• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

𝐂̧𝐟𝐚𝐫𝐞̈ 𝐝𝐨 𝐭𝐞̈ 𝐭𝐡𝐨𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐣𝐞𝐬𝐡 𝐧𝐣𝐞𝐫𝐢 𝐦𝐞 𝐤𝐮𝐥𝐭𝐮𝐫𝐞̈!

March 3, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Fjala “kulturë”, e cila përdoret rëndomë pa dijen e peshës dhe rëndësisë së madhe që ka, nuk rrjedh nga fushat krijuese siç mund të hamendësohet por nga bujqësia dhe agronomia.

Fjala “kulturë” e ka zanafillën nga “cultura animi” (kultivim i shpirtit). Një metaforë kjo e përdorur nga oratori i Romës së lashtë, Ciceroni, në veprën e tij Tusculanae Disputationes. Ashtu siç kultivohet bimësia ashtu kultivohet edhe shpirti. Ashtu siç ushqehet bimësia ashtu duhet ushqyer edhe shpirti për të arritur stadin frutor, nivelin më të lartë të zhvillimit njerëzor.

Jo vetëm romakët, por edhe grekët e lashtë, sikurse edhe popujt e lindjes së mesme e të largët e kishin kuptuar prej mijëvjeçarësh kulturën, pra kultivimin e shpirtit.

Në lindjen e mesme, përmbledhjet e librave quheshin kopshte. Njësoj si kopshtet e vërteta, me lule, barishte e pemë, ato libra kërkonin kohë që të rriteshin sepse idetë më të mira duheshin kultivuar me kohën, ndërsa bimët invazive dhe bimët e dobëta duheshin shkulur. Një proces vetë-pastrimi e vetë-përmirësimi të cilin ne sot e quajmë “integritet.”

Kultivimi i shpirtit, kultura, siç i referohemi sot, kërkon jo vetëm dëshirën për dijen, besimin, leximin, artin, muzikën, njohjen e historisë dhe kuptimin e natyrës njerëzore por është e ndërlidhur edhe me paqen, me harmoninë midis traditave dhe pasurive shoqërore shumëngjyrëshe midis kombeve. Kultura është paqe dhe paqja e harmonia janë kulturë.

Mbi të gjitha kultura, kultivimi i shpirtit, integriteti, apo sido që quhet në gjuhë të ndryshme, për të dhënë fryt kërkon që të shërbesh. T’i shërbesh komunitetit, vendit e mbarë njerëzimit.

Ky është kuptimi i kulturës. Të kultivosh shpirtin tënd për të dhënë fryte te të tjerët. Të kujdesesh për kopshtin tënd që të ushqesh të tjerët.

Të jesh njeri me kulturë do të thotë të përgatisësh veten me cilësitë më të mira njerëzore për dobi të të tjerëve.

Ndaj edhe kultura është fisnikëri.

Filed Under: Opinion

Vatra Hartford hap shkollën shqipe në Connecticut

March 2, 2025 by s p

Vatra Hartford

Foto: Noli Tv/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dega Hartford, Connecticut, hapi shkollën shqipe për fëmijët shqiptarë të cilët do mësojnë gjuhë shqipe dhe kulturë shqiptare. Vatra në Hartford festoi një arritje të rëndësishme për mbarë komunitetin shqiptar duke hapur dyert për nxënësit e rinj që janë të etur për të mësuar gjuhën, kulturën, traditat dhe historinë shiptare. Kjo iniciativë ka si qëllim të ruajë dhe promovojë trashëgiminë kulturore identitare shqiptare te brezi i ri dhe të nxjerrë në pah pasurinë e traditave të pasura shqiptare. Ngjarja atdhetare u shënua nga prania e anëtarëve të njohur nga Vatra, kryetari z.Ilir Gjomarkaj, prof.Milaim Tahiri, producenti Nazim Salihu (Noli Tv), Anxhelo Kuka etj të cilët kanë qenë thelbësorë në promovimin e kulturës shqiptare brenda komunitetit tonë. Stafi mësimor përfshin Fatmira Hasajn, një mësuese profesioniste dhe e dedikuar, e apasionuar për t’i mësuar fëmijët dhe për të transmetuar njohuritë mbi gjuhën dhe artet shqiptare nxënësve shqiptarë në Hartford e zonat përreth. Një mysafir i veçantë në këtë ngjarje komunitare e kulturore ishte prania e Majores së Rocky Hill, Znj. Lisa J. Marotta e cila mori pjesë për të treguar mbështetje për iniciativat arsimore dhe edukative që forcojnë lidhjet kulturore brenda komunitetit shqiptaro-amerikan. Pjesëmarrja e zyrtarëve lokalë nënvizon rëndësinë e këtyre programeve në promovimin e trashëgimisë së komunitetit shqiptare në Connecticut. Kjo shkollë shqipe është një mundësi e artë për fëmijët dhe familjet shqiptare në mërgim për të ruajtur identitetin kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkolla pranon fëmijë nga mosha 6 deri në 14 vjeç. Mësimi i gjuhë, kulturës, artit, këngëve e valleve organizohet çdo të shtunë nga ora 10:00 deri në 12:00. Ky program edukativ e kulturor është krijuar për të argëtuar dhe edukuar fëmijët, duke e bërë mësimin një përvojë të gëzueshme e shumë të çmuar. Adresa e shkollës shqipe është: 33 Church St, Rocky Hill, CT 06067.

Le të mbajmë traditat tona gjallë dhe të inspirojmë brezin e ardhshëm së bashku! Mos e humbisni këtë mundësi të jashtëzakonshme!

Ju mirëpresim të gjithëve.

Filed Under: Opinion

Takimi Trump – Zelensky, riorientim i politikës globale dhe sfidë për Perëndimin

March 1, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Takimi ndërmjet Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk është një zhvillim thjesht protokollar, por një sinjal i qartë për orientimet strategjike të SHBA-së në raport me luftën në Ukrainë, sigurinë evropiane dhe rendin global. Ky takim, në kontekstin aktual të një bote të polarizuar mes fuqive perëndimore dhe boshtit autoritar Rusi-Kinë, sjell disa mesazhe kyçe për shtetet e BE-së dhe partnerët e SHBA-së, përfshirë edhe Kosovën.

Trump ka qenë kritik ndaj qasjes së administratës Biden për ndihmën e pakushtëzuar ndaj Ukrainës. Ky takim sinjalizon se mbështetja amerikane për Ukrainën nuk do të ndalet, por do të marrë një formë të re, më pragmatike dhe të kushtëzuar nga interesat amerikane. Mesazhi për Evropën është i qartë se ajo duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të mos mbështetet tërësisht në Washington për të mbajtur barrën e mbrojtjes. Kjo do të thotë që vendet e BE-së duhet të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe të ndërtojnë një politikë më të unifikuar të sigurisë. Në të njëjtën kohë, qasja e ndryshme e Trump ndaj Rusisë mbetet një faktor i rëndësishëm. Ai ka treguar një prirje për një qasje më fleksibile, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje që mund të çojë në një përfundim të luftës në Ukrainë. Kjo mund të krijojë tensione me BE-në, veçanërisht me shtetet baltike dhe Poloninë, të cilat e shohin Rusinë si një kërcënim ekzistencial.

Në aspektin më të gjerë të sigurisë globale, takimi Trump – Zelensky shënon rikthimin e realpolitikës si parim dominues në politikën ndërkombëtare. Trump e sheh politikën globale përmes prizmit të fuqisë dhe interesave kombëtare, jo ideologjisë apo parimeve morale. Kjo do të thotë që marrëdhëniet ndërkombëtare do të dominohen nga diplomacia e transaksioneve, ku aleancat do të varen nga përfitimet konkrete që sjellin. Kjo qasje mund të thellojë ndarjet mes Perëndimit dhe bllokut autoritar, por gjithashtu mund të sjellë riformatime të papritura në marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe SHBA-Kinë.

Lënia e Ukrainës pa mbështetje, në mëshirën e çmendurisë së Putin që mbështetet drejtpërdrejtë nga Kina dhe aleatë të tjerë autoritarë, do të thotë disfatë e SHBA-së, BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe tërë botës demokratike perëndimore. Një tërheqje e Perëndimit nga Ukraina nuk do të përfaqësonte vetëm një dështim të politikës së jashtme, por një ndryshim të të gjithë ekuilibrit të fuqisë globale. Një Ukrainë e braktisur nga Perëndimi do të çonte në dobësimin e aleancave transatlantike, në rritjen e ndikimit rus në Evropën Lindore dhe në përshpejtimin e një bote multipolare ku Perëndimi nuk do të ishte më faktori dominues.

Është evidente se në Ukrainë realisht po zhvillohet “Lufta e Tretë Botërore”. E tërë bota perëndimore është e angazhuar me të gjitha format dhe mjetet e mbështetjes së drejtpërdrejtë në këtë luftë, edhe duke luftuar në distancë kundër Rusisë dhe aleatëve të saj. Fushëbeteja e izoluar deri më tani është territori i Ukrainës. Por nëse Perëndimi tregon dobësi, ky konflikt do të dalë nga kufijtë e Ukrainës dhe do të shndërrohet në një përballje të drejtpërdrejtë midis fuqive botërore. Rusia ka bërë të qartë se synimet e saj shkojnë përtej Ukrainës. Nëse Putin arrin të imponojë një fitore, qoftë të pjesshme apo të plotë, ndaj pjesëve të okupuara apo tërë Ukrainës, kjo do të përfaqësonte një fitore direkte ndaj Perëndimit. Një fitore e çfarëdoshme e Rusisë – ushtarake, diplomatike apo strategjike – do ta inkurajonte Moskën të ndërmarrë lëvizje të reja në rajonin e Balltikut, në Evropën Lindore, Mesdhe, dhe më gjerë.

Një fitore e Rusisë ndaj Ukrainës do t’ia rrisë ambiciet gjeostrategjike jo vetëm Moskës në Evropë, por edhe Kinës në Indo-Paqësor, ku Tajvani do të bëhej objektivi kryesor. Dështimi i Perëndimit në Ukrainë do ta dështonte gjithashtu strategjinë amerikane për Lindjen e Mesme dhe ndaljen e iranizimit në Gadishullin Arabik, ku Irani ende është në ekspanzion të zgjerimit të ndikimit të tij prorus. Pa një SHBA të fortë dhe një NATO të fuqishme, Perëndimi do të humbte terren jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj Kinës dhe Iranit, duke lejuar një rend të ri global ku fuqitë autoritare do të diktonin rregullat e lojës.

NATO duhet të mbetet aleanca botërore e sigurisë globale, jo vetëm në kuptimin e saj tradicional si mburojë e Evropës, por edhe si një mekanizëm i përfshirë në stabilitetin e rendit ndërkombëtar. Nëse NATO nuk e forcon këtë rol, ekziston rreziku që vakuumi i sigurisë të mbushet nga aktorë si Rusia dhe Kina, të cilët synojnë të dobësojnë Perëndimin. Por për ta mbajtur këtë status, NATO varet nga një faktor kryesor i sugurisë globale, supremacia ushtarake dhe strategjike e Shteteve të Bashkuara.

Forcat e Armatosura të SHBA-së duhet të mbeten SUPËRFUQIA botërore, që i jep kuptim Artikullit V të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke e bërë atë një mekanizëm real dhe efektiv, e jo thjesht një deklaratë politike. Nëse SHBA e dobëson dominimin e saj ushtarak dhe strategjik, atëherë edhe siguria kolektive globale do të vihet në pikëpyetje.

Për Kosovën, ky takim duhet të shërbejë si një mësim i qartë se mbrojtja dhe siguria kombëtare nuk mund të mbeten të varura ekskluzivisht nga mbështetja e aleatëve. Kosova duhet të investojë seriozisht në mbrojtje, të zhvillojë kapacitetet e Forcës së Armatosur dhe të forcojë marrëdhëniet me NATO-n si një prioritet strategjik. Ndërsa SHBA mbetet aleati më i rëndësishëm, Kosova duhet të sigurojë mbështetje të gjerë nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë dhe integrimin e saj euro-atlantik.

Nëse Evropa lëviz drejt një politike më të përbashkët të mbrojtjes, Kosova duhet të gjejë mënyra për të integruar kapacitetet e saj mbrojtëse dhe për të ndërtuar partneritete të reja brenda rajonit. Politika e re globale e bazuar në interesa dhe fuqinë reale të shteteve kërkon që Kosova të ketë një pozicion të qartë dhe të fortë në raport me partnerët strategjikë. Takimi Trump – Zelensky nuk është vetëm një zhvillim i radhës në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë, por një sinjal i fuqishëm për ndryshimet që mund të ndodhin në arkitekturën e sigurisë globale.

Zelensky në këtë takim është dashur të imitojë qasjen e liderit të shqiptarëve të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në kërkesën për mbështetje dhe shpëtim nga SHBA dhe bota demokratike. Nëse ai nuk e arrin këtë, atëherë Ukraina rrezikon të mbetet një çështje dytësore në strategjinë globale të Perëndimit, duke ia lënë fushën e lirë Rusisë dhe aleatëve të saj për të riformatuar ekuilibrin e fuqisë në Evropë dhe botë.

Filed Under: Opinion

Opinioni i GjND për Kosovën dhe diplomacia ndërkombëtare

February 28, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Një mundësi e pashfrytëzuar

Opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), i dhënë më 22 korrik 2010, ishte një moment historik për Kosovën. Ai konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare dhe nuk binte ndesh me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ky opinion ishte një bazë e fuqishme juridike që do të duhej të shndërrohej në një avantazh strategjik për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Megjithatë, në vend që ta përdorte këtë vlerësim (opinion këshillues) për një fushatë të organizuar diplomatike, Kosova e trajtoi atë si një fakt të mjaftueshëm, duke lënë terrenin e lirë për diplomacinë agresive serbe dhe duke e lënë njohjen ndërkombëtare në stagnim. Kjo qasje e diplomacisë pasive dhe mungesa e lobimit ka pasur pasoja të mëdha për sovranitetin e Kosovës, duke çuar në humbje të njohjeve dhe bllokim të anëtarësimeve të rëndësishme.

2. Diplomacia pasive dhe humbja e avantazhit ndërkombëtar

2.1. Pse Kosova nuk kapitalizoi opinionin këshillues të GjND-së?

Pas opinionit këshillues të GjND-së, pritej që Kosova të kishte një strategji diplomatike të qartë për të:

Zgjeruar njohjet nga vendet e pavendosura

Siguruar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

Përballuar fushatën agresive të Serbisë për çnjohje

Në vend të kësaj, Kosova nuk ndërmori hapa konkretë për të forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar. Për shembull: Nuk u krijua një strategji lobimi pas GjND-së, ndryshe nga Serbia, e cila aktivizoi një diplomaci agresive për të bindur vendet që të mos e njihnin Kosovën.

Nuk pati një fushatë ndërkombëtare për të forcuar narrativën e Kosovës, përveç disa deklaratave të rastësishme nga zyrtarët kosovarë. Mungoi një diplomaci ekonomike dhe kulturore për të ndërtuar marrëdhënie të reja bilaterale. Kosova nuk i shfrytëzoi organizatat rajonale si OBI, Afrika dhe Amerika Latine për të lobuar për njohje.

2.2. Rastet konkrete të dështimeve diplomatike

1. Dështimi për të siguruar njohje të reja pas GjND-së

Pas opinionit të GjND-së, u pritej që Kosova të përfitonte njohje të reja. Megjithatë, numri i njohjeve mbeti i kufizuar dhe nuk u arrit pragu i 2/3 të vendeve anëtare të OKB-së për një aplikim të suksesshëm në Kombet e Bashkuara.

Shtetet e Amerikës Latine si Argjentina, Brazili dhe Venezuela nuk u angazhuan në dialog me Kosovën për njohje, kryesisht për shkak të mungesës së një politike të qartë lobimi.

Vendet afrikane si Nigeria, Algjeria dhe Maroku mbetën të pavendosura për njohjen e Kosovës, ndërsa Serbia ndërtoi marrëdhënie të forta me to për ta penguar njohjen.

Në Lindjen e Mesme, Kosova nuk pati sukses në lobimin tek Egjipti, Iraku apo Algjeria, duke humbur një mundësi për të siguruar njohje në këtë rajon.

2. Dështimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

UNESCO (2015)

Në vitin 2015, Kosova aplikoi për anëtarësim në UNESCO, por dështoi me vetëm 3 vota mungesë.

Serbia bëri një fushatë intensive kundër anëtarësimit të Kosovës, ndërsa Kosova nuk arriti të sigurojë mbështetje të mjaftueshme.

Kjo tregoi një diplomaci të dobët dhe mungesë të strategjisë për të bindur vendet anëtare të UNESCO-s.

INTERPOL (2018)

Kosova aplikoi për anëtarësim në INTERPOL në vitin 2018, por nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.

Serbia loboi fuqishëm kundër Kosovës, duke paraqitur dezinformata për sigurinë dhe kriminalitetin në Kosovë. Në vend që të zhvillonte një fushatë lobimi të fuqishme, Kosova e trajtoi anëtarësimin si të sigurt, duke neglizhuar vendet e pavendosura.

Këshilli i Evropës (2024-2025)

Kosova ka pasur pengesa të mëdha për anëtarësim në Këshillin e Evropës për shkak të mungesës së një diplomacie aktive.

Nuk është ndërtuar një strategji për të fituar mbështetjen e pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia, Qiproja).

3. Krahasimi me vendet e tjera: Si të mësojmë nga diplomacia aktive?

3.1. Rasti i Izraelit

Izraeli, pavarësisht armiqësisë ndërkombëtare, ka përdorur lobimin politik, diplomacinë ekonomike dhe fuqinë e diasporës për të siguruar njohje dhe marrëdhënie strategjike. Në vitet e fundit, Izraeli arriti të normalizojë marrëdhëniet me disa shtete arabe, duke përdorur diplomaci pragmatike.

3.2. Rasti i Kroacisë

Kroacia, pas shpalljes së pavarësisë, u përball me një luftë të ashpër dhe një propagandë serbe të fuqishme. Megjithatë, ajo përdori diplomacinë aktive, duke siguruar mbështetjen ndërkombëtare dhe duke u anëtarësuar në BE dhe NATO brenda një kohe të shkurtër.

4. Çfarë duhet të bëjë Kosova për të ndryshuar kursin?

4.1. Diplomacia aktive dhe lobimi intensiv

Krijimi i një strategjie diplomatike për vendet e pavendosura (Afrikë, Amerikë Latine, Azi).

Rritja e lobimit në SHBA dhe BE për të ndikuar në njohjet e reja dhe për të siguruar anëtarësim në organizata.

4.2. Diplomacia ekonomike dhe kulturore

Përdorimi i diasporës shqiptare për të ndikuar në vendimmarrjen e vendeve perëndimore.

Ndërtimi i marrëdhënieve tregtare dhe investimeve me vende që mund të njohin Kosovën.

5.Koha për diplomaci të zgjuar dhe të organizuar

Kosova ka humbur shumë mundësi për të forcuar pozitën e saj ndërkombëtare për shkak të diplomacisë pasive dhe mungesës së lobimit të strukturuar. Për të ndryshuar këtë situatë, duhet një qasje e re, më agresive dhe e koordinuar për të siguruar njohje të reja dhe për të avancuar në organizatat ndërkombëtare. Nëse Kosova nuk vepron tani, rrezikon të mbetet në një status quo të rrezikshme, e pambrojtur nga avancimet diplomatike të Serbisë.

Filed Under: Opinion

REPUBLIKA E KOSOVËS NDERON (POSTMORTEM) ME “MEDALJEN PRESIDENCIALE TË MERITAVE” IMZOT  SIMON FILIPAJ – PËRKTHYESIN E BIBLËS NË SHQIP

February 27, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

                                                                      Për Imzot Simon Filipaj – Medalja  

                                                                    Presidenciale e Meritave e Republikës 

                                                                                       së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani Sadriu ka nderuar (postmortem) Imzot Simon Filipajn me “Medaljen Presidenciale të Meritave”, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për përkthimin integral të Biblës në gjuhën shqipe dhe për rolin e tij kyç në ruajtjen, përparimin dhe zhvillimin e kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar, njofton revista fetaro-kulturore e Kishës Katolike në Kosovë, Drita.

Kujtojmë se Dom Simon Filipaj, është meshtari i parë që ka përkthyer Biblën e plotë në gjuhën shqipe. Prandaj, ky vlerësim i lartë i dhënë nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu — javën e kaluar me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës — është një nderim dhe njohje për punën dhe përkushtimin e Imzot Filipajt, i cili me durim dhe devotshmëri ka punuar për shumë vite – nën rrethana shumë të vështira politiko-ekonomike (para kompjuterit e internetit). për të përkthyer një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë botërore, në gjuhën e të parëve tanë. Frank SHKRELI/ Dom Simon Filipaj: “Shqiptarë, flisni shqip me Zotin!” | Gazeta Telegraf

Dom Simon Filipaj, konsiderohet si një figurë e madhe, jo vetëm e Kishës Katolike Shqiptare, por e mbarë Kombit shqiptar. Ai ka lindur në fshatin Kllezën, afër Ulqinit, nën Mal të Zi. Studimet filozofike e teologjike i ka kryer në Shkodër dhe më vonë pas Luftës së dytë Botërore në Zagreb të Kroacisë. Tërë jetën meshtarake e intelektuale ia ka kushtuar misionit të vet apostolik nëpër famullitë kishtare të kryedioqezës së lashtë të Tivarit — ndër më të lashtat e trojeve iliro-arbërore — e posaçërisht në bashkësinë e famullisë së Shën Gjergjit (të cilës si shumë shqiptarë katolikë të asaj zone, i përkisja edhe unë e familja ime) dhe famullisë së Klleznës. Në të vërtetë, Kllezna është fshati ku ka lindur Dom Simoni – pore dhe nga ku kanë dalur disa klerikë katolikë shqiptart tjerë me nam e të njohur për kontribute të mëdha për Kishën Katolike Shqiptare dhe për Kombin.  Ndër të tjerë, përveç Mons Simon Filipaj,  prej andej ishte edhe ish-Arkipeshkvi i Tiranë-Durrësit, i ndjeri Arkipeshkëv Rrok Mirdita. 

Dom Filipaj,  të gjitha energjitë e tija, ia ka kushtuar, jo vetëm misionit e veprimtarisë së tij meshtarake e shpirtërore por, njëkohsisht, pa kursim, ka përdorur aftësitë e tija intelektuale dhe fizike, përkthimit të Fjalës së Zotit, Biblës në gjuhën shqipe, duke e përkthyer librin e shenjtë, për herë parë në versionin e plotë. Me përkthimin e kësaj vepre të madhe siç Bibla, Dom Simoni e ka renditur Kombin shqiptar me popujt e tjerë të botës. Bibla si e tillë,  konsiderohet si monumenti më i madh i kulturës botërore – dhe vepra më e përkthyer në gjuhët e ndryshme të mbarë botës. Në një takim (24 tetorit të vitit 1994) me Papa Gjon Palin II, Dom Simon Filipaj ia dorëzoi personalisht Papës kopjen e Biblës së plotë në gjuhën shqipe, ndërsa me atërast,  Gjon Pali i II vlerësoi veprën e Dom Simonit me këto fjalë: “Me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe – e keni radhitur popullin e juaj shqiptar ndër popujt e mëdhenj, duke ripohuar edhe një herë traditën e lashtë të krishterë e fisnikërinë me të cilën është dalluar përherë Kombi shqiptar”.

Me vlersime të tilla si  fjalët e Papës, nuk është e rastit pra që, “Medalja Presidenciale e Meritave” për Dom Filipaj, është edhe një dëshmi tjetër dhe njohje e madhe edhe nga Presidenca e Republikës së Kosovës se puna, mundi dhe përkushtimi i Imzot Simon Filipajt ndaj forcimit të kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar nuk kanë mbetur në harresë. Kisha Katolike Shqiptare në Kosovë, nepërmjet revistës Drita  vlersoi vendimin e Presidentes Osmani duke thenë me këtë rast se, “Përkthimi i Biblës në gjuhën shqipe nuk ishte vetëm një projekt akademik, por edhe një mision i shenjtë, akt besnikërie ndaj popullit shqiptar në kohë të vështira për gjuhën dhe kulturën shqipe. Ky përkthim monumental jo vetëm që i ka dhënë gjuhës shqipe një vepër të paçmueshme, por gjithashtu forcoi lidhjen shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve me trashëgiminë fetare dhe gjuhësore botërore”, thuhet në revistën Drita, organ kulturor e fetar i Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë.

Me përkthimin e Biblës si kryevepër historike e tija dhe me shkrimet e botimet e shumta teologjike, katekistike e kulturore, është thënë, pa ekzagjerim, nga ekspertët e historisë kishtare dhe kombëtare, se kontributi dhe rëndësia historike e veprës së Dom Filipaj është e barabart me figurat e dalluara historike e kombëtare në fushën e kulturës dhe të gjuhës shqipe. Figura historike si bashkvendasi i tij Dom Gjon Buzukun – dy burra të mëdhej të Kombit shqiptar, me të cilët krenohen, jo vetëm trojet shqiptare të rrethit të Ulqinit, por edhe më gjërë. Frank Shkreli: Nga Gjon Buzuku e deri tek Simon Filipaj, dy burra të mbëdhenj të kombit shqiptar nga rrethi i Ulqinit | Gazeta Telegraf – Prandaj, nga ky këndveshtrim,  nderimi i figurës së Dom Simon Filipaj nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani, duhet të shikohet gjithashtu si një vlerësim për kontributin e Dom Filipaj edhe në nivel kombëtar – por edhe për vetë gjuhën shqipe, për qëndrueshmërinë dhe fuqinë e saj për të mbijetuar dhe lulëzuar gjatë historisë së gjatë e të mundimshme, pavarësisht sfidave të shumta që ka përjetuar ndër shekuj gjuha shqipe dhe Kombi shqiptar.  

Pra, bravo i qoftë Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmanit për vlersimin, me rastin e Pavarsisë së Republikës së Kosovës, të këtij burri të madh të Kombit, por, njëkohsisht,  edhe një njeriu të thjesht por me virtyte të larta, siç ishte Dom Simon Filipaj, i cili gjithë jetën e tij e kaloi duke punuar në shërbim të Zotit, Kishës Katolike dhe Kombit shqiptar. 

Frank Shkreli

Don Simon Filipaj, sacerdote albanese, ha tradotto la Bibbia in lingua albanese

                        Dom Simon Filipaj 1925-1999 – SHQIPËRUES I BIBLËS

          A person and person on a stage

AI-generated content may be incorrect.Nipi i Dom Simon Filipaj, gjithashtu prift me të njëjtin emër, në emër të familjes mori dekoratën nga duart e Presidentes Dr Vjosa Osmani

A certificate with a blue ribbon

AI-generated content may be incorrect.
A silver medal with a blue and white ribbon

AI-generated content may be incorrect.
A statue of a person in front of a stone building

AI-generated content may be incorrect.

Përeme ndorja e Dom Simon Filipaj në oborrin e Kishës së Shën Gjergjit që daton nga Mesjeta, ku ka shërbyer si famullitar dhe ku gjatë viteve Dom Simoni aty ka përkthyer Biblën e plotë në gjuhën shqipe. (Kjo është edhe kisha ku autori i këtij shkrimi ka marrë sakramenet e para fetare, sipas ritit katolik, dhe prej ku kam hedhur hapat e para të jetës që pasoi më vonë, i inkurajuar nga udhëheqsit e kësaj kishe, përfshir Dom Simonin. 

Këto afreske nga piktori shkodran, Pjerin Shëldija gjënden në brendësinë e kishës Shën Gjergji ku ka shërbyer e përkthyer Biblën Dom Simon Filipaj. Vini re elementet kombëtare – veshjet kombëtare të zonës — tek figurat biblike.

.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT