• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLA SHQIPE NË LUGANO, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE NË ZVICËR

November 29, 2023 by s p

Mimoza Qarreti-Elshani, mësuese e shkollës shqipe në Lugano të Zvicrës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Lugano të Zvicrës, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Mimoza Qarreti-Elshani bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE LUGANO

Jam e lumtur që më keni ftuar të flas për shkollën e Luganos në kanton Ticino ku kam kënaqësinë të jem mësuese qe 2 vite. Ne bashkëpunojmë me Shkollën Shqipe e cila që nga viti 2019 e deri më sot ka hapur pika shkollore në 20 kantone të Zvicrës me mbi 110 pika shkollore dhe falënderojm koordinatorin zotëri Vaxhid Sejdiun për kontributin e palodhshëm. Në shkollën tonë mësimi organizohet një herë në javë, çdo të mëkurë nga ora 14:00 -15.45 në shkollën e Massagnos. Mosha e nxënësëve varion nga 6 -12 vjeç dhe me bindje të plotë e them që kemi nxënës të shkëlqyer të cilët nuk e kursejn veten në kryerjen e obligimeve ndaj shkollës. Në muajin nëntor kemi arritur të hapim dhe një pikë shkollore në Roveredo. Pë momentin jemi të kënaqur me funksionimin e këtyre shkollave, bashkëpunimin që kemi me prindër dhe rezultatet të cilat i kemi arritur por synimi ynë është që të rrisim numrin e nxënësëve. 



KURRIKULA MËSIMORE, BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT E KOMUNITETIN

Edhe shkolla e Luganos ashtu si të gjitha shkollat shqipe në Zvicër përdor tekste shkollore, të cilat kanë ardhur nga Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës. Ne punojmë në bazë të kurrikulës së përbashkët Shqipëri – Kosovë.Tani Kosova dhe Shqipëria kanë formuar një grup pune për hartimin e teksteve të gjuhës shqipe, të cilat i plotësojnë standardet e nevojshme për ngritje të cilësisë në mësimdhënie por mbi të gjitha të mësimnxënies. Prindërve të tjerë u bëjm thirrje që të regjistrojnë fëmijët e tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund ta ruajm gjuhën shqipe tek brezi më i ri. Tani mundësia është, prandaj mos lejoni që fëmijët tuaj të ndihen të izoluar kur të jenë me pushime në atdhe nga frika që mos të gabojnë kur të flasin. Bëni që ata të ndjehen të lumtur kur marrin rrugën për në atdhe.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ZVICËR

Fatmirësisht, tani kemi shqiptar të shumtë të cilët kanë arritur suksese të mëdha nëpër botë dhe na bëjnë krenar dhe nuk jemi më ai vendi ku bota nuk na ka njohur si popull që di të këndoj, aktroj e punoj nëpër institucione të rëndësishme, por tani ne e kemi dëshmuar këtë. Sipas mendimit tim  mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët të cilët po rriten në vend të huaj do ia shtoj vlerën dhe më shumë vendit tonë.  Në këtë mënyrë, fëmijët tanë do mund tu tregojnë bashkëmoshatarëve të tyre për kulturën dhe identitetin shqiptar.

REAGIMI I SHOQËRISË E SHTETIT ZVICERIAN

Duhet theksuar, që sapo kemi arritur të kemi një njohje nga ana e kantonit të Ticino ku fëmijët në fund të vitit marrin një diplom e cila është e njohur nga institucionet Zvicrrane .

Prandaj mund tę them që jemi shumë të kënaqur me institucionet shkollore zvicrane të cilat kanë një interes të veqant për mësimin plotësues sepse sipas tyre, kur fëmija di të flas mirë gjuhën e nënës do ta ketë më të lehtë të mësoj dhe një gjuhë të dytë. 

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Interesimi i nxënësëve është që ne të përdorim teknologjinë sepse u ndihmon në mësimnxënie. Nuk është e lehtë të organizohet mësimi sidomos për fëmijët të cilêt kanë vështirësi në gjuhën shqipe por me vullnetin dhe dëshirën që kemi jemi duke arritur rezultate të shkëlqyera.

KUSH ËSHTË MËSUESE MIMOZA QARRETI-ELSHANI?

Mësuese Mimoza Qarreti-Elshani është e lindur në një fshat piktoresk i quajtur Landovicë në afërsi të Prizrenit. Studimet universitare bachelor i kam kryer në drejtimin gjeologji-gjeografi  në fakultetin e Prishtinës ndërsa studimet master në GIS poashtu në Prishtinë. Në Zvicër kam ardhur në tetor të vitit 2010 dhe  që nga viti 2022 punoj si mësuese e Shkollës Shqipe në Lugano. Nga viti 2017 punoj si profesoresh zëvendësuese në drejtimin gjeografi dhe histori në ciklin e mesëm në kanton Ticino. Gjithashtu që nga viti 2019 deri në 2023 kam punuar në një firm në Zvicër në drejtimin gjeoinformatik. Pasi që mua më pëlqen të mësoj gjithmon gjëra të reja, aktualisht punoj si asistente në kontabilitet. Gjatë këtyre viteve kam ndjekur kurse të ndryshme në Zvicër. Për karrierën time i jam mirënjohëse babait tim tashmë të ndjerë Sami Qarreti ku falë tij sot jam kjo që jam. Gjithashtu falënderoj dhe gazetën Dielli në SHBA për interesin dhe kontributin e dhënë në këtëdrejtim

Filed Under: Reportazh

Vatra Miami organizoi ekspozitë me kostumet kombëtare

November 28, 2023 by s p

Në simbolikë të ditës së Flamurit 2023-të, fundjavën e tretë të Nëntorit, Dega e Vatrës Miami kishte të ftuara nga Kosova, Zonjën Valdete Berisha dhe Zonjën Lajde Kolgjeraj të cilat në mjediset e biblotekës të “Five Star Premium Residence of Hollywood” hapën ekspozitën me temë: “ Tradita e Artit Shqiptar ndër vite”. Këto zonja me përkushtimin dhe talentin e tyre kanë vënë emër të veçantë në mbledhjen dhe ekspozimin e kostumeve popullore nga mbarë trevat shqiptare.

Binin në sy veçanërisht kostumet e zonës së Hasit që i përkasin koleksionit privat të zonjes Kolgjeraj. Pikturat me motive të mjediseve dhe kostumeve nga pothuaj të gjitha trevat e Shqipërisë të punuara nga Zonja Berisha i shtuan gjithashtu vlerën kësaj ekspozite.

Të ftuarit patën një interesim të veçantë për kostumet dhe bizhuteritë popullore qindra vjeçare të mirëmbajtura dhe prezantuara me shumë profesionalizëm. Ato u ndalën dhe bënë pyetje për detaje që i shihnin si tërësisht orrigjinale.

Ky prezantim i artit dhe traditive tona të lashta në një mjedis relativisht të ri kulturor sikur është zona e Miamit solli një ditë ndryshe për seicilin të pranishëm dhe padyshim shënoi edhe një herë vlerën dhe madhështinë e kostumeve dhe dokeve tona të cilat na e shtojnë ndjenjën dhe krenarinë kombëtare sa herë që i hasim apo prezantojmë.Duam të besojmë se kjo traditë nuk do të shuhet me vitet, por përkundrazi do të mbetet e gjallë dhe frymëzuese për aq kohë sa bashkëatdhetarë pasionant sikur zonjat Berisha dhe Kolgjeraj do të tregojnë kujdes t’i mbledhin, ruajnë dhe shpërndajne këto vlera në çdo cep ku jetojnë shqiptarët, por edhe jo vetëm ata!

Filed Under: Reportazh

Në shtëpinë-muze të patriotëve Marigo e Jovan Posio

November 27, 2023 by s p

Përgatiti: Helena Lubonja Ujkaj dhe  Zef Ujkaj/

Gjatë vizitës sonë në Shqipëri, ndaluam në fshatin Hoçisht të Devollit, ku vizituam shtëpinë – muze të atdhetarëve Jovan dhe Marigo Posio. Shtëpia – muze e rindërtuar me shumë mund e sakrificë nga pasardhësja e familjes Posio, znj. Violeta Pojani dhe bashkëshorti i saj z. Bardhyl Lubonja kishte ruajtur origjinalitetin e shtëpisë së vjetër të kësaj familjeje. Që në momentin e parë që pamë shtëpinë nga jashtë, mbetëm të impresionuar nga madhështia e saj, arkitektura autentike dhe dekorimi me simbole kombëtare. Flamuri kuqezi valëvitej krenar në ballë të shtëpisë së “vajzës së flamurëve”, Marigosë, asaj që qëndisi me duart e saj të arta simbolin tonë kombëtar.

   Marigo Posio lindi në Korçë, më 2 shkurt 1882, në një familje me origjinë voskopojare.

Ajo ishte bija e Papa Kosta Poçit dhe Lenka Ballaurit. Familja e saj kishte lidhje farefisnie me shumë atdhetarë të shquar korçarë. Që në vegjëli u brumos me dashuri për gjuhën shqipe dhe atdheun. Marigoja ishte vajza e 27-të e regjistruar në shkollën e parë të vashave në Korçë e për mësuese kishte atdhetaren e shquar Sevasti Qiriazi. Në moshë të re u martua me Jovan Posion nga fshati Hoçisht i Devollit, me të cilin pati katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë. 

Rreth vitit 1904, së bashku me bashkëshortin e saj, u detyrua që të largohej drejt Vlorës, pas përndjekjeve të shovinistëve grekë dhe reaksionit turk. 

   Marigoja, si simbol i qëndistares së flamurit, është mjaft e njohur, por në fakt ajo është një figurë shumëdimensionale. Ajo ka qenë veprimtare e shquar e çështjes kombëtare, aktiviteti i së cilës është shtrirë në dy periudha historike me rëndësi të veçantë për vendin tonë, atë të Rilindjes dhe  atë të Pavarësisë. Kjo grua intelektuale, me horizont të gjerë e kulturë, me ide iluministe, që ia kushtoi jetën lirisë dhe flamurit, punoi pa u lodhur për përhapjen e gjuhës shqipe, përparimin e Shqipërisë si dhe emancipimin e gruas shqiptare. Roli i saj në shtypin e kohës, si drejtuese e gazetës “Shpresa Shqiptare”, ishte shumë domethënës. Artikujt e saj do t’i shkruante me pseudonimet “Sapi” dhe “Shqiponja”. Ajo mbronte idenë se hapja e shkollave në gjuhën shqipe, do të shërbente si ndritje e mendjes së shqiptarëve dhe do t’iu zgjonte atyre ndërgjegjen kombëtare. Kjo patriote e flaktë ishte nga të paktat gra që do të aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës. Marigo Posio mori pjesë në Komitetin e Parë, që u formua në Vlorë për shpëtimin e atdheut, të cilin e ndihmoi dhe  me të holla. Ajo e njihte mirë letërsinë e Rilindjes Kombëtare. Marigoja shumë shpejt u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare. Mes plaçkave që solli nga Korça do të ishte edhe  një flamur i qëndisur me dorën e saj. Ajo i këshillonte vajzat vlonjate, që në pajën e tyre të kishin patjetër një flamur, me shkabën dykrenare. Nga Vlora ajo do të ndiqte me vëmendje veprimet e çetave patriotike kundër forcave osmane, greke dhe serbomalazeze. Me krijimin e klubit “Labëria” në vitin 1908, Marigoja u aktivizua në rolin e këshilltares. 

   Duke vizituar shtëpinë -muze u njohëm me fakte të reja, dokumenta me rëndësi historike, fotografi të vjetra, objekte të përdoruara nga familja Posio si dhe me pemën gjenealogjike të familjes. Vlen për t’u përmendur se kjo shtëpi nuk do të ishte shndërruar në muze pa ndihmesën e çmuar të studiuesit dhe historianit z. Niko Kotherja . Falë përkujdesjes së tij dhe punës së palodhur shtëpia- muze e atdhetarëve Marigo e Jovan Posio është perfeksionuar e pajisur me materialin e posaçëm historik. 

   Biseda jonë me znj. Violeta do të vazhdonte dhe pas shtrimit të një dreke tradicionale me gatime të zonës së Devollit. Ajo na foli rreth përkushtimit të familjes Posio lidhur me lëvizjen për çlirim kombëtar. E gjithë familja iu përkushtua kësaj lëvizjeje duke sakrifikuar jetën dhe pasurinë monetare në shërbim të atdheut,  përparimit të kombit, zhvillimit të kulturës e arsimit. Shtëpia e çiftit Posio ka pritur e përcjellë patriotë nga të katër anët e atdheut. Jovani, bashkëshorti i Marigosë mori pjesë në veprimtari të shumta patriotike për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe ndjenjën e atdhedashurisë. Ai ishte gjithashtu mbështetës i flaktë i arsimimit të popullit nëpërmjet shkollave shqipe, duke kundërshtuar me fanatizëm hapjen e shkollave greke në jug të Shqipërisë. Gjithashtu ai financonte sipas mundësive disa prej gazetave përparimtare të kohës dhe shkollën shqipe të Korçës. Shpërndante libra e gazeta shqip. Në qytetin e Vlorës, ai u bë anëtar i klubit “Labëria”.

   Marigoja e Jovani i kishin brumosur fëmijët e tyre me ndjenja të larta patriotike. Evridhiqi, vajza e madhe e Marigosë, e studiuar jashtë Shqipërisë, ishte pjesë e orkestrinës së klubit “Labëria”, ku këndonte me mandolinë kënget shqipe. Zëri i saj melodioz dëgjohej edhe në kishën katolike të Vlorës, të drejtuar nga Dom Mark Vasa teksa këndonte në gjuhën amtare. Vajza tjetër Fereniqi do të ishte krahu i djathtë i së ëmës duke e ndihmuar atë në rolin e redaktores së gazetës “Shpresa Kombëtare”. Ajo do të luante një rol shumë të rëndësishëm me anë të shkrimeve së saj për emancipimin e femrës shqiptare. Edhe i biri Vasoja, muzikant i studiuar në SHBA do të dallohej si atdhedashës, që kontibuonte për kombin në rrugë të ndryshme, si me të holla ashtu dhe me anë të kapacitetit të tij intelektual. Në moshë fare të re ai mori pjesë në dramën historike “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos.

   Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes do të kurorëzohej me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës. Lufta e pandalshme e popullit shqiptar dhe përpjekjet e njëpasnjëshme të patriotëve, arriti kulmin pikërisht në këtë moment, kur Shqipëria fitoi mëvetësinë nga pushtuesi shekullor osman dhe u bëri fakt të kryer fqinjëve grabitqarë që kishin shkelur kudo mbi territoret shqiptare me dhunë e terror. Pas shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë dhe firmosjes së Deklaratës nga përfaqësues të të gjitha krahinave shqiptare, kulmoi me ngritjen e flamurit kombëtar mes brohorimave dhe euforisë së popullit shqiptar. 

Prezenca e flamurit ishte pikërisht meritë e punës dhe  përkujdesit të patriotes Marigo Posio. Përgjatë muajit nëntor, shtëpia e Posiove, ishte kthyer në një punishte për stamposjen e flamujve kombëtarë. Ajo, së bashku me Petro Fotografin dhe Thanas Floqin, përgatiti me qindra flamuj për ditën e pavarësisë kombëtare. Thuhet se ajo ka qenë e pranishme edhe në ngritjen e flamurit dhe e ka parë me sytë e saj firmosjen e dokumentit të shpalljes së pavarësisë. 

…………………………………..  https://konica.al/wp-content/uploads/2022/08/89398996_1376599585868913_8892870691360079872_n.jpg                     

   Megjithatë, nga sa thamë më sipër, kontributi i Marigosë qëndron përtej qëndisjes së flamurit kombëtar. Më 1914-ën, ajo u vu në krye të përpjekjeve për të ndihmuar muhaxhirët çame të dëbuar nga vatra e tyre nga shovinistët grekë. Më 1920-ën ngriti zërin në mbrojtje të Avni Rustemit. Në vitin 1924, së bashku me të shoqin, Jovan Posio mbështetën me të gjitha forcat e tyre  Revolucionin e Qershorit dhe Fan Nolin. Dhe këto nuk do të ishin angazhimet e saj të fundit. 

   Megjithatë sëmundja e tuberkulozit që e preku në vitin 1924 dhe vdekja e  fëmijëvë të saj nga po kjo sëmundje ia ndalën  hovin për t’i shërbyer interesit kombëtar deri në fund.Në vitet e fundit të jetës Marigoja jetoi  në Tiranë, pranë motrës së saj, Uranisë, e cila ishte martuar me patriotin e shquar Kristo Floqi. Në gjendje të mjeruar, Marigo Posio vdiq më 23 gusht 1932 dhe u varros në Manastirin e Zvërnecit.   

Marigo Posio është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Lirisë së Klasit të Dytë”, më 7 mars 1960 dhe  nga ish-Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Rexhep Mejdani me “Urdhrin e Flamurit” më 15 prill 2002. 

Znj Violeta Pojani fliste plot pasion për portretin e çiftit Posio, duke dhënë një shembull të shkëlqyer në përjetësimin e jetës dhe veprës së paraardhësve të saj atdhetarë, që sakrifikuan çdo gjë për Shqipërinë. Në çdo përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, ajo do të kujtohet ndër breza me respekt e dashuri. Kujtimi i familjes Posio qoftë i përjetshëm! 

Përgatiti: Helena Lubonja Ujkaj dhe  Zef Ujkaj

Filed Under: Reportazh Tagged With: Helena Lubonja Ujkaj, Zef Ujkaj

AT ANTONIO BELLUSCI, NJERIU I MADH I KOMBIT 

November 24, 2023 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

“Në ballkonin tim vazhdojnë të valëviten tre flamujt, shqiptar, kosovar, dhe ai Italian. Ndërsa në bibliotekën time, portretet  si ajo e  Skënderbeut, Aleksandërit, Pirros,  Adem Jasharit, për mua  janë ndihmë,  burim force, e sensibilizimi që kjo Arbëri e arbëreshëve të jetë e përjetshme e mos të vdes kurrë!”  – At Antonio Bellusci .
      At Antono Belluscit  i jepet nënshtetësia e Kosovës. Në ambient solemn, dekretin e lexoi Vehbi Miftari, këshilltar në presidencën e Republikës së Kosovës.

Frasnita gjashtë shekullore e ngulitur rrëzë Pollinit madhështor me historinë e saj sfidoi kohën dhe rrebeshet e saj. Fati tragjik i një popullsie shqiptare në trevat e tyre shekullore, në More dhe vise tjera të Gadishullit Ilirik, nuk mbaroi asnjëherë.   Përpjekja për mbijetesë është e prekshme në çdo hap të Frasnitës dhe katundeve arbëreshe në Kalabri e njohur me ngulimet arbëreshe gjatë shekujve.  Si duket, periudha më tragjike mbetet ajo pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Gjuha, ritet, zakonet, vallet, këngët, afresket, poezitë, përrallat, tregimet, mitet tregojnë gjurmë jete të vështirë në tokën e humbur, por edhe krenarinë.  Të gjitha këto janë tregues të shpirtit arbëror i ruajtur me dashuri, mall e përkushtim këtu e gjashtë shekuj.   Ata që kanë lexuar sado pak për arbëreshët dhe vijnë këtu së pari, e kuptojnë sa pak dinë për Arbërinë dhe arbëreshët, historinë e tyre. 

         Në një projekt seminari shkollash në Vjenë rreth gjuhëve amtare para tetëmbëdhjetë vjetëve morëm hartën e gjuhëve në Evropë nga organizatori. U habita kur pashë shtrirjen e gjuhës shqipe në Kalabri, Sicili dhe gjuhës arvanitase në viset epirote të  Çamërisë,  Athinës dhe viseve jugore, sot greke .  Lexova por s’mund të bindesha me idenë dhe dëshirën e flaktë t’i shoh nga afër.  Tani udhëtim, im i gjashti me radhë, me grupin e Prof. Rexhep Rifatit, vizituam dyzet e tre ngulime arbëreshe, më bindi se: 

-Sa pak kemi mësuar për arbëreshët në përgjithësi e veçanërisht për kontributin e madh të tyre të madh në gjuhë, kulturë e historinë kombëtare. 

-Sa tragjike ishte pushtimi i viseve shqiptare nga perandoria osmani dhe pushtuesve tjerë, grekë e serb. 

-Sa të dobëta ishin dhe janë përkujdesja e shtetit shqiptarë (tani edhe e Kosovës) ndaj një pjese të kombit, arbëreshëve që luajtën rol të fuqishëm për Atdheun të tyre dhe lirinë e tij.   

        Derisa perandoria osmane shkatërronte çdo gjë materiale e shpirtërore, ndalonte mësimin dhe fjalën shqipe, në Kalabri, Jeronim De Rada, mbante kongrese kushtuar gjuhës, kulturës dhe artit shqiptar; derisa perandoria osmane hapte varrin për shqiptarë, arbëreshët në Kalabri e Sicili botonin libra, organizonin kongrese, kurse mësimi e shkolla për të mos vdekur gjuha shqipe; derisa në trevat shqiptare të robëruara përdhosej figura e Skënderbeut, tempujve e shesheve, arbëreshët thurnin vjersha, partitura operistike, fjalime e lutje vetëm në gjuhën arbëreshe; derisa në trevat shqiptare rrënohej çdo gjurmë Kastrioti, arbëreshët thurnin këngë e ngritën lapidar shesheve në përkujtim të madhështisë së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Krahasimet janë të shumta në çdo lami të jetës dhe asnjëherë nuk arrin t’i mbarosh. Secili do të bindet sa tragjike ishte pushtimi shekullor osman për gjuhën, kulturën dhe jetën e kombit.

      Grupi ynë  nga Rexhep Rifati, Jakup Reka, Faruk Tasholli, Xhevahire Tasholli  Diella Tasholli dhe unë, u bashkua me vëllezërit frasnitas me të cilët ishte edhe Vehbi Miftari, këshilltar i presidentes së Kosovës i cili  kishte ardhur me detyrë zyrtare. Të shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Frasnitës, Angelo Katapano u gjendem në hapësirat e bashkisë.  Kudo të përcillnin  flamuj e  portrete të figurave kombëtare që nga Skënderbeu e deri tek Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ademi Jashari. Çdo gjë e renditur bukur me kujdes. Ambient mahnitës që fliste për dashurinë, ndjenjat dhe respektin e madh ndaj kulturës dhe historisë kombëtare.                 

           Në Frasnitë, gjithkund duket veprimtaria e familjes Bellusci. Në ballkonin e shtëpisë shekullore  valëviteshin flamujt me shtizat e tyre dhe s’mund të largohesh pa bërë foto në shkëlqimin e rrezeve mëngjesore që thyheshin këndeve e kthinave deri në Bjeshkët e thepisura të Pollinit.   Në portën e hapur, si zakonisht, na priti  motra e At Belushit,  Rina Belushi. me zërin e këngën e saj të njohur, “Jepni dorën, o vëllezër!” -këngë himni e cila të ngritë zemër e shpirt, të bënë tok me gurët e Kullës, Frasnitës dhe Pollinin.  Kisha lexura këngën, por kur e dëgjoja më dukej tjetër, më e fuqishme, më melodike dhe shpirtërore. Kështu është tradita e mikpritja arbëreshe, të pret me këngë dhe të jep dorën e zemrën për bashkim dhe të përcjell me këngë. 
        At Bellusi,  falënderoi për praninë dhe respektin e treguar ndaj tij dhe arbëreshëve.

     Mirë se keni ardhur! 

        Tommaso Belushi, vëllai më i ri i At Antonios dhe Katarinës (Rinës), me zell kujdesej në mirëpritje të motrave e vëllezërve në shtëpinë e tyre.Secili u prit dhe përqafua që në hyrje të bibliotekës. Dalja e saj verilindore në hapin e parë, fillonte me kopshtin e bukur  gjelbërimi i të cilit vazhdonte deri në lartësitë e bjeshkës së Pollinit me pamje mahnitëse.  

      “Jemi né Frasnitë, tek kjo tokë e rrethuar nga malet e Pollinit të bukur” – e filloi fjalën e saj Dr. Ornela Radovicka, drejtuese e  Qendrës Albanologjike pranë Bibliotekës Bellusci \ Frascineto.   “ Malet e Pollinit të cilët  me degët e tyre si flatra në esmeraldë spërkatin me klorofilin e tyre këto troje ku arbëreshëve u ra për fat të jetonin. Janë këtu 600 vjet me gjuhën e tyre dhe mallin për trojet që lanë. Në Frasnitë  bie në sy rrugicat e ngushta, atavizma arkitekture në stilin e gjitonisë të cilat të  përfshijnë emotivisht. Në mbrëmje, në këtë qytezë nën gamën mbretërore të hënës ngjyrë blu zhytur në argjend do të ndjesh siluetat e saj ku ende eshtrat shekullore mes valëve magmatike lëvizin fosforeshente në këto shtëpitë shekullore prej guri, në udhët, sokakët, në kisha, në këngë, në kostume, e  ku thyen rrezet ndër fasadat shekullore. Ç’do gjë këtu duket e qetë dhe pezull.

     Them “pezull”, sepse këtu asgjë nuk është definitive; gjurmët e identitetit akoma frymojnë; Gjuha arbërore edhe pse zhdukje akoma dikush e flet, kostumi  arbëresh gjithë ar thuret  ende dhe vishet në festa,  si dhe  ruhet riti bizantin i destinuar për mos humbur…. Në këto rreshta nuk po zgjatem tek puna e madhe dhe në kontributin e At Belluscit si studiues, hulumtues, kërkues apo si autor i 20 veprave të tij, nuk do të përqendrohem as si themelues i revistës “Lidhja”, apo si fondator i një prej Bibliotekave arbëreshe më të rëndësishme në Itali, Si edhe një Qendre Albanologjike,  por do të fokusohem  në vëllazërinë e  AT Belluscit  me popullin vëlla  shqiptar të Kosovës”.

        Ajo me zë bindës, por edhe e emocionuar dha një vështrim të thuktë rreth aktiviteteve dhe lidhjeve të At Antonio Belushit me Kosovën dhe figura kombëtare të njohura  Martin Camaj, Pjetro Janura, Profesor Renci Nesimi, Profesor Shefqet Pllana. Latif Berisha, Mark Kresniqin, Prof. Isak Shema, vëllezërit Bytyqi.  Ai kujton miqësinë me poetin e madh Ali Podrimja dhe fjalët që ai i tha për te pak para se të vdiste. “I dashur Bellusci, jemi në dijeni se çfarë keni bërë për gjuhën shqipe e gjakun arbëror. Jeni miku më i madh i shqiptarëve. Juve ju çelet dera e shtëpisë së çdo shqiptari edhe në gjysmën e natës” Kujtimet e tij janë freskëta për moshën e tij tetëdhjetë e nëntë vjeçare të cilën e feston sot. Jo vetëm që kujton emrin, por kujton në detaje takimin dhe bisedën me te, veprimtarinë dhe origjinën.  Kolosi i madh, albanologu Idriz Ajeti, të cilin At Antonio Bellusci e njohu nga afër.  Nga Kosova kujton shumë personalitet gjatë udhëtimeve të tij në Amerikë, Europë dhe trojet shqiptare, ku veçon seminaret e gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës si vijues i rregullt që nga viti 1980 deri me mbylljen e Universitetit na pushtuesit serb.  Esat Mekuli, veprimtar e atdhetar i madh i cili do shprehet “këndova edhe kur m’ishte ndalu”, e cila eklipson gjithë aktivitetin e tij, – thotë me saktësi studiuesja Ornela Radovicka.. Murat Isakun, të cilin e takoi disa herë në Kosovë duke lidhur miqësi dhe u njohje me verat e tij.

      Disa të tjerë që ai kujton janë Edita Tahirin, duke cilësuar si intelektuale e nivelit të lartë, njëra nga aktivitet e njohur për pavarësinë e Kosovës dhe interesimin e saj të thellë për botën arbëreshe e cila për veprimtarinë e At  Bellusci-t shkruan: “Bellusci-n e kam personalisht mik, por më shumë se kaq e kam një idhull, që dëshmoi se kombi shqiptarë edhe atëherë kur detyrohemi t’i braktisë tokat e veta shqiptare është i fortë që të mbrojë, të ruajë dhe forcon identitetin kombëtar”.
    Në ditëlindjen e tetëdhjetë e nëntë, At Bellusci  kujton të gjithë ata që ai i takoi në rrugën e tij prej njeriu atdhetar dhe besnik, në rrugën e tij të lavdishme me mund e penë.                  Gjysma e shqiptarëve u shpërngulën nga toka e tyre nga vuajtjet e robërisë në regjimet serbo-sllave dhe në Shqipëri diktatura kriminale komuniste.  Ai në kujtimet e tij thotë edhe këtë: “Mëmën Shqipëri nuk e vizitonim dot.”  Ai me respekt kujton Vëllezërit Bytyçi, kosovarë të diasporës në Nju Jork për zemërgjerësinë e tyre dhe atdhedashurinë e tyre.  Bajram Vehbiun, Gamberaj Sinan,  gazetarë nga Prishtina, të cilët kanë dhënë më të mirën  e mundshme në revistën “Iliria” në Nju Jork.  Djaloshi, Gjeto Sinishtaj, nga trevat shqiptare në Mal i Zi.  Ai kujton edhe njerëzit e thjeshtë: “Por unë në këtë revistë shkrova edhe për njerëzit e thjeshtë , përmend këtu kosovarin Tahir Kerrnaja, i varfër në ekstrem, i cili  gjithë jetën ia kushtoi Kosovës. Kujton me respekt të lartë Baba Rexhepin dhe shoqërinë bektashiane në Amerikë. Ekrme Bardhën  e shumë tjerë që nuk do harrohen kurrë.
      At Antonio Bellusci, ishte anëtar nderi në Lobin shqiptar-Amerikan për Çështjen e Kosovës. Me respekt kujton Josef Diogard-in për kontributin e madh të tij Lobit.. për Kosovën. Mes tjerash thotë: “Dioguardi në rolin e tij si kryetar  ishte i mendimit që  pjesëmarrja të konsiderohej  tre  paleshe, d.m.th. përfaqësues tre shteteve: Unë si Arbëresh i Italisë, Diaspora në Amerikë, dhe Kosova,(sepse nga Shqipëria e regjimit nuk kishte asnjë përfaqësuese. Ishin vitet 1989) prandaj këto tre forca, për Kongresin Amerikan  do të thoshte shumë”. 

     Nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Ditën e Lidhjes së Prizrenit, me 10 qershor 2003, At Antonio Bellusci-t i ndahet dekorata “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”. Dr. Ibrahim Rugova me këtë rast thotë: 

  “I dorëzoj ketë Medalje Nderi  Z. Bellusci, për veprimtari të shumëfishte kulturore dhe politike për arbëreshët e Italisë dhe për Kosovën. Për kontributin e dhënë në fushën e studimeve të kulturës, jetës dhe letërsisë arbëreshë në Itali, si edhe për përkrahjen  për lëvizjen demokratike të Kosovës për liri e pavarësi.”  “E doja Kosovën, u dashurova me të.  Kosova me tepër se sa Shqipëria na kishte hapur dyert ne arbëreshëve. Çështjen e Kosovës e  ndjeja  si detyrim moral vëllazëror” , thotë At Antonio Bellusci. 

      Njeriu vizionar vepron që të bëjë vepra të vlefshme për gjenerata. I tillë është At Antonio Bellusci. Ai  themeloi Qendrën e Studimeve Albanologjike gjysmë shekulli më parë (1970) e cila mbanë lidhje me shqiptarët kudo që gjenden në botë.  Ky sukses vazhdoi me themelimin e revistën e tij LIDHJA  (1980), e cila do bëhet zjarri dhe drita e botës arbëreshe në një Arbëri të madhe të bashkuar. Zëri dhe fjala e saj do ngërthen në vete me gjithë hapësirat ku frymojnë shqiptarët në kontinent dhe përtej oqeaneve.   Tani e gjysmë shekulli, që nga mosha studentore, dallohet me udhëtimet e tij dhe veprat kushtuar vëllezërve arbëresh, miku i madh, Prof. Rexhep Rifati. Ai është lidhur mish e shpirt me tokën arbërore, mallin e lashtë të tyre.  Kjo u jetësua me kamerën e tij në film dhe penën e tij të flakëruar në letër. Vepra, “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, pasuroj bibliotekat në gjithë kontinentin  me foto e tekst në tri gjuhë.  Rexhep Rifati, uroi nënshtetësinë e re dhe ditëlindjen e tetëdhjetë e nëntë.  Në fjalën e rastit, Ornela Radovicka për Rexhep Rifatin shtoi: “Miku ynë Rexhep Rifati, i pa përtuar ka sfiduar edhe orën biologjike, i pa lodhur dhe i gjendur në çdo kohë, ka krijuar ura midis botës arbërore dhe asaj Kosovare në Diasporë”.  

                  Buqeta me lule e përgatitur për ditëlindje nga zonjusha, Diella Tasholli e shoqëruar nga prindërit e saj Xhevahire e Faruk Tasholli.  I emocionuar,  sa nuk mund të përmbahet as nga lotët, At Antonio kërkoi që Diella të lexon vargjet kushtuar atij nga i ati i saj Faruk Tasholli.         Ashtu siç di poeti të thurë vargje, di dhe tekstin e fjalëve:  “Faleminderit At, Antonio! Ju jeni në qiell, as në tokë e as në parajsë. Nga qielli ju ndrini rrugën tonë. Gjithë njerëzit jetojnë, luftojnë e punojnë për parajsën. Unë ty nuk të shoh as në tokë, as në parajsë, të shoh në qiell. Ti je ndërgjegjja e shqiptarëve dhe na shikon nga qielli. Tani e dyzet vjet Ti e mbanë të ndezur ndërgjegjen time nga ai yll që je në qiell, yll je dhe jam i lumtur e krenar që kam një vëlla shumë të madh. Unë sot parajsën e gjeta këtu  mes arbëreshëve. U ktheva në kohën e Skënderbeut, për juve dhe gjithë arbëreshëve këtu”   

        Nga Amerika e largët kishte ardhur Isaf Bytyqi, në fjalën e tij urimi tha: “Jam shumë i kënaqur që sot jemi këtu për këtë festë, ditëlindjen e Zotit At Antonio Bellusci. E patëm fatin e jetës me e njohur dhe ta kem mik  i cili na frymëzoi në Amerikë me fjalët dhe veprën e tij. Ai na dha kurajë që ne t’i vazhdojmë demonstratat qysh nga viti 1968 e tutje. 

     Prezantimi im (autori i shkrimit), se jam nga Drenica ai i emocionuar  para të pranishmëve e vazhdoi sqarimin. Oh, Drenica, oh Drenica! Dhe në italisht, për ata që nuk e kuptonin arbërishten, ai shpjegoj, se Drenica është një vend malor me banorët e saj malësorë trima që kanë luftuar kundër pushtuesve serb. Ai foli për Familjen Jashari e cila luftoi dhe qëndroi pa u trembur kundër forcave pushtuese serbe të cilët vranë tërë familjen, mes tyre pleq, gra e fëmijë. Familja Jashari është vendi i pelegrinazhit për të gjithë shqiptarët. Prekazit Legjendar me Kullat e Jasharajve të stolisura me pesëdhjetë e gjashtë lapidarë nga një familje. Ai këtë madhështi pelegrinazhi e përjetoj me mikun e tij, albanologun, Robert Elsie, para disa vitesh.             

        Nga e merr atë forcë për të shkruar gjithë këto vepra? – pyeti At Bellusci. Për mua ishte vlerësim i punës sime, pasi At Bellusci i vlerësonte veprat e mia tani pjesë e bibliotekës së tij shekullore. U ndjeva krenar, kurse përgjigja qëndronte në libra rafteve.                

        Frasnita (Frascineto) është fshat me histori të lashtë arbëreshe nga i cili dolën figura me rëndësi jo vetëm për Arbërinë e arbëreshët, por për gjithë kombin. Në shekullin tonë pa dyshim, se Prof. Dr. Antonio Bellusci  është figura më e madhe të cilin me të drejtë e krahasojnë me Fan Nolin. Po, At Antonio Bellusci është pasardhësi i vërtetë i Fan Nolit me veprën e tij si hulumtues, shkrimtar, përkthyes, veprimtar, aktivitet politike, filozofinë e tij, vizionar. Vërtetë, Burrë i madh i kombit. 

          Urime Ditëlindja e 89-të!

          E trashëgofshi nënshtetësinë e Republikës së Kosovës!

Filed Under: Reportazh

Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit për 16 vjet rreth Flamurit të përbashkuar

November 22, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Mbi njatë Flamur Perendia,

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;

Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!” Gjergj Fishta

Këto ditë festuam Ditën e Flamurit Kombëtar!

Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit pothuajse në të gjitha lagjet e Nju Jorkut festuan me madhështi Ditën e Shenjtë të Flamurit

Për shkak se javën tjetër në fundjavë shkollat publike janë të mbyllura ngase është Dita e Falënderimeve, ne e festuam Ditën e Flamurit në bazë shkollash një javë më parë.

Është krenari kombëtare që edhe pse jemi larg Atdheut Shqiponjat e Shkollës Shqipe e festojnë me plot dashuri dhe krenari Ditën e Shenjtë të Flamurit. Nxënësit nën kujdesin e mësueseve të përkushtuara si Fatlinda Gashi dhe Rozeta Daci në Brooklyn, Entela Muda, Elona Shkreta në Staten Island, Kade Lajqi, Helena Ujkaj, Albana Lazri dhe Mehrije Shala së bashku me asistentet si Edona, Erlinda, Blenda dhe Sara dhanë një program të shkurtër artistik me vjersha, valle dhe këngë patriotike.

Kënaqësi është kur pranë nesh vinë ish mësues si Vjosa Rraci Gruda apo dhe ish nxënës të tjerë që shprehin dëshirën për ta festuar Ditën e Flamurit bashkë.

Në ekran në cdo shkollë u dha deklarata e Pavarësisë, mbajtur më 28 Nëntor 1912 nga Ati i Pavarësisë Ismail Bej Vlora. Në tekstin origjinal të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë shkruhet:

“Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.

Shkollat u mbushën plot e përplot nga gumëzhitja dhe cicërrimat e nxënësve që vinë me aq dashuri dhe pasion pranë shkollave shqipe “Alba Life” dhe natyrisht ky është bashkëpunimi i frytshëm midis mësueseve, nxënësve dhe Bordit.

Nxënësit të gjithë me flamuj në duar, vajzat me kostume popullore apo me fjongot kuq e zi e bënin dhe më të bukur dhe ndiznin atmosferën në këtë ditë të shenjtë.

Ceremonitë u hapën me Himnin Kombëtar shqiptar si:

Rreth flamurit të përbashkuar,

me një dëshirë e një qëllim,

të gjithë atij duk’iu betuar

të lidhim besën për shpëtim.

Të gjithë nxënësit në shkollat ku kishte mundësi të merrte pjesë z. Qemal Zylo i përshëndeti dhe iu uroi ta gëzojnë ditën e Flamurit përjetësisht. Z. Qemal Zylo themelues dhe drejtor i shkollave Shqipe “Alba Life” në New York dhe në Online foli me krenari për festimin e Ditës së Shenjtë të Flamurit që realizohet me një program serioz cka e bën shkollën tonë të jetë një ndër shkollat më prestigjioze dhe plot sukses në rritje.

Nxënës të shumtë recituan poezi patriotike dhe vallëzuan valle tradicionale të mrekullueshme. Psh në Brooklyn dhe në Bronx grupet e valleve intepretuan mjeshtërisht nën drejtimin e asistenteve Blendës, Edonës si dhe Erlinda, ndërkohë zonjusha Gjidija interpretoi këngën aq të dashur ndër shqiptarë: Mora fjalë kushtuar Heroi legjendar Adem Jashari.

Prindi shembullor i Emilisë Mirela Arifaj solli tortën e festës së Pavarësisë, ku të gjithë nxënësit u kënaqën dhe ndanë momente gëzimi së bashku.

Në Brooklyn u shfaq në ekran kënga kushtuar Shkollave Shqipe Alba Life interpretuar nga grupi “Thesaret Labe” të cilët i kishim mysafirë javën e kaluar.

Ata përshëndetën: Alba Life mirë se të gjetëm/ Tempulli i diturisë…

Flamuri kuq e zi bashkon shqiptarët anë e mbanë globit ashtu si në Shkollat Shqipe “Alba Life” që kanë 16 vjet që e festojnë me madhështi, sepse frymëzohen nga Himni Kombëtar për Kombin që thotë: “Shqipëria do të rrojë/

Për të, për të, luftojmë ne!”

18 Nëntor, 2023

New York

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 179
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT