
Nga Evarist Beqiri/
“Historia është gjykatësi suprem, para të cilit të gjitha sekretet dalin përfundimisht në dritë.” – Ismail Qemal Vlora (24 janar 1844, Vlorë, Shqipëri – 26 janar 1919, Peruxhia, Itali)
Ismail Qemal Vlora në këtë 182-vjetor të lindjes nuk ka nevojë për lavdinë tonë. Ne kemi nevojë për trashëgiminë e tij. Figura e Ismail Qemal Vlorës në historinë e Shqipërisë, mishëron vrullshëm idenë e shtetit, dinjitetit kombëtar dhe vizionit europian. Ai nuk ishte vetëm njeriu që ngriti flamurin në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Ai është arkitekti i shtetit shqiptar të pavarur të orientuar drejt Perëndimit.
Sipas fjalëve të burrështetasit të shquar grek nga familja e njohur Levidis, ish-kryeparlamentari, autori dhe oratori i mbiquajtur “bilbili i parlamentit” grek Nikolaos D. Levidis (1848-1942): “Është mysliman nga feja, por armik fort fanatik i turqve. Ka të rritur në vehte, në gradën më të lartë, ndjenjën e rracës së tij. Ëndërron komb shqiptar me lidhje dhe vëllazërim me kombin grek. Ismail Qemal beu, greqishten e flet si grek intelektual, meqenëse ka studiuar në shkollën “Zosimea” të Janinës. Është politikan i dorës së parë, figurë politike me rëndësi të madhe, që di tërë çështjet që i interesojnë Ballkanit.”
Por më shumë se një shekull më pas, pyetja që shtrohet vetvetiu është se çfarë ka mbetur nga trashëgimia e tij?! Ismail Qemal Vlora nuk e shikonte shtetin shqiptar si një zgjatim të Perandorisë Osmane, as si një krijesë të brishtë ballkanike, e cila mbijeton mes fqinjëve grabitqarë. Përkundrazi, ai e konceptoi Shqipërinë si një komb modern, të aftë të ndërtojë institucione, të garantojë liritë qytetare dhe të bëhet pjesë e rrjedhës së qytetërimit perëndimor.
Ai ishte i vetëdijshëm për rreziqet e pangjermanizmit e pansllavizmit, për intrigat e fqinjëve dhe për fragmentarizimin e brendshëm shqiptar. Por, ai nuk pa aty arsye për dorëzim. Ai pa aty detyrimin për bashkim. Sot, kur shohim realitetin shqiptar, vërejmë një kontrast të dhimbshëm. Trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike dhe në ngatërrimin e ditëlindjes çdo vit!
Nuk ekziston asnjë vend tjetër që ta ketë trajtuar “Atin Themelues”, në të njëjtën mënyrë si ne. Realiteti tregon se, sot që po flasim nuk ekziston asnjë muze në Shqipëri që të kremtoj jetën e themeluesit të shtetit modern shqiptar. Kjo sepse, historikisht në Shqipëri përvjetorët e Pavarësisë janë shfrytëzuar më tepër për të kremtuar kultit të individit të rradhës, sesa për të nderuar veprën e rilindësve.
Në këto 114-vite Shqipëri, vendosja e portretit të Themeluesit në zyrat e shtetit shqiptar në vitin 2013, është akti më vlerësues ndaj veprës së tij. Ndërkohë, vlonjati më “durim-madh” që ka njohur historia jonë, pret prej 114-vitesh ngritjen e një monumenti dinjitoz në kryeqytetin e shtetit të themeluar prej tij. Ndërkaq edhe rrugët apo sheshet e çdo qyteti apo fshati shqiptar, do të ishin më të nderuara po të mbanin emrin e tij. Sepse, Ismail Qemal Vlora ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri.
Ne shqiptarët kemi vuajtur boll këto 114-vite nga sindroma “që gjithçka fillon nga mua”. Sot, ne duhet të shkëputemi prej saj. Me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje të begatë ne duhet që t’i edukojmë brezat nën shembullin e njerëzve të mëdhenj. Nëpërmjet lidershipit të Ismail Qemal Vlorës, ne mund të kuptojmë se si mund të ndërthuret më së miri racionaliteti dhe empatia në zgjidhjen e problemeve të kohës tonë. Sikur të gjithë ata që e kanë drejtuar Shqipërinë në këto 114-vite, do ta kishin pasur si “Yll Polar” trashëgiminë e Ismail Qemal Vlorës, ju garantoj që ne sot do të kishim një Shqipëri shumë më të begatë.
Institucionet tona nuk po arrijnë akoma që të pasqyrojnë idealin e tij të shtetit të së drejtës. Demokracia jonë shpesh ngjason më shumë me një lojën e mbijetesës politike sesa me kulturën e lirisë. Europa mbetet horizonti ynë. Por, shpesh kjo keqpërdoret si slogan. Në vend që të kemi udhëheqës që frymëzohen nga guximi i Ismail Qemal Vlorës, ne shohim politikanë të thyer përpara interesave të ngushta vetjake.
Trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës është Bibla dhe Kurani i shqiptarizmës. Trashëgimia e tij është udhërrëfyesi ynë politik e moral. Aty ne duhet të mësojmë, kurajën për të menduar shtetin mbi interesin personal. Vullnetin për të ndërtuar institucione e jo për t’i shkatërruar ato. Orientimin perëndimor si zgjedhje strategjike e kombit, jo si mjet propagande. Kulturën e kompromisit kombëtar përballë interesave të ngushta personale.
Sot, kur vendi përballet me largimin masiv të të rinjve, me dobësinë e institucioneve, me polarizimin politik dhe pabarazinë sociale, trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës na fton që të reflektojmë. A kemi bërë ne gjithçka për ta ndërtuar Shqipërinë sipas ëndrrës së tij?!
Ismail Qemal Vlora nuk kërkonte nderime. Ai kërkonte që Shqipëria të jetonte me dinjitet mes simotrave të saj europiane. Detyra jonë sot nuk është thjesht të kujtojmë “Themeluesin”. Detyra jonë është që të ringjallim vizionin e tij në politikë, në shoqëri dhe në institucione. Sepse nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës, mbetet vetëm aq sa ne jemi në gjendje që ta mbajmë gjallë me vepra, jo me fjalë.
Ka 114 vite që Shqipëria lindi si shtet, dhe emri i Ismail Qemal Vlorës mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me themelin e saj politik, institucional e diplomatik. Ai nuk ishte thjesht Shpallësi i Pavarësisë, por krijuesi i një vizioni për shtetin modern shqiptar, të ndërtuar mbi ligjin, dinjitetin dhe përfaqësimin kombëtar.
Por sot, a e kemi ruajtur ne thelbin e kësaj trashëgimie?! Apo kemi ngecur tek simbolika e thjeshtë, ndërkohë që shpirti i vizionit të tij harrohet?! Sa herë kemi guxuar ne që ta matim veten me standardin e tij?
Ismail Qemal Vlora jetoi me bindjen se Shqipëria nuk mund të mbijetonte pa institucione të forta dhe pa një elitë që i shërbente kombit, jo vetes. Sot, ne shumë shpesh, shohim të kundërtën, institucione të dobësuara nga korrupsioni, politika të zhytura në konflikt interesi, dhe një shoqëri që largohet gjithnjë e më shumë nga besimi tek shteti.
Trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës nuk është vetëm Pavarësia. Është ideja se shteti duhet të jetë i denjë për qytetarët e vet. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është e thjeshtë, a kemi ne sot guximin dhe karakterin që ai tregoi në kohën më të vështirë të kombit tonë?! Apo jemi bërë thjesht konsumatorë të historisë, duke harruar misionin e saj?
Zgjedhjet tona janë pasqyra e shpirtit tonë. Një dhunti kjo e falur nga Zoti. Nëse duam ta nderojmë me të vërtetë trashëgiminë e Ismail Qemal Vlorës, duhet që të rindërtojmë besimin tek shteti. Të përforcojmë institucionet. Të vendosim meritën përpara klientelizmit. Të vendosim të mirën e përbashkët përpara interesit vetjak. Vetëm kështu trashëgimia e tij mund të shndërrohet në një kujtesë të gjallë të Shqipërisë që ai ëndërroi. Një shtëpi e denjë për qytetarët e saj.