• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dashuria në kohёrat e kolerës” e Marques-it dhe një interpretim i tij me ndihmën e Freud-it dhe Fromm-it

February 12, 2022 by s p

Iris Halili

“Dashurinё në kohёrat e kolerës” e kam lexuar për herë të parë andej nga viti 1992. Tre vite mё vonё, fillova të jap leksione tё letërsisë moderne në Fakultetin e Historisё dhe Filologjisё, në Universitetin e Tiranës. Vendosa ta fus në program studimi kёtё libёr e për gati dhjetё vjet ua kam shpjeguar studentëve me tё njёjtin pasion. 

Këtu ndoshta do të doja të bëja një sqarim pasi, letërsia, sipas mendimit tim, nuk shpjegohet me formula tё ngurta e fikse. Fillimisht, ajo duhet ndier e, mё pas, duhet shpjeguar sa mё natyrshёm çka ndiem apo menduam. Në këtë proces tё gjatё analitik, marrin pjesё dhe ndёrthuren kaq shumë mendje e shpirtra. Sё pari, kёtu hyn kush e shkruan teksin letrar; pastaj, ai “dikushi”, që e ka frymëzuar e ndoshta ne s’do ta njohim kurrё; dukshёm na ndriçon edhe kush e përkthen; hyjmë të gjithë ne, lexuesit, me të gjitha pёrvojat dhe kujtimet tona; nё fund, të gjithë ata që nё mёnyrё tё drejtpёrdrejtё ose jo, dёgjojnё, lexojnё apo komentojnë njё tekst. Jemi tё gjithë sa të ndryshëm, aq edhe të veçantë, po na lidh diçka e pёrbashkёt: përpara teksit të autorit që, më shumë se na rrëfen, na bën të mendojmë, ndiejmë e përjetojmë njёsoj, falё asaj force që mund të ta japё vetëm letërsia.

Sikundёr për çdo kryevepër letrare, edhe për këtë roman, pёrpiqesha ta vendosja studentin në komunikim tё drejtpёrdrejtё me autorin. Nuk mё duheshin shpjegimet e lodhshme e cliché se çfarë kishte dashur të thoshte shkrimtari, apo tё tjera si kёto, po mё interesonte perceptimi i studentёve pёr ndёrtimin e karaktereve dhe kompozicionit tё veprёs. Po ne, si i pёrthyejmё mesazhet parësore apo dytësore tё librit?! E mbi të gjitha, çfarë mund të shohim përtej tyre? Ja, kёto ishin pyetjet qё mё ngacmonin. 

Në dërrasën e zezё shkruaja fjalinë hyrёse:“Ishte e pashmangshme: era e bajameve të hidhura i kujtonte gjithmonë fatin e dashurive të penguara”. Dhe fjalinë e fundit:“Tërë jetën!”, tha ai.  

U sqaroja studentëve se çdo mendim apo ndjesi që kishin ndeshur në katёrqind e shtatёdhjetё faqet e romanit, në fakt, e kanë të përmbedhur në këto dy fjali që, në mënyrën më metaforike, përcjellin edhe idenë kryesore. Sa mё shumë pengohej nё realizimin fizik tё dashurisë sё tij figura qёndrore, Fiorentino Arisa, aq më thellё zhytej ai në ndjenja. Sigmund Freud-i ka një teori të tërë për këtë fenomen shpirtëror. Pёrshkruhet dhe pёrmblidhet, pak a shumё, si forca e një instikti qё rritet me mosfunksionimin e tij.

Nuk marr përsipër të them se kam lexuar të gjithë librat e shkruar për dashurinë, po them që kam lexuar më të mëdhenjtë autorë të dashurisë apo mitet më të bukura pёr tё. Po nuk kam gjetur kurrё nё një tekst të vetëm letrar, apo jo letrar, qё të jenë përfshirë të gjitha format me të cilat mund të shfaqet dashuria, si te Marques-i. Te ky libёr i has tё gjitha mënyrat si mund të jetojë, tё vuajё, përtërihet, rikthehet, rilind, tё shuhet, apo tё vdesё dashuria. Në mitet antike, apo tek autorё tё mёdhenj si Dante, Shakespeare, Tolstoj, Čechov, Remarque, Cohelho, mendoj se kam gjetur edhe përshkrimet më të ndjera të dashurisё me të gjitha ngjyrimet e saj, por këto përshkrime kanë qenë të shpërndara në vepra të veçanta. Brenda një teksti të vetëm letrar përshkrimin e kaq shumё formave të dashurisë, më duket, se e gjejmë vetёm te Gabriel Garsia Marques dhe nё një ndër kryeveprat e tij, “Dashuria në kohёrat e kolerës”. Ndonëse në roman shumë personazhe vijnë, shkojnë, duhen, marrosen, çmenden dhe ndahen sikur të mos ishin njohur kurrë, një karakter qëndron stoik në dashurinë e tij dhe ky është Fiorentino Arisa, dashurori më interesant  në historinë e letërsisë botërore. 

Romani hapet me vdekjen e Doktor Huvenal Urbinos, bashkëshortit të Fermina Dasës. I pranishëm në ceremoninë mortore ёshtё edhe  Fiorentino Arisa, qё teksa ngushëllon Ferminën, i thotë: “Kam gjysëm shekulli që e kam pritur këtë ditë, për t’u betuar edhe një herë për besnikërinë time të përjetshme dhe dashurinë në jetë të jetëve”. 

Ishin fare të rinj kur, si ishin njohur, ashtu edhe ishin ndarë nga një dashuri marramëndëse ardhur si pasojё e “një kataklizmoje” ndjenjash të lindura  nga “një vështrim i hedhur ashtu kot”, sikur ndodh rёndom në kësi rastesh. Ishte takimi i tyre i parё dhe i fundit. Si në të gjitha dashuritë e ndaluara, ata merreshin vesh me shenja, me deshifrime duarsh e shkruanin pafund letra tё fshehta që ia dёrgonin njёri- tjetrit. “Qëkurse u panë për herë të parë e derisa ai ia përsëriti vendosmërinë e tij gjysëm shekulli më pas, asnjëherë nuk kishin pasur rast të shiheshin vetëm për vetëm apo të flisnin për dashurinë”, thotё Marques-i. Në këtë raport platonik mes dy të rinjve autori mjeshtërisht sjell ndikimin e dy të afërmve të tyre. Pas Fiorentino Arisёs “fshihet” nёna. Ajo e mbron, e dёgjon, e kёshillon dhe e drejton kah kёsaj dashurie tё madhe. Nga psikoanaliza frojdiste dimë që nëna është figura më dominuese në jetën e njё burri. Ndёrkohë, pas Ferminës ishte halla që, po sipas psikoanalizës, është figura që bën lidhjen direkte mes vajzёs dhe të atit. Në të dyja rastet, kemi shfaqjen e kompleksit të Edipit tek Fiorentino dhe atё të Elektrës tek Fermina, si dhe përpjekjen e pavetëdijshme të dy të rinjve për t’u shkëputur prej këtyre komplekseve e pёr tё arritur maturinë e ndjenjave.   

Fermina duket sikur është udhëhequr mё shumё prej kuriozitetit, mëshirёs apo keqardhjes qё i ngjall Fiorentinoja. Shumë gra bien në dashuri nga instikti i tyre i lindur për kujdes e mëmësi, instikt arkaik ky që mbizotёron tek ato në çdo shfaqje dashurie. Mirёpo kur halla e kupton kёtё “tendencë” tё Ferminës, tenton t’i japё njё kёshillё tё vlefshme: “…qё t’i njihte burrat mirё, duhej tё kishte jetuar gjatё…”. E me këtë donte t’i hapte sytё vajzёs të mos i besonte shumë viktimizimit tё Fiorentinos. Ky akt dashuror luhet rёndom nga gjinia mashkullore dhe njihet si një formë që burrat e përdorin shpesh në njё lidhje duke dashur ta konsiderojnë partneren si zëvendësuese të nёnёs. Gruaja, posi nёna, duhet tё kujdeset me pёrkushtim e dashuri, duke zёvendёsuar kёshtu, nё mёnyrё tё natyrshme, njё figurё madhore nё jetё, pa tё cilёn duket se s’bёhet dot. 

Fermina mendonte se Fiorentionoja vuante nga sëmundja e dashurisë. Po kështu mendonde edhe nёna e tij. Vetë Markesi e përshkruan dashurinë si një sëmundje që kur të zë, s’ke shpёtim e zor se tё lёshon. Kështu, dashuria, e kishte sëmurё aq shumë Fiorentinon, sa të gjithë besuan se e kishte zënë kolera që po bënte kërdinë në ato kohë. Por doli që, me simptomat qё kishte, kolera e tij quhej dashuri. 

I përfshirë kokё e kёmbё nga obsesioni që do e shoqëronte përgjatë gjithë jetës, Fiorentino i propozon pёr martesë Ferminës. Sërish kemi njё kёshillё tё hallёs: “Edhe sikur të jesh duke vdekur nga frika edhe sikur të të kthehet mendja më pas, sido që të jetë puna do të pendohesh tërë jetën po të thuash jo!”, i thotё ajo. Dhe halla duket se ka të drejtë, në punët e dashurisë më mirë tё thuash “po” se sa “jo”, edhe pse mund të pendohesh mё vonё. Kështu që vajza i përgjigjet pozitivisht Fiorentinos  me anë të një letre. Ajo i shkruan:“Në rregull, po martohem me ju po të më premtoni se s’do të më jepni të ha kurrë patllëxhanё me zor”. 

Doktor  Freud-i na vjen sërish në ndihmë këtu për të interpretuar çfarë fshihet pas “objektit të veçantë”, patllёxhan, dhe pas këtij ne do të gjenim intepretimin e asaj frike apo makthi të Ferminёs ndaj mashkullorit të Fiorentinos. Duket sikur ajo, e frikёsuar, nё mёnyrё instiktive, kёrkon tё zёvendёsojё dashurinё me miqёsinё. 

Në vazhdim të interpretimit të lidhjes së tyre platonike, po të sillnim në ndihmë Erich Fromm-in dhe përshkrimin që i bën ai kategorive të ndryshme të dashurisë te libri “Arti i tё dashuruarit”, do të thonim se Fermina ishte përfshirë nga një dashuri idilike që më shumë e bënte të fantazonte pёr atë çka donte tek objekti dashuror, sesa e gjente vërtetё tek ai. Po kështu, ajo ishte e zhytur thellë në një “dashuri sentimentale”, më shumë e dashuruar me dashurinë, sikur ndodh gjithmonë me dashurinë e parë. “Sot kur ju pashë, e kuptova se dashuria jonë s’qe vecse një vegim i kotë”, i shkruan ajo Fiorentinos nё njё çast kthjellimi. Sipas Fromm-it, në dashuritë sentimentale, objekti dashuror pranohet derisa raporti është më shumë idilik apo platonik, por në çastin kur marrëdhënia do të duhet t’i afrohet më shumë materializimit real, partneri nuk guxon të dalё nga ëndrra, nga fantasia apo irrealja dhe largohet pa kuptuar e këtu marrëdhënia shkëputet apo ndёpritet totalisht, nё mёnyrё tё çuditshme e tё pakuptimtё. Nga ana tjetër, edhe dashuria e Fiorentinos ёshtё sa idilike, aq edhe sentimentale, por ai është sërish në gjendje t’i kalojë këto faza dhe të përballojë vazhdimësinë e raportit me Ferminën, qё e refuzon atë dhe vendos të martohet me Doktor Urbinon.  

I gjithё romani në vazhdim është histori pas historie dashurish të shumta të Fiorentinos, qё me çdo femër me të cilën bënte dashuri, dashurohej apo e bënte të dashurohej, duke kёrkuar përfytyrimin e një lidhjeje organike me dashurinë e tij të parë. Fiorentinoja pёrpiqej të riprodhonte në jetёn e tij, atë çast qё ndiqte pa ndërprerje në jetën e Ferminës. Ai kërkonte kopjen e saj në çdo grua që njihte, kërkonte ngjashmërinë e momenteve qё kalonte me tё tjerat, sikur tё ishte bashkё me Ferminёn. “Kishte qënë akoma shumё i ri për të ditur se kujtesa e zemrës i zhduk kujtimet e këqija dhe mrekullon të mirat dhe pikërisht në sajë të këtij marifeti në arrijmë të gëlltisim të kaluarën”. I kёtij mendimi ёshtё Doktor Urbinoja kur kthehet nga Parisi ku ndoqi edhe studimet, por mesa duket vlen edhe pёr Fiorentinon qё, nё jetёn e vet, s’e kaloi ndonjёherё tropikun dhe qytetin ku jetonte e vetmja dashuri e tij. I mbetur peng, ai kёrkon ta përjetёsojё kёtё dashuri tё parë nё çdo hap tё jetёs. Këtu sërish gjejmë interpretimin frojdist, sipas të cilit njeriu është i prirur tё kujtojë e tё kërkojë t’i përsëriten vetёm ato ndjesi e përvoja jetësore që i kanë dhënë kënaqësi, të tjerat, janё tё destinuara tё harrohen. 

Fiorentino Arisa, nëse do të vazhdonim të përdornim gjuhën e Fromm-it, “nuk ra në dashuri” ai “mbeti në dashuri”. Përgjatë gjithë kohës ai vetëm jep dashuri. Ndonëse pas çdo imazhi ishte sublimimi për një grua të vetme, mund tё themi se ai i deshi të gjitha të tjerat duke u dhёnё atyre po aq shumё. Një ndër përkufizimet më të vlefshme për dashurinë e gjejmë sërish te Fromm-i. Sipas tij, karakteri i vërtetё i dashurisë është së pari dhënës dhe jo marrës. Dhënia është edhe më e kënaqshme se marrja, pasi në aktin e dhënies ka me tëpër shprehje të vetë jetës apo të qënurit gjallë. Të mos japësh është e dhembshme.  

Megjithatë, heshturazi, ai kishte vendosur të mos lëndohej prej këtyre dashurive ashtu siç qe lënduar nga Fermina. Vazhdoi të jetonte pёr tё gjetur diçka tё ngjashme me dashurinё, po pa dashur tё provojё problemet e saj. Emocioni dhe vuajtja që i kishte shkaktuar dashuria për Ferminën, e kishte kthyer në një dashnor që shfaqte në çdo raport sa pasion aq edhe hakmarrje. I deshi të gjitha gratё, çmendurisht, por vetëm për aq kohë sa i kujtonin Ferminën dhe i braktiste kur nuk i ringjallnin mё kujtimin e saj.  Padyshim që një analizё klinike do e cilësonte Fiorentino Arisёn si një maniak tё fiksuar pas objektit të tij dashuror që, sa mё shumë i largohej në kohë, aq më shumë rendte ta kërkonte apo mbante mbërthyer në mendje e zemër. Në jetën e tij, deri nё çastin kur Fermina mbeti e ve, regjistronte gjashtёqind e njёzet e dy dashuri të qëndrueshme, pa përmendur aventuarat kalimtare. Sa më shumë dashuronte apo bënte dashuri, aq më shumë e justifikonte veten sepse mendonte “se mund të dashurohesh me shumë gra në të njëjtën kohë dhe për të gjitha të vuash njëlloj pa tradhëtuar asnjërën… Zemra ka më tepër dhoma se një bordel”. Edhe sipas Erich Fromm-it, dashuria nuk është së pari relacion i një njeriu të veçantë; ajo është një sjellje, një orientim i karakterit i cili e shikon apo përcakton lidhjen me personin si me botën si të tërë. Pikërisht për këtë diku Marques-i shprehet: “Hildebranda (kushërirë e Ferminës) kishte një konceptim universal për dashurinë dhe mendonte se çdo gjë që i ndodhte një dashurie, kjo cënonte të gjitha dashuritë e botës”. Marques-i e konsideron “dashurinë si një talent universal”, ndaj dhe i përshkruan personazhet e tij si mbitalente të kësaj ndjenje kaq njerёzore.  

Fermina ndonëse e donte të shoqin, gjatё viteve tё jetës e pjekurisë, kishte mësuar se “Problemi i jetës shoqërore është të mësosh të sundosh frikën, ndërsa problemi i jetёs bashkëshortore është të mësosh të sundosh mërzinë”. Dikur i shoqi, Doktor Urbino i pati thënë:“Mbaje mend një herë e mirë se gjëja më e rëndësishme në jetën bashkёshortore nuk është lumturia por stabiliteti”. Jeta në forma të ndryshme, shtyrë sa nga fati apo zgjedhjet personale, u kishte mësuar të gjithёve se “asgjë nuk është më e vështirë në këtë botë sesa dashuria” dhe “dashuria e tepërt të bën keq, njëlloj sikur dashuria e mangёt”.

Kështu, atë ditë, Fiorentino Arisa me guximin që e karakterizonte, mori rrugën të ngushëllonte Ferminën e, më në fund, të fliste me të pas një gjysmë shekulli pritjeje, dashurie e njёqind e tridhjetё e dy letrash mbetur pa përgjigje. Ishte i bindur se ishte çasti i duhur. “Dashuria bëhet edhe më e madhe dhe më fisnike në fatkeqësi”, mendon ai. Por Fermina sërish e përzё pse ndihet e fyer, ai burrё po i afronte dashuri, ndërkohë qё ishte në zi pёr njё tjetёr burrё. Fiorentinoja me aftësinë e tij të hatashme për të fantazuar, mendoi se ndoshta  kjo mospërfillje ishte një mjeshtri për të maskuar brengën e dashurisë. U deshën do kohë derisa ajo tё ndihej sërish e vetmuar dhe si çdo grua që e frikëson vetmia, vendosi të lidhё fatin me atё tё Fiorentinos. Që prej asaj here, ai shkonte ta takonte çdo të martë, me një trëndafil të bardhë në dorë, edhe pse kjo lule s’i thoshte gjë. Por trëndafilat  e kuq kishte frikё se mos e fyenin njё grua tё sapombetur vejushё. Edukata e tij e rafinuar i thoshte se trёndafili i verdhë sillte lumturi, ndёrsa nё kulturёn popullore kjo ngjyrё ndillte xhelozi, kёshtu qё ai vendosi tё ishte i kujdesshёm me shenjat qё jepte. Fillon takimet me Ferminën në një raport të largёt e tё trishtё. “Së bashku kishin përjetuar aq gjëra, sa për të kuptuar se dashuria ishte dashuri në çdo kohë dhe në çdo vend, por sa më pranë vdekjes të ndodhej, aq më e fuqishme bëhej… pasi më tepёr se vdekja ishte jeta ajo që nuk njihte kufij!”. Ai kishte jetuar çdo minutë të jetës me këtë mendim dhe kishte pritur pesёdhjetё e tre vjet, shtatё muaj e njёmbёdhjetё ditë për të qënë sërish bashkë. Dhe forcёn e kishte gjetur te porosia e sё ёmёs qё gjithmonё i kishte thёnё se pёr tё dobtit s’kishte vend nё mbretёrinё e dashurisё, qё ashtu e pamёshirmshme dhe meskine siç ishte, tё treste kockat e ta merrte frymёn. Gjatё gjithë kohës, ai kurrë nuk e humbi besimin se, dashurinë që dikur i ishte mohuar, do ta rifitonte një ditë. Nuk iu frikësua asnjë hapi që e shtynte të “qëndronte” virtualisht me të. Thotë Erich Fromm-i se dashuria është një akt besimi dhe të kesh besim është një akt guximi, është aftësia për të përballuar rrezikun, apo provuar zhgënjimin, dhembjen, vuajtjen. Mandej, po aty, thotё: “Që tё tё duan e qё të duash nevojitet burrёri, burrёri qё t’u japёsh disa vlerave njё rёndёsi tё veçantё qё i kalon tё gjitha tё tjerat dhe t’i vёsh kёto vlera para çdo gjёje”.

“Besnikëria e re” quhej anija ku ata vendosën të celebrojnë dashurinë e tyre. “Fermina Dasa nuk donte ta besonte se ai emër, që ishte aq kuptimplotë për ata tё dy, të ishte vërtet një rastësi historike dhe jo një shpikje e re e romantizmit kronik të Fiorentiono Arisës”. Kjo dashuri pavarësisht se e ndryshme tek të dy në përmasë apo formë, i shoqëroi  “tërë jetën”, si tё thuash, mbeti edhe hapja edhe mbyllja e dashurive të jetës së tyre. Sipas Fromm-it: “Dashuria është e mundur vetëm kur dy veta shoqёrohen nё nivelin mё tё thellё tё ekzistencёs e pastaj secili prej tyre e pёrjeton veten nё kёtё nivel.Vetëm kёtu, në këtë pёrjetim tё thellё, ndodhet realiteti njerёzor dhe themeli i i dashurisё…Ekziston vetёm njё provё e pranisё sё dashurisё. Ajo ёshtё thellёsia e marrёdhёnieve reciproke, gёzimi jetёsor dhe fuqia e secilit prej tyre”. 

Në letërsinë e përbotshme ka shumë tekste letrare që ndoshta  “të pёrpijnё” shumë më teper se ky roman, por depërtimi i thellë dhe analitik që autori i bën karaktereve dhe, mbi të gjitha, përshkrimi që ai i bën shumë formave që merr dashuria,  i jep këtij romani një shkallë tjetër vlerësimi dhe e përcakton atë si një tekst letrar gati unikal me një personazh ikonik nga ata që hyjnë në universin letrar për të mos dalë më kurrë. Brenda një teksti të vetëm letrar ky roman përcjell përcaktimet më të shumta (metaforike dhe jo vetëm) mbi dashurinë. Pikërisht kjo është edhe një arsye pse romani “Dashuria në kohёrat e kolerës” na vjen edhe si një manual që na rrëfen sa shumë forma mund të marrë dashuria. Ai na bën të kuptojmë sa e vërtetё është teoria e Erich Fromm-it, i cili thotё: “Ёshtё bёrё zakon tё mendohet se tё dashurosh ёshtё diçka e thjeshtё, kurse tё gjesh ndonjё objekt tё denjё pёr tё dashuruar- ose tё tё dashurojnё,- ёshtё vertetё shumё e vёshtirё”. Ndёrsa Čechov-i shkon mё tej kur pohon se ka njerёz qё vdesin pa dashuruar fare. Dhe kёshtu i hap udhёn njeriut tё sotёm qё, sipas Fromm-it, ёshtё kthyer nё fabrikat. “Qё nga lindja e deri në vdekje, nga e hëna deri të hënën tjetёr, nga mëngjesi deri nё mbrёmje, tё gjitha veprimet janё tё programuara dhe kryhen si njё rregull qё ёshtё bёrё zakon”, thotё ai.

Do të ndalesha këtu edhe tek kompozicioni i romanit që në fakt  vështirëson sidomos receptimin në fillim të leximit. Në strukturë romani ka një kompozicion që i shkon për fill të gjithë rrjedhës emocionale të karakterit kryesor. Hapja dhe mbyllja përcaktohen me të njëjtën ngjarje, vdekjen e bashkëshortit të Ferminës, Doktor Urbinos, dhe kjo pasi në jetën e Fiorentinos ky moment do të mbetej edhe dëshira më e madhe që do e rilidhte me Ferminën. Ta shihte të ve, kishte qënë dёshira e heshtur e Fiorentinos që nё ditën e parë të martesës së saj, ditë kur ai u betua se do të mbetej i virgjër për të dhe do ta priste derisa të rilidheshin e të plakeshin sё bashku. Po atë ditë ai shkoi me vejushën Nazaret, dhe hapi kështu siparin e dashurive me kaq e aq vejusha që, qё të gjitha, sublimonin mendimin ndoshta të pavetëdijshёm tё Fiorentinos, pёr tё patur, herёt a vonё, tё vetmen vejushё qё i interesonte, Ferminёn. Nëse do të respektohej kronika lineare e ngjarjeve, momenti i vdekjes së Urbinos do të ishte në fund të romanit. Ky lloj kompozicioni njihet si kompozicion kornizë apo unazë, pasi fundi vjen në fillim dhe kronologjia ndërthuret dhe në vazhdim ngjarjet rrëfehen herë në zhvillim kronologjik e herë në të kundërt, por gjithmonë brenda një funksioni, që ka si synim të rrefejë si rritet, jeton dhe zhvillohet dashuria e Fiorentinos. Kjo metodë kompozicionale është shumë e njohur sidomos në letërsinë bashkëkohore, postmoderne,  por duhet theksuar se në kohën kur e aplikoi Marques-i kjo ishte një risi dhe nuk ishte përdorur rëndom mё parё. Ai i takon shkollës realiste, që për t’u dalluar nga pjesa tjetër e letërsisë realiste dhe meqё i merrte ngjarjet vetëm nga Amerika Latine, e mori emrin “realizëm magjik”. U quajt kёshtu sepse shumë krijime të Marques-it apo autorëve te tjerë, e merrnin frymëzimin nga magjia e miteve vendase. Vetëm kur përfundon romanin lexuesi është në gjendje të kuptojë qëllimin e këtij lloj kompozicioni, që nё fakt është i vështirë pasi e bën tё mendojё, tё analizojё, tё komunikojё me veten. Kjo e bën atë  t’i kthehet faqeve të lexuara më shumë se një herë, apo t’i kthehet dhe vetë leximit të romanit më shumё se një herë.  

Së fundmi, është për t’u shënuar sa mjeshtërisht Marques-i i ka ndёrthurur brenda një teksti të vetëm letrar, bashkë dhe pandashmërisht, jetën edhe vdekjen, si dy pika lidhëse të asaj që e njohim si jetë. Autori i jep vdekjes tragjizmin dhe madhështinë që e karakterizon. Pothuaj të gjitha karakteret vdesin nga dashuria, për dashurinë, si mungesë e saj apo edhe si për ta bërë të mundur dashurinë për dikë tjetër që e duan po kaq shumë, të gjithë në një formulë të çudishme që vetëm një penë si e tij mund t’i ndërthurë në ngjarje që vijojnë, apo tё mbivendosen me njёra-tjetrën. Fiorentinoja ёshtё i bindur se dashuria ёshtё rruga. S’ka lavdi më të madhe se të vdesësh nga dashuria”, thotё ai i habitur qё të njëjtin parim e kishte gjetur edhe tek shënimet e trashëguara nga i ati. “Nuk kam keq të vdes, por trembem se mos nuk vdes nga dashuria”, vjen zёri i panjohur, tashmё i vdekur, i tё atit.

Romani “Dashuria në kohёrat e kolerës”, është një roman për dashurinë, ndoshta më shumë se kaq. Ai e himnizon dashurinë me të gjitha ngjyresat e saj. Nëse do të mёsosh më shumë për dashurinë, ki durimin dhe lexo këtë roman. Dhe sikundёr ndodh me dashurinë e vërtetё, pasi ta duash këtë libër, do t’i kthehesh gjithmonë në çdo fazë të jetës. Autori e mbyll: “Dashuria është një gjëndje e bekuar e cila nuk është mjet për ndonjë qëllim, por është zanafillë dhe qëllim njëherit… ajo nga mesi e sipër është dashuri shpirtërore dhe nga mesi e poshtë është dashuri trupore”.  

“Pa dashuri, njerёzimi nuk do tё mund të ekzistonte asnjë ditë”, del nё njё pёrfundim prej humanisti, Erich Fromm. 

Nё mbyllje, do tё thosha se shpresoj shumё që ky libёr jo i zakontё, t’ju mbërthejë e  t’ju bëjë të mendoni gjatë, si dikur studentët e mi. 

Filed Under: Opinion

Fjalori i madh i gjuhës shqipe

February 11, 2022 by s p

Prof.Dr. Valter Memisha/

Leksikografia e gjuhës shqipe i ka fillimet rreth 400 vjet më parë dhe e ka nisur rrugëtimin e vet si leksikografi dygjuhëshe, me Fjalorin latinisht-shqip të F. Bardhit, botuar më 1635. Gjatë katër shekujve ajo është pasuruar ndjeshëm me vepra të tipologjive të ndryshme dhe në fondin e saj sot numërohen më shumë se 500 fjalorë njëgjuhësh (shpjegues), dygjuhësh apo tematikë. Këta fjalorë ndihmojnë ndjeshëm për realizimin e komunikimit gjuhësor të folësve të shqipes në të gjitha fushat.

Në shekullin XXI Shqipëria është përfshirë në zhvillime të vrullshme dhe të shumanshme, të cilat trysnojnë zhvillime të tilla dhe në gjuhë. Shqipja është e hapur dhe i ndjek këto zhvillime që i përkasin botës materiale, mendësore, estetike etj. të shqiptarit të sotëm. Dihet se nënsistemi gjuhësor më i hapur dhe i lidhur drejtpërdrejt me to është sistemi leksikor. Fjalori i shqipes sot (fjalët që ka në përdorim) është pasuruar shumë. Ky pasurim kërkon që të hartohen fjalorë të ndryshëm që t’u përgjigjen nevojave të përdoruesve. Këtë fillim shekulli ne vërejmë me kënaqësi se janë hartuar dhjetëra fjalorë dygjuhësh, që mbulojnë kontaktet e shqipes gati me të gjitha gjuhët kryesore në botë (fjalorë anglisht-shqip e shqip-anglisht, gjermanisht-shqip e shqip-gjermanisht, frëngjisht-shqip e shqip-frëngjisht, italisht-shqip e shqip-italisht, greqisht-shqip e shqip-greqisht, spanjisht-shqip e shqip-spanjisht, suedisht-shqipe e shqip-suedisht, rusisht-shqip e shqip-rusisht, maqedonisht-shqip e shqip-maqedonisht, serbisht-shqip e shqip-serbisht etj.)

Por një leksikografi e zhvilluar e një gjuhe nënkupton që ajo në radhë të parë duhet të mbulojë nevojat e përdoruesit me fjalorë shpjegues njëgjuhësh e në ditët e sotme me fjalorë të formatit të printuar (si libër) apo me fjalorë të formatiton-line. Shqipja ka në përdorim fjalorë shpjegues (të hartuar institucionalisht apo nga individë), të cilët shkojnë deri te fjalorë të tipit të mesëm (që pasqyrojnë rreth 50.000). Po përmend këtu dy vepra të hartuara nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë: Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, 1980, me rreth 41.000 fjalë, 7.000 njësi frazeologjike, 180.000 kuptime e 1.500.000 thënie ilustruese; Fjalori i gjuhës shqipe, 2006, me rreth 48.000 fjalë, 5.000 njësi frazeologjike e mbi 120.000 kuptime). 

Por shqipja sot e ka të domosdoshme dhe nevojë urgjente hartimin e një Fjalori të sidomos normativ. Ajo është ndër të rrallat gjuhë që nuk ka një fjalor të tillë. Përdoruesi i saj, si qytetar i thjeshtë, si shtetar, si politikan, si student, si mësues, si gazetar, si shkrimtar, si diplomat, si studiues, si përkthyes e kushdo që merret me të, ka nevojë për një fjalor që të ketë të paktën një vëllim me dyfishin e njësive (fjalëve) të fjalorëve në qarkullim  (kjo kërkesë del dhe në synimet e shqipes për të plotësuar spektrin saj leksikografik krahas hartimit të veprave të llojeve të ndryshme, sidomos të fjalorëve shkollorë a moshorë, të fjalorëve për vepra e autorë,  të fjalorëve ideo-tematikë, të fjalorëve dialektorë, të një fjalori historik etj.). Hartimi i një vepre të tillë nisi në vitin 1963 (për t’u kryer me disa vëllime), por puna u ndërpre në vitin 1976, rinisi në vitin 2006, por u ndërpre përsëri për shkak të reformës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. U paraqit si projekt në vitin 2008 nga Qendra e Studimeve Albanologjike (sot Akademia e Studimeve Albanologjike), por përfundimisht puna për hartimin filloi para një viti, më 2021, një projekt i drejtuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Është parashikuar që vepra të përfundojë në fund të viti 2023 dhe të hidhet në qarkullim në vitin 2024.

Fjalori do të jetë vepër madhore leksikografike me rreth 100.000 njësi leksikore (90.000 fjalë dhe 10-12.000 njësi frazeologjike) dhe si i tillë pasqyron, ruan dhe hedh në përdorim pasurinë më të madhe leksikore, frazeologjike e semantike të gjuhës shqipe së sotme. Ai rrit ndjeshëm funksionin informues (tashmë, vepra vjen me dyfishin e pasurisë leksikore të fjalorit më të mirë shpjegues të shqipes të hartuar deri tani) dhe do të jetë njëherazi një vepër normative, pra pasuria që do të përfshihet në të (fjalë, kuptime, njësi frazeologjike) i përket apo lidhet me shqipen e njësuar, standarde. Ai do të jetë krijojë një pikë referimi e mbështetje e pazëvendësueshme edhe për hartimin në të ardhmen të fjalorëve të tjerë të tipeve të ndryshme. Fjalori do të jetë vepër me rrezatim të gjerë përdorimi, për të gjithë ata që merren veçanërisht me gjuhën e shkruar, e të folur, që punojnë me shqipe e për shqipen.

Në projektin që po zbatohet theksohet se “Fjalori do të shënojë regjistrimin e parë të pasurisë më të madhe e më kryesore të fjalëve, të frazeologjisë e të kuptimeve leksikore të gjuhës sonë, pasurinë e gjallë të gjuhës; do të jetë një vepër përgjithësuese që do të përfshijë shtresën më aktive të leksikut të shqipes dhe një pjesë të madhe të shtresës pasive, strukturat kuptimore të fjalëve dhe karakteristikat kryesore gramatikore, stilistike e shprehëse. Zgjerim do të kenë disa shtresa leksikore të pasuruara e të gjallëruara rishtas, si nga fushat e elektronikës e të informatikës, të financave e të bankave, të artit e të kulturës, të biznesit, të organizimit shtetëror etj. Zgjerim do të kenë shtresat leksikore nga fusha e terminologjisë, e leksikut dialektor, e neologjizmave, e huazimeve të përligjura etj.”

Hartimi i Fjalorit të madh mbështet domosdoshmërisht në shfrytëzimin e pasqyrimin e lëndës leksiko-frazeologjike e semantike të shqipes në gjithë shtrirjen e saj truallsore, kohore e të përdorur në të shkruar e në të folur, pra, ai do të jetë gjithëpërfshirës, mbarëkombëtar e bashkëkohor. Ndaj për të, gjatë gjithë vitit 2021 (dhe në vazhdim) u punua e po punohet për ngritjen e një kartoteke të posaçme (për krijimin e një korpusi apo data base-i ad hoc), që do të shkojë deri te 150.000-160.000 fjalë e njësi frazeologjike. Prej tyre do të bëhet përzgjedhja e njësive që do të zënë vend në fjalor (siç u shprehëm: rreth 90.000 fjalë e rreth 10-12.000 njësi frazeologjike).

Burimet kryesore të lëndës për këtë kartotekë janë disa:

1. Shfrytëzimi i Kartotekave të leksikut të shqipes dhe i Kartotekave të dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Universitetet e qendrat e tjera shkencore brenda e jashtë vendit, të cilat kanë në fondet e tyre pasur të rëndësishme leksiko-semantike të shqipes. 

2. Shfrytëzimi i fjalorëve shpjegues institucionalë, të botuar deri tani në Shqipëri: “Fjalor i gjuhës shqipe”, 1954; “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, 1980; “Fjalor i shqipes së sotme”, 2002; “Fjalor i gjuhës shqipe”, 2006; “Fjalor i gjuhës shqipe”, 2020.  Vendin kryesor këtu e zë “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, 1980 (botim i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë). Ai, për nga numri i njësive leksikore e frazeologjike që përfshin, futet te fjalorët e mesëm, por ndërtimi i zërave leksikografikë (zbërthimi e shpjegimi i kuptimeve, ndërtimi i strukturave kuptimore, ilustrimet me shembuj, treguesit gramatikorë, ngjyrimet stilistike e ligjërimore etj.) janë të përmasave e të cilësisë thuajse të një fjalori të madh për shumicën e fjalëve që përmban. Ai do të shfrytëzohet në mënyrë integrale, shterueshëm, në gjithë vlerat e tij, por shfrytëzimi i veprës nuk do të jetë mekanik. Në përshtatje me tipin e Fjalorit të madh, tashmë do të rishikohen gjithë zërat leksikografikë (fjalë e frazeologji), gjithë strukturat kuptimore e shpjegimet përkatëse, gjithë shembujt ilustrues etj.

Burim tjetër i rëndësishëm për lëndën e Fjalorit që po hartohet janë edhe fjalorët tematikë mbarëkombëtarë, si: “Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe”, 29.000 fjalë (AShSh, grup autorësh); “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe”, 11.000 njësi frazeologjike (J. Thomai); “Fjalori i homonimeve në gjuhën shqipe”, 16.000 njësi (A. Jashari); “Fjalori i gjuhës shqipe” për shkollën 9-vjeçare,10.000 njësi (Sh. Rrokaj, A. Kananaj); “Fjalori i shprehjeve të huaja në shqipe”, 4.000 njësi (A. Jashari).

Gjithashtu, fjalorët dygjuhësh të hartuar kohët e fundit, sidomos ata të tipit të madh (me mbi 70.000 fjalë) ku shqipja del si gjuhë e dytë apo e parë, duke veçuar këtu vepra si “Fjalori anglisht-shqip” (P. Qesku) me 120.000 njësi, “Fjalori shqip – anglisht” (P. Qesku) me 170.000 njësi etj. etj.

Shfrytëzimi gjithë këtyre veprave do të jetë shkencor dhe jo mbartje mekanike e njësive, duke bërë plotësimet e nevojshme me treguesit gramatikorë, fonetikë, me shpjegime të reja shkencore, me ilustrime përmes thënieve në përshtatje me natyrën e veprës së re.

3. Në Fjalorin e madh do të shtohet ndjeshëm pasuria leksikore e frazeologjike që vjen nga dialektet e të folmet e shqipes, pa nënvleftësuar asnjë areal gjuhësor, duke sjellë pasuri të përzgjedhur nga të gegërishtja a të folmet veriore, nga toskërishtja a të folmet jugore, nga të folmet arbëreshe, arvanitase e nga të folmet e ngulimeve shqiptare në vende të tjera në Evropë a më gjerë. Përparësi këtu do të marrin fjalë, kuptime, njësi frazeologjike, thënie ilustruese që janë mbledhur në Kosovë, Maqedoni e Veriut, në Malit të Zi, në të folmet veriore, veriperëndimore a verilindore të Shqipërisë. Mendohet se nga dialektet dhe të folmet krahinore në fjalor do të zërë vend një pasuri me rreth 10-12.000 fjalë. Kështu fjalori fiton karakter të theksuar mbarëkombëtar, por njëkohësisht vlerëson dialektet si burim kryesor për të ushqyer pandërprerë leksikun e shqipes standarde.

Punën tonë në këtë drejtim e lehtëson dukshëm botimi i shumë veprave që i përkasin leksikografisë dialektore (të cilat i kanë sjellë fondit të regjistruar leksikor një pasuri me mbi 150.000 njësi). Po përmendim këtu:“Fjalori i gjuhës shqipe”, 18.500 njësi (A. Xhuvani); “Fjalori i gjuhës shqipe”, 42.000 fjalë (M. Elezi);“Fjalori me fjalë e shprehje nga e folmja e Ujemujës”, 8.000 njësi (H. Shehu);“Fjalori i Malësisë së Madhe”,10.000 njësi (Gj. Shkurtaj);“Fjalori i fjalëve dhe i shprehjeve nga trojet e shqipes në Maqedoni”, 20.000 njësi (Q. Murati); “Fjalori i fjalëve dhe shprehjeve të Kosovës”,16.000 njësi (Q. Murati);“Fjalor frazeologjik i të folmeve të Kosovës dhe i të folmeve shqipe të Maqedonisë së Veriut”, 2.300 njësi (Q. Murati); “Fjalori popullor”, 20.000 fjalë (A. Zymberi); “Fjalori leksiko-frazeologjik i Devollit”,13.000 njësi (A. Jashari);“Fjalor i Çamërishtes”, 5.000 njësi (F. Muçaj); “Fjalori fjalësh dhe shprehjesh popullore”, 8.000 njësi (A. Sula);“Fjalë e shprehje nga Puka”, 2.000 njësi (I. Ahmetaj);“Emërtime për kafshë e shpendë në Labëri”,8.500 njësi (V. Memisha), Fjalori i arbëreshëvet të Italisë (E. Giordano) etj.

Gjithashtu nga dhjetëra punime monografike në fushën e dialektologjisë, që u përkasin arealeve gjuhësore mbarëshqiptare, vjen një pasuri leksikore e begatë dialektore e krahinore (që zë vend në fund të këtyre punimeve përgjithësisht si fjalorth).

4. Ligjërimi politiko-shoqëror e veçanërisht media e shkruar ka në përdorim një pasuri shumë të vyer leksikore e frazeologjike që do të zërë vend për herë të parë në fjalor. Dhe nga ky ligjërim janë bërë vjelje të bollshme dhe po lematizohet (fjalësohet) me metodat bashkëkohore kompjuterike e gjithë lënda e po bëhet përzgjedhja e njësive për veprën e re. Është parashikuar që nga kjo fushë të vijnë rreth 10.000 njësi të reja.

5. Burim kryesor përpasurimin e Kartotekës dhe prej këtej pasqyrimi në Fjalor është dhe  vjelja integrale e veprave të shkrimtarëve tanë, të njohur për leksik e frazeologji, duke u ndalur tek autorët më përfaqësues dhe me shtrirje mbarëkombëtare. Po përmendim këtu vjelje leksikore nga vepra e Gj. Fishtës, e M. Camaj, e E. Koliqit, e F. Arapit, e I. Kadaresë, e D. Agollit, e B. Xhaferit, e P. Arbnorit, e A. Podrimjes, e A. Shkrelit, e D. Mehmetit, e R. Qosjes, e A. Demaçit, e M. Isakut. Kjo është përsëri një komponent përcaktues i karakterit mbarëkombëtar të veprës.  Parashikohet që nga letërsia artistike të zërë vend në fjalor një pasuri me rreth 15.000 fjalë të reja.

6. Në fjalor do të shtohet ndjeshëm numri i termave. Zhvillimet e shumanshme të botës shqiptare kanë trysnuar dhe përdorimin e mijëra e mijëra termave të rinj. Janë përcaktuar 26 fusha të dijes, të shkencës, të teknikës, të artit etj., në të cilat është përqendruar vjelja terminologjike. Këtu na vijnë në ndihmë dhjetëra fjalorë terminologjikë, tekstet shkollore (parauniversitare e universitare), botimet shkencore të studiuesve, revista shkencore etj. Parashikohet që numri i termave të rinj do të jetë rreth 10.000 njësi, duke e ruajtur natyrën e fjalorit si një fjalor i përgjithshëm e duke mos e kthyer atë në fjalor të mirëfilltë terminologjik. 

7. Në fjalor do të përfshihen dhe shumë huazime, të domosdoshme dhe të nevojshme në komunikimin gjuhësor përmes shqipes sot. Kjo mbështetet në parimin se gjuha jonë është e hapur për huazime, gjithnjë në bazë të vlerave shënuese e shprehëse që ato sjellin, duke mos lejuar një konkurrencë të tyre të panevojshme me fjalën shqipe apo duke mos e mënjanuar këtë të fundit nga përdorimi për t’i dhënë përparësi fjalës së huaj. Fjalori do të pasqyrojë një numër të caktuar prej tyre, ato që janë të përligjura, duke e orientuar përdoruesin te karakteri normativ dhe për këtë shtresë leksikore. Kontaktet e shqipes sot me botën janë të shumta, po ashtu dhe të shumta janë huazimet leksikore. Madje shpesh përdoret dhe pohimi se shqipja ndjehet e kërcënuar nga huazimet pa kufi. Mendohet se numri i huazimeve mund të shkojë edhe te 2-3.000 njësi të reja.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe, me funksion të zgjeruar informues, dhe me funksion normativizues (orienton dhe edukon normën leksiko-semantike të shqipes së sotme), nuk do të jetë një fjalor i madh i tipit “Thesar” (tesaurus) që të përfshijë gjithë leksikun e shqipes, por një vepër që nga ky leksik do të përzgjedhin rreth 100.000 fjalë e njësi frazeologjike. Për të po punojnë specialistë të shqipes nga Shqipëria, nga Kosova e Maqedonia e Veriut, nga Presheva, nga Universiteti i Kozencës, i Palermos, i Munihut, i Selanikut e deri gjuhëtarë shqiptarë që punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Puna është e organizuar në disa nivele, ndër të tjera me një redaksi shkencore prej 7 vetash, me një grup hartuesish (leksikografë) me 15 vetë, dhe mbi 35 bashkëpunëtorë. Pra dhe vetë spektri i pjesëtarëve në realizmin me suksese të veprës është më shtrirje mbarë kombëtare.

Duke mbyllur këtë informacion për punën që po bëhet për hartimin e Fjalorit të madh normativ të shqipes me 100.000 fjalë e njësi frazeologjike, po sjell në kujtesë të lexuesve thënien e albanologut të shquar Holger Perdersen: “Gjuha shqipe ka një zhvillim të vetin dhe është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar.”

Hartimi i kësaj vepre sendërton këtë zhvillim dhe bëhet shprehëse e kësaj krenarie.

Prof. dr. Valter MEMISHA

Bashkëdrejtues i projektit

Tiranë, 5 shkurt 2022

Filed Under: Opinion

15 Vjet nga kalimi në amshim i Dr. Fuad Myftia

February 10, 2022 by s p

Nga Dalip GRECA*

Dr. Fuad Myftia, shkodrani që udhëhoqi legalistët në mërgim për 3 dekada.

Rrëfimi: Fashistët italianë e arrestuan në Shkodër, udhëtimi nën pranga deri në Prizren, si mundi të kthehej në Durrës pa shkuar në kampet e internimit në Itali; rrugëtimi nga Tivari në Brindizi; si i takoi krerët e mërgatës në kampin e rrethuar me tela me gjemba të Grumos e të Santa Farës; përplasjet mes legalistëve dhe ballistëve; takimi me Mbretin në Kajro; diplomimi në Firence; jeta në kampin e Lavros në Greqi; dasma e sponsorizuar nga shokët; si depërtoi i dërguari i Sigurimit në radhët e legalistëve, si ia ndërpreu Fuadi të dhënat Cufe Mullajt, që arriti të zgjidhej në krye të degës së Belgjikës dhe anëtar i Komitetit Qendror të Organizatës Legaliste; takimi i Madridit; kush ishin ata që kishin gëlltitur “supën” e Beogradit dhe si u zbuluan më vonë në aktivitetin antilegalist; përplasjet brenda partisë, kthimi në Shqipëri pas shembjes së komunizmit, kongresi i 13-të në Tiranë dhe “çorba” e Guro Durollarit…Kthimi i dekoratës presidentit… Këto e të tjera do të zbulojë dossieri që ka në qendër ish Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës “Lëvizja e Legalitetit”, Dr. Fuad Myftia dhe babanë e tij, Haxhi Salih Myftia… ***Biseda me Dr. Fuad Myftia u zhvillua në disa ditë në redaksinë e gazetës Illyria në Manhattan, që atë kohë ndodhej në katin e nëntë të hotel New Jorker mes avenues së shtatë dhe të tetë. Për shkak të shëndetit m’u desh që bisedat të mos i zgjasja më shumë se një orë për çdo ditë Dr. Fuad Myftia ka lindur në Shkodër me 28 korrik 1924, kur Shqipëria qeverisej nga kundërshtari më i ashpër i Mbretit Zog, Peshkopi Fan S. Noli. Familja Myftia shquhej për atdhetarizëm. Në atë truall bashkëjetonte binomi Atdhe dhe Fe. Babai i tij, Sali Myftija, ka qenë një fetar i shkolluar, filozof, pedagog i fesë Islame në Aleksandri, që kurrë nuk e ndau fenë nga Atdheu.- 7 prilli e bëri babanë tim më atdhetar se ç’ishte, pasi Italia e internoi nga Shkodra, në Gjirokastër, – krenohej me të atin Dr. Myftia, ndërsa ndjenjën fetare e kishte pjesë të shpirtit. Rrëfim për babanëDr. Myftia kishte dëshirë që rrëfimin ta niste me të atin: Salih Myftia ka qenë autodidakt. U arsimua me mësimet e fesë në shtëpi nga vëllezërit e tij dhe nga gjyshi. Feja muslimane ishte trashëgimi familjare për trungun Myftia. Për më tepër, në kodrat e Tepes, në qytetin e Shkodrës, ata kishin dhe një medrese, që ishte pronë e familjes. Mësimet fetare dhe gjuhën arabe Salih Myftia i ka marrë në shtëpi. Ishte një nga shqiptarët, që e ka zotëruar arabishten me themel. Ai arriti që të emërohej Kryemyfti i Shkodrës dhe Kosovës nga Mbreti Zog, që më 1929, duke zënë vendin e xhaxhait pas vdekjes së tij, ndërkohë që, në Aleksandri-Egjypt, ku do të emigronte pas luftës së dytë botërore, do të ishte profesor feje i një grupi të njohur intelektualësh të qytetit, ndërkohë, kur emigroi në Amerikë, u bë themelues i Qendrës Muslimane Shqiptare të Nju Jork-ut, New Jersey-t dhe Connecticut-it.- Axha tjetër ishte avokat, kurse gjyshi, Adem Efendia, ka qenë një prej fetarëve më të njohur në komunitetin shqiptar të Shkodrës. Babai i tij, që ishte katragjyshi i dr. Fuad Myftisë, Sali Efendiu, ka pas studiuar në Stamboll. Ai ka qenë studiues e profesor i fesë islame në medresenë e Tepes, prej ku dilnin hoxhallarët. -Aty ka pas mësuar edhe gjyshi, edhe axha,- sqaron trashëgiminë e Myftijëve, Dr. Fuadi.Pastaj më tregon një rrëfenjë, që atij ia kujtuan në fillim të viteve ’90-të, kur shkoi për herë të parë në Shkodër, pas shembjes së komunizmit:- Është një rrëfenjë, që tregohet edhe sot për gjyshin, Adem Efendiun. Ai kishte një kalë, dhuratë nga Sulltani, një at, siç i thoshim ne. Një ditë, pat takuar në rrugë një mikun e tij, i cili e kishte pyetur për djalin e vet që vazhdonte shkollën në medrese. Miku i thotë se ka shumë vite që djali i tij po shkonte në Medrese, por nuk kishte mësuar asgjë… – Mirë e ke, – i thotë Adem Efendia. – Ka nja katër – pesë vjet që ka ardhur djali yt në shkollë e nuk ka mësuar asgjë. Po, a e sheh ti kalin tim? Ky ka 25 vjet që vjen me mua përditë në shkollë dhe s’ka mësuar gjë prej gjëje…Kjo ka mbetur si anektoda e Adem Efendisë.Gjatë periudhës së revolucionit të Nolit, Sali Myftia nuk ka pasur probleme. Ai kujton prej babait se një pjesë e fanolistëve mbetën pa mbështetje pas ikjes së krerëve jashtë Shqipërisë, kur Mbreti u rikthye në pushtet.Kujton Fuadi: – Një prej miqve të Sali Efendisë ka qenë Hafiz Ibrahim Repishti, deputet i kohës së Nolit. Edhe pse kundërshtarë politikë ne ishim fqinj të mirë, ishim miq. Shtëpitë i kishim në rend, mbaronte baçja jonë dhe fillonte shtëpia e tyre. Ai ishte shok i ngushtë i babës, fetar, nacionalist, pavarësisht se kishte marrë pjesë me revolucionin e Nolit. Atë e kërkonte qeveria dhe rrinte mbyllur. Prej bahçes dilte tek ne dhe e kemi mbajtur për një kohë shumë të gjatë në shtëpinë tonë, deri sa i doli falja. Shkak u bë Musa Juka, që pat ardhë për vizitë, i cili, kur e mësoi të vërtetën, i tha që të dilte. Më vonë qeveria e fali.Fashistët e internuan Salih Myftinë në GjirokastërPushtimi fashist e gjeti Salih Myftinë në radhën e atyre që e urryen dhe kundërshtuan pushtuesin italian.- 7 prilli, – thoshte Hysen Mulosmanaj, – e ndryshoi Sali Myftiun prej petkut fetar, në petkun kombëtar…Fuadi më tregon gazetën “Atdheu” të maj-qershorit 1978, e cila i ka kushtuar një numër të veçantë aktivitetit të hirësisë së Tij, Salih Myftija, me rastin e vdekjes. Fjala e Hysen Mulosmanajt zë vendin kryesor në atë numër special, ku i gjithë numri i kushtohet klerikut të nderuar.- Unë them se Sali Myftija, babai im, ishte ndër të parët që, në maj të 1939-ës, u pushua nga puna si myfti, detyrë që s’kishte të bënte fare me politikën. U arrestua ndër të parët e u internua në Gjirokastër, ku qëndroi jo pak por 18 muaj. Arsyeja e internimit dhe izolimit ka qenë se ishte shqiptar i mirë, i dhimbsej Atdheu edhe pse ishte përkrahës i regjimit mbretëror. Ai kishte idealin e tij se vetëm mbretëria mund t’i jepte shpresë, mund t’i sillte popullit shqiptar lirinë.- Para se ta internonin, në prill-maj, – kujton Fuadi-ishte shumë aktiv në çështjen antifashiste. Ditë e natë shtëpia jonë ishte e hapur, se babai ishte personalitet, të cilin e besonte një pjesë e mirë e popullit dhe i vinte pas. Hyrjet e daljet në shtëpinë tonë ranë në sy të autoriteteve të qeverisë së Jakomonit. Mëkëmbësi i Viktor Emanuelit i thotë babës që duhej patjetër të linte Shkodrën, ngaqë ishte njeri me influencë dhe i prishte punë Italisë. Fuadi, që kishte lidhje të ngushta shpirtërore me të atin, tregon se në Gjirokastër, në atë kohë prefekt ishte Daut Çarçani, mik i ngushtë i babës. Kur e mësoi prefekti Çarçani internimin e Salih Efendisë, ka shkuar e ka takuar dhe i ka thënë që ishte bërë mirë që e kishin sjellë në Gjirokastër dhe jo në një vend tjetër, se aty mund ta ndihmonte ai. Ndërkaq populli i Gjirokastrës, nacionalist dhe bujar, në kohën që ishte baba atje, ofronte ndjenja antifashiste, spjegon Fuadi. Gjirokastritët e shihnin Salih Myftinë duke kaluar nëpër rrugët e qytetit, por fillimisht frikeshin prej italianëve dhe i qëndronin ftohtë, ngaqë ishte i internuar. Dr. Fuadi solli edhe këtë kujtim nga i ati: Një ditë prej ditësh babai kishte dalë me prefektin nëpër qytetin e gurtë. Një person, që fatkeqësisht e vranë komunistët, Muzafer Shehu, tregtar në Gjirokastër, i thotë se kishte kohë që e shihte sa herë kalonte poshtë e përpjetë dhe s’kishte guxuar t’i fliste, por tani që po e shih se po shëtiste me prefektin, dyqani dhe shtëpia ime është edhe e jotja, e kishte ftuar bujarisht ai. Ato fjalë Muzaferi i mbajti deri atë ditë që babai u kthye nga internimi. Fatkeqësisht, më 1943, komunistët e pushkatuan Muzaferin, siç pushkatuan një grup të madh intelektualësh e tregtarësh gjirokastritësh.Kur Salih Myftija u takua me të atin e Enver HoxhësBabai i ka treguar Fuadit edhe një ndodhi me të atin e Enver Hoxhës, Halilin. Ja rrëfimi i tij:- Baba më tregonte në të gjallë të tij se në atë qytet ishte një teqe, ku shkonin shumë miq e shokë. Një ditë shkon një hoxhë, i cili mbante në dorë një gazetë fashiste. Baba i thotë se ishte antifashist dhe nuk bënte mirë që vinte në teqe me atë gazetë, se po e kompromentonte tek antifashistët e tjerë. – Myfti efendi, – i thotë ai, – ti nuk e di se çfarë halli kam unë. – Çfarë halli të mundon, bir i perëndisë? – e ka pyet baba.- Unë kam një djalë, mos e paça, një djalë që s’meriton të jetë djali im, komunist e i pa fe e mua më duhet, dashje pa dashje, të marr gazetat e fashizmit, që ata të mos kenë dyshim tek unë si i ati i kryekomunistit…- E kush ishte ai djalë? – e pyes unë.- Ishte Enver Hoxha, ndërsa hoxha me gazetën fashiste ishte ati i tij… Salih Efendija ka qëndruar i internuar në Gjirokastër për 18 muaj. Kur u kthye në Shkodër, doktor Behxhet Sharpati, një mik i ngushtë i tij, kërkoi që ai të kthehej prapë në pozitën që pat para internimit si Myfti, megjithëse vendin ia kishte zënë një fetar, që do t’i shërbente më vonë edhe regjimit të Tiranës.- Ky, që i kishte zënë vendin, ishte njeri shumë i mirë, familje shumë e ndershme, por njerëzit gabojnë. Baba nuk pranoi, duke thënë se nuk bashkëpunonte me fashizmin, – arsyeton Fuadi. Po ç’vepra la pas Salih Myftija-pyeta Fuadin.- Ç’të them. Ai ishte i përkushtuar dhe punonte me gjithë shpirt. Me rëndësi ndër veprat që mbahen mend, ka qenë ndërtimi i xhamisë së Parrucës, me ndërmjetësinë dhe udhëheqjen e tij. Xhamia e Parrucës u ndërtua në vitin 1937. Shkodra nuk kishte një xhami, ashtu siç e meritonte, ta zëmë si Durrësi, që kishte ndërtuar një xhami me dy minare. Shkodranët i thonë babës se në Shkodër duhet të bëhet një xhami, sikurse ajo e Durrësit, ndofta edhe më e mirë. Baba pranoi. Mirëpo, para kësaj kohe, kryetar i Bashkisë ishte Zenel Prodani, prej Korçe, personalitet shumë i lartë, intelektual, shqiptar shumë i mirë dhe besnik ndaj shqiptarëve. Ky ka qenë një nga nismëtarët që ia futi babës në mendje këtë gjë. E kemi pasur edhe mik shtëpie. Kryetari i Bashkisë i thotë se do të jepnin një fond shumë të mirë për ndërtimin e një xhamie të re, ashtu siç e meritonte qyteti i Shkodrës, me dy minare. Të gjitha xhamitë, kishat katolike e ortodokse dhanë një kontribut prej rreth 500 napolonash flori. U mblodhën shkodranët. Të gjithë ishin gati të kontribuonin, mirëpo ndërhyri politika. Në fakt, në mes ishin interesat personale që prishnin punë, ndoshta edhe egoizmi. Krerët u ndanë më dysh. Erdhën disa hoxhallarë kundërshtarë, (ishin ata që më 1939 i çuan Jakomonit kurorën dhe lulet). Ata kundërshtuan ndërtimin e xhamisë në vendin që caktoi bashkia, me pretendimin se afër ishin varrezat. Ky ishte preteksti. Baba u përgjigjet se e dinte që nuk ishte vend ideal, por kur nuk kishin për të gjetur një vend tjetër më të mirë për xhaminë, më mirë ta bënin aty. Atëherë në Egjypt e kryesonte komunitetin mysliman një mik i babës me të cilin kishte korrespondencë. I shkruan një letër dhe i tregon historinë. Ai i kthen përgjigje, ku i shkruan se më mirë është të bëhej një xhami, edhe pse ishin varrezat pranë, se sa të mos bëhej fare. Xhamia u bë dhe ajo do të krenonte për shumë kohë shkodranët muslimanë. Xhamia u ndërtua madhështore, por Enver Hoxha e prish në 1967 kur i shpalli luftë Zotit!Salih Myftia, në Aleksandri Kur i kërkova që t’më tregonte më shumë për aftësitë fetare të atit të vet, Dr. Myftia, më afroi librin e Imam Vehbi Ismailit“Disa fetarë e patriotë muslimanë shqiptarë”, ku Salih Myftia zë vendin e nderit. Imam Vehbi Ismaili i ka kushtuar shumë faqe të librit të tij kryemyftiut të Shkodrës dhe Kosovës, udhëheqësit shpirtëror të muslimanëve shqiptarë në botën e lirë. Ai përshkruan me respekt devocionin e Salih Myftisë, përkushtimin e tij fetar e atdhetar, aftësitë e tij organizative e shpirtrore; ai formoi Qendrën Islame Shqiptare për shtetet Nju Jork dhe New Jersey. Salih Myftia kishte lënë përshtypje të thella jo vetëm tek populli i vet, por edhe tek egjyptianët mes të cilëve ai qëndroi prej vitit 1947. Ja çfarë kujtimi ka lënë pas Imam Vehbi Ismaili: “Në vitin 1973, pasi kreva detyrën e Haxhillëkut për herë të dytë, u ktheva në Kajro për të pushuar dhe për të takuar disa shokë. Ndërsa një natë po rrija në dhomën time në hotel, më telefonuan nga sporteli se kisha ca mysafirë, që donin t’më vizitonin. U thashë të ngjiteshin lart. Arritën, por nuk i njihja; ishin gjashtë vetë, dy mjekë, dy inxhinerë dhe dy avokatë. Pasi paraqitën veten më thanë: – Morëm vesh se ke ardhë prej Amerike dhe se e njeh Efendi Salih Myftiun. Erdhëm që të pyesim për shëndetin e tij. Kur i pyeta se ku dhe si e kishin njohur ata Salih Efendinë, m’u përgjigjën: – Ne jemi prej një grupi intelektualësh që gjatë viteve që Salih Myftia banoi në Aleksandri, në një prej xhamive të atij qyteti, ai na shpjegonte për disa orë, për çdo javë teologji e filozofi…Këtë gjë nuk e dija më parë e kjo më bëri ta dua dhe ta admiroj, ta çmoj më tepër, shkruan Imam Vehbi Ismaili dhe shton: – Në qendrën e kulturës islame dhe arabe në Egjipt, Salih Myftia, shqiptar, u jepte mësime në gjuhën arabe mbi Kuranin dhe fjalët e Profetit, intelektualëve egjiptianë! Ky ka qenë haxhi Salih Myftia, kudo ka nderuar vehten dhe mbarë popullin shqiptar, i përfundon shënimet e veta Imam Vehbiu.Po si rrodhi jeta e Salih Myftisë dhe e të birit, Fuadit, në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore? Pas internimit…Tregon Dr. Fuati- Sapo u liruam nga internimi, me nacionalistët e mbretërorit e zogistët e Shkodrës formuam organizatën “Besa Shqiptare”, ku bënin pjesë Ndoc Çoba, Kol Piri, Shefqet Muka, Ragip Lohja e shumë personalitete nacionalistë antifashistë. Çdo aktivitet antifashist në Shqipëri, qoftë me demostratat e para që u bënë më 5 prill 1939 e më 7 prill, të drejtuara nga Profesor Alush Lleshanaku, që në atë kohë jepte mësim në gjimnazin e Shkodrës, e deri në ditët e fundit, nuk jam ndarë me shokët e mi nga demonstratat antifashiste. Policia më kishte vënë vizë të kuqe. Prefekti i Shkodrës, miku i ngushtë i familjes, shqiptar intelektual, i thotë një ditë babës:-Kujdes Salih Efendi! Djalit i kanë vënë vizë të kuqe dhe është deklaruar antifashist. Një ditë mund ta arrestojnë. – Ishin kohë të vështira. Shkodrën e kishte marrë ushtria në dorë dhe jetonim në rrethim ushtarak. Në Shkodër komandonte gjeneral Azzi, komandant i ushtrisë italiane. Ai filloi nga arrestimet. Arrestuan Sabri Bushatin, Afiz Sali Krajën, Muhamet Repishtin e shumë të tjerë. Ndërkaq, unë u fsheha për nja dy javë e shkova tek disa miq. Kur mbaruan arrestimet, baba më çoi fjalë që të kthehesha. Bahçe më bahçe, arrita në shtëpi. Aty gjeta disa miq të familjes sonë, të gjithë të armatosur. Ishin prej Malësisë së Shkodrës, ishin nja 15-20 vetë. Ishte një kohë shumë e turbullt. Qëndruam duke biseduar dhe, kur shkoi ora 1 pas mesnate, shkuam për të fjetur. Shkova në dhomën time. Poshtë rrinte një fshatar, që e kishim si djalin e shtëpisë. Ai dhe nëna e tij, me përkatësi fetare katolike, jetonin dhe ushqeheshin në shtëpinë tonë. Ne ishim shokë me djalin, visheshim njësoj, ishte njeri besnik. Fatkeqësisht humbi jetën mbas ardhjes së komunizmit në përpjekje me forcat komuniste. Ai erdhi e më tha të iknim se kishin ardhur italianët.Arrestimi i Fuadit Ishte rrethuar krejt shtëpia dhe bahçja përreth. Ata u ngjitën lart dhe kërkonin dokumentat. Erdhi baba. Unë nxorra dokumentat. Ata më panë me vëmendje; më kërkonin mua. Më arrestuan, më lanë të vishem dhe dolëm jashtë, ku na priste një kamion. Atje ishte Man Tepelija me disa shokë. Ata kishin ndalur makinën para shtëpisë sonë dhe kishin frikë se mos po arrestonin përsëri babën. Kur më pa mua, më tha: -Më mirë ti, se sa baba. Ti je i ri, e përballon. Na çuan në kodrat e Tepes. Aty na mbajtën të rrethuar për shumë kohë. Mbas nja tre-katër javësh na çuan të shoqëronim batalionet italiane në Kosovë dhe në vende të tjera. Të arrestuarit i merrnin tre e nga tre dhe kjo vazhdoi gjashtë ditë. Më doli emri edhe mua edhe një djali të ri nga Shkodra, si dhe një ushtari që kishte dezertuar. Na futën në kamion dhe na zbritën nga kodrat e Tepes midis pazarit të vjetër. Një mik i shtëpisë, që më kishte parë mua në kamion, shkoi më pas në shtëpi për t’u treguar rreth meje. Ishte muaj Ramazani. Mbasi hëngri iftar, u tregoi njerëzve të mi. Zijai erdhi me makinë për t’më takuar. Pasi erdhi rreth e rrotull një copë herë, ne ishim të rrethuar dhe ai e kishte të vështirë t’më takonte, dikur nxorri kuletën dhe na afrohet. Unë isha në mes dy të tjerëve dhe nga të dy anët isha i lidhur me pranga, këmbët dhe duart i kisha të lidhura me të dy shoqëruesit. Kur e pashë Zijanë, u çudita. I thashë të mos i thoshte as nënës, as babës e askujt tjetër. Më dha disa pare, të cilat mezi i futa në xhep, ashtu duarlidhur. Ai priti gjithë natën jashtë për të mësuar se çfarë do të bëhej me ne. Në mëngjes erdhën e na morën me kamionë të ushtrisë italiane për të shoqëruar ushtarakët, që shkonin nga Prizreni, në drejtim të Dakau-t. Me kamion kemi udhëtuar deri në Vaun e Dejës. Kaluam Pukën e, para se të hynim në Kukës, në krahun e djathtë, u dëgjuan disa të shtëna. Italianët kujtuan se ishin guerrilasit antifashistët për të bërë ndonjë atentat, prandaj ndaluan krejt autokolonën. Ne nuk e dinim se pas nesh, në të njëjtën kolonë, udhëtonin në një kamion nja dhjetë shqiptarë. Ata kishin informacion se ne ishim në kamionin para tyre. Dy karabinierë të armatosur na afrohen dhe na urdhërojnë të zbresim në tokë. – Shqiptarë ?- na pyesin. – Po,-përgjigjemi ne. Njëri prej tyre, nipi i Llesh Marashit, më njihte. Më tha të mos mërzitesha se në qoftë se ndodhte ndonjë gjë, ata do të ishin pranë nesh dhe do t’na ndihmonin. Por nuk ndodhi gjë. Ata që kishin qëlluar ishin gjahtarë dhe po ndiqnin gjahun. Në Prizren arritëm në darkë. Ishte Ihftar. Shihnim lumin, kalanë mbi qytet, dyqanet tradicionale, ushqimet e bollëkun, që ishte në atë kohë atje dhe habiteshim. Na çuan në një vend, ku kishin mbledhur disa profesorë shqiptarë që ishin në Kosovë për të dhënë mësim. Ata ishin intelektualë. Njoha Musa Dizdarin, Fadilin, e njëri prej tyre më njohu. – Po ti?! – më thotë. – Çfarë don këtu? I tregova se s’dija asgjë pse isha aty dhe ku po na çonin të lidhur me pranga…E pyeta:- Po ti çka don këtu? – Ne na pret kamioni nesër me na çu në ndonjë vend tjetër. Të nesërmen në mëngjes erdhën e na morën ne të tre me një kamion, që do të kthehej. Pritja ishte e ankthshme. Një kamion u kthye nga shkolla për të sjellë një grup tjetër profesorësh. Ky kamion nuk u kthye, derisa ishim ne në atë vend. Ndoshta i kishin harruar aty. Më në fund na lëvizën; hipëm në kamion dhe shkuam deri në Pukë. Atje, xhandarët na zbritën dhe na futën në xhandarmëri. Një burrë i gjatë më shikonte dhe e shikoja. Isha në atë kohë 18 vjeç. Më vjen afër e më pyet se i kujt isha. I tregova. – Ti je Fuadi?- më pyeti. Na zgjidhi e na tha se do të na binte të hanim çfarë të donim. Të nesërmen na hipën në kamion e drejt e në Shkodër. Prej Shkodre, në Tiranë. Nuk e kisha kuptuar gjithë këtë ecejake plot ankth e misterie.Ka qenë 14 shtatori i vitit 1943. Na çuan në zyrën e S.I.M.I.-t, spiunazhit ushtarak italian. Atje, një kapiten me mustaqe, nja 45 vjeç, na uli të treve. Ndërkaq, në Durrës ishte ankoruar një vapor, që do të nisej për në Itali. Me të italianët do të transportonin disa shqiptarë të arrestuar, për t’i internuar në Itali. Atje donin të na çonin edhe ne. Në kohën që vijnë dy ushtarë e i thonë kapitenit se ishin gati për t’u nisur, ai ua ktheu: – Këta janë të lirë. Italia kapitulloi. Ai nuk bëri zë, por erdhi për të na thënë se ishim të lirë. Dolëm në Tiranë pa asnjë lek në xhep. Ku të shkonim? Mbaja mend vetëm hotelin “London” në qendër të Tiranës. I zoti i hotelit ishte shkodran. Morëm një karrocë dhe shkuam atje. Kur mbrritëm, shoh babën me një dhëndër, Ibrahim Hoxhën. Kur më panë, u habitën. U tregova historinë. Ata mbetën të habitur, por dhe u gëzuan që aventura kishte përfunduar pa na dëmtuar. Morëm makinën për t’u kthyer në Shkodër. Ndahemi me ushtarin dezertor, me të cilin qeshë lidhur në pranga, ndërsa shokun tjetër të prangave e morëm me vete në makinë. Gjermanët sapo kishin ardhur në Shqipëri. Sapo kalonim Lezhën, dëgjuam një shpërthim mine. Do të kishim mbetë nën mina, sikur të ishim vonuar për pak minuta.Aventura drejt ItalisëÇfarë ndodhi pas kapitullimit të Italisë fashiste me familjen Myftia dhe me nacionalistët e zonës së Veriut ?- e nxis bisedën me pyetje. Dr. Fuadi tregon se pas kthimit në Shkodër aktiviteti antinazist vazhdoi. Fillimisht të rinjtë nacionalistë antinazistë vepronin në radhët e “Besa-Besë”, derisa iu bashkëngjitën organizatës “Lëvizja e Legalitetit”, e cila u formua me 20 nëntor 1943, në Zall Herr të Tiranës. Ai kujton se ishin bashkëngjitur me ta edhe personalitete ushtarake, të cilët kishin qenë më parë oficerë të mbretit. Ndër ta ishin 5 oficerët e Malësisë së Madhe së bashku me Llesh Marashin, i cili më vonë, pas çlirimit, nuk i hodhi armët kundër komunizmit, derisa e varën në litar. Në kujtimet e Fuadit qëndron e freskët ditëthemelimi i organizatës “Lëvizja e Legaliteti” në Zall Herr, ku delegacionin e Shkodrës e kryesonte Ndoc Çoba, ish kryetar i bashkisë, intelektual me zë i Shqipërisë.- Edhe ne si të rinj, deklaruam organizatën kombëtare “Organizata e Legalitetit” për Shkodrën, – thotë Myftia.- Po babai juaj, ç’qëndrim mbajti gjatë ardhjes së nazistëve pasi u kthye nga internimi prej Gjirokastre?…* Fragment nga libri në proces botimi

Filed Under: Opinion

E para ishte gruaja

February 10, 2022 by s p

Vlora Konushevci/

Dikush mund të më konsideroj seksiste sepse për këtë antologji kam përzgjedhur t`i prezantoj dhe përkthej vetëm poetet gra. Dikush se jam grua dhe dua t`i mbështesë gratë. E dikush se jam dhe i mbështesë, porse në secilin rast ka një arsye. Dihet mirë që historikisht gratë kanë qenë dhe janë më pak të përfaqësuara në të gjitha sferat e shoqërisë, përfshirë këtu edhe në fushën e krijimtarisë letrare, prandaj nuk dua të ofroj leksione historie. Këtu dua të paraqes një hyrje mbi këtë antologji si dhe motivin që më ka shtyer ta marr përsipër përpilimin dhe botimin e kësaj antologjie, e cila është promovim jo vetëm i poeteve shqiptare, por i hapësirës letrare shqipe në botën anglishtfolëse. Duke e pasur për motiv promovimin e krijimtarisë së grave tona e kam krijuar edhe platformen online të poeteve shqiptare, në të cilën janë prezantuar afër 100 poete gra nga e gjithë hapësira shqiptare. 

Në antologjinë “Magma”, poezia merr frymë, zë hapësirë dhe kërkon vëmendje, jo vetëm për gratë, por për të gjithë ata që bien në kategorinë e të tjerëve brenda mbretërisë së patriarkatit. Zëri i krijueseve letrare në hapësirën shqiptare i ka dhënë poezisë frymën njerëzore dhe ka luajtur në vazhdimësi rol emancipues. Vargjet e poeteve shqiptare janë thirrje e fuqishme për ndryshime shoqërore, në gjitha dimensionet. Aty mishërohet guximi dhe dëshira për ndryshim në funksion të ndryshimit pozitiv të shoqërisë. Kjo antologji nuk e ka një subjekt të vetëm apo një qëllim të vetëm. Subjektet që trajtohen këtu, përmes poezisë, i ofrojnë lexuesit botën e tmerrshme dhe të lavdishme të gruas njëkohësisht, e cila shpresoj se do t’i nxis ata të lexojnë më shumë poezi dhe paralelisht, falë poeteve frymëzuese të hapet debati kompleks në shoqërinë tonë. 

Poetet e prezantuara këtu vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare dhe janë dëshmitare të peridhave sfiduese sic është kapërcimi nga një sistem politik në tjetrin, nga një sistem shtypës në atë të të qenit të lira, nga periudha e luftës në atë të mbijetesës. Pastaj nga periudha e sfidës në atë të konsolidimit e faktorizmit, të shndërrimit në subjekt, jo të karakterit formal, por përmbajtësor.  

Sot, gruaja nuk është njëra nga ato, porse është vetë esenca. Në shoqërinë shqiptare është kjo grua që sfidoi regjimet totalitare, persekutuese e barbare për të arritur në stadin e të domosdoshmes, katalizatores për ndryshime dhe për bartjen e fatit të shoqërisë sonë mbi supe. 

Sot, krahas shteteve, gratë shqiptare meritojnë himn, sepse ato dëshmuan se kauza për barazi është e mundshme. Ajo asnjherë nuk është e mjaftueshme, porse në shoqëri ku mbretëron qasja patriarkale, secila levizje në këtë drejtim përbën heroizëm të njëmendtë për botën e barabartë, ku gjinia nuk është plagë, porse vetëm dallim biologjik.

Gratë shqiptare janë shtatore, të latuara me mund, sepse të tilla i bëri koha, i bëri procesi historik nëpër të cilin kaluan. Janë këto gra, të cilat nëpërmjet vargjeve, shpërfaqin një histori të tërë. Ato janë vetë rrëfimi, ku secili varg përbën një fat dhe një fakt. Janë këto gra, të cilat me botën e tyre poetike e sjellin afër lexuesit, i cilitdo komb qoftë ai, fatin e grave shqiptare, tiparet e saj, madhështinë dhe kurajon për një botë më të mirë.

Ta kuptosh një grua është fare e lehtë, anipse stereotipet e thonë të kundërtën. Ta përkthesh një grua është jo zor, porse jo e lehtë. Bota e pasur poetike e këtyre grave, motivet e larmishme, guximi për t`i thyer tabutë për ta testuar lirinë poetike, firguracionet e pasura poetike e bëjnë poezinë e tyre provokuese, sfilitëse, tunduese, por edhe trimëruese dhe kurajuese për ato që luftojnë shtypjen, ato që duan lirinë dhe ato që barazinë e kanë synim të çdoditshëm.  

Në vargun e secilës nga 30 poetet, lexuesi gjen një copë historie të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Janë fate të grave nga këto anë gjeografike, të konteksteve të afërta, por të dallueshme kulturore e historike.

Në historinë letrare të poezisë shqipe, të zakonshme kanë qenë antologjitë me poezi burrash/poetësh, porse asnjëherë të grave poete.

Kjo përpjekje imja synon të shpërfaqë para lexuesit kombëtar e ndërkombëtarë shkathtësinë krijuese të grave tona, botën e pasur krijuse të tyre, është në fakt përmbledhje e fateve të 30 krijueseve është potreti i secilës i ngërthyer në një tablo të përgjithshme që përmbledhet në botën e gruas shqiptare. 

Këto gra poete jemi ne. Është shoqëria shqiptare në vargun  poetik. Është bota jonë e vogël karshi botës sonë të madhe. Është poezia e grave. Janë gratë.

Një përkthim letrar konsiderohet akt besimi, ndaj përkthimi poetik e vë atë besim në sprovat më të rënda të të gjithave. 

Sido që të jetë, ndoshta është fat kur përkthyesi letrar është vetë poet, ndaj  kësisoj zbërthehen të pathënat.  Jam përpjekur maksimalisht t`i ofroj lexuesit atë që gjermanët e quajnë zeitgeist (fryma). Ky përkthim tenton t`i kapërcej boshllëqet gjuhësore dhe kulturore, sepse jam e vetëdijshme që shpirti i poezisë qëndron në përdorimin e gjuhës në mënyrë figurative e metaforike dhe që kapërcen kufizimet tradicionale të gjuhës. 

Sikurse në cdo mësymje, edhe ky projekt nuk do të ishte i mundshëm pa mbështetje jo vetëm të karakterit material për të cilin ka kontribuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. 

Dua të falënderoj në veçanti komisionin e përbërë nga poetët: Dije Demiri Fragnu, Primo Shllaku e Halil Matoshi për kontributin e tyre në përzgjedhjen e poeteve,  shkrimtarin britanik Robert Wilton për redaktimin e antologjise si dhe Donika Dabishevcin për përkrahjen e vazhdueshme dhe botimin e kësaj antologjie. 

Filed Under: Opinion

COVID-19: A PO KALON PANDEMIA NË ENDEMI?

February 9, 2022 by s p

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik

Ndërsa po mbyllim vitin e dytë të kësaj pandemie globale, ka disa mënyra për të parë ndikimin që pati Covid-19, si këtu në Shtetet e Bashkuara (SHBA), ashtu edhe globalisht. E para është ajo e një kataklizmi dhe për të cilën ne nuk ishim të përgatitur – e përkeqësuar nga gabimet e politikave, keqinformimi dhe pabarazia globale – që mori jetën e më shumë se 5 milionë njerëzve dhe përmbysi jetesën e miliarda njerëzve në mbarë botën. Por një mënyrë tjetër për ta parë atë, është një histori e pandemisë që fokusohet në arritjet e saj të paprecedentë shkencore: në një kohë rekord, shkencëtarët kaluan nga zbulimi i një virusi të ri në zbërthimin e gjenomit të tij, në zhvillimin e mënyrave të shumta efektive për ta parandaluar dhe trajtuar atë. Kjo mund të jetë përpjekja më e madhe e shëndetit publik në histori. E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, më shumë amerikanë vdiqën nga Covid-19 në vitin 2021, vitin kur Presidenti Joe Biden mori detyrën i “armatosur” me vaksina dhe duke premtuar një ‘rivendosje të pandemisë’ nën kontroll, sesa në vitin 2020, kur ish-presidenti, Donald Trump, i cili sipas shumë njerëzve u “ngatërrua” në zgjidhjet e tij për Covid-19, por gjithësesi nen udhëheqjen e tij edhe ai dha shtytjen e tij për zhvillimin e vaksinës. Viti i parë i pandemisë u përcaktua nga fushata për fillimin e “rrafshimit të kurbës” dhe luftimeve mbi masat zbutëse si bllokimet, maskat dhe mbyllja e shkollave, SHBA-ja rezultoi dobët, veçanërisht duke pasur parasysh reputacionin e saj para-pandemisë për të qenë të përgatitur për të. Për më tepër, viti i parë u shënua me përpjekjet për të zbatuar mbikëqyrjen mjekësore dhe për të kultivuar besimin social në shëndetin publik, i nevojshëm për të frenuar përhapjen, ndërsa ne prisnim ndihmën e vaksinave. Viti i dytë i pandemisë, ndonëse i përcaktuar nga përhapja e vaksinave të zhvilluara kryesisht përmes aftesive dhe kapitalit amerikan, ka treguar të jetë më keq për SHBA-në – deri tani – edhe para se Omicron të dilte në skenën botërore, veçanërisht kur krahasohet me ekonomitë e tjera të zhvilluara.

A PO KTHEHET PANDEMIA NË NJË ENDEMI?

Për një epidemiolog, një shpërthim endemik është ai në të cilin normat e përgjithshme janë statike – nuk rriten, nuk bien. Më saktësisht, do të thotë se përqindja e njerëzve që mund të sëmuren balancon ‘numrin bazë të riprodhimit’ të virusit, numrin e individëve që një i infektuar individi do të infektonte, duke supozuar një popullatë në të cilën të gjithë mund të sëmuren. Po, ftohjet e zakonshme janë endemike. Po kështu janë ethet Lassa, malaria dhe poliomieliti. Kështu ishte edhe lija, derisa vaksinat e zhdukën atë. Me fjalë të tjera, një sëmundje mund të jetë endemike dhe e përhapur dhe vdekjeprurëse! Malaria vrau më shumë se 600,000 njerëz në vitin 2020. Dhjetë milionë u sëmurën nga tuberkulozi po atë vit dhe 1.5 milionë vdiqën. Endemike nuk do të thotë që një sëmundje zbutet fare. Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz zhvillojnë imunitet ndaj SARS-CoV-2, ose shërohen nga infeksioni, virusi mund të ketë më pak gjasa të shkaktojë sëmundje të rënda. Por më pas mund të evoluojë përsëri. Lajmi i mirë është se kjo bëhet më pak e mundshme sa më shumë që popullata e botës të vaksinohet – sepse sa më pak njerëz të infektohen, aq më pak shanse ka virusi të evoluojë. Edhe në SHBA, ka një numër të madh individësh të pavaksinuar (rreth 35 përqind) dhe është e paqartë se sa do të zgjasë mbrojtja nga përforcuesit. Ndërsa ne të gjithë shpresojmë që koronavirusi do të evoluojë për t’u bërë më i butë dhe që Covid të bëhet endemik – ose më mirë, mjaft i menaxhueshëm për të mos dëmtuar jetën tonë të përditshme. Por këto janë shpresa, jo fakte, dhe përsëritja e këtyre treguesve nuk do t’i bëjë ato të ndodhin më shpejt.

Viruset synojnë të krijojnë sa më shumë kopje të tyre dhe të përhapen sa më gjerë. Edhe pse nuk është gjithmonë në interesin e tyre më të mirë të vrasin bartësit e tyre, përderisa ato transmetohen përpara se të ndodhë kjo, nuk ka rëndësi. Sars-CoV-2 nuk vret njerëz gjatë periudhës kur është më infektues; njerëzit priren të vdesin dy deri në tre javë pasi sëmuren. Me kusht që të mos evoluojë për t’i bërë njerëzit aq të sëmurë sa të mos përzihen ose nuk mund të përzihen me njerëz të tjerë ndërsa janë infektues, virusit nuk i intereson nëse ka disa viktima gjatë rrugës. Ndërsa të dhënat tregojnë se Omicron ka qenë më pak i rëndë se variantet Alfa ose Delta – ndersa të dyja këto variante shkaktuan sëmundje më të rënda sesa lloji origjinal i Wuhan. E rëndësishmja, evolucioni viral nuk është një rrugë njëkahëshe: Omicron nuk ka evoluar nga Delta dhe Delta nuk ka evoluar nga Alpha – është më i rastësishëm dhe i paparashikueshëm se kaq.

Që nga fillimi i saj, pandemia ka qenë e mbushur me slogane, por në javët e fundit, dy janë përsëritur me frekuencë në rritje: “Variantet e virusit do të evoluojnë për të qenë më të buta”dhe “Covid do të jetë ftohja e re e zakonshme dhe do të bëhet endemike”. Ndërsa ka shenja për të dy, asnjëra nuk duhet të merret si e mirëqenë. Pjesa më e madhe e asaj që dihet u mësua nga gripi, i cili shkaktoi dy pandemi me një distancë prej rreth nëntëdhjetë vjetësh, gripin spanjoll të vitit 1918 dhe gripin e derrit të vitit 2009, i cili përfundimisht evoluoi për t’u bërë më pak virulent. Megjithatë, virusi i vitit 1918 mendohet se është bërë më vdekjeprurës përpara se të bëhej më i butë. Ndërsa në përgjithësi, viruset bëhen më të butë, është një gabim të besohet se viruset ose patogjenët bëhen gjithmonë më të butë. Nëse një virus mund të vazhdojë të transmetohet dhe të shkaktojë shumë sëmundje, do të ndodhë. Covid-19 ka marrë një numër të tmerrshëm, por vlerësimet e numrit të mundshëm të vdekjeve, sugjerojnë se vaksinat shmangën një katastrofë. Në të njëjtën kohë, virusi po ndryshon në mënyra që e lejojnë atë të shmangë më mirë vaksinat, siç ka treguar varianti Omicron. Imuniteti nga vaksinat gjithashtu zbehet me kalimin e kohës. Ende shumica dërrmuese e njerëzve të shtruar në spital dhe që vdesin nga Covid-19 tani janë të pavaksinuar. Krahasuar me njerëzit e vaksinuar, të pavaksinuarit kanë 15 herë më shumë gjasa të vdesin nga Covid-19, sipas Qendres për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve  të SHBAs (CDC).

Ndërsa shenjat duket se tregojnë në atë drejtim, ideja që endemiteti është afër fundit duket paksa në kundërshtim me faktin se sapo kemi pasur disa javë rritje eksponenciale, masive, shpërthyese të infeksioneve – me shumë vende të botës vetëm tani duke parë ndikimet e saj – dhe para kësaj, ne ishim ende duke parë rritje eksponenciale të Delta. Transformimi i Covid-it në një sëmundje më të menaxhueshme, pra në një endemi, me të cilën mund të jetojmë në një normalitet të ri, vërtet kërkon më shumë sesa vetëm një fushatë vaksinimi në përmasa kombëtare apo dhe globale. Kjo kërkon një përpjekje dhe për të përmirësuar mbikëqyrjen për variantet e reja që mund të na kansosën në të ardhmen, në veçanti për të trajtuar shpërthimet në vende burim ku ato shfaqen.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 231
  • 232
  • 233
  • 234
  • 235
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT