• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISA BOLETNI DHE TRIMAT E TIJ DO TË PUSHONIN NË PAQË VETËM NË DHEUN E KOSOVËS

May 18, 2015 by dgreca

Atdheu është i dashur, por vendlindja edhe më e dashur. Ky ligj vlen edhe për kombin e familjen – Ora dhe shpirti heroik i këtij trimi legjendar i duhet Kosovës sot më shumë se kurrë. Prania e tij në dheun e Kosovës është si një rrufepritës për stuhitë e mundshme të Veriut/
Gjekë Gjonlekaj/ New York*/
“O drita e Trojës,e ma e sigurta shpresë e Dardanidëve, pse je vonue kaq fort”? Virgjili-Eneida
Me 5 korrik të vitit 2006 me rastin e 90-vjetorit të rënjes së Isa Boletinit, kisha botuar në shtypin shqiptar shenimin me titull:”Rënia e Akilit Shqiptar,Isa Boletinit”. Për qëndresën e tij heroike, kisha dëgjuar qysh në fëmijëri, ngase ishte vrarë në Podgoricë, në qytetin e vendlindjes sime. Nëpër Urën tragjike të Ribnicës ku ishte vrarë Akili i Kosvës, kisha kaluar qindra herë. Për atë urë fatkeqe kisha dëgjuar për herë të parë nga një zonjë malësore, e cila në atë kohë kishte jetuar në Podgoricë,ngase kishte qenë e martuar me oficerin çek Joseph Borinski. Ajo ishte Prënë Luçja Prekoçaj – e cila fliste dhimbshëm për çka kishte parë më 23 janar 1916 në Urën e Ribnicës. Kjo zonjë, e cila kishte pamjen dhe sjelljet e një gruaje qytetare fliste me emocione kur tregonte për rënjen e Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tij. Prëna i kishte parë me sytë e saj aktet barbare të bandave kriminale të Veshoviqit kundër trimave të Kosovës. Në Malësinë tonë të pushtuar nga Mali i Zi- flitej dhe këndohej për Isa Boletinin. Siç dihet nga historia e luftërave për pavaresinë e Shqipërisë një pjesë e kaçakëve të Hyrrjetit ishin vendosur në Triesh,që gjëndet ndërmjet Kuçit e Kelmendit,por e pushtuar nga Mali i Zi, qysh para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në Triesh ishin strehuar Dedë Gjo’Luli,Mehmet Shpendi, Zenel Shabani dhe shumë kryengritës tjerë nga Shqipëria dhe Kosova.
Kënga popullore tregon se atje ishte vendosur edhe Isa Boletini me çetën e tij ndërsa rapsodët këndonin:
“N’ bajrak të Trieshit kur kanë mbrri
Hapën derën 200 shtëpi
Prej Kosove me të shpejtë mbrrini
Me çetë të vet Is Boletini”.
Shkrimtari malazez Millovan Gjillas në veprën e tij letrare:”Toka pa Drejtësi”(land without justice) botuar anglisht në New York, në vitin 1958 nga Garcourt , Brace & World Inc, shkruan:
“Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë, nuk kishte vazhduar shumë,pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga, kjo, goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij më të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës, ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë. Isa Boletini ishte vrarë. Por,kishte luftuar trimërisht, bile për një kohë të gjatë pavarësisht se kishte mbetur vetëm në rrugë të madhe.Ashtu i plagosur ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për ta mbajtur pushkën qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjërin prej armiqve, para se të jepte shpirt. Babai im ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte shikuar me sytë e tij të mëdhenj e të përgjakur, kishte thënë diçka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt. Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrejtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndjenim hidhërim dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq,megjithëse, ai ishte krenarë që ishte vrarë prej grupit të tij.
Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur në mes rrugës së madhe, pa iu lutur kurrkujt dhe pa falur kurrkënd, ashtu drejt në këmbë i pamprojtur. Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Nëqofte se një njeri duhet te vdesë do te ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë degjuar për të. Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por, për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qënë Isa Boletini vetë apo ndonjë nga oficerët e tij-kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë dhe sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini-ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe, kjo mjaftonte për të, fakti i rënjes së tij, ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”, përfundon Millovan Gjillas.
Neni 5 i Kanunit të Lekë Dukagjinit thotë : ”Në vorre të nji vllaznije a të nji fisi s’hin i dekuni a i vrami i vllaznis a fisit tjetër”
Këto ditë u njoftua publikisht se eshtrat e Isa Boletinit, dhe, të bashkëluftëtarëve të tij do të rivarrosen në Vlorë. Ky lajm i dy qeverive shqiptare, shkaktoi pakënaqësi në botën shqiptare, sidomos në diasporë e cila e ndjen rëndë mungesën e vendlindjes. Shumë personalitete të historisë sonë kombetare janë pagëzuar me emërin e vendlindjes së tyre. Emërin e vendlindjes së tij e mbante edhe trimi i madh i Kosoës Isa Boletini. Kjo tregon se ai kishte dashuri e respekt të madh për tokën që e kishte lindur, përndryshe mund të kishte zgjedhur një mbiemër tjetër. Qysh në kohën e gurit njerëzimi e nderon vendlindjen. Shoqëria amerikane bile edhe institucionet më të larta shtetërore janë të kujdeshme për vendlindjen e qytetarëve të saj. Vendlindja është tokë e shejtë, sepse ajo të lindë të rritë dhe më në fund të kthen prapa, duke i dhënë të vdekurit banesën e përjetësisë në amshim. Shqiptarët e Amerikës për më shume se një gjysmë shekulli shpënzuan miliona dollarë për varrimin e familjarëve të tyre në vendlindje. Pothuajse çdo familje shqiptaro-amerikane ka përjetuar çaste të tilla dhe morti prej një kontinenti në një kontinent tjetër, dhe është mundim i madh moral e material.Të gjitha këto mundime e shpenzime bëhen për të plotesuar amanetet e tyre.
Duke qënë pjesë e kësaj diaspore për për pothuajse një gjysmë shekulli – temën: “vendlindja dhe varri’ e kam diskutuar shumë herë me të moshuarit. Shumica kërkonin me çdo kusht varrimin në vendlindje, duke bërë kursime nga pensionet e vogla për ditën e tyre të fundit.
Varri i Isa Boletinit në vendlilindjen e tij, ështe e drejtë natyrore dhe hyjnore. Nëna dhe babai e presin atje Isën tash 100 vjetë. Ashtu siç e pret edhe nëna e 2 djemëve të tij, pastaj prindërit e dy nipave dhe bashkëluftëtarëe të tjerë, që u vrane në Urën e Ribnicës. Ata nuk mund të ndahen,dhe rivarrimi i gjithë këtyre trimave në Vlorë, nuk është i natyrshëm. Ata nuk kanë asnjë lidhje familjare me të vdekurit e Vlorës, bile as me Ismail Qemalin. Atdheu është i dashur, por vendlindja edhe më e dashur. Ky ligj vlen edhe për kombin e familjen Vallë kush ua bëri gjëmën atë ditë tragjike, kur u vra Isabeu me trimat e tij? Vlora apo Boletini?
Familja dhe vendlindja nuk mund të përjashtohet kurrë nga jeta ose vdekja. Pavarësisht sa patriot mund të ishte Isa Boletini, Ai nuk ndahet nga vendlindja dhe familja. Isa Boletini është i famshëm edhe për lidhjet e tij familjare, ngaqë ishin djemte, nipat dhe trimat e tij, besnikë, ata që iu gjetën pranë në Urën tragjike të Ribnicës në Podgoricë. Vallë a mendojnë qeveritarët shqiptaë për këto lidhje para se t’i largojnë eshtrat e tyre nga nga Kosova! Ora dhe shpirti heroik i këtij trimi legjendar i duhet Kosovës sot më shumë se kurrë. Prania e tij në dheun e Kosovës është si një rrufepritës për stuhitë e mundshme të Veriut.
Për rëndësine e vendlindjes po japim disa të dhena historike të presidentëve të Shteteve të Bashkuara që pushojnë në amshim. Për shërbimet që i bëjnë vendit presidenetët amerikanë nderohen si patriot. Ata i nderon populli dhe historia. Pavarësisht, se ata kishin ushtruar detyrën më të lartë të kombit,prej 39 presidentëve të vdekur të Amerikës vetëm (1) William Taft pushon në amshim në Varrezat Kombetare të Arlingtonit në Uashington.
Edhe John Kennedy, prehet në ato varreza, por natyra e vdekjes së tij tragjike, bëri që varrimi i tij, të bëhej detyrimisht në Uashngton. Ndërsa 37 presidentët të tjerë të Amerikës, pushojnë në varrezat familjare të vendlindjes së tyre. Shumë nga këta president,duke filluar nga George Washingtoni ishin shquar në luftëra për lirinë e Amerikës. Mbanin titujt dhe nderimet më të larta te luftërave për liri. Shumë nga ata ishin gjeneral e komandantë. Nesë ata kërkuan varret e vendlindjes, atëherë pse t’i mohohet kjo e drejtë Isa Boletinit dhe trimave të tij. Largimi i Isa Boletinit nga Kosova, është humbje e madhe për historinë e atij vendi. Në Boletin, ose ne Mitrovicë, pse jo edhe në Prishtinë të mos ngritet një Muze për Isa Boletinin. Në ekranet televizive të Kosovës kam parë këto ditë burra e gra të përlotura për largimin e Isabeut nga Kosova. Lotët e tyre tregojnë shumë.
Pse, politikanët e Kosovës dhe të Shqipërisë, nuk menduan pak për 100-vjetorin e renjes së tij, që është me 23 janar të vitit 2016. Nëse populli shqiptar priti 99 vjetë për rivarrimin e tij, mund të priste edhe 7 muaj të tjerë. 100-vjetori rënjes se tij, është një datë histotike dhe për nderimet e Isa Boletinit duhet te angazhohet i gjithë populli shqiptar, ngase ishte hero i tij. Ai ishte hero i kombit e jo i politikës. Pse të mos kërkohet nga Podgorica, që atje të ndërtohet një përmendore për heroin tonë kombetar dhe trimat e tij. Duhet të nderohet edhe varri i tij në Podgoricë. Kosova bën gabim të madh nëqoftëse e largon Isa Boletinin nga toka e saj. Në testamentin e Faik Konicës pak para vdekjes shkruan: “Nuk do të më tretë dheu,nëse ti Imzot Noli dhe ti Lamja im i vogel dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë”.

* E dergoi per Diellin Beqir Sina
*Gjekë Gjonlekaj – ish gazetar i Zërit të Amerikës – publicist dhe botues në SHBA

Filed Under: Opinion Tagged With: eshtrat e Isa Boletinit, Gjeke Gjonlekaj

ALI AHMETI-PERSERITJA E FATIT TE KEQ

May 16, 2015 by dgreca

Opinion nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
Reflektim/
Pas një heshtjeje të gjatë (sa e gjatë për gjakun e dhimbjen!), Ali Ahmeti iu drejtua përmes Televizionit vernil shqiptar të Shkupit, bashkëkombësve të persekutuar.
Pa holluar e tjerrë mendimet e tij të trasha, i referohemi shkurtas ca pikëpamjeve që flasin metaforikisht për meskinërinë e klasës politike të shqiptarëve të Maqedonisë.
„Doja të shpëtoja jetë, por ata nuk më dëgjuan“, ishte teza e parë e florinjtë. Që në nisje do të shpaloste ai diskursin me pretendim këndellës e shfajsues: ruajtje e piramidës ku vegjeton politikisht dhe gllabëron pasurisht!
E pra, po të qenkësh kështu aherë pse ky vetë ( nëse njëmend ka bërë farë lufte) nuk dëgjonte të tjerët që i thoshin po këtë gjë: nuk kishte të drejtë të rrezikonte jetët e pafaj. Këtë refren përsëriste dhe Maliqi për Ushtarët e Kosovës, në mbyllje të mijëvjeçarit. ” Nuk kanë parasysh jetët reale të njerëzve”, ankohej përhumbshëm, thuase jeta e tyre që jepej pikërisht për ata të cilëve ai u qante hallin, nuk ishte reale. Por vendlindja e shtetit është lufta dhe ky është alfabeti i pandryshueshëm i lirisë. Dhe, ndaj, kumanovarët, nuk e kishin dëgjuar atë dhe tani, për habi, ndjehej i lehtësuar. Ndërgjegja nuk do ta ndiqte pas…
„Kam vënë kontakt për të ndihmuar“, pohon ai pastaj për tu shpjeguar pas pritmërisë së turmës injorante që mvesh udhëheqësin me velin e idhujtarisë. Veçse çështjë është: në çfarë cilësie vallë? Ishte ndërmjetës anësor shërbimesh të mira, dinjitar faltoresh a pleqnar kullash? Oh, sa e çuditshme dhe, njëherësh, e përgaztë kjo fjalë e figurantit të glorifikuar! Ndonëse pjesë e pushtetit, ai nuk mund të flasë a veprojë asnjëherë në emër të institucioneve të tij. Por, disi, nga jashtë dhe pa fuqinë e autoritetit shtetëror: as për të prerë shkaqet e kryengritjes, e as për të ndaluar ndërhyrjen e gjakosur – jo kundër luftëtarëve se ata ishin ballas, por kundër popullit të pambrojtur!
Në turrin e lodhshëm të marrëzive, Ahmet-ziu hedh dhe këtë rrufe: kishte, ky i miri, i pafajshmi, maqedonomadhi, merakun e qëndrueshmërisë së vendit të tij, të cilin e do të integruar në ngutshëm në Aleancën atllantike dhe, më pas, në Bashkimin e largët europian. Po si kështu? Cilën Maqedoni? Këtë të tillë siç është? Që segregon egërsisht kombin e atjeshëm autokton dhe, etnikisht, vital shqiptar? Kujt i duhet aderimi i Maqedonisë në botën e lirë, pos armiqëve të shqiptarëve! Ajo duhet më parë të rikoncipohet federalisht ose të shuhet fare. Zona e hirtë ballkanëse, brutale me sistemet dhe fluide me kufijtë, nuk mund ta shohë atë dritë…
A s’është, rrjedhimisht, vetë pozicioni i tij politik si një dekor festivalor pa asnjë potencë vendimmarrëse, një “argumentum a contrario”, pra një argument që rrëzon vetëveten? Ja pra, për këtë ishte vrarë djemëria në Kumanovë: që dhe hierarku politik shqiptar të kishte zë. Të mos ishte qyq i shurdhër. Sherbëtor në Atdhe.
„Më kërkuan që tu ndihmoja për të dalë rrethimit“, krekoset ai tutje në rrëfimin e shpërfillshëm nga ambientet e qeta e komode të tij! Përveç palë me vrasësit dhe pjesë e autorsisë së krimit, ai, nga zilia e, natyrisht, më shumë akoma nga trëmbja mneruese për imazhin a privilegjet sulltanore, përpiqet ti poshtërojë ata. Dhe, ndaj, hedh gurë e drurë për ti paraqitur në një pamje të errtë: pa ide e ndjesi flijimi, të mashtruar e pendestarë! Shpirt më të lig e mëndje më të çoroditur, nuk kam parë as në në imagjinatön e bujshme negative sllave dhe, madje, as në lektyrat shkollore me prralla të frikshme…Mirëpo jo: ky, në fakt, është Minotauri i vockël, që ia ka dalë të ulet edipërisht mbi fatet e nëpërkëmbura të popullit të vet!..
Ndiqni tani përskajimin e tij të idiotshëm: në Maqedoni paskëshin ndodhur tevona „shumë gjëra interesante“! Domethënë: aspak të rënda, aspak prerëse, aspak tronditëse, aspak të përgjakshme, aspak tragjike! Por vetëm – interesante! Nëse, pra, ato na qenkëshin kaq të denja veç për soditje kotnare – aherë ai i bën, kësodore, figurës së vet një autoportret të rrallë: portretin e prijësit politik që është i pashkollë, i padije, i painteligjencë elementare, i paetikë e moral, i paedukatë qytetarie, i pakulturë kombëtare, i paidentitet, i paskrupullt e heroikisht mizor!..
Mandej, diku në mbyllje nënvizon ai përbuzshëm: „Nuk e di se ç’duan ata“! A nuk thoshte po kështu dhe Xhaferi për të në fillimvitet 2000, se rebelimi i armatosur ishte një „kalkulim i gabuar i interesave nacionale“ nga Uçk-ja e atëbotshme?! Por, kushedi, ndoshta, kësaj here, ka të drejtë. Këta luftëtarët e Kumanovës, me gjasë, nuk e kanë të stërholluar instinktin përfitues të tij. Ishte, pra, Arbeni, e jo ky, që kishte gabuar. Rivali i ndërkryer i tij paskësh ditur mirë dhe mori gjithë ç’donte: pushtet pa fuqi, autoritet pa moral dhe pasuri pa fund!
Ah, ironi kohe! Po a nuk është, prandaj, ky vetë – statusi i tij periferik në politikat shtetërore dhe profili i tij si personifikim i kastës politike shqiptare, bashkështypëse dhe e pabesë, – pra ky dhe askush e asgjë tjetër, prova e mjaftueshme, kauza legjitime e justifikimi absolut pse derdhet sërish e vazhdimisht gjak në këtë krah të trojeve shqiptare?!
Dhe do të derdhet ende për lirinë dhe lavdinë e tyre!

Filed Under: Opinion Tagged With: Ali Ahmeti, idiot me pagese, Rexhep Kasumaj

Ja pse Eshtrat e Isa Boletinit duhet te rivarrosen ne Boletin!

May 16, 2015 by dgreca

Nga Sadik Elshani/
Ne muajin tetor te vitit te kaluar, zyrtarisht, me analizat e ADN-se me ne fund u identifikuan pozitivisht mbetjet mortore te Heroit Kombetar, Trimit te Kosoves dhe te gjithe shqiptarise, Isa Boletini. Padyshim, ky ishte nje lajm shume i mire per te gjithe shqiptaret, se me ne fund ky Burre i Madh i kombit tone do te kete vendin e perhershem ku do te prehen eshtrat e tij ne token e lire shqiptare, per lirine e se ciles ai kishte luftuar tere jeten dhe ne fund kishte flijuar edhe vete jeten e tij. Po ato dite u njoftua se do te fillojne edhe pergatitjet per rivarrimin madheshtor te eshtrave te Isa Boletinit dhe se rivarrimi do te behet ne fshatin Boletin, vendlindjen e tij dhe te shume trimave te tij qe gjithmone iu ndodhen prane.
Per habine tone, dje lexuam ne shtypin shqiptar se me vendimin e qeverive te Shqiperise dhe te Kosoves, rivarrimi i eshtrave te Isa Boletinit nuk do te behet ne Boletin, sic ishte njoftuar me heret, por ne Vlore. Ky vendim nuk me duket i drejte per kete cast, shfaq haptas papjekurine e te dy qeverive, tregon qartas shkurtpamesine e te dy qeverive dhe po ashtu tregon se te dy qeverite nuk kane vizion, program kombetar, platforme, strategji kombetare. Sikur e sjell nje porosi ogurzeze, sikur u tregon serbeve dhe gjithe botes se ne nuk jemi te sigurt nese do ta kontrollojme ndonjehere ne jeten tone veriun e Kosoves. Kjo eshte nje porosi e kobshme per te gjithe shqiptaret. Vlora, qyteti ku u ngrit Flamuri i Skenderbeut dhe u shpall Pavaresia e Shqiperise eshte qyteti shume i dashur per te gjithe shqiptaret. Ne Vlore ato dite u ndodh edhe Isa Boletini me trimat e tij dhe ata ishin ushtria e pare e Shqiperise se pavarur. Te gjitheve na jane ngulitur ne koken tone skenat e fundit te filmit “Nentori i dyte” kur Isai vjen ne Vlore, bie ne gjunj dhe e puth flamurin Kuq e Zi, flamurin e lirise. Dhe nuk ka asgje per t’u kundershtuar se, perse eshtrat e ketij burri te rralle te kombit tone te varrosen ne Vlore, ose ne cilindo skaj te tokes shqiptare, sepse ai luftoi per lirine e cdo pellembe te truallit arberor.
Ndodhemi ne rrethana te caktuara historike. Vertet Kosova eshte shtet i pavarur, por veriu i saj ku ndodhet edhe fshati Boletin, per fat te keq nuk eshte nen kontrollin e qeverise se Kosoves. Ngjarje te tilla te medha kombetare, si rivarrimi i eshtrave te nje Heroi Kombetar, duhet te sjellin nje porosi te madhe, nje mesazh te prere e te qarte per te gjithe, se Kosova nuk ka hequr dore dhe kurre nuk do te heq dore nga pjesa veriore e saj. Rretanat e tanishme ne Kosove dhe gjendja ne Veriun e Kosoves, kerkojne, diktojne qe eshtrat e Isa Boletinit duhet te rivarrosen ne Boletin dhe jo ne Vlore dhe na asnje vend tjeter. Gati pas njeqind vjetesh nga vrasja e tij, eshte koha qe ai te prehet i qete ne vendlindjen e tij. Kosova sot me shume se kurre ka nevoje qe ne gjirin e saj ta kete birin e saj te madh, Isa Boletinin, ta ndiej nga afer pranine e tij. Ceremonia madheshtore e rivarrimit te eshtrave te Isa Boletinit le te filloje ne Vlore, te vazhdoje ne te gjitha qytetet shqiptare dhe me ne fund te perfundoje ne Boletin. Me kete me siguri do te pajtohej edhe vete Baca Ise. Kryetari i Kuvendit Komunal te Mitrovices, Zoti Agim Bahtiri dhe gjithe mitrovicasit kane te drejte qe kembengulin qe rivarrimi i eshtrave te Isa Boletinit te behet ne Boletin ose Mitrovice dhe jo ne Vlore. Qeveria e Shqiperise dhe ajo e Kosoves nuk duhet te luajne lojera te tilla me mbetjet mortore te njerit nga burrat me te medhenj te kombit tone, por te respektojne kerkesen e bashkevendasve te tij dhe shumices se shqiptareve.
“Une jam mire kur asht mire Shqypnia” – ka thene dikur Isa Boletini. Ne sot duhet te njdjehemi mire kur ai prehet i qete me tere lavdine e tij, ne vendlindjen e tij, ne Kosoven e lire. Dhe neve nuk na mbetet tjeter, vecse te perkulemi me nderim perpara figures se tij, te vazhdojme rrugen e tij, te ndjekim shembullin e tij, te jemi te bashkuar e te punojme me perekushtim per ceshtjet madhore te kombit tone.
* Philadelphia, 14 maj, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Opinion Tagged With: Eshtrat, Isa Boletini, Mitrovice, Sadik Elshani

SI E PASHE UNE VIZITEN E ERDOGANIT NE TIRANE

May 14, 2015 by dgreca

Nga Asllan BUSHATI/
Marrdhëniet e Shqipërise me Turqinë,nga cdo kënd shikimi që ta shikosh pas vitit 1991, kanë qenë dhe jane shumë të mira e herë herë dhe të shkëlqyera. Personalisht midis viteve 1992-1997 kam qenë i ftuar për specializim dhe veprimtari të sigurisë kombëtare të Shqipërise, disa herë nga autoritetet turke në Ankara. Në këto vite kam qenë i ftuar nga Ambasada Turke në Tiranë pothuajse në cdo evendiment të sajë. Kam shkëmbyer mendime dhe dokumenta shumë të rëndësishme për vendin tim me autoritetet e këtij vendi, të cilët në cdo rast kanë treguar për vendin tim, për mu si person , për detyrën dhe postin që kisha një respect, ndieshmëri të vecantë, sinqeritet dhe besueshmëri të madhe. Sot që po shkruaj këto rrjeshta gjejë rastin ti falenderoj me gjithë zemër për gjithcka ata kanë bërë për për Shqiprinë , për mu dhe për cdo autoritet civil e ushtarak shqipëtar.
Turqia në këtë gati cerek shekulli,e ka ndihmuar Shqipërinë në shumë drejtime dhe mbi të gjitha ka bërë shumë investime të cilat kanë hapur vende pune dhe kanë përmirsuar jetën e bashkëkombasve të mi. Statistikat thonë se volume i përgjithshëm i shkëmbimeve tregëtare shkon në 460 milion euro ne vit dhe kjo ka tendencë të rritet më tej. Po ashtu sot mësova se Komuniteti Musliman turk ka vendosur të sponsorizojë ndërtimin e Xhamisë madhe(Namasgjasë) në qendër të Tiranës dhe se Qeveria Turke do te ndihmojë dhe në ndërtimin e godinës së re të Parlamentit Shqiptar. U gezova dhe përsëri i falenderoj institucionet turke për sa më lart përfshi edhe Presidentin Erdogan. Duket se është firmosur dhe një document i ri për ceshtjet e sigurisë midis dy vendeve ,dhe se është rënë dakort për rritjen e shkëmbimeve tregtare deri ne kufijtë e shumës së një milliard eurove në vit dhe shtimin e investimeve në fushën e energjisë etj.
Interesante për mu ishte edhe prononcimi për ceshtjet akute të ditës sic është ai i Kumanovës. Presidenti shqiptarë Nishani mu duk më i drejtpërdrejtë kur tha se:” ajo ishte ngjarje plot hije të dyshimta dhe përpjekje për ta shëndërruar atë në burim konflikti ndëretnik”. Por edhe Presidenti Erdogan tha se sigurimi i paqes është i domosdoshëm. Paqa e stabiliteti ne Maqedoni duhet të sigurohen me bisedime e me zbatimin e marrveshjes së Ohrit.Duhet të bëjmë dallim midis atijë që humbet dhe atijë që fiton, por në rastin e terrorizmit –tha ai- në fakt humbasin të dy palët.
Personalisht do të kisha dashur të flitej më hapur duke thënë troc se në Kumanovë u krye një masakër e vërtetë ndaj shqiptarëve. Dhe se kjo masakër është vepër e autoriteteve Maqedonase me në krye Gruevskin dhe në bashkëpunim me agjenturën ruse,serbe e atë vendase , për të valvitur flamurin e nacionalizmit maqedonas, për të larguar vëmendjen nga veprimtaria anti kushtetuese dhe anti ligjore për të cilat Gruevski akuzohet dhe për ta trasferuar konfliktin e Krimesë e Ukrahinës në Ballkan.
Por vec sa më sipër, në fjalët dhe qëndrimin e Erdoganit, më vinte herë herë nërmend një libër i Dautoglusë me një filozofi neo-otomaniste në frymën e perandorisë Osmane të shekujve 16-17-të. Ky libër në esencë bën thirrje që të futen në një formë të re nën ombrellën e Turqisë së sotme: Shqipëria, Kosova, Maqedonia , Bosnja etj . Më duket se filozofia e këtij libri në shumë aspekte është këthyer në një strategji të menduarit dhe vepruarit të lidershipit te sotëm turk. Po ashtu duket se është edhe mentalitet i Erdoganit, pra një përpjekje për të luajtur në ditët e sotme kartën e Ballkanit kundër BE-së. Kjo lëvizje e Erdoganit në gjykimin tim , është më shumë lëvizje inatëcore se sa realiste . E thënë ndryshe me qënëse Turqia është kandidate për në BE prej dekadash (qysh nga viti 1963) dhe nuk ka shanse tash për tash të pranohet si anëtare me të drejta të plota, në një formë ose në një tjetër t’i bëjë karshillëk Europës Perendimore. Unë mendoj po ashtu se prania e Turqisë në Ballkan , me investime e veprimtari dobipruese për rajonin dhe vetë Turqinë nuk përbën asnjë të keqe, përkundrazi është një gjë e mirë. Por luajtja e kartës anti BE është jo e drejtë ,jo dobipruese dhe për shqiptarët e papranueshme. Shqipëria megjithëse ka qenë nën pushtimin otoman për pesëqind vjet, ajo gjeografikisht, etnikisht, në mentalitet, zakone e tradita, kulturë ,është europiane. Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare ka thënë se Shqipëria ka gabuar dy herë në historinë e saj duke u larguar nga Europa të cilës i përket, së pari nga pushtimi turk dhe së dyti nga pushtimi komunist. Një gabim i tretë do të ishte tërësisht i pafalshëm.
Nga vizita e Erdoganit ne Tiranë mësuam edhe për një të ashtu quajtur marrveshje strategjike midis dy vendeve gjysëm të gatuar nga Edi Rama dhe Erdogan kur ky i fundit ishte Kryeministër i Turqisë. Përmbajtja e këtij documenti nuk është bërë i njohur as të paktën në mënyrë evazive se cilat do të jenë fushat e bashkëpunimit strategjik. Por unë përnjëherëshi sapo e dëgjova si concept ,dyshova dhe do te vazhdoj të dyshoj edhe në të ardhmen se kjo gjë do ti shërbejë kombit tim. Si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare, si intelektual dhe si Nënkryetarë i Federatës Panshqiptare Vatra, gjykoj se partnerë strategjik te Shqipërisë janë: SHBA-ja,Be-ja dhe Nato-ja antarë të së cilës jemi.
Erdogan, ju kërkoi autoriteteve shqiptare të luftojnë kundër disa grupeve të cilat në Turqi konsiderohen armiqësore (për Erdoganin), por që kane veprimtari edhe në Shqipëri në disa fusha si arsimi, biznesi etj. Kërkesa ishte me aq theks sikur Shqipëria është një apendikx i Turqisë. Në këndvështrimin tim kjo është e pa pranueshme, sepse Shqipëria është një vend sovran, i lirë e me kushtetutë e ligje jo të njëjta me ato të Turqisë. Pra veprimtaria e kujdo personi juridik e fizik analizohet e trajtohet vetëm në përshtatje me legjislacionin shqiptar. Këto që po them unë do të kisha dashur ti dëgjoja nga goja e autoriteteve shqiptare.
Por, parë në tërësi, vizita e Presidentit Turk në Shipëri së bashku me delegacionin qe e shoqëronte atë, shpresoj dhe dëshiroj të ketë qenë e suksesëshme dhe ti sherbejë ngritjes së mirëqenies së shqiptarëve dhe forcimit të bashkëpunimit bilateral. Kontestimet e më sipërme në sanjë mënyrë nuk duhen marrë si dashakeqe, por si një mendim opozitarist për ti ndrequr punët më mirë në të ardhmen.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, ne Tirane, Vizita e Erdoganit

Gordana Jankullovskes:Mos e harro Dervish Caren qe e çliroi Shkupin!

May 12, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
(Kryetari i degës së LSDM-së në Gostivar, Blagojçe Trpeski theksoi se Jankullovska këtë e ka theksuar siç dëgjohet në bisedën mes saj me shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov. Ajo në këtë bisedë partinë shqiptare që e ka partnere të koalicionit BDI-në e krahason me fis të egër apo indianë.
Mijallkov: ]ka janë ato probleme nga mëngjesi ?
Jankullovska: A be, i zgjodhëm më në fund. Indianë, çka janë. ]ka të them. Indianë.
Mijallkov: Indianë, a. Mua më kërkuan që nga mëngjesi në ora 09.00.
Jankullovska: Po për këtë të kanë kërkuar, port ë dish. Mbrëmë mu lajmërua Musa. Unë i thash. Musa, sipas ligjit, për punë të tillë patjetër duhet të ketë konkluzë ose vendim të Qeverisë. Në këtë rast konkret duhet konkluzion. Dhe për këtë i thash se ja serbët vijnë në Zebërnjak, dhe ka pasur konkluzë nga Qeveria. Bullgarët transit kalojnë për në Tiranë…
Mijallkov: Dhe çka të kushton për të pasur kujdes me procedurën ?
Jankullovska: Po fis i egër, be Sasho. Dhe pastaj, hajde, u gjet. Unë i them se nuk mund ti lejojmë…. (INA))
Segregacioni kombëtar dhe gjuhësor në Maqedoninë e Z. Gordana Jankullovska-s është shumë ndjellakeq; është për t`ardhur keq që një pushtet i një shteti që mbahet në këmbët prej qelqi nuk e don që të vërtetn e së vërtetës ta sheh me sy të kthjellët. Ka raste kur syri vuan nga shkurtpamësia ,atëherë vehen syzat pasi që na është caktuar dioptria. Shkurtëpamësia politike rrjedhë dhe si e tillë është ose nga mosdija ose qëllimet që prekin shumë largë por pa një përllogaritje të saktë për atë “largëpamësi”. Është për t`ardhur keq që në një shtet ku shqiptarët janë ata që janë ,qofshin musliman apo ortodoks që janë , e bëjnë një numër aq të madh sa që më të gjitha mjetet e mundshme mundohet të mëshifet; bëhët një segregacion kombëtar dhe gjuhësor ndaj tyre. (26/06/2012)
-“ Nuk ka nevojë që Ueb faqja e MPBM të jetë edhe në gjuhën shqipe”, ka deklaruar ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska në pyetjen që iu është bër, “sepse ajo faqe është vetëm në gjuhën maqedonase. Informatat që janë në këtë faqe interneti, sipas saj, janë të mjaftueshme dhe “janë të kuptueshme për të gjithë qytetarët e vendit”. Bukur shumë!
“Familja e Musli Ahmedovit u largua javën e kaluar nga Velesi duke u vendosur në Shkup, pas shumë presioneve që ajo të braktisë shtëpinë e tyre , dhe të largohet nga ky qytet, ku shqiptarët siç thuhet janë të padëshirueshëm” – E keni dëgjuar kët lajm Z. Jankullovska ? Sigurisht që po. E pamundur që të mos t`a kishe dëgjuar. Dhe…?( 26/06/2012 )
Historikisht është e vërtetuar që shtetet nuk shkatërrohen mbrenda natës. Farët e shkatërrimit të tyre janë të mbjellura thellë në institucionet shtetërore. Pellazgët paskan pas thonë që një e mirë e arrijtur pa mund , ndodhë që të shkakton të vjellura që s`kan të ndalur. Mirëpo ,për këtë më vonë.
Zonja Jankullovska , keni dëgjuar për Dervish Carën? Nëse jo , do t` iu tregoj.
Dervish Cara kishte lindur në Palçishte, Tetovë ( Kalkandelen, në kohën e turkut). Ishte një djalë shumë i qetë ,prej familjës së madhe të Carajve të Maleve të Sharrit. Ai ishte organizatori i Kryengritjes Shqiptare të viteve 1843 dhe 1844.
Kur Dervish Cara e çliroi Shkupin nga Turqit , Ju ku ishit ?“ Dervish Cara e filloi kryengritjen e tij dhe kryengritësit e tij e morrën Gostivarin dhe menjë herë në muajin Nëntor iu drejtuan Tetovës (Kalkandelenit), një luftë që zgjati tri javë. Tetova u bë qendër e kryengritësve. Jemi ne Janarin e vitit 1844. I përforcuar në Gostivar dhe Tetovë ,pergatitej për Dibren, Prizrenin ,Prishtinën dhe Vranjen, por qëllimi i tij ishte Shkupi ,sepse e dinte që edhe aty i kishte përkrahësit. Në Shkurtin e të njejtit vit 1844 u muarr Shkupi , dhe u formua Këshilli i Lartë ,të cilin e udhëhoqi Dervish Cara, që ishte Trupi Suprem Organizativ i territoreve të çliruara.
Pra, Dervish Cara e çliroi Shkupin.
Rruga e tij prej çlirimtari s`kishte të ndalur: Pas Kumanovës u çlirua Presheva , Bujanovci , Vranja dhe Leskofça ( Leskovac). Kryengritja i përfishinte një nga një tokat shqiptare; Peja , Gjakova, Prizreni dhe Shkodra. Kryengritja dhe çlirimi në pranverëne vitit të përmendur 1844 e përfishinte Ohrin me Manastir në Jug,Shkodrën në Perëndim, Kosovën Veriore në Veri dhe Kumanovën në Lindje.
Por, e vërteta është një lloj ujë i nxehtë që del nga toka, i cili shkrin dëborërat dhe akujt që ka përqark, i bën për vete dhe shtohet duke shkuar dhe sado që mund të ngrijë duke u ftohur ajri, pa kaluar shumë kohë prapë bëhet siç ka qenë (ujë i rrjedhshëm) – ka thënë Sami Frashëri.

Mos harroni se Dervish Cara e çliroi Shkupin!

Filed Under: Opinion Tagged With: :Mos e harro, Dervish Caren !, Fahri Xharra, Gordana Jankullovskes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 658
  • 659
  • 660
  • 661
  • 662
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT