• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TEATRI I DIASPORËS

January 9, 2025 by s p

Ka disa muaj që komuniteti shqiptar në Amerikë po prezantohet me një entitet të ri në fushën e argëtimit. Pikërisht me “Teatrin e diasporës ” i themeluar në korrik të vitit 2024 nga Elisabeta Gace dhe Erand Sojli. Kjo nisëm e jashtëzakonshme ka sjellë në komunitet një frymë të re e cila ka aktivizuar aktorë të spikatur të cilët kanë kohë që jetojnë në Amerikë por që nuk kanë qenë aktiv deri para themelimit të këtij Teatri.

Gazeta Dielli si një lajmëtare e së bukurës dhe risive që burojnë nga komuniteti shqiptaro-amerikan, vlerëson dhe promovon këtë përpjekje kolosale të dy njerëzve që po japin kohën dhe energjinë e tyre në emër të kulturës. Elisabeta Gace si një marketing Event Manager që ka punuar për kompani të fuqishme si IBM dhe me një eksperiencë të suksesshme në fushën e menaxhimit është bërë promotori i këtij teatri dhe me nuhatjen e saj ka arritur të tërheqë në këtë ide edhe Erand Sojlin e Portokallisë dhe të dhjetëra shfaqjeve teatrale që kanë lënë gjurmë në historinë e teatrit postkomunist në Shqipëri.

Është shumë e rëndësishme për një komunitet të ketë alternativë argëtimi një shfaqje teatri. Dhe pikërisht ky është dhe qëllimi! Sipas Elisabetës, komuniteti shqiptar në Amerikë ka nevojë për alternativa argëtuese ku njerëzit të qeshin po pse jo dhe të kenë mundësinë të shikojnë një histori që ti bëjë të mendojnë e më pas të reflektojnë. Dhe pikërisht këtu është dhe qëllimi kryesor i teatrit të diasporës. Siç e dijmë teatri është një zhanër me të cilin shqiptarët janë edukuar, janë frymëzuar dhe kanë qeshur dhe qarë! Shpesh herë me dashje ose pa dashje i lëmë në hije artistët e mëdhenj që jetojnë dhe punojnë këtu, dhe ende kanë për të dhënë në të gjitha zhanret! Prandaj është e rëndësishme që ti mbështesim në çdo lloj forme! Sepse janë artistë të cilët na kanë dhënë kënaqësi nëpërmjet artit të tyre në e televizione, në skena nëpër galeri etj

Një veçanti specifike që e dallon teatrin e diasporës është edhe dramaturgjia ose pjesa teatrale që vihet në skenë. Sojli thotë se është i dedikuar që krijimtaria e tij ti dedikohet jetës shqiptaro-amerikane këtu në SHBA. Problematikat ngjarjet dhe ndjesitë që na pushtojnë çdo ditë në raport me njëri-tjetrin, me atdheun, me politikën, me dashurinë etj.

Shfaqja e parë e teatrit të diasporës me titull “BURRË E GRUA MISH E THUA” nga ku nisi dhe rrugëtimin kjo nisëm, me aktorët Erand Sojli dhe Mariza Ikonomi i dedikohej jetës në çift dhe përmbysjes së ëndrrës amerikane të një çifti që vjen në Amerikë për të jetuar në qiellgërvishtësit e Manhattan-it dhe përfundojnë në bodrumet e Bostonit. Nëpërmjet lojës aktoreske dhe muzikës kjo komedi solli gëzim dhe të qeshura pa fund për komunitetin shqiptaro-amerikan në disa shtete të Amerikës su Massachusetts, New York, Philadelphia etj. Në këto momente #theatridiasporës vjen me komedinë e dytë “Femrat e Mia” me aktore të komunitetit tonë që përfshijnë deri në 3 breza.

Një djalë i dashuruar me një stjuardesë e ka problem ti prezantojë të dashurën e tij të huaj mamasë e cila i ka vënë kusht që nusen ta marrë shqiptare! Nëna e interpretuar nga aktorja Mariana Kondi e cila interpreton rolin e nënës bashkë me Kieda Budini një aktore shqiptare e re që jeton në diasporë (në Vjenë) bashke Grupin e Dea Band (Arian Kerliu Did Tezha dhe Elis Lloshi) dhe 3 Balerinat e vogla Lauren, Julia dhe Gabrielle Gace plotësojnë kuadrin e tre brezave të komunitetit tonë. Duke na sjellë në skenë traditat tona të dasmës dhe humorin për të cilin komuniteti ynë ka kaq shumë nevojë. Komedia “Femrat e Mia” pas premierës në Worcester dhe New Jersey vjen në datë 11 Janar 2025 ditë e shtunë në Oren 9 pm në New York Soho Playhousë dhe në datë 12 Janar në Philadelphia në orën 6pm. Në i ftojmë të gjithë bashkombasit tanë ta shikojnë këtë komedi e cila nuk do ju zhgënjejë. I urojmë shumë suksese #theatridiasporës për më tepër biletat mund ti gjeni online në eventbrite ose në numrin e telefonit +1 (617) 818-1423 Mos e humbisni.

Filed Under: Opinion

Modeli politik dhe trashëgimia e Dr. Ibrahim Rugovës

January 8, 2025 by s p

Dr. Davida Marku/

Ibrahim Rugova, është presidenti i parë i Kosovës dhe një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne të shqiptarëve. Rugova mbeti i përkushtuar ndaj rezistencës paqësore. Rugova pasqyroi një lider me tipare intelektuale, kulturale dhe morale. Ai ishte një shkrimtar, kritik letrar dhe studiues i kulturës shqiptare para se të bëhej politikan. Natyra e tij e përulur dhe fjalët e peshuara krijuan një imazh të një lideri që synonte më shumë interesat e popullit sesa ambiciet personale. Stili politik i Ibrahim Rugovës ishte një model i veçantë në historinë e liderëve shqiptarë dhe më gjerë, duke reflektuar një qasje të bazuar në mosdhunë, diplomaci dhe vizion afatgjatë. Ai ishte i fokusuar në krijimin e një modeli politik që kombinonte idealizmin kulturor me pragmatizmin diplomatik. 

Rugova e ndërtoi udhëheqjen e tij mbi parimin e rezistencës paqësore, duke refuzuar konfliktet e armatosura si mjet për zgjidhjen e krizave politike. Ai besonte te fuqia e fjalës dhe diplomacisë. Qasja e tij e mosdhunës ishte frymëzuar nga liderë globalë si Mahatma Gandhi dhe Martin Luther King Jr., dhe përshkohej nga një sens i lartë humanizmi dhe moraliteti politik.  Rugova ndërtoi ura komunikimi me diplomatë dhe liderë ndërkombëtarë, duke e pozicionuar Kosovën si një çështje humanitare dhe politike ndërkombëtare. Ai përdori fjalën e tij për të ndërtuar mbështetje ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, duke e trajtuar çështjen si një të drejtë legjitime të një populli të shtypur.

Rugova punoi për të krijuar një platformë unifikuese politike, duke u përpjekur të shmangte përçarjet brenda spektrit politik shqiptar të Kosovës. Gjatë udhëheqjes së tij, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak dhe të shmangies së konflikteve të brendshme. Rugova e përdori identitetin kulturor si mjet politik. Ai promovoi trashëgiminë kulturore shqiptare si një bazë për legjitimitetin e kërkesave të Kosovës për vetëvendosje.  Stili i tij i politikës shpesh përfshinte një dimenson kulturor dhe intelektual, i cili e veçonte nga liderët tradicionalë. Rugova promovoi një pavarësi të gradualshme, duke shmangur provokimet e drejtpërdrejta ndaj Serbisë dhe duke përdorur institucione alternative për të ndërtuar shtetin. 

Stili i tij i qetë dhe modest i bëri jehonë një etikete të përulur lideri, larg protagonizmit apo retorikës së zhurmshme. Kjo e ndihmoi Rugovën të fitonte respekt si brenda Kosovës, ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. Stili politik i Rugovës nuk ishte pa sfida. Kritikat kryesore lidhen me ngurrimin për të përshtatur strategjitë kur rrethanat ndryshuan, si dhe me pamundësinë për të mbajtur kontroll të plotë mbi zhvillimet pas vitit 1998.  Pavarësisht këtyre kritikave Rugova la një trashëgimi të një lideri të qetë dhe të arsyeshëm, i cili ndërtoi një bazë të fuqishme për lëvizjen e pavarësisë së Kosovës. Ky stil politik e bën Rugovën një figurë të veçantë dhe frymëzuese në politikën shqiptare dhe në historinë e rezistencave paqësore në botë.


Ibrahim Rugova, përveçse një lider politik, ishte edhe një figurë me vlera të larta njerëzore dhe intelektuale. Modeli i tij njerëzor u ndërtua mbi bazën e një personaliteti modest, të qetë dhe vizionar, duke reflektuar cilësitë e një intelektuali dhe një humanisti të vërtetë. Rugova ishte i njohur për thjeshtësinë dhe sjelljen e tij modeste, larg protagonizmit dhe arrogancës që shpesh shoqëron liderët politikë. Ai komunikonte me njerëzit me një ton të përulur dhe të respektueshëm, duke i bërë ata të ndiheshin të dëgjuar dhe të vlerësuar.Veshja e tij simbolike, shalli që mbante, u kthye në një element që përfaqësonte natyrën e tij unike dhe të përulur.

Si president, ai nuk e braktisi anën e tij intelektuale, duke e përdorur kulturën si një mjet për të ngritur vetëdijen kombëtare dhe për të ndërtuar legjitimitetin e kërkesave politike të Kosovës. Ai e trajtoi politikën si një vazhdimësi të filozofisë dhe kulturës, duke kombinuar vlerat morale me strategjitë praktike. Rugova ishte një lider i pajtimit dhe bashkëjetesës. Ai predikonte tolerancën midis grupeve etnike dhe fetare, duke kërkuar që shqiptarët e Kosovës të mbeteshin të hapur dhe të bashkëpunonin me komunitetet tjera.  Ai i shikonte kundërshtarët politikë jo si armiq, por si pjesë e dialogut demokratik, duke shmangur konfliktet dhe përplasjet personale. 

Rugova ishte simbol i integritetit moral dhe politik. Ai qëndroi i palëkundur në parimet e tij, edhe kur presioni ishte i madh për të ndryshuar qasjen ose për të bërë lëshime të pakuptimta.

Sjellja e tij e drejtë dhe e ndershme i dha një peshë të veçantë në arenën ndërkombëtare, duke fituar respektin e diplomatëve dhe liderëve botërorë. Urtësia e tij u kthye në një model frymëzues jo vetëm për politikanët, por edhe për qytetarët, të cilët e shikonin atë si një lider të largpamës dhe të mençur. Për Rugovën, historia dhe kultura ishin elemente të pandashme të qenies njerëzore. Ai e trajtoi politikën jo vetëm si menaxhim të çështjeve aktuale, por edhe si një mision për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kombëtare shqiptare. Ai punoi për ta vendosur Kosovën në hartën ndërkombëtare si një shtet që ruan vlerat dhe pasuritë e tij kulturore.

 Ibrahim Rugova la një model lideri që reflekton moralitet, qetësi dhe integritet, duke u bërë një shembull për brezat e ardhshëm jo vetëm në politikë, por edhe në jetën publike dhe private.

Për shqiptarët, Rugova mbetet simboli i liderit që vendosi unitetin kombëtar dhe dinjitetin njerëzor mbi interesat personale apo grupore. Rugova vendosi një precedent të rezistencës paqësore si strategjia kryesore për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Ky model ndihmoi Kosovën të tërhiqte mbështetje ndërkombëtare dhe të shmangte përshkallëzimin e dhunës në fazat fillestare të luftës për pavarësi. Ai tregoi se forca e diplomacisë dhe argumentit moral mund të jetë një armë më e fuqishme sesa konflikti i armatosur.

Rugova luajti një rol kyç në artikulimin e identitetit politik të Kosovës si një entitet unik dhe të pavarur, të lidhur ngushtë me identitetin kombëtar shqiptar.Ai theksoi se pavarësia e Kosovës nuk ishte vetëm një çështje kombëtare, por edhe një çështje universale e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. Rugova ndërtoi ura të rëndësishme diplomatike me komunitetin ndërkombëtar, duke ndihmuar që çështja e Kosovës të fitojë mbështetje globale. Mbështetja që ai krijoi nga vendet kryesore perëndimore, veçanërisht SHBA dhe BE, ishte vendimtare në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Rugova përqendroi përpjekjet e tij në ndërtimin e një shoqërie demokratike, duke promovuar zgjedhje të lira dhe institucione demokratike, edhe në rrethana të vështira okupimi.  Ai vendosi bazat për një kulturë politike të bazuar në dialog, tolerancë dhe respekt për diversitetin. Si një intelektual dhe kritik letrar, Rugova e ngriti kulturën në një dimension politik, duke e trajtuar atë si një pjesë të pandashme të kauzës së lirisë. Ai besonte se ruajtja dhe promovimi i kulturës kombëtare ishin thelbësore për fuqizimin e vetëdijes kombëtare dhe përballimin e sfidave politike.

 Rugova u bë simbol i lidhjes midis kulturës dhe politikës. Ai nuk ishte vetëm një lider politik, por edhe një ambasador i vlerave kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare.  

Rugova u kthye në një frymëzim për artistët, studiuesit dhe politikanët, duke demonstruar se kultura dhe politika mund të bashkëpunojnë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Ai la një model të liderit që e shikon kulturën si një element kyç të shtetndërtimit dhe të mbrojtjes së identitetit kombëtar. Trashëgimia politike dhe kulturore e Ibrahim Rugovës është një pasuri kombëtare për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Ai ndërtoi një model që kombinonte fuqinë e kulturës, diplomacisë dhe paqes për të arritur qëllime madhore. Përmes filozofisë së tij të rezistencës paqësore dhe përkushtimit ndaj vlerave kombëtare, Rugova vazhdon të shërbejë si një simbol i qëndrueshmërisë dhe shpresës për brezat e ardhshëm.

Literatura për sintetizimin e mendimit:

  • Artikuj dhe intervista të tij gjatë udhëheqjes si president.
  • Jusuf Buxhovi: “Kosova: Një histori politike” – për kontekstin historik të kohës së Rugovës.
  • Enver Hoxhaj: “Diplomacia e Kosovës” – që përfshin edhe ndikimin e Rugovës në arenën ndërkombëtare.
  • Shkëlzen Maliqi: “Rugova dhe filozofia politike shqiptare.”
  • Gazmend Pula: “Lideri i rezistencës paqësore.”
  • Chris Hill: “Peace at Any Price” – që analizon periudhën e diplomacisë në Kosovë.
  • Dokumentarë si “Ibrahim Rugova: Udhëheqësi i rezistencës paqësore.”

Filed Under: Opinion

AT GJERGJ FISHTA PËR ROLIN E SHTYPIT TË LIRË

January 7, 2025 by s p

Në përvjetorin e kalimit të tij në amshim (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a microphone

Description automatically generated

Shpesh gjatë viteve, me 30 dhjetor, normalisht dhe modestësisht, por me respektin më të madh dhe me mirënjohjen më të thellë, kam kujtuar përvjetëtorët e kalimit në amshim të At Gjergj Fishtës, një prej kolosëve të shqiptarizmës dhe mbrojtësit të përbetuar të drejtave të shqiptarëve dhe të interesave të tyre kombëtare në trojet e veta shkullore. Ndonëse pak me vonesë — më mirë vonë se hiç – duke pasur parasysh se nuk vura re ndonjë shënim në median kryesore shqiptare, ndonjë kujtim të këtij përvjetori të kalimit në amshim të françeskanit e poetit shqiptar At Gjergj Fishtës (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940) — kësaj figure të madhe të Kombit dhe Kishës Katolike Shqiptare – gjithnjë i harruar dhe i përjashtuar, zyrtarisht, me eiptetin armik i popullit e bashkpuntor fashist. 

Pra, kanë kaluar 85-vite nga dita e kalimit në amshim të Atë Gjergj Fishtës – nga 30 dhjetori i vitit 1940 – dhe mediat kryesore shqiptare të cilat pretendojnë se janë të lira – 35-vjet pas “shembjes” së komunizmit në Shqipëri – preferojnë të injorojnë data të tilla, të   figurave të tilla kombëtare si Fishta – me shpresën se po të mos “kujtohet”, At Gjergj Fishta dhe veprat e tija, në heshtje, do të “harrohen”.  Dhe nëqoftse ai nuk përmendet kur e kërkon rasti, siç janë përvjetorët –– më në fund, përjashtimi i tij nga letërsia dhe historia e shqiptarëve, do të përjetësohet – ashtu siç e dëshironte regjimi sllavo-komunist i atëhershëm dhe apologjetët e sotëm, të atij sistemi anti-kombëtar sllavo-aziatik.   

Dihet se At Gjergj Fishta njihet më së miri si poet, por ai ka shkruar shumë edhe në prozë. Janë këto shkrime në prozë që janë më shumë të një natyre politike. Ai në të vërtetë e ka filluar veprimtarinë e tij gazetareske si shkrimtar e poet, me botimin e gazetave e revistave, quajtur “Posta e Shqipnisë”, revista “Hylli i Dritës”, “Orën e Maleve”, Gruen Shqiptare”, e tjera. 

Si për shumë çeshtje të botës së atëhershme shqiptare, Gjergj Fishta e ka përdor shtypin si një shkollë kombëtare dhe vatër kulture. Shkrimet e tij në poezi e sidomos në prozë, sipas At Daniel Gjeçajt, “tërheqin, nxisin, zemrojnë, pasurojnë mendje e shpirt, madhërojnë, mësojnë e qortojnë.”  Është vështirë ta marrim me mendë se çfarë do të mendonte At Gjergj Fishta për shtypin shqiptar të sotëm, në përgjithësi. Nga ato që dimë nga shkrimet e tija në gazetat dhe revistat e kohës ës tij, pak e shumë, e dijmë se ç’mendonte ai për rolin dhe rëndësinë e shtypit të lirë, në kohën kur ai jetonte. Veprimtaria e tij bazohej në besimin në Zotin dhe në Lirinë e veprimit.  Ai ka themeluar “Hyllin e Dritës” me moton; “Ubi Spiritus Domini, ubi Libertas” – Aty ku është shpirti i Zotit, aty është edhe Liria”.  Për Fishtën, shkrimtari e gazetari i lirë është një edukator i Kombit shqiptar. Ndërsa shtypi i lirë për At Gjergj Fishtën është një armë e fortë që duhet përdorur mirë, pa e abuzuar, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa, me një rast.

Atëherë cili duhet të jetë roli dhe qëllimi i një shtypi të lirë, sipas Fishtës, bazuar në shkrimet e tia, në Shqipërinë e 1913-s, të posa dalur nga robëria shumë shekullore dhe terri i padijes, nga 5-shekuj robëri. Kështu është shprehur ai me rastin e themelimit të revistës Hylli i Dritës; “Që e Përkohëshmja jonë (Hylli i Dritës (HD)) të arrij me ngjallë shpresën ndër zemra të Shqiptarëve se prej Hyut, ditë më të mira kanë me iu reshë Shqipënisë”, ka shkruar Fishta në artikullin e parë botuar në HD I, 1913. 

At Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se në atë artikull, Gjergj Fishta, “ka thekësua shumë mirë misionin dhe qëllimin e revistes françeskane, Hyllit të Dritës, qëllim i cili, sipas tij, ka për objekt, mbi të gjitha, Zotin e Kombin, Dijen e Fenë, Lirinë e Përparimin, Moralin e Kulturën.”  Hylli i Dritës i Fishtës dhe Albania e Konicës, konsiderohen si më prestigjozet që janë botuar deri më sot në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. 

Në fillim të shekullit të kaluar, Atë Gjergj Fishta do theksonte me forcë rolin e shtypit të lirë për formimin e gjithanshëm të popullit shqiptar të sapo dalë nga robëria e gjatë shekullore otomane. E do polemizonte me forcë me “kalemxhnjtë” e kohës, duke këkuar që gazetat, “Nëse duen me e përdorue përnjimend këtë armë të fortë, që e kanë në dorë, për të mirë të njerëzimit, për me davarit terrin e mizorinë, e me përhapë të drejtën e qytetninë, ata duhet ta bajnë gazetën enciklopedi të moteve tona… domethanë që të ketë mbrendë gjithfarë njohunish të nevojshme për shoqninë e jetën e njerëzve, e për t’i pajisë me dije fetare, filozofike, ekonomike, gjeografike, politike, etj, etj. Përndryshe tue kenë se nuk u del koha me i peshue hollë e gjatë shkrimet, gazetarët nuk munden me e krye detyrën e vet, ashtu si pret njerëzimi prej tyne. Arsyeja, pra, për të cilën disa prej gazetave të sotme nuk i përgjegjen kësaj detyre të naltë, ashtë se nuk kanë tjetër literaturë, veç fletoreve e shkarravinave të veta.  E këta njerz, sa ma të padijshëm që të jenë, aq ma shumë vehen me shkrue ndër gazeta e ngrihen mbi të tjerë si gjyqtarë e mësues, e mbahen si prijësa të Kombi e atdhetarë të flakët.” 

 Po këta të njëjtit, mandej sipas tij, me “rrena, me të shpifuna e me trillime gjithfarësh, pa turp e pa njerëzi (me shrkrimet e tyre) u marrin, nepër fletore, nderën burrave ma të kenun të shoqënive ma të zgjedhuna e herë ballafaqe, por ma të shumtën, të fshehun nën emna të rrêjshem, i marrin nëpër gojë e i lnurin, pa u lanë as vend me i dalë zot së drejtës! Këta, pa dyshim, janë murtaja e njerëzimit, qelbësina e kombit e shkandulli i gjithkujt. E kësi njerëzish gjinden sot me shumicë në Shqipni… Njerëz të përmendun shpesh për shnjerëzime, të njohun për vese, të rrjepun e të shkelveshun prej mbrapshtinash, porsi çakaj të tërbuem bërtasin, për mos me thanë, lehin, nëpër gazeta të poshtnueme”. (Marrë nga Kombsija e Kleri katolik, sipas Radio vatikanit)

A thua Fishta do kishte të njëjtin mendim mbi një pjesë të madhe të shtypit të sotëm në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, 35 vite pas shembjes së një perandorie tjetër të errët gjysëm shekullore – atë të perandorisë sllavo-komuniste ndërkombëtare?! Cili do duhej të ishte sot roli i gazetarit shqiptar anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në mërgim – në rrethanat e liriës e demokrackisë në çerek shekullin e parë të XXI?!

Për Fishtën, shkrimtari e gazetari është një edukator i Kombit shqiptar. Ndërsa shtypi i lirë për At Gjergj Fishtën është një armë e fortë që e përdor mirë, pa e abuzuar, katedër edukimi, është shprehur shkrimtari Arshi Pipa me një rast për mendimet e Fishtës për lirinë e shtypit. “Në një mënyrë të posaçme roli i fletoristave (gazetarëve). Gjithkush e di fuqinë e madhe që kanë fletoret në shpirtin e nji populli. Këto janë ato që shëndrisin mendjen e nji populli dhe drejtojnë mendjen e tij drejt përparimit dhe përmirësimit të jetës. Veç duhet që këto të jenë shkrue e rregullue mirë. Për ndryshe, në vend që me kenë faktor i përlindjes, ato do të ishin rrënimi i shpirtit të popullit”, ka cituar Pipa, At Gjergj Fishtën mbi rolin e shtypit në një shoqëri, si ajo shqiptare.  Fishta besonte në rolin pozitiv të gazetarit dhe gazetave, si transmetues të ngjarjeve bashkohore, por edhe si vatra të atdhedashurisë dhe të kulturës, ndërsa e konsideronte pendën, edhe si armë mbrojtëse e idealit kombëtar, ndër të tjera. “Me armë kemi ruajtur eksiztencën tonë. Me pendë do t’ia sjellin të mbarën dhe të mirën Atdheut”, ka shkruar Fishta për rolin e gazetarëve. 

Ndërsa, studiuesi dhe njohësi i mirë i At Gjergj Fishtës dhe veprimtarisë së tij si poet e prozator, i ndjeri At Daniel Gjeçaj ka vlerësuar se prej njerzve të pendës Fishta priste shumë.  “Mbi të gjitha, prej gazetarëve të lirë, Fishta priste moral në sjellje, guxim në punë, sinqeritet në veprim, dashuri në mision, vetmohim në shpërblim. Ata lypset të jenë mbrojtësit e së vërtetës dhe farkuesat e atij karakteri kombëtar fisnik e të shëndosh, të pathyeshëm e guximtar, por edhe njiherit të rysun, të disiplinuem, të ndieshëm, e të zellshëm për dije e për punë.”

Po gazetaria e sotëme në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe në mërgim, çfarë mund të mësojë nga At Gjergj Fishta — në këtë përvjetor të kalimit të tij në amshim — mbi rolin që gazetarët shqiptarë duhet të luajnë sot, si mbrojtës të së Vërtetës dhe si farkues të karakterit kombëtar fisnik shqiptar?

Frank Shkreli

108 vite nga "Hylli i dritës" së Gjergj Fishtës,

“Shpëtimi i nji populli nuk mund të mbështetet vetëm në trajtën e qeverimit, por duhet marrë në kujdes edhe shpirti që e frymëzon atë.” (Fishta në Hylli i Dritës, III, 1923, 104)

Filed Under: Opinion

Sot ditëlindja e Fan Nolit – Rent o Marathonomak….

January 6, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Imzot Noli, idetë dhe vizionet e tua për Shqipërinë ende shqetsojnë “shakaxhinjtë e përparimit” që nën petkun e historianëve, kritikëve , estetëve përpiqen të zvogëlojnë veprën tënde.

Fan Noli iu duk i çuditshëm në shoqërinë shqiptare , si i rënë nga qielli kur u thoshte shqiptarëve se pasuria nëntokësore që gjendej në tokë të bejlerëve u përkiste të gjithëve dhe shteti do bënte më të mirën për ta shitur e për të përfituar të gjithë. Iu duk i pafuqishëm ky njeri që thoshte që do t‘u jepte tokë dhe ndërsa fuqitë e Vrangelit dhe bateritë serbe rrihnin kryeqytetin për të sjellë Zogollin, ai luante klarinetë dhe lutej që “fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”.

E deshën shumë pak fqinjët se do t’u vinte kufirin tek thana, ndaj u bënë të gjithë bashkë me Pashic, Musolin e qeveritarë grekë për të mos e njohur e për ta përmbysur. Mirëpo këtë mëri të fqinjëve, ata të tjerët që kishin rendur në Beograd nga zemërimi popullor i vrasjes së Avni Rustemit e quanin “legjitime”, politikë të drejtë dhe sukses të tyre.

E cilësuan aventurier, sepse kërkonte të sillte qytetërim dhe barazi në një vend që s’kish ndryshuar për qindra vite me radhë. Gëzonin dhe fërkonin duart që ai s’i njihte dredhitë e vogla orientale të mësuar në oborre pashallarësh dhe që u jepnin përparësi që pushtetin e tyre ta shisnin për përparim. Disa historianë e quajnë sot këtë gjë, zotësi të kundërshtarëve të tij, zgjuarsi që buronte nga natyra e tyre popullore. Në fakt nuk është çudi që prej shekujsh në Shqipëri adhurohet i ligu dhe hileqari, që ka mundësi të ta hedhë dhe poshtërojë tjetrin sesa vizionari dhe misionari që mundohet të mbjellë farën e ndryshimit. Fati i personazhit të quajtur Plug të Konicës në “Katër Përralla nga Zuzulandi” ka ndjekur gjithmonë fatin e idealistëve në Shqipëri.

Gjithsesi Fan Noli s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin mizerabël që kishin ndërtuar “dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”.

I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte, duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Ndjekjet e atyre që s’e deshën e përndoqën deri në Amerikë, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e vet ishte Peshkop i “kuq”, një akuze që i tejkalonte dhe përndjekjet e Komisionit MacCarthy dhe që shumë “studiues” të sotëm i përsërisin herë pas here si “pafajësisht” për të baraspeshuar traktatet e bashkëpunimit me të huajt që nënshkruan të tjerë.

Imzot Noli ju mbeteni gjallë në ndërgjegjen e kombit, një maratonomak që përcjell lajmin e fitores të së mirës mbi të keqen, të së drejtës mbi padrejtësinë, të përparimit mbi prapambetjen.

RRENT, OR MARATHONOMAK

Rent, or rent, rent e u thuaj

Se u çthur ordi e huaj,

Se betejën e fituam

Dhe qytetin e shpëtuam!

Rent, or rent,

Rent, or Marathonomak!

Kap një degë prej dafine

Dhe vërtitesh ndaj Athine,

Nëpër fush’ e brek mi brek

Këmba tokën as t’a prek,

Hip’ e zbrit,

Petrit, Marathonomak!

Ke një plagë, po s’e the,

Djers’ e gjak pikon për-dhe;

Do që ti të jesh i pari,

Për triumfin lajmëtari

Flamur-gjak,

Kuqo, Marathonomak!

T’u tha gryka, po s’të pihet,

T’u mpi këmba, po s’të rrihet,

Se mileti po të pret,

Ankthi zëmrat ua vret,

Vrer e tmerr,

Shpejt, or Marathonomak!

Kurrë kaqë s’dogji djelli

Dhe si plumb s’rëndovi qjelli,

Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftoj

Hij’ e lisit edhe kroj;

Turru tej,

Tutje, or Marathonomak!

Vapa mbyt e pluhri nxin

Ferra çjerr e guri grin

Afsha gjoksin përvëlon

Syrin avulli verbon;

Ur’ e prush,

Furr’, or Marathonomak!

Gryka si gjyryk të çfryn

Prej Vullkani flag’ e tym

Se ç’vëngon e se ç’gulçon,

Zëmra brinjët t’i çkallmon

Me tokmak,

Mbahu, or Marathonomak!

Nëna, motra, nusja dalin,

Ngrehin krahët të të ndalin,

Mos, se s’janë veç Najada

Magjistrica dhe Driada;

Lark, or lark,

Lark, or Marathonomak!

Hajde, ja Akropolia,

Ja qyteti e njerëzia

Që të pan’ e që të çquan

Dhe fuqinë t’a rishtuan

Ha dhe pak,

Hajde, or Marathonomak!

Ja, arrive, ua the:

Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!

“E fituam!”, brohorite

Dhe për tok’ u-përpëlite;

Vdiq, or vdiq!

Vdiqe, or Marathonomak!

Rent kudo, dyke bërtitur,

Nëpër shekuj faqe-ndritur,

Se i vogli shtrin viganin

Dhe i shtypuri tiranin,

Veç e tok,

Tok, or Marathonomak!

Filed Under: Opinion

MESHARI I BUZUKUT NË DRITËN E HULUMTIMEVE MË TË REJA – ME RASTIN E 470 VJETORIT TË BOTIMIT

January 5, 2025 by s p

Meshari i Buzukut është pjesë përbërëse e kontributit shqiptar në rrjedhat krijuese letrare europiane të kohës. Ky libër është meshar i plotë, sipas traditës së Kishës Katolike. Ai është shkruar sipas mjedisit ku është krijuar, pra mbart shumë elemente lokale e kombëtare shqiptare, të cilat vërehen hapur në kultin e shenjtorëve lokalë e rajonalë, zakonet vendase dhe traditën e pasur fetare shekullore. Meshari, sot ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturën: Ed. Prop. IV. 244. – Një kopje e riprodhuar në mënyrë anastatike, e punuar nga laboratori i BAV-Vatikan, iu dorëzua kohëve të fundit presidentit të Shqipërisë.

Prof. Dr. Musa AHMETI

Centar for Albanian Studies – Budapest

Meshari i Gjon Buzukut hap një faqe të re një historinë e letërsisë shqiptare. Me të fillon historia e librit të botuar, [të njohur deri sot] në gjuhën shqipe. Andaj është e natyrshme që ky libër të tërheqë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve dhe çdoherë t’i provokojë ata të masin forcat intelektuale që të kontribuojnë për zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura, që dalin prej tij. Është e natyrshme, që si i tillë, ta nxisë çdo studiues të merret me të, por jo çdonjëri ka fatin të shënojë kthesë të rëndësishme në studimet buzukiane. Kur nga perspektiva e sotme i hedhim një vështrim studimeve buzukiane, nuk ka si të mos befasohemi me këmbënguljen e studiuesve për t’i ndriçuar çështjet e pazbërthyera që nxit ky libër.

Gjuha popullore filloi të përdoret me kohë në kishat nacionale, jo vetëm në shërbimet kishtare dhe ceremonitë e ndryshme, por edhe në takime me besimtarët si dhe në komunikimin e klerit dhe të rendeve kishtare. Kjo gjë është dëshmuar dhe argumentuar jo vetëm me dokumentet arkivore, por edhe me ruajtjen e teksteve të shumta, disa nga të cilat janë më të hershme se shek. XIV. Kështu që nga periudhat më të hershme, u zhvillua një letërsi [krijimtari] kishtare në gjuhë të ndryshme popullore, e cila si pjesë përbërëse e nevojës së përhapjes së besimit të krishterë, më parë u dëshmua te popujt, gjuha e të cilëve largohej më shumë nga latinishtja, pastaj edhe te popujt romanë dhe në letërsinë e tyre kombëtare. Sipas dëshmive të ruajtura në dorëshkrimet e shumta, kjo letërsi kishtare ka qenë e përfaqësuar në disa forma: në krijime mësimore për klerin si p.sh. manualë, doracakë me karakter të ndryshëm, breviarë, leksionarë, libra lutjesh e lavdesh, mesharë, psalterë, ungjij, si dhe libra të mësimit fetar për të gjithë besimtarët, të njohura si katekizma, tekste të thjeshta letrare, rrëfime për shenjtorët, krijime letrare siç ishin himnet, lutjet, lavdet, tekstet e ndryshme skenike që kanë shërbyer për nevojat e përhapjes dhe ruajtjes së besimit të krishterë.

Rrugëtimi i Mesharit nëpër shekuj

Fati i Mesharit të Gjon Buzukut, që nga botimi e deri në ditët e sotme, është shumë interesant! Ai mban në vete një histori të çuditshme për rrugën e mundimshme dhe tepër të vështirë për t’i përballuar kohës, shkatërrimit fizik, pakujdesisë e humbjes. Si libër u përmend për herë të parë nga autori shqiptar i shek. XVII Pjetër Bogdani, gjë që na bën të mendojmë se deri atëherë nuk ishte i humbur, por përkundrazi konsultohej dhe shfrytëzohej nga prelatët shqiptarë, duke kaluar nga një dorë në tjetrën. Këtë gjë më së miri na e ilustrojnë shënimet e shumta në margjinat e faqeve të ksombllës origjinale.

Gjurmët e Mesharit humbin deri në vitin 1743, kur imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova njofton at Gjergj Guzetën, themeluesin e Seminarit Arbëresh të Palermos, për ekzistencën e një ksomblle të vetme, duke i dërguar atij një fragment të kopjuar të tij: “Antichissimo Missale per antichita tutto straciato”, me shënimin se ruhet në Bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fide [Kolegji për Ungjillizimin e Popujve] në Romë. Në shkrimet e tyre, Mesharin e përmendin edhe rektorët e Seminarit të Palermos, Pal Parrino /1710-1765/ dhe Sepë Krispi /1781-1859/. Mesharit nuk përmendet më deri në vitin 1898, kur e dërgojnë nga biblioteka e Kolegjit të Propaganda Fide në koleksionin e librave Orientale, të kardinalit Stefano Borgia. Bashkë me koleksionin Oriental të kardinal Borgia-s, disa vite më vonë ai bëhet pronë e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, në Vatikan, duke u rregjistruar fillimisht me signaturën: R[accolta] G[enerale] Liturgia. III. 194., /R. G. Liturgia. III. 194./, që disa vite më vonë me signaturë të re, në të cilën ruhet edhe sot e kësaj dite: Ed. Prop. IV. 244.

Imzot Pal Skiroi ishte i pari që bëri të mundur riprodhimin fotografik të plotë të Mesharit në vitin 1909. Pas një pune këmbëngulëse shumëvjeçare, Skiroi bëri transliterimin, transkriptimin fonetik dhe një studim të veçantë për gjuhën e Mesharit, duke e krahasur atë me autorë të tjerë të Veriut të Shqipërisë, veçanërisht me Pjetër Budin. Megjithatë, vepra e Skiroit ka mbetur deri sot e kësaj dite në dorëshkrim dhe e pabotuar, edhe pse me këtë dorëshkrim janë shërbyer Namik Resuli, Eqrem Çabej dhe ne, gjatë hulumtimeve të bëra në Vatikan.

Në vitin 1929, Justin Rrota nxori tri kopje të filmuara të Mesharit, të cilat u depozituan në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ku edhe sot e kësaj dite ruhet një kopje, ndërsa dy të tjerat në Shkodër: njëra në Seminarin e Etërve Jezuitë, ndërsa tjetra në Bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës, e cila edhe është dixhitalizuar para disa vitesh dhe është në shfrytëzim për të gjithë të interesuarit. Në vitet ’50 të shek. XX, dy studiues të shquar shqiptarë, E. Çabej dhe N. Resuli, secili në mënyrë të pavarur nga tjetri, e përgatitën për botim, Mesharin, duke vënë në përdorim kriteret e shkencës bashkëkohore, si dhe tri mënyra të riprodhimit të exemplarit origjinal, transkriptimin fonetik, transliterimin dhe fototipinë, të përcjella me analiza të thukta kritike shkencore.

Namik Resuli e botoi studimin e tij në Vatikan në vitin 1958, në një numër të kufizuar ekzemplarësh, në kollanën e njohur Studi e Testi nr. 199; ndërkohë Eqrem Çabej e botoi në Tiranë në vitin 1968. Edhe pas këtyre botimeve, libri do të njihej vetëm nga rrethe të caktuara specialistësh dhe shkencëtarësh. Në fund të viteve ’90, Meshari depërtoi në masën e gjerë të lexuesve dhe u bë i mundshëm studimi i tij i shumanshëm. Ishte viti 1987, kur shtëpia botuese “Rilindja” e Prishtinës bëri ribotimin integral të tekstit të E. Çabejt, të vitit 1968. Vëmë në pah se, studimet e deritanishme (qoftë ai i Skiorit, apo këto të Resulit, Çabejt e Camajt dhe ky i yni së fundi), kanë disa dallime, që kanë të bëjnë sidomos me interpretimin e vlerave fonologjike të grafemave, të përdorura nga Buzuku, sepse gjuha arkaike, alfabeti i veçantë [grafemat sllave], përdorimi i të njëjtës grafemë me vlera të ndryshme e çështje të tjera, lënë vend për një studim të ri, të mbështetur në metoda të reja shkencore fonologjike, semiotike, analogjike, gjithsesi edhe informatike. Përkundër shumë studimeve, nga specialistë të shumtë, ende shumë gjëra rreth Mesharit kanë mbetur të pasqaruara.

Koncepti zhanror dhe përmbajtja e librit

Çështjet kryesore për diskutim rreth Mesharit janë: përmbajtja e librit dhe koncepti zhanror i tij. Me zbërthimin eventual të këtyre dy çështjeve dominuese do të zgjidheshin edhe disa të tjera, të cilat janë ngushtësisht të lidhura me dy të sipërpërmendurat, sidomos personaliteti i autorit, koha e krijimit të veprës, vendi dhe viti i saktë i botimit si dhe titulli i plotë i librit. Nga këndvështrimi i studimeve të deritashme buzukiane, jemi në gjendje të diskutojmë për shumë çështje të hapura, një pjesë e të cilave janë zgjidhur, kurse një pjesë tjetër pritet të zgjidhen në të ardhmen. Problemi i parë që meriton kujdes të veçantë është vetë Meshari dhe përmbajtja e tij, analiza dhe studimi i tij, si në rrafshin horizontal ashtu edhe në atë vertikal. Krahasimi analogjik me veprat e ngjashme, të botuara para dhe pas kohës kur u botua Meshari, mund të ndihmojnë në zgjidhjen tërësore ose të pjesëshme, të çështjeve të mbetura.

Mesharit i mungojnë së paku 8 fletët e para. Së bashku me këto fletë, fatkeqësisht, mungojnë edhe: titulli i vërtetë i librit, viti i botimit, vendi i botimit, emri i saktë i autorit ose i përkthyesit, titulli i origjinalit, nga ku janë marrë pjesët që janë përkthyer, leja e botimit, pastaj parathënja, hyrja dhe ndonjë poezi, në formë lavdi, që ishte gjë e zakonshme e kohës në botime të tilla. Mungesa e këtyre të dhënave u ka hapur rrugë studiuesve të shumtë, që të sjellin ide dhe argumente të reja, që nga ato të natyrës tipografike, e deri te ato gjuhësore, me të cilat dëshirohet të zgjidhen çështje shumë të diskutuara, të shkaktuara nga mungesa e të dhënave, të cilat do të duhej të ishin në faqet e para të librit. Natyrisht zgjidhja e problemit të vendit të botimit, do të ndihmonte të zbërtheheshin edhe shumë çështje të tjera të panjohura.

Vendi i botimit i Mesharit të Buzukut

Studiues të shumtë sjellin argumente dhe të dhëna shkencore me të cilat dëshmojnë se Meshari mund të jetë botuar në këtë apo në atë shtypshkronjë, respektivisht, në këtë apo atë qytet, duke u mbështetur kryesisht në fakte që nxirren nga pasthënja e Mesharit, si e vetmja dëshmi e sigurt deri më sot, e cila na sjell të dhëna biografike për autorin e veprës dhe kohën kur u shkrua vepra. Shkak për një gjë të tillë është pohimi i vetë Buzukut se: “ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj ‘ta nukë mundë jeshe, u tue ënbajtunë një klishë, ënbë të dy anët më duhee me sherbyem”.

Këto argumente pastaj ndahen në dysh: fillimisht pohohet se libri është botuar në brigjet lindore të Adriatikut. Këtë ide e përfaqësojnë: F. Fishta, M. Domi, J. Rrota, N. Jokli, Dh. Shuteriqi, P. Janura, A. Stipçeviqi, A. Kovaçeci, R. Katiçiqi. Të gjithë këta, marrin si argument ekzistencën e shtypshkronjave të ndryshme dhe botimin e librave, qoftë në gjuhën latine apo në atë sllave. Të tilla kishte në në Shkodër, ku botohet Triodi sllavisht i vitit 1563; në Durrës në vitin 1584; Ulqin ose Tivar, etj., sepse mund të dëshmohet me siguri, se në këto qytete, në atë kohë, kishte edhe shtypshkronja lëvizëse. Përveç kësaj, mundësia e shërbimit të Buzukut në ndonjërën nga famullitë e afërta ose edhe faktori gjuhë, që është e afërt me të folmen e Krajës dhe Shestanit, mund të bëhet një lokalizim i përafërt, që nga rrethi i liqenit të Shkodrës, me një pjesë të Malësisë së Madhe deri në detin Adriatik. Mendimi tjetër, sipas të cilit botimi e Mesharit vendoset në brigjet perëndimore të Adriatikut, përfaqësohet nga M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj, E. Çabej, I. Zamputi, E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani, të cilët mendojnë se libri është shtypur në Venedik. Jovan Tomiqi mendon se libri u shtyp në Napoli.

Në vitin 1968, profesor E. Çabej tërheq vëmendjen në botimin kritik të Mesharit duke thënë që libri dhe autori duhen vlerësuar në kontekstin e rrethanave favorizuese për botimin e këtij libri. Si e rëndësishme mund të llogaritet, çështja e botuesit: Kush mund të ishte meceni, sponsori, porositësi i librit? Ky fakt, hap një çështje të re, e cila domosdo ndihmon të zbërthehet përmbajtja e librit, vendi i botimit, por edhe çështje të tjera, që janë drejtpërdrejt të lidhura me librin, historinë e tij dhe autorin. Duke analizuar nga ky kënd vështrimi këtë çështje, kemi dy mundësi favorizuese për botimin e librit, respektivisht, dy mecenë të mundshëm: a) Vatikani apo ndonjëri nga Kongregacionet e tij dhe b) ndonjëri nga fisnikët shqiptarë, të cilët ishin të shumtë në Itali, si p.sh. Albanët, Engjëllorët, Muzakajt, Kastriotët, Spanët, Matrangët, etj., të cilët edhe më parë, janë kujdesur dhe kanë financuar botime të ndryshme të humanistëve shqiptarë në Itali.

Përsa i takon kohës së botimit, është i pamohueshëm fakti se Meshari nuk ka mundur të botohet para vitit 1555! Këtë gjë na e dëshmon vetë Buzuku, në pasthënien e librit kur pohon: “Ëndë vietët M.D.L.IV., një-et dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V. dit”.

Biografia e Buzukut, me shumë të panjohura

Për biografinë e autorit të Mesharit, disponojmë shumë pak të dhëna. Praktikisht kemi vetëm ato që na i ofron vetë Buzuku në pasthënien e librit, ku pohon se: është i biri i Bdek Buzukut, e asgjë më shumë. Pra mbeten të pandriçuara viti i lindjes, viti i vdekjes, vendlindja, shkollimi dhe shërbimi kishtar në një apo më shumë vende. Përkundër hulumtimeve të shumta të bëra në arkiva dhe biblioteka të ndryshme europiane, nuk kemi arritur të gjejmë as edhe një të dhënë të vetme për Gjon Buzukun. Përjashtohet mundësia që të ketë studiuar në ndonjërin nga kolegjet ekzistuese të kohës në Itali, sepse asnjëri nga librat amzë të studentëve që u arsimuan atje, nuk përmban të dhëna për një student me emër të tillë. Nuk mund të themi asgjë të sigurt as për pozitën e tij kishtare! Një gjë e themi me siguri, se emri i Gjon Buzukut nuk figuron në emrat e relatorëve të kohës. Po ashtu nuk gjendet as në regjistrat e Arkivit Sekret të Vatikanit, as si ipeshkv apo kryeipeshkv. Këto i kemi konsultuar e shfytëzuar me vëmendje të veçantë, me shpresë se do të gjenim ndonjë shënim, por përpjekjet tona, edhe pse për një kohë të gjatë dhe me përkushtimin maksimal, kanë rezultuar të pasuksesshme.

Duke u mbështetur në gjuhën e Mesharit, studimet gjuhësore kanë ndihmuar deridiku për lokalizimin e vendlindjes ose vendshërbimit të Buzukut! Kjo kërkohet në zonat veriperëndimore gege, që do të ishte: rrethi i Liqenit të Shkodrës me një pjesë të Malësisë së Madhe deri në detin Adriatik. Mirëpo, gjuha e veprës, jo gjithmonë është shprehje e gjuhës së vendlindjes së autorit, sepse ajo, gjuha e veprës, mund të ishte edhe gjuhë e shërbimit. Kështu edhe mbështetja në gjuhën e Mesharit nuk mund të llogaritet si argument shumë i sigurtë për zgjidhjen e problemit të vendlindjes ose vendshërbimit të Buzukut.

Libri në gjendjen ekzistuese është i lidhur me kopertina lëkure, por është shumë i dëmtuar. Ai ka format: 20 x 14 cm dhe ka 94 fletë ose 188 faqe, nga 110 fletë ose 220 faqe sa duhej të kishte. Kanë humbur 16 fletë ose 32 faqe, të paginuara me numra romakë! Përveç faqes së parë [frontespicit] të humbura llogariten edhe fletët 1-8, 27-29, 33-36 dhe 63, që duhej të ishte 73. Përveç kësaj, kemi edhe disa gabime te paginimi i faqeve, si p.sh. f. 49 është shënuar si 39, f. 61 është shënuar si 59, pastaj f. 65 është shënuar në vend të f. 55. I njëjti gabim përsëritet edhe në f. 89 që shënohet si 79 dhe e fundit f. 90 duhet të ishte 110. Në margina të faqeve ka të shënuara me dorë emra, përshëndetje dhe fjalë të tjera në gjuhën shqipe, që i kanë bërë lexuesit e librit. Libri është i shkruar në dy shtylla, me alfabet latin, të tipit gotik dhe ka pesë grafema të tipit sllav, të bosançicës.

Botimi i Mesharit të Buzukut u realizua me qëllime të caktuara. G. Schiro pohon se ai duhej të përmbushte tri kërkesa: a) nevojën e përditshme për shërbime fetare; b) përgatitjen dhe thellimin e njohurive liturgjike të prelatëve shqiptarë dhe c) edukimim fetar masiv, të masës së besimtarëve që ndodhej në kufijtë me Perandorinë Osmane. Këtë qëllim të Mesharit na e pohon edhe vetë Buzuku: “u lus ënbas sodi ma shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t’inë Zot; e ate në ënbarofshi Zot’ynë të ketë mishërier ënbi ju”, duke dëshiruar që kështu të luftonte disa dukuri të këqija, që u kanoseshin besimtarëve shqiptarë, “lëkundjes nga besimi i moçëm” me anë të reformës dhe islamizimit, që siç pohon E. Çabej: “Po bënte përparimet e para në vend”. Nëse përjashtojmë reformacionin, Kisha Katolike që në shek. XIII kishte lejuar përdorimin e gjuhëve kombëtare. Mund të sillen të dhëna të shumta, që nga papa Inocenti IV, i cili në vitin 1248 u kishte lejuar kroatëve të ishujve të Kvarnerit dhe të Dalmacisë ushtrimin e liturgjisë në gjuhën e tyre kombëtare, në gjuhën kroate, por edhe botimin e librave fetare me alfabet glagolik.

Të dhëna të tërthorta flasin se Vatikani ka pasur si qëllim që me këtë libër të forconte besimin e lëkundur tek shqiptarët, si nga lëvizja reformiste (protestantizmi) e heretike [bogumilizmi], ashtu edhe nga konflikti i ashpër kishtar ndërmjet dy kishave, asaj të Lindjes dhe të Perëndimit, që ishte mjaft i theksuar në atë kohë në Ballkan. Përmbi të gjitha këto ishte edhe rrezikur i madh dhe real i përhapjes së islamizmit, përhapje kjo mjaft shqetësuese për Vatikanin.

Meshari i Buzukut – korelacione me botime të ngjashme të kohës

Në studimin e tij, Eqrem Çabej pohon se: “Meshari, veç ndonjë fraze vetiake t’autorit hedhur tek-tuk nëpër tekst, është fund e krye përkthim”. Prof. Çabej anashkaloi punën e Mario Rokut, i cili kishte bërë krahasime me libra të ngjashëm boshnjakë. Ky i fundit kishte nxjerrë përfundime se Meshari ishte një kombinim i një Meshari me elemente të një horologu, me pjesë të një katekizmi e të një rituali françeskan analog, me një horolog sllavisht, libër oficiesh e uratash që ishte në përdorim në Bosnjë nga viti 1512. Çabej u thellua në analizën e tekstit të Mesharit shqip, duke e krahasuar atë me botime të ngjashme latine e italiane, p.sh. me botimin e Venedikut nga viti 1598, por edhe me botime të mëvonshme të ritit lindor, të të dy ungjijve. Çabej thekson se për të arritur rezultatet e dëshiruara është e domosdoshme të konsultohen edhe botime më të hershme se Meshari shqip, sidomos ato që ishin në përdorim “para Koncilit Tridentin”, të arealit gjuhësor gjeografik të Bosnjës, Kroacisë e Dalmacisë, pastaj përmend edhe reçensionet e M. Reshetarit, por edhe botimin e F. Fancevit të lutësorëve e psalterëve kroatë, nga shek. XIV dhe XV-të, të Raguzës, me të cilët, mund të afrohet Meshari shqip.

Ne, fillimisht krahasuam Mesharin shqip me “Lutësorin kroat të Vatikanit”, origjinali i të cilit duhet në dorëshkrim në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Ne kemi pasur privilegjin të shfrytëzonim për konsultim si origjinalin, ashtu edhe botimin e mëvonshëm. Pastaj kemi konsultuar edhe “Psalterin dubrovnikas” në origjinal, i cili ruhet në Bibliotekën e Kuvendit Françeskan (OFM), në Dubrovnik. Pas krahasimit arritëm në përfundimin se pjesët e para të Mesharit të Buzukut, janë plotësisht identike me tekstin e “Lutësorit kroat të Vatikanit” deri në fund të kapitullit të VII-të, të “Shatë psallmeve pendëstare”. Pjesa tjetër e Mesharit shqip është deri diku identike me “Officium Beatae Mariae Virginis”. Përveç këtyre, krahasuam Mesharin shqip me dy mesharë të tjerë kroatë nga vitet 1483 dhe 1494 si dhe me “Leksionarin e Bernardinit” të vitit 1495. Më në fund, duke pasur parasysh traditën e pasur humaniste të shqiptarëve në bregdetin dalmat, si një rezultat i një procesi të gjatë kohor, në raportet kulturore shqiptaro-kroate, që daton shumë më heret se shek. XIV, konsultuam edhe “Mesharin e Verbnikut”, që ishte botuar me urdhër të kryeipeshkvit shqiptar të Senjit, Ndreut nga Durrësi, nga viti 1458. Mund të pohojmë se tradita e shkrimit shqip para Buzukut ishte në vazhdimësi, gjithnjë duke pasur parasysh edhe kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë prelatët shqiptarë të bregdetit të Adriatikut, qoftë në qytetet shqiptare, qoftë në ato dalmate. Nga këto krahasime nxorëm përfundimin se Meshari i Buzukut, aq sa ndjek tekstet e ngjashme liturgjike të kohës, aq edhe largohet prej tyre.

Nëse Mesharin e Buzukut e studiojmë me vëmendje, do të bindemi se ai, jo vetëm që është përfaqësuesi më i denjë dhe më tipik i tendencave letrare e fetare të kontinentit europian të kohës, po ai është edhe pjesë përbërëse e kontributit shqiptar në rrjedhat krijuese letrare europiane. Mungesa e të dhënave dhe e dokumenteve të kohës, na e vështirëson punën për të dhënë gjykime të sakta dhe përfundimtare, por shpresojmë se në të ardhmen, edhe kjo çështje do të ketë zgjidhje të favorshme.

Meshari i Gjon Buzukut, është meshar i plotë, sipas traditës së Kishës Katolike me përmbajtje, renditje, manifestime dhe infiltrime të njëjta të Kishës Universale. Ai është ndërtuar sipas mjedisit ku është krijuar, pra mbart shumë elemente lokale e kombëtare shqiptare, të cilat vërehen hapur në kultin e shenjëtorëve lokalë e rajonalë, zakonet vendase dhe traditën e pasur fetare shekullore.

Kohëve të fundit studiuesja italiane nga Venediku, Lucia Nadin, pas hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore në arkiva e biblioteka të Venedikut, sjell në vemendje se libri i Gjon Buzukut, Meshari, u shtyp në Venedik. Sipas kësaj autoreje, ky libër qarkulloi dhe u përdor në këtë qytet nga priftërinj shqiptarë në kishat shqiptare të Venedikut dhe u përdor edhe në Scuola degli Albanesi. Edhe pse një pohim i tillë mund t’i afrohet të vërtetës, autorja ende nuk është as vetë e bindur përfundimisht për një gjë të tillë. Mbetet që studimet e ardhëshme ta ndriçojnë këtë problematikë.

Pas qindra vitesh, ksomblla origjinale e Mesharit të Buzukut erdhi në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 2012. Meshari i Buzukut u ekspozua në Bibliotekën Kombëtare dhe u vizitua nga mijëra shqiptarë e të huaj, por sigurisht duke respektuar kushtet e sigurisë, që nënkuptojnë vetëm shikimin e tij përmes kutisë së xhamit, në të cilën ndodhej. Edhe pse në Shqipëri, studiuesit shqiptarë nuk arritën ta shfletojnë apo ta prekin atë, kështu që ai u kthye pas në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, i pastudiuar, si në aspektin paleografik, të cilësisë së letrës, të ngjyrës së shkronjave, të peshës së letrës, të rrjetit të letrës dhe të shenjave të ujit, të filigranes. I vetmi që i ka bërë një studim sipërfaqësor shenjave të ujit dhe ngjyrës së letrës ishte Martin Camaj, studim ky që lë për të dëshiruar. Një kopje e riprodhuar në mënyrë anastatike, e cila është punuar nga laboratori i BAV-Vatikan, iu dorëzua presidentit të Shqipërisë, kohëve të fundit. Ajo gjithashtu zgjoi interes të jashtëzakonshëm te publiku shqiptar, kur u ekzpozua për disa orë në presidencën e Shqipërisë. Sipas njohurive tona, kopje të tilla, të riprodhuar në mënyrë anastatike, mund të porositen në BAV, por sigurisht me një çmim mjaft të lartë. Kjo kopje është riprodhim identik, por i mungojnë filigranes, rrjeta dhe pesha e letrës, që sigurisht nuk janë më të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo është e ngjashme me kopjen e riprodhuar anastatike të Kuvendit të Arbrit të vitit 1706, që e ka ish-ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, z. Zef Bushati.(Ribotim).

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 856
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT