshëm dhe i planifikuar nga shteti kriminal serb bashkë me Akademinë e shkencave dhe Kishën ortodokse serbe.-Serbia është bombarduar dhe dëbuar nga Kosova, por nuk është dënuar për gjenocid. Kriminelët e luftës shëtiten të lirë nëpër Serbi dhe udhëheqin me Serbinë.-Nuk ka forcë që mund t’a detyron popullin shqiptar të bëj kompromise, pa pëlqimin e tij, me lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin teritorial të Kosovës” janë disa prej mesazheve kryesore të librit.Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar që të marrë pjesë.

Filed Under: Opinion

STUDIUESI ZYMER NEZIRI BOTON NJË VEPËR TË RRALLË PËR EPOSIN E KRESHNIKËVE NË BALLKAN

March 29, 2022 by s p

Prof. Asoc. Dr. Albin Sadiku/

(Zymer Ujkan Neziri,  Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021, ISBN 978-9951-24-146-5, 616 f.)

Vepra e radhës e prof. dr. Zymer Ujkan Nezirit, Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, është libër për projektin kërkimor – shkencor ’’Eposi i Kreshnikëve – monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni, Serbi’’, 2012 -2014 – 2016, i njohur me emrin Projekti E5, pra, ku përfshihen dhe Maqedonia Perëndimore, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Kraja e Tivarit dhe Malësia e Madhe me qendër në Tuz. Projekti E5, i hartuar, i udhëhequr dhe i realizuar me sukses në pesë shtete të Ballkanit, nga autori i librit dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve, i miratuar për realizim nga Instituti Albanologjik dhe Ministria e Shkencës, është vepër e rrallë dhe e para e këtij lloji ndër ne, në folkloristikën shqiptare.

Duke qenë pjesëtar i këtij projekti, më të madhit të këtij lloji në fillim të këtij shekulli, kam pasur nderin të punoj me hartuesin dhe drejtuesin e tij, studiuesin Zymer U. Neziri. Kam marrë pjesë nga nisja, më 2011, së bashku edhe me studiuesin Shaban Sinani. Pastaj, në vijim, rreth një vit, edhe edhe me grupin e pasues të studiuesve, më 2013: Zeqirja Neziri, Bashkim Lajçi, Begzad Baliu, Vlorë Fetaj-Berisha, por vetëm deri më 2014, kur Projekti E5 u mbyll zyrtarisht nga Ministria. Pjesëtarë jo të rregullt të Projektit E5 ishin Hamit Xhaferi, Fazli Hajrizi, Nebih Balaj, Anton Prenkoçaj. Bashkëpunëtorë ndërkombëtarë –ekspertë të jashtëm ishin: prof. David Elmer, Universiteti i Harvardit; prof. Nicola Scaldaferri, Universiteti i Milanos. Ka pasur edhe rreth 90 realizues vullnetarë të dalluar dhe disa qindra studentë, që kanë punuar në nënprojektin e pyetësorëve për Eposin e Kreshnikëve.

Që në fillim dua të theksoj se ky libër, Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, kushtuar Projektit E5, është i ngjashëm, siç thotë edhe autori,  me një botim amerikan të Universitetit të Harvardit për projektin e profesor Millmen Perit (Milman Parry) në Ballkanin Perëndimor, 1933-1935.

Autori, Z. U. Neziri, e hap librin me një parathënie shumë të plotë, ku thekson se Eposi i Kreshnikëve është monument i trashëgimisë sonë dhe një nga vlerat më të lashta poetike, por, tash është në rrezik dhe para zhdukjes, ashtu si eposet e tjera të Evropës. Pra, thotë ai, mbledhja urgjente e këngëve dhe e tregimeve të këtilla në pesë shtete të Ballkanit, në kuadër të projektit E5, ishte nevojë e domosdoshme në fillim të këtij mijëvjeçari, 2012-2016. Ai është edhe material dëshmues i ekzistencës së tij, për dosjen i përgatitur për UNESCO, ku ai është kryetar i Komisionit qeveritar.

Ai ka pasur parasysh edhe përfundimin e jetës së gjallë të eposeve evropiane, nga Spanja, Portugalia, Franca, Gjermania, Anglia, Irlanda, Islanda, Polonia, Estonia e deri në Finlandë, si dhe ndryshimet e mëdha edhe në jetën e shqiptarëve dhe në kulturën e tyre shpirtërore, ku tashme nuk jetojnë shume lloje të lirikës së pasur, prandaj kërkohen masa mbrojtëse për Eposin, thotë ai.  

Autori flet se Eposi i Kreshnikëve është hallkë e epikës ilire, sipas dëshmive historike, arkeologjike e gjuhësore dhe se lidhet me ardhjen e sllavëve të Jugut në Iliri, duke përmendur rezultatet e  studiuesve M. Lamberc, R. Katiçiq, A. Stipçeviq, Shtjefen Gjeçovi, Bernardin Palaj, Donat Kuti, Zihni Sako, Anton Çetta, Agnja Desnickaja, Qemal Haxhihasani, Demush Shala, Ishtvan Shyc, Enver Mehmeti, Shaban Sinani, Nikolla Skalldaferi, Aleks Buda, Selami Pulaha, Andromaqi Gjergji, Mark Tirta, Pirro Miso etj., kurse legjendariteti ruhet ende në këngë të kreshnikëve e në tregime, krahas qenieve mitike, sidomos të Orës dhe të Zanës, si dhe mitikes e fantastikes, ndërsa kundërshtarët e tridhjetë kreshnikëve ende quhen shkje e shkije, konstaton ai.

Po ashtu ai shton se deri në vitin 2012, pra, nga fillimi i botimit të Eposit, më 1897, ishin shënuar rreth gjysmë milioni vargje të këngëve e të motërzimeve për kreshnikët. Por, mbledhësit e Eposit të Kreshnikëve dhe studiuesit në Tiranë e në Prishtinë e dinin se ende nuk kishte përfunduar puna në terren, prandaj u realizua Projekti E5, i hartuar nga ai, që e pasuroi fondin kombëtar edhe me mbi 100 mijë vargje.

Autori i librit Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, jep të dhëna të hollësishme për punën e vet në Ballkan, në Projektin E5, gjatë rreth treqind ditëve në terren me kameramanin Baton Z. Neziri, në vitet 2012-2016, po edhe të trefish më shumë ditëve në kabinet. Shtoja kësaj edhe dhjetëra ditë të pjesëtarëve të Projektit dhe rreth gjashtëqind ditë të bashkëpunëtorëve të terrenit – realizues vullnetarë, që punuan me pagesë, për t’i shkruar tekstet e diktuara nga këngëtarët.

Me interes janë edhe të dhënat  e tij që flasin për tri format e ekzistencës së epikës heroike legjendare shqiptare: forma e kënduar, forma e recituar dhe forma e treguar. Pra, aty janë faza e tashme e jetës së Eposit në krahinat etnogjeografike të Republikës së Shqipërisë, ana veriore, krahinat e Republikës së Kosovës, si dhe krahinat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi e të Serbisë. Ai përmend  veçimin e tri llojeve të këndimi të këngëve të kreshnikëve: këndimi i një këngëtari (solo), këndimi në dysh (duet), si dhe këndimi grupor shumëzërësh (polifonik) në anën perëndimore të Maqedonisë së Veriut, thotë autori.

Kanë peshë me rëndësi për etnomuzikologjinë edhe të dhënat e studiuesit Zymer U. Neziri,  për lahutën, veglën më të vjetër kordofone me një tel në Evropë, që vazhdon ende jetën e vet në disa vise shqiptare në Ballkanin Perëndimor, sidomos në zonat e thella të Malësisë së Madhe, të Dukagjinit, të Nikajve e të Mërturit, të Malësisë së Gjakovës, të Rugovës etj. Për vazhdimin e jetës së saj, shkruan ai, punën e vet po e bëjnë edhe lahutapunuesit, madje, ajo vazhdon jetën e vet edhe në ato familje ku nuk ka fare lahutarë dhe në odë mban vendin e nderit, zakonisht mbi oxhak, sipas traditës së kultit ndaj saj.

Mirëpo, ndër rapsodët e Eposit të Kreshnikëve dëshmohet se tash ka më pak lahutarë, por janë edhe rreth njëqind e njëzet sish, mirëpo janë më shumë përdorues të sharkisë, thotë ai. Veglat e tjera në përdorim janë: çiftelia, primi, violina, fyelli, kavalli. Zakonisht përdoret një vegël muzikore për shoqërimin e këngës së rapsodit, por ka raste të përdorimit të menjëhershëm edhe të dy e tri veglave për shoqërimin e këngës së rapsodëve, thotë ai. Autori sjell edhe të dhëna të tjera me interes etnomuzikologjik se në terren, gjatë realizimit të Projektit E5, 2012-2016, janë gjetur mjaft raste të mospërdorimit të veglave muzikore, kryesisht në anën perëndimore të Maqedonisë se Veriut.

Autori po ashtu jep të dhëna me shumë peshë për metodologjinë e realizimit të punës kërkimore-shkencore në Projektin E5, për këngët e hulumtuara, të shkruara dhe të incizuara me kamerë, për të cilat është plotësuar pyetësori për skedën e vogël të këngës, me të dhënat kryesore biografike të rapsodit, repertori, mësuesi i tij, mësimi i këngëve drejtpërdrejt, ose nga magnetofoni, apo nga libri e të tjera, si dhe tradita e këndimit të eposit heroik legjendar në familje, në katund dhe në krahinën e tij.

Në librin Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, autori ofron për lexuesin e studiuesin edhe të dhëna metodologjike shumë me vlerë se gjatë realizimit të Projektit E5. Ai ka zbatuar edhe plotësimin e pyetësorit të skedës së madhe të këngës, gjatë këndimit të saj nga rapsodi, pyetësor për mbi 200 këngë të incizuara me kamerë nga Baton Z. Neziri, që bën pjesë ndër veprimet më të rëndësishme metodologjike kërkimore – shkencore në fushën e epikologjisë.

Skeda e madhe e këngës, thotë ai, përmban të dhënat e tij të hollësishme për këngën e kënduar: emri i rapsodit, vendi i këndimit e data, numri i të pranishëmve në odë, emri i instrumentit muzikor, minutazhi i këndimit, shpejtësia e këndimit të vargjeve në minutë, numri i vargjeve të kënduara, tema, motivi, personazhet, toponimia, llojet e armëve, dyluftimi, fundi i ndodhisë, legjendariteti, qeniet mitike, numrat mitikë, poetika e kohës, poetika e hapësirës, formulat e fillimit, të mesit e të fundit në këngë, figuracioni poetik, pamjet poetike, përshkrimet, portretet e kreshnikëve, tiparet etike e morale, kodeksi i nderit kreshnik, rrëfimi epik, digresioni, leksiku vendor, pushimet muzikore, pushimet teknike etj. Nga ky material ai ka krijuar Arkivin e Projektit E5, pjesa shkrimore dhe pjesa e incizimeve.

Autori, Zymer Ujkan Neziri, në pjesën qendrore të këtij libri, kushtuar Projektit E5 2012-2016, ’’Eposi i Kreshnikëve – monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi’’, rendit skeletet e 15 vëllimeve me të gjitha të dhënat e përmbajtjes së tyre, me një korrektësi të rrallë shkencore. Aty janë, nga emri i institucionit dhe emri i projektit, emri i hartuesit e bartësit të tij, emrat e pjesëtarëve të tij, të bashkëpunetorëve – realizues vullnetarë, e deri te ekspertët e jashtëm. Pastaj, aty janë renditur edhe emrat e këngëtarëve e të tregimtarëve të vëllimit, datat e lindjes (për disa edhe e vdekjes), vendi dhe krahina, data e shënimeve biografike, repertori, data e shkrimit të teksteve, numri i vargjeve ose i rreshtave, emri i shkruesit, data e incizimit të këngëve, emri i incizuesit, minutazhi dhe, në fund, një përmbledhje e të dhënave kryesore të vëllimit.

Renditja në këtë libër e skeleteve të 15 vëllimeve me këngë dhe tregime, që kanë mbi 100 mijë vargje, është: Vëllimi I E5: Kraja e Tivarit, Malësia e Madhe (Tuz e Koplik), Dukagjini; Vëllimi II E5: Plava e Gucia, Rozhaja, Malësia e Gjakovës, Hasi, Luma; Vëllimi III E5: Nikajt, Mërturi, Lezha, Kurbini, Mirdita; Vëllimi IV E5: Rugova; Vëllimi V E5: Rrafshi i Dukagjinit, 1; Vëllimi VI E5: Rrafshi i Dukagjinit, 2; Vëllimi VII E5: Llapusha, 1; Vëllimi VIII E5: Llapusha, 2; Vëllimi IX E5: Drenica, 1; Vëllimi X E5: Drenica, 2; Vëllimi XI E5: Shala e Bajgorës; Vëllimi XII E5: Rrafshi i Kosovës; Vëllimi XIII E5: Llapi; Vëllimi XIV E5: Gallapi; Vëllimi XV E5: Maqedonia e Veriut, ana perëndimore. Renditja e vëllimeve, I-XV, u bë, thotë autori,  sipas shtrirjes gjeografike të krahinave, kurse disa sosh, dy e më shumë, nga varësia e vargjeve, janë bashkuar në një vëllim, e disa janë ndarë në dy vëllime, se kanë pasur shumë vargje.

Pas pjesës qendrore të librit, janë renditur katër pasqyra: Pasqyra të XV vëllimeve të Projektit E5 të Eposit të Kreshnikëve: këngëtarët, tregimtarët e bashkëpunëtorët – realizues vullnetarë në Ballkan, 2012 – 2016; Pasqyra të shkurtra të vëllimeve I-XV të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan, 2012 – 2016; Pasqyrë e këngëtarëve dhe e tregimtarëve të vëllimeve I-XV të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan, 2012 – 2016; Pasqyrë e bashkëpunëtorëve në terren- realizues vullnetarë të Projektit E5 në Ballkan, 2012 – 2016.

Pas katër pasqyrave të hollësishme, në libër pasojnë dy vlerësime nga ekspertët e jashtëm për Projektin E5 të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan, anglisht dhe shqip: Dejvid F. Ellmer, Profesor i Klasikes, Kurator i Asociuar, Koleksioni i Letërsisë Gojore i Millmen Perit, Universiteti i Harvardit, Kembrixh, Ma, SHBA, si dhe Nikolla Skalldaferi, Profesor i Etnomuzikologjisë dhe i Antropologjisë së Muzikës, Universiteti i Milanos, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore dhe Mjedisore.Në vijim është Çmimi Europa Nostra për Projektin E5 të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan, anglisht dhe shqip: tekst nga Prof. Işık Aydemir, kryetar i Jurisë së Çmimeve të Trashëgimisë, kategoria Hulumtim, Hagë, 1 mars 2016, anglisht e shqip.

Edhe këto të dhëna vijuese të autorit kanë peshë shumë të madhe për lexuesit e studiuesit: në Projektin E5 kanë marrë pjesë rreth 300 subjekte terreni, këngëtarë e tregimtarë, nga viset tona, nga Kraja e Tivarit e deri në Kurbin dhe nga Malësia e Madhe deri në Kërçovë. Nga repertori i tyre janë evidencuar 865 njësi. Janë shkruar 502 këngë e motërzime, me 114 016 vargje, si dhe janë shkruar 123 tregime me 2 777 rreshta. Nga incizimet me kamerë të Baton Z. Nezirit, 5438,  e 27 sekonda, janë realizuar 32 tregime dhe 225 këngë, që kanë rreth 63 834 vargje. Por, punë ka mbetur për t’u kryer kryesisht në zonat nga Kelmendi deri në Kurbin, Pukë e Mirditë, thotë ai, për shkak të gatishmërisë së pamjftueshme të lahutarëve të atyre zonave për incizimin me kamerë të repertorit të tyre me këngë të kreshnikëve dhe të shkrimit të teksteve. Aty bën pjesë edhe Sanxhaku i Pazarit, për shkaqe politike.

Autori, në librin Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO, ka paraqitur edhe këtë pasqyrë me shumë interes për Projektin E5, 2012-2016: kanë kënduar mbi 1500-2000 vargje: Isë Llapçeva, Bajram Baja, Naim Krasniqi, Sinan Shala, Halit Gashi, Berat Musliu, Qamil Topilla, Selajdin Berisha, Jeton Fetiu, Kadri Zymeri; mbi 2000-2500 vargje: Ali Krasniqi; mbi 2500-3000 vargje: Kapllan Dauti, Hasan Hasani – Kçiqi, Milazim Krasniqi; mbi 3000-3500 vargje: Muharrem Gashi; mbi 3500-4000 vargje: Asllan Ademi – Shala, Imer Sefë Gashi, Osman Sefë Gashi,  Brahim Sefë Gashi; mbi 4500-5000 vargje: Sylë Hazir Mushkolaj, Januz Hazir Mushkolaj; mbi 5500-6000 vargje: Ajet Shala; mbi 6000-6500 vargje: Halil Kuliqi; mbi 6500-7000 vargje: Isë Elezi-Lekëgjekaj, Fehmi Nishefci. Ndonëse dy të fundit, kanë në repertor mbi 10 mijë vargje, kjo është tepër pak në krahasim me gjendjen para një gjysmë shekulli, kur mbi dhjetë mijë vargje i kanë kënduar shumë lahutarë e këngëtarë me sharki të Shqipërisë së Veriut në pesë vende të Ballkanit, e ndër ta, vetëm në Rugovë ishin shtatë sish. 

Ai ka vlerësuar edhe kontributin e këngëtarëve që kanë kënduar deri në 1500 vargje, sidomos lahutarin më të vjetër shqiptar, Gjokë Nonaj (Lezhë), tri lahutaret Ajshe Muriqi (Rugovë), Lumturie Nonaj (Lezhë) dhe Zyra Ahmetaj (Bytyç),  lahutarët Gjokë Kalaj (Grudë), Rrok Prenkoçaj (Triesh), Ahmet Duli (Shkrel), Zeqir Smajli (Plavë e Guci), Rrahmon Lajçi (Rozhajë), Mehmet Alia (Krasniqe) e Pjetër Matusha (Kurbin), këngëtarët Tahir Kurtishi (Kumanovë), Shefki Troja e Jashar Jashari (Kërçovë).

Shkruesit e teksteve të këngëve të Projektit E5, të diktuara nga këngëtarët, të hulumtuara paraprakisht dhe të incizuara me kamerë nga Baton Z. Neziri, janë vullnetarë terreni, sipas Rregullores, pra, nuk janë mbledhës, kurse me kontratë, për punën e kryer, janë shpërblyer sipas Rregullores dhe Tarifave në fuqi, të miratuara nga Ministria. Cilësia gjuhësore e këngëve dhe e tregimeve të shkruara në 15 vëllime të Projektit E5 është afërsisht e mirë, vlerëson autori, varësisht nga përgatitja gjuhësore e shkruesve, të cilët ishin studentë, arsimtarë me studime të kryera të shqipes ose të ndonjë lënde tjetër, studentë të masterit, doktorë shkencash, shkrues edhe nga profesionet jogjuhësore, si muzikolog, etnolog, jurist, politikolog, agronom etj., disa nga të cilët na kanë befasuar për cilësinë e mirë, thotë ai.

Këto 15 vëllime të Projektit E5, me këngë e tregime për kreshnikët, rreth pesë mijë faqe A4, duhet përgatitur për shtyp, sipas standardeve të larta profesionale, ku duhet të punojnë në ekip: epikologu, dialektologu dhe etnomuzikologu, thotë autori. Mirëpo, kjo fazë e dytë e punës varet krejtësisht nga mundësitë finaciare. Ai ka përgatitur edhe një antologji të Projektit E5 me këngë të përzgjedhuara dhe me përfaqësim të të gjitha viseve ku është realizuar ky projekt. Ai ka planifikuar e ka përzgjedhur tridhjetë këngë, ku ruhet simbolika e tridhjetë kreshnikëve.

Në Pasthënie, autori jep të dhëna se Projektin E5 e ka shtrirë edhe jashtë Ballkanit, në mërgatë, ku jetojnë shqiptarët, që nga Evropa Perëndimore e deri në Amerikë. Hulumtime të pjesërishme ka kryer kryesisht në Austri, Zvicër, Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Turqinë e përmend si vend ku patjetër duhet të kryhen këto hulumtime për Eposin.

Nga ata që e kanë vlerësuar lart realizimin e Projektit E5 dhe 15 vëllimet e tij në përurimet në Prishtinë, Shkup, Tiranë Cyrih e Tuz, mendimet e të cilëve, shkurtimisht, i ka paraqitur autori, po e veçojmë profesorin Dejvid Elmer (David Elmer) nga Universiteti i Harvardit, që thotë: ’’Dr. Neziri njihet si autoriteti kryesor i epikës shqiptare. Ai është gjithashtu koleksionisti më energjik dhe më pjellor dhe botues i këngëve epike shqiptare. Projekti i dr. Nezirit ka rëndësi të madhe, si për studimin e drejtë të epikës shqiptare, ashtu edhe për studimin e traditave epike evropiane në përgjithësi.’’ Në vijim, po e përmendim edhe profesorin arbëresh Nikolla Skalldaferi (Nicola Scaldaferri) nga Universiteti i Milanos: ’’Përgjegjësi i këtij projekti, prof. dr. Zymer U. Neziri, është një dijetar i njohur edhe në qarqet ndërkombëtare. Numri i vëllimeve të parashikuara e te kryera në përfundimin e këtij projekti, tashmë përbëjnë një arritje his-torike, si për kulturën shqiptare ashtu edhe për studimet epike’’.

Mirëpo, këtu autori shton dhe thotë: ndonëse pa dëshirë, nuk duket aspak e besueshme, por ky projekt i madh i përmasave ndërkombëtare dhe ndër më të mëdhenjtë për Eposin e Kreshnikëve në dy shekujt e fundit, nuk është vlerësuar ende nga Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik të Prishtinës, e cila e kishte miratuar vlerën shkencore dhe rëndësinë e tij, me rastin e paraqitjes në konkursin e Ministrisë ASHT. Ky projekt nuk është trajtuar drejt as nga Drejtoria e Shkencës e Ministrisë ASHT, shkruan ai. Drejtori i këtij organi shtetëror ka qenë gjithashtu i papërgjegjshëm ndaj këtij projekti shtetëror. Faza e dytë, 2014 – 2016, u krye me vetëfinancim. Pra, pësova vetëm unë dhe familja ime, thotë ai, kurse Projekti E5 shpëtoi, u realizua plotësisht, fitoi albanologjia dhe epikologjia botërore.

Autori i falënderon për mikpritje të gjithë rapsodët e tregimtarët, rreth treqind familjet e tyre, nga Kraja e Tivarit e deri në Kurbin e Kërçovë; shoqëruesit, që e kanë ndihmuar gjatë rreth treqind ditëve nëpër Ballkan, të cilat i kaloi me kameramanin Baton Z. Neziri; ekspertët e jashtëm, profesorët Dejvid Ellmer e Nikolla Skalldaferi; ekipin e rregullt dhe jo të rregullt të Projektit E5; qindra arsimtarë e studentë, që ndihmuan në plotësimin e mijëra pyetësorëve në shkolla; qindra studentë, që punuan në plotësimin e pyetësorëve të nënprojektit; rreth njëqind bashkëpunëtorë të terrenit – realizues vullnetarë; juristin Sylë Kasumaj dhe shumë të tjerë, që kanë ndihmuar dhe i janë gëzuar shumë realizimit të Projektit E5, që e kanë përkrahur edhe në çaste të vështira, siç thotë ai, të shkaktuara nga disa zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore të Kosovës, që punën në Projektin E5 e kanë penguar dhe e kanë ndërprerë zyrtarisht më 2014 dhe nuk kanë dhënë as afat shtesë edhe kur ai nuk kërkoi mjete financiare shtesë për përfundimin e punës në terren, që doli sa trefishi i planifikimit.

Studiuesi Zymer U. Neziri me të drejtë thotë se Projekti E5, 2012-2016, dëshmon ekzistencën e njërit ndër eposet më të lashta të Evropës, të eposit heroik legjendar shqiptar, që vazhdon jetën e vet edhe në fillim të këtij mijëvjeçari të tretë të kohës së re në pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor, prandaj ky material është dëshmi e pakontestueshme edhe për dosjen e Eposit të Kreshnikëve që do të paraqitet në UNESCO.  Për materialet e mbledhura e të incizuara të Projektit E5 mund të shkruhen edhe dhjetëra disertacione doktoratash nga epikologët, po edhe nga etnomuzikologët, dialektologët, fonetikanët, leksikologët, morfologët, sintaksologët, thotë ai.

Libri Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO i autorit prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, është projektuar  edhe në imtësitë më të vogla për paraqitjen e Projektit E5 2012-2016 dhe është punuar me përkushtim të madh, me kujdes të rrallë, me saktësi të pashoqe dhe është përfunduar sipas standardeve të larta teknike – shkencore, me shpresë, siç thotë autori, se do të hapet dera për pranimin e tij në UNESCO si pasuri e përbotshme dhe si thesar botëror i kulturës, që dosja të dorëzohet në Paris sa më parë, të regjistrohet në UNESCO dhe të konsiderohet thesar botëror i trashëgimisë etnokulturore.

Përvoja e autorit, mbi 40-vjeçare, e punës në mbledhjen e studimin e epikës gojore, sidomos në hulumtimin, incizimin e shkrimin e mbi njëqind mijë vargjeve të Eposit të Kreshnikëve në krahinën e Rugovës, në vitet 1979-1988, e tash edhe me mbi njëqind mijë të tjera në Ballkan, me Projektin E5, 2012-2016, studiuesin Zymer U. Neziri e bën mbledhësin më të dalluar të Eposit të Kreshnikëve ndër ne, në fondin e përgjithshëm, rreth gjashtëqind mijë vargje, sa ka nga G. Majeri (1897) e këndej, sepse një e treta e këtij fondi kombëtar ka kaluar nëpër duart e tij.

Me tekstet e rëndësishme edhe në gjuhën angleze, Parathënia, Hyrja e Pasthënia, po edhe me mendimet e studiuesve prof. Ellmer, prof. Skalldaferi e prof. Ajdemir, për Projektin E5, libri bëhet shumë i lehtë për përdorim edhe nga studiuesit e jashtëm.

Në fund, e përgëzoj autorin e librit Eposi i Kreshnikëve në Ballkan: Indeksi i Projektit E5, 2012-2016. Dëshmi dokumentare për UNESCO,  për këtë vepër shumë të rrallë në fushën e epikologjisë, kurse Instituti Albanologjik do jetë i nderuar me një botim të tillë nga epikologu Zymer Ujkan Neziri, që Eposin e Kreshnikëve e bëri edhe më të njohur në arenën ndërkombëtare, me ligjërata në shumë universitete dhe me kumtesa të mbajtura në konferenca shkencore ndërkombëtare në Ballkan, Evropë, Azi e Amerikë, nga Vjena e Parisi e deri në Kembrixh, në Universitetin e Harvardit, dhe në Pekin, në Akademinë e Shkencave Sociale të Kinës.

Filed Under: Opinion

“MUSIC THROUGH US”, PROMOVIMI I HISTORISË DHE IDENTITETIT KULTUROR KOMBËTAR NËPËRMJET MUZIKËS

March 28, 2022 by s p

Fatjona Matraku pianiste dhe profesoreshë e pianos në shkolla të muzikës në Paris prej 12 vjetësh, në një rrëfim për gazetën Dielli të Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpalos për publikun e gjërë historinë spektakolare të krijimit të reportazheve mbarëkombëtare “Music Through Us” ku promovon muzikën, historinë, kulturën, traditën dhe identitetin kombëtar shqiptar. Fatjona Matraku analizon me detaje nevojën për promovim ndërkombëtar të kulturës e muzikës shqiptare, kursin e pianos për fëmijët shqiptarë në diasporë dhe përpjekjen e vazhdueshme për promovim të talenteve e vlerave tona më të mira kudo në botë.

“MUSIC THROUGH US” DHE VLERAT ARTISTIKE, KULTURORE, HISTORIKE, GJEOPOLITIKE TË SHQIPËRISË

Gjatë karantinimit mu desh të përballesha me shumë sfida. Një ndër to ishte izolimi. Për ta luftuar atë, vendosa të krijoja një projekt që nuk më përfshinte mua personalisht, por të ishte diçka më e gjërë dhe e rëndësishme. Identiteti kombëtar është për mua thelbi i ekzistencës. Kështu nisa një rrugëtim disa mujorsh në një apartament të vogël në Paris dhe e quajta Music Through Us (Albania). Muzika Përmes Nesh është një seri reportazhesh ku paraqiten vlera të padiskutueshme artistike, kulturore, historike, gjeopolitike të Shqipërisë. Shqipëria, Mali i zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Çamëria, Arbëria, zbulohen hap pas hapi nëpërmjet një bisede duke u shoqëruar me imazhe, harta, dokumenta, arkiva të kohës…Për të kuptuar si është ngjizur muzika e një vendi, duhet të shohësh përtej e të kuptosh si është “i gatuar” ai vend. Kjo qasje mu duk mënyra me e mirë për të paraqitur një Shqipëri ndryshe në sytë e ndërkombëtarëve. Disa nga linqet për të ndjekur reportazhet: https://youtu.be/ee9aWyvMcU0, https://youtu.be/2h4jkR6_X0M, https://youtu.be/sAH2nbK2DpQ, https://youtu.be/FAx9OqoM60I, https://youtu.be/4zsMf7k7yAI, https://youtu.be/UWroX1s8hTc

MUZIKË DHE HISTORI, NJË RRËFIM NGA IKONAT SHQIPTARE

Kur miq ndërkombëtarë panë reportazhet e Music Through Us, u mahnitën nga aftësitë komunikuese, nga njohuritë dhe paraqitjen dinjitoze të secilit prej të ftuarve. Pëllumb Vorpsi si një kompozitor dhe ambasador i një familjeje të mirënjohur Tiranase, shtjellon historinë e qytetit dhe të muzikës shqiptare. Sami Flamuri, një shkrimtar dhe studjues i mirënjohur që të zgjon dëshirën për të njohur Malin e zi më nga afër. Vehbi Bexheti, studjues, albanolog, ish i burgosur politik, që përshkruan më së miri kalvarin e shqipëtarëve në Maqedoninë e Veriut. Fisnik Ismaili që prek me dëshminë e tij mbi betejën e Koshares. Silvana Licursi që përcjell kulturën arbëreshe përtej detit dhe surprizon me njohuritë e saj. Akademik Beqir Meta që tregon historinë e Çamërisë si askush tjetër. Të gjithë këta personalitete janë ambasodorët më të mirë për vendin. Janë ata që i japin vendit tonë vlera dhe na dhurojnë krenari.

DIPLOMACIA E KOSOVËS DHE SHQIPËRISË TË PROMOVOJË ARTIN SHQIPTAR

Patjetër që Shqipërisë nuk i mungon aftësia diplomatike, por besoj fort që mungon dëshira për të punuar përtej përfitimeve. Shqipëria dhe Kosova janë të papërfillshme kur vjen puna në shpalosjen e artit në botë. Ambasadat nuk luajnë rol nxitës për zhvillim. Kjo është një arsye përse ne, Shqiptarët e diasporës jemi të detyruar të bëjmë sa mundemi personalisht për sa i përket paraqitjes denjësisht të kombit sepse shpesh jemi vetëm ndërkohë që shtete të tjera bëjnë të pamundurën që të sjellin historitë e tyre nëpërmjet artit. Nuk duhet lënë pa përmendur që lahuta vazhdon e njihet si një instrument serb në UNESCO.  Dua të cek 2 ngjarje që më bënë të ndihesha mjaft e revoltuar: 1- Naissance De La Grèce Moderne 1675 ‐ 1919 (Lindja e Greqisë Moderne)

Nje ekspozite në muzeun e Louvrit që u ndoq nga miliona Framcez dhe njerëz nga e mbarë bota ku shfaqeshin në më të shumten e rasteve elemente arvanitase dhe çame. Të gjitha këto u paraqitën si greke, që nga veshja e Kryeziut, deri te pikturat për Marko Boçarin. 2-TRADITIONS D’ÉPIRE (traditat e epirit) Një koncert në sallën më prestigjioze Pariziene (Philarmonie de Paris) që u prezantua si një muzikë greke e lashtë. Është tepër e vështirë për një çame, që në mes të Parisit, të dëgjojë nga studjues të shquar që kjo muzikë na qënka greke. Është tepër e vështirë për mua që asnjë institucion shqiptar nuk tha asgjë për këto dy nisma. Kjo ka qënë një shuplakë që na ka dhënë shteti grek mbi kulturën tonë.

SHOQËRIA SHQIPTARE KULTURALISHT NË TRANZICION

Shoqëria shqiptare është në një udhëkryq të madh. Me dëshirën për ti ngjarë perëndimit, do të fshijë e shfarosi gjithshka ka ndërtuar apo trashëguar. Vrulli i modernizmit i ka marë përpara duke mos kuptuar që ky është një gabim fatal identitar!

Kudo që të shkosh, kushdo të duash të bëhesh, nuk mundesh kurrsesi ta arrish pa ditur nga vjen e pa i mbajtur ato vlera që të kanë bërë kush je. Këtë mund ta shohim mjaft qartë te shkatërrimi i arkitekturës. Tiranës ju shkatërrua Teatri Kombëtar. Janë shtuar vinça nëpër qytet sikur të ishin kërpudha. Nuk ka parqe për fëmijë… Dëshira për ta përqafuar ç’do të keqe për bukën e gojës është vrasje më vete. Në muzikë, rinia shqiptare përqas TurboFolkun. Jam e bindur që ata që e dëgjojnë këtë muzikë nuk e dinë që kjo rrymë ka nisur nga Ceca, gruaja e një gjakatari që ka bërë krimet më të mëdha të luftës në Kosovë. Për të mos folur për Bregoviç që ka qënë një mbështetës lufte dhe sot ka çelësin e Tiranës…Ky është për mua gjenocidi më i madh që po na bëhet si komb! Shfarosja kulturore! Prandaj, e vetmja mënyrë që ti bëjmë ballë kësaj lufte të padukshme është edukimi. Mësimi i gjuhës te shqiptarët e Diasporës, përçuarja e traditave pa komplekse inferioriteti dhe përqafimi i asaj ç’ka jemi në të vërtetë janë disa nga pikat më kyçe që shoqëria duhet të bazohet për zhvillim.

KURSI I PIANOS PËR FËMIJËT E DIASPORËS, MËSOJMË SHQIP E KËNDOJNË SHQIP

Një mënyrë e mrekullueshme për zhvillim personal është të marrurit me muzikë. Të luajturit një instrument të zhvillon jo vetëm nga ana mendore, qoftë kjo memorja, kapaciteti për të trajtuar probleme, aftësia e përqëndrimit, etj, por më së shumti zhvillon inteligjencën emocionale. Ajo çbën komplekset dhe çliron mga frikëra të ndryshme të brëndshme. Prandaj është e këshillushme që fëmijët edhe të rriturit të dinë të luajnë të paktën një instrument muzikor. Janë të ftuar shqiptarët e Diasporës që të kryejnë mësime online piano nëpërmjet SOLFAM akademi, si një nismë për të mos harruar gjuhën por edhe për të mësuar instrumentin e bukur të pianos.

KUSH ËSHTË FATJONA MATRAKU?

Fatjona Matraku pianiste dhe mësuese pianoje. Profesoreshë në shkolla të muzikës në Paris që prej 12 vjetësh, ka themeluar SOLFAM, Akademi Pianoje në linjë dhe paralelisht ajo është Producente dhe Moderatore e reportazheve mbarëkombëtare “Music Through Us”. Fatjona, e konsideruar si një fëmijë “prodige” filloi të luante në piano në moshën gjashtë vjeçare. Ajo ka aftësi të jashtëzakonshme në identifikimin dhe mbështetjen e talenteve të reja, hartimin e strategjive në mësimdhënie dhe shoqërimin e studentëve drejt suksesit në shkolla muzikore multikulturore. Fatjona Matraku është gjithashtu një poliglote me një përvojë solide në ndërtimin e marrëdhënieve dhe menaxhimin e projekteve nga konceptimi deri në përfundim. Aktualisht ajo ndan  kohën e saj midis Ballkanit dhe Francës.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 222
  • 223
  • 224
  • 225
  • 226
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT