• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VISAR ZHITI: Librat janë hakmarrja jonë kundër së keqes që kaluam…

May 29, 2021 by dgreca

MESAZH I SHKRIMTARIT VISAR ZHITIT PËR PROMOVIMIN NË VATËR TË LIBRAVE TË BASHKËVUAJTËSIT TË TIJ DINE DINE ”ALIDA” DHE “GJYQI I SHOPENHAUERIT”

E DASHUR “VATËR” E SHQIPTARËVE NË SHBA*

I dashur mik dhe bashkëvuajtës, Dine Dine!

I dashur mik dhe bashkeqytetar Dalip Greca

Të dashur të pranishëm në këtë takim, 

Përgëzime për këtë takim, përurimin e dy librave me autor Dine Dinen, njëri me bashkautor dhe bashkëshorten e tij, Adriana Dine, botuar në Shqipëri dhe faleminderin për ftesën që të isha dhe unë bashkë me ju. 

Do të desha të isha, por për shumë arsye nuk munda dot. Kujtoj që kam qenë më parë në një tjetër përurim mes jush, po të Dine Dines, për romanin “Mbi varkën e Karontit”, ku ai rrëfen me sinqeritet dhe pa urrejtje, madje dhe pa akuzuar, dënimin e tij.

Dhe unë me Dine Dinen u njoha  në burgun e Spaçit, u bëmë miq dhe ajo miqësi, ashtu si dhe me të tjerë njerëz të mirë dhe të besës në burg, kishin një rendësi të madhe për të qendruar kundër së keqes, për të qenë njerëz, atje ku ishte e vëshirë. Kujtoj bisedat me Dinen, kemi folur shpesh për librat, për poezinë, Dinia më dha dhe përktheu poezinë “If” të Kiplingut, kemi folur për Heminguejin, kujtoj, për filozofë, Dinia dinte dhe donte Shopenhauerin, etj, kemi folur për Lazër Radin, shkrimtar i burgosur dhe i internuar gjithë jetën, vjehërri i Dines, kemi folur për dorëshkrimin e tij për Migjenin, etj, pra për gjëra të ndaluara. 

Po kështu vazhduam kur na shpërngulen në burgun e Qafë-Barit, edhe kur u liruam, deri sa ra apo u shpërbë diktatura komuniste në Shqipëri e Dine Dine, si qytetar i lirë mërgoi në SHBA.

Por prej andej erdhën librat e tij, roman në fillim, novelat e tregimet.

Dine Dine duket sikur kërkon shplodhje shpirtërore në atë që shkruan, jo kujtimet e vuajtjes dhe të përndjekjes vetëm, po ato ku është dashuria, jeta që kërkon normalitetin dhe bukurinë e vet.                                                 Novela “Alida” në ballinën e pasme” ka dhe këtë vlerësim timin:  

“Alida” êshtë një novelē e shkëlqyer, jo për dashurinë, por për pamundesinë e saj, fiksimin e pashpjegueshëm erotik si patalogji, me sfond vuajtjen në internime e burgje  të rrëfimtarit e kohën më pas deri në tej jetë.

Të kujton rrëfimet alla Turgeniev e Cvajg, një klasiçizem që autori e ndiqte me ëndje dikur si letërsi e ndaluar. 

Pathosi dhe e çiltërsia, moskokëçarje ndaj të vërtetës, dënimeve, familjes, etj, janë përqendruar në njē obsesion, që i tutet arritjes së një dashurie reale, duke e besuar këtë si dashuri dhe kështu iluzioni “Alidë” bëhet më i fortë.”

Dine Dine tashmë është autor në letrat e ditëve tona, sipas meje. Unë sapo kam botuar librin “Kartela të Realizmit të Dënuar” një studim i gjerë për letërsinë që erdhi nga burgjet dhe internimet, e autorëve të dënuar, që vazhdojnë të shkruajnë dhe tani, etj, pra të një ‘letërsie tjetër”, krejt ndryshe nga ajo e Realizmit Socialist, i imponuar nga regjimi i dikurshëm, por theksoj se “Letërsia e Realizmit të Dënuar” nuk erdhi që të zëvendësojë letërsinë shqipe, por për të sjellë vetveten, ato të vërteta të munguara, për të cilat letërsia ka aq shumë nevojë.

Mbase i diskutojmë çështjet që ngre ky libër ndonjë ditë në “Vatrën” tonë, por desha të them se mes shumë “kartelave” që ka ky libër, emrave të shkrimtarë të dënuar, një pjesë mizorisht si asgjëkund tjetër, me pushkatim  nga regjimi gjakatar apo autorë të çmuar që janë shuar burgjeve, veprat e të cilëve e nderojnë letërsinë shqipe, që tregojnë se ajo qëndroi dhe dha vlera kombëtare, po kështu dhe me dëshmitë tona, me poezinë që nxorëm nga burgjet, që përkthehet dhe emocionon lexuesin nëpër botë, etj, etj, me vazhdimet deri më tani me libra të kujtesës, etj, pra, mes atyre kartelave të shumta me vlerësime, tashmë është dhe ajo e Dine Dines, ja, ç’është shkruar shkurt, ndër të tjera në atë:      

“DINE DINE

…Ishte rritur internimeve, nip i një kryeministri të dënuar, familje e madhe nga Dibra, të ikur jashtë si kundërshtarë politikë, larg në SHBA. Atje emigroi dhe Dinia, kur sa po zhbëhej diktatura dhe nisi të botojë dhe në median e diasporës, kujtime për bashkëvuajtësit, rrëfime e recensa librash dhe tani së fundmi nxori romanin autobiografik “Mbi varkën e Karontit”. Dhe vazhdon të punojë, të rrëfejë burgun e tij…

“Alida” – është novela që e pasoi, dashurie e gjitha, për pamundësinë e dashurisë, ku pengesë nuk është vetëm burgu. 

“Gjyqi i Shopenhaurit” – novelë tjetër bashkë me disa tregime, të shoqëruara dhe me rrëfime të bashkëshortes së tij, Adriana, bija e Lazër Radit.. Që nga internimi ajo i vinte në burg, mbante familjen me dinjitet dhe nder duke punuar kanaleve, rriste djalin… 

Qëndresa e grave të internimeve, me burrat në burg, është një heroizëm tronditës, shenjtëri e dashurisë, që letërsia shqipe ua ka borxh. Së pari letrat tona…”

Ja, këto do të thosha dhe unë modestisht, po të isha me ju në këtë përurim për librat e një bashkëvuajtësi dhe miku.

Librat janë hakmarrja jonë kundër së keqes që kaluam.

      Ju dëshiroj vetëm të mira!

Miqësisht,

Visar Zhiti

         28 maj 2021

*Në pamundësi për të ardhur në promovimn e librave e bashkëvuajtësit të tij Dine Dine, shkrimtari Visar Zhiti dërgoi këtë përshëndetje që u lexua në fillim të veprimtarisë nga moderatorja Marjana Bulku.

Filed Under: Opinion Tagged With: hakmarrjv jone, mesazh per Dinen, Visar Zhiti

KUJTESA E SË SHTUNËS- LETËRSIA E BURGOSUR-PROMOVIM DHE BASHKËBISEDIM NË VATËR-

May 28, 2021 by dgreca

LIBRAT“ALIDA” I DINE DINES DHE “GJYQI I SHOPENHAUERIT” TË ADRIANA & DINE DINE DO TË PROMOVOHEN NË VATËR MË 29 MAJ, ORA 11.00 A.M. NGA VATRA, SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE SHOQATA ALBANIAN AMERICAN DUAL LANGUAGE & CULTURE-

Pas promovimit do të organizohet ceremonia përmbyllse e vitit shkollor nga Shkolla shqipe Children of the Eagel me themeluse dhe drejtuse zonjën Drita Gjongecaj,që në vitin e Pandemisë i zhvilloi mësimet në VATËR…..

Pas suksesit me romanin“Mbi varkën e Karontit”(promovuar në Tirënë dhe në Nju Jork-Vatër) shkrimtari Dine Dine,i cili provojë që në foshnjëri egërsinë e kampeve të internimit dhe burgun e tmerrshëm të diktaturës komuniste, – ka publikuar novelën “ALIDA” me subjekt të ndërthur në kampet e internimit, me fillesë të rrëfenjës në burg e më pas jetën e lirë; si dhe librin me tregime “Gjyqi i Shopenhaurit” me bashkëautore bashkëvuajtësen, shoqen e jetës, nënën e fëmijëve të vet, Adrianën, të bijën e intelektualit të shquar, Lazer Radi.Një tjetër libër me subjekt nga jeta e burgut të Spaçit është drejt përfundimit, si die një vëllim me tregime e nje libër publicistik.nga autori janë në proces drejt përfundimitShkrimtari Dine Dine tashmë ka krijuar profilin e tij krijues dhe letërsia e burgosur dhe e internuar bashkë me të ka fituar LIRINË! Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Shoqatën Albanian-American Dual Language & Culture organizojnë promovim e të dy librave ditën e Shtunë, 29 Maj 2021, në orën 11.00 A.M. Pas promovimit do të organizohet ceremonia përmbyllse e vitit shkollor nga Shkolla shqipe Children of the Eagel me themeluse dhe drejtuse zonjën Drita Gjongecaj, e cila në këtë vit të vështirë të Pandemisë i ka zhvilluar mësimet në mjediset e Vatrës. Fëmijët kanë përgatitë një program- koncert dhe në fund do t’u dorëzohen certifikatat e përfundimit të vitit shkollor.

Filed Under: Opinion Tagged With: ALIDA-Gjyqi i Shopenhauerit, Promovim ne Vater-Dine Dine

Çfarë ndjeva ishte Dhimbje dhe Mall

May 27, 2021 by dgreca

Shkruan: Albana M. Lifschin/

Vizita ne Kosove ato kohe konsiderohej si “dalje jashte shtetit”./

Nga Televizioni i Kosoves ne koridoret e TVSh filluan te vinin kolege te Prishtines, gazetare, kengetare e instrumentiste. Me ra rasti edhe mua te shoqeroja disa , por nuk prisja te me dergonin per nje vizite atje. Kete deshire ia plotesova vetes ne fund të Majit 2001 kur u nisa nga Nju Jorku ne Prishtinën për herë të parë.

Qe një vizitë krejt e veçantë për mua. Kisha punuar me refugjatët e Kosovës në bazën ushtarake te Fort Diksit, N.J, ku qeveria amerikane kishte vendosur rreth 4000 refugjatë . Ato muaj punohej per pajisjen e tyre me dokumenta. Ata kishin zgjedhje të lirë: Te vendosnin të rrinin në Amerikë pas luftës, ose të ktheheshin në atdheun e çliruar. Por atë periudhë jetonin të traumatizuar pasi nga Kosova u përzunë nën bajonetat e militarit serb e thirrjet urryese: “Hajt shkoni tek Amerika! Shkoni tek Klintoni!” e nuk dinin ku ndodheshin pjestaret e tjere te familjeve te tyre. Ishin qindra e mijra njerezish qe përfunduan në kampe refugjatësh e shumë prej tyre edhe në Tiranë.

Në Fort Diks, Nju Xhersi, u pajisen me karta telefonike që t’i kërkonin të afermit kudo në Evropë. Çdo ditë ne oren 3 p.m bëheshin takime me refugjatet, per të parë ç’ nevojash kishin. (Ne qe punonim aty u keshilluam qe te mos i quanim refugjate, por

” miq”.

Fëmijët ishin te paret qe mblidheshin para studios se transmetimit prej nga jepja lajmet e dites për situatën në Kosovë e në Ballkan. Pata mundesine te njihja nga afer mjaft prej familjeve. Nderkohe dëgjoja rrëfime rrengjthëse nga femijet. Madje bera vend në transmetimin e perditshem, rreth një ore te vecantë vetem me femijet. Prej tyre u frymëzua idea për te shkruar librin ” Children of Kosova stories of horror” , ku u paqyruan rrefimet e 43 femijeve sic e kishin perjetuan ata debimin nga shtepite e tyre nen bajonetat serbe. E shkrova ne anglisht per boten anglishtfolese qe t’i mesonin nga goja e femijeve, inocente,te verteten e paanshme, kur serbet ne ekranet televizive amerikane pretendonin qe Kosova ishte e tyrja, madje e quanin “djepi i Serbise”.

Më pas pata rastin t’i ndihmoja familjet për sistemim në punë nëpërmjet agjensise me te madhe për refugjatë e emigrantë NYANA, në Manhattan. Reklama jonë u vendos në gazeten Iliria. Për shumicen prej tyre qendrimi në Amerikë ishte i përkohshëm. I kishte marrë malli për Kosovën. I pata bërë një pyetje një vajze te re: Përse nuk do të rrish këtu në Amerikë? Këtu do të shkollohesh do të… “- Amerika nuk ka nevojë për mua , mu pergjigj,-Kosova ka! Më rrengjethi. Quhej Makbule Qerimi, ate kohë qe 14 vjeç.

Keto kujtimet te freskëta sillja me vete. Ne rruget e Prishtinës shikoja pallate te ngjashme me te Tiranes, pjatat e televizoreve që binin ne sy, si ne krye të rruges së Durresit. Pemët po ato, në shperthim të plotë pranveror. Ndjeva që ndodhesha në Tiranën time. Më mbyti mallëngjimi. Sytë m’u mbushën me lot. Lot malli, lot dhimbje. Si mund te ishim NJE dhe njëkohësisht të NDARE?

Aty lindi poezia ” Dhimbje dhe mall” .

Ketu po insert poezine si edhe nje kolazh fotosh

DHIMBJE DHE MALL

(Emocionet e vizitës sime të parë në Prishtinë)

Sot bulevardi i rinisë sime tiranase

me rrugët e tua Prishtinë u shkri e u bë një.

E tronditur në mes pranverës së dubluar,

shpirti mall e lot mbi faqe për ty derdhte…

Një mollë ndahet në mes për dashuri, një pjeshke po ashtu,

por një Atdhe për dashuri nuk ndahet në mes, kurrsesi!

Damarët e gjakut na i prenë vëllezër,

damarët e jetës në fasha mbështjellë i kemi mbajtur,

gjaku të mos na ikë, të mos na prishet,

të fikët të mos na bjerë, në tokë të mos biem,

dhe në gjunjë të mos te mos biem…

S’e ndjeva mungesën tënde në Prishtinë, Tiranë,

Çfarë ndjeva ishte dhimbje dhe Mall.

Prishtinë, 27 Maj 2001

Filed Under: Opinion Tagged With: Albana M. Lifschin, Mall, Vizita ne Kosove

Klithmat e një gruaje

May 26, 2021 by dgreca

Nga Silvana BEGA/

….E larguar në orbita pafund larg Atdheut tim fizikisht më bënë të afrohem me revoltë shpirtërisht duke më kthyer aty kur dëgjoj këto copëza poshtërimesh vrastare që i bëhet një femre. I afrohem me përbuzje tymin e zi që ka pllakosur shoqërinë tonë, moralin tonë, ndërgjegjen duke nxirë shpresën sa herë që dëgjohen klithmat e vajzave të dhunuara nga monstrat e gëzuara në epshe shtazarake.Nuk e di pse këto klithma nuk kanë shpuar akoma daullet e shurdhëve? Pse këto klithma nuk kanë shkuar lumenjtë e ti thajnë? Përse këto klithma të dala nga një shpirt që përpëlitet në makabritet nuk veshin dritën e artë të diellit? E hëna ka ulur kokën duke vërejtur e gjakosur në shikim e saj. Nga ato klithma dhe insektet fshihen skutave të thella të nëntokës. Si ka mundësi që ato klithma nuk ndalojnë ekzistencën e tik takut të orës,për pushimin e kohës? Janë klithma shpirti o qënie! Janë rënkime lebetitëse,që ngjethin!Por jo,jo,jo! Shoqëri e baltosur nga gjurmët e turpit të pllakosura me heshtje. Ne shesim morale dhe shfajësojmë agresorin me pranimin si pjesë e qenieve njerëzore.Mos kërkoni fajin larg. Ne si shoqëri po cënojmë vlerat e të qenit femër duke e konsideruar si mjet kënaqësie. Të gjithë ne që bëjmë moralistët kur dëgjojmë lajme të tilla. Po ! Ne! Ne që vlerësojmë këdo në bazë të trupit, makiazhit, fotot, buzëqeshjen duke iu bërë presion social dhe emocional. Ne , moralistët e ndershmërisë shikojmë dhe bëjmë sehir si hidhet vrer mbi femrat e suksesshme, madje edhe kur duam të prekim një mashkull i cënojmë dhe i shajmë motrën, vajzën, gruan, nënën. Sepse një femër ne e diferencojmë që në fëmijëri. i mësojmë të hekuros, të gatuaj, të bëjë punët e shtëpisë, të jetë instrumenti i një mashkulli duke e dobësuar imazhin e saj dhe duke e rritur me idenë që përdhunuesi përligjet dhe e dhunuara gjykohet. Shuplakat e turpit dhembin pak më shumë. Por, ju që lëshoni lot dhimbje dhe të shëmtuara. Jeni ju që i keni mësuar fëmijët tuaj ta trajtojnë femrën me mosrespekt duke trajtuar keq nënën. Jeni ju që e mësoni mos të kundërshtoi se është thjesht femër. E normal që vulën përfundimtare e merr kur ky krim barbar nuk dënohet mjaftueshëm. Prandaj lëngon kjo shoqëri maskiliste… Kontradiktore,e depresionuar në fakt. Sepse në këtë shoqëri janë bashkë dhe nuk bëjnë dot pa njëri tjetrin. Sepse në këtë shoqëri janë domosdoshmërisht nëna dhe motra e dikujt, e dashura dhe gruaja e dikujt tjetër, janë shoqja, kolegia juaj ,mikja juaj.Të marshosh në dyert e qeverisë dhe shesheve nuk mjafton! Duhen hapur bravat e zemrave , të edukojmë moralin,traditën tonë, historinë tonë, dinjitetin tonë. Duhet të marshojmë drejt shpirtrave dhe karaktereve tona duke perfeksionuar moralin.Ne, si shoqëri, duhet ta thyejmë këtë barrierë shëmtie, mendësie prej skllaveje, të zbusim shpirtërat njerëzor, fëmijët tanë, shokët , shoqërinë dhe tërësinë.Sepse jeta ka ngjyra. Mjaftojmë të duam ti njohim. Ngjyra që na jep një shoqëri e shëndetshme. Në një shoqëri të shëndetshme Ajo është njësoi si Ai dhe është njësoj si Ju!

Filed Under: Opinion Tagged With: Klithmat e një gruaje, Silvana Bega

Këshillë për Demokratët: Harxhoni energji për unifikimin…

May 25, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Gjatë fushatës së fundit, kur pyesje lart e poshtë për Agron Shehajn, të thoshin, oh ai do fitoj. Me atë e kemi të sigurt iks zonë elektorale etj. Sot që ai kandidon, e quajnë mosmirënjohës. O shokë, boll me përbaltje. Në fund të fundit edhe Agron Shehaj është demokrat, madje fitues i madh. Ka të drejtë të kandidoj? Duhet ta keni si model të së djathtës, veproni e respektojeni po ashtu siç edhe vepruat gjatë fushatës. Madje jo vetëm ky Agroni, por edhe ndonjë deputet tjetër që theu herësin e votave, siç është rasti i Luçiano Boçit në Elbasan, të ofrohet e të kandidoj. Më të votuarit duhet të kandidojnë, kaq dhe thjesht. Të tjerat janë si t’i nxirrni sytë vetes. Luli nuk ka përse ta ketë të vështirë t’i pranoj. Duhet ta kuptoni, ai i pari që ashtu si tek sportistët edhe në politikë ka një cikël që mbaron gjithmonë. Ndaj mos përbaltni Agron Shehajn por të shqetësoheni për përjashtimet brutale, për rregullat e lojës me teza absurde ke bërë ao nuk ke bërë fushatë. Kjo që po ndodh sot tek e djathta, nuk i shërben vetëm asaj, por kultivimit në përgjithësi të demokracisë shqiptare.  E majta u bë një model i Llukashenkos, të paktën të mos bëhet e djathta. Nëse në Minskun e lodhur Llukashenko del me kallashnikov në dorë, Edi Rama ju ka mbytur me propogandën. E kam fjalën për garën plot konkurencë. Nëse aty do zhvillohet një garë plot konkurencë, fiton edhe demokracia shqiptare. Sot të gjithë ata që ishin në listat e Lulit e quajnë mosmirënjohës Agronin. Sepse gjoja Luli e ka vendosur dy herë të kandidoj. Kjo tregon se sa e ashpër është lufta brenda një force. Zakonisht kjo ndodh kur aty fuqizohen klanet dhe vritet statuti. Aq sa të vjen pështirë kur shikon se si një figurë deformon ato pak radhë, madje bën shtojca nenesh si e si t’i bëhet krah kryetarit aktual. Mendoje pastaj se çfarë mund t’i bëj ky person Kushtetutës së vendit. Epoka e Lulit mbaroi. Mirë do bënte të hapte krahun. Nuk e bëri, është një përgjegjësi personale e tij. Pretendimet për vjedhjen e zgjedhjeve, masakrimin e votës etj., janë humbje kohë. E para sepse si KAS apo çfarë institucioni tjetër gjoja gjykatës i zgjedhjeve, janë me anëtarë të dominuar nga shumica. Çfarë prisni që ata të varin veten? Tek ne nuk ka linduar akoma nëpunësi i statutit civil, i kemi me shumicë ata të teserës së partisë. E dyta edhe sikur të vërtetohen vjedhjet, rezultati nuk ndryshon. Shikojeni humbjen në sy dhe pranojeni. Ajo zuri fill që tek ulja e bërja gjoja e reformës zgjedhore me Damian Gjiknurin. Tjetra tek mos menaxhimi i duhur i vendimeve të forta, si djegia e mandateve. Kur them të forta kam parasysh, o shkoi deri në fund e flijohu, o hap krahun. Luli shkiste. Vendim i fortë ishte dhe mosfutja në zgjedhjet lokale 2019. Por me një përfundim pa bythë. Protestave në mbarë vendin Luli u hodhi kova me ujë duke u thënë që shihemi në shtator.  Vetëm Lulzim Basha çon me pushime protestuesit. Dhe mos të harrojmë, i gjithë mandatati i dytë i Edi Ramës, ishte një krizë edhe sociale. Dimri i ashpër i studentëve 2019-2020, fermerëve etj., që kurrë nuk ngjitën me opozitën për shkak të emrave të përfolur në krye të saj. Duket se një vend i tërë është marrë peng pikërisht për shkak të këtyre emrave. Një propogandë e tërë i ka vënë poshtë sot shqiptarët, aq sa studiot e tyre japin debatet në konfliktin e gadishullit palestinez. Çështjen non grata të Sali Berishës…, madje këtu, u duhet thënë të majtëve t’i ruajnë argumentat e shumta që kanë karshi Berishës, edhe kur të dëgjojnë emrin Edi Ramës. Të mos harrojnë, vet Edi Rama për ish kryetarin e Bashkisë së Durrësit kur u shpalla non grata (2019) tha, që, nuk më intereson fare mendimi i DASH-it, ky person është miku im. Të vjen të vjellësh kur shikon e dëgjon analistët e majtë që merren me lëvizjen brenda të djathtës. Ndërkohë një tip Llukashenko pret shirita banesash me fondet e Bashkimit Europian. Mbaroi epoka e Lulit, me sukses vetëm humbje. Një emër i ri, i bën më shumë se mirë së djathtës pastaj vendit. Një studio e tërë mbrëmë shfrynte me pyetje të panevojshme si, a do shpallësh Sorosin non grata? Të djathtëve më parë se Sorosi u duhet një plan program riunifikimi, një plan program për shqiptarët, të tjerat zbythen vetiu. A do i dalësh në krah Sali Berishës? Sali Berisha është sot tabela më haraçin më të lartë për të djathtën. Këtë më mirë se të djathtët e di ai, Edi Rama, ndaj studiot e tij merren me gjoja krimet e Sali Berishës. Kjo është absurde, pasi në Shqipëri, akoma nuk janë shpaguar krimet e komunizmit. Ose ca pyetje idjote si, e vërtetë që gjatë fushatës punove për emrin tënd? Absurditet…, paçim sa më shumë të tillë që punojnë për emrin e tyre në nja garë elektorale. Se do i shikoni rezultatet. E djathta duhet me domosdo të përqëndrohet tek vetja. E gjitha duhet të jetë një fair-play. Agroni rezulton se është i dyti më i votuari. Megjithëse në raport me titullarin që humbet zgjedhjet, i bie të jetë më i miri. Kurse ju e quani mosmirënjohës. Në fakt është më i miri. Dhe si i tillë duhet të jetë krenaria juaj, jo ta përbaltni!

Filed Under: Opinion Tagged With: Harxhoni energji, Ilir Levonja, UNIFIKIM

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 275
  • 276
  • 277
  • 278
  • 279
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT