• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDHE “SHOKU KOMANDANT” KA VRA… DY GJERMANË…

May 17, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
I madh e i vogel po thrrasin dhe po shkyhen “të korrigjohet historia!..” ndersa, “prof. dr. e akademikët” tanë vazhdojnë punen e vet. Asht kenë një thanje e vjeter në Shkoder që përdorte gjyshja “folë se po t’ ndigjoj!”. Një “ide” e pelqyeshme nga “dijetarët” po, por edhe per politikanët që janë të gjithanshem: Dijetarë, historianë, specialistë, komunistë, demokratë, dogmatikë, liberalë, monarkë, republikanë, malokë, qytetarë hambaj, druevarë e “simbas vendit bajnë kuvendin…” Ka prej tyne që me i pyetë: “Sa here asht mjelë lopa në kooperativa bujqësore?” edhe até e dijnë, edhe pse në shkollat e PPSh landa kryesore ishte historia e partisë dhe veprat e “shokut” Enver, sidomos “Shenime per Lindjen e Mesme”.
Një pjesë e atyne që e kanë shkrue “historinë e Shqipnisë” të viteve 1944 erdhen nga mali, ishin “partizanë” dhe nuk quheshin ma malokë, se menjëherë ata ndjekën kurset e analfabetëve dhe fjalët e para që mësuene me shkrue ata ishin “tiTo, Stalin, enver!”. Vetem emnin e Stalinit e kanë shkrue gjithmonë me shkronjë të madhe, aqsa edhe na u plakem tue kujtue se Stalini duhet të jetë kenë gati dy meter i naltë, e në të vertetë ai ishte kenë shkurtabiq…Per Titon dinin se një “T” asht i madh, po i pari apo i dyti nuk kishte randsi. Emnin “enver” e shkruenin me shkronja të vogla se ishte ma i “vogli’ nder ta, por nuk shkoi gjatë e ky ma i vogli filloi me u shkrue me të gjitha shkronjat e “mëdha” se ndryshej të ikte kaptina. Deri tash vonë disa prej tyne edhe emnin e mbreti Zogu I e kanë shkrue “zogu 1”, se i dukej emen shpendi dhe per mos me perdorë numrat romakë (që ishin të mbretit italian) vinin numurin 1, se “mbreti ynë” asht me numur arab e jo me numra latin a perëndimorë, kështu mund ta gjeni të shkruem derisa u hap universiteti i Tiranës, bazat e të cilit i vuni Haxhi Qamili, per të cilin Enver Hoxha, thonë “dijetarët” tanë se, e ka cilësue në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave të RPSSH, në vitin 1985 (edhe pse ai kishte ngordhë) me këto fjalë fq. 886: “Fshatarët kryengritës e zgjodhën Haxhi Qamilin komandant të pergjithshëm si njeriun më të besuar, më trimin, më të vendosurin, më të thjeshtin…” (E.H. Vepra, vëll. 23, fq. 141).
Po a guxon kush me i ndryshue këte “perkufizim” sa të jetë gjallë Nexhmije kobra!?
Disa të tjerë filluene me shkrue per luftën kur ngjarjet e Mukjes e të Bujanit ishin mbushë me emna “tradhëtarësh” e nuk dinin se me cilat shkronja duhen vue, me të tonat latine apo me shkronja cirilike, mbasi aty nga 1946 erdhen disa kuadro të “nalta” nga Beogradi dhe prap, edhe ata që erdhen nga Moska stalinjane nuk bane ndryshime.
Shpresa e “ndryshimeve” nder ato dokumenta nuk mund të pritet nga “vëllezërit e gjakut” as nga “korrigjimet” e tyne, derisa të perfundojnë studimet ata studentë që po ndjekin shkollat kineze me porosi të ishkryeministrit, i cili si duket kerkon që historia e Shqipnisë me u ba e njohun edhe per “vëllezërit e kinezë”, mbasi ai vetë zenë disa faqe aty me veprat e tija “revolucionare komuniste” kur ka luftue fenë në 1967…po cilen fe ka luftue nuk mund t’a percaktoj pa u shkrue historia me shkronjat e Mao Ce Dunit.
Disa të tjerë minimizojnë edhe vetë komandantin e luftës nacional – çlirimtare që “luftoi” në të gjitha qytetet e fshatrat e Shqipnisë kunder armiqëve të mbrendshëm, e kur ishte rasa edhe të jashtem “shokun” Enver Hoxha. Askush nuk shkruen se ai kur “luftoi” në Durrës, Shkoder dhe Gjinokaster ka vra disa rob gjermanë, madje edhe dy klerikë misjonarë t’ardhun nga Gjermania që në 1917 si Don Alfons Trackin dhe At Zef Maksen, se jo vetem, hapne shkolla Shqipe këtu, po edhe ndihmuen në shpëtimin e jetes së disa komunistëve ndër kampet e shfarosjes gjermane… e këte Ata, e bane kunder gjermanëve t’ ardhun këtu nga Atdheu i tyne… per të na shpetue njerzit tanë!
Pse historianët tanë nuk e justifikojnë “të pakten” këte veper tue tregue se Enver Hoxha vrau edhe dhandrrin e vet që i shpetoi koken e tij, apo kanë frikë se Shqiptarët do të thonë me zemer: “Atij mirë ia bani që shpetoi një terrorist anadollak të pashembullt në Historinë e Shqipnisë, që masakroi e shkatrroi një popull per gati 70 vjet me pasuesit e vet tradhëtarë!”… Në fund të fundit edhe kjo asht “meritë” e komandantit…
Historia e Popullit Shqiptar sot mund të shkruhet nga studjues vullnetmirë, të cilët kanë të gjitha përgatitjet e duhuna per një veper të tillë Atdhetare, mbasi brezi i ri po vazhdon me u drogue nga ideologjia marksiste që asht në të gjithë materialet historike, tue përfshi edhe mjaft nga ata që janë shkrue kjoftë edhe jashta Shqipnisë nanë, nder troje të fqinjëve të pushtuem. Disa materiale të shkrueme nga studjues edhe pertej oqeani janë aq të gjymtueme dhe të pasakta sa as nuk vlejnë me u zanë me gojë. Nuk u mungojnë arkivat sa i pengon “angazhimi” i vetë, vullneti per punë të mira e të sakta…pa demagogji!
Kjo më ban me mendue se historianët tanë duhet të çveshen plotsisht nga ndjenjat e tyne personale dhe mundsisht edhe kombtare para se t’ulen me marrë mundimin me shkrue HISTORI. “Kombtare” e thashë gabim, se në atë çeshtje janë kenë të çveshun madje, “lakuriq” me kohë e me vakt, mbasi po t’ ishin pak “shqiptarë”, nuk do të lejoheshin me shkrue jo histori, po as me iu afrue dyerëve të shkollave të nalta, se, per tituj jo se jo!
Ata që ishin komunistë apo agjenta të sigurimit të shtetit, që u shperblyen me tituj dhe dekorata per gënjeshtra, shpifje dhe mashtrime që i bane Popullit Shqiptar per njëgjysë shekulli, kjoftë edhe nder katedrat e pameritueme të universitetëve shqiptare, ata lè të merren me politikë dhe të formojnë “parti” të reja të tipit arab, turk, mongol, etj…po mos të guxojnë kurrë me kthye as sytë e tyne “shakshi” që u janë shtrembnue tue i sjellë herë nga Lindja dhe herë nga Jugu, por kurrë nga Europa, së ciles, i perkasim né e që, endè nuk e dijnë se edhe Shqipnia asht Europjane, madje Europjane Përendimore!
U asht mbushë koka me byk e krunde e kur flasin per Europen Perëndimore, u duket se, po shkruejn e po thurin lavde per Klerin Katolik Shqiptar!
Ata po fshijnë paturpësisht nga ngjarja e madhe e Pavarsisë Luigj Gurakuqin, se edhe Ai i duket prift e nuk gabohem aspak, kur këte mendim ata e kanë edhe per Bajram Currin, Isa Boletinin, Ibrahim Rrugoven e sa të tjerë!!..

Shenime per Lindjen e Mesme…. Mos e harroni këte liber….
Aty e gjeni të shkrueme edhe thanjen e “mësuesit” tuej, që ju mësoi me nderue me grusht: “Shqiptarët duhet t’ i pershtatën Kur’anit !..”

Melbourne, 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: EDHE “SHOKU KOMANDANT” KA VRA... DY GJERMANË…, Frtiz Radovani

Vëllezërit e fushëbetejës

May 16, 2014 by dgreca

Shqiptar, shmangu prej konfliktit sa më tepër që të mundesh! Por, nëse të detyrojnë, atëherë lufto si një burrë.
Nga Aurel Dasareti*/
Unë nuk kam hyrë në politikë, por flas për politikën. Unë dua që çështja të jetë e njohur në vend që unë të jem i njohur.
Ariu i Karpateve nuk është duke fjetur: Para disa ditësh mijëra ushtarë shënuan Ditën e Fitores ruse të Luftës së Dytë Botërore në Sheshin e Kuq, Moskë. Putin tregon muskujt. Paradë ushtarake më e madhe që prej Luftës së Ftohtë. Pjesë e qartë në rrugën e Vladimir Putinit drejt qëllimit për rivendosjen e Rusisë si një fuqi e madhe.
Jo rastësisht. Kohët e fundit patriotizmi në Rusi është i madh. Demonstrimi i fundit është një pjesë e rëndësishme e propagandës së luftës së Putinit, dhe një mënyrë e qartë për të treguar muskujt.
Kjo është pjesë e një plani më të gjerë…
– Shumë punë mbetet, por ne do të arrijmë të kalojmë nëpër të gjitha vështirësitë, sepse ne jemi të bashkuar. Dhe, kjo do të thotë se ne jemi edhe më të fortë, – u tha Putini masave që ndoqën paradën.
Ne duhet të kujdesemi që të mos mendojmë se rusët janë “qesharak”. Me sa duket ata e kanë mbajtur nivelin e mbrojtjes së të tyre më mirë se sa Evropa Perëndimore…
Ndërkaq, edhe shqiptarët kozmopolitë do të zhvillojnë paradën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, 17 Maj. Megjithatë, në paradën e shqiptarëve, nuk do të marshojnë Forcat e Armatosura të Shqipërisë, me tanke e raketa, por homoseksualët – me biçikleta.
***
Psikologët në të gjithë botën janë duke punuar drejtpërdrejt me njerëz të cilët kanë qenë viktima të luftës dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, ish- ushtarëve, fëmijë, gratë që janë përdhunuar si pjesë e luftës, dhe me grupe të cilët janë të detyruar të largohen nga pragu shtëpiak dhe të jetojnë në pasiguri. Më me kompetencë se të tjerët, ata mund të flasin në lidhje me marrëdhëniet midis ndihmës psikologjike, masa ndëshkuese kundër atyre që janë përgjegjës, dëmshpërblimit të viktimave dhe rindërtimin e institucioneve që mbrojnë drejtësinë dhe shëndetin.
Veteranët e luftës pa strehë mbi krye
Pas luftërave të Ushtrive Çlirimtare Shqiptare (1998-2001) në Kosovë, Kosova Lindore dhe FYROM, shumë nga veteranët e luftës vuajnë me probleme të shëndetit mendor si rezultat i pjesëmarrjes së tyre në luftime kundër armiqve sllavo-ortodoks.
Unë di për shumë të tillë. Vuajnë nga Çrregullime të Stresit Post Traumatik.
Heronjtë e harruar: Ata kanë marrë pjesë në operacionet e ndryshme luftarake me Flamurin Shqiptar në uniformë. Shumë prej tyre kanë rrezikuar jetën për Atdhe dhe e shkatërruan më tej jetën e tyre pas përfundimit të luftërave. Papunësia, mungesa e ndihmave sociale, mungesa e shërbimeve shëndetësore, mungesa e një strehe mbi krye për veten dhe familjen, janë këto problemet kryesore të pjesës më të madhe të veteranëve. Kjo situatë ka ndikuar shumë që stili jetësor dhe shëndeti i tyre fizik dhe psikik të dobësohet për çdo ditë më tepër.
Përjetimet në beteja, rikujtimi i situatave dramatike të pakëndshme nga koha e luftës, shpesh kthehet në pagjumësi dhe një përdorim të lartë të alkoolit. Nga mjerimi i gjithanshëm, ngushëllimet i kërkuan në abuzimin e alkoolit, të lëndëve narkotike…
Janë të margjinalizuar në shoqëri.
Shumë prej tyre nuk janë në gjendje për të lexuar as gazetat, të dëgjojnë radion apo të shikojnë lajmet në TV.
Qeveria e Kosovës, partitë shqiptare në FYROM dhe Kosovës Lindore domosdoshmërish të nisin një plan për të siguruar një fond për çështjen, dhe zbatimin e masave, ashtu që veteranët (shumë prej tyre invalid të luftës) të ngrihen në një pozitë më të mirë. Shoqëria shqiptare e ka obligim të trajtojë me respekt heronjtë e harruar, vëllezërit e mi të fushëbetejës.
Veteranët kanë kontribuar me gjak për të siguruar paqen dhe lirinë, janë krenaria e kombit.
Nuk do t`i zhgënjejmë heronjtë e luftërave çlirimtare.
Ne gjithmonë do të kujdesemi për këtë të vërtetë të shenjtë, e cila nuk zbehet dhe ne nuk do të lejojmë që heronjtë të përbuzen, diskriminohen, tradhtohen apo harrohen; ata që nuk u kujdesën për veten e tyre por u sakrifikuan për të siguruar lirinë dhe paqen në Atdhe dhe botë.
***
Po, ti mund të kuptosh
Ushtarët nuk kanë një monopol në historinë e asaj se çfarë është lufta, i rrëfehem gruas time.
Unë kurrë nuk mund të imagjinojë atë përmes të cilës ke kaluar, më thotë ajo.
***
Tani disa rreshta (nga Ditari im luftarak: “Dera e pestë e ferrit” … Ndokund në Evropë, Gusht 1995). Kjo sa për ilustrim, për ata që nuk kanë qenë pjesëmarrës në luftëra, t`i kuptojnë pak më mirë veteranët.
Bari i verdhë-gjelbër mund të jetë 2-3 metra i lartë. Frynë erë e butë. Në këtë qilim kodrinash janë transporti me ushqim, veshje, medicinë dhe armë, municion…
Shumica prej nesh kanë peshë të rëndë në shpinë. Ecim përpara të uritur dhe rraskapitur. Bari i ashpër ndeshet me fytyrat tona. Era është e fortë. Do të ishte shumë e kotë sikur të përpiqemi ta largojmë atë nga fytyrat. Me kohën mësohemi ta durojmë, ka shumë gjëra tjera për të cilat duhet të kujdesemi.
Shkelim edhe mbi pengesa drurësh dhe gurësh, kjo kërkon vigjilencë të vazhdueshme të mos pengohemi dhe rrëzohemi. Nuk është e mundur për të parë më shumë se një ose dy ushtarë përpara. Bari është si një mur.
Nga lart duhet të jetë një pamje e mahnitshme, kjo kolonë luftëtarësh në formën e gjarprit që marshon përpara. Por detyra jonë është shumë sekrete, askush nuk duhet të na shoh ndonjëherë nga ajri, edhe pse ka shumë që përpiqen.
Pandërprerë duken në qiell aeroplanë zbulimi, aeroplan bombardues dhe sulmues. Para se ata të kenë një shans për të na zbuluar, shtrihemi afër njëri-tjetrit në barin e dendur. Bimësia në këtë vend na jep një mbrojtje të mirë kundër agresorit.
Nga koha në kohë ne duhet të kalojmë nëpër zonat e hapura. Atëherë tërë kolona e batalionit prej 473 ushtarësh ndahet në grupe më të vogla. Natën vendimtare për aksion kaluam lumin. Ne kemi ardhur me vonesë, në mesnatë, dhe batica është tashmë në rritje. Më tepër se gjashtë orë jemi të shtrirë duke pritur momentin e volitshëm që të mundemi me kujdes të depërtojmë në territorin e pushtuar nga armiku…
Ushtarët nikoqir i shtrojnë batanijet dhe shtrihen aty për të ra në gjumë. Ata nuk shtrihen kudo, por në një unazë rreth nesh, vëllezërve të mi të fushëbetejës, 14 luftëtarë të ardhur nga përtej oqeaneve. Zgjati do kohë derisa unë dhe miqtë e mi e kuptojmë se luftëtarët vendas na respektojnë dhe kujdesen më shumë për ne sesa për vetveten. Zgjohem pas disa orë gjumi dhe mendja ime pikërisht fillon të bredh mbi armikun që është i pozicionuar vetëm pak kilometra nga ne dhe betejës që afrohet…
Batalioni rreshtohet. Jepet “Urdhri luftarak për aksion”, u them:
“Luftëtarë, vishni gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit. Sepse ne nuk luftojmë kundër gjakut dhe mishit. Por kundër okupatorëve, terroristëve, principatave dhe pushteteve, kundër sunduesve barbar të këtij terri. Nuk do të kursejmë fëlliqësirat. Toleranca bëhet një krim kur zbatohet kundër së keqes. Është dhuna e organizuar në krye ajo që krijon dhunën individuale në bisht. Fituesi ka të drejtë, sepse ai shkruan ligjet.”…
Një ushtar përpiqet të dezerton vetëm disa minuta para fillimit të përleshjes. I afrohem. Është i moshës time, 18 vjeçar, beteja e parë e tij. Dridhet. Më vjen keq. I pëshpëriti: “Shmangu prej betejës sa më tepër që të mundesh! Por, nëse të detyrojnë, atëherë lufto si një burrë.” Dhe, luftoi si burrë…
***
Veprimet e dhunshme janë punë e një ushtarit, suksesi apo mossuksesi i atyre veprimeve përcakton aftësinë e dikujt në këtë profesion. Nuk mund të ekzistojë asnjë çlirimin kombëtar para se forcat nacionaliste të ndërhyjnë për dhunën çlirimtare. Nuk ka popuj në botë të cilët kanë qenë viktima të forcave të pushtimit të huaj, që pa gjakderdhjen e tyre kanë arritur çlirimin dhe siguruar fitoren përfundimtare për çështjen e tyre – një pavarësi të vërtetë kombëtare.
Mjerisht, në luftërat e drejta çlirimtare ka gjithmonë vrapues që e shohin mundësinë e fitimit të shpejtë financiar në bashkëpunim me armikun. Por, shumica përfundon si ky vrasës i moshuar:
Sherri për një vrasës plak: Përmes më shumë se pesëdhjetë vjet, Ruud e ka kryer punën e tij si një vrasës i paguar në një mënyrë të përsosur dhe të lehtë. Megjithatë, një ditë ajo shkon keq. Viktima është vrarë vetëm disa minuta para se të arrijë Ruud, dhe kur ai dëgjon sirenat që afrohen, e kupton se dikush e ka joshur atë në një kurth. Papritmas ai nuk është më gjuetari, por ai të cilin e ndjekin…
Kjo nuk është një qasje që ne duam. Por ne jemi të gatshëm për të përmbushur sfidën.
* Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurel Dasareti, Vëllezërit e fushëbetejës

NJË OPOZITË E SHPARTALLUAR KUNDËR NJË QEVERIE ENDE TË PAKONTURUAR

May 16, 2014 by dgreca

Opinion Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Pamë një përplasja të re midis opozitës dhe qeverisë, inskenuar në mënyrë të njëkohëshme në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku pritej të mbahej seanca plenare e radhës dhe jashtë Kuvendit, në sheshin pranë, ku mbahej protesta e opozitës. Ishte një pritë e organizuar nga njëra palë, së cilës tjetra palë nuk mund t’i shmangej duke ua ndërruar kohën apo vendin lëvizjeve të saj.

Kjo përplasje më kujtoi duelin në aktin III, skena IV të një prej komedive më dëfryese të Uilliam Shekspirit, “Nata e Dymbëdhjetë” (për ironi të rastit, autori i ka vendosur ngjarjet diku në brigjet e Ilirisë), të cilin e ruajmë gjatë në kujtesën tonë edhe falë realizimit të përkryer nga Roland Trebicka dhe Roza Anagnosti, respektivisht nën petkun e Sir Andrew Aguesheek dhe të Violës (alias Cesarios). Skena në fjalë është konsideruar nga kritika si një lojë brenda lojës, pra si një komedi brenda vetë komedisë.

I shtrënguar të tregojë burrërinë e tij, Sir Andrew i shpall duel Cesarios, të cilin e mendon si rival në dashurinë e tij të refuzuar ndaj Olivias, ndërsa Cesario (pra Viola), pré e pashmangshme e rrethanave, është e detyruar të përfshihet në rrengun e radhës.

Të dy kundërshtarët, në përplasjen e tyre, bëhen qesharakë ngaqë i druajnë njëri tjetrit – deri në panik – për të hyrë në duel. I pari ngaqë nuk e ka burrërinë e nevojshme, i dyti ngaqë nuk e ka përgatitjen e nevojshme. Kjo, në të vërtetë, është simbolika që mua më intereson në rastin e përplasjes midis opozitës dhe qeverisë në Tiranë, nga 14 shtatori e këndej.

Një opozitë e shpartalluar në radhët e saj, në moralin e saj, në motivet e saj u paraqit edhe në protestën e së enjtes së 15 majit. Partia kryesore opozitare, PD, e cila protestoi e vetmuar edhe kësaj radhe (nuk pamë asnjë parti tjetër opozitare përkrah saj) është praktikisht pa Këshill Kombëtar dhe pa Kryesi që nga kuvendi i saj i fundit zgjedhor, i mbajtur diku nga shtatori i vitit 2008. Gati një vit pas zgjedhjeve parlamentare, kjo parti nuk është në gjendje të organizojë zgjedhjet e strukturave të saj nga baza në qendër, sepse nuk është gati të analizojë qeverisjen e saj tetëvjeçare dhe shkaqet që çuan në humbjen e 23 qershorit. Dhe, mjerisht, sa më tepër largohemi në kohë, kjo humbje tingëllon më fatale për PD-në.

Prandaj një opozitë së cilës ia jep tonin një parti e tillë e paorganizuar, e pamotivuar, e pazonja, vjen në përplasjet e saj kundër qeverisë duke iu dridhur gjunjtë dhe duke iu dridhur zemra. Duke mos u përballur dot me të shkuarën e saj, kjo parti nuk mund të përballet realisht as me qeverinë. Dhe mbijetesën e kërkon tek pasiguria që manifeston qeveria në hapat e saj të parë, kundruall një trashëgimie mjaft jokomode nga paraardhësja e saj.

Pasiguria e qeverisë së re shpreh në vetvete kryesisht pasigurinë e partisë kryesore, pra Partisë Socialiste.

Aktualisht, PS përballet me një opozitë jashtë saj, Partinë Demokratike, me një opozitë brenda saj, konservatorët, e ashtuquajtura garda e vjetër, me një opozitë brenda koalicionit, LSI-a. Secila prej tyre ka mungesë të madhe skrupulli. E para ngaqë nuk e pranon ende de fakto daljen në opozitë. E dyta ngaqë nuk ndihet e shpërblyer dhe e kënaqur. E treta ngaqë ka ambicjet të zgjerojë terrenin e saj brenda koalicionit.

Këta tre faktorë nuk lejojnë që qeveria e re të hyjë plotësisht në rolin e saj. Nuk lejojnë që të ndërmarrë apo të prijë reformat aq jetike për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, të demokracisë, të shtetit. Një opozitë konstruktive do të kishte qenë e interesuar dhe e përkushtuar për ta vënë në punë sa më shpejt dhe me kapacitet sa më të plotë qeverinë pasardhëse, do të kishte qenë e interesuar të dëshmonte shembullin e një opozite në reformim e sipër, në reflektim e sipër duke i dhënë qeverisë pasardhëse mbështetjen e plotë në kryerjen e reformave, nëse jo me votat e saj, gjithsesi me pjesëmarrjen e saj, me konsensusin e saj për kryerjen e reformave me shpejtësinë e duhur dhe me vendosmërinë e duhur.

Përballë një opozite që nuk është ende në vete pas humbjes shembullore të 23 qershorit, do të ishte jetike një qeveri e vendosur, e sigurtë në hapat e saj, e mobilizuar në mënyrë konstruktive, krijuese dhe pozitive brenda radhëve të saj, brenda vetë koalicionit dhe me një përkrahje sa më të gjerë të opinionit. Numri i votave të 23 qershorit është një bastun që dobësohet sa më tepër që largohemi nga kjo datë. Kjo e vë në pikëpyetje përherë e më shumë kryerjen e reformave dhe suksesin e zbatimit të tyre, mëkëmbjen e ekonomisë, gjallërimin e jetës së vendit, zhvillimin e demokracisë, konsolidimin dhe rritjen e institucioneve të saj, pa të cilat nuk kemi të sotme as të ardhme.

Opozita, alla Sir Andrew Aguesheek, pati në protestën e së entjes parulla kryesore “Shqipëria – Kolumbia e Evropës” dhe “Drejt Evropës, jo drejt Kolumbisë”. Edhe sikur ta pranojmë si qind për qind realitet, në tetë muaj qeverisjeje, edhe sikur qeveria të kishte marrë masat më rrënjësore dhe më energjike për këtë qëllim, Shqipëria nuk do të ishte bërë dot në kaq pak kohë Kolumbi. Për këtë do të ishin dashur dhjetëra vite. Dhe, natyrisht, tetë vitet e qeverisjes së kaluar do të kishin qenë vendimtare.

Lazarati, për shembull, është një realitet që përcillet nga njëra qeverisje në tjetrën, një realitet të cilin nuk e ka sjellë kjo qeveri, por që e ka gjetur në mesin e realitetit shqiptar. Duke u shndërruar në tabu, Lazarati tashmë rrezaton gjithandej Shqipërisë. Dhe autorësinë e kësaj tabuje nuk e ka qeveria aktuale. Nëse opozita do të ishte e përgjegjshme në rolin e saj, atëherë do të kërkonte të vihej në krye të një fronti popullor përkrah qeverisë së re për të çrrënjosur trafikimin e drogës nga Shqipëria dhe nga imazhi i saj.

Në këtë kontekst, edhe avionët e drogës, qoftë ai që mbeti në baltë, qoftë të tjerët, që nuk mbeten në baltë, qoftë si inskenim, qoftë si të vërtetë, janë një barok që nuk i shton gjë realitetit të mirëfilltë. Ata mund të kenë ekzistuar edhe në tetë vitet e shkuara, në kushtet e moratoriumit ndaj skafeve, çka i bën rudiment në periudhën pas heqjes së moratoriumit. Dhe tingëllon se ish qeveritarët ndihen tashmë të cënuar e të kërcënuar në interesat e tyre, pikërisht në infrastrukturën e përdorur për interesat e tyre.

Përveçse qesharakë në përplasjet e vazhdueshme, opozita dhe qeveria në Tiranë dita ditës bëhen të dëmshëm për fatet e vendit. Sa më shumë të merren me veten e tyre dhe sa më shumë të jenë në rolin e tyre të mirëfilltë, për të cilin janë votuar më 23 qershor, aq më shumë vota e 23 qershorit do të jetë shpërblyese për shqiptarët, do të jetë e merituar për vetë këto dy grupime politike. Papërgjegjshmëria ndaj kësaj vote, mosmirënjohja ndaj kësaj vote, moskuptimi i saj, do ta largonte nga karriket e pushtetit qeverinë e sotme, por gjithashtu do ta fshinte, do ta qëronte nga politika opozitën e sotme.

Filed Under: Opinion Tagged With: E SHPARTALLUAR KUNDËR, NJË OPOZITË, NJË QEVERIE ENDE, Skender Bucpapaj, TË PAKONTURUAR

Shkëlzen Maliqi, ”susta” e Thaçit dhe e Veselit!

May 16, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/Shkëlzen Maliqi është djali i ish-sekretarit të Punëve të Brendshme të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës të Federatës Jugosllave, Mehmet Maliqi, i njohur dhe ndërkombëtarisht për ashpërsinë ndaj “irredentistëve” dhe “nacionalistëve” shqiptarë. Jo vetëm i ati, por edhe i vëllai Gazmend Maliqi që ishte punëtor operativ i UDB-së në Prishtinë dhe përgjegjës për shumë keqtrajtime të shqiptarëve në vitet ’80-ta. Të kujtojmë se Edi Rama para disa vitesh Shkëlzen Maliqin e quante mashtrues ordiner kur ky i fundit organizonte sondazhet e ”Gani Bobit” në Shqipëri i kontraktuar nga Klan. Udhëheqësit e Shqipërisë duket e kanë të pamundur t’i shpëtojnë psikologjisë Bizantine. Rama pa dashje i bëri një të mirë Kosovës duke i larguar një person të padëshiruar për shqiptarët e Kosovës. Shkëlzen Maliqi nuk është një intelektual i madh dhe as një intelektual i pavarur siç thoshte Edi Rama në justifikimin e panevojshëm të emërimit të tij si këshilltar për rajonin. Kontributet e tij publicistike në gazetarinë e Kosovës janë produkte momenti dhe ka shumë pak gjëra që mund t’i ngelen kohës. Nuk është kurrsesi as i pavarur. Të gjthë e dimë afërsinë e tij me Hashim Thaçin dhe PDK-në. Ka qenë këshilltar në disa ministri gjatë dy mandateve të udhëhequra nga Thaçi dhe PDK-ja. Dihet edhe për bizneset e përbashkëta që kanë këta dytë, të publikuara nga mediat që janë nxjerrur nga Regjistrimi i bizneseve. Dihet edhe afërsia e tij me (ish) shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin, ku me ”analizat” e tij dhe debatet në TV dhe mediat tjera, shërbente si ”zëdhënës” i tij dhe SHIK-ut. Në shumicën e ”analizave” të tij mbronte pisllëqet e Thaçit dhe qeverisë dhe atakonte opozitën, e sidomos kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën. Shpesh sulmet e tij i drejtonte edhe kah Vetëvendosja. Por cak i sulmeve të tij (me siguri me urdhër të shefave të vetë, dihen marrëdhëniet jo të mira mes Veselit dhe Haradinaj) ishte edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Anësia politike e Maliqit është parë hapur prej qeverisjes së Thaçit. Thaçit sa herë i duhet për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë, e përdor Maliqin si ”sustë”. Shkëlzen Maliqi duhet t’i sqaroi opinionit, se a është këshilltar i Edi Ramës apo vazhdon akoma të jetë zëdhënës dhe ”sustë” e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit!

(Autori është bashkepunetor i Diellit, publicist nga Prishtina)

Filed Under: Opinion Tagged With: ''susta'' e Thaçit dhe e Veselit!, faik Krasniqi, Shkelzen Maliqi

Fol Akademik Qosja , fol tani kur duhet!

May 15, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Me shkas : “Priftë ortotodoks serbë me forca të shumta policore malazeze kanë vërshuar në fshatin të banuar kryesisht me shqiptarë, Martinaj të Gucisë duke tentuar që mbi themelet e Kishës së vjetër katolike të ndërtojnë një kishë ortodokse.
Si kundërpërgjigje të këtij veprimi nga ana e malazezëve priten protesta nga ana e shqiptarëve, raporton portali “Malësia jonë”.
“Nuk më befasonte që serbët e urrenin islamin por u shtanga që ata e urrenin edhe kishën tjetër të Krishterë. Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se myslimanët ( E.Durham, Londër 1920). ”Urrejtja serbo-ortodokse ndaj katolikëve u pa me 1913 në Luftën Ballkanike kur Malaziasit në emër të çlirimit të krishterëve e sulmuan kishën shqiptare të Mazrekut duke shkatërruar çdo gjë bile edhe freskat e të shenjtërve në muret e kishës (E. Durham). “Me 1913 një numër jo i vogël ushtarësh të prirë nga një Pop Ortodoks e rrjepën për së gjalli deri në vdekje Luigj Palin, prift françeskan shqiptarë nga Gjakova, sepse nuk kishte pranuar të kryqëzohej në ortodoks (E.C. Helmreich, The Diplomacy of Balkan Wars, 1983 Harward) (F.Xharra: “Marrëveshja shekullore Turko-Serbe për shfarosjen e Shqiptarëve!”) Fanatizmi serb dhe racizmi i tij anti-shqiptar së bashku me anti-shqiptarizmin turk, herë veçmas e herë së bashku; bile edhe sot është aktiv…“ Këmbëngulja për t’mos u shkëputur nga thelbi i së keqes, do të çonte herët a vonë te e vërteta e hidhur se gjithmonë është e njëjta Serbi “(Ismail Kadare – Mbi krimin në Ballkan).
Fol Rexhep Qosja! E di se përse e kam fjalën ! Tani kur qyqet sllave po rifillojnë të këndojnë këngën e tyre të vjetër , tani na duhet fjala e jote me peshë . Fol i nderuar , se bota i pret fjalët e të mëdhenjëve të shkrimit , poltikës ditore nuk i zë besë!
Ju e dini fort mire qëllimin sllav dhe lojën e tyre me shqiptarët , ju e dini që “Rrezikun më të madh për Kishën Ortodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj. “ (Vesnik Srpske Crkve”) se me muslimanët shqiptarë e kanë më lehtë.” Sepse me shqiptarët muslimanë e kemi më lehtë”.- këshu thonë sot e gjithë ditën.
Ndarja e Shqipërisë pas 1913 -tës ishte një favor shumë i madh për Serbinë ,por edhe ajo ndarje dhe ai copëtim i tokava tona e donte një “marifet” të menaxhimit në mënyrë që me sukses të kryhej kolonizimi i atyre tokave dhe përfundimisht të zhdukej shqiptari nga faqja e dheut.
Ju e dini , Zoti Akademik që “Rrezikun më të madh për KishënOrtodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj. Ky do të jetë një demon i cili nuk do të na lë të qetë dhe i cili në vazhdimësi do të jetë barrë edhepër shtetin edhe për popullin. Katolicizmi në këto anë është zgjëruar dhe, ç‘është më e keqja, është përhapur dhe ka lëshuar rrënjë. . . Të rralla janë vendbanimet në krahinat e reja ku katolicizmi nuk e ka kapur ndonjë shpirt serb (!) dhe nuk ka fituar ithtarë. ” Priftëria katolike shqiptare dhe besimtarët e tyre janë fajtorë, sipas popit Bojoviq, për të gjitha mossukseset serbe “(“Vesnik Srpske Crkve”). Këto janë thënjet e tyre jo të mijat ¸por unë iu besoj shumë në qëllimet e tyre.
Ju jeni njeri me ndikim , prandaj shprehuni , folni sepse e keni ditur që :” Me 20 Mars 1913, gazeta “Reichpost” shkruante: Ne rrethin e Janjeves mbi 400 vjet nga sot, rreth 8000 Shqiptar Katolik, të ashtuquajtur Laraman apo Katolik te Fshehur, jetonin aty. . Kur mbërritën Serbet, me qindra nga këta Laraman deshtën që haptazi të deklarohen që janë Katolik. Kur përfaqësuesi i shtetit serb të instaluar rishtas dëgjoi për këtë, tha: “Ose mysliman ose Ortodoks. Jo katolik!”.
Po pse, ose musliman ose ortodoks ? Nuk e keni kuptuar Zoti Rexhep Qosja ?.
”Në momentin kur këto toka mbesin terësisht muslimane , janë dy mundësi : ose të bëhet Sanxhaku i dytë i Novi Pazarit ose lehtësohet shpërngulja e tyre nëpër botën islame. . Çubrilloviqi në projektin e tij thoshte. ” Pasi që shqiptarët të binden që i takojnë një bote tjetër asaj lindore , atëherë e kemi më lehtë me ´ta. (Çubrilloviq). Por kjo do kohë”
Unë mendoja dhuna dhe zbrazja e tokave me dhunë për momentin nuk është opcion falë rrethanave të reja në botë , por ja që ka filluar në Malin e Zi .Por ja që ne heshtim!
Nuk të ha palla për Plavë e Guci , për Hot e Grudë? Po Vuthajt athua si janë ?
”Po unë si shqiptar apo ti gjithashtu si shqiptar që rastësisht i kemi takuar besimit musliman , ne pranojmë që bashkëkombasit tonë shqiptar të fesë katolike t´i katandisim nëpër botë , dhe në këtë mënyrë të bëhëmi bashkëpjesëmarrës në çfarosjen e një pjeseje të madhe kombëtare , të jemi në vijën e Serbisë. ? Jo. Unë jo. Por as Ti ,jo!
Tek e fundit shqiptarët katolik nuk janë një mallë tregtar, me të cilët ne mund të bëjmë tregti. ! ( F.Xharra :” Katolikët shqiptarë dhe Serbia! , 16.01.14)”
”Në momentin kur këto toka mbesin terësisht muslimane , janë dy mundësi : ose të bëhet Sanxhaku i dytë i Novi Pazarit ose lehtësohet shpërngulja e tyre nëpër botën islame. . Çubrilloviqi në projektin e tij thoshte. ” Pasi që shqiptarët të binden që i takojnë një bote tjetër asaj lindore , atherë e kemi më lehtë ´ta. (Çubrilloviq). Sa na duhet neve që të kuptojmë që ne nuk i takojmë një boteje lindore,? se si e thoshte Naimi që Dielli i shqiptarëve lindë në Perëndim. A pajtoheni ?
Edhe pse K. Jereqek i përshkruante shqiptarët “popull i vjetër me kulturë qytetare; edhe pse organizimi qytetar ishte i rëndësishëm edhe për Ilirët; sllavët medoemos e bënin sllavizimin, e turqit turqizimin e shqiptarëve, herë ndaras e herë në bashkëpunim. Pra ?
Kam shumë pyetje , të cilat e shprehin një hall të madh mbarëkombëtar Zotëri i Nderuar!
Me shkas : “Priftë ortotodoks serbë me forca të shumta policore malazeze kanë vërshuar në fshatin të banuar kryesisht me shqiptarë, Martinaj të Gucisë duke tentuar që mbi themelet e Kishës së vjetër katolike të ndërtojnë një kishë ortodokse.
Si kundërpërgjigje të këtij veprimi nga ana e malazezëve priten protesta nga ana e shqiptarëve, raporton portali “Malësia jonë”.
Serbia aspak nuk brengoset që sot nuk mund të përdorë të njejtën metodë si atë të viteve 1913 ,për pranimin e “ fesë së vërtetë “ (sllavo-ortodokse fxh), sepse po tenton në mënyra tjera të ralizon qëllimet e veta. Pse ne sot duhet të jemi “ altoparlanta” (zërritësa dhe zëdhënësa) të Serbisë?. E mëndojmë këtë ?
:“Serbët ishin armiqët e betuar të malësorëve katolik(. . . )serbët kishin një urrejtje shfrenuese ndaj katolikëve shqiptar. ” (Magazin für die Literatur des Auslandes ,1843 )
“Ndërkaq një historian i shekullit XIX shkruante se ,serbët i urrenin shqiptarët katolik ,për dy arsye, e para se ata ishin pengesa e parë dhe e fundit e tyre në realizimin e politikave te tyre doktrinare-religjioze ne mbeshtetje te Rusisë dhe përkrahjen herë pas herëshme te Turqisë, dhe se dyti se ata e sidomos kleri i tyre mesonte brezave te kaluaren dhe mbanin trashegimin e saj ne origjinalitet. “
E ndajmë të njejtin mëndim , besoj? Fol Zoti Rexhep Qosja!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, Fol Akademik Qosja, fol tani, kur duhet!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 742
  • 743
  • 744
  • 745
  • 746
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT