• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GOJËTARIA E ANTON ÇETTËS

May 2, 2025 by s p

(Sot, në 35 vjetorin e tubimit madhështor te Verrat e Llukës)

Shkruan: Myrvete Dreshaj-Baliu

Gojëtaria ose komunikimi gojor moshën e ka të njëkohshme me thirrjet kushtrimtare dhe bartjen e lajmit me kasnec dhe sigurisht shumë me të madhe se sa letrat postare me shkrim, e mos të themi për komunikimin me telefon, me e-mail, pastaj komunikimin në facebook, dhe me metoda të tjera ku komunikohet jo vetëm me fjalë, por edhe me pamje. E megjithatë ajo vazhdon ta ruajë fuqinë, si forma e komunikimit më njerëzor, shekuj e mijëvjeçarë më radhë. Dhe kur këtë peshë të komunikimit gojor, ia vendosim një personaliteti të madh të kulturës dhe të shkencës shqiptare, një veprimtari të shquar të çështjes kombëtare, si Profesor Anton Çettës, ajo vazhdon të reflektojë ende si një ndër format më të përsosura komunikuese.

Është e lehtë gjetja e mënyrës së komunikimit me intelektualë, artistë e shkrimtarë të njohur, ku format e komunikimit janë nga me të ndryshmet dhe ku format poetike të të shprehurit artistik e krijues e gjejnë vendin kryesor. Por është vështirë të gjesh komunikimin e duhur, pa fjalime të gjata e ligjërata të shkruara, me të gjitha shtresat shoqërore e sociale dhe t’i bësh për vete me forcën e fjalës tënde që të gjithë, siç arrinte Profesor Anton Çetta.

Në fjalën time dua të sjellë vetëm një aktivitet historik, ku gojëtaria e Profesor Anton Çettës kishte rol vendimtar, e kjo është Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve. 

Prej veprave të lexuara kishim kuptuar dhe mësuar se “të gjitha lëvizjet ideologjike, fetare, nacionale, kulturore, letrare apo filozofike, të gjitha idetë e mëdha shkencore kanë pasur gojëtarët e tyre, që i kanë mbrojtur, përhapur dhe popullarizuar ato (R. Qosja), ndërsa prej përvojës së vogël në Lëvizjen ilegale për çlirim të Kosovës dhe prej fjalëve tona mbrojtëse para gjyqeve serbe, e kishim kuptuar se sa e rëndësishme dhe se sa me ndikim në sjelljen dhe në jetën shoqërore ishte gojëtaria, dhe madje sa ndikim kishin gojëtarët e afirmuar në jetën tonë.

Në qoftë se të gjitha lëvizjet filozofike, fetare, politike dhe kulturore kishin përfaqësuesit e saj me ndikim, e këta përgjithësisht ishin gojëtarët më të mirë të këtyre Lëvizjeve, ishte e kuptueshme që edhe Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve duhej të kishte prijësin e saj, i cili më parë se sa trim, shkencëtar apo politikan, duhej të ishte gojëtar. 

Në punën tonë prej nismëtarësh të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, ndonëse të një moshe të re, nuk na mungonte guximi i shfaqjes së mendimit, por na mungonte gojëtaria e artikulimit të atyre mendimeve. Kur ne i trokitëm për herë të parë në derë Profesor Antonit (janar 1990) dhe i treguam për misionin tonë, befasia i shihej në sytë e tij, por edhe krenaria për ne dhe punën tonë. Për kohën duhej guxim dhe vendosmëri e pamohueshme për të na përkrahur.

E kush dinte më mirë se Profesor Anton Çetta që faljen e gjakut ta kërkonte në emër të dëshmorëve, të gjakut të tyre, në emër të popullit, të flamurit, të rinisë, në emër të unitetit kombëtar. E kush tjetër dinte më mirë se Profesor Anton Çetta që të gjykonte dhe të prekte në shpirtin e falësve me moton që e krijuam ato ditë të fillimit të Aksionit të Pajtimit, se: Kur na vrasin të tjerët, ne të mos i hapim varre vetvetes, që 32 të vrarët nga terrori shtetëror serb t’i ringjallim duke i falur 32 gjaqe, duke i lenë të pahapura 32 varre të reja dhe se Plagët që na i shkaktojnë të tjerët të mos na duken më të lehta se plagët që i shkaktojmë vetvetes. Ishte gjetja e mënyrës së interpretimit të kësaj motoje dhe prekja e kujdesshme në plagën e dhimbshme të tyre, ajo që u jepte forcë të magjishme të hasmuarve të deridjeshëm, që pa urrejtjen e mëparshme, t’ia shtrinin dorën e pajtimit njeri-tjetrit.

Kjo është arsyeja pse kërkesën tonë për përkrahje dhe ndihmë nuk mund ta kërkonim tek bartësit e partive politike të sapo themeluara, tek gojëtarët e tribunave të hapura ndër protesta, as te gojëtarët e mendimit politik të kohës në hapësirën akademike, por tek Profesor Anton Çetta, bardi shumëvjeçar i kërkimeve etno-folklorike në Kosovë, tek ai që përvojën e tij në ato mjedise, ku shekuj me radhë kishin bartur forma të ndryshme të organizimeve, pra, edhe të pajtimit të gjaqeve, dinte ta artikulonte me urtësi e mençuri dhe ta bartte qëllimin tek shpirti i këtyre njerëzve.

Gojëtari ynë ishte njohës i devotshëm i Kanunit dhe i ndryshimeve të tij nga njëra krahinë etnografike në tjetrën, si dhe i modifikimit të tij në zonat urbane, ishte njohës i thellë i etnopsikologjisë së popullit të tij, i guximshëm përballë pengesave policore, me të cilat ndesheshim çdo ditë dhe i kujdesshëm e i durueshëm përballë sfidave që paraqisnin rastet e veçanta, me të cilat ndesheshim nga njëra familje tek tjetra.

Në gojëtari përgjithësisht “funksionet e të folurit janë jo konceptime idesh, por konceptualizime realitetesh sociologjike, psikologjike, filozofike e gjuhësore” (E. Krasniqi), prandaj në mjediset ku organizoheshim ne Profesor Anton Çeta ishte përfaqësuesi i gjendjeve shpirtërore të familjeve të hasmëruara dhe bartësi i synimeve tona. Mendimi i tij ishte shprehshmëri e shkallës së intensitetit kulturor dhe i rrafsheve të interferimeve shoqërore, në funksion të kërkuesit në njërën anë dhe të falësit, në anën tjetër.

Çështja e transponimit të mendimit dhe kërkesës në odë, ose të folurit në odë, ngërthente në vete tërë sistemin logjik e filozofik të komunikimit në etno-psikologjinë tonë. Në mjetet shprehëse të udhëheqësit të Lëvizjes së Pajtimit, që nga përshëndetjet gjer te lamtumirat, vetvetiu implikohej e gjithë njohja e sistemit shenjëzues gjuhësor në rrafshin krahinor dhe urban. Zbërthimi i kuptimeve të shtresëzuara dhe përdorimi i rregullave të caktuara në komunikimin e Profesorit tonë bënin që qasjet në të folur të jenë të pranueshme, të qarta e të vetnënkuptueshme edhe për dëgjuesit e bashkëfolësit që kishim përpara.

Gojëtaria e tij nuk kishte të bënte aspak me mënyrën se si ne e manifestonim qëndrimin tonë, madje as me tonin (kur e kur të ngritur) të artikulimit të kërkesave tona, as me theksin shpesh të pakontrolluar të synimeve tona, as me fjalësin shpesh të pakuptueshëm të shprehjeve tona; përkundrazi ai shquhej me mendimin e përvojës së vjelë për më shumë se katër dekada në teren, me koherencën e diskutimit dhe komunikimit në odë, me gërshetimin e filozofisë së odave dhe dijes intelektuale e shkencore, me lehtësinë e durimit, si dhe me besnikërinë e qartësinë e mendimit. Përtej këtyre, ai në biseda me të tjerët dhe në media, pa kompleksin që më vonë do ta manifestojnë të tjerët, theksonte: “Këtë punë të mirë dhe të mbarë e filloi rinia e Pejës”.

Nga këndvështrimi kontrastiv i rrafsheve të komunikimit, funksionet e të folurit në odë në gojëtarinë e Anton Çetës kishin edhe vlerën e bartësit të edukimit, rolin përafrues, bashkues e drejtues dhe përmasat shprehëse e përmbuluese të një institucioni autonom e afirmativ, të cilin tashmë e kishte krijuar Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve.

Në këtë rrafsh, unë identifikova këtu vetëm gojëtarinë e Profesor Anton Çettës gjatë Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, ku roli i tij ishte i pazëvendësueshëm. Format e tjera të kontributit të tij në fushë të gojëtarisë sigurisht do të donin një qasje dhe një trajtesë tjetër.

Filed Under: Politike

PAPA FRANҪESKU DHE SKËNDERBEU

May 1, 2025 by s p

Hysen S.Dizdari/

Më 21 shtator 2014 Papa Françeskut  vizitoi, Shqipëri.

Posta Shqiptare më 21 shtator 2014, për të nderuar vizitën e Papa Françeskut  në Shqipëri , vuri në qarkullim një emision me  pullë postare, kushtuar vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri. 

Ky emisioni u titulluar “Papa Françesku në Shqipëri” përbëhet nga një pullë me portretin e Papa Franceskut dhe në sfond ka të vendosur pamjen e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili është i vendosur në qendër të Tiranës. 

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, më 21 shtator 2014, shënon një ngjarje historike me rëndësi të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, sepse kjo datë e stampuar mbi këtë pullë shënon vizitën e parë në Europë të Papa Françeskut. Për Shqipërinë kjo vizitë ka rëndësi të madhe kombëtare, sepse Papa Françesku i kushtoi tërë forcën dhe energjitë e tij ringjalljes së shpresës dhe besimit te Zoti duke u lutur për kombin shqiptar, për atdheun e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe të humanistes të madhe shqiptare, Nënë Terezën. 

Papa Françesku, duke iu drejtuar të pranishmëve në mitingum madhështor i cili u organizua në Tiranë me këtë rast, theksoi:

 “Erdha për t’ju inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja që keni në flamurin tuaj të mbajë gjithmonë shpresën te Zoti që nuk zhgënjen e që qëndron pranë në momente të vështira”.

 Ky emision, sipas të dhënave që jep Posta Shqiptare, u shtyp në një tirazh  filatelik: 3 800 seri; në tirazh shërbimi postar: 5 000 pulla (100-lekëshe), si dhe zarfet FDC në tirazh: 200 copë.

Me  19 Nëntor 2018, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut,  u organizua nga ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë,  një pritje nga Papa Françesku ku vëri në dukje bëmat e Gjergj Kastriotit, Papa duke  ngritur  lart popullin shqiptar, theksoi:

“Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj. Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”. 

Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë.”

Literatura:

1-www.vaticannews.va-date 21Shtator 2014

2-www.shqiptarja.com – date 19 Mars 2019.

3-www.panorama.al- date 21 Shtatore 2014

4-Katalogu –Michel-2024

5-Katalogu –Gimjani-2017

Filed Under: Politike

Albanian American community, letter to Prime Minister of Montenegro Spajić

April 30, 2025 by s p

April 27, 2025
Honorable Milojko Spajić
Prime Minister of Montenegro
Karadjordjeva bb
Podgorica, Montenegro

Subject: UAE Agreements Impacting Velika Plaža: Transparency, Minority Rights, and EU Compliance concerns

Honorable Prime Minister Spajić,

We, the members of the Albanian American community, who maintain deep personal and historical connections to Montenegro—especially to Ulqin/Ulcinj—are writing to express our serious concerns regarding the recent adoption by the Montenegrin Parliament of two controversial agreements with the United Arab Emirates (UAE). These agreements pave the way for the development of Ulcinj’s Velika Plaza (Great Beach), a large-scale project that has already sparked significant public outrage.
While we support the development of this region by the state or through foreign direct investments (FDI), the current proceedings, which are being conducted hastily and lack vital transparency, violating both domestic and international laws.

The process thus far has excluded the local municipal government, residents, and relevant national and international experts. These exclusions are contrary to the EU norms and undermines legal frameworks, democratic principles, and the rights of the Albanian minority. The omission of local stakeholders not only contravenes the Montenegro’s Spatial Planning Act and State Property Law, which require consultation and fair governance but also exacerbates historical challenges. Specifically, Article 64 of the 2009 Law on State Property concerning municipal holdings, as well as Ulcinj’s inequitable share in former state enterprises located within its jurisdiction further complicates the matter. These procedural shortcomings stand in stark conflict with the governance standards that Montenegro has pledged to uphold, particularly in light of its EU accession efforts.

Velika Plaža is ecologically significant on an international scale, encompassing the Ada Bojana ecosystem and Ulcinj Salina, and it holds considerable cultural value for the Albanian community. Undertaking development without stringent environmental protections and the involvement of local residents poses a threat of irreversible damage. We firmly advocate that in order to achieve long term success, any development plans must adhere to sustainability standards aligned with EU, United Nations, and UNESCO guidelines.

There are systemic issues related to the Law on Marine Resources (Morsko Dobro) that centralize coastal authority and undermine local governance, thereby marginalizing Ulcinj’s Albanian population and contravening the principle of subsidiarity. Upholding the Council of Europe’s Framework Convention for the Protection of National Minorities necessitates the active engagement of the Albanian community in decisions that affect their lives. We strongly oppose any efforts to bypass due process through “Lex Specialis” legislative shortcuts.

To address these concerns and ensure that development aligns with Montenegro’s legal and international obligations and commitments, we respectfully urge you to immediately take the following actions:
Suspend all negotiations regarding Velika Plaža until Ulcinj’s municipal government and local stakeholders are fully engaged in the decision-making process with meaningful influence.
Commission impartial and comprehensive audits to examine the project’s legal standing, environmental effects, social implications, and compliance with EU standards, ensuring that the results are publicly accessible.

Publicly reaffirm Montenegro’s and your government’s commitments to the principles of municipal autonomy, the protection of national minority rights under domestic and international laws, and the application of transparent, EU regulations to this project.
As proponents of investments, we believe that a sustainable future for the region is best achieved through transparent funding by respected international investors, in cooperation with state and local governing bodies. We committed to seeing any and all developments in Ulcinj and Montenegro succeed and avoid the many past instances where anticipated excitement turned into public disappointments.

Development should serve the long-term interests of all citizens while respecting the rule of law, environmental integrity, and cultural heritage.
We appreciate your attention to these critical matters for your constituents and look forward to your prompt response.
Sincerely,
Albanian American Cultural Foundation
aacforg@aol.com

cc: Jakov Milatovic, President of Montenegro

Signatories:

Cafo Boga, Sado Dollaku, Mark Gjonaj, Sabri Gjoni, Richard Lukaj, Nik Markola, Etrita Ibroci, Naser Cobi.

Supporter Organizations:

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës-VATRA
Keshilli Koordinues i Diaspores-KKD
Albanian American Association Ulqini – Chicago
Albanian American Association Ulqini – New York
Albanian American Association, Inc.
Albanian American Cultural Foundation
Albanian American Humanitarian Fund “Trojet Tona”
Don Gjon Buzuku Association- Chicago
Don Gjon Buzuku Association- New York
Fondacioni Don Simon Filipaj
Fondacioni Hoti i Kujit
Fondacioni Plave Guci
Fondi Humanitar Rapsha
Germin
Lukaj Foundation
Shoqata Ana e Malit
Shoqata Atdhetare Malesia e Madhe- Michigan
Shoqata Besi
Shoqata Jehona e Malesise
Shoqata Kraja
Shoqata Koja
Shoqata Malesia e Madhe – California
Shoqata Malesia e Madhe- New York
Trieshi Humanitarian Fund

Filed Under: Politike

Vatra – 113 vite në shërbim të gjuhës shqipe!

April 29, 2025 by s p

Dr. Iris Halili*/

Amaneti nuk tretet, misioni vazhdon!

Te Kisha e Shën Gjergjit apo sikur njihet nga të gjithë Kisha e Imzot Fan Nolit, u zhvilluan të gjitha mbledhjet përgatitore për formimin e Federatës Vatra si dhe po tek kjo kishë në 28 Prill të vitit 2012 u krye takimi vendimtar dhe u shpall krijimi i këtij institucioni madhështor që i rezistoi të gjitha kohëvë. Kështu Bostoni shënoi degën e parë të Federatës Vatra. Por ju keni fatin të keni edhe numrin më të madh të trashgimtarëve të ish anëtarëve të Federatës Vatra që nga koha e themelimit. Dhe kështu ju jeni padyshim dëshmia më e vërtetë e gjurmëve në të cilat ka ecuar Federata jonë në këto 113 vite, gjurmë këto që trashëgohen dhe nuk shuhen kurrë. Atdhetarët e shquar në mërgim e krijuan Vatrën me mision të lartë, për të ruajtur gjuhën dhe traditat e shqiptarëve në Amerikë!

Pas 113 vjetësh, ne mund t’u themi krenarë këtyre atdhetarëve se amaneti është mbajtur, se Vatra është ende institucioni më jetgjatë shqiptar, se gazeta Dielli si botim i saj vazhdon të mbetet gazeta më e vjetër shqiptare dhe ajo vazhdon të botohet çdo muaj dhe publikohet çdo ditë online dhe kjo falë ndihmës së çdo vatrani.

Unë zgjodha të flas për kontributin që duhet të ketë Vatra në ruajtje të gjuhës shqipe pasi mendoj se amaneti i ruajtjes së gjuhës duhet të na lërë pa gjumë. Një ndër arësyet që Vatra na bën krenarë është se tek ajo gjejmë sintezën e historisë së shqiptarëve që për shekuj e ruajtën dhe trashëguan gjuhën e tyre, dhe kështu ia lanë trashëgim brezave. Vatra, përmes gazetës së saj “Dielli”, apo edhe përmes themeluesve dhe drejtuesve të saj,u është drejtuar shqiptarve në shqip duke e ngritur kështu nivelin e gjuhës shqipe në standartet më të larta. Asnjë shqiptar në emigracion, por edhe jo vetëm, nuk i ka ofruar letërsisë, polemikës , politikës dhe publicistikës shqiptare më shumë lartësim të gjuhës shqipe sesa kolosët e Vatrës, Noli dhe Konica. Por ata ishin më shumë se kaq; ata ishin sociologët, politologët, publicistët, kritikët letrar, muzikologët, përkthyesit, historianët më të shquar në emigracion dhe jo vetëm.

Dhe ata e bënë këtë vetëm duke u folur dhe shkruar bashkëkombasve në shqip. Gjithashtu Federata Vatra e drejtuar prej tyre, shumë herë ndihmoi edhe financiarisht shkollat shqiptare kur mësonte se ato ishin mbyllur në Shqipëri apo kudo ku jetonin shqiptarë. Anafalbetizmi i lëndonte korifejtë. Për ta, sikur për të gjithë rilindasit, shkolla shqipe ishte rruga e vetme drejt lirisë dhe sigurisë kombëtare. I përmend këto për të theksuar se ne Vatranët kemi një traditë të fortë nga paraardhësit kur vjen puna tek ruajtja dhe përsosja e gjuhës shqipe. Por ne po jetojmë në kohë të tjera dhe po përballemi me probleme të tjera.

Sot ka më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve autoktonë sesa brënda tyre. Sot më shumë se ¾ e shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve nuk u mësojnë fëmijve shqip. Gjuha shqipe po rrezikon të humbas me shpejtësi marramendëse. Brezi i dytë i emigrantëve nuk merr përsipër t’u mësojë fëmijëve gjuhën shqipe, ndërsa vihet re se edhe edhe brezi i parë i tyre nuk ka qenë shumë i fokusuar në të. Nëse ka një detyrë shtëpie të brendshme dhe emergjente që Federata Vatra duhet të fokusohet unë mendoj se ajo është krijimi i strategjive për ruajtjen e gjuhës shqipe. Nëse emigrantët shqiptar nuk ia trashëgojnë gjuhën brezave të ardhshëm, kjo do të ishte një humbje e madh për shqiptarizmën , pasi gjuha, më shumë se çdo gjë tjetër, na identifikon si komb dhe si shqiptarë. Ajo na bashkon si atdhetarë.

Edhe kur kufijtë na i rrëmbyen gjuha sërisht na mbajti bashkë. Më kujtohet Imzot Fan Noli kur theksonte se ka më shumë shqiptarë që flasin shqip në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni, sesa flasin brenda trungut mëmë. Nëse duam të bashkohemi, këtë do ta arrijmë mbi të gjitha falë gjuhës tonë të përbashkët, që na mbledh rreth një flamuri, atij të Skënderbeut. Unë mendoj se puna e mirë tashmë ka filluar. Vetë Federata Vatra, brenda këtij viti, falë punës në disa degë dhe vullnetit të mirë të disa antarëve të saj, ka hapur 4 shkolla shqipe. Ky rrugëtim nisi me krijim e Klubit “Flas Shqip” në Miami, në Muajin Maj të vitit 2024, ku prej një viti në këtë klub zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe krejt falas dhe kështu arritëm të kemi mbi 70 nxënës nga familje me prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mal i Zi. Kjo nismë u pasua në Tetor 2024 me rihapjen pas gati një dekade të shkollës së Tampës nga dega e Vatrës Tampa, ndërkohë në Dhjetor 2024 u hap shkolla “Gjergj Fishta” nga dega e Long Island dhe, së fundmi, në Mars u hap shkolla e Vatra Hartfordit.

Në momentet që flasim, Federata Vatra, falë punës së katër degëve, mund të krenohet me hapjen tashmë të katër shkollave shqipe në SHBA, por kjo duhet të jetë si një fushatë që nuk duhet të ndalet.Ka ardhur momenti delikat ku Vatra duhet të ketë në mision parësor hapjen e sa më shumë shkollave të gjuhës shqipe gjithandej ku ka degë të regjistruara, duke e kthyer shkollën shqipe FALAS si detyrë shtëpie për çdo degë të saj.

Sot janë afro 250 fëmijë që mësojnë shqip falë këtyre degëve të Vatrës. Vitin tjetër, kur të festojmë 114- vjetorin duhet të synojmë të kemi 1500 fëmijë, dhe pas dy vjetësh të kemi 5000 fëmijë. Motoja jonë për të ardhmen duhet të jetë: “Asnjë fëmijë shqiptar të mos mbetet pa njohur të paktën 1000 fjalë të gjuhës së nënës”. Ndërkohë Federata Vatra duhet të vazhdojë të mbështesë (sikur ka bërë deri tani me fisnikërinë që trashëgon) çdo shkollë shqipe të hapur në emigracion dhe të mbetet përmes gazetës “Dielli”, zëri dhe imazhi i tyre kryesor në publik.

Sikurse kam propozuar edhe disa vite më parë, kriteri kryesor që një student të marë bursë nga Vatra është njohja e gjuhës shqipe rrjedhshëm. Në këtë mënyrë ne do i motivojmë fëmijët tanë të mësojnë shqipen edhe kur shumë prej tyre mendojnë se ajo nuk do u duhet në jetën amerikane. Ndërkohë duhet punuar me bizneset shqiptare në SHBA për të siguruar fonde edhe më të mëdha pikërisht për të finacuar këto bursa. Biznesi shqiptar duhet të ndërgjegjësohet për këtë problem kombëtar dhe ndërgjegjësimi i tyre mbetet detyrë e çdo vatrani të mirë. Do të ishte e udhës që Federata Vatra sërisht me ndihmën e anëtarësisë duhet të bëjë një punë më konkrete për angazhimin e ish -mësueseve shqiptar në emigracion duke i re- aktivizuar ato në shkollat e saj nëpër degë.

Si përfundim do të shtoja se puna që kemi për të bërë në komunitetet tona kudo ku jetojmë sigurisht nuk do të përqëndrohet vetëm tek mësimi i gjuhës shqipe tek fëmijët tanë, pasi ruajtja e vlerave dhe kulturës kombëtare është edhe më shumë se kaq, por përsëri mendoj se jemi në një pikë të historisë sonë kombëtare dhe të emigracionit ekstrem ku nëse kemi pese objektiva për të kryer amanetin e korifejve të Vatrës, dhe do të mund të kryenim vetëm një, unë prap do të thoja : “T’u mësojmë gjuhën shqipe fëmijve” pasi ajo do i lidh më shumë me njëri tjetrin, do i lidh më shumë me Atdheun e prindërve të tyre si dhe me kulturën shqiptare, do i vendos ata në një rreth apo komunitet ku do të forcojnë miqësitë fëminore që nuk prishen kurrë duke forcuar kështu lobin shqiptar në emigracion, por mbi të gjitha vetëm kështu shqipja nuk do reduktohet vetëm brënda kufijve autoktonë.

Të parët tanë, ndonëse nën thundrrën e turkut, grekut apo serbit, nuk e mohuan gjuhën, nuk e zëvëndësuan atë, përkundrazi na e lanë si thesarin më të çmuar të trashëgimisë sonë. Gjuha na dallon. Ajo na nderon. Kur çdo cilësi e jona apo edhe pjesë të historisë sonë mund të debatohen, gjuha jonë shqipe nuk has fare debat. Ajo ka qënë, është dhe do të mbetet e JONA! Kaq mjafton që ta ruajmë me fanatizmin më të madh kudo jetojmë!

Gëzuar 113 vjetorin e Vatrës, Institucionit më të vjetër të shqiptarëve kudo janë! Vatra ndër vite lëndohet, thërrmohet, zvogëlohet, por sërisht forcohet, bashkohet, zhvillohet, pasi ajo ka bekimin e korifejve të kombit, ka vulën e krijuar prej tyre dhe si e tillë ajo nuk do të vdesë kurrë, pasi edhe amaneti nuk vdes për sa kohë ka njërëz të mirë që i thonë vetes me plot gojën: JAM SHQIPTAR!

*Fjala e Mbajtur në Boston me rastin e 113 -vjetorit të themelimit të Federatës Pan Shqiptare Vatra.

Filed Under: Politike

Themelimi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”

April 28, 2025 by s p

Dr. Paulin Marku/

Shqiptarët e vendosur në SHBA filluan të organizonin komunitetin për të ruajtur kulturën, traditën e zhvillimin arsimor si dhe për të ardhur në ndihmë njeri-tjetrit. Ata filluan të krijojnë shoqëritë në mërgim ku mund të përmendët: “Malli i Mëmëdheut” ; shoqëria “Besa-Besë”, “Koha”; “Lidhja”; “Dardhare”, “Shpresa” , “Nderi shqiptar”; “Shoqëria Ndihmtare Bashkimi” etj. Një zë i forte bashkëpunimi midis shqiptareve ishte krijimi i gazetës “Kombi”, e cila publikoi numrin e parë në qershor të vitit 1906 dhe vijoi të botohej për tre vjet rresht.

Një tjetër gazete që shumë shpejt do të fuqizohej në komunitet, është gazeta “Dielli” që filloi punimet më 15 shkurt të vitit 1909, e cila u bë një prej organeve më të rëndësishme, e përqendruar kryesisht në fushën e kulturës, historisë e vlerave kombëtare. Shoqëritë shqiptare ishin të interesuara për të ardhmen e vendit. Ata përkrahën aq sa patën mundësi edhe kryengritjet anti-osmane të viteve 1910, 1911 e 1912. Intelektualët shqiptar organizuan një varg manifestimesh e tubimesh në Amerikë në mënyrë që t’ju bëjnë prezent shqetësimin e tyre, të drejta e kërkesat e kombit shqiptar në mënyrë që institucionet zyrtare dhe opinionit publik amerikan të njihet me shqetësimin e popullit shqiptar. Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Amerikë dukej se po fuqizohej dhe po hidheshin themelet e një bashkëpunimi midis popullit shqiptar. Krahas formimit të shoqërive të ndryshme shqiptare në diasporë, hapja e gazetës dhe me themelimin e kishës ortodokse shqiptare në Amerike komuniteti hodhi themelet e para të organizimit dhe bashkëpunimit midis tyre.

Çështja atdhetare dhe ndjenjat kombëtare shqiptare dukej sikur po merrnin gjithnjë e më tepër formën e një komuniteti të organizuar në grupime të ndryshme por me një qëllim të përbashkët për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe vendlindjen e tyre. Në këtë kushte e rrethana linden edhe idetë e mendimet e ndryshme për bashkëpunim midis grupimeve shqiptare në Amerikë. Persa i përket idesë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës ka disa versione dhe protagonist. Mund të thuhet se nga fundi i vitit 1911, fillim i vitit 1912, intelektual shqiptar u vunë në lëvizje dhe vijuan përpjekjet serioze për bashkëpunim dhe koordinim për bashkimin e shoqërive e klubeve shqiptare. Meqenëse shoqëritë shqiptare po shtoheshin, gazeta ndiqej me interes të madh dhe ishte organ i rendesishem per komunitetin, si dhe kisha ortodokse shqiptare e Bostonit ishte pik takimi per diskutime e mbledhje të vazhdueshme mund të thuhet se ishin pjekur kushtet dhe rrethanat për të forcuar komunitetin dhe për t’i shërbyer çështjes kombëtare shqiptare kur fatet e Shqipërisë ishin të rrezikuara nga coptimi i trojeve shqiptare nga fqinjët tanë. Edhe pse shqiptarët jetonin e vepronin në SHBA, ndjenja dhe interesi për ta ishte e ardhmja e Shqipërisë.

Në takimin e mbajtur më, 24 dhjetor 1911, ne Boston në Rathbone Hall, 724 Washington Street u bisedua për çështjen e bashkimit të shoqërive shqiptare. Ajo që vihet re në dokumentet e kohës është fakti se në fund të vitit 1911, shqiptarët nuk diskutonin nëse duhet të behej bashkimi i tyre por mënyra se si duhet të ndodhte bashkim i shoqërive shqiptare. Pra, ishin të bindur se vetëm nëpërmjet bashkimit mund të realizonin qëllimin e tyre dhe kërkonin të gjenin formën e duhur të bashkimit të shoqërive shqiptare në Amerikë. Pati ide të shumta për mënyrën dhe procesin e këtij organizimi por më i arsyeshmi dhe që mori konsensusin për zbatim ishte ai i Marko Adams, i cili propozoi ngritjen e një komisioni për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit. Kështu, mori pëlqimin e të pranishmëve dhe u ngrit komisioni i përbërë nga intelektual të njohur si: Faik Be Konica, At Fan Noli, Kristo Floqi e Paskal Aleksi.

Mbledhjet e Komisionit të Bashkimit

Ne këto rrethana filloi puna e Komisionit Organizativ për bashkimin e shoqërive shqiptare dhe mbledhja e parë u mbajt me 13 shkurt 1912. Ata zgjodhën sekretar të Komisionit, At Fan Noli, i cili do të ishte përfaqësuesi për komunikim dhe shkëmbim mendimesh midis komisionit dhe shoqërive shqiptare në ShBA, po ashtu kishte për t’iu shpjeguar edhe procesin e bashkimit dhe rregullat që duhet të ndiqte çdo shoqatë. Në letrën e Nolit, dërguar nga Bostoni në shkurt t vitit 1912 thuhet, Citoj “Vendimi i Komisionit është ky: Të katër të nënshkruarit, të zgjedhur si Komision i Bashkimit në një miting që u mbajt në Boston, më 24 shkurt për të gjetur udhën e një bashkimi të shoqërive shqiptare t’Amerikës, u mblothën dhe i dhanë funt”.

Artikull 1.

Të pyeten gjithë shoqëritë e kolonitë e mëdha, në u pëlqen një bashkim;

Në ç’formë e duan, në formë federale apo qendrale;

Me ç’qëllim: politik, edukatoral, letrar apo propagande popullore;

Edhe në u pëlqen Bashkimi, kur do të kenë zgjedhur një delegat, për të ardhur në Boston për të themeluar Bashkimin.

Do të mblidhen për herën e dytë më 3 të marsit që të bisedojnë përgjigjet e shoqërive. Komisioni i Bashkimi: Faik Konitza, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, At Fan Noli

Në dokumentet e kohës rezulton se angazhimi i komisionit ishte mjaft intensiv me mbledhje e takime për 3-4 herë në muaj, kryesisht ato mbaheshin në fundjavë. Në letër këmbimet që komisioni pati me shoqëritë dhe klubet shqiptare rezulton se Komisioni e Konsideronte të domosdoshëm bashkimin dhe iu kërkonte mos të humbej kohë por të veprohej sa më parë të jetë e mundur për përmbylljen e procesit të bashkimit të shoqërive shqiptare. Duhet sqaruar se nuk mungonte vullneti dhe veprimtaria patriotike për bashkimin e shqiptarëve. Ndërkohë që Komisioni hartonte platformën e bashkimi në një kohë relativisht të shpejtë mbërritën edhe përgjigjet e shoqërive shqiptare që iu përgjigjen pozitivisht kërkesës për bashkim.

Sipas dokumenteve dhe botimeve periodike të kohës rezulton se 8 shoqëri iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Komisionit Organizativ, dhe propozonin: bashkimi duhet të ndodh në formën e një Federate. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse edhe sot e kësaj dite vijon të quhet Federatë. Prandaj duhet theksuar se që në vitin 1912 u hodhën themelet për një Federate Pan-Shqiptare të Amerikës. Ndërsa lidhur me qëllimin e Federatës pati propozime nga më të ndryshme, si p.sh. : për qëllime politike, propagandë popullore, kulturore, edukative apo të mbetej vetëm në suazën bashkëpunues midis shqiptarësh për komunitetin që jetonte në SHBA. Intelektualët shqiptar i morën të gjitha sugjerimet dhe analizuan me kujdes propozimet e ndryshme.

Mbledhjet e mbajtura më 24 mars 1912 në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, Komisioni i Bashkimit përbëhej nga katër personalitete të shquara: Faik Konica, At Fan Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi.

Citoj: Komisioni i Bashkimit përbëhej nga: Delegatët : Faik Konitza, Elia Tromara, Kristo Floqi, Kristo Kirka, At Fan Noli, Dr. Kost Kotta, Paskal Aleksi, Llambi Çikozi, Kostika Treska. Komisioni vendosi për hartimin e një Kanunoreje Provizore dhe këtë e mori përsipër Faik Konica dhe Kristo Floqi në konsultime me një avokat shumë të njohur në Bostonit. Shoqëria Federale që do të formohet do të ketë nën ombrellën e saj gazetën “Dielli”.

U votua një shumë 25 dollarësh për borxhet e para të Kanunores.

Mbledhja e radhës u mbajt me 31 mars në Kishën Shën Gjergji. Rëndësia e kësaj mbledhje ishte se u njohën me draftin e kanunores dhe u propozuan disa emra për të emëruar Shoqërinë e Re që po themelohej Midis shumë emrave që qenë propozuar për emërtimin e Federatës patriotike e atdhetare që po krijohej, u pëlqye përgjithësisht dhe njëzëri ata thirrën emrin “Vatra”.

Ky emërim u prit me gëzim të madh dhe me thirrje të zjarrta plot optimizëm e shpresë. Shoqëria e Re u quajt: Federata Pan- Shqiptare e Amerikës “Vatra”. U zgjodh pleqësia e hëpërhëshme prej Komisionit të Themelimit dhe prej delegatëve, gjer sa Bashkimi të marrë udhë, duke formuar çdo degë pleqësi të veçantë sipas Kanunores dhe sipas dëshirës së shqiptarëve. Vendimi i 31 marsit 1912: U votua një shumë 70 dollarësh për të njohur shoqërinë nga guverna. Shoqëria u quajt Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”. Pagesa do të jetë 3 $ në mot dhe 1 $ për të hyrë çdo anëtar të ri.

Mbledhja e 9 prillit e mbajtur po në Kishën Shen Gjergji u këndua Kanunorja e Shoqërisë së Re në gjuhën angleze dhe pastaj u përkthye dhe në shqip, e cila mori miratimin me 14 prill nga komisioni dhe delegatët.

Mbledhja e 14 prillit vendosi:

Votuan tërë Kanunoren e Federatës (Shoqërisë Federale “Vatra”).

Porositën çdo delegat që të sjellë në mbledhjen tjetër që vjen një raport të plotë, në të cilin të referohen: numri dhe emrat e anëtarëve të shoqërisë që përfaqëson, kapitali i thatë që ka, plaçkat e (pasuritë) e tjera që ka.

Mbledhja e radhës do të bëhej më 28 të prillit 1912

Bashkimi i shoqërive mori fund

Federata Pan – Shqiptare e Amerikës “Vatra”

Mbledhja e mbajtur, më 28 prill 1912 vendosi: Rekordi IX

Komisioni i Bashkimit dhe delegatët, në mbledhjen që mbajtën të dielën më 28 prill 1912, më 3 p.m., në sallën e Kishës Shën Gjergji pasi panë raportet e shoqërive që bashkohen dhe dolën me vendimin:

Citoj dokumentin:

E quajmë të formuar Federatën Pan-Shqiptare “Vatra” të Amerikës, prej shoqërive “Besa-Besë”, “Flamuri i Krujës”, “Kombëtare” dhe “Dallëndyshja”. Emërohen pleqësi e përkohshme këta zotërinj:

Sekretar – At Fan Noli, arkëtar – Lambi Çikozi, menaxher i “Diellit”- z. Kristo Kirka.

Organizatorë të Degëve të Federatës:

Faik Konitza, Kristo Floqi

Mbikëqyrës të “Diellit”:

Paskal Aleks, Elia Tromara, Kosta Vasil.

Në përfundim mund të thuhet se shqiptarët e mërgatës shprehen gatishmëri për bashkëpunim për krijimin e një Federate dhe kështu mori fund bashkimi i shoqërive shqiptare me mbledhjen historike të datës, 28 prill 1912. Ky ishte një materializim i shkëlqyer, i finalizuar me sukses, ku ideja e intelektualëve të shquar që vepruan në diasporë, me në krye At. Fan Nolin, Faik Konica, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, etj…, bëjnë krenar me veprën e tyre patriotike e atdhetare në shërbim të Kombit Shqiptar. Këto ishin hapat që Komisioni i Bashkimit me intelektualët e lartë shqiptar që janë edhe vizionarët e këtij procesi të rëndësishëm për bashkimin e shoqërive shqiptare në Amerike që realizuan me sukses krijimin e Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “Vatra”.

Me plot profesionalizëm, ndjenja të thella atdhetarie dhe me vizion për të ardhmen e brezave trashëguan organizatën më të vjetër shqiptare në diasporë që i ka rezistuar kohës me uljet dhe ngritjet e saj që bën krenar popullin shqiptar për kontributin e çmuar në historinë e popullit shqiptar brenda dhe jashtë kufijve.

Le të urojmë sot, më 28 prill 2025, gëzuar 113-vjetorin e themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra që është një udhëtim i rëndësishëm në historinë tonë Kombëtare Shqiptare.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT