

Sokol Paja/
Filmi komedi “Çifti i lumtur” është një ndër filmat e shumtë me metrazh të gjatë prodhuar më 1976 në Shqipërinë komuniste ku sulmohen klerikët, feja, institucionet klerikale dhe ideologjia fetare. Regjimi komunist pasi i zhduku fizikisht dhe institucionalisht klerikët dhe institucionet e fesë, me qëllim që të zhdukte besimin fetar edhe nga ndërgjegja e njerëzve, realizoi një sërë filmash, shfaqjesh të ndryshme, botime, mbrëmje muzikore, shfaqje teatrale, simpoziume shkencore ateiste, ekspozita etj. Komunistët e kishin të qartë: në çdo veprimtari jetësore të shoqërisë moniste, në çdo veprimtari institucionale të segmenteve të kontrolluara nga partia-shtet dhe në çdo sektor prodhimi nga qëndrat e punës e deri te koperativat e fshatit, feja duhej luftuar e goditur me çdo mjet e çdo kusht. “Çifti i lumtur” është një rast tipik i një filmi të prodhur me detaje të imtësishme të luftës që regjimi komunist ushtroi ndaj klerit dhe besimeve fetare në Shqipërinë ateiste për afro 50 vjet. Fabula e paraqitur në skenar filmi është e thjeshtë: Dy të rinj që i përkasin besimeve të ndryshme fetare vendosin të martohen me njëri-tjetrin, por hasin në kundërshtinë e babait të djalit i cili paraqitet në film si konservator edhe pse në ndërmarrje dhe qëndrën e punës hiqej si përparimtar i madh. Në thelb të filmit qëndron dhe shigjetohet feja si vrasëse e ndjenjave të dashurisë ndërmjet dy të rinjve, feja si pengesë për normalizimin e marrëdhënieve mes njerëzve në komunizëm dhe si pengesë për unitetin shoqëror dhe ndërtimin e socializmit. Ideologjia fetare dhe ideologjia komuniste nuk mund të jetonin së bashku, ndaj regjimi komunist zhduku gjithçka që nuk ishte në përputhje me parimet e marksizëm-leninizmit mbi të clat funksionoi Shqipëria për afro 50 vjet. Në fabulën e filmit “Çifti i Lumtur” propaganda ateiste vë përballë dy të rinj sikur ishin me prejardhje nga dy fe të ndryshme dhe se ishte pikërisht feja që pengonte të rinjtë të martoheshin, familjet të pranonin dashurinë dhe shoqërinë të kishte unitet e zhvillim. Në filmin komedi që zhvillohet në Shkodër aty ku dhe feja ishte pjesë shumë e rëndësishme e jetës shoqërore dhe institucionet klerikale ishin shumë të konsoliduara, propagandistët komunistë antifetarë vënë përballë dy familje dhe dy prindër njëri konservator që refuzon lidhjen por që është i rrethuar nga gruaja dhe halla, të cilët kërkojnë që dashuria të aprovohet mes djalit të tyre dhe një vajze nga feja tjetër. Filmi komunist ateist e nxjerr babain që mbron fenë si konservator dhe sikur bën gjithçka për të nxjerrë justifikime që kjo lidhje mes dy të rinjve të bëhet e pa realizueshme. Me këmbënguljen e të gjithëve dhe kryesisht të kolektivit punonjës, dhe brigadieri i ndërmarjes që luhet në film nga Paulin Preka, babai konservator pranon fejesën dhe lidhjen e dy të rinjve. Pra në film paraqitet se ishte Partia ajo që e bëri të mundur këtë akt bashkimi të dashurisë së dy të rinjve dhe çliroi rininë nga feja. Partia ishte kudo. Partia ishte gjithçka për kohën. Personazhi i Hallës i luajtur në film mjeshtrisht nga V.Nino sipas projektimit dhe udhëzimit nga propaganda ateiste e kohës, akuzon dhe fajëson fenë në film duke thënë se feja është diçka e kotë. Në një leksion familjar Halla në film tregon një histori kur ishte 15 vjeçare dhe dashuronte një djalë të fesë tjetër dhe gjoja sipas Hallës kur e mori vesh babai i saj e kishte dërguar te klerikët. Në dialogun e saj me klerikun që do ta shëronte vajzën e re, Halla në film kujton se kleriku e kishte pyetur se: a je me Perendi apo me dreq të zi? Sipas hallës Kleriku i kishte deklaruar familjes se vajza ka dreqin në bark përderisa ka dëshirë me ndërru fenë. Për këtë duheshin bërë lutje sipas Hallës me qëllim që dreqi të zhdukej nga barku i fëmijës. Klerikët në film paraqiten përfitues, ngacmues, si ngatërrestarë të familjeve që pengonin dhe s’lejonin fëmijët të ndërronin fenë në emër të dashurisë. Kleriku në film, në rrëfimet e hallës tregohet ngacmues dhe përfitues i situatës familjare teksa vajzën e re e quan : “Ma zot se Zoti”. Halla tregon se ishte 15 vjeç në moshën që vlerësoi dhe e pa sipas propagandës komuniste se feja ishte diçka e kotë. Gjatë gjithë diskutimit në film, feja etiketohet si ish-feja. Sipas Hallës në film, familjet që besonin dhe ishin të lidhura fort me besimin fetar dhe institucionet e klerit dhe feja si ideologji shkatërronin individin dhe e privonin atë nga liritë e tij. Filmi “Çifti i lumtur” si shumë filma të tjerë komunistë, është kryekupt një propagandë antifetare që në thelb kishte synim të denigrojë fenë dhe të promovonte revolucionin socialist dhe të renë përparimtare socialiste siç quhej për kohën në diktaturë. Komunistët në Shqipëri dhe i gjithë aparati shtetëror me qëllim që të fshehnin dështimet, mjerimin e skllavërimin e popullit, propagandonin dhe bënin lavazh truri skllevërve të rrethuar në tela me gjemba. Komunistët në kinematografi e akuzonin fenë si veprimtari antikombëtare, antishkencore, fenë si instrument të politikave të huaja në Shqipëri etj. Në filmat me bazë familjen ose shoqërinë, propagandistët komunistë e shigjetonin fenë si një pengesë të zhvillimit të rendit të ri komunist, feja si zakon i keq në shoqërinë ateiste komuniste dhe akuzohej si e dëmshme për shoqërinë që kishin ndërtuar komunistët. Në shumë filma të realizuar në periudhën e diktaturës komuniste feja paraqitet si ideologji reaksionare, si pengesë për çelikosjen dhe unitetin popull-parti në Shqipërinë diktatoriale. Në shumicën e filmave të prodhuara gjatë regjimit komunist nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, feja, kleri, institucionet dhe ideologjia fetare denigrohen pa mëshirë duke i etiketuara si të lidhura me prapambetjen, mashtrimin dhe armiqësinë e Shqipërisë.