• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dhimitër Berati – Mendja e ndritur, fjala e dijes dhe idealit kombëtar në shërbim të Shqipërisë

August 18, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Dhimitër Berati përfaqëson një nga figurat më të shquara të kombit shqiptar në fillimet e shekullit XX, një intelektual që ndërthurte dijen me atdhedashurinë, veprimin me vizionin dhe diplomacinë me përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. I lindur më 15 tetor 1886 në Korçë, në një familje me prejardhje nga Berati, ai trashëgoi kulturën dhe shpirtin qytetar shqiptar, për të cilin liria nuk ishte thjesht një nocion teorik, por një e drejtë themelore dhe jetike e çdo kombi.

Arsimin fillestar e mori në qytetin e lindjes, ndërsa studimet universitare i kreu në Bukuresht, ku mbaroi Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në një prej universiteteve më të njohura të kohës në Ballkan. Gjatë qëndrimit në Rumani u angazhua në jetën patriotike të diasporës shqiptare, duke kontribuar në shoqata kulturore e atdhetare që kishin si synim themelimin e një Shqipërie të lirë, të bashkuar dhe të pavarur.

Në fillim të shekullit XX ishte ndër themeluesit e shoqatës “Dituria” në Bukuresht, e cila u bë qendër intelektuale për promovimin e gjuhës shqipe dhe ideologjisë kombëtare, duke ndikuar në formimin e opinionit publik mbi vetëdijen shtetërore. Ai botoi artikuj në shtypin e diasporës dhe mori pjesë në organizimin e aktiviteteve që synonin afirmimin e së drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje.

Më 28 nëntor 1912, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Dhimitër Berati ishte ndër nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë, si përfaqësues i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, bashkë me Dhimitër Zografin dhe Dhimitër Mborjen. Me këtë akt, emri i tij u skalit në panteonin e patriotëve të pavdekshëm, duke dëshmuar se ai nuk ishte vetëm mendimtar, por edhe veprimtar i angazhuar për idealin e lirisë.

Pas shpalljes së pavarësisë, u emërua drejtori i parë i gazetës zyrtare të shtetit shqiptar, Përlindja e Shqipërisë, e cila doli për herë të parë më 24 gusht 1913 në Vlorë. Nën drejtimin e tij, gazeta u bë tribunë intelektuale e politike ku mbrohej e drejta e shqiptarëve për vetëqeverisje, liri dhe integritet territorial. Deri më 28 mars 1914, ajo shërbeu si burim i rëndësishëm i mendimit shtetformues shqiptar.

Në periudhën diplomatike, Berati shërbeu si sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919–1920). Ai hartoi memorandume me vlerë historike e juridike për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për të mbetur një komb i pandarë. Gjatë kësaj kohe botoi veprat Albania and the Albanians (anglisht) dhe La question albanaise (frëngjisht), të cilat u përkthyen në disa gjuhë dhe u përdorën si dokumente referuese në qarqet diplomatike ndërkombëtare.

Nga viti 1924 deri më 1926, shërbeu si konsull i përgjithshëm në Sofje, duke mbrojtur interesat e Shqipërisë në Bullgari dhe duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me përfaqësues shqiptarë në Greqi, Jugosllavi dhe Rumani. Më pas, nga 1926 deri më 1934, ishte sekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku përgatiste raporte e dokumente mbi marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare.

Në vitin 1935 u emërua Ministër i Ekonomisë Kombëtare në kabinetin e Ahmet Zogut. Në këtë funksion përgatiti raporte mbi tregtinë e jashtme, investimet industriale dhe marrëveshjet ekonomike me Italinë, duke synuar zhvillimin kombëtar dhe jo vartësinë. Aktiviteti i tij në Parlament mbi buxhetin, infrastrukturën, tregtinë dhe arsimin teknik dëshmon vizionin e tij strategjik dhe orientimin evropian.

Gjatë pushtimit italian, Berati mbeti në shërbim administrativ. Në vitet 1941–1942 shërbeu si Sekretar Shteti për Kulturën Popullore në qeverinë e Mustafa Krujës, ku u angazhua në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, hapjen e bibliotekave, organizimin e ekspozitave dhe promovimin e kulturës kombëtare.

Pas ardhjes së regjimit komunist, u vendos në Romë, ku jetoi deri në fund të jetës. Edhe në mërgim, ai vijoi aktivitetin kombëtar nëpërmjet shtypit dhe komunitetit shqiptar. Më 1968 mori pjesë në kremtimin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Vatikan, ku mbajti një ligjëratë për rolin e heroit kombëtar dhe shqiptarëve në mbrojtjen e qytetërimit evropian.

Dhimitër Berati u shua më 8 shtator 1970 në Romë, larg atdheut, por me nder të paprekur. Veprat, shkrimet dhe dokumentet e tij ruhen sot në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në Arkivin e Shtetit dhe në fondet historike të gazetave Përlindja e Shqipërisë, Dielli dhe Illyria.

Dhimitër Berati nuk ishte thjesht shkrimtar, gazetar apo funksionar shtetëror. Ai ishte vizionar, themelues i mendimit kombëtar modern dhe idealist i pakompromis për Shqipërinë. Jeta dhe vepra e tij janë dëshmi e rrallë e përkushtimit të mendjes dhe veprës në shërbim të kombit.

Filed Under: Politike

MARÇEZA KOTONI, NJË SHQIPTARE KANDIDATE PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË CHELSEA DISTRIKTI 8 NË BOSTON

August 15, 2025 by s p

Intervistoi Editori i Diellit: Sokol Paja/

Marçeza Kotoni, një tjetër bashkatdhetare në mërgatën shqiptare të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës që synon një post të rëndësishëm politik në Massachusetts. Ajo kandidon për Këshillin Bashkiak të Chelsea Distrikti 8 në Boston. Me një platformë elektorale që fokusohet te ndershmëria, drejtësia sociale dhe përfshirja e çdo zëri në vendimmarrje dhe me synimin e qartë për të mbështetur projektet dhe iniciativat që prekin jetën e çdo qytetari, nga siguria në distrikt tek mbrojtja e mjedisit, Marçeza Kotoni përbën një model guximi, krenarie, përfaqësimi dhe suksesi për të gjithë shqiptarët në Boston e më gjerë. Marçeza Kotoni ka studiuar master në politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në New York University (NYU) dhe ka një eksperiencë frymëzuese si vëzhguese zgjedhjesh në vende të ndryshme të Europës Lindore dhe Azisë Perëndimore.

PLATFORMA ELEKTORALE: NDERSHMËRI, DREJTËSI SOCIALE DHE PËRFSHIRJA E ÇDO ZËRI NË VENDIMMARRJE

Platforma ime fokusohet tek ndershmëria, drejtësia sociale dhe përfshirja e çdo zëri në vendimmarrje. Jam kundër projekteve që dëmtojnë komunitetin, si fabrika e përpunimit të mishit dhe peshkut në 100 Justin Drive, dhe luftoj që komuniteti të dëgjohet dhe të ketë vend në tryezën e vendimmarrjes. Zotohem të mbroj shëndetin publik, cilësinë e jetës, si dhe interesat e familjeve të zakonshme sepse besoj se politika duhet të jetë e hapur, transparente dhe në shërbim të të gjithëve, jo vetëm të një grupi të privilegjuar.

ANGAZHIMI POLITIK NË DISTRIKTIN 8 NË CHELSEA: ZËRI I KOMUNITETIT PRIORITETI KRYESOR

Jam shumë e angazhuar në Distriktin 8 në Chelsea, aty ku jetoj, jam aktive dhe kam ndërtuar marrëdhënie të forta me fqinjët. Fokusi im është në ndalimin e projekteve të rrezikshme, siç është fabrika e përpunimit të mishit dhe peshkut, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ujit, dhe ndërtimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë. Politika ime është e pavarur, pa lidhje me parti të mëdha, pasi besoj se zëri i komunitetit duhet të jetë prioriteti kryesor. Ftoj gjithë komunitetin shqiptar t’i bashkohet kësaj nisme për të pasur përfaqësuesin e vet në tryezë, për të qenë zëri i fuqishëm që ka munguar për një kohë të gjatë në Chelsea.

SUKSESI BAZOHET TEK PËRFSHIRJA E KOMUNITETIT, MBËSHTETJA MORALE DHE PRAKTIKE

Kandidatura për Këshillin Bashkiak të Chelsea Distrikti 8 është një mundësi shumë e rëndësishme për të sjellë ndryshimin e duhur. Ky pozicion vendos për projektet dhe iniciativat që prekin jetën e çdo qytetari, nga siguria në distrikt tek mbrojtja e mjedisit. Suksesi im bazohet tek përfshirja e komunitetit, mbështetja morale dhe praktike që kam marrë nga fqinjët, dhe puna e vazhdueshme për të qenë gjithmonë transparente dhe e hapur ndaj të gjitha shqetësimeve të tyre.

“NDER DHE PËRGJEGJËSI”, NJË SHQIPTARE KANDIDATE PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË CHELSEA DISTRIKTI 8 NË BOSTON

Të qënët shqiptare që kandidon për një rol kyç publik është nder dhe përgjegjësi. Ndihem thellësisht e lidhur me rrënjët, vlerat, guximin dhe solidaritetin tonë si popull. Kam një ndjeshmëri të thellë për të gjitha familjet emigrante që kanë sakrifikuar për një jetë më të mirë, dhe dua të jem zëri i tyre. Dua të siguroj që asnjë grua apo njeri me prejardhje të huaj të mos ndjehet i trajtuar pa barazi dhe respekt në komunitet.

MOTO E FUSHATËS: ÇDO ZË KA RËNDËSI DHE VENDIMI DUHET TË JETË REZULTATI I DËSHIRAVE TË KOMUNITETIT

Fushata po ecën me entuziazëm dhe mbështetje të gjerë, megjithëse është ende në hapat fillestarë. Strategjia ime është komunikimi i hapur, takimet ballë-për-ballë, dëgjimi aktiv i çdo anëtari të komunitetit dhe transparencë e plotë. Synoj që edhe elektorati gri, ata që janë të paangazhuar, të ndihen të informuar dhe të përfaqësuar. Motoja ime: çdo zë ka rëndësi dhe vendimi duhet të jetë rezultati i dëshirave të komunitetit.

KUSH ËSHTË MARÇEZA KOTONI?

Kam përfunduar studimet master në politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në New York University (NYU) dhe kam punuar në zyrën politike të OSBE-së në Shqipëri. Përveç kësaj, kam përvojë të gjerë si vëzhguese zgjedhjesh në vende të ndryshme të Europës Lindore dhe Azisë Perëndimore, duke kontribuar në mbrojtjen e standardeve demokratike. Karrierën e kam ndërtuar edhe në fushën e shërbimeve sociale dhe jam aktiviste për të drejtat e njeriut, duke shërbyer si anëtare e Komitetit të të Drejtave të Njeriut në Qytetin e Chelsea. Adhuroj librat si dhe natyrën. Motoja ime: Fairness matters – Drejtësia ka rëndësi. Çdo njeri meriton të dëgjohet.

HISTORIA E EMIGRIMIT NË USA

Në SHBA kam ardhur fillimisht si studente, falë një burse Fulbright, për të ndjekur studimet në NYU. Pas diplomimit, u ktheva në Shqipëri, dhe disa vite më vonë vendosa të rikthehem në SHBA si emigrante. Si grua dhe emigrante, rruga nuk ka qenë aspak e lehtë, ndaj ndihem me fat që banoj në Chelsea, një qytet i ndërtuar nga dhe për komunitetin e emigrantëve. Pjesa tjetër e familjes sime, me rrënjë të thella në kulturën dhe traditat tona, jeton ende në Shqipëri, tërësisht e integruar në jetën dhe komunitetin atje, pa plane për t’u larguar.
@followers@top fans

Filed Under: Politike

SAIMIR MALOKU, IN MEMORIAM…

August 15, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

Kur miku im, intelektuali i shquar Bardhyl Adem Selimi, mes pikëllimit, dha lajmin e trishtuar të largimit nga jeta të shokut tim të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” qysh nga viti 1960, Saimir Malokut, shtanga dhe nuk po u besoja syve. I shkëlqyer në mësime, me një sjellje plot sinqeritet dhe shumë i dashur me të tjerët, fotoja e këtij biri të një familjeje atdhetare, qëndronte përherë në tabelën e nderit. Kështu vazhdoi dhe në jetë kur shërbeu si oficer dhe inxhinier me përkushtim dhe ndershmëri, gjersa shpata e padrejtësisë së diktaturës komuniste, ia shkatërroi jetën, duke e burgosur në Ferrin e Burrelit, pa as më të voglin faj. I përballoi vuajtjet e viteve të gjata me burrëri, dhe kur fitoi lirinë, asnjëherë nuk shprehu ndenja hakmarrjeje. Por për të mos harruar brezat se ç`hoqëm në atë gjysmë shekulli, ai shkroi dhe na la librin me kujtime, për të cilin shkrova sa më poshtë dhe në nderim të jetës së tij po e botoj.               

   I lexova me trishtim kujtimet e shokut tim të mrekullueshëm në vitet e shkollës të mesme “Skënderbej” dhe atë të Oficerëve, Saimir Maloku, dhe gjëja e parë që më doli parasysh ishte ajo shprehja e Friedrich Nietzsches se “Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet”. Libri i tij voluminoz “Si mbijetova në Ferrin komunist”, botim i EMAL, viti 2020, me ato të vërteta rrëqethëse, jo vetëm që të trondit, por edhe synon të gjejë kuptimin e vuajtjeve trupore e shpirtërore të njeriut të ndershëm gjatë luftës për mbijetesë. Si i tillë, pra, për nga forca e argumentit dhe llogjika e të arsyetuarit rreth asaj që ngjau në Shqipëri, ai do të mbesë si një monument demaskimi për padrejtësitë dhe barbaritë e një sistemi despotik që sundoi mbi vendin tonë për mbi katër dekada. Kështu që trishtimit e tronditjes, ja zë vendin urrejtja ndaj atyre që sapo morën frenat e pushtetit në dorë, deklaruan pa ju dridhur qerpiku se do ushtronin diktaturën. Por pati një koincidencë mjaft domethënëse, pasi në kohën që shfletoja librin e shokut tim, një stacion televiziv, jepte historinë e botanistit të madh rus Nikollaj Ivanoviç Vavilovit i cili së bashku me ekipin e tij të shkencëtarëve patriotë, ruajtën me pedantizëm në “Svalbard” farat e bimëve për mbarështim, gjatë rrethimit të egër që ushtria e Vermahtit i bëri qytetit të tyre. Ata pranuan të vdisnin nga uria dhe të mos preknin asnjë kokërr nga ato drithra, pasuri perspektive e popullit të tyre. E megjithatë, Vavilovin, në moshën 54 vjeçare, vetëm pse kishte shfaqur kundërshti mendimesh me Trofim Denisoviç Lisenkon, që kishte përkrahjen e vetë Stalinit, policia e fshehtë e arrestoi dhe e torturoi në 400 seanca që bënin plot 1.700 orë hetime çnjerëzore. Koha tregoi se ai, dhe jo Kryetari i përkëdhelur i Akademisë së Shkencave kishte të drejtë. Çfarë ngjashmërie me Vavilovët tanë, se i tillë shkencëtar i radioteknikës dhe humanist ishte edhe Saimir Maloku. 

Saimiri vinte nga një prej familjeve më të shkëlqyera të kryeqytetit; babai i tij Reshiti, i njohur anë e kënd vendit për kontribute në ndërtime veprash të vështira, por edhe si Mjeshtër i Merituar i Sportit të Qitjes, ku ishte kampion, rekordmen dhe trajnier i ekipit kombëtar, gëzonte reputacionin e njeriut të kulturuar dhe të thjeshtë, kurse vëllai i madh, Agimi, një djalë mjaft simpatik dhe përherë i qeshur, ishte gjithashtu skënderbegas në maturë. Zgjuarsia, edukata qytetare dhe dashuria për shokët u lexohej të dyve në fytyrë. Në çdo shkollë që shkoi Saimiri, deri edhe në Universitetin Shtetëror për inxhinieri elektrike, fotografia e tij qëndronte në Tabelën e Nderit, pasi ai nuk njihte notë tjerër veç atyre maksimale. Ne të gjithë lexonim literaturë artistike, por Saimiri kishte dhe një pasion tjetër, atë të ndërtimit të radiove. Duke parë talentin e rrallë të tij dhe vullnetin e jashtëzakonshëm, ai fitoi dhe mbështetjen e trupës së mësuesve dhe oficerëve tanë. Natyrisht që në fillim të viteve 60 – të mungesat ishin të shumta, por një zot e dinte se nga i gjente Saimiri gjithë ato vegla e pjesë radiosh. 

Aq i aftë dhe i papërtuar ishte ai në këtë fushë, sa me të konsultoheshin dhe e thërrisnin për t`i ndihmuar edhe kapter Bezhani e Rexhepi, kino operatorët dhe përgjegjësit e teknikës radiofonike. I tillë kishte qenë në shkollën tonë vetëm një: austriaku, robi i luftës që quhej Karlo. Ne, nga ana jonë, Saimirit i thoshim se do të bëhej si Aleksandër Popovi që na kishin thënë se kishte shpikur radion, por ai na kundërshtonte duke shpjeguar se ai kishte studiuar vetëm valët elektromagnetike, kurse radion e kishte shpikur një italian, Gulielmo Markoni, i cili para gjysmë shekulli për valët e tij Herc, kishte fituar edhe çmimin “Nobel”. Dhe shtonte, se atij nuk i zihet emri me gojë se ishte fashist, por meritë ka pasur edhe Faradei, Tesla, Edisoni, edhe ky Popovi juaj me shokë. Por Saimiri, edhe për të kërcyer Rock and Roll në pushimin e gjatë me Maks Ruvinën, Bardh Kazazin, Tigër Godon, Ylli Dudushin me shokë, gjente kohë, duke i rënë me pëllëmbë në vend të xhazit, katedrës, por edhe për të ndihmuar ata që në mësime ishin më të dobët. Ai i donte shokët dhe nuk bënte dallime mes tyre. Por ja, pikërisht ky njeri me shumë kulturë duhej përndjekur, poshtëruar, torturuar, burgosur e mundësisht edhe vrarë nga të betuarit servilë të partisë, nga ata që e urrenin kulturën. Duke qëndruar në llahtarin e burgjeve komuniste, Saimiri, pa dhe njohu shumë. Ai, fare mirë mund të shkruante për plot të burgosur si Pjetër Arbnori, At Zef  Pllumi, Uran Kalakulla, Todi e Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Hajredin Fratari, Burhan Kalaja, Gëzim Çela, Hafiz Sabri Koçi, Adem Allçi, Sazan Hadëri, Dhori Gërnjoti e plot të tjerë që burrërisht i qëndruan diktaturës, duke na dhënë kështu një enciklopedi, por ai është mjaftuar kryesisht tek ato që i ngjanë vetë atij, pra, te padrejtësitë, intrigat, shpifjet, fyerjet, rrahjet, izolimi në biruca për muaj me radhë, dramat shpirtërore, kërcënimet për jetën e tij dhe të familjes, vuajtjet nga uria, të pa larët, të ftohtit, lagështia, depersonalizimi, linçimi publik, sëmundjet e deri shpërfytyrimi, sa i bërë kockë e lëkurë, pra tjetër njeri, nuk e njohu as nëna e tij. Dhe këto mjaftojnë, për të treguar fytyrën kriminale të atij sistemi, që arriti t`i hedhë trutë e gomarit shumicës nga ne dhe që fatkeqsisht, ende sot e kësaj dite, ka nga ata që e kujtojnë me mall. Në këtë këndvështrim, kujtimet e Saimiri Malokut, përsëri do të mbeten një enciklopedi e gjendjeve emocionale njerëzore, kur mbi të bijen rrufetë e padrejtësisë komuniste. 

Se lexuesit do të gjejnë në to, çudirat që ndodhin kur dikush bije në situata të ngjashme dhe që ky autor nuk ja uron askujt. Natyra njerëzore është një pus i pafund, ku po të futesh në të, do të ndeshësh gëzime e hidhërime, qeshje e lot, forcë e dobësi, thyerje e qëndresë, nënshtrim e revoltë, por lum ai që kur del prej tij, ka arritur të mbetet përsëri Njeri. Vetë Saimiri, duke folur për këtë, shprehet: “Vuajtjet e mëdha në qeli më mësuan të luftoja për jetën. Lëndimet nga torturat më mësuan të mos dorëzohesha, ndërsa dhimbjet që ndieja në trup më mësuan të isha i fortë. Prona më e madhe e njeriut është dinjiteti njerëzor”. Dhe Saimiri e ruajti trimërisht këtë dinjitet. E arriti këtë pasi ai ndoqi besnikërisht thënien e famshme të Shakespeares se “Frikacakët vdesin shumë herë para vdekjes së tyre, ndërsa guximtarët e provojnë shijen e vdekjes një herë të vetme”. Po përse kishte vajtur puna deri këtu? Babai i tij, Reshiti kishte studiuar në shkollën teknike të Harry Fulcit dhe kjo qe e mjaftueshme që rreth tij të mos ndahej hija e dyshimit. Puna që kishte bërë me aq përkushtim në interes të vendit, nuk kishte fare rëndësi. Pastaj, ai paskej shoqëruar disa turistë anglezë në Thethin turistik aty nga viti 1936, por edhe sikur t`i kishte shoqëruar ata në kohën e ilirëve, përsëri do i vihej një pikëpyetje e madhe. Kur ishte paralizuar, një anglez, mik partie i dërgonte ilaçe që këtu nuk gjendeshin. Por kush u besonte miqve, kur vetë Enveri nuk i zuri besë kunatit të tij, duke i futur një plumb pas koke, siç bëri me të gjithë bashkëpunëtorët, shumë nga të cilët ishin edhe Heronj të Populllit. Vetë Saimiri, merrej me koleksionime pullash, dhe për t`i shkëmbyer dërgonte letra në 17 shtete. Po sikur, me kod të fshehtë të çonte tek armiku sekretet tona të mëdha? Pastaj, ai na mësonka edhe gjuhë të huaja. E përse do t`i shërbejnë, veçse për agjenturë. 

Ka shpikur edhe një kanoçe për të parë stacionet e huaja televizive. Ne vërtetë e kemi marrë nga ai nga një të tillë, por ai po ja shpërndan kujtdo, duke futur kështu ideologjinë borgjezo – revizioniste. Apo nuk shkon derë më derë për t`ua rregulluar njerëzve çfarëdo, aparatet televizivë, pa pyetur fare për biografitë e tyre. Sikur të mos mjaftonte ajo që shtëpinë e tyre e kishte bërë si vatër kulture, ku mbidheshin gjithë rinia dhe shihnin deri në mesnatë, filma, koncerte e sporte perëndimore. Edhe në veshje ai na del si gagarel, me ca këmishë plot lule e ngjyra për të përhapur ideologjinë e huaj. Se edhe për të llapur, nuk i rri goja rehat, duke thënë ashtu si pa dashje se në vendet kapitaliste jetohet shumë më mirë se te ne. Po a e hamë ne atë. Partia jonë dhe Komandanti i treguan vendit Beqir Ballukut që ishte ministër i Mbrojtjes e jo një oficeri të thjeshtë të ndërlidhjes në Burrel, ku aq pranë është dhe ai burgu i llahtarshëm. Ti vemë hekurat njëherë, se na favorizon edhe situata politike, ku po kërkohet që t`i fshijmë me fshesë të hekurt e pa mëshirë armiqtë, se pastaj e bëjmë ne që t`i pranojë të gjitha si Çeçua. Dhe kështu nisi ndjekja, nga jo pak, por nga 120 oficerë sigurimi, përpilimi i atyre dosjeve të inkuizicionit 2 B e 2 A dhe më 13 maj 1976 arrestimi i tij. 200 ditë në birucën e nëndheshme të Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, ku kishte punë me lloj – lloj katilash e xhahilash dhe sikur të mos mjaftonin këta edhe me pisllëkun, zhulin, tartabiqet, mungesën absolute të higjienës dhe ajrimit, të ftohtin e llahtarshëm që s`kishte ç`ti bënte ajo gjysmë batania si leckë e ndotur dhe asnjë kontakt me prindërit e vëllezërit e tij. Po ç`mund të bënte një njeri i shndërruar në skelet, veçse t`i lutej Zotit dhe … ju s`do ta besoni, të këndonte këngët e ndaluara dhe të vallzonte, edhe pse e dinte se do ta merrnin për të çmendur. Kishte qenë pasioni i tij i hershëm kjo lloj muzike e cila kishte forcë ringjallëse. Se ishte ashtu sikurse thosh ai Nitçja, se pa muzikë, jeta do të ishte një gabim. Pastaj ajo muzikë shoqërohej me fjalë frymëzuese, ndaj dhe konti Leon Tolstoi e shihte si gjuha e shkruar e emocionit. 

Përfytyroni një fantazmë që si hije, vjen rrotull një qelie të nëndheshme, që nuk ja gjen shokun për ta krahasuar as edhe te fantazia aq e zhvilluar e mitologjisë. Schopenhaueri me atë mendjen e tij të fuqishme kishte thënë dikur: “Një njeri mund të jetë vetja vetëm për aq kohë sa ai është i vetëm; dhe nëse ai nuk e do vetminë, ai nuk do ta dojë as lirinë; sepse vetëm atëherë kur ai është i vetëm, ai është vërtetë i lirë”. Duke parë se hetuesit djallëzisht, dosjen e tij donin ta bashkonin me atë të babait, duke krijuar kështu grupin armiqësor që do përmbyste pushtetin popullor, për të përligjur dënimin me vdekje, ai vendos të rezistojë, se në vetminë e tij ndihej i lirë për të folur, duke e kthyer kështu gjyqin ndaj tij në një aktakuzë për regjimin mizor dhe duke demaskuar vetë Enver Hoxhën dhe politikën e tij të mbrapshtë prej Neroni. Kurrë ata qindra të pranishëm, nuk kishin dëgjuar të flitej kështu për partinë dhe udhëheqën e “pagabueshëm”. Ndaj ulërinin, talleshin, pështynin dhe qëllonin me shkelma e vezë të prishura në drejtim të tij. Kurse ai, duke mbajtur me njërën dorë pantallonat pa rrip, me frikën se mos i binin, pasi edhe mbathje nuk kishte veshur, kishte guximin të deklaronte: “Këta krimba janë udhëheqësit kryesor të saj si Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Enver Hoxha, duke pushkatuar Beqir Ballukun dhe shokët e tij, me arrestimet, burgimet dhe internimet masive që ka bërë, populli në të ardhmen pas vdekjes së tij, do ta quajë atë diktator të Shqipërisë si Stalini dhe ashtu siç ia bënë diktatorit komunist sovjetik do t`ia bëjnë edhe atij duke ia djegur trupin, veprat si dhe do të rrëzojnë dhe do të shkatërrojnë të gjitha monumentet e tij.” Fjalë profetike apo jo, dhe sidomos të padëgjuara ndonjëherë, para këtij tribuni të vegjëlisë. Dhe ndodhi ashtu siç kishte parashikuar ai. 

Pikërisht Saimir Maloku, pas atyre vuajtjeve barbare, tani i liruar nga burgu më 20 shkurt të vitit 1991, ku ndodhesha edhe unë, i printe turmës për rrëzimin e monumentit të diktatorit shqiptar dhe për të djegur te dyqani “Flora” veprat e tij të pështira. Kushdo i njeh kontributet e Saimir Malokut për shpëtimin e jatës së dhjetra qytetarëve të aksidentuar apo të sëmurë, ç`ka flet qartë për vlerat e tij të mëdha humane. Por kushdo duhet ta dijë se mbi të gjitha ai mbetet një atdhetar i devotshëm dhe i kulluar me prirje të hershme evropianiste. Nuk do ta harroj kurrë, ditën e Lumturimit të Madre Terezës, kur pas audiencës që i kishte dhënë familjarisht Papa Vojtila në Vatikan, e pashë atë, duke katalizuar entuziazmin dhe krenarinë e të gjithë shqiptarëve të pranishëm në shesh, duke i nxitur ata që të bënin fotografi me flamurin tonë kombëtar që e mbante një bukuroshe. O Zot, thosha me vete, këtë shqiptar të madh e dënonte diktatura si dikur Prometeun. Dhe Saimiri, anën e tij njerëzore e atdhetare vazhdon ta ruajë të paprekur, edhe në këto kujtime, ku predikon vetëm vëllazërim, jo hakmarrje dhe ku nuk përmend asnjë xhelat me emër, vetëm duke shpresuar se ndonjë ditë dikush do t`i kërkojë atij dhe bashkëvuajtësve të tij të pafaj, ndjesë. Kam parë se edhe Nelson Mandelës, rojet dhe ata që e dënuan, i kërkuan falje dhe ai vetëm buzëqeshte. Por në Shqipëri kjo qenka mjaft e vështirë. Ndofta se te ne, pra në mes të Evropës, krimet ndaj të burgosurve politikë kanë qenë edhe më të këqia se ndaj Mandelës në Jugë të Afrikës. Ja ç`thotë vetë ai për këtë: “…diktatori Enver Hoxha shpiku dhe i la si trashëgimi këtij populli para vdekjes së tij operën e famshme “Komunizmi shqiptar”, ku ai ishte “kompozitori dhe dirigjenti kryesor i saj”. 

Me rrëzimin e monumentit të diktatorit komunist më 20 shkurt 1991 muzika e kësaj opere famëkeqe komuniste ndaloi.” Por, për çudi, nostalgjikët vazhdojnë t`i bijen të njëjtit avaz, nga po ai pentagram i nxirë nga koha, pasi duam apo nuk duam, janë po ata që e pështynin Saimirin me shokë duke brohoritur në kor: “Vdekje armiqve të partisë”, janë ata që nxitonin t`i bashkoheshin me gëzim forcave militare që rrethonin, arrestonin, plagosnin dhe vrisnin ata tre djemtë që patën guximin të shpërthenin burgun mesjetar të Burrelit. Të vjen keq që shoqëria jonë, për hir të luftës politike dhe etjes për pushtet është kaq e çorientuar, dhe që ndihma e të huajve për dënimin e bëmave të komunizmit, thuajse nuk ndihet fare. Na dhimbset e ardhmja e Atdheut në familjen evropiane, se Saimir Maloku me nderimet që i janë bërë, mbetet ai që të porsa lindur, vajzat e lagjes e quajtën SA I MIR. Por në qoftë se ai ngre zërin, këtë e bën, se nuk harron asnjëherë mësuesen tonë të letrërsisë, Gjylizare Çiçon që duke cituar Victor Hygoin thosh: “Ngjitur me të drejtat e Njeriut, fare pranë tyre, janë të Drejtat e Shpirtit”. 

Filed Under: Politike

Musine Kokalari dhe lufta për liri intelektuale në Shqipërinë e pasluftës

August 14, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Figura e Musine Kokalarit mbetet një nga më të veçantat dhe më të rëndësishmet në historinë e intelektualëve shqiptarë të shekullit të XX. Pavarësisht ndryshimit të sistemeve politike, roli i saj nuk është trajtuar ende në dimensionin e plotë intelektual, duke lënë pa vëmendje kontributin e saj të jashtëzakonshëm në shkrim, kulturë dhe politikë. Përtej talentit të saj letrar dhe aftësisë për të dhënë zë të brishtësisë dhe nuancave të jetës së përditshme në Gjirokastër dhe rajonin jugor të Shqipërisë, Musine Kokalari dallohet si një intelektuale dhe aktiviste e vendosur për t’u përballur me sistemin e ri komunist, i cili sapo kishte ardhur në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore.

Angazhimi politik i saj nuk mund të kuptohet pa analizuar programin e Partisë Socialdemokrate, të cilin ajo e hartoi dhe konteksti i periudhës së pasluftës. Shqipëria ishte vendi i parë në Evropën Lindore që u sovjetizua me shpejtësi dhe metodë sistematike, duke i dhënë regjimit komunist një kontroll të plotë mbi jetën politike dhe shoqërore. Deklarata e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar (KANÇ) më 24 tetor 1944 kishte hapur disa shpresa për pjesëmarrje të opozitës, por realiteti shpejt tregoi natyrën e diktaturës komuniste dhe metodat e saj për monopolizimin e pushtetit.

Në këtë sfond historik, Musine Kokalari, e njohur për pseudonimin e saj letrar “Muza” gjatë viteve ’30, u bë një nga zërat më të fortë të intelektualëve që kundërshtonin regjimin e ri. Ndryshe nga betejat e saj letrare kundër konservatorizmit të shoqërisë shqiptare, përballja me regjimin komunist ishte shumë më e vështirë dhe me pasojë serioze. Musineja nuk u përkul para kërcënimeve dhe terrorit politik; ajo përfaqësonte rezistencën morale dhe intelektuale, duke dhënë shembullin se dashuria për vendin dhe idealet demokratike mund të qëndronin të papërkulura edhe nën dhunën e pushtetit totalitar.

Periudha e shkurtër nga dhjetori 1944 deri në dhjetor 1945, kur regjimi komunist tregonte një tolerancë formale ndaj pjesëmarrjes së opozitës, shfrytëzohej nga Musine Kokalari dhe bashkëpunëtorët e saj për të organizuar veprimtarinë politike dhe për të përgatitur strategji për pjesëmarrje në zgjedhjet e para. Gjatë këtij procesi, Musine Kokalari lidhi kontakte me Misionin Ushtarak Britanik dhe përfaqësuesit e opozitës shqiptare, duke punuar për bashkimin e grupeve opozitare dhe hartimin e memorandumit që synonte të shprehte kërkesat e opozitës dhe të kundërshtonte monopolin komunist.

Partia Socialdemokrate, e udhëhequr nga Musine Kokalari, përfaqësonte një rrymë të moderuar të së majtës shqiptare, që synonte një evolucion të shoqërisë shqiptare pa masa ekstreme të tipit komunist sovjetik. Statuti i partisë parashikonte reforma agrare, sigurim të drejtësive të bujqësisë, të punëtorëve dhe të të gjitha klasave shoqërore, si dhe promovimin e lirisë politike dhe të drejtave të njeriut. Ky angazhim politik dhe intelektual, pavarësisht afërsisë ideologjike me disa qëndrime të komunistëve për reformën sociale, konsiderohej nga Partia Komuniste Shqiptare si një kërcënim i drejtpërdrejtë për monopolin e pushtetit dhe ekzistencën e një opozite aktive parlamentare.

Përballja e Musine Kokalarit me regjimin nuk ishte thjesht një përpjekje politike, por një akt moral dhe intelektual i jashtëzakonshëm. Arrestimi, procesi gjyqësor dhe dënimi i saj ishin pjesë e strategjisë së regjimit për të eliminuar elitën intelektuale dhe kundërshtarët politikë. Musine Kokalari, megjithatë, nuk u përkul dhe në gjyq u shpreh me guxim të jashtëzakonshëm:

“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e saj. Ju mburremi se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim.”

Ky qëndrim e shndërroi Musine Kokalarin në “muzën e historisë”, duke i dhënë një dimension heroik dhe moral rezistencës intelektuale shqiptare. Rezistenca e saj nuk ishte vetëm kundërshtim ndaj dhunës politike, por edhe një dëshmi e qëndrueshmërisë së intelektualit shqiptar për t’u mbrojtur vlerat e lirisë, të drejtave të njeriut dhe të qytetërimit perëndimor në një kohë kur regjimi totalitar synonte të zhdukte çdo mendim ndryshe.

Në historinë e Shqipërisë së pasluftës, Musine Kokalari përfaqëson shembullin e rezistencës morale dhe intelektuale, e cila, edhe pse u shtyp fizikisht dhe politikisht, la një trashëgimi të pashlyeshme për mendimin politik shqiptar dhe kujtesën kombëtare. Ajo mbetet një nga figurat kryesore të opozitës antikomuniste dhe një simbol i guximit dhe integritetit intelektual në ballafaqimin me diktaturën.

Filed Under: Politike

Kriza e Moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës: Analizë dhe Rekomandime

August 13, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Konteksti kushtetues dhe rëndësia e funksionimit institucional

Në çdo sistem demokratik modern, funksionimi i pandërprerë i institucioneve kushtetuese është gur themeli për stabilitetin politik, juridik dhe shoqëror. Republika e Kosovës, e shpallur si shtet sovran dhe demokratik, mbështetet në parimet e ndarjes së pushteteve, sundimit të ligjit dhe demokracisë parlamentare, të sanksionuara në nenin 7 të Kushtetutës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si organi më i lartë përfaqësues i sovranitetit popullor (neni 63), ushtron funksione legjislative, kontrolluese dhe përfaqësuese të pazëvendësueshme. Funksionimi i tij i rregullt është kusht për stabilitetin institucional dhe për legjitimitetin demokratik të shtetit.

Moskonstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve përbën një devijim të rëndë nga rendi kushtetues, duke krijuar vakum institucional dhe duke cenuar ekuilibrin ndërmjet pushteteve. Në rrethanat aktuale, ky bllokim ka gjeneruar një krizë funksionale të thellë që ndikon negativisht në pushtetin ekzekutiv, gjyqësor dhe në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës.

Ky punim synon të ofrojë një analizë të detajuar juridiko–kushtetuese dhe krahasimore, si dhe rekomandime konkrete për daljen nga kjo situatë, duke respektuar standardet më të larta të së drejtës kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare.

Analiza juridiko–kushtetuese e gjendjes aktuale

Moskonstituimi i Kuvendit dhe shkeljet kushtetuese

Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës obligon që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Moszgjedhja e Kryetarit dhe Kryesisë brenda këtij afati përbën shkelje të qartë kushtetuese dhe krijon një vakum institucional që rrezikon parimin e ndarjes së pushteteve (neni 4).

Në vendimin KO 26/21, Gjykata Kushtetuese ka theksuar detyrimin për respektimin strikt të afateve kushtetuese, duke paralajmëruar se vakumet institucionale minojnë legjitimitetin e shtetit dhe stabilitetin demokratik.

Pasojat në pushtetet e tjera

-Ekzekutivi – Mungesa e kontrollit parlamentar cenon legjitimitetin politik dhe juridik të Qeverisë.

-Gjyqësori – Pamundësia për miratimin e ligjeve dhe buxhetit ndikon negativisht në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe në zbatimin e sundimit të ligjit.

-Presidentja – Kufizimi në ushtrimin e rolit kushtetues si garantuese e funksionimit të institucioneve.

Pasojat ndërkombëtare

Kriza aktuale perceptohet nga partnerët ndërkombëtarë si shenjë e mungesës së stabilitetit institucional. Serbia e instrumentalizon këtë situatë për të penguar procesin e njohjeve dhe për të bllokuar integrimin euroatlantik të Kosovës.

Krahasime ndërkombëtare

Në demokracitë parlamentare të konsoliduara, moskonstituimi i parlamentit trajtohet me dispozita vetë-ekzekutuese për të shmangur bllokime të gjata:

-Gjermania – Kushtetuta përcakton afate të detyrueshme për konstituimin e Bundestagut dhe parashikon shpërndarjen e tij automatike në rast bllokimi.

-Italia – Presidenti ka kompetencën për shpërndarjen e Parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja kur ai nuk funksionon.

-Belgjika dhe Kanadaja – Zbatojnë mekanizma kushtetues dhe ligjorë për të shmangur krizat parlamentare dhe për të garantuar vijueshmërinë institucionale.

Këto modele përfaqësojnë standarde të larta të funksionimit demokratik dhe mund të shërbejnë si referencë për Kosovën.

Standardet e Komisionit të Venecias dhe jurisprudenca

Komisioni i Venecias thekson rëndësinë e respektimit të afateve kushtetuese dhe të mekanizmave të qartë për funksionimin e pandërprerë të parlamentit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur se bllokimet institucionale që pengojnë ushtrimin e sovranitetit popullor përbëjnë shkelje të parimeve të demokracisë përfaqësuese.

Implikimet politike, juridike dhe diplomatike

Kriza aktuale:

-Cenon legjitimitetin e institucioneve.

-Krijon pasiguri politike dhe juridike.

-Dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

-Rrezikon proceset integruese në BE dhe NATO.

Rekomandime për dalje nga kriza

Vendim vetë-ekzekutues i Gjykatës Kushtetuese – Përcaktim i afatit për konstituimin e Kuvendit dhe pasojë automatike shpërndarjeje në rast mosrespektimi.

Zgjedhje të parakohshme – Organizim brenda 45–60 ditësh me monitorim ndërkombëtar.

Marrëveshje politike gjithëpërfshirëse – Për garantimin e stabilitetit institucional, me garanci ndërkombëtare.

Ndërmjetësim ndërkombëtar – Për zbatimin e marrëveshjeve dhe shmangien e krizave të ngjashme në të ardhmen.

Reforma kushtetuese dhe ligjore – Futja e mekanizmave vetë-ekzekutues dhe dispozitave të qarta për parandalimin e bllokimeve.

Republika e Kosovës po kalon një nga momentet më sfiduese të funksionimit të saj institucional. Moskonstituimi i Kuvendit nuk është vetëm çështje procedurale, por një problem themelor i rendit kushtetues që kërkon veprim të vendosur, reformë të thellë dhe bashkëpunim të sinqertë ndërmjet forcave politike dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të ruajë besueshmërinë e saj si një demokraci funksionale dhe të përforcojë pozitat e saj në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 663
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në një moment historik për t’i dalë zot Kosovës
  • THE CANBERRA TIMES (1971) / PRIMITIVIZMI DHE ZYMTËSIA E MBAJNË SHQIPËRINË TË MBËRTHYER
  • Nga Galeritë e Trepçës te Pavarësia e Kosovës – Shkurti 1989 si akti i parë i shtetësisë
  • Libra nga autorë të Kosovës, me banim në Londër, bëhen pjesë e projektit mësimdhënës nga mësuese Anila Kadija
  • Fundi i një procesi ku po gjykohet liria, që do mbetet plagë politike e Kosovës
  • NJË STUDIM ME VLERA PËR HISTORINË E KOSOVËS, FEDERATËS “VATRA” E GAZETËS “DIELLI”
  • Lef Nosi (9 prill 1877 – 13 shkurt 1946), Monument i vlerave kombëtare
  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT