• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vatra, lutje e përshpirtshmëri për shqiptaro-amerikanët që humbën jetën gjatë sulmit terrorist më 11 shtator 2001

September 11, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, gazeta “Dielli” mbarë vatranët e shqiptaro-amerikanët përkujtojnë me lutje, nderim e respekt bashkatdhetarët tanë Simon Dedvukaj, Rrok Camaj dhe Mon Gjonbalaj që humbën jetën tragjikisht në sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001. Në këtë ditë trishtimi e dhimbjeje, “Vatra” përkujton me përshpirtshmëri viktimat e familjet e tyre dhe lutet që shpirtrat e tyre të jetojnë përgjithmonë në mbretërinë e qiellit.

Vepra dhe sakrifica e tyre nuk do të harrohet kurrë dhe do të jetë një përkujtim i gjallë në jetën tonë. 24 vite më parë bota ndryshoi rrënjësisht. Terrori dhe e keqja sulmoi paqen, qytetërimin dhe lirinë. Çdo jetë e humbur përfaqësoi jo vetëm një shpirt, por një histori, një sakrificë, një ëndërr, një dëshirë, një liri, një dashuri.

E keqja do të mundet gjithmonë.

Amerika nuk do të gjunjëzohet kurrë.

Në lutje dhe pranë jush

Me respekt

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Politike

America will never forget

September 11, 2025 by s p

The White House /

On the 24th anniversary of 9/11, we honor the lives lost, the heroes who emerged, and the resilience of the American spirit.

America will never forget.

Filed Under: Politike

(ANTI)LIBRAT E ATYRE QË DËNONIN LIBRA DHE NJERËZ…NË POSTDIKATURË SIGURIMI I SHTETIT SI (ANTI)KUJTESË… 

September 10, 2025 by s p

Nga Visar Zhiti/

Pjesa e parë

PASI KUJTESA U LA E LIRË

Në vitet e pasdiktaturës kujtesa kolektive, ashtu e dëmtuar, u ndje pa pengesat e jashtme, më e lirë, më saktë e çpenguar deri dhe në kërcime pindarike, pra mund të punonte sipas vetes, po guxonte dhe po kuptonte traumat, pjesët e prishura gjatë diktaturës gjysmë shekullore, zbuloi skajimet deri në mashtrime, absurdin, ndërkaq gjithçka mbetej e trembur, e kërcënuar me një si sy qiklopik përsipër, vëzhgues i Sigurimit të Shtetit, arma kryesore e Partisë-shtet në një të dikurshme fare afër, sa duket dhe e tashme e pa ikur, me gjallë ende nga të persekutuarit dhe persekutorët bashkë.  . 

U pa dhe është pranuar si vlerë madhore që në këto vite ka patur një vërshim botimesh, vepra të kujtesës, memoaristikë, tek ato dua të ndal, që, bashkë me “Letërsinë tjetër”, sollën të vërtetat dhe moralin që u mungonin në letrat shqipe kur sundonte Realizmi Socialist, 

Memoaristika e vuajtjes dhe e qendresës e të përndjekurve, me emra persekutorësh, operativëve dhe spiunëve, kryetarë degësh, hetues, prokurorë e gjyqtarë, drejtorë burgjesh e komisarë, zv/ministra, ministra e kryeministër, deri te Komiteti Qendror e sekretari i parë, te diktatori e emra vendesh dënimi, burgje e kampe, Këneta e Vloçishtit, Burreli, aeroporti i Rinasit, Spaçi, Qafë Bari, Lezha, etj, Tepelena, Savra,  Shtyllas, etj, Shtëpia me gjethe e pa gjethe, etj, etj, tronditi fuqishëm ndërgjegjen e kohës. 

Natyrisht barrën e madhe të dëshmisë, të memoaristikës, do ta mbanin ata që erdhën vetë nga burgjet dhe internimet bashkë me libra të tyre, të shkruara fshehurazi, por dhe më pas, në kushte lirie. Disa s’erdhën dot se i vranë a vdiqën brenda telave me gjemba, po kështu janë zhdukur dhe dorëshkrime apo edhe përvetësuar. 

“Rrno vetëm për me tregue” – titulli i veprës monumentale të At’ Zef Pllumit, mund të jetë dhe logoja apo emblema e përbashkët e gjithë kësaj prurjeje, do të thosha, e memoaristikës së re shqiptare, ku bashkërenditen “Burgjet e mia” të Dom Zef Jubanit, “Çinarët” e At Konrad Gjolaj, etj, po janë dhe veprat e Prof. Arshi Pipës, përveç poezive të burgut, eseistika, kritika e tij, Lazër Radi po kështu, Musine Kokalari, Pjetër Arbnori me kujtimet dhe dorëshkrimet nga burgu, Fatos Lubonja me veprën e rëndësishme “Ridënimi”, ditarin dhe tregimet, Lek Pervizi, – përveç prozës dhe pikturat e tij nga internimet, po kështu dhe Maks Velo me pikturën dhe “Kohën antishenjë” dhe Lekë Tasi me “Grabianin rrëzë kodrave” dhe pikturën, Spartak Ngjela me trilogjinë “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, Zyhdi Morava e Bedri Blloshmi me dosjet dhe kujtimet nga burgu dhe familja e tij martire, kujtimet e Maks Rakipajt, “I mbijetuari”, Eugjen Merlika me kampin e Tepelenës, Dine Dine me “Varkën e Karontit”, Kaso Hoxha me “Tokë e bukur, kohë e shëmtuar”, etj, Drita Kosturi, Fatbardha Mulleti Saraçi, Bardha Gjon Markagjoni, e Tomor Aliko, etj, deri dhe të deputetëve demokratë Uran Butka dhe Pjetër Pepa, që sollën dëshmi dhe zbulime. Ndjesë që s’mund t’i përmend dot të gjithë, librat e tyre s’i lënë të mbërrijnë aq larg, pa mundur të shoh biblioteka e arkiva, por me kujtesë.

Më vjen mirë që në këtë univers të letrave solla dhe unë, përveç poezive të mia nga burgu dhe burgologjinë në dy libra “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, të shkruara pas burgut tim në Spaç e Qafë Bari.   

ISKK-ja, (Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit), me drejtorin guximtar, shkrimtarin Agron Tufa, që u detyrua të ikte, dhe tani me studiuesin Çelo Hoxha, na kanë dhënë, dëshmi, denoncim të së keqes, kujtesë kombëtare. Botimet e tyre mund të shkojnë në bibliotekat kryesore, por jo në librari dhe lexuesi që kërkon t’i ketë, s’ka ku i gjen, sepse, sipas ligjit, botimet e tyre nuk shiten. Pse kjo pengesë?! Që do të duhej të tejkalohej         

Edhe kjo lloj letërsie, jo ajo e mirëfillta letrare me poezitë, romanet e dramat, por kujtimet dhe dëshmitë, janë shkruar me kulturë, me bukuri në rrëfim dhe në gjuhë, me besueshmëri e dhimbje, me vërtetësi dhe drejtësi, me mëshirë dhe falje, ku përvoja e vuajtjes është shndërruar në vlerë dhe kujtesë kombëtare. Lexohen me drithërimë, por dhe si letërsi e mirëfilltë.

Dhe sa shumë emra shkrimtarësh duhet të vihen në hyrjet e burgjeve të diktaturës, që duheshin të ishin muzeume e jo të shkatërroheshin bashkë me kujtesën kolektive. 

Gjithë atë katrahurë në jetën e letrave shqipe e bëri diktatura, Partia që ishte në pushtet me Sigurimin e Shtetit, që ishin një e të pandarë, natyrisht dhe me institucione të tjera të diktaturës, përfshirë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Realizmin Socialist të tyre.

Ndërkaq sot është shfaquar dhe një si dukuri tjetër, pak si tinëz dhe e kundërt. Edhe pse rrallë, por po dalin si autorë dhe nga ata që dënonin dhe fusnin njerëz nëpër burgje. Jo si autorë të atye akteve, por librash. Kjo s’është ndonjë çudi, e drejta e tyre si e kujdo për të botuar, mjaton të kenë për të thënë, se dhe ata që ndalonin librat, nuk i ndalojnë dot më. As vetveten. Aq më mire po të rrëfenin të vërtetat, punët e nëndheshme dhe urdhëruesit lart, falsifikimet, torturat, dëshmitarët e rremë, përndjekjet dhe zhdukjet, etj, etj.  

DUKE SHFLETUR ANTILIBRA

Që në Shqipërinë tonë në postdiktaturë apo në postenverizëm të dilnin libra për diktaturën dhe Enverin, s’do të ishte e papritur, por nga ata që drejtuan në diktaturë me Enverin në krye, që ushtruan dhunën si zeje të tyre, që dëmtuan rëndë vendin dhe jetët njerëzore dhe të mos e ndjejnë krimin dhe fajin, të mos e tregojnë si të tillë e të mos kenë pendim dhe as kërkesë faljeje, kjo jo vetëm që është befasi, por dhe turp dhe vazhdim i krimit, sipas meje.

Mbrojtja më e mirë është sulmi, mësonte Stalini i tyre.

Pas kolanës së veprave të Enver Hoxhës, kështu i quanin: “vepra” dhe s’kishin të mbaruar, fjalime e raporte të rëndomta, telegrame e urdhëra pa rendësi, kundërurdhra, porosi, kundërporosi, dialogë të përmirësuar, grafomani, do të thosha, pa filozofi, madje mediokritet vrastar, dokumenta të cunguara a të falsifikuara, memoaristikë, ku lexuesi i vëmedshëm dhe i specializuar mund të gjente dhe stilin se cili shkrimtar i Realizmit Socialist do t’i kishte punuar ato, kujtimet e Enverit, ku habitshëm në çdo ribotim hiqeshin ata emra apo nxiheshin në fotografitë ilustruese ato fytyra që do të shpalleshin armiq dhe tradhtarë, mbi të cilët skuadrat e pushkatimit do të derdhnin breshëritë e plumbave dhe mediat bashkjë me popullin breshëritë e sharjeve. . 

Do të vijohej me botime të zëvendësit të diktatorit, Ramiz Alia, “Enveri ynë” do të thoshte ai, natyrisht i tyre dhe sipas atij në diktaturë ishte tepruar disi me luftën e klasave dhe me pushkatimet me gjyqe e pa gjyqe, por Shqipëria kishte ecur para, ku, në varfëri? Duke mbrojtur Enverin, duke e vënë ata para si mur, Ramiz Alia mbronte veten si vazhdues.

Vejusha e diktatorit Nexhmie Hoxha do të shkruanin “Jetën me Enverin”, një romantizëm gjakatar dhe çudi për t’u çuditur, kur ajo thotë në një intervistë se kryeministri i atëhershëm vrau veten me qëllim që të mërziste Enverin, – material për psikoanalistë a psikiatrin, kur atë akt e gjykojnë si vrasje politike, por dhe si larje hesapesh mes banditëve. 

Do të shkruanin dhe kryeroja i diktatorit, Sulo Gradeci, se sa i dashur ishte Enveri me ushtarët e gardës dhe me degët e pemëve, teksa pritej më shumë nga mjeku i tij, Isuf Kalo, ku ai nuk doli dot përtej Bllokut, ku shihte parajsën, po edhe ferrin aty, çudi, jo ku ferri ishte vërtet, aq sa memoauristika e tij m’u duk, – madje ia thashë, – si e shkruar për t’i pëlqyer vejushës së diktatorit.

Ka dhe të tjerë… Por a do të lejoheshin botime kësisoj në një vend normal? P.sh., në Gjermani a mund të shkruhej me nostalgji për Hitlerin? Apo në Rumani për Çausheskun? Vendet e Europës Lindore në ish perandorinë komuniste e kanë të ndaluar me ligj të bësh propapagandë për komunizmin. 

Në Shqipëri jo.

Ka të vërteta të përbashkëta si diktatura dhe mbyllja, krimet dhe përmbytjet, tërmetet, dramat, Realizmi Socialist, kooperativat dhe rrënimet, burgjet, pushkatime poetësh, plotonet, ku, sipas meje, bënin pjesë në rreshtin më pas dhe ata shkrimtarë që hartonin ekspertizat e atyre që do të pushkatoheshin, edhe ikjet janë të vërteta, kufijtë që duken dhe s’duken, mashtrimet, demokracia, librat e ndaluar dhe librat e rinj, etj, etj, por persekutimet nuk pritet të dëshmohen më mirë nga persekutorët, e vërteta tregohet nga të vërtetët.

TË KESH NDËR DUAR LIBRIN E ATIJ 

QË TË VURI PRANGAT NDËR DUAR PËR LIBRIN…

Ndodh të na bien në dorë, – mua krejt rastësisht, por ka që i kërkojnë, – botime nga a për Sigurimin e Shtetit, jo si dikur, libra të shkrimtarëve të tyre, që bëheshin dhe filma, dhe përktheheshin, dhe pëlqeshehsin nga lloji i ndjekësve të tyre, bashkëpunëtorët potencialë, por tani po dalin botime nga ata që s’pritej gjithsesi se mund t’ia dilnin të shkruanin, nga hetues, prokurorë e gjykatës, komandantë e drejtorë burgjesh të diktaturës, etj. 

Lanë pragat që i kishin për ne dhe moren kompjuterat. Të tyret apo tanët? Një konfiskim i pakuptuar… i pjesshëm, i padukshëm… Nejse, nga gishtat e tyre më duket se pikon ende gjaku i të tjerëve gjatë torturave në qelitë e nëndheshme.  Çudi si mbërrijnë dhe në SHBA këto lloj botimesh! – thashë, kur më dhanë të shikoja memoaristikën e një të Sigurimit të Shtetit të Enverit, me mbiemrin si ai, Hoxha, që kishte shërbyer si operativ fshatrave të Kukësit, ku dhe unë kisha qenë mësues, që sigurisht ai mblidhte denoncime të fshehta dhe nga mësues të tjerë dhe kundër meje, madje ai do të ishte që do t’më arrestonte. Më pas atë e shpërngulën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, seç e bënë drejtor, unë isha në burg atëhere. Ai do të vazhdonte të ishte në ministri edhe kur po binte diktatura, ndërkohë unë do të punoja gazetar i opozitës në “RD”. Ai do të vazhdonte dhe më vonë, drejtor atje, etj, etj. Jo se më ka interesuar, por i them këto për të treguar se i njoh ata si kundërshtar i tyre, si i dënuar i tyre, ua di aftësitë për keq, etj, etj. Dhe ata u morën me krijimtarinë time, më konfiskuan poezitë, ditarin, tregimet, – që i humba përgjithmonë (ndoshta ndonjë ditë dalin me emër tjetër, s’është çudi, ka ndodhur), pandaj po i jap të drejtën vetes t’ua kthej vëmendjen, jo për hakmarrje, janë botime për të gjithë, jo për punim të brendshëm, mund të gjykojë kushdo. Sa të vërteta sjellin dhe si? Ç’ka në botimin që kam ndër duar, të atij që më vuri prangat në këto duar? E ç’zbulon e ç’rrëfen? E shfletoj, Shih, bëma të Sigurimit të Shtetit në mbrotje të popullit nga armiqtë, kur armiku i popullit ishin ata vetë, – thashë me vete, – se si kishin zbuluar dhe kapur agjentë jugosllavë, grekë, atentatorë nga ato male ku ai ishte operativ, etj, jo se s’ka patur të tillë, por Sigurimi Shqiptar, sipas disa vështrimeve të tjera të studiuesve apo specialistëve në këtë fushe të minuar, nuk ka qenë i aftë t’i zbulojë e gjejë ata që ishin vërtet të shërbimeve të huaja të spiunazhit dhe në vend të tyre kanë kapur të tjerë, pa prova, me dyshimet se edhe mund të ishin, e pse të mos ishin? Dhe kështu realizonin planin e caktuar nga Partia për numrin e caktuar të armiqve, por dhe tmerronin popullin, etj, etj. Ndryshe pa terror si do të sundohej? Unë kam njohur në burg të dënuar si agjentë apo atentatorë në tentativë të udhëheqjes së lartë, të më lartit, fshatarë të gjorë nga Veriu e Jugu që dhe vetë habiteshin me akuzën dhe dënimin, kur s’kishin patur ndonjë qellim të tillë, thoshin, dhe s’kishin patur asnjë lloj arme, veç kazmës… Të shërbimeve sekrete të huaja, që punojnë në dëm të vendeve tona, të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, duket se ka, me ç’gjejmë ndonjëherë në media e rrjetet sociale, të infiltruar dhe në institucione të rëndësishme apo në shërbimet diplomatike, edhe në diasporë, në uzurpime të heshtura të shoqatave, kulturore e religjioze, të katedrave, etj. 

Ndërkaq botime të tilla në përgjithësi, që rrjedhin dhe nga  Sigurimi i Shtetit, nuk arrijnë të shtojnë shqetësimin dhe vëmendjen në drejtime të tilla me rëndësi kombëtare, përherë aktuale, por i shkapërcejnë pritshmëritë, më saktë nuk i arrijnë ato që do të duheshin të dëshmonin, krimet shtetërore, dënimin e së kaluarës diktatoriale, persekutimet, ndjesën e vonë, etj, por hidhen në çështje përtej tyre, jo vetëm të kompetencave, por dhe të aftësive dhe të pritshmërive duke shpjeguar ata kështu pluralizmin shqiptar, si nisi deri dhe psikoanalizën e protagonistëve të lëvizjeve për ndryshim dhe të lidershipit, që gjithmonë paskësh qenë nën kontrollin e tyre, pra, të Sigurimit të Shtetit. 

KTHIM

NË QELINË E KUJTESËS.

Para se them se ç’thotë ai për lidershipin e demokracisë në postdiktaturë, madje dhe u bën biografitë si në dosje, po nxjerr dhe unë se ç’kam shkruar për atë në botimin tim memoaristik, burgologjinë “Rrugët e ferrit”, kam një pasazh, që po e sjell dhe këtu: 

Kur pashë operativin e zonës, atë që zbatoi aksionin e arrestimit tim, njiheshim, na vinte në fshat, pinte me ne, flinte në dhomën tonë në shkollë, se ishte bashkëqytetar me dy kavajasit, më duket se i kishte futur në tavë ata, hiqte nga supi çantën e punës me rrip të gjatë, të kyçur me një dry të vogël sa një prangë zogu (që do të zmadhohej dhe do të bëhej dryni i portës së qelisë sime) ah, ajo çantë lëkure (si e bërë me lëkurë të dënuarish), më e frikshme se revolveri, që e hiqte shkujdesshëm, por edhe me krenari të pafshehur dhe e linte në parvazin e gjerë të dritares, pranë shtratit të B. Katroshit, që do t’ia lironte e do të flinte me kavajësin tjetër, me “qesharakun” F. Fosa. Unë kisha fjetur dhe mbi dy tryeza të afruara, mbulohesha me hartat, atë të Shqipërisë dhe të botës, mbushesha me shtete, por ai, vërtet, po me atë revole më erdhi tani në qeli? U pamë sy më sy. Nuk e njoha menjëherë. Prej uniformës. Kapela e ngritur përpjetë mbi krye dhe çizmet e zeza bënin që të dukej edhe më i gjatë. Pse më arrestoi vetë? Operativët nuk e kanë këtë të drejtë a privilegj, përveç rasteve flagrante. E dija se e thoshte shpesh miku i tij, Katroshi. Dhe shtonte: tani që kam këtu Bujar Hoxhën, s’është pak, a, operativ zone, kaq i ri, a, nuk pyes për asnjërin, as për Veli Gjicin, që ka shkollë partie, jo më për drejtorin e shkollës. Edhe unë mund të arrestoj kë t’më dojë kokrra e qejfit. Thirrej shpesh kohët e fundit në Kukës, s’e dija se ku, por rroga nuk i pritej. Kur e shihja ashtu të zbehtë, kujtoja se e kishte nga rruga e gjatë, 5- 6 orë më këmbë. Penel. Çfarë? Ke peeneeel? – iu mbajt goja më shumë dhe u gajas. Ç’pati? Dhe në gjumë po thoshte: pee-pee-nis, jo, penel. A, duhej të ishte pseudonimi i tij. Ti je Mali, po i thoshte një ditë atij tjetrit, por, kur hyra unë, pushuan. Asnjëherë operativi nuk më dha një sinjal a paralajmërim, natyrisht brenda detyrës së vet e rregullave, kështu ia donte puna, as kur pinte në darkat që shtronim në dhomën tonë në shkollë. Asnjë institucion ose zyrtar nuk e bëri këtë, përveç shtëpisë botuese që më kërcënonte: do ta pësosh keq kështu, se ka më, edhe më keq, por unë e merrja si të folur ordinere redaktorësh. Nëse unë nuk e kisha kuptuar, ky ishte faji im. Doje dhe të shpërnguleshe ti, të shkoje afër familjes? Ja, të afruam, në burg… Ti kujton se e ka në dorë seksioni i arsimit, po të gjitha i ka në dorë Sigurimi i Shtetit. Ne jemi Partia dhe Partia është ne. – Ke ndonjë gjë? – nëpërdhëmbi duke ndenjur larg, fare larg, te dera. Aq meritoja. Po sikur kapa një kërshëri idioti tek ai, se ç’ndieja unë këtu dhe sikur donte të më pyeste: hë, si të dukem? Pallosh shteti. Si? Dhe u shtrembërua vërtet. – Neveri, – thashë. – Çfarë? – Më pyete nëse kam ndonjë gjë, neveri kam. S’dinte ç’të thoshte. Dhe e kuptova ç’i kishte munguar kokës së tij dikur, më qe dukur e mangët, kapela me yllin e kuq. Me të ikur si gjithë të tjerët, pa përshëndetur, siç erdhi, pashë se i kishte rënë ylli mbi dysheme. Dhe më tej prapë ylli. Sërish… Sa herë i paska rënë?! Ishin njolla gjaku, se ku e kisha çarë këmbën…

Edhe pse nuk punojnë më në Sigurimin e Shtetit, se ky institucion famëkeq s’është më, por u kalua nën emërtim tjetër, SHIK, dhe ata vetë nga operativë e hetues, prokurorë, gjyqtarë e drejtorë burgjesh, komisarë partie, kryetarë degësh e sekretarë të parë, etj, janë kthyer në biznesmenë, kanë ikur dhe janë bërë qytetarë të Europës dhe Amerikës, janë shndërruar në avokatë të demokracisë dhe do të duhej ta fillonin duke mbrojtur klientët e tyre të dikurshëm, ata që i arrestonin dhe i torturonin qelive dhe i dënonin mizorisht me burgim të gjatë, por përkundrazi bëjnë avokatin e diktaturës, që atëhere ajo s’e lejonte profesionin e avokatit, mbrojnë me fanatizëm institucionen e tyre famëkeqe, Sigurimin e Shtetit, Partinë e Punës, megjithëse të shndërruara.  

Psikologët e traumës si Judith Herman ose Bessel van der Kolk thonë se rastet kësisoj janë një formë e re e riviktimizimit: kur shoqëria u jep zë të barabartë xhelatëve, ajo hesht viktimën dhe thërmon shërimin. Jo barazi midis atyre që vuajtën ferrin dhe atyre që e krijuan ferrin, jo barazi mes të vërtetës dhe mashtrimit. S’ka barazi morale mes kujtimeve të të persekutuarit dhe manipulimeve të persekutorit. S’ka rrëfim të sinqertë nga ata që kurrë nuk kanë kërkuar ndjesë. S’ka pajtim pa drejtësi. Dhe mbi të gjitha: botime te tilla të Sigurimit të Shtetit janë krimi i radhës. Tani sigurisht që shfrytëzojnë dosjet, që i përgatisnin vetë me denoncimet e bashkëpunëtorëve të tyre a të spiunëve, u duhen prapë sidomos nga ata që u vjen ndoresh dhe shkrimësia, përdorin punimet e të tjerëve specialist, etj, etj. Pse ky ngulmim? Ç’duan të përhapin? Sociologë si Aleida Assmann (ekspertë të kujtesës kolektive) paralajmërojnë: “Nëse viktimat nuk e fitojnë të drejtën për të shkruar historinë, atëherë historia do të shkruhet nga ata që bënë padrejtësinë.”

Filed Under: Politike

Dr. Ibrahim Rugova, guri themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës

September 9, 2025 by s p

Dr. Elmi Berisha*/

Bashkëpunimi me Presidentin Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova (1990-2006).

Kur flasim për Ibrahim Rugovën, flasim për një figurë emblematike të historisë së popullit shqiptar. Ai nuk ishte vetëm një udhëheqësi politike që simbolizoi rrugëtimin tonë të drejtë lirisë dhe pavarësisë, por edhe arkitekti i një vizioni unik, i cili mbeti guri themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës. Për mua, ky vizion nuk ishte thjesht një koncept dhe projekt politik, por ishte besim në vizionin dhe largpamësinë e një dijetari erudit dhe burrështetasit të pashoq që kishte projektuar saktë rrugën e lirisë, pavarësinë dhe prosperitetin për popullin dhe vendin e vet. Ai u bë udhërrëfyesi im jetësor, dhe nderi i bashkëpunimit me të, si dhe mbështetja ndaj filozofisë së tij politike, përfaqësojnë një kapitull të ndritur të angazhimeve të mia politike, diplomatike dhe jetësore në shërbim të kombit dhe vendit tim.

Takimi im i parë me Presidentin Rugova në vitet e stuhishme të viteve ’90 ishte një moment kthese. Aty u betonua besimi im në vizionin e tij për një Kosovë të lirë, demokratike dhe evropiane. Rrezatimi i tij intelektual, qetësia e tij burrërore dhe strategjia e tij gjeniale për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës ishin shenja të një lideri të pashoq. Presidenti Rugova nuk ishte thjesht një politikan; ai ishte mishërimi i urtësisë dhe guximit, një udhëheqës që ndryshoi rrjedhën e historisë së kombit tonë.

Puna ime me të dhe për të ishte e gjithanshme. Në SHBA, ku veproja si një nga mbështetësit më të devotshëm të kauzës së tij, u angazhova fuqishëm në organizimet dhe lobimet me senatorë, kongresmenë dhe personalitete të tjera të shquara të jetës publike amerikane.

Së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, punuam pa rreshtur për të sensibilizuar opinionin publik dhe politikëbërësit amerikanë për të drejtat e popullit tonë. Në këtë kuadër, organizimet për takime me figurat e nivelit të lartë si senatori Bob Dole, kongresmeni Eliot Engel dhe të tjerë ishin përherë prioritet. Kemi organizuar dhe aranzhuar qindra aktivitete, që nga lobimi, takimet e të gjitha niveleve nga Departamenti i Shtetit, Senatit dhe Kongresit Amerikan e deri në Shtëpinë e Bardhë.

Bashkë me shumë bashkëpunëtorë dhe veprimtarë të palodhshëm të kauzës sonë kombëtare, kemi organizuar me dhjetëra demonstrata, protesta dhe aktivitete të tjera në funksion të ndërkombëtarizimit të çështjes në Kosovë në Uashington, Nju Jork dhe në vende të tjera kudo që ishte e rëndësishme të dëgjohej e flitej për Kosovën.

Gjithmonë në shërbim të kauzës kombëtare dhe vizionit të Presidentit Rugova, promovuam sloganin historik “Liri, Pavarësi, Demokraci”, që u bë parimi i udhëheqjes së lëvizjes sonë. Ky slogan nuk është vetëm një parullë politike; ai ishte një filozofi e mbështetur në paqe dhe rezistencë paqësore, që frymëzoi qindra mijëra shqiptar të Kosovës dhe të Diasporës.

Një aspekt i veçantë i angazhimit tim ishte ndihma në fushën e financimit dhe logjistikës së Luftës Çlirimtare, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me Ministrin e Mbrojtjes Kolonel Ahmet Krasniqi. Si këshilltar dhe bashkëpunëtor i tij, përherë u sigurova që të mbështesja veprimtarinë e tij lojaliste ndaj vizionit të Presidentit Rugova. Kjo periudhë ishte e mbushur me sfida, por edhe me momente të jashtëzakonshme solidariteti dhe bashkëpunimi. Kontributet tona të përbashkëta në këtë drejtim përfaqësojnë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së re të Kosovës.

Pas çlirimit, pata nderin e jashtëzakonshëm që të jem i emëruari i pari zyrtar nga Presidenti Rugova si deleguar i tij për zyrën e senatorit Bob Dole dhe këshilltar i Presidentit për çështjet e SHBA-së. Kjo detyrë ishte një përgjegjësi e madhe dhe një mundësi e rrallë për të vazhduar promovimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ishte nder dhe privilegj të përfaqësoja një vizion që synonte të sillte paqe, stabilitet dhe zhvillim në Kosovë. Pas ndarjes nga jeta të Presidentit Rugova, angazhimi im në shërbimin e Kosovës dhe Kombit Shqiptar nuk u ndal.

Si Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, vazhdoj të punoj në funksion të avancimit dhe afirmimit të çështjes kombëtare. Çdo hap që kam marrë, qofte në të kaluarën apo në të tashmen, ka qenë dhe mbetet i udhëhequr nga fryma e vizionit të Dr. Rugovës. Pavarësia e Kosovës ishte një çast triumfi, por po aq e rëndësishme është ruajtja dhe forcimi i vlerave mbi të cilat ajo u ndërtua.

Ibrahim Rugova mbetet në historinë tonë një figurë unike, ati themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës dhe një udhërrëfyes moral e politik për të gjithë brezat.

Puna ime me të dhe në mbështetje të tij ishte një privilegj i jashtëzakonshëm, dhe krenaria ime qëndron në faktin se kontribuova për një kauzë të drejtë dhe të shenjtë për popullin tonë. Me mirënjohje të pamasë për gjithçka që Presidenti Rugova simbolizoi dhe arriti, unë do të vazhdoj të punoj në ruajtjen e trashëgimisë së tij dhe në forcimin e pozicionit të Kosovës në botë.

*Marrë nga libri: “Dr. Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë së Kosovës”.

Filed Under: Politike

SHQIPTARËT, OLIGARKIA MAQEDONASE DHE SFIDAT E MARRËVESHJES SË OHRIT

September 8, 2025 by s p


(Maqedonia, 34 vite pas pavarësisë)

Integrimi nuk është vetëm një proces teknik i përafrimit me standardet e BE-së; ai është një proces i brendshëm transformues, që kërkon prishjen e monopoleve oligarkike dhe ndërtimin e një kontrate të re shoqërore mbi themelet e Marrëveshjes së Ohrit. Prandaj, momenti historik që ka përpara Maqedonia është më tepër se një sfidë politike: është një provë ekzistenciale. Zgjedhja është e qartë: ose të përqafohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit si themel i një shtetësie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse multietnike, ose të rikthehet logjika e përjashtimit dhe e oligarkisë që ka prodhuar krizë dhe stagnim.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Me shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë në fillim të viteve ’90, u hap një rrugëtim i ri shtetformues, i cili, në vend që të mbështetej mbi parimet e demokracisë liberale dhe barazisë qytetare, u orientua drejt centralizimit të pushtetit dhe unitarizmit politik-kulturor. Ky unitarizëm, i konceptuar si bazë për konsolidimin e identitetit shtetëror maqedonas, u shoqërua me privatizimin selektiv të kapitalit shoqëror, duke prodhuar një oligarki ekskluzive maqedonase. Kjo oligarki jo vetëm që monopolizoi sistemin bankar dhe sektorët strategjikë të ekonomisë, por krijoi edhe një regjim politik të brendshëm, ku pushteti alternohej mes dy blloqeve maqedonase, pa cenuar kurrë interesat e përbashkëta të elitës dominante.

Ky konfigurim u shoqërua me përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga proceset ekonomike, politike dhe institucionale. Oligarkia maqedonase, nëpërmjet lidhjeve të saj me qarqet ekonomike e shtetërore serbe, projektoi një strategji të heshtur të margjinalizimit të shqiptarëve, duke e shoqëruar këtë me retorikë përjashtuese dhe diskurs politik që i përkufizonte ata si “të huaj” brenda shtetit. Një qasje e tillë jo vetëm që dëmtoi perspektivat e brendshme të zhvillimit, por bllokoi për një kohë të gjatë edhe proceset integruese euro-atlantike.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit (2001) solli një përmbysje paradigmatike. Ajo u shndërrua në dokumentin themelor të barazisë qytetare dhe bashkëjetesës ndëretnike, duke hapur horizonte të reja për integrimin euro-atlantik dhe për pjesëmarrjen e barabartë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në jetën institucionale dhe ekonomike të vendit. Megjithatë, implementimi i saj mbeti i ndërlikuar dhe shpeshherë i shoqëruar me tensione, kryesisht për shkak të rezistencës së oligarkisë maqedonase, e cila synonte ta relativizonte frymën e saj. Çdo avancim i shqiptarëve në institucionet shtetërore interpretohej si kërcënim ndaj dominimit të mëparshëm, duke prodhuar mekanizma të rinj të pengesave politike dhe administrative.

Një ilustrim i qartë i kësaj dinamike u pa pas Marrëveshjes së Prespës (2018). Mbështetja ndërkombëtare që gëzonte qeveria e atëhershme nuk u përdor për konsolidimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe përmbylljen e ciklit integrues, por u instrumentalizua nga oligarkia maqedonase për tentimin e ridizajnimit të rendit kushtetues, me qëllim zbehjen ose relativizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Tentativa për ndryshimin e preambulës së Kushtetutës ishte vetëm një prej formave konkrete të kësaj tendence, ndërsa marrëveshjet e fshehta ndërmjet dy partive kryesore maqedonase synonin margjinalizimin e faktorit politik shqiptar që kishte dalë nga lufta e vitit 2001.

Strategjia ishte e qartë: nga njëra anë, fragmentarizimi i skenës politike shqiptare për të ulur fuqinë e saj negociuese; nga ana tjetër, përdorimi i retorikës nacionaliste për të stigmatizuar subjektet politike shqiptare si forca me prirje separatiste. Kjo logjikë synonte krijimin e një terreni të favorshëm për relativizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për zhvendosjen e vëmendjes drejt temave artificiale, siç ishte çështja me Bullgarinë, e cila shpesh shërbeu vetëm si alibi për të shmangur obligimet e brendshme të barazisë.

Në Maqedoninë e Veriut, Prokuroria Speciale Publike, e menduar si një instrument i drejtësisë tranzicionale dhe i pastrimit të jetës politike nga korrupsioni, u bë objekt i një operacioni të sofistikuar të oligarkisë vendore, e cila me mekanizma të padukshëm, por të sinkronizuar, arriti ta minojë nga brenda dhe ta bëjë të paefektshme. Ky rrënim nuk ndodhi rastësisht, por ishte pjesë e një strategjie të heshtur për të mbrojtur interesat e rrjeteve të ngulitura ekonomiko-politike, të cilat e perceptonin këtë organ si rrezik ekzistencial për status quo-në. Megjithatë, ndërhyrja e tillë nuk mbeti pa pasoja, sepse disa prej aktorëve që udhëhoqën këtë proces u ekspozuan në arenën ndërkombëtare dhe u gjendën në listat e zeza të shteteve partnere që fillimisht e kishin mbështetur këtë projekt si shpresë për një kapitull të ri të sundimit të ligjit në vend. Në këtë mënyrë, me këto akte Maqedonisë i mbytet perspektiva dhe kjo paraqet ndërhyrjen më të drejtpërdrejtë të oligarkisë për të penguar ecjen e shtetit në proceset eurointegruese, duke e shndërruar vendin në një realitet me sisteme paralele, ku hijet e interesave private mbizotërojnë mbi dritën e ligjit dhe të demokracisë. Sepse sundimi i ligjit dhe ndërtimi i shtetit ligjor janë ndër kushtet bazë të integrimit evropian, sabotimi i këtij projekti nga oligarkia nuk është gjë tjetër veçse një veprim i qëllimshëm për të ngadalësuar integrimin e vendit në BE, duke sakrifikuar interesat strategjike të shtetit vetëm për të ruajtur privilegjet e saj të ngushta.

E gjithë kjo u reflektua edhe disa muaj pas zgjedhjeve, kur ishte paralajmëruar një takim ndërmjet kryeministrit dhe liderit të opozitës maqedone, i cili vetëm pak ditë më parë akuzohej nga institucioni shtetëror për antikorrupsion për krim të organizuar, por një ditë pas këtij takimi i njëjti institucion publikoi kumtesë se të gjitha procedurat ndaj tij ndërpriteshin. Pas kësaj drame të dy liderëve të dy partive maqedone, pasoi cënimi i neneve themeltare të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa nga partia opozitare, e cila ndër vite kishte ndërtuar narrativën e saj mbi shtetformimin dhe multietnicitetin, u shfaq një heshtje totale, që në vetvete dëshmon se kur cënohet Marrëveshja e Ohrit, më shumë mbizotëron kalkulimi politik sesa obligimi ndaj kontratës shoqërore mbi të cilën është ndërtuar vetë shteti.

Kjo logjikë politike, e artikuluar sidomos nga VMRO-DPMNE me diskursin e saj të ashtuquajtur “vtoro poluvreme” (pjesa e dytë e lojës) dhe me moton e fushatës zgjedhore të vitit të kaluar “Për rikthimin e shtetit”, dëshmoi se oligarkia maqedonase e sheh Marrëveshjen e Ohrit jo si akt themelor të shtetësisë së re, por si pengesë për ruajtjen e privilegjeve të saj. Në këtë kuptim, sfida e vërtetë për Maqedoninë nuk qëndron vetëm te kontestet bilaterale me fqinjët, por para së gjithash te rezistenca e brendshme ndaj zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Në horizontin ekonomik të Maqedonisë po shfaqet një realitet i mbështjellë me shumëshmëri pyetjesh, ku hyrja e miliardave në formë huash shfaqet si një shpresë e jashtme për stabilitet financiar, por njëkohësisht ngre dilema të brendshme mbi origjinën dhe destinacionin e këtyre fondeve; sepse përtej fasadës së zhvillimit dhe integrimit ekonomik, lind pyetja nëse këto mjete janë thjesht një instrument i financimit ndërkombëtar, apo ndoshta një mekanizëm i rafinuar i oligarkisë vendore për të zyrtarizuar dhe legjitimuar kapitalin e grumbulluar në mënyra të padukshme, duke e veshur me petkun e huave shtetërore; një dilemë që kërkon një qasje të mençur, jo vetëm për të ruajtur sovranitetin financiar, por edhe për të shmangur shndërrimin e shtetit në një platformë ku kufiri midis interesit publik dhe interesit oligarkik zbehet deri në pikën e padallueshme.

Nëse Maqedonia aspiron realisht të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ajo duhet të kuptojë se Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje e brendshme e vitit 2001, por një kontratë politike dhe shoqërore mbi të cilën është ngritur legjitimiteti i këtij shteti multietnik. Çdo tentativë për ta relativizuar atë është, në thelb, tentativë për të minuar themelet e bashkëjetesës dhe për ta rikthyer vendin në spiralen e krizave të viteve ’90. Shqiptarët, me kontributin e tyre politik dhe historik, janë jo vetëm partnerë, por edhe garantë të stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik të vendit. Vetëm përmes afirmimit të barazisë reale, përfshirjes së plotë institucionale dhe ndarjes së drejtë të përgjegjësive shtetërore, Maqedonia mund të shndërrohet në një shtet funksional, demokratik dhe evropian.

Integrimi nuk është vetëm një proces teknik i përafrimit me standardet e BE-së; ai është një proces i brendshëm transformues, që kërkon prishjen e monopoleve oligarkike dhe ndërtimin e një kontrate të re shoqërore mbi themelet e Marrëveshjes së Ohrit.

Prandaj, momenti historik që ka përpara Maqedonia është më tepër se një sfidë politike: është një provë ekzistenciale. Zgjedhja është e qartë: ose të përqafohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit si themel i një shtetësie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse multietnike, ose të rikthehet logjika e përjashtimit dhe e oligarkisë që ka prodhuar krizë dhe stagnim. Vetëm duke vendosur mbi barazinë reale të qytetarëve dhe mbi kontratën e re shoqërore, Maqedonia mund të dalë nga hija e tranzicionit dhe të projektohet si një shtet evropian, i barabartë dhe i qëndrueshëm. Kjo nuk është vetëm një kërkesë e shqiptarëve; është kushti themelor për vetë mbijetesën dhe ardhmërinë evropiane të Maqedonisë.

Shkup, 8 shtator 2025

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 663
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në një moment historik për t’i dalë zot Kosovës
  • THE CANBERRA TIMES (1971) / PRIMITIVIZMI DHE ZYMTËSIA E MBAJNË SHQIPËRINË TË MBËRTHYER
  • Nga Galeritë e Trepçës te Pavarësia e Kosovës – Shkurti 1989 si akti i parë i shtetësisë
  • Libra nga autorë të Kosovës, me banim në Londër, bëhen pjesë e projektit mësimdhënës nga mësuese Anila Kadija
  • Fundi i një procesi ku po gjykohet liria, që do mbetet plagë politike e Kosovës
  • NJË STUDIM ME VLERA PËR HISTORINË E KOSOVËS, FEDERATËS “VATRA” E GAZETËS “DIELLI”
  • Lef Nosi (9 prill 1877 – 13 shkurt 1946), Monument i vlerave kombëtare
  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT