



Nga Ramazan Çeka/
Më 20 gusht, në Varrezat e Vuksanlekajve të Hotit, Tuz, u mbajt një ceremoni e paharrueshme përkujtimore në nder të Kryetrimit Dedë Gjon Ujka, “Dëshmor i Atdheut”, prijës i shquar, humanist i madh e udhëheqës i pathyeshëm i Kryengritjes së Malësisë së Madhe. Ky aktivitet i shenjtë, organizuar nga famullia e Tuzit në bashkëpunim me familjen e Gjeto Kolë Ucit Camaj, mblodhi klerikë të Kishës Françeskane, hulumtues, aktivistë, përfaqësues të institucioneve vendore e të diasporës, si dhe shumë malësorë që ruanin të gjallë në kujtesë gojdhënat e pleqve mbi jetën dhe lavdinë e këtij burri të madh.
Në solemnitetin e kësaj dite u mbajtën fjalime nga klerikë, familjarë e akademikë, duke përkujtuar me nderim figurën e Dedë Gjon Ujkës. Në përmbyllje u zbulua dhe u bekua varri memorial, i ngritur me përkushtim e bujari nga familja e Gjeto Kolë Ucit Camaj. Dedë Gjon Ujka ishte organizator dhe komandant i betejës së përgjakshme në Qafën e Uglës, ku, më 25 qershor 1911, dha jetën për liri e atdhe. Me vendimin nr. 792/19, datë 15.8.2020, qeveria shqiptare e shpalli zyrtarisht “Dëshmor të Atdheut”.
Lindi rreth viteve ’60 të shekullit XIX në Traboin të Hotit, në një kohë të trazuar kur malësorët, me pushkë e besë, i bënin ballë perandorisë osmane. U rrit nën hijen e Kullës Vuksanlekaj, simbol i burrërisë dhe dinjitetit malësor, vlera që e farkëtuan karakterin e tij si patriot i flaktë dhe rilindas i pathyeshëm i çështjes kombëtare.
Dedë Gjon Ujka përmendet jo vetëm për trimërinë, por edhe për zemrën e madhe. Shiti shumë nga pronat e veta për të larë borxhet e Hotjanëve në ditët e vështira të spastrimeve osmane. Ishte nismëtar i kuvendeve të Malësisë, ku u falën gjaqet, u mobilizuan luftëtarët, u sigurua armatimi dhe u ngjall fryma e qëndresës së përbashkët. Këto vendime burrërore, pararendëse të Besëlidhjes së Malësisë, morën jehonë deri në qarqet diplomatike të kohës.
Në Qafë të Uglës, Dedë Gjon Ujka u shqua si prijës dhe organizator i betejës më të përgjakshme të Kryengritjes së Malësisë. Atje, në vijën e parë të frontit, ai ra dëshmor, duke vulosur me gjakun e vet idealin e lirisë.
Organizimi i kësaj ceremonie të lartë u përshëndet gjerësisht nga opinioni publik, si një hap i domosdoshëm për rishikimin e historisë së Malësisë dhe rivlerësimin e figurave më të ndritura të saj.
Nder e lavdi Dëshmorit të Atdheut, Dedë Gjon Ujka!
Mirënjohje e respekt bijve të Gjeto Kolë Ucit Camaj, për këtë përjetësim të jetës e veprës së Kryetrimit Malësor!