• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE…

September 21, 2024 by s p

Letër e Mid`hat Frashërit drejtuar kryetarit të “Vatrës” me anën e së cilës njofton se, së bashku me Mihal Turtullin dhe përfaqësuesit e kolonive shqiptare të Stambollit e Partisë Politike, kanë nënshkruar një memorandum kundër ndërhyrjes italiane dhe shpreh mendimin e tij për të siguruar mbrojtjen e SHBA për shtetin e ri shqiptar

Lozanë, më 23 prill 1919

Zoti President,
Ju konfirmoj letrën time të datës 25 të muajit të kaluar. Më datë 2 të këtij muaji i kam shkruar një letër dhe dërguar një telegram Turhan Pashës; letrën e dërgova me ndërmjetësinë e Fuad Dibrës që e ngarkova t’ju dërgonte kopjen, shpresoj ta keni marrë. Aty bëhet fjalë për një problem që ka dalë midis Turhanit dhe meje në lidhje me thirrjen time në Paris (telegram që Turhani ma dërgonte në Romë më datë 5, siç ua thoja në letrën time të fundit). Mirëpo më 2 prill Turhani më telegrafonte se nuk më kishte dërguar asnjë telegram dhe se udhëtimi im në Paris u bë i pamundur për arsyen e thjeshtë se nuk kisha vizën e nevojshme. Ju përgjegja se pasaporta ime, e vizuar në mënyrë të rregullt nga legata franceze në Romë, ndodhej në konsullatë në duart e kontit Manzoni ose në ato të kolonel Vicenzit dhe se, për sa i përket ftesës së tij, i dërgova kopjet dhe të gjitha firmat e telegramit të tij të 5 marsit. Qysh atëherë nuk kam asnjë lajm. Ka dy javë që ju kam telegrafuar për t’ju propozuar t’i shprehni delegacionit shqiptar besimin tuaj përderisa ai do të punojë për pavarësinë e plotë të vendit, pa pranuar asnjë ndërhyrje të jashtme. Gjithashtu, kemi dërguar që këtej një telegram të gjatë për këtë problem sepse i famshmi Esat po bën gjithmonë intriga dhe Turhani nuk gëzon aspak besimin tonë. Turtulli më letrat e tij na sjell gjithmonë shqetësime.
Pardje Turtulli më kërkonte në qoftë se e autorizoja të firmoste në emrin tim një memorandum kundër ndërhyrjes italiane: iu përgjigjja që po. Duket se delegacioni i Stambollit dhe i Partisë Politike (Grameno etj.) janë dakord mbi këtë pikë. Shpresoj që të jenë edhe delegatët e Rumanisë (Pandeli Vangjeli e Dhimitër Berati). Ne edhe një herë i kemi telegrafuar Konferencë së Paqes për ta lutur të rregullojë çështjen e Shqipërisë në përputhje me aspiratat tona kombëtare dhe në favor të pavarësisë së saj të plotë. Ne gjithashtu pranojmë që Shtetet e Bashkuara të na japin ndihmën e mbrojtjen e tyre për të na udhëhequr në hapat tona të para në jetën politike kombëtare. Është një çështje mbi të cilën ne kemi qenë gjithmonë dakord me doktor Turtullin, të cilën ia sugjerova përsëri kohët e fundit. Për fat të keq, nuk kemi lajme më të gjata sepse letrat e fundit që kam marrë janë ato të doktorit, të cilat edhe ato janë shumë të shkurtra e lakonike. Nga delegatët e tjerë si edhe nga ju nuk kam marrë ende asnjë letër. Kohët e fundit zoti Gu..?, agjent i Italisë, më luti të kaloja nga konsullata për të më komunikuar që kam për të marrë një çek prej 3600 nga Banka e Romës si rrogë e muajit mars dhe si delegat shqiptar. Unë iu përgjigja me shkrim se, duke mos patur mundësi të shkoj në Paris si anëtar i delegacionit të qeverisë shqiptare, qe e pamundur për mua të merrja rrogë si i tillë.
Do të isha shumë i lumtur po të merrja lajme nga ju. A i keni marrë 20 kopjet e broshurës “Kërkesat shqiptare”? Rreth 150 ekzemplarë ua kam dërguar personaliteteve dhe gazetave, 50 nga të cilat ia kam dhanë Labos. Kam në botim e sipër broshurën “Shqiponjat brenda e jashtë vendit”. Botuesi do të ma japë pas një jave dhe do t’ju dërgoj 20 ekzemplarë. Në letrën time të datës 25 të muajit të kaluar ju kërkonja nëse më lejoni të bëja disa shpenzime për shtypjen e disa shkrimeve dhe të më tregoni qartë destinacionin e shumës prej 10. 000 fr. që më keni dërguar në muajin shkurt; më shkruani gjithashtu dhe se çfarë shume mujore do të caktonit për shpenzime personale dhe për udhëtimet e mia. Unë jam i mendimit se paratë që “Vatra” po mbledh duhet të shpenzohen me nikoqirllëk dhe ajo që do të mbetet do të përbëjë fondin për punët kulturore të shoqërisë.
Ju lutesha në letrën time të fundit të më dërgonit broshurat e Hawardit, Williams, librin e Peacock, 5 kopje të çdo numri të “Adriatic Review”, 3 kalendarë “Vatra” dhe 3 libra shqiptarë “Kamberi dhe Çekrezi), si dhe 3 “Othello”. I pres gjithmonë. Kam menduar se do të ishte më mirë të botonim “Adriatic Reviw” në 15 faqe dhe çdo javë gjatë Konferencës, me qëllim që të bëjmë më shumë propagandë dhe që mund të shërbejë si buletin për çështjet tona.
I juaji

Mid`hat Frashëri
Poste restante
Lousanne

AQSH, F. Koleksioni i Shoqërive Shqiptare në Zvicër, V. 1919, D. 27, fl. 3.

Filed Under: Politike

VATRA DO TË NDËRKOMBËTARIZOJË ÇËSHTJEN ÇAME

September 20, 2024 by s p

Dr. Elmi Berisha/

Vatra, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët nuk do ta harrojnë kurrë Çamërinë dhe do ta ndërkombëtarizojnë në të gjitha institucionet amerikane çështjen çame. Këto ditë realizova një vizitë emocionuese dhe shumë impresionuese në disa nga viset shqiptare të Çamërisë në shtetin e Greqisë. Kisha planifikuar ti vizitoj enkas këto vise kombëtare dhe të njihem nga afër me gjendjen e gjithmbarshme të bashkombasve tanë atje, si orientim nacional i Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës “VATRA”, vise këto që dikur ishin të banuara me shqiptarë, historia tragjike e të cilëve tashmë dihet, andaj kjo vizitë ishte hapi i parë i zbardhjes së të vërtetës dhe i ngritjes së zërit për të drejtat themelore të njerëzve tanë atje.

Si kryetar i “VATRËS”, për pesë vite, kam vizituar personalisht secilën trevë shqiptare, këtë e kam edhe obligim shpirtëror e zyrtar, por kjo vizitë në Çamëri dhe trojet tjera etnike që edhe tani kanë pjesën dërrmuese shumicë shqiptare, ka karakter të ndërgjegjes sonë kombëtare për ngritjen e të drejtave të kësaj pjese të substancës sonë kombëtare në institucionet e SHBA-ve, si dritë shprese për realizimin e të drejtave të tyre nacionale, të drejtës në pronë dhe në deklarimin e lirë për përkatësinë e tyre kombëtare. Zotohem që këtë çështje do ta ngrej në instancat më të larta të shtetit amerikan.

Ky hap nuk është vetëm vullnet i imi si kryetar i Vatrës, por është obligim dhe orientim strategjik i tërë lidershipit të Federatës “VATRA”. Nga ky moment dhe në ditët, javët dhe muajt në vijim nuk do të ndalemi për të kthyer drejtësinë dhe të drejtat elementare të njeriut për bashkombasit tonë që janë ndër pjesët më të dhimshme të komplet etnikumit shqiptar. Do fillojmë me njerëzit më të mirë të komunitetit tonë që ta ngrejmë këtë çështje në Kongresin Amerikan dhe do të jemi zë i fuqishëm në realizimin e këtyre të drejtave themelore për bashkëkombasit tanë çamë.

Greqia është vend fqinjë dhe mik i shqiptarëve. Ne nuk kemi asgjë kundër popullit dhe shtetit grek, as që bëhët fjalë për pretendime sa i takon integritetit të shtetit grek dhe popullit të lashtë dhe mik helenas, por nuk do të ndalemi së punuari fort në ngritjen e zërit, zbardhjen e historisë së vërtetë, golgotës gjenocidiale që kanë përjetuar shqiptarët në Çamëri, prandaj drejtësia duhet të vihet në vend dhe atyre njerëzve duhet të ju kthehet dinjiteti, e drejta në pronë dhe në deklarimin e lirë se janë shqiptarë, sikurse parasheh e drejta ndërkombëtare, Karta e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe lirive të tjera për pakicat kombëtare si në të gjitha shtetet demokratike.

Vatra apelon shtetin shqiptar dhe grek për zbardhjen e krimit, genocidit e masakrave greke mbi shqiptarët e Çamërisë. Vatra do të kërkojë gjithmonë drejtësi për Çamërinë dhe se çështja Çame, çështje thelbësisht kombëtare do jetë gjithmonë ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së Vatrës. Çështja çame, si çështje politike, kërkon tërheqjen e shtetit grek nga akuzat antiligjore kolektive ndaj një popullsie të tërë shqiptare në Çamëri. Vatra i kujton shtetit grek se e ka për detyrë dhe detyrim që të krijojë kushtet që me çdo mjet shqiptarët e dëbuar të rikthehen dhe të fitojnë të drejtat e tyre në Çamëri. Vatra do të punojë fort që Çështja çame të shndërrohet në një problem ndërkombëtar, pasi zgjidhja e saj e kërkon patjetër faktorin ndërkombëtar perëndimor si garanci në zbardhjen e të vërtetës historike të Shqiptarëve në Çamëri.

Filed Under: Politike

VEÇORI GJUHËSORE NË VEPRËN E ERNEST KOLIQIT

September 19, 2024 by s p

Dr. Valbona Sinanaj

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë/

     Në fillim të shek. XX u hodhën themelet e asaj binaje të quejtun Shqipni, siç do të thoshte At Anton Harapi. Specifikë e mendimit intelektual shqiptar në këtë fillimshekulli ishte “vërshimi i ideve të reja të shkallës më të lartë të arsimimit të rregullt të intelektualëve, çka solli hapjen drejt një përparimi kulturor gjatë një dhjetëvjeçari (30-40) të letërsisë dhe të kulturës shqipe, si kurrë më parë, në fillim në Shkodër e më pas në Tiranë dhe në mbarë vendin”.

     Mjaft autorë si  Konica, Koliqi, Kuteli, Noli, Harapi, Merxhani, Lasgushi etj., i bashkon prirja drejt formave të reja studimore, letrare, individuale, gjallëruese dhe lidhja me traditën më të mirë me ngjyrë kombëtare. Bota shqiptare filloi të pasurohej me studime të veçanta cilësore e sasiore albanologjike. Disiplina si letërsia, antropologjia, historia, gjuhësia, filozofia, filologjia etj., fillojnë të flasin shqip. 

     Ernest Koliqi evidenton tiparet që e karakterizuan dhe e afirmuan në këtë periudhë, si prozator, poet e përkthyes. Janë 86 shkrime që mbajnë emrin e tij shumica me karakter letrar, por edhe artikuj analizues, paraqitës apo polemika. Çështje të ndryshme gjuhësore janë trajtuar nga ai edhe brenda shkrimeve me karakter letrar. Koliqi është vlerësuar kryesisht nga bashkëkombësit jashtë Shqipërisë, pasi nga vendlindja ishte larguar për pikëpamjet politike, kryesisht si ministër arsimi në kohën e regjimit fashist në vendin tonë. 

     Individualiteti i një shkrimtari është i vështirë të kuptohet jashtë disa lidhjeve me ndikim kushtëzues si, jeta,  koha, njerëzit, shoqëria, shteti, vepra, lexuesi, ndërgjegjja politike dhe liria.

     Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903. Më 1921 përfundoi shkollën e mesme në Bergamo e në Milano (Itali). Themeloi në Bergamo bashkë me studentë të tjerë të përjavshmen studentore “Noi, giovani”. U kthye në Shqipëri, ku dy vjet më pas (1923) themeloi gazetën “Ora e Maleve” së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin. Më 1924 u bë pjesë e shoqërisë “Bashkimi” të krijuar nga Avni Rustemi. Gjatë viteve 1930-33 ka punuar si mësues në Vlorë e në Shkodër. U diplomua në universitetin e Padovës (Itali) më 1937. Më 1939 emërohet Ministër i Arsimit. Po në këtë vit emërohet drejtues i Katedrës së Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Universitetin Sapienza të Romës e themeluar në vitin 1939, e cila falë tij u bë Instituti i Studimeve Shqiptare, me Dekret të Presidentit të Republikës më 2 shtator 1957. Po këtë vit (1957) nisi të botohej dhe revista letrare e tij “Shêjzat”, revista shkencore albanologjike më e rëndësishme në Perëndim. I mbylli sytë në shtëpinë e tij në Romë më 15 janar 1975,  i nderuar nga bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij.

     Koliqi hapi rrugën për njohjen ndërkombëtare të letërsisë shqiptare. “Letërsia e një populli të vogël që nëse nuk donte të vdiste – thotë E. Miracco – nuk mund të mbyllej në izolim, dhe Koliqi hapi për Shqipërinë dhe shqiptarët e Italisë kufij të rinj të kulturës italiane e europiane, duke u nisur nga “thesaret e kombit”. 

      Në Itali Koliqi vlerësohet si një prej figurave më të rëndësishme si pjesë e traditës letrare shqiptare dhe njëherësh për kontributin e tij në disa fusha. Trajtohet si autor në: Svolgimento storico della kultura e della letteratura albanese, G. Petrotta, 1950; Storia di letteratura albanese, G. Schirò, 1959; L’opera letteraria e culturale di Ernesto Koliqi, G. Gradilone, 1974; “L’opera di Ernest Koliqi: considerazioni linguistiche”, në Miscellanea di Albanistica, P di Giovine, 1997; “L’incidenza delle religioni nella letteratura albanese secondo E. Koliqi”, në Miscellanea di Albanistica, S. Zincone,  1997; “Ernest Koliqi e la tradizione orale” në Miscellanea di Albanistica, E. Miracco, 1997; “L’opera letteraria di Ernest Koliqi ieri e oggi in Albania”, në Miscellanea di Albanistica, B. Dashi, 1997.

     Në shkrimet e tij Koliqi lëvroi me pasion gjuhën e shpirtit pa u shkëputur nga historia personale. Autori kërkon që në gjuhë të gjejë pasqyrim shpirti i kombit dhe duhet vënë në përdorim letrar mbarë pasuria leksikore e frazeologjike e saj, jo një pjesë e vetme dhe të ushqehet prej dialekteve dhe nëndialekteve.  

     “Besoj se njoftja e visarit letrar popullor ka me shërbye si frê. Ka me freskue e njomsue fjalorin, së ka ma na lânë me humbun at frymë të thjeshtë e pak si t’egër qi, mbas mendes s’eme, përbân bukurí e fuqín e gjuhës arbnore”.      

      Koliqi dhe Camaj i përkisnin atij grupi të shkrimtarëve, që në shkrimet e tyre përdornin variantin letrar të Veriut, por i rëndësishëm ishte roli i tyre, jo i vogël në rrugën e konvergjencës së gjuhës së shkruar, e kryesisht në dhjetëvjeçarin e fundit të krijimtarisë së tyre. E donin shqipen dhe vinin në dukje vlerat dhe pasuritë e saj. “Shqipja asht gjuhë e pasun dhe sqimatare, – shkruante Koliqi te romani “Shija e bukës së mbrume” – ka në vetvete gjallni kromatike e hire muzikore ende të pazbulueme, të cilat kur të dalin në shesh nëpër lavrim të palodhur të shkrimtarëve që ushtrojnë me vetëdije të ndritun zejen e tyre, do të jetë kënaqja dhe krenarija e breznive të përtardhuna… idet e thella dhe ngjyrimet e tyne të holla kërkojnë nji  përdorim të gjanë të mjeteve gjuhësore për t’u shprehun në mënyrë të dejë”. 

     Gjuha e tij priret drejt formave të reja për të qenë sa më afër gjuhës letrare që po formohej. Autori kërkon që në gjuhën e përpunuar të gjejë pasqyrim shpirti i kombit, duke vënë në përdorim letrar mbarë pasurinë leksikore e frazeologjike e saj. Ai mbështet rëndësinë dhe domosdoshmërinë e njohjes së traditës kombëtare, duke na këshilluar se: “Pa tharmet e traditës, s’ka përparim qytetërues shqiptar.”, dhe se kjo njohje  fuqizon rrënjët e kombit, pasi: “Një lis pa rrënjë nuk qëndron në këmbë. Një komb që përbuz traditat e veta vendos vetëvrasjen e tij”. 

     Koliqi arriti të lidhë traditën me modernen. Vepra e tij e krijuar në botën perëndimore në rrethet kulturore e shkencore të saj, larg ndikimeve e kufizimeve ideologjike, fitoi jo vetëm lirinë krijuese e shkencore, por, gjithashtu ka përfituar nga metodat e reja shkencore që zbatoheshin në Institutin e Albanistikës në Universitetin “La Sapienza” të Romës, të cilin e drejtoi deri më 1973. 

Si njohës i mirë i traditës përshkruan me mjete të gjetura gjuhësore aspekte të ndryshme të  mendësisë shqiptare, të cilat pasqyrojnë psikologjinë e shqiptarit. Përdorimi i shpeshtë i mbiemrave, i ndajfoljeve, fjalët e prejardhura e të përbëra dhe neologjizmat, dëshmojnë interesin e tij për  një gjuhë të përpunuar e poetike. Koliqi nuk ishte i prirur të përdorte me fanatizëm të folmen e vendlindjes, por mbështetej në gjuhën e popullit dhe përpunimin e pasurimin e saj të mëtejshëm. Ai nuk shkruan një shqipe larg standardit zyrtar, por ka një gjuhë të mesme popullore, përdor një gjuhë mjaft të zbutur, duke parapëlqyer më shumë trajtat e përbashkëta se sa ato dialektore, si në fonetikë, por edhe në sistemet dhe nënsistemet e tjera të gjuhës, përdor fjalë vjetra, duke synuar të bashkojë dialektet në një gjuhë të vetme.

     Nën gjurmën e shqetësuar dhe provokuese të pyetjes së Koliqit, në një trajtesë në vitin 1962 “Në vijën zhvillimore të letërsisë shqiptare, cili âsht qëllimi sundues?”, mund të thuhet se ndër qëllimet e kritikës letrare sot duhet të renditet edhe rivlerësimi i personaliteteve, arsyet e izolimit të një letërsie dialektore, humbja e ngjyrave të të folmeve lokale, cungimi i identitetit gjuhësor në panoramën letrare të përgjithshme dhe mbytja e shpirtit eksperimentues në këtë lëmë.

Bibliografia

Miracco, Elio.“Ernest Koliqi e la tradizione orale”, në Miscellanea di albanistika, Istituto di studi albanesi, Università degli studi di Roma “La Sapienza”, Roma, (1997), f. 23-30.

Koliqi, Ernest. Koliqi, Kritikë dhe Estetikë, Tiranë, (përg. S. Çapaliku,  1999).

Koliqi, Ernest. Vepra 1, Prishtinë, “Faik Konica”, (2003).

Koliqi, Ernest. Vepra 4, Prishtinë, “Faik Konica”, (2003).

Osmani, Tomor. Shejzat për gjuhën shqipe, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Instituti i Studimeve Albanologjike, Shkodër, (2013).

Marteta,  Rafaela. Publicistika e Lazër Shantojës. Paradigmë shqiptare e mendimit modern, Tiranë, (2021).

Sinani, Shaban.“Çështje të stilit në ligjërimin e Martin Camajt”, në Studime Filologjike 1-2, Tiranë, (2007), f. 29-39.

*Përmbledhje e kumtesës referuar në konferencën shkencore “Poliedriku Ernest Koliqi në 120 vjetorin e lindjes”.

Filed Under: Politike

NDAHET NGA JETA GERTI BOGDANI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI

September 18, 2024 by s p

E nderuar familja Bogdani/

Me keqardhje të thellë dhe dhimbje të madhe mësova lajmin e largimit të parakohshëm nga jeta tokësore të politikanit, profesionistit ekselent, djalit të përkryer, dhe qytetarit model Gerti Bogdani.

Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e parakohshme të të shtrenjtit tuaj, mikut tim të çmuar Gerti Bogdani.

Unë i kam të freksëta bisedat, takimet dhe kujtimet me Gert Bogdanin, tironsin fisnik e djalin brilant. Të gjithë bashkë si vatranë jemi pranë familjes Bogdani, familjarëve, anëtarëve e simpatizantëve të Partisë Demokratike, miqve e bashkëpunëtorëve të tij në këto momente dhimbjeje, trishtimi, zie e lamtumire dhe lusim Zotin për shpirtin e tij.

Gerti Bogdani pushoftë në paqe e përjetësi.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Dr. Elmi BERISHA

Filed Under: Politike

SHQIPTARËT NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË DEMOKRACISË, 2024

September 16, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli/

“Demokracia nuk ka të bëj vetëm me qeverisjen nga shumica por edhe me mbrojtjen e pakicës” (Albert Camus)

Me vendim të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 2007, ka shpallur 15 Shtatorin e çdo viti si Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, për t’u kujtuar të gjitha shteteve, anë e mbanë botës, nevojën e theksuar dhe të vazhdueshme për mbrojtjen dhe promovimin e demokratizimit të shoqërive të ndryshme të botës, si edhe për të theksuar rëndësinë e zhvillimit dhe të respektimit të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të çdo individi, kudo në botë.

Me rastin e miratimit të rezolutës, Asamblea e Përgjithëshme ka rithekësuar se demokracia është një vlerë universale, e “bazuar në shprehjen e lirë të popujve për të vendosur vetë sistemet e tyre politike, ekonomike, shoqërore e kulturore, si edhe për të vendosur, lirisht, pjesëmarrjen e tyre në të gjitha aspektet e jetës’’, politike.

Si çdo vit tjetër, në të kaluarën, edhe sivjet në këtë ditë, OKB-ja u bën thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, organizatave ndër-qeveritare dhe atyre jo-qeveritare, si edhe individëve dhe medias në mbarë botën, që të shënojnë këtë ditë në mënyra të përshtatshme festimi e përkujtimi, për secilin vend — ashtuqë të përforcohen dhe të shtohen programet kombëtare dhe ndërkombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë, botërisht. Në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë për 2024, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, nënvijoi se “Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është një mundësi për të theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të fjalës së lirë, lirive civile dhe shtetit të së drejtës; llogari-dhënjen nga institucionet qeveritare si dhe mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.” Kjo, shtoi udhëheqsi i OKB-së, është, veçanërisht, “me rëndësi në një vit, kur më shumë se 50 vende – që përfaqësojnë gjysmën e popullsisë globale – mbajnë zgjedhjet e radhës”. Guterres, shtoi se, megjithkëte, këto të drejta dhe vlera universale po sulmohen në mbarë botën, liritë në përgjithsi po gërryhen, hapësira për pjesëmarrje qytetare po ngushtohet, ndërkohë që polarizimi po intensifikohet, ndërsa mosbesimi po rritet. Për fat të keq, duket se kjo deklaratë tingëllon si deklarata parlajamëruese të mëparshme, që tregon se zhvillimet demokratike në botë, jo vetëm që nuk po përmirësohen, por problemet e demokracisë po shtohen.

Ndër 50-vendet që do mbajnë zgjedhje vitin që vjen janë edhe Shqipëria e Kosova. Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, 2024, do duhej që të shërbente edhe për dy shtetet shqiptare si një kujtesë e radhës mbi nevojën e vazhdueshme që parlamentet dhe qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë të përqendrohen, seriozisht, mbi promovimin e demokracisë së vërtetë, me zgjedhje të lira e të ndershme, përfshirë realizimin e objektivave, siç janë, pjesëmarrja aktive e shoqërisë civile në jetën politike, mbajtja e pakontestueshme e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, mbështetja e partive efektive politike, përfshir opozitën, objektiva këto të cilat si prioritet kanë mirëqenjen e popullit, pa dallime politike, dhe jo interesat e tyre personale dhe partiake të një grupi ose një tjetri.

Sepse, demokracia e vërtetë siç ka thenë filozofi francez, Albert Camus, si vlerë dhe si ideal, “nuk ka të bëj vetëm me qeverisjen nga shumica, por edhe me mbrojtjen e pakicës”, (Albert Camus). Ky citat, sipas shumë, ekspertëve politikë, përmbledh thelbin e demokracisë së vërtetë. Ai përcjell idenë se demokracia nuk ka të bëjë vetëm me sundimin e shumicës, ku dominojnë vendimet apo preferencat e grupit më të madh politik në një vend. Ndryshe nga kjo, ai nënvizon edhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave, lirive dhe interesave të grupeve dhe partive minoritare. Me fjalë të tjera, një demokraci e vërtetë siguron që zërat e pakicës të mos mbyten nga shumica. Camus synon të parandalojë tiraninë e shumicës, ku pushteti i shumicës është absolut dhe i padiskutueshëm, duke çuar në shtypjen e mundshme të pakicës, pore dhe një pjese të madhe të votuesve. Kjo vlen, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por për cilindo vend, përfshir ato më një kulturë e histori demokratike më të gjatë, siç janë Shtetet e Bashkuara.

Për fat të keq, ndonëse kanë kaluar 35-vjet nga shembja e Murit të Berlinit, shqiptarët gjënden, gjithnjë, në fazat fillestare të zhvillimit të tyre demokratik. Klasa politike shqiptare, më duket se nuk është e vetdijshme ose ndoshta nuk do të t’ia dij për punën e madhe që nevojitet për vendosjen e demokracisë së vërtetë, shtetit të ligjit, për luftën kundër korrupicionit, për transparencën dhe përgjegjësitë politike ndaj votuesve si edhe për nevojën e doemosdoshme për të ndërmarrë ndryshime të gjithanëshme të sistemeve politike dhe ekonomike. Jam i bindur se klasa politike shqiptare e tri dekadave të kaluara është e vetdijshme e dështimeve politike dhe ekonomike, të cilat po prishin shpresat e shqiptarëve për një demokraci të mirëfilltë. Zhgënjimet e shqiptarëve nga mungesa e demokracisë së vërtetë — në këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 — për fat të keq, po pasqyrohen në boshatisjen masive të trojeve shqiptare. Kjo nuk është demokracia as Shqipëria demokratike që duan shqiptarët, për ndryshe do të rrinin në vendin e vet.

Ka 10-15 vjet, që në atë mënyrën time më modeste, jam munduar të paralajmëroj se mungesa e demokracisë së vërtetë në trojet shqiptare, heret ose vonë, do të çonte në prirje autoritare të qeverisjes dhe në parlamente që nuk janë pasqyrë dhe shprehje e drejtë për drejtë e vullnetit demokratik të popullit dhe që nuk luajnë rolin kyç në përkrahjen dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Dhe se më në fund: “Demokracia nuk pret”.

Fan Noli në një artikull me titull, “Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë të theatrës”, botuar 100-vjet më parë, në gazetën “Dielli”, (në nëntor të vitit 1924), ka kritikuar partitë dhe politikanët e kohës në Shqipëri për gjendjen e krijuar atje, një shekull më heret, duke thënë se: “Në qoftë se anarkia që mbretëron në Shqipëri, vazhdon edhe ca kohë, atëherë optimizmi s’ka vend dhe trembem se diç do ngjasë.” Njëkohsisht, Noli ka shprehur shpresën se, të “Vetëquajturve ‘udhëheqës’ do t’u vijnë mëndtë dhe punët do shtrohen”. Kanë kaluar 100-vjet nga fjalimi i Nolit, mbi 5 anarkitë mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924, por që tingëllon, njësoj, aktual edhe sot për të gjithë politikanët shqiptarë, pa dallim partie a niveli, kudo në trojet shqiptare – të cilët siç thoshte Noli e përdorin politikën, jo si një udhë, por si një qëllim dhe që përdorin çdo mjet, të ndershëm e të pa ndershëm, për t’ia arritur qëllimeve të tyre që shpesh duken se nuk janë në interesin dhe në të mirën e përbashkët kombëtare. Urojmë që këta “udhëheqës” do të ndërpresin tragji-komeditë e tyre politike dhe të mënjanojnë rrezikun, që siç shprehej Noli, të mos i vihet “kazma Shqipërisë” dhe shqiptarëve.

Ashtuqë, klasa politike aktuale shqiptare, pozitë dhe opozitë, për hir të interesave kombëtare të shqiptarëve, të angazhohet — me respekt për njeri tjetrin, për një demokraci të vërtetë, në mbrojtje të vlerave të lirisë e deemokracisë, jo vetëm sot në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024, por për çdo ditë të jetës së tyre publike — në shërbim të popullit. Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos t’u mbajë peng e kaluara, kur është fjala për Demokracinë e Vërtetë, për një komb aq dinamik të bashkuar në liri, demokraci të vërtetë dhe pavarësi. Një komb si shqiptarët, i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet , në nivel ekonomikm, politik dhe intelektual, për të realizuar ëndrrën e rilindësve të shekullit të kaluar dhe për të plotësuar të gjitha nevojat dhe aspiratat e të gjithë shqiptarëve sot, për një jetë më të mirë.

Jo rrugëve të botës — por aty në trojet shekullore të stërgjyshve të tyre, në liri dhe demokraci të vërtetë, për veten dhe familjet e tyre dhe në paqe e siguri me të tjerët. Ky është edhe mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë për të kujtuar dhe theksuar rëndësinë e demokracisë së vërtetë në nivel global – si një kujtesë se demokracia duhet promovuar dhe mbrojtur nga të gjithë brezat. Pasi nëse jo, siç ka thenë dikur ish-Presidenti amerikan, Ronald Reagan –

Demokracia mund të zhduket shumë kollaj brenda një brezi – prandaj është i nevojshëm një anagazhim aktiv dhe serioz në vazhdimsi nga shtetet individuale, nga ana e organizatave ndërkombëtare, nga shoqëria e vërtetë civile dhe nga vet populli –për të mbrojtur dhe promovuar Demokracinë e vërtetë në botë, çdo ditë e moment, dhe jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Sepse DEMOKRACIA NUK PRET!

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT