• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KANUNI I LABËRISË DHE KUVENDET E LABËRISË

April 12, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI*/

Shqiptarët shekujve kanë mbrojtur identitetin e vet duke ruajtur traditën, kulturën, zakonet, doket e veta të lashta. Ndër më qenësoret për të ruajtur autenticitetin dhe origjinën e vet padyshim është edhe e drejta zakonore ose kanunore. E drejta zakonore apo kanunore nuk është dukuri vetëm e shqiptarëve, sepse e drejta zakonore ekzistonte edhe te popujt tjerë ballkanikë, Europianë e më gjerë në popujt e tjerë të botës. Ligjet dhe shartet kanunore janë krijuar për të mbijetuar nga asimilimi dhe okupimet e huaja dhe për të rregulluar marrëdhëniet juridike-civile e penale në mes vetë shqiptarëve.

E drejta zakonore shqiptare është krijuar gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve, që besohet në bazë të dhënave materiale se autoktonia e shqiptarëve daton mijëra vite më parë, duke i bartur ato rregulla në mënyrë gojore prej brezi në brez duke e ruajtur autenticitetin dhe duke pasur autorësinë në përmbajtjen e tyre, për çka këto rregulla u bënë të obligueshme dhe fituan karakterin juridik duke ju nënshtruar dhe respektuar në mënyrë besnike vetë shqiptarët. Duke krahasuar Kanunin e Maleve me Iliadën dhe Odisenë, studiuesi japonez Kazuhiko Yamamoto arriti në përfundimin se konceptet etike themelore të strukturës shoqërore pa shtet të kohërave Homerike, si besa, nderi, gjaku, hakmarrja, gjakmarrja, buka e miku janë të njëjtat doke kanunore të shoqërisë fisnore shqiptare. Referencë botërore për kanunet shqiptare kanë qenë Edith Durham, Margret Husluck, Franc Nopcsa, Kazuhiko Yamamoto etj. Në rrafshin shqiptar përmendim: Shtjefën Gjeçovi, Ismet Elezi, Aleks Buda, Gjergj Fishta, Frano Illia, Syrja Popovci, Eqrem Çabej, Frang Bardhi, Mark Tirta, David Luka, Injac Zamputi, Musa Kraja, Pëllumb Xhufi, Alfred Uçi, Ismail Kadare, Xhemil Çela, etj. Rregulli i vjetër kanunor shqiptar i mirënjohur: “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, ka qenë një postulat i trashëguar shekujve.

Botimi i parë i përmbledhjes kanunore u bë në shekullin XIX. E ushtruar qëmoti në të gjitha trevat shqiptare, e drejta dokësore mori emërtime të ndryshme në varësi të trevës etnografike: e Maleve (Kanuni i Lekë Dukagjinit mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi), e Labërisë (Kanuni i Papa Zhulit, Kanuni/Shartet e Idriz Sullit); Kanuni i Dibrës, e Kurbinit (Kanuni i Gj.K.Skënderbeut), Bendës, Lumës/Kukës, Çermenikës, Korçës, Skraparit, Çamërisë etj. Kanuni lab sikurse mjaft kanune të tjera në hapësirën shqiptare kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në jetën shoqërore shqiptare dhe është një ndër kanunet më të njohura në hapësirën shqiptare krahas atij të Lekë Dukagjinit. Në kulturën e krahinës labe, një vend të nderuar ka zënë monumenti shpirtëror i Labërisë, Kanuni i papa Zhulit, që u ndryshua më 4.4.1773 në disa sharte që u quajtën “Shartet e Idriz Sulit”, i cili përbëhej nga mjaft ligje popullore të pashkruara, por që ishin praktikuar gjerësisht në jetën e banorëve të mbarë Labërisë.

Kanuni i Labërisë u mblodh në një libër nga studiuesi i apasionuar Profesori 105 vjeçar Ismet Elezi, libër që është paraprirë nga “E drejta zakonore labe”. Në burimet e normave kanunore është një fakt i njohur se krijuesi i normave të Kanunit është vetë populli i Labërisë me mençurinë e tij. Ato pasqyrojnë botën shpirtërore të tij të përcaktuar nga kushtet materiale të jetesës. Nevojat historike, shoqërore, ekonomike, jetësore të njerëzve kanë diktuar vendosjen e normave, zakoneve, rregullave të sjelljes në mes tyre, bazuar në parimet e larta të moralit. Zakonet kanë luajtur rol parësor në formacionet e hershme shoqërore parashtetërore, për rregullimin e marrëdhënieve brenda një grupi shoqëror. Ato gjithashtu kanë rëndësi të veçantë në formimin e sistemit të së drejtës. Historikisht zakonet kanë vepruar e veprojnë më gjatë, pavarësisht se nuk janë sanksionuar nga shteti. Kushtet historike në të cilat ka kaluar Shqipëria në tërësi dhe Labëria në veçanti dhe zhvillimet e brendshme ekonomike-shoqërore, kanë përcaktuar faktin që mjaft zakone ndryshuan në brendësi dhe u shndërruan në norma të së drejtës zakonore, u bënë pjesë përbërëse e sistemit të së drejtës.

E drejta zakonore është forma fillestare dhe më e lashtë e së drejtës. Fakti që ajo vazhdoi të veprojë deri në kohën tonë, tregon për forcën e potencialin e së drejtës zakonore. Pikërisht për këto arsye ajo është ndër problemet kryesore të teorisë të së drejtës bashkëkohore. Pleqtë e zakonit, nëpërmjet zgjidhjes së çështjeve, mosmarrëveshjeve a konflikteve të ndryshme, ose u referoheshin zakoneve të mëparshme, ose vendosnin një normë të re, e cila, vihej në përdorim edhe për zgjidhje analoge në të ardhmen si precedent gjygjësor. Kështu bëhet kalimi gradual nga zakonet e lashta të të parëve në norma të së drejtës zakonore, si rezultat i zhvillimit historik, i ndarjes dhe i diferencimit të shoqërisë në klasa, pozita ekonomike e të cilave u sanksionua në normat e së drejtës zakonore. Pikërisht për këto arsye kanuni përmban norma sjelljeje që nga lashtësia, nga Ilirët, rendi gjinor, nga mesjeta dhe shtresëzime të reja, veçanërisht në shek. XVIII dhe deri në gjysmën e parë të shek.XX. Burimi i parë kryesor i normave të Kanunit të Labërisë, janë zakonet që u kthyen në norma juridike, për shkak të zbatimit të tyre të vazhdueshëm e të detyrueshëm. Veç normave të përbashkëta të së drejtës zakonore, në njësi tokësore të veçanta, në fshatra, kanë vepruar edhe zakone të vendit të detyrueshëm për t’u zbatuar brenda tyre. Sipas vendit bëhet kuvendi.

Burimi tjetër kryesor i normave të Kanunit janë vendimet e Kuvendit të burrave, besëlidhjet e ndryshme për çështje të rëndësishme, si psh për pajtimin e gjaqeve (hasmërive), ndarjen e kufijve të tokave apo të maleve (kullotave), etj. “Një shtet qeveriset më mirë nga një njeri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer”, thoshte Aristoteli, ndërkohë që në kohë pushtimi Labëria qeverisaj nga labërit në luftë me ligjet dhe forcat ushtarake të pushtuesit. Këtu qëndron dhe madhështia e Labërisë pasi bëri vetë ligje dhe kishte ligjislatorë popullorë shekujve, por dhe kapedanë e luftëtarë të famshëm që i mbronin nderin, krenarinë dhe dinjitetin aq sa në 500 fshatrat labe këndohej: “Labëri o mal i rëndë,/Për Kombin qëndron në këmbë!..”. Kanuni i Labërisë ishte rojtari i vlerave më të mira morale e kulturore të trashëguara dhe flet për kulturën e lashtë juridike të labërve, është realisht një sistema juridik vlerash morale, trashëgimi e kohës ilirike, e kornizuar në një libër me 283 faqe me 830 nene në 10 pjesë e 50 kapituj nga Prof. Ismet Elezi.

Kur flasim për kuvendet në Labëri, mund të themi se, në Labëri janë zhvilluar mjaft kuvende të rëndësishme që njihen në historinë e popullit shqiptar, si Kuvendi dhe marrëveshja e Papa Zhulit në Shpellën e Zhulit rrëzë kurorës së maleve të Fushëbardhës, Kuvendi i Senicës, Kuvendi i Rrapeve të Agait në Taroninë midis Fushëbardhës dhe Zhulatit historik, i Himarës (Shekulli XV).

Kuvendi i Progonatit dhe i Picarit (1846), Kuvendi i Mesaplikut (1847) dhe kuvende të tjerë, të cilët lidhen drejtpërsëdrejti me reformat e së drejtës zakonore të Labërisë si dhe me përmirësimet sipas zhvillimeve të kohës. Pikërisht këto burime të së drejtës zakonore përbënin bazën për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore ndërmjet njerëzve të bashkësisë labe. Ato njëkohësisht ishin mburoja nga çdo arbitraritet, pasi askush nuk mund të vihej para përgjegjësisë civile, penale, për shkelje të tjera, pa u mbështetur në normat kanunore. Çdo veprim ishte i domosdoshëm të bazohej në këto norma dhe se askush nuk mund të vepronte në kundërshtim apo duke i anashkaluar ato, ndryshe reagonte tërë bashkësia dhe nuk lejonte vetëgjyqësinë.

Labëria në këto dhjetë shekujt e fundit ka bërë dhjetra kuvende por ndër më të rëndësishmit janë: Kuvendi dhe marrëveshja e Papa Zhulit (1081), Kuvendi i Senicës (e diel 1610), Kuvendi i Senicës (e diel 25.3.1770), Kuvendi i Himarës (Pranverë 1770), ose 17 fshatrave të Himarës Palasë-Nivicë Bubar, Kuvendi i Rapeve të Agait, Taroninë (e diel 4.4.1773), Kuvendi i Senicës (e diel 2 nëntor 1828),e,p,shtunë6-8.11.1828 në Berat (Thimi Mitko,Bleta Shqiptare; Kuvend i Picarit dhe i Progonatit (1846), Kuvendi i Mesaplikut (21.6.1847), Kuvendi i Gjirokastrës (23.7.1880); Kuvendi i Mesaplikut nga Ismail Qemali (fillimnëntori 1908), Kuvendi në Manastirin e Cepos (21.7.1911), me 800 pjesëmarrës, Kryekuvendi i Vlorës që vendosi pavarësinë dhe themelet e shtetit të ri shqiptar 28.11.1912-7.12.1912; kryekuvend për shqiptarët, që themeloi shtetin shqiptar nën drejtimin eIsmail Qemalit, Kuvendi i Shtëpëzit (10.4.1914), Kuvendi i Barçallasë, Dukat (29.5.1920), që pasoi me fillimin e luftës në bazën e nisjes në Beun të Vlorës më 5 qershor 1920, që përfundoi me fitore më 3.9.1920; Kuvendi i Kuçit (28.11.1924 deri 4.12.1924), me delegatë nga Labëria, Kruja, Lumi i Matit, Mirdita, Shala e Dukagjini etj, delegatë që i dhanë Kuvendit karakter kombëtar. Ishte planifikuar të merrte pjesë dhe Fan Noli e Barjam Curri, por për arsye të situatës kaotike në Shqipëri nuk morën pjesë megjithatë Noli shkroi një përshëndetje për kuvendin.

Kuvendi diskutoi për luftën kundër zakoneve të prapambetura, për forcimin kombëtar dhe demokratik; pajtimi i gjaqeve, ndalimin e hakmarrjeve, si një plagë shoqërore me pasoja të rënda, për çlirimin e njerëzve nga ankthi i vrasjeve për gjakmarrje, u vendos ndalimi i zakoneve te vjetra patriarkale në marrëdhëniet familjare e martesore, sidomos ndalimi i fejesave të fëmijëve të paralindur, lirimi i grave nga punët e renda, u fol për reforma me ide demokratike për emancipimin dhe barazinë e gruas me burrin etj. Për të qenë racional në kohë përgjithësisht kuvendet janë mbajtuar nga kapedanë, prijësa dhe luftëtarë të Labërisë dhe më gjerë, që kanë ardhur në trevën labe për të luftuar kundër pushtuesve, për të mës dërguar ushtarë për tu vrarë për interesin e të huajve, për të kundërshtuar taksat e rënda ndaj popullit, për bashkim, për ruajtjen e kufijve, për unitet ndërmjet besimeve, harmonia dhe mirëkuptimi i ndërsjelltë fetar në kundërshti me ligjet e ashpra dhe të egra të pushtuesve, për të luftuar kundër bandave kriminale e hajdutëve, për ndëshkimin e spiunëve, kundër atyre që prishnin qetësinë, dëmtonin pronat e pasuritë; për zhdukjen e fenomenit të gjakmarrjes,/ hakmarrjes; për të ushtruar të drejtën e shërbimit ushtarak në truallin shqiptar në vilajetet shqiptare, për të mbrojtur objektet e kultit, për nxjerrjen e grave në punë krahas burrave, për unitetin krahinor.

Nuk është e rastit që këngët që nga Mesjeta vijnë deri në ditët tona: “Dëgjuar e parë kini,/ Në Senicë u bë pajtimi,/ Fshatra e kaza u mblodhë,/ pleqësia e anës tonë,/Të krishterë e muslimanë,/ Ca me mushka e ca me kalë,/Te përrallet në lëndinë,/Flet Idrizi me të mirë: /Mbani vesh o kapedanë,/ Të madhe ju bëj rixhanë(lutjen),/ Të mençur e pleq me radhë,/ Të lidhemi besë e fjalë,/ Se të gjithë trimat u vranë,/ Mbetën shkretë këto anë,/ Vritet shoqi me vëllanë,/ Bëhet qejfi hasmit tanë,/ S’jemi turq e venecianë,/ Jemi gjithë shqipëtarë,/ Jemi një gjak e një farë…”.

*(Fjala e mbajtur në Fong Auditoriumin e Universitetit të Harvardit, online në konferencën Labëria – “The Voice of Timeless Traditions”(Labëria zëri i traditave të përjetshme) më 6.4.2025 në përvjetorin e parë të krijimit të degës së Labërisë në Boston të SHBA).

Filed Under: Politike

Kosharja krenare e prillit 1999

April 11, 2025 by s p

Donika Gërvalla Schwarz/

Ka data që nuk i përkasin kalendarit, por zemrës. Ka beteja që nuk përkufizohen me taktika ushtarake, por me shpirtin e atyre që dhanë gjithçka, edhe jetën, që ne sot të jetojmë të lirë. Kjo është Kosharja.

Mëngjesin e hershëm të 9 prillit 1999, në brezin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, nisi njëra ndër betejat më vendimtare të luftës sonë çlirimtare. Beteja e Koshares, si pjesë e Operacionit “Shigjeta”, shënoi jo vetëm përleshjen me një regjim të dhunshëm dhe të egër, por edhe shembjen simbolike të një kufiri të padrejtë që për dekada ndante kombin shqiptar.

Për më shumë se dy muaj, mbi 2000 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftuan në një vijë disa kilometërshe përballë forcave të armatosura serbe, të një ushtrie që kishte mbjellë dhunë, terror dhe krime në gjithë Kosovën. Pavarësisht numrit dhe armatimit, nuk arritën ta ndalin valën e vendosmërisë që vinte nga të gjitha trojet shqiptare.

Në ballë të betejës ishin emra që sot i kemi të gdhendur në kujtesën tonë kolektive: Agim Ramadani, arkitekti i betejës; Sali Çekaj, simbol i guximit dhe strateg i përkushtuar; dhe me ta, 112 luftëtarë të tjerë që ranë dëshmorë në këtë betejë. Mbi 400 u plagosën. Por liria që ata ndihmuan ta fitonim, nuk njeh çmim.

Brigada 138 “Agim Ramadani”, e përbërë nga luftëtarë nga të gjitha viset shqiptare, udhëhoqi sulmin, duke i dhënë kësaj beteje dimensionin e një bashkimi kombëtar në ideal dhe në gjak. Forcat e UÇK-së, të ndihmuara nga mbështetja ajrore e NATO-s, përballuan me sukses një regjim që përpiqej ta mbante të ndarë dhe të shtypur një popull të tërë.

Beteja e Koshares e theu jo vetëm kufirin politik të vendosur më 1913 e konsoliduar më 1918, por edhe frikën, robërinë dhe iluzionin se Kosova nuk do ta arrinte kurrë lirinë. Ishte këtu që ndarja artificiale u shndërrua në lidhje të pandashme mes Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe bashkë me këtë lidhje, u forcua besimi i popullit te Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe te drejtësia e luftës sonë.

Sot në Akademinë Përkujtimore të dëshmorëve në Betejën e Koshares dhe në ditën e rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani, kujtuam me pietet jetën dhe vepren e tyre për më të shtrenjtën tonë, Kosovën. Andaj, sot e gjithnjë, Kosharja mbetet plagë dhe krenari. Dhembje dhe burrëri. Është kujtesa jonë kolektive për atë që kemi kaluar dhe amaneti për atë që duhet t’i dalim Zot atdheut.

Lavdi përjetë dëshmorëve të Koshares.

Ju jeni vetë liria jonë.

Filed Under: Politike

FEDERATA PAN-SHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA” NDERON ME “MEDALJEN E ARTË TË LIRISË LUFTËTARËT E BETEJËS SË KOSHARES

April 9, 2025 by s p

New York, 9 prill 2025 – Në emër të Federatës Panshqiptare “VATRA”, themeluar më 1912 nga rilindësit e shquar të kombit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në frymën e një misioni të pandërprerë shekullor për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e kombit tonë, ndan Çmimin dhe Medaljen e Artë të Lirisë për luftëtarët e Betejës së Koshares – përfaqësues të pavdekshëm të qëndresës shqiptare dhe flamurtarë të historisë më të lavdishme të luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës.

Kjo betejë, e zhvilluar në pranverën e vitit 1999, nuk ishte vetëm përballje ushtarake në kufirin famëkeq që ndau shqiptarët – ajo qe përpëlitja titanike e një kombi të gjymtuar, që në mes të flakëve të luftës dhe gjakut, vendosi të ribëjë vetveten. Kosharja nuk ishte vetëm betejë; ishte vetë ringjallja e shqiptarisë në një tokë të djegur për dekada nga shtypja serbe. Ishte porta e çarë me gjak në murin e hekurt të robërisë, e ndërtuar nga trimëria e luftëtarëve që i thanë historisë: “Nuk ka më kthim pas!”

Luftëtarët e Koshares nuk ishin thjesht ushtarë, por bij të një ideali që lindi nga plagët e padrejtësive historike që rëndojnë kombin dhe u rrit me madhështinë e Gjergj Kastriotit. Ata nuk komandonin nga zyrat, por nga vijat e frontit, shtigjet e luftës dhe barrikadat e gjakut. Ishin djem të fshatit, qytetit, mërgatës, luftëtarëve nga popuj liridashës dhe tërë atdheut, që përkrah NATO-s dhe në aleancë me SHBA-në, shkruan një epikë të re shqiptare për lirinë e Kosovës.

Federata “VATRA”, me ndërgjegjen e saj historike e kombëtare, me Medaljen e Artë të Lirisë, i nderon dëshmorët dhe luftëtarët e Koshares si shpirtin e pathyeshëm të kombit, si themeltarët e lirisë së Kosovës dhe si urë të përjetshme të bashkimit të shqiptarëve në një shtet të lirë, demokratik dhe sovran.

Lavdi të përjetshme dëshmorëve të Betejës së Koshares!

Nderim i përjetshëm të mbijetuarve të saj!

Krenari e përbashkët e kombit shqiptar në çdo cep të botës!

Me respekt dhe krenari të veçantë

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Politike

Bllaca 1999 – metaforë e dhimbjes, e shpërnguljes masive dhe e ndërgjegjes

April 8, 2025 by s p

Qendra Memoriale “Bllaca 1999”, që në përbërjen e saje ka Murin e Kujtesës dhe Trenin Muzeal, nuk janë thjesht objekte përkujtimore – ato janë dokumente të gjalla, dëshmi të një epoke që nuk guxon të harrohet. Ato janë pjesë e një diplomacie të ndërgjegjes ndërkombëtare, që e kujton botën për domosdoshmërinë e paqes, të drejtësisë dhe të ndërhyrjes kur dinjiteti njerëzor dhunohet.

Nga Prof. dr. Skender Asani

Prilli i vitit 1999 shënon një kapitull të paharruar dhe të dhimbshëm në historinë e shqiptarëve të Kosovës. Kjo nuk është thjesht një datë në kalendar, por një plagë e hapur në ndërgjegjen kolektive të një populli që përjetoi dhunë, dëbim dhe pasiguri, por që kurrë nuk hoqi dorë nga shpresa dhe dinjiteti. Episodet që pasuan përfundimin e fushatës së spastrimit etnik ishin dëshmi e gjallë e rezistencës njerëzore, por edhe e vonesës së ndërgjegjes ndërkombëtare për të vepruar.

Një ndër simbolet më domethënëse të kësaj periudhe është Bllaca – jo vetëm si një vend gjeografik, por si një metaforë e dhimbjes, e shpërnguljes masive dhe e ndërgjegjes që lindi nga vuajtja.

Bllaca u kthye në një hapësirë të mbushur me qindra mijëra shqiptarë të dëbuar, të cilët, përballë qiellit të hapur dhe baltës së pafund, kërkonin shpëtim. Ishte një prej krizave më të mëdha humanitare në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë vend, dy botë u përplasën: realiteti i ashpër i një populli në ikje dhe ndërgjegjja ndërkombëtare që ende nuk kishte vendosur të ndërhynte me vendosmëri.

Një ndër imazhet më tronditëse të atyre ditëve ishte ai i trenit të dëbimit – një tren i gjatë që bartte turma njerëzish nga Kosova drejt Bllacës, drejt një të panjohure që për shumëkënd ishte më e tmerrshme se vetë lufta. Çdo vagon i këtij treni ishte mbushur me jetë të shpërngulura, me zëra që luteshin, me fëmijë që qanin dhe me të moshuar që nuk dinin nëse do ta shihnin më shtëpinë. Ky tren simbolikisht sot është kthyer në Tren Muzeal, për të rrëfyer me heshtjen e tij zërat që historia nuk guxon t’i harrojë.

Në sfondin e kësaj tragjedie, zgjimi i ndërgjegjes ndërkombëtare ishte i vonuar, por jetik. Bota demokratike filloi të kuptojë se përballë një gjenocidi të përmasave të tilla, mosveprimi është bashkëpërgjegjësi. Filluan të shtohen zërat në kancelaritë perëndimore që kërkonin ndërprerjen e gjenocidit dhe ofrimin e mbrojtjes për civilët. Ndërhyrja e NATO-s nuk ishte thjesht një vendim politik, por një domosdoshmëri morale, një reagim që e vuri drejtësinë mbi kalkulimet diplomatike.

Për të mos lejuar që kjo e vërtetë të zbehet, projekti për ngritjen e Qendrës Memoriale “Bllaca 1999” përfaqëson një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe kultivimin e kujtesës historike. Ai nuk është vetëm një ndërtesë fizike apo një përmbledhje dokumentesh, por është një akt ndërgjegjeje kombëtare dhe ndërkombëtare, një sfidë ndaj harresës dhe një urë për komunikim ndërbrezor.

Në kuadër të këtij projekti, një vend të veçantë zë edhe Muri i Kujtesës, ku çdo gur përfaqëson një jetë, një histori të ndalur dhunshëm, një thirrje që nuk do të shuhet. E skalitur aty është edhe kontributi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), si dhe emrat e ideatorëve dhe drejtuesve të projektit, që me përkushtim institucional e personal kanë shërbyer si mbrojtës të së vërtetës historike. Bllaca flet – jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë botën. Flet përmes dhimbjes, por edhe përmes dinjitetit dhe qëndresës. Flet për nevojën që krimet kundër njerëzimit të mos mbeten vetëm në raportet zyrtare, por të njihen, të dënohen dhe të shërbejnë si mësim që të mos përsëriten.

Qendra Memoriale “Bllaca 1999”, që në përbërjen e saje ka Murin e Kujtesës dhe Trenin Muzeal, nuk janë thjesht objekte përkujtimore – ato janë dokumente të gjalla, dëshmi të një epoke që nuk guxon të harrohet. Ato janë pjesë e një diplomacie të ndërgjegjes ndërkombëtare, që e kujton botën për domosdoshmërinë e paqes, të drejtësisë dhe të ndërhyrjes kur dinjiteti njerëzor dhunohet.

Projekti “Bllaca 1999”, me të gjitha përbërësit e tij – Murin e Kujtesës, Trenin Muzeal, dëshmitë e mbledhura dhe narrativën e drejtë – është një rrëfim i fuqishëm që tejkalon kufijtë e një komuniteti apo të një shteti. Ai është një amanet për të ardhmen, një mesazh i qartë për brezat që vijnë: historia nuk është vetëm për t’u shkruar – ajo është për t’u ndjerë, për t’u ruajtur dhe për t’u nderuar. Dhe për këtë, ne do të jemi gjithmonë aty – me zemrën në të kaluarën, me mendjen në të ardhmen dhe me përkushtimin për të mos harruar kurrë.

Filed Under: Politike

Pushtimi italian i Shqipërisë sipas “Daily Express” dhe njujorkezes “New York Times”

April 7, 2025 by s p

700 italianë të vrarë gjatë pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939. Shifra që na bën shumë krenarë sot.

Nga ROLAND QAFOKU/

Në foto janë faqet e para të gazetës londineze “Daily Express” dhe njujorkezes “New York Times” të datës 8 prill 1939. Të dyja pasqyrojnë me titull të madh në faqet e para pushtimin e Shqipërisë nga Italia që ndodhi vetëm 24 orë më parë. Sipas planit të ushtrisë italiane, në operacionin pushtues u deshën 50 mijë forca ushtarake, 51 njësi detare dhe 400 avionë luftarakë. Nën komandën e gjeneral Alfredo Guzzoni forcat italiane sulmuan njëkohësisht portet nga Saranada, Vlorë, Durrës dhe Shëngjin duke vënë në funksion anijet luftarake “Giulio Cesare” dhe “Conte di Cavour”, 3 kryqëzorë të rëndë, 3 kryqëzorë të lehtë, 9 destrojerë, 14 anije silure, 1 minakërkuese, 10 anije ndihmëse dhe 9 anije transporti. Në Shqipëri situata ishte e çuditshme. Mbreti Zog u largua bashkë me shpurën e tij por ajo që mbeti në të gjithë këtë histori është fakti se pa asnjë organizim por me një patriotizëm në deje deri në habi, ushtarakët shqiptarë dhe dhjetra e qindra vullnetarë luftuan në të gjithë pikat ku ushtria italiane zbarkoi. Ishte parashikuar e lehtë, por ushtria italiane hasi në rezistencë dhe nuk e mori lehtë Shqipërinë. Sipas të dhënave të botuar nga studiues të huaj, në datat 6,7,8,9 ptill, pikërisht falë kësaj rezistence u vrarë 700 ushtarakë italianë. Po po e lexuat mirë. U vranë 700 ushtarakë italianë. Pra, një Shqipëri pa ushtri, me mbretin e larguar, me një shtet që u thërrmua si të ushte një pirg rëre, shqiptarët bënë më të paimgjinueshmen. Rezistuan, penguan pushtimin e lehtë dhe një pjesë u vranë për të mbrijtur atdheun e tyre. Këtë e konfirmojnw edhe gazetat “Daily Express” dhe New York Times”. Nga ky patriotizëm i nivelit më të lartë na mbetet vetëm ti nderojmë duke thënë: Lavdi atyre shqiptarëve që u vranë atë ditë si Mujo Ulqinaku me shokë por edhe mirënjohje pa fund për ata që e organizuan vullnetarisht atë rezistencë si Abas Kupi me shokë!

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT