• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një copëz Shqipëri në kryeqytetin e botës, Parisi nderon Ismail Kadarenë

October 10, 2025 by s p

Albert Vataj/

Një rrugë që na shpie te kujtesa dhe nderimi shkruhet në hartën e të sotmes së Parisit të legjendarëve. Një shteg që na udhëprinë në dimensionin e një të drejte krenarie dhe mirënjohje, na rrëfen botën e dijes dhe kulturës, si pjesë në të cilën ne kemi të skalitur kujtesën e përgjithmonshme, për mendjen, shpirtin dhe penën, që e bëri të përbotshme përkatësinë tonë identitare, duke e nxjerrë atë nga anonimati për ta vendosur në kreshtë të vetëdijes së popujve me kulturë dhe traditë, histori dhe thesare shpirtërore të paçmim.

Në zemrën e Parisit, aty ku gurët mbajnë peshën e shekujve dhe fryma e mendimit endet mes fasadave të Sorbonës, Këshilli Bashkiak i qytetit të dritës ka votuar me unanimitet për të vendosur një pllakë përkujtimore në adresën 63 boulevard Saint-Michel, në nderim të Ismail Kadaresë, kolosit të letrave shqipe dhe zërit universal të një kombi të vogël me një histori të madhe.

Ky vendim nuk është thjesht një akt institucional. Ai është një homazh i gjallë dhe emocionues, një përkulje e Parisit ndaj një shkrimtari që e zgjodhi këtë qytet si strehë të lirisë dhe si vend ku fjala e tij mund të frymonte pa frikë. Në këtë adresë, Kadare jetoi për dekada, shkroi, meditoi dhe ndërtoi urat që lidhin Shqipërinë me Evropën, mitin me historinë, ëndrrën me realitetin.

Pllaka që do të vendoset nuk është vetëm një shenjë fizike. Ajo është një testament i kujtesës, një pikë referimi për lexuesit, studiuesit dhe kalimtarët që do të ndalen për të lexuar një emër, dhe për të ndjerë peshën e një zëri që ka folur për tiraninë, për dashurinë, për shpirtin e njeriut.

Në këtë apartament, Kadare shkroi vepra si Kukulla, Spiritus, Pallati i Ëndrrave, faqe që nuk janë thjesht letër, por dritare nga ku shikojmë veten dhe historinë tonë. Ai e bëri boulevard Saint-Michel një vend të shenjtë për letërsinë shqipe, një altar ku fjala u bë rezistencë, kujtesë dhe përjetësi.

Vendimi i Këshillit Bashkiak është një akt i rrallë për një autor të huaj, që e vendos Kadarenë në panteonin e shkrimtarëve të nderuar nga ky qytet. Ai është një mesazh për botën: se letërsia nuk ka kufij, dhe se zërat që flasin për të vërtetën meritojnë të dëgjohen, të nderohen, të kujtohen.

Ky homazh është një nderim për Shqipërinë, për gjuhën shqipe, për kulturën që Kadare ka përfaqësuar me dinjitet dhe madhështi. Është një ftesë për lexuesit e huaj që të zbulojnë një letërsi që ka lindur në rrëzë të maleve, por që ka fluturuar drejt yjeve.

Në një kohë kur kujtesa rrezikon të zbehet mes zhurmës së përditshmërisë, ky akt është një rikthim te solemniteti, te nderimi, te përkujtimi. Ai na kujton se fjalët e mëdha nuk vdesin, se shkrimtarët e vërtetë jetojnë në rrugët që i kanë frymëzuar, në qytetet që i kanë pranuar, në zemrat që i kanë lexuar.

Filed Under: Politike

VEPRA SHKENCORE SI OBLIGIM NACIONAL

October 9, 2025 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Ditë më parë, studiuesi Ernest Marku ma dhuroi njërën prej veprave të tij, me titull Libri i Fishtës (Lezhë, 2020, f. 440). Që në fillim më bëri përshtypje titulli i librit, një titull gati biblik e megjithatë libër personal, referencial e orientues, njëkohësisht. Në kulturën shqiptare janë disa monumente të trashëgimisë materiale dhe disa vlera të trashëgimisë shpirtërore, me njohjen, vlerësimin dhe ridimensionimin shpirtëror të të cilave merren të gjitha brezat, pavarësisht se për ato monumente dhe për ato vlera shpirtërore nuk e kanë të njëjtin perceptim. Kështu mund të thuhet për kështjellat iliro-romake dhe mitet antike/mesjetare, për këngët e eposit dhe për letërsinë shqipe të shkrimeve dhe veprave të para, për Skënderbeun dhe veprat kushtuar bëmave të tij, për letërsinë e Rilindjes Kombëtare dhe për rolin e gjuhës si përcaktuese themelore e formimit të identitetit kombëtar.

Referenca të tilla mund të gjesh edhe në kohën tonë, për të mos thënë për shekujt e fundit. Shkrimtarët Jeronim de Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta janë krijuesit dhe mendimtarët, jeta, bëmat, mendimet dhe vepra e të cilëve nuk ju takojnë vetëm kohës së tyre po edhe kohës sonë, për të thënë, të gjitha kohëve dhe më tej, të gjithë krijuesve dhe studiuesve, të gjithë intelektualëve.

A është kjo arsye që veprat e tyre i kanë lexuesit e të gjitha kohëve dhe do të duhej të kishin studiuesit e të gjitha kohëve. Për shkak se vepra kombëtare, arsimore, identitare, gjuhësore, kulturore e artistike e De Radës, Naim Frashërit dhe Gjergj Fishtës, qëndrojnë në themelet e identitetit dhe transformimit të gjuhës, kulturës e identitetit kombëtar, secili nga ne do të duhej të kishim së paku nga një vepër për së paku njërin prej tyre. Nuk e marr me mend një arbëresh që nuk ka shkruar një tekst për De Radën, një studiues që nuk ka shkruar një vepër për Naim Frashërin dhe një kritik që nuk ka lënë qoftë edhe në dorëshkrim për Gjergj Fishtën. Të shkruash një vepër për njërin prej tyre do të thotë të kesh lënë këtë botë në paqe, duke i kryer detyrat dhe obligimet personale.

Nuk është e thënë të bësh një enciklopedi për De Radën edhe pse Enciklopedinë e meriton, as të gjesh vëllimin tjetër të panjohur të Serafinës, mjafton të kesh gjetur dhe regjistruar nga një i moshuar një këngë nga variantet e shumta të Milosaos ashtu sikur u gjetën dhe regjistruan poezitë e Zef Sermbes dhe të bësh një studim krahasues për to; nuk është e thënë të gjesh një vepër të panjohur të Naim Frashërit, mjafton të kesh gjetur një letër të panjohur të tij me Jani Vreton dhe të kuptosh se disa nga neologjizmat e regjistruara në veprat didaktike të Naim Frashërit nuk janë të tij po të Jani Vretos; nuk është e thënë të gjesh një version të panjohur të Lahutës së Malcis, madje as të ndonjërës prej këngëve të saj. Mjafton të gjesh tre nga lahutarët e Kosovës a këngëtarët e këngëve historike të kohës sonë dhe të regjistrosh, të krahasosh e të studiosh ndikimin e këngëve të Lahutës në jetën e popullit shqiptar, në Kosovë, përkatësisht në ish-Jugosllavi, ku jo vepra e Fishtës dhe Fishta (sikur thuhet shpesh në studimet tona), po revista Hylli i Dritës, të cilën e drejtonte Fishta, ishte e ndaluar, për shkak të dy artikujve të botuar aty pas vrasjes së At Shtjefën Gjeçovit nga sigurimi serb.

Vepra e Ernest Markut Libri i Fishtës (për të cilën gjerësisht do të shkruaj një rast tjetër), nuk është as monografi historike, as sintezë letrare, as paraqitje publicistike e madje as vëllim dokumentar, e megjithatë i ka të gjitha brenda saj. Është një lexim personal i veprës letrare, një përplotësim i disa prej veçorive të jetës së tij. Prandaj brenda saj janë përfshirë tekste sikur është ligjërata e Konferencës së Paqes (1919) që ka marrë vlerat e një dokumenti historik, përzgjedhja e vlerësimeve të veprës së tij nga bashkëkohës të Fishtës dhe bashkëkohës tanë, ndërlidhja e ngjarjeve historike dhe personaliteteve të kohës me veprën letrare të tij etj. Një kapitull më vete paraqet Pasqyra e veprës letrare, një lexim tipik dhe një përvojë perceptimi edhe për lexuesit e interpretuesit e tjerë. Studiuesi Ernest Marku me veprën e tij Libri i Fishtës e ka kryer misionin e tij shkencor dhe obligimin e tij kombëtar. Studiuesi Ernest Marku i ka kryer obligimet kombëtare të kësaj bote! Lum si Ai!

Filed Under: Politike

Fuqia e Dritës – Festivali Ndërkombëtar i Video Artit Gjon Mili 2025 në Manhattan

October 8, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Festivali Ndërkombëtar i Video Artit “Gjon Mili” International Video Art Festival (IVAF) Gjon Mili 2025 prezantoi një përzgjedhje dinjitoze të krijimeve nga artistë shqiptarë dhe të huaj për pesë ditë-netët e fundit të shtatorit dhe fillimit të tetorit në mjediset e Producers Club Theaters dhe natën e mbylljes në Dolby Screening Room, Nju Jork. Risia e edicionit të tretë të festivalit është ardhja në Nju Jork, pas Korçës dhe Dhërmiut, “e kësaj përvoje unike artistike, ku arti bashkëkohor vizual bashkon kultura, gjuhë dhe përvoja njerëzore të ndryshme,” thanë organizatoret Yllka Gjollesha dhe Suela Bako në natën e hapjes.

Të dyja ato i japin përparësi vijimit të misionit të festivalit si urë lidhëse mes vendeve dhe krijuesve, të vetëdishme për trashëgiminë dhe emrin e fotografit dhe artistit të madh shqiptaro-amerikan Gjon Mili. Nëpërmjet bashkëpunimit të tyre regjizorial, Suela Bako dhe Yllka Gjollesha ia kanë kushtuar filmin dokumentar Light/Dritë pionierit të dritës stroboskopike dhe lëvizjes në artin vizual, që ishte në programin e natës së fundit në Dolby. Në ceremoninë e mbylljes u shfaqën filma të përzgjedhur nga artistë të ftuar në këtë edicion dhe premiera amerikane të disa produksioneve. Mes tyre dokumentari i shkurtër Në Mes In Between (2025, 13’) nga regjizori Samir Karahoda, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare https://www.instagram.com/samirkarahoda/?hl=en është një vëzhgim i hollë i kundërvënieve që shoqërojnë emigrimin shqiptar. Filmi i shkurtër Kadillak dhe Manaferra Cadillac and Blackberries (2022, 17’) nga Suela Bako, sjell një portret prekës të rezistencës nën diktaturën komuniste https://www.instagram.com/bakosuela/?hl=en

Nën emërtimin The Skin of the Light /Lëkura e Dritës, përzgjedhjet e jurisë së IVAF 2025 kishin përfshirë krijime që hulumtojnë identitetin, kujtesën, marrëdhënien e njeriut me natyrën, si edhe qasje origjinale të ndriçimit, tingullit dhe lëvizjes. Nga programi i Festivalit të vinte dëshira t’i shikoje të gjitha seancat e tij, duke nisur nga shfaqjet e filmave të paradites dhe pasdites së datës 27 shtator, gjatë të cilave u prezantuan vepra të artistëve nga Italia The Music Box and The Tree of Life, nga Shtetet e Bashkuara The Inherit and Quary, nga Bjellorusia Lake, nga Mbretëria e Bashkuar Elemental Feelings, nga Kina Let it Grow, nga Australia In the Shadow of Small Acts etj.

Unë arrita në orët e mbrëmjes së hapjes së Festivalit që nisi me shfaqjen e filmit të gjatë dokumentar Alexander nga Ardit Sadiku. Shumë mund ta mbajnë mend historinë e bujshme të arratisjes së Aleksandër Grudës nga Shkodra me anije ushtarake në vitin 1992, por dokumentari, ku rrëfimtar është vetë Aleksandri, arrin të përçojë tek shikuesi triumfin e shpirtit njerëzor mbi egërsinë dhe terrorin që mban në këmbë diktaturën.

Prania e Aleksandër Grudës në shfaqjen e filmit dokumentar dhe fjalët përshëndetëse të këtij shqiptar-amerikan me banim në Nju Jork e emocionuan publikun. Pak minuta më vonë, në sallën e katit të dytë të Producers Club Theaters, gjendja emocionale mori tjetër kahje në aktin e monologut komik të aktorit Romir Zalla. Mes urimeve e përgëzimeve të shumta nga miq e dashamirë për standup-in e parë në Amerikë, vinte edhe dëshira për të mos e lënë të kalojë shumë kohë deri në shfaqjen e ardhshme. “Interpretimi plot humor dhe finesë i aktorit të mirënjohur Romir Zalla, solli shumë të qeshura me stand-up komedinë e tij,” tha Tefta Bejko, bashkëproducente me 90 Production Film Company.

Ajo e quajti festivalin “një dhuratë të çmuar për ne në diasporë. Ai na sjell pranë vepra artistike e kinematografike që, ndonëse shpesh nuk kanë mundësi tjetër distribucioni, mbartin një nivel të lartë artistik dhe na bëjnë të ndiejmë më afër kinemanë tonë.”

Në datat 2-4 tetor, juria e Festivalit vlerësoi me çmime në kategoritë e video artit dhe artit eksperimental, animacionin, performancën, realitetin virtual dhe dokumentarin e krijuesve nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda, Irani/Mbreteria e Bashkuar dhe Kanadaja.

Ashtu si teknika stroboskopike e shqiptaro-amerikanit nga Korça Gjon Milit e bëri të dukshme dritën dhe lëvizjen në fotografi, edhe Festivali Gjon Mili IVAF 2025 në tërësinë e tij iu dha artdashësve larminë e krijimeve të artistëve si edhe aftësinë e pakufizuar të subjekteve të artit vizual dhe kinemasë.

https://www.instagram.com/producersclub/?hl=en
Selections 2025
Home

Foto – Takim në Muzeun Metropolitan të Artit MET në Manhattan gjatë ditëve të Festivalit, Romir Zalla, Suela Bako, Rafaela Prifti, Mimoza dhe Izmir Bako.

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti

BE-ja si ndërmjetësues i rëndësishëm në dialogun Kosovë–Serbi, por i pamjaftueshëm pa garancitë e fuqishme të ShBA-së

October 6, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga sfidat më komplekse të stabilitetit rajonal në Ballkan. Për dekada, Bashkimi Evropian ka luajtur rol kyç si ndërmjetësues, duke ofruar platformë për bisedime, ekspertizë teknike dhe mekanizma monitorimi. Megjithatë, historiku i proceseve ndërkombëtare dhe përvoja konkrete në Ballkan tregojnë se roli i BE-së, pa garanci të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk është i mjaftueshëm për të siguruar një marrëveshje të qëndrueshme dhe të plotë. Pa këtë kombinim, çdo marrëveshje rrezikon të mbetet formale, e paqëndrueshme dhe e cenueshme nga faktorë të brendshëm dhe rajonalë.

1. Roli i BE-së: ndërmjetësimi dhe sfidat

Bashkimi Evropian ka kontribuar në mënyra të rëndësishme:

-Platforma e dialogut në Bruksel ka mundësuar diskutime direkte dhe teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, duke strukturuar marrëveshjet në mënyrë ligjërisht të qartë.

-Mekanizmat e monitorimit dhe raportimit, si Komiteti i Përbashkët për Implementimin e Marrëveshjeve, ndihmojnë në ndjekjen e progresit të marrëveshjeve të arritura.

-Mbështetja teknike dhe financiare për reformat në Kosovë dhe Serbi ka inkurajuar normalizimin e marrëdhënieve dhe integrimin evropian.

Megjithatë, sfidat kryesore mbeten:

-Mungesa e presionit efektiv mbi palët për zbatim të menjëhershëm. Marrëveshjet shpesh vonohen ose dështojnë në zbatim pa kërcënim real.

-Standardet e dyfishta, të perceptuara si favorizim ndaj Serbisë, dëmtojnë besimin e Kosovës dhe konsolidimin e marrëveshjeve.

-Pafuqia për të garantuar njohje reciproke, një komponent kyç për normalizimin e qëndrueshëm, pa praninë e një superfuqie globale që mund të imponojë respektimin e marrëveshjes.

2. Nevoja për garanci të fuqishme amerikane

Historiku ndërkombëtar tregon se marrëveshjet e qëndrueshme të paqes dhe të njohjes reciproke kërkojnë mbështetje nga një superfuqi me autoritet global. ShBA-ja mund të ofrojë:

-Presion politik dhe diplomatik të drejtpërdrejtë, duke detyruar lidershipin e Beogradit dhe Prishtinës të zbatojë marrëveshjet në mënyrë të plotë.

-Garanci sigurie, duke krijuar sistem besimi midis palëve dhe duke shmangur cenimin e marrëveshjes nga faktorë të brendshëm ose aktorë rajonalë destabilizues.

Shembuj ndërkombëtarë ilustrues:

-Marrëveshja e Daytonit (1995) për Bosnjën konsolidoi paqen falë pranisë dhe garancive amerikane, ku ShBA-ja ishte garantues kryesor i respektimit të marrëveshjes dhe ka pasur rol vendimtar në parandalimin e rinisjes së konfliktit.

-Marrëveshja e Ohrit (2001) për Maqedoninë e Veriut u zbatua vetëm me presion të koordinuar ndërkombëtar dhe mbikëqyrje amerikane, duke siguruar respektimin e reformave kushtetuese dhe përfaqësimin proporcional të komuniteteve.

-Procesi i Lindjes së Mesme, përfshirë marrëveshjet midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, tregon se superfuqitë garantuese janë thelbësore për respektimin afatgjatë të marrëveshjeve diplomatike.

-Roli amerikan në Kosovë (1999–2008), nga ndërhyrja humanitare dhe roli në krijimin e administratës ndërkombëtare, deri te garantimi i marrëveshjeve pasluftës, demonstron qartë se pa angazhimin amerikan nuk do të ishte e mundur konsolidimi i institucioneve dhe avancimi i dialogut për njohje reciproke.

3. Kooperimi BE–ShBA: modeli i domosdoshëm për Ballkanin

Një marrëveshje e qëndrueshme Kosovë–Serbi kërkon sintezë midis rolit ndërmjetësues të BE-së dhe garancive të fuqishme amerikane:

-BE-ja ofron platformën, ekspertizën teknike dhe mekanizmat monitorues për strukturimin e marrëveshjeve.

-ShBA-ja siguron autoritet, garanci sigurie dhe presion efektiv për respektimin e marrëveshjeve.

Ky kombinim është vendimtar për:

-Njohjen reciproke si bazë për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike.

-Integrimin evropian të të dyja vendeve, duke krijuar stabilitet rajonal.

-Parandalimin e destabilizimeve rajonale, duke ofruar mekanizma të detyrueshëm për respektimin e marrëveshjeve.

4. Roli i BE-së në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm si ndërmjetësues dhe platformë koordinimi. Megjithatë, përfundimi i suksesshëm dhe i qëndrueshëm i dialogut nuk mund të realizohet pa garanci të fuqishme nga ShBA-ja. Pa këtë kombinim, çdo marrëveshje rrezikon të mbetet formale dhe e cenueshme nga faktorë rajonalë. Presioni, legjitimiteti dhe siguria amerikane janë thelbësore për një normalizim të vërtetë dhe për ndërtimin e një arkitekture të qëndrueshme paqësore në Ballkan.

Filed Under: Politike

Shkolla Shqipe “Vatra” në Tampa Bay Florida zhvilloi ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor

October 5, 2025 by s p

Shkolla Shqipe Vatra në Tampa Bay zhvilloi ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor, një ngjarje që mblodhi bashkësinë shqiptare për të festuar fillimin e një sezoni të ri edukimi dhe kulture. Të pranishmëve iu uroi mirëseardhjen Presidenti i Vatra Tampa Bay, Z. Isuf Spahiaj, i cili theksoi përpjekjet e palodhura të organizatës Vatra për ngritjen dhe menaxhimin e Shkollës Shqipe.

Ai shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme të prindërve, anëtarëve të komunitetit dhe bizneseve shqiptare, të cilët kanë luajtur një rol kyç në suksesin e kësaj shkolle. Fjalët e tij pasqyruan krenarinë dhe angazhimin për të ruajtur dhe promovuar identitetin shqiptar përmes edukimit.

Më pas, fjala iu dha administratorit të shkollës, Z. Tasim Ruko, i cili vuri në dukje rëndësinë e madhe të Shkollës Shqipe Vatra në ruajtjen dhe promovimin e vlerave dhe kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se shkolla jo vetëm që ndihmon në edukimin e brezit të ri, por gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në socializimin e fëmijëve shqiptarë, duke i ndihmuar ata të ndihen krenarë për rrënjët e tyre.

Z. Ruko vlerësoi punën e palodhur të stafit pedagogjik, të udhëhequr nga Drejtoresha Meri Andrea Kodra, dhe përkushtimin e tyre në ofrimin e një arsimi cilësor për nxënësit. Në fjalën e saj, Drejtoresha Meri Andrea Kodra shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme të komunitetit dhe përkushtimin e prindërve në aktivitetet e përditshme të shkollës. Ajo vlerësoi punën e palodhur të mësuesve, të cilët me pasion dhe profesionalizëm kontribuojnë në rritjen akademike dhe kulturore të nxënësve.

Znj. Kodra prezantoi gjithashtu programin e ri akademik për vitin shkollor, duke e përshkruar atë si më rigoroz dhe tërheqës, me qëllim që të ofrojë një përvojë më të pasur dhe më të kënaqshme për fëmijët. Fjalët e saj frymëzuan të pranishmit, duke nxitur një ndjenjë bashkimi dhe përkushtimi ndaj misionit të shkollës.

Pas ceremonisë zyrtare, të pranishmit patën mundësinë të shijonin ushqime të përgatitura posaçërisht për këtë ngjarje, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive. Një moment i veçantë ishte torta tradicionale e ofruar nga Katerina’s Bakery, një nga sponsorët më besnikë të Shkollës Shqipe Vatra.

Kjo mbështetje nga bizneset lokale tregon lidhjen e fortë mes komunitetit dhe shkollës, duke forcuar ndjenjën e unitetit. Torta dhe ushqimet e shijshme shtuan një notë gëzimi në këtë ditë të veçantë, duke e bërë ceremoninë një kujtim të bukur për të gjithë të pranishmit. Shkolla Shqipe Vatra do të hapë dyert për nxënësit të shtunën e ardhshme, më 11 tetor, në orën 12:30, në ambientet e St. Petersburg College, ES113.

Ky vit i ri shkollor premton të jetë një hap i rëndësishëm në vazhdimësinë e misionit të shkollës për të edukuar dhe frymëzuar brezin e ri shqiptar në Amerikë. Me mbështetjen e komunitetit dhe përkushtimin e stafit, Shkolla Shqipe Vatra vazhdon të jetë një pikë referimi për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, duke ndërtuar një të ardhme të ndritur për fëmijët e komunitetit.

Përzëmërsisht,

Vatra Tampa Bay🇦🇱🇺🇸

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT