• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm

July 4, 2025 by s p

Ndriçim Kulla/

Nuk është e vështirë të provosh me shumë fakte se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të vecanta, janë siç thuhet për marrëdhëniet amerikano-britanike, special relationship. E vështirë, kur shkruan një artikull

serioz për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane bëhet kur përpiqeshtë të zbulosh çelësin që shpjegon vecanësinë e pamohueshme të këtyre marrëdhënieve, në sfond historik. Jo duke bërë retorikë politike që është aq shumë inflacioniste në Shqipëri. Nëqoftëse vërtetohet lehtë që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të një karakteri të vecantë, nuk është aspak e lehtë të tregosh në të gjithë përmasat e tyre themelet e këtyre marrëdhënieve, ato themele të cilat kanë bërë që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane t’ iu rezistojnë sfidave të kohës, madje edhe tërmeteve, sic mund të quhet qëndrimi armiqësor i regjimit komunist shqiptar ndaj SHBA.

Themelet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane kanë nisur të ndërtohen që para krijimit të shtetit shqiptar, si dhe që para se SHBA të niste të merrej aktivisht me cështjet europiane. Kombet e mëdhenj dhe të vegjël, shtetet e mëdhenj dhe të vegjël, ashtu si njerëzit, i ofrojnë miqësi njëri-tjetrit me anë të gjesteve miqësore. Zakonisht janë vendet dhe kombet e vegjël ata që, për arsye që merren lehtë me mend, duan që të kenë marrëdhënie speciale miqësore dhe aleancë me një vend të madh, aq më tepër me vendin më të fuqishëm të kohës dhe bëjnë gjestet përkatëse për të arritur këtë. Dhe kur iu realizohet një dëshirë e tillë këta vende dhe kombe të vegjël e quajnë një fatbardhësi të madhe për ta.

Shumë rrallë ndodh që të jetë vendi dhe kombi më i fuqishëm dhe i prosperuar i kohës, ai i cili t’ i ofrojë miqësinë, aleancën dhe të gjithë potencialin e tij një vendi dhe një kombi të vogël, siç është rasti i SHBA me Shqipërinë dhe kombin shqiptar në përgjithësi, që para se ky shtet të krijohej dhe që në castet e para të jetës së tij. Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ka shumë e shumë ngjarje, nga ana amerikane, që nuk shpjegohen dot nga këndvështrimi i marrëdhënieve mes vendeve të mëdha e të vogla, madje edhe në rastet më bujare të tyre.

Edhe politika shtetërore amerikane ka bërë lëvizje të tilla për Shqipërinë që nuk janë të zakonshme për politikën e këtij vendi para vitit 1917

Ajo që ka bërë SHBA për Kosovën në 1999 është e njohur botërisht. Por ç’ mund të thuhet për faktin që 80 vjet më parë se SHBA të clironte Kosovën, në vitet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, SHBA kishte si partner Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, që vepronte në Shqipëri, për të shpërndarë ndihmat humanitare amerikane te refugjatët shqiptarë të Kosovës të ardhur në Shqipëri?

Shqipëria i ka dhënë botës Nënë Terezën, misionaren bamirëse dhe humanisten e madhe, por Amerika i ka dhënë Shqipërisë misionarin bamirës më të madh që ka shkelur në Shqipëri, Harry T. Fultz për të cilin nuk ke nevojë të flasësh shumë se është i mirënjohur për çdo shqiptar.

Dy ambasadorë amerikanë të cilët kanë qenë me detyrë në Shqipëri në vitet tridhjetë, do të shkruanin libra për Shqipërinë, duke u bërë SHBA, më pak se tre dekada pas krijimit të shtetit shqiptar, i vetmi vend tre ambasadorë të të cilit kishin shkruar libra për një vend të vogël si Shqipëria. Një tjetër ambasador amerikan që ka qenë në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore, Post Wheeler, u apasionua aq shumë me Shqipërinë sa mblodhi dhe përktheu në anglisht përralla shqiptare me të cilat botoi në Amerikë edhe një libër.

Mendje të mëdha të kombit tonë, që patën rastin ta njohin mirë Amerikën, si Noli dhe Konica, krijuan një besim të pakufishëm te ky vend i madh se do të ishte miku i përjetshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faik Konica, në një fjalim të mbajtur në Jamestoën, në 1923, dhe të botuar në gazetën “Shqipëtari i Amerikës”, në kohën kur SHBA ishte tërhequr nga problemet e Europës, bëri një parashikim që u vërtetua shtatë dekada më vonë:

Dhe sikur të vijë prapë një kohë që Amerika të ketë të thotë fjalën e saj për regullimin e punëve evropjane, dhe munt po të dojë dhe nonjë dit’ mbase do të dojë, besonj që për të siguruar një paqë të qëndruarshme në Evropë të Lindjes dhe në tërë botën, nuk munt të gjendet gjë më e mirë, se duke bindur kombet e Ballkanit të bëhen të moderuar të heqin dorë nga gjithë zënkat pa rëndësi, dhe të heqin dorë nga gjithë zënkat pa rëndësi, dhe të bashkojnë forcat e tyre që të cvillohen me paqë dhe me rregull.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë marrë mirënjohje të thellë nga SHBA edhe për shërbimet më të vogla që iu kemi bërë, sipas mundësive tona, si pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, dhe amerikanët na kanë marrë në krahë për të shprehur mirënjohjen, si të thuash.

Kjo prirje e Amerikës për marrëdhënie speciale me një vend të vogël si Shqipëria dhe një komb të vogël si shqiptarët, ka bërë që te shqiptarët të lindë një ndjenjë proamerikanizmi shumë e thellë. Këtë ndjenjë e luftoi regjimi komunist i Enver Hoxhës por nuk e zhduku dot, madje në mënyrë paradoksale mund të thuhet se e forcoi kundër dëshirës së tij. Enver Hoxha e nxiti për një gjysmë shekulli antiamerikanizmin në Shqipëri dhe kur erdhi dita të verifikohet se sa vend kishte zënë te shqiptarët, dhe kjo u verifikua në ditën e vizitës së Sekretarit Baker në Shqipëri, në qershor 1991, që u shndërrua në një referendum mbarëpopullor për qëndrimin e shqiptarëve ndaj Amerikës. Dhe gjithë bota e pa se shqiptarët, të cilët dolën në mënyrë masive në rrugë dhe në sheshe për të përshëndetur Sekretarin Baker, duke tundur mijëra flamuj amerikanë, “votuan” në këtë “referendum” duke shprehur proamerikanizmin e tyre të rrënjosur tanimë në breza.

Shqiptarët e sfiduan antiamerikanizmin e Enver Hoxhës duke dëgjuar çdo ditë “Zërin e Amerikës”. Fakti që “Zëri i Amerikës” vazhdoi të transmetonte gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë në gjuhën e një vendi të vogël si Shqipëria, është tregues i bindjes së thellë që Amerika kishte se shqiptarët e izoluar do të mbeteshin proamerikanë, gjë që u vërtetua plotësisht kur Sekretari i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën në qershor 1991.

Filed Under: Opinion

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA

July 3, 2025 by s p

Në këtë takim u diskutua roli kyç i diasporës shqiptare në SHBA në promovimin e së vërtetës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional për të avancuar procesin e ruajtjes së kujtesës historike. Presidenti Berisha shprehu përkushtim të plotë për mbështetjen e misionit të IKKL-së dhe u zotua se do të angazhohet rreth krijimit të mundësive për bashkpunim mes IKKL-së dhe institucioneve si Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, në Departamentin e Shtetit, në Zyrën e Presidentit Amerikan, si dhe në forume akademike, diplomatike dhe mediatike në New York dhe Washington D.C.

Takimi shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve me diasporën dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë.

Filed Under: Opinion

KADARE – NJË VIT PAS

July 1, 2025 by s p

Akademik Mehmet Kraja/

Para një viti, lajmi për ikjen në amshim të Ismajl Kadaresë na tronditi, na bëri të ndiheshim disi të braktisur, të përfshirë në një ndjenjë humbjeje dhe zbrazësie që nuk do ta plotësonim aq lehtë. Kjo ndodhte ngase për të gjithë ne Kadare kishte marrë atributet jo të një miti, siç mund të thonë disa, por të një argumenti që na i bën të ditura, na i kujton dhe na i rikujton të vërtetat e amshueshme për qenësi të mëdha identitare dhe tej identitare. Kadare ishte personifikim, ishte simbol, i tillë do të mbetet deri skajet më të ladrgëta të memories sonë kolektive. Është e pamundur të ndryshohet ky imazh, sado kohë që të kalojë: Kadare është ai guri i qemerit që mban traun e shtëpisë së përbashkët.

Për ne në Kosovë ikja e Kadaresë kishte një kuptim më specifik, sepse ai ka qenë mbështetja këmbëngulëse, e fortë dhe pa rezervë për Kosovës në më shumë se 50 vitet e shkuara. Pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë, janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndjen dhe flet për brengën më të madhe shqiptare.

Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një mase të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbi-ideologjike dhe tej-ideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe ndasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për krijimin e një tërësie kompakte nacionale. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues.

Në këtë angazhim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadare është shfaqur i tërësishëm dhe i përplotsueshëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur me një gjuhë të qartë politike dhe kulturore, ndërkohë që me kosovarët herë pas here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës. Shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë pasur jehonë të madhe në opinion kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore.

Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët. Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i paluhatshëm parimor kanë bërë që Kadare të bëhet pjesë e identitetit kosovar. Idetë dhe mendimtaria e Kadaresë, përfshirë edhe vlerat e veprës së tij, tashmë qëndrojnë në themelet e shtetit të ri të Kosovës, si identitet i tij i qëndrueshëm, shpirtëror dhe botëkuptimor.

Filed Under: Opinion

“PËRSHËNDETJE FËMIJË” PLATFORMA DIGJITALE EDUKATIVO – ARGËTUESE NË NDIHMË TË FËMIJËVE SHQIPTARË PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE NË DIASPORË

June 30, 2025 by s p

Artistja Florentina Beck rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, platformën digjitale “Përshëndetje Fëmijë” për moshat 2-8 vjeç si një seri edukative-argëtuese në YouTube në gjuhën shqipe, ku përmban episode me gjërat bazike siç janë numrat, shkronjat, ngjyrat, format gjeometrike, planetët, emocionet etj. Kjo platformë e krijuar në bashkëpunim me bashkëshortin e saj Skender Beck jep mundësi për çdo fëmijë sidomos për fëmijët në diasporë që të mësojnë gjuhën, kulturën, historinë dhe traditën shqiptare. Me artisten Florentina Beck bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

SI LINDI IDEJA PËR TË KRIJUAR NJË PRODUKSION PËR FËMIJËT?

Pikë së pari, faleminderit për ftesën dhe për interesimin tuaj për projektin tonë! “Përshëndetje Fëmijë” ka qenë ide e bashkëshortit tim, Skender Beck, tash një kohë të gjatë, dhe sidomos kur ne filluam të kërkonim video të tilla për fëmijët tanë Enry dhe Era, sepse donim që të ishin sa më afër gjuhës shqipe. Ne jetojmë në Los Angeles dhe këtu është një komunitet më i vogël i shqiptarëve, dhe gjithçka që i rrethonte ishte në gjuhën angleze. Po ashtu, duke parë që edhe në Kosovë dhe Shqipëri fëmijët janë të ekspozuar ndaj videove në gjuhën angleze, pikërisht nga mungesa e videove të tilla në gjuhën shqipe. Dhe duke qenë se ne jemi të dy artistë, atëherë vendosëm që të fillojmë këtë mision që e konsideroj shumë human së pari dhe së dyti shumë edukativ, që fëmijët tanë të mësojnë dhe të mburren me gjuhën shqipe!

“Përshëndetje Fëmijë” është një seri edukative-argëtuese në YouTube në gjuhën shqipe, ku përmban episode me gjërat bazike siç janë numrat, shkronjat, ngjyrat, format gjeometrike, planetët, emocionet etj., si dhe pjesën e kuizeve ku fëmijët mund të testojnë dijen që kanë marrë nga këto episode, si dhe këngë dhe gjithashtu “Përrallat e Natës” – rubrikë e veçantë para kohës së gjumit! Të gjitha materialet janë origjinale, të krijuara nga unë dhe Skenderi, dhe është një punë e madhe që bëhet prapa gjithë këtij projekti artistik!

ÇFARË SHTRIRJE, MBULIM DHE GJEOGRAFI FREKUENTIMI ONLINE KA NGA FËMIJËT SHQIPTARË?

“Përshëndetje Fëmijë” është një seri edukative-argëtuese për moshat 2-8 vjeç dhe mund të shikohet në YouTube anembanë botës. Ne jemi duke u rritur dhe zgjeruar çdo ditë e më shumë. Deri tani kemi arritur gjysmë milioni shikime. Natyrisht që shikueshmërinë më të madhe për momentin e kemi në Shqipëri dhe Kosovë, por po ashtu edhe në diasporë kemi shikueshmëri të madhe – në Gjermani, Itali, Slloveni, Australi – pothuajse në të gjitha vendet e botës ku ka shqiptarë. Në Amerikë mendoj që ende prindërit shqiptarë janë duke u njoftuar me këtë projekt dhe shpresoj që të jemi akoma më shumë të zgjeruar, sepse pikërisht ne që jetojmë në Amerikë e kemi shumë të nevojshëm këtë program!

A KENI MENDUAR TË HAPNI NJË SHKOLLË SHQIPE NË KALIFORNI PËRVEÇ VIDEOVE NË YOUTUBE?

Po, e kemi menduar dhe ende mendojmë që është diçka që duhet ta bëjmë patjetër. Por për momentin nuk kemi ende numrin e mjaftueshëm të fëmijëve për të filluar, dhe siç dihet, Kalifornia është shumë e shpërndarë, gjë që e bën pak më të vështirë organizimin. Megjithatë, jemi duke menduar që ta fillojmë një Kamp Veror Shqiptar, qysh këtë vit ose vitin tjetër. Do të na duhet mbështetje e plotë për këtë, sepse është një projekt që kërkon bashkëpunim, përkushtim dhe organizim nga të gjithë ne që duam ta ruajmë gjuhën dhe kulturën tonë.

SI NDJEHENI PAS KËTYRE MUAJVE DHE KËSAJ EKSPERIENCE UNIKE? CILAT JANË SFIDAT E SË ARDHMES?

Jashtëzakonisht e lumtur dhe e përmbushur shpirtërisht, sepse po shoh efektin pozitiv që ky projekt po ka tek fëmijët dhe prindërit. Çdo ditë marr mesazhe falënderuese nga prindërit dhe po ashtu kërkesa që të vazhdoj dhe të sjell episode të reja. Marr video të fëmijëve dhe kënaqësia është shumë e madhe kur i shoh sa kanë mësuar nga këto episode dhe sa janë duke u argëtuar me ne. Dhe po ashtu e di se ky projekt do të jetë online dhe i vlefshëm edhe për gjeneratat e ardhshme!

Sfidat e së ardhmes janë kryesisht financiare. Ky është një projekt shumë i kushtueshëm – nga skenari, regjisë, kamerës, montazhit, ndriçimit, zërimit, kompozimit të këngëve, animacioneve, e deri te xhirimet në studio – çdo detaj kërkon kohë, përkushtim dhe mjete. Deri më tani gjithçka është bërë vetëm me fondet tona personale, dhe e them me plot sinqeritet që nuk është aspak e lehtë. Dashuria për gjuhën shqipe dhe për fëmijët tanë na ka shtyrë ta vazhdojmë këtë rrugëtim, por për të ecur përpara dhe për ta ngritur këtë projekt në nivelin që e meriton, do të kemi nevojë për mbështetje konkrete.

NJË THIRRJE PËR MBËSHTETJE NGA BIZNESET, ORGANIZATAT, SHOQATAT, INSTITUCIONET SHTETËRORE NË KËTË NISMË EDUKATIVE E PATRIOTIKE

Kjo nismë ka lindur nga dashuria për gjuhën shqipe dhe për fëmijët tanë, dhe është ndërtuar me shumë mund, pa asnjë mbështetje të jashtme deri më tani. Gjithçka është realizuar nga dy prindër dhe artistë që kanë besuar se edhe fëmijët shqiptarë meritojnë përmbajtje cilësore në gjuhën e tyre amtare. Por tani ka ardhur momenti që kjo nismë të mos mbetet vetëm përpjekje personale.

Kemi nevojë për aleatë që e shohin vlerën dhe rëndësinë e këtij projekti. Mbështetja nga bizneset, organizatat, shoqatat dhe institucionet është thelbësore për të garantuar që “Përshëndetje Fëmijë” të vazhdojë të rritet, të pasurohet me përmbajtje të reja dhe të arrijë edhe më shumë fëmijë anembanë botës. Investimi në këtë projekt është investim në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim të sinqertë dhe afatgjatë me çdo institucion apo individ që beson në këtë mision.

NJË THIRRJE PËR MBËSHTETJE NGA PRINDËRIT NË KËTË PROCES EDUKIMI, NXËNIEJE DHE KOMUNITARIZMI

Edhe njëherë, ju falënderoj për ftesën! Është një nder i madh për mua të përmendem në gazetën tonë të dashur Dielli. Po ju drejtohem tash prindërve drejtpërdrejt: Të dashur prindër shqiptarë, ju ftoj të na ndiqni në kanalin tonë zyrtar në YouTube Përshëndetje Fëmijë, ta shpërndani faqen tonë sa më shumë me të gjitha familjet që kanë fëmijë dhe së bashku të kontribuojmë për një njohuri dhe edukim më të mirë në gjuhën shqipe. Mendoj që është obligim i yni si prindër që fëmijët ta njohin gjuhën, vendin dhe të jenë krenarë me rrënjët e tyre!

Nëse edhe ju jeni në kërkim të përmbajtjes edukative, argëtuese dhe të dashur për fëmijët tuaj, në gjuhën shqipe – atëherë jeni në vendin e duhur. “Përshëndetje Fëmijë” nuk është vetëm një seri në YouTube. Është një projekt i krijuar me zemër, një mision për t’i afruar fëmijët tanë me gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë, kudo që ata rriten – në Shqipëri, Kosovë, diasporë apo SHBA. Çdo episod është punuar me dashuri, profesionalizëm dhe përkushtim. Ne u mësojmë fëmijëve numrat, ngjyrat, format, emocionet, profesionet, kafshët, frutat dhe shumë më tepër – përmes këngëve, animacioneve dhe kuizeve që i bëjnë të mësojnë duke u argëtuar. Na ndihmoni ta shpërndajmë këtë projekt që synon ta ruajë gjuhën tonë, që është një thesar i vërtetë. Abonohuni, ndani episodet me miqtë tuaj. Ky projekt është për fëmijët tanë – për të ardhmen tonë. Le të rrisim së bashku një brez që flet, mendon dhe ëndërron në shqip!

NA NDIQNI NË YOUTUBE:

https://www.youtube.com/@pershendetjefemije

Na ndiqni në Instagram:

https://www.instagram.com/pershendetje.femije

Faqja zyrtare:

https://www.pershendetjefemije.com

Filed Under: Opinion

29 qershor 1920, një mbrëmje përjetësimi, studentët shqiptarë në Vjenë nderojnë Aleksandër Moisiun

June 30, 2025 by s p

Kjo fotografi e rrallë, e realizuar më 29 qershor 1920, përjetëson një ngjarje të jashtëzakonshme në historinë e diasporës shqiptare në Europë, një darkë solemne e organizuar nga studentët shqiptarë që studionin në Vjenë, në nder të artistit legjendar të skenës evropiane, Aleksandër Moisiu.

Nën dritën e qirinjve dhe pas pasqyrave të kristalta të salloneve vjeneze, rinia intelektuale shqiptare i kushtoi një homazh artistit që kishte kapërcyer kufijtë gjeografikë e kulturorë, por që kurrë nuk kishte humbur lidhjen shpirtërore me atdheun e tij të origjinës. Ishte një akt simbolik, por njëkohësisht shumë domethënës, një brez që po formohej në universitetet e Europës, zgjedh të afirmojë krenarinë kombëtare përmes përfaqësimit më të lartë artistik që kishte atëherë kombi shqiptar.

Kjo ngjarje, organizuar me kursimet e tyre modeste, është më shumë se një darkë nderi, është një gjest kulturor, një akt afirmimi identitar dhe një shenjë e qartë se rinia shqiptare e asaj kohe ishte, jo vetëm e ndërgjegjshme për vlerat që përfaqësonte Aleksandër Moisiu, por edhe për misionin e saj për të qenë bartëse dhe përçues i dinjitetit kombëtar në qarqet kulturore e akademike të Europës.

Aleksandër Moisiu, me zërin dhe trupin e tij skenik që përshkoi teatrin gjerman, austriak, italian e më tej, ishte jo vetëm një aktor i shquar, por një ambasador shpirtëror i shqiptarëve, në një kohë kur zëri i këtij populli dëgjohej ende me vështirësi në tryezat diplomatike dhe skenat ndërkombëtare. Për studentët shqiptarë të Vjenës, ai ishte mishërimi i mundësisë së përfaqësimit në nivelin më të lartë artistik, një model suksesi që frymëzonte dhe angazhonte.

Ngjarja e 29 qershorit 1920 nuk duhet parë thjesht si një episod festiv. Ajo është një kapitull i rëndësishëm në kronikën e vetëdijes kombëtare, ku krenaria për identitetin kombëtar dhe afirmimi i trashëgimisë kulturore bëhen një me përpjekjen për arsim, emancipim dhe integrim dinjitoz në jetën kulturore evropiane.

Fotografia që ruan këtë çast është e mbushur me fytyra që pasqyrojnë dinjitetin, respektin dhe përkushtimin e një brezi. Ndër ta janë emra që më vonë do të kenë rol në jetën intelektuale dhe shtetformuese të Shqipërisë, duke bërë që kjo darkë të marrë edhe vlerën e një simboli bashkimi mes artit dhe mendimit, mes famës së fituar jashtë dhe kujtesës që ruhet brenda.

Ky kujtim është më shumë se një kornizë në murin e historisë. Është një dëshmi e asaj çfarë do të thotë të duash vendin tënd jo vetëm me fjalë, por me vepra, me vetëdije dhe me përulësi ndaj atyre që i dhanë emër Shqipërisë në botë. Ai tregon fuqinë që ka kultura për të bashkuar, për të frymëzuar dhe për të afirmuar një identitet të denjë në përballje me kohën. Në këtë mbrëmje të qershorit të vitit 1920, Vjena ndjeu për një çast të rrahurat e zemrës shqiptare, nëpërmjet duartrokitjeve që i takonin Aleksandër Moisiut, por që në thelb i përkisnin gjithë një populli që ngrihej mbi hapat e tij.

Albert Vataj

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT