• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITA  E  FLAMURIT

November 22, 2023 by s p

Mendime e kujtime

Dërgoi për botim: Eugjen Merlika

Në nji ditë t’errtë e të trishtueshme të Kallëndorit, i lodhun nga vjetët, e, mâ fort, nga mundimet e të vështirat e nji jete të kalueme, pa ndalim, mbi brigje e nën shatorre në mest të fushavet të luftës luâni i Krues, Skandërbeu, ulte kryet madhështuer, e dirgjej e rënkonte në shtrat të vdekës atje në Lesh. Rriba e murrânit i sillte në vesh ushtimën e tmershme të luftës s’ashpër që ziente në breg të Kirit, pranë Drishtit ndërmjet Turqvet e të Shqiptarvet. Gjaku i ndezun i valonte ndëpër dejt e çeliktë, e zemra trimoshe i dridhte parzmën tue rrahun me rrëmbim, e i pëlciste nga dëshiri për të fluturuem si rrufeë në ndihmë të vllazënvet të vet. Por trupi i tij i rândë nuk tundej dot nga vendi. I mundun nga sëmundja, por jo nga luftat e rrebta e të parreshtuna nga të cilat kishte dalë gjithmonë Burri i famshëm mbyllte syt, e me tê errej e shuhej edhe fati i Atdheut !

Trimat, shokët e tij, qi bashkë me tê kishin ndamun, për sa e sa vjet gëzim e rreziqe, e luftarët e tij mâ të përmendunit mirrshin udhën e mërgimit e përndaheshin në të katër anët. Qytetet e tija mâ të fortat, fole sokolash e sqifterësh, bijshin njena mbas tjetrës nën sulmin e anmiqvet. Shqipja rregjineshë, qi kishte fluturuem gjithnji ngadhnjyese mbi ajrin e lirë të Shqipniës, përmblidhte kthetrat, varte krahët e strukej në shpellat e maleve të larta ; e flamuri kuq e zi, shenj lirie e ngadhnjimi, përmbysej e zhdukej, e mbyllej i palosun në zemrat e Shqiptarvet të veshun në të zeza.

Në atë ditë të vajtueshme e fatkeqe, robnia mâ e ashpër e dhunore nisi të rândonte mbi kryet e kurrusun të Shqiptarvet të mjerë. I ndrydhun e i shtypun nga pushtuesi barbar, komi i ynë ra në shkretnim e në vobeksië. Të harruem prej të gjithve, edhe prej atyne të cilvet u kishin dhânë pa kursim ndihmën e vet në ditën e rrezikut, e të mbetun pa mbështetije e pa shpresë, Shqiptarët u shtrenguen, mâ në fund, t’i shtroheshin fatit e të hyjshin në marrëveshje me pushtuesin. Por edhe në qoftë se gjyshat t’anë e harruen, pak nga pak, mëniën kundër anmikut qi të parët u kishin lânë trashigim, me gjithë këtê nuk e buerën kurrë ndiesiën e liriës. Sado herë qi u erdhi rasa e qi i a pan gjasën, Shqiptarët nuk e kursyen kurrë jetën e vet e nuk prituen kurrë me ngritun krye kundër Turqvet qi kërkojshin me u rrëmbyem edhe gjurmat mâ të mbrâme të të drejtavet kombtare.

Po nga nji tok shkajqesh, qi nuk âsht nevoja t’i përmendim këtu, Shqiptarët, që lypsej t’ishin mâ të parët me shpëtuem nga sgjedha e Turqiës, nuk e patën fatin e mirë të fqinjve të vet. Këta, jo vetëm qi u liruen mâ parë se na nga robnia e përbashkme, po mbasandaj, tue harruem gjakun e derdhun prej burravet t’anë për liriën e tyne, nisën të ndêjnë dëshiret e veta lakmuese mbi tokët e Shqipniës. Gâdi gjithmonë të duruem, e shumë herë edhe të mbështetun e të përkrahun nga Qeveria turke qi nuk donte t’a shihte varrin qi ditë për ditë po i hapej përpara, fqinjt t’anë, në vend qi të na tregojshin mirënjohsiën e vet e të na shpërbleshin me të mirë ndihmën qi u kishim dhânë, rrokën propagandën e shkomsimit ndë mest të popullit t’ënë të padishëm tue përdorun ç’farë do mjeti e dhelpnie e tue bâmun vegël edhe feën e shkollat për të na helmuem gjakun, për të na prishun zemrat, për të na rrëmbyem trashigimet kombtaret mâ të shtrenjtat.

Mjerimet e salvimet qi ka hekun komi shqiptar, sidomos në pesdhjetë vjetët e mbráme të robniës së vet, janë të panjehuna.

Ndonse kom më vete e të ndamun prej Turqvet për nga gjuha e nga zakonet, Shqiptarët qén dënuem të bâheshin flîja e lajthimevet dhe e fajevet të Turqiës me të cilën vetëm fati i zi i kishte pjekun. Kështu ndodhi kohën e Traktatit të Berlinit e kështu do të ngjante edhe mbas luftës balkanike, kur Europa, tue mohuem të drejtat e Shqiptarvet, mendohej me shpërblyem, me copa t’Atdheut t’ënë, fitimin e beslidhunvet të Balkanit mbi Turqiën, atë fitim të cilin Shqiptarët e kishin pregatitun me kryengritjet e veta të fundit. 

Mbase 450 vjetë kishin kaluem, 450 vjetë të gjata pësimesh e të vështirash, që kur se flamuri i kuq me shqipen e zezë dykrenshe, ai flamuri i lumnueshëm i Skandërbeut, ishte shdukun prej qiellit të kaltër të Shqipniës. Anmiqt shekullorë të komit shqiptar kishin shkelun me kâmbë dhunuese tokën arbnore të lame me gjakun e bijvet të vet, mbi trupat e të cilvet topitej pareshtun tehi i shpatavet e i thikavet të pushtuesvet barbarë. Të dehun nga fitimi i papritun kundër Turqiës, e të ndezun prej mëniës gjakpijse kundër fisit t’ënë, ushtarët beslidhun të Balkanit kishin urdhën qi të mos kurseshin asfare jetën vllazënvet t’anë, pse kështu qeveriët e tyne do të mundshin mâ vonë me mbretnuem e me sunduem mâ lehtas mbi pakicat shqiptare të shpëtueme prej atyne therjeve të pamëshira.

Përpara këtij rreziku të kobshëm qi varej mbi fatin e Atdheut, Shqiptarët, ndonse të turbulluem e të turitun prej rrjedhës së vrulltë t’atyne ngjarjeve të papandehuna e të trishtueshme, e mblodhën mendjen, i bashkuen zemrat e i dhan besën njeni tjetrit qi me u përpjekun e me marrë masat e duhuna për shpëtimin e vendit të të parvet.

Pa humbun kohë, burrat e krenët e tyne mâ të vjefshmit u mblodhën në Vlonë ku, nën kryesiën e të ndëjyemit Ismail Qemal Bej, prokllamuen mvetësiën  e Shqipniës e ngritën flamurin të kuq e të zi, qi shtërgjyshat u kishin lânë trashigim të palosun e të mbyllun në varret e veta.

Kujtimin e kësaj dite gazmore, të cilën të parët t’anë e kishin pritun me aqë dëshir e qi na, mâ të lumë se ata, patëm fatin e bardhë qi t’a shohim me sy, komi shqiptar po pregatitet t’a kremtojë me lulzim më 28 të këtij mueji.

Po të hedhim një sy mbi të ndodhunat e panumërta, të ndryshme e të vajtueshme qi kanë përsjellun jetën e Shqipniës së lirë e qi na vërtiten përpara me shpejtim si fytyrat mbi pëlhurën e nji kinematografi, nuk duem t’i besojmë vetes s’onë, na duket si të jemi n’andërr : e shtatë vjetët, qi na ndajnë prej ditës së proklamimit të mvetësiës s’onë, na bâhen mâ të gjata e na dalin mâ të hidhuna se 450 vjetët e robniës së vjetër.

Përpara mjerimit t’Atdheut të cunguem prej Konferencës së Londonit, e tue pamun vendin e të parvet e vllaznit e vet akoma të paliruem prej thonjvet t’anmiqvet, Shqiptarët e humbën shpresën, e buerën guximin. Të lânun prej Qeverivet të mëdha pa atë mbështetje e pa atë ndihmë për të cilat ka pasun nevojë çdo komb i vogël në kohët e para të të mkambunit të vet, Shqiptarët muerën prapë tatpjetën e nisën përsëri t’u vên veshin propagandavet të hueja e, sikurse pësimet e të ligat e vuejtuna të mos u kishin vjeftun fare mësim, ran për prapë në fajet e përparshme.

Edhe nji herë gjaku i Shqiptarvet nisi me shkuem rrëkeë, edhe nji herë flamuri i ynë u rrëzue e u shduk, edhe nji herë anmiqt e pushtuen tokën e Shqipniës e sunduen edhe mâ rreptësisht mbi popullin t’ënë të ndamun në çeta e në partië gjithfarësh. E as sot të zezat t’ona nuk kanë marrë fund, e fati i Atdheut t’ënë ndodhet akoma i padalluem.

E kremtja e 28 Nândorit duhet të jetë pra për né të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe nji ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bâjmë sqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vêmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten t’onë ndë a kemi bâmun gjithkund e gjithmonë detyrën qi kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet t’ona, të harrojmë hidhnimet e anmiqsiët qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njeni tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshavet t’anë se sot e mbrapa do të përpiqemi për të mirën e Atdheut, për lulzimin e komit, për nderin e flamurit t’ënë. 

Në veprimin e në sjellën t’onë të mbajmë gjithnji ndër mend këshillet e vlerta urtësie, vllaznie e atdhetarie qi, në veprën e tij profetike, u jipte Shqiptarvet, ndëpër gojë të Marash Ucit, vjershëtori i ynë kombtar tue u thânë :

Armët e mbushme mos me i dhânë,

Me shokë t’uej kurr mos me u zânë.

Kurr ujt turbull mos me i rá, 

Mos me dalun n’và t’pa và.

Vendin t’uej me e dashtë për ore, 

Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

T’huejnë me fjalë mos t’a poshtnoni,

Bukën para por t’i a shtroni

Në Shqipní si âsht qênë zakoni ;

Me i besue mos i besoni !

Paris më 20 nânduer 1919                        LUIGJ  GURAKUQI

KUVȆNDI Romë, 30 Nëntor 1919

Filed Under: Politike

VEHBI DIBRA AGOLLI, KLERIK DHE FIGURË E ÇMUAR ME KONTRIBUT TË MADH NË HISTORINË E SHQIPËRISË

November 21, 2023 by s p

Processed with VSCO with av4 preset

Valdete Dida Cenalia/

Vehbi Dibra studimet e larta i kishte kryer në Stamboll, ku krahas studimeve fetare merrej dhe me veprimtari atdhetare – kombëtare. Në planin politik të Vehbi Dibrës gjejmë një protagonist të shkëlqyer që punonte gjithmonë për mbarëvajtjen e atdheut dhe të kombit. Ishte njohës i mirë i gjuhës arabe, turke dhe persiane. Luajti një rol të rëndësishëm në Kongresin e Manastirit më 1908 së bashku me Hafiz Ali Korçën, Sherif Langun që mbështetën fuqishëm idenë e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe. Ai theksonte se : “Injorancën s’mund ta justifikojmë e pleqërinë tonë as me mungesën e shkollave në atdheun tonë… pse jemi urdhnue për të studiue deri kur të vdesim, jemi urdhnue me udhëtue deri në vendet më të largëta për me studiue”.

Në Kongresin e Dibrës, që u mbajt në vitin 1909, Vebi Dibra u zgjodh kryetar i Kongresit, duke u bërë kështu një shpresë dhe vendosmëri për të luftuar kundër turqve. Ai, së bashku me shumë patriotë të tjerë shqiptarë që u bashkuan, morën vendime të rëndësishme për çështjet kombëtare, për shkollat shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve. Turqit kërkonin të hiqnin të mësuarit e gjuhës shqipe në shkolla, por ai u shpreh: “Vendimet që janë marrë, s’ prishen ma”.

Duke qenë njohës i mirë i Kuranit, i krijuan bindjen se edhe popullin tonë Zoti e kishte krijuar shqiptar, se edhe gjuha shqipe ishte dhuratë hyjnore, prandaj edhe populli ynë shqiptar duhej të jetonte i lirë e i pavarur në Shqipëri e duhej të gëzonte si gjithë popujt e tjerë, bukuritë e këtij vendi, prandaj bashkohuni pa dallim të fitojmë lirinë e pavarësinë. Me autoritetin fetar dhe përpjekjet e tij të guximshme për çështjet kombëtare, Vehbi Dibra qe më i zgjedhuri si delegat dhe kryetar i delegacionit të Dibrës në shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, në Vlorë. Zgjedhja në krye të delegacionit nuk ishte rastësi, por ishte zgjedhur si njeri i respektuar dhe që kishte dhënë shumë për çështjet kombëtare shqiptare. Kuvendi i Vlorës, për zgjuarsinë në shërbim të çështjes kombëtare, për aftësitë e tij intelektuale, aftësitë e plota juridike dhe autoritetin e tij fetar në mbarë popullin shqiptar, e zgjodhi Vehbi Dibrën kryetar të Senatit të parë shqiptar, në Nëntor të vitit 1912. Vehbi Dibra merr përsipër të zgjidhë dy probleme që ndikonin në shpalljen e Pavarësisë:

E para ishte se vendosja e shqiponjës në sfondin e flamurit tonë kombëtar nuk pranohej nga opinioni publik. Vehbi Dibra e komentoi “se duhet të vendosim shqiponjën në mes të flamurit kombëtar, kjo nuk cenon aspak besimin islam”.

E dyta, Ismail Qemali mendonte si një katalizator i mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes turqve që mundoheshin të ndalonin me forcë “Shpalljen e Pavarësisë” ishte vetëm Vehbi Dibra, kështu që e zgjodhi në krye myftiun e Dibrës, Vehbi Agollin.

Këto vlera juridike, shkencore dhe dijet e tij fetare e detyruan Ismail Qemalin ta linte si zëvendës të tij gjatë kohës ku kërkonte nga shtetet evropiane të drejtat e shqiptarëve për të sensibilizuar “Shpalljen e Pavarësisë”. Vehbi Dibra dha një kontribut të shquar në ngritjen dhe organizimin e administratës, hartimin e ligjeve dhe të udhëzimeve për ngritjen e qeverisë së parë shqiptare. Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë”. Kështu u shpreh në Ditën e Flamurit, në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, Vehbi Dibra, i cili në Qeverinë e parë shqiptare u emërua kryetar i Komunitetit Mysliman për gjithë Shqipërinë.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Politike Tagged With: Valdete Dida Cenalia

Violetta Berisha kryetarja e Bashkisë Fairview, New Jersey vizitoi Vatrën

November 20, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 18 Nëntor 2023 – Violetta Berisha kryetarja e Bashkisë Fairview, Bergen County në New Jersey zhvilloi një vizitë të përzemërt në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA me rastin e marrjes së detyrës së saj. Gjatë vizitës zonja Berisha shoqërohej nga kryetari i Bergen County z. Paul Juliano, zonja Rita Juliano e stafi i saj. Kryetarja Violetta Berisha u prit nga delegacioni i zyrtar i Vatrës i përbërë nga sekretari Dr. Pashko Camaj, anëtari i Kryesisë së Vatrës z.Bashkim Musabelliu, anëtari i Këshillit të Vatrës Paulin Mrnaçaj dhe veprimtari i çështjes kombëtare z.Anton Raja. Në fjalën e mirëseardhjes Dr.Camaj ndër të tjera e përgëzoi për suksesin e arritur, i ofroi bashkëpunim e Vatrës e vatranëve dhe shprehu krenari për një arritje historike të një shqiptareje që bën krenar çdo bashkombas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e trojet etnike. Para të pranishmëve, në fjalën e saj në gjuhën angleze zonja Violetta Berisha u shpreh: “I am very proud to be an Albanian and extremely excited to start my term as not only the first female mayor of Fairview, but one of the few Albanian mayors in the U.S. Like all of us here, I came from very humble beginnings. My father, from Puke and my mother, from Malesia both made the choice to give their family a better life and immigrate to America. Even though they were far from their homeland, they instilled all the values and ideals of Albanian life to me, my two sisters, and my brother. They showed us the value of family and keeping traditions alive. Their countless hours of working and commuting showed us the value of hard work no matter what the job was. By doing this, they set us up for success and it is one of the main reasons why I am standing here today .

I have served previously on my town’s council for seven years, but I feel I have only scratched the surface of politics, especially compared to the long history of the Vatra. This organisation has dedicated itself to protecting the rights of Albanians and Albanian Americans and helping our community. I’m very proud to see Albanians working together for a better purpose and see us carry our patriotism from generation to generation. I’m extremely honored and would like to thank you so much for having me here” tha kryetarja Berisha. Në përfundim të ceremonisë Vatra shtroi një koktej për të gjithë të pranishmit. Aktiviteti u ndoq nga Tv Kultura Shqiptare.

Filed Under: Politike

Françesk Solano, arbëreshi me prejardhje nga Çamëria, misionari dhe veprimtar i shquar gjuhësor dhe letrar

November 18, 2023 by s p

Françesk Solano, i cili u njoh me pseudonimin shqiptar, Dushko Vetmo bën pjesë në aradhen e gjatë të atyre veprimtarëve të shquar letrarë, të cilët zhvilluan aktivitetin e tyre në territoret italiane të banuara nga arbëreshët, gjithashtu ai pati një veprimtari intensive edhe në Argjentinë ku emigroi për 20 vite.

Dushko Vetmo, u lind më 18 nëntor 1914 në Frasnitë në krahinën e Kozencës, në një familje me prejardhje nga Çamëria. Më 1934 mërgoi në Argjentinë, si shumë kalabrezë, dhe studioi për teologji dhe gjuhë të huaja në kolegjin Klaiplos në Buenos Aires, ku dhe u shugurua prift e ku më pas dha mësim gjuhë dhe letërsi semitike. Pas njëzet vjetësh në Argjentinë, Uruguaj dhe Kili, u kthye në Itali dhe ishte pedagog i gjuhës shqipe, e veçanërisht i dialektologjisë arbëreshe, në Universitetin e Kozencës, derisa doli në pension. Ka qenë aktiv edhe për çështjet kishëtare në Eparkinë e Ungrës. Solanoja është autor veprash në gjini nga më të larmishmet. Në fushën e gjuhësisë dhe filologjisë është shquar me Manuale di lingua albanese, Koriljano Kalabro 1972 (Doracak i gjuhës shqipe), dhe Udhëzues për të biseduar shqip / Guida alla conversazione albanese, Koriljano Kalabro 1974, si dhe me shumë artikuj studimorë e studime dialektologjike. Ai gjithashtu ka redaktuar veprat e poetit, dramaturgut dhe romancierit arbëresh Françesk Anton Santori (1819-1894) dhe tekste të tjera të hershme arbëreshe. Botimi letrar më i parë i Solanos, i rrallë tani, është përmbledhja me vjersha Bubuqe t’egra, Buenos Aires 1946. Vepra të tjera në prozë, poezi e dramaturgji u botuan në Shêjzat në fund të viteve pesëdhjetë e në fillim të viteve gjashtëdhjetë, e më pas në Zjarri. Ndër to janë tregimet Ëndërrimet e Lalë Ndreut, 1958, dhe Te kështjell’ i mallkuar, 1959, proza lirike I bir’ i njeriut, 1959, dhe pjesët teatrale E po hëna, 1963, dhe Shkretëtira prej guri, 1974. Tregimet e tij u botuan të përmbledhura në Tregimet e lëmit, Shën Mitër 1975. Te praku, Trebizaçe (Trebisacce) 1977, është një përmbledhje me poezi, krijime të Solanos dhe përkthime shqip prej tij nga poezia japoneze. Në veprat e veta Solano është përpjekur të përdorë një gjuhë të kuptueshme jo vetëm për bashkatdhetarët arbëreshë, por edhe për folësit e gjuhës letrare shqipe. Gjuha e tij e pasur dhe e rrjedhshme ka shërbyer si model për shumë shkrimtarë të rinj.

“Në fshat e thërrisnin “zot”, “erdhi zoti”- kështu arbëreshët i drejtohen priftit, – por kjo, Solanos i shkonte.

Ai ishte njeri kulture dhe kishte atë virtytin e mentalitetit të zgjeruar, të gjykimit të shëndoshë, mentalitet që sjell pajtimin nga që mpreh aftësinë që t’i shohësh sendet dhe fenomenet jo vetëm nga një pikëpamje e ngushtë, jo vetëm nga pikëpamja jonë; kishte dhe virtutin e shijes, rreptësinë për të qenë një personalitet i ngulët, por me dashuri të padallimtë e të pakufizuar për gjithçka që është e bukur dhe me vlerë.

Kështu, i pajisur me shumë njohuri dhe me shumë talente, mbi të gjitha me dy virtytet që vumë në spikamë më sipër, ky njeri ka prodhuar kulturë, ka sjellë cilësi të reja ndër arbëreshët dhe për krejt atë që e quajmë botë shqiptare.

I mëshuam pak anës personale të “sjelljes” së tij intelektuale për dy arsye. Së pari, për t’ia dalë tej asaj që nuk ishte vetëm mik i Koliqit, po edhe i shumë studiusëve dhe profesorëve shqiptarë marksistë ose jo të tillë.

I lidhnin punët pastaj dhe shijimi nazik i verës dhe i të ngrënave tradicionale arbëreshe: Koliqit sa herë që i binte në kokë për verë të mirë, të kuqe, ia behte te Solanua; Çabeut nga kjo verë i përskuqeshin lehtësisht mollëzat paksa të dala të faqeve, dhe së dyti, asaj tjetrës, që ky “zot” u dekorua nga stalinistët tanë, ndërkohë që, po të jetonte në Shqipëri, do t’ia kishin thyer kërbishten diku andej nga këneta e Maliqit a e Hoxharës. Dushko Vetmo, siç thotë Konica për Gjeçovin, dinte të ishte një lartësi e përulur” – do të shktuante për poetin arbëresh, Sadik Bejko.

Francesco Solano, është një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ai ishte poet, studiues i letërsisë dhe i folklorit arbëresh, prozator, fletorar dhe profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë. Ishte poliglot, pasi zotëronte në mënyrë të shkëlqyer 8 gjuhë të huaja.

Veprimtaria e tij studimore dhe ajo krijuese, janë një thesar që e pasuron botën arbëreshe, duke e integruar atë në lëmin e emrave dhe kontributorëve të asaj shqiptarie, e cila sfidoi dhe triumfoi me vepër dhe me vlera.

Përgatiti: Albert Vataj

Burimi origjinal:

“Histori e letërsisë shqiptare” nga Robert Elsie, F.568-570

http://redaktori.net/dushko-vetmo-i-arberise-poeti-dhe…/

Foto: konica.al

May be an image of 1 person

Filed Under: Politike

Dom Nikollë Kaçorri, kleriku i shenjtë që luftoi me pushkë e penë për Pavarësinë, figura e dytë pas Ismail Qemalit

November 18, 2023 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Pavarësia dhe bashkimi i të gjitha tokave shqiptare, si pasojë e kryengritjeve në vitet 1910-1912, kundër pushtimit osman 5 shekullor, ishte një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme dhe më tronditëse për okupatorin, që do ta bënte të njohur çështjen shqiptare edhe në arenën ndërkombëtare. Përpjekjet e ideologëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare, për të bashkuar 4 vilajetet shqiptare dhe për të ndriçuar rrugën e kombit drejt një të ardhme të paqtë e të sigurt, ishte një hap gjigand për t’i dëshmuar Fuqive të Mëdha aftësinë dhe zgjuarsinë e popullit shqiptar për t’u vetëqeverisur, në çdo aspekt të jetës politiko-sociale-ekonomike. Ishin pikërisht kryengritjet e viteve 1910-1912, që me mobilizimin, organizimin dhe platformën e tyre politike tronditën sundimin osman në Ballkan dhe në Europë. Shumë trima shqiptarë rrëmbyen armët duke i dhënë jehonë të madhe kryengritjeve, të cilat u shtrinë në të gjitha viset, ndërsa nga ana tjetër, ishte diaspora dhe shtypi që dhanë një ndihmë të madhe për çështjen shqiptare, në të gjitha kancelaritë më të rëndësishme të asaj kohe.

Ideologët e kohës kanë zhvilluar Lëvizjen Kulturore Mbarëkombëtare, e cila kishte për qëllim pikërisht çlirimin e vendit dhe zhvillimin politik, ekonomik dhe social të tij. Kjo lëvizje u zhvillua me kontribut të personaliteteve të shquara dhe luftës së popullit shqiptar. Duhet theksuar se përpjekjet për pavarësi ishin një proces emancipimi i të gjitha lëvizjeve që ndodhën në Europë dhe në Ballkan, kundër pushtuesve osmanë. Në vitin 1887, territoret shqiptare njiheshin si terrritore turke, ndërsa ishte Lidhja Kombëtare Shqiptare e Prizrenit që bëri të kuptojnë shtetet e huaja, se këto janë territore shqiptare, duke i hapur rrugë Pavarësisë së Shqipërisë. Ismail Qemali, babai i kombit, politikan dhe diplomat me eksperiencë, në shtator të 1912, nisi përpjekjet me Portën e Lartë, në Stamboll, duke kërkuar autonominë, për t’u mbrojtur nga fqinjët. Më pas, ai hyri në bisediime me përfaqësues të Vjenës, Italisë, Gjermanisë, duke siguruar mbështetje ndërkombëtare. Austro-Hungaria dhe Italia e kanë mbështetur të parat pavarësinë.

Ismail Qemali nuk ishte i vetëm në arritjen e pavarësisë; kjo ishte një rrugë tepër e vështirë që kërkonte mbështetje, organizim dhe bashkim të të gjithë shqiptarëve për një qëllim të përbashkët. Një ndër figurat atdhetare dhe nga më të ndriturat të kombit, i cili ka dhënë një kontribut shumë të vyer për çështjen shqiptare edhe në arenën ndërkombëtare, ishte Dom Nikollë Kaçori, figura e dytë pas Ismail Qemalit. Kleriku i shenjtë nuk përmendet shumë në përpjekjet për arritjen e pavarësisë, edhe pse ai ka qenë një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, ka luftuar me pushkë dhe me misionin e tij të shenjtë fetar për një Shqipëri të lirë, dhe gjithashtu e ka bërë të njohur çështjen shqiptare edhe në botë. Është një figurë shumë e rëndësishme që duhet t’i japim nderin dhe vendin që i takon për të gjitha përpjekjet mobilizuese, organizative, si personalitet mjaft i shquar dhe me peshë pas Ismail Qemalit.

Nikollë Kaçori ishte një meshtar që përpos shërbimit shpirtëror, krehu dhe shërbimin e shenjtë atdhetar. Imzot Kaçorri ishte politikan, klerik i njohur, dhe zëvëndës Kryeministër i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit. Ai lindi në fshatin Krejë, Lurë në vitin 1862. Arkipeshkvi i Durrësit në atë kohë, imzot Ambrozio, e bëri meshtar, pasi pa te ai një fëmijë të zgjuar dhe shumë energjik. Kështu, për kontributin e madh fetar, Papa i asaj kohe e nderoi me “Kryqin e artë”, “Për Kishë dhe Papë”. Ai u angazhua në organizimin e shoqërive patriotike “Vllaznia”, “Bashkimi” Durrës (1907 -1909), dhe mori pjesë në përpjekjet për pavarësi, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare. Nikollë Kaçori propagandoi që në mesha duhet të predikohet gjuha shqipe, dhe jo ajo arabe e turke nga klerikët muslimanë dhe greke, nga klerikët ortodoksë. Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 Nëntor 1912. Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë, por për shkak të trazirave që vinin nga fqinjët, u zgjodh Vlora.

Më pas, imzot Nikollëë Kaçorri emigroi në Austri, ku qëndroi tri vjet në Vjenë derisa vdiq me 29 maj 1917, nga një sëmundje e pashërueshme e mushkërive. Pas disa muajve, vdiq në sanatoriumin Würth, më 29 maj 1917. Ai kërkoi mbështetje te perandori austriak për çështjen shqiptare. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917, në Zentralfriedhof. Në varrim morën pjesë disa personalitete si komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt një meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë. Varri i Dom Nikollë Kaçorrit gjendet në “Central Cementery”, nuk ka asnjë shenjë guri, apo pllake, për shkak se në të gjendet aktualisht një pemë shumëvjeçare. Me dekret të 28 janarit 1916, Franc Jozefi – perandori i Austro-Hungarisë dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhërit të Franc Jozefit. Nikollë Kaçori mbetet një nga figurat dhe personazhet më të vyera të aktit të pavarësisë, një nga simbolet e lirisë dhe atdhetarisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 123
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT