• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kurban Bajrami në Teqenë e Shenjtë Baba Rexheb – Një festë e bashkimit dhe sakrificës që ndryshon jetët”

June 10, 2025 by s p

Në një atmosferë të mbushur me gëzim dhe shpirtin festiv, Teqeja e Shenjtë Baba Rexheb në Amerikë çeli dyert për tërë besimtarët bektashianë që erdhën për të festuar Kurban Bajramin. Kjo festë, e cila shënon përfundimin e Haxhit dhe nderon sakrificën e Profetit Ibrahim (a.s), është një moment reflektimi dhe bashkimi për të gjithë ata që ndajnë besimin dhe traditat e këtij komuniteti. Në këtë ditë të shenjtë, besimtarë nga Australia, Kanadaja, Shqipëria sigurisht dhe nga shtete te ndryshme te Amerikës,  u mblodhën për të ndarë gëzimin e sakrificës dhe për të forcuar lidhjet e tyre shpirtërore dhe njerëzore.

E  shtunë qershori. Në një pasdite të qetë dhe të ndritshme, Teqeja e Shenjtë Baba Rexheb në Amerikë u mbush me besimtarët e saj që u mblodhën për të festuar Kurban Bajramin, një nga momentet më të shenjta në kalendarin islam. Kjo festë, simbol i sakrificës, dashurisë dhe përkushtimin ndaj Zotin, u shndërrua në një ngjarje që preku thellësisht zemrat e të pranishmëve, duke i lidhur ata në një rrugëtim shpirtëror të përbashkët.

Ceremonia filloi në orën 5:00 PM, kur besimtarët, me fytyra të ndritura dhe zemra të hapura, filluan të mblidhen. Dëgjoheshin përshëndetje të ngrohta dhe urime për festën, teksa secili sillte me vete një ndjenjë gëzimi dhe mirënjohjeje. Në këtë atmosferë të ngrohtë, çdo përshëndetje ishte një shprehje e dashurisë dhe unitetit, një kujtesë se, përtej dallimeve, ne jemi të gjithë një familje e madhe.

Rëndësia e unitetit, një mesazh për bashkim

Ceremonia festive, e cila filloi me një atmosferë gëzimi dhe ngrohtësie, u shoqërua me fjalë që thelluan kuptimin e kësaj feste. Z. Mynyr Nazifi, kryetari i Komisionit të Teqesë, hapi ceremoninë me një përshëndetje emocionuese që preku zemrat e të pranishmëve dhe i dha një dimension të ri festës.

Fjalët e z. Mynyr Nazifi ishin një thirrje e fortë për reflektim mbi rëndësinë e sakrificës dhe bashkimit. Ai u drejtua të pranishmëve me një mesazh të qartë: “Të nderuar vëllezër dhe motra, ju falënderoj që keni ardhur në këtë gëzim të përbashkët.” Kjo thënie, e thjeshtë në formë, ishte e thellë në përmbajtje, duke nënkuptuar se çdo individ në atë ambient kishte një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve brenda komunitetit.  

Një thirrje për bashkëpunim dhe përkushtim

Fjala Kryetarit të Komisionit të teqesë Baba Rexheb z. Mynyr Naizifi

Të nderuar vëllezër dhe motra, miq e dashamirës të teqesë së shenjtorit, Baba Rexhebi!

I nderuar myrshidi ynë, fort i respektuar baba Eliton Pashaj!

Sefte ju uroj dhe ju falënderoj që  kini ardhur në këtë gëzim të përbashkët në ditën e Kurban Bajramit!

Në këtë ditë të shenjtë të Kurban Bajramit, ne mblidhemi për të festuar një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin tonë fetar, një ditë që simbolizon sakrificën, dashurinë dhe përkushtimin ndaj Zotit.

I nderuar myrshidi ynë, baba Eliton Pashaj, është me ne sot në këtë gëzim të përbashkët. Prania e tij na jep forcë dhe frymëzim, duke na kujtuar se sakrifica e Profetit Ibrahim (a.s.) është një mësim i përjetshëm për ne të gjithë. Haxhi Bektash Veliu dhe baballarët tanë, të djeshmit dhe të sotmit, na qofshin ndihmë në çdo hap të rrugës sonë.

Dita e sotme, pavarësisht se vjen një herë në vit, ka një peshë të rëndësishëm shpirtëror që shfaqet në çdo veprim të përditshëm. Baba Rexhebi na kujtonte se çdo besimtar që e kupton sakrificën e Ibrahimit për Zotin, e ka të fituar davanë për të hyrë me kokën lart në mejdan të teqesë.

Në këtë kontekst, ne nuk mund të heshtim për sfidat që po përballemi. Në emër të Komisionit të Teqes, bëj thirrje për një sakrificë më të madhe për të mbrojtur atë që kemi ndërtuar.  

Siç edhe na këshillonte baba Rexhebi, ne do të sillemi me njerëzillëk dhe do të lutemi për ata që ndjekin rrugë të errëta. Zoti dhe Amerika kanë lidhjet e tyre, dhe ne besojmë se e drejta do të triumfojë mbi të keqen.

Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj dhe për mbështetjen. E paçim jetë e mot me shëndet të plotë, baba Eliton Pashain!

Amin!

Fjalët e z. Mynyr Nazifi ishin gjithashtu një thirrje për të forcuar lidhjet mes anëtarëve të komunitetit. Në një botë që shpesh duket e ndarë dhe e fragmentuar, Kryetari i Komisionit na kujtoi se ne jemi të gjithë pjesë e një familjeje më të madhe. Ai inkurajoi të pranishmit të qëndrojnë të bashkuar, të mbështesin njëri-tjetrin dhe të krijojnë një atmosferë dashurie dhe respekti. Kurban Bajrami është jo vetëm një festë, por një mundësi për të rinovuar angazhimin tonë ndaj vlerave që na bashkojnë si njerëz dhe për të forcuar lidhjet që na lidhin.

Myrshidi i teqesë, Baba Eliton Pashaj, në një atmosferë të mbushur me ndjenja të thella shpirtërore, ndau me të ftuarit një thirrje për reflektim dhe përkushtim në festën e shenjtë të Kurban Bajramit. 

Fjalët e tij, të mbushura me urtësi dhe dashuri, na udhëhoqën në një udhëtim të brendshëm, ku çdo sakrificë merr një kuptim më të thellë se sa ajo që shfaqet në sipërfaqe. Fjalimi i tij ishte si një melodi që përshkonte zemrat tona, duke na inkurajuar të kultivojmë vlera të tilla si dashuria, mirësia dhe solidariteti. Babai na kujtoi se Kurban Bajrami nuk është thjesht një festë rituale, por një mundësi për të rinovuar lidhjet tona me njëri-tjetrin dhe me Zotin. Në këtë kontekst, sakrifica merr një dimension të ri, duke u bërë një shprehje e dashurisë së pakushtëzuar dhe e angazhimit për të ndihmuar ata që kanë nevojë.

“Baba Eliton Pashaj: Një dritë refleksionesh mbi sakrificën dhe dashurinë në Festën e Kurban Bajramit”

Drejtuesi shpirtëror i Teqesë Baba Rexheb, Baba Elitoni, la me një mesazh të fuqishëm: “Çdo sakrificë, qoftë ajo materiale apo shpirtërore, është një hap drejt njohjes së thellë të vetvetes dhe të Zotit. Ai na inkurajoi të jemi të hapur për të pranuar dashurinë dhe mirësinë në jetën tonë, duke krijuar një atmosferë ku çdo njeri ndjehet i vlerësuar dhe i dashur. Kështu, festimi i Kurban Bajramit bëhet një mundësi për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar, më të dashur dhe më të ndihmuar, duke sjellë një dritë shprese në çdo zemër”.

Fjala përshëndetëse e Baba Eliton Pashaj

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Të nderuar miq e dashamirës të teqesë së shenjtorit tonë, Baba Rexheb!

I nderuar kryetari i Komisionit të Teqesë z.Mynyr Nazifi!

Në zemrën e traditës sufiste dhe bektashiane, Kurban Bajrami, është jo thjesht një festë rituale, por një thirrje e thellë shpirtërore për t’u kthyer në thelbin e vetes dhe për t’u bashkuar me Zotin në dashuri dhe përulësi. Sufizmi bektashian na mëson se çdo sakrificë e jashtme është vetëm shprehja e një sakrifice më të madhe që bëhet brenda nesh – ajo e egos që “vdes” për të lindur në dritën hyjnore.

Shembulli i myrshidit tonë Baba Rexheb është një udhërrëfyes i fuqishëm i cili në jetën që jetoi dhe mësimet e tije që na la, ish shembull tregues i rrugës së sakrificës, dashurisë dhe përkushtimit. 

Në frymën sufiste bektashiane, Kurban Bajrami është jo vetëm sakrificë materiale, por udhëtim i brendshëm drejt dritës së Zotit – një rrugëtim që na mëson se vetëm duke u bërë “kurban” ndaj egos mund të gjejmë paqen e vërtetë.

Kjo festë në traditën bektashiane nuk është vetëm një festë rituale, por një thirrje e fuqishme shpirtërore që na fton të hyjmë në thellësitë e dashurisë hyjnore dhe vetëdijes për njësinë e gjithësisë. 

Filozofia e sufijve bektashianë  na mëson se Profeti Ibrahim (a.s) është simboli i atij njeriu që i ka çliruar duart nga çdo lidhje tokësore dhe i ka dorëzuar ato plotësisht në duart e Zotit. Sakrifica e tij nuk është vetëm akti kurbanor, por vepra më e madhe e shpirtit që jep dorë nga vetja, nga egocentrizmi dhe nga çdo pengesë që ndan njeriun nga dashuria hyjnore.

Për ne bektashinjtë, çdo gjest është një mundësi për t’u gjendur më pranë Zotit, për të pastruar zemrën nga e liga dhe për të ushqyer shpirtin me mëshirë dhe dashuri. I madhi Ghazali thotë: “Kurban i vërtetë është ai që sakrifikohet në heshtje brenda vetes, duke u bërë dritë për të tjerët, pasi njeriu i vërtetë është ai që vdes para se të vdesë”.  

E pra sot, kur sejcili nga ne tek bën  ritualin e sakrificës, nuk duhet të harrojë se kurbani më i madh është ai që bëhet në zemrën e tij: heqja dorë nga egocentrizmi e urrejtja, dhe hapja për të përqafuar gjithçka me dashuri dhe mëshirë. “Kurban” në këtë kuptim bëhet vetë jeta jonë, çdo gjest i mirë, çdo fjalë e butë dhe çdo ndihmë ndaj të tjerëve, duke qenë frymëzim për komunitetin dhe shoqërinë Amerikane me të cilët bashkëveprojmë në përditshmërinë tonë. 

Përpara se ta mbyll këtë fjalë, një urim i veçantë i takon veçanërisht Konsullit të Nderit të Shqipërisë, z.Ekrem Bardha, dhe familjes së tij, për kontributin e pandashëm ndaj institucionit tonë.  

E pra, le të bëjmë që ky Kurban Bajram të shënojë një fillim të ri shpirtëror, ku secili prej nesh të bëhet një bektashian i vërtetë, duke jetuar me zemër të hapur dhe frymë faljeje. Le të ecim përpara në rrugën e Bektashizmit, rrugën e dashurisë dhe sakrificës. O Zot, na udhëzo dhe na ndihmo të forcojmë lidhjet me Ty, njëri-tjetrin dhe me gjithçka që na rrethon; në këtë mënyrë ne bëhemi pjesëtarë të vërtetë të rrugës së Bektashizmit – rrugës së dashurisë, sakrificës dhe bashkimit me Hyjin.

Me dashuri dhe përulësi, Baba Eliton Pashaj!

Sakrifica është një akt që na lidh me historinë e thellë të besimit

Përshëndetja e Zj.Myftari aktiviste e gruas në komunitetin bektashian për diasporën

Zj. Migena Myftari:  “Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim dhe përkushtim ndaj vlerave të larta njerëzore. Sakrifica është një akt që na lidh me historinë e thellë të besimit dhe na tregon se dashuria dhe përkushtimi për Zotin shprehen përmes veprave të mira.” 

Të nderuar pjesëmarrës!

I nderuar kryetar i Komisionit të Teqesë, Baba Rexheb, z. Mynyr Nazifi

I nderuar myrshidi ynë, Baba Eliton Pashaj!

I nderuar z. Ekrem Bardha!

Të nderuar motra dhe vëllezër të komunitetit tonë bektashi këtu në Teqenë e Shenjtë Baba Rexheb në Amerikë.

Përshëndetje të nderuara motra, vajza dhe nëna të ardhura sot në këtë sallë të bekuar!

Kjo ditë e shenjtë, e cila shënon përfundimin e Haxhit dhe nderon sakrificën e Profetit Ibrahim (a.s), është një thirrje për reflektim dhe përkushtim ndaj vlerave të larta njerëzore. Ajo tejkalon ritualet dhe traditat, duke bërë që besimtarët të mblidhen për të reflektuar mbi vlerat e besnikërisë dhe dashurisë. Sakrifica, në zemër të Kurban Bajramit, është një akt që na lidh me historinë e thellë të besimit, duke na dhënë një mësim të rëndësishëm: besimi kërkon sakrificë. Ky rit flijimi është një përkujtim i fuqishëm se si dashuria dhe përkushtimi për Zotin shprehen përmes veprave të mira.

Këto vepra i kanë karakterizuar kaherë nënat, vajzat dhe motrat shqiptare bektashiane, që pikërisht në këtë ditë na bëjnë më të ndjeshme të kuptojmë se si dashuria për Zotin dhe për njerëzit rritet përmes punëve konkrete. Ne jemi krahu mbështetës për çdo grua bektashiane, duke hapur portat për çdo nëne apo motër shqiptare, kushdo qoftë besimi. Në një botë ku shpesh harrohet rëndësia e solidaritetit, kjo festë na kujton se çdo veprim i vogël i mirësisë ka ndikim të madh në jetën e të tjerëve. Si festë e përmotshme, Kurban Bajrami e tejçon kufijtë e një feste; është një thirrje për të jetuar me dashuri, të jemi më të mirë, të jemi më të hapur ndaj të tjerëve dhe të ndihmojmë pa hezituar ata që janë në nevojë.

Teqeja jonë Baba Rexheb këtu në Amerikë këtë mesazh shpirtëror e ka tejçuar për vite me radhë, duke hapur dyert e dashurisë së Haxhi Bektash Veliut dhe duke mbajtur çiragun e pashuar të familjes profetike së Ehli Bejtit për çdo bektashian. Ky është një veprim i vogël i mirësie me një ndikim të madh shpirtëror.

E pra, kjo është esenca e Kurban Bajramit, një festë që na bashkon në një rrugëtim të përbashkët drejt një bote më të mirë, duke na frymëzuar të jetojmë me dashuri dhe përkushtim.

Le të festojmë këtë ditë me zemra të hapura dhe të angazhohemi për të përhapur mirësinë dhe dashurinë në çdo hap të jetës sonë.

Korrespondent “Zëri Bektashian”

Detroit 7 Qershor 2025

Filed Under: Opinion

Origjina proto-indoevropiane e fjalës shqipe “motër” dhe etimologjia e emrave të tjerë shqip të farefisnisë 

June 9, 2025 by s p

Hulumtim nga Rafael Floqi 

Termi i fjalës nënë “mater” në latinisht vjen nga rrënja proto-indo-evropiane (PIE) *méh₂tēr, që do të thotë “nënë” por në shqip kjo fjalë është shndërruar në “motër”. Si, qysh pse?

Shqipja u veçua për herë të parë si një gjuhë indo-evropiane mjaft kohë më parë nga gjuhëtari Franz Bopp. E mbështetur që atëherë nga një numër gjuhëtarësh, duke përfshirë një pjesë të mirë të punës mbi këtë temë nga gjuhëtari amerikan i ndjerë së fundmi, Eric Hamp. 

Në fakt, ndikimi në aspektin e inventarit të fjalorit nga gjuhët përreth pёr shqipen nuk është i papërfillshëm. Shqipja ka shumë fjalë të huazuara nga gjuhë të tjera, duke përfshirë huazime të hershme nga latinishtja, megjithëse jo shumë nga greqishtja e lashtë. Por ajo është e vetmja anëtare e mbijetuar e degës së vet të indoevropianishtes. 

Fakti që shqipja është degë më vete e familjes, dhe çdo ndryshim i vetëm larg gjuhës stërgjyshore IE që përcakton shqipen, nuk ndahet me asnjë degë tjetër në rendin e duhur kronologjik, që do të thotë se të njëjtat lloje ndryshimesh mund të kenë ndodhur diku tjetër, por jo në një afat kohor në të cilin ato mund të kenë ndodhur me shqipen stërgjyshore dhe gjuhët e tjera… 

Shqipja është e lidhur me gjuhët indo-evropiane – ajo rrjedh nga gjuha e përbashkët që ndahej nga indo-evropianët shumë të lashtë përpara se gjuha të ndahej në degë të shumta – por shqipja (ashtu si armenishtja) nuk ka gjuhë të njohura të degëzuara ngushtë, dhe është një gjuhë më vete, midis gjuhëve indo-evropiane (dhe ashtu si armenishtja, atje dhe madje ka përkime me të …) Gjuhët IE u zgjeruan në të gjithë Azinë dhe Evropën dhe folësit IE formuan grupe që u zhvilluan në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri për 5,000 vitet e fundit. Kjo është kohë e mjaftueshme për të krijuar gjuhë krejtësisht të ndryshme, por prapë mund të dalloni ngjashmëritë e fjalorit në një fjali të rastësishme bazë. Por të kthemi tek fjala “motër“.

Rrënja PIE *méh₂tēr ka dhënë shkas për fjalë të ngjashme për “nënën” në shumë gjuhë të tjera indo-evropiane, si latinishtja māter, irlandishtja e vjetër mathir, anglishtia mother ,lituanishtja motë, sanskritishtja matar-, greqishtja mētēr dhe sllavishtja e vjetër kishtare mati.

Për shembull, fjala “mater” përdoret në termin “pia mater”, që është latinishtja mesjetare për “nënë e butë” dhe i referohet një membrane delikate që mbulon trurin. Shkurt, fjala latine mater është thellësisht e rrënjosur në të kaluarën proto-indo-evropiane dhe ndan një origjinë të përbashkët me shumë fjalë të tjera për “nënë” në gjuhë të ndryshme. Kjo rrënjë është gjithashtu origjina e fjalës angleze “mother”. Kjo rrënjë PIE *méh₂tēr besohet se bazohet në formën *mā- të kombinuar me prapashtesën e termit të lidhjes familjare *-ter-.

Fjala latine mater mund t’i referohet “nënës”, por gjithashtu ka kuptimin e “asaj që ka lindur diçka”. Në disa kontekste, ajo gjithashtu mund t’i referohet gjërave si “trungu i pemës” ose “trupi i pemës”, që potencialisht mbart kuptimin e burimit të rritjes. Ky kuptim i zgjeruar mund të shihet në fjalë si “materia”, e cila vjen nga mater dhe lidhet me “material” ose “substancë”. 

Fjala shqipe “motër” ka një etimologji interesante që gjurmon deri te rrënja proto-indo-evropiane (PIE) që do të thotë “nënë”.

Ja se si kuptohet ky ndryshim në kuptim nga gjuhëtarët:

• *PIE méh₂tēr: Kjo ishte fjala origjinale proto-indo-evropiane për “nënë”.

• *PIE méh₂treh₂: Nga *méh₂tēr, doli një formë derivate *méh₂treh₂, që do të thotë “teze” ose “motra e nënës”.

• *Proto-Shqipe mātrā: Kjo fjalë evoluoi nga *méh₂treh₂ dhe fillimisht ruajti kuptimin e “motrës së nënës” ose “tezes “.

• Shqipe motër: Me kalimin e kohës, kuptimi i *mātrā u zgjerua për të përfshirë kuptimin më të përgjithshëm të “motrës”.

Po pse ky ndryshim semantik?

Ky ndryshim nga “motra e nënës” në “motër” në shqip është një fenomen interesant gjuhësor. Spekulohet se në kontekstin historik të shoqërisë proto-shqiptare, koncepti i “motrës së nënës” ishte qendror për marrëdhëniet farefisnore dhe mund të ketë shërbyer si bazë për termin më të gjerë “motër”. Disa teori sugjerojnë se kjo mund të lidhet me ndikimin nga një sistem matriarkal mesdhetar.

Fjala shqipe “nënë” është një shembull interesant se si kuptimi i një fjale mund të evoluojë me kalimin e kohës, duke demonstruar një lidhje midis fjalës PIE për “nënë” dhe fjalës moderne shqipe për “motër”.

Marek Majer, i Universitetit të Lodzit Poloni në artikullin e tij ‘Parahistoria indoevropiane e fjalës shqipe për ‘motër’ mbështetet në një sugjerim pothuajse të anashkaluar nga Eric Hamp, ku argumentohet se fjala shqipe nënë ‘motër’ nuk është një refleks i drejtpërdrejtë i fjalës proto-indoevropiane *meh2ter- ‘nënë’ (me një ndryshim të papritur të kuptimit) – siç supozohet pothuajse universalisht në literaturë – por që përfaqëson një derivat të hershëm të kësaj fjale, ndoshta *māt(e)rā < *meh2t-(e)r-eh2 ‘e të njëjtës nënë’ ose ‘që ka të njëjtën nënë’. 

Një fjalë e tillë mund të jetë leksikalizuar lehtë si zëvendësim i fjalës së trashëguar për ‘motër’; krh. Greqisht αδελφ(ε)ός ‘vëlla’ < *sm̥ -gʷelbʰ-es-o- ‘i së njëjtës mitër’ ose spanjisht hermano ‘vëlla’ < latinisht germānus ‘i të njëjtit fis, i vërtetë, i plotë’. Kështu, pavarësisht pretendimeve të përhapura për të kundërtën, fjala ‘motër’ në shqip ndoshta mund të shpjegohet nëpërmjet zhvillimeve mjaft të parëndësishme dhe nuk dokumenton asnjë fakt të jashtëzakonshëm rreth terminologjisë së farefisnisë (para)shqiptare ose strukturës shoqërore.

Terminologjia shqipe e lidhjeve familjare dhe fjala për “motër”

Siç dihet mirë, shqipja ruan vetëm një pjesë të vogël të terminologjisë proto-indo-evropiane të lidhjeve familjare. Shumica e termave bazë të lidhjeve familjare janë zëvendësuar nga terma inovativë (qofshin fjalë të reja, fjalë për fëmijë apo huazime), ndërsa termat e njohur të njohur nga gjuhë të tjera indo-evropiane. Parahistoria indoevropiane e fjalës shqipe për “motrën” të rindërtueshme për gjuhët Proto-Indo-Evropiane – nuk kanë lënë asnjë gjurmë të pakontestueshme:

Zëvendësimet e termave thelbësorë të farefisnisë PIE në shqip

Termi PIE 

*ph2ter- ‘baba’ Ved. pitŕ̥-, greq. πατήρ, lat. pater → atë, baba etj.

*bʰreh2ter- ‘vëlla’ Ved. bhrā́tr̥ -, lat. frāter, Toch. B procer → vëlla etj.

*swesor- ‘motra’ Ved. svásr̥ -, lat. soror, Lith. sesuõ → motër etj.

*suhnu- ‘bir’ Ved. sūnú-, gotik. sunus, Lith. sūnùs → bir, djalë etj.

*dʰugh2ter- ‘bijë’ Ved. dúhitr̥ -, Gr. θυγάτηρ, OArm. dowstr → bijë, vajzë etj.

Termat farefisnore shqiptare me lidhje të dukshme indo-evropiane kufizohen në disa sende më pak qendrore, si p.sh.fjala  vjehërr ‘vjehër’ (< PIE *sweḱuro-, me ndërlikime fonologjike; krh. Ved. śváśura-, gr. ἑκυρος, PSl. *svekrъ), nip/mbesë4 ‘nip, nip’ / ‘mbesë, mbesë’ (< PIE *nepot-/*neptih2, krh. Ved. nápāt, lat. nepōs, OLith. nepuotis). 

Së fundmi, disa elementë mund të përfaqësojnë zëvendësime leksikore me moshë të konsiderueshme, të ndërtuara nga elementë indo-evropianë; krh. gjysh ‘gjysh’ (< Post-PIE *suhsiyos, *suhsēn ose e ngjashme;5 krh. Ved. sūṣā́, një formë me interpretime të ndryshme).

Nuk ka gjasa që termi joshës ‘gjyshe’ të ketë ndonjë lidhje me terminologjinë proto-indo-evropiane të lidhjeve familjare, pavarësisht se pranohet si i nxjerrë nga PIE *h2ewh2-ih2 p.sh. në Mallory & Adams 2009: krh. Demiraj 1997: 209. Megjithatë, fjala inovative për ‘vëlla’, vëlla, ndoshta është e përbërë nga material indo-evropian; krh. më poshtë.

Megjithatë, një përjashtim kurioz në krahasim me listën e paraqitur më sipër është fjala shqipe për ‘motër’, nënë (përkufizim -a; shumës motra, -at; dial. dhe SH e vj .motër, motrë). Siç dihet, duket të jetë një refleks i drejtpërdrejtë i fjalës proto-indo-evropiane për ‘nënë’, d.m.th. *meh2ter-7 (ved. mā́tr̥-, gr. μήτηρ, lat. māter).

Shqipfolësit nuk e ndryshuan drejtpërdrejt fjalën proto-indo-evropiane *méh₂tēr (“nënë”) në shqipen motër. Të dyja janë vërtet të lidhura, por jo në mënyrën që po mendoni ju: rrënja PIE në fjalë është *méh₂treh₂ e derivuar nga *méh₂tēr, por do të thoshte “teto nga nëna”, d.m.th., “motra e nënës”.

Megjithatë pushtimi osman solli huazime . Fjala shqipe “halla” (hallë) që përdoret për të thirrur motrën e babait, vjen nga turqishtja osmane خاله (hala), e cila në origjinë vjen nga arabishtja خَالَة (ḵāla) që do të thotë “motra e nënës”. Në gjuhën shqipe, fjala “hallë” i referohet motrës së babait, ndërsa fjala “teze” (gjithashtu nga turqishtja osmane, por me origjinë arabe) përdoret për të treguar motrën e nënës. 

Kjo tregon ndikimin e gjuhës turke osmane në shqipen, sidomos në fjalorin familjar, ku termat si “xhaxha” (vëllai i babait), “daja” (vëllai i nënës), “halla”, dhe “teze” janë të huazuara. 

Fjalët “teze” dhe “hallë” janë huazime nga turqishtja. Fjala shqipe “teze” ka origjinën nga turqishtja osmane “teyze” Kisha menduar se ne shqip kishin humbur si fjalë derisa pashë diçka shumë unike tek literatura arbëreshe në Itali. Derisa për fjalët “Axha, Mixha dhe Dajë” ende nuk ka gjetur ndonjë në shqip, pasi që edhe këto janë në turqisht “amca dhe dayi .

“Motëramë” dhe “Motëratë” mësa duket janë fjalët e gjuhës tonë para se të zëvendësoheshin nga fjalët e mbi cekura turke.  Sipas arbëreshit Salvatore Di Chiara,  arbëreshët thonë mortata e motrëmëma, mortata e motra e babait, motrëmëma e motra e nënës, vovi i vëllai i nënës ( daja) dhe i babait (xhaxhai) ndërsa Tata shkurt “Ati” e trashëguar nga latinishtja tata, në fund të fundit nga proto-indoevropianishtja *tatás. Krahaso arumunishten tatã, dalmatishten tuota (“baba”), napolitanishten tata (“baba”); krh. edhe shqipen “tatë”. Ndoshta është përforcuar nga termi i ngjashëm sllavo-jugor (p.sh. serbo-kroatishtja tata (“baba”). tát/ë,-a emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -a(t). Baba-i në këtë formë Baba gjendet edhe në turqisht dhe arabisht ), si dhe Mëma (nëna/nana), fjala “Nana shqip afron me latinishten Nana Latin: “Nana filios suos amat.” (Nëna do birin e saj)

Fjala shqipe “ungj/ i ungji” është një formë e përcaktuar, njëjës, që do të thotë “xhaxhai”. Në shqip, si në gjuhë të tjera, terma të ndryshëm për “xhaxhain” mund t’i referohen vëllait të nënës ose të babait.

Etimologjia e “ungji” vjen nga latinishtja në shqip përmes latinishtes vulgare. Besohet se e ka origjinën nga fjala latine “avunculus”, që do të thotë “xhaxhai nga nëna”. Kjo fjalë latine është një formë zvogëluese e “avus”, që do të thotë “gjysh”. Ndryshimi i kuptimit nga “gjysh” në “xhaxhai nga nëna” nuk është i pazakontë në gjuhët indo-evropiane.

Etimologjia e “i ungji” është: latinisht “avunculus” > latinisht vulgare “aunculo” ose “aunclus” > shqip “ungj” > “i ungji”.

Nyja përcaktore e fillestare me origjinë pronori tek fjalët i ati e ama/ e ëma, i ungji , e emta, e bija, i biri, e reja janë përcaktorë të vjetërsisë të këtyre fjalëve, Po ashtu edhe fjala e émt/ë,-a emër i gjinisë femërore; numri shumës; -a(t) motra e babait ose e nënës. Ato që emërtohen «nyja të përparme» vetëm formalisht u ngjajnë nyjave, meqenëse funksionalisht kryejnë më së shumti rolin e rregullatorit të lidhjes gramatikore me një fjalë paraprijëse. Roli i tyre në ligjërim dhe kompleksiteti i problemeve që paraqesin e justifikojnë këtë interesim. Ato janë studiuar si në planin diakronik ashtu edhe në atë sinkronik. Interesant është se këto nyje nuk i gjejmë tek fjalët e huazuara nga turqishtja si axha apo daja.

Fjala shqipe “kunati /kunata” vjen nga latinishtja “cognātus”. do të thotë “i lidhur me gjakun” ose “i lindur së bashku”. Përbëhet nga: “cogn-” (së bashku, me) dhe “gnātus” (i lindur). Kuptimi origjinal: Në latinisht, i referohej të afërmve të gjakut në linjën femërore, në krahasim me agnates (të afërm gjaku në linjën mashkullore). Evolucioni më vonë në latinishten vulgare prej ku në shqip me kuptim të ngushtuar, duke iu referuar konkretisht burrit të motrës dhe gruas së vëllait, ndoshta për të dalluar këto lidhje familjare nga të afërmit e tjerë që tashmë kishin një emër specifik.

Fjala “nana” duket se ka origjinën si një fjalë ose tingull belbëzimi për fëmijë që ka të ngjarë të imitojë fjalën “mama” ose “papa”, e përdorur për t’iu referuar një të rrituri femëror përveç nënës. Kjo besohet se rrjedh nga një rrënjë proto-indo-evropiane që imiton belbëzimin e një fëmije, e ngjashme me fjalën e lashtë greke νάνα (nánna). Kjo shpjegon pse termi “nana” (ose variacione të ngjashme) përdoret në gjuhë të ndryshme, shpesh për t’iu referuar gjysheve ose të afërmve të tjerë femra më të moshuar, për shkak të tendencës natyrore të fëmijëve për të përdorur tinguj të thjeshtë dhe për të përsëritur rrokjet kur mësojnë të flasin. Për shembull, terma të ngjashëm gjenden në: Italisht: nonna Spanjisht: nana Greqisht: νάννα (nánna) që do të thotë “teze” Uellsisht: nain Sicilianisht: nanna Më vonë, rreth fillimit të shekullit të 20-të, u përdor edhe për t’iu referuar gjysheve. Pra, ndërsa “nana” përdoret shpesh si term për “gjyshe” në gjuhë si anglishtja, origjina e saj qëndron në zhvillimin e hershëm të gjuhës në fëmijëri dhe një rrënjë të mundshme proto-indo-evropiane. Nga ku edhe kompozimet e mëvonshme “nënmadhja”, apo “nëndaja”

Po të kthemi tek “motra” .Kuptimi u bë gjithnjë e më i përgjithshëm ndërsa u bë proto-shqipja *mātrā dhe më pas shqipja moderne motër, duke kaluar nga konkretisht motra e nënës suaj në motrën e kujtdo në përgjithësi është më i lashtë .

E njëjta gjë ndodhi në rastin e vëlla, fjala shqipe për “vëlla”: filloi si *h₂euh₂ó-dʰlyos, pastaj proto-shqipja *(a)waládja, dhe u shkurtua dhe tingëllimi i saj u ndryshua në vëlla modern. Edhe pse do të kishte qenë interesante, të themi të paktën, këtu nuk pasqyrohen ndryshime kulturore.

Pse pse fjala ‘nënë’ do të thotë motër në shqip dhe jo ‘nënë’ si në gjuhët e tjera indo-evropiane?

Sepse shqipja nuk ka gjuhë “kushërira”. Është një gjuhë familjare indoevropiane si anglishtja, ndër shumë të tjera, është e lidhur ngushtë me të. Por shqipja është një degë kryesore e indoevropianes më vete. Ashtu si gjuhët e tjera IE, ajo ndan prejardhjen nga një gjuhë paraardhëse shumë më e hershme prehistorike, proto-indoevropiane. Po kështu si edhe anglishtja, islandishtja dhe gjermanishtja. Shqipja ose ajo që përfundimisht u bë shqipe mund, me të vërtetë ndoshta, të ketë pasur një ose dy gjuhë “motra”, domethënë një degë të ngjashme. Por të gjitha u zhdukën duke e lënë shqipen si shqiponjën e vetme që fluturonte nga ajo degë. Një gjuhë tjetër indoevropiane në këtë situatë është armenishtja.

I vetmi studiues që ka propozuar një alternativë të vërtetë për problemin – që nuk kërkon supozimin e ndryshimit masiv semantik ose të ndryshimeve të supozuara në terminologjinë familjare – është Eric Hamp. Zgjidhja që Hamp përfundimisht (1986: 110) është e rrënjosur në shpjegimin e tij interesant, por mjaft spekulativ të shpjegimit të shqipes vajzë ‘vajzë, bijë’,dial. varzë etj., të cilën ai e konsideron si refleks të PIE  ‘motër me ligj’. Ai arrin në përfundimin se sapo refleksi i *swesor- erdhi në kuptimin “vajzë”, u ngrit nga nevoja për të dalluar qartë ‘motrën’, gjë që u arrit me anë të një fraze që do të thotë ‘vajzë e nënës’: “*mātrā uor- > var-, d.m.th. motrë (var-)”. 

Sipas analizës formale dhe semantike , supozimi qendror duhet të jetë se fjala shqipe “motër” nuk është një refleks i drejtpërdrejtë  i fjalës *meh2ter-, por përkundrazi vazhdon një derivat të hershëm – me shumë mundësi në *-eh2-. Çështja kryesore është se nuk po flasim thjesht për një rregullim të tipit morfologjik sinkronik të fjalës motër (sigurisht, shqipja nuk i ruan rrënjët proto-indo-evropiane si një klasë të veçantë inflekcionale, dhe fakti që fjala rindërton mekanikisht si një *māt(e)rā virtuale është i qartë në çdo rast; krahaso Alb vj. dhe dial. motër, motrë). Anasjelltas, analiza e tanishme vepron me një procesi i derivativi të vërtetë, që përfshin një ndryshim në kuptim. Semantika e fjalës motra tani mund të shpjegohet lehtësisht.

Për të përmbledhur, duket se leksema PIE *meh2ter- ‘nënë’ thjesht nuk pasqyrohet fare drejtpërdrejt në shqip, pasi është zëvendësuar nga shqip “nënë” dhe formacione të ngjashme; ajo ndau fatin e të gjithë termave të tjerë qendrorë proto-indo-evropianë të lidhjes familjare në shqip. Megjithatë, përpara se të humbiste, ajo krijoi një derivat *meh2t(e)reh2 ‘e/që ka të njëjtën nënë’, i cili, ashtu si edhe termi po aq inovativ *swelowdʰeh2 ‘[e] të njëjtës fis’, shërbeu për të krijuar një term të ri për t’iu referuar vëllezërve dhe motrave. Kështu, nënë ‘motër’ është paralele me vëlla ‘vëlla’ si një ‘zëvendësim’ të hershëm, me bazë indo-evropiane, në terminologjinë shqipe të lidhjes familjare.

Filed Under: Opinion

Kurti takon kryetarin e VATRA-s: Zë i fuqishëm për çështjen shqiptare

June 7, 2025 by s p

M.M./ RTKlive/

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti dje në takim kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës ‘VATRA’, Elmi Berisha.

Në një njoftim për media nga Zyra për Informim e Kryeministrisë bëhet e ditur se në këtë takim miqësor u vlerësua lart roli historik dhe kontributi i çmueshëm i Shoqatës VATRA për çështjen shqiptare përgjatë më shumë se një shekulli, me theks të veçantë në mbështetjen për lirinë e popullit dhe pavarësinë e Kosovës.

“VATRA ka qenë gjithmonë një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e mbajtur gjallë çështjen e Kosovës në momentet më të vështira dhe duke ndihmuar në ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe politikës amerikane për të drejtën tonë për liri dhe pavarësi. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm të shoqatës VATRA dhe rëndësinë që ajo vazhdon të ketë në fuqizimin e lidhjeve me diasporën dhe të shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se ata diskutuan për mënyrat dhe mundësitë që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të vendit dhe shoqatës e diasporës sonë në Amerikë të rritet e thellohet më tej në shërbim të interesave të Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar.

Filed Under: Opinion

Prishtina, një qytet me rëndësi të veçantë shpirtërore dhe kombëtare për shqiptarët

June 7, 2025 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Prishtina është kryeqyteti i Republikës së Kosovës – një qytet me rëndësi të veçantë shpirtërore dhe kombëtare për shqiptarët. Për dekada me radhë, përmes valëve të Radios dhe Televizorit te Prishtinës, shqiptarët nga të gjitha anët kanë ndjekur rrahjet e pulsit të pjesës tjetër të kombit, dëshminë e mbijetesës dhe rezistencës kulturore. Në periudhat kur Rilindësit dhe ndërtuesit e shtetit shqiptar ishin të ndaluar në Shqipëri, Prishtina mbeti një hapësirë e hapur frymëzimi për lirinë e Dardanisë.

Intelektualët, shkrimtarët, studiuesit dhe historianët e Kosovës – rilindësit e rinj të kësaj ane të Gegnisë – pavarësisht mungesës së lirisë politike, përbënin një burim frymëzimi edhe për Shqipërinë e izoluar nga diktatura. Në Kosovë ruhej ende e pastër dhe e gjallë lidhja me Shqipërinë Tradicionale, e cila përtej kufirit ishte bërë objekt ndalese. “Lahuta e Malesise” ishte libri i shenjte i Kosoves ne ruajtjen e identitetit. Kjo ruajtje e autenticitetit kombëtar ndërthurej me një formim intelektual thelbësisht të ndryshëm nga ai i Shqipërisë, ku për një gjysmë shekulli universi akademik evropian dhe ai i eterve te kultures kishte qenë i ndaluar.

Takimi im i parë me studiuesit e Kosovës – që, ia dolën të marrin pjesë në forumet shkencore në Shkodër dhe Tiranë, në kohën kur Kosova ende ndodhej nën pushtim – mbetet një përvojë e paharrueshme dhe e pashlyeshme për mua.

Sot Kosova është e lirë.

Dje u ktheva nga Prishtina me shpresën se ajo frymë e dikurshme do të ruhet, do të zhvillohet dhe do të ngrihet më lart në funksion të misionit të një shteti modern evropian.

Kosova ka pasur dhe ka personalitete me ndikim të madh në fushën e historiografisë, me autoritet të pakontestueshëm në prodhimin e dijes shkencore. Ata kanë ndërtuar një traditë të konsoliduar të përgatitjes së brezave të rinj të studiuesve, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë. Reputacioni i tyre është ndërtuar mbi përkushtimin ndaj standardeve akademike dhe mbi një punë kërkimore të palëkundur.

Unë,mendoj se periudha e tranzicionit nuk duhet të çojë në harrimin e kësaj trashëgimie, dhe as të hapë rrugë për krijimin e “padrinove” që ushtrojnë kontroll arbitrar mbi shkrimin shkencor të historisë, duke përzgjedhur dhe vendosur në mënyrë të njëanshme mbi vlerën e veprave kërkimore.

Në kontekstin e vendeve post komuniste, raporti midis pushtetit, autoritetit akademik dhe prodhimit të dijes është shpesh i ngarkuar me tensione strukturore dhe personale. Prandaj, në përputhje me parimet e epistemologjisë bashkëkohore, lejimi i krijimit të figurave me pushtet arbitrar vendimmarrës është në kundërshtim me frymën e kërkimit shkencor të lirë dhe të verifikueshëm.

Duhet të kemi parasysh se historiografia moderne nuk është ndërtuar mbi hierarki autoritetesh, por mbi dialog, kritikë të ndërsjellë dhe rishikim të vazhdueshëm të tezave në dritën e burimeve të reja dhe qasjeve teorike të përparuara. Kulti i autoritetit personal bie ndesh me parimet themelore të shkencës: një punim është i vlefshëm jo sepse e pohon një autoritet, por sepse është ndërtuar mbi metoda të qëndrueshme, burime të mirëpërdorura dhe analizë të thelluar.

Republika mendoj se duhet të vazhdojë të investojë në zhvillimin e shkencës mbi këto parime, por njëkohësisht duhet të jetë e kujdesshme për të identifikuar nëse aktorë të caktuar financojne tinzisht me synim të deformojnë këtë rrugë modernizuese dhe europianizuese të institucioneve që janë themeluar për të përmbushur një mision të lartë kombëtar dhe qytetar.

Filed Under: Opinion

Seanca në Kongres thekson kërcënimet në rritje ndaj NATO-s dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

June 5, 2025 by s p

Albanians For America/

Washington, D.C. – Sot, Nënkomiteti për Evropën në kuadër të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, i kryesuar nga Kongresmeni Keith Self (TX-03), zhvilloi një seancë dëgjimore të rëndësishme me titullin “Vlerësimi i sfidave me të cilat përballet NATO”, me fokus në kërcënimet që po evoluojnë ndaj Aleancës dhe ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Kryesuesi Self e hapi seancën me fokus të veçantë në rëndësinë e sigurisë dhe përparimit demokratik të Kosovës, si dhe në domosdoshmërinë për të kundërshtuar ndikimin e dëmshëm të Rusisë dhe Kinës në rajon. Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për aktivitetet destabilizuese që burojnë nga Serbia dhe Republika Sërpska – zhvillime që po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e zyrtarëve amerikanë dhe të NATO-s.

Në dëshminë e tij, Admirali në pension Mark Montgomery dha një vlerësim të qartë dhe shqetësues:

“Serbia dhe Republika Sërpska janë aktorë të rrezikshëm që minojnë stabilitetin në Ballkan.”

Ekspertë të tjerë të ftuar ishin Dr. Nile Gardiner dhe Ambasadorja Julianne Smith, të cilët ofruan perspektiva për rëndësinë strategjike që ka Ballkani për unitetin dhe sigurinë afatgjatë të NATO-s.

Organizata Albanians For America (AFA) ishte e pranishme në këtë seancë dhe vazhdon të avokojë për angazhim më të fuqishëm të SHBA-së në mbështetje të lirisë, vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit në të gjithë Ballkanin. AFA vlerëson angazhimin e liderëve si Kongresmeni Keith Self, të cilët po e vendosin Kosovën dhe çështjet rajonale në qendër të vëmendjes globale në një moment kyç për rajonin.

“E përshëndesim përqendrimin e sotëm në Ballkanin Perëndimor dhe mbështesim çdo përpjekje që promovon paqe, parandalim dhe partneritete të qëndrueshme,” tha njëri nga përfaqësuesit e AFA.

Duke marrë parasysh kërcënimet e identifikuara gjatë dëgjimit, AFA bën thirrje që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s të përshpejtojnë hapat drejt integrimit të plotë të Kosovës në Aleancë. Si një partnere e përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike, përfshirja e Kosovës do ta forconte krahun juglindor të NATO-s dhe do të kontribuonte në siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT