• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

28 NËNTORI 2023 – FJALËT E ARTA TË LUIGJ GURAKUQIT TEPËR AKTUALE — SIDOMOS NË KËTË PËRVJETOR TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË!

November 17, 2023 by s p

 Nga Frank Shkreli/

 “Për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.” Luigj Gurakuqi

Ndërsa po bëhen përgatitje dhe ndërkohë që po mbushet kalendari i veprimtarive për të nderuar figura të shquara historike të Kombit shqiptar me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të kujtojmë Luigj Gurakuqin, bashkountorin më të ngushtë të Ismail Qemalit, njëri prej figurave më të mëdha të gjitha kohërave të Kombit shqiptar, për të cilin Stefanaq Pollo ka shkruar se, ”Nuk ka ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore, në këtë çerek-shekulli, ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij”, ka shkruar ai për Gurakuqin.   Figura e Luigj Gurakuqit, sipas Stefanaq Pollos, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, “po të kemi parasyshë armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirsitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër Atdheut, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij, në çdo hap.”

Megjithëse gjatë viteve e dekadave është shkruar shumë për kontributet e mëdha të Luigj Gurakuqit, jo vetëm si një prej figurave udhëheqse politike më të shquara të Kombit, por edhe si poet, shkrimtar, linguist e mësues.   Ernest Koliqi, i cili në vitin 1924 në Tiranë ka shërbyer si sekretar privat i Luigj Gurakuqit, në një artikull shkruar në vitin 1965 në revistën e tij ”Shëjzat”, në kujtim të tij — pasi e kishte njohur nga afër — nenvijon për lexuesin fuqinë frymëzuese dhe tërheqse të Gurakuqit nga të gjitha shtresat e shqiptarëve, pa dallim: ”S’kam pa ndër Shqiptarë…nji tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aqë të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi.  Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabeta dhe eksponenta të intelektualizmit, arbëreshë, të huej që interesoheshin për Shqipëni, qinda e qinda vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi… besojshin në përpjekjet e tij të çdo lloji…”.

Në artikullin e tij përkujtimor me rastin e dyzet vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakquit, Ernest Koliqi, si bashkpuntor i ngushtë dhe sekretar privat i kësaj figure të madhe të Kombit shqiptar, shkruante, ndër të tjera, se Luigj Gurakuqit — i Madhi Zot i kishte falur aftësi e zotësi si rrallë ndonjë njeriu tjetër — por sipas Koliqit,  vetia që e dalllonte Gurakuqin nga të tjerët e kohës së tij,  ”Ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi gjindën me mendësi, prirje, rritje në kundërshtim.  Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora të rij plot hov modernizues, anëtarë klerike të ndryshme, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rij rrymash të ndryshme.   Mbretnonte harmonia aty ku Ai qindronte”, ka kujtuar Koliqi.

Luigj Gurakuqi e konsideronte detyrën e deputetit si të rëndë e me përgjegjësi të madhe, të një rëndësie kombëtare dhe si detyrë e shënjtë që ia kishte besuar populli.  Mbi rolin e Luigj Gurakuqit në Kuvendin shqiptar, Koliqi sjell kujtimet e tija duke nënvijuar se ndërsa, “Në parlamentin shqiptar kumbojshin zane si ato të Fan Nolit, Ali Klisurës, Stavro Vinjaut e Bahri Omarit, të dënja me jehue në Dhomën e Komuneve (të Anglisë), Gurakuqi, kryetar i njoftun i opozitës, kundërshtonte me maturi:  bashkë me kolegët që përmenda, përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të forte, por jo fyese, ndërtuese, jo rrënuese…’’, pohonte Ernest Koliqi, bashkpuntor i ngusht i Luigj Gurakuqit.

Roli patriotik, ndërtues dhe bashkpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë, njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe. Një prej tyre, Mihal Grameno i shkruante atij me 24 Korrik 1919 se, “Shqiptarët kanë simpati dhe besim tek juve.’’  Ndërsa më 15 Tetor, 1919, Pandeli Cale i shkruan Gurakuqit, duke pasqyruar në këtë mënyrë, besimin e tij të plotë në veprimtarinë patriotike të tij në interes të Shqipërisë dhe Kombit, ndërsa i shkruante Gurakuqit me një vendosmëri bindëse se, “Kini në dorë fatin e Shqipërisë…bëni detyrën patriotike si ju thotë ndërgjegja’’.

Megjithëse fjalët e të tjerëve për Gurakuqin dhe veprimtarinë e tij në interes të Kombit, hedhin dritë mbi këtë figurë të madhe të shqiptarisë — janë fjalët e tija ato që, në të vërtetë, pasqyrojnë vlerat dhe idealet e larta njerëzore të këtij patrioti dhe njeriu të madh të Kombit shqiptar e të cilat sikur dëgjohen edhe sot – e sdiomos sot — si tepër aktuale, nëse marrim parasysh zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar me 21 Janar 1924, i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime politike, shoqërore dhe ekonomike në vend, Gurakuqi iu drejtua anëtarve të Kuvendit të Shqipërisë, në atë kohë, duke thënë se si përfaqsues të popullit, “Populli na ka tregue edhe udhën që duhet të ndjekim.  Populli na thotë:  Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam, bani ligjet themelore që të mund të rroj i lirë dhe i lumtur, si shqiptar.’’

Në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, fjalët e tija tingëllojnë largpamse e bujare dhe si të tilla duhet të shërbejnë sot dhe në të ardhmen, për të mbajtur gjallë kujtimin e veprës së tij të madhe — në dobi të interesave kombëtare të shqiptarëve.  Po të ishte gjallë në këtë 111-vjetor të Pavarësisë, Luigj Gurakuqi do të këshillonte kështu klasën aktuale politike të shqiptarëve, aq zhgënjyese për shumicën e shqiptarëve — të cilët si rrjedhim i politikave aktuale dhe konflikteve politike të vazhdueshme midis tyre – kanë vendosur të largohen masivisht nga Atdheu. Në këtë 111-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk është vonë që të dëgjoni mirë fjalët e Luigj Gurakuqit (më 1913) në këtë “ditë të bardhë” të Pavarësisë të 28 Nëntorit, 2023.

”..,Nuk ashtë sot dita të përmendim nepër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtoj se ne këtë ditë fatbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shënjta të Kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqiptarëvet të lidhen, të bashkohen, të bahen një.  Duke kujtuar e duke kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që i dhamë shoqishoqit vitin që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziqet e tmerëshme, që i vareshin Atdheut përmbi krye, e shpëtimin tonë të çuditshëm, t’a forcojmë dashuninë e vëllezëninë e t’i japim dorën njëni tjatrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar mvehtësinë e Shqipënisë sonë të dashun”.

“Ta dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësiën tonë; u shtojnë rreziqet vëllëzënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë.”   (Marrë nga Luigj Gurakuqi: ”Mvehtësia e Shqipënisë”, 1913).

Ndërkaq, në një artikull që Gurakuqi kishte shkruar në Paris në prag të 28 Nëntorit 1919 e në të cilin duket se ai i bën thirrje pikëspari vetvetes por, njëkohsisht, edhe bashkombasve të tij, që të reflektojnë.  Kjo është edhe një thirrje e sinqertë vëllazërore, nga ana e tij, që interesat dhe fatet e Atdheut të jenë mbi të gjitha, një thirrje që, çuditërisht, është gjithnjë aktuale, një shekull më vonë, gjë që tregon se kjo klasë politike sot nuk ka mësuar asgjë nga historia. Porosia sot e Luigj Gurakuqit për klasën aktuale shqiptare në Tiranë e Prishtinë dhe kudo, është: “Mblidhni mendjen!”.  Ai shkruante:

”E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë.  Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi, me të vërtetë, për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Vet Luigj Gurakuqi, kishte shkruar se, “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndiesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhejvet të vet.’’

Luigj Gurakuqi ishte dhe mbetet një ndër më të Mëdhejtë e Kombit shqiptar. Fjalët e Luigj Gurakuqit flasin vet, jo vetëm për periudhën që ai jetoi, por mund dhe duhet të shërbejnë si një fuqi frymëzuese për të gjithë shqiptarët kudo – e sidomos për ata që janë sot në krye të Kombit shqiptar — në këtë 111-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë – festës mbarë kombëtare për të gjithë shqiptarët kudo dhe pa dallim, që të punojnë, për “të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Frank Shkreli

Foto: wikipedia.org

Luigj Gurakuqi (1879-1925):     

“T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi, me të vërtetë, për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Filed Under: Politike

FEDERATA VATRA EMËRON DR.PASHKO R. CAMAJ SEKRETAR TË VATRËS

November 15, 2023 by s p

New York, 15 Nëntor 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA emëron Dr.Pashko R. Camaj në detyrën e Sekretarit të Vatrës. Dr.Camaj ka mbrojtur gradën shkencore Doktor në Shëndet Publik në Columbia University në vitin 2013 me temë disertacioni: “Pasojat afatgjata të ekspozimit mjedisor ndaj plumbit në Kosovë: efektet e ekspozimit të plumbit para dhe pas lindjes si dhe në moshën e fëmijërisë.”

Dr. Camaj është pjesë e Federatës Vatra që prej vitit 2011 duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në Vatër dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr.Camaj më herët ka mbajtur në Vatër pozicione të larta drejtuese si: Nënkryetar, Shef Kabineti, Drejtor i Fondit të Studentëve, Anëtar Kryesie etj. Gjatë gati katër dekadave veprimtari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dr.Camaj është shquar si veprimtar dhe aktivist i angazhuar në dobi të çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar.

Dr. Pashko R. Camaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Titullin e Lartë: “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacion: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e spikatur në organizinim e diasporës sonë në SHBA; për forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane; lartësimin e imazhit të popullit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Filed Under: Politike

SHQIPTARËT – KOMB I ALFABETIT

November 14, 2023 by s p

Duke qenë të ndarë në përkatësi të ndryshme fetare, dialektore e krahinore, në mungesë të një njësie politike që do t’i bashkonte, u bë pikërisht alfabeti dhe gjuha indi lidhor i këtij kombi që po lindte.

Nga Skender ASANI

Kur jemi mbledhur sot, në hapjen e manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e alfabetit”, që tradicionalisht, çdo vit, organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, nuk mund të mos e shpreh ngazëllimin tim që ky edicion sivjet po hapet në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që paraqet një mirënjohje jo vetëm për neve si institut që e organizon këtë ngjarje, por njëherazi është edhe nderimi më i lartë që i bën kjo qeveri kulturës shqiptare dhe, në përgjithësi, angazhimit shkencor albanologjik në vendin tonë.

Të nderuar të pranishëm, duke qenë në hapje të këtij edicioni, gjithnjë e kam në mendje çastin se 14 nëntori i vitit 1908 ishte një ditë e ftohtë vjeshte në Manastir, siç përshkruhet në literaturë, por ajo ishte edhe një ditë kur kombi ynë mori përpjetën dhe të mbarën pranverore. Para 115 vjetëve rilindësit tanë më të mirë u mblodhën aty dhe punuan për një javë rresht për ta dakorduar një alfabet me të cilin do të shkruhej gjuha shqipe. Dhe, kur ta mendosh se Fishta, Mjeda, Shahin Kolonja e Mithat Frashëri po i përgjigjeshin ftesës së Gjergj Qiriazit për të vajtur në Manastir për ta bërë alfabetin, të bën të mendosh se ata mund të mos e kenë ditur as vetë se në fakt ashtu po niseshin drejt rrugës së dizajnimit të kombit. Krijimi i alfabetit të gjuhës shqipe nuk ishte vetëm një ngjarje teknike e temës së grafisë, me të cilën do të shkruhej shqipja, por ishte më shumë se kaq. Në atë kongres u vendosën kornizat e orientimit kulturor të shqiptarëve. Duke dalë nga një perandori orientale, shqiptarët – përmes këtij kongresi – po e përvijonin të ardhmen e tyre oksidentale. Dhe, këtë nuk e themi vetëm për shkak të kontekstit të sotëm, por ne e dimë mirëfilli se ndër sponsorizuesit më të mëdhenj të këtij alfabeti që e kemi sot ishin pikërisht shoqëritë biblike angleze, amerikane si dhe vet qeveria austrohungareze, që duke e frymëzuar familjen Qiriazi të Manastirit, po e projektonin edhe identitetin e kombit shqiptar.

Andaj, në frymë të aktualitetit tonë shoqëror, ashtu siç dikur i pranuam këshillat e aleatëve tanë perëndimorë për alfabetin e për gjuhën, shqiptarët edhe sot e dinë mirëfilli se kjo aleancë nuk ka pushuar. Janë miqtë tanë amerikanë dhe, në përgjithësi, perëndimorë, që na ftojmë që këtë përpjekje ta kurorëzojmë në këtë kohë, duke e hapur rrugën për integrimin europian, kur edhe këta kufij politikë do të bëhen të parëndësishëm dhe të pavërejtshëm.

E derisa jemi te tema e identitetit tonë kombëtar, duke e lidhur drejtpërdrejt me alfabetin dhe gjuhën shqipe, sot nuk është kurrfarë zbulimi kur themi se shqiptarët janë komb gjuhësor ose, shprehur në kontekstin e ditës së sotme, janë komb alfabetik. Duke qenë të ndarë në përkatësi të ndryshme fetare, dialektore e krahinore, në mungesë të një njësie politike që do t’i bashkonte, u bë pikërisht alfabeti dhe gjuha indi lidhor i këtij kombi që po lindte. Thënë ndryshe, shqiptarët me këtë alfabet nuk e shkruan vetëm gjuhën e tyre, por e shkruan edhe identitetin e tyre etnik.

Prandaj, sa herë që vjen nëntori i alfabetit, nuk mund të mos e pohojmë se për identitetin shqiptar janë tri pika si ngjarje dhe tri qytete si strumbullarë të ndërtimit të identitetit tonë. Është Prizreni i Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, kur për herë të parë lindi ideja e një kombi shqiptar dhe e një njësie politike shqiptare, është Manastiri i Kongresit të Alfabetit, kur ekzistenca e këtij kombi u garantua përmes shkrimit dhe gjuhës dhe është Vlora e Flamurit, kur ky komb ia doli të mëvetësohet. Por, pa Lidhjen e Prizrenit e pa Manastirin e Alfabetit sigurisht nuk do të ndodhte as Vlora. Kështu është krijuar trekëndëshi barabrinjës i kombit tonë.

Së këndejmi, nëse në Kosovë madhërohet Lidhja e Prizrenit e në Shqipëri Dita e Flamurit, ne në Maqedoninë e Veriut i kemi “Ditët e alfabetit”, përmes të cilave e dëshmojmë jo vetëm praninë, por edhe peshën, meritën dhe rëndësinë që ka areali ynë shqiptar në raport me historinë e ndërtimit të kombit.

Të dashur të pranishëm, po e përfundoj fjalën time duke i shpallur të hapura “Ditët e alfabetit”, me ç’rast do të ketë një varg aktivitetesh shkencore, promovime, takime mes studiuesve dhe këmbim të ideve e të literaturës, në mënyrë që 22 nëntori të jetë jo vetëm festa e alfabetit, as vetëm festa e përfundimit të manifestimit “Ditët e alfabetit”, por të jetë edhe një kremte kur ne do të jemi të bindur se edhe në këtë 115-vjetor i kemi përsëritur dhe i kemi përvetësuar leksikonet e etërve të kombit tonë se janë shkronjat, është gjuha, është arsimi dhe është kultura ajo që, siç thoshte rilindësi ynë i madh Naim Frashëri, “përpara do të na shpjerë”.

Unë e falënderoj qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e vazhdueshme, i falënderoj tre akademitë e shkencave dhe institucioneve të tjera shkencore e kulturore, që janë bërë bashkëpjesëmarrësve në këtë manifestim, dhe i uroj punë të mbarë edicionit të sivjetmë “Ditët e alfabetit”.

(Fjalë rasti në hapjen solemne të manifestimit “Ditët e Alfabetit)

Shkup, 14 nëntor 2023

Filed Under: Politike

Unioni i Gazetarëve ndan çmimet e vitit 2023 për gazetarët shqiptarë

November 13, 2023 by s p

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ndan, në Tiranë, çmimet vjetore për gazetarët. Në ceremoninë tradicionale morën pjesë gazetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.

Veprimtaria e zhvilluar në mjediset e Hotel Tirana International, në prezencën e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij, zotit Bajram Begaj, përkrahur nga JTI, shënoi edicionin e 15 të ndarjes së çmimeve të konkursit “Vangjush Gambeta” për gazetarinë ekonomike si dhe të tjerë të rëndësishëm për gazetarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Duke iu drejtuar të pranishmëve Presidenti Begaj vlerësoi lart kontributin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe gazetarëve në përgjithësi duke theksuar se ata janë duke bërë një punë shumë të rëndësishme shoqërore dhe se në shumë raste me shkrimet e veta analitike dhe hulumtuese janë duke kontribuar në informimin e opinionit për problemet dhe keqpërdorimet me të cilat po ballafaqohen shoqëritë tona. Presidenti e konsideroi rolin e gazetarëve njëjtë me atë të mjekëve të cilët kujdesen për shëndetin e individëve të shoqërisë, ndërsa gazetarët për informimin e opinionit publik.

Duke u drejtuar të pranishmëve drejtori i JTI për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, Sazan Alija, vlerësoi lart punën dhe angazhimin e gazetarisë ekonomike dhe theksoi “se puna juaj është thelbësore në rritjen e transparencës së institucioneve shtetërore si dhe në krijimin e një konkurrence të ndershme për bizneset, në veçanti lidhur me “fiskalizimin” ose përpjekjet që bën shteti kundër evazionit fiskal në ekonomi”.

Ai theksoi se fiskalizimi” ashtu si dhe stabiliteti e parashikueshmëria e politikave të taksave përbëjnë një pjesë jetësore për sundimin e ligjit në ekonomi. Po kështu, vazhdoi ai këto sigurojnë të ardhurat bazë për buxhetin e shtetit, i mundësojnë investimet publike dhe shërbimet normale për pensionet, sigurimet dhe pagat e milionave qytetarëve.

Alija theksoi se përveç përkrahjes së çmimeve Vangjush Gambeta, JTI ka mbështetur veçanërisht gazetarinë ekonomike duke përkrahur dhe mundësuar pjesëmarrjen e tyre në Kongresin e Gazetarisë në Vjenë, Samiti i ministrave të financave, guvernatorëve të bankave qendrore dhe administratave tatimore në Malin e Zi dhe ngjarjet tjera, me një qëllim qartë – të rriten praktikat rajonale për mirë qeverisje, sundim të ligjit dhe ekonomi tregu të lirë.

Me këtë rast kryetari i UGSH Aleksander Çipa i ndau mirënjohje JTI partnerit tradicional i cili për 15 vite ka mundësuar konkursin për çmimet “Vangjush Gambeta”.

“ Përmes bashkëpunimit dhe partneritetit të JTI me UGSH është bërë i mundur inkurajimi për raportim cilësor dhe të thelluar në hapësirën mediatike shqiptare për çështje të ekonomisë”, thuhet në mirënjohjen e UGSH për JTI.

Kryetari i UGSH, Aleksander Çipa theksoi se duke i falënderuar JTI për të 15 herë janë duke u ndarë çmimet “Vangjush Gambeta” dhe se gjatë viteve në konkursin për çmime marrin pjesë edhe gazetarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriu.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka ndarë dy çmimet e rëndësishme “Karriera” të cilat i kanë fituar: Elez Biberaj, drejtues i VOA dhe ish drejtues i programit shqip të Zërit të Amerikës dhe Augustin Palokaj, korrespondent i Grupit Koha nga Brukseli.

Emocione të veçanta shkaktoi mesazhi që Dr. Elez Biberaj i drejtonte UGSH me rastin e vlerësimit të tij me çmimin ” Karriera”.

Çmimet e konkursit “Vangjush Gambeta “2023 i kanë fituar: Entela Bajramaj- Televizion-Shqipëri, Julian Hoxhaj, shtypin e shkruar/online, Zenel Miftari, Maqedoni e Veriut dhe Sanije Jusufi nga Grupi Koha.

Çmimi “Reporter i Vitit”i është ndarë për gazetarin Osman Stafa, çmimi “Raportimi më i mirë i Vitit” për gazetarin Thimi Samarxhiu dhe çmimi “Ismet Bellova” për gazetarinë sportive post mortum iu nda gazetarit të Radio Kosovës Milaim Krasniqi.

Ceremonia u moderua nga gazetarja Alketa Gashi Fazlliu e RTK, Prishtinë,

dhe Sebastian Zonja i MCN, Tiranë.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

+8

Filed Under: Politike

Aktivitete të shumta kulturore dhe shkencore në “Ditët e Alfabetit” – 2023

November 13, 2023 by s p

Prej të martën më 14 nëntor, e deri më 22 nëntor 2023, do të zhvillohet edicioni i pestë i manifestimit “Ditët e Alfabetit”, me një program të pasur kulturor dhe shkencor, për nder të 115-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 16-vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Ky aktivitet tradicional organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me institucionet relevante akademike shkencore nga vendi dhe rajoni, dhe me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Në programin e sivjetmë, për çdo ditë, duke filluar nga ora 10:00 e paradites, do të ketë paraqitje të institucioneve më larta shkencore dhe akademike nga vendi dhe rajoni.

Kështu, më 14 nëntor, në sallën solemne të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, do të bëhet hapja e manifestimit, me pjesëmarrjen e kryetarëve të tri akademive të shkencave dhe arteve (e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë), si dhe do të promovohet botimi i veçantë “Ditët e Alfabetit” nr. 4 nga edicioni i kaluar.

Më 15 nëntor, në sallë e Ohrit në ndërtesën e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Shkup, do të prezantohet Instituti i Historisë “Ali Hadri” nga Prishtina, me temën kyçe “Arkeologjia, letërsia dhe shtetndërtimi – portret i akademik Edi Shukriut”.

Më 16 nëntor, në sallën W.Wilson në ITSHKSH – Shkup, do të prezantohet Akademia e Shkencave dhe Arteve e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me botimet e saja akademike shqip – maqedonisht – anglisht.

Më 17 nëntor, në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Shkup do të prezantohet Instituti Albanologjik i Prishtinës, me temën “Institucionalizimi i studimeve shqiptare – 70 vjet të institutit albanologjik”.

Më 18 nëntor, në ITSHKSH – Shkup do të përurohet libri “Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”, si botimi më i ri shkencor i ITSHKSH-së.

Më 20 nëntor, prapë në ITSHKSH – Shkup, do të prezantohet Akademia e Shkencave e Shqipërisë nga Tirana, me tre projektet madhore në albanologji (Historia e shqiptarëve, Fjalori i madh i shqipes dhe Enciklopedia shqiptare).

Më 21 nëntor, në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Shkup, do të prezantohet Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit Shqiptar nga Tirana, me përurimin e katër botimeve të reja arkivale dhe ekspozitën ‘Gjuha shqipe – nga alfabeti në drejtshkrim’.

Dhe, më 22 nëntor 2023 (e mërkurë), kur shënohet Dita e Alfebetit të Gjuhës Shqipe si festë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, do të zhvillohen disa aktivitete. Kështu, prej ora 10:00 në ITSHKSH – Shkup do të shënohet përvjetori i Kongresit të Manastirit dhe i themelimit të Institutit, si dhe do të përurohet pulla postare me figurat e Motrave Qiriazi (në bashkëpunim me Filatelinë e Postës së Maqedonisë së Veriut). Prej ora 14:00, në Filhamoninë e Maqedonisë së Veriut në Shkup, do të mbahet manifestimi qendror me Akademinë solemne. Në mbërmje ngjarjet do të zhvendosen në Manastir, ku prej ora 18:00 në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të hapet ekspozita me dokumente dhe fotografi “Qiriazët- themeltarët e arsimit kombëtar” (në bashkëpunim me Kolegjin Universitar “Qiriazi” – Tiranë), si dhe do të bëhet përurimi i Departamentit “Qiriazët” në kuadër të ITSHKSH-së në Manastir. Dhe krejt në fund, prej ora 19:00, në Shtëpinë e Kulturës në Manastir, do të jepet koncerti festiv nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT